• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TURP ËSHTË RRÉNA, ZOTI KRYEMINISTËR

March 17, 2022 by s p

Frank Kulli/

Protestat janë nder kombëtar për një vend të qytetruar e ne shqiptarët, tashmë e dimë mirë këtë. Turp kombëtar janë qeveritë keqqeverisëse, zoti kryeministër.Në kopertinën e botimit të dytë, të “Gomari i Babatasit”, (Shkoder shtypshkroja At Gjergj Fishta, 1941) poshtë titullit shkruhet edhe ky pohim i mënçur: “Populli i falë ata qi e mundojn, por nuk ka për ti falë kurr ata qi e rrêjnë. Montalembert”.(Charlest, count de Montalembert, (15 prill 1810, Londër – më 13 mars 1870, Paris), orator, politikan dhe historian , lider në luftën kundër absolutizmit në kishë dhe në shtet në Francën e shekullit të 19-të.)E zgjedhur dhe e vendosur gati si nëntitull i librit, domosdo s’mund të jetë tjetër veçse, një thirrje në ndihmë të lexuesit a si një çelës për të hapë portën kryesore të leximit të veprës. E, siç dihet gjërësisht tashma, kjo vepër-kulm e satirës politike në Shqipëri atëherë kur u shkrua porse edhe sot, ka qenë dhe mbetet e tillë , një kualitet letrar i shkallës së epërme edhe për arsyen e fortë se për lëndë të veprës së vet, autori ka marrë e ka “vu në bisht t’lahutës” siç do të thoshte ai, veset më të shëmtuara të udhëheqësíve politike e shtetnore, të cilët, duke livadhisë ndër to (nëpër veset pra), i shkaktojnë një dëm të madh fort e shumë afatgjatë shoqërisë që udhëheqin. Ndoshta, kjo sentenca e mendimtarit të shquar francez, i përshtatet fort edhe shoqërisë shqiptare sot ndaj dhe ka ndodhë kjo përzgjedhje qysh atëherë, kur ende nuk qe mbyllë gjysma e parë e shekullit të shkuar.Historia jonë, përgjithsisht ka qenë histori e një populli të mundúar fort prej udhëheqësíve. Udhëheqësíve të huaja e të vendit. Njësoj. Dhe, sigurisht, mundimet ia kanë lënë të dukëshme gjurmët e vuajtjes njeriut shqiptar. Shpesh ia kanë shformuar edhe cilësisht mjaft virtyte. Po, ja që disa prej tyre, më të shumtat e tyre kanë mbetë e janë ruajt në nëvetëdijen e në shpirtin e tij. Virtyt është edhe neveria e pakapërdishme ndaj rrenave e rrencakut (gënjeshtrave e gënjeshtarit). Për gënjeshtarin publik, gënjeshtarin udhëheqës, sidomos. Se gënjeshtra e tij bën dëm të madh. Ne të gjithë e dimë, tashma se kuti që i mat e peshorja që i peshon shtetarët në demokraci është marrëdhënia e tyre me të vërtetën e me gënjeshtrën. Për fjalët që thonë e për punët që bëjnë. Është mardhënia ndërmjet besimit që iu është dhënë dhe mirëpërdorimit a keqpërdorimit të tij. Tek ne ka ndodhë gjithherë kjo e dyta. Sistematikisht udhëheqësit tanë, kush më pak e kush më shumë, kanë gënjyer. Aq shumë kanë gënjyer, sa kur ndonjëherë ka ndodhë që, ajo çfarë ata kanë thënë edhe është mbajtë si fjalë e thënë, kjo e ndodhur është çmuar e vlerësuar si mrekulli. Rëndom vlerësimi për to, pra se udhëheqësi është i zoti a i pazoti , i aftë a i paaftë , është përcaktuar se sa e ka spërdredhë fjalën ky ose ai. Pra, sa ka mundur të na mashtrojë. Kjo i ka vënë kapak, si të thuash zotësisë së udhëheqësit…E meqë i filluam radhët e këtij shkrimi me një kryevepër të satirës politike shqiptare, mbase duhet shpjeguar edhe lidhja e saj me të sotmen, tash një shekull mbas. Thelbi i kësaj lidhje është sjellja e njëjtë e qeverisësve tanë me ne të qeverisurit prej tyre. Për t’u qortuar fort e satirizuar, atëhere dhe sot. E konkretisht me më të freskëtat ngjarje të këtyre ditëve. Protestat, që qytetarët shqiptarë po bëjnë kundër standartit të ulët fort të jetesës që, lufta në Ukrainë ua ka ulë edhe më shumë. Protestat janë kundër qeverisjes; ai është shkaku i fillimit të tyre dhe për hir të së vertetës, do theksuar se ato kanë nisur mbas protestës solidare me popullin Ukrainas që është ngritur në përballje të sulmit pushtues të Rusisë. Kurse leximi e përkthimi i tyre nga udhëheqësi i ka vlerësuar ato, jo vetëm të padrejta e jashtë kohe, po madje TË TURPSHME. Kryeministri ynë është i shqetësuar shumë se demostratat po turpërojnë Shqipërinë !!! Dje, theksoi se shqetësimi për protestat që po i vinte zotërisë së tij edhe si veprim i pakuptimtë po e bënin të ndjehej i turpëruar përpara botës. Të ndjehej i turpëruar prej popullit të tij që demostron kundër qeverisjes së tij…Dhe deklarata e tij, të bën të stepesh, me të vërtetë. Ia kishin thënë nga Brukseli, tha. Pse kaq mosmirëkuptues thua të jenë në Bruksel për demostratat që bëhen kundër një qeverisjeje prej të qeverisurve të saj që mendojnë se po keqqeverisen ?? Jo, jo, zoti kryeministër. Ne tani jemi një vend i hapur dhe dimë ta lexojmë mirë edhe Brukselin edhe Uashingtonin.Po, në Bruksel, përktheje në shqip protestën, zoti kryeministër. Nëse dëshiron të të kuptojnë më mirë. Shqiptarët nuk prostestojnë kundër Ukrainës, përkundrazi shqiptarët janë dhe e kanë shprehë kundërshtinë e luftës pushtuese ndaj një vendi e lirisë së një populli. Historia i ka mësuar ata ta çmojnë fort e ta mbrojnë me çdo çmim lirinë. Ndaj asnjë turp ata nuk po bëjnë se po protestojnë kundër qeverisjes që e çmojnë të keqe. Qoftë edhe në rrethanat e luftës që po bëhet në Ukrainë. Ndaj nuk e turpërojnë Shqipërinë. Përkundrazi e nderojnë Shqipërinë. Protestat janë nder kombëtar për një vend të qytetruar e ne shqiptarët, tashmë e dimë mirë këtë.Turp kombëtar janë qeveritë keqqeverisëse, zoti kryeministër. Po turp kombëtar është edhe mbrojtja që ju bëjnë ju e pararendësve tuaj këshillonjësit e tipit Ba(l)t-on , i cili rrumbullon 15 mijë euro në muaj, për këshillat që ai dhe të tjerë si ai ju japin ju dhe për pushtimin mashtrues që u kanë bërë ekraneve të kazanëve tuaj propagandistikë e deformimit të lirisë së shprehjes. Aq para për një këshillonjës për ju !!… Janë më shumë se sa lëmoshat që ju jepni për 100 minatorë të Bulqizës a po për kaq naftëtarë të Ballshit, zoti kryeministër.Turp është “avullimi” i pasurive kombëtare, prej qeverisjes së ju kryeministrave, zoti kryeministër. Turp janë krizat e përvitëshme energjitike në Shqipërinë me rezerva ujore më të shumtat në Europë, zoti kryeministër. Është fyerje e madhe e inteligjencës së shqiptarëve të krenohesh para tyre se nuk po ngre çmimin e energjisë.Turp është ta çosh për skrap Rafinerinë e naftës në Ballsh e për qytetarët shqiptarë ta shesës naftën me çmimin më të shtrenjtë në Europë, z.kryeministër.Turp është mjerimi në Bulqizë. Mjerimi i atyre njerëzve që ecin si skelete të gjalla përmbi thesare. Turp janë rrenat e pambarimta ndër dekada, zoti kryeministër, dhe ndër më shembullorët kryeministra jeni ju në këtë dekadën e fundit.Turp për ju që na e latë vendin “trokë”, këtë vend që vetë Zoti e ka begatuar dhe rinisë i dhatë rrugët e botës.

Filed Under: Analiza

Skënder Kamberi, piktor i Popullit

March 17, 2022 by s p

Gezim Zilja/

E njoh Skënder Kamberin që para dyzet vjetësh, kur ishte shumë i ri por fama në Shqipëri i ishte përhapur me kohë. Me shumë drojtje, asoherë sa kisha mbaruar Shkollën e Lartë dhe isha emëruar mësues në shkollën “Jani Minga”, i shkova në studion e tij të famshme  aty afër, në anë të rrugës automobilistike. Iu prezantove dhe i parashtrova kërkesën time për të zhvilluar një bisedë për pikturën me një klasë djemsh të shkollës mjeksore. 

“Pranoj me kënaqësi” më tha. “Pse jo, janë fëmijët tanë.” Meraku im ishte se fëmijët kryesisht pesëmbëdhjetë vjeçarë, vinin nga rrethinat dhe fshatrat e thella dhe me ta duhej folur shumë thjesht. “Skënder,” i them, i merakosur. “Shiko, e di si është puna, ata fëmijë nuk kuptojnë fare nga piktura. Po pate mundësi  thjeshtoji pak gjërat. “ Për këtë merakosesh ti Gëzo,” më hodhi dorë mbi supe Piktori i Madh me një buzëqeshje njerëzore që nuk i ikën kurrë nga fytyra. “ E zgjidh unë atë punë. Do të m’i biesh në studio dhe ma lerë mua në dorë gjithçka.” Ai takim edhe pse kanë kaluar gati dyzet vjet ngeli i paharruar për të rinjtë e asaj klase, (më vonë shumë nga ata u bënë mjekë me emër dhe shëtitën botën), për mua por edhe për vet Skënderin. Me mënyrën e tij, Piktori i magjepsi me fjalët dhe sjelljen, megjithëse studioja gjysëm e suvatuar nga brenda e muret e rrjepura nga jashtë mezi i nxinte ata tridhjetë adoleshentë. “ Unë jam nga fshati, jam nga Kuçi i Vlorës. Mos më shikoni kështu me penel në dorë, me beretë e kollare. Fshatar jam unë si ju, ama kam punuar, kam punuar si “derr” ( fëmijët u gajasën së qeshuri) për t’u shkolluar dhe siç e shikoni, punoj e studioj ende. Asgjë nuk bie nga qielli. Natyrisht që mua talentin ma fali zoti, por ama kam pasur shokë më të talentuar dhe nuk arritën të shkojnë më tutje se një mësues vizatimi. Prandaj fëmijë punoni të bëheni mjekë se për mua mjeku është një artist, që ta ndihmoni këtë vend që ka shumë nevojë për ju.” Shpjegoi me fjalë të kursyera, që piktura është ngjyrë, është emocion, është krijim, është vëzhgim, mesazh, por nuk zuri në gojë Piktori i Popullit as fjalët “parti” as “Enver” e as “mësimet e partisë”, që për atë kohë ishte detyrim. Ndërkaq me një laps mbi telajo shkarraviste papushim ndërsa fliste. “ E dini pse është e bukur piktura edhe kur e bën me laps mbi fletë të bardhë? Pse aty mund të pikturosh edhe këtë mësuesin tuaj të ri ashtu si ju nuk e njihni.” Mori letrën e bardhë dhe e ktheu nga nxënësit, që shpërthyen si një gojë e vetme në të qeshura të zhurmshme. Ishte nga ato karikaturat miqësore që piktorët i krijojnë shpejt e shpejt, ama duke theksuar në mënyrë të ekzagjeruar diçka nga karakteri i njeriut që vizatojnë. Nuk u ndamë më me Skënderin, qysh atëherë. Sidomos pas vitit 97-të, mbasi na “përzunë” nga Vlora. Në vitet 2000-2007  kishte një studio aty pas Kishës Katolike, në rrugën “Him Kolli.” Ishim përkohësisht komshij, ai në një studio me qera, unë gjithashtu në shtëpinë e pestë me qera. Shpesh vinin dhe të tjerë veçanërisht, miku ynë i përbashkët, piktori Nestor Jonuzi, nja katër a pesë vlonjatë dhe bisedonim për gjithçka: për pikturën, letërsinë, artin, dhe natyrisht për mallin tonë të përbashkët, Vlorën tonë të dashur. Pasi rrëkëllenim ca gota Skënderi, merrte kitarrën që e mbantë gjithmonë në studio dhe këndonim.  Kënga duhet thënë na shkonte “gjym.” Kur e gjeja vetëm të kredhur në punën e tij, hapja derën me kujdes dhe ulesha mbi një karrige shtrembaluqe, pa folur. Ndodhte që prisja edhe një orë, duke e soditur ndërsa punonte pa kthyer fare kokën. Për mua ishte kënaqësi e pafund, kur e shikoja ashtu me penel në dorë, herë duke iu afruar, herë duke iu larguar telajos, duke picëruar sytë, duke pëshperituer me vete. “Më fal Gëzo, se isha duke punuar. Ke shumë që ke ardhur?- me fliste gjithë dashamirësi. “Tani sa erdha”, përgjigjesha. “ Po ti vazhdo, puno!”  “Po si do të punoj unë,” më thoshte “kur më ka ardhur mysafir një shok?” Mbushte pa më pyetur dy gota me “ujë të bekuar”, vendoste mbi tavolinën të vogël e të vjetër, (edhe ajo si karrigia shtrembaluqe) dy pjata, një me bajame (ndonjëherë mjaltë) një me arra dhe opa: “ Hajt gëzuar, mirëse më erdhe!”. Një njeriu të tillë është e kotë t’i bësh naze, t’i thuash, do rri pak, nuk pi raki, kam një punë etj. etj. Mundohesha gjithë takt ta “vërtisja” që t’i merrja (i kam “marrë” disa të tilla) ndonjë pikturë me çmim të arsyeshëm. Skënderi e pikaste dhe më thoshte: “Të pëlqen? Merre! Jep sa të duash, kur t’i kesh.”  Mundohesha (dhe mundohem) të mos përfitoja nga bujaria dhe shpirtëmadhësia e tij jo e zakonshme, sepse e dija që ai pas viteve ’90-të, veç shitjes së pikturave nuk kishte të ardhura të tjera. Dhe kishte halle që ai nuk i thoshte por unë ia dija dhe kërkonin shpenzime të mëdha. 

Dy tablo të tij, që i kam ndjekur nga A-ja te Zh-ja, do të më ngelen në mendje. “ Otranto 1997” dhe “Skënderbeu mbi kalë.” Sa herë që hyja në studio, kur punonte tablonë, “Tragjedia e Otrantos” e gjeja shumë të ngrysur dhe të trishtuar…  Shikoja detin e egërsuar me atë blunë e shkumbëzuar dhe njerëzit me sy të “shqyer” si kryqe të mëdhenjë e të vegjël, që zhdukeshin dalëngadalë nën sipërfaqen e errët e të trazuar të ujit të kripur. Nga tabloja transmetohej një dhimbje që vështirë të mos e kuptoje, gati e papërballueshme. “ Skënder,” i thashë një ditë: “ Kaq shumë vuan? Kaq afër e ndjen vdekjen, që hedh në telajo vetëm ngjyra të errëta, njerëz me sy të venitur dhe ata trupa, të deformuar nga dhimbja, që duken se i janë dorëzuar vdekjes  pa bërë asnjë përpjekje për të shpëtuar? “Kam gruan, Lilon, shumë sëmurë, Gëzo,” më tha me sytë e përlotur. “Lilo do të shërohet” i thashë për t’i dhënë kurajo. “Por ngjall një fije shprese te ata që po mbyten, jepu pak dritë ngjyrave se ka dalë gjithçka gri në të zezë. Ti e di që ata nuk u mbytën të gjithë dhe disa shpëtuan.” Falë zotit Lilua, gruaja e tij e mrekullueshme me kurajon e saj prej trimëreshe, me ndihmën e jashtëzakonshme të Skënderit dhe të fëmijëve e përballoi me sukses sëmundjen, por në pikturën “Otranto1997” mbeti ai pikëllim  i madh gri, që të jep përshtypjen se për një çast jeta ka ndaluar.

“Gëzo nuk është Skënderbeu. Ky është Shën Gjergji. Kam studiuar shumë  për Skënderbeun para se të filloja ta pikturoja. Madje edhe në gjermanisht dhe ky është ai i vërteti që unë përfytyroj. Do ta vesh të gjithin në ar, në flori, që ndriçon kur kalon dhe i jep shpresë njerëzimit.” Dhe ashtu e bëri ai Heroin Kombëtar në një telajo të madhe me madhësi natyrale. Një Skënderbe si në asnjë pikturë tjetër. Jo trupmadh, i bërë njësh  me kalin e vet, që i lëshonin xixa  patkonjtë, duke fluturuar mbi ushtrinë turke, një Skënderbe duke mbjellë vdekjen ndër armiqtë, lavdinë për vete dhe kombin, me shpatën kërcënuese në krahun e zhveshur, me flokët e gjata pak të thinjura të valëvitura nga era, me hundën shqiponjë në profil, flamurin e shpalosur me një të kuqe të papërsëritshme dhe shkabën e zezë në mes… Një figurë e gjitha në ar që tejkalon kohën dhe shndrit e shndrit pambarim. Sa herë kaloja nga studioja gjeja gjithmonë detaje të ndryshuara. “ Sikur e kishte pak të harkuar shpatën tani e ka shtrirë plotësisht,” e ngacmoja. Fillonte pastaj të më shpjegonte me një pasion të madh, karakteristikë e shpirtit të tij optimist, pa u ndalur, që pse shpata në atë rast duhet të jetë jo e harkuar, por drejt qiellit, që ka filluar të hapet në blu pas shpërndarjes së tymit e zjarrit, se po kalon ai ‘Shën Gjergji” “zulmëmadhi”me shqiptarët e vet dhe prapa tij ka vetëm “fitore” dhe “diell”. Kështu ka pikturuar, pikturon dhe do të pikturojë miku im, Piktori i Popullit, Skënder Kamberi edhe tridhjetë, edhe shtatëdhjetepesë edhe njëqind vjeç. Këto rreshta  janë një portret i “vockël” për një Piktor e Njeri të Madh si Skënder Kamberi. Jeta e tij është një tablo gjigande, ku miqtë dhe studiuesit mund të hedhin pambarimisht ndonjë “penelatë.”, është si një pazëll që do të vazhdojë të plotësohet e plotësohet nga këto penelata plot ngjyra, jetë e kujtime, ku të spikasin vlerat, dashuria për artin, njerëzit dhe qytetin e tij të dashur Vlorën.

Filed Under: ESSE

AMBASADORI I “PUSHTETIT TË BUTË”

March 16, 2022 by s p

Frank Shkreli/

Është kënaqësi që gjëndem përsëri në Qëndër të Federatës Pan-Shqiptare Vatra – themeluar nga dy prej penave më të ndritura të letrave shqip, Peshkop Fan Nolit dhe Faik Konicës, ambasadorit të Shqipërisë në Washington nga 1926-1939.

Sa i përshtatëshëm dhe me vend është fakti që jemi mbledhur sot këtu  për të nderuar një ambasador tjetër të Shqipërisë të periudhës post-komuniste, Ambasadorin Mal Berishën me promovimine veprës së tij më të fundit, “Ambasador i Pushtetit të Butë”  —  një pasqyrim i veçant i jetës dhe veprimtarisë së tij diplomatike shumë vjeçare në shërbim të interesave të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, pasi siç shprehet edhe ai vet, kur thotë i Shqipërisë, nënkuptohet edhe Kosova si pjesë e saj e pa ndarë.

Fjalët e mia modeste sonte për veprën e Ambasadorit Berisha nuk janë një recension bona fide — per se — pasi versioni PDF më pak ditë më parë, në prak të një vizite disa ditëshe në Washington nga ku sa po jam këthyer. Por jam këtu, i nderuar dhe i privilegjuar, për të përshëndetur mikun tonë Mal Berishën për veprën voluminoze, një pasqyrim i përvojave të tija diplomatike disa vjeçare.Por, bëra ç’mos të isha sonte këtu — në kryeqëndër të Federatës Pan-Shqiptare Vatra të shqiptarëve të Amerikës dhe të mbarë Kombit për tu njohur më mirë meveprën më të fundit, për të nënvijuar, nga ana ime, respektin që kam Ambasadorin Mal Berisha si njeri, si shqiptar dhe si diplomat gjatë viteve në shërbim të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar.

Libri i Z. Berisha mund të jetë i pari i këtij lloji me titullin “Pushteti i Butë”, por jam i bindur se në historinë shqiptare ka pasur figura atdhetare që e kanë ushtruar këtë llojë “pushteti të butë”, për realizimin e objektivave rë tyre. Ky muaj shënon përvjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit (2 Mars 1925), përvjetorin e vdekjes së Fan Nolit (13 Mars, 1965) dhe përvjetorin e lindjes së Faik Konicës. Fan Noli në elegjinë e tij kushtuar Luigj Gurakuqit pas vrasjes së tij e quan patriotin shkodran, “gojë mjaltë e zemër hekur”.  Ndërsa fjalimi i Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë bëri aq bujë në botën e atëhershme evropiane sa që gazeta amerikane Nju Jork Tajms e kishte cilësuar si një fjalim piktoresk me fjalë bindëse. Ndërsa në kohët moderne, kush më mirë se Dr Ibrahim Rugova personifikon fjalët “pushtet i butë”, “gojë mjaltë” por edhe bindës, në diplomacinë e tij për lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova.Mënyra se si Dr. Rugova siguroi mbështetjen e botës dhe ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës ishte ndoshta mënyra më e përsosur për një entitet të okupuar, që nuk ishte shtet, as nuk kishte ushtri as polici e ekonomi jo se jo – për të projektuar para botës vlerat, kulturën dhe përvojën e rëndë por krenare të historisë së shqiptarëve në trojet e veta – ishte diçka vërtetë e mrekullueshme dhe fatlume për Kosovën dhe për shqiptarët.Në mungesë të pushteteve të tjera, përveç mbështetjes së fortë të popullit të Kosovës,  “Pushtetii butë”,për Rugovën ishte ushtrimi i këtij pushteti në veprim!Ishte ndoshta shembulli më i mirë i përdorimit të “pushtetit të butë”, moral dhe njerëzor, në historinë e shqiptarëve dhe më gjërë.

Shumica e njerëzve mund ta konsiderojnë detyrën e ambasadorit, në shërbim të interesave të vendit të vet, si një profesion me shumë prestigj dhe shumë ambasadorë, qofshin ata shqiptarë ose të vendeve të tjera, e përqafojnë atë detyrë, si një nder dhe privilegj të madh t’i shërbesh Kombit tënd në një vend të huaj, “një jete tëtërënëshërbimtëpakursyerndajvendittonë”, siçshprehetautori.  Edhe është e tillë, por nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos për familjet e diplomatëve. Veçanërisht, për ambasadorët shqiptarë. Nuk e di si ishte jeta e ambasadorëve shqiptarë në kohën e komunizmit, por në periudhën e demokracisë, e di se nuk ishte dhe nuk është as sot edhe aq e lehtë, sidomos nga pikëpamja ekonomike.

Prandaj, përdorimi i “pushtetit të butë” mund të ishte edhe e vetmja mënyrë për Ambasadorin Berisha dhe të tjerë si ai, për të shprehur talentet, energjinë dhe emocionet, në shërbim të Atdheut.

Ambasadori Mal Berisha ishte, pra, njëri prej atyre ambasadorëve shqiptarë që gjatë karrierës së tij diplomatike ka kontribuar me punë të mëdha dhe të vogëla, por të vyera, duke përdorur “pushtetin e butë” dhe “gojën e embël”, për të projektuar interesat e vendit që përfaqësonte në botën e huaj.

Ambasadori Berisha, karrierën diplomatike e filloi, i ardhur nga një botë kulturore e artistike gjë që bëri të mundur që Ambasadori i ri të kishte mundësi – siç thotë edhe vet, të “ndërthurte përvojën e mëparshme me punën e diplomatit”.  Siç duket, kështu lindi “diplomacia kulturore” dhe libri me titull: “Ambasadori i Pushtetit të Butë”.Ashtu si edhe veprat e tjera të autorit, libri i fundit, “Ambasador i Pushtetit të Butë”, është me një rëndësi të veçantë, për historinë, por sidomos për diplomacinë shqiptare është një kontribut i shënueshëm.Një libër i çmueshëm, sidomos për nga dëshmitë personale për një periudhë plot lëvizje e ngjarje të rëndësishme diplomatike për Shqipërinë dhe Kosovën.

Dikush mund të pyet, more ç’është kjo frazë “pushtet i butë” dhe nga e ka origjinën. “Babai”, si të thuash i kësaj fraze, është akademiku amerikan Joseph Nye Jr., i cili ishte i pari që paraqiti këtë koncept të “pushtetit të butë”, në vitin 1990. Z. Nye e përcaktoi “pushtetin e butë”, si një mundësi për të siguruar atë që dëshiron nepërmjet një diplomacie të butë dhe jo nepërmjet kërcënimeve dhe ultimatumeve. Profesor Nye ka thenë se “pushteti i butë” mund të zhvillohet nepërmjet marrëdhënieve me aleatët, ndihmës ekonomike dhe shkëmbimeve kulturore. Ai ka thënë  se përdorimi i diplomacisë kulturore ose “pushtetit të butë” do të rezultonte në një opinion publik më të favorshëm për vendin që përdor këtë koncept të marrëdhënieve edhe në zhvillimin e politikës së jashtme. Është pra një mënyrë për të influencuar ngjarjet duke e bindur kundërshtarin për qëndrimin tënd, pa pasur nevojë të përdoret fuqia ushtarake ose sanksionet ekonomike – sidomos kur është fjala për një shtet të vogël siç është Shqipëria.  “Pushteti i butë”, sipas Prof. Nye, është edhe më i rëndësishëm sot për arsye të globalizmit dhe revolucionit në fushën informatike. Por, për një vend të vogël si Shqipëria — pa një forcë të konsiderueshme ushtarake ose financiare për t’i imponuar dikujt vullnetin e saj — “pushteti i butë”, mund të jetë mënyra më efektive për zhvillimin e diplomacisë.Ky, është pra edhe thelbi i librit prej 500 faqeshi Mal Berishës ku ai e shpjegon më së miri këtë koncept të diplomacisë kulturore.

Joseph Nye e ka përkufizuarpushtetin e butë si “aftësinë për të siguruar atë që dëshiron nëpërmjet diplomacisë dhe jo nëpërmjet shtërngimit ose  shantazheve”. Ai ka theksuar gjithashtu se fuqia e butë “mund të zhvillohet nëpërmjet marrëdhënieve me aleatët, ndihmës ekonomike dhe shkëmbimeve kulturore”. Ai ka argumentuar se përdorimi i “pushtetit të butë” në politikën ndërkombëtare, do të rezultojë në “një opinion publik më të favorshëm dhe besueshmëri jashtë vendit”, për shtetin që e përdorë atë. Besoj se ky është edhe përfundimi në të cilin ka ardhur Mal Berisha, bazuar në përvojën e tij diplomatike të përshkruar në librin e tij, Ambasadori i “Pushtetit të Butë”, një libër për tu lexuar edhe nga diplomatët e rinjë shqiptarë, si një manual udhëzues i zhvillimit të diplomacisë kulturore në të ardhmen.

“I dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë…është një titull i padëmshëm por nuk përputhet fare me realitetin. Në ditët tona, të dërguarit nuk gëzojnë fuqi të plota. ata duhet të kërkojnë udhëzime  për çdo rast, shkurt ata nuk janë fuqi plotë; megjithse ndonjëherë , duke qenë njerëz,  qëllon të jenë të jashtëzakonshëm”. (Thënje e Faik Konicës, cituar në librin e kolegut tim nga vitet tona në Zërin e Amerikës, Ilir Ikonomi).

Miku i ynë Ambasador Mal Berisha (ashtu si të gjithë ambasadorët kudo në botë) mund mos të ketë qenë fuqiplotë, siç thotë edhe Konica, por qëllon të ketë qenë i jashtzakonshëm, si ushtrues i pushtetit të butë në shërbim të Atdheut të vet dhe si përfaqësues i denjë i diplomacisë kulturore të shqiptarëve.

Me këtë vepër, Ambasadori Mal Berisha kryen një detyrë ndaj vetvetes por edhe kundrejt shumë kolegëve të tij diplomatë aktualë dhe ish-diplomatë shqiptarë – kryesisht i shtyrë — siç shkruan edhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme, të Shqipërisë,  Z. Besnik Mustafaj — “nga dëshira për të pohuar se, (Ambasador Mal Berisha), duke i shërbyer Shqipërisë, ka arritur të ketë edhe për veten e tij një jetë të bukur me gjithë andrallat e saj, gjë që i shkon një burri të realizuar”. Një burri malësor që i ka hije, do të thosha unë!  Urimet e mia i nderuar Z. Ambasador Berisha!

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza

“AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË”, PROMOVIM MADHËSHTOR NË VATËR

March 16, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York me 15 Mars 2022, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra organizoi një promovim madhështor të librit të Ambasador Mal Berishës “Ambasador i pushtetit të butë”. Studiues, vatranë, miq, media, artistë, diplomatë e personalitete shqiptare në diasporë, drejtues shoqatash të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë nderuan me pjesëmarrjen e tyre aktive duke e kthyer këtë promovim libri në një festë të vërtetë libri e takimi mes miqsh, patriotësh dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. Nën drejtimin e gazetares Marjana Bulku dhe organizimin ekskluziv të Vatrës e Diellit, ky promovim shënoi një rekord për nga pjesëmarrja, interesi, kumtesat shkencore dhe mesazhet e forta diplomatike në një kohë kur bota vuan mungesën e diplomacisë aktive dhe paqes globale. Me pjesëmarrjen e posaçme të Ministrit Shqiptar të Diasporës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Dr. Xhemail Çupi, të Shoqatës Atdhetare Dibra, Shoqatës Kraja, Skenderbej, Batalioni Atlantiku, Open Hands, Shkolla Shqipe e Bronxit, Shkolla Shqipe Children Of the Eagle, Liga Shqiptaro-Amerikane e shumë pjesëtarë të organizatave e shoqatave shqiptare nderuan me pjesëmarrjen aktive në promovim duke treguar edhe një herë se Vatra është lokomotiva tërheqëse e krejt komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miq të veçantë të Ambasador Berishës në këtë promovim ishin edhe Orhan Sakiqi, Bashkim Ahmeti – Izano dhe Pranvera Ahmeti. Fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj i cili kujtoi njohjen me Ambasador Mal Berishën dhe kontributin e tij në dobi të çështjes së Kosovës dhe shërbimin që i ka bërë Mal Berisha çështjes kombëtare e shtetit shqiptar me veprimtarinë e tij diplomatike e patriotike. Libri “Ambasador i pushtetit të butë” erdhi në Vatër pas një serie promovimesh në Tiranë, Durrës, Korçë, tregues ky i rëndësisë dhe efekteve ndikuese që kjo vepër ka në mjediset akademike, mediatike dhe pa dyshim edhe në  ato diplomatike. “Pushteti i butë ambasadorial në kushtet e një realiteti kërcënues plot konflikte ndërkombëtare, kriza, pragluftë, e bën edhe më të domosdoshme këtë lloj diplomacie të butë pasi siç pohojnë manualet e shkencave politike fuqia e përqëndruar  në vlera dhe parime është ajo që prodhon nder e normalitet dhe jo frikë e terror siç ndodh kur fuqia shtyp dhe kërcënon liri” theksoi në fjalën e saj gazetarja Marjana Bulku. Ky libër sipas zonjës Bulku përcjell mjaft mesazhe qytetarie në një  botë të trazuar ku çdo individ pavarësisht detyrave që ushtron mundet të jetë patriot që e do kombin, respekton bashkëkombasin dhe mbi të gjitha historinë e tij me çdo të vërtetë të bukur apo të hidhur. Autori sipas gazetares Bulku na mëson se çdokush mundet  të jetë “ambasador” i vendit të tij pavarësisht territoreve ku jeton apo funksioneve që ushtron. Gazetari Frank Shkreli në fjalën e tij deklaroi se Ambasadori Mal Berisha gjatë karrierës së tij diplomatike ka kontribuar me punë të mëdha dhe të vogëla, por të vyera, duke përdorur “pushtetin e butë” dhe “gojën e embël”, për të projektuar interesat e vendit që përfaqësonte në botën e huaj. Përdorimi i “pushtetit të butë” sipas z.Shkreli mund të ishte edhe e vetmja mënyrë për Ambasadorin Berisha dhe të tjerë si ai, për të shprehur talentet, energjinë dhe emocionet, në shërbim të Atdheut. “Miku i ynë Ambasador Mal Berisha (ashtu si të gjithë ambasadorët kudo në botë) mund mos të ketë qenë fuqiplotë, siç thotë edhe Konica, por qëllon të ketë qenë i jashtëzakonshëm, si ushtrues i pushtetit të butë në shërbim të Atdheut të vet dhe si përfaqësues i denjë i diplomacisë kulturore të shqiptarëve” tha ndër të tjera në fjalën e tij Frank Shkreli. Studiuesi Idriz Lamaj theksoi në fjalën e tij rëndësinë historike dhe shkencore që ka libri dhe mbi të gjitha u ndal në disa detaje të rolit të jashtëzakonshëm që ka pasur Mal Berisha si diplomat në dobi të çështjes së Kosovës dhe promovimit të vlerave kombëtare në shtet ku ka shërbyer. Editori epokal i Diellit z.Dalip Greca deklaroi në fjalën e tij se libri “Ambasador i Pushtetit të Butë” i diplomatit par exellent Mal Berisha i kalon kufijtë e një ditari me shënimet dhe mbresat e një diplomati,ai është më shumë se kaq, është një libër për dashurinë dhe devocionin ndaj Kombit, është një libër për diplomacinë dhe miqësinë, për historinë, humanizmin, mbi të gjitha siç ka titullin është një libër për Diplomacinë kulturore ose Pushtetin e butë, një libër që të mëson se si t’i duash njerëzit dhe vendin tënd me përkushtim dhe si t’i kapërcesh situatat e vështira pa u kthyer mbrapsht. “Në këtë libër voluminoz prej 537 faqesh, të organizuar në gjashtë kapituj-nga Kreu  1 tek 6-shti, shkruar me një stil original që e dallon autorin se është vetja, një stil rrëfimtar, emocional, përmes të cilit ambasadori Berisha e mbanë lexuesin të mbërthyer pas ngjarjeve, shumë prej të cilave të japin tronditje të fortë emocionale” citoi ndër të tjera z.Greca. Studiuesi Dr. Paulin Marku u shpreh në fjalën e tij se libri “Ambasador i pushtetit te bute” është një libër shumë i rëndësishëm dhe shërben edhe si një udhërrëfyes për diplomatet e rinj dhe të karrierës, gjithashtu edhe për studiuesit, albanologët, profesorët, polititologët, gazetarët dhe më gjërë. Jemi mësuar të lexojmë, libra, ditare, shënime e dokumente diplomatike me autorësi kryesisht te huaj, ndërsa sot kemi në dorë një libër të një diplomati të lartë shqiptar. “Në këtë libër autori është treguar i kujdesshëm dhe mjaft detajist qe te përshkruajë punën dhe rolin e një diplomati, qëndrimin dhe momentin e duhur se kur duhet  te ndërhyje një diplomat për çështje te caktuara, qe cenojnë apo dëmtojnë imazhin e atdheut. Libri trajton një gamë të gjërë të aktiviteteve të shërbimit diplomatik që nga udhëtimi i tij drejt Stambollit, te aktiviteteve diplomatike, kulturore dhe artistike, ku një vend te rëndësishëm zënë përkushtimi ndaj atdheut dhe çështjes se Kosovës e deri ne largimin e tij si diplomat. z. Berisha nuk reshti se promovuari kulturën dhe artin shqiptar qe nga Turqia, Britania e Madhe e deri ne Amerike. Ambasador Berisha ishte jo vetëm promovues i vlerave kombëtare por dhe organizator i takimeve e shkëmbimeve me qëllim promovimin e interest të kombit shqiptar” tha ndër të tjera studiuesi Dr. Paulin Marku. Ministri Shqiptar i Diasporës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Dr. Xhemail Çupi si pjesëmarrës nderi në këtë promovim theksoi rëndësinë shkencore të librit, rolin e diplomacisë në shuarjen e konflikteve dhe mbi të gjitha vlerësoi figurën e jashtëzakonshme të Ambasador Mal Berishës në Diplomacinë shqiptare. Ministri Çupi gjithashtu i dhuroi Vatrës një pllakatë mirënjohje në emër të shtetit të Maqedonisë, të cilën ia dorëzoi Presidentit të Nderit z.Agim Rexhaj. Në përfundim të kumtesave Ambasador Mal Berisha falenderoi të gjithë të pranishmit, Vatrën e Diellin për organizmin model dhe solli ndërmend detaje nga shërbimi i tij në diplomacinë shqiptare dhe episode që kanë shënuar rrugëtimin e tij diplomatik. Mbrëmja vëllazërore vazhdoi deri në orët e vona me një koktejl festiv të përgatitur nga patrioti Toni Musaj dhe biseda të gjata mes miqsh e patriotësh që e kthyen Vatrën në një shtëpi të vërtetë patriotike për të gjithë shqiptarët në mergatën e Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, Sokol Paja

SHOQATA ATDHETARE KRAJA MODEL ORGANIZIMI DHE VEPRIMTARIE NË SHËRBIM TË KOMUNITETIT DHE KOMBIT

March 16, 2022 by s p

Sokol Paja/


Në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra ishin për vizitë zyrtare drejtuesit e rinj të Shoqatës Atdhetare Kraja të cilët morën pjesë aktive në promovimin e librit “Ambasador i pushtetit të butë” dhe zhvilluan biseda konstruktive me drejtuesit e Vatrës dhe Editorin e Diellit për projektet serioze që kjo shoqatë ka në të ardhmen e afërt. Kryetari Sami Kanaqi së bashku me drejtuesit Musa Lukoliç, Armend Gjeçbritaj, Drita Popoviq dhe studiuesin krajan Hamid Alaj nderuan Vatrën dhe vatranët me vizitën e tyre dhe premtimin për një angazhim sa më të fortë në dobi të komunitetit shqiptar në Amerikë. Me rastin e vizitës zyrtare, kryetari Sami Kanaqi u anëtarësua në Vatër dhe kështu lidhja organike dhe bashkëpunimi i frytshëm mes kësaj shoqatë e Vatrës do të jetë e fortë dhe e përhershme. Vatra i shpreh mirënjohje të thellë drejtuesve të Shoqatës Atdhetare Kraja të cilët së bashku me Vatrën dhe shoqatat e tjera shqiptare në Amerikë e veçanërisht në New York do të bëjnë të mundur që çështja shqiptare dhe interesi i shqiptarëve në trojet shqipfolëse do të jetë kurdoherë në krye të veprimtarive, axhendave dhe angazhimeve primare të diasporës shqiptare në Amerikë.  Shoqata Atdhetare Kraja është e formuar që në vitin 1991 në Neë York, USA me synim mbajtjen gjallë të lidhjeve shpirtërore e tradicionale mes patriotëve krajanë që jetojnë në Amerikë dhe vendlindjes së tyre në Krajë. Në fokus të aktiviteteve dhe veprimtarisë së shoqatës është ruajtja e traditave kombëtare, ruajtja  e identitetit kombëtar shqiptar, ruajtja e gjuhës, forcimin e lidhjeve shpirtërore të patriotëve krajanë në vendlindje dhe mergatë. Shoqata Atdhetare Kraja ka një model organizimi të shkëlqyer dhe për organizatat e tjera shqiptare që veprojnë në Amerikë. Shoqata Atdhetare Kraja është shumë pranë veprimtarive patriotike të diasporës shqiptare në Amerikë ku ka marrë pjesë gjithmonë masivisht në të gjitha aktivitetet patriotike si festa e Flamurit Kombëtar, Pavarësia e Kosovës, Parada Shqiptare dhe organizime të tjera atdhetare në New York, Uashington, New Jersey etj. Kjo shoqatë kryen aktivitete bamirësie, patriotike dhe edukative në vendlindje duke promovuar talentet nëpërmjet dhënies së bursave për studentët. Shoqata Kraja çdo vit organizon Piknikun dhe  festivalin e fëmijëve të titulluar “Tradita” ku këndohet, kërcehet dhe vallëzohet vetëm shqip. Kjo shoqatë loboi në Uashington te instancat qeveritare shqiptare dhe amerikane për hapjen e pikës së kufirit Zogaj-Skje në Shkodër. Shoqata Kraja mori pjesë aktivisht në promovimin e librit për “Veshjen e Nuses Krajane” të studiuesit krajan Hamid Alaj, ka marrë pjesë në Kuvendin e Vatrës si edhe në festimet për Nënë Terezën në Vatër. Shoqata Atdhetare Kraja është një prej shoqatave më të organizuara dhe aktive në komunitetin shqiptar në New York.  Në mandatin dy vjeçar struktura e re e Shoqatës Kraja është me këtë përbërje: Kryetar: – Sami Kanaqi, Nënkryetar:  -Venera Gjenashaj, Musa Luka, Sekretar: -Armend Gjeçbritaj, Drita Popopviq, Agim Gjenashi, Arkatar: -Urim Draga. Programin Vallzimin për fëmijë do ta udhëheqin Venera Gjenashaj dhe Teuta Draga. Aktivitetet Sportive janë nën drejtimin e Bekim Berjashit ku me datë 15 maj 2022 do të organizohet një turne memorial në futboll në New Jersey kushtuar të ndjerit kapitenit legjendar të Krajës prof. Xhafer Cuka. Pikniku vjetor do të jetë nën drejtimin e Safet Doçit. Lulzim Popi do të jetë organizator i mbrëmjeve muzikore për grumbullimin e fondeve për nevojat e Shoqatës. Koordiantore për bashkëpunim me shoqatat shiqiptaro amerikane është Dafina Demiri. Koordinatore për bashkëpunim mes Shoqatës Kraja dhe shoqatave ndërkombëtare me seli në Shqipëri zonja Xhuljeta Perashi. Shoqata Kraja ka falenderuar dhe shprehur mirënjohje të gjithë aktivistëve ri e të vjetër të cilët kanë kontribuar në aktivitete komunitare dhe patriotike të Shoqatës Atdhetare Kraja. Fokusi i punës 2 vjeçare do të jetë perspektiva për të rritur fodet për bursat e studentëve, bashkëveprimi me faktorë të rëndësishëm në komunitetin shqiptar për të avancuar çështjen kombëtare dhe forcimi i lidhjeve me shoqata që forcojnë bashkëpunimin dhe angazhimin për të mirën e shqiptarëve në Amerikë dhe trojet shqipfolëse.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2353
  • 2354
  • 2355
  • 2356
  • 2357
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT