• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ciao Bella…!

November 21, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi/

Në bulevardin e gjatë të politikës shqiptare, ku skenat ndërrohen më shpesh se dekoret e një teatri provincial, këtë javë projektorët u ndezën sërish mbi një nga figurat më të fuqishme të kabinetit qeveritar: Belinda Balluku. Dhe jo për ndonjë inaugurim, prerje shiriti apo premtim spektakolar, por për një njoftim të ftohtë, të prerë, të qartë të SPAK-ut. Një “CiaoBella” institucional, i shkruar me gjuhën e akuzave, datave dhe procedurave.

Bella, Bela… por jo fort e bukur kur vjen puna te tenderat

Ashtu si në një dramë të shkruar prej kohësh, me role të ndara e dialogje të përgatitura, në skenë shfaqet ministrja e pushtetshme e Infrastrukturës dhe Energjisë, tashmë zëvendëskryeministre. Një figurë që prej vitesh ka shëtitur me vetëbesim në korridoret e pushtetit, duke administruar portofolin më të rëndë të qeverisë – rrugët, energjinë, projektet strategjike, miliardat publike.

Por SPAK nuk është as spektator i heshtur, as kritik letrar. Ai ka rolin e autorit që rikthen shfaqjen aty ku është shkruar: te dokumentet, veprimet, firmat, tenderat. Dhe sipas këtij autori të ri të skenës politike, për Ballukun dhe ekipin e saj, ka pasur jo pak improvizime jashtë skenarit ligjor.

Tuneli i Llogarasë – një hapësirë e ngushtë mes ligjit dhe interesave

Hetimet flasin për një procedurë prokurimi të ndjekur hap pas hapi nga vetë ministrja, që nga faza përgatitore e deri te firma e kontratës. E bashkë me të, një grup personash që duket se kanë punuar me sinkron më të saktë se makineritë e tunelit: Berberi, Gjyli, Elezi, Dervishi, Kashnica. Sipas SPAK, të gjithë së bashku paskan zgjedhur fituesin përpara se gara të niste.

Një tunel që duhej të lidhte dy skaje të bregdetit, tani po lidh dy skaje të akuzës: zyrtarët dhe kompaninë fituese.

Në gjithë panoramën e groteskut publik, Karanxha del dhe të rrëfen se tuneli i Llogarasë – projekti simbolik i gishtit të madh që qeveria i drejtonte kritikëve – paskësh mbetur me cilësi më të pakolauduar se një garazh pallati. Sipas inxhinierit grek, tuneli jo vetëm që nuk ka daljet e zjarrit, por duket sikur e ka marrë seriozisht filozofinë “mbylleni brenda dhe shpresoni më të mirën”. Nëse zjarr ka, zgjidhja paska mbetur një: uroni që tymi të ketë edukatë dhe të dalë vetë.

Dhe këtu fillon pjesa më e bukur e satirës: ndërsa Balluku është pezulluar dhe SPAK-u shkel në dosje sikur po planifikon zbarkimin në Normandi, në sfond del Edi Rama, profili i lartë i politikës shqiptare, alias palloshi në rolin e artistit që, sipas versionit zyrtar, qenka krejtësisht i surprizuar.
Sepse, natyrisht, ne duhet të imagjinojmë një kryeministër që zgjohet çdo mëngjes në një odë zen, i rrethuar me tela grafiti dhe me një kafe turke që i thotë vetëm fat të mirë – jo ç’bëjnë ministrat. Sipas këtij versioni idilik, Rama është si një dirigjent që udhëheq orkestrën, por për arsye misterioze nuk dëgjon asnjë instrument.

Ndoshta kryeministri ka besuar verbërisht se tuneli i Llogarasë do ishte vepra e shekullit, një tunel që do ndriçonte me vetëdije, do kishte freskuese oksigjeni dhe ndalohej zjarri me rregullore si cigaret në avion. Ndoshta ai imagjinonte supervizorët si engjëj teknikë që punonin nga qielli.

Bella dhe tuneli që qenka bërë metaforë e shtetit

Ndërkohë, Balluku, që dikur fliste për vizione të mëdha infrastrukturorë sikur vendi ishte duke u përgatitur për Olimpiadë, sot përballet me akuzat se nën atë petk modernizues fshiheshin vendime të paracaktuara dhe tendera me destinacion të njohur.
Dhe ndërsa ajo pezullohet, e gjithë qeveria ngjan sikur ka marrë frymën e alergjisë politike: një kollë të lehtë mosnjohjeje, një skuqje të lehtë çudie, një dridhje ankthi për “ç’ka ndodhur tani”.Por tuneli i Llogarasë – ai monument prej betoni e tymi – është aty, si për të thënë:
“Mos shikoni shumë thellë brenda me u tremb, se nuk ka dalje.”

Aeroporti – UFO-ja shqiptare

Në sagën tonë të përbashkët, ku çdo projekt publik në Shqipëri ka shpirtin e vet, nervin e vet dhe fatin e vet melodramatik, aeroporti i lidhur metaforikisht me Pacollin meriton një kapitull më vete. Jo se është domosdoshmërisht më i madh, më i rëndësishëm apo më i shtrenjtë se të tjerët – jo. Ai thjesht është simboli më poetik i mënyrës si ndërtohet infrastruktura në këtë vend: me lavdi perandorake dhe logjikë çerdheje.

Aeroporti në fjalë ka hyrë në historinë e ndërtimeve tona si një lloj mjeti fluturues i pashpjegueshëm: një ditë del në konferencë shtypi, ditën tjetër zhduket në mjegull, pastaj rishfaqet sërish falë një deklarate të re politike. Në fakt, është aeroporti i vetëm në Europë që lëviz sa herë ndryshon plani i fjalimit të qeverisë.

Njëherë thuhej se do ishte porta më e madhe e turizmit. Herën tjetër porta e zhvillimit. Më pas porta e investitorëve të huaj. Më vonë porta e shpresës. Dhe në fund, mbeti porta që hapet e mbyllet si dera e një dyqani lagjeje: dikush del, dikush hyn, por shitje s’po bëhet.

Aty ku vendet normale kanë studime fizibiliteti, ne kemi optimizëm. Aty ku kanë analiza teknike, ne kemi konferenca shtypi. Aty ku kanë grafike financiare, ne kemi premtime që duken si fatura dyqanesh, të grisura e të palosura në xhep.

Episodi i Pacollit – kapitull i stilit “fluturim imagjinar”

Emri i Pacollit (metaforikisht në këtë tekst satirik) vjen gjithmonë e shoqëruar me një lloj efekti ndriçimi si në telenovela: muzika rritet, kamera bëhet zoom, dhe publiku në shtëpi mendon:“Apo filloi prapë ky projekti që nuk mbaron kurrë?” apo e bllokojnë flamengot…

Sepse në kujtesën kolektive, aeroporti që lidhet me të është një nga ato histori ku investitori del gjithmonë me një risi të re, qeveria me një shpresë të re, ndërsa qytetarët me një pikëpyetje të re.
Dhe si çdo projekt që merr formë mitologjike, edhe ky ka marrë përmasa epike:
– Do sjellë turizëm.
– Do sjellë investime.
– Do sjellë prosperitet.
– Do sjellë avionë.

Dhe qytetarët, të mësuar me këtë lloj poezie infrastrukturore, pyesin me naivitetin më të bukur shqiptar:
“Edhe pista a do vijë?

Unaza e Jashtme – qark i mbyllur për konkurencën

Loja e dytë e madhe, ajo e Unazës së Jashtme Tiranë, duket se ka qenë një “vazhdim” i episodit të parë. Sërish orientime, sërish ndikime, sërish bashkëpunëtorë dhe një fitues i “paracaktuar”, sipas SPAK-ut. Një unazë që paska qenë më shumë rrugë e shkurtër drejt favorizimit sesa drejt rregullimit të trafikut.

Unaza e Tiranës rrotullohet natën si një lak i madh asfaltit që pret viktimën e radhës — zakonisht ndonjë shofer të pafajshëm, ndonjë nerv të tendosur… ose ndonjë ministër të ngecur mes akuzave. Tani emri i Ballukut qarkullon më shpejt se vetë trafiku, dhe në këtë qytet askush s’pyet më kush ka faj: mjafton që diçka të digjet, qoftë gomë, qoftë reputacion. Në fund, Unaza nuk gjykon; ajo vetëm shikon si rrotullohen akuzat, karrierat dhe ndërgjegjet — dhe i mban të gjithëve peng, derisa t’u shterojë benzina ose pafajësia.

Bella dhe të tjerët që ranë

Balluku është zyrtarja më e lartë që përballet me SPAK-un, pas një parade të gjatë funksionarësh që kanë humbur postet, ndikimin, e madje edhe lirinë: Ahmetaj, Veliaj, Beqaj, Tahiri. Të gjithë pjesë e një mozaiku të madh ku ngjyrat e pushtetit dhe hijet e dyshimeve gjithmonë ndërthuren.Në këtë dramë nuk mungojnë as personazhet e rikthyer. Evis Berberi, tashmë nën akuzë për korrupsion e pastrim parash në një çështje tjetër, del sërish në skenë. Si një figurë që ka lëvizur nga ARRSH në projekte të tjerë, gjithmonë duke tërhequr vëmendjen e drejtësisë.

Dhe me këtë episod më të fundit, mozaiku po merr përmasat e një murali të madh ku dora e SPAK-ut po pikturon, ngjyrë pas ngjyre, portretin e politikës së tranzicionit.

Në këtë vend çudirash, ku logjika shpesh mbetet tek dera e institucioneve, ndodh që një kryebashkiak i izoluar pas hekurave të vazhdojë të “drejtojë” Këshillin Bashkiak sikur burgu të ishte thjesht një zyrë me dritare më të vogla. Po aq absurd është fakti që një ministër i përfshirë në një lumë akuzash për korrupsion të ngrihet në foltoren e parlamentit për të folur mbi përmbytjet e reshjeve, ndërsa vetë nuk arrin të shohë se stuhia më e madhe është ajo që ka shpërthyer brenda zyrës së tij. Ironia bëhet normë, dhe realiteti shpesh i ngjan një satire pa autor.

 “Preshi Kushtetues”

Në një vend ku ministrat kapen duke vrapuar me thesin e preshit plot miliona, kryeministri Rama del përpara mikrofonit dhe na thotë me ton solem: “S’ka problem, preshin e zgjidh Gjykata Kushtetuese!”  

Populli habitur pyet: — Po pse, zoti Kryeministër, kur kapet dikush me presh në dorë, zakonisht merret polici, prokurori, SPAK-u…

Rama (i qetë, si profesor i etikës politike që s’e ka pasur kurrë Shqipëria):

— Jo, jo, jo. Në rastin tonë special, preshi është institucion. Për atë ka kompetencë vetëm Kushtetuesja. SPAK-u mund të hetojë, por preshin e funksionit e mbroj unë. 

E pra, kush e kuptoi, kuptoi. Nuk është fjala për Belën, është fjala për balancat e pushteteve. Në këtë vend, pushtetet janë si lakrat: ndahen, lahen, grihen… por dikush duhet t’i mbajë të freskëta. Dhe ky dikush, sipas kryeministrit, është pikërisht ai vetë, që tani na shfaqet si ombudsmani botëror i perimeve institucionale.

Dhe kështu ndodh mrekullia: nga një çështje vjedhjesh me tendera shndërrohemi në tragjikomedinë “Mbro Çdo Presh Kushtetues”

Ndërkohë Bela rri e heshtur. Preshi nuk flet. Ai thjesht qëndron në dorë.

Dhe vendi vazhdon para, me ritmin e zakonshëm të një shteti ku edhe kur dikush kapet “me presh në dorë”, problemi del se pse policia s’e paska lënë preshin të freskët.

CiaoBella – por a është lamtumirë?

Titulli i këtij fejtoni nuk është aspak rastësor. “Ciao” në italisht është fjalë me dy kuptime – mund të jetë edhe përshëndetje, edhe lamtumirë. Kjo është pikërisht dilema që e ndjek Ballukun sot: a është ky fillimi i largimit apo thjesht një episod i radhës në sagën e përballjeve institucionale që gjithmonë përfundojnë me kthime spektakolare?

Në teatrin politik shqiptar, personazhet rrallë dalin përfundimisht nga skena. Deri sa drejtësia të flasë, tingulli i “ciao”-s mbetet pezull në ajër. Dhe publiku, si gjithmonë, pret aktin e radhës, pasi ujë korrupsioni ka gjithkund vetëm tek rubineti jo.

Në fund të fundit, në këtë vend, drejtësia është gjithmonë një premierë që shpresohet të mos jetë thjesht shfaqje.

Filed Under: Analiza

PËR GJUHËN SHQIPE, TRADITAT DHE ETNOGRAFINË SHQIPTARE NË NEW YORK

November 21, 2025 by s p

Koreografi Sebastjan Tinaj i lindur dhe rritur në Vermosh, themeluesi i grupit të valleve “Nora e Kelmendit” dhe koleksionit etnografik “Arka e Kelmendit” rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës, etnografisë dhe traditës shqiptare në New York përmes aktiviteteve kulturore, edukative, komunitare e patriotike. Me koreografin Sebastjan Tinaj bisedoi kryeredaktori i “Diellit” Sokol Paja.

“NORA E KELMENDIT” SI KONTRIBUT PËR VALLET DHE TRADITAT SHQIPTARE

Grupi “Nora e Kelmendit” u krijua në vitin 2018 me iniciativën time personale, por edhe me mbështetjen e shumë miqve dhe shokëve që kontribuan vullnetarisht. Jam thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe besimin e tyre. Që në vitin e parë, grupi pati një sukses të madh në festivalet shqiptare, duke tërhequr interesin e të rinjve, por edhe të fëmijëve, që dëshironin të bëheshin pjesë e tij. Në vitin 2022, u regjistruam zyrtarisht si grup vallesh në shtetin e New York-ut dhe prej atëherë vazhdojmë të ushtrojmë dhe të kultivojmë rregullisht vallet dhe traditat shqiptare. Pjesëmarrja jonë në ngjarje kulturore, por edhe në gëzime familjare, na motivon dhe na shtyn të punojmë edhe më fort, sepse vlerësimi i punës është gjithmonë një ndjesi e jashtëzakonshme.

Një nga pikat tona më të forta, përveç talentit, është kostumografia e kuruar me kujdes dhe zgjedhja e muzikës, të cilat pasqyrojnë identitetin tonë dhe i japin çdo performance një karakter autentik e të paharrueshëm. Deri më tani kemi marrë pjesë në aktivitete në të gjithë Amerikën dhe shpresojmë që në vitet në vijim të jemi të pranishëm edhe në ngjarje kulturore në Shqipëri, si festivale apo bashkime të shqiptarëve kudo në botë. Sot numërojme me shume 70 nxenes qe ushtrojne dhe mesojnë vallet e bukura shqiptare dhe smund te isha me i lumtur se kaq!

“ARKA E KELMENDIT” SI KONTRIBUT PËR ETNOGRAFINË SHQIPTARE NË MËRGIM

Etnografia shqiptare, veçanërisht xhubleta dhe çakshirët, ka qenë gjithmonë një pasion i hershëm për mua. Që nga ditët e para në grupet artistike, kur isha vetëm 6 vjeç, kam pasur një lidhje të pashpjegueshme me veshjet tradicionale dhe historinë që ato mbartin. Për shkak të kushteve ekonomike, nuk pata mundësinë të krijoja një koleksion të tillë gjatë kohës që jetova në Shqipëri. Por pasi u vendosa në Shtetet e Bashkuara, vendosa t’i rikthehesha ëndrrës time dhe të ndërtoja një koleksion të mirëfilltë etnografik. Kështu lindi “Arka e Kelmendit” – një emër simbolik, i cili i referohet rrënjëve të mia, por që në përmbajtje mbledh veshje dhe bizhuteri pothuajse nga çdo krahinë e veriut shqiptar. Rinia shqiptare sot po i rikthehet traditës, dhe kjo rritje e interesit e ka shndërruar pasionin tim të dikurshëm në një punë me kohë të pjesshme. Fitimet që gjeneroj nga kjo veprimtari i dedikohen plotësisht zgjerimit të koleksionit, duke shtuar veshje, ornamente dhe elemente të reja etnografike.

PËRFAQËSUES I SHQIPËRISË NË FASHIONING POWER / FASHIONING PEACE GALA NË WASHINGTON D.C.

Prej disa vitesh, në bashkëpunim me Ambasaden Shqiptare dhe supermodelen Emina Cunmulaj, kam privilegjin të përfaqësoj Shqipërinë në Fashioning Power / Fashioning Peace Gala në Washington D.C. Çdo vit, në këtë event ku marrin pjesë mbi 100 shtete, ne prezantojmë me krenari thesarin e etnografisë shqiptare në një ekspozitë që i jep zë traditës dhe identitetit tonë. Përveç drejtimit të grupit “Nora e Kelmendit” dhe angazhimit tim në koleksionin etnografik Arka e Kelmendit, kam pasur gjithashtu privilegjin të bashkëpunoj me disa shkolla shqipe në New York si koreograf. Kjo përvojë më ka rritur profesionalisht, por njëkohësisht më ka pasuruar shpirtërisht, sepse puna me brezin e ri të shqiptarëve në Amerikë është një ndjesi e veçantë dhe një përgjegjësi që e përqafoj me krenari.

KONTRIBUTI NË SHKOLLAT SHQIPE NË NEW YORK: “MËSO SHQIP” DHE “FOL SHQIP”

Për dy vite kam punuar pranë shkollës “Mëso Shqip” në Staten Island, e njohur edhe si grupi “Barbana”. Ndërsa nga shtatori i këtij viti jam bërë pjesë e stafit të shkollës “Fol Shqip” në Ridgewood, Queens, si koreograf i grupeve të vallëzimit. Është nder i madh për mua të kontribuoj, sado pak, në formimin, zhvillimin dhe organizimin e një brezi të ri që rritet me gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Të shohësh fëmijët dhe të rinjtë që përqafojnë identitetin e tyre përmes artit është një motivim i vazhdueshëm dhe një frymëzim i jashtëzakonshëm.

Filed Under: Kulture

Përpjekjet e shqiptarëve për mbrojtjen e Alfabetit shqip

November 21, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Pas triumfit të revolucionit xhonturk, meqenëse shkollimi shqip nuk mund të ndalohej, autoritetet osmane vazhduan vazhduan përpjekjet për t’i mbajtur shqiptarët të përçarë. Xhonturqit ishin kundër shfaqjes së ideve kombëtare dhe idesë së bashkimit të shqiptarëve me përkatësi fetare të ndryshme, prandaj u pozicionuan kundër alfabetit latin në shkollat shqipe. Çështja e përdorimit të alfabetit turko arab e nxitur nga xhonturqit, është quajtur me të drejtë si pjesë e politikës “përçaj e sundo”, si dhe është cilësuar si mollë sherri e hedhur prej tyre në mes të shqiptarëve. turqit ishin pozicionuar kundër alfabetit latin në shkolla shqipe. Ky ishte manifestimi i parë i politikës reaksionare turke ndaj arsimit të kombësive jo turke, e sidomos ndaj shqiptarëve në Perandori. Mbështetësit e alfabetit arab mbronin pikëpamjen se “ndryshimi i alfabetit nënkuptonte ndryshimin e fesë dhe përdorimi i shkronjave latine nënkuptonte largimin nga ”islami”.

Duke mbështetur alfabetin arab për shqiptarët, autoritetet turke ishin të vetëdijëshme se shqiptarët myslimanë do të vazhdonin të mbeteshin kulturalisht me Perandorinë, ndërsa për miletet e tjera nuk u interesonte Kundër përpjekjeve të autoriteteve osmane dhe mbështetsve të tyre, vendimet e Kongresit të Manastirit shprehën vendosmërinë e elitës kulturore shqiptare për të ruajtur pavarësinë nga turqit e rinj, në zhvillimet kulturore kombëtare, duke bërë që të dështonin përpjekjet xhonturke për ta nënshtruar lëvizjen kulturore shqiptare dhe për ta vënë në funksion të projekteve të tyre politike. Turqit e kishin të qartë se alfabeti latin i çonte shqiptarët drejt një evropianizimi e domosdo edhe drejt autonomisë e pavarësisë. Prandaj, ata i akuzonin mbështetësit e alfabetit latin se janë për pavarësi e për ndarje nga Perandoria Osmane. Futja në përdorim e alfabetit latin nuk kaloi pa probleme, sidomos në veri të vendit, ku paria konservatore dhe ulemat turkoshake kishin ndikim më të madh.

Megjithëse disa shkolla në vilajetin e Kosovës filluan të përdorin alfabetin latin, disa nga prijësit fetarë, të nxitur nga komiteti i xhonturqve në Selanik, e quanin këtë alfabet “të pa fe” dhe kërkonin përdorimin e alfabetit arab si faktor bashkimi për tërë Perandorinë Osmane. Një goditje tjetër kundër arsimit shqiptarë u bë në Kongresin e xhonturqve të mbajtur në Selanik në maj të vitit 1909 ku komisioni që punoi për problemin kombëtar e kulturor të kombësive jo turke në Perandri doli me këto propozime: Të gjitha shkollat fillore të betën ashtu siç kanë qenë d.m.th. në gjuhën turke. Të gjitha gjimnazet ku mësimi nuk zhvillohet në gjuhën turke të mbyllen dhe nxënësit të kalojnë në gjimnazet turke. Mësimi në këto gjimnazi do të zhvillohet vetëm në gjuhën turke.

Zhvillimet e Lëvizjes Kombëtare dhe Kulturore të Shqiptarëve e frikësuan Qeverinë Xhonturke. Ajo u angazhua t’i përfitonte qarqet reaksionare dhe konservatore shqiptare me qëllim që ta pengonte këtë zhvillim. Në përvjetorin e Revolucionit, më 23 korrik të vitit 1909, Xhonturqit përgatitën Kongresin e Dibrës, që kishte për qëllim të fusë përçarje në Lëvizjen Kulturore dhe Arsimore Shqiptare, duke nxjerrë si çështje për diskutim përdorimin e alfabetit arab për gjuhën shqipe, (…)me arsyetimin se nuk janë kundër zhvillimit të kulturës kombëtare, por se “është më mirë që gjuha shqipe të shkruhet me shkronja arabe”. Duke parë se në këtë mënyrë nuk arriti gjë, Komiteti Xhonturk “Bashkim e Përparim” gjatë verës së vitit 1909 përgatiti dhe i propozoi Parlamentit disa projektligje që mendonte se do të ishin efikase në pengimin e Lëvizjes Kulturore të Shqiptarëve dhe të popujve të tjerë jo turq në Perandori.

Përplasjet rreth alafbetit u shtuan pas dështimit të përpjekjeve turke për ta imponuar alfabetin turko-arab në Kongresin e Dibrës. Xhonturqit organizuan demonstrata në qytete të ndryshme të Shqipërisë në favor të alfabetit turk, duke bërë përpjekjen e fundit për të ushqyer përçarjen në mes të shqiptarëve”. Valiu i Kosovës, bashkë me deputetin Said Efendia kishte mbajtur mitingje në Sjenicë, Ferizaj, Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Pejë, Gostivar, Dibër, Tetovë, Preshevë e gjetiu me qëllim bindje dhe heqje dorë nga shkrimi latin. Ndërkohë simpatizuesit e shkronjave turko-arabe nga klubi i Aksarajit “Mahfel” dërguan njëfarë Arif Hiqmeti, kinse gazetar, nga fshati Llojan i Kumanovës ta studiojë gjendjen dhe të kontaktojë me parinë myslimane për të krijuar besimin se “shkronjat turko- arabe janë shkronjat e Zotit dhe ai di vetëm ato t’i lexojë, kurse shkronjat gjahure Zoti nuk i pranon dhe i dërgon të gjithë në xhehenem”.

Një propagandë të madhe për alfabetin arab bëri Rexhep Nuredin, i cili ishte aktivizuar në Klubin e Manastirit por njëkohësisht, me porosi të Komitetit Xhonturk, ishte emëruar myfti i atij qyteti. Ai filloi me botimin e një abetareje shqipe me shkronja arabe dhe vazhdoi me një turne në Dibër e në Mat për të propaganduar në të mirë të alfabetit arab. Për të njëjtin qëllim, shkoi edhe në Stamboll, ku veproi, sidomos midis deputetëve shqiptarë. Veprime të ngjashme zhvilluan edhe myftinjtë e Korçës, të Gjirokastër, të Kavajës, të Prishtinës, të Dibrës etj.

Të shtyrë nga reaksioni xhonturk një grup deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Stambolli, nga të cilët asnjëri nuk dinte të shkruante e të lexonte shqip dhe disa prej tyre nuk ishin as të kombësisë shqiptare, i drejtuan një mesazh Kryeministrit Turk me anën e të cilit kërkonin gjoja “në emër të shqiptarëve” që të përdorej alfabeti arab për shkrimin e gjuhës shqipe dhe të ndalohej ai kombëtar”. Lëvizja Kombëtare Shqiptare reagoi kundër kësaj fryme dhe kundër këtij veprimi të Qeverisë Xhonturke. “Kundërshtimi ndaj alfabetit arab arriti fazën kulmore në muajt shkurt-mars 1910, me mitingjet popullore për mbrojtjen e alfabetit shqiptar, sidomos me ato që u mbajtën në Elbasan, në Korçë dhe në Berat. Mitingu i parë u mbajt në Elbasan më 18 shkurt 1910, vetëm dy ditë pas mitingut në mbështetje të alfabetit arab. Në atë miting u mblodhën rreth 7.000 veta nga qyteti dhe nga fshatrat e Shpatit, të Kërrabës, të Verçës, të Dumresë, të Martaneshit, të Sulovës dhe të Gramshit. Pjesëmarrësit e mitingut dhanë besën për të mbrojtur shkronjat shqipe dhe kundërshtuan urdhrin e Ministrisë së Arsimit për përdorimin e alfabetit arab për gjuhën shqipe.

Miting madhështor u mbajt në Korçë, më 27 shkurt 1910. Në të morën pjesë rreth 12.000 veta nga Korça dhe nga gjithë qarku i saj, si nga Kolonja, Devolli dhe Pogradeci. Në fund të mitingut u dërgua një protestë në Stamboll, e nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit. Mitingu tjetër ishte ai që u mbajt në Berat më 13 mars 1910, në të cilin morën pjesë rreth 15.000 veta, nga qytetet dhe fshatrat përreth. Në mitingun e Beratit abetaret me shkronja arabisht u dogjën publikisht përpara ndërtesave qeveritare. Mitingje në përmasa më të vogla u mbajtën edhe në Përmet, Tepelenë, Skrapar, etj. Përveç këtyre telegrameve e letrave, protesta kundër alfabetit arab iu dërguan Stambollit dhe autoriteteve qeveritare lokale, nga shumë qytete e krahina të tjera si: nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Shkupi, Prishtina, Mitrovica, Struga, Ohri, Gramshi, Vlora, Gjirokastra, Leskoviku, Filati, etj. Protesta dhe mbledhje solidariteti në mbrojtje të alfabetit kombëtar u organizuan edhe nga diaspora shqiptare414, si në Rumani, në Bullgari, në SHBA, etj. Konsulli Francez në Shkodër, duke përgjithësuar situatën e krijuar në pranverë të vitit 1910, shkruante “Mund të thuhet se e gjithë Shqipëria kishte ngritur krye kundër pretendimit të Qeverisë Xhonturke për t’i imponuar asaj alfabetin arab. Parullat e mitingjeve “Rroftë abc-ja shqipe”, “Ne vdesim dhe shkronjat shqipe s’i lëmë!”, buçitën anë e kënd Shqipërisë. Ndërhyrja e xhonturqve kundër alfabetit e shkollës shqipe dhe mitingjet e protestat masive të shqiptarëve për mbrojtjen e tyre i acaruan më tej marrëdhëniet e shqiptarëve me Turqit e Rinj dhe ishin një paralajmërim për kryengritjen e armatosur”.

Lufta kundër shqiptarëve po shndërrohej në betejë shumëdimensionale. Një diplomat i huaj i shkruante Qeverisë së tij për “persekutimet sistematike” të autoriteteve osmane ndaj atdhetarëve shqiptarë në Shqipërinë e Jugut. Sipas tij “shkolla shqipe, të hapura kohë më parë po mbylleshin, me arsyetimin se në to kishin vepruar elementë “armiqësorë” e “kundërrevolucionarë”. Me këtë arsyetim, u mbyllën edhe disa klube shqiptare, si klubi i Vlorës, i Leskovikut, i Delvinës etj. Ndërsa, arrestimet nuk po merrnin fund”. Aleksandër Xhuvani, njëri nga personalitetet e shquara shqiptare, vlerësonte se “Turqit e Rinj po i ndiqnin sistematikisht shqiptarët atdhetarë me synimin për ta shuar fare “shqiptarizmin”.

Autoritetet e Vilajetit të Manastirit e shpallën klubin “Bashkimi” të këtij qyteti burimin e të gjitha “armiqësive” kundër Qeverisë dhe Revolucionit. Madje, të gjithë frekuentuesit e tij cilësoheshin “kriminelë” dhe “armiq” të shtetit. Fehim Bej Zavalani, kryetar i Klubit i deklaroi Konsullit Austro-Hungarez në Manastir se “në Vilajetin e Manastirit ndërsa klubet po mbylleshin njëri pas tjetrit, atdhetarët më të flakët po dënoheshin e po internoheshin në Azi të Vogël, e familjet e tyre të gjendura në pozitë të mjerueshme i drejtoheshin Klubit për ndihmë. Një fushatën e tillë antishqiptare nuk kishte ndodhur as “në kohën despotike”.

Shtypja e kryengritjes shqiptare të Kosovës në vitin 1910 u pasua me luftën kundër kulturës dhe gjuhës shqipe, duke mbyllur klubet e hapura shqiptare nën pretekstin se ishin “vatra të revoltës”; me burgosjen dhe ndalimin e kryeredaktorëve, redaktorëve dhe gazetarëve të gazetave shqipe. Me urdhër të Portës së Lartë u ndaluan librat dhe gazetat në shqip dhe u mbyllën shkollat në gjuhën shqipe. Në ato kushte, shkollat shqipe punuan në kushte ilegale. Vazhduan arrestimet e atdhetarëve shqiptarë. Në Shkup arrestohet Kryetari i klubit të atyshëm Beqir Efendiu dhe mësuesi i gjuhës shqipe Bedri Pejani; në Manastir Fehim Zavalani, Vllezërit Kristo e Dhemitër Qeriazi etj. Në Elbasan Kristo Dako e Lef Nosi; në Dibër Qamil Daci; në Tiranë Ibrahim Dalliu, Mahmut Furtuzi, Jusuf Elezi; në Durrës Nikollë Kaçorri etj.

Në mars të vitit 1911, një qarkore e Ministrisë së Brendshme në Stamboll kërkonte riçeljen e shkollave, sikundër dhe çeljen e shkollave të reja dhe përdorimin e alfabetit latin. Por përpjekjet përçarëse të xhonturqve vazhduan edhe më tej, duke e trajtuar problemin e arsimit shqip dhe të alfabetit latin si të dëmshme për fenë myslimane dhe të rrezikshme për interesat e Perandorisë. Si në fillim, edhe gjatë zhvillimit të kryengritjes shqiptare të vitit 1912, u paraqitën kërkesa në lidhje me arsimin dhe shkollën shqipe. Kërkesa të tilla u shprehën nga kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, të Hasit, të Mitrovicës, Dibrës, Junikut etj. Edhe në bisedimet midis kryengritësve shqiptarë të përfaqësuar nga Hasan Prishtina dhe autoriteteve osmane, çështjet arsimore zinin mjaft vend. Nga 14 kërkesat e Hasan Prishtinës drejtuar delegacionit osman në bisedime, 5 ishin për shkollat dhe arsimin shqip. Autoritetet osmane nuk mundën t’u imponohen shqiptarëve në çështjen e alfabetit dhe nuk e ndaluan dot procesin e veçimit kulturor të shqiptarëve nga osmanët, që do të çonte në formimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Zgjedhja e alfabetit latin kishte dhe një dimension të qartë politik dhe tregonte aspiratat perëndimore të shqiptarëve si komb. Në fakt, vetë kontrasti midis alfabetit latin dhe atij turk do ta bënte vetëdijen shqiptare të ishte ndryshe nga ajo e turqve.

Filed Under: Emigracion

Joe Gould, amerikani që “shërbeu” si “Ambasador Nderi i Shqipërisë në Amerikë”

November 21, 2025 by s p

Dr. Gazmend Kapllani/

Joe Gould (1889-1957) është një karakter kult dhe një nga bohemët më të famshëm të historisë së Nju Jorkut dhe të Amerikës. Një njeri mes gjeniut dhe të çmendurit, i lindur në një familje të pasur mjekësh në një qytet të vogël pranë Bostonit. Pasi braktisi studimet në Harvard, vendosi të zhvendosej në Nju Jork që t’i kushtohej letërsisë dhe artit. Pretendonte se po shkruante librin më të gjatë të historisë së folur të njerëzimit, “historia e folur e kohës sonë”, libër që nuk u gjet as u botua kurrë. Është, megjithatë, njeriu që krijoi termin “oral history / historia e folur” në fjalorin anglez.

Ishte mik me disa nga shkrimtarët dhe intelektualët më të njohur amerikanë të kohës, si e. e. Cummings dhe Ezra Pound, mes shumë të tjerëve.

Në mesin e viteve ’20, Joe Gould endej nëpër Nju Jork duke thënë se ishte Ambasador Nderi i Shqipërisë në Amerikë. E vërteta është që për 10 vjet, nga viti 1915 (kur Shqipëria, gjatë viteve të mbrapshta të Luftës së Parë Botërore, ishte zhdukur nga harta) deri në vitin 1925, ai ishte njëri ndër përkrahësit më të zjarrtë të shqiptarëve, falë njohjes së tij në Universitetin Harvard me Fan Nolin.

Madje, në shënimet e tij shkruan se frekuentonte një kafene shqiptare në Boston me emrin “Skënderbeu”, si edhe Kishën e Shën Gjergjit në Boston, e themeluar nga Fan Noli. Por dokumenti më i famshëm për Shqipërinë është korrespondenca e tij me “atin” e antropologjisë amerikane, Franz Boas, të cilin përpiqet ta bindë që të krijojnë një shoqatë me personalitete amerikane që do të përkrahte dhe ndihmonte Shqipërinë, me emrin “Kampionët e Skënderbeut”.

“Tani që Shqipëria mbijetoi nga grekët dhe serbët,” shkruan ai, “duhet ta ndihmojmë që të shpëtojë nga dy plagët e saj më të mëdha: varfëria dhe padija — por sidomos padija,” nënvizon ai, “e cila nuk i lejon shqiptarët, një popull shumë të zgjuar, të përparojnë si popujt e tjerë të civilizuar.”

Në këtë letër Joe Gould përmend gjithashtu faktin se, në vitin 1916, ai ka organizuar në Nju Jork eventin “Miqtë e Pavarësisë së Shqipërisë”, ku antropologu i madh Franz Boas ka shënuar emrin e tij në listën e personaliteteve të shquara amerikane që mbështetnin pavarësinë e Shqipërisë.

Foto: pjesë nga letra e Joe Gould për antropologun e shquar amerikan Franz Boas (Dhjetor 1920), ku i kërkon mbështetjen e tij për krijimin e një grupi me amerikanë të shquar për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Filed Under: Komunitet

Si u sakrifikuan viset shqiptare në tryezën diplomatike të Fuqive të Mëdha

November 21, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri/

“…der sa mos t’shkimin hana diellit

e e mramja cirkë m’oqean k’thellët mos t’shtrasë,

emini i atij burri që për Atme,

la agam n’fis të vet, a’j për her gjallon e Deka,

mi të pushtet nuk ka.” – Gjergj Fishta

Nëse një komb harron të shkuarën, ai shkatërron të ardhmen. Prandaj, vlen që të ndalemi pak tek momentet vendimtare që kanë ndikuar historinë tonë. Në janar 1914, Ismail Qemali do t’i deklaronte në Vlorë, një gazetari francez, me një dozë ironie: “Ndërsa Shqipëria po bën gjithçka për t’i shpëtuar zakoneve turke, Europa na trajton si nusen osmane, së cilës dhëndri i shfaqet vetëm ditën e dasmës.”

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Fuqitë e Mëdha të kohës, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe, pavarësisht interesave të ndryshme, luajtën një rol vendimtar në formësimin e hartës së re të Ballkanit. Britania, veproi me kujdes duke ndjekur politikën e ekuilibrit për të mbrojtur pozitat e saj në Mesdhe. Nga ana tjetër, Gjermania, megjithëse e pa interesuar drejtpërdrejt për çështjen shqiptare, mbështeste politikën e Vjenës në Ballkan. Italia, e shtyrë nga ambiciet e saj kolonialiste për ekspansion në tokat shqiptare, sillej me luhatje. Ajo kishte pretendime herë për çështje prestigji e herë për interesa strategjike.

Ndërkohë, Fuqitë Ballkanike kishin aspirata të ndryshme, të cilat bashkoheshin në një pikë, copëtimi i Shqipërisë. Ëndrra e Serbisë ishte sigurimi i një dalje në detin Adriatik përmes territoreve shqiptare. Ndërsa, Mali i Zi dëshironte që të bënte të vetin qytetin strategjik të Shkodrës. Greqia, nga ana tjetër, dëshironte Shqipërinë e Jugut.

Dokumentet arkivore të kohës përshkruajnë jo vetëm pretendimet e tyre territoriale, por zbulojnë gjithashtu një mozaik kompleks negociatash, marrëveshjesh të fshehta dhe manovrash politike. Aty spikasin lojërat diplomatike që pasqyrojnë me saktësi atmosferën gjeopolitike të kohës. Kufijtë e sotëm, u vendosën bazuar kryesisht tek pazaret midis Austro-Hungarisë e Rusisë.

Rusia cariste, si mbrojtëse tradicionale e sllavëve të jugut dhe e ortodoksisë, e shihte shpërbërjen e Perandorisë Osmane, si një mundësi të artë për të zgjeruar ndikimin e saj nëpërmjet aleatëve sllavë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ajo kundërshtonte çdo projekt që pengonte daljen e Serbisë në Adriatik, përfshirë krijimin e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj natyralë. Në thelb, Rusia nuk ishte kundër ekzistencës së një entiteti shqiptar, por e donte atë të kufizuar dhe të dobët, sa për të mos penguar ambiciet e aleatëve të saj.

Franca, nga ana tjetër, lëvizi në sinkron me Rusinë, pasi të dyja ishin pjesë e Antantës. Interesat e saj në Ballkan nuk ishin aq të drejtpërdrejta sa të Londrës apo Vjenës, por më tepër të lidhura me aleancat evropiane. Për këtë arsye, Parisi ndoqi një qëndrim diplomatik të kujdesshëm, shpeshherë duke mbështetur kërkesat serbe e greke në tavolinën e bisedimeve, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit brenda Antantës.

Në këtë panoramë, krijimi i shtetit shqiptar nuk ishte rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të Fuqive të Mëdha, por i një kompromisi të ftohtë austro-rus, një lloj “marrëveshjeje sui generis”, ku secila palë pranoi ekzistencën e Shqipërisë vetëm për të mos lejuar tjetrën të zgjerohej më tej. Kështu, lindi Shqipëria. Ajo nuk ishte produkt i një vullneti të madh politik ndërkombëtar, por fryt i një ekuilibri të frikës, në një Ballkan që përjetonte përplasjen midisd pan-gjermanizmit dhe pan-sllavizmit.

Britania e Madhe, ndryshe nga Austro-Hungaria, Rusia apo Italia, nuk kishte synime territoriale në Ballkan. Interesat e saj ishin kryesisht gjeostrategjike dhe detare. Ajo donte që të ruante kontrollin mbi rrugët e komunikimit detar drejt Kanalit të Suezit. Të parandalonte shtrirjen e ndikimit rus në Mesdhe, dhe të mbante ekuilibrin midis Fuqive të Mëdha për të shmangur një dominim të vetëm në rajon.

Në këtë kuadër, Londra e shihte Ballkanin si zonë tampon, ku çdo lëvizje e tepruar e Vjenës apo e Shën Petersburgut duhej balancuar. Ajo ishte e interesuar që as Austro-Hungaria, as Rusia të mos siguronin dalje të qëndrueshme në Mesdhe. Kjo e çoi diplomacinë britanike drejt një politike të ekuilibrit të kujdesshëm, duke mbështetur zgjidhje kompromisi dhe shpesh duke ndërmjetësuar për të mos lejuar asnjë Fuqi që të bëhej dominuese. Në rastin e Shqipërisë, kjo u përkthye në pranimin e një shteti të pavarur, neutral dhe të dobët, që do të shërbente si pengesë natyrore ndaj ambicieve ruse dhe sllave drejt Adriatikut.

Për ta përmbledhur, ndryshe nga Britania, Austro-Hungaria kërkonte dalje në det dhe kontroll mbi rrugët tregtare të Ballkanit perëndimor. Rusia kërkonte dalje në ujërat e ngrohta dhe mbrojtjen e sllavëve ortodoksë. Italia kërkonte pozita të përhershme në Adriatik dhe në brigjet shqiptare. Gjermania e shihte rajonin si fushë ndikimi të aleates së saj Vjenës. Ndërsa Franca ndiqte më shumë linjën e Rusisë për të ruajtur unitetin e Antantës. Në këtë mozaik interesash, Britania e Madhe luajti rolin e arbitrit, duke mos kërkuar fitore të dukshme, por duke ndërtuar ekuilibra që garantonin interesat e saj globale.

Megjithatë, do të gaboheshim rëndë nëse do të anashkalonim forcën e brendshme të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke mëshuar vetëm në ndikimin e forcave të jashtme. Njësoj, siç do të gabonim rëndë po ta vlerësonim një ajsberg vetëm nga pjesa e tij e dukshme. Në atë periudhë, pikëpamja mbizotëruese ndër kancelaritë evropiane të kohës ishte ajo e “shpërblimit me territore”.

Është e qartë se në përplasjet diplomatike të kohës nuk kishte pozicione të pandryshueshme. Gjithçka mund të negociohej dhe çdo interes mund të sakrifikohej në emër të një kompromisi të përkohshëm. Dokumentet arkivore dëshmojnë se, kjo u bë veçanërisht evidente gjatë diskutimeve për të ardhmen e Shkodrës. Austro-Hungaria, ndonëse mbështetëse e pozicionet shqiptare, tregoi gatishmëri për ta lëshuar qytetin në favor të Malit të Zi, nëse do të sigurohej kontrolli mbi qafat dhe grykat strategjike të Llofçenit pranë Kotorit, ku ndodhej edhe flota e saj ushtarake. Në fund, Konferenca e Ambasadorëve në Londër sakrifikoi Gjakovën, për të mbajtur Shkodrën. Të njëjtën skemë pazari gjejmë edhe për qytetin tjetër shqiptar me rëndësi strategjike kyçe në Mesdhe, Vlorën, së cilës i ishin afruar trupat greke. Për Vlorën, kishin interes si Italia, ashtu edhe Austro-Hungaria.

Merita e jashtëzakonshme diplomatike e Ismail Qemal Vlorës, ishte aftësia për ta shndërruar çështjen shqiptare nga një kauzë periferike e diplomacisë europiane, në një kauzë qendrore nga e cila varej e ardhmja e vetë Europës. Nëpërmjet, komunikimit publik dhe lobimit në qendrat kryesore të diplomacisë europiane, ai arriti të ndërgjegjësonte politikën dhe opinionin publik europian, në favor të kauzës shqiptare.

Veprimtaria e tij patriotike u intensifikua veçanërisht në dekadën e fundit para pavarësisë. Në vitet 1900-1912, ai jetoi në Bruksel dhe veproi në qendrat e politikës europiane. Ismail Qemali punoi me qëndrueshmëri për ndërgjegjësimin e opinionit publik europian për kauzën shqiptare. Njëkohësisht, duke i sensibilizuar si për rrezikun e pan-sllavizimit, ashtu edhe atë të pan-gjermanizmit.

Një dëshmi e këtij fakti është intervista e Ismail Qemalit për gazetarin e shquar italian Vittorio Vettori, “Il Giornale d’Italia”, më 16 gusht 1903. Gazetari e përshkruan Ismail Qemalin si një patriot shqiptarë prej lindjes dhe prej shpirtit. Ismail Qemali flet aty për rëndësinë e njohjes së kombit shqiptar, dhe bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Ai thekson rëndësinë e ndërtimit të një Shqipërie të fortë. Kjo do të shmangte ndërhyrjen europiane në Ballkan dhe do të ndikonte në ruajtjen e stabilitetit të vetë Europës.

Ismail Qemal Vlora manovroi me kujdes në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe me rreziqe të shumanshme. Ai punoi për të shpëtuar çfarë ishte ende e mundur nga trojet shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, e futi çështjen shqiptare në logjikën e shtetformimit modern.

Ndërkohë, Ismail Qemali shikohej si nga Austro-Hungaria, po edhe nga Fuqitë e tjera, si një diplomat i matur e me përvojë të gjatë, por njëherësh i rrezikshëm. Ai ishte një njeri e pavarur. Austro-hungarezet ishin të bindur se ai nuk do të ndiqte verbërisht direktivat e Vjenës apo kujtdo tjetër.

Austro-Hungaria mbështeste krijimin e Shqipërisë, si pjesë e strategjisë së saj për të penguar daljen e Serbisë në Adriatik dhe për të ruajtur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Mbështetja, ndonëse e kushtëzuar dhe jo pa llogaritje gjeopolitike, ishte një faktor me rëndësi në formësimin e rrethanave që bënë të mundur shpalljen e Pavarësisë.

Nga ana tjetër, realiteti pas shpalljes së pavarësisë ishte i ngarkuar me sfida të jashtme dhe përçarje të brendshme. Një dokument i konsullit austro-hungarez në Durrës, dërguar Vjenës, më 26 korrik 1913, shkruan ndër të tjera se, Partia Esadiste është një parti antiqeveritare. Por, duhet theksuar se, në atë moment kyç të historisë së Shqipërisë, kur nevojitej më tepër se kurrë bashkimi, Partia Esadiste nuk ishte thjesht dhe vetëm një parti antiqeveritare. Ajo mbante gjallë frymën antikombëtare.

Fryma antikombëtare e Partisë Esadiste, lindi së bashku me shtetin e ri shqiptar. Kjo e keqe e madhe, vazhdon që të mbahet gjallë edhe sot prej atyre që vendosin interesin personal dhe partiak, para interesit kombëtar. Prej atyre që vendosin partinë, para Shqipërisë. Kultura jonë e mbrapshtë politike, e ngatërron shpesh kufirin midis debatit normal politik dhe shenjtërisë së interesit kombëtar. Ferrat e vatanit e ngatërrojnë misionin me interesin.

Qemal Karaosmani rrëfen se Ismail Qemali e thirri në Vlorë dhe e bëri ministër të Brendshëm Esat Toptanin, për hir të bashkimit kombëtar: “Esat Toptanit në Vlorë nuk ju duk ndonjë shenjë kundërshtimi me Ismail benë, një ditë i lypën leje lsmail Beut, që të vendte në Tiranë se kishte punë private dhe të bante the inspektim ndër ato krahina. Kështu iku në Tiranë e nuk u kthye ma në Vlorë. Në fund shpalli edhe Vetqeverim të Shqipnisë së Mesme me një kabinet nën kryesinë e tij, domethanë, mendimi i intelektualëve u realizua. Atëherë kishte fjalosë me disa që ishin kundërshtarët e Ismail Qemal beut i pata thanë se ç’bani kështu; pritni sa të rregullohet puna e të vinjë Mbreti i Shqiprisë, se Kabineti që asht sot, do api dorëheqjen dhe Mbreti do vejë një Kabinet që t’i pëlqejë, se asht turp e mëkat që, në vendin e Ismail beat të favorizoni Esat Pashën që nuk ka ndonjë farë kulture. Ata më thanë e Ismail beut s’kemi se çfarë t’i bajmë veçse të ketë një njeri të fuqishëm kundrejt Esat Pashës, që ta rrëzojmë nga fuqija. Me gjithë qi në çastin që duem e rrëzojmë. Ne e kuptuem, të ngratët, jo që s’e rrëzuen nga fuqija, pse ai i ngordhi me dru edhe i tuti nër thasët e i hodhi nër gorgat, Ja, pra dëshira e intelektualëve, që prodhojnë të kundërtën.

Si shpalli vetqeverrimin e Shqipërisë së Mesme, Esat Pasha, e vojta një ditë që të firmojë ça akte ke Ismail beu. Tue lexue aktet, ngriti kokën e më tha: “E Qemal bei! E more vesht se Esat Pasha shpalli Vetqeverimin e Shqipërisë së Mesme?” “Po”, iu përgjigja. “A e mban mend kur më ke thanë nënpunsat që po emnon pa diplomë universiteti, të cilët konsiderohen prej kundërshtarvet si të pa zotë, se po bainë një përshtypje të keqe në popull e nër të huejët? Nashti erdhi koha që të t’ap përgjigjen; Nënpunsat që kam emnue simbas kohës e nevojës i di të aftë e të zotë. Kjo nuk bie ndonjë dam në fushën t’onë politike, por edhe sikur të jetë e vërtetë vetën ke kundërshtarët mund të bajë përshtypje; por tronditja ma e madhe e jetës sonë politike, kundrejt opinionit publik të botës mbarë, asht krijimi shpallja e Vetqeverimit të Shqipnisë së Mesme me një Kabinet tjatër prej kundërshtarvet. Kio i bije dam Shtetit, sepse bota e di që shqiptarët ja të bashkuem dhe, të gjithë, pa dallim feje përpiqen për të mirën e Atdheut të vet. Kurse krijimi i një Shqipnie të Mesme i ep të kuptojë gjithë botës së jashtme se shqiptarët nuk qënkan të bashkuem, se paskan tri Shqipni, e tri Qeveri, pse kur krijohet Shqipëria e Mesme, vetvetiu diktohet se janë tri Shqipni; e Mesmja, e Poshtmja dhe Sipërmja; domethanë se Vlora, Durrësi, Shkodra kanë nga një qeveri më vete. Nashti po të pyes ty: kush asht ma e damshme në jetën tonë politike; krijimi i tri Shqipnivet apo nënpunsate mi pa diplomë?””

Ju përgjigja: “Keni të drejtë sa malet Shkëlqesi, se krijimi Shqipërisë së Mesme na i qiti leckat në shesh mirë neve, mbrënda për mbrënda, po i dhamë shkak të kuptojë dhe bota e jashtme qi neve jo vetëm nuk jemi të bashkuem por jemi dhe ambiciozë”. Qemal Karaosmai vijon më tej: “Mbasi u shpall Qeveria Esadiste, shumë njerëz u larguan e vojtën në Durrës, si z. Hasan Prishtina dhe të tjerë…”

Akoma më tej Qemal Karasosmani tregon se: “Puna e kundërshtimi t’Esat Pashës po vazhdonte në buzën e Shkumbinit. Na lajmërojnë se ka ardhë një fuqi prej Esad Pashës e ka qëllim që të sulmojë Lushnjën. Kundra kësaj fuqije u dërgue i ndjeri Hysni Toska në buzën e Shkumbini në katundet e Çermavet që të ruante të mos hidheshin për këndej; në Qarkun e Lushnjës. Kjo situatë vazhdoi disa ditë dhe çast mbas çasti pritesh përleshja në mes dy fuqivet.

Ismail beu, duke parë gjëndjen shumë të keqe, një natë mblodh Këshillin Ministruer e na tha, që situata asht shumë e keqe dhe mund të pëllcasi dhe një vllavrasje e të derdhet gjak. Po dëshëruet dhe ju, meqënëse edhe Princ Vedi u caktue si Mbret në Shqipni, deri sa të vinjë ay jam i mendimit që fuqinë shtetnore të Shqipërisë t’ia lamë në dorë kontroollorvet me konditë që të garantohen se edhe Esat Pasha t’api dorëheqjen e kështu kur të vinjë Mbreti të gjejë një Shqipni të bashkueme e në këtë mënyrë të pritet hovi gjaderdhjes në mes të shqiptarvet. Kur ne që të gjithë ishim gati, erdhën kontrollorët dhe Ismail beu proponoi mendimin e Këshillit. Ata thanë se, pa mos pyetë Mbretninë tonë nuk mundemi t’apim pëlqim ose garanci për dorëheqjen e Esat Pashës. Si të marrim përgjigje do ua komunikojmë vendimin a jo a po. Mbas disa ditëve erdhën kontrollorët e na komunikuan se e pranojnë proponimin e Ismail beut dhe garantohen që do ta detyrojmë doemos Qeverinë e Esat Pashë që t’api dorëheqjen. Me këto garantina të përfaqsuesve të gjashtë Mbretnivet të Mëdha t’Europës u dha dorëheqja e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës…’’

Ky fragment i dokumentuar tregon jo vetëm përçarjen e elitës kombëtare, por edhe sesi projektet politike për shtetin shqiptar zhvilloheshin paralelisht me lojërat ndërkombëtare të Fuqive të kohës. Pavarësia e shpallur nuk përkonte ende me ndërtimin e një shteti të bashkuar. Shumë territore me popullsi shqiptare, përfshirë Kosovën dhe Çamërinë, u sakrifikuan për të qetësuar ambiciet e fqinjëve dhe për të ruajtur ekuilibrat mes fuqive rajonale dhe globale.

Ky realitet historik mbetet një dëshmi e hidhur për mënyrën se si fati i popujve të vegjël është vendosur shpesh jo në bazë të të drejtave legjitime, por në bazë të interesave strategjike të të mëdhenjve. Dhe megjithëse shpallja e pavarësisë në Vlorë ishte një akt i guximshëm dhe vendimtar, trashëgimia e ndarjes së territoreve shqiptare në tryezat diplomatike të Evropës vijon të lërë gjurmë në realitetin politik të rajonit sot e gjithë ditën.

Paqja është e qëndrueshme, kur i forti është i drejtë. Ashtu si në fillim të shekullit XX, kur ekuilibri midis pan-gjermanizmit dhe pan-sllavizmit solli lindjen e shtetit shqiptar, edhe sot Britania e Madhe po kërkon që të rikthehet në Ballkanin Perëndimor, për të rivendosur balancën mes fuqive të reja. Historia duket se po përsëritet sërish.

Në kontekstin bashkëkohor, kombet e vogla sërish përballen me sfida të mëdha. Nga influencat e jashtme, deri te presionet për të sakrifikuar sovranitet për “stabilitet”, mësimet e historisë së fillim shekullit XX, janë më aktuale se kurrë. Në një botë që vazhdon të jetë e ndarë mes interesave dhe realpolitikës, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët anembanë, duhet që të mos harrojnë se pavarësia është përgjegjësi. Pavarësia është një proces i vazhdueshëm që kërkon vigjilencë, përfaqësim të dinjitetshëm dhe mbrojtje të pandërprerë të interesit kombëtar.

Intervista e Ismail Qemalit për gazetarin e njohur italian Vittorio Vettori, “Il Giornale d’Italia”, më 16 gusht 1903, me titull “Çështja e Lindjes dhe Italia”.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • 219
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT