• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dashuria në kohёrat e kolerës” e Marques-it dhe një interpretim i tij me ndihmën e Freud-it dhe Fromm-it

February 12, 2022 by s p

Iris Halili

“Dashurinё në kohёrat e kolerës” e kam lexuar për herë të parë andej nga viti 1992. Tre vite mё vonё, fillova të jap leksione tё letërsisë moderne në Fakultetin e Historisё dhe Filologjisё, në Universitetin e Tiranës. Vendosa ta fus në program studimi kёtё libёr e për gati dhjetё vjet ua kam shpjeguar studentëve me tё njёjtin pasion. 

Këtu ndoshta do të doja të bëja një sqarim pasi, letërsia, sipas mendimit tim, nuk shpjegohet me formula tё ngurta e fikse. Fillimisht, ajo duhet ndier e, mё pas, duhet shpjeguar sa mё natyrshёm çka ndiem apo menduam. Në këtë proces tё gjatё analitik, marrin pjesё dhe ndёrthuren kaq shumë mendje e shpirtra. Sё pari, kёtu hyn kush e shkruan teksin letrar; pastaj, ai “dikushi”, që e ka frymëzuar e ndoshta ne s’do ta njohim kurrё; dukshёm na ndriçon edhe kush e përkthen; hyjmë të gjithë ne, lexuesit, me të gjitha pёrvojat dhe kujtimet tona; nё fund, të gjithë ata që nё mёnyrё tё drejtpёrdrejtё ose jo, dёgjojnё, lexojnё apo komentojnë njё tekst. Jemi tё gjithë sa të ndryshëm, aq edhe të veçantë, po na lidh diçka e pёrbashkёt: përpara teksit të autorit që, më shumë se na rrëfen, na bën të mendojmë, ndiejmë e përjetojmë njёsoj, falё asaj force që mund të ta japё vetëm letërsia.

Sikundёr për çdo kryevepër letrare, edhe për këtë roman, pёrpiqesha ta vendosja studentin në komunikim tё drejtpёrdrejtё me autorin. Nuk mё duheshin shpjegimet e lodhshme e cliché se çfarë kishte dashur të thoshte shkrimtari, apo tё tjera si kёto, po mё interesonte perceptimi i studentёve pёr ndёrtimin e karaktereve dhe kompozicionit tё veprёs. Po ne, si i pёrthyejmё mesazhet parësore apo dytësore tё librit?! E mbi të gjitha, çfarë mund të shohim përtej tyre? Ja, kёto ishin pyetjet qё mё ngacmonin. 

Në dërrasën e zezё shkruaja fjalinë hyrёse:“Ishte e pashmangshme: era e bajameve të hidhura i kujtonte gjithmonë fatin e dashurive të penguara”. Dhe fjalinë e fundit:“Tërë jetën!”, tha ai.  

U sqaroja studentëve se çdo mendim apo ndjesi që kishin ndeshur në katёrqind e shtatёdhjetё faqet e romanit, në fakt, e kanë të përmbedhur në këto dy fjali që, në mënyrën më metaforike, përcjellin edhe idenë kryesore. Sa mё shumë pengohej nё realizimin fizik tё dashurisë sё tij figura qёndrore, Fiorentino Arisa, aq më thellё zhytej ai në ndjenja. Sigmund Freud-i ka një teori të tërë për këtë fenomen shpirtëror. Pёrshkruhet dhe pёrmblidhet, pak a shumё, si forca e një instikti qё rritet me mosfunksionimin e tij.

Nuk marr përsipër të them se kam lexuar të gjithë librat e shkruar për dashurinë, po them që kam lexuar më të mëdhenjtë autorë të dashurisë apo mitet më të bukura pёr tё. Po nuk kam gjetur kurrё nё një tekst të vetëm letrar, apo jo letrar, qё të jenë përfshirë të gjitha format me të cilat mund të shfaqet dashuria, si te Marques-i. Te ky libёr i has tё gjitha mënyrat si mund të jetojë, tё vuajё, përtërihet, rikthehet, rilind, tё shuhet, apo tё vdesё dashuria. Në mitet antike, apo tek autorё tё mёdhenj si Dante, Shakespeare, Tolstoj, Čechov, Remarque, Cohelho, mendoj se kam gjetur edhe përshkrimet më të ndjera të dashurisё me të gjitha ngjyrimet e saj, por këto përshkrime kanë qenë të shpërndara në vepra të veçanta. Brenda një teksti të vetëm letrar përshkrimin e kaq shumё formave të dashurisë, më duket, se e gjejmë vetёm te Gabriel Garsia Marques dhe nё një ndër kryeveprat e tij, “Dashuria në kohёrat e kolerës”. Ndonëse në roman shumë personazhe vijnë, shkojnë, duhen, marrosen, çmenden dhe ndahen sikur të mos ishin njohur kurrë, një karakter qëndron stoik në dashurinë e tij dhe ky është Fiorentino Arisa, dashurori më interesant  në historinë e letërsisë botërore. 

Romani hapet me vdekjen e Doktor Huvenal Urbinos, bashkëshortit të Fermina Dasës. I pranishëm në ceremoninë mortore ёshtё edhe  Fiorentino Arisa, qё teksa ngushëllon Ferminën, i thotë: “Kam gjysëm shekulli që e kam pritur këtë ditë, për t’u betuar edhe një herë për besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë në jetë të jetëve”. 

Ishin fare të rinj kur, si ishin njohur, ashtu edhe ishin ndarë nga një dashuri marramëndëse ardhur si pasojё e “një kataklizmoje” ndjenjash të lindura  nga “një vështrim i hedhur ashtu kot”, sikur ndodh rёndom në kësi rastesh. Ishte takimi i tyre i parё dhe i fundit. Si në të gjitha dashuritë e ndaluara, ata merreshin vesh me shenja, me deshifrime duarsh e shkruanin pafund letra tё fshehta që ia dёrgonin njёri- tjetrit. “Qëkurse u panë për herë të parë e derisa ai ia përsëriti vendosmërinë e tij gjysëm shekulli më pas, asnjëherë nuk kishin pasur rast të shiheshin vetëm për vetëm apo të flisnin për dashurinë”, thotё Marques-i. Në këtë raport platonik mes dy të rinjve autori mjeshtërisht sjell ndikimin e dy të afërmve të tyre. Pas Fiorentino Arisёs “fshihet” nёna. Ajo e mbron, e dёgjon, e kёshillon dhe e drejton kah kёsaj dashurie tё madhe. Nga psikoanaliza frojdiste dimë që nëna është figura më dominuese në jetën e njё burri. Ndёrkohë, pas Ferminës ishte halla që, po sipas psikoanalizës, është figura që bën lidhjen direkte mes vajzёs dhe të atit. Në të dyja rastet, kemi shfaqjen e kompleksit të Edipit tek Fiorentino dhe atё të Elektrës tek Fermina, si dhe përpjekjen e pavetëdijshme të dy të rinjve për t’u shkëputur prej këtyre komplekseve e pёr tё arritur maturinë e ndjenjave.   

Fermina duket sikur është udhëhequr mё shumё prej kuriozitetit, mëshirёs apo keqardhjes qё i ngjall Fiorentinoja. Shumë gra bien në dashuri nga instikti i tyre i lindur për kujdes e mëmësi, instikt arkaik ky që mbizotёron tek ato në çdo shfaqje dashurie. Mirёpo kur halla e kupton kёtё “tendencë” tё Ferminës, tenton t’i japё njё kёshillё tё vlefshme: “…qё t’i njihte burrat mirё, duhej tё kishte jetuar gjatё…”. E me këtë donte t’i hapte sytё vajzёs të mos i besonte shumë viktimizimit tё Fiorentinos. Ky akt dashuror luhet rёndom nga gjinia mashkullore dhe njihet si një formë që burrat e përdorin shpesh në njё lidhje duke dashur ta konsiderojnë partneren si zëvendësuese të nёnёs. Gruaja, posi nёna, duhet tё kujdeset me pёrkushtim e dashuri, duke zёvendёsuar kёshtu, nё mёnyrё tё natyrshme, njё figurё madhore nё jetё, pa tё cilёn duket se s’bёhet dot. 

Fermina mendonte se Fiorentionoja vuante nga sëmundja e dashurisë. Po kështu mendonde edhe nёna e tij. Vetë Markesi e përshkruan dashurinë si një sëmundje që kur të zë, s’ke shpёtim e zor se tё lёshon. Kështu, dashuria, e kishte sëmurё aq shumë Fiorentinon, sa të gjithë besuan se e kishte zënë kolera që po bënte kërdinë në ato kohë. Por doli që, me simptomat qё kishte, kolera e tij quhej dashuri. 

I përfshirë kokё e kёmbё nga obsesioni që do e shoqëronte përgjatë gjithë jetës, Fiorentino i propozon pёr martesë Ferminës. Sërish kemi njё kёshillё tё hallёs: “Edhe sikur të jesh duke vdekur nga frika edhe sikur të të kthehet mendja më pas, sido që të jetë puna do të pendohesh tërë jetën po të thuash jo!”, i thotё ajo. Dhe halla duket se ka të drejtë, në punët e dashurisë më mirë tё thuash “po” se sa “jo”, edhe pse mund të pendohesh mё vonё. Kështu që vajza i përgjigjet pozitivisht Fiorentinos  me anë të një letre. Ajo i shkruan:“Në rregull, po martohem me ju po të më premtoni se s’do të më jepni të ha kurrë patllëxhanё me zor”. 

Doktor  Freud-i na vjen sërish në ndihmë këtu për të interpretuar çfarë fshihet pas “objektit të veçantë”, patllёxhan, dhe pas këtij ne do të gjenim intepretimin e asaj frike apo makthi të Ferminёs ndaj mashkullorit të Fiorentinos. Duket sikur ajo, e frikёsuar, nё mёnyrё instiktive, kёrkon tё zёvendёsojё dashurinё me miqёsinё. 

Në vazhdim të interpretimit të lidhjes së tyre platonike, po të sillnim në ndihmë Erich Fromm-in dhe përshkrimin që i bën ai kategorive të ndryshme të dashurisë te libri “Arti i tё dashuruarit”, do të thonim se Fermina ishte përfshirë nga një dashuri idilike që më shumë e bënte të fantazonte pёr atë çka donte tek objekti dashuror, sesa e gjente vërtetё tek ai. Po kështu, ajo ishte e zhytur thellë në një “dashuri sentimentale”, më shumë e dashuruar me dashurinë, sikur ndodh gjithmonë me dashurinë e parë. “Sot kur ju pashë, e kuptova se dashuria jonë s’qe vecse një vegim i kotë”, i shkruan ajo Fiorentinos nё njё çast kthjellimi. Sipas Fromm-it, në dashuritë sentimentale, objekti dashuror pranohet derisa raporti është më shumë idilik apo platonik, por në çastin kur marrëdhënia do të duhet t’i afrohet më shumë materializimit real, partneri nuk guxon të dalё nga ëndrra, nga fantasia apo irrealja dhe largohet pa kuptuar e këtu marrëdhënia shkëputet apo ndёpritet totalisht, nё mёnyrё tё çuditshme e tё pakuptimtё. Nga ana tjetër, edhe dashuria e Fiorentinos ёshtё sa idilike, aq edhe sentimentale, por ai është sërish në gjendje t’i kalojë këto faza dhe të përballojë vazhdimësinë e raportit me Ferminën, qё e refuzon atë dhe vendos të martohet me Doktor Urbinon.  

I gjithё romani në vazhdim është histori pas historie dashurish të shumta të Fiorentinos, qё me çdo femër me të cilën bënte dashuri, dashurohej apo e bënte të dashurohej, duke kёrkuar përfytyrimin e një lidhjeje organike me dashurinë e tij të parë. Fiorentinoja pёrpiqej të riprodhonte në jetёn e tij, atë çast qё ndiqte pa ndërprerje në jetën e Ferminës. Ai kërkonte kopjen e saj në çdo grua që njihte, kërkonte ngjashmërinë e momenteve qё kalonte me tё tjerat, sikur tё ishte bashkё me Ferminёn. “Kishte qënë akoma shumё i ri për të ditur se kujtesa e zemrës i zhduk kujtimet e këqija dhe mrekullon të mirat dhe pikërisht në sajë të këtij marifeti në arrijmë të gëlltisim të kaluarën”. I kёtij mendimi ёshtё Doktor Urbinoja kur kthehet nga Parisi ku ndoqi edhe studimet, por mesa duket vlen edhe pёr Fiorentinon qё, nё jetёn e vet, s’e kaloi ndonjёherё tropikun dhe qytetin ku jetonte e vetmja dashuri e tij. I mbetur peng, ai kёrkon ta përjetёsojё kёtё dashuri tё parë nё çdo hap tё jetёs. Këtu sërish gjejmë interpretimin frojdist, sipas të cilit njeriu është i prirur tё kujtojë e tё kërkojë t’i përsëriten vetёm ato ndjesi e përvoja jetësore që i kanë dhënë kënaqësi, të tjerat, janё tё destinuara tё harrohen. 

Fiorentino Arisa, nëse do të vazhdonim të përdornim gjuhën e Fromm-it, “nuk ra në dashuri” ai “mbeti në dashuri”. Përgjatë gjithë kohës ai vetëm jep dashuri. Ndonëse pas çdo imazhi ishte sublimimi për një grua të vetme, mund tё themi se ai i deshi të gjitha të tjerat duke u dhёnё atyre po aq shumё. Një ndër përkufizimet më të vlefshme për dashurinë e gjejmë sërish te Fromm-i. Sipas tij, karakteri i vërtetё i dashurisë është së pari dhënës dhe jo marrës. Dhënia është edhe më e kënaqshme se marrja, pasi në aktin e dhënies ka me tëpër shprehje të vetë jetës apo të qënurit gjallë. Të mos japësh është e dhembshme.  

Megjithatë, heshturazi, ai kishte vendosur të mos lëndohej prej këtyre dashurive ashtu siç qe lënduar nga Fermina. Vazhdoi të jetonte pёr tё gjetur diçka tё ngjashme me dashurinё, po pa dashur tё provojё problemet e saj. Emocioni dhe vuajtja që i kishte shkaktuar dashuria për Ferminën, e kishte kthyer në një dashnor që shfaqte në çdo raport sa pasion aq edhe hakmarrje. I deshi të gjitha gratё, çmendurisht, por vetëm për aq kohë sa i kujtonin Ferminën dhe i braktiste kur nuk i ringjallnin mё kujtimin e saj.  Padyshim që një analizё klinike do e cilësonte Fiorentino Arisёn si një maniak tё fiksuar pas objektit të tij dashuror që, sa mё shumë i largohej në kohë, aq më shumë rendte ta kërkonte apo mbante mbërthyer në mendje e zemër. Në jetën e tij, deri nё çastin kur Fermina mbeti e ve, regjistronte gjashtёqind e njёzet e dy dashuri të qëndrueshme, pa përmendur aventuarat kalimtare. Sa më shumë dashuronte apo bënte dashuri, aq më shumë e justifikonte veten sepse mendonte “se mund të dashurohesh me shumë gra në të njëjtën kohë dhe për të gjitha të vuash njëlloj pa tradhëtuar asnjërën… Zemra ka më tepër dhoma se një bordel”. Edhe sipas Erich Fromm-it, dashuria nuk është së pari relacion i një njeriu të veçantë; ajo është një sjellje, një orientim i karakterit i cili e shikon apo përcakton lidhjen me personin si me botën si të tërë. Pikërisht për këtë diku Marques-i shprehet: “Hildebranda (kushërirë e Ferminës) kishte një konceptim universal për dashurinë dhe mendonte se çdo gjë që i ndodhte një dashurie, kjo cënonte të gjitha dashuritë e botës”. Marques-i e konsideron “dashurinë si një talent universal”, ndaj dhe i përshkruan personazhet e tij si mbitalente të kësaj ndjenje kaq njerёzore.  

Fermina ndonëse e donte të shoqin, gjatё viteve tё jetës e pjekurisë, kishte mësuar se “Problemi i jetës shoqërore është të mësosh të sundosh frikën, ndërsa problemi i jetёs bashkëshortore është të mësosh të sundosh mërzinë”. Dikur i shoqi, Doktor Urbino i pati thënë:“Mbaje mend një herë e mirë se gjëja më e rëndësishme në jetën bashkёshortore nuk është lumturia por stabiliteti”. Jeta në forma të ndryshme, shtyrë sa nga fati apo zgjedhjet personale, u kishte mësuar të gjithёve se “asgjë nuk është më e vështirë në këtë botë sesa dashuria” dhe “dashuria e tepërt të bën keq, njëlloj sikur dashuria e mangёt”.

Kështu, atë ditë, Fiorentino Arisa me guximin që e karakterizonte, mori rrugën të ngushëllonte Ferminën e, më në fund, të fliste me të pas një gjysmë shekulli pritjeje, dashurie e njёqind e tridhjetё e dy letrash mbetur pa përgjigje. Ishte i bindur se ishte çasti i duhur. “Dashuria bëhet edhe më e madhe dhe më fisnike në fatkeqësi”, mendon ai. Por Fermina sërish e përzё pse ndihet e fyer, ai burrё po i afronte dashuri, ndërkohë qё ishte në zi pёr njё tjetёr burrё. Fiorentinoja me aftësinë e tij të hatashme për të fantazuar, mendoi se ndoshta  kjo mospërfillje ishte një mjeshtri për të maskuar brengën e dashurisë. U deshën do kohë derisa ajo tё ndihej sërish e vetmuar dhe si çdo grua që e frikëson vetmia, vendosi të lidhё fatin me atё tё Fiorentinos. Që prej asaj here, ai shkonte ta takonte çdo të martë, me një trëndafil të bardhë në dorë, edhe pse kjo lule s’i thoshte gjë. Por trëndafilat  e kuq kishte frikё se mos e fyenin njё grua tё sapombetur vejushё. Edukata e tij e rafinuar i thoshte se trёndafili i verdhë sillte lumturi, ndёrsa nё kulturёn popullore kjo ngjyrё ndillte xhelozi, kёshtu qё ai vendosi tё ishte i kujdesshёm me shenjat qё jepte. Fillon takimet me Ferminën në një raport të largёt e tё trishtё. “Së bashku kishin përjetuar aq gjëra, sa për të kuptuar se dashuria ishte dashuri në çdo kohë dhe në çdo vend, por sa më pranë vdekjes të ndodhej, aq më e fuqishme bëhej… pasi më tepёr se vdekja ishte jeta ajo që nuk njihte kufij!”. Ai kishte jetuar çdo minutë të jetës me këtë mendim dhe kishte pritur pesёdhjetё e tre vjet, shtatё muaj e njёmbёdhjetё ditë për të qënë sërish bashkë. Dhe forcёn e kishte gjetur te porosia e sё ёmёs qё gjithmonё i kishte thёnё se pёr tё dobtit s’kishte vend nё mbretёrinё e dashurisё, qё ashtu e pamёshirmshme dhe meskine siç ishte, tё treste kockat e ta merrte frymёn. Gjatё gjithë kohës, ai kurrë nuk e humbi besimin se, dashurinë që dikur i ishte mohuar, do ta rifitonte një ditë. Nuk iu frikësua asnjë hapi që e shtynte të “qëndronte” virtualisht me të. Thotë Erich Fromm-i se dashuria është një akt besimi dhe të kesh besim është një akt guximi, është aftësia për të përballuar rrezikun, apo provuar zhgënjimin, dhembjen, vuajtjen. Mandej, po aty, thotё: “Që tё tё duan e qё të duash nevojitet burrёri, burrёri qё t’u japёsh disa vlerave njё rёndёsi tё veçantё qё i kalon tё gjitha tё tjerat dhe t’i vёsh kёto vlera para çdo gjёje”.

“Besnikëria e re” quhej anija ku ata vendosën të celebrojnë dashurinë e tyre. “Fermina Dasa nuk donte ta besonte se ai emër, që ishte aq kuptimplotë për ata tё dy, të ishte vërtet një rastësi historike dhe jo një shpikje e re e romantizmit kronik të Fiorentiono Arisës”. Kjo dashuri pavarësisht se e ndryshme tek të dy në përmasë apo formë, i shoqëroi  “tërë jetën”, si tё thuash, mbeti edhe hapja edhe mbyllja e dashurive të jetës së tyre. Sipas Fromm-it: “Dashuria është e mundur vetëm kur dy veta shoqёrohen nё nivelin mё tё thellё tё ekzistencёs e pastaj secili prej tyre e pёrjeton veten nё kёtё nivel.Vetëm kёtu, në këtë pёrjetim tё thellё, ndodhet realiteti njerёzor dhe themeli i i dashurisё…Ekziston vetёm njё provё e pranisё sё dashurisё. Ajo ёshtё thellёsia e marrёdhёnieve reciproke, gёzimi jetёsor dhe fuqia e secilit prej tyre”. 

Në letërsinë e përbotshme ka shumë tekste letrare që ndoshta  “të pёrpijnё” shumë më teper se ky roman, por depërtimi i thellë dhe analitik që autori i bën karaktereve dhe, mbi të gjitha, përshkrimi që ai i bën shumë formave që merr dashuria,  i jep këtij romani një shkallë tjetër vlerësimi dhe e përcakton atë si një tekst letrar gati unikal me një personazh ikonik nga ata që hyjnë në universin letrar për të mos dalë më kurrë. Brenda një teksti të vetëm letrar ky roman përcjell përcaktimet më të shumta (metaforike dhe jo vetëm) mbi dashurinë. Pikërisht kjo është edhe një arsye pse romani “Dashuria në kohёrat e kolerës” na vjen edhe si një manual që na rrëfen sa shumë forma mund të marrë dashuria. Ai na bën të kuptojmë sa e vërtetё është teoria e Erich Fromm-it, i cili thotё: “Ёshtё bёrё zakon tё mendohet se tё dashurosh ёshtё diçka e thjeshtё, kurse tё gjesh ndonjё objekt tё denjё pёr tё dashuruar- ose tё tё dashurojnё,- ёshtё vertetё shumё e vёshtirё”. Ndёrsa Čechov-i shkon mё tej kur pohon se ka njerёz qё vdesin pa dashuruar fare. Dhe kёshtu i hap udhёn njeriut tё sotёm qё, sipas Fromm-it, ёshtё kthyer nё fabrikat. “Qё nga lindja e deri në vdekje, nga e hëna deri të hënën tjetёr, nga mëngjesi deri nё mbrёmje, tё gjitha veprimet janё tё programuara dhe kryhen si njё rregull qё ёshtё bёrё zakon”, thotё ai.

Do të ndalesha këtu edhe tek kompozicioni i romanit që në fakt  vështirëson sidomos receptimin në fillim të leximit. Në strukturë romani ka një kompozicion që i shkon për fill të gjithë rrjedhës emocionale të karakterit kryesor. Hapja dhe mbyllja përcaktohen me të njëjtën ngjarje, vdekjen e bashkëshortit të Ferminës, Doktor Urbinos, dhe kjo pasi në jetën e Fiorentinos ky moment do të mbetej edhe dëshira më e madhe që do e rilidhte me Ferminën. Ta shihte të ve, kishte qënë dёshira e heshtur e Fiorentinos që nё ditën e parë të martesës së saj, ditë kur ai u betua se do të mbetej i virgjër për të dhe do ta priste derisa të rilidheshin e të plakeshin sё bashku. Po atë ditë ai shkoi me vejushën Nazaret, dhe hapi kështu siparin e dashurive me kaq e aq vejusha që, qё të gjitha, sublimonin mendimin ndoshta të pavetëdijshёm tё Fiorentinos, pёr tё patur, herёt a vonё, tё vetmen vejushё qё i interesonte, Ferminёn. Nëse do të respektohej kronika lineare e ngjarjeve, momenti i vdekjes së Urbinos do të ishte në fund të romanit. Ky lloj kompozicioni njihet si kompozicion kornizë apo unazë, pasi fundi vjen në fillim dhe kronologjia ndërthuret dhe në vazhdim ngjarjet rrëfehen herë në zhvillim kronologjik e herë në të kundërt, por gjithmonë brenda një funksioni, që ka si synim të rrefejë si rritet, jeton dhe zhvillohet dashuria e Fiorentinos. Kjo metodë kompozicionale është shumë e njohur sidomos në letërsinë bashkëkohore, postmoderne,  por duhet theksuar se në kohën kur e aplikoi Marques-i kjo ishte një risi dhe nuk ishte përdorur rëndom mё parё. Ai i takon shkollës realiste, që për t’u dalluar nga pjesa tjetër e letërsisë realiste dhe meqё i merrte ngjarjet vetëm nga Amerika Latine, e mori emrin “realizëm magjik”. U quajt kёshtu sepse shumë krijime të Marques-it apo autorëve te tjerë, e merrnin frymëzimin nga magjia e miteve vendase. Vetëm kur përfundon romanin lexuesi është në gjendje të kuptojë qëllimin e këtij lloj kompozicioni, që nё fakt është i vështirë pasi e bën tё mendojё, tё analizojё, tё komunikojё me veten. Kjo e bën atë  t’i kthehet faqeve të lexuara më shumë se një herë, apo t’i kthehet dhe vetë leximit të romanit më shumё se një herë.  

Së fundmi, është për t’u shënuar sa mjeshtërisht Marques-i i ka ndёrthurur brenda një teksti të vetëm letrar, bashkë dhe pandashmërisht, jetën edhe vdekjen, si dy pika lidhëse të asaj që e njohim si jetë. Autori i jep vdekjes tragjizmin dhe madhështinë që e karakterizon. Pothuaj të gjitha karakteret vdesin nga dashuria, për dashurinë, si mungesë e saj apo edhe si për ta bërë të mundur dashurinë për dikë tjetër që e duan po kaq shumë, të gjithë në një formulë të çudishme që vetëm një penë si e tij mund t’i ndërthurë në ngjarje që vijojnë, apo tё mbivendosen me njёra-tjetrën. Fiorentinoja ёshtё i bindur se dashuria ёshtё rruga. S’ka lavdi më të madhe se të vdesësh nga dashuria”, thotё ai i habitur qё të njëjtin parim e kishte gjetur edhe tek shënimet e trashëguara nga i ati. “Nuk kam keq të vdes, por trembem se mos nuk vdes nga dashuria”, vjen zёri i panjohur, tashmё i vdekur, i tё atit.

Romani “Dashuria në kohёrat e kolerës”, është një roman për dashurinë, ndoshta më shumë se kaq. Ai e himnizon dashurinë me të gjitha ngjyresat e saj. Nëse do të mёsosh më shumë për dashurinë, ki durimin dhe lexo këtë roman. Dhe sikundёr ndodh me dashurinë e vërtetё, pasi ta duash këtë libër, do t’i kthehesh gjithmonë në çdo fazë të jetës. Autori e mbyll: “Dashuria është një gjëndje e bekuar e cila nuk është mjet për ndonjë qëllim, por është zanafillë dhe qëllim njëherit… ajo nga mesi e sipër është dashuri shpirtërore dhe nga mesi e poshtë është dashuri trupore”.  

“Pa dashuri, njerёzimi nuk do tё mund të ekzistonte asnjë ditë”, del nё njё pёrfundim prej humanisti, Erich Fromm. 

Nё mbyllje, do tё thosha se shpresoj shumё që ky libёr jo i zakontё, t’ju mbërthejë e  t’ju bëjë të mendoni gjatë, si dikur studentët e mi. 

Filed Under: Opinion

“5 Maji” është njollë dhe shenjë e keqe

February 11, 2022 by s p

Av. Ylli Manjani/

Janë disa pika të kuqe që duhen mbajtur në konsideratë, sa herë flitet për banorët e 5 Majit:1. Nxjerrja me forcë nga shtëpitë e tyre është akt dhune shtetërore dhe ska asnjë lidhje me mbrojtjen e rendit publik. Policia ka hyrë në ato shtëpi private jo për betejë me krimin, por në betejë me njerëzit dhe pronën e tyre të ligjshme! Asnjë ligj nuk justifikon atë sjellje!2. Shteti nuk i shpronësoi pronarët, por u rrëmbeu dhe në sytë e tyre ua shkatërroi pronën! As nuk ua shkëmeu me një pronë tjetër. Thjesht i nxori jashtë shtëpive të tyre me forcë!!!3. Ato banesa nuk i shembi tërmeti, por pushteti. Ndaj trajtimi i banorëve me ligjet e skaduara të tërmetit nuk është ligjshmëri, por poshtërsi! Asnjë lidhje me rendin kushtetues!4.Prona private nuk u mor në shërbim të një interesi publik, por për biznes privat. Aty nuk do ndërtohet as rrugë, as shkollë apo qoftë dhe park apo vepër infrastrukture që ti shërbejë publikut. Jo! Aty do ndërtohen pallate nga privatë që do shiten në treg!!! U rrëmbyen pronat e njerëzve për interes thellësisht privat!! 5.Po shpërngulen 5000 banorë nga banesat private për të sjellë 15000 të tjerë që do bljenë shtëpi aty!!! Asnjë lidhje me interesin publik. As me zhvillimin e qëndrueshëm urban. Me ligjshmërinë jo e jo!6.Çertifikata e pronësisë nuk është më “e shenjtë”. Pushteti i ka dhënë vetes të drejtë të marrë pronën private sipas qejfit, pa pyetur fare për titullin e pronësisë!!!Enver Hoxha në 1946 ka bërë shumë më pak sesa kaq.Ky është alarm. Nesër pushtetit, i cili duhet të mbajë me bukë e pare edhe opozitën, mund ti duhet shtëpia jote!!!!

Filed Under: Komente

Memli Krasniqi përmbyllë vizitën në Shqipëri me nderime para shtatores së Komandantit legjendar, Adem Jashari

February 11, 2022 by s p

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përmbyllur vizitën zyrtare dy ditore në Shqipëri, me nderime para shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari. Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetari i Tiranës, Andi Seferi, anëtari i Këshillit Bashkiak, Luan Bregasi, Andriola Kambo, Drejtoreshë e Unionit të Bashkive dhe delegacioni nga Kosova, nënkryetarët e PDK-së Vlora Çitaku e Uran Ismaili, sekretari Bajrush Xhemajli dhe shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri kanë bërë homazhe para shtatores së komandantit legjenda në Tiranë, nga ku ka bërë thirrje që një e tillë të ndërtohet edhe në Prishtinë. “Vizitën zyrtare në Shqipëri e përmbylla me nderime tek shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Vepra dhe sakrifica e tij dhe e familjes Jashari për lirinë, sot janë frymëzim për shqiptarët gjithandej. Sikur kryeqyteti i Shqipërisë që tash e sa vjet e ka shtatoren e Adem Jasharit, edhe Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, duhet ta ketë së shpejti një të tillë në qendër të saj.”, ka shkruar Krasniqi. Gjatë vizitës në Tiranë, Krasniqi ka takuar Kryeministrin, Kryetaren e Kuvendit, Kryetarin e Tiranës, dhe Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Filed Under: Kronike

“DIELLI” I JANARIT DHE VONESA PREJ OMICRON

February 11, 2022 by s p

Nga Sokol Paja/


Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. Ky numër u vonua pak për shkak se shtypshkronja punoi me kapacitete të reduktuara si pasojë e prekjes së stafit nga varianti Omicron i Covid-19. Përmbyllëm një numër shumë të suksesshëm me shumë sfida. Ngjarjet më të rëndësishme në këtë numër janë: Vizita e kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha në Kosovë, përfundimi me sukses i projektit të historisë së Vatrës udhëhequr nga Akademik Beqir Meta, dekorimi nga Vatra dhe shteti i Kosovës i mësuesve Pretash Zef Kaçaj dhe Ndue Zef Markaj, zgjedhjet për kryetarin e Vatrës, situata në Shqipëri e Kosovë dhe ngjarjet kryesore kulturore e figura të rëndësishme të histories e kulturës kombëtare. Vatra e Dielli me veprimtarinë e tyre gjenerojnë atdhetarizëm, patriotizëm, energji pozitive dhe investojnë çdo burim për çështjen kombëtare, për gjuhën shqipe dhe identitetit tonë kombëtar. U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzëmërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij viti që sapo kemi filluar. Gazeta po rritet nga muaji në muaj dhe nga dita në ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj. Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë besnikërisht me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete absolute të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës, dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira. Sukseset dhe arritjet e bijëve e bijave tona në mergatë u pasqyruan imtësisht në këtë numër. Gazeta “Dielli” në këtë vit që sapo kemi filluar e në vazhdim do lëvrojë pa pushim historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës është në çdo moment informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse. Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909.

Filed Under: Featured

GAZETA RILINDJA, HISTORI KOSOVE E NISUR PARA 77 VITEVE

February 11, 2022 by s p

Gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare, nisi të dalë para 77 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Rilindja, gazeta që rezistoi e nuk u ndal edhe kur u ndalua nga Serbia në vitin 1990…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, Shkurt 2022/ Gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare, nisi të dalë para 77 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Rilindja, gazeta që rezistoi e nuk u ndal edhe kur u ndalua nga Serbia në vitin 1990 duke dalë edhe me emrin “Bujku”, në këtë 12 Shkurt 2022 do të festonte 77 vjetorin, në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë.

Por, në këtë Kosovë, në këtë vit të 21 vjetorit të Lirisë e 12 vjetorit të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 18 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK  dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm…

Por, në këtë Kosovë, në këtë vit të 23 vjetorit të Lirisë e 14 vjetorit të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 20 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK  dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm…

Më gjerësisht:

SHËNIME MONOGRAFIKE:  GAZETA  TRADICIONALE E KOSOVËS RILINDJA NËPËR VITE

Gazeta historike e tradicionale e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 77 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Shkrimtari Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja në 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Më 11 Qershor 1950,  Rilindja (që rëndom dilte një here në javë) njoftonte se, “tash e mbas del dy herë në javë, t’Ejtën dhe të Shtunen”.

Më pastaj, gazeta Rilindja shpeshtoi daljet dhe që nga fundi i Nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

E përditshmja Rilindja me fizionomi të re, me ngjyrën e kaltërt, që iu shtua faqeve bardhezi, filloi të dalë të dielen e 17 Prillit të vitit 1966.

Gazeta historike Rilindja në 19 Nanduer  (Nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 Janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 Fruer (Shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “Funksionojnë 2.485 kurse kundër analfabetizmit, ku janë përfshi 52.413 ndjekësa”.

Rilindja (e datës 1 Janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohet për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 – 1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet.

Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: “…Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…”

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972…

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

 Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në Rilindja, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografi. 

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

Rilindja e datës 6 Korrik 1962 shkruante se, Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

 Rilindja në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

Për këtë kishte angazhime e shkrime edhe vite më herët. Në Rilindja të 4 Dhjetor 1952, Idriz Ajeti (që në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës) shprehej “(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore…”

Rilindja më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. Rilindja pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

 Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

 Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Kosova shkonte drejt pavarësisë, me Rilindjen që nuk u ndal edhe kur u ndalua.

Kosovës para 32 viteve Serbia ia ndaloi edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në atë kohë, Rilindja, por nuk arriti ta ndalë. 

“Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënë shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.

Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunshme të Serbisë, që e përfshinin edhe atë në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunshme të Serbisë.

Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.  

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Në mëngjesin e 8 Gushtit 1990, të pas natës së ndalimit të gazetës nga forcat serbe në shtypshkronjë,  me reportazhin “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, të shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova dhe hyra në Pallatin Rilindja dhe nisa ta daktilografojë me makinë shkrimi. Kolegët, që poashtu nuk përfillnin ndalimin e erdhën në Pallat, më shihnin si me habi pse po shkruaja kur gazeta s’do të dalë…

“Besoj se do e lexoni nesër në gazetë”, u thash, dhe ngjita shkallëve për te Ndërmarrja e Revistave, një nga gjashtë sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, te kryeredaktori i revistës letrare Fjala, Milazim Krasniqi. I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve), t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.

Kjo përvojë e botimit të shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës Rilindja në revistën Fjala me shpeshtime botimi vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…

E nisur me numrin e parë me datën 18 Janar 1991 “Bujku” si gazetë e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe edhe sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë Rilindja.

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.

Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam  edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

 “Kosova filloi Referendumin për Sovranitet”, shkruante në kryetitullin në ballinë gazeta  historike  e rezistencës shqiptare “Bujku” në  numrin e 27 Shtatorit 1991. Legjenda e fotografisë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991 njoftonte rezultatet e referendumit në  faqen e parë  me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote…”

Ndërkohë, derisa në Kosovë gazeta dilte me emrin “Bujku”, në Zvicër e pastaj edhe në Shqipëri po me ato shkrime nisi të dalë gazeta jonë Rilindja, me angazhimin e gazetarëv e punonjësve tjerë të saj…

Disa nga titujt e shkrimeve të mia të asaj kohe në gazetën Rilindja në Tiranë që ruhen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë i shënoj nga  “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” ne faqen zyrtare në internet:

Pesë vjet të gazetës “Bujku” -18 Janar, 1996; Do të bashkëpunojmë në konkurrencë – 4 Janar, 1997; Etiketa e terrorizmit për terror kundër shqiptarëve – 29 Janar, 1997; Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet – 5 Janar, 1997; Institucion e qendresë e Kosovës – 21 Janar, 1997; Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë – 12 Shkurt, 1998; Muri ndërshqiptar si “fundi i botës” – 19 Mars, 1996; Ditë zie në Kosovë –  4 Mars, 1998; Gjendje e rëndë lufte vazhdon dhe në Drenicë –  3 Mars, 1998; Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë – 5-11 Maj, 1996; Beogradi me mesazh të vjetër për Kosovën : Shqiptarët as e pritën e as e patën takim, ndërsa nga serbët u bë pritje e organizuar dhe e sforcuar – 27 Qershor, 1997; Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar – 6 Korrik, 1996; Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve: Në 7-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës –  2 Korrik, 1997; Sa afër e sa larg Shqipëria – 11-17 Gusht, 1996; SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës – 10 Gusht, 1996; “Rilindja” nuk ndal – 8 gusht, 1997; Provim i parë i zgjidhjeve për Kosovën –  6 shtator, 1996; 

Si një referendum –  21 Nëntor, 1996; Udhëtimi për në Prizren : Reportazh – 31 Dhjetor, 1996; Radioja që sfidon kufirin: Programi dhjetëorësh në ditë i Radio Kukësit dëgjohet shumë në Shqipëri dhe në Kosovë –  1-7 Dhjetor, 1996; Kronikë pa gazetë – Rilindja 29 Prill, 1995; Të vërtetën për Kosovën nuk e mbulon as terrori propagandues – 14 Prill, 1995; Skenar i sulmeve mbi Kosovën : [Sulmet serbe mbi kosovën] – 24 Maj, 1995; Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon –  8 Korrik, 1995;  Marsh i rrezikshëm në Jug –  23 Gusht, 1995…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti me kryetitull në ballinë kërkues për ndërhyrjen e NATO-s “Marrëveshja për Kosovën duhet të ketë mbështetje ushtarake” dhe vazhdoi të dalë derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi i Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri më 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Numri i fundit i përditshëm i gazetës Rilindja, me datë 21 Shkurt 2002 shkruante në ballinë: Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta Rilindja detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë” ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis.       

 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.

Një nga protestat e vazhdueshme ishte në 3 Maj 2005. “Sot, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit”, ishte në ballinë mbititulli i kryetitullit “Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur” dhe nëntitulli “Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet”.

Në ballinënen e gazetës Rilindja në këndin lart theksohej: “Numër protestues i jashtëzakonshëm – Sot në orën 12:00  vizita e të ftuarëve Rilindjes – Pallatit”. Protestë ishte edhe vizita në bodrumin-bunkerin e errët e me lagështi-vërshime uji, ku ishte hedhur-ngujuar arkivi-pasuri kombëtare, teknika e inventari i gazetës Rilindja, që nga fillimi i vitit 2003. “A e shihni ku e keni ngujuar gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – alarm nga bunkeri – Arkivi i Rilindjes, pasuri kombëtare që po shkatërrohet”, shkruan në Rilindjen e 11 Prillit 2005, ku botohen edhe fotografi të kulturocidit.

Që të protestonte, po edhe të vazhdonte të jetë histori e Kosovës Gazeta Rilindja dy javë pas mbylljes-dëbimit nga UNMIK doli me botim të jashtëzakonshëm në 5 Mars 2002 për seancën e Kuvendit të një dite më parë të votimit të Presidentit e të Qeverisë së zgjedhjeve të para parlamentare në liri. Kryetitulli në ballinë ishte: “Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’ – Kryeministri Rexhepi: Gjithçka në Kosovë është me përparësi”. Presidenti Ibrahim Rugova dhe Kryeministri Bajram Rexhepi menjëherë pas zgjedhjes janë përgjigjur në pyetjet që ua kam bërë për këtë numër të Rilindjes, që përgatitej nga ekipi i saj special në një zyrë të Kuvendit të Kosovës. “Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me këtë pyetje të parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës. “Presidenti Rugova e Kryeministri Rexhepi flasin për Rilindjen“   ishte titulli në këndin lart në ballinë.

Në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi.

“Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”, ishte kryetitulli i gazetës Rilindja në ballinë ku botohej i plotë mesazhi i Presidentit historik Rugova me titullin “Shqiptarët forcohen në të gjitha viset”  e nëntitullin “Një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj”.

VLERËSIMI DHE PËRKRAHJA E PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA PËR RILINDJEN EDHE NË INTERVISTA EKSKLUZIVE

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pjesa përmbyllëse e intervistës së gjatë botuar në gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 ishte kjo:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës “Rilindja” për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që “Rilindja” të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës “Rilindja”.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

 Gazeta Rilindja e ditës së 60 vjetorit të saj – 12 Shkurtit 2005 botonte edhe një intervistë tjetër ekskluzive me Presidentin Ibrahim Rugova me titulliun në ballnë “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

Me rastin e pritjes që më bëri në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të

Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

 Rilindja në 27 Janar 2006 shkruante se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 njerëz – Më se 500.000 njerëz nëpër rrugët dhe sheshet e Prishtinës, në Sallën “1 tetori”, te Varrezat e Dëshmorëve e Heronjëve të Kombit në Lagjen Velania në Bregun e Diellit i shprehën nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare Presidentit historik të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Kryetitulli dhe nënkryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishin: Bota nderoi – Nderimet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: Presidenti Rugova parashikoi dhe krijoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve. Tri intervista ekskluzive, e para para 12 vjetëve.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. Ibrahim Rugova President i Kosovës (1944 – 2006).

Dr. Ibrahim Rugova President historik i Pavarësisë së Kosovës përgjithmonë, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

RILINDJA PËR PAVARËSINË E KOSOVËS, BOTIME SPECIALE DHE KALENDARË

 “Kosova pret Vitin e Pavarësisë”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja të 31 Dhjetorit 2004, ku në mesazhin e Vitit të Ri 2005 Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte vit i progresit më  të madh të Kosovës.

Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe 600 vjetorit të Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidenti Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të standardeve”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinajn, në kohën kur ishte Kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.

Në këtë numër special të festës së Vitit të Ri 2005 botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Golldberg, që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60 vjetorit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante”, citohej diplomati amerikan në ballinë e në titull të intervistës,  ku Golldberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”.

“Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati amerikan Golldberg.

Gazeta Rilindja në 25 Prill 2005 në kryeartikullin që paralajmërohej në kryetitull në ballinë shkruante:

Deklarata, komente dhe qëndrime për Kosovën, të gjithë flasin për pavarësinë: Bashkësia ndërkombëtare ka marrë vendim që Kosova të jetë e pavarur.

Gazeta Rilindja e 31 Dhjetor 2005 sillte Kalendarin e Pavarësisë dhe këtë editorial:

KOSOVË, GËZUAR VITIN E PAVARËSISË

Behlul Jashari

Kosova po kalon e pret vite historike.

Hyrja në finalen e procesit të Pavarësisë së Kosovës  është ngjarja më e rëndësishme e vitit 2005.

Kosova në vitin që po skon kishte edhe një ngjarje të rëndësishme: Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për rikontirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i të gjithë shqiptarëve në rajon”, ka ritheksuar Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova pas takimit të parë me Grupin Neogociator, formimi i të cilit ishte një moment me rëndësi edhe për unitetin.

Pavarësia është qëllimi madhor që i bashkon shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, liderët dhe partitë e tyre, dhe këtu nuk ka ndarje në pozitë e opozitë.

Viti i Ri 2006 në Kosovë pritet si një vit tjetër i madh dhe historik i arritjes dhe njohjes ndërkombatare të Pavarësisë së Kosovës.

“Objektiv kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, pavarësi që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Presidenti Rugova pas takimit të fundvitit me Kryeministrin Bajram Kosumi.

Edhe bashkësia ndërkombëtare vlerëson se Viti i Ri 2006 është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns ka deklaruar se një nga synimet më të rëndësishme të SHBA-ve në vitin 2OO6 do të jetë “kryerja e punëve të filluara në Evropë”, duke theksuar posaçërisht nevojën e zgjidhjes së çështjeve kryesore në Ballkan.
“Ky do të jetë vit i vendimit për Kosovën, e ne do të jemi atje për t’i mbështetur me diplomaci dhe me forca të NATO-s në kuadër të KFOR-it për të ruajtur sigurinë në rajon”, ka deklaruar Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns në prag të ndërrimit të moteve.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka shfaqur shpresën se takimi i parë direkt mes palës serbe dhe shqiptare do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesi i lartë i BE, Havier Solana, gjatë një qëndrimi në Prishtinë ka shprehur bindjen se vendet e rajonit do të kenë ardhmëri evropiane dhe ka theksuar se një faqe e re e historisë së Kosovës po fillon.

I dërguari i posaçëm i OKB për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka shfaqur shpresën se takimi i parë direkt do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Ky takim besohet se do të mbahet në Vjenë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci,  pret që në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të finalizohet çështja e statusit të Kosovës. “Viti i ardhshëm do të jetë edhe vit i manifestimit të kapaciteteve reale të Kosovës”, ka theksuar ai.

Të gjithë presin zhvillime shumë të rëndësishme për Kosovën në vitin që po vjen.

Kosova pret Vitin e Pavarësisë. Gëzuar!

RILINDJA NË KRYETITUJ: KOSOVA SHTET, KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI, KOSOVA SHTET NË OKB

KOSOVA SHTET, është kryetitulli në ballinë i gazetës Rilindja në 30 Dhjetor 2007,  e cila përsëri sillte Kalendarin e Pavarësisë  me hartë – Flamur Kosove me një yll që do i bashkohet Flamurit të Bashkimit Evropian dhe me urimin: Gëzuar Viti i Pavarësisë 2008. Në ballinë edhe paralajnmërohej: Numri i ardhshëm i Rilindjes del në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 Shkurt 2008.

Paralajmërimet në ballinë: Hashim Thaçi, Kryeministër i Qeverisë së re të Kosovës: Është koha të merret vendim për Kosovën; Presidenti Sejdiu Shpallja e pavarësisë në një kornizë kohore që dihet me afërsi; Bamir Topi: Sot, Kosova, më e pavarur se asnjëherë në historinë e saj ndodhet në procesin e pakthyeshëm të mëvetësisë së saj ndërkombëtare; Sali Berisha: Vizita e ardhshme – e kurorës, në Kosovën e pavarur (Përgjigje e Kryministrit të Shqipërisë në Prizren në pyetjen e Rilindjes).

E editoriali në faqen e parë të Rilindjes ishte ky:

GËZUAR

Viti 2007, që po shkon, mbetet në histori si vit i Planit të Ahtisaarit për pavrësinë e Kosovës, dokumentit të OKB-së me përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe me ndonjë kundërshtim.

Viti i Ri 2008 është një tjetër vit historik i realizimit të këtij Plani, vit i realizimit të ëndërrës shekullore të pavarësisë, pritjeve tona të madha.

Në Vitin e Ri Kosova po hyn me institucione të konstituuara pas zgjedhjeve të lira e demokratike të nëntorit, me Qeveri të re shumë premtuese, poashtu edhe me opozitë parlamentare, që ka paralajmëruar se do të jetë konstruktive.

Të gjithë do të jemi dhe do të punojmë bashkë për të mirën e Kosovës shtet.

Gëzuar!

Ndërsa, editoriali në faqen e dytë, i paralajmëruar në këndin lart të ballinës ishte ky:

RILINDJA PËR GINIS

-Rilindja pret dhe beson që Qeveria e re e Kosovës nuk do të lejojë më asnjë ditë shkeljen e ligjit e të drejtës në rastin e Rilindjes/

Gazeta radicionale e Kosovës Rilindja me Kalendarin e Pavarësisë del numër i jashtëzakonsëm të dielen, më 30 dhjetor 2007. Po në këtë numër Rilindja paralajmëron daljen tjetër në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ose më së largu më 12 shkurt 2008, kur e ka përvjetorin e 63-të.

 Është viti i tretë që Rilindja del vetëm një herë brenda vitit, dhe si e vetmja gazetë e përditshme në botë që i ndodhë të dalë vetëm një ditë, vetëm një herë në vit, mund të jetë edhe rast për Librin e Ginisit.

Vetëm një herë Rilindja doli në vitin 2003, pasi e ngujuan në bunkerin e errët e vërshime uji, dhe në vitin 2006, që edhe në këto kushte gazeta historike e Kosovës të shënoi zhvillimet historike nëpër të cilat kalon vendi.

Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin. Ishte kjo një shkelje e rëndë e të drejtës së institucionit shumë të rëndësishëm të Kosovës dhe të njerëzve të Rilindjes, e pashembullt në botën e lirë dhe demokratike.

Edhe kjo mbyllje e pashembullt në botë e Rilindjes, me dëbim nga shtëpia e saj, mund të jetë një rast për Ginis.

Rilindja, edhe pas dëbimit të dhunshëm ka dalë në kushte të jashtëzakonshme me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm, për të ruajtur emrin e traditën dhe për të kundërshtuar mbylljen.

Rilindja ende nuk mund të dalë përditë meqë Pallatin e saj, ku i kishte lokalet e punës, ia kanë shndërruar thuaja në gërmadhë. I kanë shkatërruar gjithë teknikën e inventarin, dhe, çka është më e dhembshmja, Arkivin me dhjëtëra mijëra dokumente historike, pasuri kombëtare e pakompensueshme.

Rilindja është në pritje të realizimit të së drejtës së ligjshme të kompensimit e sanimit të dëmeve, që të mund të ridalë përsëri dhe të hyjë në procesin e privatizimit me spinof special, që të rikthehet e të ruhet gazeta tradicionale e Kosovës, siç i kanë gazetat e veta tradicionale të gjitha vendet normale e demokratike në botë.

Për këtë, Rilindja pret dhe beson që Qeveria e re e Kosovës nuk do të lejojë më asnjë ditë shkeljen e ligjit e të drejtës në rastin e Rilindjes.

RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: KOSOVA SHTET NË OKB dhe me paralajmërimin: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

RILINDJA NË 30 DHJETOR 2008:

MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË

  Behlul Jashari

 Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe  të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të ergër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.

Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet  e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.

Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.

Gëzuar!

RILINDJA, RIDALJE SIMBOLIKE PROTESTUESE PAS 10 VITESH – 31 DHJETOR 2018

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…“E punëtorëve të NSH Gazetare Rilindja deri në privatizimin e gazetës”, është shënimi në këndin lart në ballinë.

“GËZUAR  2019 KOSOVA 20 VJET LIRI 11 VJET SHTET”, “NGJARJA E  VITIT 2018  E KOSOVËS:  FSK USHTRI” “RILINDJA-PROTESTË, ridalje simbolike pas 10 vitesh”, janë disa nga titujt e gazetës.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: “23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi  për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohet në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht pas 10 vitesh, botim digjital.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

 Edhe në këtë 77-vjetor e shohim të nevojshme ripërsëritjen e një sqarimi për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi. 

 LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

1. Pllakati i 60 vjetorit të Gazetës Rilindja

2. Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova duke marrë Pllakatin e 60 vjetorit të Gazetës Rilindja nga kryeredaktori Behlul Jashari

3. Te Shtëpia monument e Rilindjes në Prizren në ditën e 60 vjetorit të gazetës – 12 Shkurt 2005

4. DRITARE NË HISTORI – Faqe arkivi të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja

5.Rilinjdja pas dëbimit punë në shtëpi -kryeredaktori Behlul Jashari me destoperët-disajnerët Dritëro Meha e Fitim Rrmoku

6. Ekipi i Rilindjes në Kuvendin e Kosovës me 4 mars 2002 për botimin e parë të jashtëzakonshëm të gazetës

7. Viti 1990 – Rrethimi i Pallatit  Rilindja edhe me helikopter – okupimi serb – Foto Ilaz Bylykbashi

8.Rilindja 1990 – forcat serbe te porta e Pallatit Rilindja 

(Behlul Jashari

Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku”. Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2407
  • 2408
  • 2409
  • 2410
  • 2411
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT