• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Plaga e amëshuar e Skënderbeut në portretin e tij në Galerinë degli Uffizi, në Firence

August 26, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në Galleria degli Uffizi të Firences ruhet një nga dëshmitë më të çmuara të ikonografisë shqiptare: portreti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. I realizuar në mesin e shekullit XVII nga një autor anonim, ky portret është ndër imazhet më të hershme që mbijetojnë mbi heroin shqiptar. Ai nuk është vetëm një përfaqësim i tipareve fizike, por një ndërthurje e historisë me mitin, ku figura e Skënderbeut shfaqet si simbol i qëndresës së një kombi dhe i mbrojtjes së qytetërimit europian.

Tiparet e tij janë të ashpra dhe të gdhendura fort: balli i gjerë, sytë e thellë dhe mjekra e rëndë e japin portretin e pathyeshëm. Në fytyrë bie në sy plaga e dukshme, një vijë që nuk është thjesht element estetik, por një shenjë e mbartur nga betejat. Ajo plasaritje mbi lëkurë është në të njëjtën kohë dëshmi e dhimbjes dhe shenjë nderi. Piktori ka ditur ta theksojë këtë element duke përdorur dritë-hijen në mënyrë mjeshtërore, duke e bërë plagën pjesë të pasqyrimi vizual të heroizmit.

Ky trajtim nuk është i izoluar, por ndjek një traditë europiane të portretizimit të prijësve. Federico da Montefeltro, dukë i Urbinos, i pikturuar nga Piero della Francesca, u paraqit me hundën e shtypur dhe syrin e humbur – plagë që nuk u fshehën, por u kthyen në simbole të forcës dhe përvojës ushtarake. Në të njëjtën mënyrë, plaga e Skënderbeut nuk e ul figurën, por e rrit në një nivel të ri simbolik, duke e shndërruar në dëshmi të guximit të tij.

Gjithashtu, portreti i Skënderbeut lidhet me ikonografinë e kalorësve të krishterë si Jan Sobieski, mbreti i Polonisë, apo János Hunyadi, heroi hungarez, që u paraqitën në pikturë si mbrojtës të krishterimit. Edhe pse anonimi i Uffizit nuk përdor elemente të hapura militare apo sfond betejash, ai e arrin këtë efekt përmes ashpërsisë së fytyrës dhe plagës së dukshme, duke përqendruar gjithçka në shikimin e heroit.

Në një plan tjetër, portreti i Skënderbeut qëndron pranë portreteve mitizuese të gjeneralëve të lashtësisë – Aleksandrit të Madh, Cezarit apo Hanibalit – të cilët shpesh përshkruheshin me tipare të fuqishme, plagë apo shenja që i shndërronin në figura përtej njerëzores. Kështu, Skënderbeu paraqitet jo vetëm si një princ shqiptar, por si një figurë universale, pjesë e një galerie të heronjve që historia dhe arti i kanë ngjitur në përjetësi.

Një element tjetër krahasues është simbolika e Shën Gjergjit kalorës, mbrojtësit të krishterimit, i cili në ikonografi paraqitet i plagosur, por triumfues mbi dragoin e së keqes. Skënderbeu, në këtë portret, shfaqet si një “Shën Gjergj tokësor”: i plagosur, por i pamposhtur, një shenjtor laik që përfaqëson shpëtimin e një populli nga rreziku i shuarjes.

për cilindo që e ka kundrusr portetin e Skënderbeut në Galerinë Uffizi në Firence, kur drita firentinas përplaset mbi këtë portret, gjithsecili mund të ketë parë një shkëlqim të veçantë: plaga duket sikur rrezaton kujtesën e betejave, të kalit të bardhë që fluturonte mbi fushat e luftës, të flamujve që valëviteshin mbi fortesat arbërore. Në këtë tablo shikuesi sheh më shumë se një fytyrë të plagosur; sheh një testament të gjallë të historisë dhe një figurë që qëndron mes kufirit të realitetit dhe mitit.

Kështu, portreti i Skënderbeut në Uffizi nuk është thjesht një objekt arti. Ai është pjesë e një tradite të madhe europiane, ku plagët dhe shenjat nuk fshihen, por kthehen në dëshmi të lavdisë. Ai mund të krahasohet me burrërinë e dukëve italianë, me pathyeshmërinë e kalorësve të Europës Qendrore, me madhështinë e gjeneralëve të lashtësisë dhe me spiritualitetin e Shën Gjergjit. Në këtë ndërthurje, Skënderbeu del si një figurë e përmasave universale – hero i Shqipërisë, por edhe i Europës.

Filed Under: Politike

Më 25 gusht lindi një nga piktorët e njohur bashkëkohorë arbëreshë, Francesco Senise

August 26, 2025 by s p

QSPA/

Ai lindi më 1970, në Lungro të Kozencës në Kalabri, ku edhe zhvillon aktivitetin e tij artistik. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Përfundoi studimet në Universitetin “Magna Grecia Di Catanzaro”. Senise i ka kushtuar shumicën e punëve të tij artistike vendit të tij të lindjes duke përshkruar mjedisin përreth, njerëzit e zakonshëm, gratë dhe gjyshet arbëreshe si dhe peisazhe shumëngjyrëshe. Pikturat e tij janë të zhanrit realist dhe në to dominon ngjyra e kuqe që përfaqëson karakterin luftarak të arbëreshëve, por njëkohësisht simbolizon vuajtjen dhe etjen për liri të njerëzimit. Ngjyra të tjera të pranishme në veprat e tij, po aq të rëndësishme janë të lidhura me traditën bizantine e lokale të Lungros e në mënyrë të veçantë me praninë në këtë territor të minierës së Salgemës.

Një pjesë të veprave të tij artistike ai ua ka kushtuar minatorëve dhe vuajtjeve të tyre. Vëmendja pothuajse obsesive e Senise ndaj vuajtjes së minatorëve ka rrënjë të thella në fëmijërinë e tij. Si fëmijë, ai u mahnit veçanërisht nga tregimet e xhaxhait të tij që përshkruante jetën e trishtuar të punëtorëve brenda galerive të minierës, por, mbi të gjitha, nga prania në sallat e shkollës fillore “Camillo Vaccaro”, e frekuentuar prej tij, e disa skulpturave që përfaqësonin në një mënyrë plastike përpjekjen e jashtëzakonshme të banesave të kripës, të shtypur nga pesha e gurëve të kripës që ata bartnin mbi supet e tyre. Ai shpejt tërhoqi vëmendjen e kritikëve, gjë që e bëri atë të ekspozonte rregullisht në një nivel kombëtar në Itali dhe në nivel ndërkombëtar në qendrat dhe panairet më të rëndësishme të artit në Europë, Amerikë dhe në shumë vende të tjera të botës.

Linku në vijim na njeh me më shumë detaje nga biografia dhe punët artistike të Senise: https://www.gigarte.com/francescoseniseart/biografia

Filed Under: Kulture

Nënë Tereza, nëna që shenjtëroi mëshirën dhe devocionin dhe i mëkoi shpresës, diellin e besimit

August 26, 2025 by s p

Albert Vataj/

Sot nuk është vetëm dita e kujtesës dhe kremtes së shenjtores shqiptare, por edhe përulësisë dhe bamirësisë, si akti sublim, me të cilin ne shpërblejmë shpirtin me dritën më të vezullimtë të besimit te mirësia dhe dashuria. Nënë Tereza i’a mëkoi zemrën e saj çdo kraharori dhe shpirtin e ndezi në çdo diell, duke u derdhur mbi ne rrezet e dritës që na stolis me mirësi dhe bekimit që e shpërblen jetën me begatimin e vullnetit hyjnor.

Ajo erdhi si një vullnet qiellor dhe u përjetësua nga vepra e lartë e përkushtimit dhe devocionit, e dashurisë dhe mëshirës, e adhurimit dhe besimit.

Ajo erdhi për të qenë shëmbëllimi më i përsosur i dashurisë së Zotit për njeriun, i asaj force qiellore që i shndërron të gjitha gjendjet në përjetime ngazëlluese.

Dëshmoi me jetën dhe veprën e saj mirëbërëse se gjithçka është e mundur në besim.

Udhëhoqi vullnetet e dlira dhe forcën e arsyes, për të ndërtuar altarin e së mundshmes qiellore dhe bërjen e vullnetit të Hyut, si në qiell ashtu edhe në tokë.

Udha e saj e gjatë dhe e mundimshme është shembulli më domethënës i forcës që gjallon prej mirësisë dhe dhembshurisë, mëshirës dhe besimit. Një përulësi mirënjohje që rrëmbeu interesimin e mbarë botës, një admirim që e mbuloi me lavdi veprën ngadhënjyese e kësaj shëlbyeseje të përkushtuar, kësaj misionareje të patëdytë të mirëbërjes dhe mëshirës.

Pakkush, si ajo, mundi që me faljen dhe dashurinë, tolerancën dhe mëshirën, ti jepnin jetë dhe energji përtëritëse besimit, ta popullonin botën me drejtësi dhe humanizëm. Ajo ishte e rrallë, si e tillë mbeti e pazëvendësueshme, megjithëse misioni që mban emrin Nënë Tereza përpiqet çdo ditë, në çdo cep të botës; të kthejnë dritën ku kaplon errësira, mëshirën ku pushtetin ka barbaria, humanizmin dhe dorën e ndihmës, kur njerëzit përpëliten në dallgët e përbindshme të të sotmes gjithnjë e më armiqësore.

Pranojeni në zemër dhe në shpirt atë dhuratë bekimi që ajo e endi me mundim e sakrifica, e jetësoi në çdo ëndërr dhe i’a dha dëshirimit si një motivim, si një forcë shndërruese të çdo përpjekje mirësie në sublimim që Ajo e mbrujti në shenjtërim.

Filed Under: Opinion

E shkuara dhe pesha e padurueshme e mungesës së pendimit të persekutorëve…

August 26, 2025 by s p

Agim Baçi/

23 Gushti është vetëm një ditë që na bashkon ndërkombëtarisht për të përkujtuar atë dramë çnjerëzore që kaluan një pjesë e botës nën diktaturat komuniste, e sidomos atë çmenduri që kaluan bashkëqytetarët tanë, gjyshërit dhe prindërit tanë.

Fatkeqësisht është një datë që duhet të ndjehemi të turpëruar për pafuqinë tonë për t’i thënë të vërtetat për të shkuarën.

Rezoluta nr.11, e kaluar më 2 prill 2009 nga Parlamenti Europian kërkonte nga Kuvendi i Shqipërisë që të miratonte një rezolutë ku të saktësohej se “Regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale dhe kolektive, me dhe pa gjyq, vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit, shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik”.

Po pse rezultoi kaq e vështirë që shoqëria shqiptare nuk mundi t’ia përcaktonte qartësisht natyrën kriminale diktaturës dhe të mos kalojë as nga rruga e pendesës dhe as e faljes? “Më e vështira për t’u mposhtuar është ndjenja e fajësisë”, shprehet nobelisti polak Çesllav Millosh në librin e tij “Mendja e robëruar”, ku ka përshkruar përfshirjen edhe të vetvetes dhe shumë të njohurve të tij në rrugëtimin e një diktature. Millosh, shpjegon në librin e tij se çështja e pranimit apo mospranimit të fajësisë është vendimtare në mënyrën se si shoqëria do ndërtojë marrëdhënie me të Vërtetën. Por, pse nguruan në zbardhjen e së vërtetës ata që morën pjesë në krim apo që aprovuan krimet për bashkëqytetarët e tyre vetëm e vetëm se nuk mendonin si ata, apo se kishin fatin e keq që të ishin pjesë e makinerisë që duhet të prodhonte armikun? Nuk mundet të kemi një përgjigje të lehtë, pasi nëse do të numëronim pengesat, padyshim që një nga më të mëdhatë do të ishte mënyra se si ishin rritur ata që bënin krimet, ku edukimi ishte vetëm ai me një drejtim, atë të “njeriut të ri”, që ishte një njeri që nuk besonte në asgjë të shenjtë, nuk besonte në përcaktimin e së mirës dhe së keqes sipas së shenjtës.

Për shumicën prej tyre, të vërtetat dhe gënjeshtrat, të mirën dhe të keqen, për gati 50 vite e kishte përcaktuar vetëm veç partia. Kjo ishte edhe pengesa reale që njerëzit të shkonin drejt pendesës, pasi një akt i tillë kërkonte nga persekutori që të kishe dijeni për të Shenjtën, nga ku burojnë edhe pjesa më e madhe e kuptimeve dhe qëndrimeve morale. Duke mos patur një lidhje të tillë, aftësia për të shkuar drejt kërkimit të faljes ishte një ëndërr e kotë.

Vende të tjera që kishin përvojën e totalitarizmit dhe krimeve të ngjashme si në Shqipëri patën kurajën morale, por edhe pjekurinë politike, që të gjenin rrugët e publikimit të krimeve dhe ndalimit të glorifikimit të së shkuarës. Në Gjermani, në pjesën lindore, ku komunizmi ra në vitin 1989, ishin priftërinjtë që luajtën një rol kyç në pajtimin e shoqërisë. Edhe në Poloni, marrëdhënia me besimin, që ishte ende e fortë, ishte një nga shtysat e pajtimit, duke kaluar përmes pendesës dhe faljes. Papa Vojtila, një ish prift disident polak që në atë kohë ishte në krye të Vatikanit, kishte qenë një nga frymëzuesit e kësaj beteje, deri në rrëzimin e regjimeve totalitare jo vetëm në vendlindjen e tij por në mbarë Europën. Madje, edhe në Afrikën e Jugut, pas një Aperteidi të tmerrshëm, u ngrit Komisioni i Të Vërtetës dhe Faljes, që bëri të mundur mbledhjen e mijëra rrëfimeve nga fajtorët e vrasjeve, por edhe të kërkimit të faljes ndaj atyre që ishin ndëshkuar me të padrejtë.

Por në Shqipëri, rruga e pendimit dhe faljes nuk mundi dot ta gjente udhën. “Njeriu i Ri”, portreti më i madh i denatyrimit që la si trashëgimi ai sistem, që vinte nga një ateizëm i thellë, nuk arriti dot kurrë të shkonte drejt pendesës, sepse për shumicën e tyre, ishte më e fortë bindja se kishin vepruar në të mirë të vendit. Ndaj dhe në mënyrë perverse, shumica e tyre justifikohet me shprehjen “zbatuam ligjet e kohës, ashtu ishte koha”!. E Mira dhe e Keqja ishte për ta një gjë që diktohej nga sistemi i asaj kohe, e jo nga Krijuesi.

Njerëzit që mundën të kërkonin ndjesë ishin me gishtat e dorës dhe nuk u bënë kurrë një shtysë që edhe të tjerë të ndërmerrnin një hap të tillë, duke lënë në fuqi kulturën e mosndëshkueshmërisë dhe pafuqisë për të kërkuar falje. “Inshallah e kuptoni një ditë se ç’keni bërë!”, iu drejtua Uran Kostreci një prej ish-hetuesve që justifikohej për atë kohë se ja kishte ditur vlerat. (Intervistë e dhënë në Opinion, 14 nëntor 2018). Por thirrjet e Kostrecit dhe shokëve të tij, që i mbijetuan dhunës çnjerëzore dhe fyerjes së përditshme, duket se shkuan në vesh të shurdhër. Dhe sot, për turpin tonë, ne jemi ndër vendet e vetme që nuk mundëm të kalonim dot në shtegun e së vërtetës.

Filed Under: ESSE

Shqiptarët në “One World Day” në Kopshtet Kulturore të Cleveland-it!

August 26, 2025 by s p

Albanian American Association of Cleveland/

Faleminderit nga zemra të gjithëve që morën pjesë dhe na mbështetën në One World Day në Kopshtet Kulturore të Cleveland-it!

Energjia, dashuria dhe krenaria juaj e bënë këtë ditë të paharrueshme. Nga familjet që marshuan me flamuj, tek miqtë që brohoritën, ju treguat shpirtin e vërtetë të unitetit dhe kulturës. 🇦🇱🇽🇰🇺🇸

Jemi mirënjohës për të gjithë ata që morën pjesë, ndihmuan si vullnetarë dhe festuan me ne—bashkë treguam sa e fortë është komuniteti ynë.

Deri vitin tjetër, le ta mbajmë këtë frymë bashkimi çdo ditë! ✨🇦🇱🇽🇰

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 199
  • 200
  • 201
  • 202
  • 203
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT