• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË DHËNA TË REJA MBI VARRIMIN E JOSIF BAGERIT

August 13, 2025 by s p

Avzi Mustafa/

Foto kryesore Telegrafi

Josif Bageri në historiografinë shqiptare është i njohur si një ndër patriotët më shquar, si publicist, poet dhe si njeri që kishte lidhje miqësore me shumë patriotë, gazetarë e intelektualë të kohës. Edhe pse vinte nga një shtresë e varfër e vegjëlisë dhe ishte autodidakt, ai mbeti shumë i respektuar nga qarqet përparimtare të kohës. 

Si në shkrimet tij publicistike, ashtu edhe në poezitë e tij, hasim një frymë të fuqishme patriotike të ngjizur fort me tabanin kombëtar shqiptar. Kryengritje e shumta që nga viti 1909 e deri më 1912 në Malësinë e Shqipërisë Veriore, si te shumë patriotë, e kishin ngulitur bindjen se fitorja do të arrihet me anë të një kryengritjeje të përgjithshme, por të armatosur, që do çonte drejt pavarësisë kombëtare.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse mund të merret si një ndër ngjarjet më të mëdha historike, megjithatë problemi i saj ishte moscaktimi i kufijve politikë të shtetit shqiptar, edhe pse synimet e shumë patriotëve shqiptarë ishin që të gjitha tokat shqiptare të përfshiheshin brenda kufijve etnikë të shtetit. Qarqet shoviniste, duke i shfrytëzuar “dallimet fetare”, si dhe përkrahjen e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve e Londrës, vendosën në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve, ashtu që më shumë se gjysma e trojeve etnike shqiptare mbetën jashtë shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë shtetit shqiptar ia këputën krahët, duke ia falë tokat shqiptare Malit të Zi, Serbisë e Greqisë.

Josifi, si shumë patriotë të tjerë, nuk u pajtua me këtë. Për këtë arsye ai shkoi në Kosovë për t’u takuar me patriotët kosovarë, sidomos me Bjaram Currin, por edhe me të tjerë. Në atë kohë Josifi jetonte me familjen e tij në Sofje të Bullgarisë. Udhëtimin e nisi me të ashtuquajturin ”udhëtimi me tren bullgar”, në të cilin një biletë e blerë vlente deri në stacionin e fundit ku ai mund të huazohej nga çdo udhëtar që zbriste në ndonjë stacion më të afërt. Gjatë kësaj rruge ai qëndroi disa ditë në Paraçin, ku një kohë Josifi kishte punuar, gjoja sikur edhe tash kishte vajtur për të kërkuar punë.

Më pas Josif Bageri e ndërmerr udhëtimin heroik, duke udhëtuar në këmbë deri në Prishtinë, që atje të takohet me patriotët kosovarë. Meqenëse financiarisht ishte i dobët, me të arritur në Prishtinë, u vendos në një bujtinë afër pazarit të Prishtinës, i cili ishte vendi kryesor për takime jo vetëm publike, por edhe të fshehta. Afërsia e dyqaneve aty i bënte njerëzit të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin. Pazari kishte edhe disa kafene të vogla, që shërbenin kafe e çaj dhe, herë pas here, edhe raki, ndërsa aty ishin edhe disa kuzhina popullore. Afër pazarit ishte edhe kisha dhe spitali. Josifi, meqenëse nuk kishte mjete financiare, ushqehej në kuzhinat e lira ose rrinte pa bukë.

Kur Serbia e forcoi pushtetin në të ashtuquajturën “Maqedonia e Vardarit”, ku bënte pjesë edhe Reka e Epërme, ajo filloi që nga njerëz të ndryshëm të marrë informacione se kush mund të jenë njerëzit e rrezikshëm për Serbinë. Mësuesi i ardhur serb të parët që i denoncoi si “të rrezikshëm” ishin familja e Josif Bagerit, sidomos Josifin dhe vëllain e tij, që ishte prift. Pushteti i atëhershëm, për t’i likuiduar patriotët shqiptarë nëpërmjet policisë sekrete, e përdorte “metodën e helmimit”. Edhe pse tani Bullgaria e administronte një pjesë të Kosovës, ku bënte pjesë edhe Prishtina, një pjesë e madhe e agjentëve serbë vepronin kudo, si ndaj shqiptarëve, ashtu edhe ndaj bullgarëve, duke e përdorur metodën e helmimit.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Josif Bageri banonte në një han, ku ndonjëherë porosiste ndonjë gjellë. Këtë moment e shfrytëzuan serbët, që nëpërmjet një të paguari t’ia hedhin helmin në gjellë, ashtu që ai pas disa orëve, në gjendje të alivanosjes, dërgohet në spitalin që ishte afër pazarit. Megjithatë, pas disa orëve vdes. Josif Bageri nuk posedonte dokumente identifikimi, përveç një leje qarkullimi. Pasi askush nuk u interesua për të, atë e vendosën në një cep të morgut të spitalit. 

Për vdekjen e Josifit do të merret vesh nga një patriot i cili e njohu atë dhe i cili në një zarf do ta lërë këtë shënim: “Letrat e Josif Bagerit prej katundit Nistrovë – Reka e Dibrës së Madhe – ka dek në Prishtinë, Kosovë. Ish një patriot i flaktë e ka dekë në mizërie, t’ue lanë grue e tre fëmijë”. Ky zarf është gjetur në prill të 1916, ndërsa Josif Bageri kishte ndërruar jetë më 1915.

Gazeta “RODINA”, që botohej në Shkup, në nr. 52 të 15 majit 1916 do ta botojë një shkrim me titull “Pogrebenieto na Josif Bageri” (letër nga Prishtina), duke e përshkruar varrimin që do të bëhej pas një viti. Sipas këtij artikulli, varrimin e Josif Bagerit do ta inicojë një mik bullgar i Josifit, që e kryente detyrën e inspektorit të Arsimit për Rrethin e Prishtinës, e i cili e kishte njohur Josifin që në Sofje. 

Bullgarët, për të hapur shkolla në gjuhën bullgare dhe për të përfshirë sa më shumë nxënës në to, u orvatën që në këto vise të dërgojnë njerëz që e dinin edhe gjuhën e vendet, ashtu siç e kishin angazhuar edhe Anastas Albaskin në Kumanovë. Josifi nuk ishte ngarkuar me ndonjë detyrë nga bullgarët, por ardhja e tij në Kosovë kishte karakter tjetër – për ta parë gjendjen e shqiptarëve, si dhe për të marrë detyra nga Komiteti ose Shoqëria “Shkipnia”, në gjirin e së cilës ishin tubuar prijës të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga të gjitha viset shqiptare dhe që pastaj, nëpërmjet shtypit, t’i njoftojë shqiptarët kudo që ishin.

Në bazë të këtij artikulli e mësojmë edhe se, si duket, bullgarët e kishin emëruar Josif Bagerin anëtar të Komisionit të Përhershëm Administrativ të Rrethit të Prishtinës, ku do të punonte, ashtu siç do të shprehet inspektori pranë varrit të tij, “me zemër dhe shpirt në përforcimin e miqësisë ndërmjet shqiptarëve dhe bullgarëve”. Andaj, “me vdekjen e tij ne humbëm një fuqi të pazëvendësueshme”

Meqenëse emri Josifit figuronte në aktet administrative si një nga anëtarët e Komisionit, ai filloi të kërkohet nga pushteti. Pas gjurmimeve, ata e kuptojnë se ai ka ndërruar jetë para një viti. Atëherë si anëtar i këtij komisioni u vendos të bëhet varrimi sipas protokolleve të varrimeve të njerëzve të pushtetit. Andaj udhëheqësi i Rrethit solli vendim se kush do të marrë pjesë, në sa ora do të varroseret dhe ku do të varroset. 

Kështu varrimi i Josif Bageri u bë më 2 maj 1916 (sipas kalendarit të vjetër) në orën 4 të pasdites. “Në orën 4 pasdite, prefekti i Rrethit, së bashku me të gjithë nëpunësit e administratës së Rrethit, dolën nga ndërtesa e Prefekturës dhe u drejtuan për në Spitalin “Kosova”, ku ndodheshin eshtrat e Josif Bagerit”. 

Në emër të komunës, morën pjesë kryetari i bashkisë, N. Aleksiev, dhe këshilltarë të tjerë bashkiakë, si dhe shumë qytetarë të nderuar, në mesin e të cilëve ishin mjeku shqiptar Zejnel Abidin Sadiku (viq), si dhe Shukri Xhemali. Kortezhi mortor, bashkë me klerin, nën drejtimin e arkimandritit Trifon Stojanov, u nis me solemnitet nga spitali dhe u drejtua për në kishën “Shën Nikolla”.

Pranë varrit të tij mbajti fjalim inspektori i Arsimit të Rrethit, z. L. Dimitrov, i cili foli për cilësitë personale të të ndjerit, për veprimtarinë e tij dhe lexoi disa nga fjalët dhe dëshirat që ai i kishte lënë para se të vdiste. Pas tij, një fjalim u mbajt nga mjeku shqiptar Zejnel Abidin Sadiku (oviq). 

Më poshtë do japim edhe disa thekse nga fjalimi i z. L. Dimitrov:

Qytetarë të pikëlluar,

I ndjeri Josif Bageri ka lindur në fshatin Nistrovë, Reka e Epërme (Dibra), në vitin 1868. Si fëmijë i ri u shpërngul në Stamboll, por atje nuk mund të pajtohej me politikën e asaj kohe. Menjëherë pas pavarësisë së Bullgarisë ai do të shpërngulet në Sofje. Aty jetoi me nder dhe u martua me një shqiptare, me të cilën kishte disa fëmijë. Për nga origjina ishte shqiptar, por nga edukimi ishte bullgar. Meqenëse kishte lindur në Maqedoni, në mënyrë të barabartë e adhuronte edhe popullin bullgar.

Bageri lindi nga një popull i shtypur dhe i robëruar, i cili vuante nga pushtimi turk, por i bindur në lirinë se një ditë Maqedonia dhe Shqipëria do të çliroheshin. Prandaj ai merrte pjesë në lëvizjet revolucionare në Maqedoni dhe në Shqipëri. 

Këtu do të përmendë edhe djalin e madh të Josif Bagerit, i cili në moshën 16-vjeçare i la kockat në malet e Maqedonisë si çetnik (Kristo Bageri u vra më 1 maj 1906 dhe luftoi me çetën shqiptare në Manastir – shënimi ynë), kurse djali tjetër tani e kryen shërbimin ushtarak.

—–

Si një autodidakt pa një shkollim sistematik, ai posedonte një kulturë të rrallë intelektuale dhe kishte mirësi. Ai kishte prirje të madhe në gazetari, por edhe si poet. Shkruante artikuj për patriotët, hartonte tekste shkollore në gjuhën shqipe e jepte ide për përparimin dhe ato i botonte në gazetën “Shqypeja e Shqypnisë”

Ai vepronte si mësues dhe përhapte dituri mes shqiptarëve 

———

Josif Bageri ishte i afërt me popullin, punonte me përulësi dhe ishte shembull i qytetarisë dhe moralit.

Me vdekjen e tij, u theksua edhe më shumë rëndësia e punës së tij për vëllazërim dhe bashkëpunim mes bullgarëve dhe shqiptarëve.

Humbja e tij është e madhe, por kujtimi për të do të mbetet i gjallë.

Ai ishte një burrë i madh, një i krishterë i devotshëm dhe një qytetar i ndershëm.

Shembulli i jetës së tij është frymëzues për të rinjtë që ta ndjekin rrugën e tij dhe të jenë të ndershëm, të drejtë dhe të përkushtuar për kombin e tyre.”

Në praninë e një numri të madh njerëzish, para një kryqi të madh, gjithë kjo u përjetua me emocione  të thella dhe me lot në sy nga ata që e kuptuan madhështinë e këtij njeriu.

Me vdekjen e tij u zgjua ndërgjegjja e të rinjve, u mbollën shpresa të reja dhe u ringjallën ide. Njeriu i ndershëm nuk vdes kurrë – ai jeton në zemrat e popullit.

Ai ishte njeri që e përmbushi misionin e tij – të jetonte mirë dhe të vepronte për bashkimin e shqiptarëve….

Kujtimi për të do të ruhet ndër breza – ai mbetet shembull për të gjithë.

Në vazhdim, z. Dimitrov, në fjalën mortore do të japë edhe disa mendime dhe amanete të Josifit. Mes tjerash, ai do të thotë: “Tani, kur toka e zezë do ta marrë dhe do ta mbulojë përgjithmonë nga sytë tanë, do t’jua përcjell disa porosi të tij para se para se të vdiste, që m’i ka thënë në praninë e Kmetit (Kryeplakut) në ditën e Shëngjergjit:

‘Njeriu në këtë botë lind për të vdekur me lavdi. Ajo është lumturia më e madhe, atë di vetëm ai njeri i cili i ka kryer atë që e ka premtuar.’

‘Jetoni mirë (në paqe) me shqiptarët. Ashtu do të jeni të lumtur.’

‘Me mësim do t’i fitoni qëllimet dhe idealet’.”

Po ashtu ai e lë amanet që kockat e tij të kthehen në Nistrovë të Rekës së Epërme: “Bëni çka të bëni, fitimin mund ta ktheni në lumturi, kurse trupin ta ktheni në Nistrovë”.

Fjalët e fundit të nekrologjisë që i tha z. Dimitrov ishin:

“ I Vlefshmi Bager ti nuk na le për përgjithmonë! Ne kurrë nuk do të të harrojmë! Shko i qetë në banesën e përjetshme, sepse me thjeshtësi e ke përmbushur detyrën qytetare dhe fetare. Lavdi e përjetshme për ty! Ne do të të kujtojmë përjetë!”

Amaneti i Josif Bagerit, nga ajo që është lexuar me rastin varrimit, është që eshtrat e tij të kthehen në Nistrovë. Kjo kërkesë mbetet edhe sot e kësaj dite një thirrje e heshtur, që është një kërkesë shpirtërore që meriton nderim jo vetëm për ta përmbushur dëshirën e tij, por mendoj se kthimi i eshtrave të tij në vendlindje do të jetë edhe një dëshmi se kombi nuk i harron bijtë e tij më të çmuar.

Në vazhdim janë fotokopjet e gazetës

        2.

3.

Filed Under: Kulture

Historia e klubit të parë filatelik shqiptar

August 13, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Klubi Filatelik Shkoder(1988)

Nga Shkodra nisi gjithçka                                                                                                                                

Shkodra ka qenë gjithmonë një qytet që rrezaton veçanti për gjithë trevat shqiptare. Në çdo cep të historisë sonë kulturore, gjurmët e saj janë të pranishme. Këtu u ndezën për herë të parë dritat e teatrit, u rrotullua topi i parë i futbollit, u shkrua romani i parë, u shkrepen fotografitë e para; u krijua orkestra e pare qytetare, këtu morën jetë ciklizmi, sindikatat, shoqëritë sportive e kulturore. Dhe, ndonëse sot përmendet rrallë, Shkodra ka qenë edhe vendlindja e kulturës filatelike në Shqipëri, një pasion i veçantë që, për brezat e vjetër, mbart një kujtesë të gjallë, ndërsa për brezat e rinj është thuajse i panjohur.                                                                                                                                  Kjo histori i përket shekullit XX dhe, ndonëse e re, ajo dëshmon se Shkodra e ka ushtruar potencialin e vet kulturor në çdo fushë ku ka pasur mundësi të shfaqet. Ishin vitet ’30 kur në qarqet e ngushta të intelektualëve shkodranë nisi të ngjizej një pasion i ri, koleksionimi i pullave postare. Fillimisht elitar, ky pasion u mboll në mendjet e atyre që e shihnin filatelinë jo thjesht si argëtim, por si një urë drejt botës qyteteruar. Disa prej tyre u bënë anëtarë të klubeve filatelike më të njohura të Evropës, duke u hapur dritare të reja njohurish. Aty kuptuan rëndësinë e një organizimi të tillë edhe për qytetin dhe vendin e tyre.                                                                                       Megjithatë, dëshira nuk mjaftonte. Në Shkodër ashtu si në gjithë Shqipërinë ende nuk kishte mundësi për të themeluar një klub filatelik. Nuk u zhvillua asnjë aktivitet zyrtar me natyrë filatelike, madje as në përmasat e një ngjarjeje lokale. Dhe, sikur kjo mungesë të mos mjaftonte, fillimi i Luftës së Dytë Botërore e shoi çdo nismë të brishtë, duke e lënë këtë pasion në pritje të një kohe më të qetë.                                                                                                                                      Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u gjend në një udhë të re politike e shoqërore. Pavarësisht ndryshimeve të thella në drejtimin e shtetit, kishte zëra që besonin se kishte ardhur koha për të bërë hapin drejt organizimit filatelik, ashtu siç kishin vepruar prej kohësh homologët evropianë.                                                                                                                                                                Duke kerkuar ne fondet e Arkivit Qendror të Shtetit,evidentohet qe dëshmitë e para tregojnë një panoramë të thjeshtë por domethënëse. Përpjekjet e para nisën në Tiranë, më pas në Korçë dhe në fund në Shkoder, por rezultatet pozitive u radhiten ne te kundert,me pare ne Shkoder,pastaj ne Korce e me pas ne Tirane. Megjithëse dokumentacioni është i pakët, ai mjafton për të hedhur dritë mbi vitet e para të lëvizjes së organizuar filatelike,dhe per rezultatet e ketyre perpjekjeve.                                                          Në këtë fond ruhen dy kërkesa të vitit 1945, hartuar nga një grup filatelistësh të Tiranës. E para, e datës 12 shkurt, ishte shkruar më pak se tre muaj pas mbylljes së luftës. Ata i drejtoheshin Ministrisë së Punëve Botore: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se grupi nismëtar i nënshkruar këtu më poshtë, mbasi pa nevojën e plotësimit të një mungese të jetës sonë shoqërore, vendosi të krijojë një ‘Klub Filatelik Shqiptar’… Duke marrë parasysh qëllimin kulturor të klubit, jemi të sigurt se ajo e ndershme Ministri jo vetëm që do ta aprovojë statutin dhe rregulloren, por nuk do të na kursejë, sipas rastit, edhe përkrahjen morale dhe materiale të saj.” (1)                                                                                                                                                                                           Kjo letër, e nënshkruar nga 15 persona, mes tyre emra të njohur si Milto Korçari, Zef Ndoci, Gjon Temali, Hysein Gjinaj dhe Aleks Pjetri, nuk mori përgjigje. Por këmbëngulja i shtyu që, më 2 korrik të po atij viti, të përsërisnin kërkesën, kësaj here duke theksuar se: “Grupi nismëtar vendosi me krijue Klubin Filatelik Shqiptar, sikur janë krijuar në të gjitha shtetet e tjera, të cilat i japin një rëndësi të madhe zhvillimit të filatelisë, mbasi me anë të saj shteti bën një propagandë të madhe për njohjen e tij në botën e jashtme… për të bashkëpunuar me klubet e tjera dhe me revistat e këtyre klubeve filatelike…” (2) Nënshkruesit ishin më të paktë, ndoshta nga humbja e besimit, ndoshta nga frika e shtuar në një regjim që e kontrollonte çdo nismë qytetare. Pas kësaj situate, mbizoteroj heshtja, derisa shumë vite më vonë, në 1959, një brez tjetër do të arrinte ta ligjëronte një shoqatë filatelike ne kryeqytet.                                                                 Qyteti i dytë, Korça, u bë protagonist i një kërkese të tillë. Në këtë qytet me tradita në këtë fushë, kishte një grup filatelistësh pasionantë. Ata ndërmorën një përpjekje në vitin 1946 për krijimin e një klubi të quajtur “Albania EC”, që do të shërbente për shkëmbime dhe korrespondencë me jashtë. Por ne një dokument tjetër arkivor zbulon, si përgjigje ndaj këmbënguljes së tyre, duke iu drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Korçës, konkretisht përgjegjësit të kulturës. Ndër të tjera thuhet: “Bashkëngjitur po ju dërgojmë një fletë e cila rastësisht na ra në dorë dhe që flet mbi formimin e një klubi për korrespondencë dhe shkëmbime filatelike… Komiteti i Kulturës do të arrijë në një studim, dhe do të njoftojë për detyrat që do t’u përkasin. Prandaj nuk është e nevojshme që Shtëpia e Kulturës, e cila nuk është një ent privat, të ketë një seksion filatelik. Atëherë personat e interesuar që duan të formojnë me nismën e tyre një klub, siç formulohet…, duhet t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë lejen përkatëse.” (3)                                                                                                                                                   Pra përgjigjja zyrtare ishte e qartë: çdo nismë e tillë duhej të merrte leje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ky ishte një filtër i hekurt që, në praktikë, e bllokonte çdo organizim të pavarur. Përpjekja u ndal aty, edhe pse Korça do të arrinte të krijonte klubin e saj në vitin 1949 duke ndjekur shembullin e Shkodres.                                                                                                                                            Pas dështimit të Tiranës dhe Korçës, ishte Shkodra që ia doli të themelonte me sukses klubin e parë filatelik në vend. Dhe lind natyrshëm pyetja: a ishte vallë Shkodra e preferuara e regjimit?
Të gjithë e dimë sot përgjigjen: jo. Por historia dëshmon se shpesh, pasioni dhe këmbëngulja e njerëzve mund të hapin rrugë edhe atje ku pengesat duken të pakapërcyeshme. Atehere cila ishte arsyeja që Shkodra arriti të themelonte klubin e saj filatelik, ndryshe nga Tirana dhe Korça? Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje të prerë, sidomos kur arkivat, si në Tiranë ashtu edhe në Prefekturën e Shkodrës, nuk ruajnë asnjë dokument të drejtpërdrejtë mbi këtë ngjarje. Një ndihmesë të madhe do ta jepte arkivi i vetë klubit Shkodran,. dikur i plotë dhe i mbajtur me kujdes. ku do të gjendeshin kërkesa, dokumente ligjërimi, lista anëtarësh, procesverbale mbledhjesh, plane pune, studime e diskutime shkencore, fotografi të shumta e madje edhe libreza bankare që do të dëshmonin seriozitetin financiar të klubit filatelik.                                                              Por humbja e këtyre dëshmive pas vitit 1992 ka lënë një boshllëk. Mungesa e dokumenteve autentike e vështirëson pasqyrimin e saktë të një periudhe jo edhe aq të largët. Madje, edhe data e themelimit jepet ndryshe në burime të ndryshme, herë 4 prill, herë 11 apo 12, e madje 14 prill. E njëjta pasiguri vlen për datat e ekspozitave të para dhe për listat e anëtarëve, si në vitin e parë ashtu edhe gjatë dekadave që pasuan, deri në vitin 1992, kur klubi kishte një numër të konsiderueshëm pjesëtarësh.                                                                                                                           Në mungesë të arkivave zyrtare, rruga e kërkimit duhet të kalojë përmes burimeve alternative, arkivat familjare. Aty mund të ruhen letra, korrespondenca dhe dëshmi të tjera që ndriçojnë historinë. Një shembull i çmuar është arkiva e familjes së filatelistit të njohur korçar Petraq Dini, ku ruhen letra të viteve ’40, të dërguara nga Shkodra në Korçë. Ato janë dëshmi autentike,qe ne mungese te dokumentacionit shteteror na tregojne një kohe kur filatelia nuk ishte thjesht hobi, por një akt guximi dhe pasioni.                                                                                                                                                Në shkurt të vitit 1947, dy muaj para krijimit të klubit, filatelisti Idriz Fishta i shkruante Petraq Dinit: “Klubi për të cilin të pata shkru, na u kthye përgjigjja prej Ministrisë. Më duket pozitive, por duket se diçka e ka ndalë dhe nuk po don me ecë përpara… referenti i kulturës këtu ka dashtë me na mbledhë filatelistët dhe me na pyet se në ç’pikëpamje na mendojmë me ba atë klub… shumë shokë janë trembë e friksue. Unë qëndroj në krye të situatës. Në njërën anë sqaroj referentin dhe në tjetrën afroj filatelistët.” (4)                                                                                                   Këto rreshta zbulojnë tensionin e kohës: një pasion i brishtë, i shtypur nga frika dhe kontrolli politik, por që mbijetonte falë vendosmërisë së disa individëve. Në një letër tjetër, të datës 16 dhjetor 1947, perseri I. Fishta shkruante: “Si e pritët ekspozitën filatelike që u ba në Shkodër nga 28 shtatori deri më 5 tetor 1947? Kjo ka kenë ekspozita e parë filatelike që u ba në vendin tonë… u paraqitën pullat e Shqipërisë që nga viti 1912 e deri në atë ditë, pullat e Jugosllavisë, Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë, Greqisë dhe të Bashkimit Sovjetik… Ekspozita u vizitua nga afro 4000 vetë… Patëm njoftuar Shtëpitë e Kulturës në qytetet e tjera dhe jashtë vendit… vetëm Federata Filatelike e Kroacisë na u përgjigj, duke kërkuar një artikull për botim…”                                                                                                                                                                 Nga kjo letër, përveç entuziazmit dhe krenarisë, lexohet qartë se Shkodra jo vetëm e kishte hedhur hapin e parë të madh, por e kishte bërë me guxim, ambicie dhe vizion. Kjo nuk ishte një përzgjedhje e regjimit, ishte rezultat i një fryme qytetare që nuk kishte frikë të sfidonte kufijtë e mundësive të kohës. Në vjeshtën e vitit 1947, një frymë e re kulturore nisi të përhapej në Shkodër,dhe qe do vazhdonte per disa dekada Ajo nuk vinte nga fushat e zakonshme të artit apo letërsisë, por nga një pasion i ri qe lidhej direkt me evidentimin dhe ruajtjen e vlerave kombetare, filatelia. Ekspozita e parë filatelike në Shqipëri, e organizuar nga klubi filatelik, nuk ishte vetëm një aktivitet i rrallë, ajo ishte një dritare që hapej për herë të parë drejt një bote të gjerë komunikimesh, historie dhe estetike postare.                                               Foto 1  Poster i ekspozites pare filatelike ne Shqiperi(Shkoder,!947)                                                                                            Foto 2  Pamje nga salla e ekspozites pare filatelike Shkoder

 Shtypi i kohës e kuptoj menjëherë rëndësinë e saj. Gazeta “Bashkimi”, më 11 tetor 1947, shkruante: “Me iniciativën e seksionit filatelik të Shtëpisë së Kulturës, u hap ekspozita e parë filatelike. Në të u ekspozuan pulla të Shqipërisë nga viti 1912 e deri më sot, pulla të Bullgarisë që nga viti 1860 e në vazhdim, pulla të Greqisë nga 1890 deri në kohën e okupacionit italo-gjerman, si dhe pulla të Bashkimit Sovjetik që nga 1860, përfshirë edhe ato të periudhës së carizmit, të familjes Romanov, të revolucionit, të paraluftës, të luftës dhe të rindërtimit.” (5)  Artikulli vazhdonte me një deklaratë programatike të klubit filatelik e cila tingëllon edhe sot me një vizion të qartë për filatelinë si kulturë: “Të popullarizohet filatelia te masat, sidomos te të rinjtë; të zhvillohet si art dhe jo për qëllime spekulative; të krijohen marrëdhënie me filatelistët brenda vendit dhe me ata të vendeve demokratike. Për realizimin e këtyre objektivave, nevojitet sigurimi i materialit filatelik si katalogë, revista të huaja, pinceta, albume, zarfa transparente dhe lente.”                                                                                                            Edhe shtypi lokal nuk mbeti pas. Gazeta “Koha Re”, më 10 dhjetor 1947, në rubrikën “Shtëpia e Kulturës dhe veprimtaria e saj”, theksonte: “Seksioni i filatelisë, në fund të shtatorit, hapi një ekspozitë filatelike, të parën e këtij lloji në Shqipëri. Vërtet që filatelia është pak ose aspak e njohur në vendin tonë, por duhet pranuar se kjo ekspozitë ka qenë ndër më të bukurat dhe më simpatiket që janë hapur në qytetin tonë. Shpresojmë se rrethi i filatelisë s’do të mbetet me kaq.” (6)                                                                                                                                                          Këto fjalë të shkruara me admirim dëshmojnë jo vetëm për suksesin e ekspozitës, por edhe për pritjen e saj të pazakontë nga publiku. Në një kohë kur vendi sapo kishte dalë nga lufta dhe prioritetet shoqërore ishin të tjera, ky aktivitet shënoi një përpjekje të qartë për ta bërë kulturën një hapësirë të gjallë, ku edhe arti i vogël e i ndjeshëm i pullës postare të gjente vendin e vet të merituar

                                                     .                                                                                                                                                                         Megjithëse në kushtet e izolimit dhe nën presionin për të mos komunikuar me homologë jashtë vendit, pasioni filatelik arrinte, sado rrallë, të kapërcente këtë pengesë. Në vitin 1951, një pjesëmarrje e suksesshme në një konkurrim në Itali, e organizuar nga prestigjiozja revistë Il Collezionista, e deshmon kete.

                                                          Kryesia klubit filatelik Shkoder 1958. Nga pese anetare te saj,kater ishin mesues,qe i mundesonte lehtesisht te transmetonin kulturen filatelike tek te rinjte.       

                                                                                                                                                              Gjatë viteve pas themelimit, aktivitetet e Klubit Filatelik Shkodër u zgjeruan ndjeshëm. Takimet dhe ekspozitat zhvilloheshin në Shtëpinë e Kulturës, Muzeun Popullor, shkolla, institucione dhe qendra pune. Veçanërisht pas vitit 1958, klubi pësoi një hap cilësor:

  • U emetuan për herë të parë në Shqipëri më shumë se 10 zarfa lokale përkujtimore (FDC), kushtuar datave dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare.
  • U shtua prania në shtypin periodik lokal dhe kombëtar.
  • U rrit ndjeshëm numri i anëtarëve, me përfshirje të madhe të të rinjve.
  • U krijua rrethi filatelik në Shtëpinë e Pionierëve.
  • U zhvilluan aktivitete edukative në shkolla dhe me dy ekspozita gjate vitit.
  • U intensifikua bashkëpunimi me klube filatelike në qytete të tjera të Shqipërisë.

Klubi filatelik Shkoder ne vitin 1973

Gjatë gjithë kësaj periudhe, pjesëmarrja në ekspozita apo panaire jashtë kufijve mbeti një dëshirë e madhe, pothuajse një ëndërr e paarritshme për filatelistët shqiptarë. Përjashtimi i vetëm u shënua në vitin 1962, kur kryetari i klubit,shkodran  I. Fishta, mori pjesë si përfaqësues (komisioner) i Shqipërisë në Ekspozitën Botërore dhe Kongresin e Filatelisë, të zhvilluar në Pragë, Çekosllovaki. Ky ishte rasti i parë, dhe njëherazi i fundit, në të cilin filatelistët shqiptarë patën mundësinë të takoheshin drejtpërdrejt me pasionantët e filatelisë nga vende të tjera.

             Në fotografinë e parë paraqitet pamja e përgjithshme e godinës ku u mbajt kjo ekspozitë botërore dhe kongresi i filatelisë; ndërsa në fotografinë e dytë shihet fletëhyrja e personalizuar për në sallat e ekspozitës, ku, ndër të tjera, ekspozoheshin disa nga eksponatet më të rralla në botë.

Pas emetimit të zarfeve përkujtimore, Klubi Shkodran shënoi një tjetër arritje të rëndësishme.Per here te pare ne Shqiperi organizohen sesioneve shkencore filatelike:

  • 28 prill 1970: sesioni i parë me katër referime,
  • 26 nëntor 1973: sesioni i dytë me tri referime 
  • 28 tetor 1975: sesioni i tretë me tri referime.                                                                                                               

Çdo sesion shoqërohej me ekspozita të vizituara nga qindra qytetarë dhe me ftesa për klube nga e gjithë Shqipëria, duke krijuar një jehonë pozitive në media.                                                                                                                                                                                     

    Klubi filatelik ushtronte veprimtarine sipas planeve mujore dhe vjetore.

Filatelistët shkodranë e kuptonin mirë rolin njohes,emancipues dhe edukues të filatelisë. Në një kohë kur media televizive nuk ishte shfaqur dhe censura kontrollonte ashpër librat, filmat, teatrot etj, pulla postare, megjithëse e vogël në madhësi, kishte një fuqi simbolike dhe informative të jashtëzakonshme. Ajo ishte e vetmja “dritare” që lidhte Shqipërinë me botën përmes imazheve, ideve dhe simbolikës,shpesh dhe e menduar sikur zoteronte fuqi mitike. Kjo shpjegon edhe pse në një vend të izoluar si Shqipëria,me  u krijuan koleksione të plota me pulla nga vende si Vatikani, Izraeli, Spanja, Franca, Anglia, Gjermania Perëndimore, dhe shumë vende të tjera me të cilat nuk kishim marrëdhënie diplomatike,dhe steti shqiptar i konsideronte jo miqesore.. Nëpërmjet pullave mbërrinin në Shkodër dhe në të gjithë vendin imazhe dhe simbole nga organizata ndërkombëtare si OKB, figura të politikës, filozofisë, shkencës,sportit, artit dhe kulturës botërore. Filatelia shërbeu nder te tjera edhe si një shkollë joformale, duke ndihmuar edukimin estetik, historik dhe kulturor, sidomos të rinjtë shqiptare                                                                                 Në kundërshtim me perceptimin se regjimi komunist mbështeti dhe drejtoi veprimtarinë e klubeve filatelike, nuk ekziston asnjë dokument që e dëshmon këtë. Përkundrazi, kjo veprimtari u mbikqyr dhe u survejua me rreptësi, dhe korrespondenca e filatelistëve shpesh ishte subjekt kontrolli dhe censurë, duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie. Kjo dëshmon se nuk ishte mbështetja institucionale që mbajti në këmbë filatelinë shqiptare, por vetëm dashuria dhe përkushtimi i thellë qytetar dhe patriotik.  

                                      Disa anetare te klubit filatelik, intelektuale te njohor te qytetit Shkoder(1988).

Në përfundim, mund të themi se gjatë 45 viteve të veprimtarisë së tij (1947–1992), ky formacion nuk mbeti thjesht një organizëm me tipare klubi apo shoqate. Nisur nga ndikimi dhe jehona që pati në opinionin publik shkodran, ai u shndërrua, në vetëdijen qytetare, në një “institucion” të mirëfilltë, të respektuar jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjerë, në mbarë vendin. Ai arriti të kapërcejë me sukses vështirësitë e mëdha dhe shpesh të paparashikueshme të kohës. Brenda këtij klubi, ku gjendeshin së bashku njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore, madje edhe nga ata që politika e ashpër e “luftës së klasave” i kishte vënë në shënjestër, nuk u regjistrua kurrë asnjë rast përjashtimi. Kjo mbetet një dëshmi e fortë e unitetit, e kujdesit reciprok, e miqësisë së sinqertë dhe e përkushtimit të palëkundur ndaj pasionit të përbashkët. Filatelistët e Shkodrës ngritën kështu një histori suksesi, duke skalitur në kujtesën qytetare vlera progresive dhe ndjenja krenarie, si për brezat e sotëm, ashtu edhe për ata që do të vijnë.

(1)(2) (3)                                                             

 (4) (5) (6)  

Referenca

  1. Arkivi i Shtetit, Fondi 513, viti 1945, dosja 49.
  2. Arkivi i Shtetit, Fondi 513, viti 1945, dosja 49.
  3. Arkivi i Shtetit, Fondi 513, viti 1945, dosja 49.
  4. Letër e I. Fishtës drejtuar P. Dinit, 16 dhjetor 1947. Arkiv familjar.
  5. Gazeta Bashkimi, 11 tetor 1947.
  6. Gazeta Koha Jonë, 10 dhjetor 1947.

Filed Under: Histori

Kriza e Moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës: Analizë dhe Rekomandime

August 13, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Konteksti kushtetues dhe rëndësia e funksionimit institucional

Në çdo sistem demokratik modern, funksionimi i pandërprerë i institucioneve kushtetuese është gur themeli për stabilitetin politik, juridik dhe shoqëror. Republika e Kosovës, e shpallur si shtet sovran dhe demokratik, mbështetet në parimet e ndarjes së pushteteve, sundimit të ligjit dhe demokracisë parlamentare, të sanksionuara në nenin 7 të Kushtetutës.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues i sovranitetit popullor (neni 63), ushtron funksione legjislative, kontrolluese dhe përfaqësuese të pazëvendësueshme. Funksionimi i tij i rregullt është kusht për stabilitetin institucional dhe për legjitimitetin demokratik të shtetit.

Moskonstituimi i Kuvendit pas zgjedhjeve përbën një devijim të rëndë nga rendi kushtetues, duke krijuar vakum institucional dhe duke cenuar ekuilibrin ndërmjet pushteteve. Në rrethanat aktuale, ky bllokim ka gjeneruar një krizë funksionale të thellë që ndikon negativisht në pushtetin ekzekutiv, gjyqësor dhe në perceptimin ndërkombëtar të Kosovës.

Ky punim synon të ofrojë një analizë të detajuar juridiko–kushtetuese dhe krahasimore, si dhe rekomandime konkrete për daljen nga kjo situatë, duke respektuar standardet më të larta të së drejtës kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare.

Analiza juridiko–kushtetuese e gjendjes aktuale

Moskonstituimi i Kuvendit dhe shkeljet kushtetuese

Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Moszgjedhja e Kryetarit dhe Kryesisë brenda këtij afati përbën shkelje të qartë kushtetuese dhe krijon një vakum institucional që rrezikon parimin e ndarjes së pushteteve (neni 4).

Në vendimin KO 26/21, Gjykata Kushtetuese ka theksuar detyrimin për respektimin strikt të afateve kushtetuese, duke paralajmëruar se vakumet institucionale minojnë legjitimitetin e shtetit dhe stabilitetin demokratik.

Pasojat në pushtetet e tjera

-Ekzekutivi – Mungesa e kontrollit parlamentar cenon legjitimitetin politik dhe juridik të Qeverisë.

-Gjyqësori – Pamundësia për miratimin e ligjeve dhe buxhetit ndikon negativisht në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe në zbatimin e sundimit të ligjit.

-Presidentja – Kufizimi në ushtrimin e rolit kushtetues si garantuese e funksionimit të institucioneve.

Pasojat ndërkombëtare

Kriza aktuale perceptohet nga partnerët ndërkombëtarë si shenjë e mungesës së stabilitetit institucional. Serbia e instrumentalizon këtë situatë për të penguar procesin e njohjeve dhe për të bllokuar integrimin euroatlantik të Kosovës.

Krahasime ndërkombëtare

Në demokracitë parlamentare të konsoliduara, moskonstituimi i parlamentit trajtohet me dispozita vetë-ekzekutuese për të shmangur bllokime të gjata:

-Gjermania – Kushtetuta përcakton afate të detyrueshme për konstituimin e Bundestagut dhe parashikon shpërndarjen e tij automatike në rast bllokimi.

-Italia – Presidenti ka kompetencën për shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja kur ai nuk funksionon.

-Belgjika dhe Kanadaja – Zbatojnë mekanizma kushtetues dhe ligjorë për të shmangur krizat parlamentare dhe për të garantuar vijueshmërinë institucionale.

Këto modele përfaqësojnë standarde të larta të funksionimit demokratik dhe mund të shërbejnë si referencë për Kosovën.

Standardet e Komisionit të Venecias dhe jurisprudenca

Komisioni i Venecias thekson rëndësinë e respektimit të afateve kushtetuese dhe të mekanizmave të qartë për funksionimin e pandërprerë të parlamentit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur se bllokimet institucionale që pengojnë ushtrimin e sovranitetit popullor përbëjnë shkelje të parimeve të demokracisë përfaqësuese.

Implikimet politike, juridike dhe diplomatike

Kriza aktuale:

-Cenon legjitimitetin e institucioneve.

-Krijon pasiguri politike dhe juridike.

-Dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

-Rrezikon proceset integruese në BE dhe NATO.

Rekomandime për dalje nga kriza

Vendim vetë-ekzekutues i Gjykatës Kushtetuese – Përcaktim i afatit për konstituimin e Kuvendit dhe pasojë automatike shpërndarjeje në rast mosrespektimi.

Zgjedhje të parakohshme – Organizim brenda 45–60 ditësh me monitorim ndërkombëtar.

Marrëveshje politike gjithëpërfshirëse – Për garantimin e stabilitetit institucional, me garanci ndërkombëtare.

Ndërmjetësim ndërkombëtar – Për zbatimin e marrëveshjeve dhe shmangien e krizave të ngjashme në të ardhmen.

Reforma kushtetuese dhe ligjore – Futja e mekanizmave vetë-ekzekutues dhe dispozitave të qarta për parandalimin e bllokimeve.

Republika e Kosovës po kalon një nga momentet më sfiduese të funksionimit të saj institucional. Moskonstituimi i Kuvendit nuk është vetëm çështje procedurale, por një problem themelor i rendit kushtetues që kërkon veprim të vendosur, reformë të thellë dhe bashkëpunim të sinqertë ndërmjet forcave politike dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të ruajë besueshmërinë e saj si një demokraci funksionale dhe të përforcojë pozitat e saj në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Politike

Prirja antropologjike në romanin e Luan Ramës “Gruaja që vinte nga mjegulla”

August 13, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Shtëpia Botuese “Emal” njoftoi sot se sapo ka dalë nga shtypi romani në anglisht i shkrimtarit Luan Rama “The women Who Came from the Fog”, “Gruaja që vinte nga mjegulla”, i botuar më herët në gjuhën shqipe nga “Albas” në vitin 2023, dhe në italisht nga Montabone Editore (viti 2025). Për shkrimin e këtij romani, autori është mbështetur në një ngjarje të vërtetë. Është historia e një ushtari italian, Savianit, i plagosur gjatë Luftës së Dytë Botërore në malet shqiptare e më pas i harruar… Në rininë e tij, ishte student i konservatorit të Milanos, tenor. Një ditë, rreth viteve ’90, e dashura e tij e dikurshme, Laura, lexon rastësisht një artikull në gazetë, ku flitej për një ushtar italian i mbetur në Shqipëri gjatë kohës së luftës, e që këndonte arie. Ajo përjeton një çast reflektimi dhe trazimi të brendshëm kur dëgjon në televizor për zbarkimin e emigrantëve shqiptarë në Brindisi. Dhe niset drejt së panjohurës, në kërkim të dashurisë së rinisë së saj.

Romani është prezantuar pak muaj me parë në librarinë më të vjetër tê Italisë, « Boça », në Galerinë « Vittorio Emmanuele » të Milanos, ku gjeti një pritje mjaft të ngrohtë si dhe në Asyi, në Piemonte tê Italisë.

Ja çfarë shkruan kritikja italiane e Milanos, Annitta Di Mineo për këtë libër: Është rrëfimi i një dashurie të ndërprerë për shkak të luftës (Luftës së Dytë Botërore), pas dekadash rishfaqet me dëshirën për të ditur dhe dëshirën për të kërkuar një përgjigje për atë që na hiqet, sepse ne i detyrohemi të kaluarës sonë. Një udhëtim për të vënë rregull në një të kaluar që mbeti e pezulluar, pa marrë asnjë reagim. Dashuria mes dy studentëve të rinj të këngës së Konservatorit “Giuseppe Verdi” në Milano, të ndërprerë nga çmenduria e një konflikti, nuk lejoi zhvillimin e ndjenjave të tyre, sepse djali u thirr në armë, duke e lënë të dashurën e tij në Itali me premtimin e rikthimit.

****

Kam pasur fatin ta lexoj këtë roman të shkrimtarit të mirënjohur dhe mikut të dashur, Luan Rama, pikërisht në vitin 2023, kur u botua nga “Albas”. Një vepër e shkruar plot frymëzim e poezi, një meditim për rolin e artit dhe artistit në shoqëri. Çdo histori e natyrshme, është e përkryer. Edhe këtu kemi të bëjmë me një histori të vërtetë. Diku vetë shkrimtari është shprehur se ky roman është një himn për muzikën, pasi muzika nuk vdes kurrë. Pra ky libër është ngadhnjim i artit, me fuqinë për të rindërtuar shpirtin e shkatërruar. Shkrimtari ndjek të njëjtin pikësynim, sikurse antropologët në rendin hapësinor: t’i japin fund njëherë e përgjithmonë asaj ideje, njëkohësisht egocentrike dhe naïve, sipas së cilës njeriu është i tëri i ngujuar vetëm në njërën nga format historike dhe gjeografike të qënies së tij. Duke iu kundërvënë vazhdimësisë së rreme të kohës njerëzore, duket qartë prirja antropologjike e autorit për të ribashkuar dhe rindërtuar atë që është shpërbërë nga koha.

Autori ka vënë në thelbin e kësaj vepre raportin e artit me jetën. Njeriu, artisti, i pandarë nga situatat dhe rrethanat e jetës. Ky është një problem i madh filozofik, por edhe estetik. Arti vendos paqen mes natyrës sonë tokësore dhe asaj shpirtërore, hedh një urë ideali në jetë. Secili artist e ka për detyrë të hapë një rrugë sa më të gjerë që të mundë për ngazëllimin njerëzor. Pavarësisht se lumturia është si shtojzovalle, e dukshme së largu, por zhduket kur i avitesh. Ndërsa dhimbja dhe mundimet janë reale; nuk kanë nevojë për ndërmjetim, paraqiten pa shkaktuar iluzione dhe pa u vonuar.

Gjithçka në këtë vepër ndodh domosdoshmërisht dhe protagonistja kryesore, Laura, di të përshtatet menjëherë ndaj nevojës së pashmangshme. Momentet e trazimit të saj, rrethanat psikologjike, janë tërësisht të përligjura. Autori, me të drejtë, motivon këtë shtysë intime, që vepron nën udhëheqjen e ëndërrave të pavetëdijshme, që i japin jetës atë njëjtësi dhe atë koherencë dramatike, që kurrë nuk mund të arrihet vetëm me forcat njohëse të mendjes, të cilat shpesh janë të paqëndrueshme dhe të dyshimta. Një artist që është thirrur të kryejë vepra të caktuara dhe të rëndësishme, i ndjek idealet e tij së brendshmi dhe fshehtësisht, i gatshëm të presë, siç presin bletët ndërtimin e zgjoit.

Luan Rama, si shkrimtar, është gjithnjë i vetëdijshëm për rolin që ka arti dhe artisti në shoqëri, për lidhjet e ngushta që duhet të ekzistojnë mes estetikës, artit dhe marrëdhënieve njerëzore. Arti ka fuqinë të të detyrojë të veprosh sipas parimeve abstrakte dhe kjo bëhet e mundur vetëm pas shumë përvoje dhe jo kurdoherë. Madje, për artin, edhe vetë parimet nuk janë gjithmonë të mjaftueshme, por vijnë si rezultat i ndjeshmërisë, inteligjencës dhe vullnetit.

Dikush mund ta cilësonte këtë roman një vepër romantike, por sipas mendimit tim, kemi të bëjmë me një roman realist me një aureolë magjike, ku vërehet ermimi i trashendencës, identifikimi me nivelin e thellë të teksteve dhe, si e tillë, në kundërvënie me nivelet më sipërfaqësore, ku të gjithë përbërësit semio-narrativë janë në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Romani shquhet për një semantikë tekstuale, ku teksti nuk është as objekt, as imazh apo sekuencë tingujsh, por janë tekstet ato që, me plotësinë e tyre, ndërtojnë kompozicionin dhe hierarkinë semike të njësive më të vogla.

Është e vështirë të përcaktosh kufijtë e socio-semantikës në këtë tekst. Ligjërimi zakonisht përballet me tekste sinkretike, ku kuptimi global del nga shuma e ligjërimeve të ndryshme, imazhit, muzikës, fjalës etj. Kapërcimi nga e ndjeshmja tek e tejndjeshmja, është një karakteristikë e kësaj vepre, që dallohet qartë. Libri i shmanget çdo shpjegimi racional, ndërsa realizimi i tablove të tij (kinematografike) zotëron tërë fushën e përfytyrimit.

* * *

Një fragment nga romani:

Ah, kujtimet… Ato ditë të vitit 1990, në Milano bënte ftohtë. Po kthehej vonë në shtëpi e megjithatë kujtimet e ndiqnin çdo çast. Ishte koha tjetër që tashmë i përplasej në sy, në shpirt, në gjithë qenien e saj. Një imazh i shpejtë iu shfaq para syve në disa sekonda. Pastaj u shua, u zbeh, u venit… Ishte ajo, në shi, prindërit që e kishin gjetur diku rrugëve, të lagur qull dhe që po e ngjisnin drejt shkallëve të shtëpisë. Tavani i errët lëvizte ngadalë, rrotullohej si një disk planetar. Një imazh i dhembshëm. Pastaj ajo nën një mbulesë, në shtrat, e futur brenda, mbuluar krejtësisht, por me sytë hapur, të përhumbur.

“Gjithë bota përmblidhej në atë tavan të bardhë dhe unë imagjinoja se një forcë e çuditshme, një fuqi gati hyjnore më ngrinte ashtu nga krevati, të shtrirë, dhe më shtynte drejt tavanit, të cilin e përshkoja pa e prekur dhe ngjitesha drejt qiellit, në një qiell plot yje, sikur t’i përkisja një bote krejt tjetër, jo asaj poshtë, jo zisë së madhe të shpirtit. E ndieja veten të çliruar, të lirë, pa peshë, sikur të isha në një botë engjëjsh… I ëmbli im! Kohë më vonë takova një shokun tonë të konservatorit të muzikës, tëndin gjithashtu, Leonen që studionte kompozicion. Të kujtohet ai djalosh hokatar me quka? Një ditë ai më bindi të ngjitesha në skenë. Donte të më ndihmonte, të më nxirrte nga ai pus i thellë ku isha zhytur. Jetoja me errësirën, heshtjen dhe imazhin e atij shpërthimi që të kishte mbuluar ty, ashtu pa zhurmë, si në një film pa zë. Leone më zgjati dorën dhe unë u ngrita. Do këndoja një duet të Xhildës… ‘Rigoletto’. E kujtoj gjithnjë. Si mund ta harroj?

“Emër që do më kujtojë gjithnjë / shijet e dashurisë / Dëshira ime do të fluturojë gjithnjë drejt tij / Duke menduar përherë për të / Dhe më së fundi, fryma ime e fundit / Për ty do të jetë i dashuri im!…”

Këmbët më dridheshin dhe zemra më rrihte fort. Mbaj mend që dritat e sallës u fikën dhe muzika filloi. Njerëzit në sallë prisnin, ndërsa unë ktheva kokën pas, prisja të vije edhe ti në skenë… Por ti nuk erdhe dhe unë nuk arrija dot të këndoja. Diçka më shtrëngonte fort në grykë. Të prisja ty, si mund të këndoja pa ty?! Kështu, papritmas, ika dhe e lashë skenën. Të gjithë u habitën. Leone më ndoqi pas dhe më mori në krahë. Më dukej sikur isha në krahët e tu. Nuk di si ndodhi. Të nesërmen ndodheshim në plazhin e braktisur. U dehëm, u puthëm. Isha veçse një vajzë e mjerë, e humbur, e braktisur nga fati, nga jeta. Kaluam një natë në hotel dhe të nesërmen ai kërkoi të martohej me mua. Por, çuditërisht, të nesërmen unë ika me vrap dhe nuk desha ta takoja më. Si mund të martohesha me të?! Po ti Alberto? Atë natë kur isha në shtrat me të, një çast, kur Leone flinte, unë i pëshpërita: “Alberto”!… Kujtoja se ishe ti. Kujtoja se kisha bërë dashuri me ty, Alberto, me hijen tënde. Kjo gjë më tmerroi. E kuptova se nuk mund të jetoja me të. Puthja më e ëmbël më sillte buzët e tua, Alberto. Dhe ika, duke e lënë atë në shtrat, ashtu, tek flinte… Ika si një e marrë!”

Filed Under: LETERSI

SHKATËRRIMI I QYTETEVE SHQIPTARE, HUMBJE KUJTESE, TRASHËGIMIE DHE IDENTITETI HISTORIK E URBANISTIK

August 13, 2025 by s p

Sokol Paja/

Korrupsioni politik, klientelizmi, mafja e betonit dhe loja me pronat e shqiptarëve ka sjellë një plagë të frikshme të shkatërrimit të qyteteve shqiptare, humbje kujtese historike, trashëgimie dhe identiteti historik e urbanistik. Kaosi me zhvillimet urbane, mosdhënia e tapive, proceset e pafundme nëpër gjyqe të të zotërve të pronës me shtetin, legalizimet politike korruptive, babëzia e ndërtimeve pa leje në fushata elektorale, dështimi i organeve shtetërore në kontrollin dhe menaxhimit të territorit kanë sjellë në Shqipëri një shpartallim të historisë së qyteteve. Është e dhimbshme dhe e tmerrshme sesi janë shkatërruar qytetet historike të Shqipërisë, ndërtesat e vjetra karakteristike, lagjet, shtëpitë, murret rrethuese, sheshet, çdo karakteristike individuale e qyteteve që përbënin një identitet e histori të veçantë shqiptare.

Shkatërrimi urbanistik i Shqipërisë ka ardhur si pasojë e një korrupsioni politik në rritje, shtetit zhvatës dhe autoritar, mungese afatgjatë e planifikimit të zhvillimit të turizmit dhe zhvillimt urban, korrupsionit galopant në të gjitha sferat e shtetit me synim pasurimin përmes lejeve të ndërtimit, rritja e ndotjes së ajrit mbi normat e lejuara të BE, zhvendosja e popullsisë nga zonat e largëta të Shqipërisë në zona rurale të pa integruara duke krijuar një kaos shoqëror dhe një mbivendosje të ndërtimeve kaotike duke dalë jashtë kontrollit procesi i planifikimit dhe zhvillimit të territorit.

Keqqeverisja, korrupsioni politik dhe kërkimi i një jetë më të mirë ka shkaktuar dekadën e fundit një migrim dhe emigrim masiv të shqiptarëve. Qytetet e vogla janë boshatisur fare. Gjithçka është fikur. Mosha mesatare i kalon mbi 60 vjeç. Pa investime, pa vizione dhe planifikime shtetërore afatgjata dhe të qëndrueshme për rijetëzimin e këtyre qyteteve, tashmë i kanë kthyer qytezat në kënde vetmitare që nuk i viziton askush që nuk i kujton askush. Infrastruktura e dobët shtetërore dhe punimet e stërgjatuara prej korrupsionit politik në rrugë, ujesjellësa, kanalizime, energji, pastrime kanë sjellë një ndotje dhe shkatërrim të qyteteve dhe sigurisht humbje në turizëm pasi qeveria për spektakël politik zgjedh që të gjitha ndërhyrjet në territor ti bëjë në pikun e verës e turizmit, atëherë kur ka më shumë turistë e vizitorë, pasi spektakli i diktaturave kërkon publik. Rasti i shkatërrimeve të qeverisë në Theth është piktura e dhimbshme e dhunës autoritare e diktatoriale mbi qytetarët e pambrojtur.  Korrupsioni qeveritar me lejet e ndërtimit ka sjellë një vrasje të hapësirave publike, gjelbërimit, këndeve të lojërave, ambjenteve çlodhëse e rekreative për të gjitha grupmoshat.

Paketa e Maleve e lançuar nga qeveria si shpëtim për ekonominë vendore, turizmin lokal dhe fshatrat, jo vetëm që është e pamjaftueshme por do të shtrijë korrupsionin politik në ekonominë lokale dhe turizmin vendor pasi dekadën e fundit është parë që miqtë e qeverisë janë ata që përfitojnë gjithmonë. Rasti i tmerrshëm i korrupsionit me fondet e BE ishte në Bujqësi ku u shpërblyen agro-turizmat e lidhur me qeverinë. BE reagoi rëndë duke ndërprerë ndihmat për Shqipërinë dhe denoncoi rastin si korrupsion të tmerrshëm. Korrupsioni me fondet e jashtme në Shqipëri ka njohur histori shpërdorimesh të rënda duke u pastruar paratë e fituara në biznesin e ndërtimit.

Për vite me radhë në Shqipëri lejet e ndërtimit nga Bashkitë dhe Këshilli i Territorit janë dhënë për interesa klienteliste apo financiare, jo mbi bazën e planeve urbanistike afatgjata të zhvillimit të territorit duke sjellë në mënyrë të drejtëpërdrejtë rritje të ndërtimeve shumëkatëshe në zona të papërshtatshme për zhvillimin e qyteteve duke i degraduar ato, betonizim të qyteteve pa respekt për trashëgiminë kulturore, historike, arkeologjike dhe identitare kombëtare, largim të komuniteteve urbane auotoktone për të ndërtuar qendra tregtare apo kulla luksoze që nuk kanë lidhje as historike as tradicionale me qytetet shqiptare, përveç se një shëmti e tmerrshme estetike.

Korrupsioni politik në disa qytete të Shqipërisë, sidomos në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë ku janë betonizuar qendra e qytetërime të vjetra historike që gjenden në nëntokën shqiptare, veç tjerash ka sjellë shkatërrimin dhë rrënimin e ndërtesave me vlerë historike dhe arkitekturore në Shqipëri. Ndërtimet korruptive, pa vizion, pa estetike, pa histori dhe pa identitet, gjoja në përputhje me modernizmin i ka shpërfytyruar qytetet shqiptare. Nëse ke vite pa shkuar në Tiranë apo Durrës apo Vlorë, nuk e kupton se ku gjendesh si pasojë e bumit korruptiv të ndërtimeve pa kriter, pa vizion, pa rregull.

Politikës shqiptare nuk i ka interesuar asnjëherë pasja e një një vizioni të qëndrueshëm për zhvillimin e shëndoshë të qyteteve por ka shpërblyar miqtë e korrupsionit dhe mafjen e betonit me kulla shumëkatëshe pasi ndërtimi është vendi ideal për të shpërlarë paratë e korrupsionit, paratë e pista të mafjes e trafiqeve duke u kthyer token shqiptare në një parajsë monetare për klanet mafjoze që veprojnë në Shqipëri dhe përtej.

Korrupsioni politik, vrasja e qyteteve, djegia e pyjeve për të zhvilluar resorte turistike ka bërë që të përkeqësohet cilësia e jetës, e zhvillimit, e ajrit dhe ndotja akustike të jetë në shifra alarmante duke e kthyer dalë ngadalë qendrat e qyteteve të pabanueshme. Prej korrupsionit politik qytetet e mëdha në çmime janë të pa aksesueshme prej qytetarëve të thjeshtë pasi çmimet janë tepër të larta për rrogat buxhetore të shqiptarëve. Korrupsioni politik dhe ekonomik i ka thelluar diferencat me shqiptarëve. Ata nuk i aksesojnë dhe nuk i gëzojnë më qytetet e tyre…fatkeqësisht. 

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT