• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti priti në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë

March 19, 2022 by s p

Prishtinë, 18 mars 2022

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga znj. Elizabeth Sherwood- Randall, Këshilltare e sigurisë vendore dhe asistente e posaçme e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Në hapje të takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për vendit tonë.

Znj. Randall shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen humanitare të strehimit të qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan si dhe në luftën kundër terrorizmit.

Kryeministri Kurti theksoi dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tha se Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

U bisedua për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës.

Kryeministri tha se Kosova iu është bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas si dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina. Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë bashkë me aleatët, për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u theksua përkushtimi për harmonizimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Analiza

THE CHICAGO TRIBUNE / PAS TËRMETIT SHKATËRRUES NË ELBASAN, DY AMERIKANE TË NDIHMËS SOCIALE ORGANIZUAN NJË SHKOLLË PËR 300 FËMIJË

March 19, 2022 by s p


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Mars 2022

“The Chicago Tribune” ka botuar, të premten e 11 shkurtit 1921 dhe të mërkurën e 8 shkurtit 1922, dy shkrime në lidhje me ndihmën e dy grave amerikane ndaj fëmijëve shqiptarë pas një tërmeti shkatërrues asokohe në Elbasan, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Gratë amerikane organizojnë shkollë për shqiptarët

Burimi : The Chicago Tribune, e premte, 11 shkurt 1921, f.3
Burimi : The Chicago Tribune, e premte, 11 shkurt 1921, f.3

Se si dy punonjëse amerikane të ndihmës sociale organizuan një shkollë për 300 fëmijë shqiptarë pasi një tërmet shkatërroi shtëpitë e tyre, tregohet nga Majori E. J. Swift i Kryqit të Kuq Amerikan, i cili është personi i parë që ka arritur nga Parisi në Elbasan, Shqipëri, ku 3.000 shtëpi u shkatërruan në tërmetin e fundit që shkaktoi humbjen e katërmbëdhjetë jetëve.

“Zonjusha Winifred Warren, Nju Jork dhe zonjusha Norah (Hazel) Ruddy, Çikago, ishin vendosur në Shqipëri në lidhje me punën e Kryqit të Kuq të Rinjve”, tha Major Swift. “Sapo ndodhi tërmeti, ato organizuan ndihmë për të vuajturit dhe ngritën tenda për ata që kishin mbetur të pastrehë.”

“Kur të plagosurit dhe të pastrehët u mjekuan”, vazhdoi Maj. Swift, “dy gratë e Kryqit të Kuq, të cilat ishin vetëm punonjëse të ndihmës së shpejtë në vend, menjëherë ndërmorën hapa për të vazhduar mësimet e fëmijëve dhe, meqë moti ishte i favorshëm, i mbajtën ata nën portokallitë. U vendosën stola dhe tavolina me portokallitë sipër, sikur situata të ishte normale.”

Heroina e tërmetit arrin në Paris

Burimi : The Chicago Tribune, e mërkurë, 8 shkurt 1922, f.2
Burimi : The Chicago Tribune, e mërkurë, 8 shkurt 1922, f.2

Zonja Winifred K. Warren, e dekoruar tri herë nga qeveria shqiptare për veprën e saj heroike gjatë tërmetit të vitit të kaluar, mbërriti dje në Paris dhe ndodhet në hotel Sylvia për disa ditë para lundrimit për në Amerikë.

Zonja Warren dhe Zonja Hazel Ruddy, një tjetër vajzë amerikane, ishin në Elbasan kur ndodhi tërmeti, 30 kilometra me kalë nga vendbanimi më i afërt. Ato ishin ndër të paktët të mbijetuar të fatkeqësisë dhe punuan për shumë orë pa pushim për të shpëtuar të plagosurit dhe për t’u dhënë shërbim mjekësor. Të dyja vajzave iu dha mirënjohja më e lartë e qeverisë shqiptare si shpërblim për shërbimet e tyre.

Filed Under: Kulture

Presidentja Osmani takoi kancelarin federal të Republikës së Austrisë, Karl Nehammer

March 19, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kancelarin federal të Austrisë, Karl Nehammer, nga i cili mori mbështetje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Temë e diskutimit me kancelarin Nehammer ishte edhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe efektet e tij në Ballkanin Perëndimor. Presidentja Osmani ka potencuar rrezikun e destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, të cilin duhet ta parandalojmë në koordinim me aleatët tanë. Më tej, Presidentja ka theksuar se me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike. Presidentja Osmani tutje theksoi se unifikimi i Bashkimit Evropian kundër agresionit rus ndaj Ukrainës duhet të përcillet me veprime të unifikuara të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar anëtarësimin e shteteve të rajonit në BE.

Sipas Presidentes Osmani, qëndrimi i Kosovës për Ukrainën është në përputhje të plotë me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe të gjitha vendeve demokratike.

Në takim me kancelarin Nehammer, është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të dyanshëm.

Filed Under: Ekonomi

NDËRSA STALINI I RI NË MOSKË PUSHTON UKRAINËN, STALINI I VJETËR RIPUSHTON TIRANËN

March 19, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Më poshtë është lajmi i rrjetit të televizionit të Tiranës, ABC News i datës 10 Janar, 2022. Pothuaj, për tre muaj as nuk e përmendi kush më këtë lajm se busti i Stalinit po rishfaqej në “mesin e Tiranës”.  Por mbrëmë në një program tek Syri TV u treguan fotografi aktuale të bustit të Stalinit dhe të Leninit, rivendosur një hapësirë publike në Tiranë.  Si është e mundur që për tre muaj nuk i vuri re askush bustet e Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës? ASshtu siç kishte ndodhur me monumentin dedikuar “heronjëve” të Erdoganit, që u vendos në Tiranë ashtu në hestje dhe pa publicitet. Punët e këqia ashtu bëhen gjithmonë, larg szve të publikut. Ku është “media e lirë” në Shqipëri?  A po nuk i bën askujt, asnjë përshtypje një shfaqje e tillë e shëmtuar në kryeqytetin e shqiptarëve, një kombi që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi.  I mrekullueshëm është fakti që rinia shqiptare dhe element të tjerë të shoqërisë shqiptare, më në fund, po zgjohen dhe po protestojnë padrejtsditë. Nuk mjafton të protestohet për çmimet e larta, sado që keni të drejtë të protestoni, sidomos, nën kushtet ekonomike të atij vendi. Ia vlen të protestohet edhe për vlera të tjera, për vlerat kombëtare, për lirinë dhe demokracinë e vërtetë – jo për “lirinë dhe demokracinë”, që simbolizojnë bustet e Stalinit dhe të Leninit, të rivendosura, sipas disa lajmeve, në hapësirat publike të Tiranës.

Çfarë qeverie është kjo dhe çfarë shteti është ky që lejon një gjë të tillë dhe me çfarë shoqërie kemi të bëjmë pas 32 vjet të shembjes së Murit të Berlinit, që toleron rishfaqjen dhe vendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit, mu në mes të Tiranës.  Ku janë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë, përfshir Ambasadën e Shteteve të Bashkuara që nuk reagojnë ndaj dukurive të tilla në një shtet anëtar të NATO-s dhe aspirant për antarësim në Bashkimin Evropian. More me Stalinin e Leninit do futeni ju në Evropë? 

Shoh se Ambasada jonë, përmend shpesh dhe me krenari, se ky vit shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.  Po çfarë të festojmë more të nderuar në këtë 100-vjetor, rivendosjen e busteve të Stalinit dhe të Leninit në mes të Tiranës, në një kohë që stalini i ri në Moskë, Putini, adhurues i Stalinit të “madh”, siç e quante Enver Hoxha, pushton një vend paqësor e demokratik dhe po kërcënon botën me luftën e tretë botërore dhe me armë bërthamore. Do festoni me këtë qeveri shqiptare që lejon rivendosjen e busteve të këtyre kriminelëve të huaj komunistë në tokën shqiptare.  32 vjet pas gjoja shembjes së komunizmit në Shqipëri – ju do të festoni 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare me këta apologjetë të komunizmit ndërkombëtar?  “Krah për krah”, me këta përfaqsues sot që pretendojnë të jenë të Kombit shqiptar, por që promovojnë figura të tilla kriminale të historisë botërore dhe armiq të përbetuar të shqiptarëve gjatë historisë, duke lejuar ose injoruar rishfaqjen e busteve të baballarëve të komunizmit në Tiranë. Çfarë vlerash përfaqësojnë këta njerëz, si liderë të shqiptarëve të vuajtur nga komunizmi, që meritojnë respektin tonë.

Dikush mund të pyes, po çfarë ka të bëjë 100-vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane me rivendosjen e busteve të Stalinit dhe Leninit në mes të Tiranës. Ka të bëjë shumë! Ka të bëjë me vlerat e përbashkëta midis dy popujve, për të cilat shpesh janë shprehur diplomatët tanë në Tiranë. Dy popujt tanë, shqiptarët dhe amerikanët, kanë vlera të përbashkëta, por jo me këta politikanë shqiptarë që lejojnë praninë e këtyre kriminelve komunistë, qoftë edhe bustet e tyre, mu në qëndër të Tiranës. Për mua vlerat, që simbolizojnë Stalini dhe Lenini, si dhe prania e busteve të tyre në mes të Tiranës — si në kohën e Enver Hoxhës — nuk përbëjnë “vlera të përbashkëta” shqiptaro-amerikane që duhet të festohen, “krah për krah”, me këtë klikë politike të papërgjegjëshme ndajë popullit të vet dhe ndaj historisë kombëtare, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Të pakën ne shqiptaro-amerikanët – taksapagues të këtij vendi të dashur e të bekuar për ne — meritojmë një konsideratë pak më të madhe se kaq nga përfaqsuesit tonë diplomatikë, sidomos për ata mijëra shqiptaro-amerikanë, familjet e të cilëve janë burgosur e pushkatuar, pikërisht se pse kundërshtonin komunizmin ndërkombëtar që përfaqësonte Enver Hoxha me mikun e tij të madh, Stalinin. Merreni me mend se si u duket atyre shqiptaro-amerikanëve kur të vizitojnë Tiranën dhe të shohin bustet e Stalinit, Leninit e ndoshta edhe të Enver Hixhsë, mund të mes të Tiranës?

Të nderuar diplomatë amerikanë dhe evropiano-perëndimorë në Tiranë, mos heshtni përball dukurive të tilla në Tiranë, siç është rivendosja e bustit të Stalinit, dishepullit dhe mësuesit të Enver Hoxhës, i cili i shkaktoi aq vuajtje, dhimbje e krime Kombit shqiptar. Rishfaqja e busteve të Stalinit dhe Leninit në Tiranë të Shqipërisë, “post-komuniste”, anëtare e NATO-s, janë rezultat i drejtë për drejtë i dështimit politik të kësaj klase politike shqiptare “post-komuniste” për tu distancuar nga komunizmi, por edhe dështim i diplomatëve perëndimorë në Tiranë gjatë këtyre 32- viteve, të cilët asnjëherë nuk kanë kërkuar – të pakën jo publikisht — nga kjo klasë politike “post-komuniste”, që të dënojnë krimet e komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri dhe të përballen njëherë e mirë me krimet e regjimit komunist në atë vend. Siç e shihni, marrja e fotove “krah për krah” me këta përfaqsues të qeverisë shqiptare sot – që lejojnë ringritjen e busteve të Stalinit dhe Leninit në Tiranë — fotot nga platformat e anijeve amerikane të ankoruara në Durrës, disa muaj më parë — nuk mjaftojnë. Shqiptarët meritojnë më shumë se kaqë në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikano. Mos heshtni të nderuar diplomatë! Mos u bëlni pjesë e sallës së turpit (Hall of shame) me ata politikanë shqiptarë që refuzojnë  për 32 vjet tani të dënojnë krimet e komunizmit dhe të përballen zyrtarisht dhe seriozisht me të kaluarën e tmershme komuniste në Shqipëri.  Flisni për vlerat e verteta perëndimore që bashkojnë dy popujt tanë! 

Frank Shkreli

A person with a mustache

Description automatically generated with low confidence
A screenshot of a video game

Description automatically generated with medium confidence

Filed Under: Politike

NJË AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË SI DIPLOMATI MAL BERISHA

March 19, 2022 by s p

Nga Dalip GRECA*/

Libri që promovojmë sot në Vatër”Ambasador i Pushtetit të Butë” i diplomatit par exellent Mal Berisha mendoj se i kalon kufijtë e një ditari me shënimet dhe mbresat e një diplomati, ai është më shumë se kaq, është një libër për dashurinë dhe devocionin ndaj Kombit, është një libër për diplomacinë dhe miqësinë, për historinë, humanizmin, mbi të gjitha siç ka titullin është një libër për Diplomacinë kulturore ose Pushtetin e butë, një libër që të mëson se si t’i duash njerëzit dhe vendin tënd me përkushtim dhe si t’i kapërcesh situatat e vështira pa u kthyer kurrë mbrapsht.

Libri është voluminoz me më shumë se 500 faqe, i organizuar në gjashtë kapituj-nga Kreu parë tek gjashti, shkruar me një stil original që e dallon autorin se është vetja, një stil rrëfimtar, emocional, përmes të cilit ambasadori Berisha e mbanë lexuesin të mbërthyer pas ngjarjeve, shumë prej të cilave të japin tronditje të fortë emocionale, ku shfaqet diplomati dhe njeriu.

Ai që rrëfen, pra ambasadori, është jo vetëm diplomati, por mbi të gjitha njeriu, që ashtu si lexuesi ka shpirt që ndjen; shpirt që dhemb, dhe jo vetëm si prind për djemtë e tij, kur ndodhen të vetmuar para oqeanit të frikshëm të jetës, të mërguar në moshë fare të re, duke jetuar e u shkolluar larg prindërve, por edhe kur shkon nga kjo jetë i biri i një miku, siç është rasti i Atjonit të Visar dhe Eda Zhitit-ai vajton; apo kur humb jetën një pacient që kurohet në Stamboll, qoftë ai dhe i panjohur…Rrëfen një shpirt që ndjen edhe kur bën një punë të mirë për kombin, edhe kur zgjidh një çështje të komplikuar diplomatike, edhe kur merr një porosi urgjente, që të jep tension siç ishte rasti i marrjes së vizës për Presidentin Berisha në Konsullatën e Indisë në Stamboll, ndërkohë që pasaporta duhej marrë nga Tirana e duhej kthyer po në Tiranë me të njëjtin avion, kur kalkulimet kohore janë të limituara, krahas kohës së fluturimit vajtje-ardhje të avionit, i lejojnë vetëm një orë brenda dy fluturimeve;- të udhëtimit të pasaportës Tiranë-Stamboll-kthim, dhe nisjes së presidentit Berisha drejt Kalkutës, ku do të merrte pjesë në ceremonite mortore, homazheve,varrimin, meshen për Nënë Terezën.Ndërsa ndjek dinamikën e veprimeve, nuk i shpëton ankthimit të rrëfimit.

  Në libër ndesh dhe probleme madhore, çaste kritike për shtetin shqiptar, siç është rasti i vitit ’97, kur fqinji ynë Jugor kërcënon integritetin e kufijëve të Shqipërisë,-ky pretendues dhe lakmues i hershëm i  trojeve jugore të Shqipërisë tenton ta shfrytëzojë situatën e krijuar në vitin e mbrapshtë, tenton të fusë trupat ushtarake dhe ta bënte fakt të kryer marrjen e “Vorio Epirit”. Shqipëria ndihet e kërcënuar- Zbritja me helikopter e zevendësministrit të Punëve të Jashtme, Kranis Idiotis në Kalanë e Gjirokastrës, prej nga iu bëri thirrje të ashtuquajturve ‘Grupeve të Shpëtimit Kombëtar’, që të mblidheshin dhe ta përmbysnin pushtetin e ligjshëm shqiptar dhe të vendosnin administratën greke në vend të tij-ishte një ngjarje e paprecedent, që e shqetësojë shumë diplomacinë e re shqiptare të shtetit demokratik. Dhe Konsulli Mal Berisha, që fati i dha mundësinë të ishte në vendin e duhur në kohën e duhur, ishte një nga tre diplomatët që vunë në lëvizje shtetin turk për të ndaluar të keqen.

      Përmes librit lexuesi mëson se çfarë u luajt pas perdes, si dolën 12 pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke në mbrojtje të integritetit të Shqipërisë. Së bashku me mikun e tij Enver Tali, konsullin e Kosovës, një mik dhe personazh i dashur për ambasador Mal Berishën, si dhe me Ambasadorin Shqiptar në Ankara, Skënder Shkupi, arritën të takonin numrin 2 të partisë qeverisëse, krahu i djathtë i zv/kryeministres dhe Ministre e Punëve të Jashtme në qeverinë e Erbakanit,-Tansu Çiller. Ai i dëgjoi me vëmendje diplomatët shqiptarë, dhe pas kësaj bisede,lindi deklarata që përmbante 12 Pikat e Shtabit të Ushtrisë Turke, që e shpëtuan Jugun e Shqipërisë. 

    Pas bisedës Konsullit Mal Berisha iu dorëzua Letra e shtabit të Ushtrisë Turke, që u përkthye aty për aty dhe u dërgua në Tiranë dhe media ia përcolli atë publikut të gjerë.

Edhe shtypi turk menjëherë përcolli lajmin. Citoj:“Tre diplomatë shqiptarë të akredituar në Turqi patën një takim shumë të rëndësishëm me personalitete të larta turke.Ata i paraqitën palës turke shqetësimin e madh për rrezikun që i kanosej vendit të tyre. Disa orë më vonë, diplomatët u njohën me një dokument prej 12 pikash nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke lidhur me aksionin, që do të ndërmerrej në Lindje të Greqisë në rast të një agresioni të kësaj të fundit ndaj Shqipërisë. Kjo bëri që planet greke të mbeteshin vetëm në lojën e fjalëve të qeveritarëve dhe në mendjet e sëmura të organizatave Vorio – Epiriote”. 

Po ashtu diplomacia shqiptare në Turqi ishte shtysë për takimi e 18 shoqatave shqiptaro – turke me Presidentin Turk Süleyman Demirel.

Cilat ishin pasojat pozitive?

-Më datën 29 Mars 1997, pas një takimi urgjent me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke, Gjeneralin Ismail Haki Karadaĝi, zv/ kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Turqisë,Tansu Çiller, deklaroi përsëri para shtypit dhe medias turke: “Turqia është e vendosur të ruajë integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëtimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri është i palejueshëm dhe do të ishte turp për Evropën, ndaj nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka për stabilizimin e gjendjes në Shqipëri”. -(Marrë nga e përditshmja turke “Turkish Daily News”, 30 Mars 1997). 

Shërbimi dhe veprimtarite diplomatike në Konsullatën e Stambollit zënë 133 faqe të këtij libri, dhe përpos këtyre që përshkrova, në mendje të mbeten rrëfimet për Enver Tali- Marathonomaku i Lirisë, -Përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim, që në  Dhjetor 1995, I ndihmuar edhe nga diplomacia jonë në Turqi, hapi përfaqësinë Republikës së Kosovës në Stamboll.Libri na njeh me veprimtaritë e shumta që u kryen përmes këtij institucioni gjysëm legal.

Me interes lexohen rrëfimet-SA FÉ USHTROJNË SHQIPTARËT? -Takimi i Feve Monoteiste në Stamboll-(Vjeshtë 1993)-Si u kapërcye tendenca për t’i përçarë shqiptarët, duke e përcaktuar bektashizmin si fe të katërt, por diplomacia shqiptare në mirëkuptim me krerët fetar, arriti që ta shmangë “kurthin, që i kishin ngritur Shqipërisë, e cila e ka vlerë të trashëguar harmoninë fetare.

 Me kurreshtje lexohet edhe vizita e Presidentit Sali Berisha në Turqi dhe organizimi i takimit të pa parashikuar me Presidentin Izraelit Ezer Weisman- siç lexohen dy vizitat në Turqi te ish kongresistit republikan amerikan në vitet 1994 dhe 1995, President të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi, takimet me Yasemin Dobra Manço, mike e Shqipërisë,Parandalimi i Bosnjës në Kosovë etj.

   Me interes janë përpjekjet e Konsullit Mal Berisha në kërkim të gjurmëve të Nolit në vendlindjen e tij, Ibrik Tepe-Trakë, së bashku me professor John Freely, takimi me gazetarin Emin Sahatçiu; lobimi për çështjen shqiptare, veçanërisht për Kosovën e okupuar nga serbët etj.

  Që në ditët e para të shërbimit diplomatik Konsulli Mal Berisha, duke pasur pranë një kryekonsull model, të kulturuar, intelektual klasi si z. Orhan Zarshati, nis aplikimin e filozofisë të pushtetit të butë, aq i domosdoshëm për shtete e kombe të vegjël. Veprimtaritë kulturore, ekspozitat, koncertet e artistëve me emër në Stamboll dhe Tiranë, nisi të japë frytet e e diplomacisë aktive.

        ***

E përsëris ambasadori Mal Berisha rrëfen bukur. Kur rrëfimi vjen nga shpirti ka sinqeritet, ai të bën për vete, të emocionon, ta drithëron qenien.Kur tregon fate tragjike të pacientëve shqiptarë që kuroheshin në Stamboll nga veshkat me ndërmjetësinë e Konsullatës shqiptare, falë një marrëveshje xhentelmenësh të arritur nga Ministritë e Shëndetësisë të dy vendeve, ku zbatuse e marrëveshjes ishte Konsullata  Shqiptare, e cila duhej të përkujdesej për të sëmurët, për strehimin e tyre, për gjetje sponsorësh, por edhe për anën njerëzore. Lexuesi mbetet në ankth për fatin e secilit pacienti, kur sheh se si konsulli bashkë me familjen bëhen jo vetëm strehë e parë e pacientëve, para se të shtroheshin në spital, por ata kryenin edhe rolin e familjarëve të munguar për pacientët duke bërë sakrifica për t’iu ndodhur atyre pranë, kohë e pa kohë, natën dhe ditën, madje duke respektuar traditen shqiptare, duke u derguar dhurata simbolike.Ky sherbim mbartete edhe rreziqe per personelin e Konsullates dhe familjaret e tyre. Shumë prej të sëmurëve me veshka që vinin nga Shqipëria mbartnin dhe infeksione që përbënin rrezik për familjarët e diplomatëve të Konsullatës, por ata i trajtonin sikur t’i kishin familjarë të tyre. Mendoj se ky akt dhe të tjerë, tregojnë fisnikëri, më shumë se sa humanizëm. Dhe ishin jo pak që morën ndihmë në Stamboll, por 156 pacientë dhe pasi i shtronin për kurim, nuk harronin që t’i vizitonin në spital e të përkujdeseshin për ata.Përshkrimi i rasteve targjike, kur pacientët nuk arrinin në spital, pasi shkonin ne graden e fundit e si pasoje humbnin jetën në udhëtim,dhe duheshin kthyer në Shqipëri trupat e tyre, apo rasti i 13 vjeçarit Hasandoçi, që nuk i funksionin të dyja veshkat,- nga që nuk u gjet një dhurues veshke, pranoi e ëma të bënte dhurimin e veshkës së saj, por fatkeqsisht organizmi i 13 vjeçarit nuk u përshtat me veshkën e nënës dhe pas 2 muajësh ndërroi jetë në Shqipëri. Familja e konsullit pikëllohet sikur ta kishte njeriun e familjes.Por jo më pak dhimbje e përkujdesje mbart dhe rasti i Afërdita D, që ndërroi jetë në spital. Gjatë këtij rrëfimi shprehet jo vetëm dhimbja e familjes së konsullit Mal Berisha, por dhe humanizmi i saj për t’u përkujdesur për të birin e pacientes së vdekur, ku Donika, bashkshortja fisnike e ambasadorit, luan rolin e nënës për ta qetësur të birin e se ndjeres,i cili kalon në krizë momenti che perplaset me personelin e spitalit, duke e konsideruar fajtor.Familja  e merr djalin në shtëpinë e vet dhe përkujdeset për kthimin e trupit pa jetë me shpenzimet e tyre. 

       ….Takimi dhe rrëfimi për Kadri Roshin, mikun e tre presidentëve: Dr. Berishës, Dr, Rugovës dhe presidentit Demirel, dhe zonjën e Tij Drita, që u operua nga zemra në Stamboll, përbëjnë një nga rrëfimet e bukur, emocionues te ketij libri. Kadri Roshi ishte një mik i hershëm edhe i Konsullit Mal Berisha. Telefonata e artistit të madh Kadri Roshi një natë të vonshme nga nhe spital ne pjesen aziatike te Stambollit, mbart dramën e tij, që konsulli përpiqet t’ia lehtësojë, por sjell në libër dhe kujtime nga koha e shkuar….

         Në përshkrimet e tij ambassador Berisha aplikon me mjeshtëri kthimin pas në kohë gjatë tregimit të ngjarjeve. Retrospektiva, sjellja në kujtesë e njohjes me Kadri Roshin, vënia në skenë e dramës “Tokë e ndezur” të Fahri Balliut me trupën amatore kosovare në Borizanë, është përshkruar mjeshtrisht dhe përcjell emocione të forta.Ashtu siç dëneste publiku që ndiqte trupën amatore gjatë shfaqjes të luajtur ne pallati e kultures se Laçit gjate Olimpiades Kombetare te amatoreve, vene ne skene nga amatorët e Borizanës nën regjinë e të madhit Kadri Roshi, mendoj se po ashtu dëneset dhe lexuesi kur lexon rrëfimin e ambasador Mal Berishës. Ishin Kohe te nxehta per Kosoven.

         Mendoj se libri” Ambasador i Pushtetit të Butë” mbart vlera të shumfishta: diplomatike, historike, Kombëtare, sociale  dhe letrare. Autori rrëfen bukur, përdor fjali të shkurtra me sintaksë të thjeshtë,njeh mjaft mire morfoogjine, dhe ka gjuhe te paster.Ai të tërheq në rrëfimin e tij, nderton situata te ngarkuara emocionalisht, të shuan dhe kurreshtjen gjatë përshkrimit të objekteve, siç është rasti për Konsullatën e Vjetër të kohës së diktaturës në Stamboll, ku përshkruan “dhomën e Partisë” dhe “dhomën e Sigurimit”, që ngjanë me vendet e fshehta të sekteve fetare….etj.

      Me sa kam vënë re edhe në librat e tjerë të autorit ai është shumë pasionat dhe hulumtus dhe investigues për detajet historike të ngjarjeve që përshkruan, kur herë pas here kthehet pas dhe gjurmon historinë. Psh tek përshkruan “pritjen me rastin e Festës së 28 nëntorit 1992 në Hotel Mercury, ai sjell fakte historike se aty pranë ishte dhe Hoteli “Perla Palas”, nga ku ishte nisur për misionin e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit Ismail bej Qemali dhe se po në të njëjtin hotel, ka bujtur edhe mbreti Zog gjatë udhëtimit të tij mërgimtar dhe se në librin e njerëzve të shquar, të cilët kishin qëndruar në atë hotel, figuronte edhe emri i Tij, përkrah emrit të Mata Harrit.Po ashtu kur shërbente ambasador në Londër, ai kthehet pas në kohë dhe ndjek gjurmët e mqëve anglezë të kombit tonë.

Ambasador Mal Berisha, siç shprehet shkrimtari, gazetari, dhe diplomati Besnik Mustafaj, ish Minisitër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe ish ambasador në Francë, i takon atij brezi diplomatësh shqiptarë, të cilët hynë në shërbimin e jashtëm të Republikës sonë në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, fill pas kthesës së madhe, që mori historia e Shqipërisë. Si i tillë, ambasador M. Berisha përshkruan në libër ndryshimin e madh mes diplomacisë së diktaturës komuniste dhe Diplomacisë së re. Diplomacia komuniste kishte si parim izolimin, ku porosia(sipas konsullit paraardhës) ishte e prerë: “Nëse do t’ua jepni dorën konsujve amerikanë, anglezë e izraelitë, më mirë kthehuni vetë në Shqipëri dhe jepni llogari, për tradhti ndaj atdheut!”, ndërsa shërbimi i ri që përfaqësonte diplomati Berisha dhe personeli i ri,kishte për moto hapjen e Shqipërisë ndaj botës!

 Rrëfimet e Stambollit mbyllen me “Telefonata e fundit” dhe “lamtumira”.E para na shpalos përmasat e një legjende shqiptare, ku nje letër e ish editorit të gazetës Illyria Vehbi Bajrami, për të gjetur gjurmët e një familje shqiptare, të shpërndarë mes Amerikës dhe Turqisë, edhe pse asimilimi ka bërë punën e vet, madje kanë pësuar ndryshime dhe elementët thelbsor të identifikimit, Konsulli, edhe pse ishte në fundin e shërbimit, i gjenë gjurmët e pjeseve te ndara dhe e bashkon virtualisht familjen e ndarë mes kontinenteve.E sa shërbime të tilla kreu konsulli Mal Berisha, përveçse bëri shërbime të çmuara per shtetin shqiptar? Kreu me devocion detyrimin njerëzor, shpirtror dhe diplomatike ndaj Kosovës së okupuar? Lexojeni librin dhe do të gjeni atje gjurmët e një pune të jashtzakonshme kombëtare.

  Në të gjashtë kapitujt e librit gjenë gjurmët e punës të diplomatit të pushtetit të butë.Edhe kur ia hoqën pasaportën diplomatike ata që erdhën në pushtet pas revolucionit të ’97-tës, ai nuk u dorëzua. Me shpenzimet e veta e çvendosi veprimtarinë në Amerikën e Lirisë dhe Demokracisë. Ku më mirë se sa në Amerikë, ku merren vendimet e Botës, mund të ndihmohej Kosova për ta çliruar nga pushtuesi serb?

 Përmes librit njihemi me punën titanike të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit të saj Joseph DioGuardi dhe bashkëshortes Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte për Ballkanin;njihemi me lobimin e fuqishëm të çështjes shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës.

Ambasador Mal Berisha e lartëson veprën e ish kongresistit republikan Joe DioGuardi, duke i dhënë meritat që i takojnë, por dhe duke përshkruar me detaje lobimin, ku dhe vetë ambassador Mal Berisha ishte pjesë vullnetare e Ligës.

Autori shkruan: -Me krijimin e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joseph DioGuardi doli si lobist shumë i fuqishëm dhe efektiv, njësoj siç ishte “Vatra” më parë, e cila i doli zot Shqipërisë me parullën noliane“Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”

– Vetë ambasadori Mal Berisha u vu në dispozicion të Ligës. 

– Edhe pse ishte pa Pasaportë diplomatike diplomati Mal Berisha nuk kurseu asgjë për t’u vënë në shërbim të çështjes së Kosovës-në libër do të gjeni shënimet për darkën për Kosovën me kongresmenë, si Benjamin Gilman, takimet në Këshillin e Marrdhënieve me Jashtë në Kongres -Me Senatorin Robert Dole, ish Sekretarin e Shtetit,Henry Kissinger etj…

– Emocionuse janë tregimet për ardhjen e shqiptarëve të Kosovës në bazën ushtarake në Fort Dix ku zbritën rreth 6 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës, rërfimet janë prekse, sureale, ta ndalin zemrën. Do të mjaftonte vetëm rrëfimi i dhimbshëm”Përqafimi-Shehrija jetime, dhe të ndjesh në qenien tënde si lexues tragjedinë dhe dramën e shqiptarëve të Kosovës. Intervista nga oficeri i emigracionit qe i beri Sherijes ne prani te Mal Berishes, ta ndal friment, dhimbje, dhimbje…,.

Një rol të rëndësishëm luajti ambasadori Mal Berisha në informimin e opinionit publik amerikan në 11 emisione televizive, ku përballoi edhe debate me serbët.

Në libër zë vend dhe kumtesa për Vatrën në 90 Vjetorin e Diellit- Roli i “Vatrës” dhe i “Diellit” në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, e përshkruar nga katër autorë të huaj -Edewin Zhak, Dr.Harris Silajxhiç me librin “Shqipëria dhe shqiptarët në Arkivat e Washingtonit”, Dr. Charles Telford Erickson, mik i shquar i “Vatrës  si dhe Edith Pierpont Stickney, me librin“Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet evropiane ndërkombëtare nga viti 1912 deri më 1923”, botuar më 1925 –

-Vend të rëdësishëm zë në libër edhe Konferenca e Rambujesë dhe kontributi i Presidentit të Ligës Qytetare Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Ai ishte një nga oponentë e fortë kundër tekstit të Marrveshjes, që realisht e linte Kosovën nën autonominë Serbe.Shqiptarët duhet t’u jenë mirënjohës serbëve që nuk e nënshkruan marrëveshjen që e linte Kosovën me një lloj autonomie nën Serbi.

         Autori sjell detaje edhe përkontributi e LQSHA-së nëpërmjet librit historik “Shpëtimi në Shqipëri”(botunar ne 10 mije kopje ne gjuhen angleze due 2 mije kopje ne gjuhen shqipe-perkthyer nga Mal Berisha) dhe ndikimi që pati tek Lobi Hebraik në SHBA dhe në botë. Do të mjaftonte detaji qe sjell autori me një nga kontributorët e Ligës, z. Agim Aliçkaj, i cili me librin në dorë, ulet në gjunj përpara ish sekretarit të shtetit Amerikan Kissinger,nje filgure elitare e politikes boterore me ndikim te jashtzakonshem, i cili e kundërshtonte në fillim bombardimin e Serbisë, por më pas ndryshoi mendim dhe deklaroi në CNN International natën e 24 marsit 1999“Duhet shpëtuar populli shqiptar i Kosovës nga shfarosja, por edhe nderi i SHBA-së.Tani nuk ka kthim pas”. …

Nga viti 2000 deri në vitin 2009 diplomati Berisha kontribuoi drejtërsëdrejti në Kosovë duke punuar në Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, duke dhene nje contribute me shume vlera. 

Në vitin 2009 ai do të rifillojë missionen zyrtar diplomatik në Minisitrinë e Jashtme, duke dhënë kontribut të veçantë në diplomacinë rajonale. Ai do te ishte i pranishem edhe ne Gjykaten Nderkombetare te Hages, kur u dha vendimi per te drejten e Shpallje se Pavaresise se Kosoves.

Nga Qershori 2009, loboi për Kosovën në Lindjen e Mesme, si Siri, Liban, etj.

‘Diplomacia kulturore”- “Pushteti i butë” qe buron nga filozofia e Joseph Nye mendoj se është realizuar më së miri gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe, fillimisht si i ngarkuar me Punë Aditerim -2012-2013, më pas ambassador në Londër, ku shkëlqejnë: Vendosja në Londër e Bustit të heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbe,një aventurë e guximshme, që ka në themel të realizimit vetë ambasadorin me miqtë që e mbështetën, edhe pse 8 mijë Euro të shpenzuara per kete qellim nga kursimet e buxhetit familjar, ende nuk janë dhënë nga Ministria e Kulturës dhe shteti shqiptar!

Së dyti-“Notes on Albania” në tre edicione , ku u provua Shqipëria Kulturore me VIP-at neper Bote, dhe anglezët në vend të kronikave të zeza për shqiptarët që mbizotronin median angleze, panë anën tjetër të medaljes, shqiptarët e famshëm dhe anglezët e amerikanet-miq të Shqipërisë.

Sinqerish, unë nuk njoh ambasador tjetër ne keta 30 vjet demokraci që të ketë bërë aq shumë për kombin tonë se ç’bëri ambasadori Mal Berisha gjatë karrierës së tij të ndërprë nga pushteti partiak, edhe kur nuk kishte post diplomatik, por në mënyrë të veçantë gjatë shërbimit diplomatik në Britaninë e Madhe. Ai ishte promotor i promovimeve kulturore, historike, si përparësi e pushtetit të butë: Ambasdor Berisha jo vetëm kreu detyrat që i diktonte posti i ambasadorit, por pati kohë të afronte pranë ambasadës Shoqatën Anglo – Shqiptare (AAA) në Londër, të ndiqte gjurmët e familjes angleze Herbert – mike e shqiptarëve dhe të mikut të çmuar që bëri aq shumë për Shqipërinë “Charles Telford Erickson, amerikani qe i kushtoi jetën Shqipërisë”, të ndiqte gjurmët e Edith Durham, të ndiqte shqipërimin Nolian të Shekspirit, të sillte në Londër artistët e shquar shqiptar, të vendoste bustin e Skënderbeut në Londër dhe në zonën arbëreshe të Molises -Itali,të gjurmonte historinë e Skënderbeut tek autorët anglezë  etj etj…

Në fund e falenderoj ambasadorin Mal Berisha për kënaqësinë që na dhe me këtë libër me rëndësi të veçantë për historinë e diplomacisë shqiptare.Le të presim se së shpejti do të promovojmë edhe librin e ri qe ambasadori e paralajmëron në këtë libër, siç ka promovuar Vatra edhe librat e tjerë të tij. Faleminderit ambasador Mal Berisha, anetar Nderi i Vatres shqiptare!

*Mbajtur gjatë promovimit të librit në Vatër me 15 Mars 2022.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasador. Pushteti i Bute, dalip greca, Mal Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2349
  • 2350
  • 2351
  • 2352
  • 2353
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT