• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prof. Elindë Dibra vizitë në Federatën Vatra

November 27, 2025 by s p

Sokol Paja/

Prof. asoc. dr. Elindë Dibra, lektore pranë Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” vizitoi Federatën Vatra. Ajo u prit nga editori i Diellit dhe anëtari anëtari i kryesisë z.Ilir Cubi. Prof. Dibra u njoh në detaje me historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe rolin e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dobi të çështjes kombëtare. Prof. Dibra shqyrtoi materiale dhe dokumente mbi arkivën e Vatrës e Diellit dhe ekzemplarë të veçantë që gjenden në Bibliotekën Shkencore të Vatrës. Prof. asoc. dr. Elindë Dibra ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të një vizite studimore dhe kërkimore disa ditore në arkivin e Vatrës me fokus fushën e identitetit, medias, diasporës, kujtesës historike dhe bashkëpunimit akademik.

Mikpritja në Vatër, përbën një moment me domethënie të veçantë, jo vetëm për dimensionin institucional të vizitës, por edhe për lidhjet njerëzore, kulturore dhe historike mes Vatrës si institucion, diasporës dhe atdheut. Prof.Dibra u shpreh se Vatra është një ndër thesaret më të rëndësishme dokumentare të historisë shqiptare në mërgim. Ky fond jashtëzakonisht i pasur përfshin libra, gazeta, dokumente, fotografi, dorëshkrime, deklarata, komunikata, veprimtari e komunikime dhe dëshmi të vyera historike, që pasqyrojnë historinë dhe rrugëtimin e shqiptarëve në Amerikë, përpjekjet e tyre të shumta për ruajtjen e identitetit kombëtar, për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe për afirmimin e vlerave kulturore ndër breza.

Arkivi i Vatrës nuk është thjesht një fond historik, sipas Prof.Dibrës por një burim i vyer dijesh që mund t’i shërbejë kërkimit shkencor bashkëkohor, studimeve mbi diasporën, identitetin, multikulturalizmin, letërsinë dhe historinë e mendimit shqiptar jashtë kufijve të atdheut.

Puna kërkimore në fushën e identitetit dhe multikulturalizmit gjen në veprimtarinë e Vatrës një rast studimor ideal dhe një terren të pasur për analizë, reflektim dhe pasurim shkencor theksoi ndër të tjera Prof. Dibra.

Vizita përkon gjithashtu me përgatitjet për organizimin e Panairit të Parë të Librit Shqiptar të organizuar nga Vatra, një nismë kulturore me rëndësi të veçantë për promovimin e librit shqip, autorëve shqiptarë dhe trashëgimisë intelektuale në diasporë. Në kuadër të këtij aktiviteti, profesoresha do të jetë e ftuar në panelet e diskutimit, ku do të trajtojë çështje që lidhen me rolin e diasporës në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe me rëndësinë e ndërtimit të urave të komunikimit mes studiuesve në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Amerikë.

Filed Under: Vatra

ELBASANI DHE PAVARËSIA

November 27, 2025 by s p

Shefqet Deliallisi/

(Kumtesë në konferencën ndërkombëtare

“Lef Nosi – figurë qendrore e historisë dhe e kulturës shqiptare”)

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe Qendra e Studimeve Albanologjike

Në kumtesën time, do të përpiqem që nëpërmjet dokumentave historike të rindërtoj konributin e madh që Elbasani ka dhënë në shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë. Nga Viena, në 9 Nëntor 1912 , Ismail Qemali i drejtohet parisë së krahinave të Shqipërisë : “ Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës asht sigurue…të punoni së bashku e si vllezën…E mbledhmja e përfaqësuesvet në Durrës ose në Vlonë asht krejt e nevojshme…” (1)

Le t’i kthehemi Elbasanit.

Cilët ishin të mandatuarit e Elbasanit për në Vlorë ? Saktësisht çdo hap i njgarjeve na jepet në “ Dokumentat Historike” të Lef Nosit. Sapo vendosi që kuvendi do të mbahej në Vlorë, Ismail Qemali, më 21 nëntor me një telegram, i drejtohet Aqif Pashës dhe Shefqet Vërlacit ku kërkonte praninë e tyre në Vlorë :

“Në nji mbledhje ku do të bisedohen masa të jashtzakonshme e do t’epet nji vendim i premë, e gjindmja e Shkëlqesiës Tija Aqif Pashës e Shefqet Beut(Vërlacit), asht e domosdoshme, për këtë nuk mund të mendohet asndonji shkak e arsye ndalimi…..” (2)

Nuk dihet pse dy figurat më të rëndësishme të Elbasanit, nuk shkuan në Vlorë, ndërsa sipas një telegrami dërguar dërguar Xhemil Bej Vlorës, organizator i kuvendit të Vlorës, Aqif Pasha kish konfirmuar pjesmarjen në Vlorë. (3)

Fillimisht si përfaqsues të Elbasanit në Vlorë u mandatuan : Mid’hat bej Frashëri, Lef Nosi dhe Shefqet Daiu, të cilët u nisën nga Elbasani në 22 Nëntor.

Në 24 Nëntor përfaqsuesve ju shtua dhe Dervish bej Biçakçiu dhe në 25 Nëntor edhe Qemal bej Karaosmani. Kjo na jepet në telegramin që Aqif Pasha, Shefqet Vërlaci dhe Kryetari Bashkisë së Elbasanit, Alush Saraçi, në 24 Nëntor i drejtoheshin Dervish bej Biçakçiut në Peqin :

“Elbasani emnoi përfaqësues Mid’hat Bej Frashërin, Shefqet Dainë e Lef Nosin dhe pardje u nisën për Vlonë. Pasi zotnia e juaj jeni zgjedhë përfaqësues nga Peqini, natyrisht jo Elbasanin, por edhe gjithë prefekturën e përfaqësoni. Pasi po ju zgjedhim edhe n’emën t’Elbasanit, vepëroni së bashku “.(4)

Dervish bej Biçakçiu ishte njeri me shumë influencë në Elbasan. Në vitin1909, me votat e delegatëve nga gjithë viset shqiptare, ai ishte zgjedhur kryetar i Kongresit Kombëtar të Shkollave Shqipe të Elbasanit. Ishte kryetar i parsisë së shkollës Normale, njëkohësisht një nga financuesit kryesorë të saj.(5)

Në 25 nëntor u caktua edhe delegati i pestë, Qemal bej Karaosmani. Paria e Elbasanit njoftonte me telegram Kryesinë e Kongresit në Vlorë : “Ju bajmë më ditë, se edhe Qemal Beu, qi asht prej Parësiës, u emnue delegat, për me bashkpunue me delegatët e tjerë t’Elbasanit e të Shqipniës.…(6)

Qemal Karaosmanin, gjithashtu nga një familje e shquar e Elbasanit, ngjarja e madhe e gjen drejtor të kadastrës në Berat. Në kujtimet botuar në gazetën “Arbëria” në 28 nëntor 1936 ai shkruan :

“….Vjen një telegram prej Vlone, drejtue Aziz Pashë Vrionit, ku thuhej:

“Ismail Qemal Beu pas-nesër del n’Durrës, dërgoni njerës dhe kuaj t’a merrni, se prej këndej nuk mundemi të dërgojmë.

U mblodhëm në shtëpinë e Aziz Pashës, dhe biseduam ..më shënuan mua dhe unë me kënaqësi e pranova… të nesërmen u nisa për në Durrës tue marrë me vete katër persona nga njerëzit e mi, dhe tre kuaj rezervë. Në Durrës Ismail Qemali gjendej në Hotelin e Aziz Pash Vrionit në buzë të detit… Atë natë fjeta aty dhe biseduam drejtimin e udhëtimit qi do të bajim të nesërmen…”(7)

Nga Durrësi Karaosmani i drejtohet me një telegram, një tjetër elbasanasi të shquar, Bexhet bej Hydit, në Çermë të Lushnjes : “Sot po nisemi edhe po vijmë aty, jemi ma tepër se njizet vetë. Pra, pregatituni edhe na bani vend ke Dervish Beu (Biçakçiu) ose në shtëpinë tuaj. Në dashtë zoti mbrama jemi aty”.( 😎

Në mbërmjen e 23 Nëntorit, karvani i Ismail Qemalit bujti në Çermë, në çifligun e Dervish Bej Biçakçiut e Behxhet Bej Hytit.

Pra si përfundim delegatë në

Kuvendin e Vlorës, si përfaqsues të Elbasanit ishin : Lef Nosi, Shefqet Daiu, Dervish Bej Biçakçiu, Qemal Bej Karaosmani dhe Mid-hat bej Frashëri. Për këtë të fundit lind pyetja : si u ndodh Mid’hat Frashëri në Elbasan ?

Këtë, e sqaron hollësisht ai vetë në letërn që i dërgon më pas nga Vlora Kristo Luarasit në 10 dhjetor 1912, citojmë :

“I dashur Kristo, dola nga nga Shkupi ditën që filloi luftën Serbia d.m.th., më 3 (16) të muajt që doli (nentor,) dhe shkova nga Mitrovica në Ipek (Pejë), Gjakovë, Has, Tej-drin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan e nga Elbasani arthçë këtu(Vlorë). Në Kosovë (d-m-th prej Peje, Gjakove, Gucie, dhe Plave) me tre shokë te tjerë mora letër me nënshkrime të parësisë (mandate) për të treguar që jemi mëkembësit e tyre për çdo gjë që të bëjmë për Shqipërinë. Kur erthmë në Tiranë, qëllimi ynë ish të bënim një kongres kombiar me ndihmë të Abdi bej Toptanit… por kur arritmë gjetëm letrën e Syrja be Vlorës , i cili kish ftuar parësinë me një mbledhje. U gëzuam se kështu e gjenim gati punën. N’Elbasan donja që të bëhej ay qytet si vent i mbledhjes, po atje na erdhi tejshkrimi (telegrami) i Ismail Qemalit , që na lajmëronte se do të dalë në Vlorë dhe ftonte botën me një mbledhje. Edhe pas pakë ditësh arriti në Durrës, bashkë me delegatët e Bukureshtit dhe Gurakuqin. Nga Durrësi, gjithë delegatet e ardhur dhe t’atyre viseve, vanë në Vlore, ku dhe unë vajta me shokët e Elbasanit…Lumo Skëndo “

10 dhjetor 1912 (9)

Analiza e kësaj Leter letër zbulon disa fakte interesante. Ideja për organizimin e një kuvendi kombëtar për të ardhmen e Shqipërisë, kishte lindur dhe filluar të vihej në jetë në tre pika të ndryshme pa lidhje me njera tjetrën, që konverguan në Durrës e Elbasan, prej nga ju drejtuan Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali.

Më herët, pa filluar Lufta Ballkanike, këtë përpjekje e kish filluar Syrja bej Vlora. Në librin “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri” të Eqrem Bej Vlorës dhe Baroneshës Marie Amelie thuhet, citoj:

“Disa muaj më parë, (shpërthimit të Luftës Ballkanike shënim i imi SH.D),…me një vizion të qartë për rreziqet e gjendjes, Syrja bej Vlora ishte përpjekur që t’i bindëte rrethet drejtuese për mbajtjene një kuvendi, që sipas idesë së tij do të ishte hartimi i një programi të qartë në rastin e një humbje të Turqisë, e pashmangshme sipas tij. … Me të hyrë Gushti (1912) ai u dërgoi të gjithë atdhetarëve udhëheqës dhe krerëve vendorë një letër që analizonte gjendjen, njëherësh edhe ftesën telegrafike për të ardhur në Vlorë …”

Madje Syrja Beu shkoi dhe në Vjenë për ndihmë, ku disa javë më parë kish qenë dhe Vetë Eqerm bej Vlora dhe ishte përpjekur të bindëte Ministrinë e Jashtme për planin e të atit. Ai gjeti në Vjenë dashmirësinë më të madhe kundrejt Shqipërisë. Vetë shefi i shtabit të përgjithshëm, baroni Konrad fon Hëcendorf, u bashkua me mendimin e Eqrem e Syrja beut, u tregua shumë i interesuar për fatet e Shqipëisë dhe premtoi të ushtrojë gjithë ndikimin e tij për të shpëtuar pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. (10)

Nga ana tjetër prej disa kohësh, deri në 16 tetor, që filloi Lufta Ballkanike, Mit’hat Frashëri ndodhej në Shkup si mbikqyrës i qeverisë otomane për zgjedhjet parlamentare që pritesh të bëheshin(11). Më 14 tetor 1912, në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka në Shkup, u mbajt një mbledhje për të tërhequr vëmendjen e faktorit të brendshëm dhe kancelarive të fuqive të mëdha, ndaj rrezikut që i kanosej popullit shqiptar. Merrnin pjesë në të Nexhip Draga, Mi´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, etj, (12).

Këtu u vendos edhe për organizimin e një kuvendi kombëtar për përgatitjen e të cilit u caktua një delegacion i përbërë nga Mit´hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani, të cilët në 16 tetor lanë Shkupin, duke kaluar nëpër Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Has, Tejdrin, Guci, Plavë, Kurbin, Mirditë, Durrës, Tiranë, Elbasan. Por siç thotë Mid’hat Frashëri për thirrjen e kuvendit, “punët i gjetën gati” nga Syrja bej Vlora dhe nga Tirana, ai erdhi në Elbasan me mendimin që kuvendi të mbahej në këtë qytet. Por telegrami (tejshkrimi) i Ismail Qemalit, që e ftonte në Vlorë ja ndyshoi planet. Mid’hat Frashëri, u zgjodh edhe përfaqsues i Elbasanit dhe bashkë me të tjerët, nga Elbasani u nis për në Vlorë.

Pse Mid-hat Frashëri dëshironte që mbledhja të zhvillohej në Elbasan ?

Është fakt i njohur që Mid’hat Frashëri kishte simpati për Elbasanin, të cilën e ka shprehur që në Kongresin kombëtar të Elbasanit në vitin 1909, kur në ditarin e tij shkruante :

“ Vërtet më të bukur qytet se Elbasani s’mund që të gjëndej për një të tillë kongres kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe mësimit të gjuhës sonë : njerëzia e elbasanit jo tani, po dhe në kohët despotike, ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe…”(13).

Domethënës është edhe fakti se pas dorheqjes nga qeveria e Vlorës në vitin 1913, ai u vendos në Elbasan, ku punoi si arsimtar (14). Nga ky qytet ai ndërmori dhe nismën e famshme të stilografit të artë për Edit Durhamit, siç dokumentohet nga gazeta “Përlindja e Shqipëniës” të cilës i drejtohej : Zoti Drejtor, Lutem të botoni këto të paka radhë : Këtu n’Elbasan filluam të mbledhim ndihmë nga një metelik për njeri. Duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojme zonjës Edith Durham,si një kuptim për shërbimet fisnike që i ka bërë kombit tonë me shkrimet e botimet e saja. Për të rrëfyer këtë mirënjohje kombi ynë,kemi dashur që edhe ndihma të jetë e popullit dhe nga ky shkak,s’mbledhim më tepër se nga një metelik…..Në komisionin që u formua për këtë ndihmë, janë z.G. Cilka , dr.Ruzhdi beu,Taq Buda dhe unë… (15)

Sëfundi, pse Elbasani zgjodhi Mid-hat Frashërin përfaqsuses të tij në Vlorë ?

Sigurisht që një qyetet si Elbasani, kishte mjaft figura të shquara, por Mid’hat Frashëri spikaste mbi të tjerët. Kishte organizator dhe kryetar i Kongresit të Manastirit, organizator dhe nënkryetar i Kongresit Kombëtar të Elbasanit. Rrespektohej dhe si pasardhës i të madhit Abdyl bej Frashërit.

NË VLORË..

Katër nga përfaqsuesit e Elbasanit, firmëtarë të aktit të pavarsisë janë : Lef Nosi, Mit-hat Frashëri, Shefqet Daiu, dhe Qemal Karaosmani. Dervish Biçakçiu, siç del dhe nga telegramet, (16) ka ardhur në Vlorë një ditë më pas, bashkë me Isa Boletinin e të tjerë, dhe ka marrë pjesë në mbledhjen e dytë, të datës 30 Nëntor. Këtë e vërteton në kujtimet e tij edhe Tafil Boletini, që udhëtonte me Isa Boletinin drejt Vlorës : “… ishin afër tetëqind vetë që shkonin drejt Pavarësisë. Kalorësit kaluan nga Dibra në Librazhd, në Elbasan, Belsh, Lushnje, Fier. Rrëfen Tafili: “…Tej lumit na priste Sami bej Vrioni e Dervish bej Biçaku. Të gjithë shkuam mysafirë të Ymer pashë Vrionit, në Fier. Më 28 ( nëntor) herët u nisëm për në Vlorë…”( 17)

Duhet theksuar fakti se përfaqsuesit e Elbasanit ishin shumë të vlerësuar. Lef Nosi dhe Mith-hat Frashëri u zgjodhën ministra të qeverisë së përkohshme. Shefqet Daiu u zgjodh sekretar i kuvendit bashkë me Luigj Gurakuqin, siç dokumentohet nga telgrami që Qeveria e Përkohshme që njofton Elbasanin për shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë :

“Kongresi u hap. Indipendenca u proklamue. Ismail Qemal Beu u sgjodh kryetar. Sonte do t’i komunikohet Shtetevet te Mbëdha me kablo. Ju urojmë”. – Lef Nosi, Midhat Frashëri, Qemal Karaosmani. Shkruesit e kongresit: Shefqet Daiu, Luigj Gurakuqi (18).

Vetë Shefqet Daiu momentin e shpalljes së Pavarsisë, ndërkohë që ai mbante procesverbalin e mbledhjes, në shkrimin, në gazetën Elbasani, me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë shkruan : “Tepër i thyer nga rryma e luftës, shumë i lodhëm nga mundimi i udhëtimit, fort i menduem për plotësimin e detyrës por ne me një shpresë të fortë qi bante të harrojë ç’do gja tjetër ndodhesha i kërrus ndë tryes, gati për të shkrue, nji për një bisedimet dhe deklaratën e kongresit të primë e të mbledhëm ndën kryesin e të paharrushmit z. Ismail Qemal Vlorës.(19)

Shpallja e Pavarsisë në Elbasan

Gjendjen në Elbasan na e jep telegrami që Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci i dërgojnë Aziz Pashës në Beratn në në 12 Vjeshta e Tretë 1328-1912 “ Situata e jonë asht vështirsue. Ohri edhe Struga ranë. Komandanti serb i ka telegrafue Qukzakvet…dhe i ka pytë zyrtarisht në do të dorzohen apo jo. Nga kjo kuptohet se ka me ardhë edhe këtu …Me qindrue asht e pamundun; sepse popullit tonë le qi s’ka armë, por i u-ka thye edhe morali keq. Paniku mbretnon edhe këtu. Zoti na ndimoftë. (20)

Ndërsa dëshmitari okular Qamil Çelirama e përshkruan kështu : “Bash në panikun e vërshimit të ushtërive serbo-greke-malazeze mbi Shqipninë u përhapën lajmet gazmore, mbi shpalljen e Shqipnisë indipendente. Patriotët tanë të shquem me Ismail Qemalin në krye, kishin korrë suksese diplomatike, dhe kishin ardhë në Shqipni për me ngritë flamurin kombëtar e me shpall indipendencën tonë. Si mbarë populli shqiptar, ai lajm i gëzueshëm ngrofi edhe zemrat e ngrime t’Elbasanasve qi pritshin me sot me nesër invadimin e vendit nga ushtëritë serbe. Të gjithë patriotët e Elbasanit, sidomos neve rinia patriotike, u aktivizuam për me pregatitë flamurë e shqiponja, për me e festue sa më mirë atë ditë. Filluen me kalue nëpër Elbasan delegacione të Shqipnisë së sipërme, të përbamë nga Is Buletini me shokë, për me shkue ne Vlorë, ku po mblidhesh Kuvendi qi do të shpallte indipendencën shqiptare, do të ngrinte flamurin e Shqipnisë, dhe do të formonte qeverinë shqiptare. Ushtëria turke, qi u thye në Kosovë e në Manastir, filloi të tërhiqet nga drejtime të ndryshëm, drejt detit Adriatik, për me u inbarkue në Turqi. Ushtëritë e thyeme qi kaluen nëpër Elbasan, të komandueme nga Xhevit Pasha, insistuen qi të luftojshin për me mbrojt Elbasanin, por patriotët e vendit, qi ishin në dijeni për shpalljen e indipendencës, e detyruen komandën turke qi të hjekë dorë nga nji veprimtari e rrezikshme dhe e damshme. Serbët, tue mos gjet resistencë në marshimin e tyne, po i afroheshin Elbasanit, prandaj patriotët e qytetit tonë shpejtun me e ngritë flamurin e Shqipnisë n’Elbasan para se të ngrihesh në Vlorë. Ai gëzim qe çashtje orësh, qyshse ushtëritë serbe, edhe se u lajmëruen pse po shpallesh indipendenca shqiptare, e se n’Elbasan u ngrit flamuri i Shqipnisë, vazhduen marshimin e tyne për me dalë në Adriatik. Si rrjedhim, ata pushtuen Elbasanin dhe e ulën flamurin tonë tue e zavendësue me të tynin. Elbasani i priti serbët si miq të paftuem, tue nxjerr nji komison pritës të përbamë prej parisë së vendit, disa orë larg Elbasanit. Të sigurtë, se qëndrimi i serbëve n’Elbasan e në vise tjerë t’atdheut ishte i përkohshëm, neve bamë durim për me e përballue zgjedhën e re, qi na dukesh edhe ma e randë se ajo e Turqisë………”

Në vitin 2009 në arkivin e Ushtrisë Jugosllave në Beograd, u gjend dokumentin i pavarsisë së shpallur në Elbasan në 25 Nëntor 1912. Ja teksti …

Shpallje për vetqeverimin e Shqipnisë,

Na gjindja e Elbasnit, pa ndonji shtrëngim të jashtëm ose të brendshëm,… bashkë me gjithë qytetarët e Shqipnisë po i bajmë të ditun gjithë botës së qytetërueme se sot shpallim vetësinë të.. Shqippnisë tonë nga mbretnia Ottomane tue u numurue si një komb i lirë i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve të Europës, shprehem se do të qeverisim me nder, drejtësi, dhe nji paansi të plotë, pa vanë re ndryshim feje apo dogme. Ç’ do shqiptar ose i huej do të mund të rrojë lirisht duke gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe na kemi nërmend të rrojmë vllazënisht edhe me qeveritë fqinjëse, pa dashur t’u bajmë as të paktin dam, por duke ju lutun të na ndihmojnë në vetqeverimin tonë edhe rrëzimin e qeverisë Ottomane. Rroftë Shqipnia e lirë. Kështu e baftë Zoti!

Na përfaqsuesit e Elbasanit vërtetojmë të sipërmen duke vumë ndënshkrimin tonë. “

Duke lexuar këtë dokument befasohesh nga idetë që në pak rradhë hedh. Prirjen pro Europiane, tolerancën fetare dhe etnike. Madje arrihet deri në të drejtat njerëzore. Fakti që ky dokument është shkruar në vitin 1912, lartëson vlerën intelektuale të atyre që e hartuan. Nisur nga gjuha, gegërishtja e Elbasanit dhe shprehjet e përdorura, akti është hartuar nga një elbasanas, ende i panjohur, që përdor alfabetin latin të Manastirit që kishte pak kohë që ishte futur në përdorim. Masa e gjërë atë e kishte përvetësuar shumë shpejt. Por shkruesit duket ka njohur edhe edhe alfabetin e Stambollit që Kongresi i Manastirit i 1908 e kishte lënë në përdorim. Kështu me një fjalë ai tingullin “dh” e paraqet me shkronjën “ δ “ , që i takon alfabetit që përdorën vëllezërit Frashëri.

Shpallja e pavarsisë, telegrafisht ju njoftua Ismail Qemali në Vlorë : “ Gjithë populli ynë, myslymanë e të krishtenë, me nji za kanë PRANUE idependencën e Shqipnisë,

Në emën të gjithë popullit të prefekturës së Elbasanit

Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, zavendës mitropolit Papa Dhimitër Dhimitruka.

Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu, Abdulla Bej Tirana, Fuad Bej Kareman Beu(Biçaku), Servet Bej Zylfi, Ismail Bej Xheladin Beu, Ali Agjah Bej, Maliq Bej Riza Beu, Demir Bej Sulçe Beu, Refik Myftiu, Mahmut Guma, Xhaferr Pasmaqi, Hysein Sulova, Ruzhdi Alush Saraçi, Beniamin Deliana, Beniamin Nosi, Taq Buda, Kolë Papajani, Lazër Papajani, Serafin Jorgaqi, Haxhi Nikollë Jorgaqi, Mihal Prifti, Dhimitër Paparisto, Emin Haxhiadem Shijaku, Rrapush Demeti, Mahmut Hakani, Hysein Dakli, Jusuf Bej Taushani, Hasan çifte, Ymer Peni, Hysein Hastopalli, Demir Zenelhoxha(22) Dëshmitari okular Jovan Dimitresku,ish shefi i kabinetit të Ahmet Zogut në kohën e republikës, dëshmon : “ .. kam qenë i pranishëm në ceremoninë e ngritjes së flamurit për herë të parë në ndërtesën e Prefekturën së Elbasanit, në 25 nëntor 1912…..Kryetari i qeverisë së përkohshme në Elbasan atëherë ishte Aqif pashë Elbasani “.

REZIKU SERB..

Nga telegramet botuar në “Dokumenta Historike “ del se për këtë problem ka pasur një komunikim intensiv ndëmjet parisë së Elbasanit, Ismail Qemalin dhe komandës së forcave Serbe. Duke pasur parasysh eksperiencën e madhe diplomatike të Ismail Qemalit, paria e Elbasanitit për çdo hap komunikon me të (23). Dhe Ismail Qemali i udhëzon :

“…i dërgoni komandantit t‘ushtëriës serbe me anë të nji komisioni të posaçëm nji shkresë të ndënshkrueme prej Këshillës Administratore, tyke i kërkue pushimin e vepërimevet anmiqsore kundrejt jush, passi edhe Elbasani si gjithë Shqipnia ka proklamue indipendencë edhe lufta qi i kanë shpallë Turqiës Serbia me shtetet e tjera , naturisht nuk ka të bajë me Shqipniën indipendente. (24) Ndërkohë presioni i ushtrisë Serbe shtohet. Komandanti Serb Gjenerarali Metoviç nga Ohri i shkruan Kryesiës së Bashkisë së Elbasanit se :

“N’i u dorëzofshi edhe ju ushtëriës serbe … edhe n’i dhançi armët të gjitha, ju ap fjalën se do t’ju sigurohet çdo gja; domethanë: feja, pasunia, jeta e qetësia e juej…..Përgjigjen tuej e pres në zyrët telegrafike“(25)

Kopia e këtij telegrami i dërgohet Ismail Qemalit në Vlorë, dhe përgjigja e tij nuk vonon:

“Kopiën e telegrammës qi ju dërgon komandanti i ushtëriës serbe gjeneral Metoviç kryesiës së Bashkiës s’Elbasanit e këndova. Indipendenca u shpallë në gjithë viset e Shqipniës edhe sot u formue e u ngref Qeverria e Përkohshme Kombëtare. T’i përgjigjeni se asht i pa-drejtë vazhdimi i anmiksiës, nga ana e Mbretniës Serbe, kundrejt Shqiptarvet qi nuk po i apin asndonji shkak anmiqsie edhe i bani me ditë se në mos dëgjoftë, Shteti Shqiptar do të protestojë e do të shtrëngohet me kërkue mbrojtje e drejtësië nga Shtetet e Mëdha. Lutemi me na e bamë të ditun sa ma shpejt përgjigjën qi do të merrni. ..”(26)

Një ditë më pas, është kryetari i bashkisë së Elbasanit Alush Ruzhdi Saraçi që i drejtohet Komandantit serb në Ohër: “Parësia e qytetit u mbloth. Ju baj me ditë se ndëpunësit turq i përzunë me kohë edhe kanë formue nji Qeverrië Indipendente me emnim Qeverria e Shqipniës.(27)

Ndësa Aqif Pasha :

“Ndashti qi u shpallë Indipendenca e gjithë Shqipniës, ruejtja e situatës së re politike të saj ka me u caktue pas përfundimit të korespondencës e bisedimevet qi do të bahen ndërmjet të Qeverriës tonë Qendrore e të Qeverriës tuej…në Prefekturët tonë, nuk do ti vijë asndonji dam, asht e ditun se përkohësisht e si mik do të priten mirë…”(28)

Ismail Qemali dërgon dhe kopjen e një proteste që duhej t’i dorzohej komandantit serb nga Aqif pasha në emër të qeverisë së përkohshme të Elbasanit :

“Tyke qenё se gjithё Mbretniёt dhe Mbretnia e Juej, e pohojnё qenjen kombёtare tё kombit Shqiptar, edhe ai ka shpallё Indipendencёn e Tija e i a ka njoftue zyrtarisht Mbretnivet tё Mёdha, Mbretnivet tё Balkanit edhe Ministriёs sё Punvet tё Jashtme tё Serbiёs, marr vesht, se Fuqia Ushtarake qi asht ndёn komandёn Tuej, po ecёn pёrpara e ka nё mёnd me shkelё Elbasanin. Asht e ditun se sikur se shkelja e tokёs Shqiptare asht kundёr sё drejtёs, ashtu edhe shkelja e Elbasanit prej Jush do me thanё se kёrkoni me i ngelё mbё qafё nji vendi indipendent, i cili nuk dishron me luftue me Serbiёn. Protestoj vepёrimin Tuej edhe lutem tё prapseni nga ky vepёrim.”(29)

Më poshtë ai e udhëzon Aqif pashën : “Telegrammёn tonë të protestёs pёr Komandant Metoviçin t’i a epni me anё tё zyrёs telegrafike t’Elbasanit nё Ohёr, nё qoftё se asht atje. Nё qoftё se nuk asht e mundun me i a dhanё Ohrit, athere t’i a epni komandantit qi po vjen n’Elbasan…” (30)

Një përfaqsi nga paria e vendit, i priti serbët disa orë larg Elbasanit dhe i dorëzoi aktin e pavarsisë që përmendëm më lart. Ky akt i është dërguar komandës së ushtrisë serbe në Beograd, prandaj dhe ndodhet në arkuivin e Ushtrisë serbe, ku dhe u zbulua disa vite më parë.

Fundi i përfaqsuesve të Elbasanit

Ashtu si i shumicës së aktorëve të pavarsisë së Shqipërisë, fundi i tyre ishte tragjik. Lef Nosi u pushkatua. Shefqet Daiu u dënua me 30 vjet dhe vdiq në burg, Mid-hat Frashëri u shpall kriminel lufte dhe vdiq në mërgim në Nju Jork, mendohet i helmuar nga komunistët. Dervish Biçakçiu u shpall kriminel lufte dhe vdiq në mërgim në Damask. Qemal Karaosmani vdiq në Kavajë i harruar nga regjimi komunist…

Po e mbyll me At Zef Pllumin, në librin “Rrno vetëm për me tregue” :

“Njerëzit që kanë ba Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frshëri. Faik Konica, Ismail Qemal Beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e pak tjerë si këta e krijuan Shqipninë…… Kjo asht e vërteta historike. Populli ishte ky…. (i prapambetur), intelektualët kjenë ata që e banë Shqipninë……nuk kemi kurrnji të drejtë me i gjykue për gabimet politike që kanë ba në jetë e tyne, se po ta bajmë këtë, atëhere tregohemi mosmirënjohës. Pa ata nuk do ta kishim Shqipninë e lirë….Na nuk kemi asnji të drejtë ti gjykojmë personalitetet shoqnore – politike të asaj kohe, me ato koncepte që kemi sot. Sigurisht që në atë kohë ata kanë ba politikën që duhej për interesin e popullit shqiptar aty për aty”.(31)

BIBLIOGRAFI

1-L.Nosi “Dokumenta Historike”f.69

2- L.Nosi“Dokumenta Historike”f.75

3-Ilir Konomi, Pavarsia Ilir ikonomi, Pavarsia. Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit,UET Press 2012, F.166

4- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.79

5- Gazeta Tomorri, Elbasan, Qershor 1910

6- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.83.

7-Qemal Karaosman, Një udhëtim historik në nëntor 1912, gazeta Arbëria,28 nëntor 1936.

8- L.Nosi “Dokumenta Historike”f.76).

9 -Mid’hat frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f.387)

10- Eqrem Bej Vlora, Marie Amelie von Godin, Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri,Shtëpia botuese 55, f.205-209, Tiranë 2010.)

11-Mustafa Kruja, Antologji Historike, Sejko Elbasan,f267

12- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008, fq. 48-49.

13- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f539

14- Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f.22.

15 – Mid’hat Frashëri, Elita Shqiptare, përgatitur nga Uran Butka, Plejad 2008,f539

16- L.Nosi “Dokumenta Historike” f97)

17-Tafil Boletini: Kujtime; përgatitur nga prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003

18 – L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.97

19- Shefqet Daiu, “Flamuri e Dita 28 Nânduer “ Gazeta Elbasani ,28 Nëntor 1922

20- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.81

21 – Ilir ikonomi, Pavarsia. Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit,UET Press 2012, f 209

22 – Lef Nossi , Dkumenta Historike f.80

23- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.85

24- L. Nosi,“Dokumenta Historike” f.104

25 – L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.96

26- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.95

27 – L. Nosi,“Dokumenta Historike” f107

28- L. Nosi,“Dokumenta Historike” f.108

29- L. Nosi,“Dokumenta Historike”f111

30-L. Nosi,“Dokumenta Historike”f.111

31 – Zef Pllumbi, Reno vetëm për me tregue F. 493

(Kumtesë në konferencën ndërkombëtare

“Lef Nosi – figurë qendrore e historisë dhe e kulturës shqiptare” Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe Qendra e Studimeve Albanologjike.

Filed Under: Analiza

Thanksgiving: Festa e Mirënjohjes, Kujtesës dhe Bashkimit

November 27, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Thanksgiving, një nga festat më të vjetra dhe më të dashura të kulturës amerikane, i tejkalon kufijtë e një darke tradicionale me gjel deti dhe ëmbëlsira sezonale. Ajo është një ditë e rrënjosur në historinë e vendit, një moment i përbashkët reflektimi shoqëror dhe një ritual i mirënjohjes që u ka rezistuar shekujve. Çdo nëntor, Shtetet e Bashkuara ndalen për të falënderuar: për familjen, shëndetin, mundësitë, mësimet e vitit dhe shpresën që ushqen të ardhmen.

Rrënjët historike të mirënjohjes

Festa e parë e Thanksgiving daton në vitin 1621, kur kolonët e Plymouth-it dhe popullsia vendase Wampanoag, pas një viti të mbushur me vështirësi dhe humbje, festuan korrjen e parë të bollshme. Në thelb, nuk ishte thjesht një banket, por një akt i fuqishëm falënderimi dhe bashkëpunimi, një shembull se si ndarja, mbështetja dhe solidariteti mund të jenë themelet e mbijetesës. Pikërisht ky moment historik e ka bërë Thanksgiving një festë që ndryshon në formë, por jo në përmbajtje: ajo vazhdimisht na kujton vlerën e njerëzores dhe të ndihmës reciproke.

Nga kolonia te kombi: Transformimi i traditës

Festa mori formë moderne gjatë shekullit XIX falë shkrimtares Sarah Josepha Hale, e cila loboi për krijimin e një dite kombëtare të mirënjohjes. Në kulmin e Luftës Civile, Presidenti Abraham Lincoln e shpalli zyrtarisht Thanksgiving-un festë federale (1863), duke e parë si mjet pajtimi dhe uniteti kombëtar.

Në një periudhë të copëzimit shoqëror, Lincoln kërkoi që vendi të përqendrohej te ajo që e bashkon — një mesazh që ruan vlefshmërinë edhe sot.

Tryeza moderne: Vendtakimi i shpirtit familjar

Në botën e sotme, Thanksgiving është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për familjet amerikane. Tryeza është bërë rituali qendror i festës: një hapësirë ku gjeneratat ribashkohen, ku ritmi i jetës ngadalësohet dhe ku fjalët “jam mirënjohës” marrin kuptim konkret. Menuja tradicionale — gjel deti, stuffing, salca e boronicës, misri, patatet, kungulli — është pjesë e identitetit kulturor amerikan. Por janë bisedat, kujtimet, buzëqeshjet dhe pajtimet ato që e mbajnë të gjallë këtë traditë shekullore.

Mirënjohja: një filozofi jetësore

Në një realitet ku nxitimi, pasiguria dhe sfidat ekonomike mbizotërojnë, Thanksgiving i rikujton shoqërisë rëndësinë e ndalesës. Psikologët theksojnë se mirënjohja ul stresin, përmirëson gjumin, rrit humorin dhe forcon lidhjet emocionale. Duke u kthyer nga vetvetja, kjo ditë i fton njerëzit të vlerësojnë jo vetëm arritjet, por edhe mësimet e vështira. Mirënjohja shndërrohet në akt të ndërgjegjes: një mënyrë për të parë të mirën edhe kur vitet nuk janë të lehta.

Solidariteti: Dimensioni shoqëror i festës

Një prej tipareve më fisnike të Thanksgiving është angazhimi i gjerë shoqëror në ndihmë të komuniteteve në nevojë. Strehimoret organizojnë vakte për të pastrehët, vullnetarë nga çdo moshë shpërndajnë ushqime dhe organizatat lokale mobilizohen për t’i dhënë secilit mundësinë e një feste të ngrohtë.

Ky solidaritet mishëron thelbin e Thanksgiving: mirënjohja nuk është e plotë po nuk u nda me të tjerët.

Emigrantët dhe festa: Ndërthurja e kulturave

Për diasporën shqiptare dhe shumë komunitete të tjera emigrante, Thanksgiving ka marrë formën e një feste ndërmjetësuese midis dy identiteteve: atij kombëtar dhe atij amerikan.

Në shumë tryeza shqiptaro-amerikane, gjeli i pjekur gjen vend përkrah byrekut, ndërsa bakllavaja ngrihet krah salcës së boronicës. Ky mozaik kulturor simbolizon harmoninë, adaptimin dhe ndërtimin e një identiteti të ri të përbashkët. Festa u krijon emigrantëve një mundësi unike për të reflektuar mbi rrugëtimin e tyre, për të falënderuar për mundësitë dhe për të mbrojtur lidhjen me traditat e tyre.

Thanksgiving përtej kohës

Ndërsa bota përballet me tensione politike, polarizim, sfida ekonomike dhe ritme të shpejta, Thanksgiving qëndron si një thirrje e përjetshme: të ndalojmë, të mendojmë dhe të falënderojmë. Ajo është festë e përbashkët, e thjeshtë në formë por e thellë në përmbajtje — një kujtesë se pavarësisht vështirësive, gjithmonë ekzistojnë arsye për mirënjohje.

Përfundim

Thanksgiving është shumë më tepër se një traditë amerikane. Ajo është një filozofi humane, një udhëzim moral dhe një moment reflektimi mbi vlerat më të rëndësishme të jetës: familjen, miqësinë, dashurinë, shëndetin dhe paqen. Në një botë që shpesh harron të ndalet, kjo festë na rikujton se mirënjohja është një akt i domosdoshëm — një rit i vogël me zemër të madhe, që ka fuqinë të transformojë marrëdhëniet dhe vetë përditshmërinë tonë.

Gëzuar Thanksgiving!

Filed Under: Fejton

“LULET E VERËSË” VOLUMI POETIK QË EMANCIPOI LIRIKËN SHQIPTARE

November 27, 2025 by s p

Dr. Neli Naço/

Lulet e Verës botuar më 1890 në Bukuresht, është përmbledhja e Naim Frashërit e cila është quajtur si një përmbledhje e cila solli dhe modernizoi lirikën shqipe, solli një modernistet në poetikën e poezisë shqipe. Naim Frashëri poeti i cili i kushton vëmendjen emancipimit të botës shqiptare, e mbush veprën e tij me humanizmin e munguar, e shton në doza të mëdha butësinë që shqiptarit i ka munguar prej shekujsh, me Lulet e Verës përpiqet të bëjë hapin e madh dhe vendimtar: të krijojë një vepër eprore të lirikës shqipe. Një nga veprat që përjetësisht do të mbetet si monumenti më i rëndësishëm i lirikës, sepse është i pari monument; sepse nuk është vetëm i pari, por është edhe volumi më pretendioz në atë çka sjell në konceptimin lirik të veprës: sepse është i lirshëm siç duhet të jetë një vepër e hapur poetike; sepse është i hapur ndaj mendimit dhe meditimit njerëzor; sepse është volumi perfekt i cili sjell atë çka është vërtet shqiptare në mënyrën më të harmonishme që poezia shqipe ka njohur deri atëherë. Sepse është i hapur ndaj mendimit dhe memorjes dhe nuk paragjykon askënd. Emancipimi i tij është aq i plotë sa duket sikur koha nuk ia ul vlerat, por e lartëson për vlera të mëdha që do të mbeten të patjetërsueshme në gjithë historinë e shkrimit shqip.

Në përgjithësi poezia e tij, vepra e tij, thellohet në ideologjinë e “fortë” kombëtare. Luan Topçiu e ka përcaktuar kështu: “Naim Frashëri përbën një personalitet që krijoi një epokë si një dishepull i Rilindjes sonë kombëtare, një çelës i udhëve të letërsisë shqipe: krijuesi më në zë i letërsisë artistike shqipe, krijues i gjuhës kombëtare, vendosës i kufijve shpirtërorë të shqiptarëve, krijues i “matricës stilistike shqiptare”, krijues i “horizontit hapësinor inkoshient kombëtar”. Që në fillim duhet thënë se poezia e klasikut të madh shqiptar nuk ka qenë vetëm vepra e një shërbyesi romantik të frymëzimit, por e një artisti të ftilluar, një misionari, “një apostulli të shqiptarizmës”, një krijuesi të poetikës në kuptimin modern të fjalës.”

Lulet e Verës është vëllimi që qëndron në kurorën e krijimtarisë së lirikës shqiptare, është pikërisht vëllimi që krijon në krye sepse përpiqet të ndryshojë një raport i cili në vëllimin e gjithë literaturës kombëtare të Rilindjes është thuajse dukshëm i vërejtur: aty ideali lirik është markuar më së shumti prej idealit atdhetar, ai përbën bazën e shprehjes lirike dhe format e shfaqjes janë të plota e të qarta edhe kur janë të treguara përmes simbolikave. Lulet e Verës në fakt përbën përpjekjen për ringritjen filozofike të lirikës brenda veprës së Naimit, për ringritjen e idealit lirik në një përpjekje tërësisht të re, për të krijuar kufirin e ri të lirikës shqipe, ku ideologjia më së shumti nuk është një formë e artikuluar me një fuqi madhore, por kësaj here është e filtruar përmes mesazheve thellësisht lirike, përmes mesazheve filozofike e teologjike dhe format e shprehjes së patriotizmës së drejtpërdrejtë janë shumë të rralla.

Koncepti ndërtimor ku çdo poezi e vëllimit është konceptuar si një Lule është shumë sinjikativ, shkon më larg në konceptin ndërtimor filozofik edhe se e mirënjohura poemë Bagëti e Bujqësia. Nga gjithë vëllimet që Naim Frashëri ka krijuar në gjuhën shqipe Lulet e Verës është më i pastri, më i kthjellëti vëllim, më i lirshmi. Kjo lirikë është nga pikëpamja e mendimit dhe konceptimit meditativ (jo e formës lirike) më afër me poezinë lirike popullore, ose me lirikën filozofike e teologjike, mendimi ngrihet në majat dhe bie në humnerat e veta; krijuesi shpalos thellësitë vetanake të qenies dhe shumë pak priret nga dëshira e një patriotizme tregimtare e cila vërshon më fort në vëllimet e tjera, por këtu ka vetëm formën e njërës prej këtyre luleve të larmishme. Poezia patriotike këtu ka më tepër rolin e rritjes koloristike të vëllimit, është ngjyrë që pasuron këtë teksturë të pasur ngjyrash që krijon poeti. Në këtë kuptim ajo tingëllon krejt e natyrshme në vëllim dhe rri e patrazuar. Koncepti ideologjik është i filtruar brenda harmonisë spirituale të vëllimit. Më vjen ta quaj Lulet e Verës vëllimi më spiritual që krijon Naimin në shqip.

Kërkimi që bën Naimi është i natyrshëm. Kërkon të gjejë Jetën brenda bukurisë së Krijimit, dhe tek Krijimi të gjejë Perëndinë në forma të qashtra meditative, ku misticizmi zë një vend të parëndësishëm, por përroi i mendimeve e shpie në një racionalizëm poetik të tipit “e kërkoj, e mendoj, e gjej, pra aty është”.Poezia “Jeta” e ilustron shumë bukur këtë mendim:

Sa e dua gjithë jetën

Se atje gjej të vërtetën,

Ose

Dhe njerin’ e bagëtinë

Dhe gjithë ç’është në jetë

I dua si Perëndinë

Se ngado të këthenj sytë

Shoh atje Zotn e vërtetë

Q’është një e s’ka të dytë.

Në poezitë e vëllimit Lulet e Verës shfaqet dhe njeriu si një qenie ekzistenciale që strukur në vetvete pret fundin e vërtetë. Naimi vizaton figurën e njeriut të strukur në vetvete “me tëmbëla në duar” sic do të thoshte Lasgush Poradeci që mediton për fundin e pashmangshëm, që krahason natyrën me botën humane ku trishtimi spiritual për ikjen është i përzier me mendimin racional për pashmangshmërinë e vdekjes, ku pajtimi me të vërtetën do të jetë e vetmja zgjidhje. Aty pritja dhe dhimbja janë të përziera duke shkaktuar ndjenja që vetëm brenda qenies ekzistenciale mund të kuptohen. Frika dhe qetimi i saj, tmerri dhe ngushëllimi janë thelbi elementar i poezisë “Koh’ e shkuarë”.

Dy koncepte poetiko-filozofike na zbulohen në poezitë e e njohura “Zemëra”, dhe “Zëmëra” tek poezia e parë i ashtuquajturi panteizëm i poetit, i shtrirë kudo në poezinë e tij, është i ndërtuar nga një lloj shkallëzimi; poeti artikulon poetikisht që fuqia e Perëndisë, fuqia e krijimit që ka ajo gjendet kudo në natyrë, por vendi më i duhur ku lexohet kjo fuqi e krijimit është “zemra”. Konceptin e zemrës si fuqi prej nga buron energjia e gjejmë padyshim edhe në poezinë e Lasgush Poradecit në disa forma të ngjashme. Zemra sipas Naim Frashërit është vendi ku fuqia e Perëndisë prehet më shpesh.

“Më tepër zëmrën tënë

Atë ka për fron,

Nukë ja dëgjon zënë

Zënë s’e dëgjon.”

Sipas konceptit naimian aty ku është energjia jetësore më e fuqishme, tek vendi ku fillon artikulimi shpirtëror dhe tek vendi ku ky artikulim shpirëror mbaron (apo rikthehet) aty është dhe vendi ku fuqia e Perëndisë prehet, ose më saktë aty qëndron.

Poezia “Zëmëra” është një poezi e cila merret pikërisht me qendrën atë që prodhon mendimin dhe emocionin, qartësinë dhe ekspresivitetin. Kjo poezi është jo më për Perëndinë dhe fuqinë e saj, por për qendrën emocionale të njeriut, e konsideruar si fillesa e gjithë energjive shpirtërore prej filozofisë romantike gjermane dhe romantizmit gjerman. Është thënë qartë dhe është pranuar që lidhjet e poezisë së Naimit janë kryesisht me poezinë e romantizmit frëng, por duhet kërkuar ndonjë lidhje e poezisë së tij edhe dhe me romantizmin gjerman, dhe lidhja fillestare duhet të jetë prej dy poezive të tij të titulluara “Zemëra” dhe “Zëmëra”.

Një poezi e cila mund të quhet një vazhdim konceptual i poezisë “Zëmëra” është edhe poezia “Të vdekuritë”. Është një rikthim i poezisë në truallin kulturore bizantine, në një hapësirë mentale që krijon një lidhje të pashkëputur të të gjallit me të vdekurin. Gjithmonë kjo poezi e Naimit më ka kujtuar një rrëfim të censuruar të Mitrush Kutelit (një tregim antropologjik sipas një cilësimi që ) po me titullin “Të vdekurit”. Artikulimi i poezisë me artikulimin e prozës nuk kanë të përbashkëta formale, por të dyja krijojnë këtë lidhje e cila e shpie qenien njerrëzore në një nivel më të lartë shpirtëror dhe mistik. Mendimi për vdekjen dhe të vdekurit (e tjerë), është në thelb një mendim për qenien, ekzistencën dhe fundin e saj. Thashë më sipër se ai nëpërmjet kësaj poezie rikthehet në trojet mentale bizantine jo thjesht duke parë në mënyrë racionale se ku veproi dhe jetoi Naimi, dhe se kultura e anase dhe ajo franceze e ndikoi fort atë, por në tekstin e tij ai shpreh një mentalitet i cili është tipikisht i kësaj pjese të Ballkanit.

Unë kam shumë mallë,

Këtu më si shoh dot,

Shpreh ne i madhi Zot,

Do t’i gjenj të gjallë.

Meditimi merr forma më njerëzore kur i nënshtrohet mendimit racionalist. Dhe mendimi racionalist e pranon se mund të shkojë deri diku, por jo përtej. Mendimi i Naimit për vdekjen merr forma të tjera kur ai bëhet më racional. Tek “Një lul’ e fishkurë a një vashëz e vdekurë” mendimi për vdekjen është i dyshimtë, poeti pohon në një farë mënyre se nuk e di se cdo të ndodhë me vashëzën e vdekur.

Të linç për të vdekur prapë,

E të vdeç që prapë të linç,

Edhe kështu ver e vapë,

Gjithënjë të veç e të vinç?

Apo përjetë të shkosh,

Mosqenia të të mbulonjë,

Edhe ti jetën ta harrosh,

Dhe’ ajo ty të të harronjë?

Mendimi i Naimit në një mënyrë shumë interesante endet midis dy poleve të cilat kthehen në alternativa të krijuara nga formimi i tij midis racionalizmit dhe mistikës, pra gjetja e pyetjes se ku shkon njeriu pas vdekjes është një problem që mund të ketë këto dy zgjidhje.

Kuptimet e shumëfishta të bukurisë janë një udhëtim në ciklin poetik “Bukuria” i cili është ndërtuar me një vetëdije dhe koncept shumë të studiuar. Nuk është një grup poezish rastësore, por një ciklim i parajetës, i jetës dhe i fundjetës. Një poezi që ka në thelbin e saj gjetjen e bukurisë femërore midis formave të përjetshme të bukurisë. Dhe ndërsa jeta e njeriut vjen e venitet, bukuria ruan format e pavdekshme brenda formave të së gjallës. Poezia ku naimi ka arritur të koncentrojë mendimin e tij poetik në një formë shumë të lartë.

Ndërthurur vëllimi ka edhe një grup poezish të cilat janë të mirënjohura për shkak të artikulimit dhe koncepteve të nacionalizmit, patriotikes, shqiptares e të tjera, por ky grupim nuk përbën një gjë të panjohur tashmë.

Na intereson vëllimi Lulet e Verës si një vëllim ku Naimi bën përpjekjen madhështore për të kaluar poezinë e tij nga niveli edukativ, në nivelin estetik. Ai është në kërkim dhe hulumtim të mistikes dhe ontologjikes, ku shqyrton marrëdhëniet e bukurisë së përjetshme me bukurinë e përkohshme, ku arti e shkrin ideologjinë puritane në formën më elegante të ideologjisë për një art shqiptar me vlera universale. Sipas këtij koncepti ajo përbën një revolucion artistik, të parin revolucion artistik, në poezinë e Rilindjes Kombëtare.

Filed Under: ESSE

Nga pluhuri në dritë: Rizbulimi i trashëgimisë së Lef Nosit

November 27, 2025 by s p

Me rastin e festave, eksluzivisht për gazetën “Dielli”

Nga Hektor Çiftja, Universiteti “A.Xhuvani”, Elbasan

Një shtatore e harruar që ringjallet

Në panteonin e heronjve shqiptarë, disa figura kanë qëndruar në hije, si shtatore të mbuluara nga pluhuri, që presin një ag të ri për të zbuluar formën e tyre të vërtetë. Lef Nosi (1877–1946) është një nga këto figura. Për dekada me radhë, emri i tij qe thuajse fshirë nga historitë zyrtare, i fshehur në errësirën e shekullit të trazuar shqiptar. E megjithatë, koha di të lustrojë mermerin e vërtetë. Teksa Shqipëria kremton mbi një shekull pavarësi, trashëgimia e Nosit shkëlqen më bukur e më krenare se kurrë, e rilindur për t’u admiruar nga një brez i ri. Historia e tij na kujton se vlerat e atyre që punojnë pa u lodhur për kombin e tyre janë, pa dyshim, të pavdekshme. Lavdia që vjen me vonesë, pas një heshtjeje të gjatë, shpesh del të jetë më e sigurt dhe më fisnikja nga të gjitha.

Sot, kontributet e Lef Nosit po dalin sërish në dritë. Më shumë se patriot a intelektual, ai ishte një arkitekt vizionar i shtetit shqiptar dhe një aktivist shoqëror i palodhur. Ai nuk kërkoi kurrë shpërblim personal për shërbimin e vet; përkundrazi, ia kushtoi gjeninë e tij një kauze të madhe: lindjes dhe mbijetesës së një Shqipërie të lirë. Duke e sjellë sot historinë e tij, ne soditim një pamje prekëse — si një kryevepër e humbur që nxirret më në fund nga hijet. Shembulli i Nosit na flet drejtpërdrejt, sidomos të rinjve shqiptarë nëpër botë, duke na shtyrë të kuptojmë se të shërbesh një kauzë të madhe me përulësi është forma më e lartë e atdhetarisë.

Një gjeni i të shërbyerit ndaj kombit

Si e masim përmasën e gjeniut? Jo të gjithë gjenitë lënë pas romane epike apo monumente me emrin e tyre. Disa, si Lef Nosi, janë gjenitë e shërbimit, arkitektë të heshtur të përparimit, vepra e të cilëve është endur në indin e kombit. Të kujtosh një njeri të tillë është një detyrë e delikate: të ndash atë që shkroi nga mënyra si jetoi do të thotë ta shtrembërosh karakterin e tij. Gjenia e tij e vërtetë nuk qëndron te vetëlavdërimi, por te përkushtimi pa interes. Historia e Shqipërisë nuk do të ishte ajo që është pa këtë lloj heroi të pashpërblyer.

Lef Nosi ishte vërtet një nga etërit themelues i shtetit shqiptar, por një themelues ndryshe, i atij lloji që rrëfimet e zakonshme shpesh e lënë në hije. Ai nuk kërkoi dritat e skenës në ballë të ngjarjeve të mëdha, por qe gjithnjë aty, duke i bërë të mundura ato ngjarje prapa kuintave. Mendimi humanist perëndimor do ta quante një “gjeni riprodhues”: një njeri, gjenialiteti i të cilit shfaqej në ushqimin dhe ndërtimin e ideve të të tjerëve, duke mundësuar rilindjen e një kombi të tërë. Që ta çmojmë si duhet Nosin, duhet të kthejmë vështrimin nga parada e figurave gjigante dhe të njohim fuqinë e “gjenive të heshtur” të historisë, atyre që dalin përpara kudo e kurdo që kërkohet, ndërtuesve pa pretendime. Lef Nosi e mishëroi këtë lloj heroizmi dhe, nëpërmjet tij, na sfidon të rishohim se ç’do të thotë madhështia e vërtetë.

Rolet e shumta të një heroi të pashpërblyer

Nëse ndonjëherë një njeri i vetëm ka marrë përsipër shumë rrole në shërbim të vendit, ai ishte Lef Nosi. Herë pas here, ai vinte në dispozicion talentet e veta për të mbushur çdo boshllëk atje ku Shqipëria kishte më shumë nevojë, duke provuar se atdhetaria do të thotë punë, jo lavdi. Kontributet e tij formojnë një listë frymëmarrëse:

Arsimtar dhe shtetndërtues: Që i ri, Nosi ndihmoi në hedhjen e themeleve të arsimit shqiptar. Ai ishte organizator kyç i Kongresit të Elbasanit (1909), që themeloi Shkollën Normale të Elbasanit, shkollën e parë kombëtare të mësuesve. Edhe vetë dha mësim në kurset e mbrëmjes në Normalen e sapohapur, duke ushqyer brezin e ri me gjuhën dhe historinë e vet. Kështu, ai i dha një populli të copëtuar dhuratën e dijes dhe të unitetit.

Modernizues i komunikimeve: Kur Shqipëria shpalli pavarësinë më 1912 dhe duhej të vihej në funksion si shtet, Nosi pranoi të shërbente si Ministër i Postë-Telegrafëve. Në atë rol, ai lidhte shqiptarët përmes një rrjeti kombëtar komunikimesh. Nën drejtimin e tij, Shqipëria lëshoi pullat e para postare, mbi pulla osmane të mbishkruara me shqiponjën dykrenare, që një shtet sapolindur të mund t’i dërgonte fjalën botës se ishte i pavarur. Një popull i izoluar më parë mund të fliste, më në fund, me një zë.

Përkujdesës i ekonomisë: Pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria rrezikonte urinë dhe shembjen ekonomike. Nosi u hodh sërish në vijën e parë, si Ministër i Ushqimit dhe Ekonomisë Kombëtare në qeverinë e përkohshme të 1919-s. Ishte një detyrë e mundimshme, herkuliane. Ai punoi pareshtur për të siguruar drithë e furnizime, dhe u përpoq të vinte në rregull financat e shtetit të ri. Falë edhe përpjekjeve të tij, Shqipëria e kaloi njërën nga periudhat më të brishta pa u shkrirë në kaos.

Gardian i historisë dhe kulturës: Në një kohë kur Shqipëria pothuajse nuk kishte institucione për ruajtjen e së kaluarës, Nosi mori përsipër të bëhej arkivist dhe antikuar. Ai mblodhi me durim mijëra dokumente historike, libra të rrallë, këngë popullore, legjenda e madje edhe artefakte antikiteti. Në vitet 1920, botoi “Dokumenta Historike”, fletoret e para të historisë sonë të shkruara nga dora shqiptare, ku përfshiu edhe tekstin origjinal të Aktit të Pavarësisë 1912. Ai ruajti kujtesën e kombit kur vetë kujtesa rrezikonte të zbehej. Në thelb, ai ndërtoi arkivat e Shqipërisë para se të ekzistonin zyrtarisht, që brezat të dinin kush janë dhe nga vijnë.

Gazetar dhe botues: Duke njohur fuqinë e penës, Nosi themeloi në 1910 gazetën “Tomorri”, të pagëzuar me emrin e malit të shenjtë Tomorr, për t’i dhënë zë aspiratave të popullit. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij mbrojtën gjuhën shqipe dhe unitetin kombëtar në shtyp. Më vonë, mblodhi e botoi vëllime me folklor dhe fjalë të urta, duke ndriçuar shpirtin e kulturës shqiptare. Jo rrallë, ai përkthente e përmblidhte lajmet botërore për lexuesin vendas, duke lidhur Shqipërinë me opinionin ndërkombëtar. Në një epokë kur, siç thumbonte Faik Konica, shumë jepnin mend pa bërë punë, Nosi ngrihej e punonte, krijonte botime që informonin, edukonin dhe frymëzonin.

Studiues i përulur: Megjithë prodhimtarinë e tij si mbledhës e shkrues, emri i Nosit rrallë dilte me gërma të mëdha. Ai nënshkruante thjesht si mbledhës ose përgatitës, duke lënë që të shkëlqejë përmbajtja, jo egoja. Fokus i tij mbeti kauza, përparimi i dijes dhe atdhetarisë, jo fama personale. Kjo përulësi shkencore ishte e vetëdijshme: ai donte që shqiptarët të mbanin mend idetë dhe faktet, jo domosdo njeriun që i mblodhi.

Diplomat i Shqipërisë: Pas Luftës së Parë Botërore, kur vetë mbijetesa e shtetit varej në fije, Nosi iu bashkua një delegacioni të vogël në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Edhe pse të paftuar nga Fuqitë e Mëdha, ai dhe kolegët, krah për krah me figura si Imzot Fan Noli dhe Luigj Bumçi, lobuan me këmbëngulje që bota të njihte pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Pa një trupë të mirëfilltë diplomatike, ai u bë diplomati. Thuhej se Nosi, veterani i pavarësisë së Vlorës, u shndërrua në “krye-propoganduesin e Shqipërisë së Pavarur” në arenën ndërkombëtare, duke mbrojtur çështjen kombëtare me pasion dhe arsye.

Rikthyes i shteshmërisë dhe institucionalizimit: Në shtrëngatën e Luftës II Botërore, kur Shqipëria ishte e pushtuar dhe e ardhmja e saj e paqartë, Nosi iu përgjigj thirrjes sërish. Në 1943, pas kapitullimit të Italisë Fashiste, ai u bashkua me një komitet nacionalist që ri-pohoi pavarësinë e Shqipërisë. Duke shërbyer për pak kohë si Kryeministër në një regjim të përkohshëm, ai nënshkroi dekrete që e shkëputën Shqipërinë nga kontrolli i huaj, duke mbrojtur de facto sovranitetin e insititucioneve në mes të kaosit. Ish sikur historia të kthehej në vitin 1912, dhe Nosi ishte aty sërish që Shqipëria të mos zhdukej. Edhe pse ai konfigurim lufte qe jetëshkurtër, ai ruajti idenë juridike dhe morale të Shqipërisë së lirë deri sa furtuna të qetësohej.

Kjo listë e jashtëzakonshme vetëm sa nis të përshkruajë ndikimin e Lef Nosit. Ai shfaqej kudo ku nevoja ishte më e madhe — si një ndërtues i vetëm institucionesh që mbushte boshllëqet e lëna nga pesë shekuj sundim i huaj. Fliste shumë gjuhë (shqip, turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht), por gjuha që zotëronte më mirë ishte gjuha e shërbimit. Në vend që të shkruante vëllime të trasha për të bërë emër, ai shkruante fatin e kombit me veprat e veta. Në një moshë kur heronjtë shpesh mbanin uniforma ushtarake ose tituj mbretërorë, Lef Nosi mbante rrobat e thjeshta të mësuesit, nëpunësit, bibliotekarit — dhe nëpërmjet këtyre roleve të përulura, u bë një nga mirëbërësit më të mëdhenj që ka njohur Shqipëria.

Martirizimi për kombin

Për patriotët e Rilindjes Kombëtare, Shqiptaria ishte më shumë se një synim politik; ajo ishte thuajse një thirrje e shenjtë, një lloj “feje” laike e identitetit dhe lirisë kombëtare. Dhe, si çdo fe, pati martirët e vet. Jeta e shërbimit e Lef Nosit, fatkeqësisht, mori një fund martiri. Në moshën 69-vjeçare, pas një jete të dhënies, ai pagoi çmimin suprem nga duart e një regjimi të ri që nuk arriti të kuptonte pastërtinë e qëllimeve të tij.

Ish viti 1945. Lufta e Dytë Botërore sapo kishte mbaruar, dhe në Shqipëri erdhi në pushtet një qeveri komuniste, e cila mbështetej nga Jugosllavia. Nosi, po ai njeri që më 1912 kishte bërë kaq shumë për të penguar copëtimin e Shqipërisë nga fqinjët, u shpall tani “armik” nga një regjim që u shërbente po atyre fqinjëve. “Faji” i tij i vetëm ishte se mbeti besnik ndaj idealeve që kishte pasur gjithnjë: që Shqipëria duhej të mbetej e pavarur dhe e lidhur me botën e lirë, jo të binte sërish nën zgjedhë të huaj. Me një ironi të hidhur, heroi që kishte ruajtur flamurin dhe sovranitetin shqiptar u ekzekutua për “tradhti”, kur në të vërtetë ishte “fajtor” veç për atdhetari të palëkundur.

Në një ditë shkurti 1946, Lef Nosi u çua para skuadrës së pushkatimit, krah dy drejtuesve të tjerë të komitetit nacionalist të kohës së luftës. Autoritetet komuniste e dënuan për bashkëpunim me pushtuesit, por në mbrojtjen e tij Nosi argumentoi se gjithçka që kishte bërë ishte për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në një kohë të rrezikshme. Dëshmitë e kohës tregojnë se ai e përballoi fundin me dinjitet. Në atë çast, Nosi iu bashkua radhëve të martirëve të Shqipërisë, atyre që u sakrifikuan, siç kishte bërë ai përherë, për ëndrrën e një Shqipërie të plotë, të lirë dhe të vërtetë ndaj vetvetes.

Për gati gjysmë shekulli pas kësaj, emri i tij u varros, përmendej vetëm me përçmim në tekstet zyrtare. Por, si çdo e vërtetë e madhe, shtypja qe e përkohshme. Kujtesa e një kombi, në fund, vetë-përmirësohet. Pas rënies së komunizmit, shqiptarët nisën ngadalë t’i fshijnë pluhurin shtatores së Nosit dhe ta shohin sërish qartë. Njeriu që dha gjithçka, madje edhe jetën, në shërbim të flamurit, tani njihet si patriot i shkallës më të lartë: viktimë e padrejtësive të historisë, por fitimtar në gjykimin e kohës. Martirizimi i tij na mëson një mësim të dhimbshëm: besnikëria ndaj parimeve mund të kërkojë sakrificë të madhe, por ajo sakrificë nuk shkon dëm nëse kauza është e drejtë. Siç thotë e moçmja: gjaku i martirëve është fara e kombit. Gjaku i Lef Nosit ushqeu idealin e lirisë shqiptare, i cili vijon të jetojë deri sot.

Mësimi i qëndrueshëm i shërbimit pa interes ndaj kombit

Ç’mund të mësojmë ne, në shekullin XXI, sidomos ne të rinjtë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, nga jeta e Lef Nosit? Nuk e mësojmë nga ndonjë libër i vetëm që ai shkroi (sepse ai nuk kërkoi të kurorëzohej si autor-hero). E mësojmë nga karakteri dhe zgjedhjet e tij. E gjithë jeta e tij “flet”, si një predikim i heshtur mbi detyrën dhe përulësinë. Thelbi i atij mesazhi është i thjeshtë: forma më e lartë e atdhetarisë dhe e virtytit qytetar është t’i shërbesh komunitetit pa kërkuar lavdi apo shpërblim. Dhurata më e çmuar që mund t’i japësh vendit a njerëzve të tu është dhurata pa emër, që lind nga dashuria dhe përgjegjësia.

Trashëgimia e Lef Nosit është një mësim i lartë shërbimi pa interes. Ai tregoi se atdhetaria nuk është medalje për t’u vënë në kraharor; është dritë që e mban brenda dhe që të udhëheq veprimet përditë, në të mëdha dhe të vogla. Ai pati mundësi të pasurohej apo të vetëlavdërohej, por nuk i mori kurrë. Përkundrazi, energjinë e tij e investoi në institucione, në arsim, në kulturë, në rritjen e të tjerëve. Ai na kujton se të jesh krenar si shqiptar (ose si qytetar i çdo kombi) nuk do të thotë të mburresh me trashëgiminë, por ta përmirësosh atë përmes kontributeve të tua.

Për ju të rinj shqiptarë në diasporë, larg tokës që Nosi deshi: historia e tij është edhe historia juaj. Mos harroni se diaspora shqiptare ka qenë pjesë e pandarë e udhëtimit të Shqipërisë. Vetë Nosi udhëtoi në Boston dhe New York në 1908 për të mbledhur bashkatdhetarët tanë jashtë. Ai korespondoi pa u lodhur me komunitetet shqiptare në Amerikë, Europë e më gjerë për ta mbajtur të gjallë flakën e pavarësisë. Shkolla e parë shqipe në Amerikë, shoqëritë e para të diasporës, të gjitha lidhen me punën e brezit të Nosit. Ashtu si ata shtrinë dorën përtej oqeaneve për të ndihmuar atdheun, edhe ju sot e mbani atë përgjegjësi dhe privilegj.

Në një botë ku mund të ndiheni të ndarë mes identiteteve, shembulli i Nosit tregon se përqafimi i rrënjëve i pasuron si ju, ashtu edhe komunitetin tuaj pritës. Ai ishte njeri besimi (ortodoks i devotshëm), por vendosi kultin e Shqiptarisë mbi gjithçka, duke provuar se dashuria për trashëgiminë mund t’i bashkojë njerëzit e besimeve të ndryshme. Ai punoi krah për krah me myslimanë, katolikë dhe laikë, duke kapërcyer ndasitë për një qëllim të përbashkët. Po kështu, ju, si shqiptaro-amerikanë ose shqiptaro-europianë, mund ta nderoni trashëgiminë tuaj duke lulëzuar në shoqëri pluraliste. Dy-gjuhësia dhe dy-kulturësia juaj janë mjete që Nosi do t’i kishte patur zili, ura për të lidhur njerëz, jo mure për t’i ndarë.

Jeta e Lef Nosit na mëson edhe angazhimin qytetar në formën më të pastër. Ai nuk priti kushte të përkryera për t’u përfshirë; sa herë pa një vakum, ai hyri dhe bëri ndryshim. Ai nuk pyeti “Çfarë do të marr unë?”, por “Nëse jo unë, kush?”. Qoftë kur hapte një gazetë për të edukuar të tjerët, qoftë kur ruante një dorëshkrim të vjetër për pasardhësit, qoftë kur negocionte ndihma ushqimore për një qytet të uritur, asnjë detyrë nuk ishte nën dinjitetin e tij nëse i shërbente popullit. Mendoni sikur secili prej nesh të përvetësonte qoftë një grimcë të asaj mendësie në komunitetet tona. Angazhimi qytetar mund të thotë të organizosh kurse të gjuhës shqipe në qendrën tuaj komunitare, të vullnetarizosh në një festival kulturor, të mentorosh një më të ri, ose thjesht të informohesh dhe të ngresh zërin për çështjet shqiptare në botë. Këto veprime, të bëra pa bujë, forcojnë fijet e identitetit dhe të komunitetit. Ato e mbajnë të gjallë flakën që ndezën Nosi dhe bashkëkohësit e tij.

Në fund, historia e Lef Nosit nuk është thjesht rrëfimi i një patrioti të dikurshëm; është thirrje për të gjithë ne sot. Ajo na kujton se historia mbahet gjallë nga njerëz të zakonshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme, qetësisht. Ajo na tregon se përkatësia nuk është një gjendje pasive, por një angazhim aktiv, një angazhim për ta mbajtur më të mirën e trashëgimisë tënde dhe për t’i dhënë diçka mbrapsht shoqërisë ku jeton. Nosi i përkiste plotësisht popullit të vet, dhe, në kthim, populli i tij tashmë, më në fund, e njeh si një ndër më të mëdhenjtë.

Prandaj, merrni zemër nga udhëtimi i Lef Nosit. Le të frymëzojë secilin të gjejë “shtatoret në hije” në komunitetin tuaj, mentorët e pashquar, organizatorët e qetë, pleqtë që mbajnë kujtime të vjetra, dhe t’i nderoni, të mësoni prej tyre, ndoshta madje të bëheni njëri prej tyre. Identiteti ynë shqiptar, sidomos në diasporë, është si një pishtar që kalon nga një dorë në tjetrën. Falë heronjve si Nosi, ky pishtar nuk u shua kurrë, as në kohët më të errëta. Tani ai qëndron në duart tona. Mund ta mbajmë lart me krenari dhe ta çojmë përpara me përulësi, duke ditur se madhështia e vërtetë nuk qëndron te kërkimi i njohjes, por te meritimi i saj përmes shërbimit.

Lef Nosi dha gjithçka nga vetja dhe nuk kërkoi asgjë mbrapsht. Duke bërë kështu, u bë një pjesë e pavdekshme e gjithçkaje që ne çmojmë si shqiptarë, gjuhës, lirisë, shpirtit tonë kulturor. Qoftë kujtimi i tij një flakadan i përjetshëm, që ndriçon rrugën tonë kudo që të jemi, nga Tirana në New York, nga Elbasani në Londër. Dhe të përpiqemi të mishërojmë qoftë një pjesë të përkushtimit të tij. Sepse, në historinë e Lef Nosit, shohim të vërtetën e thellë: t’u shërbesh të tjerëve është të përmbushësh qëllimin më të lartë të vetvetes.

Mesazh personal për të rinjtë shqiptarë jashtë atdheut: Identiteti juaj është një thesar, dhe përkatësia juaj është një urë, ruajeni të parin dhe forconi të dytën. Si Lef Nosi, mos kini frikë të “bëni shumë rrole” në shërbim të asaj që doni. Angazhohuni me trashëgiminë dhe komunitetin tuaj me zemër të hapur. Mund të mos shihni menjëherë vlerësim a shpërblim, por kujtoni shtatoren e harruar që, kur më në fund u zbulua, shkëlqeu edhe më fisnikërisht pse pati duruar provën e kohës. Kontributet tuaja, sado të qeta, janë lënda e së ardhmes sonë të përbashkët. Mbani flakën shqiptare gjallë brenda jush dhe lëreni t’ju udhëheqë për të bërë mirë për të tjerët. Në këtë mënyrë, kudo që t’ju çojë jeta, do të jeni gjithmonë në shtëpi, në vlerat që mbani dhe në veprat që bëni për të mirën e të gjithëve.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT