• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Njeriu që ktheu në realitet ëndërrat e Nolit dhe diasporës shqiptare në SHBA

March 15, 2022 by s p

Nga Bejdo Malo/

Tiranë më 13 mars 2022- “Kam një ëndrr, nuk di nëse do t’ja mbrrij ose jo, Shqipërinë etnike, që një ditë të bashkohet Shqipëria me Kosovën”. Kjo është ëndërra e shqiptarit më të madh të Amerikës, për nga rëndësia, mënçuria dhe kontributi rreshtohet me Fan Nolin dhe shqiptarët martirë të mbarë shqiptarisë. Është i vetmi shqiptar që ka dëshmuar në Kongresin Amerikan për të bindur administratën amerikane për krijimin e shtetit të Kosovës. Është inisjatori dhe kontribuesi më i madh në grumbullimin e fondeve për zgjedhjet e disa presidentëve, si për Roland Regan, Bill Klinton, për Xhon Kerrin dhe shtatë presidentë të tjerë. Është takuar dy herë me Fan Nolin dhe është një prej miqve dhe bashkëpuntorët më të afërt të Baba Rexhepit klerikut bektashin më me emër në SHBA. E gjeti disaporën shqiptare me probleme dhe përçarje duke i parë me shumë dyshim ata që arratiseshin nga Shqipëria dhe mbrrinin në SHBA. U bë faktor i rëndësishëm dhe bindi më skeptikët se ishte një patriot i madh një shqiptar i kulluar 24 karad dhe një filantrop që vinte nga aristokracia e vërtetë shqiptare. Është figura më e kompletuar e diasporës shqiptare duke arritur që 28 nëntori i çdo viti të ishte tubimi më i madh i shqiptarëve. Shumë i qartë dhe korrekt në çdo hap që ka hedhur në jetë duke fituar çdo sfidë të saj. 

Guximtari

Në rrethin e Kolonjës në krahun e djathtë të rrugës Ersekë-Leskovik, ndodhet një prej fshatrave martirë të kombit shqiptar. Kjo për shkakun se historia e tij para 1945, është e lidhur si mishi me kockën me patriotizmin shqiptar. Por historia pas vitit 1945 bëhet tragjike dhe shumë e komplikuar. Fashati me rreth 300 banorë, që u ngjan fshtrave zvicerianë, psoi një kalvar të gjatë persekutimi nga Petrit Dume dhe Josif Pashko si inisjatorë të e vëllavrasjes në Kolonjë. Shpallja si fshat i lidhur me Ballin dhe si mikpritëse e familjeve Butka herët me Sali dhe pastaj me Sali Butka, nuk mund të pajtohej tërësisht me komunizmin. Batalioni famëkeq “Hakmarrja” vuri në shinjestër familjet aeistokrate t fshatit Radanj. Në 1947, duket se kishte shkuar thika në palcë dhe nga fshati u arratisën dy vëllezërit Bardha dhe gjashtë të afërm të tyre duke kapërcyer kufirin nga mali Shelegunj. Familja Bardha mbeti vetëm me një nënë fisnike dhe dy djemtë e saj. Ekrem Bardha kishte parë me sytë e tij se si Petrit Dume dhe Josif Pashko kishin arritur që të masakronin një djalë vendi duke i prerë veshët, duart dhe kjo kishte mjaftuar që ai të ishte një patriot dhe shqiptar i vërtetë. Ekrem Bardha kishte lindur më 13 maj 1933, dhe ishte vetëm 14 vjeç kur vëllezërit e tij u arratisën. Mbi nënën e tij dhe vetë atë u lëshuan hodhitë e sigurimit të shtetit, duke tentuar që t’i përulnin duke i kërcënuar se do ti eleminionin nëse nuk do të pranonin që kur të vinte vëllai i tyre Samiu në shtëpi të njoftonin sigurimin. Por nuk ja arritën dot nuk ja dolën. Sami Bardha dhe tërë ata që donin të rrëzonin komunizmin kurrë nuk u tradhëtuan nga familja dhe të afërmit e tyre. Po me tradhëti sigurimi arrestoi në prill të vitit 1951, Sami Bardhën. Rrugëtimi dhe kalvari për të takuar vëllanë i Ekrem Bardhës dhe familjes së tij ishte një torturë. Kjo e detyroi Ekrem Bardhën që në 17 maj të 1953 të arratiset në Greqi, duke qëndruar për dy ditë në Koncë dhe për 60 ditë në Janinë në burg e pastaj në kampin e Llavas në Athinë ku qëndroi një vit dhe në 1954 në Gjermani në përbërje të kompanisë 4000. Dhe pas dy vjetësh emigroi në SHBA. Por drama kishte ndodhur tre muaj pasi ishte arratisur Ekrem Bardha vëllanë e tij në gusht e kishin pushkatur duke mbetur pa varr edhe sot e kësaj dite duke mos ju gjetur eshtrat. Radanj, ndodhet afër fshtrave Gërmenj, Podë, Vrëpckë, dhe kanë një popullsi diku tek 900 banorë. Radanj si drejtim kryesor të ekonomisë ka prodhimin e drithërave dhe rritjen e dhive. Kultivohet mirë fasulja pllaqi, një zej që dinë ta bëjnë vetëm banorët e kësaj zone. Krenaria e këtij fshati por dhe Kolonjës është Ekrem Bardha i cili është filantrop më i madh i mbarë shqiptarisë, biznesmen shumë i njohur shqiptaro amerikani që ka investuar miliona dollarë dhe Shqipëri. Ai është lideri i Frontit Kombëtar Shqiptar në Michigan, alias Balli Kombëtar,është ideator dhe bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), pronar për shumë vjet i gazetës Illyria duke investuar tek ajo miliona dollarë dhe duke e kthyer atë në trubunë të shqiptarisë. Dimesioni i tij i vërtetë është Shqipëria etnike . I vlerësuar për rolin si atdhetar në njohjen, pavarsimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është i vetmi shqiptar që të dëgjohet në Komisionin e Kongresit Amerikan për Kosovën, duke argumentuar para administratës Klinton, Sekretarrs Madelin Ollbrajt dhe Gjeneralit Westi Klark se krijimi i shtetit të Kosovës është e vetmja alternativë e shpëtimit nga shtypja dhe robëria serbe. Por ai është dhe një nga kontribuesit e mëdhenj në para së bashku me qindra mijëra shqiptarë të diasporës në Amerikë që siguruan fondet për lobimin dhe luftën në Kosovë. Ai është Konsull Nderi i Shqipërisë në Michigan dhe konsiderohet si shqiptari më të suksesshme në Amerikë. Krijues i restorantit “Piaca” në Tiranë ku qëndroi dhe Papa Françesku gjatë vizitës në Shqipëri dhe realizues i Kantinës “Bardha” në Marikaj , Vorë ku në vitet e fundit në një sipërfaqe prej pesë hektarësh me vreshta prodhon mbi 100 mijë shishe verë të markës “Bardha” nga të cilat 60 mijë verë e kuqe dhe 40 mijë verë e bardhë të cilat eksportohen. Marka e verës Bardha me simbolin e shqiponjës me dy krerë është vera me e mirë e prodhuar në Shqipëri me standarte të klasit të parë. Ekrem Bardha është mbreti dhe iniciator i rritjes së kualitetit në verërat shqiptare. Kauza politike e Ekrem Bardhës fillon në vitin 1956, dhe nuk ka reshtur asnjë ditë. Ai e ka ndarë çështjen me elitën më të lartë të politikës amerikane që ka vendosur fatet e botës. Ky fakt e bën më të veçantë Ekrem Bardha sepse ai është takuar me 10 presidentë të SHBA për kauzën shqiptare. Presidenti Ronald Reagan e siguroi atë pas një takimi që ai do të refuzojë ambiciet greke në Shqipëri me çdo kusht. Ndërsa kur u takua gjithashtu me Presidentin Bill Clinton para bombardimit të Serbisë nga NATO dhe u sigurua se Kosova do të çlirohet nga shtypja serbe. Ky është dhe sukesi më i madh i tij. Ekrem Bardha, si Konsull nderi i Shqipërisë në Miçigan, u bën thirrje shqiptarëve të vazhdojnë të jenë të bashkuar, të mos e braktisin Shqipërinë dhe u është gjendur shqiptarëve në çdo dramë e ftakeqësi. Këtë bëri dhe pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që goditi Shqipërinë. Veprimtari i palodhur dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan u bëri thirrje shqiptarëve të mos e braktisin vendlindjen. Dua që shqiptarët, thotë ai të bashkohen në kohë të vështira. Është rasti historik, sidomos i politikanëve në Shqipëri, që kanë krijuar një atmosferë negative, ose mund të them një urrejtje që të bashkohen. Dëshiroj që shqiptarët të bashkohen sepse historikisht shqiptarët kur janë bashkuar, kanë fituar dhe këtë ka si moto të misionit të tij Ekrem Bardha. Ai tërmetin e parë të jetës së tij quan Luftën e Koresë, e cila nxorri nga vëmëndja dhe axhenda e ditës Shqiplrinë e viteve 50-të. Ai priste që anglo-amerikanët të zbarkonin nga dita në ditë dhe kur filloi lufta e Koresë u arratis, pasi vemëndja e politikës ameriakne dhe botërore u zhvendos atje. U dëshpërua më shumë kur si pjestar i kompanisë 4000 misioni i tyre për shkak të luftës së Koresë u kthye në roje deposh. Kështu ai mori rrugën e Amerikës duke u shndërruar në faktorin numur një për çëshjen mbarë shqiptare. 

Çka ndodhur në 70 vjet

Para 70 vitesh Ekrem Bardha braktisi Shqipërinë, por jo përgjithmonë. Rruga e tij deri sa mbrriti në SHBA, është një histori më vete. Por shumë shpejt Ekrem Bardha në SHBA u shndërrua në protagonist. Pas rënies së komunizmit, ai ishte ndër investitorët e parë, në një kohë kur pak kush besonte në demokracinë e re të Ballkanit. Ai ka konfirmuar se kur u ktheva në Shqipëri pas 40 vitesh, e gjeta Shqipërinë sikur ishte Hiroshima, sikur i kishte rënë bomba atomike”. 89 vjeçari thotë se janë politikat jo të favorshme ato që mbajnë larg Shqipërisë investimet e huaja. Dhe një pjesë investuan, por atë investim e humbën për një kohë të shkurtër. Ekrem Bardha, si shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë, ka ndihmuar në çështjen kombëtare. Në takimet që ka patur me gjashtë presidentë amerikanë, veç mirënjohjes për punën e bërë nga Shtetet e Bashkuara, ai ka ngritur gjithmonë shqetësimet e komunitetit për mbrojtjen e çështjes kombëtare. Duhet të jemi krenarë, duhet të jemi mirënjohës. Në shumë raste, më vjen keq ta them por, nuk jemi aq të bindur dhe t’i japim meritat e vërteta Amerikës se çfarë ka bërë për vendin tonë, për Shqipërinë dhe pavarësinë e Kosovës. Mrekullia dhe lumturia në jetë është të jesh në Shqipëri, në vendin tënd konfirmon Ekrem Bardha sepse, është një vend i bekuar. “Kam dhe një ëndërr, nuk e di nëse unë do t’a mbërrij ose jo, që Shqipërinë etnike, të mos e harrojmë. Që Shqipëria dhe Kosova një ditë duhet të bashkohen” konfirmon ai herë pas here dhe në çdo intervistë që ka dhënë. Bardha u largua nga Shqipëria në vitin 1953, në moshë shumë të re, për të emigruar drejt Greqisë, Gjermanisë dhe SHBA-së. Në këtë të fundit, arriti të bëhej një biznesmen i suksesshëm. Por pas 38 vitesh emigrimi dhe pas rënies së komunizmit, Ekrem Bardha vendosi të rikthehej në Shqipëri për të hapur një biznes. Një nga kryeveprat e tij është libri “Afër dhe larg Shqipërisë”, ku në këtë libër Ekrem Bardha rrëfen jetën mes Amerikës dhe Shqipëris

Në moshën 19 vjeçare arratiset nga Shqipëria me nënën dhe dy vëllezërit e tij për shkak të keqtrajtimit që i bënte regjimi komunist familjes së tij. Në librin ” Afër dhe larg Shqipërisë “, që lexohet me një frymë ka përmbledhur kujtimet dhe përvojat që nga arratisja nga Shqipëria e deri deri suksesi i arritur në SHBA. Sukses do të thotë që të jesh i vendosur në disa parime kombëtare, për zgjidhjen e problemeve sepse si popull kemi patur shumë probleme por kemi arritur suksese , jo plotësisht por kjo është bërë me sakrifica. Sukses, më i madh pavarësia e Kosovës; sukses është ai që shqiptarët , falë Ekrem Bardhës janë në vendin e dytë pas Izraelitëve, si lobistë në SHbA, me kontributin e dhënë në shumë drejtime falë miqësisë së Ekrem Bardhës me palën amerikane duke arritur që sot të kemi një Koosvë të pavarur. Që sapo ka shkelur në SHBA sipas librit Afër dhe larg Shqipërisë” ai qenë gjithmonë në kontakt dhe shumë i intersuar por dhe shumë koaistent për problemet e shqiptarëve. 

Mesazhi i tij që ka dhënë tërë jetën por në librin e tij është që politikanët shqipzarë të mësojnë nga demokracia e SHBA-së, dhe atë ta zbatojnë atë.

Ai konfirmon se ka parë intersin e përgjithsshëm të shqiptarëve dhe nga ky kënd ka guxuar të flasë dhe veprojë me kurajo e guxim. Në librin e tij konfirmohet se ka qindra dhe mijëra shqiptarë, aktivistë të rinj të cilët janë kontribuar shumë për çështjen shqiptare. Babai i Ekrem Bardhës ka lindur në Konicë , dhe e kanë larguar grekët me dhunë siç është gjithë historia e Çamëve. Ata u vendosën në Leskovik dhe babai i vajzës që dashuroi babai i tij i vuri kusht që do tja jepte për grua nëse nuk do të emigronte. Në vitin 1953 ky guximtar u largua nga Shqipëria, nga diktatura komuniste, me familje, nënë e me vëllezërit dhe në fund arriti në SHBA. Aty punoi dhe patëm sukses sepse këtë të drejtë, Amerika u jep të gjitha kombeve , të gjithë popujve sepse ajo kështu është krijuar,është fati i të gjithëve që u jep Amerika.

Që nga viti 1956 , Ekrem Bardha ka takuar emra të shumtë dhe të njohur shqiptarë në vende të ndryshme, dhe ka diskutuar gjatë dhe hapur me ta se çdo të bëhet me shqipërinë. A do të kthehemi më në Shqipëri. Mirëpo, shumë nga ata i flisnin për Kosovën. Në një udhëtim në Francë ai takoi profesor Abaz Ermenji , dhe tregon se ai më tha:Se të gjithë shqiptarët duhet të angazhohen rreth çështjes së Kosovës. Më tej ai rrëfen se “Kur u ktheva në Amerikë , në profesionin tim si berber , në sallonin tim, vinin njerëz me shumë rëndësi, si psh, Vilijam Brumfilld ,kongresisti amerikan, shumë i rëndësishëm në Kongres si kryetar i Dhomës për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, pastaj senator dhe kongesistë të shumtë. Kështu fillova miqësinë me ta duke u thënë realitetin. Sepse amerikanët nuk duan gënjeshtra. Kur ata të besojnë, bëjnë çështë e mundur për ty dhe të ndihmojnë deri në fund. Kështu, bisedonja me kongresistin Brumfilld, sepse ai kishte bërë disa deklarata në Kongesin amerikan lidhur me këtë çështje. Madje edhe kolegët i tij i thonin: “Mos je i çmendur, kush është Kosova” sepse nuk dinin shumë për të. Pra, kongresisiti Amerikan, Brumfilld edukon kolegët e tij, flasim për vitet prej 1970 deri në 1980. Më kujtohet kur dhashë një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kur shpërthyen demonmstratat në Kosovë, dhe fola për të drejtat e njeriut në këtë vend. Kemi bërë shumë sakrifica duke vënë edhe jetën në rrezik sepse ish Jugosllavia ka qenë një shtet mjaft i privilegjuar nga Amerika dhe mbështetur nga administrata amerikane. UDB-ja ishte shumë aktive në Amerikë dhe vepronte për ti përçarë shqiptarët dhe për ti frikësuar ata.

Jo vetëm ai , por qindra shqiptarë u aktivizuam, punuam dhe sakrifikuam duke kuptuar se në fushtata parazgjedhore, për kongresistë e deri në presidentin amerikan duhet përkrahur, madje edhe me financa. Kështu filloi miqësia, jo vetëm si Ekrem Bardha, por qindra shqiptarë nga diaspora. Këtë e mundësoi demokracia Amerikane dhe Ekerem Bardha nuk deshtëtoi fitoi miq. Ai thotë se: “Kuptuam se duhet të japim edhe kontributin tonë financiar, gjë që është shumë reale dhe e njohur. Kështu filluan ato lëvizjet tona dhe kontaktet që rezultuan me këtë që kemi sot kur flasim për Kosovën ,si shtet i pavarur. Ai ka thënë se:” Të më thoshte dikush para 20-30 viteve se do të ndodhë kjo, të kemi një Shqipëri në NATO, do ti thonja “ti sje në rregull, sdo ta përjetoj këtë”. Andaj, kemi arritur një sukses që ne nuk mund ta imagjinojmë. Pra, sot me një shqipëri në NATO, me shpres se së shpejti do të hyjë edhe në bashkimin Evropian, pastaj me një Kosovë të lirë dhe të pavarur, me shpresë se do të gëzojmë të gjitha të drejtat si çdo popull, kudo që jetojmë. Sepse , ne si shqiptarë, historikisht asnjëherë nuk kemi qenë agresorë, nuk kemi sulmuar askënd por gjithmonë ishim të detyruar të luftojmë për liri”. Bashkëudhtarja më e vyer në rrugëtimin e tij në Shqipëri mbetet vajza e tij Donika Bardha që meriton një shkrim të posaçëm.

Filed Under: Opinion

U FESTUA DITA E VERËS NË NJU XHERZI

March 15, 2022 by s p

Dr. Bexhet Asani/

Në Qendrën Kulturore Shqiptaro Amerikane u kremtua dita e verës, dita më e hareshme e festave të motmotit. Këtë vit 2022 është viti i 6 që festohet dita e verës në këtë Qendër. Nismëtarë të kësa feste ishin prof. Bexhet Asani dhe Astrit Zhaku. Tanimë kjo festë për struganët është bërë traditë. Këtë vit (2022) për të festuar ditën e verës, morën pjesë mbi 300 fëmijë e të rritur. Zonjat strugane përveç qahijave, kuleçve dhe gurabijeve tradicionale që kishin përgatitur për ditën e verës, ato kishin përgatitur edhe ushqime strugane dhe ëmbëlsira. Gëzimi i fëmijëve ishte i madh, po ky gëzim shihej edhe në fytyrat e të rriturve. Në rajonin e Strugës dhe të Ohrit fëmijët shqiptarë shkojnë shtëpi më shtëpi në fshat për vezë të ziera apo të pa ziera, rrinë para derës duke imituar zogjtë ciu-ciu-ciu gjersa të dalë zonja e shtëpisë t’ u japë vezë, disa kokrra misër të zier, gështenja të ziera, mollë, sheqerka etj. Për të gjithë të pranishmit mësueset Zera Musli dhe Gonxhe Meta kishin përgatitur veroret apo martinkat siç i thonë në trevën e Strugës. Verorja (një pe i kuq dhe një me i bardhë të përdredhur) vihet te byzylyku i dorës së djathtë me qëllim që dora të mos ndalohet së punuari gjithë verës! Programin e udhëhoqi Faton Arifi. Përshëndeti kryetari Astrit Zhaku. Për rëndësinë e ditës së verës foli prof. Bexhet Asani. Në këtë festë të gëzuar të kryemotit ishin të pranishëm poetesha me origjinë çame zonja Arjana Fetahu Gaba, shkrimtarja Sabije Veseli, poeti dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z. Mhill Velaj dhe poeti Idriz Çelaj nga Kosova. Ata përshëndetën të pranishmit dhe uruan që kjo traditë shumë e lashtë të vazhdojë të festohet edhe në të ardhmen. Për pjesëmarrësit e shumtë përveç vezëve të ngjyrosura me lëvoret e qepëve u shtrua një drekë e begatshme sipas traditës.Festën e ditës së verës e përcolli kamermania e pasionuar Ike Bajrami.Në vazhdim po ju prezentoj një album me fotografi të ndryshme nga dita e verës në Nju Xherzi dhe në Strugë.B.A.

Filed Under: Mergata

FAIK BEJ KONICA, KY PRINC I KULTURËS DHE I GJUHËS SHQIPE

March 15, 2022 by s p

Sylejman Salihu/

Është marsi dhe madje është 15 marsi. Diku në orët e vona, derisa gjumi im po bënte eskursionin e tij galaktiave planetare, m’ u kujtua “miku”im i letrave FAIK BEJ KONICA. Ishte një bej dhe ishte një bej nga Konica, ajo tokë, tashmë e mbetur dhe e humbur nën Greqinë. Kur e kujtova këtë, vet kjo më ngjalli një trishtim. Sa njerëz të mëdhenj kanë lindur në tokat tona dikur, e sot ato toka nuk janë më tonat! Mund të themi se ishin, por s’ mund të themi se janë më. Pothuajse nuk ka vend ku të mos ketë një gjurmë shqiptare që dikur ishte e jona, të paktën në Ballkan. *Por le të ndalemi te Faik Beu. Kush ishte ai? Ka shumë që e lavdërojnë, ka të tjerë, madje edhe që e shajnë. Ç’ guxim i tepruar për ta sharë? Secili ka ndonjë arsye, por arsye për ta lëvduar ka më shumë se sa për ta sharë. Faiku mund të kishte shumë “kusure” siç thotë Noli, por kishte bërë edhe ca punë të mira e të mbara për Shqipërinë. Që i vogël u largua nga Konica dhe nuk u kthye më kurrë. Por përkundër që nuk u kthye dhe vdiq larg përtej Atlantikut,ai edhe frymën e fundit e kishte dhënë duke menduar dhe duke punuar për Shqipërinë, për atë tokë të shenjtë dhe të shtrenjtë. Për atë Shqipëri ashtu siç ishte, qoftë edhe e vogël, siç e coptuan europianët. E ai jetoi dhe punoi për të. Jetoi dhe punoi pafundësisht, siç ishte i bërë dhe i tërë. Mori dije gjithandej nga mundi dhe gjithandej nga shkoi dhe atë dije e vuri në përdorim për atdheun e tij, për vendin e tij, për lirinë e tij. Ai ishte një princ i madh i kulturës. Ishte i rrallë në sojin e tij në atë kohë. Ishte i veçantë në mesin e të veçantëve. Që i ri u vu në shërbim të atdheut. E donte shumë atdheun, prandaj edhe punonte shumë për të. “Albania”e tij, kjo kryevepër publicistike, a nuk ishte edhe një encikklopedi historike, kulturore, gjuhësore, letrare, politike, që u botua edhe për ta lexuar edhe të huajt? Kaq i ri dhe kaq entuziast të jetë njeriu për vendin e tij në dhera të huaja është e habitshme? Por edhe nuk thuhet kot, se duhet të jesh larg atdheut, që ta duash më fort atë, gjë që edhe vet ai e ka paraqitur në skicën eseistike “Mall’ i Atdheut”. Por intelektualisht këtë mund ta bënte vetëm një mendje siç ishte ajo e Faik Beut, që e donte atdheun e tij pafundësisht dhe dijen që kishte e përdorte për këtë atdhe. Por si e donte Shqipërinë ai? Ai e donte më të mirë, më të lirë, më të mbajtur, më zonjë. Nga kush? Nga njerëzit e saj. Nga ata njerëz, të cilët kapardiseshin me një pushkë në krah, por jo aq për të mbrojtur vendin e tyre, sa për të vrarë njëri-tjetrin edhe për hiç gjë, apo edhe për një kec siç do të thoshte Faik Beu. E Faik Beu i kritikoi dhe i qortoi shqiptarët pa kursim, fuqishëm me kamxhikun e tij të pamëshirshëm, sepse ai i donte ata më ndryshe, më të përparuar,më të qëruar, më të zgjuar, më trima, tamam me vepra dhe me të bëra e jo me fjalë si rrahagjoksa të mëdhenj. Ai i qortonte dhe i fshikullonte ata për fodullëkun dhe paditurinë, për përtesën dhe dembelinë, për budallallëkun dhe djallëzinë. Ai i qortoi ata, sepse ai i donte ata dhe sepse mbi të gjitha e donte Shqipërinë. E donte atë Shqipëri , fundja ashtu si ishte apo si u bë dhe politikisht e atdhetarisht punoi për të. Në kohën kur në Londër po mbahej Konferenca e Ambasadorëve në Londër, për fatin e Shqipërisë, kush mund të ishin më të denjë se Noli dhe Konica që të shkonin atje dhe ta mbronin ekzistencën dhe pavarësinë e Shqipërisë? “Si mund të jetë një vend i robëruar kur ka kaq njerëz të ditur?”- kishte thënë dikush atje. Sepse Faik Beu dinte të bënte mrekullira: me gjuhët dhe poliglotizmin e tij, që ishin aq të shumta, me stilin e tij, që ishte pikant, me dijen e tij, që ishte universale, me sjelljen e tij, që ishte aristokratike, me artin e tij, që ishte i një realizmi kritik, me kulturën e tij, që ishte për t’ u admiruar.Ai ishte një njeri erudit dhe enciklopedist. E kënaqësia e tij shpirtërore ishte muzika që aq çmendurisht e dashuroi dhe e njohu, sa ai e provoi edhe në Londër përpara Greyt, kur u ul në pianon e shtëpisë së tij dhe ekzekutoi ca partitura muzikore të një kompozitori nga fisi i tij i hershëm. A nuk ishte ai që e mrekulloi Apolinerin, kur ky i fundit thoshte se ai e flet frëngjishten më mirë se francezët, dhe a nuk ua korrigjonte edhe gabimet drejtshkrimore në frëngjishte vet francezëve, madje francezëve që merreshin me letrat në gazetari.Faik Beu, ky princ i gjuhës shqipe ishte i dashuruar në Shqipërinë dhe gjuhën shqipe dhe në një rast madje i kishte shkruar të vëllait Mehmet Konicës që të mos i shkruante me gabime, sepse pastaj ai vet Konica, vëllai i ministrit Mehmet Konica, nuk do t’ ia lexonte letrat fare të vëllait! Gjuha dhe atdheu ishin për të mbi të gjitha!Kaq i ashpër ishte ai, sepse e çmonte dhe e donte shenjtërinë e gjuhës shqipe, në të cilën shkroi mjerisht pak, por shkroi fatlumërisht bukur.I dashuruar në libra, sepse ishte bibliofil, ai kishte një bibliotekë të madhe personale tepër të rrallë për atë kohë. Gazetari amerikan Mabille Gennings një nga gazetarët e njohur amerikan të “New York Journal” kishte shkruar më 28 maj 1934 se: “Kënaqësinë me të madhe, përveç kur ka pranë miqt’ e tij, ministri e ndjen kur këndon libra me biografira dhe shënime kronologjike, që zgjeth nga libraria e tij e cila ka më shumë se 1200 libra dhe është nga më të plotat”. Ai kishte një dashuri të veçantë për artin e muzikës dhe kishte vesh të dëgjonte dhe t’ i shijonte kryeveprat botërore të kompozitorëve të mëdhenj. Kudo që kishte shetitur nëpër botë, së pari kishte vizituar koncertet nëpër sallat koncertale të botës apo kishat katolike për të dëgjuar kompozitorët e tij të preferuar si: Betoven, Bach, Moxart, kurse çmendurisht ishte i dashuruar në muzikën e Vagnerit dhe linte kokën pas tij, me të cilin edhe Noli, kur kishte vdekur Konica i kishte kërkuar organistit që të varrosej me muzikën e tingujve të Vagnerit, pikërisht në çastin kur do ta lëshonin në varr trupin e pajetë të adhuruesit të tij, Faik Bej Konicës. Ai kishte vërtetë një shije të hollë, madje mund të thuhet se ishte edhe sqimatar, një njeri, që edhe imtësirat më të vogla i vërente dhe i korrigjonte dhe nuk i duronte apo nuk i toleronte, sepse shija e tij ishte aq e hollë. Kishte shijen e një princi të salloneve të rralla dhe më aristokrate të Europës dhe Amerikës. I shkolluar në Shkodër, Stamboll, Bruksel, Londër, Dizhon dhe Uashington ai kishte marrë aq njohuri, sa të mund të quhej njeriu më i ditur i kohës dhe thuhej se se ishte i tillë madje edhe nga gjithë trupi diplomatik i ministrave në Uashington, kjo nuk kishte asnjë dyshim. A nuk e kishte thënë edhe Sotir Peci në një rast se Faik Konica ishte “enciklopedi që ecën”? Duke jetuar bashkë me Nolin në Amerikë, duke bashkëpunuar edhe për punët e mëdha të Shqipërisë poashtu bashkë me Nolin, Faik Konica ishte njeriu që e kishte frymëzuar këtë të fundit, madje ishte shndërruar një mësues shpirtëror. Vet Noli e thotë njëherë se i detyrohet shumë atij, madje duke e quajtur veten edhe nxënës i tij në fushë të letrave shqipe. Për të qenë më i besueshëm, le ta citojmë peshkop Nolin! “Të gjithë autorët shqiptarë, që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve.” A nuk e tregojnë këto fjalë se sa i madh ishte Noli dhe se sa i madh ishte edhe miku i tij, Faik Bej Konica, me të cilin edhe kishin polemizuar ndonjëherë, por edhe ishin takuar pastaj miqësisht, duke u ulur pranë e pranë kur e donte interesi kombëtar i Shqipërisë apo në takimet e veteranëve vatranë, siç kishte ndodhur në festimet e 28 nëntorit të vitit 1937. Madje gjatë një interviste dhënë Nelo Dizdarit Faiku ishte shprehur kështu: “Heronjtë e Homerit çkëmbejin fjalë të ashpra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s’ jemi si ata heronj, m’ u kujtuan,kur u poqa me një fytyrë, me të cilën kam luftuar aq shumë si shok edhe pak kohë si kundërshtar.”S.S. më 15.03.2022

Filed Under: Komente

AI NUK IKËN, DO TË QËNDROJË NË UKRAINË. ËSHTË LUFTA PËR EUROPËN…

March 15, 2022 by s p

– 7 pyetjet e poetit Dmytro Chystiak –

Nga Visar Zhiti/

Ai nuk ikën, do të qendrojë në Ukrainë. Është në Kiev, në shtëpinë e tij, i ka mbuluar dritaret me libra që të mos kuptohet brendësia e asnjë dhome, të mos tërheqë vëmedjen e bombardimeve të mundshme, tank apo avion, çdo çmenduri qoftë, që po vjen nga Rusia. Ai nuk është mbyllur në shtëpinë e tij për t’u fshehur, përkundrazi, është i lidhur jo vetëm me miqtë e shumtë që ka, por dhe jep intervista hapur në televione të ndryshme të Europës dhe tregon për luftën e pushtuesit rus dhe luftën e bashkatdhetarëve të tij në mbrojtje të Ukrainës, jo vetëm tregon, ai po lufton dhe vetë me përkushtimin, bën jo vetëm qendrestarin heroik, por dhe i bën apel heronjve dhe botës, Ukraina nuk është vetëm vendi i tij që po lufton me pushtuesin, por dhe pragu i qytetërimit europian, i kërcënuar nga ringjallja e atij përbindëshi perandorak me ëndrrën e keqe sovjetike. Dikur e luftuan së bashku bishën naziste, që pllakosi Europën, tani Rusia po bën atë që pësoi në Luftën II Botërore. Mos po kërkon ta risjellë atë luft:e q:e do të jetë apokalipsi i botës. Për më shumë shpresë, po shkoj në dritaret e shtëpisë së Dmytro-s, aty janë dhe mbi 65 librat e tij, të botuara në Ukrainë dhe në vendet e tjera, ku është përkthyer poezia e tij, jo vetëm pranë atdheut të tij, në Azerbaxhan e Rumani, etj, por në Francë e Itali, etj, në gjuhët e Ballkanit, në Serbi e Kroaci e Maqedoninë e Veriut (e Jugut për ne), etj, dhe para ca ditësh edhe në shqip nxora disa poezi të tij në disa në media dhe tregoja që përveçse shkrimtar i njohur, ai është dhe historian i artit dhe i religjionit, kritik letrar, frankofon i shkëlqyer dhe përkthyes, profesor në Universitetin Kombëtar të Kievit, që mban emrin e poetit të tyre kombëtar “Taras Shevchenko”. Dmitry Chystiak është antar në Qendrën Evropiane të përkthimit letrar në Bruksel, përgjegjës në Shtëpitë botuese ukrainase “Summit-Knyga” dhe asaj franceze “L’Harmattan”. Është dhe Sekretar Ndërkombëtar për Letrat e Akademisë në Universitetin Europian të Shkencave, Arteve dhe Letrave të Parisit. Është emëruar si Kreu i Urdhrit të Arteve të Ukrainës dhe Kalorës i Urdhrit Francez të Palmës akademike, etj, pra është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe tani, çdo ditë po merr çmimin më të lartë të Njeriut, të ndërgjegjes dhe moralit, jo vetëm të atdheut të tij, por të mbarë njerëzimit. Është ende burrë i ri, me një fytyrë e pastër që di të qeshë përzemërsisht, edhe tani, siç e kanë parë në intervistat televizive për luftën kundër luftës. Kështu e njohëm, serioz dhe të qeshur ose të qeshur seriozisht në Festivalin e Poezisë në Como, në Itali, që tani i duket sikur i përket një kohe të largët të një jete tjetër. Megjithëse tejet i ngarkuar me tragjeditë që ka sjellë lufta te dera, që edhe pse s’ka aq shumë ditë që ka filluar, duket si prej shekujsh, Dmytro Chystiak, aty në shtëpinë e tij nën gjëmimet e rënda përmes shkatërrimesh dhe vrasjes gjen kohë të përgjigjet, fisnik dhe në mesazhet që marr, falënderon për dhembshurinë vëllazërore dhe shqetësimet, për atë ankth që s’ia themi dot se mos vjen ai, çasti fatal ogurzi, kur nuk do të përgjigjet dot, që ai vetë e përmend sypatrembur, madhërishëm. Ja, sapo më shkruajti: “In Kyiv time is hard, today a house 10 mn from mine destroyed by rocket, but we still hoping to survave…” (Në Kiev koha është e rëndë, sot një shtëpi 10 minuta larg times u shkatërrua nga një rraketë, por ende shpresoj të mbijetoj… Ora 6.34 pasdite me orën e Shqipërisë, 14 mars).Tronditëse! Lutemi për të dhe Ukrainën e tij. Ç’eshtë kjo Ka 7 pyetje të shkurtëra përpara siç janë urdhrat në luftë, dhe ai po ashtu përgjigjet si në luftë, me informacionin e domosdoshëm për këdo, dhe për shqiptarët tani. I qarta si rreptësia. Me dije dhe qytetari. Brenda përgjigjeve ka guxim dhe shpresë, por fshihet dhe qortimi i përmbajtur i luftëtarit, me kumte të rëndësishme për sot dhe të ardhmen, jo vetëm të vendit të tij, ka dhe poezinë, me dashurinë njerëzore që beson të ketë fuqi të përtejme, që i mposht të gjitha vdekjet. Fjala për Dmytro Chystiak që nga lufta:1) Si është gjendja në Kiev? Sigurisht që jeta jonë ka ndryshuar gjatë këtyre 18 ditëve të luftës. Bombardime natë e ditë, vështirësi nga më të ndryshmet, por në krahasim me qytetet e tjera, Kievi është i mbrojtur mirë: kemi energji elektrike, ujë dhe gaz, shitoret dhe farmacitë janë të hapura. Sulmet masive të trupave ruse i kemi ndalur në rrethinat dhe tani ata duhet të përballen, edhe pse kanë marrë aty kontrollin e përkohshëm. Ne presim sulme të reja pas përforcimit të trupave ruse, por ato nuk do të jenë aq aktive sa sulmi i parë në fund të shkurtit dhe do të shtyhen gjithnjë e më pas nga ushtria ukrainase. Gjendja në rrethinat e kontrolluara nga trupat ruse është dramatike: njerëzit vriten, dhunohen, grabiten shtëpitë, muzetë, kishat shkatërrohen nga sulmet ajrore dhe artileria. Mijëra e mijëra njerëz janë shpërngulur në Kiev dhe rajone të tjera. Po kështu dhe nga qyteti i Irpinit që më parë ishte qendra e jetës kulturore dhe letrare, ku ne organizonim festivalin letrar ndërkombëtar Koçur. Tani atje duket se është një jetë tjetër…2) Çfarë mendoni për Presidentin Tuaj Zelenski?Njerëzit tanë në përgjithësi e mbështesin pozicionin e Presidentit Zelenski dhe të ekipit të tij. Disa diskutime që më parë ishin shenjë e shoqërisë demokratike në establishmentin politik Ukarainas, janë harruar tani për të përqendruar forcat sëbashku dhe për të shkatërruar pushtuesin. 3) Çfarë mendoni për atë që quhet Putin?Putin bëri një tjetër gabim të madh që do ta konsolidojë totalisht kombin ukrainas në rezistencën e tij ndaj të ashtuquajturës “botë ruse” me tentativat për gjenocid të popullatës sonë, që e shohim në vende të ndryshme si Mariupol, Kharkiv, Okhtyrka. Ai vazhdon politikën e Perandorisë Ruse dhe përpjekjet sovjetike për të shkatërruar kombin tonë, përpjekje që nuk patën sukses. Ne e dimë tashmë se lufta do të jetë një disfatë për të dhe për vite e vite nuk do të ketë më bashkëpunim të mundshëm mes vendeve tona. Kufiri midis Evropës dhe Azisë do të jetë kufiri ynë. Por përparimi historik nuk mund të ndalet. Vizioni i Putinit për botën është nga e kaluara dhe regjimi i tij duhet të shkatërrohet siç u shkatërrua Kartagjena. Nëse jo, ka për të qenë një kërcënim i vazhdueshëm për botën e qytetëruar. 4) A keni frikë?Kur shohim miliona ukrainas që luftojnë në ushtri, në forcat e mbrojtjes territoriale, në lëvizjen vullnetare, kur dimë se sa njerëz humbën familjet dhe shtëpitë e tyre, kur bombat fluturojnë ditë e natë, nuk ka kohë për frikë, por më së shumti si t’i ndihmojmë bashkatdhetarët tanë që ta përfundojnë këtë luftë me fitore. Unë e kuptoj më mirë përvojën e gjyshërve të mi që luftuan në Luftën e Dytë Botërore, ata e humbën frikën në atë epokë dhe kjo e ndryshoi gjithë jetën e tyre. 5) A jeni i vendosur për qendresën? Unë mendoj se shumica e ukrainasve po bëjnë çmos për të mbështetur bashkatdhetarët tanë për ta ndalur luftën dhe ne këtë po bëjmë tani. Kam marrë shumë propozime për t’u larguar nga Kievi për në Evropë, Amerikë dhe Azi, por mendoj se është më e dobishme për tani të qëndroj këtu dhe të ndihmoj Ukrainën që lufton me të gjitha mundësitë që kam.6) Çfarë mendoni se si po sillen Europa dhe NATO? Kohët e luftës tregojnë gjithmonë të vërtetën në botë dhe në jetën e përditshme: cilët janë miqtë tuaj të vërtetë dhe cilët janë spektatorët, cilët janë armiqtë tuaj dhe cilët nuk janë më miqtë tuaj. Ukraina falënderon të gjithë miqtë jashtë që na ndihmojnë me çdo mjet, megjithëse mijëra e mijëra civilë vriten nga avionët ruse, sepse qielli nuk është i mbyllur. Ju gjithsesi duhet ta kuptoni se, nëse Ukraina humbet, lufta do të vazhdojë në Evropë. Mundësia e katastrofës bërthamore në Çernobil dhe Energodar, të kontrolluar nga trupat ruse, është gjithashtu e mundur. Ndërkaq unë e di se me shekuj Ukraina ka qenë një pjesë organike e Evropës dhe më pas me shekuj e dominuar nga Rusia aziatike, gjë që ka ndikuar shumë tek ne. Por Revolucioni Portokalli, Maidan (Revolucioni pro europian më 2013-2014 në Ukrainë, shënim im, V. Zh.) dhe Lufta më sigurojnë që ne jemi kthyer tashmë në qytetërimin evropian. Është vetëm çështje kohe. 7) A do të tregoni për këtë luftë në veprat tuaja të ardhme? Unë mendoj se një shkrimtar duhet të përjetojë katastrofën për të kuptuar çmimin e jetës, të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, të dritës dhe të errësirës. Nëse mbijetoj, jeta ime dhe puna do të ndryshojnë me siguri. Ajo në fakt tashmë ka ndryshuar.FOTOT: Poeti ukranias Dmytro ChystiakDmytro Chystiak duke folur në një television të Europës për luftën tani…Kiev, mars 2022

Filed Under: Politike

Ministri Mehaj, priti në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të NATO-s, znj. Ariella Viehe

March 15, 2022 by s p

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të Divizionit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe. Me këtë rast, Ministri Mehaj e njoftoi znj. Viehe me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK si dhe planet për të ardhmen. Gjithashu, Ministri Mehaj e njoftoi edhe me bashkëpunimin e ngushtë me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) si dhe shprehu mirënjohjen e lartë për mbështetjen e deritashme për të gjitha proceset zhvillimore në Ministri dhe FSK. Në vazhdim, Ministri Mehaj me Znj. Viehe diskutuan për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Ministri Mehaj, përveç bashkëpunimit të shkëlqyeshëm, potencoi rolin shumë të rëndësishëm të NATO-s me operacionin KFOR në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Për angazhimet zyrtare të institucioneve të vendit, Ministri Mehaj e njoftoi znj. Viehe edhe me strategjinë aktuale shtetërore në funksion të proceseve integruese të Kosovës në NATO.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2354
  • 2355
  • 2356
  • 2357
  • 2358
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT