• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përpjekjet sovraniste të Kosovës më tepër përputhen me Washingtonin se sa me Brukselin

August 8, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Përpjekjet sovraniste të Kosovës duhet të shkojnë në harmoni me mbështetjen që vjen nga qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes. Nga ajo çka mund të shihet deri më tani, këto përpjekje më tepër po përputhen me qëndrimet e Washingtonit, e më pak të Brukselit. Nëse vazhdon kështu, atëherë Kosova duhet të këmbëngulë që procesin e dialogut me Serbinë, në aspektin e ndërmjetësimit, në të ardhmen ta udhëheqin amerikanët, si garancë e vetme e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Kosova vazhdon t’i vuaj pasojat e mos mbylljes së problemeve të hapura me Serbinë. Tash më është konfirmuar që më 18 gusht në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Njohësit e rrethanave politike thonë se ky takim është simbolik dhe nuk presin zhvillime të reja.

Por, porositë e fundit nga Washingtoni japin sinjale se procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet patjetër të përmbyllet me disa të arritura, në mesin e të cilave edhe formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Kjo është edhe porosia e Bruxelit, ndonëse në thelb ndryshojnë qëndrimet nga Washingtoni sa i përket mënyrës së formimit të kësaj Bashkësie.

Ditë më parë i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Escobar tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit në takimin e 18 gushtit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, që të mos bie ndesh me ligjet dhe shtoi se SHBA pret që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, theksoi ai.

Megjithatë një mendim pak më ndryshe e ka shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell i cili ka thënë se Bashkimi Evropian insiston që Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumice serbe sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Po ashtu, Borrell është shprehur se BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme.

“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë. Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet në pritje, si dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme të rëndësishme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është vendimtare për rrugën e tyre evropiane”, theksoi Borrell për televizionin N1.

Ai shtoi se “plotësimi i nevojave të komunitetit pakicë serb në Kosovë është i një rëndësie të madhe për BE-në në Kosovë” dhe se Brukseli po monitoron me kujdes zhvillimin e situatës në ato zona.

“EULEX-i mbështet në mënyrë aktive institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, duke përfshirë përpjekjet e tyre për të hetuar incidentet e sigurisë në lidhje me objektet fetare dhe kulturore. BE-ja vazhdimisht u ka kujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë shpejt dhe plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, tha Borell.

Pra, zyrtari i lartë i Brukselit, Borreli, askund nuk e përmend sovranitetin e Kosovës, i cili duhet të garantohet me Kushtetutë dhe insistimi i tij për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa i përfillur rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila i hodhi poshtë disa nene të projekt-ligjit për formimin e këtij Asociacioni, tregon se qasja e BE-së dhe e SHBA tani për tani ndryshon sa i përket disa çështjeve të nxehta në raportet Kosovë-Serbi.

A është e rastësishme kjo disonancë Bruksel-Washington, apo këto dy qendra vendimmarrëse po luajnë rolin e “policit të mirë dhe të keq”, me qëllim të arritjes së një produkti final diplomatik ku në fokus do të ishte Marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e arritur me disa kompromise.

Kur jemi te kompromiset, Kosova dhe Serbia kanë qasje krejt të ndryshme ndaj kuptimit të kësaj fjale, ndërkohë që Brukseli e Washingtoni, nga ana tjetër, me kompromis nënkuptojnë heqjen dorë nga ambicjet makismaliste të të dyja palëve dhe gjetjen e një mesatareje në listen e kërkesave politike.

Deri më tani diplomacia evropiane dhe amerikane janë munduar t’i dakordojnë qëndrimet sa i përket nevojës së arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi, që do të rezultonte me njohje reciproke, por me disa modalitete e nuanca që dallojnë për nga karakteri i vëzhgimit të situatës ashtu edhe për nga përmbajtja e porosive.

Tash së fundmi dolën në sipërfaqe shenjat e para të kësaj disonance në mes të Brukselit dhe Washingtonit dhe ky është një hap vendimtar i diplomacisë ndërkombëtare për të imponuar qëndrimet e saj në tryezën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nëse kthehemi në retrospective, do të shohim se Kosova në aspektin e legjitimimit ndërkombëtar të kërkesave të saj, duke filluar nga GJND dhe vendimi i saj në favor të Kosovës e deri qëndrimet e fundit të emisarit amerikan Escobar, ka një bazë të shëndoshë për të këmbëngulur në mbrojtjen e sovranitetit të saj juridik e territorial. Prandaj kjo këmbëngulje nuk do të duhej të lexohej si mungesë sensi për kompromise nga ana e Kosovës, aq më tepër kur shteti ynë me asgjë nuk kërcënon sigurinë dhe stabilitetin rajonal, siç po ndodhë me Serbinë. Kjo e fundit në vend të gjuhës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, ka zgjedhur gjuhën e provokimit, madje edhe përmes veprimeve konkrete të grupeve kriminale që inskenojnë incidente të armatosura në kufinjt verior të Kosovës.

Nëse Kosova me asgjë nuk provokon destabilitet, por përkundrazi po mbrohet nga sulmet dhe barrikadat serbe, dhe me këtë po mbron sovranitetin e saj, kjo do të ishte e mjaftueshme për diplomacinë ndërkombëtare që të “ekzaminojë” saktësisht shkaktarët e krizës, duke kërkuar nga Serbia përgjegjshmëri më të madhe për veprimet destabilizuese që po i ndërmerr ndaj Kosovës.

Një segment tjetër i këtij “ekzaminimi” do të ishte edhe ndërmarrja e masve konkrete nga ana e BE-së dhe SHBA-ve kundër strukturave agjenturore ruso-serbe që po manovojnë në pjesë të caktuara të Kosovës. Tolerimi i këtyre strukturave, është drejpërdrejt e lidhur me (pa)sigurinë e Kosovës dhe të rajonit, prandaj në raportet e ardhshme të Brukselit dhe Washingtonit duhet të qartësohen përgjegjësit dhe stimuluesit e këtyre strukturave, të cilat si cak final kanë disfunksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo mund të jetë edhe një nga arsyet kryesore që Kosovës duhet t’i jepet shansi që të zhvillohet si shtet i fuqishëm, me të gjitha atributet e shtendërtimit dhe ligjzbatimit.

Me këtë edhe përpjekjet sovraniste të Kosovës duhet të shkojnë në harmoni me mbështetjen që vjen nga qendrat ndërkombëtare të vendimarrjes. Nga ajo çka mund të shihet deri më tani, këto përpjekje më tepër po përputhen me qëndrimet e Washingtonit, e më pak të Brukselit. Kjo edhe për faktin se në kierarkinë politike e diplomatike të BE-së ka plot zyrtarë të lartë që vijnë nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës, dhe kjo ka shkaktuar jo pak probleme në procesimin e drejt të raporteve me Serbinë.

Nëse vazhdon kështu, atëherë Kosova duhet të këmbëngulë që procesin e dialogut me Serbinë, në aspektin e ndërmjetësimit, në të ardhmen ta udhëheqin amerikanët, si garancë e vetme e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Filed Under: ESSE

PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI FILLON PUNËN NJË SHKOLLË VERORE PËR DESHIFRIMIN E SHKRIMIT LATIN. PALEOGRAFIA LATINE, SI TË ZBULOSH SEKRETET E MESJETËS!

August 8, 2022 by s p

Paleografia latine, është skecnë e cila merrt me studimin, analizimin dhe deshifrimin e shkrimit latin, kryesisht të dorës, në të gjitha kohërat. Megjithëse deri tani ka qenë shkencë ndihmëse e historisë, ajo gjithnjë e më shumë po trajtohet si shkencë më vete, e po shndërrohet gjithnjë në një rrugë  kyçe e cila duhet përshkuar për të zbuluar shumë sekrete e mistere të periudhës së mesjetës. Për herë të parë edhe në Shqipëri në mënyrë profesionale e shkoncore trajtohet kjo shkencë shumë domethënëse kryesisht për mejseten shqiptare.

Admirina Peçi

“Paleografia latine është një disiplinë e cila vjen paksa me vonesë në historiografinë shqiptare sepse paleografia latine është ura që na lidh me Evropën, duke qenë se latinishtja ishte gjuha zyrtare e të gjithë Evropës.”- tregon profesor, doktor Etleva Lala, studiuese e paleografisë latine.

Në Shqipëri, përveç fushës politike, shumë aspekte të jetës, përgjatë kësaj periudhe, sidomos jetës sociale apo religjoze, mbeten të errëta e të pastudiuara ende. Por sfida kryesore e historianëve që i qasen kësaj periudhe mbetet deshifrimi i saktë i qindra mijëra dorëshkrimeve të vyera, në të cilat studiuesit hasin kurthe të çuditshme, për shkak të të cilave mund të bëjnë edhe deshifrime të gabuara e t’i japin historisë një rrjedhë tjetër. Shqipërisë deri më sot i kishte munguar tradita  e studimit të paleografisë latine, për nevojat e të cilës, u mbatj për herë të parë këtë vit edhe shkolla verore  paleografike dhe gjuhës latine, organizuar nga profesor doktor Etleva Lala, një studiuese skrupuloze e kësaj fushe, në bashkëpunim me strukturat drejtuese të Universitetit të Tiranës. 

“Megjithatë jemi mirënjohës që më në fund u hap kjo derë dhe po mundësohet një shkollë e mirëfilltë paleografike për studiuesit shqiptarë.” shprehet studiuesja e paleografisë latine.

Për Etleva Lalën, si studiuese, thellimi  në shkencën e paleografisë  ka ardhur si nevojë për t’ju qasur dokumenteve dhe informacionit të tyre në mënyrë sa më profesionale. Ajo e njeh mirë rëndësinë që ka edhe një shkronjë e vetme, apo funksioni i vërtetë që ka një simbol apo një shkurtesë e përdorur para një emri. Etleva Lala sjell një shembull konkret nga një diskutim  mes kolegësh që ka patur para dy dekadave me profesor Aurel Plasarin, diskutim që e kanë rikujtuar këto kohë dhe është kthyer edhe në shtysën kryesore për hapjen e shkollës verore të paleografisë në Tiranë….

“Paleografia latine ka qenë mjet pune për mua dhe puna në arkiva më ka detyruar që ta kem përditshmëri sepse në arkiv gjithë kohën je i përballur me dokumentin vetë dhe duhet ta lexosh në radhë të parë, para se mund ta kuptosh. Por sigurisht që para se të shkoja në arkivat e Vatikanit apo në arkivat e tjera, kam marrë formimin përkatës teorik sepse duhet teoria që të kuptosh, d.m.th. duhet t’i dish p.sh. shkurtesat, kuptimin e shkurtesave përpara se të shkosh te dokumenti apo mënyra se si duhet ta trajtosh dokumentin është gjë që mësohet në fillim teorikisht. Por nuk e kam parë si qëllim më vete. Është një gjë që kohët e fundit më është tërhequr vëmendja, kryesisht do të thoja nga akademiku Aurel Plasari, i cili më tha në një takim që pata me të, në janar në mos gaboj, që më mbante mend për hir të një fjale kur jemi takuar për herë të parë në vitin 2002 më duket, kur unë sapo kisha filluar ose po punoja për doktoratën dhe ai po punonte për Skënderbeun dhe kishte një moment hamendësimi për një dokument arkivor që e kishte në formë fotokopje nga takela dhe më pyeti se kjo fjala përpara Skënderbeut a është dus apo çfarë është sepse në qoftë se do të ishte dus apo duk në shqip, atëherë do të sillte një risi në historinë e Skënderbeut, d.m.th. Skënderbeu kishte edhe një element tjetër të pastudiuar më parë.

Por në momentin që ai ma tregoi dokumentin, unë menjëherë i thashë që është dominus, nuk është dus dhe ai më pyeti si ka mundësi që është dominus në tri shkronja dhe unë i thashë që është shkurtesa e dns-së, që është shkurtesa për dominus. Dhe ishte një fjalë që bëri ndryshimin d.m.th. dhe që ai më kishte mbajtur mend nga hera e parë, që më dha atë ndjesinë të merrja përsipër si të thuash një shkollë paleografike sepse, në fund të fundit, është një gjë që unë e bëj çdo ditë në jetën time personale si studiuese dhe që pse jo, përderisa në Shqipëri nuk ka të tjerë që e kanë filluar këtë rrugë, pse të mos e fillojë dikush. Dhe konkretisht unë jam këtu, jam në një periudhë ku mendoj se jam maturuar si studiuese qoftë në aspektin paleografik, qoftë në aspektin e të kuptuarit të mesjetës në tërësi dhe sidomos të asaj shqiptare në veçanti dhe që mund t’i përball sfida të shumta që mund të vijnë kur merr përsipër një fushë kaq të rëndësishme dhe kaq të vështirë sepse janë pyetje jo vetëm grafike, por janë pyetje edhe historike që të vijnë nga të gjitha fushat, sidomos kur studentët janë apo studiuesit janë në zhvillim e sipër dhe janë kuriozë dhe janë sfidues….

Jam në momentin kur unë duhet të jap pas gjithë kësaj që kam marrë sepse në fund të fundit mbetesh ujë i pastër edhe kur jep jo vetëm merr. Ata që marrin bëhen vetëm det i vdekur, ndërkohë që po të japësh atëherë edhe mundesh që vetë të përfitosh më shumë nga energjia e studentëve. Dhe jam shumë e lumtur që m’u dha kjo mundësi, në mënyrë që të hap këtë shkollë të parë paleografike, me ca studentë brilantë, të cilët jo vetëm që janë shumë inteligjentë edhe shumë të shpejtë për të kuptuar si shkurtesat ashtu edhe grafemat e ndryshme me të cilat dalin shkrime të ndryshme në mesjetë, por edhe kuriozë për të ditur përtej asaj që është në letër dhe për të ditur historinë e dokumentit në fjalë.”-tregon studiuesja Etleva Lala.

Në studimin e paleografisë rëndësi të veçantë ka edhe studimi i historisë se si ka evoluar shkrimi i latinishtes nga një shekull në tjetrin dhe nga një vend në tjetrin. Ky hap i parë dhe i rëndësishëm, hap shtigje të reja  për kureshtjen apo grishjen e studiuesve dhe historianëve që i qasen mesjetës.

“Shkrimi latin ishte shkrimi kryesor gjatë të gjithë mesjetës sepse shtypshkronja nuk kishte akoma dhe ky shkrim i dorës është mjaft individual në disa raste ashtu siç është edhe sot kur merr të lexosh një dokument ose një letër të shkruar nga një person, gjithmonë janë ato hipotezat: di ta lexoj çdo fjalë apo shkronjë, e kuptoj mirë apo s’e kuptoj mirë. Në mesjetë kjo ishte dilema kryesore. Por megjithatë ka disa standarde për ta bërë një shkrim të lexueshëm nga një rrymë e caktuar, nga një grup i caktuar. Në fillim ishte ai shkrimi romako-rustik që, pasi shkrimi romak përdorej kryesisht i gdhendur nëpër materiale të forta, gur apo gjëra të tilla. Më vonë filloi që të përdorej edhe si shkrim dore në papirus, në dyllë dhe më vonë, sidomos pas ardhjes së krishterimit në Evropë, kryesisht në të gjithë Perandorinë Romake në përgjithësi, filloi që të zhvillohej në një mënyrë të paprecedentë më parë sepse romaku kursiv apo romaku rustik konsiderohej si shkrim në të cilin më shumë kopjoheshin autorët paganë, të cilët nuk ishin shumë të krishterë dhe nuk ishin shumë të shenjtë për të përdorur tekstet e shenjta në atë lloj shkrimi dhe prandaj krijuan një shkrim tjetër që t’i përgjigjej kësaj lloj nevoje për shenjtëri të shkrimeve të shenjta që është shkrimi uncial konkretisht. Vjen me Shën Jeronimin për herë të parë në shek. V, por që zhvillohet edhe përhapet në të gjithë Evropën me një shpejtësi të paparë më parë, ndoshta për shkak edhe të përhapjes edhe të krishterimit. Merr forma të ndryshme me vazhdimin e shekujve pavarësisht se vazhdon të mbetet uncial, semi-uncial, uncial-kursiv…”-shpjegon studiuesja Lala.

Vendet e ndryshme të Evropës përgjatë shekujve V. apo VI. karakterizohen nga mënyra të ndryshme të shkrimit të latinishtes, ku shkrimi uncial u përhap kudo së bashku me praktikat e shumta kishtare.

“Në Gjermani është e ndryshme nga mënyra se si shkruhet në Spanjë apo në Portugali apo e ndryshme nga mënyra se si shkruhet në Italinë Jugore. Në Italinë Jugore është beneventani që fillon të mbizotërojë. Kemi shkrime të tjera që kanë emra të ndryshëm, në Britani p.sh. është shkrimi ishullor i cili merr rëndësi më të madhe dhe që bën edhe krijimin e atyre mrekullive që njihen edhe sot e kësaj dite si “Libri i Kelve” (The Book of Kell’s). D.m.th. janë ca mrekulli që krijohen në shek. VI dhe që edhe sot e kësaj dite studiuesit janë të mahnitur, por edhe të sfiduar nga çfarë materiali është përdorur që ngjyrat janë kaq të bukura, që ka këtë lloj refleksi, që shkrimi është kaq i bukur, d.m.th. si ka mundësi që njerëzit në atë kohë kanë krijuar një mrekulli që i ka rezistuar kohës në mënyrë kaq perfekte.”-shpjegon studiuesja e paleografisë latine.

Në kohën e Karlit të Madh në të gjithë Evropën u bë një lloj reforme që synonte të hiqeshin duart lokale, nacionale, të cilat e bënin shkrimin të vështirë për gjuhën e një vendi tjetër e të synohej një lloj unifikimi në shkrimin e  latinishtes.

“Shkrimi meroving është një ndër më të vështirët për t’u lexuar dhe u fut ajo reforma karolinge dhe shkrimi karoling që nga njëra anë solli një lloj reforme në ndarjen e fjalëve. Për herë të parë në mënyrë të institucionalizuar urdhërohej që fjalët të ndahen nga njëra-tjetra, ndërkohë që deri në atë kohë ishte kryesisht shkrimi skriptakontinua, që e gjithë fjalia ishte një fjalë, nuk ishin të ndara fjalët nga njëra-tjetra dhe nuk kuptohej ku fillon fjala dhe ku mbaron. Kishte vende, raste, kur ndaheshin por sipas dëshirës së skribit. Tani, me ardhjen e kësaj reforme të re nga Karli i Madh, fjalët janë të detyruara që të ndahen. Reforma tjetër që bëri Karli i Madh është se u urdhëruan të gjithë murgjit nëpër të gjitha qendrat monastike, të kopjojnë, të shkruajnë gjithçka që ekziston, qoftë të shenjta qoftë pagane, çfarëdo që ekziston e shkruar ta kopjojnë dhe ta ruajnë, të krijojnë arkivat nëpër qendrat e tyre. Dhe ky stil karolin, që njihet si stil karolin, u bë dominues në të gjithë Evropën.” -tregon studiuesja Etleva Lala.

Në këtë epokë zhvillimesh, në mesjetë u përfshinë natyrshëm edhe shqiptarët, të cilët nuk ishin të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës, pasi kultura që ekzistonte në Evropë ishte e pranishme edhe në Shqipëri.

“Në momentin që krishterimi u mor nga Perandoria Romake, edhe shqiptarët filluan të jenë pjesë e kishës, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Në momentin që kisha u bë kishë zyrtare e Perandorisë Romake, ishte e detyrueshme që çdo person të shkonte në kishë. Nëse nuk shkonte në kishë quhej i jashtëligjshëm, nuk quhej qytetar, d.m.th. termi qytetar ishte i lidhur ngushtësisht me kishën. Kështu që përderisa kisha ishte ajo që kishte në dorë shkrimin kryesisht sepse regjistronte popullsinë, regjistronte, sidomos kisha perëndimore, atëherë shqiptarët e kishin këtë traditë të të shkruarit pavarësisht se çfarë kemi apo s’kemi sot.

Unë jam e mendimit që më shumë nuk dimë sesa nuk kemi. Kemi shumë gjëra të cilat gjithmonë e më shumë po dalin në dritë nga kërkimet në arkiva të ndryshme, gjithashtu edhe nga dixhitalizimet që po bëhen në arkivat e ndryshme duke i vënë këto fondet e tyre në internet dhe të aksesueshme nga e gjithë bota. Mjafton që të kërkosh edhe gjen. Dhe problemi tani është se, nëse kërkon dhe nuk di t’i lexosh, çfarë mund të bësh me ato letra, dokumente, në kuptimin e shkrimit të dorës. Duhet të dish t’i kuptosh ato dhe atëherë edhe mund të gjesh. Por pastaj pasi i ke gjetur duhet të dish t’i deshifrosh dhe është sfidë paksa latinishtja e shkruar me dorë…”- sipas profesor,doktor Etleva Lala.

Dorëshkrimet e mesjetës na dëshmojnë se në atë periudhë, njerëzit shkruanin ose në lëkurë, ose në letër, por të dyja këto ishin të limituara dhe të një cilësie të lartë. Mund të cilësohen me konceptin e sotëm edhe si materiale luksi, pasi ishin të shtrenjta dhe prodhoheshin në sasi të kufizuar.

“Prandaj lindi nevoja që shkrimin ta përdorin në mënyrë ekonomike sa më të ngushtë, sa më të shkurtuar dhe prandaj përdorin shkurtesa shumë. Tani mund të kesh dokumentin në dorë dhe nuk kupton se çfarë është shkruar në të sepse fjala dominus p.sh., është shkruar dns. Nuk ka asnjë lloj logjike se çfarë lidhje ka dominus me dns në qoftë se nuk e di që kjo është shkurtesa e kësaj fjale ose deus është e shkruar me ds ose dei me di. Kaq. Eklesia është e shkruar me eçl. Dhe janë shkurtesa të padeshifrueshme vetë me njohuritë që kemi ne sot, nga latinishtja që marrim nëpër shkolla duhet të dish patjetër paleografi që të mund t’i lexosh këto lloje shkurtesash.” -shpjegon studiuesja Lala.

Mesjeta mund të konsiderohet si një fushë e artë sa i takon studimeve, ku rrugët e hulumtimeve janë të panumërta. Në Shqipëri, kjo periudhë e quajtur shpesh edhe epoka e errët, është ende fare pak e studiuar. 

“Shpesh në civilizimin perëndimor konsiderohet si ajo periudha, nuk konsiderohet më si periudhë e errët, por si periudhë shtatzënie, ku civilizimi që vjen më vonë është si ai fëmija që lind i shëndoshë apo me të gjitha karakteristikat e tij që i ka marrë gjatë shtatzënisë d.m.th., ngjyra e syve apo ngjyra e flokëve apo sindroma të ndryshme, janë të gjitha në këtë periudhë. Pra të studiosh mesjetën do të thotë të dish arsyet se pse një komunitet i caktuar apo një shoqëri e caktuar ka këto rezultate sot. Prandaj gjithmonë e më shumë po i vihet rëndësi mesjetës për ta kuptuar dhe për ta studiuar në mënyrë sa më interdisiplinore nga të gjitha aspektet sepse nuk mjafton më të jesh vetëm historian dhe të studiosh çfarë ka ndodhur në aspektin e luftërave apo ngjarjeve të mëdha, por janë ato ngjarjet e përditshme që në fakt tregojnë edhe zhvillimin e mirë apo problematik të shoqërisë më vonë dhe në Shqipëri, për fat të keq, nuk i është vënë vëmendja e duhur kësaj periudhe duke pasur arsye të ndryshme ndoshta, disa edhe të justifikueshme, por që mendoj se ka ardhur koha që t’i kthehemi kësaj periudhe më me intensitet sepse është periudha kur populli shqiptar krijohet si popull dhe del në pah në arenë. Nuk është se krijohet në kuptimin e mirëfilltë që lind si popull, por që krijohet në aspektin politik, në aspektin social dhe kemi konkretisht Regnum Albania që u jep identitet shqiptarëve për t’u njohur qoftë nga Papati, qoftë nga perandori, qoftë nga mbretërit. Pra është ajo njohja politike që të bëjnë të tjerët në fakt, arsyeja se pse ekziston apo nuk ekziston më vonë. Dhe është pikërisht mesjeta e cila duhet të marrë më tepër vëmendje, jo vetëm sepse është periudha që na bashkon më së shumti me Perëndimin, siç promovohet në shumicën e kohës. Në atë kohë kemi qenë më perëndimorë se kurrë. Është e vërtetë, por është e vërtetë edhe tjetra që ajo është momenti kur shqiptarët janë të vetëdijshëm për të qenit të tyre si komb, si grup, me një identitet të caktuar, që janë të ndryshëm nga grekët. Që janë të ndryshëm nga grekët, në kuptimin bizantinët sepse nuk po flasim për etni në këtë kuptim dhe shqiptarët janë në fakt si Regnum albanie, si institucion politik.”

Për një studiues të kësaj periudhe, fusha kyesore e betejës janë fondet arkivore në të gjithë vendet e Evropës dhe më gjerë.  Dhe për Shqipërinë këto arkiva kanë mjaft për të zbuluar….

“Sigurisht që të gjithë arkivat e Evropës mund të kenë diçka, janë potencialisht të pasura edhe me dokumente për Shqipërinë sepse në rastin më të tjeshtë kisha katolike ka funksionuar si një sistem i jashtëzakonshëm mobilizimi duke i çuar klerikët këtu, duke i sjellë, duke i nominuar nëpër vende të ndryshme dhe kështu që shqiptarët kanë qenë në këtë kuadër pjesë e këtij sistemi dhe kanë vajtur në vende të tjera ashtu siç kemi pasur edhe në Shqipëri ipeshkvë apo kryeipeshkvë që vinin nga vende të tjera, francezë, gjermanë apo mga vende, nuk kishte rëndësi. Pra ishte një sistem i cili lejonte mobilitetin edhe lejonte dinamikat brenda Perandorisë, brenda gjithë Evropës.

Sigurisht që arkivi kryesor është ai i Vatikanit, pa dyshim, sepse është arkivi që dashje pa dashje, edhe pa u kërkuar periferive dhe pa u kërkuar popujve apo vendeve, komuniteteve që të dërgojnë letra, ata ishin të detyruar që të dërgonin letra, të dërgonin relacione, të dërgonin informacione. Ishte, vinte nga vetë të qenit qendër, i cili i detyronte ata që të shkonin, të dërgonin dokumentacion.

Tek arkivat do të shtoja edhe arkivat e Dalmacisë që janë shumë të pasura me historinë e shqiptarëve sepse shqiptarët ishin shumë aktivë në Dalmaci dhe është interesante se shqiptarët konsiderohen njëlloj si qytetarët dalmatinas. Nuk bëhet diferencim që këta janë shqiptarë, këta janë dalmatinas. Dhe arkivat dalmatinase, edhe ata të vegjlit, që nuk janë hulumtuar deri më sot kanë shumë dokumente.”

Por si jetonin shqiptarët në mesjetë, çfarë mund të zbulojmë mes dokumenteve arkivore për jetën sociale në vend?

“Temat që mund të tregojnë më shumë për shqiptarët edhe që janë më pak të rrahura, mendoj se kanë të bëjnë me përdishmërinë, me jetën e përditshme të shqiptarëve, me mënyrën se si ata organizohen nga ana sociale, me mënyrën se si organizojnë ambientin ku jetojnë, pra një lloj antropologjie ndoshta, por të bazuar në dokumente, d.m.th. nuk jam shumë partizane e asaj që të krijojmë një ide të përfytyruar në bazë të objekteve, në rregull janë edhe dokumentet materiale d.m.th., por më shumë rëndësi për mua ka ekuilibri i të dyjave apo kontrolli i të dyjave dhe nxjerrja në pah e esencës së shqiptarëve si shqiptarë, e cila gjë mendoj se vazhdon edhe më vonë.

Unë jam frymëzuar shumë nga Niklas Luman, një sociolog gjerman i shekullit të kaluar në fakt, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, i cili e konsideron sistemin i pjesa kryesore e shoqërisë, d.m.th. e ka marrë teorinë e sistemit nga jeta biologjike.

D.m.th. mënyra se si unë pi ujë apo trupi im e përpunon atë, është krejt ndryshe nga mënyra se si një organizëm tjetër e përpunon ujin. Dhe po kështu një shoqëri. Mënyra se si shoqëria shqiptare e ka marrë p.sh. katolicizmin, mënyra se si e ka marrë dhe se si e ka përpunuar edhe feudalizmin apo më vonë rilindjen apo fenomene të ndryshme që i ka përjetuar në fakt e gjithë shoqëria evropiane, është shumë e ndryshme nga mënyra se si një komunitet tjetër, italian p.sh., apo gjerman, e ka marrë të njëjtin fenomen dhe në këtë aspekt është shumë e rëndësishme që historia të mund të nxjerrë këto lloje karakteristikash të shqiptarëve, të cilat më vonë bëhen institucione, siç është p.sh. besa, apo siç është besimi i shqiptarëve në supersticione, në vende të shenjta, në objekte të shenjta, pa kuptuar se çfarë është prapa asaj që po, këto janë gjëra që, të cilat kanë ardhur që nga mesjeta dhe duhen studiuar me rrënjë, duhen parë në mesjetë se çfarë kuptimi kanë pasur dhe pse kanë ardhur në këtë aspekt, në këtë lloj interpretimi.” – shpjegon Etleva Lala, studiuese e paleografisë latine.

Për studiuesit e kësaj periudhe mbetet një grishje e madhe edhe hulumtimi në fushën e  besimit. Studiuesja Etleva lala  merr shembullin e hulimtimeve që të grishin p.sh. kur studion rreth figurës së një shenjtori. 

“Një shenjtor i caktuar është e rëndësishme të studiohet si shenjtor, por mënyra se si një komunitet apo një individ e shikon shenjtorin tregon për individin vetë, tregon për komunitetin vetë. Çfarë shikon tek ai shenjtor janë gjëra që identifikojnë vetë shoqërinë apo personin, kështu që mënyra se si shqiptarët i kanë konsideruar gjërat e shenjta, tregon më shumë për shqiptarët sesa për shenjtorët dhe në këtë mënyrë mund të hedhim më shumë dritë te vetë karakteri i shqiptarëve, çfarë na bën neve të ndryshëm nga popujt e tjerë? Pse të njëjtin fenomen siç është p.sh. shenjtëria e personit apo e objektit është kaq e ndryshme në Shqipëri, apo jemi kaq paganë ndoshta, apo jemi kaq mosbesues ndoshta. Pse, çfarë ka ndodhur apo si kemi arritur që ne t’i përpunojmë këta elementë ndryshe nga ç’i përpunon populli sllav apo populli hungarez apo populli gjerman. Pse ata kanë të tjera qasje ndaj këtyre gjërave dhe ne kemi të tjera? Është koha kur këto lloje qasjesh të ngrihen në nivel shkencor dhe të mos shikohen më në mënyrë amatore apo në mënyrë fanatike. Nuk ka vend për fanatizëm në shkencë. Duhet parë gjithçka në mënyrë të matshme, në mënyrë shkencore, në mënyrë të provueshme.”

Duke u ndalur për një javë rresht në shembuj konkret, kjo eksperiencë e parë e shkollës së paleografisë latine, nxorri në pah diskutime  rreth shumë dokumenteve që për studimin periudhës tonë të mesjetës janë ndër më të rëndësishmet, si Formula e Pagëzimit,  dorëhskrimi i Barletit “Pushtimi i Shkodrës, etj…

“Konkretisht ne kemi pasur ca dokumente jashtëzakonisht interesante, në fakt në këtë shkollë verore, kemi pasur “Debelo Skodrenci” që është manuskripti, dorëshkrimi i Barletit para se të botohej “De obsevione skondrenci” d.m.th. “Pushtimi i Shkodrës”. Ai ka bërë të gjithë librin, e ka bërë në dorëshkrim në fillim dhe është tani në Bibliotekën Nacionale të Parisit dhe ne kemi gjetur dorëshkrimin. Unë në fakt kam bërë edhe krahasimin e të dyjave, edhe të manuskriptit edhe të botimit dhe ndryshimet që janë midis të dyjave janë një burim i vërtetë dije dhe kulture sepse mënyra se si është edituar dorëshkrimi dhe është sjellë në botim, tregon kaq shumë për botën e atëhershme të të kuptuarit edhe ngre kaq shumë probleme dhe enigma për t’u studiuar saqë është një burim i jastëzakonshëm. Pastaj kemi pasur “Kodikun” e Ashbërn Hanit ose, ku gjendet edhe “Formula e Pagëzimit” dhe “Formula e Pagëzimit” deri tani është publikuar si të thuash, vetëm në një faqe, ndërkohë që i gjithë “Kodiku” nuk është botuar kurrë deri tani. Dhe unë e kam përgatitur në fakt për botim, me transkriptim edhe me përkthim, dhe shpresojmë që së shpejti do të gjejmë një institucion i cili do ta mbështesë edhe botimin. Pastaj kemi pasur edhe bula papnore, qoftë mandatin e Skënderbeut për Muzakën si i dërguar i Skënderbeut.

Kemi pasur një bulë papnore të engjëllorëve, ku njihen të gjitha privilegjet e engjëllorëve që kanë marrë historikisht nga perandori bizantin. Pastaj kemi pasur Gazulin, qoftë një dokument ku Gazuli është si të thuash, një letër e dërguar Gazulit, por gjithashtu edhe Astrolabin e famshëm të Gazulit. Gazuli ishte i famshëm si astrolog në fund të ditës, dhe ky dorëshkrim që gjendet në arkivat e Dubrovnikut është i pabotuar kurrë më parë. Dhe me studentët zbërthejmë tekstin, zbërthejmë shkurtesat dhe është një kënaqësi e paparë kur ke mendje të tjera me të cilat mund të diskutosh, mund të ndash të njëjtat eksperienca, ndoshta edhe të njëjtat emocione, sa gjë e bukur është kjo këtu apo sa bukur e ka thënë këtë tjetrën këtu, sa ndryshojnë, cilat janë sfidat. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme kur punon në grup dhe kjo është kënaqësia më e madhe e shkollës verore dhe shpresoj që nesër e pasnesër këta studentë të jnë edhe kolegë, me të cilët mund të zhvillojmë më tej qoftë paleografinë në edicione të mëtejshme, qoftë edhe mesjetën, në fund të ditës.

Mendoj se do të shndërrohet në një traditë sepse nevoja është e madhe, nuk kemi shumë latinistë, nuk kemi shumë historianë që e njohin paleografinë latine dhe që mund të shfrytëzojnë dokumentet e pabotuara dhe të patranskriptuara, pra që vijnë direkt nga arkivat. Kështu që është një nevojë që duhet plotësuar herët a vonë dhe meqenëse e filluam, besoj që do të kemi edhe të gjithë mbështetjen institucionale, ashtu siç edhe tregohet nga mirëkuptimi dhe nga energjia pozitive që po jep Universiteti i Tiranës për të vazhduar këtë lloj tradite.”-shprehet për Report Tv profesor, doktor Etleva Lala.

Filed Under: Opinion

MARRVESHJA ABAZOVIÇ-PORFIRIJE — NJË KRIM NDAJ IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE — JO VETËM NË MAL TË ZI

August 8, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Javën që kaloi qeveria e Malit të Zi njoftoi se Kryeministri i vendit (me origjinë shqiptare) Dritan Abazoviç nënshkroi me Patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse të Serbisë atë, që ata quajnë “Marrëveshje Bazë” për rregullimin e marrëdhënieve midis dy palëve. “Marrëveshja Bazë”, më duket se është më shumë një marrveshje e sherreve. Mediat vendase dhe ndërkombëtare njoftojnë se marrveshja midis dy palëve u nënshkrua nën masa të forta sigurie dhe pa praninë e medias. Madje nënshkrimi as nuk ishte njoftuar, paraprakisht, siç nuk ishte njoftuar as arritja e patriarkut serb në Mal të Zi, për këtë qëllim.  Krye-kleriku serb erdhi si hajni natën, nënshkroi marrveshjen për plaçkitje “legjitime” të identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në trojet e veta nën Malin e Zi dhe u këthye në Beograd me “prenë”, të cilës kjo kishë ia kishte “venë” syrin, si skifteri zogut, shumë, shumë kohë më parë.

 Gjatë viteve, jam munduar të tërheq vëmendjen e publikut dhe të institucioneve përkatëse shqiptare në Mal të Zi, por edhe në Tiranë dhe në Prishtinë, ndaj sjelljeve armiqësore të Kishës Ortodokse serbe me qëllim përvetësimit të objekteve historike, sidomos, monumenteve të vjetra fetare të krishtëra (katolike shqiptare), siç janë Kishat e Shasit, me pretendimin se, historikisht, ato kanë qenë kisha serbe.  Frank Shkreli: Kryeprifti Serb msyn tokat shqiptare në Shas të Ulqinit | Gazeta Telegraf –

Kisha Ortodokse Serbe — për arsye të rolit shkatërrues që ka luajtur në luftërat dhe terrorin serb në Ballkanin e 1990-ave, përfshir spastrimin etnik dhe krimet serbe në Kosovë – është konsideruar, botërisht, si një organizatë kleriko-fashiste, më afër ideve në mbështetje të gjenocidit e shfarojses së popujve jo-serb, se sa për mësimet e Jezu-Krishtit, për të dashur të afërmin si vetveten, që si kishë e krishterë do duhej të predikonte.

Duke parë gjatë viteve lëvizjet e klerikëve serbë në ato anë, nga vij edhe unë, kam paralajmëruar disa herë se Kisha Ortodokse serbe – për realizimin e objektivave të saj djallëzore që nuk i realizoi me luftë — do përpiqej t’i arrinte në paqë.  Se, heret ose vonë, ajo do të rrëmbente, me hajdutllëkun e saj siç e kanë zakon e traditë serbët, për të vjedhur identitetin dhe historinë e shqiptarëve në trojet e tyre shekullore – sidomos, Kishat e Shasit dhe të përvetësojë historinë e tyre të lashtë iliro-arbërore-shqiptare.  

Fatkeqësisht, parashikimet e mia të para disa viteve u realizuan javën që kaloi me të ashtuquajturën “Marrëveshje bazë”, nënshkruar nga Kryeministri malazez, me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç dhe Kreu i Kishës famëkeqe Ortodokse Serbe. Kjo marrëveshje, për fat të keq, shkon përtej çdo imagjinate. Marrëveshja Abazoviç-Porfirije është aq e favorshme për Kishën Ortodokse serbe në territorin e Malit të Zi, sa që as në Serbi kjo kishë nuk gëzon privilegje të tilla. Marrëveshja e javës së kaluar i jep të drejtë Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi – ndër të tjera, privilegje me rëndësi — që të gëzojë jurisdiksion të plotë mbi pronat dhe kishat që ajo pretendon se janë të saj, anë e mbanë Malit të Zi, duke shkuar 6 shekuj pas në histori. Kjo është edhe arsyeja që Kisha Ortodokse Serbe, me vizita të përfaqsuesve të saj atje ka zhvilluar ceremoni fetare – për disa vite tani – duke pretenduar si prona të saja edhe Kishat e Shasit – nënkuptohet edhe territorin rreth e përqark tyre. Shkreli: GRABITQARËT ANTI-SHQIPTARË PËRSËRI U TURREN TROJEVE ARBËRORE – Ulqini Online – Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia (ulqini-online.com)

 Por Kisha serbe nuk është ndalur këtu. Ajo pretendon si të sajat edhe të tjera monumente të vjetra kishtare në trojet shqiptare, si në Plav-Guci e të tjera.  Madje edhe atje ku nuk ka pasur kurrë ndonjë prezencë kishtare serbe – siç është Kraja, në rrethin e Ulqinit. Edhe atje kisha serbe ka pretendime, bazuar në gnjeshtra dhe trillime të historisë në ato anë. A u kujtohet “kisha teneqe” serbe që është vendosur me helikopter në maje të malit të Rumisë, 10-15 vjet më parë? Planet e Kishës serbe në Mal të Zi kanë qenë afatgjata dhe mirë të planifikuara dhe të bashkenduara me politikanë vendas dhe të huaj, përfshir rusët. Pasi humbën luftën, Beogradi zyrtar dhe Kisha ortodokse serbe kanë vzahduar planet me mjete të tjera për arritjen e qëllimeve të tyre në Ballkan.  Të durueshëm, duke i peshuar mirë punët dhe afat-gjatë në planet e tyre, kanë pritur momentin e volitshëm për të bërë lëvizjen e duhur, duke shfrytëzuar rolin e një kryeministri të vendit me origjinë shqiptare. Të gjithë pyesnin në atë kohë, si mund të bëhet kryeministër dikush që nuk ka më shumë se katër deputet në parlament?

Pikërisht, me durim, në pritje të kësaj dite për një marrveshje të tillë nga Kisha serbe për të pretenduar se trojet shqiptare nën Malin e Zi janë historikisht, serbe me identitet, kulturë e fe. Sipas logjikës së tyre edhe “kisha teneqe”,  në maje të malit të Rumisë “provon” një gjë të tillë. Marrëveshja e Dritan Abazoviçit me Kishën Ortodokse serbe pro-ruse, javën që kaloi, legjitimon tani një pretendim të tillë, jo vetëm ndaj një objekti teneqe, të vendosur në Rumi, vite më parë, por për të gjitha objektet historike kishtare shqiptare, duke shkuar 6 shekuj mbrapa në historinë e atyre trojeve. Kjo marrëveshje i jep Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi jurisdikcion për të gjitha pretendimet e saja mbi të gjitha objektet fetare, në çfarëdo gjendje qofshin, përfshir gërmadhat. Qëllimi është për të uzurpuar historinë e atyre trojeve dhe për të zhdukur identitetin fetar dhe kombëtar të shqiptarëve në atë rajon. Atë që Beogradi zyrtar dhe Kisha ortodokse serbe nuk e benë dot me forcë në luftërat 1990-ave në Ballkan, fatkeqsisht, po realizojnë objektivat e tyre me dredhi dhe duke përdorur shqiptarët si mashë. Mos mendoni për asnjë minutë se ideja e “Ballkanit të hapur”, nuk është pjesë e kësaj politike!

Besoj se askush që di diçka për atë vend, nuk pret që një kryeministër me origjinë shqiptare siç është Dritan Abazoviçi në Mal të Zi, të punojë në interes të shqiptarëve ose në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe të drejtave të barbarta aktuale dhe historike të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. Por, ama në minimum, do prisnim prej një kryeministri që ka sadopak gjak shqiptari në venat e tij, që të mos përdori karrigën e tij me influencë, si numër një i qeverisë së atij vendi të jetë indiferent ndaj abuzimit zyrtar të identitetit kombëtar të shqiptarëve ose cilitdo grup etnik në vendin e tij  në favor të një armiku shekullor që nuk ka pushuar kurrë së luftuari interesat dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në ato anë.  Frank Shkreli/ Dritan Abazoviqi si përfaqsues i brezit të humbur të politikanëve shqiptarë dhe shpifja ndaj Heroit Kombëtar | Gazeta Telegraf

Kryeministri Abazoviç kërkoi ndjesë se kjo marrveshje nuk ishte nënshkruar më heret, duke shtuar se me nënshkrimin e saj tani, “dërgohet një mesazh i paqës dhe tolerancës” dhe se ky është një fillim i ri, sipas tij. Ndoshta Kryeministri Abazoviç di diçka më shumë se bota tjetër për “paqën dhe tolerancën” e Kishës ortodokse serbe.  Mbetet për tu parë se çfarë fillimi të ri ka ndër mend Kryeministri i Malit të Zi në marrëdhëniet e tija me Kishën Ortodokse serbe në atë vend dhe pasojat katastrofike për Malin e Zi dhe për rajonin. 

Shpresojmë që “fillimi i ri”, sipas Abazoviçit, të mos jetë në kurriz të drejtave të shqiptarëve dhe identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore, përfshir Kishat e Shasit – me 365 kishë që ka pasur dikur e që përkon me numrin e ditëve të një viti, sipas disa të dhënave të historianëve vendas dhe të huaj. Atij Shasi të pushtuar nga Stefan Nemanja rreth vitit 1183.  Shasit të shkatërrruar terësisht rreth 1242 nga Mongolët.  Shasit të rindërtuar nga Mbretëresha Helena Anzhuine.  Shasit, krejtësisht të shkretuar nga pushtimi Osman në vitin 1571, dhe Shasit të vendlindjes time, pranë gërmadhave të të cilit kalonim çdo ditë për të shkuar në shkollën fillore në Katërkollë, pa ditur asgjë për rëndësinë historike të atyre gërmadhave. Sepse e vërteta e tyre historike ishte e ndaluar të mësohej në shkolla, nga një regjim tjetër — komunizmi i asaj kohe — që predikonte “paqë, tolerancë” e madje edhe “bashkim-vëllazërim” e solidaritet midis popujve të ish-Jugosllavisë. Ai Shasi, historikisht, pjesë e identitetit tonë kombëtar si shqiptarë, që sot pretendohet nga Kisha Ortodokse serbe në Mal të Zi si pronë e saj e që siç duket marrëveshja legjitimon pretendimet serbe. Sido që ta shikosh, kjo marrëveshje e Dritan Abazoviçit me Kishën Ortodokse serbe është një marrëveshje me aleatët më të ngushtë të Vladimir Putinit në Ballkanin Perëndimor dhe kundër interesave kombëtare e kulturoe shqiptare. Kjo në, vetëvete, i shpjegon të gjitha!

Sot, Kombi shqiptar nuk dëshiron as nuk ka dëshiruar kurrë në historinë e tij, territorin e të tjerëve, as uzurpimin e pronave dhe as monumentet historiko-fetare, legjitime të fqinjëve, por as “bashkim-vëllazërimin” e imponuar sllavo-aziatik komunist të shekullit të kaluar, as “Ballkan të Hapur”, sot. Shqiptarët duan vetëm të vërtetën mbi historinë dhe mbrojtjen e identitetit të tij, bazuar në këtë histori. Mbi të gjitha Kombi shqiptar dëshiron të jetojë i lirë dhe i pavarur në shtëpinë e vet, në paqë dhe siguri me të gjithë në rajon, përfshir sllavët e jugut! 

Kishat e Shasit nuk janë një çështje e izoluar që i përket vetëm shqiptarëve nën Malin e Zi, por është një çështje që nevojitë vullnetin dhe aftësinë e gjithë shqiptarëve kudo për ta parë çeshtjen e mbrojtjes së identitetit kombëtar e kulturor në trojet shqiptare, në terësi dhe si diçka të pacenueshme — si një çështje e sigurimit kombëtar. Ndërkaq, entet zyrtare shqiptare në Mal të Zi, si dhe Tirana e Prishtina zyrtare heshtin përball kërcënimeve dhe mos kujdesjes ndaj objekteve historike të identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve, jo vetëm në Mal të Zi por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare. 

 Për fat të keq, influenca majtiste ateiste, sllavo komuniste, bolshevike në radhët e elitës politike shqiptare, sidomos në Shqipëri por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, po shkatërron identitetin, traditën dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve – në favor të një fryme të re globaliste, anti-kombëtare.  Nëqoftse Perëndimi i mbyll derën “Ballkanit të Hapur”, atëherë prite se po hynë për penxhere me mënyra të tjera, siç është marrëveshja e kryeministrit malazez me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç me Kishën ortodokse serbe — aleatën më të ngushtë të Rusisë së Putinit në Ballkan — nënshkruar javën që kaloi.  Si rrjedhim dhe për fat të keq, ky brez i politikanëve shqiptarë nuk po bëjnë shtetin për të mbrojtur kombin dhe as nuk po zhvillojnë shoqërinë civile që të mbrojë shtetin, historinë dhe identitetin kombëtar nga pretendimet dhe përvetësimi ilegjitim i identitetit dhe historisë kombëtare të shqiptarëve, nga fqinjët dashakeqës. Në fund të fundit, siç thotë populli, livadhi është i deleve që e kullosin.

Frank Shkreli

Kisha në Rumi, partitë shqiptare në qeveri duhet të kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi

Kisha prej teneqe e vendosur vite më parë në maje të Malit të Rumisë me helikopter nga Kisha Ortodokse serbe, një vend ku nuk ka pasur kurrë më parë kishë ortodokse serbe atje – mbikqyr Liqenin e Shkodrës dhe qytetin Shkodër, por që tani, sipas marrveshjes së re Abazoviç-Porfirije, Kisha serbe mund të pretendojë se ajo kishë me rrethinë është pronë e saja, sot e 6 shekuj më parë.

media.alt

Kryetari i Kishës Ortodokse serbe, Peshkopi Porfirije dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç duke nënshkruar të ashtuquajturën “Marrveshje Bazë”, mbi të drejtat dhe privilegjet e Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi. (Foton ga portali i qeverisë malazeze) 

Radojica-bozovic-kisha-serbe-shas

Një klerik i Kishës ortodokse serbe në një prej “vizitave pastorale” të tij me një grup – në përpjekje për të legjitimuar pretendimet serbe se Kishat e Shasit – të pa mbrojtura nga askush — i përkasin Kishës Ortodokse të Serbisë. 

    Pamje nga gërmadhat e kishave mesjetare të Shasit për të cilat nuk kujdeset askush. Në këtë mungesë interesimi, aty midis gërmadhave e ferrave futen priftërinjtë e Kishës Ortodokse serbe dhe zhvillojnë liturgjinë e tyre me qëllim përvetësimi të këtyre objekteve mesjetare. Marrëveshja e javës së kaluar e Kryeministrit Abazoviç me Kishën Ortodokse serbe ia bën të mundur kishës serbe, përvetësimin e këtyre objekteve, me nënshkrimin e Kryeministrit Abazoviç.  

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

ZBULOHET VULA E IPESHKVIT TË SAPËS PJETËR ZAHARISË NGA VITI 1422 NË HVAR TË KROACISË

August 6, 2022 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Në Arkivin e Ipeshkvisë së Hvarit, në Hvar, ruhet vula origjinale e ipeshkvit të Sapës Pjetër Zaharisë. Vula është zbuluar rastësisht, gjatë gërmimit para Katedralës së Hvarit, me rastin e shtruarjes së oborrit me pllaka, më 12 mars të vitit 1988.

Vula është e përbërë nga metali i bakrit. Ka formë ovale dhe dy polet i ka paksa të shtypura. Fomrati i vulës është: 62 x 37 x 2 x 11 mm. Në rrethin anësor, në formë të një shiriti, është i gdhendur, në gjuhën latine, me grafema gotike, teksti:

ºSºPERºDIºZºAPLICE SED

ISºGRAºEPIºSAPIENSIS

që do të mund të lexohej kështu:

S[IGILLIUM] PE[T]R[I] D[E]I Z[ACCARIAE] [ET] AP[OSTO]LIC[A]E SEDIS GRA[TIAE] EPI[SCOPUS] SAPAIENSIS

Përkthimi shqip: Vula e ipeshkvit Pjetër Zaharisë, me Vullnetin e Selisë së Shejtë ipeshkëv i Sapës.

Sfragjistka – sigjilografia është shkenca që studion origjinën, prodhimin, zhvillimin dhe përdorimin e vulave nga ekzemplarët e parë të regjistruar nga kohët e lashta deri në kohët moderne, vlerën e tyre historike dhe juridike, kuptimin artistik, performancën, etj.

Vulat e para të njohura deri me sot u shfaqën në kohët e lashta, rreth vitit 3500 para Krishtit, në zonat e qytetërimeve më të vjetra të Mesopotamisë, Luginës së Indit dhe Egjiptit. Nga ato rajone ato arritën te grekët, dhe më pas te etruskët dhe romakët. Gjermanët morën vulat nga grekët dhe romakët në shekullin e V-të duke ndikuar që ato të përhapeshin në Evropën Perëndimore dhe Qendrore. Në fillim të shekullit të VI-të filluan të vulosen dokumente e shkruara në pergamenë, gjë që përshpejtoi zhvillimin e mëtejshëm të vulave. Nga shekulli i VIII-të, vula u bë një shenjë e përgjithshme e vërtetimit – sigurisë dhe konfirmimit të dokumenteve të të gjithë sundimtarëve të Evropës Perëndimore dhe Qendrore si dhe të perandorëve bizantinë dhe papëve romakë. Termi vulë ka origjinë nga fjala latine: Sigillum dhe ajo greke: σφραγις /sfragis. Në italisht përdoret termi: sigillografia, etj. Dallojmë disa lloje vulash: vulën e madhe; vulën e vogël; vulën e dyfishtë; vulën e përbashkët, etj. Format e vulave janë gjithashtu të ndryshme. Më së shpeshti janë të rrumbullakëta, por mund të jenë edhe: në formë vezore, në formë dardhe, në formë zemre, në formë kryqi, në formë mburoje, formë katrore, trekëndëshi, etj. Sipas llojit të vulave, ato ndahen në: vula mbishkrimesh; vula arti; vula portretesh; vulat e stemash, etj. Sipas materialit nga i cili janë bërë, ato ndahen në: vula prej metali (ari, argjendi, plumbi) dhe dylli dhe dylli vulosës, etj. Përdromimi dhe pronësia e vulës në mesjetë ishte privilegj i perandorëve, mbretërve, fisnikërisë së lartë (kryesisht vulat e arit) fisnikërisë së mesme dhe asaj të ulët, pastaj e klerikëve, (papës, kardinalve, kryeipeshkëve, ipeshkëve, etj), institucioneve shtetërore mesjetare, esnafeve, univeristetve, gjimnazeve dhe shoqatave me profile të ndryshme, etj.

Në anën e sipërme të vulës është e paraqitur Shën Mëria me një fëmijë në duar, ndërsa në anën e poshtë, është figura e një ipeshkvi të gjunjëzuar [ne mednojmë se mund të jetë figura e ipeshkvit të Sapës, Pjetër Zaharisë, gjë që praktikohej në atë kohë, që në vulë ose stemë, të ishte figura e vetë titullmbajtësit], me mitër në kokë dhe shkop në dorë. Në të dy anët e figurës së ipeshkvit të gjunjëzuar, ndodhen dy stema, në formë mburoje, me unaza në mes, ndërsa lartë, vërehet një yll gjashtë cepësh, në mes të dy zambakëve. Edhe për këtë stemë /emblemë/ mendojmë se duhet të ishte, stema e ipeshkvit të Sapës!

Pjesën qëndrore të vulës, e zën figura e Shën Mhillit me krahë të hapur, i cili është i veshur si kalorës. Në dorën e djathtë, mban një heshtë, me të cilën e godet dragoin – djallin; ndërsa në dorën e majtë, mban një peshore [vagë] e cila simbolizon peshimin e mëkatëve, për shpirtërat të cilët duhet të kalojnë, nëpër Gjykatën e tmeshme, për në botën tjetër të amshuar. Në ilustrimin grafik që kemi bërë, këto detale, vërehen tepër qartë. Ndërsa në fotografit e bëra, kjo gjë nuk është edhe aq e qartë!

Pjetër Zaharia ishte emruar ipeshk i Sapës më: 4 maj 1395. Kishte vdekur më 3 korrik të vitit 1422. Ne e kemi datuar vulën në vitin 1422, duke e mos pasur të dhëna të sakta se kur është bërë kjo vule. Për datim na ka shërbyer një dokument origjinal që ruhet pranë arkivit të katedrales së Hvarit ku është shënuar data 13 prill 1422. Duke qenë se është përdorur fizikisht në këtë datë, kjo vulë nuk mund të jetë e mëvonshme.

Për jetë e Pjetër Zaharisë nuk kemi shumë të dhëna, pos që dimë se ka qenë shumë aktiv në jetën kishtare dhe atë diplomatike. Janë shumë të rëndësishme dokumentet që ruhen në Archivio Segreto Vaticano, në Vatikan, ku hap pas hapi ndjekim veprimtarinë kishtare të Pjetrit si ipeshkëv i Sapës. Ndërsa në shumë dokumenta që ruhen në Arkivat e Venedikut, e hasim si diplomat, në raste të ndryshme, në mardhënjet shqiptaro – venedikase. Janë të njohura disa relata dhe dokumenta me vlerë të jashtëzakonshme, për gjendjen në Shqipërinë Veriore, paraturke, ku në to bëhet fjalë për gjendjen e besimtarëve të krishterë, jo vetëm të ritit perëndimor, por edhe të atij greko-katolik /lindor/, pastaj për gjendjen e rëndë ekonomike si dhe për zhvillimet politke të atyre viteve.

Mendojmë, se në njërin nga udhtimet e fundit që bënte për në Venedik, ai vdiq dhe u varros në Hvar. Së bashku me kufomën e tij, si duket janë varrosur edhe gjërat personale, e ndër to edhe vula, e cila na është ruajtur, në gjendje të shkëlqyer.

Duhet cekur, se disa vite më vonë, ipeshk i Sapës ishte edhe një Pjetër tjetër, i cili emrohet ipeshkëv në Sapë, më: 13 korrik 1425. [Vdes më 6. Mars 1433]. Ky Pjetër, para se të emrohej ipeshkëv i Sapës, ishte abat në abacinë e Shën Sergjit dhe Bahut në grykë-derdhje të Bunës. Nuk ka mundësi që vula e gjetur në Hvar, ti përkiste Pjetrit të dytë, ngase në vetë vulën kemi të gdhendur grafemën “Z” që ne e lexojmë si Zaharia, gjë që është shumë logjike, si dhe siq cekëm më lartë datën në dokumentin origjinal nga katedralja e Hvarit.

Pos vulës së cekur më lartë, në arkivin e Ipeshkvisë së Hvarit, ruehn edhe dokumenta të rëndësishme, për disa nga personalitetet kishtare të kohës nga Kryeipeshkvia e Shkupit. Dokumentat janë të ruajtura mjaft mirë, mirpo nuk janë të sitemuara, të katalogizuara e as të inventarizuara.

Zbulimi dhe botimi i kësaj vule është edhe një shkak më shumë, për hulumtuesit dhe shkencëtarët shqipëtar, që më me përkushtim, të hulumtojnë arkiva dhe biblioteka, në gjithë teritorin e bregdetit të Adrikatikut, ngase ruhen ende dokumenta, dorëshkrime, vula dhe libra të rrallë, të cilët kanë një vlerë të paçmuar për historinë shqiptare në për gjithësi.

Diçiturat për ilustrimet:

Vula-1.jpg – Këllëfi [kallëpi] origjinal i metaltë i vulës së ipeshkvit të Sapës, Pjetër Zaharisë nga viti 1422. Origjinali ruhet në Ipeshkvinë e Hvarit, në Hvar. Dimensionet: 62 x 37 x 2 x 11mm.

Vula-2.jpg –Skica e këllëfit të metaltë të vulës së ipeshkvit të Sapës, Pjetër Zaharisë, 1422.

Vula-3.jpg – Vula origjinale e dyllit të kuq. Origjinali ruhet në Ipeshkvinë e Hvarit, në Hvar. Në rrethin anësor, në gjuhën latine është i shënuar teksti:

ºSºPERºDIºZºAPLICE SED

ISºGRAºEPIºSAPIENSIS

[Sigillium Petri Dei Zaccariae et Apostolic(a)e Sedis gratia episcopi Sapaiensis], në gjuhën shqipe do të ishte: Vula e ipeshkvit Pjetër Zaharisë, me Vullnetin e Selisë së Shejtë ipeshkëv i Sapës.

Vula-4.jpg – Vula origjinale e dyllit të kuq. Origjinali ruhet në Ipeshkvinë e Hvarit, në Hvar e nxjerrë nga dokumenti që mban datën 13 prill 1422.

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

LOGU I BJESHKËVE, TRADITË KULTURORE E HISTORIKE-SHEKULLORE E  KELMENDIT… 

August 6, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

HYRJE  

Malesia  e Madhe, dhe “zemra” e saj Kelmendi prej shekujsh kanë qënë protagoniste jo vetëm të qëndresës e luftrave  mbrojtëse  të trojeve shqiptare dhe identitetit  tonë Europerendimor, por  kanë qënë edhe protoganistë  të evenimenteve  festive me karakter civilizues dhe aromë të dallueshme Europiane. Në trojet tona  nuk ka “kënduar”  vetëm pushka e ka hellur valle jatagani në duar të  trimave  e  trimereshave  malësorë që i delnin  për-zot kësaj  “pjesë”  të Europës, por  në këto troje  edhe këndohej e hillej  valle për bukurinë e  hijeshinë e “amazonave  e spartakeve” kelmendas, malsor e shqiptar. Këtu i këndohej  dashurisë, jetës, trimave  e trimreshave me trajta të kreshnikëve e  heronjëve të vertet , këtu  zhvilloheshin edhe lojra popullore  e gara të ndryshme, të  cilat  shoqëronin  jetën e fisme të këtyre  maleve , bjeshkëve  e luginave , disi të ashpra ne dukje , por të “ëmbla” për t’i jetuar… Logjet e zhvilluara në Malësi të Madhe (që nga Kelmendi, Gruda, Trieshi, Traboini, Koja, Rapsha, Shkreli, Lohja e Sipëme, e veçanarisht te Shpella e Frashnit Bajzë etjerë..) kanë qënë mjaft  të veëanta e të hershme, ku jehona e tyre prej shekujsh i ka  kaluar kufinjët  e trojeve tona etnike…

PAK HISTORI PËR LOGUN E BJESHKËVE TË KELMENDIT!

Logu i bjeshkëve është një traditë shumëshekullore e treves së Kelmendit. Zgjedhja e  vendit të Logut të bjeshkëve  në Qafen e Predelecit të fshatit Lëpushë nuk është e rastësishme, por është traditë historike e “gershetuar”  me atë  natyrore, pasi ky vend  plotësonte mrekullisht  kushtet  për një eveniment të till festiv e tradicional… Qafa e Predelecit ka një  histori  mbi tre shekullore kuvendesh e logjesh pavaresisht viteve të ndërprerjeve  apo deformimeve  që kishin sjellur  baticat apo zbaticat ndër mote e shekuj … Alabanologu dhe studiuesi Franc Nopça kur shkruan  për  kuvendet  e fiseve  në mbledhjet e të cilave  vendosej  përmbi luften dhe  paqen , shënon edhe vendet  ku mblidheshin keto  kuvende  në Malesi të Madhe e më gjërë. Për Kelmendin ai cilëson si vend  kuvendesh Qafen e Predelecit. (Franc  Nopça ;  Fiset e Malësisë së Shqiperisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre, fq.263-264 ,Tiranë 2013). Nga Qafa e Predelecit pamja është vertet mahnitëse. Jo më kot Lëpusha vlersohet si kryevepra e natyrës së Kelmendit  dhe perlë e Alpeve Shqiptare…  Lëpusha të josh  me forma të buta të relievit … Më në pasqyrë  është Mali i Trojanit, emër ky ndoshta i perandorit romak Trajan, qysh në kohën e fushatave  ushtarake  per nënshtrimin e Dardanisë (Kosovës) dhe të Dakisë (Rumanisë së sotme). Franc Nopça  pasi kishte vizituar Shqiperinë e Veriut , në vitin  1910  në Sarajevë botoi librin “Gjeografia  e Shqiperisë Veriut”, ku për  pamjen natyrore të Lëpushës do të shkruante: “ Njeriu mund të besonte  se gjendej në pyllin e Vjenës, sikur të mos gjendej aty maja “kërcënuese” e Trojanit..”.  (Kolë  Progni ,Malësia e Kelmendit ,monografi ,fq.96-97, Shkoder 2000).  Qafa e Perdelecit  ndër shekuj ka qenë   vendi i kremtimit të përvitshëm të festës fetare  Shna Prendes  (26 korrikut), ku me këtë rast është kënduar, kercyer, janë zhvilluar lojra tradicionale popullore etjerë. Logu fillonte me një këngë majakrahu  dhe nga një këngëtar i Lëpushës, i cili sapo mbaron këngën përshëndetej duke qitë pushkë nga miku kryesor i Logut dhe shoqërua me fjalët të lumtë goja. Më pas këndonte këngëtari më i njohur i zonës i cili urohej me fjalët; të këndoftë  zemra  dhe ky urim shoqërohej me të shtena armësh. Pas kësaj logu merrte  gjalleri të madhe nga lahutarët, këngëtarët  e kërcimtarët që “zevendësonin” njeri-tjetrin si në konkurset e sotme… (Pjesmarrësit e Logut të bjeshkëve visheshin gjithnjë me kostumet  kombëtare të treves etnografike të Kelmendit, ku spikasnin; në veshjet për gratë xhubleta e traditës mbi 4000 vjeçare dhe për burrat çakçirët e xhamadani etj…). Në Log zhvilloheshin edhe mjaft lojra popullore si ;  loja kush ishte më i shkalltë dhe më i zoti për të “marrë” bajrakun (flamurin), loja me shami të kuqe e deri gjuajtja e shenjit me armë që ishte pika kulmore e logut  etjerë. Logu i Bjeshkëve kishte vijuar për  mote e shekuj,  deri edhe gjatë luftës së dytë botërore, por ky log do të  ndalua gjatë regjimit komunist  si  eveniment festiv-tradicional, të cilin regjimi komunist u mundua ta  zëvendësonte me evenimente  e ditë të tjera  “festive” (në fakt më shumë ditë-zie që solli ky regjim enveristo-bolshevik për Kelmendin, Malësinë  e Shqipërinë), që nuk i  kushtoheshin më tradites së bukur kelmendase, por partisë e udheheqesve të saj… 

LOGU I BJESHKËVE  PAS RRËZIMIT TË SHTETI KOMUNIST 

Logu i bjeshkeve rifilloi traditën pas rrezimit të shtetit komunist, (më sakt gjatë drejtimit të (ish) komunës Kelmend nga Kryetari i saj z.Rush Dragu 1996-2000, perfaqësues i Partisë Demokratike). Gjatë  këtyre viteve të pluralizmit e demokracisë logu i bjeshkëve në Kelmend perveç vlerave tradicionale mori edhe vlera bashkohore.  Manifestim i logut të bjeshkëve “sot” ka fituar shumë  elemente të qytetrimit  përendimore, ku më i spikaturi është  momenti i konkurimit e perzgjedhjes së bukurisë (femrës më të bukur) të Logut të Bjeshkeve, që tashma njihet  me “emrin” d.m.th. “MISS  BJESHKA”. Logu tashma ka një pjesmarrje të gjërë nga Kelmendi, Malesia e Madhe, por edhe treva të tjera…

DISA FJALË NË VEND TË NJË EPILOGU 

Sot  Logut i  Bjeshkëve të Kelmendit zhvillohet (zakonisht) në dhjetditëshin e parë  të muajit gusht (këtë vit-2022 me 7 gusht)… Në këtë eveniment festiv e tradicional të Kelmendit, bie në sy protagonizmi për të marrë zotnillëkun e kësaj tradite kuturore, festive e historike të Kelmendit, “miqë” të ndryshëm jashtë Kelmendit e Malësisë së Madhe. “Pretekstet” e këtij protagonizmi  janë nga më të ndryshmet, deri te ai financiar… (Prite Zot edhe ai politik). Vertet e rëndësishme është që të vijoj të zhvillohet tradita e logut të Bjeshkëve të Kelmendit, por të zotët e shtëpisë, Kelmenasit, të mos ua lëshojnë zotnillëkun miqëve të ftuar (e të paftuar), pasi miku sado mik i mirë të jenë, sipas traditës shekullore respektohet gjithmonë si mik, e kurr si zot i shtëpisë tënde… 

Koplik me 05 gusht 2022  

Filed Under: Kulture Tagged With: Ndue Bacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2129
  • 2130
  • 2131
  • 2132
  • 2133
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT