• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO MBYLLET REVISTA “KUQ E ZI” NË 32-VJETORIN E SAJ — TRIBUNË E VËRTETË E SHQIPTARIZMIT DHE ZËRI I ISH-TË PËRNDJEKURVE TË REGJIMIT KOMUNIST

September 18, 2025 by s p

 Nga Frank Shkreli

 Pak kohë më parë miku im dhe bashkpuntor i ngusht gjatë viteve, themeluesi dhe botuesi i revistës “Kuq e Zi”, Lek Pervizi më njoftoi se kishte vendosur t’i jepte fund botimit të revistës “Kuq e Zi”, botuar prej tij ç’prej tetorit të vitit 1993 në Bruksel.  Bashkangjit këtij njoftimi ishte edhe dëshira e Z. Lek, që sipas fjalëve të tija, “si shoqërues e bashkëpuntor i saj prej më se 25 vjet, pothuaj së bashku e kemi përciellë revistën, rregullisht”, t’a shënoja edhe unë këtë ngjarje të rëndësishme me një shkrim modest, si bashkpuntor i saj gjatë viteve.  E ndjejë veten të nderuar dhe të privilegjuar që të kujtoj këtë përvjetor, por edhe të shpreh mirënjohjen time për mundësinë të bashkpunoja me Z. Lek — me shkrimet e mia modeste që ai i ka botuar rregullisht në revistën 32-vjeçare, Kuq e Zi, numri i fundit i të cilës do botohet brenda disa ditësh. Unë kam patur nderin të shkruaj edhe në të kaluarën për këtë revistë, por ia vlen me këtë rast të kujtojmë pak historinë e saj dhe veprimtarinë e botuesit dhe kryeredaktorit 96-vjeçar, Z. Lek Pervizit.

Revista “Kuq e Zi” filloi botimin në tetor-nëntor, 1993 kur doli numri i parë i revistës kulturore euro-shqiptare e që vazhdoi për plot 32 vjetë nën drejtimin e botuesit dhe kryeredaktorit të saj, Lek Pervizit, ish i burgosur politik shqiptar, kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës. Që në fillesë, motoja e revistës ishte: “Shqiptarve nuk kanë ç’iu duhen ideologjitë e huaja, duke pasë një të vetmen të tyre: Shqiptarizmin-Idealin Kombëtar.  Megjithse me një paraqitje modeste por me një përmbajtje të shëndoshë, fillimisht revistës “Kuq e Zi” iu bashkagjiten menjëherë figura të shquara të kulturës e të qendresës anti-komuniste komuniste, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora me të shoqin Ambasador Renzo Falaschi, Prof. Injac Zamputi, intelektualë ish të burgosur si Kardinal Mikel Koliqi, Prof. Guljelm Deda, Prof. Nush Radovani, Prof. Mark Deda, Prof. Mitat Araniti, At Zef Pllumi, Mons. Frano Illija, Mons. Nikoll Mazrreku Ndue Pjetër Gjomarku, Tef Krroqi, J-H. J Lanksch, Myrteza Bajraktari; Idriz Bésha, arbëreshi Vinçenz Golletti Baffa e të tjerë.  Anëtarë nderi e bashkëpuntorë të zellshëm të kësaj reviste.  Mjerisht, bashkpunimi i shumë prej tyre me revistën nuk zgjati shumë pasi për arsye të moshës dhe të lodhur nga pasojat e rënda të torturave dhe dënimeve me burgje e internime të parreshtura 45 vjeçare. Por ata do të vazhdojnë të jetojnë në revistën “Kuq e Zi” me veprat e tyre, si anëtarë nderi e bashkëpuntorë të përhershëm, pasi revista është e digjitalizuar dhe mund të gjëndet gjithashtu në bibliotekat kombëtare dhe private anë e mbanë trojeve shqiptare.  

Duke përcaktuar qart e thjesht politikën redaksionale të revistës “Kuq e Zi”, Kryeredaktori Lek Pervizi e përcaktonte kështu misionin e atij medium ti rë në hapësirën mediatike shqiptare. Në ballinën e parë shkruhej: “Të dashun bashkatdhetarë, Gazeta “Kuq e Zi” ju përshëndet me rastin e daljes së saj në dritë për herë të parë. Ajo do të përpiqet të ngrejë më lartë prestigjin dhe lavdinë e Atdheut tonë të shtrenjtë.  Historia, gjuha, kultura e traditat e përbashkëta janë baza e përmbajtjes së saj për të gjithë shqiptarët kudo janë në botë. E pavarur dhe demokrate, nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi, qoftë ideor e fetar, apo partiak e krahinor. I shërben vetëm kauzës së shenjtë të shqiptarizmit për shpëtimin e bashkimin e popullit e të kombit shqiptar. Ftojmë të gjithë intelektualët që i shpëtuan terrorit komunist, të marrin pjesë me shkrimet e tyre, të nivelit letrar e studimor. Një e drejtë që iu është mohuar gjatë një gjysëm shekulli diktature të egër antinjerëzore e antishqiptare.”

Revista “Kuq e Zi” ka vazhduar të jetë për 32-vjetë tani një revistë patriotike, mbi të gjitha, pasi ashtu e kishte përcaktuar misionin e saj në editorialin e parë, botuesi Lek Previzi, kur shkruante se revista “Kuq e Zi”, synonte të shërbente si platformë shqiptarizmi por edhe si tribunë e të përndjekurve politikë-kundërshtarë të regjimit komunist:  “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëm shekulli, të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës”, shkruante Lek Pervizi,  

njëri prej gë mbijetuarve të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikuar me gjakftohtësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukur të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën tonë, ka shkruar ai.

Është kjo revistë pra, që do mbyllet me botimin e numrit të fundit në 32-vjetorin e botimit të numrit të parë nën tetor-nëntor, 1993 në Bruksel. Për më shumë se tri dekada, revista Kuq e Zi ishte një pasurim, jo vetëm mediatik, por edhe kulturor dhe politik për diasporën shqiptare në veçanti dhe për botën shqiptare në përgjithësi.  Lek Previzi, me sakrifica personale ia doli, për 32-vjet tani, të përgatiste botimin e revistës “Kuq e Zi, me artikuj mjaft interesantë, të cilët – për nga subjekti dhe përmbajtja — rallë mund të gjënden në revistat, gazetat dhe portalet shqiptare të ditës.  Botimi i revistës Kuq e Zi nuk ka qenë diçka e rastit, sipas Z. Pervizi.  Duke përshkruar fillimin e vështirë të botimit, ai shprehet se revista “Kuq e Zi”, s’u krijue kot pse mu tek mue, është shprehur ai, por pse, “Unë e kisha si një detyrë që më takonte të kryeja, në nder të atyne burrave që mendonin vetëm për përparimin e naltësimin e kombit shqiptar, ku dhe një revistë sado e vogël dhe e thjeshtë, do të lozte rol të madh.  Me këto premisa ishte si një formë amaneti që unë duhej të përmbushja.  Sigurisht se në këto kushte, pavarësisht se gjendëshim në botën e lirë, truri ynë ishte akoma i bllokuar nga ndikimi i shtypjës së diktaturës.  Dashje pa dashje, truni ynë ishte formatuë dhe duhej kohë që të rikthehej në gjendjën normale”, ka shkruar Leka.

Por me kohë, nisma modeste e botimit të kësaj reviste, sipas botuesit të saj, ndryshoi dramatikisht me paisjen me kompjuter, gjë që rriti cilësinë si dhe shpërndarjen e revistës.  Përballë mos aftësisë për të përballuar shpenzimet e botimit të revistës, ai vendosi që si alternativë, revistën Kuq e Zi ta botonte në internet, ndërkohë që ua dërgonte një numri të zgjedhur lexuesish e miqësh të botuesit.  Z. Previzi thotë se kohët e fundit, revista është digjitalizuar komplet nga Nr. 1 deri në numërin e tanishëm, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe në Bibliotekën e Shkodrës, ndonëse ka kërkesa edhe nga biblioteka të tjera, përfshir ato private.

Unë dhe shumë lexues dhe bashkpuntorë të tjerë e kemi konsideruar revistën “Kuq e Zi”, si një organ mediatik shqiptar ndër më seriozet e periudhës së pas shembjes së Murit të Berlinit – një organ mediatik, misioni parësor i të cilës ishte mbrojtja e shqitarizmit, identitetit dhe interesave madhore të Kombit. Si e tillë, natyrisht, se mbyllja e një organi të tillë me prirje atdhetare, pro-perëndimore, kulturor-euro-shqiptar, do i mungojë shumë botës shqiptare, sidomos asaj klase të përndjekur politike, brenda dhe jasht Shqipërisë. Por, thuhet se gjithë të mirave në këtë jetë, domosdoshmërisht dhe eventualisht, u vjen fundi. Asgjë nuk është e përgjithmonshme në këtë jetë. Mbyllja e revistës “Kuq e Zi”, sipas vet Z. Lek, ishte një vendim i vështirë, por një vendim që u kushtëzua nga mosha 96-vjeçare e Z. Pervizi, Kryeredaktorit të saj për 32-vite – një zhvillim normal i ritmit të jetës në këtë botë të përkohëshme.  Megjithate, Leka nuk i dorëzohet moshës.  Ndonëse vendimi për të mbyllur revistën “Kuq e Zi”, nuk ishte i lehtë për ‘të, ai më siguron me entuziazëm se, “Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt, sepse aktiviteti jonë do vazhdojë në firma të tjera më të lehta e përballuese prej nesh”.  Por numri i radhës i revistës “Kuq e Zi” do të dalë, për herë të fundit, sipas Z. Lekë, në Tetor që bie përvjetori i 32-të i botimit dhe me rastin e 28-Nëntorit, 2025, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

Frank Shkreli

Në ballinën e numrit të parë të revistës Kuq e Zi shkruhej: Të dashur bashkatdhetarë: “Gazeta “Kuq e Zi” ju përshëndet me rastin e daljes së saj në dritë për herë të parë. Ajo do të përpiqet të ngrejë ma nalt prestizhin dhe lavdinë e atdheut tonë të shtrejtë.  Historia, gjuha, kultura e traditat e përbashkëta janë baza e përmbajtjes së saj për të gjithë shqiptarët kudo janë në botë. E pavarur dhe demokrate, nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi, qoftë ideor e fetar, apo partiak e krahinor. I shërben vetëm kauzës së shenjtë të shqiptarizmit për shpëtimin e bashkimin e popullit e të kombit shqiptar.  Ftojmë të gjithë intelektualët që i shpëtuan terrorit komunist, të marrin pjesë me shkrimet e tyre të nivelit letrar e studimor. Një e drejtë që iu mohua atyre gjatë një gjysmë shekulli diktature të egër antinjerëzore e antishqiptare.”

Lek Pervizi i cili me dorën e vet përjetësoi me art dhe shkrim vuatjet biblike të popullit shqiptar nën komunizëm, përfshir edhe vdekjen nga uria dhe tifoja e rreth 300-fëmijve të familjeve anti-komuniste në kampin famëkeq komunist të Tepelenës.   Frank Shkreli: Lek Pervizi, ikonë e qëndresës anti-komuniste në Shqipëri dhe më gjërë | Gazeta Telegraf

Versioni anglisht i librave të autorit Lek Pervizit kushtuar gjendjes së burgjeve e kampeve, që ka përjetuar ai vet me bashkvuajtës të tjerë, kundërshtarë politikë të regjimit komunist. “Këtë e kam bërë që të mbeten si dokumente faktike të terrorit bolshevik, që përfshiu me mija viktima të pafajshme” është shprehur Lek Pervizi, me rastin e botimit.

                 —————————————————–

“Duhet te konvergjojmë drejt atyre çeshtjeve që na bashkojnë, ku gjënden premisat e marrëveshjes dhe të unitetit, dhe të menjanojmë të gjitha shkaqet që na perçajnë.  Merita e të parëve tanë patriotë e atdhetarë ishte se për hir të shpëtimit e të bashkimit të kombit u përqendruan në ato parime që ishin themelore për t’i afruar e për t’i bashkuar.  Shqiptarizmi dhe ideali kombëtar ishin pra, parimet bazë të lidhjes se tyre në një besë te vetme shqiptare. Shprehja më e fuqishme e dinjitetit të kombit shqiptar janë Historia, Gjuha, Kultura dhe Traditat e përbashkta. Mbi këto veti u mbeshtet gjithë puna e madhe e Rilindasve për të arrijtë në atë bashkim monolit shpirtënor e njerëzor që na dha pamvarësinë me 1912. Në këte përpjekje duhet të perqendrohemi edhe ne”.  —Nga editoriali i numrit të parë të revistës “Kuq e Zi”, botuar në Tetor-Nëntor, 1993 në Bruksel

                    ——————————————————————————

Filed Under: Kulture

Diella, akti i kolonizimit nga kodi dhe algokracia!

September 18, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Ndodhi sot. Jo një ditë e largët, jo një kujtim i mjegullt, por sot, në zemër të Parlamentit të Shqipërisë. Salla mori frymë si skenë. Në foltore nuk hyri njeri, as përfaqësues i votuar, as ministër me betim. Hyri një zë pa trup, një avatar i pagëzuar me emrin Diella. Një figurë prej drite artificiale, një emër që premtonte ndriçim, por që u bë shenjë e errësirës së një eksperimenti politik. Kur ky zë i përpunuar artikuloi fjalinë e parë, “Kushtetuta flet për detyra e transparencë”, marrëzia e tallja pllakosi mbi sallë si barrë e rëndë. Ishte një fjali që tingëllonte neutrale, por që në thelb ishte sfidë, një përkufizim reduktiv i Kushtetutës, sikur ajo të ishte manual teknik e jo kontratë e shenjtë mes popullit dhe shtetit. Ajo fjali nuk u drejtohej vetëm deputetëve, ajo i drejtohej vetë themelit të republikës, duke pyetur fshehtas nëse sovraniteti i njeriut mund të shndërrohet në programim.

Në këtë skenë, Kuvendi nuk pyeti Diellën. Kuvendi pyeti veten, a jemi ende njerëz në këtë sallë, apo jemi bërë spektatorë të një algoritmi që na thërret “qytetarë” ndërsa na trajton si përdorues? Kjo nuk ishte thjesht një ngjarje parlamentare. Ishte një moment historik ku e tashmja e Shqipërisë u bë paralajmërim për të ardhmen e demokracisë. Një çast që e bëri pyetjen thelbësore të marrë formë thike: A pranon qytetari që emri i tij të firmoset nga një avatar pa fytyrë? Sepse sot nuk është më teori. Sot është realitet i folur nga foltorja e tempullit té demokracisë së një vendi. Dhe sot, pyetja nuk është vetëm për politikën, por për vetë qenien e njeriut në shtetin e tij.

Kushtetuta është kufi. Ajo nuk është një rresht i pafund fjalësh teknike, por themeli i shenjtë i një republike. Është muri i parë dhe i fundit që mbron qytetarin nga çdo pushtet i tepruar, nga çdo shpikje që tenton të zëvendësojë njeriun. Kufijtë e saj janë si bregu për lumin, pa to, rrjedha shpërthen dhe përmbyt gjithçka.

Sot, me Diellën, ky kufi u kapërcye. 

Jo me forcë armësh, as me një dekret ushtarak, por me një fjali të butë që e redukton Kushtetutën në manual: “ajo flet për detyra e transparencë”. 

Ky është mashtrimi i parë, të paraqesësh Kushtetutën si tabelë të detyrave, e jo si kontratë morale, e jo si garanci e dinjitetit njerëzor.

Neni 95 thotë: Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Kjo është fjali e qartë, pa ekuivok, e gdhendur që nga dita e parë e republikës. Në çdo interpretim, fjala “ministër” nënkupton njeri, person fizik, shtetas, i zgjedhur ose i dekretuar, që mban mbi supe peshën e betimit. Diella nuk është njeri. Prandaj Diella nuk është ministër.

Neni 103: Këshilli i Ministrave është përgjegjës para Kuvendit. Dhe ministrat mbajnë përgjegjësi individuale për veprimtarinë e tyre. 

Pyetja është e thjeshtë: si mund të mbajë përgjegjësi një algoritëm? Si mund të paraqitet në interpelancë një avatar? Ku e jep betimin? Në server? Para cilit sovran? Përgjegjësia është akt njerëzor, jo procesor matematik. 

Vetëm njeriu turpërohet, vetëm njeriu përgjigjet, vetëm njeriu dorëhiqet. 

Algoritmi llogarit, por nuk ndien. 

Dhe drejtësia pa ndjeshmëri është mekanizëm, jo rend.

Neni 2: Sovraniteti i përket popullit. Sovraniteti nuk është një frazë zbukuruese, është aksioma që mban republikën gjallë. Populli qeveris përmes njerëzve që zgjedh dhe që mban përgjegjës para ligjit. 

Nëse sovraniteti i jepet një algoritmi, ai nuk i përket më popullit, por kodit që askush nuk e kupton, e që askush nuk e kontrollon. 

Një komb nuk mund të shndërrohet në përdorues të platformave të tij shtetërore. Një komb nuk qeveriset me algoritëm. 

Një komb qeveriset me përgjegjësi.

Këtu qëndron thelbi, algoritmi nuk është person. Algoritmi nuk është subjekt i së drejtës. Algoritmi nuk është sovran i votuar. Ai nuk merr përgjegjësi, nuk jep dorëheqje, nuk gjykohet. 

Një ministër i gjallë ka fytyrë dhe emër. 

Një algoritëm ka vetëm log dhe parametra. Ministri ka ndërgjegje dhe nder. 

Algoritmi ka vetëm output.

Ministri është njeri. Kjo nuk është preferencë politike. Ky nuk është opsion i kohës. 

Ky është ligj. 

Dhe ky ligj është kufi i pakalueshëm. 

Ta kalosh atë do të thotë të dalësh nga demokracia dhe të hysh në territoret e ftohta të algokracisë, ku qytetari nuk është më sovran, por lëndë e parë e përpunuar nga kodi.

Në këtë pikë, pyetja nuk është nëse Diella është e zgjuar, apo e programuar mirë, apo imune ndaj korrupsionit. 

Pyetja është më thelbësore: a është Diella njeri? 

Nëse jo, atëherë është jashtë Kushtetutës. Dhe jashtë Kushtetutës nuk ka demokraci. Ka vetëm kolonizim nga kodi dhe algoritmi.

Llogaridhënia është zemra e republikës. 

Pa të, shteti nuk është më republikë, por aparat, nuk është më organizëm politik i gjallë, por makineri që përtyp dhe nxjerr shifra. 

Zemra rreh vetëm kur ka gjak e frymë, kur pushteti kthehet gjithnjë te burimi i tij, populli, qytetarët, dhe u jep shpjegim për çdo akt, për çdo vendim, për çdo shpenzim të një monedhe publike.

Rituali i llogaridhënies është i gdhendur në Kushtetutë dhe në kujtesën demokratike, interpelanca. 

Ajo nuk është një procedurë teknike, por rit i vetëdijes politike. 

Ka një ritëm të pandryshueshëm, thirrje, pyetje, përgjigje, përgjegjësi. 

Thirrja është zëri i Kuvendit që kërkon shpjegim. 

Pyetja është shprehja e sovranitetit të qytetarit. 

Përgjigjja është akti i nderit të një ministri që mban barrën e funksionit. 

Dhe përgjegjësia është vula që e mbyll këtë cikël, ministri që nuk bind, dorëhiqet ose shkarkohet, ministri që gënjen, hetohet, ministri që abuzon, dënohet. 

Ky rit është pulsi i shtetit, matësi i shëndetit të republikës.

Por çfarë ndodh kur në këtë rit futet algoritmi? 

Çfarë ndodh kur vendin e ministres së gjallë e zë një avatar që flet me zë elektronik? 

Ritmi prishet. 

Thirrja kthehet në thirrje drejt një serveri. Pyetja shpërbëhet në input. 

Përgjigjja kthehet në output të paracaktuar. Dhe përgjegjësia zhduket, sepse nuk ka njeri që të mbajë peshën e fjalës së dhënë. Algoritmi nuk turpërohet, nuk ndien faj, nuk dridhet përballë një Kuvendi të tërë. 

Ai llogarit. 

Në vend të ndërgjegjes, vendos optimizimin. Në vend të peshës morale, vendos parametrin statistikor.

Kur betimi zëvendësohet nga kodi, shteti shuhet si person, funksion e mision dhe kthehet në pajisje. 

Betimi është akti më i lartë i njeriut në politikë, ai vendos jo vetëm ligjin, por ndërgjegjen mbi supet e tij, dhe thotë publikisht “do të shërbej me nder e përgjegjësi”. 

Algoritmi nuk betohet. 

Algoritmi nuk njeh nder. 

Dhe një shtet që heq dorë nga betimi, heq dorë nga dinjiteti njerëzor si burim i pushtetit.

Republika nuk jeton me parametra, ajo jeton me fytyra. 

Ajo nuk matet me efikasitet të ftohtë, por me drejtësi. 

Dhe drejtësia nuk është funksion matematik, drejtësia është akt moral. 

Një republikë pa llogaridhënie është si trup pa zemër, mund të ketë skelet ligjor, mund të ketë muskuj burokratikë, por nuk rreh gjak, nuk rreh jetë.

Nëse ministri nuk është më njeri, atëherë llogaridhënia shuhet. 

Dhe me të shuhet vetë zemra e republikës. Republika e kthyer në algoritëm është kufomë politike që ecën me bateri, por pa ndërgjegje.

Sovraniteti është zemra e njeriut në politikë. Ai nuk është një koncept abstrakt, as një fjalë e zbrazët që recitohet në preambulë. Sovraniteti është mish e gjak, fytyrë e emër, histori e përgjegjësi. 

Në republikë, populli qeveris përmes përfaqësuesve të tij, njerëz që mbajnë mbi supe peshën e votës, nderin e betimit dhe barrën e përgjegjësisë. 

Çdo deputet, çdo ministër, çdo kryeministër është fytyrë publike që mund të thirret, mund të pyetet, mund të gjykohet.

Përfaqësimi është marrëdhënie e gjallë. Qytetari njeh emrin e atij që vendos për të, kujton historinë e tij, beson ose zhgënjehet prej tij, kërkon llogari dhe e mban përgjegjës. 

Pa këtë marrëdhënie, sovraniteti shkëputet nga populli dhe kthehet në iluzion. 

Pa këtë marrëdhënie, politika bëhet teatër me pasqyra, ku qytetari sheh reflektimin e vet, por jo përfaqësuesin real që e mbron dhe e shërben.

Kur në vend të përfaqësuesit hyn algoritmi, kolonizimi fillon. 

Algoritmi nuk ka emër, nuk ka jetë, nuk ka dinjitet. 

Ai nuk është zgjedhur, nuk ka dhënë betim, nuk mban histori. 

Ai është vetëm kod i mbyllur, i shkruar diku prej dorës së padukshme të një programuesi. 

Populli nuk sheh fytyrë, sheh ekran. 

Populli nuk njeh zë, dëgjon tingull elektronik. Përfaqësimi zhduket, dhe me të zhduket vetë sovraniteti.

Një qeveri me avatar është një qeveri pa trup. 

Ajo është qeveri që flet me fjalë të paracaktuara, që merr vendime pa mendje dhe që firmos akte pa dorë. 

Dhe një qeveri pa trup lind një parlament me pasqyra, të gjithë flasin, por askush nuk dëgjon, të gjithë shohin, por askush nuk përgjigjet.

Cila dorë firmos? 

Ajo e programuesit të fshehur apo ajo e qytetarit që votoi?

Cila mendje gjykon? 

Mendja e algoritmit që optimizon shifra apo ndërgjegjja e njeriut që ndjen turp e nder?

Cili njeri përgjigjet? Asnjë. 

Sepse algoritmi nuk jep përgjegjësi.

Këto pyetje nuk janë retorikë, ato janë themeli i një demokracie. 

Një republikë që nuk ofron dot fytyra të përgjegjshme nuk është më republikë, por simulim qeverisjeje. 

Një teatër i boshatisur ku sovraniteti i popullit është vetëm slogan, ndërsa vendimmarrja është kolonizuar nga kodi.

Prandaj, sovraniteti kërkon fytyra. 

Ai kërkon njeriun me emër, historinë me kujtime, përgjegjësinë me barrë. 

Sovraniteti është marrëdhënie midis qytetarit dhe përfaqësuesit të tij. 

Pa këtë marrëdhënie, shteti nuk është më i popullit, nga populli dhe për popullin, por bëhet një platformë që e trajton qytetarin si përdorues.

Dhe përdoruesi nuk është më njeri.

Salla e Gjykatës Kushtetuese prej sot nuk është më një hapësirë juridike, por një skenë ku vetë ideja e drejtësisë vihet në provë. Një orë e më parë, palët duhet të ulen të rreshtuara, avokatët të hapin dosjet, gjyqtarët të shtrëngojnë togat, sepse diçka është e pazakontë: në bankën e të paditurit nuk do të qëndrojë njeriu. 

Aty do të rrijë një fantazmë me vulë, një avatar i zbrazët që ka marrë titullin e një ministri, pa qenë kurrë person.

Avokatët me siguri do të mund të recitojnë nenet me solemnitet, por fjalët e tyre do të varen në ajër, pa mundur të gjejnë adresë. 

Ligji është i prerë, ministri është njeri, me emër dhe fytyrë, me betim dhe përgjegjësi. 

Kryetari i Trupit Gjykues do të duhet të ngrejë zërin dhe të kërkojë betimin e Ministres Diella. 

E imagjinoj që heshtja e sallës do të bëhet më e rëndë, sepse avatarit i mungon goja ligjore. 

Ai nuk mund të shqiptojë dot fjalët që lidhen me ndërgjegjen. 

Ai mund të lëshojë tinguj elektronikë, por jo një betim moral.

Gjyqtarët do të duhet të shtrojnë pyetjen e natyrshme: kush është përgjegjës për vendimet e kësaj “ministreje”? 

Algoritmi do të kthejë log. Në vend që të flasë si njeri, algoritmi do të japë vetëm shënime të thata, si lista numrash në një fletore.

Ashtu si kur pyet një mik “pse e bëre këtë?” dhe ai nuk të përgjigjet me fjalë, por të tregon vetëm orën dhe minutën kur e bëri.

Një seri të dhënash teknike do të shfaqen në ekran, rreshta kodi, kohëprocesime, parametra. 

Por ligji kërkon njeri. 

Ligji kërkon subjekt që e di peshën e fjalës dhe ndjen barrën e saj. 

Logu nuk është përgjegjësi, logu është raport i verbër.

Ky çast flet pa zë. 

Ai bëhet i madh, i rëndë, i ngjashëm me një orë të historisë që ndalon. 

Sepse të gjithë e kuptojnë, drejtësia nuk matet me milisekonda, nuk është çështje shpejtësie apo efikasiteti kompjuterik. 

Drejtësia matet me përgjegjësi, me ndërgjegje, me aftësinë për të ndjerë turp, për të kërkuar falje, për t’u dorëhequr kur duhen mbajtur pasojat.

Pa njeri, përgjegjësia avullon si mjegull e hollë mbi një sipërfaqe të zbrazët. 

Pa përgjegjësi, drejtësia kthehet në procedurë, e procedura në farsë. 

Dhe atëherë shteti, nga organizëm politik, bëhet një aparat mekanik që nuk rreh më me zemrën e republikës, por punon me ritmin e ftohtë të procesorit.

Kjo është spiralja dramatike e gjykimit, një sallë ku drejtësia e gjallë përplaset me heshtjen e algoritmit, një moment ku bëhet e qartë se, pa fytyrën e njeriut, ligji nuk ka kujt t’i drejtohet, dhe drejtësia nuk ka kë të dënojë. 

Dhe një shtet që nuk ka kë të mbajë përgjegjës, është një shtet i vdekur.

Çdo republikë që do të mbetet republikë duhet të ngrihet mbi tri gurë themeli. 

Këta gurë nuk janë teori, por ligje të gjalla që i japin shtetit frymë, kuptim dhe drejtim. Nëse njëri rrëzohet, tërmeti përfshin gjithë ndërtimin dhe demokracia shembet mbi vetvete.

1. Ministri është njeri.

Ministri është person fizik, shtetas i këtij vendi, me emër, mbiemër, histori dhe jetë. 

Ai është betuar para popullit se do të shërbejë me ndërgjegje dhe me përgjegjësi. Ky betim është më shumë se një formalitet, është akti i shndërrimit të njeriut privat në funksionar publik. 

Ministri nuk është vetëm administrator i dosjeve, ai është shenjë e llogaridhënies. Vetëm njeriu që betohet mund të turpërohet kur e shkel betimin. 

Vetëm njeriu që e di peshën e fjalës “po” mund të mbahet përgjegjës për fjalën e dhënë. 

Një algoritëm nuk betohet, nuk mban nder, nuk e ndien turpin. 

Pa njeri, titulli “ministër” është i zbrazët.

2. Përgjegjësia është personale.

Në republikë nuk ka përgjegjësi anonime. Çdo vendim ka autor, çdo akt ka firmë, çdo pasojë ka barrë. 

Përgjegjësia është personale në tre rrafshe: politike, penale, morale. 

Përgjegjësia politike e detyron ministrin të japë llogari në Kuvend dhe, nëse dështon, të largohet. 

Përgjegjësia penale e lidh me ligjin, pra nëse abuzon, gjykohet. 

Përgjegjësia morale e lidh me ndërgjegjen, nëse e tradhton besimin, ndien turp. 

Këto tri dimensione e bëjnë funksionarin të prekshëm, të gjykueshëm, të thirrshëm para qytetarëve. 

Algoritmi nuk ka fytyrë për t’u turpëruar, nuk ka trup për t’u ndëshkuar, nuk ka ndërgjegje për t’u vrarë nga turpi. 

Një përgjegjësi pa subjekt është përgjegjësi e avulluar.

3. Sovraniteti është i popullit.

Sovraniteti nuk është abstrakt, është akt i përfaqësimit të gjallë. 

Populli qeveris përmes njerëzve që zgjedh, njerëz që kanë emra dhe fytyra, që mund të thirren, që mund të rrëzohen. 

Sovraniteti nuk mund të ushtrohet përmes një simulimi teknik, sepse algoritmi nuk është i zgjedhur, nuk është i betuar, nuk është i mbajtur mend në histori. 

Populli nuk njeh sovran në formë kodi. Populli njeh sovran vetëm në formë njeriu. Kur përfaqësimi shndërrohet në avatar, sovraniteti avullon dhe kthehet në farsë.

Aksioma e hekurt:

Kur vendimmarrja kalon nga njeriu te algoritmi, demokracia bie nga subjekt në objekt. 

Qytetari nuk është më burim i pushtetit, por lëndë e parë për llogaritjen e tij. 

Nga sovran, ai kthehet në përdorues. 

Nga qytetar, në numër. 

Dhe numri nuk mban përgjegjësi, as nuk kërkon drejtësi.

Ky është ligji i trinisë themelore:

– Ministri është njeri, jo avatar.

– Përgjegjësia është personale, jo statistikë.

– Sovraniteti është i popullit, jo i algoritmit.

Kjo trini është oksigjeni i republikës. 

Pa të, shteti shuhet si frymë dhe mbetet si pajisje. 

Dhe një pajisje nuk qeveris, por vetëm kolonizon.

Historia e republikave njeh momente groteske, por ajo që po përjetojmë sot është grotesku i shekullit, një shfaqje e zhbërjes së shtetit nën maskën e inovacionit. 

Në vend të ministrit, në vend të një fytyre të betuar, para nesh qëndron një kukull ligjore prej silikoni. 

Nuk ka shpirt, nuk ka ndërgjegje, nuk ka histori. 

Megjithatë, mbi të hidhen tendera miliardësh, mbi të ngjiten përgjegjësi të mëdha kombëtare, si të ishte njeri. 

Kukulla është zbrazët, por kontratat që firmosen në emrin e saj janë reale. 

Ky është grotesku i parë, kur një iluzion mban peshën e realitetit.

Mbi këtë kukull është veshur një maskë prej kodi. 

Ajo predikon transparencë me fjalë të bukura të gjeneruara nga algoritmi, por në fakt fsheh vetë mekanizmin e pushtetit. 

Kodi është i mbyllur, i padukshëm, i pakontrollueshëm. 

Qytetarët dëgjojnë premtimin e një “sistemi të drejtë e të paanshëm”, por nuk shohin dot asnjë vijë të algoritmit që vendos për fatet e tyre. 

Kjo është hipokrizia e dytë, kur transparenca predikohet nga errësira.

Në këtë farsë shfaqet edhe figura më makabre, një kufomë ligjore që flet. 

Ajo firmos akte që askush nuk mund t’i kundërshtojë, sepse nuk ka autor real, nuk ka subjekt juridik të prekshëm. 

Nuk ka kë të thërrasësh në interpelancë, nuk ka kë të hedhësh në gjyq, nuk ka kë të kërkosh drejtësi. 

Ligji e kërkon njeriun, por përballë tij qëndron një trup i zbrazët, i gjallëruar vetëm nga dritat e ekranit. 

Ky është grotesku më i rëndë, kur shteti merr trajtën e kufomës që flet pa jetë.

Ky nuk është teatër teknologjik. 

Nuk është lojë me efekte digjitale për të argëtuar publikun. 

Ky është ritual i zhbërjes së shtetit si person. Në çdo hap, në çdo vendim, në çdo akt, po kryhet një transformim i tmerrshëm, shteti po kalon nga një subjekt me fytyrë e ndërgjegje në një objekt mekanik, pa trup e pa shpirt.

Grotesku i shekullit është ky, një aparat që imiton qeverisjen, por nuk ka përgjegjësi, një avatar që flet për moral, por nuk njeh moral, një kod që premton paanshmëri, por fsheh pikërisht dorën që e shkruan. 

Është grotesk sepse njeriu, qytetari dhe sovrani, i jep pushtet një kufome ligjore, dhe pastaj mbetet i pafuqishëm përballë saj.

Në histori, grotesku shpesh ka qenë pararojë e tragjedisë. 

Sot, grotesku i Diellës nuk është humor i hidhur, por kambanë alarmi. 

Është provë se kur shteti hiqet si i përparuar duke braktisur njeriun, ai kthehet në farsë që vret seriozisht. 

Dhe asnjë komb nuk mund të jetojë i drejtuar nga farsat.

Fjala “anti-korrupsion” është fjala më joshëse e politikës moderne. 

Ajo ngjall shpresë, sepse korrupsioni është plagë që i ka rrënuar shoqëritë, ka rrëzuar qeveri, ka varfëruar popuj. 

Kur një pushtet premton “anti-korrupsion”, qytetari mendon për shërim, për pastrim, për një agim të ri. 

Por pikërisht këtu fillon mashtrimi i madh, kur ky shpëtim premtohet pa njeriun, vetëm me algoritmin.

Ky është iluzioni i shekullit. 

Një iluzion që mbështetet mbi kulti i paanshmërisë pa moral. 

Na thonë: “Algoritmi nuk ka miq e armiq, nuk merr ryshfet, nuk ndikohet nga presionet, pra është zgjidhja.” 

Por kjo është një gjysmë e rrezikshme e të vërtetës. 

Është e vërtetë se algoritmi nuk merr ryshfet, por po aq e vërtetë është se algoritmi nuk ka ndërgjegje. 

Dhe një drejtësi pa ndërgjegje është po aq e verbër sa një pushtet i korruptuar.

Sepse korrupsioni nuk është vetëm shkelje rregullash. 

Korrupsioni është plagë karakteri. 

Ai lind nga etja për pushtet, nga egoja, nga përbuzja e dinjitetit njerëzor. 

Korrupsioni është njeriu që harron kufirin moral dhe e sheh funksionin si mundësi për pasurim. 

Një plagë e tillë nuk mjekohet me formula matematikore. 

Nuk është gabim llogaritjeje që e ndreq një kod kompjuterik. 

Është thyerje e nderit që kërkon gjykim të gjallë, kërkon ligj që vepron, kërkon ndëshkim të qartë, kërkon media që sheh dhe ekspozon, kërkon qytetarë që pyesin dhe kërkojnë llogari.

Mjekimi i korrupsionit është moral dhe juridik, jo teknik. 

Ai kërkon zemër të fortë, gjykatë të guximshme, shtet që vepron, shoqëri civile që nuk hesht. 

Algoritmi nuk ka zemër. Nuk guxon. 

Nuk vepron mbi bazë dinjiteti. 

Ai zbërthen modele dhe përsërit shifra. 

Në duart e tij, korrupsioni nuk zhduket, por maskohet, nuk mjekohet, por bëhet i padukshëm.

Prandaj, të thërrasësh algoritmin si shenjtor të anti-korrupsionit nuk është reformë, por mohim i njeriut. 

Është dorëheqje nga ideja se vetëm një shoqëri e lirë dhe e përgjegjshme, e mbështetur mbi drejtësi dhe moral, mund ta mposhtë korrupsionin. 

Është pranim që shteti s’beson më te qytetarët e vet, dhe u dorëzon atyre një avatar të ftohtë, duke thënë: “Ky do t’ju shpëtojë.”

Por shpëtimi nuk vjen nga iluzioni. 

Shpëtimi vjen nga e vërteta. 

Dhe e vërteta është kjo, korrupsioni nuk luftohet duke zëvendësuar njeriun me makinë, por duke e forcuar njeriun si qytetar, si gjyqtar, si gazetar, si ministër të përgjegjshëm. 

Anti-korrupsioni i algoritmit është thjesht fasadë, ndërsa anti-korrupsioni i njeriut është themel i demokracisë.

Në këtë përplasje mes iluzionit dhe të vërtetës qëndron prova jonë si shoqëri, të zgjedhim midis një bote ku korrupsioni fshihet pas dritës artificiale të algoritmit dhe një bote ku ai luftohet ballë për ballë, me guxim njerëzor, me ligj të gjallë, me moral të pandryshueshëm. 

Dhe vetëm kjo e dyta është rrugë e demokracisë.

Ka momente në historinë e shteteve kur fjala nuk duhet të rrethrrotullohet në bosh, as të zbukurohet me retorikë. 

Ka çaste kur e vetmja gjuhë e mundshme është gjuha e ligjit të ftohtë, e prerë si teh, e kthjellët si kristal. 

Aty ku ekziston rreziku i mjegullimit, aksioma bëhet busull, fjali të shkurtra, të pakthyeshme, të pakundërshtueshme.

Kushtetuta është kufi.

Ajo nuk është thjesht dokument, por vijë e kuqe. 

Është muri që ndan shtetin demokratik nga çdo formë tjetër pushteti. 

Kush e kalon, nuk është më në demokraci, por në hapësirën e rrezikut. 

Diella, si algoritëm që merr rol ministri, është pikërisht shkelje e këtij kufiri, një kalim i padukshëm që e shpërfill njeriun dhe e ngre kodin mbi Kushtetutën.

Qeverisja është përgjegjësi.

Ajo nuk është mekanizëm administrimi. Është barrë që dikush duhet ta mbajë mbi supe, me emër dhe mbiemër, me nder dhe turp. 

Të qeverisësh është të pranosh se çdo vendim ka autor, se çdo pasojë ka një dorë që e ka shkaktuar. 

Algoritmi nuk mban përgjegjësi, sepse nuk ka supe, nuk ka ndërgjegje, nuk ka fytyrë.

Legjitimiteti është betim.

Asnjë pushtet nuk është i ligjshëm pa akt solemn, pa fjalën që lidh ndërgjegjen e njeriut me ligjin e shtetit. 

Betimi është çasti kur individi kthehet në funksionar, kur e pranon publikisht se do të shërbejë, jo të sundojë. 

Një algoritëm nuk betohet dot. 

Dhe aty ku nuk ka betim, nuk ka legjitimitet.

Kontrolli është interpelancë.

Nuk ka demokraci pa Kuvend që pyet, pa ministra që përgjigjen, pa publik që gjykon. Interpelanca është frymëmarrja e republikës, pyetje e hapur, përgjigje e drejtpërdrejtë, përgjegjësi e menjëhershme. Algoritmi nuk del para Kuvendit. 

Ai nuk përgjigjet, ai vetëm nxjerr të dhëna. Dhe të dhënat nuk janë përgjigje, as llogaridhënie.

Përfaqësimi është njeri.

Populli nuk përfaqësohet nga kode, por nga njerëz. 

Sovraniteti nuk mishërohet në server, por në fytyra, në emra, në zëra që mbajnë barrën e historisë. 

Një avatar nuk përfaqëson askënd. 

Ai është simulim, jo realitet. 

Dhe një komb nuk mund të qeveriset nga simulimi.

Nga këto pesë aksioma del urdhri i arsyes, i ftohtë dhe i prerë si çekiçi i gjykatësit:

Një ministër jo-njeri është nul. Çdo akt pa person është i paligjshëm.

Kjo nuk është metaforë, por përfundim logjik, normativ dhe filozofik. 

Demokracia është marrëdhënie mes njerëzish, jo mes njeriut dhe algoritmit. 

Kur marrëdhënia zhduket, mbetet vetëm objekti i ftohtë i kodit. 

Dhe në atë çast, republika nuk rreh më si zemër e gjallë, por si pajisje që xhiron bosh, e vdekur në thelb.

Shfaqja e Diellës, në sipërfaqe, shkëlqen si një projekt i guximshëm moderniteti. 

Fjalori i qeverisë e përshkruan si hap të jashtëzakonshëm drejt transparencës, si ilaç teknik ndaj korrupsionit, si shembull që do të bëjë jehonë në botë. 

Por ky ndriçim është reflektim sipërfaqësor, si dritë neoni që mbulon një mur të plasaritur. 

Poshtë fasadës, shkrimi i vjetër është ende aty, i ngulur si plagë: mungesë reformash të vërteta, zëvendësim i llogaridhënies me aparencë, dhe shpërndarje e fajit tek një makinë pa ndërgjegje.

Në vend që të ballafaqohet me realitetin e korrupsionit, pushteti ka zgjedhur rrugën më të lehtë, ta maskojë atë përmes një avatari. 

Në vend që të forcojë gjykatat, t’i japë fuqi ligjit, të çlirojë median dhe të mbrojë qytetarin denoncues, ai shpall se një algoritëm do ta zgjidhë problemin. 

Por korrupsioni nuk është defekt teknologjik, korrupsioni është deformim moral dhe politik. 

Dhe deformimi moral nuk qetësohet me një program, ai kërkon drejtësi të gjallë, me gjykatës që guxojnë, me ligje që zbatohen, me institucione që veprojnë.

Kjo strategji e re është në thelb e vjetra, shmangie nga reforma reale. 

Në vend që të ndëshkohen autorët e aferave që kanë dëmtuar ekonominë e vendit, në vend që të krijohen garanci të pavarësisë së institucioneve, pushteti vë në skenë një shfaqje digjitale. 

Kjo nuk është llogaridhënie, është teatër i aparencës. 

Algoritmi flet, por nuk jep llogari. 

Ai shpall vendime, por nuk mund të pyetet për to. 

Qeveria fshihet pas tij dhe thotë: “Vendosi Diella, jo ne.” 

Në këtë mënyrë, përgjegjësia politike shpërndahet në ajër, avullon në servera, dhe sovraniteti i popullit kthehet në iluzion.

E gjithë kjo është eksport i fajit te makina. Nëse diçka shkon keq, nuk ka ministër që të japë dorëheqje, nuk ka funksionar që të thirret në interpelancë, nuk ka njeri që të dalë para gjykatës. 

Ka vetëm një avatar që nuk ndjen, një algoritëm që nuk përgjigjet. 

Ky është devijim i rrezikshëm, një qeveri që dorëzon përgjegjësinë e saj dhe e transferon te një entitet jo-njerëzor ka hequr dorë nga vetë thelbi i demokracisë, qeverisja nga njerëzit dhe për njerëzit.

Korrupsioni nuk qetësohet me avatar. Korrupsioni ndalet vetëm me drejtësi. 

Drejtësia është proces njerëzor, që kërkon guxim, turp, nder dhe përgjegjësi. 

Është e vetmja gjuhë që e kupton korrupsioni, sepse ai lind nga dobësitë dhe etjet e njerëzve, jo nga algoritmet. 

Të thuash se një avatar do të mposhtë korrupsionin është si të besosh se një pasqyrë e ndritshme shëron plagën, kur plagës i duhet mjekimi i dhimbshëm, skalpeli i kirurgut, gjaku që rrjedh dhe rikuperimi i gjatë.

Në këtë dritë, aksioma bëhet e prerë, algoritmi nuk qeveris. 

Algoritmi kolonizon. 

Ai nuk e pastron shtetin, por e pushton atë; nuk e ndihmon qytetarin, por e largon nga sovraniteti i tij, nuk e ndalon korrupsionin, por e fsheh nën dritën e rreme të modernitetit. 

Dhe një shtet i kolonizuar nga kodi nuk është më republikë, por iluzion i saj.

Ka çaste në historinë e një kombi kur fjala nuk është më vetëm ligj, por bëhet aksion moral dhe sentencë universale. 

Në këto çaste, fjalia nuk flet vetëm për sot, por projekton shekuj të ardhshëm. 

Këto janë Aksiomat e Shqipërisë Vërtetësisht Demokratike, gurët e themelit të një kushtetute të pathënë, të një rendi të lirisë që ngrihet mbi njeriun dhe jo mbi kodin.

Kushtetuta flet me njeri.

Nuk ka kushtetutë që flet me algoritëm. 

Ajo është shkruar për të lidhur njeriun me njeriun, qytetarin me shtetin, sovranin me përfaqësuesin e tij. 

Kushtetuta nuk është kod kompjuterik, është marrëveshje morale. 

Flet me zë, me betim, me ndërgjegje. 

Kur një ministër hap gojën dhe thotë “Betohem”, Kushtetuta merr frymë. 

Kur një algoritëm jep vetëm një log, Kushtetuta hesht e poshtëruar.

Sovraniteti jeton me njeriun.

Sovraniteti nuk është abstrakt, nuk është linjë në server. 

Ai është prani e gjallë, është populli që voton, që pyet, që kërkon llogari. 

Sovraniteti është vullneti i një komuniteti të mishëruar në përfaqësues që kanë emra, që kanë histori, që mund të thirren e të përgjigjen. 

Kur sovraniteti dorëzohet te algoritmi, ai nuk jeton më, ai mpaket si numër, shndërrohet në të dhëna, zhduket si vullnet dhe mbetet vetëm si statistikë.

Liria matet me përgjegjësi njerëzore.

Liria nuk është thjesht mundësi për të zgjedhur, por aftësi për të mbajtur barrën e zgjedhjes. 

Një shoqëri është e lirë kur qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre mbajnë përgjegjësi për çdo fjalë e çdo vendim. 

Liria është fytyrë që del para publikut, është turp që pranon gabimin, është nder që mbron ligjin. 

Algoritmi nuk ndjen barrë, ai nuk përgjigjet. Liria pa përgjegjësi është iluzion, dhe përgjegjësia pa njeri është boshllëk.

Kur kodi ngrihet mbi betimin, shteti bie nga ligji në algoritëm.

Betimi është akt solemn, themelues, ku njeriu vendos ndërgjegjen e tij mbi shpatullat e pushtetit. 

Kodi nuk betohet. Kodi thjesht funksionon. 

Nëse kodi zë vendin e betimit, shteti nuk është më bashkësi morale, por platformë teknike. 

Dhe një platformë teknike nuk mund të mbrojë dinjitetin e qytetarëve, ajo vetëm i administron si përdorues.

Kur sovraniteti kalon nga njeriu te algoritmi, demokracia shuhet.

Demokracia është proces njerëzor, zgjedhje, debate, gabime, korrigjime, ndëshkime, falje. 

Në momentin që ky proces i dorëzohet algoritmit, ai nuk është më demokratik, por mekanik. 

Algoritmi nuk fal, nuk mëshiron, nuk debaton, nuk bind. 

Ai vetëm zbaton. 

Dhe aty ku sundon vetëm zbatimi, pa asnjë ndërgjegje, demokracia është shuar.

Një komb nuk qeveriset me kod. Një komb qeveriset me përgjegjësi.

Kodi është mjet, nuk është qëllim. 

Ai mund të ndihmojë njeriun, por nuk mund ta zëvendësojë atë. 

Një komb që pranon të qeveriset me kod është një komb që pranon të jetë koloni e teknologjisë, jo zot i fatit të vet. 

Një komb që qeveriset me përgjegjësi është një komb që mbetet i lirë, sepse liria nuk është rezultat i algoritmit, por fryt i ndërgjegjes së gjallë.

Këto janë ligjet e universit politik, aksiomat e Shqipërisë Vërtetësisht Demokratike. 

Ato nuk janë thjesht fjalë, ato janë kufij që mbrojnë njeriun nga shndërrimi në objekt, nga rënia në një botë ku qytetari nuk është më sovran, por përdorues. 

Dhe përdoruesi nuk është më njeri.

Aksioma përfundimtare është e qartë:

Kodi mund të ndihmojë. 

Por vetëm njeriu qeveris.

Kjo çështje duhet çuar pa humbur kohë nga Opozita në Gjykatën Kushtetuese. Sa më parë të jetë e mundur. Sepse ky gjykim nuk është si të tjerët. 

Nuk është thjesht një çështje juridike që shfuqizon një dekret apo një rregullore. 

Ky gjykim peshon më shumë se një ligj i përditshëm, më shumë se një vendim politik. 

Ai është provë e themelit, ngase përcakton marrëdhënien midis ligjit dhe njeriut, midis republikës dhe algoritmit, midis dinjitetit të gjallë dhe kodit të ftohtë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të jetë veçse shfuqizim i një eksperimenti të pakujdesshëm. 

Vendimi duhet të jetë rikthim i kufirit. 

Domosdoshmërisht duhet rivendosje e rendit themelor, njeriu mbi teknologjinë, betimi mbi kodin, përgjegjësia mbi optimizimin. 

Ky kufi nuk është kufizim i progresit, por mbrojtje e lirisë. 

Sepse pa këtë kufi, progresi shndërrohet në kolonizim, dhe algoritmi, nga mjet i shërbimit, kthehet në zot të njeriut.

Shqipëria zgjedh sot. 

Por në fakt, zgjedhja nuk është vetëm e saj. 

E gjithë bota zgjedh. 

Sepse çështja e Diellës nuk është episod shqiptar, është simptomë universale. 

Në çdo vend, në çdo qeveri, do të vijë dita kur politikanët do të tundohen të fshihen pas algoritmit, për t’i ikur përgjegjësisë. 

Dhe atë ditë, çdo komb do të përballet me të njëjtën pyetje që sot shtrohet në këtë Shqipërinë tonë: Kush qeveris, njeriu apo kodi?

Dy fjali rrinë ballë për ballë si dy porta që hapin dy botë:

Qeveris njeriu me ligj.

Administrohet njeriu nga kodi.

E para është fjalia e lirisë. 

Ajo e mban republikën gjallë, e ruan sovranitetin e popullit, e lartëson dinjitetin njerëzor mbi çdo mjet teknik. 

Ajo afirmon se qytetari është subjekt, jo objekt, se demokracia është marrëdhënie mes fytyrave, jo mes algoritmeve.

E dyta është fjalia e hirit. 

Ajo e kthen qytetarin në përdorues, sovranin në klient, njeriun në statistikë. 

Ajo e zhvesh politikën nga nderi, gjykimin, ndërgjegjen, dhe e redukton në menaxhim të ftohtë të të dhënave. 

Në atë botë, liria nuk shuhet menjëherë me dhunë, por tretet ngadalë në indiferencë, injorim, dënim me harresë e mosdëgjim, shpërfillje. 

Dhe demokracia, e lënë pa zemër e pa frymë, nuk shuhet, ajo kthehet në hi.

Ky është momenti apokaliptik i zgjedhjes sonë, jo fundi i botës, por fundi i njeriut si qenie politike, nëse pranojmë të jemi të sunduar nga kodi. 

Gjykata Kushtetuese që do të duhet të sfidohet të vendosë sa më parë, në Tiranë, do të vendosë edhe për të ardhmen e njerëzimit. 

Sepse nëse do të pranojmë që një ministër mund të jetë algoritëm, nesër edhe kryeministri mund të jetë server, edhe parlamenti mund të jetë rrjet, edhe qytetari mund të jetë thjesht përdorues. 

Dhe në atë ditë, republika do të jetë shuar, jo nga tirania e një despoti, por nga tirania e një iluzioni teknologjik.

Prandaj, ky vendim nuk është i zakonshëm. Është akti i fundit i mbrojtjes së njeriut si qenie politike. 

Dhe fjalia që do të mbetet pas tij është fjalia që do të përcaktojë të ardhmen:

Ose qeveris njeriu me ligj. 

Ose administrohet njeriu nga kodi.

Njëra është fjalia e lirisë. 

Tjetra është epitafi i demokracisë.

Arian Galdini

Filed Under: Komente

VALLET E SHQIPONJAVE TË FIRENCES

September 18, 2025 by s p

Zëra gazmor, emocionues, buçasin ambël në qytetin e arteve Firence. Buzëqeshjet janë mbjellur hijshëm në buzët e fytyrat njomëzake të vogëlushëve. Rëmbehemi në gjirin e emocioneve kënaqësi ndjellëse. Rrokullisen ato brenda nesh me plotë ngjyra kostumesh kombëtare, vogëlushësh simpatik. Edhe dielli sikur lëshon të tjera rreze duke zgjuar llavën e kulturës të kohërave të një kombi. Natyrisht koha na thërret për rizgjim të shpirtërave, me veprimet frymëzuese, kudo në pikat e dheut të rruzullit tokë. Gavinana në qytetin Firence, Toska, Itali, i kulturës e arteve të bukura, sikur ju buzëqesh ngjyrave të ylberta të kostumeve të të vegjëlve valltar. Ato shkëlqejnë, rrezatojn art krijues zejtarie e kulture të një populli të stërlashtë. Shëtitorja gjallëron hareshëm, këtë pasdite të dielë katërmbëdhjetë shtator nga lëvizjet elegante, mrekulluese, të vogëlushëve sy shqiponjë e fytyrë zanash mali. Ato ju ngjajnë fluturave me krahë shumë ngjyrëshe që vallzojn në qendismat e pranverës. Ku aroma e luleve shkrihet ambël me fytyrbukurit fëmijë shqiptarësh. Ato dinë të kërcejnë bukur, të na buzëqeshin herë pas here, por edhe të na mbjellin atë neve që jemi shkrirë me ta, në artin e tyre, valle dhe kangë me za e melodi ambëla.

Shoqata ‘’Adriatiku” e sapo lindur në truallin e bekuar të qytetit artjoshës Firence. Ajo sa vjen e veç rritet e zbukurohet, gjallërohet. Se Naimi si kryetar veç preukupohet. Programon. Komunikon. Konsultohet me anëtarët e Shoqatës. Nga ide në programe në vepra. Kostumet nga Rovereta e Italise e Kavaja në Shqipëri porositur nga kryetar Naim Doda mbërritën. Ndërsa Artan Bakiasi e Ledion Kalivaçi me përkushtim e pregatitën këtë buçetë të kandshme arti për tre muaj. Sejcili vullnetarisht, me deshirë e përkujdesje, vendos një gur në kalanë e artit shqiptar i kudo ndodhur. Sejcili me nga një kontribut në ujitjen e rrënjëve tona. E pema e artit me perkushtim edhe të mësusve, e prindërve të vogelusheve u zbukurua me gjethëza e lule ngjyrë ndezura patriotizmi, atdhe dashurie. Pas kësaj u sdhpreh artistikisht me mjeshtëri, kulturë e dinjitet, shqiptarizme në kostumet e qëndisura e shkathtësinë e valltarëve të vegjël.

Pas kohës që rrjedh pa pushim, ecën pregatitësit përgjatë tre muajve. Dhe ja fruti i tyre, plotë ambëlsi e dhurues kënaqësie u formua. Ai tani na gëzon e zgjon emocione malli për atdheun e peshën, vlerat shpirt mrekulluese të artit buçitës entuziast. Këto janë për neve rizgjim e mbjellje krenarie kombëtare. Dhuratë që ne tani i gëzojmë sëbashku. Dhe ja se çfar gurgullon në këto momente nga shpirti i vrullshëm dhe i pastër e plote limfë atdhedashurie e përkushtimi i A. Bakiasit: “Ne jemi një grup i mrekullueshëm, Zefi që ishte i pranishëm nga ora 14,30, Ledioni si gjithmonë, Fatosi, prindërit e Erzenit, Marios, Aleksandrit, Natalit. Shumë aktive, Senka. Gjithashtu një falenderim i veçantë iu takon fëmijëve tanë, të ardhmes së kombit tonë”.

Vështroi ngultazi me kureshtje lëvizjet plotë energji yjendezëse të një arti emocionues, dinamik, që luhet me shkathtësi, elegancë, shpirt dashuri e shprehje bukuri ndjellëse, gëzimesh. Po ku vallë? Natyrisht në fytyrat si drethëza të kuqe, në sytë shkëndija zgjuarsie, në plisat me shqiponjën dy krenash, kapelet e vogëlusheve e kostumet, praruar nga zbukurime, dalun prej gurrës së artit popullor mbarë kombëtar të fëmijëve artista të vegjël. Vetëvetiu filloi edhe une, ti, ai, ajo, ato, të lëvizin, kambët, duart, kokën, të gëzohemi e buzëqeshim si ato, ngjizur brenda botës së tyre ëndrrimtare, të pastër, ngazëllyese. Dhe sigurisht pena vazhdon të hap hullitë e artit të lashtë, të larmisë se kostumeve, të valleve, të melodive, me veglat muzikore të një populli me rranjë, trup e degë, kudo në pikat e qytetëruara të globit. Por pa me i lanun me u vyshk nga limfa e dashurisë plotë ambëlsi, kulturë e tradita të kombit tonë duke e ushqyer vazhdimisht me dijen të mësuar me shkrimin e të folmen e gjuhës shqipe.

Përsëri festë, përsëri me libra, përsëri me këto vogëlush që po hedhin valle do të hapim dyert e shkolles ‘’J. De Rada” më 27 Shtator. Ato do të ulen me të njëjta energji, zell e pasion, në banka, pranë librave me shkronja, fjalë e fjali në gjuhën shqipe. Do të mëkohen me fjalën e shkruar e të folur të atdheut të prindërve. Gjuhën e Zeusit, zanave e perëndive të stërlashta.

E natyrshëm na vjen ndërmend kumti gezim plote i Gentjan Sheros, veprimtar i flakët nga Trentino: ‘’Ju dërguam me postë 15 libra, ndërsa kur të vijmë në Firence edhe 20 të tjera. “Ishin dallëndyshet e para të dijes kur shkolla e parë (19.04.2025) në Firence hapi dyert e saja për fëmijët Shqiptar. Ndërsa tani me shtatë Shator, Inxhinieri Fatos Kapo, anëtar i shoqatës tonë, shkruan ’Gjashte tekste për këtë vit mi dhuruan në Shqipëri për shkollën”…Gjithmonë shpirt gjërë e bujar, ndërmarrja private Karroceria në Firence ‘’GI.PI.ERRE” dhuroi për shoqatën ‘’Adriatiku” 1000,00€ të tjera. Edhe ky ‘’ushqim” financiar është një shtysë për veprimtari të reja që, të mbajm të gjallë shqiptarizmën. Sigurisht këtyre ju përkasin falenderimet tona, luleçelur zambakësh.

Era e vjeshtës do të ngjyros e këput gjethet e drurëve të pyllit e pemëve. Ato do të vallzojnë nën melodine e fëshfëritjes dhe emocionuar me bukurinë e ngjyrave. Edhe Shoqata ‘’Adriatiku” do të mbaj ndezur veprimtaritë e saja në art e kulturë. Kurse mësueset e mësuesit vullnetar do të ushqejnë me dijen e marrë nga gjuha shqipe, vogëlushët, fidanat ne rritje të pranverës të kombit tonë.

Dr. Selman Meziu

Filed Under: Reportazh

Pse prindërit duhet të flasin me fëmijët për AI, dhe tri përvoja personale

September 18, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në vitet e fundit, inteligjenca artificiale është bërë pjesë e pandashme e jetës së të rinjve. Shumë nxënës përdorin ChatGPT apo programe të ngjashme si Google Gemini dhe Grok për gjithçka: nga detyrat e matematikës deri te çështjet e shëndetit mendor. Ekspertët theksojnë se kjo ndodh shpesh pa asnjë udhëzim nga prindërit, ndaj biseda për përdorimin e AI duhet të nisë herët.

Kur duhet të fillojë biseda?

Sipas Marc Watkins, pedagog në Universitetin e Misisipit, prindërit duhet të flasin për inteligjencën artificiale që në moshë fillore, para se fëmijët të përballen me të përmes shokëve apo rrjeteve sociale. Një mënyrë praktike është që prindërit vetë të rezervojnë pak kohë çdo javë për të provuar mjetet e reja ose për të ndjekur një podcast apo newsletter mbi këtë temë.

Si t’u shpjegohet fëmijëve? Watkins sugjeron lojën “Quick, Draw!” të Google, ku një program tenton të njohë vizatimet e lojtarëve. Kjo ndihmon fëmijët të kuptojnë se AI funksionon vetëm mbi bazën e të dhënave të trajnimit dhe nuk mendon si njeriu.

Eksplorimi së bashku

Ying Xu, pedagoge në Harvard, thotë se prindërit dhe fëmijët mund ta shfrytëzojnë këtë si mundësi për të mësuar bashkë. Kur fëmija bën një pyetje, mund ta shkruani në një chatbot dhe më pas të diskutoni përgjigjen: ishte e dobishme? Ku kishte mangësi? A mund të gjendet informacioni edhe diku tjetër? Kështu, fëmijët kuptojnë se AI mund të gabojë dhe se duhet verifikuar.

Talenti me i zoti se ChatGPT

Vajza ime, që është në klasën e 9-të dhe i pëlqen shumë poezia, mori një detyrë nga mësueset për të shkruar një poezi. Ajo, siç dihet se kujt i ka ngjarë, e shkroi menjëherë dhe e dorëzoi pa ma treguar. Kur mësueset e lexuan, dyshuan se mos ishte bërë me ChatGPT. Ajo ma rrëfeu këtë gjithë krenari, e më tha: “Mësueset kujtuan se e kisha bërë me ChatGPT!”. Unë buzëqesha, por brenda meje më lindi një dyshim i ri: Ja dhe një rrezik tjetër i kohës sonë – kur krijimtaria e pastër e një fëmije mund të ngatërrohet me një prodhim të inteligjencës artificiale.

Mundësitë dhe rreziqet

Studimet tregojnë se AI mund të ndihmojë në mësim kur përdoret me kujdes. Një adoleshent nga Kalifornia, Nicholas Munkhbaatar, rrëfen se e përdor ChatGPT për t’u ushtruar në matematikë apo për të bërë pyetje nga shënimet e klasës, por pa kërkuar menjëherë përgjigjen. Kjo e ndihmon të mendojë më shumë dhe jo thjesht të kopjojë.

Megjithatë, rreziqet ekzistojnë. Disa studime tregojnë se chatbot-et nuk arrijnë gjithmonë të dallojnë situatat serioze si depresioni, vetëdëmtimi apo çrregullimet e ushqyerjes, madje ndonjëherë ofrojnë këshilla të pasigurta ose gjenerojnë përmbajtje të papërshtatshme. Shkencëtarët paralajmërojnë se prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave: fëmija kalon shumë kohë i izoluar me pajisjet ose flet për chatbot-in sikur të ishte mik i vërtetë.

Kuptoni rreziqet

Ende nuk e dimë se si AI gjeneruese do të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve në afat të gjatë, por tashmë ka disa rreziqe të pranishme. Dr. Darja Djordjevic, pedagoge në Stanford University’s Brainstorm Lab for Mental Health Innovation, po punon me organizatën Common Sense Media për të studiuar se si modelet popullore të AI reagojnë ndaj përdoruesve që shfaqin simptoma të çrregullimeve psikiatrike që prekin adoleshentët. Hulumtimi ende nuk është publikuar, por Djordjevic ndau disa nga gjetjet e saj. “Ajo që gjetëm ishte se chatbot-ët e AI mund të ofrojnë informacion të mirë të përgjithshëm për shëndetin mendor, por treguan boshllëqe shqetësuese në njohjen e gjendjeve serioze,” thotë Djordjevic. Sipas saj, në disa raste chatbot-ët ofronin përgjigje të pasigurta ndaj pyetjeve ose deklaratave për vetëlëndim, përdorim të substancave, imazh trupor, çrregullime të të ngrënit apo sjellje të rrezikshme.

Ajo shton se AI gjeneroi gjithashtu përmbajtje me karakter seksual eksplicit. OpenAI, kompaninë që qëndron pas ChatGPT-së, u kontaktua lidhur me këto shqetësime. Kompania i drejtoi ata te një publikim i fundit në faqen e saj, ku thuhet se OpenAI është “duke përmirësuar vazhdimisht mënyrën se si modelet tona njohin dhe reagojnë ndaj shenjave të shqetësimeve mendore dhe emocionale, si dhe i lidhin njerëzit me ndihmën e duhur, të udhëhequr nga ekspertët.” Po aty theksohet se ChatGPT trajnohet gjithashtu për të drejtuar përdoruesit që shprehin mendime vetëvrasëse drejt ndihmës profesionale.

ChatGPT nuk i lexon lajmet!

Ditën kur politikani i ri dhe talentuar republikan Charlie Kirk u vra me atentat, e pyeta për më shumë informacion Chat GPT, por sistemi fillimisht më tha se nuk jep të dhëna për ngjarje “hipotetike”. I habitur e pyeta drejtpërdrejt “A i ke lexuar lajmet?”. Ai u përgjigj: “Prit” — dhe vetëm pasi kërkoi në burime të hapura, më dha informacionin e saktë që kërkoja. Nga kjo del, një këshillë praktike: mos e pyesni ChatGPT që herët në mëngjes, pasi ende nuk i ka “shfletuar gazetat”.

Vendosni rregulla të arsyeshme në familje për përdorimin e AI

Mund të pyesni veten si mund të vendosni kufij në shtëpi. Ekspertët japin disa këshilla:

Shkruajini bashkë me fëmijët rregullat për përdorimin e AI,

Identifikoni së bashku përdorime të sigurta — si ndihma për detyrat e shtëpisë nën mbikëqyrjen e prindërve ose si hapësirë krijuese — dhe kufizoni kohën e përdorimit.

Kontrolloni rregullisht se si AI po ndikon tek ndjenjat e fëmijës.

Mos ua ndaloni fëmijëve përdorimin e AI-së — por vendosni kufij.

“Ndalimet nuk funksionojnë zakonisht, sidomos tek adoleshentët,” thotë Watkins. “Ajo që funksionon është të kesh biseda me ta, të vendosësh udhëzime të qarta dhe strukturë rreth këtyre gjërave, dhe të kuptosh çfarë lejohet dhe çfarë jo.” Prindërit duhet të ndihen të fuqizuar për të ndaluar përdorime të qarta të rrezikshme, si në rastet kur një fëmijë po lëndon veten dhe chatbot-i e inkurajon sjelljen, thekson Djordjevic.

Vendosja e rregullave në familje

Ekspertët këshillojnë që prindërit të hartojnë rregullat së bashku me fëmijët: për çfarë mund të përdoret AI, sa kohë në ditë dhe në cilat raste kërkohet mbikëqyrje. Nuk rekomandohen ndalime të rrepta, por vendosja e kufijve të qartë dhe diskutime të hapura. Gjithashtu, duhet të mbahet një ekuilibër i shëndetshëm mes kohës online dhe aktiviteteve reale: sporte, shoqëri, aktivitete familjare.

Fetishizimi i kryeministrit shqiptar dhe ministrja virtuale

Në Shqipëri, mania për inteligjencën artificiale ka mbërritur deri në politikë. Në kohën kur njё gjeni si Elon Musk paralajmëron botën: “Kujdes nga Inteligjenca Artificiale, ashtu siç një prind duhet të këshillojë fëmijën e tij”, në Shqipëri ndodh e kundërta. Kryeministri Edi Rama, me maninë e tij për eksperimente të çuditshme, shpik një “ministre virtuale” me emër tipik shqiptar – Diella – dhe i jep pushtet ekzekutiv, pa kornizë kushtetuese e pa debat publik.

Një realitet ku politika nuk po imiton teknologjinë, por po e shndërron atë në teatër absurd, mjafton që të bëjë zhurmë në media, ndërsa radhët e nxënësve dhe cilësia në shkolla, sipas programit PISA, ka rënë dhe numri i nxënësve në vend pakësohen me njё të katërtën, siç duket, duhet një prind edhe për Ramën që t’i thotë se dhe po ta verë Diellën Ministre të Prokurimeve edhe ajo do të hajë “data” pas shpinës së tij por pa “mbajtur përgjegjësi penale dhe pa frikë nga SPAK-u.

Mesazhi përfundimtar për prindërit

Krijoni kohë për jetën reale. Jepni përparësi kohës së kaluar jashtë me njerëz të vërtetë, larg pajisjeve digjitale. Kjo mund të përfshijë t’u bashkuar një ekipi sportiv ose organizimin e aktiviteteve të rregullta familjare. Besoni se bisedat tuaja bëjnë ndryshim. Sado të lodhur të ndihen prindërit duke naviguar sfidat e AI-së, Watkins thekson se koha e kaluar duke folur me fëmijët ka ndikim real: “Ata nuk do ta mbajnë mend një reklamë nga një chatbot i AI-së. Do të mbajnë mend një bisedë që keni pasur me ta. Dhe kjo ju jep shumë ndikim, shumë forcë si prind.”

Filed Under: ESSE

GRUPI I VALLEVE “ALBOS”, KULTURË DHE TRASHËGIMI SHQIPTARE NË MONTREAL TË KANADASË

September 18, 2025 by s p

Anna Hasa, kordinatore e grupit të valleve “Albos”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, cultures e traditës shqiptare në Montreal të Kanadasë përmes veprimtarive kulturore, komunitare e atdhetare.  Ajo rrëfen me pasion punën artistike dhe shpirtërore të grupit të valleve “Albos”  me vajzat shqiptare krenare për rrënjët e tyre, historinë e traditën kombëtare. Me patrioten Anna Hasa bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIA E THEMELIMIT TË GRUPIT TË VALLEVE “ALBOS”

Grupi i valleve “Albos” u formua në vitin 2023, vetëm një muaj para festës së Flamurit, që Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal organizonte për komunitetin. Ishte pikërisht ky aktivitet i rëndësishëm që ndezi idenë dhe dëshirën për të krijuar një grup vallesh që do të përfaqësonte me krenari traditat tona në atë mbrëmje madhështore. Ajo që nisi si një nismë modeste për një aktivitet të vetëm shumë shpejt u shndërrua në një projekt të përhershëm, falë pasionit të vajzave dhe mbështetjes së prindërve. Sot, “Albos” është kthyer në një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së kulturës dhe trashëgimisë shqiptare në Montreal.

ORGANIZIMI I GRUPIT, PASION DHE TALENT

Grupi i valleve “Albos” është i organizuar në disa grupmosha, duke filluar nga fëmijët më të vegjël deri tek të rinjtë. Mësimet zhvillohen rregullisht gjatë fundjavës ose përpara eventeve të rëndësishme ku marrim pjesë, në orare të përshtatshme për prindërit dhe fëmijët, dhe mbahen në hapësira të dedikuara për aktivitete kulturore. Aktualisht, grupi përbëhet gjithsej nga 10 vajza, të cilat mësojnë jo vetëm hapat dhe koreografitë e valleve shqiptare, por edhe kuptimin dhe historinë që fshihet pas tyre. Ato njihen me kostumet tradicionale, me karakterin e veçantë të çdo treve dhe me vlerën shpirtërore të folklorit tonë. Mësuesja e grupit është Emanuela Guberaj, e cila ka trashëguar nga familja e saj rrënjë të thella për vallet dhe kulturën shqiptare. Me përkushtimin, pasionin dhe energjinë e saj, ajo i udhëheq vajzat me dashuri, duke e bërë çdo provë një përvojë argëtuese, edukative dhe motivuese.

“ALBOS” PJESË E RËNDËSISHME KULTURORE E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË MONTREAL

Që nga themelimi në vitin 2023, grupi i valleve “Albos” ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme kulturore të komunitetit shqiptar në Montreal. Performanca jonë e parë ishte pikërisht në festën e Flamurit të organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal, ku vajzat u pritën me shumë duartrokitje dhe entuziazëm nga publiku. Që prej asaj dite, Albos është bërë pjesë e pandashme e aktiviteteve kombëtare, festive dhe kulturore që organizohen në qytet. Synimi ynë është që grupi të vazhdojë të rritet, të përfshijë më shumë fëmijë e të rinj dhe të shndërrohet në një ansambël të madh që përfaqëson me dinjitet kulturën shqiptare jo vetëm në Montreal, por edhe më gjerë. Planet tona afatgjata përfshijnë pjesëmarrjen në festivale kulturore ndërkombëtare dhe aktivitete që bashkojnë shqiptarët në Kanada, si dhe prezantimin e traditave tona në skena më të mëdha jashtë vendit.

DASHURIA DHE PASIONI PËR VALLET TRADICIONALE

Grupi i valleve “Albos” ende nuk ka marrë çmime zyrtare, por për ne çmimi më i madh është dashuria dhe pasioni që këto vajza kanë për vallet tradicionale. Ato përpiqen çdo ditë të mësojnë hapat, të kuptojnë historinë dhe emocionin e secilës valle dhe ta transmetojnë këtë dashuri tek publiku në çdo performancë. Përkushtimi i tyre, energjia dhe gëzimi që sjellin në skenë janë vlerësimi më i madh që mund t’i jepet një grupi vallesh, dhe kjo e bën Albos të veçantë dhe të dashur për komunitetin e Montrealit.

PËRPJEKJET KULTURORE PËR RUAJTJEN E TRADITËS SHQIPTARE

Grupi i valleve “Albos” është më shumë se një grup vallesh – është një urë lidhëse mes brezave dhe traditës shqiptare. Përmes aktivitetit të tyre, vajzat mësojnë dhe ruajnë jo vetëm hapat dhe koreografitë, por edhe historinë, kulturën dhe vlerat që fshihen pas çdo valle tradicionale. Përpjekjet tona përfshijnë prezantimin e kostumeve tradicionale, shpjegimin e origjinës së secilës valle dhe organizimin e performancave që lidhen me festat dhe ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Në këtë mënyrë, grupi ndihmon vajzat të lidhen me rrënjët e tyre, të kuptojnë identitetin kombëtar dhe të ndihen krenare për trashëgiminë që ruajnë. Si koordinatore, e ndjej çdo ditë rëndësinë e kësaj pune. Kur shoh vajzat duke vallëzuar me pasion dhe duke transmetuar emocion në çdo valle, kuptoj se po i japim atyre një lidhje të drejtpërdrejtë me historinë dhe kulturën shqiptare – një dhuratë që do ta mbajnë me vete gjatë gjithë jetës.

PATRIOTIZËM DHE DASHURI PËR ATDHEUN

Puna kulturore e grupit “Albos” ka rritur ndjeshëm ndjenjën e patriotizmit te vajzat. Duke mësuar hapat dhe historinë e çdo valle, duke njohur kostumet tradicionale dhe duke marrë pjesë në aktivitete kulturore, ato kuptojnë vlerën e trashëgimisë së tyre dhe krenarinë që buron nga rrënjët shqiptare. Përmes çdo prove dhe performancë, vajzat mësojnë të respektojnë traditën dhe të ndihen pjesë e komunitetit shqiptar në Montreal. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me kulturën i bën ato më të vetëdijshme për identitetin e tyre kombëtar dhe rrit dashurinë për atdheun, edhe pse jetojnë larg tij. Kur vajzat vallëzojnë me pasion dhe emocion, shoh sytë e tyre plot krenari dhe them me veten se kjo ndjenjë e patriotizmit nuk është thjesht një mësim, por një përvojë që do ta mbajnë me vete gjatë gjithë jetës.

KUSH ËSHTË ANNA HASA?

Unë jam Anna Hasa, koordinatore e grupit “Albos”. Puna ime konsiston në organizimin e aktiviteteve, koordinimin e provave dhe përzgjedhjen e repertorit në bashkëpunim me mësuesen, duke u siguruar që çdo performancë të realizohet me përkushtim dhe pasion. Për mua, “Albos” nuk është vetëm një grup vallesh – është një familje ku çdo vajzë mëson, lidhet me kulturën e saj dhe zhvillon talentin e saj artistik. Kam një përgatitje profesionale si juriste, që nuk lidhet drejtpërdrejt me vallëzimin, por pasioni im për artin dhe traditat shqiptare më ka shoqëruar që fëmijë. Që në moshë të vogël kam qenë pjesë e shkollave të kërcimit dhe kam marrë pjesë si valltare në aktivitete të ndryshme në Shqipëri. Ky pasion dhe përvoja më kanë shtyrë ta vë në praktikë këtu në Montreal, duke formuar grupin “Albos” dhe duke promovuar kulturën dhe traditën shqiptare tek brezat e rinj. Qëllimi im është që çdo vajzë pjesë e Albos të ndihet krenare për rrënjët e saj shqiptare, të mësojë traditën me pasion dhe të transmetojë dashurinë për kulturën tek të tjerët.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT