• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ITShKSh: Vlerat arkeologjike nuk mund të jenë pronë private

February 21, 2023 by s p


Këto ditë në media po qarkullon një lajm se në qytetin antik të Scupi-t po kryheshin gërmime arkeologjike dhe se janë zbuluar dy stela, ku në njërën prej tyre qëndron mbishkrimi DARDANUS.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkatësisht Departamenti i Kulturës Materiale të ITShKSh-së, rithekson faktin që Scupi ishte qendra e mbretërisë Dardane dhe për këtë dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike në këtë lokalitet.

Stelat si gurë mbivarror në të cilat shënohen të dhënat e personit të vdekur si dhe personit i cili e ka ngritur atë stelë, janë gjetur ndër vite, jo vetëm në Scupi, por, edhe në shumë vendbanime e lokalitete tjera arkeologjike në tërë territorin e Dardanisë. 

Stelat e fundit të zbuluara në qytetin antik të Scupi-t duhet përkthyer dhe studiuar mirë. Arkeologia e njohur prof. dr. Exhlale Dobruna – Salihu, ka studiuar gjatë kohë plastikën dekorative dardane, duke përfshirë edhe stelat të zbuluara ndër vite në Scupi, të cilat rezultojnë t’u takojnë shekujve II dhe III. Në bazë të fotografive që po shohim, mendojmë se stelat janë të tipit I-varianti A.

Shqetësues është fakti se si ka mundësi që “pronari” që i bën punimet, nuk lejon mediat që të marrin pamje të stelave në fjalë, me arsyetimin se kjo është “pronë private”, duke ditur fare mirë se kemi të bëjmë për nekropolin e qytetit të Scupi-t.

Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit, është se si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike.

Prandaj ne kërkojmë që të dalin publikisht të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë në zonën e qytetit antik Scupi.

Njëkohësisht, bëjmë thirrje që sa më shpejt këto stela të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, sepse çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme.

Filed Under: Komente

MËSIMET E NXJERRA PAS 12 MUAJ LUFTIMESH RUSI-UKRAINË

February 21, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Vizita e presidentit Joe Biden në Ukrainë, ishte një vizitë me rëndësi historike, pasi jo vetëm dha mesazhin se e gjithë bota e qytetëruar është kundër masakrave që po realizon ushtria ruse në Ukrainë, por në të njëjtën kohë afirmoi vendosmërinë e SHBA-ve dhe aleatëve të saj për të mbështetur me çdo kosto pavarësinë territoriale të Ukrainës dhe mposhtjen e ushtrisë së Putinit në fushëbetejë. Ndërkohë që u mbushën 12 muaj nga pushtimi kriminal, i paprecedentë dhe i paligjshëm i Ukranës nga drejtuesi i Federatës Ruse Vladimir Putin, në këto momente, ushtria ruse ka vendosur në gjendje gadishmërie rreth 500.000 forca ushtarake të reja të paangazhuara në luftime më parë në tre drejtime të Ukrainës. Më shumë se 150.000 ushtarë janë të gatshëm në pjesën jugore të vendit në vartësi të Distriktit Ushtarak Jugor, 120.000-150.000 ushtarë të tjerë janë të dislokuar në veri të Ukrainës në Bjellorusi dhe prej disa muajsh po realizojnë stërvitje ushtarake me ushtrinë e Bjellorusisë. Një sasi tjetër me rreth 150.000 ushtarë janë duke realizuar stërvitje dhe janë në vartësinë e Distriktit Ushtarak të Perëndimit, të gjithë sa më lartë të gatshëm për të filluar një ofensivë ushtarake.Ky konflikt i cili ka filluar 12 muaj më parë, ka rezultuar në humbjen e jetës së dhjetëra mijëra ushtarëve nga të dy kampet, shkatërrimin e plotë kriminal të dhjetra qyteteve të Ukrainës, të ekonomisë, industrisë, infrastrukturës energjetike, rrugore, etj por nga ana tjetër ka forcuar dhe unifikuar aleancën midis vetë shteteve të perëndimit kundër Federatës Ruse.Duke parë dështimet e njëpasnjëshme të ushtrisë së tij gjatë muajve të parë të luftës, presidenti Vladimir Putin në datën 11 janar të vitit 2023 emëroi si komandant të përgjithshëm të luftës në Ukrainë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Valeri Gerasimov. Me qëllim që të kuptojmë sa më mirë se çfarë ka ndodhur gjatë këtij konflikti përgjatë 12 muajve, do të përpiqem të analizoj shumë shkurt disa mësime të nxjerra gjatë këtij konflikti deri në muajin shkurt të vitit 2023 (Një analizë të plotë të gjithë konfliktit në Ukrainë, e gjeni në librin e fundit i cili titullohet: “Strategjia ushtarake e Federatës Ruse, forcat e armatosura dhe fuqia luftarake”.Mësimi 1. Përgatitja për të pushtuar Ukrainën, nga ana e ushtrisë ruse ishte e organizuar shumë dobët. Kjo në gjykimin tim për shkak të ruajtjes së sekretit nga presidenti Putin deri në momentin e fundit. Shumë pak njerëz të lartë në zinxhirin komandues të Kremlinit dhe të ushtrisë ruse kishin dijeni për fillimin e ‘Operacionit Ushtarak Special’ në Ukrainë.Pushtimi në vetvete filloi me një seri sulmesh ajrore me avionë luftimi dhe me raketa me qëllim shkatërrimin e bazave ajrore ukrainase, shkatërrimin e fushave të aviacionit, njësive të mbrojtjes ajrore, shkatërrimin e linjave të komunikimit dhe të furnizimit, realizimin e sulmeve kibernetike, luftën e dizinformimit me qëllim dëmtimin e zinxhirit të komandim-kontrollit, etj.Faktet treguan se pavarësisht këtyre sulmeve ato ishin të limituara, duke mos i penguar forcat ajrore të Ukrainës të sulmonin jo vetëm avionët rus në ajër por edhe të përballeshin me ta në disa raste në ajër. Duket theksuar se njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës përgjatë 12 muajve të konfliktit nuk i dhanë mundësi forcave ajrore ruse që të fluturonin lirshëm dhe pa rrezik në qiellin e Ukrainës. Këtë e tregon më së miri edhe sasia e madhe e rrëzimit të avionëve dhe helikopterëve rus gjatë kësaj fushate.Mësimi 2. Planifikimi dhe ekzekutimi i operacionit special për pushtimin e Ukrainës, tregoi se personat përgjegjës për përgatitjen dhe planifikimin e strategjisë së pushtimit nuk kanë patur eksperiencën e duhur ushtarake. Të gjithë drejtuesit e agjensive kryesore të inteligjencës, të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse dhe rrjetet e tyre informative në terren në Ukrainë, besuan se nuk ishte e nevojshme përdorimi i një force të madhe ushtarake, pasi ata nënvleftësuan mbi të gjitha dëshirën e ukrainasve për të luftuar kundër ushtrisë ruse. Kjo duket qartë edhe nga emërtimi i këtij operacioni nga presidenti Vladimir Putin: “Operacion Ushtarak Special’. Mësimi 3. Fillimi i menjëhershëm, i organizuar, profesional dhe intensiv i rezistencës nga të gjithë njësitë e ushtrisë, gardës kombëtare, legjioneve të huaja dhe të inteligjencës së Ukrainës, shfaqën qartazi dështimin e informacioneve dhe analizën e bërë nga agjensitë e shumta të inteligjencës ruse, të cilat deri në momentin e pushtimit kishin një rrjet shumë të madh të fuqishëm informatorësh dhe bashkëpunëtorësh në territorin e Ukrainës. Mësimi 4. Njësitë ushtarake (grupbatalionet) të cilat morën pjesë në operacionet luftarake për marrjen e kontrollit të Kievit ishin të paorganizuara si duhet. Planifikimi për këtë sulm ku përfshiheshin rreth 15.000 trupa ushtarake të vendosura në një konvojë me gjatësi 65 km, pa siguri gjatë lëvizjes, pa mbështetjen e duhur me artileri dhe aviacion, etj bëri të mundur që ajo të ndalonte 20 km larg kryeqytetit.Pikërisht kjo ndalesë, ky ç’organizim, mungesa e sigurisë bënë të mundur që shumë grupe speciale ukrainase dhe njësi vullnetare nga njësitë ‘kapëse-vrasëse’ të mbanin nën goditje të vazhdueshme gjatë gjithë gjatësisë së saj, në çdo kohë dhe vend, ditën dhe natën segmentë të ndryshëm të autokolonës, duke përdorur me efikasitet raketat e fuqishme anti-tank ‘Javelin’, NLAW, Milan, Tow, RPG, etj në bashkëpunim me sulmet e suksesshme nga ajri me raketat ‘Stinger’ dhe dronët turq ‘Bayraktar TB-2’, duke shkaktuar dëme të mëdha në njësitë ushtarake ruse, duke ulur moralin e tyre dhe dëmtuar dëshirën për të vazhduar më tej sulmin. Mësimi 5. Operacioni rus për pushtimin e Kievit, Kharkivit dhe rajoneve të tjera të mëdha, fronti i luftës në Ukrainë i cili është shumë i madh me gjatësi më shumë se 1200 km, tregoi se përfshirja e forcave dhe e mjeteve ushtarake në këtë operacion ishin të pamjaftueshme, të paorganizuara si duhet, pa mbështetjen e tyre me zjarr, mjetet luftarake kishin cilësi të dobëta, njësitë ishin të pastërvitura në luftën urbane, në luftën guerrile, një ushtri shumë e korruptuar e cila nxori në pah gjatë luftimit mungesën e organizimit dhe të mbështetjes së njësive ushtarake.Mësimi 6. Federata Ruse nuk po e fiton luftën aq shpejtë sa e mendonte. Ndërkohë që shumë ekspertë perëndimorë mendonin se pushtimi i objektivave ushtarake të Rusisë do të përfundonte shpejtë, sot pas 12 muajsh lufte intensive në të tre frontet Rusia ka pushtuar vetëm 20-21 për qind të territorit të Ukrainës. Në rast se analizojmë me kujdes objektivat e arritura nga ushtria e dytë më e fuqishme në botë, rezultatet nuk janë aspak të kënaqshme. Por në të njëjtën kohë duhet të mos harrojmë se asistenca ushtarake e siguruar nga Ukraina e mbështetur nga perëndimi ka qënë jashtëzakonisht e madhe.Mësimi 7. SHBA-të dështuan në unifikimin e komunitetit ndërkombëtar për të sanksionuar Federatën Ruse, kryesisht sektorin e saj të rëndësishëm të energjisë. Në këtë këndvështrim, shumë shtete të fuqishme dhe të rëndësishme nuk iu bashkuan sanksioneve ekonomike ndërkombëtare kundër Federatës Ruse, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm të diplomacisë amerikane dhe përfshirjes së drejtëpërdrejtë të presidentit amerikan Joe Biden, duke dështuar të izolojnë nga ana ekonomike dhe diplomatike Rusinë në arenën ndërkombëtare. Këto mund të përmend në mënyrë të veçantë dy shtete shumë të fuqishme Kinën dhe Indinë, të cilat kanë refuzuar që t’i bashkohen sanksioneve dhe luftës, duke marrë vendimet e tyre politike vetëm bazuar në interesin e tyre kombëtar.Mësimi 8. Pavarësisht fuqisë dhe teknologjisë ushtarake për të cilat askush nuk ka dyshim që Rusia i ka në dispozicion, përfshirja në një konflikt ushtarak në një territor të madh, në disa fronte kundër një ushtrie të madhe e cila aplikon luftë ballore me teknologji të fundit ushtarake të koordinuar me taktika guerrile, aq më shumë kur në këtë luftë janë përfshirë shumë aktorë të fuqishëm nga ana ushtarake dhe financiare, tregoi se kjo luftë është e vështirë të fitohet. Mësimi 9. Lufta që po zhvillohet nga muaji korrik 2022 deri në muajin shkurt 2023 në rajonin e Donetsk-ut për marrjen e qytetit të Bakhmut-it, Soledar-it, Vuhledar-it ka kushtuar jetën e mijëra ushtarëve nga të dy krahët. Qyteti i rëndësishëm i Soledarit u morr nën kontroll nga mercenarët e Grupit Wagner në datën 11 janar 2023, por luftimet në këtë qytet po zhvillohen njëlloj si në kohën e Luftës së I-të Botërore nëpër transhe të fortifikuara rëndë (Trench Warfare), ku mijëra forca luftonin vetëm për 10 m territor.Sipas analizës time, qëndresa dhe rezistenca e madhe e 9-12 Brigadave të Motorizuara, Mekanizuara dhe Parashutiste të Ukrainës për disa muaj me radhë në këtë rajon ose linjë të frontit ishte e panevojshme. Kjo për të vetmen arsye se nuk justifikon në asnjë mënyrë humbjen e mijëra ushtarëve ukrainas ose të 50-60 për qind të efektivit të këtyre Brigadave, mbrojtja e cila në fund të fundit përsëri po dështon. Fatkeqësisht trupat e Ukrainës po përballen me mangësi të mëdha në artileri dhe muncione.Mësimi 10. Ky konflikt nxori në pah rëndësinë e madhe të sigurimit të mbështetjes me sasinë e nevojshme të municioneve të artilerisë për njësitë të cilat luftojnë në front. Këtu e nuk kam fjalën vetëm për artilerinë e rëndë, mjetet të blinduara, njësitë tankiste dhe dronët e sulmit. Në shtesë sa më lartë, këto njësi duhet të kishin në dispozicion edhe mbrojtje më të mirë nga ajri. Gjatë ofensivës ruse të muajve janar-shkurt 2023 në rajonin e Donetsk-ut, u pa qartë mungesa e forcës për organizimin e kundërsulmeve nga ana e njësive ukrainase, për shkak të mungesës së mbështetjes me artileri dhe municion. Ushtria ruse gjatë kësaj ofensive ka shkatërruar një numër shumë të madh të artilerisë dhe të depove të tyre me municion. Kjo ka bërë të mundur humbjen e jetës së mijëra ushtarëve të Ukrainës, uljen e moralit të tyre dhe dështime në fushëbetejë. Gjatë muajve janar-shkurt 2023, njësitë ruse kanë përdorur në front deri në 60.000 predha artilerie në ditë, ndërkohë që ushtria e Ukrainës ka mundur të përdorë midis 6000-6500 predha në ditë. Gjykoj se është shumë e rëndësishme që perëndimi të dërgojë sa më shpejtë në frontin e Ukrainës artileri të fuqishme së bashku me municionet përkatëse, me qëllim që të ushtria e Ukrainës të rimarrë kontrollin ose të kundërshtojë me forcë avancimin e njësive të blinduara ruse në këtë front të rëndësishëm. Lajmi i mirë është se presidenti amerikan Joe Biden deklaroi dërgimin shumë shpejt të 2 milionë predhave të artilerisë sipas paketës së fundit të ndihmave, të cilat do të bëjnë dallim të menjëhershëm në fushëbetejë. Mësimi 11. SHBA-të dhe vendet e Bashkimit Europian, pavarësisht faktit se e kanë mbështetur Ukrainën me një sasi të jashtëzakonshme asistence ushtarake dhe ekonomike e cila shkon në rreth 120 miliardë dollarë, duhet të përshpejtojnë dërgimin e mjeteve të blinduara kryesisht tanke, artilerisë të rëndë, armëve kundërtanke, raketave me larghedhje të madhe, sistemeve të mbrojtjes ajrore, etj në mbështetje të njësive ukrainase të cilat po luftojnë me heroizëm të madh kundër ofensivës ruse gjatë muajve dhjetor 2022-shkurt 2023 në rajonin e Donbasit.Mësimi 12. Intensiteti i luftimeve gjatë këtij konflikti 12 mujor, nxori në pah nevojën e sigurimit të rezervave të mëdha strategjike në arsenalin e ushtrive të vendeve të NATO-s. Asistenca ushtarake e vendeve të NATO-s megjithëse ishte shumë e madhe përgjatë 12 muajve, përsëri nuk ndikoi sa duhej në rezultatin final në fushëbetejë. Ndërkohë kur të gjithë analistët më të mirë të mbrojtjes në botë dhe të shërbimeve sekrete të perëndimit deklaruan se ushtria ruse do të dorëzohej për shkak të mungesës së armëve dhe të municionit, koha provoi të kundërtën. Kremlini zyrtar nën presionin e vazhdueshëm të presidentit Putin nuk dështoi të mbështeste me municione njësitë ruse, edhe pse intensiteti i përdorimit të tyre është i paimagjinueshëm dhe i pakrahasueshëm me asnjë konflikt të ngjashëm të 6 dekadave të fundit.Në gjykimin tim, ushtritë e perëndimit dhe industritë e tyre të mbrojtjes duhet të nxjerrin mësim që sa më parë të zëvendësojnë me shpejtësi arsenalin ushtarak të armëve dhe municioneve të dhuruar për ushtrinë e Ukrainës dhe të marrin masa për rritjen e prodhimit të municionit nga industritë e tyre ushtarake.Mësimi 13. Përdorimi intensiv i dronëve të zbulimit, dronëve të sulmit, dronëve kamikaz nga të dy krahët, solli revolucionarizimin e luftës së sotme në atë që njihet si ‘Drone Warfare’. Përveç shkatërrimit të një numri të konsiderueshëm të mjeteve të blinduara të rusëve, njësive të raketave të mbrojtjes kundër-ajrore, postave të komandim-kontrollit, sulmeve në bazat ajrore me avionë bombardues strategjikë si në rastin e bazës ajrore ‘Engels’ në Federatën Ruse, sulmeve në bazat ajrore të Gadishullit të Krimesë, sulmet kundër anijeve ruse të Flotës së Detit të Zi me dronë nënujorë, grumbullimit të informacionit rreth vendodhjes së trupave përkatëse, korigjimit të zjarrit të artilerisë, etj përdorimi i dronëve turq ‘Bayraktar TB-2’ ekspozoi boshllëqet e mbrojtjes ajrore ruse dhe mungesën e strategjisë për t’u përballur me to me efektivitet.Mësimi 14. Pavarësisht performancës së dobët gjatë muajve të parë të luftës, njësitë ruse mësuan me shpejtësi nga gabimet e shumta. Që nga fillimi i pushtimit në datën 24 shkurt 2022, njësitë ruse ishin të paorganizuara si duhet. Taktikat e tyre të përdorimit të helikopterëve, aviacionit, trupave të blinduara, njësive tankiste, taktikat e luftës në qëndrat e banuara, etj ishin të paqarta, jo efektive, të ç’organizuara, pa bashkëpunim midis njësive në operacion dhe komandim-kontoll, pa mbështetjen e duhur logjistike, mjeksore, të zjarrit, etj duke bërë të mundur që një numër shumë i madh i mjeteve ajrore të rrëzoheshin, një numër i madh mjetet të blinduara dhe tankeve të shkatërroheshin dhe njësitë të dështonin në realizimin e misionit të tyre. Mbështetja logjistike e grupbatalioneve ruse ishte shumë e dobët, në shumë raste dhjetëra mjete të blinduara, artileri dhe tanke të ushtrisë ruse u lanë në duar të ushtrisë së Ukrainës. Pas këtyre dështimeve, pas kritikave të mëdha nga presidenti Vladimir Putin, ministri Sergei Shoigu, gjenerali Valeri Gerasimov dhe nga presioni ndërkombëtar, mësimet e nxjerra pas gjashtë muajve të parë të Operacionit Special Ushtarak në Ukrainë, ushtria ruse filloi të dislokonte ushtarë më të stërvitur, më të pajisur, taktikat e të cilëve filluan të përshtateshin dhe të ekzekutoheshin më me sukses. U rrit ndjeshëm përdorimi me efikasitet i njësive të blinduara, njësive tankiste, njësitë e këmbësorisë nuk dislokoheshin pa mbështetjen me artileri, zbulimi dhe lufta elektronike ishin më efikase, duke bërë që organizimi i operacioneve të sulmit dhe të luftës në terrene urbane të krijonte epërsi të dukshme në fushëbetejë deri në muajin shkurt të vitit 2023.Mësimi 15. Përdorimi me efektivitet dhe me mbështetjen e duhur të zjarrit të artilerisë dhe të inteligjencës i njësive të grupeve të armatosura mercenare, ka qënë i sukseshëm si nga Federata Ruse por edhe nga Ukraina. Këtu dua të sjell në vëmendjen tuaj, përdorimin intensiv të forcave të Grupit ‘Wagner’, njësitë e të cilit kanë angazhuar deri në 40.000 mercenarë në këtë konflikt. Ata kanë siguruar disa fitore të rëndësishme për ushtrinë ruse ku mund të përmendim marrjen e kontrollit të qytetit shumë të rëndësishëm Soledar dhe Bakhmut.Mësimi 16. Numri i personave civilë dhe ushtarakë të vrarë është shumë i lartë dhe po vazhdon të rritet dita ditës nga të dyja krahët, kjo sidomos gjatë luftimeve të fundit në Soledar, Vuhlendar dhe në Bakhmut ku çdo ditë janë vrarë qindra ushtarë në fushëbetejë.Mësimi 17. Dështimet e muajve të para, intensiteti i lartë i luftimeve, mësimi nga gabimet e shumta, dëshira për ta fituar këtë konflikt me çdo çmim, futja në prodhim të plotë e industrisë ushtarake ruse, pjesëmarrja e një numri shumë të madh të ushtrisë ruse në luftime, testimi i taktikave dhe teknikave të reja të luftimit, përballja me armët dhe taktikat e luftimit të NATO-s në shumë forma dhe fronte, etj pavarësisht humbjeve të mëdha, në gjykimin tim kanë rritur ndjeshëm aftësitë operacionale të njësive të ndryshme të ushtrisë ruse. Ky konflikt ka nxitur Federatën Ruse që në të ardhmen të:Rrisë ndjeshëm numrin e forcave të saj të armatosura të cilat gjatë viteve 2023-2024 do të shkojnë në 1.5 milionë.Buxheti ushtarak do të rritet me të paktën 50 për qind.Industria ruse nuk do të ketë kufizime sa i përket buxhetit, por përkundrazi sipas presidentit Vladimir Putin do të ketë në dispozicion një sasi prej 50 miliardë dollarësh shtesë në dispozicion të prodhimit të avionëve, nëndetëseve, tankeve, armatimeve dhe raketave të reja.Krijimi dhe forcimi i një aleance anti-perëndim midis Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut përbën në të ardhmen një kërcënim të madh për demokracitë në botë.Kosto e luftës deri në mes të muajit shkurt 2023 për presidentin Putin ka kaluar 90 miliardë dollarët.Mësimi 18. Ushtria e Ukrainës pavarësisht humbjeve të mëdha në fushën e betejës ka treguar se pavarësisht fuqisë së jashtëzakonshme të kundërshtarit, dëshira për të luftuar në disa raste mbikalon fuqinë e armëve dhe raketave. Ky konflikt ka mundësuar që:Qeveria e Ukrainës nën lidershipin e presidentit Volodimir Zelenski ka arritur që të unifikojë përpjekjet e të gjithë vendeve të BE-së së bashku me SHBA-të dhe vendet me demokracitë më të konsoliduara në botë, duke arritur që të krijojnë një koalicion të fuqishëm ndërkombëtar kundër Federatën Ruse.Komuniteti ndërkombëtar me SHBA-të në krye, e kanë dënuar gjerësisht dhe me forcë këtë pushtim kriminal, të paprovokuar dhe të paligjshëm, i cili ka shkaktuar vdekjen e shumë civilëve, ushtarakëve dhe shkatërrimin e plotë të gjysmës së Ukrainës. Ky pushtim ka krijuar një mbështetje të madhe ekonomike, financiare dhe asistencë ushtarake në një masë që po i kalon 100 miliardë dollarët. Për këtë mbështetje presidenti Josef Biden ka deklaruar se kjo mbështetje do të vazhdojë deri në mposhtjen e Federatës Ruse.Ushtria e Ukrainës në ditët e sotme është ushtria më me eksperiencë luftimi në Europë. Ajo është e aftë të planizojë, ekzekutojë operacione të shkallës së gjerë, të përdorë sistemet ushtarake dhe teknologjitë më të avancuara të perëndimit në fushëbetejë dhe nëse do të arrijë të fitojë këtë luftë (për të cilën unë personalisht besoj se është e pamundur), atëherë do të dalë shumë më e fortë sesa ishte në fillim të saj.Si pasojë e humbjeve të mëdha në njerëz, ushtrisë së Ukrainës do t’i duhet një kohë e gjatë për tu ringritur edhe një herë në nivelet e fillimit të vitit 2022.Mësimet e nxjerra nga ushtria e Ukrainës gjatë konfliktit kundër ushtrisë ruse, do të shërbejnë si objekt studimi dhe do të jenë pjesë e programeve të stërvitjes në ushtritë e NATO-s, duke rritur në këtë mënyrë kapacitetet e tyre në një përballje në të ardhmen me ushtrinë ruse.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dritan demiraj

Homazh për Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën dhe të gjithë heronjtë e Luftës së Drenicës

February 21, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të luftës së Drenicës, të prirë nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj lufte dhe këtyre dy heronjve. Një dokument që kam marrë nga arkivi i presidentit H.Truman (Declassified: E.O.11632, Sec 3(E) and 3 (D) or (E) ; Dept.of State letter, Aug. 10, 197), tregonte për rezistencën e shqiptarëve te Kosovës ndaj forcave partizane jugosllave, po ashtu tregonte për mosinteresimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe krerëve të saj që Kosova të jetë pjesë e shtetit shqiptar, siç ishte gjatë viteve të pushtimit nga Italia fashiste. Në asnjë takim, përfaqësuesit e komunistëve nga Shqipëria, nuk e kishin ngritur çështjen e Kosovës. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të kundërshtuar konsolidimin e pushtetit jugosllav, pra kjo rezistencë që më e fuqishme ishte në pjesën qendrore të Kosovës, në Drenicë, mbetën të izoluara dhe pa përkrahjen e Shqipërisë. Drenica ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin dhe ruajtjen e frymës për lirinë e Kosovës. Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, këta dy tribunë popullorë që udhëhoqën kryengritjen kundër sllavo-komunistëve, u bënë referencë historike për nacionalizmën shqiptare. Lufta, trimëria, krenaria dhe lavdia e tyre ishte frymëzim i fuqishëm i luftëtarëve të mëvonshëm, që mbante lart moralin e luftës për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës!

All reactions:1616

Filed Under: Histori Tagged With: Lulzim Nika

Kosova, përballë sfidave politike, festime madhështore për 15 vjetorin e pavarësisë, në Filadelfia

February 21, 2023 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, është ngjarja e dytë më e madhe historike jubilare pas aktit vendimmarrës për lirinë dhe pavarësinë e trojeve të Arbrit, nga personaliteti i shquar, Ismail Qemali, i cili hodhi bazat e para të themelimit të shtetit shqiptar. Pavarësia e Kosovës është një akt kurorëzimi shumë thelbësor, domethënës, politik, për lirinë e territoreve të saj, ndërtimin e shtetit të pavarur me institucionet demokratike respektive, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të popullit shqiptar, çlirimin nga pushtimi barbar serb shekullor, apo i ashtuquajturi Holokausti Jugosllav, moment i cili mbart nën vete një rrugë të gjatë, shumë të mundimshme, me plot sfida dhe gjakderdhje. Populli shqiptar i Kosovës ka përjetuar nën lëkurë masakra dhe tortura nga më çnjerëzoret; në fushë të betejës kanë dhënë jetën djem e bija nënash, me fjalët “liri” e “pavarësi”, të gdhendura në shpirt dhe në zemër, ku famëkeqi Sllobodan Millosheviç, me ‘makinën e tij të vdekjes” nuk kurseu as foshnjet në barkun e nënës. Sa gjak është derdhur për liri, sa lotë nënash janë tharrë, e sa tortura e masakra barbare ka përjetuar dhe parë populli i Kosovës, pasojat e të cilave ndihen edhe sot në familjet shqiptare! Mbi gjakun e të rënëve u kurorëzua Pavarësia e Kosovës; me gjakun e dëshmorëve u shkrua fjala “liri”, të cilët u larguan nga kjo botë duke marrë me vete merakun dhe dëshirën e paepur për një Kosovë të lirë dhe të begatë! Ikën me nder dhe lavdi, se sakrifikuan për brezat e rinj që të kenë një të ardhme të ndritur, ikën me amanetin e madh, përcjellë gjeneratave të reja, që të mos shiten dhe as blihen për interesa, pasi kombi dhe gjuha i jep njeriut dinjitet, respekt dhe të drejtën për të ekzistuar! Mbi gjakun e dëshmorëve erdhi liria, u themelua Republika e Pavarur e Kosovës, u thurrën shumë ëndrra për një të ardhme të ndritur plot begati. Ushtria serbe ka zhvilluar krime nga më të rëndat dhe ka ndërmarrë politika shoviniste, për copëtimin e trojeve dhe robërimin e shqiptarëve. Populli shqiptar duhet të mbajë qendrim dhe duhet të veprojë, që zëri i tij të dëgjohet deri te kancelaritë e huaja, në mënyrë që të dënohen të gjithë përgjegjësit e genocidit serb, por edhe atij malazez e grek. Amerika ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm dhe të pakthyeshëm, në të gjithë procesin që kulmon me Pavarësinë e Kosovës. SHBA-të janë “prometeu i lirisë” për Kosovën, pika më e fortë strategjike, mikja besnike, ku shqiptarët janë mbështetur pasi kanë gjetur një shpatull të ngrohtë, e cila kurrë nuk i braktisi në kohë të errëta. Shumë personalitete dhe veprimtarë të shquar, si brenda dhe jashtë vendit, punuan fort për ardhjen e kësaj dite, por do të doja të nxirrja në pah emrin e Martti Ahtisarit, i cili i dha goditjen e fundit politikës serbe. Kujtoj se, më 2 shkurt të 2007, i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.Dialogu Kosovë-Serbi Pavarësisht përpjekjeve të mëdha për shpalljen e pavarësisë, Kosova në ditët e sotme gjendet përballë sfidave politike të brendshme dhe të jashtme. Ajo që merr më shumë vëmendje krahas problemeve të brendshme, është dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila synon të rrisë sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Një propozim franko-gjerman është hedhur në tryezë, ku fton të dyja palët, Kosovë-Serbi, ta pranojnë dhe ta shfrytëzojnë në zhvillimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe për të ofruar dhe garantuar paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ky propozim përmban respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Dy garantet e sigurisë në botë, SHBA dhe BE, po ushtrojnë trysni ndaj dy shteteve për të shkuar në një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, nëse vijohet me polemika dhe kundërshtime, ajo që do të përfitojë për të shtuar dhe nxitur konfliktet në Ballkan, është Rusia. Cari i Kremlinit, Vladimir Putin, derisa t’i vijë fundi, do të përdorë çdo lloj strategjie për të mbështetur Serbinë në qëllimet e saj ndaj Kosovës, për të zhvendosur vëmendjen nga lufta në Ukrainë, por edhe për të arritur qëllimet e kahershme për të pasur influencë në Ballkan. Zyrtarët e lartë të Kosovës, në mënyrë të përsëritur, janë shprehur se dialogu me Serbinë nuk ka kuptim pa njohje reciproke. Por dialogu Kosovë-Serbi, i monitoruar nga SHBA dhe BE, fillimisht ka për qëllim të çojë në bashkëpunim ekonomik dy shtetet, duke hedhur pas konfliktet e vjetra, e, më pas, të shkohet në etapën përfundimtare, njohjen e Kosovës, nga Serbia. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ndryshe nga zyrtarë serbë të mëparshëm të jetës politike, ka treguar angazhim për arritjen e një dialogu, por ai gjendet edhe përballë trysnisë së popullit serb, të cilët janë kundër dialogut dhe e shohin Kosovën ende pjesë të territorit serb. Kështu, grupet pro-ruse të krahut të djathtë kanë kërkuar që Beogradi të ndalojë të gjitha negociatat për Kosovën, por Vuçiç ka thënë se kjo do të nënkuptonte fundin e integrimit të Serbisë në BE dhe izolimin ndërkombëtar. Kalvari i negociatave, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, ka nisur që më 2011, por situata duket e tensionuar dhe me nota skeptike për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Përpos kësaj situate, Kosova po përballet me një presion tjetër që vjen nga Uashingtoni, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në veriun e Kosovës. Kosova e kundërshton pasi do të kemi një situate të ngjashme me Republikën Serbe të Bosnjes. Britania e Madhe e mbështet Kosovën në këtë pikë. Ndërkaq, Kosova po haset edhe në sfida të tjera të brendshme, e cila do të duhet të hartojë politika ekonomiko-sociale për të ulur papunësinë, të punojë fort për luftën kundër korrupsionit, i cili është armiku kryesor që nuk lejon zhvillimin e një shteti. Festimet në Filadelfia dhe më gjerë Pavarësia e Kosovës, në përvjetorin e 15-të të saj, si brenda viseve të shtetit amë, ashtu edhe nga mërgata shqiptare anë e mbanë botës, është festuar me shumë ovacione, muzikë, këngë dhe valle shqiptare. Komuniteti shqiptar, sidomos ai përtej oqeanit, i cili ndodhet më larg, por me kokën mbrapa, të përmalluar për atdheun, kanë zhvilluar festime madhështore në çdo shtet të Amerikës, ku gjenden shqiptarët. Shqiptarët janë mbledhur së bashku dhe kanë festuar deri në orët e vona të mëngjesit, për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Gëzimi dhe hareja është parë në fytyrat e tyre të qeshura, duke demonstruar me këngë e valle, se ruajnë me fanatizëm kulturën dhe traditat shqiptare, edhe pse të larguar prej shumë vitesh nga atdheu i dashur. Anë e mbanë Amerikës u vendosën billboards për ditën e pavarësisë së Kosovës, nga një kompani shqiptaro-amerikane që vepron në SHBA dhe Kosovë. Në të gjitha festimet që janë bërë, do të veçoja festimet madhështore të organizuara nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filanbz delfia, në bashkëpunim me gazetaren e talentuar, Eva Dori, e cila është bërë një zë i veçantë për komunitetin shqiptar, duke pasqyruar aktivitetet kulturore, me synim promovimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare. Për herë të parë u ngrit flamuri zyrtar i shtetit të Kosovës, në mjediset e Bashkisë së Philadelphias. Shoqata “Bijtë e Shqipes” caktoi Ambasadorin e Shtetit të Kosovës, Shkëlqesinë e tij z. Ilir Dugolli, që të jetë flamurtari i ditës së pavarësisë, i shoqëruar nga dy, ish-nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” Philadelphia, zonjusha Jona Hajrullahu e Drini Hamza, të cilët ishin përfaqësuesit e brezit më të ri të Kosovës. Pas fjalëve përshëndetëse, kryetari i Shoqates “Bijte e Shqipes” z. Bujar Gjoka, dha vlerësim nga Këshilli drejtues i shoqatës për z.Ahmet Zeka, për kontributin e vyer që ka dhënë në ndihmë të popullit kosovar. Atdhetari Enver Parllaku shtoi një drekë për të gjithë të pranishmit në La Fontana Della Citta, duke ruajtuar kështu traditën e mrekullueshme vit pas viti. Kosova ta gëzojë përjetë ditën e pavarësisë, duke shpresuar që të përarojë në politikën e saj të brendshme, por të arrihet edhe një dialog me Serbinë, pasi konfliktet nuk u shërbejnë dy shteteve dhe cënojnë stabilitetin në rajon.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eneida Jaçaj

VATRA, Tampa Bay, Florida, organizoi mbrëmje festive me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

February 20, 2023 by s p

Bledar Prifti/

Dje, më datën 17 shkurt 2023, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, Dega Tampa Bay, Florida, organizoi një mbrëmje festive me rastin e 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shtetit të Kosovës. Në mbremjen festive morën pjesë anëtarë të komunitetit shqiptar në Tampa Bay dhe të ftuar të tjerë. Në festime nderuan me pjesmarrjen e tyre edhe Dr. Anna Kohen, Presidente dhe krijuese e organizatës së grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”, dhe z. Ervis Zhilla, përfaqësuesi i Shqipërisë në komandën e forcave aleate në bazën e forcave ajrore në MacDill AFB, Florida.

Pas himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosovës, dhe Shqipërisë, fjalimin përshëndetës e mbajti kryetari i degës së Vatrës në Tampa Bay, z. Isuf Spahiaj. Në fjalimin e tij, z. Spahiaj theksoi sakrificat e panumërta të popullit shqiptar në Kosovë në luftën për pavarësi dhe rëndësinë që kjo pavarësi ka në lidhje me të ardhmen e kombit shqiptar. Të pranishëm të tjerë ndanë me bashkëkombasit e tyre kujtimet nga koha e luftës së pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet e tyre nga Shqipëria dhe Amerika në ndihmë të popullit shqiptar në Kosovë. Në fjalën e saj, Dr. Cohen solli kujtime nga koha kur ajo së bashku me organizatën “Motrat Qiriazi” dhe bashkëkombas të tjerë ndihmuan financiarisht kauzën e popullit shqiptar në Kosovë. Dr. Ardian Kraja ndau me pjesmarrësit një histori rrënqethëse nga koha e luftës kur ai ishte doktor ortoped në qytetin e Shkodrës dhe se si ai kishte ndihmuar një nënë kosovare të plagosur nga predhat serbe. Të gjithë folësit përçuan tek të pranishmit nevojën për të çuar më tej përpjekjet në ndihmë të kauzës mbarëkombëtare.

Festimet vazhduan deri në mesnatë nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare nga të gjitha trevat. Muzika, ushqimi, dhe pijet për mbrëmjen u bënë të mundur fal kontributeve të dhëna nga Dr. Ardian Kraja, z. Petro Dervishi, z. Fadil Neziri, z. Fabio Dikena, znj. Vjosa Bytyqi, dhe znj. Theranda Spahiu.

Gëzuar përjetë Republika e Kosovës.

Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Vatra Tagged With: bledar prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1826
  • 1827
  • 1828
  • 1829
  • 1830
  • …
  • 2789
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT