• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një histori nga mund të edukohemi të gjithë

August 18, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Shpesh u rikthehemi shfaqjeve apo filmave që kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë. Ka ndodhur edhe tek unë. Një prej tyre është filmi “Vallëzim me Ujqërit” me regjisor aktorin e njohur amerikan Kevin Costner, i cili fitoi Çmimin Oscar për regjisorin më të mirë. Filmi gjithashtu mori 7-të Çmime Oscar dhe titullin si filmi më i mirë, ndërsa autori i novelës “Vallëzim me Ujqërit” Michael Blake fitoi Oscarin për skenarin më të mirë.

“Vallëzim me Ujqërit” është një film epik amerikan i vitit 1990 me protagonist, producent dhe regjisor Kevin Costner. Është një adaptim filmik i romanit të vitit 1988 “Vallëzimi me Ujqërit” nga Michael Blake, që tregon historinë e togerit të ushtrisë së Unionit, John J. Dunbar (Costner), i cili udhëtoi drejt kufirit amerikan për të gjetur një post ushtarake dhe takoi një grup Lakotash (amerikanë nativë).

Si erdhi ky film dhe si u arritën kaq shumë Çmime Oscar, për një shkrimtar që më herët i refuzohej botimi e shihej i nënvlerësuar nga media dhe Hollivudi. Kevin Costner e kishte mik të hershëm Michael Blake, kur ai po kalonte një krizë të thellë financiare e ndihmoi dhe mbështeti. Qysh fëmijë Michael-it i pëlqentë të lexonte, të shkruante. Me fantazinë e një fëmije hidhte në letrën e bardhë skica, tregime që i pëlqenin edhe moshatarët e tij. Këto e frymëzonin për të eur më tej në krijimtarinë tij letrare, me shpresë se një ditë do të ishte ai që do t’a vlerësonin të gjithë.

Nuk ndodhi kështu. Për disa syresh cilësohej një tregimtar apo shkrimtar i nivelit jo të kënaqshëm, të cilët ndoshta (mendimi im, qofsha e gabuar) mund të shfaqnin edhe ndjenja jo dashamirëse për arritjet e tij në këtë fushë dhe i bënin “bllok” botimeve të artikujve të tij. Përpiqej të gjente ndonjë punë tjetër për mbijetesë, por e pamundur.

Nëse një mik, një mike, një i afërm nuk të përkrah edhe për vetë amerikanët nuk është e lehtë për gjetja e një pune. Kudo që të jetosh, për të rimarrë veten, për një jetë më cilësore, patjetër duhet që dikush të të japë dorën e të sistemojë diku për të punuar. Këtu gjen vend shprehja “Më mirë një mik, se një çiflik”

Michael Blake ishte i papunë, por miku i mirë në ditë të vështira duket dhe Keven për t’a ndihmuar i tha shkruaj diçka me vlerë, por gjithmonë përgjigjet që Michael merrte ishin negative. Artikujt nuk po i botoheshin, tekstet e tij nuk ishin të pranueshme e të pëlqyeshme për Hollivudin. Nga tërë ajo situatë e errët që e kishte mbërthyer me gjithë qënien e tij i drejtohet Keven-it, duke i thënë: “E urrej Hollywood-in. Ju urrej të gjithëve.

Keven për t’a qetësuar i tha se ndoshta duhej të përpiqej më shumë për të arritur aty ku duhej… Pas një debati pa krye Costner mendoi se miqësia e tyre kishte përfunduar. Një javë më pas, Michael duke humbur çdo shpresë dhe si i pastrehë, pyeti Keven nëse mund të flinte për një kohë në banesën e tij. Keven kishte shumë miq e shokë, por me Michael kishte miqësi të hershme, kishin kaluar shumë kohë bashkë që në rininë e tyre të hershme. Si një mik i mirë Costner duke parë situatën e vështirë që po përjetonte Michael e pranoi në shtëpinë e tij, ku banonte sëbashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre të vegjël.

Michael qëndroi aty për disa muaj, mbrëmjeve vetëm shkruante, por Keven nuk i afrohej për t’i lexur. Michael nuk lodhej, shkruante e shkruante papushim çdo natë dhe shpesh i kërkonte Costnerit të lexonte tregimet e tij, por ai ende i mbante mëri mikut të tij dhe nuk pranonte t’ia lexonte. Kaloi kohë, ditë pas dite dhe Michael me besimin se tregimet e tij do të pelqeheshin, filloi t’ia lexonte vajzës trevjeçare të Costner-it. Mirëpo kjo gjë nuk i pëlqeu aspak gruas së tij, dhe kërkoi që Michael të largohej menjëherë nga shtëpia e tyre.

Pas shumë përpjekjesh Michael gjeti punë si pjatalarës në një restorant kinez në Arizona dhe shpesh i telefononte Costner, ku veç të tjereve e pyeste nëse e kishte lexuar dorëshkrimin e tij që i kishte lënë mbi tryezë ditën kur u largua prej tyre. Costner edhe pse vazhdonte të ishte akoma i zemëruar me të, përsëri nuk mund t’a linte që të vuante në skamje mikun e tij, por vazhdonte t’a ndihmonte duke i dërguar atij ushqime, batanije etj… por novelës së Michael nuk i hidhte as sytë, e jo më t’a lexonte.

Mbrëmjen e një dimri të ftohtë, ulur rreth vatrës me familjen, vajza e vogël i tregoi të atit pjesë nga një histori shkruar nga Michael Blake, të cilit i tërhoqi vëmendjen. U ngrit menjëherë shkoi në dhomën ku kishte qëndruar Michael. Dorëshkrimi ishte po aty, ashtu siç ai e kishte lënë, mbi atë tavolinë ku Michael ngryste e gdhinte netët duke shkruar. E lexoi me një frymë. Vepra me autor Michael Blake titullohej “Vallëzim me Ujqërit”(Dances with Wolves).

Keven Kostner si producet dhe regjisor e përshtati novelën e mikut të tij Michael Blake “Dances with the Wolves” në një film legjendë, fitues të 7-të Çmimeve Oskar. Si më parë të dy mbetën shokë të mirë deri kur Michael Blake u nda nga jeta në moshën 69 vjeçare, në vitin 2015 nga një sëmundje e rëndë.

Ngjarja preku zemrat e gazetarëve dhe shumë qytetarëve amerikanë, por edhe shqiptarëve të cilët janë ndalur, kanë shkruar e folur rreth kësaj historie sa interesante aq edhe mbresëlënëse. Shpresoj që edhe ju lexues të dashur nëse keni ndonje mik/mike të rrethit tuaj shoqëror që ka nevojë për ndihmë, mos hezitoni, vini dorën në zemër, e jepini dorën kur ndodhet në vështirësi ekonomike, shëndetësore apo familjare. Veçanërisht në dhe të huaj, në emigracion ku standartet e jetesës sado përbëjnë ndryshim nga ku keni/ kemi jetuar më parë.

Filed Under: Interviste

Fjala “Çamëri” dhe makthi ndaj historisë

August 18, 2025 by s p

Luan Rama/

“Çdo tentativë e politikës për të rishkruar historinë është anakronike, anti-historike dhe anti-humane.”

Historia njerëzore është përvojë njerëzore, eksperiencë, mësim nga e kaluara. Në përshkrimet e historisë kanë ekzistuar gjithnjë dy lloje historianësh : kronistët e vërtetë, dëshmitarë të historisë dhe ngjarjeve, luftrave, armëpushimeve, zhvendosjes së popujve dhe shuarjes së qytetërimeve të tyre (Pausanias apo Herodoti ishin ata që udhëtonin dhe shkruanin atë çka u shikonte syri) dhe haxhiografët, ata që jetonin në oborret e perandorëve, tiranëve e diktatorëve, me detyrën për të shkruar atë çka u pëlqente atyre (çka e shohim edhe sot me Putinin që kërkon ta shuajë historinë dhe gjuhën e Ukrahinës). Pra ndodh që dhe kur historitë, ngjarjet janë shkruar nga kronistë të vërtetë, dëshmitarë okularë të një jete e qytetërimi, kjo lloj historie kthehet në një lloj makthi për një politikë zyrtare, e cila kërkon ta shuajë, dhe fshehë një të vërtetë historike, një ngjarje të hidhur që ka ndodhur me qeveritë paraardhëse. Dhe në këtë rast, shëmbulli i Greqisë « demokratike » është më se i dukshëm në sferën historike të vendeve të Bashkimit Europian. Shumë studime janë shkruar rreth kësaj teme, shumë kërkesa i janë bërë qeverive të njëpasnjëshme greke që pas ndryshimeve politike në Shqipërinë e fillimit të viteve ’90, që Greqia të kërkojë falje për krimet e kryera në emër të një ideologjie dhe urrejtje nacionale dhe masakrën historike ndaj shqiptarëve të Çamërisë e cila pas Konferencës së Londrës mbeti në kufijtë e Greqisë.

Por në të kundërtën, Greqia vazhdon të këmbëngulë në negacionizmin e saj, thua se “kjo histori s’ka ndodhur ndonjëherë dhe se s’duhet të flitet më për të ». Ajo që deklaroi koloneli Zerva kur ndërmori masakrën ndaj shqiptarëve çamë se « këtej e tutje s’do të dëgjohet më fjala çam dhe Çamëri », duket se ka mbetur sllogan i përqafuar nga tërë politika greke. Përse ky makth i madh kur flitet për Çamëri dhe çamë, term që më së fundi gjatë këtyre 80 vjetëve Greqia zyrtare e varrosi në të gjitha tekstet e saj të shkollave apo dhe në tekstet e vetë historianëve, të cilët jo rrallë kanë guxuar ta thonë fjalën e tyre por që janë ndëshkuar. Madje Greqia, përmes presioneve të ndryshme politike arriti ta zhdukë atë dhe nga kurrikulat e teksteve shkollore shqiptare që në vitin 2018. Ky është absurdi më i madh fatkeqësisht i pranuar nga politika shqiptare që për interesa të caktuara dhe jo rrallë personale, ti shtrojë « qilimin e kuq » historisë politike greke.

Historia nuk mund të diktohet nga qeverisësit dhe dëshirat e tyre. Historiografija moderne duhet të ketë koncepte moderne dhe të gjykojë mbi koncepte novatore, siç janë ato të historianit të madh evropian Fernand Braudel lidhur së pari mbi identitetin kombëtar por dhe mbi impaktin e gjeografisë mbi historinë, që është një nga konceptet revolucionare të tij, të impaktit të ekonomisë dhe lëvizjeve sociale apo të asaj që ai e quante « civilisation materielle », pra « qytetërim material ». Para më shumë se dy dekadash, kur parlamenti francez tentoi të vendoste diçka për tekstet shkollore lidhur me përkufizimin e historisë së kolonializimit francez, historianët nuk e pranuan diktatin e politikës. Madje edhe vete ish kryeministri francez De Villepin pohoi se « historinë nuk mund ta bëjnë legjislatorët ». Dhe këtu ishte fjala vetëm për « rolin pozitiv » që kërkohej ti jepej kolonializimit dhe jo siç ndodh në botën shqiptare për diktatin që i bëhet botës shkencore për ta rishkruar me urdhër historinë.

Pukvili, helenisti i madh për Çamërinë

Një nga helenistët më të mëdhenj të para Revolucionit Grek për Pavarësi ishte konsulli francez François de Pouqueville që Napoleon Bonaparte e dërgoi si konsull të tij pranë Ali Pashës në Janinë. Meqë Greqia zyrtare sot kërkon të zhdukë përfundimisht emrin Çamëri dhe çam nga librat e historisë (çfarë ka bërë prej kohësh në botimet e saj në gjuhën greke) le të kujtojmë këtu shkrimet dhe atë çfarë pohonte dikur në vitet 1810-1820 mbojtësi më i madh i Greqisë së shtypur në librat e tij si “Udhëtim në Moré, në Konstantinopojë dhe Shqipëri” (Voyage en Morée, à Constantinople et en Albanie), “Udhëtim nëpër Greqi” (Voyage de la Grèce) dhe “Rilindja e Greqisë” (La Régéneration de la Grèce), tre libra themelorë për të kuptuar se ç’ishte Greqia e asaj kohe. Në të tri librat, kur udhëton apo bie fjala për çamët dhe Çamërinë, ai nuk shkruan thjeshtë për banorë të Epirit, por shkruan për çamët dhe Çamërinë, siç e shkruanin dhe disa historianë disa shekuj para tij. Ja çfarë shkruan ai në librin “Voyage de la Grèce » në faqet 217-220 : « Në brigjet e detit jonian, mes vendeve të mrekullueshme të Thesprotisë, në vendet e gjelbëruara që përmbledhin Thyamis dhe Achéron, jetojnë çamët, që i kanë shpëtuar shpatës së satrapit të Janinës… Camet thesprote kanë sy të mëdhenj dhe të zinj, flokë të gjatë e gështenjë, kanë një lëkurë delikate, disi brune ku shfaqet qafa e tyre e bukur, sensuale e me këmbë të holla…”

Në vëllimin e dytë të këtij libri prej 6 volumesh, në f. 53 ai vazhdon: “Fshatarët e fshatrave që ngrihen nga ana e djathtë e lumit Thyamis, të cilët i numurova që nga Sarashovica, janë shqiptarë kritianë që flasin gjuhën çame (chamides). Mes tyre gjen një vitalitet të lindur, një gjak të pastër, burra bjondë apo brunë dhe krenarë që nuk e durojnë dot zgjedhën…” Madje në këto faqe ai sjell dhe një këngë të bukur, “këngën e zambakut”, një këngë lirike të cilën e ka regjistruar dhe sjellë në frëngjisht me një poetikë të jashtëzakonshme. Në kapitullin e VI, nën titullin “Cestrine dhe Chamourie”, ai shkruan: “ Cestrine është ajo pjesë e Thesprotisë që përfshin zonën mes Thyamis dhe Acheron dhe që grekët e quajnë Çamëri, ndërsa turqit Çam-Sanxhak, me kryeqendër Paramithinë”. Më tej, në faqen 132 ai shton se “Çam-Sanxhak ose pashallëku i Çamërisë përfshin dhe zonat e Ajdonatit dhe Margaritit gjer në brigjet e detit jonian. Ky territor është i shënuar në arkivat perandorake të Konstantinopojës nën titullin “Vilajeti i Ajdonatit”. Në vitin 1815, me fundin e epopesë napoleoniane, Pukvili largohet nga Janina dhe caktohet konsull në Koron të Peloponezit dhe rrugës në një port, ndesh, siç shkruan ai me 80 agallarë çam të lidhur me zinxhirë dhe të syrgjynosur me anije nga Ali Pasha drejt burgjeve të pashait të Tunizisë (“Ringjallja e Greqisë”).

Çamëria e diplomatit francez në Athinë, Henri Belle

Për Çamërinë dhe fisnikët e Çamërisë kanë shkruar shumë autorë, studjues, historian e gjeografë, arkeologë dhe etnografë të shekujve XVIII-XIX-të, dhe meqë s’mund ti përmendim të gjithë, jo vetëm francezë por dhe anglezë (duke filluar me Martin Leak), gjermanë, italianë, etj, le ti drejtohemi librit të Henri Belle, përfaqësuesit të Francës në Athinë në vitin 1852, i cili në raportet e tij drejtuar Quai d’Orsay-it dhe më gjerë në librin e tij “Chretiens et Turcs” (Të krishterë dhe turq”) një vend të rëndësishëm i kushton dhe Çamërisë. «Shqiptarët e Çamërisë – shkruan ndër të tjera ai, – janë konvertuar shpesh në fenë muslimane vetëm që të mos paguajnë haraç. Në familjet e tyre gjen fëmijë me emrat Mehmet dhe Abdullah, bij të Konstantinit apo të Dhimitrit…» Dhe më tutje ai shton: «Ajo çka është e famëshme, është se ata janë virtuozë në përdorimin e armëve. Madje arrijnë ta qëllojnë një mollë apo një vezë të vendosur në kokën e nënës së tyre apo të gruas, me një të qëlluar 200 hapa larg… Çamëria ka veçse agallarë dhe jo bejlerë, pasi asnjëherë nuk ka patur pashallarë, por as pasuria, fuqia, dhe fisnikëria nuk janë të pakta atje. Këta agallarë kanë patur marrëdhënie të vazhdueshme me qeveritë e ndryshme të ishujve jonianë. Venecianët i ndihmuan në luftën kundër pashallarëve në Shqipëri. Gjatë pushtimit të shtatë ishujve nga francezët, çamët ishin pro Francës.

Tregëtia e tyre në atë kohë lulëzonte dhe prijësat çamë mund të vinin të armatosur në Korfuz. Sot ata e quajnë për turp të dorëzojnë armët kur vijnë në tokat e shtatë ishujve jonianë. Të mësuar nga sulmet e papritura në tokat e tyre gjysmë të pazhvilluara, shpirti i tyre e ka të vështirë të mësohet me një shoqëri ku autoritetet ngarkohen për sigurinë e të gjithëve, duke kufizuar disi lirinë…”

Belle, i cili i ra kryq e tërthor Greqisë, në librin e tij “Të krishterë dhe turq” me një interes të veçantë përshkruan vendbanimet arvanitase dhe figurat e tyre historike gjatë Revolucionit Grek e më pas si dhe mbi çamët e famshëm Caparët, Pronjot, Dematët e Sejkatët etj, pa harruar Tafil Buzin. Si një vëzhgues i hollë dhe erudite, ai përshkruan vlerat e shoqërisë çame dhe karakteristikat e trashëgimisë çame në histori e kulturë, në zakone dhe pasurinë folklorike. “Gratë muslimane të Janinës janë shumë të bukura dhe shamia e hollë mbi kokë i bën ato akoma më shumë tërheqëse duke shtuar misterin rreth tyre. Brenda shtëpisë, zonjat greke veshin kostumin elegant çam apo të Shqipërisë së jugut që qepin aq bukur rrobaqepësit e Janinës. Fustani prej mëndafshi është i shtrënguar rreth trupit me një copë kashmiri punuar me shumë finesë. Shalli zëvendëson korsenë pa e shtrënguar fort trupin dhe ku gjinjtë nuk i humbin hiret e tyre dhe voluptetin, çka të nxit imagjinatën. Ato kanë dhe një pelerinë prej cohe pambuku në ngjyrë të hapët dhe qëndisur jashtëzakonisht bukur me kllapodan mëndafshi me një ngjyrë më të errët se pelerina, çka plotëson kështu kostumin e tyre.

Kanë flokë të dendur gështenjë, shpesh bjonde, që kapen me një fjongo të kuqe. Në këmbë mbajnë pantofla. Këto krijesa të mrekullueshme i respektojnë europianët, çka sjellin admirimin e tyre. Me pjatanca ato u ofrojnë fruta dhe akullore të hijshme. Nganjëherë dhe vetë ato ndezin cigarishten…” Duke shkruar për kontributin e madh të arvanitasve në Revolucionin Grek ai shton se “Tombazët, Çamidët (familje e Çamërisë) dhe veçanërisht Miaulët e Hidrës, panë që emri i tyre u duartrokit shumë herë nga e gjithë Europa…” Këtë aleancë të arvanitasve dhe çamëve me liderët e Greqisë së kohës së Revolucionit e gjen në shumë tekste historike. Në librin e tij, Belle nuk harron të përshkruajë dhe udhëtimin e tij drejt Sulit dhe Çamërisë, i shoqëruar nga sulioti Niko Zerva, i cili i zemëruar me qeverinë e Athinës, ishte bashkuar me pashain e Janinës i cili e kishte lënë si kapedan që të mbronte interesat e suliotëve dhe çamëve. Duke ndaluar në Kamarina, Belle shënon: “Që andej shikohej Saint-Maure, i cili shfaqej si një kurorë në ngjyrë indigo nga deti Jon e po kështu, tutje, dukej dhe Preveza e Salohora, të cilat lageshin nga ujrat e errta ngjyrë blu të gjirit të Artës. Sapo u ulëm në taracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë.

Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ato flokë të gjata e të shpërndara në mënyrë të çrregullt: balli i rruar, këmisha e hapur nga ku u shfaqej qafa e gjoksi që nxehtësia e diellit i kishte rrahur fort, ashtu si dhe fytyrat e tyre ku lexohej një kërshëri e madhe, trimëri dhe një dinakëri që binte në sy. Ishin muslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo “skip”, dhe quheshin “skipëtares”. Agallarët u vendosën rreth nesh dhe vëzhgonin me një kureshtje fëminore e të vrazhdë armët e mia, hartat gjeografike që kisha, librat dhe nargjilenë time. Vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Çamëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre…” Dhe më pas, duke vazhduar udhëtimin e tij ai shton: “Le ta lemë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i të cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur, me familjet rivale dhe prijësat e vegjël feudalë që jetojnë në një frikë të dyanëshme të pritave dhe vrasjeve…”

Në librat e shekujve XVIII-XIX të autorëve perëndimorë që i referohen historisë greke dhe ngjarjeve të mëdha, shkrimet për çamët janë të shpeshta.

Gjenerali Grivas në Nafplio hidhte vallen çame, shkruan një tjetër autor. Të tjerë shkruajnë për kontributin e madh të admiralit dhe familjes Chamides në Hidra, etj, etj. Mjafton të hapësh librat e vjetër për të gjetur aty të vërtetën! A nuk ishte linguisti Ksylander që na solli nga Greqia gjuhën e vërtetë çame siç flitej në përrallat dhe këngët e vjetra çame të shekujve XVIII dhe XIX? … E po kështu piktori francez Louis Dupré që në librin e tij “Voyage à Athènes et à Constantinople” shkruante se në “Regjimentin e shqiptarëve” që takoi dhe pikturoi disa prej tyre, “ndër 3000 luftëtarët e regjimentit ishin shumica suliotë dhe çamë”? Ja pra çamët dhe historia e vërtetë e luftës së tyre…

Një mësim për ministrat dhe politikanët tanë

Kushdo e ka kuptuar dhe e kupton që pas shfarosjes së popullsisë çame muslimane, një fat ky i njohur historisë (i mbyllur në arkivat greke por i hapur në arkivat europiane), politika greke ka kërkuar me këmbëngulje dhe me të gjitha format ta zhdukë jehonën e kësaj masakre të paparë ndaj çamëve në qershor 1944 – mars 1945 në gjithë Çamërinë, duke i shkelur kështu jo vetëm principet humaniste të një shteti demokratik por dhe principet e të drejtave në konventat ndërkombëtare. Por ajo që është jo vetëm e habitshme por dhe tepër tronditëse është se që nga vendosja e demokracisë në Shqipëri politika shqiptare i është nenshtruar presioneve të politikës greke, çka mendoj se duhet të rëndojë në ndërgjegjen e kësaj klase politike që ka drejtuar Shqipërinë. Nuk kam lexuar diku që një ish kryeministër, ish president, kryetar Kuvendi apo ministra të shprehin përgjegjësinë që kanë patur në këtë drejtim. Po si është e mundur edhe sot që Shqipëria të pranojë që në kurrikulat e teksteve shkollore fjala “Çamëri” të mos ekzistojë, të mos përmendet, si të ishte një fjalë heretike në kohë inkuizicionesh ? Nga se ka frikë Greqia dhe çfarë e kërcënon kur shqiptarët nuk kanë pasur dhe nuk kanë pretendime territoriale për ndryshime kufijsh por përkundrazi, për një miqësi dhe bashkëpunim akoma më të madh me fqinjin tonë historik ? Si rrjedhojë lind pyetja : këta ministra e politikanë që drejtojnë politikat dhe arësimin në Shqipëri a e njohin historinë e Çamërisë siç mund të njohin historinë e Kosovës, kur historikisht Kosova dhe Çamëria kanë qenë dy gjymtyrë të fuqishme të trungut kombëtar dhe pjesë thelbësore të historisë sonë ?

A kanë ata një formim historik për të kuptuar se përse ngulmohet nga pala greke në rektifikimin e “revizionimin” e historisë, në ndryshimet e teksteve historike, çka nuk ndodh në asnjë nga vendet e Evropës së qytetëruar ? Nëse ministres së Arësimit i është kërkuar verbalisht apo me shkresë të japë urdhër që të hiqet termi “Çamëri” në tekstet shkollore, përse e ka pranuar verbërisht, pa iu më parë referuar historisë shqiptare, pa pyetur Akademinë e Shkencave dhe historianët e saj ? Në ç’republikë jetojmë ? Dhe më së fundi kur dhe kush duhet ta ndreqë këtë gabim, këtë « nënshtrim » ndaj politikës greke, ndërkohë që Evropa e Bashkuar përmes shumë programesh, ndihmon në promovimin e trashëgimisë historike, kulturore e gjuhësore të komuniteteve të ndryshme që janë pjesë e shteteve përkatëse ? Këta nuk duhet të ndjejnë fyerje nëse ju kërkohet të vihet në vendin e vet emri i Çamërisë.

Mësimet historike të Lucien-it

Tentativat për revizionimin e historisë na bëjnë ti kthejmë sytë prapa dhe ti drejtohemi urtësisë antike, pasi historia moderne gjithnjë u referohet historianëve të mëdhenj të antikitetit si Herodoti, Ksenofoni, Tuqididhi, Tit-Livi, Lucieni, etj. Ishin pikërisht ata që hodhën bazat e historiografisë, baza që dhe sot mbeten aktuale, pasi në to është një përvojë mijëravjeçare, ku pleksen drama de tragjedi të perandorive të mëdha, luftra dhe shuarje kombesh, shtetesh, ndryshime kufish dhe krijime shtetesh të tjerë, pra ndryshime gjeopolitike të mëdha. Pikërisht ata na mësojnë se ç’janë haxhiografët. Shkrimet e tij për historinë dhe historiografinë mbartin vlera të mëdha për historiografinë moderne, pasi në to është shprehur thelbi i vërtetë i shkencës së historiografisë : e vërteta, fakti, ngjarja dhe pavarësia e atij që e shkruan historinë. «Historiani, – shkruani Lucieni, – duhet të jetë i lirë në opinionet e tij. Ai s’duhet të ketë frikë askënd. Ai s’duhet të shqetësohet që po na e tregon Filipin me syrin që i nxorri Asteri, harkëtari i Amfipolis. Ai s’duhet të ketë frikë të thotë se Cleon, ky kryetar i deputetëve, ky zot absolut i tribunës, ishte një njeri i rrezikshëm dhe i shfrenuar. Historiani nuk është poet, por një «narator», një dëshmues, pasi kur anijet athinase mbyten në një betejë detare, nuk është ai që i mbyt ato, dhe nëse luftëtarët i a mbathin, nuk është ai që i përndjek ata».

Mësimi i Lucienti ka të bëjë jo vetëm me objektivitetin historik dhe të vërtetën por dhe me çlirimin nga etno-nacionalizmi, pra shikimi i historisë në frymën nacionale, shoviniste dhe të krenarisë kombëtare që nganjëherë arrin tek disa historianë gjer në megalomani. Vështrimi nacionalist ka qënë tipar jo vetëm i historiografisë ballkanike veçanërisht. «Lufta» mes historianëve ballkanas, shqiptarë apo serbë, serbo e kroatë, maqedonas, bullgarë apo grekë, etj, dëshmohet jo vetëm në konferencat e ndryshme por siç po e shohim gjer dhe në tekstet shkollore të historisë, ku për të njëjtën ngjarje, vështrimet dhe përfundimet historike janë të ndryshme, kontradiktore, të kundërta. Historia e Kosovës është një nga ato, pasi histori të shumta ngërthejnë historinë ballkanase, veçanërisht nga shekullit XII e këndej. Historia e Çamërisë, po ashtu. Kërkesa e mëparshme e Unesco-s për të « ç’armatosur historinë, një objektiv ky humanist, në Ballkan ka mbetur ende në letër. Para disa kohësh një cikël shkrimesh në revistën franceze Express, i referohej një teme që dhe për ne ballkanasit do ishte mjaft interesante dhe i dobishëm nga pikëvështrimi historiografik : Kur është krijuar Franca ? Në një gjykim të parë, mendon se çdo francezi po ti bëhej kjo pyetje do të thoshte se Franca ka qënë që në kohën e pararendësve të parë të frankëve.

Por historianët tregojnë qetësisht se Franca dikur nuk ishte kjo që është sot, se ajo nuk është ndërtuar në një ditë, se normandët e Normandisë u bashkuan me mbretërinë më 1204, se zona jugore e quajtur Midi dhe që kontrollohej nga Katalonja spanjolle, në shekullin e XI mund të kishte mbetur ndoshta pjesë e Katalonjës, po të mos kishin ndodhur ngjarje të mëdha politike. Po për Çamërinë si mund të shkruhet kur Greqia zyrtare i bën barrierë çdo lloj diskutimi? Historiografia e ka thënë fjalën e vet dhe ti politikan, i çfarëdo ngjyre qofsh, s’mund ta zhbësh historinë. Historia duhet ti shërbejë gjithnjë të ardhmes sonë të përbashkët.

Lucieni shkruante : « Faktet historike nuk duhen bashkuar në mënyrë të rastësishme por duhet ti nënshtrohen një pune të palodhur dhe një kritike të ashpër. Historiani duhet të dëgjojë vetëm ata që janë besnikë ndaj faktit ». Kjo frazë lakonike përbën një koncept të tërë, pasi ajo përmbledh një nga karakteristikat kryesore të historiografisë shkencore : atë të referimit me besnikëri të faktit dhe atë të analizës. Historia nuk mund të shkruhet apo rishkruhet pa u mbështetur në faktet konkrete. Lucieni shkruante gjithashtu se « Kur të gjitha faktet mblidhen, pikërisht atëherë historiani fillon tregimin e tij ». Çdo të thotë kjo ? Do të thotë se që të arrish në përfundime historike, për këtë duhet të kesh ezauruar, pra zbuluar materialin historik për epokën apo ngjarjet e përcaktuar historike. Dhe në përfundim, historiani i madh antik shton: “Shkruaje historinë që të tjerët të thonë: E vërteta tek ky historian shkëlqen ngado!”

Pra le t’ia lëmë historianëve të shkruajnë historinë tonë të përbashkët të lidhjeve të vjetra e të reja mes grekëve dhe shqiptarëve. Çdo tentativë e politikës për të rishkruar historinë është anakronike, anti-historike dhe anti-humane.

Filed Under: Emigracion

Ferit Vokopola, mistiku i pavarësisë, i fjalës dhe i besimit, zëri dhe përkushtimi i zellshëm i shpirtit kombëtar

August 18, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në horizontin e historisë sonë kombëtare, asaj shtjelle të rrapëllimshme që udhëpriu ekzistencën tonë nga një luftë në tjetrën, nga një trazim në një tjetër mosdakordësi, nga poterisjes së disa zërave dhe kushtrimit të rrënjëve dhe gurëve të kësaj topke të vaditur me gjak e me lot , disa figura nuk shfaqen me zhurmë e ambicie, por me një dritë të brendshme që i bën të qëndrojnë të patrazuara, përtej stuhive politike dhe shurdhësisë së kohës. Një prej tyre është Ferit Vokopola, i lindur më 18 gusht 1887 në Vokopolë të Beratit, firmëtar i Pavarësisë, poet dhe mendimtar mistik, që jetën e tij e bëri udhëtim midis dy dimensioneve të atdheut dhe besimit, rrugët prejnga ne do të gjenim përmbushjen e amanetit të të parëve dhe të hidhnim themelet e premtimit për gjeneratat.

Të quhesh “shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur” nuk ka qenë kurrë një etiketë e lehtë, por një provë e vështirë që shpesh të vinte në kalvar. Ferit Vokopola e dëshmoi këtë jo me retorikë, por me vepërm me sprovën e dëshmimit personal, përballë rrëmeteve, çarjeve dhe lëkundjeve sizmike të kohës. Ai ishte një shembull i rrallë i asaj bashkësie të heshtur njerëzish që e mbanin peshën e kombit mbi shpatulla, pa kërkuar shpërblim dhe pa bërë kompromis me lirinë e vet morale.

Dy burime fryme ushqenin qenien e tij, ishte mistika e atdheut dhe mistika e besimit, një rrugë e misticizmit të shpirtit që fton në zgjim çdo forcë dhe energji, çdo parim dhe ambicie, për t’i shndërruar në gurë të themeleve të asaj lartësie ku përkushtimi kërkojnë të ngrenë përjetësinë. Nga njëra anë, si pasardhës i shehlerëve rufai, ai e shijonte thellësinë e sufizmit, duke i dhënë shqipes një përkthim të pastër dhe poetik të Kuranit, por edhe duke i dhënë mendimit islam shqiptar një dimension akademik e kritik. Nga ana tjetër, si bir i Rilindjes, ai mori prej brezit të burrështetasve shqiptarë një vokacion të pashuar për shërbimin ndaj kombit dhe shtetit, një përkushtim që kufizohej me sakralitetin.

Në këtë sintezë të rrallë, Vokopola kuptoi se feja dhe shteti duhej të qëndronin të dallueshëm, por gjithsesi të ndërvarur në shërbim të së mirës së përbashkët. Ishte besimtar i devotshëm, por mbi të gjitha ishte i ndërgjegjshëm se qytetari i lirë dhe kombi i fortë janë po aq amanet sa besimi vetë. Kur i dhanë poste ministrore, nuk i shndërroi në stolí karriere, por i mbajti dhe i la pas pa dramë e pazare, duke dëshmuar se politika është vetëm një mjet shërbimi dhe jo një altar ku shiten ndërgjegje. Kështu fitoi respektin e atyre që e njihnin, edhe pse nuk i përkiste asnjë kaste pushteti. Ishte i urtë, rigoroz, i sjellshëm deri në finesë, dhe kultura e tij rrezatonte si një fisnikëri natyrore që nuk kishte nevojë për tituj apo privilegje.

Si poet dhe publicist, ai mbeti i përkorë. Shkroi pak, por thellë. Përktheu shumë, por me kujdes që fjala e huaj të shndërrohej në gjuhë të pastër shqipe. Në vargjet e tij gërshetohej një frymë filozofike e mistike, që e nxirrte lexuesin nga kufijtë e një poezie kombëtare klasike dhe e ngjiste drejt një përjetimi shpirtëror universal. Ferit Vokopola nuk është vetëm një firmëtar i aktit të Pavarësisë, por edhe një firmëtar i heshtur i shpirtit shqiptar. Në një kohë kur historia shpesh e shurdhonte virtytin, ai u bë zë i maturisë dhe i thellësisë, duke dëshmuar se të jesh shqiptar i mirë, i ndershëm dhe i ditur është një akt jo vetëm i rrallë, por edhe i përjetshëm.

Nga rilindësit mori vokacionin e shërbimit ndaj kombit dhe shtetit, një vokacion që e ktheu në përkushtim pothuaj fetar. Në këtë sintezë, ai i kuptoi feja dhe shteti si dy fusha të dallueshme, por me një mision të përbashkët: njeriun dhe të mirën e tij. Në poezinë e tij ai u bë zë i një mistike të re shqipe, ku fjalët nuk ishin vetëm vargje, por dritare që hapeshin mbi amshimin.

Në një nga vargjet e tij më të njohura ai shkruan: “Në zemrën time ka vend vetëm për dashuri,/ dhe dashuria është dritë që nuk shuhet kurrë.”

Ky varg, i thjeshtë në dukje, bart esencën e mendimit të tij mistik: dashuria si qendër e qenies dhe si urë mes njeriut dhe Hyjnores, mes individit dhe Atdheut.

Në një tjetër shkrim poetik ai pohonte: “Njeriu është një udhëtar i përkohshëm,/ por shpirti është një dritë që kërkon përjetësinë.” Një varg që tingëllon si amanet filozofik dhe si bekim shpirtëror për një komb që në ato vite kërkonte vetë përjetësinë e tij nëpërmjet shtetit të pavarur.

Si publicist, Vokopola mbeti gjithnjë i matur, por mendimet e tij përkthejnë një mendje të thellë. Ai nuk bëri karrierë mbi politikën, edhe pse mbajti poste ministrore; për të politika ishte detyrë, jo stoli. I mbajti ato, i dorëzoi pa dramë e pazare, duke dhënë një shembull të rrallë të integritetit. Në fund, Vokopola mbetet një poet i mistikës shqiptare dhe një firmëtar i shpirtit kombëtar.

Filed Under: Kronike

Analizë e Gjuhës së Trupit: Takimi Trump-Putin në Alaska – Gusht 2025

August 18, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi /

Takimi mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit Vladimir Putin në Anchorage, Alaska, më 15 gusht 2025, është një nga ngjarjet më të analizueshme diplomatike të viteve të fundit. Përtej deklaratave zyrtare dhe marrëveshjeve të mundshme, komunikimi joverbal i liderëve ofron një pasqyrë të thellë mbi dinamikat e pushtetit, kontrollit dhe strategjive psikologjike. Ekspertët e gjuhës së trupit theksojnë se çdo gjest, shikim apo pozicion trupor ka kuptim dhe mund të zbulojë më shumë sesa fjalët. Siç vë në dukje Joe Navarro, ish-agjent i FBI dhe ekspert i komunikimit joverbal:

“Trupi nuk gënjen kurrë. Ai tregon emocione dhe dinamika të fshehura që shpesh mbeten jashtë vetëdijes së folësit.”

1. Përshëndetja Fillestare: Dukeshin si shokë

Presidenti Trump dhe lideri rus Vladimir Putin “dukeshin si shokë” gjatë përshëndetjeve të tyre të para në pistën e aeroplanëve shkruan Patti Wood, eksperte e gjuhës së trupit, për The Post:

“Trump qëndroi duke u drejtuar nga Putin dhe duartrokiti ndërsa ai afrohej, dhe simbolikisht, si nikoqir, kjo zakonisht është një shenjë feste.”

Trump buzëqeshi gjerë dhe dukej pozitiv dhe i sigurt, duke komunikuar pritshmëri pozitive për takimin. Dr. Beth Dawson shtoi se sjelljet jo-verbale të liderëve gjatë përshëndetjes tregonin një lidhje miqësore dhe “të sinqertë” mes tyre.

2. Shtrëngimi i Duhave: Lufta e Vogël për Fuqi

Kur duart e tyre u takuan, shpërtheu një “luftë e vogël” për dominim. Shpjegon Wood

“Kur hynë në shtrëngimin e dorës, Trump ishte poshtë dhe Putin sipër… Trump tërhoqi krahun e Putinit, duke e mbajtur afër trupit të tij. Pastaj ai i preku krahun e Putinit me dorën e majtë… Putin e përsëriti të njëjtin gjest. Kishte një luftë të vogël për fuqinë.”

Në fund të shtrëngimit të gjatë, ata dukeshin krah për krah si shokë, duke reflektuar një balancë simbolike të fuqisë dhe respektit reciprok.

Presidents Vladimir Putin and Donald Trump shaking hands at Alaska summit on Aug. 15, 2025

3. Reagimi ndaj Fluturimit të B-2: Demonstrimi i Fuqisë

Gjatë takimit, fluturimi i një bombarduesi B-2 mbi bazën ushtarake shërbeu si një demonstrim i fuqisë amerikane. Reagimi i Putin ishte i matur dhe i kontrolluar, pa shenja shqetësimi, duke treguar vetëkontroll dhe një përpjekje për të shmangur shenjat e dobësisë para kamerave dhe publikut. Ky qëndrim tregon njohuri të thellë mbi simbolikën e fuqisë dhe diplomacinë psikologjike.

4. Udhëtimi me “The Beast”: Simbol i Fuqisë

Pjesë e ceremonisë ishte udhëtimi i Trump me limuzinën presidenciale “The Beast”, simbol i fuqisë dhe sigurisë amerikane. Putin e vëzhgoi këtë moment me një shikim të ftohtë dhe të përqendruar, pa shfaqur shenja befasie, duke ruajtur një imazh të fuqishëm dhe të kontrolluar.

5. Shtrëngimi i Dorës Pas Takimit: Lodhja dhe Strategjia

Pas tre orësh bisedimesh të pasuksesshme për përfundimin e luftës së Moskës në Ukrainë, gjuha e trupit ndryshoi. “Gjatë shtrëngimit të parë të dorës, Trump kishte pëllëmbën lart, por gjatë atij të fundit, ai po bën atë që unë e quaj ‘shtrëngim prerës’… shprehja në fytyrën e Trumpit është lodhje – gjuha e trupit është e lodhur dhe e rraskapitur.”

Putin ruante një buzëqeshje të vogël dhe një qëndrim të ftohtë, duke reflektuar qetësi dhe strategji të qëndrueshme.

President Trump and President Putin shaking hands while Trump pats Putin's arm on a red carpet at Alaska summit on Aug. 15, 2025

6. Pozita Trupore dhe Hapësira

Trump shpesh mbante një qëndrim të hapur, duke drejtuar trupin përpara dhe duke përdorur duart për të theksuar argumentet e tij, që tregon dëshirë për të imponuar prezencën e tij. Nga ana tjetër, Putin ruante një qëndrim më të mbyllur, me duar të palosura ose pas shpinës, duke sinjalizuar vetëkontroll dhe qetësi. Një pozicion i mbyllur transmeton autoritet dhe maturi, ndërsa një qëndrim ekspansiv tregon energji dhe dominim.

7. Kontaktet me Sytë dhe Mimika

Trump përdorte shikimin e drejtpërdrejtë për të treguar vendosmërinë dhe për të imponuar kontroll, ndërsa Putin ruante një shikim të ftohtë dhe të matur, shpesh duke lejuar Trump të bëjë hapin e parë. “Shikimi flet më shumë se fjalët. Ai mund të tregojë pushtet, pasiguri, ose gatishmëri për bashkëpunim.”

Mimika e fytyrës thekson kontrastin: Trump përdorte buzëqeshje të gjera dhe ekspresione të forta, ndërsa Putin ruante fytyrë të qetë dhe minimale, duke krijuar një dialog psikologjik mes ekspansivitetit dhe vetëkontrollit.

8. Gjestet dhe Lëvizjet e Duarve

Trump përdorte lëvizje të mëdha dhe ekspresive për të theksuar pikat e tij, duke krijuar një ndjesi dominimi dhe kontrolli hapësinor. Putin, në kontrast, përdorte duar të kontrolluara dhe të palosura, duke reflektuar maturi dhe stabilitet. Gjestet e mëdha shprehin energji dhe presion, ndërsa lëvizjet e kufizuara tregojnë kontroll dhe strategji.

President Trump and Vladimir Putin shaking hands goodbye at the Alaska summit on Aug. 25, 2025

Përfundim

Takimi Trump-Putin në Alaska tregoi se komunikimi joverbal është po aq i fuqishëm sa fjalët zyrtare në diplomaci. Nga shtrëngimi i duarve dhe reagimet ndaj fluturimit të B-2, te udhëtimi me “The Beast” dhe shtrëngimi i dorës pas takimit, çdo gjest pasqyron dinamikat komplekse të pushtetit dhe rivalitetit mes dy liderëve. Siç thekson Patti Wood:

“Kur burrat shtrëngojnë duart, ata përballen për të treguar forcën, guximin dhe hapësirën e tyre. Çdo lëvizje trupore është një mesazh.”

Analiza e këtyre momenteve tregon se në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo që nuk thuhet shpesh ka rëndësi më të madhe se fjalët.

Filed Under: Emigracion

Nga fryma e Skënderbeut te vizioni i shekullit XXI

August 18, 2025 by s p

Sot, shqiptarët kanë nevojë për një figurë që nuk duhet vetëm të udhëheqë, por edhe frymëzojë; që nuk duhet vetëm të flasë, por edhe të veprojë; që nuk duhet vetëm të kujtojë lavdinë e së kaluarës, por edhe të ndërtojë me guxim një të ardhme të re. Dhe përderisa historia nuk pret, thirrja e kohës është e qartë: shqiptarëve u duhet një Skënderbe që të jetë edhe udhëheqës, edhe frymëzues, edhe ndërtues i unitetit.

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Historia e një kombi shpesh përballet me çaste të mëdha, ku koha nuk pyet nëse ai është gati apo jo, por i vë përpara sfidës së zgjedhjes. Pikërisht në ato momente lind pyetja e madhe: a do të ketë ky komb një lider që ta marrë vendimin e duhur? Për shqiptarët, e sotmja është një nga ato kohë që kërkon guxim, vizion dhe lidership, sepse historia nuk pranon vonesa, dhe çdo hezitim kthehet në humbje të çmueshme.

Populli shqiptar, i shpërndarë në shumë shtete e shpesh i përballur me dallime krahinore, fisnore e fetare, gjendet sot para një sfide të ngjashme me ato që përjetoi në shekujt e kaluar: si të ndërtojë një të ardhme ku uniteti të jetë më i fortë se ndarja, dhe ku e përbashkëta kombëtare të mbizotërojë mbi fragmentet që e kanë copëzuar ndër shekuj. Në këto momente të ndjeshme, kërkohet një figurë simbolike, një “Skënderbe i Rilindjes Kombëtare”, që me mençuri e vendosmëri t’i japë drejtim aspiratave dhe të rikthejë besimin se shqiptarët mund të jenë bashkë në një vizion të madh.

Ky Skënderbe i kohëve moderne nuk do të jetë thjesht një luftëtar, por një arkitekt i bashkimit. Ai duhet të jetë ai që shkrin ndasitë krahinore, i cili e kupton se shqiptaria nuk është e kufizuar në male apo fusha, por është një mozaik i gjallë që bëhet i plotë vetëm kur përqafon të gjitha ngjyrat e saj. Ai duhet të jetë ai që e tejkalon dallimin fetar, duke i kthyer besimet në pasuri shpirtërore e jo në pengesa politike. Dhe mbi të gjitha, ky Skënderbe i ri duhet të ketë vizionin për t’i udhëhequr shqiptarët pa i përplasur me asnjë komb fqinj, sepse fuqia e tij nuk qëndron në armiqësi, por në ndërtimin e një fryme paqeje dhe bashkëjetese.

Në këtë vizion, Skënderbeu nuk është vetëm udhëheqës i shqiptarëve, por edhe mesazher i Ballkanit. Ai i flet rajonit duke e ftuar në një kapitull të ri atë të bashkëpunimit, të respektit reciprok dhe të paqes së qëndrueshme. Ballkani, i njohur për shekuj me radhë si fole konfliktesh, ka nevojë të shndërrohet në një hapësirë bashkëjetese dhe zhvillimi të përbashkët. Vetëm një lider që di të tejkalojë kufijtë e ngushtë nacionalistë dhe të projektojë një vizion rajonal mund ta bëjë këtë.

Popujt përreth nesh, ende sot, veprojnë dhe mendojnë me konceptin etno-nacionalist të shekujve XIX dhe XX, duke mbajtur gjallë paragjykime dhe qëndrime që shpesh shndërrohen në veprime të drejtpërdrejta kundër shqiptarëve. Ky mentalitet i vjetër, i ushqyer nga mitologjitë politike dhe projektet hegjemoniste të së kaluarës, vazhdon të prodhojë tensione dhe t’i mbajë shoqëritë e rajonit të lidhura pas së shkuarës, në vend që t’i orientojë drejt së ardhmes. Përballë kësaj, shqiptarët nuk duhet të bien pre e nostalgjive arkaike të nacionalizmave të tjerë, por të ngrihen mbi to, duke dëshmuar se një komb i mençur e vizionar mund të hapë rrugë të reja.

Nga ana tjetër, shqiptarët e kanë sot një shans historik, ndoshta më të madhin pas dekadash përpjekjesh, sidomos pas ndryshimeve të mëdha të fundit të shekullit XX dhe dy dekadave të para të shekullit XXI. Ky është momenti kur me një politikë të mençur dhe një lidership me tiparet e një Skënderbeu të shekullit XXI, shqiptarët mund të hapin Ballkanin dhe ta çlirojnë nga robrimi mitik i projekteve të mëdha që kanë sjellë konflikte të vazhdueshme. Vetëm kështu, rajoni mund të dalë nga e kaluara e dhimbshme dhe të shndërrohet në një Ballkan pjesë të pandashme të Evropës së bashkuar, jo si periferi, por si kontributor i denjë i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.

Në të njëjtën kohë, nuk mund të anashkalohet fakti se bota sot është e trazuar nga shumë fronte lufte dhe konflikte që kanë shpërqendruar vëmendjen e faktorit ndërkombëtar. Ky faktor, që në momentet kyçe të historisë moderne ka qenë përkrah popullit shqiptar, sot është i përfshirë në krijimin e një harte të re globale. Pikërisht për shkak të këtyre zhvillimeve, shqiptarët kanë nevojë të mobilizohen si komb, për të rikthyer dhe forcuar aleancat ndërkombëtare që garantuan mbijetesën dhe aspiratat tona. Në këtë realitet të ri gjeopolitik, kërkohet një lidership që me frymën e Skënderbeut të shekullit XV të dijë të krijojë miq dhe aleatë, duke kthyer historinë dhe perspektivën në anën tonë. Vetëm kështu shqiptarët do të sigurojnë mirëqenie dhe një pozicionim të qartë në arkitekturën e re gjeostrategjike që po krijohet para syve tanë.

Por ky Skënderbe i ri nuk do të kufizohej vetëm në kufijtë e Ballkanit. Ai do t’i fliste edhe Europës, duke i rikujtuar se shqiptarët, bashkë me popujt e tjerë të rajonit, janë pjesë e pandashme e qytetërimit perëndimor. Kthimi drejt Perëndimit nuk është vetëm një orientim politik, por një rikthim në origjinën e vet kulturore, historike dhe shpirtërore. Europa nuk mund të mendohet pa Ballkanin, ashtu si Ballkani nuk mund të ndërtojë të ardhmen e vet pa Europën. Dhe në këtë udhëkryq, shqiptarët, me një udhëheqje të mençur, mund të bëhen ura lidhëse që i afron popujt dhe e pasuron vetë projektin europian.

Në këtë rrugëtim të vështirë, frymëzimi mund të vijë edhe nga figurat e mëdha të humanizmit shqiptar, si Nënë Tereza. Ajo, me thjeshtësinë dhe dashurinë e saj universale, dëshmoi se fuqia më e madhe nuk është as në shpatë e as në pasuri, por në shërbimin ndaj njeriut. Nëse Skënderbeu na mësoi se si të mbrojmë identitetin dhe dinjitetin tonë, Nënë Tereza na mësoi se si ta përjetësojmë atë përmes dashurisë dhe solidaritetit. Një lider që do të dinte t’i bashkonte këto dy frymëzime të forcës dhe të humanizmit do të ishte pikërisht ai që i nevojitet shqiptarëve sot: një udhëheqës që ngre mure për të mbrojtur, por ndërton ura për të bashkuar.

Vendimmarrja historike nuk është çështje momentale, por akt që përcakton dekada e ndonjëherë shekuj të tërë. Ajo kërkon lidership të rrallë, që ngrihet mbi interesat e vogla dhe sheh të ardhmen me sy të kthjellët. Sot, shqiptarët kanë nevojë për një figurë që nuk duhet vetëm të udhëheqë, por edhe frymëzojë; që nuk duhet vetëm të flasë, por edhe të veprojë; që nuk duhet vetëm të kujtojë lavdinë e së kaluarës, por edhe të ndërtojë me guxim një të ardhme të re. Dhe përderisa historia nuk pret, thirrja e kohës është e qartë: shqiptarëve u duhet një Skënderbe që të jetë edhe udhëheqës, edhe frymëzues, edhe ndërtues i unitetit. Vetëm kështu kombi do të dijë t’i kthejë vendimet historike në fitore historike.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 213
  • 214
  • 215
  • 216
  • 217
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT