• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)

December 17, 2025 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Me propozimin e përfaqësuesve të dy shteteve autonome të Perandorisë Britanike të Afrikës së Jugut e të Kanadasë, Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, e pranoi Shqipërinë si anëtare të Lidhjes me të drejta të plota.

Këto zotërime të Britanisë së Madhe, mbështesnin fort idenë e Presidentit Uilson, se kombet e vogla kishin të drejtë të ekzistonin si shtete sovrane.

Ky pranim kishte rëndësi të dyfishtë për vendin.

Së pari, u rikonfirmua njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar, për të cilën ai kishte shumë nevojë në rrethanat e reja të pasluftës. Këto rrethana, kishin të bënin me pretendendimet e Fuqive të Mëdha dhe vendeve fqinje në lidhje me kufijtë e Shqipërisë.

Së dyti, pranimi përbënte në fakt një akt njohjeje kolektive edhe të qeverisë së Tiranës. Pranimi në Lidhjen e Kombeve krijonte gjithashtu mundësi për shqyrtimin nga ky forum ndërkombëtar të çështjeve të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe shteteve fqinje.

Megjithatë, çështja e kufijve të Shqipërisë mbeti e hapur. Fan Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, argumentoi me të drejtë se gjatë Luftës I Botërore, Shqipëria nuk kishte qenë shtet ndërluftues (por asnjëanës), dhe si rrjedhim kufijtë e saj nuk mund të shqyrtoheshin nga Konferenca e Ambasadorëve.

Pavarësisht kësaj, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, me vendimin e tij të 26 qershorit 1922, ia kaloi për diskutim kërkesën e qeverisë shqiptare Konferencës së Ambasadorëve.

📖 Burimi nga: Historia e Popullit Shqiptar III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2007, faqe 171-173.

Filed Under: Politike

NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   

December 16, 2025 by s p

Nga: Kristaq BALLI

Mirënjohja është veti e shpirtrave fisnikë – Ezopi

Krijimtaria e artistëve të mëdhenj pasqyron në eposin e saj edhe tipare të spikatura të personalitetit të tyre human e shoqëror. Ato përbëjnë një aureolë identiteti e përkatësie që vizatohet vetiu nga prurjet e tyre të famshme  artistike, por edhe  nga shpirti shumë i pasur reflektues e meditativ.

Në historinë e gjatë të jetës dhe krijimtarisë së Gjon Milit, fotografit tonë të shquar botëror, ka një ngjarje të rëndësishme, të paevidentuar deri sot për publikun shqiptar, e  cila vizaton karakterin e tij të jashtzakonshëm popullor, social, mirënjohës, miqësor, respektues, shpërblyes, shpërthyes. Pa dyshim, kjo ngjarje është e lidhur plotësisht edhe me valencat e forta të  autoritetit të tij të merituar në elitën e artistëve amerikanë e botërorë, por edhe në marrëdhëniet e ngushta që ai krijoi me një mori artistësh të huaj në shumë vende të tjera  të botës.+.jpg

Eshtë e njohur tashmë lidhja e miqësia e ngushtë e Milit me artistin figurativ më të famshëm të shekullit të kaluar  Pablo Pikaso(1881-1973), të cilat ata i ruajtën gjatë gjithë jetës nëpërmjet qëndrueshmërisë së tyre të ndërsjelltë, të lindur  nga kryevepra e tyre e përbashkët botërore  “Pikaso vizaton me dritë”. Por, midis të tjerash, një tjetër marrëdhënie, madje më solide e stoike u ngjiz midis Milit dhe artistit të famshëm Pablo Casals, së cilës  i dedikohen edhe këto rreshta.

Pablo Casals (1876-1973), ky muzikant katalonas spanjoll  konsiderohet si instrumentisti violinçelist (çelist) më i shquar i gjysmës së parë të shekullit XX dhe një nga çelistët më të mëdhenj botërorë të  të gjitha kohrave. Ai ishte gjithashtu kompozitor dhe dirigjent. Aktiviteti i tij instrumental e dirigjues ndërkombëtar është shumë i gjatë, por së pari shumë i suksesshëm, sidomos pas vitit 1899, kur ai luajti në Crystal Palace, Londër, Paris, Spanjë, Holandë, në turneun e parë në ShBA, 1901-02 dhe në turneun e Amerikës së Jugut,1903. Më15 Janar 1904 u ftua të luajë në Shtëpinë e Bardhë për presidentin Theodor Rusvelt, më pas debutoi në Carnegie Hall, Nju Jork, në Festivalin Muzikor të Londrës në Hollin e Mbretëreshës, 1911, etj. Si kundërshtar i vendosur i regjimit të Frankos  ai zgjodhi ekzilin (1939), për të mos u kthyer deri sa të rrëzohej diktatura, ditë të cilën nuk e jetoi. Me këtë rast ai zgjodhi të banojë në fshatin franko-katalonas Prade de Conflent në Francë, pranë kufirit me Spanjën. Ai është kompozitori i një himni kushtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kur ishte 95 vjeç, më 1971  e dirigjoi vetë në OKB, ku sekretari i kësaj organizate U Thant i akordoi Medaljen e Paqes të OKB e, me çrast, Casals mbajti fjalimin e tij të famshëm “I am a Catalan” (Unë jam një katalan). Në vitin 1961 në Shtëpinë Bardhë dha koncertin e muzikës së dhomës, me ftesën e presidentit  Xhon Kenedi, i cili e admironte, madje i akordoi edhe  Medaljen Presidenciale të Lirisë të SHBA.  Më 1989 (pas vdekjes)  ai u nderua me vlerësimin  më të lartë “Grammy Lifetime Achievement Award” (Çmimin Grammy për Arritje në Jetë).gjon-mili-cellist-pablo-casals-smoking-his-pipe-at-his-home-in-prades_a-g-3836273-4990176+.jpg

Midis të tjerash Casals, gjatë viteve 1936-39, ka regjistruar në disqe një pjesë të konsiderueshme   të muzikës dhe  suitave për violinçel të Bahut. Janë pikërisht këto inçizime që kanë bërë të mundur   njohjen virtuale të Casals nga Gjon Mili rreth vitit 1940. “I ruaja inçizimet e tij”, thotë Mili në një bisedë me botuesin e revistës LIFE  “dhe i dëgjoja ato për orë të tëra. Kam prerë foton e tij nga një gazetë dhe e kam mbërthyer në murin tim. E kam akoma. Për mua ai mbetet i përsosur.” (“LIFE” magazine, Nov. 11, 1966) 

Ёndrra  për ta njohur personalisht Pablo Casals është përmbushur në vitin 1949, kur Mili e takoi mjeshtrin për ta fotografuar  në shtëpinë e doktorit të tij pranë Prades, në Francë. “E takova aty Pablon në drekë” thotë Mili “dhe e fotografova atë duke dëgjuar muzikën e tij të inçizuar dhe më pas duke luajtur Mozartin me një vajzë të vogël rreth12 vjeçe.”  (Po aty) 

Pas këtij takimi, do të fillonte një marrëdhënie e gjatë miqësore artistësh që lidhej kryesisht me afirmimin e profilit botëror artistik të muzikantit të shquar në revistën elitare LIFE, por edhe me një afinitet personal miqësie, që i dedikohet kryesisht mikpritjes dhe bujarisë së Casals ndaj Gjon Milit, por edhe të qasjeve që kishte Mili ndaj muzikës. Dihet që ai kishte një kulturë muzikore të edukuar e kultivuar qysh në rininë e tij shkollore (instrumentist me oboe e më vonë student e praktikant në piano), të cilën do ta thërriste në ndihmë sa  herë atij do t’i shfaqeshin  para aparatit fotografik muzikantë të  shquar. Për këto arsye, ai ngulmoi që miqësia me Pablo Casals të mos  reshtte, por ta mbetej e gjallë gjithë jetën. Një vit më vonë, pra më 1950 ai kthehet sërish në shtëpinë e Casals në Prade, me ftesën e këtij të fundit  për një vizitë pune e pushimi një mujor. Ishte viti  kur Casals organizoi veprimtarinë e madhe muzikore me rastin e 200 Vjetorit të Vdekjes së Johan Sebastian Bah (1685-1750), të cilën Casals e cilësonte si një kauzë humane e homazhi ndaj atij që konsiderohej si kompozitori më i madh i kohrave. Gjatë celebrimit të kësaj veprimtarie madhështore e shumë festive  disa ditore, që u vlerësua si “Mrekullia e Prades” apo “Festivali i Shekullit.”  Mili bëri cikle mbresëlënëse fotosh, në qendër të të cilave ishte Pablo Casals, interpretimet e tij virtuoze në çelo dhe dirigjimet e koncerteve të orkestrantëve virtuozë të ardhur me këtë rast. Një pjesë e konsiderueshme e  tyre janë botuar në revistën LIFE, në librin autobiografik të Gjon Milit  “Gjon Mili-Photographs & Recollection”, në librin “La Legende de Pablo Casals” të Arthur Conte, si edhe në shumëvepra të tjera të mëvonshme  mbi jetën dhe veprën e Casals.  

Shumë vite më vonë, më 1966, gjatë një vere të mrekullueshme, kur  Gjon Mili e kishte ndjekur Casals në turnetë e festivaleve të tij, fillimisht në Marlboro, Vermont, pastaj në Prade të Francës, në Athinë dhe së fundi në San Juan të Porto Rico-s, ku ai ngriti shtëpinë e vet, ai e takoi përsëri atë për  revistën “LIFE” me rastin e 90 Vjetorit të tij… “Ishte mesi i Tetorit dhe u ktheva në Nju Jork nga vizita me  Casals në San Juan.  Pasi lashë takëmet e  mia në studio nxitova në laboratorin e LIFE me tundim e etje   për një natë të gjatë pune laboratorike. Kisha  harxhuar plot 20 kaseta filmash për të pasqyruar  një ditë me Casals në privatësinë e shtëpisë së tij  pranë detit”. (Gjon Mili, Photographs & Recollection”, f. 136 ) Shumë prej këtyre fotove janë shfaqur në revistën LIFE më 11 Nëntor 1966 në reportazhin e gjatë “Serenade to Ninety Years of Greatness” (Serenatë për 90 Vjet Madhështi) të Barry Farrell. llist Pablo Casals rehearsing at his home in Prades. (Photo by Gjon Mili The LIFE+.jpg

Parathënia  redaktoriale e këtij fotoreportazhi titullohet me fjalët e Gjon Milit:  “Ai është njeriu më i veçantë nga të veçantët që kam njohur”. (George P. Hunt: “LIFE” magazine, Nov. 11, 1966) 

Në vitin 1958 Casals ftohet në OKB për të dhënë një koncert nderi me rastin e “Himnit të OKB”  që ai kishte kompozuar vetë. Kronika e vitit 1966 na kujton se prania e Casals në Nju Jork u festua me një drekë me rastin e 50 Vjetorit të Alexander Schneider-it (student e, më pas, koleg e mik i  ngushtë i Casals), ku mori pjesë  elita botërore e muzikës. Pasdreke  ishte planifikuar një vizitë në studion e Gjon Milit. Në shoqërinë e Milit ata u ngjitën në katin e dytë të ndërtesës në Manhatan, ku ndodhej studioja e famshme e fotografit. Dhe pikërisht aty ndodhi diçka e jashtzakonshme, e paimagjinueshme për Casals: sapo Mili hapi derën dhe ftoi Casals të hynte në të, nga brenda vërshuan dallgët e muzikës që e ekzekutonte një orkestër e improvizuar me  “60 top instrumentistë kombëtarë (Po aty) e që ishin mbledhur aty, bashkë me spektatorë të tjerë për të nderuar muzikantin e famshëm me vallen “a sardania”, një prej kryeveprave më të bukura e më të dashura me motive popullore katalanase të kompozuar nga vetë Pablo Casals në vitin1926.++.jpg 1.jpg

Ky ishte një moment magjik befasie, shtangieje, mallëngjimi që nuk i kishte ndodhur Casals gjatë mëse 80 viteve të jetës së tij. Por si do të reflektonte, si do t’i përgjigjej ai kësaj surprize? Vetëm një çast dileme, jo më shumë, sepse  veprimet e mençura karakterizojnë madhështinë,  arti është për t’i  bërë të tjerët të lumtur…Ai hyri brenda, bëri një parakalim duke u përulur me xhentilesë para gjithë orkestrantëve, mori bagetin (shkopin) e dirigjentit dhe filloi të drejtojë i emocionuar e duke iu dridhur duart  orkestrën për disa çaste simbolike…Sapo mbaroi “detyrën” e tij, shpërthyen duartrokitjet nga muzikantët dhe dashamirësit e tij. CASALS IN MILI STUDIOS 4 copy.jpg+.jpg

Këto ishin çaste të veçanta shpirtërore edhe për Gjon Milin.  Ai e shfrytëzoi këtë situatë ekzaltuese duke shkrepur foto të shumta   për të kujtuar e dëshmuar se mirënjohja e fisnikëria mbetet një virtyt moral i kujtimeve që ruan  në zemër,  që forcojnë miqësinë, një dritë shpirtërore që ndriçon të ardhmen. Një mesazh bekimi për të gjithë ne  nga Gjon Mili. 

Filed Under: Komunitet

Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare

December 16, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Pullat postare me forma jo standarde janë ato pulla që nuk ndjekin format tradicionale drejtkëndëshe ose katrore, por projektohen në forma të veçanta. Ato mund të jenë trekëndore, rrethore, rombike, gjashtëkëndëshe, në formë zemre, ovale etj. Pavarësisht formës së pazakontë, këto pulla janë plotësisht të vlefshme për qarkullim postar, për sa kohë mbajnë vlerën nominale dhe kryejnë funksionin e tyre të zakonshëm. Pulla e parë trekëndore në botë njihet gjerësisht si ajo e lëshuar nga Kepi i Shpresës së Mirë (Cape of Good Hope) ne skajin jugor te Afrikes, në vitin 1853. Forma trekëndore u zgjodh për t’i dalluar këto pulla nga ato të tjera të Perandorisë Britanike, duke i bërë menjëherë të veçanta dhe tërheqëse për koleksionistët. Pulla e parë rrethore në botë është lëshuar akoma më herët, në Zvicër, nga kantoni Zürich, në vitin 1843. Ndërkohë, pulla e parë me formë rombike është përdorur nga Peruja në vitin 1874. Edhe pse eksperimentet me forma alternative kishin nisur që nga mesi i shekullit XIX, ato u intensifikuan ndjeshëm pas viteve 1950. Administratat postare të vendeve të vogla veçanërisht ato ishullore, filluan të prodhonin pulla me formate jo standarde për të tërhequr koleksionistë ndërkombëtarë dhe për të rritur të ardhurat nga filatelia. Faktorët kryesorë nxitës ishin përparimet teknologjike në prerje dhe shtypje, konkurrenca në tregun ndërkombëtar filatelik, eventet përkujtimore që kërkonin printime të veçanta, si edhe rritja e interesit koleksionist në shekullin XX. Kategoritë kryesore të formave të pazakonta përfshijnë:
a) trekëndore,
b) rombike,
c) rrumbullake.
Në shekullin XXI janë shtuar edhe:
d) format artistike të veçanta (zemra, yje, gjethe etj.),
e) pullat holografike dhe 3D, të cilat, megjithëse shpesh ruajnë formën klasike, për shkak të efektit holografik konsiderohen pjesë e inovacioneve bashkëkohore.                                                                                                                                      Në ekspozitat konkurruese filatelike, pullat me forma jo drejtkëndëshe krijojnë tërheqje të veçantë vizuale, duke u vlerësuar si nga vizitorët ashtu edhe nga juritë profesioniste. Forma e tyre e pazakontë u jep ekspozuesve mundësi më të gjera interpretimi në dimensionin kulturor dhe mitologjik të vendeve të tyre, duke i përdorur për të paraqitur mite, legjenda apo motive te fantazuara që lidhen natyrshëm me antropologjinë, historinë e artit dhe studimet kulturore. Kjo i hap filatelisë horizonte të reja si fushë kërkimi ndërdisiplinore. Në rastin e Shqipërisë, vërehet se në dekadat e fundit Posta Shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të dukshme prodhimit të pullave me forma jo standarde. Ndër to, forma trekëndore është më e pranishmja, me një numër jo të vogël emisionesh, të cilat gjejnë kërkesë të shtuar si në tregun filatelik vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

                         Fig.1  

  Në Fig. 1, që i përket vitit 1968, paraqitet emisioni tematik “Lojërat Olimpike – Meksikë”. Në të gjitha pullat e këtij emisioni janë ilustruar disiplina të ndryshme sportive, si vrapimi, kërcimi së gjati, kërcimi së larti, noti, patinazhi artistik, mundja, volejbolli, futbolli, hipizmi etj. Kjo dëshmon se emisioni është konceptuar me synimin për të promovuar sportin si vlerë shoqërore dhe si pjesë të rëndësishme të edukimit fizik. Pullat kanë formë romboidale (katror i rrotulluar në 45°), një format relativisht i pazakontë, i cili i jep emisionit një identitet vizual të veçantë dhe rrit kërkueshmërinë e tij në tregun filatelik. Ky emision pasqyron një periudhë kur sporti konsiderohej si “forcë edukative dhe ideologjike”, duke reflektuar qasjet kulturore dhe politike të kohës. Vlera filatelike dhe koleksionuese e këtij emisioni është edhe më e lartë për faktin se ai ekziston si në variant me dhëmbëzim, ashtu edhe në variant pa dhëmbëzim, çka e bën më të veçantë dhe më të kërkuar nga koleksionistët.

Fig.2  

   Emisioni i vitit 1968 në Fig. 2, me temë “Zogjtë”, nga “Panurus biarmicus” tek “Alcedo atthis ispida”, pasqyron një përpjekje për të dokumentuar dhe promovuar njohjen e faunës se pasur shqiptare. Emërtimet shkencore të shtypura në secilën pullë e ngrejnë këtë seri në një nivel edukativ, duke e bërë atë të vlefshme jo vetëm për koleksionistët, por edhe për studiuesit, mësimdhënësit dhe nxënësit.                                                              

      Fig.3  

Në Fig. 3, që i përket vitit 1975, paraqitet rasti i tretë i përdorimit të formatit rombik në filatelinë shqiptare. Zgjedhja e shpendëve ujore si subjekt mund të interpretohet si afirmim i vëzhgimit shkencor, i ruajtjes së biodiversitetit dhe i harmonisë mes njeriut dhe mjedisit, vlera që Shqipëria i theksonte si pjesë e imazhit të saj natyror. Ngjyrat e ndryshme të sfondit krijojnë kontraste që theksojnë bukurinë e secilit lloj, duke e shndërruar çdo pullë në një portret të vogël artistik.

                Fig.4   “Kaktuset”    

Në Fig. 4, të vitit 1973, paraqitet për herë të parë në filatelinë shqiptare një seri me format trekëndor me motive te flores shqiptare. Ky emision përfaqëson një ndërthurje të artit grafik me edukimin natyror dhe identitetin kombëtar. Forma trekëndore i jep kompozimit karakter ekspozitiv, sikur të ishte një galeri e vogël e florës shqiptare,te cilat të detajuara me kujdes shkencor, pasqyrojnë përpjekjen për të dokumentuar bukurinë dhe diversitetin e bimësisë vendase.                                                                                                                                                                       

Fig.5   “Kaktuset e Mesdheut”

    Ky emision ne Fig. 5 i vitit 2002, me pulla trekëndore kushtuar kaktusëve në lulëzim, është shembull i veçantë i ndërthurjes së shkencës, estetikës dhe identitetit kombëtar. Forma trekëndore krijon një ritëm grafik të pazakontë, ndërsa sfondi i zi thekson me intensitet ngjyrat e luleve. Zgjedhja e kaktusitmsi nje tematike e perseritur filatelike,synon te tregoje qëndrueshmërinë, përshtatjen dhe bukurinë e fshehur në mjedise të ashpra. Në kontekstin shqiptar, ato mund të interpretohen si metaforë e forcës dhe rezistencës së biodiversitetit në kushte sfiduese. 

           Fig.6   “Flora shqiptare”

Grupi ne Fig. 6 i pullave të vitit 2003, me motive frutash të ilustruara në formate trekëndore, ndërthur artin grafik me identitetin bujqësor dhe perceptimin vizual. Çdo frut, nga shega te fiku, është paraqitur me ngjyra të gjalla dhe detaje të kujdesshme, duke e shndërruar pullën në një miniaturë artistike që feston prodhimet vendase. Forma trekëndore krijon një kompozim dinamik dhe e shndërron serinë në një ekspozim të shkëlqyer të trashëgimisë bujqësore dhe biodiversitetit shqiptar.                                 

                                          Fig.7   “Dahlia-Flora shqiptare”

  Emisioni ne Fig. 7  i vitit 2004, kushtuar luleve Dahlia, përfaqëson një kulmim estetik në filatelinë me tematike floren shqiptare. Forma trekëndore dhe sfondi i zi krijojnë kontrast të fortë, duke i dhënë secilës pullë një prezencë të fuqishme, sikur të ishte pjesë e një galerie florale. Lulja Dahlia, me petalet e pasura dhe ngjyrat e ndezura, simbolizon bukurinë, qëndrueshmërinë dhe elegancën natyrore. Përfshirja e saj në serinë “Flora Shqiptare” nënvizon vlerat e trashëgimisë natyrore dhe synimin për të edukuar publikun mbi biodiversitetin dhe vemendjen per ruajtjen e saj përmes filatelisë.                          

                     Fig.8  viti 2005, “Flora shqiptare-Lule thomajce”

 Emisioni i vitit 2005, paraqitur në Fig. 8, me motive lulesh të serisë “Flora shqiptare”, është një paqyrim i bukurisë natyrore të vendit të shprehur përmes filatelisë. Forma trekëndore krijon ritëm vizual të veçantë, ndërsa imazhet të detajuara përfaqësojnë jo vetëm pasurinë e florës vendase, por edhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e saj.                             

                                     Fig.9  “Flora shqiptare-Zarzavatet”

Në Fig. 9, paraqitet një bllok filatelik i vitit 2006, me pulla trekëndore kushtuar temës “Flora shqiptare”. Ilustrimi qendror i domates si e plotë, ashtu edhe e prerë, nuk është i paqellimshem, ai simbolizon bujarinë e tokës shqiptare, thjeshtësinë e jetës rurale dhe lidhjen me prodhimet vendase. Përmes pullave te tjera trekëndore që paraqesin perime të përditshme si speca, hudhra dhe qepë, ky kompozim afirmon vlerat e bujqësisë tradicionale dhe biodiversitetin e gastronomisë shqiptare.                           

     Fig.10   “Lumturimi Nene Terezes”

Pullë e vitit 2003, paraqitur në Fig. 10, kushtuar lumturimit të Nënë Terezës, përbën një akt nderimi ndaj kësaj figure universale me rrënjë shqiptare. Imazhi i saj në lutje, me petkun karakteristik, mishëron përulësinë, shërbesën dhe dashurinë pa kufij. Forma rrethore e rrallë në filatelinë shqiptare i jep pullës karakter solemn, duke e afruar me një medaljon përkujtimor. Ajo shërben si simbol i trashëgimisë shpirtërore dhe respektit kombëtar ndaj Nënë Terezës.               

                              Fig.11   “Kampionati Europian i futbollit”

Fig. 11 paraqet një bllok filatelik të vitit 2004, kushtuar Kampionatit Evropian të Futbollit Portugali 2004. Edhe pse Shqipëria nuk mori pjesë, lëshimi i këtij emisioni pasqyron prirjen për të dokumentuar ngjarjet ndërkombëtare sportive dhe për t’iu përgjigjur interesit të koleksionistëve. Imazhi paraqitet me stil pikturor-abstrakt, që thekson dinamizmin e futbollit, vija të shpejta, ngjyra të ndërthurura dhe kompozim energjik, duke e bërë atë një nga blloqet më moderne të filatelisë shqiptare të fillimviteve 2000.                 

                          Fig.12 “600 vjetori i lindjes Gjergj kastriotit Skenderbeut”

Emisioni i vitit 2005, në Fig. 12, paraqet një skenë beteje të Skënderbeut të interpretuar si simbol i heroizmit dhe rezistencës kombëtare. Kombinimi i pullave rrethore dhe drejtkëndëshe në të njëjtin bllok krijon një kompozim dinamik dhe ceremonial. Beteja paraqitet me intensitet dramatik, kalorës, armë, terren malor dhe fortesë duke evokuar rrethimet e Krujës dhe përplasjet me Perandorinë Osmane. 

Këto emetime me forma të pazakonta pozicionojnë filatelinë shqiptare si një fushë me potencial të lartë inovacioni. Në të ardhmen, përdorimi i formave simbolike, si pulla me formën e shqiponjës, me kontur të hartës së Shqipërisë, me reliev të thelluar apo me linja përkujtimore të pa trajtuara me pare, mund të rrisë vlerën kulturore dhe filatelike të prodhimeve postare, si dhe profilin ndërkombëtar të filatelisë shqiptare.

Filed Under: Ekonomi

Avokati i kujt?

December 16, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Në Shqipëri, titujt institucionalë shpesh tingëllojnë më të rëndë se pesha reale e mandatit që mbartin. “Avokati i Popullit” është një nga ata emra solemnë që, në letër, duhet të jetë mburojë ndaj pushtetit dhe zë për qytetarin. Por në praktikë, historia jonë politike ka mësuar publikun të pyesë gjithmonë: avokat i kujt, saktësisht?

Zgjedhja e Endrit Shabanit në krye të këtij institucioni, me firmat e PD-së dhe votat e PS-së, nuk erdhi si një proces qetësues për opinionin publik. Përkundrazi, ndezi një debat të fortë politik, të ushqyer sidomos nga akuzat e Adriatik Lapajt, i cili e përshkroi këtë emërim si shpërblim politik për një rol të errët në sabotimin e një lëvizjeje opozitare. Nëse do t’i besosh narrativës së Lapajt, Shabani nuk është thjesht një figurë teknike e zgjedhur me konsensus, por një hallkë e një skenari më të gjerë të shkruar nga Edi Rama.

Fejtoni politik nuk ka për detyrë të shpallë verdikte gjyqësore, por të ngrejë pyetje. Dhe pyetja kryesore këtu është e thjeshtë: a do të jetë Endrit Shabani avokat i qytetarëve të pambrojtur, apo avokat i një pushteti që ka nevojë për qetësi institucionale?

Lapaj pretendon se Rama e ka përdorur Shabanin si “njeri brenda”, për të ndalur një zë që kishte marrë 64 mijë vota. Një akuzë e rëndë, që lidhet drejtpërdrejt me thelbin e demokracisë: konkurrencën e ndershme dhe përfaqësimin politik. Në këtë këndvështrim, zgjedhja e Shabanit shihet si një “kurorëzim” i besnikërisë, jo si një vlerësim i pavarësisë.

Por politika shqiptare e do ironinë: një figurë që deri dje shfaqej si kritike ndaj sistemit, sot ulet në një nga karriget që duhet të kontrollojë po atë sistem. Është kjo metamorfozë që e bën publikun dyshues. Sepse Avokati i Popullit, në një demokraci funksionale, duhet të jetë i papërshtatshëm për pushtetin, jo i përshtatshëm për kompromis.

Edi Rama, sipas Lapajt, shfaqet si “regjisor dhe skenarist” i kësaj lëvizjeje. Është një figurë e njohur për aftësinë për të prodhuar konsensus formal dhe për të neutralizuar konfliktin real. Në këtë logjikë, emërimi i Shabanit do të ishte një gur shahu i vendosur me kujdes: një institucion kyç që, në vend të përplaset me qeverinë, e amortizon zemërimin qytetar.

Protesta e Lapajt para Kryeministrisë, me çadra dhe netë të ftohta dimri, është një përpjekje për ta zhvendosur debatin nga korridoret e Kuvendit në rrugë. Ajo i flet një publiku të lodhur nga pazaret politike, por edhe skeptik ndaj çdo figure që ngrihet si “shpëtimtar”. Ironikisht, kjo protestë e vë Shabanin në një provë morale para se të nisë realisht punën e tij: a do të reagojë Avokati i Popullit ndaj një proteste qytetare që sfidon pushtetin, apo do të heshtë në emër të “stabilitetit”?

Një tjetër element që e rëndon këtë histori është reagimi i sistemit të drejtësisë dhe i shoqatave të gjyqtarëve, që për herë të parë i kanë dërguar sinjale publike Kryeministrit për kufijtë e pushtetit. Në një klimë të tillë tensioni institucional, Avokati i Popullit nuk është thjesht një noter ankesash, por një figurë kyçe në balancën e pushteteve.

Nëse Shabani do të zgjedhë të jetë vërtet avokat i popullit, ai do ta dëshmojë shpejt: duke u përballur me qeverinë, jo duke u fshehur pas procedurave; duke mbrojtur qytetarin, jo duke relativizuar padrejtësinë. Nëse, përkundrazi, ai do të shndërrohet në një figurë dekorative, atëherë dyshimet e sotme do të kthehen në bindje të hidhura nesër.

Fejtoni nuk mbyllet me përgjigje, por me paralajmërim: në Shqipëri, institucionet bien jo vetëm kur sulmohen, por edhe kur kapen nga kompromisi. Dhe Avokati i Popullit, nëse nuk është i popullit, rrezikon të mbetet thjesht avokat i radhës i pushtetit.

Filed Under: Fejton

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  

December 16, 2025 by s p

Dr.Nikollë Loka/

Për shumë nacionalistë, kombet janë të përjetshme; ato kanë ekzistuar gjithmonë në një formë apo tjetër. Në këtë pikëpamje, kombet moderne mund të ndjekin paraardhësit e tyre deri në Mesjetë dhe, në disa raste, deri te ‘nationes’ në antikitet(Anthony Smith, 2004b). Në këtë perspektivë, gjuha u bë karakteristika më e rëndësishme dalluese e kombësisë – në fakt, shpirti i saj i vërtetë. Ndërveprimi mes gjuhës dhe shpirtit ose frymës së kombit shprehet më qartë nga Wilhelm von Humboldt (1767–1835), sipas të cilit “gjuha e kombit është shpirti i tij” dhe shpirti i tij është gjuha”(CoWan, 1963: 277). Ose, siç vërehet ai diku tjetër: “Nga çdo gjuhë mund të nxjerrim prapa karakterin kombëtar”(Humboldt, 1988: 154).

Nacionalizmi shqiptar u zhvillua si rezultat i përhapjes së thelbit të nacionalizmit modern ndër intelektualët shqiptarë dhe ishte dështimi i parë i politikës osmane të panislamizmit(Batir, 112).

Osmanët që sunduan Shqipërinë për rreth pesë shekuj ndoqën politika që pengonin formimin e vetëdijes kombëtare, disa prej të cilave ishin të përbashkëta për të gjithë Ballkanin, ndërsa të tjera specifikisht kundër shqiptarëve. Një shembull i këtyre politikave ishte ndarja administrative që ata bënë, duke copëtuar shqiptarët në katër vilajete të ndryshme, pa marrë parasysh përbërjen e tyre etnike (Fischer, 2013). Kjo ndarje i vështirësoi ndjeshëm përpjekjet për bashkim dhe krijimin e një identiteti kombëtar të shqiptarëve. Rilindësit shqiptarë e kuptuan këtë pengesë dhe theksuan se ishte e domosdoshme të tejkaloheshin dallimet fetare që kishin ndarë popujt e Ballkanit, siç ndodhi me serbët dhe kroatët(Duijzings, 2002:70; Hobsbaëm, 1966:121). 

Pavarësisht ndarjeve fetare dhe pengesave të tjera, shqiptarët arritën të krijonin një identitet kombëtar, edhe pse më vonë në krahasim me popujt e tjerë të rajonit. Ata u mundën të kapërcenin barriera si ndarjet krahinore dhe mungesën e rrugëve të komunikimit ndërmjet pjesëve të ndryshme të trojeve shqiptare, të cilat i kishin realizuar fqinjët e tyre më herët (Hahn, 1854:4).

Zhvillimet politike dhe shoqërore që filluan me Tanzimatin në Perandorinë Osmane sollën ndryshime që kërcënonin ekzistencën e shqiptarëve. Gjatë shekullit XIX, Perandoria Osmane ra nën ndikimin e kulturës perëndimore dhe i hapi dyert për shkolla të huaja, duke lejuar arsimin në gjuhë të ndryshme(Deringil, 1998:95). Gjatë periudhës së Abdyl Hamidit II, shumë shkolla u hapën në pjesën europiane të Perandorisë, si shkolla frënge (127), italiane (22), angleze (60), gjermane (22), austriake (11) dhe ruse (7)(Shaw& Shaw, 1977:250).

Në vitin 1892, në të katër vilajetet shqiptare kishte më shumë se 1000 shkolla greke, 40 shkolla vllahe, 200-300 serbe dhe bullgare dhe vetëm 2 shkolla shqipe (Ditërrëfenjësi, 1900: 153-154). Kishte dhe një numër të madh shkollash turke. Sipas statistikave të viteve të fundit të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme kishte 1187shkolla turke, nga të cilat 1125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) dhe 5 shkolla të mesme (idadije) (Buda etj., 2002: 247; Hoti-Dani, 2014:41). 

Porta e Lartë theksoi përçarjen e shqiptarëve, duke e mohuar ekzistencën e kombit shqiptar. Kur fanariotët përforcuan ndjenjën e epërsisë kulturore greke ndaj grupeve të tjera, reagimi etnik anti-grek u bë i thellë dhe u transformua në armiqësi të plotë (Hupchick, 2002:208). Shqiptarët, vllehët dhe bullgarët filluan të njohin vetveten si kategori etnike, duke u përpjekur të identifikoheshin përmes gjuhës së përbashkët (Kitromilides, 1989:152). Pas njohjes së Ekzarkatit dhe miletit bullgar në vitin 1870 nga sulltani, shqiptarët mbetën të vetmit që nuk njihej si komb, dhe pas reformave të shekullit XIX, vetëm atyre iu mohua e drejta për të përdorur gjuhën e tyre amtare (Clayer, 2012:46; Misha, 2002:38).

Përpjekjet për të shkruar gjuhën shqipe, për ta alfabetizuar dhe kodifikuar gramatikën e fjalorin e saj, ishin të lidhura ngushtë me njohjen e dallimeve etnike që përcaktoheshin nga gjuha (Kitromilides, 1989:1952-1953). Kur gjuha merr funksionin e identifikimit dhe bëhet një simbol politik i një grupi të caktuar, ajo fiton një rol të rëndësishëm në formimin e vetëdijes politike. Kështu, gjuha pati një rol të madh në Ballkan si një simbol dallues i përkatësisë etnike dhe më vonë, i kombësisë (Olgun, 2015:33). Intelektualët shqiptarë, të frymëzuar nga nacionalizmi evropian i asaj kohe, përdorën tekste të ndryshme gjuhësore, letrare, historike dhe publicistike për t’i përcjellë popullit shqiptar dhe publikut ndërkombëtar imazhin e shqiptarëve si një komb i veçantë. 

Çështja e gjuhës ishte e rëndësishme për shqiptarët, pasi ata ishin populli i vetëm “transfetar” në Ballkan, me një identitet që ishte formuar vetëm mbi bazën e gjuhës. Në rastin e shqiptarëve, ishte gjuha që mori funksionin e etnicitetit, duke ushqyer një ideologji të fortë kombëtare (Doja, 1999:155-179). Ndër shqipatrët të parët që u prekën nga lëvizjet nacionaliste në Ballkan qenë shqiptarët ortodoksë. Arsyetimi më i rëndësishëm i kësaj vetëdijeje kombëtare ishte pasojë e paevitueshme e edukatës së tyre në shkollat greke.Ndonëse qëllimi i këtyre shkollave ishte që shqiptarët ortodoksë t’i bënin grekë, kjo ide nuk pati sukses të plotë, përkundrazi, ajo kontribuoi në zhvillimin e vetëdijes kombëtare shqiptare. Qëllimi kryesor i shqiptarëve ortodoksë ishte të shkëputeshin nga Patriarkana dhe të krijonin kishën dhe shkollën e tyre të pavarur(Batir, 2012:  113). Idelogët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare e kuptuan se gjuha është mjeti I vetëm për bashkimin e shqiptarëve, pasi gjuha shqipe ishte e ndryshme nga e popujve fqinj dhe e sunduesve osmanë(Skëndi, 1974:,188-189).

Inkurajimi i zhvillimit të gjuhës shqipe dhe adoptimi i alfabetit të përbashkët, së bashku me procesin gradual të “shqiptarizmit” të sistemit arsimor, u bë konfirmim i vendosmërisë së shqiptarëve për të krijuar një identitet kombëtar të veçantë (Psilos, 2000:190). Rilindja Kombëtare Shqiptare, me përpjekje të shumta, hapi rrugën për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe ngritjen e shtetit kombëtar, ashtu siç bënë kombet e tjera ballkanike që e shfaqën veten në skenën historike, pas rënies së Perandorisë Osmane (Lloshi, 2008:1). Megjithatë, shqiptarët, të ndarë në myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, që nuk njiheshin si një komb i bashkuar, nuk mundën të zhvillonin lirisht gjuhën e tyre amtare, të krijonin një letërsi të përbashkët dhe të përpunonin historinë e përbashkët, gjë që ngadalësoi formimin e nacionalizmit modern (Jelavich & Jelavich, 2000:225). Për më tepër, Porta e Lartë, duke identifikuar fenë me kombësinë, i trajtoi shqiptarët myslimanë si turq, ortodoksët si grekë dhe katolikët si latinë, duke e mohuar kështu ekzistencën e kombësisë shqiptare (Pollo, 1990:158). Sulltani refuzoi të njihte kombësinë shqiptare dhe, me këmbëngulje, përpiqej të shkaktonte përçarje fetare dhe krahinore midis shqiptarëve, duke injoruar zhvillimin e shkollave në gjuhën shqipe dhe duke mbështetur hapjen e shkollave turko-arabe (Pollo, 1990:158). Politika osmane e bazuar në islamizëm synonte përhapjen e vlerave islame dhe besnikërinë ndaj Kalifit, si faktor kyç për mbajtjen gjallë të Perandorisë.  

Shtetet që ishin të interesuara për të penguar shkollimin në gjuhën shqipe gjetën gjuhën e bashkëpunimit mes tyre. Qeveria Xhonturke iu kundërvu politikës së Austro-Hungarisë në Ballkan dhe zbatoi politikën e afrimit dhe bashkëpunimit me Serbinë dhe Bullgarinë, duke iu bërë koncesione të ndryshme. Porta e Lartë toleroi veprimtaritë nacionaliste të serbëve në territorin e saj (HHSt. A. PA. A. Në AIH, Vj. 20-13-1306).

Për të arritur objektivat e saj, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kombinoi veprimtarinë legale me atë ilegale, duke krijuar në nëntor të vitit 1905 Komitetin sekret “Për lirinë e Shqipërisë” në qytetin e Manastirit, një hap i rëndësishëm për organizimin kombëtar (Hoti Dani, 2014:105). Ky Komitet u ndikua nga aktivitetet e komiteteve të ngjashme të krijuara nga grekët dhe bullgarët dhe lindi si reagim.ndaj autoriteteve osmane dhe bandave të ndryshme nacionaliste(Hupchick, 2002:306) bullgare, greke etj.

Lidhur me aktivitetin arsimor ilegal të këtij Komiteti Senkevic shkruan se “shqiptarët nuk do të kenë rrethana të tjera, përpos organizimit të fshehtë të elitës politike të kohës, për të luftuar politikat e qeverisë së re të xhonturqve”(1958:159).

Zgjidhja e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe duke qenë një nga problemet më të rëndësishëm politike të kohës u bë e mundur vetëm pas shpalljes së Kushtetutës më 1908. Kongresi i Manastirit i mbajtur më 14-22 nëntor 1908 zgjodhi alfabetin latin, që do të ndikonte në zhvillimin e shkrimit shqip dhe do të ndihmonte në unifikimin kulturor të kombit shqiptar. Zgjedhja e alfabetit latin kishte dhe një dimension të qartë politik dhe tregonte aspiratat perëndimore të shqiptarëve si komb. Në fakt, vetë kontrasti midis alfabetit latin dhe atij turk do ta bënte vetëdijen shqiptare të ishte ndryshe nga ajo e turqve” (Skëndi, 2000:341).

Në fillim të shtatorit të vitit 1909, gjatë zhvillimit të ekspeditës ushtarake të Xhavit Pashës për “paqësimin” e shqiptarëve, nisi edhe fushata kundër shkollës shqipe dhe alfabetit kombëtar (Abdyli, Libri.1 2004: 270). Pas këtyre ekspeditave, Lëvizja Kombëtare Shqiptare njohu një ngritje të dukshme, veçanërisht në Shqipërinë Verilindore. Sipas shtypit shqiptar të kohës, thuhej se “Kuvendi i Llukës kishte artikuluar disa kërkesa, që iu adresuan qeverisë osmane, ndër të cilat dhe kërkesa për mësimin e gjuhës shqipe dhe për nëpunësit që do të dërgoheshin në Shqipëri të dinin gjuhën shqipe” (Bashkimi i Kombit, 1909). Po ashtu, në emër të banorëve të Pejës, Prizrenit dhe Mitrovicës, një komision i paraqiti kërkesën Komitetit Xhonturk të Selanikut “për krijimin e shkollave shqipe me shpenzimet e qeverisë së Stambollit” (Myzyri, 1996: 55).

Përgjigja e Portës së Lartë ndaj kërkesave për arsim në gjuhën shqipe ishte represive dhe mund të shihet si një pjesë e luftës për të ruajtur ndikimin osman në territoret shqiptare. Në vitin 1910, shtypja e kryengritjes shqiptare të Kosovës u pasua nga një luftë intensive kundër kulturës dhe gjuhës shqipe, duke mbyllur klubet shqiptare nën pretekstin se ato ishin “vatra të revoltës”. Po ashtu, u burgosën dhe u ndaluan prijësit, redaktorët dhe gazetarët e gazetave shqipe. Me urdhër të Portës së Lartë, u mbyllën shoqëritë dhe klubet shqiptare, u ndaluan librat dhe gazetat në shqip dhe u mbyllën shkollat shqipe. Në këto kushte, shkollat shqipe vazhduan të funksiononin në kushte ilegale (Skëndi, 2000: 350; Batir, 2012: 215).

Një tjetër moment kyç ishte kryengritja e vitit 1911, kur drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare hartuan kërkesat për autonominë e Shqipërisë, ku një nga pikat kryesore ishte kërkesa që gjuha shqipe të bëhej gjuhë zyrtare në katër vilajetet e banuara me shqiptarë dhe të përdorej si gjuhë mësimi në shkolla, zyra dhe gjykata. Në mars të vitit 1911, një qarkore e Ministrisë së Brendshme në Stamboll kërkonte riçeljen e shkollave shqipe dhe përdorimin e alfabetit latin (Skëndi, 2000: 350).

Megjithatë, përpjekjet përçarëse të xhonturqve vazhduan, duke e trajtuar problemin e arsimit shqip dhe të alfabetit latin si të dëmshme për fenë myslimane dhe të rrezikshme për interesat e Perandorisë Osmane. Gjatë kryengritjes shqiptare të vitit 1912, kërkesat për shkollën shqipe u paraqitën nga kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, të Hasit, të Mitrovicës, Dibrës, Junikut, etj. (Myzyri, 1996: 362-363). Në bisedimet mes kryengritësve shqiptarë, të përfaqësuar nga Hasan Prishtina, dhe autoriteteve osmane, çështjet arsimore zinin një vend të rëndësishëm. Nga 14 kërkesat e Hasan Prishtinës drejtuar delegacionit osman, pesë ishin për shkollat, ku në pikën 4 shkruhej: “Nëpunësit të dinë gjuhën dhe të njohin zakonet e vendit”, ndërsa në pikën 6: “Të bëhet mësimi i gjuhës së vendit në shkollat private dhe të shtetit” (Shqipëria në dokumentet austro-hungareze IV, 2012: 331). Me gjithë lëshimet e bëra nga delegacioni shqiptar, marrëveshja shqiptaro-osmane nuk u zbatua, pasi pas nënshkrimit të saj, lufta shpërtheu dhe trojet shqiptare u pushtuan nga aleatët ballkanikë, të cilët kishin si synim ndarjen e këtyre territoreve midis tyre.

Në përfundim, mund të themi se gjuha shqipe ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, duke u bërë faktor i rëndësishëm identitar. Ajo shërbeu si një mjet unifikues që bashkoi shqiptarët nga grupe të ndryshme fetare dhe krahinore, duke tejkaluar barrierat e ndarjeve të imponuara nga pushtuesit osmanë. 

Përmes përdorimit të gjuhës, shqiptarët arritën të krijojnë një ndjenjë të përbashkët identitetare dhe të ndërtojnë një lidhje të fortë shpirtërore e kulturore. Kongresi i Manastirit dhe miratimi i alfabetit latin ishin hapa të rëndësishëm që kontribuan në konsolidimin e gjuhës shqipe si simbol i kombësisë shqiptare dhe si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar shqiptar.

Pavarësisht sfidave të mëdha dhe pengesave që u paraqitën gjatë periudhës osmane dhe pas saj, shqiptarët arritën të zhvillojnë një sistem arsimor në gjuhën e tyre amtare dhe të krijonin një letërsi të përbashkët, duke kontribuar kështu në forcimin e shtetit shqiptar dhe në njohjen e tij si një komb të veçantë në skenën ndërkombëtare.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT