• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kongresi i Manastirit , roli dhe kontributi historiko- kulturor në ruajtjen dhe konsolidimin e unitetit dhe identitetit kombëtar

November 27, 2022 by s p

Marjana Bulku/

Akti i pavarësisë së Shqipërisë padyshim ishte kulminacioni i një serie veprimtarish të cilat nxitën dhe motivuan atë moment historik që na bën të përulemi me nderim edhe sot 110- vite më pas .

Pas dy Pavarsive ( Kosovë e Shqipëri) historianët mendojnë se ekziston një akt tjetër shumë i rëndësishëm , ndoshta nga më elitarët në historinë tonë ; Kongresi i Manastirit i mbajtur në datat 14 -22 Nëntor të vitit 1908.Kjo ngjarje është konsideruar si një ndërlidhëse e fortë mes Lidhjes së Prizrenit dhe Pavarësisë së Shqpërisë. Unë mendoj së në këtë nyjëlidhje historike hyn pa dyshim edhe Rilindja Kombëtare e cila inkurajoi disa zhvillime e dinamizëm kulturor , historik dhe pa dyshim edhe politik duke ia shtruar udhën procesit të Pavarësisë me vepra dhe individuatete , mendimtarë aktivë , njerëz të zotë që mund ti dilnin kombit për zot.

Pavarësia dhe vetndërgjegjësimi për pavarësi po ecnin paralelisht përmes akteve që po dëshmonin se Shqiptarët mundeshin të ishin zot i fateve të veta pasi atyre nuk iu mungonin dijetarët, shkrimtarët , patriotët dhe mendimtarët që do tju prinin proçeseve shtetformuese.Asgjë nuk po ndodhte rastësisht, ishin momente që kërkonin angazhimin e mendjeve e që shkrimi apo këndimi nuk mjaftonte , duhej aksion i vërtetë aktiv dhe ndërveprues dhe një bashkëpunim i gjërë mes dijetarëve e patriotëve që në qendër të ëndrrave të tyre kishin ato për liri e pavarësi kombëtare.

Të analizosh hallkat e atij zinxhiri historik do të thotë të udhëtosh mbi vende, kohë takime , tryeza , bisedime , individualitete e vendime të rëndësishme nga ku unë kam nderin të ndaloj historikisht tek guri më i çmuar i atij gjerdani shtegtimesh misionare , i konsideruar si themel i murit të lartë të Pavarësisë ; Kongresi i Manastirit i cili na lidh me Individualitete akademike, gjuhtarë e publicistë , lëvruesit më brilantë që ka pasur shqipja e shkruar ndonjëherë që i shërbyen me pushkë e me pendë Pavarësisë së Shqipërisë.

Pesë shtyllat e Kongresit të Manastirit mund të konsiderohen pa asnjë dyshim si bazat e terrenit nga ku do të hidhte shtat Pavarësia e Shqipërisë.

1.Vendi

2. Koha

3.Protagonistët

4.Vendimet

5.Rëndësia

Vendi : Manastir ,dikur kryeqendër e Vilajetit të Manastirit, me sipërfaqe prej 22.000 km katorë e ku bënin pjesë tokat shqiptare të Iliridës deri në Elbasan,njihet si një qytet i hershëm mesjetar me popullsi arbërore.Ai konsiderohet si një nga qytetet më të rëndësishme të Ballkanit Jugor dhe në veçanti të Shqipërisë, është pushtuar herëpashere nga pushtues të ndryshëm të huaj: Ai është qyteti i dytë për nga madhësia në Republikën e Maqedonisë. Shtrihet në pjesën jugpërëndimore të këtij vendi.Në Manastir gjendet potenciali më i madh ekonomik pas Shkupit.Si ilustrim po sjell një moment që e sjell të gjallë vendin është një tablo e Lasgush Poradecit ”Poeti i mirenjohur Lasgush Poradeci, atëherë nxënës në vitin e parë të kolegjit rumun në Manastir, në një skicë të tijën (që mund të jetë krijimi i tij i parë ), ja se si e pershkroi ai këtë moment: *Ishte një i ftohtë i madh me dëborë dhe ne prisnim në të dyja anet e lumit Draguar që nanuriste me qetesi perendie. Pas pak çastesh filluan të vijnë delegatet. Vijne me radhë llandonet me nga katër kuaj secili, të zbukuruar me flamuj kombetare dhe kuajve iu kishin lidhur fjongo kuqezi nëpër këmbë. Sipër mbi një karrocë fluturonte një korb. Ndalon karroca dhe prej saj del Cerciz Topulli. Më pas ai mori në shenjë korbin, duke sharë ashtu sic shajnë burrat kur korbi ra para kembeve te Mihal Gramenos. *Te lumte Cerciz, – i thote Mihali. – Kongresi i ABC-se do të na veje mbare”

Dhe në fakt çdo udhë pavarësie nga çdo e keqe duhet të shoqërohet edhe nga dija por edhe nga forca e drejtësisë dhe akteve që derivojnë prej saj .

2.Koha : 22 nëntori njihet si dita e Alfabetit sepse përkon me datën finale të punimeve të Kongresit tē Manastirit , por siç dihet në histori koha është sa reale po aq edhe plurale duke patur parasysh proçeset historike që lidheshin ngushtësisht me shkonjat e alfabetit, gjuhën shqipe, shkrimin dhe konsolidimin e saj në funksion të të vërtetave dhe historisë shqiptare brenda nesh dhe përtej nesh.

Akte të tilla me rëndësi kombëtare vijnë si pasojë e akteve sistematike me frymë patriotike e intelektuale, politike dhe historike që i rezistojnë të gjitha kohërave ndaj dhe data mbetet përkujtim përkundrejt atij proçesi që donte më shumë sesa një ditë për të mbërritur pikërisht tek ajo ditë siç është dhe 28 Nëntori i Pavarësisë.

22 Nëntori mbetet një datë me vlera universale për gjuhën shqipe dhe sot ajo merr mbivlera në kushtet e rrezikut të asimilimit kur ⅓ e ahqiptarëve e kanë lënë vendin amë .

Kjo datë i çeli udhë hapjes së shkollave shqipe, shtypshkronjave shqipe, literaturës shqipe, iluminimit përmes gjuhës shqipe, ky kongres sikur e paramendoi se koha do të na e bënte edhe më të paharruar atë akt që nuk venitet kurrë e që gjuhën shqipe e cilësoi si mjet i unitetit kombëtar prej nga ku mendimtarët rilindës do ju bënin thirrje gjithë shoqërive gjuhësore dhe ‘shkronjësve’ të gazetave shqipe, që të ‘arrinin një marrëveshje e ta pranonin

Kongresin e Manastirit duke u bashkuar me zërin e Sami Frashërit i cili theksonte se mospërdorimi i gjuhës shqipe, sjell asimilimin.Ai e kishte parë shumë drejt aspektin e lidhjes së pandarë të gjuhës me shoqërinë si një aspekt thelbësor social dhe linguistik . “Të moslëvruarit e gjuhës amtare, sigurisht, e ka favorizuar procesin e asimilimit të një pjese të shqiptarëve…” shkruan ai. Samiu mbronte tezën e drejtë që alfabeti i shqipes të kishte bazën në alfabetin latin për të theksuar se Shqipëria është “vend evropian dhe populli shqiptar është një popull evropian” .

Edhe Kostandin Kristoforidhi, në vitin 1888, shkruante: “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe edhe sot mbë këtë ditë nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut…”

3. Protagonistët Unë do ti shihja në tri dimensione ;

-Ideatorët

-Autorët e alfabeteve, rilindasit) të cilët pavarësisht kundërshtimeve ( kam parasysh këtu polemikat e Konicëd kundrejt Alfabetit të Stambollit dhe frashëllinjve ) u arrit në një ide të përbashkët e cila i bëri edhe kundërshtarët protagonistë të këtij akti madhor.

-Organizatorët ; Këtu natyrshëm nuk duhet harruar emrat që i dhanë jetë kësaj ngjarjeje duke filluar nga Feim Zalavani tek shtëpia e të cilit u mblodh kongresi , Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.

Te gjithë së bashku strukturuan atë që e bën të mundur udhën e pavarësisë ; bashkëpunimin e intelektualëve në një vendimmarrje pavarësisht kundërshtive:

Gjergj Fishta Kryetar i Komisionit

Mithat Frashëri Kryetar i Kongresit; Sekretar i komisionit

Ndre Mjeda Anëtar i Komisionit

Parashqevi Qiriazi Sekretare e Komisionit për abcenë

Grigor Cilka Nënkryetar

Luigj Gurakuqi Nënkryetar i Kongresit

Hilë Mosi Sekretar i Kongresit për shqipen

Thoma Avrami Sekretar i Kongresit për shqipen

Fehim Zavalani Fjala Hyrse (kryetari i klubit “Bashkimi” të Manastirit

Nyzhet Vrioni Sekretar i Kongresit për turqishten

Phineas Kennedy Vëzhgues i Kongresit

Bajo Topulli Anëtar i Komisionit

Sotir Peci Anëtar i Komisionit

Gjergj Qiriazi Nënkryetar i Kongresit; Anëtar i Komisionit

Shahin Kolonja Anëtar i Komisionit

Dhimitër Buda

Mihal Grameno Përfaqsues nga Klubi i Korçës

Grigor Cilka Përfaqsues nga Klubi i Korçës[

Sami Pojani Përfaqsues nga Klubi i Korçës

Thoma Avrami Përfaqsues nga Klubi i Korçës

Fillomena A. Bonati shoqëruese e përfaqsuesve nga Klubi i Korçës

4.Vendimet ; Nuk e dij në është një kapitull që duhet ta mbyllim apo ta hapim ne por le të hipotezojmë se vendimmarrja pra ulja në një tryezë të përbashkët e disa tezave , mendimeve apo ideve të ndryshme pse jo edhe të kundërta duket se çeli një shteg përmes kësaj ngjarjeje . Ky Kongres uli bashkë disa alternativa , madje edhe kundërshti

Në kushtet e aktiviteteve shumëplanëshe të rreth 14 shoqatave atdhetare që vepronin në atë kohë vendimmarrja po bëhej një proçes jo i lehtë.

-Përçarjet krahinore ishin një tjetër barrierë,

-qarqet antishqiptare dhe propaganda e tyre penguese mediale e disa shteteve me politikë antishqiptare shkaktoi jo pak reagime e kundërshtime ndërkombëtare duke shfaqur pretendime se Kongresi po ftohej për të shqyrtuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë; jo pak herë qëllimisht shkruhej se “shqiptarët janë barbarë”, “të paqytetrueshëm”, se ata “janë për t’u shpërndarë” etj. Me gjithë shkrimet tendencioze, Kongresi filloi punën me një vizion të qartë përbashkimin drejt pavarësimit nga keqdashësit. Në të morën pjesë tridhjetë e dy delegatë me të drejtë vote që “përfaqësonin njëzet e gjashtë qytete e shoqëri brenda e jashtë Shqipërisë”.

Drejt këtij vizioni u përcaktuan dy synime kombëtare që ishin ;shkollat dhe alfabeti, si përbërës themeltarë të identitetit kombëtar,e që morën shtrirje të gjerë në të gjitha krahinat shqiptare dhe në të gjitha shtresat shoqërore .Gjuha shqipe do të si mjet i zhvillimit shoqëror në të gjitha fushat e veprimtarisë si shteg zhvillimi emancipimi dhe shteg i sigurt shtetformimi.

5 .Rëndësia e Kongresit të Manastirit është sa historike po aq edhe teknike pasi ajo përcaktoi hallkat që duhen ndjekur në rrugëtimin drejt Pavarësisë . Njgarjet madhore duhen ndjekur jo vetëm me sy , emocion, pathos, por edhe me penë dhe program të qaerë në mënyrë që shkrimi ti përjetësojë aktet dhe faktet të cilat kërkojnë strategji të mirëmenduara .E nga kjo pikpamje Kongresi i Manastirit ishte një

-akt civilizimi i shoqërisë shqiptare.

Ajo pati një

-shtrirje të gjerë demografike e për rrjedhojë gëzoi -njohje ndërkombëtare.

Ulja në një tryezë

-vendimmarrje mendimesh të ndryshme ishte tipar demokratik i kësaj ngjarjeje e cila prej nga ajo kohë se kundêrshtimet e ideve mund të lexohen si përpjekje nga këndvêshtrime të ndryshme . Kongresi i Manastirit sikurse edhe Rilindja Kombëtare

-nxiti iluminimin përmes hapjes së shkollave shqipe. Ajo

-intensifikoi hapjen te shtypshkronjave si mjet materializues i mendjeve që do duhej ti prinin momenteve kyçe me të cilat po pêrballej kombi.

Ai vendosi njëzëri t’i përshtaste dy alfabete ato të Bashkimit të Shkodrës dhe të Stambollit, të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe poashtu të dy, alfabete të mbështetura në alfabetin latin. Kështu numri i alfabeteve tani u reduktua çka do ta lehtësonte shkrimin. Kjo arritje shuajti ndasitë e deriatëhershme të shqiptarëve rreth alfabetit.

Kështu gjuhëtarët dhe lëvruesit e shkrimit do të ndihmonin më mirë historinë pasi siç dihet për dhjetra arsye shoqëria shqiptare vuan më shumë nga të pathënat e saj edhe pse mbi truallin tonë historikisht ndodhin e ndodhin ngjarje, ato pak ruhen dhe shkruhen.

Kongresi shënoi gjithashtu

-bashkëpunimin mes shoqatave shqiptare duke theksuar synimin dhe bashkërendimin e energjive drejt proçesit të pavarësisë.

E nëse do pyesnim përse u bë ky Kongres do të vinim tek pika më e rëndesishme e kësaj ngjarjeje gjuhsore dhe historike tek nevoja dhe dëshira e shqiptarëve për të pasur një alfabet të përbashkët që do të bënte të mundur identifikimin e tyre gjuhsor në terrenin që gëlonte nga thika intrigash që synonin asimilimin e vëndit tonë duke e konsideruar si të vogël por që për fat të mirë nuk i kanë munguar mendjet e mëdha sidomos në momente kritike.

Por ajo që mbetet më e rëndësishmja e datave të tilla është reflektimi ynë mbi ta, mundësia që e kaluara të na iluminojë të ardhmen dhe po data të tilla kanë aq shumë dritë nga ku ne mundemi edhe të kujtojmë e nderojmē por edhe të projektojmë vizione të reja , së bashku .

Filed Under: ESSE Tagged With: Marjana Bulku

Flamuri shqiptar valevitet ne qytetin e Waterbury, Connecticut

November 27, 2022 by s p

Albanian American Muslim Community/

Ne nje ceremoni madheshtore e cila organizohet prej dekadash, shqiptarë nga shtete te ndryshme u mblodhen ne Waterbury, Connecticut per te festuar diten e pavaresise ku pas himneve te Amerikes dhe Shqiperise, u ngrit flamuri shqiptar.

Kryetar nderi i bashkesise se Waterbury u zgjodh Sali Barolli, nje nga figurat me te rendesishme te komunitetit shqiptar ne Connecticut, SHBA.

Ceremonia u moderua nga Lauresha Xhihani. Imam Gazmend Aga beri lutjen e hapjes duke permendur vlerat e kombit tone. Ai u lut per komunitetin shqiptar, Shqiperine dhe Ameriken.

Albana Lame, presidente e AAMC, pershendeti te pranishmit duke vleresuar kryetarin e nderit Sali Barolli dhe falenderuar te gjithe anetaret per kontributin e tyre.

Me pas, ne emer te bashkise se Waterbury, Paul Pernerewski, President Board of Alderman vleresoi komunitetin shqiptar per shembullin e shkelqyer ne arsim, biznes, kulture dhe vlera. Ai i dorezoi Z. Sali Barollit citimin special per te ne emer te kryetarit te bashkise se Waterbury.

Perfaqesues te shtetit te Connecticut Joan Heartley Ron Napoli pershendeten te pranishmit duke vleresuar maksimalisht komunitetin e shkelqyer shqiptar.

Z. Sali Barolli, kryetari i nderit i Bashkise se Waterbury, njekohesisht anetar bordi i AAMC pasi dha nje retrospektive te historise se Shqiperise dhe dites se pavaresise, falenderoi komunitetin dhe anetaret e saj, themeluesit e AAMC, familjen, miqte dhe te pranishmit.

Ne fund, grupi i valleve te AAMC mahniten te pranishmit me performancen e tyre plot emocion dhe vlera te kultures shqiptare.

Nje dite e bukur sic i ka hije shqiptarise dhe komunitetit shqiptar 🇦🇱🦅🇺🇸💐

Photo credits Ramazan Nela

Filed Under: Komunitet

Dita e Flamurit dhe platforma e pambaruar e “Hasanizmit”

November 27, 2022 by s p

Dje dhe sot kur kujtojmë Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntorin 1912, këtë ngjarje madhore të kombit tonë, sërish na kujtohet Hasan Prishtina dhe porositë e tij, i cili për çdo situatë delikate gjente rrugëzgjidhje. Kjo dioptri largpamëse e Hasan Prishtinës do të na shërbejë si frymëzim, por edhe si leksion që dallimet ideologjike e politike t’i kapërcejmë, dhe t’i trajtojmë në kuadër të betejave për cilësi dhe konkurrencë të shëndoshë midis nesh, sepse fundja vet Hasanizmi është mbi interesat ideologjike.

Nga Mehmet PRISHTINA

Sot kur kremtojmë Ditën e Flamurit, në shiritin e kujtesës na dalin shumë ngjarje nga historia të cilat nuk ndodhën rastësisht. Madje, historia nuk do të ishte interesante po të mos i kishte edhe koincidencat e saj, kurse kur është në pyetje historia e popullit shqiptar, këto koincidenca kanë edhe simbolikën e vet. Sepse 28 Nëntori i vitit 1912 nuk erdhi krejt rastësisht, dhe ishin ngjarjet dramatike të muajve pararendës (korrik, gusht) të po të njejtit vit që determinuan shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Sidomos datat 12 dhe 13 gusht në historinë e popullit tonë, kanë një ngarkesë të posaçme kuptimore, sepse ato paraqesin diagramin e një drame kombëtare që u luajt në skenën e madhe të betejave për liri, identitet dhe pavarësi. Nëse fillojmë nga kronologjia fillestare, do të shohim se 12 gushti i vitit 2012 ishte prologu i zgjimit kombëtar të shqiptarëve, sepse pikërisht në këtë ditë, ose katër muaj para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup hynë forcat kryengritëse shqiptare me në krye Hasan Prishtinën dhe kjo ngjarje formalizonte shtrirjen e rezistencës shqiptare gjithkund ku bukës i thuheh bukë e ujit ujë. Shkupi ishte zgjedhur pikërisht epiqendra e kësaj rezistence, për të dëshmuar aspiratën e shekullore të shqiptarëve për një pikëtakim të histories mu në në vendin ku Dardania dhe Vilajeti i Kosovës e kishin patur selinë.

Marrja e Shkupit nga forcat shqiptare u shoqërua me një disiplinë të lartë ushtarake e etike. Kronistët e kohës nuk kishin regjistruar asnjë akt dhune a keqbërjeje gjatë ditëve sa ishte Shkupi në duart e shqiptarëve. Kjo e dhënë demantonte të gjitha spekulimet dashakëqia të shovenstëve fqinjë se gjoja shqiptarët nuk kanë aftësi shteformuese, kurse vet Hasan Prishtrina në kujtimet e tij ka veçuar bashkëbisedimin me një gazetar të huaj dhe në interesimin e këtij të fundit se si shpjegohet kjo disciplinë në menaxhimin e Shkupit të çliruar ndër të tjera kureshtjen e gazetarit të huaj e kishte shuar me konstatimin se ‘këtij populli i mungon vetëm një udhëheqje e duhur për të qenë në një rang me popujt e civilizuar’.

Çlirimi i Shkupit nga kryengritësit shqiptarë konfirmoi edhe njëherë platformën ideologjike të Hasan Prishtinës, me të cilën parashihej shtrirja e sovranitetit kombëtar në hapësirat etnike shqiptare pa pasur nevojë që për një veprim të tillë të krijohet supremaci dhe imponim i dhunshëm kundrejt kombeve të tjera që jetojnë brenda kësaj hapësire kombëtare. Me këtë synim largapamës, Hasan Prishtina ishte anticipues i ideve të mëvonshme që u përfshinë në konventat e ndryshme ndërkombëtare ku diversiteti i kulturave, feve dhe racave ishte themeli i parimeve të drejtave dhe lirive të njeriut.

Hasan Prishtina deshi që pikërisht në Shkup, në këtë kryeqendër të Dardanisë dhe të Vilajetit të Kosovës, të përfundojë rrumbullakimi i konceptit të Rilindjes Kombëtare, andaj çdo përvjetor që shënojmë këtu, na shkakton emocione të veçanta, dhe na obligon që gjithmonë ta mbajmë ndezur frymën e vërtetë kombëtare, frymën hasaniste.

Një ditë më vonë, por të një moti tjetër, më 13 gusht 1933 në Selanik, pushoi së rrahuri zemra e shqiptarit të madh, Hasan Prishtina, motivuesi i të gjitha përpjekjeve shqiptare për liri kombëtare brenda trojeve etnike.

Vrasja e Hasan Prishtinës ishte një humbje kolosale për gjithë lëvizjen shqiptare, kurse mungesa e prezencës së tij në kuadër të kësaj lëvizjeje do të zbeh dinamikën e zhvillimeve në terrenin e vështirë të betejave politike të shqiptarëve.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri.

Në shenjë nderimi ndaj këtij kolosi të shqiptarizmës, në disa qytete dhe kryeqendra shqiptare u ngritën shtatore dhe u emëruan institucione për të rifreskuar kujtesën kombëtare mbi figurën e Hasan Prishtinës.

Nëse 13 gushti i 1933-tës shënonte një prej goditjeve më të mëdha që i bëhej lëvizjes shqiptare, ishte 13 gushti i 2001-shit që rikthente këto goditje në favore të zhvillimit dhe afirmimit të çështjes shqiptare në një pjesë të hapësirës sonë etnike. Në këtë ditë u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, një dokument ky që jo vetëm ndërprente një konflikt disa mujor të armatosur, por ai kodifikonte barazinë e shqiptarëve në aktin normativ të Kushtetutës së Maqedonisë.

Jehona e ngjarjeve të bujshme të 12 gushtit të vitit 19012, që ndodhën në Shkup, do të trasojë rrugët për përpjekje titanike të shqiptarëve për të qenë të lire dhe të barabartë në trojet e tyre. Pjesë e kësaj rruge është edhe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001, kurse Marrëveshja e Ohrit që sot shënon 18 vjetorin, është kurora e kësaj lufte e cila përfundoi me kompromis dhe me mundësi të reja për një prosperitet të gjithanshëm të shqiptarëve që s’e kishin pasur më herët.

Ikona e mendimit dhe veprimit politik e kombëtar Adem Demaçi, në një fjalim të para disa viteve kishte dhënë përgjigje se nga duhet të shkojnë përpjekjet e shqiptarëve: “Unë jam një ushtar i devotshëm, i papërkulshëm i Hasan Prishtinës. Aty ku e la Hasan Prishtina ne do ta vazhdojmë së bashku, derisa të krijojmë shtresën tonë hasaniste, e atëherë nuk do të ketë fuqi që na del përpara!”, ishte shprehur Demaçi.

A mundet që kjo porosi madhore e Adem Demaçit të shndërrohet në doktrinë të përbashkët të dy shteteve tona – Shqipërisë dhe Kosovës, duke mbindërtuar edhe ide të reja që do ta bënin më kuptimplot kauzën e përbashkët të shqiptarëve. Parasëgjithash duke hartuar një strategji veprimi për ato tema që janë në harmoni të plotë me interesat jetike të shqiptarëve, por që nuk dalin jashtë projeksioneve eurointegruese të BE-së. Politika e jashtme, arsimi, kultura, ekonomia, turizmi, agrobiznesi, energjetika – janë disa nga çështjet që mund të ngrihen si shtylla të një projekti të përbashkët, për të cilat ka nevojë brezi i tanishëm i shqiptarëve, por mbi të gjitha ka nevojë e ardhmja e përbashkëta e seteve tona. Nëse dikur Hasan Prishtina në kancelaritë e Evropës artikulonte fuqishëm idetë e një aspirate të përbashkët kombëtare të shqiptarëve të cilën po atakonin shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre evropianë, sot Shqipëria dhe Kosova mund të artikulojnë hasanizmin me kode të reja që i përshtaten rrethanave e konteksteve rajonale e ndërkombëtare. Një ndër ato kode do të ishte aspekti civilizues i bashkëpunimit rajonal ku Shqipëria dhe Kosova pa pasur nevojë të bëhen peng të politikave retrograde të shteteve fqinje, do të nxirrnin në sipërfaqe të gjitha ato energji kreative të cilat mund do të mund të institucionalizoheshin në Tiranë dhe në Prishtinë.Shtresa jonë hasaniste, për të cilën fliste para disa viteve Demaçi, tani mund të fillojë të fuqizohet, sepse në Tiranë dhe Prishtinë janë dy qeveri legjitime të cilat kanë shanse që të ribëjnë unitetin kombëtar jo me fjalë boshe por me punë konkrete.

Dje dhe sot kur kujtojmë këto ngjarje madhore, dhe sidomos Ditën e Pavarësisë – 28 Nëntorin 1912 , sërish na kujtohet Hasan Prishtina dhe porositë e tij, i cili për çdo situatë delikate gjente rrugëzgjidhje. Kjo dioptri largpamëse e Hasan Prishtinës do të na shërbej si frymëzim, por edhe si leksion që dallimet ideologjike e politike t’i kapërcejmë, dhe t’i trajtojmë në kuadër të betejave për cilësi dhe konkurrencë të shëndoshë midis nesh, sepse fundja vet Hasanizmi është mbi interesat ideologjike.

Prishtinë, 27 Nëntor 2022

Filed Under: Rajon Tagged With: Mehmet Prishtina

TAKIMI MBARËKOMBËTAR PËR GJUHËN SHQIPE NË DIASPORË

November 27, 2022 by s p

Prof. Ylber Sela/

Kam nderin dhe kënaqësinë që të përshëndes këtë aktivitet kaq të rëndësishëm që organizohet për gjuhën shqipe në diasporë. Jam shumë i emocionuar pasi edhe unë i përkas diasporës. Jetova e u arsimova në Vjenë. I mbarova tre ciklet e studimit në Universitetin e Vjenës dhe vendosa të kthehem në vendin tim. Nuk ishte vendim i lehtë por sot jam krenar që kam mundësi të punoj për vendim tim dhe për kombin tim me shpresë që edhe të tjerë te rinj të ndjekin rrugën time sepse vendet tona kanë nevoj për trurin e diasporës tonë.

Ne shqiptarët gjatë pjesës së dytë të çdo nëntori kemi shumëçka për të festuar, por sivjet manifestimet e shumta për nder të 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit kanë bërë këtë nëntor edhe më të veçantë.

Drejtshkrimi i shqipes standarde është i domosdoshëm në procesin e mësimit të gjuhës sonë, që ta flasim dhe ta shkruajmë të gjithë njësoj, drejt dhe pa gabime.

Gjuha për ne shqiptarët ka rëndësi jetike, përmes shqipes mbetemi shqiptarë, kudo që gjendemi anembanë botës. Ndër shekuj shqipja na ka bashkuar dhe përmes saj kemi ruajtur qenien tonë kombëtare.

Të gjithë e njohim rolin e diasporës shqiptare, ndihmën e saj të vazhdueshme për themelimin e shtetit shqiptar, për shtetin e Kosovës dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Pjesëtarët e diasporës shqiptare edhe sot e gjithë ditën mbështesin vendlindjen e tyre. Pa këtë ndihmesë të përditshme, jeta në viset tona, në këto kohë krizash, do të ishte edhe më e vështirë.

Por çka bëjmë ne për diasporën shqiptare të shpërndarë kudo dhe të shumtë në numër? A përkujdesemi ne sa duhet për njerëzit tanë që ishin të detyruar që të lëshojnë vendlindjen? Sa jemi të vetëdijshëm për këtë potencial të përbashkët kombëtar? A i ndihmojmë ne ata që të ruajnë gjuhën shqipe, të organizojnë mësim të shqipes në vendet ku ata punojnë e jetojnë?

Mendojë se deri më tani nuk është bërë dhe aq sa duhet. Besoj se së bashku institucionet e vendeve tona mund të mbështesin më fuqishëm në këtë drejtim diasporën shqiptare.

Jam i bindur se ne të gjithë mund të ndihmojmë diasporën tonë në procesin e organizimit të mësimit të shqipes, në sigurimin e librave të duhur për gjuhën shqipe, si dhe përgatitjen e mësimdhënësve të gjuhës.

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës në Shkup, që nga themelimi në vitin 2019, dhe unë si drejtor i parë i saj, krahas punës parësore që të zbatojmë ligjin e gjuhëve, të përshpejtojmë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në RMV, në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit qytetar e kombëtar, përpiqemi që të nxisim dhe të mbështesim edhe mësimin e shqipes në diasporë.

Mendoj se është shumë i rëndësishëm procesi i ndërgjegjësimit të diasporës sonë për rolin vendimtar që ka shqipja në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Diaspora duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për të mësuar gjuhën shqipe. Dëgjojmë për ditë që hapen shkolla shqipe në diasporë. Por ankesat dhe vërejta e organizatorëve dhe mësimdhënësve është se, prindërit kanë pak interes për të dërguar fëmijët e tyre nëpër këto shkolla.

Më lejoni që të them ca mendime se sa dobi sjellë mësimi dhe njohja e mirë e gjuhës amtare kudo që të jemi:

– Kur dimë mirë shqipen, si individ kemi më shumë vlerë dhe mundësi shtesë edhe në vendet e huaja.

– Me njohjen e mirë të gjuhës amtare e kemi më të lehtë që të mësojmë edhe gjuhën e vendit si dhe gjuhët botërore.

– Zotërimi i mirë i gjuhës standarde shqipe, çdo shqiptari i lehtëson njohjen e ndërsjellë dhe mundëson bashkëpunim të frytshëm ndër shqiptar.

– Përmes mësimit të mirë të shqipes së shkruar, fëmijët tanë në diasporë, do të mbajnë më lehtë lidhjet me vendlindjen dhe të gjithë viset shqiptare.

Për këtë arsye është më se e domosdoshme që shqipja të flitet në familje, në shoqërimet e përbashkëta, se vetëm kështu mund të ruhet gjuha e mëmëdheut, por edhe identiteti kombëtar shqiptar. Vetëm nëse ruajmë gjuhën shqipe kudo që jemi, mbetemi përherë shqiptarë!

Edhe një porosi për diasporën tonë: flisni me krenari gjuhën shqipe, kudo që keni mundësi; mbështetni dëshirën për të mësuar çdo shqiptarë gjuhën e vet!

Vetëm me këtë ndërgjegjësim, me këto përpjekje dhe me shumë këmbëngulje të çdo prindi për të dërguar detyrimisht fëmijët në shkolla për mësim të gjuhës shqipe; me librin shqip, këngën shqipe në çdo familje shqiptare, mund të ruajmë gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar shqiptar.

Shpirti dhe kombi shqiptar ruhen vetëm përmes gjuhës shqipe!

Gëzuar Festën e Flamurit Shqiptar!

Tiranë, 26.11.2022

Filed Under: ESSE

Duke ndjekur live ne TOB koncertin e Tedi Papavramit…dhe nje histori nga koha e studimeve ne SHBA…

November 27, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

25 vjet me pare, ndersa studjoja ne New York University, fati me dha mundesine per të takuar njerez te profesioneve te ndryshme, disa prej te cileve kishin edhe ndikim ne jeten e New Yorkut.

Kuptohet qe nuk kisha kohe per “dashurine” per artin dhe kinemane ne pergjithesi, por mundohesha te “thithja” çdo informacion lidhur me aktivitetet kulturore ne qytetin me te rendesishem te botes.

Nje dite nje professor i imi me foli me superlative per nje violinist te ri nga Ballkani qe kishte filluar te studjonte ne Juilliard School, nje nga shkollat me te famshme elitare te botes per muziken, kercimin dhe dramaturgjine.

Motra e tij ishte profesoreshe ne kete kete shkolle.

Talenti nga Ballkani quhej Stefan Milenkoviç, ishte nje 20 vjecar serb nga i jati dhe me rrenje italiane nga e ëma.

Kisha degjuar per kete talent te madh qe vinte nga ish Jugosllavia. Vendi i tij kishte bere te pamunduren per krijimin e mundesive per ta impostuar ne nivelin me te larte boteror te violines.

Milenkovic kishte performuar që femije perpara Reaganit (1987) dhe Gorbaçovit (1988) ne koncerte qe kishin patur jehone boterore.

Te nesermen per ti bere “sfide” profesorit tim si “ballkanas” qe isha, i dhurova nje CD te sapo dale te muzikes se Prokofiev, interpretuar nga violinisti yne i talentuar Tedi Papavrami… (Prokofiev, Tedi Papavrami, Polish National Radio Symphony Orchestra, Antoni Wit – Violin Concertos Nos. 1 And 2 Sonata For Solo Violin)

Profesori im nuk e kuptoi qellimin e dhurates. Me falenderoi te nesermen. E kishte pelqyer shume, por e mendoi Papavramin si francez (ne CD ku jepej informacion per pjeset e luajtura te Prokofiev, Papavrami permendej si violinist francez).

“Edhe ne shqiptaret e kemi Milenkoviç-in tone”- i thashe…

I tregova historine e tij, dergimin ne France ne kohen e Enver Hoxhes, arratisjen e familjes se tij si dhe tragjedine e pjeses se mbetur te familjes ne Shqiperi… ku i internuan gjyshin 80 vjecar…dhe i shemben edhe shtepine ku kishte lindur…

Por Shqiperine nuk ia shkulen dot nga zemra…

Qasja e dy regjimeve ne Tirane dhe Beograd (megjithe diferencat qe egzistonin midis tyre) ne ate kohera ishte e njejte… promovimi i talenteve te tilla per ti perdorur më pas ne sherbim te sistemit.

Tedi filloi “bashkejetesen” me violinen qysh ne moshem 4 vjecare. Talenti i tij u be i njohur ne Shqiperi shume shpejt.

Në shtator 1982, kur ai ishte vetem 11 vjeç, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal (1949 -), nje prej violinisteve me te medhenj te gjenerates se tij.

Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës.

Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e violinistit te shquar francez Zino Francescati (1902-1991) dhe talentit te madh te Konservatorit Çaikovski te Moskes Viktori Mullova (1959 -).

Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fitoi çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona.

Per nje profesor ne New York ajo qe degjoi ishte e pabesueshme per dramen familjare te nje gjeniu te tille.

Psheretiu dhe tha vetem nje fjale… “Why?” (“Përse ?”)

Sot perjetuam nje koncert fantastik te Tedit… me një program të kombinuar me vepra të kompozitorëve Beethoven, Brahms dhe Franck, te shoqeruar ne piano nga Philippe Bianconi.

Tedi vertete eshte larguar femije nga Shqiperia, por shpirterisht eshte i lidhur me te.

Pervec violines ai tashme eshte “Jusuf Vrioni” junior ne perkthimin e vepres se Ismail Kadarese (ka perkthyer deri me sot 12 vepra te gjeniut tone te letrave).

Nuk besoj nje talenti serb Milenkoviç t’i jete futur aventures se perkthimit ne frengjisht apo anglisht te vepres se Ivo Andriç apo Danilo Kishit…

Duhet te jemi shume krenar me Tedi Papavramin, këtë violinist dhe intelektual klasi që nderon kudo Shqiperinë.

Filed Under: Kulture Tagged With: saimir z. kadiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1951
  • 1952
  • 1953
  • 1954
  • 1955
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT