• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

115-VJETORI I DITËLINDJES SË SHËN NENË TEREZËS DHE 20-VJETORI I BEKIMIT TË GURTHEMELIT TË KATEDRALËS SË SAJ NË PRISHTINË

August 27, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe në 20-vjetorin e bekimit të gurthemelit të Katedralës së saj në Prishtinë, SH. B. “DRITA” në Prishtinë dhe Qendra për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK) në Shkup, kanë njoftuar se nga 25 gusht deri më 5 shtator, organizohen “Ditët e Shën Nënë Terezës”, 2025. Ashtu si edhe në të kaluarën, ky program prej 10-ditësh kushtuar Shën Nën Terezës ka për qëllim të promovohen – anë e mbanë trojeve arbërore — aktivitete kulturore dhe shpirtërore që pasqyrojnë jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës në vende te të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Aktivitetet e shumta filluan me 26 gusht, 2025 – ditëlindjen e Nënë Terezës – me një koncert solemn nderimi në Katedralën “Shën Nënë Tereza” – në Prishtinë. Koncert Solemn në Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetorin e bekimit të gurthemelit të KatedralesAshtuqë me një pritje në Qendrën “Bogdanipolis” të Katedralës që mban emrin e Shënjtores së Kombit shqiptar, shënojnë hapjen zyrtare 10-ditëshe të veprimtarive vjetore të “DITËVE TË NËNË TEREZËS 2025”.  Një rast ky për të kujtuar këtë murgeshë të thjeshtë por në zë, të Kishës Katolike, një bije të madhe të Kombit shqiptar dhe kësaj Nëne të të gjithë njerzimit — që me të drejtK konsiderohet si nderi i Kishes dhe krenaria e kombit shqiptar. Për të kremtuar, pra jetën dhe veprën e shenjtëreshës tonë – një figurë që frymëzon mbarë njerëzimin, siç thuhet në njoftimin e përbashkët të organizatorëve të këytre veprimtarive pëkujtimore — Sh. B. “Drita” në Prishtinë dhe “QTSHK në Shkup. DITËT E SHËN NËNË TEREZËS – 2025: prgrami i plotë i aktiviteteve kulturore dhe shpirtërore

Nderimin që Nenë Tereza, i bën Kishës Katolike dhe Kombit shqiptar të të origjinës së saj, e ka shprehur më së miri dikur, miku i madh i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i dytë — duke thenë se Nënë Tereza ishte një prej misionarëve me te mëdhej të shekullit të kaluar. Me rastin e beatifikimit të Nenë Terezes, Papa Gjon Pali II tha se, “Perëndia e bëri këtë grua të thjesht, që vinte nga një prej rajoneve me të varfëra të Evropës, një instrument të zgjedhur për t’i shpallur Ungjillin të gjithë botës, jo duke predikuar, por me veprat e saja të përditëshme të dashurise, ndaj më të varfërëve të botës. Ajo ishte një misionare me një gjuhë universale të dashurisë që nuk njihte kufij as përjashtime dhe nuk kishte preferenca, perveç për më të harruarit e shoqërisë”, është shsprehur dikur miku i saj i ngusht, Papa Gjon Pali i II.

Por sot – në 115-vjetorin e lindjes së saj, më shumë se kurr, mesazhi i Nenë Terezës ështe gjithnjë mesazhi i bamirësisë, mesazhi i paqës dhe i dashurisë.  Nje murgeshë katolike, me origjinë shqiptare, në një vend kryesisht hinduist si India, Nenë Tereza kombinoi jetën e saj tejet të thjesht me një përqendrim te palëkundur ndaj më të varfërëve të botës duke krijuar kështu një rrjet botëror bamirësie. Ndërkohë që veprat e saja tejkalonin kufijt fetarë dhe etnikë, me punën e saja, ajo tërhoqi vëmendjen e udhëheqësve botërorë gjë që, në vitin 1979, Nenë Terezës i akordohet Çmimi Nobel për Paqe, hera e parë në historinë e Kombit shqiptar që një personalitet i tillë me origjinë shqiptare i akordohej një nderim i tillë ndërkombëtar – një nderim ky për vet Nenën Tereze por edhe krenari për të gjithë shqiptarët vullnet mirë kudo.

Sot, Kombi shqiptar, me të drejtë, eshtë krenar me Nenë Terezen. Por fatkeqsisht, nuk ishte gjithmonë kështu. Megjithse Nënë Tereza njihej anë e mbanë botës si bamirëse me origjine shqiptare, Shqipëria komuniste e viteve 70 e 80-të nuk e përmendëte fare atë, pasi regjimi i Enver Hoxhes, pothuaj, kishte zhdukur klerin katolik shqiptar dhe e kishte futur vendin në një absurditet ateist të paparë në historinë e njerëzimit. Regjimi komunist sllavo-aziatik enverist, refuzonte t’i jepte Nënë Terezës vizë-hyrje që te vizitonte nënen e motrën e saj dhe më vonë as nuk e lejoi që të merrte pjesë as në varrimin e nënës së saj. Çfarë regjimi i egër, i pashpirt, mizor e torturues!  Komunitetit të vjetër shqiptaro-amerikan, na kujtohet edhe sot kur përfaqsuesit e regjimit komunist shqiptar braktisën sallën e Kombeve të Bashkuara ndërsa Nenë Tereza i fliste botës në Tetor, 1985. “Jemi mbledhur këtu për të falënderuar Zotin për 40 vjet të punës së bukur të Kombeve të Bashkuara për të mirën e njerëzve”, ka thenë Nënë Tereza në OKB, duke shikuar një audiencë të plotë prej rreth 1,000 diplomatëve dhe figurave të shquara, kryesisht të veshur me kostume të zeza dhe fustane mbrëmjeje, raportonte me atë rast Gazeta e madhe Nju Jork Tajms duke cituar fjalët e Nenë Terezës para 1000 diplomatëve botërorë:  ”Asnjë ngjyrë, asnjë fe, asnjë kombësi nuk duhet të na ndajë – ne jemi të gjithë fëmijë të Zotit.”  Ndërkohë Gazeta Nju Jork Tajms citonte me atë rast fjalët e Presidentit Ronald Reagan për Nenë Terezën se ”Çdo pjesë e botës ka njohur stilin e ndritshëm të veëprimtarisë së kësaj gruaje të mrekullueshme të krishterë…Mijëra janë shpëtuar nga shtegu i varfërisë duke ditur se dikush kujdesej për ta.”  Sipas kronikës së Nju Jork Tajms, duke iu referuar dhjetëra liderëve botërorë që folën me atë rast nga i njëjti podium, Javier Perez de Cuellar, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë e prezantoi Nënën Terezën, duke thënë: ”Këtë javë kemi pasur privilegjin të kemi këtu burrat më të fuqishëm në botë. Tani kemi privilegjin të kemi gruan më të fuqishme në botë.”

Megjithse nepërmjet valeve të Zërit të Amerikës, përpiqeshim që Kombi shqiptar të mësonte sa më shumë për veprimtarinë e Nenë Terezes, regjimi komunist shqiptar bënte c’mos që të fshihte, por pa sukses, para shqiptarëve dhe botës, personin dhe imazhin që gëzonte Nenë Tereza anë e mbanë botës dhe shqiptarëve kudo, të cilët ishin në dijeni të veprimtarisë botërore të Nënë Terezës. Por sot, për fat të mirë, me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Nenë Terezës, gjërat kanë ndryshuar. Nënë Tereza – vetëm me ndonjë përjashtim aty këtu – gëzon pothuaj, universalisht, anë mbanë botës shqiptare respekt dhe admirim për veprat dhe imazhin që gëzon sot Nenë Tereza kudo si simbol dhe përfaqsuese e vlerave dhe traditave më të mira të kombit shqiptar, duke bërë të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët, anë e mbanë botës.

Ashtu si edhe më parë, në 115-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, sipas programit të njoftuar nga organizatorët, do të ndermirren aktivitete të shumta në kujtim të kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar. Por ky përvjetor i lindjes së saj, përkon sivjet edhe me 20-vjetorin i inaugurimit të Katedrales “Nenë Tereza” në Dardaninë e lashtë në Prishtine, ku 2-3 dekada me parë tankset dhe forcat kriminele të ushtrisë dhe policisë serbe kishin për objektiv zhdukjen e racës shqiptare nga Dardania. Aty, pra, në ato troje të lashta dardane, sot ngrihet Katedralja kushtuar Nenë Terezës.  Neqoftse kerkoni mrekulli prej Nenë Terezës, shkoni në Prishtinë, në Shkup, Shkodër e Tiranë, kur para shembjes së Murit të Berlinit në trojet shqitare as nuk lejohej te permendej, zyrtarisht, emri i saj. Ateherë, kur Kombi shqiptar kërkonte Nenën “për me ba gjamën”, Nenë Tereza u pergjigj. Ishte miqesia e saj me Papa Gjon Palin e Dyte dhe më vonë edhe takimet e saj me ish-Presidentin amerikan Bill Clinton që luajtën një rol bindës për ndërhyrjen e NATO-s për të shpëtuar shqiptarët e Kosoves nga katastrofa shfaruese si banues të atyre torjeve. Vetë Presidenti Clinton, në shenimet e tia ka tnëne se, pas takimit me Nenë Terezën, ndiente një obligim që të bënte dicka për të shpëtuar popullin shqiptar.

Sa i përket 20-vjetorit të vendosjes së gurit themeltar të Katedralës në Prishtinë të shumtë kanë qeneë kontribuesit,  perfaqsues të ndryshëm fetarë, politikë dhe të rrymave të ndryshme të jetës e sidomos komuniteti shqiptaro-amerikan në Amerikë në veçanti, kanë kontribuar konsiderueshëm për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë, kredia kryesore për atë vepër të madhe u takon dy arkitektëve kryesorë që – ndër shumë të tjerë — benë të mundur ndërtimin e katedralës: Presidenti historik I Republikës së Kosoves, Dr. Ibrahim Rugoves dhe të ndjerit Imzot Mark Sopit, ish-ipeshkvit te Kosovës.  Kur u vendos gur themeli i Katedrales në Prishtinë me 26 gusht te vitit 2005, Presidenti Rugova tha nder të tjera se “Sot eshte një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po bekojmë gurin e themelit te një tempulli të shenjte, që i kushtohet Nenës së dashur Shqiptare-Kosovare dhe Nenës se Njerëzimit — te lumës Nenë Tereze — asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në të gjithë planetin, duke afirmuar vlerat tona e duke ndihmuar mbarë Njerëzimin.”

Me mall e respekt kujtoj vizitat zyrtare ne presidencën, ku pas bisedave zyrtare (si Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, NAAC) drejtohej për në dhomën ku mbante modelin miniaturë të Katedrales së ardhëshme. Me krenari dhe me nje entuziazëm të pashoq, Ibrahim Rugova fliste për arkitekturën dhe për vet objektin, jo vetëm si një monument fetar por edhe historik mbarë kombëtar.

Prandaj në këtë 115-vjetor të lindjes së Nenë Terezës dhe në 20-vjetorin e bekimit të gurit të parë të Katedralës kushtuar Nenë Terezës në Prishtinë, shqiptarët kudo, si individë dhe si komb të jemi krenarë me Nenë Terezën. Ashtuqë, me krenarinë tonë për jetën e veprat e saja ta tregojmë çdo ditë, sipas porosisë së saj – “me akte të vogëla dashurie”, sidomos në marrëdhëniet tona me njërin tjetrin kudo që jemi, pa dallim feje e krahine, si shqiptarë dhe me të tjerët si komb i denjë përfaqsues i Nenë Terezës, sepse Ajo është e të gjithë neve. 

Frank Shkreli

Featured Image

                                                 A group of people shaking hands

AI-generated content may be incorrect. “Mua më ka frymëzuar aq shumë edhe gjatë kohës sa merrem edhe me punë të shtetit të Kosovës dhe që kemi ndërtuar shtetin modern të Kosovës, pra po behën disa vite që Nënë Terezën e kam pasur si shembull të dashurisë, paqes, mirëkuptimit mes njerëzve dhe shërbimit ndaj popullit të vet”, është shprehur Ibrahim Rugova për Nënë Terezën          

A group of men posing for a photo

AI-generated content may be incorrect.

“Prej sot, shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova me një grup shqitaro-amerikanësh para monumentit të Nënë Terezës në Prishtinë

Sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë mbahet mesha për ...

                              Katedralja “Shën Nenë Tereza” në Prishtinë

A group of people posing for a photo

AI-generated content may be incorrect.

Me Nënë Terezen në Washington circa 1987 – me mikun e ngusht dhe kolegun e nderuar prej më shumë se gjysëm shekulli Dr Elez Biberaj dhe fmiljet tona në atë kohë

A person pointing at another person

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Opinion

E ardhmja e luftërave në shekullin XXI – studim rasti i Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe Kosovës

August 27, 2025 by s p

Prof. Dr.Muhamet Racaj/

Ky studim analizon evolucionin e luftës në shekullin XXI, me theks në konfliktet ruso-ukrainase dhe izraelito-palestineze, duke shtuar një rast krahasues nga Ballkani – luftën e Kosovës (1998–1999). Problemi kërkimor lidhet me pyetjen: a ka ndryshuar natyra e luftës apo vetëm teknologjitë dhe konteksti i saj? Metodologjia mbështetet në një analizë krahasuese historike dhe empirike, duke u bazuar në literaturë akademike, raporte ndërkombëtare dhe përvoja profesionale në fushën e sigurisë. Gjetjet tregojnë se pavarësisht përparimeve teknologjike (dronë, armë precize, AI, luftë kibernetike), thelbi i luftës si përballje politike dhe njerëzore mbetet i pandryshuar. Ukraina e shekullit XXI rikthen logjikën e luftës industriale, Gaza thekson luftën e informacionit dhe Kosovës i atribuohet statusi i pararendëses së luftës hibride. Artikulli konkludon se e ardhmja e luftës do të jetë njëkohësisht industriale dhe digjitale, ku perceptimi publik global ka rëndësi po aq sa fushëbeteja tokësore.

Kur Vladimir Putin nisi një operacion ushtarak special në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, e gjithë bota ishte në shok, duke parë me ankth zhvillimin e konfliktit. Edhe pse lufta është aq e vjetër sa njerëzimi, dhe nuk ka pasur kurrë një periudhë në histori gjatë së cilës nuk ka pasur luftë, pushtimi rus i Ukrainës ishte i tmerrshëm kryesisht për shkak të faktit se askush nuk priste një luftë në tokën evropiane në një shkallë të tillë. Rendi liberal demokratik krenohej me aftësinë e tij për të zgjidhur mosmarrëveshjet pa luftë, megjithëse dikur ishte plotësisht i pasuksesshëm, duke besuar fuqishëm në mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis Rusisë dhe Ukrainës përmes mjeteve diplomatike. Megjithatë, kjo luftë, së bashku me konfliktin shumëvjeçar izraelito-palestinez dhe përovojën tonë rajonale në Kosovë, na detyron të reflektojmë thellë mbi të ardhmen e luftërave në këtë shekull të ri.

Faktet dëshmojnë se përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk përfaqëson fundin e historisë, por shfaqjen e një rendi shumë më fluid. Pushtimi i Ukrainës tregon se parimi i sovranitetit shtetëror nuk është më një pengesë e pakalueshme. Në këtë kuptim, luftërat e ardhshme nuk duhet menduar si anomali, por si element i përhershëm i politikës ndërkombëtare.

Dy luftërat botërore janë laboratorët kryesorë të evolucionit ushtarak.

▪︎Në Luftën parë botërore, praktika tregoi pamundësinë e dominimit pa doktrinë;

▪︎Në Luftën II, Blitzkrieg tregoi që vetëm kombinimi i teknologjisë me koncept operacional sjell fitore.

▪︎Si paralel në shekullin XXI: dronët bëjnë diferencën vetëm kur futen në taktika të integruara. Kështu, historia dëshmon se teknologjitë vetë nuk fitojnë luftëra; ato fitohen nga organizimi dhe shpejtësia e përdorimit të tyre.

GWOT “Global War on Terror” (Lufta Globale kundër Terrorit). Kjo është një fushatë ushtarake dhe sigurie ndërkombëtare, kryesisht e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që filloi pas sulmeve terroristike të 11 shtatorit 2001 në SHBA. GWOT përfshin operacione ushtarake, zbulime dhe masa të ndryshme kundër grupeve terroriste dhe mbështetësve të tyre në mbarë botën.

Kjo gjykohet si një nga konfliktet kryesore globale me ndikim në sigurinë, politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në shekullin e 21-të. Nuk është një luftë botërore në kuptimin tradicional të luftërave të mëdha midis shteteve, por një konflikt i përhapur në shumë vende dhe rajone kundër terrorizmit.

Pra, GWOT nuk është një luftë botërore si Lufta e Parë Botërore ose Lufta e Dytë Botërore, por shkurtesa lidhet me “Global War on Terror” si një koncept bashkëkohor strategjik dhe ushtarak global qe shënoi lindjen e “luftës së shpërndarë” – pa fronte klasike. Për të ardhmen, kjo përbën treguesin se monopoli shtetëror mbi dhunën është i brishtë. Grupi taleban që operonte në male me municion të improvizuar parashikoi modelin e sotëm: civilë ukrainas që prodhojnë dronë kamikazë në garazhet e tyre. Në të ardhmen, kufiri midis “ushtrisë” dhe “civilit të armatosur” do të bëhet akoma më i turbullt.

Shekulli XXI ka provuar se nuk ekziston më një luftë e pastër konvencionale. Ukraina është një luftë hibride:

artileri industriale + dronë + propagandë + diplomaci.

Në Gaza, armët tradicionale ndërthuren me fushata dezinformuese globale. Përvoja e Kosovës më 1999 ishte pararendëse:

▪︎një forcë asimetrike (UÇK) kundër Jugosllavisë,

▪︎ndërhyrja e NATO-s përmes fuqisë ajrore, dhe

▪︎ fitimi i fushëbetejës narrative në opinionin global.

Informacioni është arma më e lirë dhe me ndikimin më të madh. Në Kosovë, pamjet e refugjatëve të shpallur në mediat ndërkombëtare legjitimuan ndërhyrjen. Në Ukrainë, një video e një tanku të shkatërruar arrin miliona shikime dhe shëndërrohet në armë propagandistike. Në Gaza, një foto e një fëmije të vrarë mund të ketë ndikim më të madh se një betejë e fituar në terren. Lufta e së ardhmes do të jetë luftë narrativesh ku algoritmet dhe rrjetet sociale vendosin klimën politike.

Kosova (1998–1999) ilustron një luftë ku ndërthuren elemente asimetrike, diplomatike, informative dhe konvencionale:

• NATO përdori sulme ajrore 78-ditore, pa ndërhyrë masivisht me trupa tokësore.

• Opinion publik ndërkombëtar u përdor si armë – pamjet e refugjatëve patën ndikim të jashtëzakonshëm.

• Diplomacia (Rambouillet) ishte pjesë përbërëse e fushës së betejës.

Ky rast parashenjoi shekullin XXI. Si në Ukrainë, edhe Kosova dëshmoi se teknologjia e aviacionit ka efekt vetëm kur kombinohet me diplomaci dhe narrativë. Si në Gaza, fushëbeteja e imazheve është thelbësore.

E ardhmja do të karakterizohet nga dronë inteligjentë, armë autonome dhe AI në fushëbetejë. Por fituesi do të jetë ai që arrin simbiozë midis njeriut dhe AI.

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe financiare do të jenë po aq të rrezikshme sa sulmet me raketa. Luftërat do të zhvillohen edhe në servera dhe në hapësirë. Kërcënimi i armëve anti-satelitore është realitet. Pa satelitë për GPS, armët precize bëhen të pavlefshme. Dominimi i orbitës do të jetë thelbësor.

Wagner, forcat mercenare, kompanitë e sigurisë private, grupet guerile, janë pjesë e arkitekturës së re të luftës. Konfliktet e ardhshme mund të jenë po aq “outsourced” sa shtetërore.

Në çdo luftë të ardhshme, suksesi matet me opinion publik. Një fitore taktike në terren që humbet perceptimin global është baraz me humbje strategjike.

Natyra e luftës nuk ndryshon – mbetet njerëzore dhe politike. Por format do të bëhen hibride, digjitale, kibernetike e kozmike. Shekulli XXI sjell rikthimin e luftës industriale (Ukraina) dhe ngritjen e luftës së perceptimeve (Gaza). Nga analiza e Luftërave Botërore, GWOT, Kosovës, Ukrainës dhe Gazës, u nxorën disa gjetje kryesore i përfundim:

• Thelbi i luftës nuk ndryshon, mbetet përplasje politike dhe njerëzore.

• Teknologjia evoluon, por përdorimi i saj varet nga njeriu dhe doktrina.

• Lufta hibride është forma dominante e shekullit XXI, që kombinon dimensionin konvencional, asimetrik, informativ dhe diplomatik.

• Ukraina paraqet modelin e luftës industriale moderne, ndërsa Gaza thelbëson luftën e perceptimeve.

• Kosova ishte pararendëse e këtij modeli, duke e demonstruar fuqinë e propagandës dhe ndërhyrjes shumëdimensionale në fund të shekullit XX.

Analiza dëshmoi se hipoteza e ngritur në hyrje konfirmohet: natyra e luftës nuk ndryshon me kalimin e kohës; ndryshojnë vetëm teknologjitë dhe format. Nga shpata e kohëve të lashta deri te dronët autonomë të sotëm, lufta mbetet përballje njeri‑me‑njeri, ku qëllimi është neutralizimi i kundërshtarit për qëllime politike.

Lufta e ardhshme në shekullin XXI do të jetë një kombinim i përmasave industriale (armë të mëdha, prodhim në masë) dhe digjitale (AI, kibernetikë, narrativë globale). Për këtë arsye, koncepti i luftës hibride është paradigma përfundimtare që e përkufizon këtë epokë.

Rekomandime:

Për politikëbërësit: Të zhvillojnë strategji gjithëpërfshirëse që kombinojnë mbrojtjen ushtarake tradicionale me reziliencën kibernetike dhe mbrojtjen e informacionit.

Për ushtritë moderne: Të investojnë në fuqinë industriale (armatime të rënda), por njëkohësisht në teknologji inovative (dronë, AI, luftë kibernetike).

Për fushën e sigurisë së brendshme: Të forcohet aftësia e shoqërisë për t’u përballur me propagandën dhe dezinformimin, përmes edukimit mediatik dhe transparencës.

Për kërkimet akademike: Duhet të fokusohet më tej në dimensionin e inteligjencës artificiale, hapësirës kozmike dhe ndikimit të kompanive private të sigurisë në strukturën e luftës moderne.

Për rajonin e Ballkanit: Rasti i Kosovës tregon se edhe konfliktet e vogla kanë ndikim global në arkitekturën e sigurisë; ndaj vendet e rajonit duhet të ndërtojnë kapacitete reziliente hibride.

Në fund dua të theksoj natyra e luftës nuk ndryshon – mbetet njerëzore dhe politike. Por format do të bëhen hibride, digjitale, kibernetike e kozmike.

Shekulli XXI sjell rikthimin e luftës industriale (Ukraina) dhe ngritjen e luftës së perceptimeve (Gaza).

Nga Luftërat Botërore, te GWOT, Kosova, Ukraina dhe Gaza rezulton kjo vijë logjike: njeriu mbetet në qendër. Teknologjia është vetëm një zgjatim i vullnetit dhe taktikës.

Shekulli XXI do të shohë një luftë njëkohësisht industriale dhe digjitale, tokësore dhe perceptive.

Hipoteza konfirmohet: natyra e luftës është e përhershme; mjetet vetëm ndryshojnë.

Filed Under: Analiza

NËNË TEREZA – NGA SHKUPI NË PËRJETËSI

August 26, 2025 by s p

Prof. dr. Skender ASANI/

Jemi mbledhur për të kujtuar dhe për të nderuar një nga figurat më të ndritura të njerëzimit dhe një nga krenaritë më të mëdha të kombit shqiptar Nënën Terezë, Gonxhe Bojaxhiun e Shkupit. E lindur në rrugicat e thjeshta të këtij qyteti, ajo u ngrit në lartësitë e shenjtërisë duke dëshmuar se dashuria, përulësia dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë forcat që e ndryshojnë botën.

Nënë Tereza nuk e zgjodhi rrugën e famës, por misionin e shenjtë. Ajo u bë Nënë për jetimët e Kalkutës, për të sëmurët, për të braktisurit, për të gjithë ata që bota i kishte harruar. Humanizmi i saj nuk ishte thjesht një filozofi, por një mënyrë jetese. Themelimi i Misionareve të Bamirësisë u shndërrua në një rrjet botëror shprese, ku çdo njeri pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit gjente dashuri dhe kujdes.

Por madhështia e saj nuk matet vetëm me veprat, por me dashurinë që ajo i vendosi në to. Ajo na mësoi se lumturia e vërtetë nuk qëndron tek ajo që marrim, por tek ajo që japim. Në çdo hap të saj, në çdo fjalë të butë e në çdo buzëqeshje të qetë, fshihej një mesazh i përjetshëm: “Duajeni njëri tjetrin ashtu siç unë ju desha ju.”

Tërmeti i vitit 1963 kishte rrënuar shtëpinë ku kishte lindur dhe ishte rritur Gonxhja. Por gjatë vizitës së saj në Shkup, në vitin 1980, kur u shpall qytetare nderi e kryeqytetit, me një akt simbolik dhe domethënës ajo mbolli një bredh për të shënjuar vendin e lindjes. Ky gjest nuk ishte vetëm rikthim i kujtesës historike për shtëpinë e saj, por edhe një përkujtesë për lagjen e katolikëve shqiptarë në sheshin e Shkupit. Më pas, autoritetet vendosën pranë bredhit një pllakë përkujtimore, duke e shënuar atë vend si pikën e nisjes së jetës së Gonxhe Bojaxhiut.

Në vitet ’90, me rënien e sistemit njëpartiak dhe hapjen e një epoke të re politike, ky vend mori një kuptim të dyfishtë: nga njëra anë u shndërrua në simbol të kujtesës së qëndrueshme për jetën e Nënë Terezës, ndërsa nga ana tjetër u bë edhe fushë beteje e narrativave që tentonin të deformonin identitetin e saj kombëtar. Pikërisht në këtë periudhë u intensifikuan përpjekjet për të fshirë gjurmët shqiptare të figurës së saj, por njëkohësisht u forcuan edhe iniciativat qytetare dhe institucionale për ta mbrojtur atë kujtesë.

Megjithatë, me lindjen e projekteve djallëzore që synonin të fshinin këtë kujtesë, ky vend hyri në shënjestër të mohimit. Falë rezistencës së shoqërisë së vetëdijshme për rëndësinë e tij, tashmë prej tri dekadash aty përkujtohet ditëlindja e saj me homazhe dhe manifestime të ndryshme kulturore ndër të cilat edhe ky promovim i tri librave që sot i kushtohen figurës së saj.

Tri botime të fundit kushtuar figurës së saj e sjellin këtë dritë nga kënde të ndryshme, por të ndërthurura në një të vetme. Libri im “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” përpiqet të shpalosë figurën e Nënës si një simbol frymëzimi për identitetin tonë kombëtar, duke treguar se Shkupi, me rrënjë të lashta ilire dhe dardane, ka dhënë bijë që ndriçuan botën. Ndërkaq, libri “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri” është një mozaik i rrëfimeve të gjalla, i dëshmive të Dom Lush Gjergjit, motrës Ivana dhe Nasta Mihillit, që na e sjellin Nënën jo si një figurë të mitizuar, por si një shenjtëreshë që qëndroi gjithmonë pranë më të varfërve.

Në këtë vijimësi përkujtimore vjen edhe libri i ri i Dom Lush Gjergjit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, i cili përmbledh urtësinë e saj shpirtërore dhe mesazhet e përjetshme që ajo la pas. Ky libër nuk është vetëm një fjalorth i thjeshtë porosish, por një udhërrëfyes i jetës së përditshme, ku dashuria, falja dhe përulësia shfaqen si themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri më njerëzore. Në këto faqe gjejmë fjalët e saj të thjeshta, por të ngarkuara me peshë morale, që na kujtojnë se shenjtëria nuk është e largët, por mund të bëhet realitet në çdo zemër që guxon të dojë pa kufij. Ky botim është një thirrje e qartë që trashëgimia e Nënës të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të kthehet në përvojë të gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Këto tri botime nuk janë vetëm libra; ato janë gurë themeli të kujtesës sonë kombëtare dhe shpirtërore. Njëri na tregon se si Gonxhja e Shkupit u bë kurorë e njerëzimit, tjetri na kujton se ajo nuk ishte vetëm, por e rrethuar nga bashkudhëtarë që ndanë me të sakrificën, dhimbjen dhe shpresën, ndërsa i treti na e sjell zërin e saj të gjallë përmes porosive të përjetshme që mbeten udhërrëfyes në jetën tonë të përditshme.

Në këtë ditë të shenjtë, ditëlindjen e saj, ne nuk përkujtojmë thjesht lindjen e një njeriu, por lindjen e një misioni. Një mision që e bëri dritë në errësirë, balsam për plagët e të harruarve, shpresë për një botë më të drejtë. Dhe ky mision vazhdon në çdo dorë që shërben, në çdo zemër që fal, në çdo shpirt që zgjedh dashurinë mbi urrejtjen.

E për ne shqiptarët, Nënë Tereza është një bekim dhe një përgjegjësi. Ajo e mbajti gjithmonë gjallë identitetin e saj shqiptar, duke e quajtur veten “bijë e popullit shqiptar”. Në këtë dhuratë hyjnore që Zoti i bëri kombit tonë fshihet një detyrë e madhe: të jemi bartës të dritës së saj, dëshmitarë të dashurisë që ajo shpërndau pa kufij.

Prandaj sot, duke nderuar Nënën Terezë, ne shpallim se drita e saj nuk ka perënduar. Ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga kombi ynë te mbarë njerëzimi. Ajo mbetet një fanar udhëzues për të sotmen dhe për të ardhmen, një thesar shpirtëror që nuk shuhet kurrë.

Filed Under: Komente

FEDERATA VATRA TELEGRAM URIMI Z.DIMAL BASHA ME RASTIN E ZGJEDHJES SI KRYETAR I PARLAMENTIT TË KOSOVËS

August 26, 2025 by s p

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha,

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen tuaj në detyrën e lartë dhe të nderuar të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky është një moment historik që shënon jo vetëm besimin që ju është dhënë nga përfaqësuesit e popullit, por edhe përgjegjësinë e madhe për të drejtuar me mençuri dhe vizion një nga institucionet më të larta kushtetuese të vendit.

VATRA, si institucioni më i vjetër i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, beson fuqishëm se Kryesia e Kuvendit nën drejtimin tuaj do të avancojë më tej vlerat e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve të Kosovës.

Ne shprehim vullnetin tonë për vazhdimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Federatës “VATRA”, në funksion të çështjeve kombëtare, forcimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përparimit të gjithanshëm të shtetit të Kosovës.

Njëkohësisht, Federata “VATRA” nxit formimin sa më të shpejtë të një Qeverie stabile, që gëzon shumicën e nevojshme parlamentare, në mënyrë që proceset zhvillimore dhe integruese të shtetit të Kosovës të mos vonohen, por të thellohen dhe të përshpejtohen në interes të qytetarëve dhe në përputhje me aspiratat euroatlantike të vendit.

Duke ju uruar suksese të mëtejshme në misionin tuaj të ri, ju sigurojmë për mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.

Me respekt të veçantë,

Dr. Elmi Berisha,

Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”

Filed Under: Politike

Çfarë do të duhej realisht për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

August 26, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi

President Donald Trump and Ukraine President Volodymyr Zelensky sit on chairs in the oval office. They are surrounded by...

Javën e kaluar, Donald Trump zhvilloi një samit me Vladimir Putinin në Alaskë. Dy ditë më pas priti në Shtëpinë e Bardhë Volodymyr Zelenskyn dhe disa liderë europianë. Ishte përpjekja e radhës e Trump për të paraqitur veten si njeriu që mund të mbyllë luftën në Ukrainë përmes diplomacisë. “E vështirë, por paqja është e arritshme,” tha ai. “Lufta do të marrë fund.”

Trump, siç dihet, e ka bërë shpesh këtë premtim. Në fushatë deklaronte se do ta ndalte luftën për 24 orë pasi të hynte në zyrë. Por a ka arsye për të besuar se kësaj here gjërat mund të shkojnë ndryshe?

Çfarë kërkon realisht Putini

Për të kuptuar, duhet rikthyer tek arsyet pse Rusia e nisi këtë luftë dhe pse ajo vazhdon ende pas më shumë se tre vitesh. Shpesh flitet për territore, për “ndarje tokash” apo “kompromise gjeografike”. Por në thelb, për Putinin, toka është vetëm një instrument. Qëllimi i tij i fundit është një Ukrainë e dobësuar, e nënshtruar dhe e shkëputur nga Perëndimi.

Tatiana Stanovaya, studiuese e Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, e ka përmbledhur mirë këtë logjikë: nëse Ukraina është “jonë”, atëherë vijat e kufirit janë dytësore; por nëse mbetet “e tyre”, atëherë duhet shkatërruar derisa Kievi dhe aleatët të pranojnë humbjen.

Kjo është arsyeja pse Putini e sheh Donbasin si çelës. Së pari, për propagandë: ai e nisi luftën me pretekstin se po mbronte popullsinë rusishtfolëse të rajonit. Me qindra mijëra viktima ruse janë lidhur me atë front, dhe Putini ka nevojë të shesë Donbasin si “fitore”. Së dyti, për strategji: duke kontrolluar Donbasin, Rusia qëndron gjithmonë në prag të qyteteve si Dnipro e Kharkiv, duke e mbajtur Ukrainën të pasigurt e të kërcënuar.

Dilema e Zelenskyt

Zelensky përballet me presionin e kundërt. Për Ukrainën, humbja e plotë e Donbasit do të ishte katastrofike. Është aty ku nisi konflikti që prej vitit 2014, prandaj dorëzimi do të godiste moralin kombëtar. Ushtarakisht, pas Donbasit hapet stepë pa pengesa natyrore mbrojtjeje.

Kushtetuta e Ukrainës ndalon shprehimisht dorëzimin apo transferimin e tokës. Ndoshta mund të gjendej një formulë e heshtur – tërheqje trupash dhe një vijë e pashkruar ndarjeje, si në rastin e Koreve – por vetëm nëse Ukraina do të kishte garanci të hekurt sigurie. Dhe garancia e vetme reale do të ishte NATO, një opsion që Trump e ka përjashtuar haptazi.

Loja e madhe

Në të vërtetë, pyetja e territoreve është thjesht një zëvendësim për çështjen më të madhe: orientimi i Ukrainës si shtet. Do të mbetet një vend sovran, që vendos vetë për të ardhmen e tij, apo do të kthehet në një kufi të përhershëm gri, të brishtë dhe të ekspozuar ndaj Rusisë?

Trump, në samitin e Alaskës, duket se pranoi një pjesë të narrativës së Putinit: se paqja nuk mund të vijë vetëm me një armëpushim, por kërkon adresimin e “shqetësimeve strategjike” të Rusisë. Megjithatë, ai nuk është shfaqur i gatshëm t’i diktojë Kievit kushtet e Kremlinit. Për Putinin, kjo është e papërshtatshme. Ai gjithmonë ka dashur të negociojë drejtpërdrejt me Uashingtonin, duke e parë Zelenskyn si figurë të parëndësishme.

E pamundura e paqes së shpejtë

Çfarë kuptojmë nga e gjithë kjo? Se mbyllja e luftës nuk varet nga sa kilometra tokë lëvizin në hartë. Thelbi është përplasja mes dy vizioneve: Rusia kërkon një Ukrainë të nënshtruar; Ukraina kërkon të mbijetojë si shtet i lirë dhe i pavarur.

Nëse Trump apo ndonjë tjetër do të arrijë të ndërtojë një marrëveshje mes këtyre qëndrimeve diametralisht të kundërta, mbetet një pyetje e hapur. Por diçka është e sigurt: paqja nuk mund të jetë rezultat i një “marrëveshjeje të pistë” mbi tokat, por i një zgjidhjeje që garanton siguri dhe sovranitet afatgjatë për Ukrainën.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 198
  • 199
  • 200
  • 201
  • 202
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT