• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË TEATËR ABSURDITETI KA NDODHUR NË SHKODËR

August 3, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Me keqardhje të thellë dhe me shqetsim të madh mësova lajmin e përjashtimit të Simon Shkrelit nga Teatri “Migjeni” në Shkodër. Është në kulturën tonë si malësorë që, në raste të tilla si kjo, të mos shprehemi, por të lemë të tjerët të flasin duke qenë se Simonin e kam nga i njëjti fis. Dhe të tjerët, një listë e gjatë bashkpuntorësh e kolegësh të tij që e njohin shumë mirë Simonin dhe kanë punuar e bashkpunuar me ‘të, vërtetë, kanë folur dhe vazhdojnë të flasin në mbrojtje, me zë të lartë dhe me bindje dhe përvojë të lartë profesionale për meritat dhe aftësitë e Simonit si aktor profesional, në mbështetje të Simonit dhe kundër vendimit të Bashkisë së Shkodrës dhe Kryetarit të saj, Benet Becit për dëbimin e Shkrelit nga Teatri “Migjeni” Shkodrës.

Por në solidarizim me të, vendosa që kësaj liste të gjatë mbështetsish të Simonit po i bashkohem edhe unë — në solidaritet me këtë aktor dhe gazetar të njohur të atyre anëve dhe njëkohsisht, bashkvendas i imi. Jo se Simoni ka nevojën time për ndihmë sepse unë jam i bindur se e VËRTETA është në anën e tij dhe se atë ai do ta ndjeki deri në fund, nepëmjet ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, në të njëjtën kohë, ndjejë një përgjegjësi morale për të mos heshtur, pasi e njoh personalisht dhe jam rritur në të njëjtin fshat me familjen dhe babain e Simonit, të ndjerin Gjokë Dedën Shkreli, i njohur në ato anë, si një atdhetar, intelektual, aktivist dhe njeri human, që e dalloi veten si i tillë, sidomos, gjatë luftës në Kosovë, duke strehuar mijëra familje shqiptarësh (në rrethin e Ulqinit’ nga Kosova, dhe duke mbledhur ushqim dhe ilaçe për ta, në një prej periudhave më të vështira në historinë e Kombit shqiptar. Gjithashtu, disa nga kolegët e tij në Shkodër e Shqipëri si edhe në Kosovë e konsiderojnë Simon Shkrelin si një urë, në fushën e teatrit dhe të veprimtarisë së tij, midis Shkodrës dhe trojeve të tjera shqiptare.

Një shumicë e vërejtësve dhe atyre që e njohim mirë profesionalizmin dhe seriozitetin e tij, në skenë, në gazetari dhe në shoqëri, me të drejtë janë shprehur në rrjetët sociale se largimi i Simon Shkrelit nga Teatri i Shkodrës ishte një vendim politik nga ana e Bashkisë Shkodër, pasi bashkshortja e Simonit, Eliona Shkreli, që nga fillimi i këtij viti, është emëruar Kryetare e Partisë Demokratike në Shkodër – në opozitë, kundërshtare politike pra e Benet Becit, Kryetarit aktual të Bashkisë Shkodër. E titullova këtë shënim modest dhe shkarkimin nga puna të Simonit nga ana e Bashkisë Shkodër si një absurditet teatror, pikërisht, për arsyetimin e dëbimit të tij me shkresë, për mungesë gjoja, “efikasiteti, efektiviteti, produktivitetit dhe cilësie në punë”, sipas Bashkisë Shkodër. Një gjykim ky i një politkani ndaj një aktori!!! Ata që njohin mirë Simonin shprehen se ky arsyetim nuk ka të bëjë fare me realitetin e aftësive profesionale të Simon Shkrel, por thjesht, është një vendim politik, me një mesazh të caktuar politik.

Një vendim politik ky që na kujton – 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — për fat të keq, një periudhë të tmershme, një histori të errët për Kombin shqiptar shekullin e kaluar, kur vendime të tilla, por edhe më keq, ndaj kundërshtarëve politikë, merreshin nga regjimi komunist, me qëllim zhdukjen fizike ose intelektuale. Ky vendim, në rastin e Simon Shkrelit — që në skemën e intrigave dhe zhvillimeve të tjera politike më të mëdha në vend – në krahasim mund të duket si diçka e vogël dhe rajonale që prek një person ose një qytet si Shkodrën. Por në realitet pasqyron një dështim katastrofal politik dhe një prove siç kam thenë shpesh se “demokracia jo vetëm që nuk pret”, në Shqipëri por demokracia për të cilën shpresonim për atë vend, me “ndryshimin e sistemeve”, ka dështuar mizorisht, për shqiptarët. Shkarkimi i një aktori, artisti ose gazetari nga një politikan siç është Kryetari i Bashkisë Shkodër ose cilitdo qytet tjetër qoftë, është një mesazh shumë i keq për një vend anëtar I NATO-s dhe tretend për tu antarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mund të shikohet ndryshe veç si një vendim i bazuar në rrënjët e thella të strukturave të vjetra të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe apologjetëve të tij. Shqipëria sot është më shumë në linje me vendet autoritare si Rusia, Turqia, Serbia e të tjera dhe jo me perendimin.

Shqipëria, zyrtarisht dhe sipas disave, mund të pretendojë se ka bërë ndryshime dhe ka arrijtur suksese këto 35-vite tranzicioni të dështuar, por në fakt siç është shprehur dikur Vaclav Havel, ish-disident kundër komunizmit, dramaturg dhe më në fund president i Çekisë, se ajo që nuk mund të arrihet shumë shpejt në një vend ish-komunist është “transformimi i mentalitetit” dhe mungesa e një “revolucioni moral”. “Të gjithë ne që kemi përjetuar komunizmin, jemi të deformuar…Siç duket të gjithë ata që në kohën e komunizmit ishin të mitur, edhe sot e kësaj dite, janë të infektuar dhe të korruptuar nga ato që kanë mësuar prej prindërve të tyre…Një trasformim i tillë merr një kohë të gjatë për tu realizuar, ndoshta dy brez a më shumë para se të transformohet edhe kultura politike, e të cilën mund ta quajmë më në fund demokraci…”, ka thënë, Vaclav Havel.

Për fat të keq, ky transformim po merr një kohë shumë të gjatë në Shqipëri, ndryshe nga ish-vendet e tjera komuniste, sidomos në një shoqëri me një kulturë të papjekur demokratike siç është shoqëria shqiptare e deformuar nga komunizmi. Si rrjedhim, njerëz të pafajshëm, intelektualë, aktorë, artistë e gazetarë si Simon Shkreli e kolegu i tij, aktori i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Vladidmir Doda, në këtë ndërkohë, po bien viktima hakmarrjesh politike, me humbje pune dhe reputacioni. Ka vite që me shkrimet e mia modeste, paralajmëroj se “Demokracia nuk pret”. Për fat të keq, rasti i fundit i këtyre dy aktorëve të Shkodrës më bën të shprehem se demokracia shqiptare është lodhur duke pritur dhe se ky eksperiment, sado i sinqertë të ketë qenë fillimisht, ka dështuar tanimë. Por shpresa vdes e fundit!

Filed Under: Kulture

Njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia – Kushti i vetëm themelor për paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të barabarta ndërmjet dy shteteve sovrane

August 2, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

(Ekspert i së drejtës publike)/

I.Përtej dialogut – drejt një arkitekture të re të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor

Dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga SHBA-të, ka hyrë tashmë në dekadën e dytë pa prodhuar as zgjidhje përfundimtare, as transformim real në marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo është pasojë direkte e faktit se nuk është trajtuar çështja themelore: njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i barabartë në sistemin ndërkombëtar.

Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, të gjitha marrëveshjet tjera – qofshin për energjinë, për lëvizjen e lirë, për njohjen e targave apo për të zhdukurit me dhunë – mbeten teknikalitete të brishta mbi një themel të paqëndrueshëm juridik dhe diplomatik. Njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia nuk është çështje formale apo simbolike, por është kriter i domosdoshëm për vendosjen e paqes, përparimit dhe stabilitetit rajonal të qëndrueshëm.

II. Njohja – një akt i drejtësisë historike, jo vetëm i realizmit politik

Republika e Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë, të dhimbshëm dhe historik të dekolonizimit nga Serbia. Lufta çlirimtare e viteve 1998–1999, pas dekadash shtypjeje, spastrimi etnik, aparteidi institucional dhe shkeljeje sistematike të të drejtave të njeriut, përfundoi me ndërhyrjen humanitare të NATO-s dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ky ndërkombëtarizim i statusit të Kosovës ishte një akt tranzicioni drejt shtetësisë, i formalizuar më 17 shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë, një akt që u vlerësua nga GJND si i përputhshëm me të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, njohja nga Serbia nuk është kompromis politik, por është një detyrim historik për të pranuar realitetin juridik që ka lindur si pasojë e një lufte çlirimtare dhe të një akti të drejtësisë ndërkombëtare.

III. Qasja e gabuar e “neutralitetit statusor” dhe pasojat për sigurinë rajonale

Politika e Bashkimit Evropian për “neutralitet ndaj statusit” ka prodhuar një asimetri të rrezikshme: Kosova trajtohet si palë e barabartë në dialog, por jo si shtet i barabartë në marrëdhënie ndërkombëtare. Ky pozicion nuk është neutral – është i njëanshëm në favor të Serbisë, sepse legjitimon një pozicion mohues, kolonial dhe destruktiv ndaj ekzistencës së një shteti të ri.

Kjo qasje ka pasoja të thella:

-Inkurajon Serbinë të mos e njohë realitetin e pasluftës, duke e përdorur dialogun si mjet për të kontestuar shtetësinë e Kosovës, jo për të ndërtuar marrëdhënie fqinjësore.

-Destabilizon Ballkanin Perëndimor, duke mbajtur hapur një konflikt të ngrirë që mund të shpërthejë në çdo moment.

-Minon besueshmërinë e BE-së si ndërmjetëse, pasi tregon paaftësi për të imponuar parime të së drejtës dhe barazisë ndërkombëtare.

IV. Marrëdhëniet Kosovë–Serbi nuk janë çështje e brendshme, por raport ndërmjet dy shteteve të veçanta

Serbia vazhdon të pretendojë se Kosova është “krahinë autonome” sipas Kushtetutës së saj të vitit 2006. Kjo është një konstruksion juridik i dështuar dhe një shkelje flagrante e realitetit politik dhe të drejtës ndërkombëtare. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë marrëdhënie të një shteti me një territor të vetin, por janë marrëdhënie ndërmjet dy shteteve që kanë ndarë historinë e dhunës dhe të luftës, dhe që tash kërkojnë të jetojnë si fqinj të pavarur, në paqe dhe me sovranitet të plotë.

Çdo zgjidhje që e nënkupton “autonominë” e Kosovës brenda Serbisë është jo vetëm politikisht e pamundur, por edhe moralisht e papranueshme pas gjenocidit dhe shkatërrimeve që Serbia i ka shkaktuar popullit shqiptar të Kosovës.

V. Pa njohje, nuk ka vullnet të mirë në zbatimin e marrëveshjeve

Të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel e në Ohër mbeten në letër për shkak të mungesës së njohjes:

-Serbia refuzon ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit sepse e interpreton atë si marrëveshje politike dhe jo juridikisht të detyrueshme.

-Nuk pranon as të hapë mision diplomatik të përhershëm në Kosovë, as ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

-E instrumentalizon çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si një mjet për të krijuar struktura paralele që minojnë sovranitetin e Kosovës, jo si mekanizëm për integrimin e komunitetit serb brenda rendit kushtetues të Kosovës.

Pa njohje, Serbia nuk ka as motivim, as detyrim të sinqertë për të respektuar asnjë marrëveshje, sepse nuk e njeh subjektin me të cilin po nënshkruan.

VI. Rekomandime strategjike për diplomacinë e Kosovës

  1. Ndryshim paradigme – Nga qasja e menaxhimit të dialogut drejt qasje strategjike për arritjen e njohjes, përmes presionit të partnerëve ndërkombëtarë mbi Serbinë.
  2. Vendosja e njohjes si kriter për integrimin e Serbisë në BE – Ashtu siç është kërkuar njohja e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës për proceset e kaluara të anëtarësimit.
  3. Ndërtimi i një diplomacie të re agresive, jo mbrojtëse, që e vë në plan të parë drejtësinë e luftës çlirimtare, të drejtën për vetëvendosje dhe shtetësinë e pakthyeshme të Kosovës.
  4. Mobilizimi i diasporës dhe komunitetit akademik ndërkombëtar për të rrëzuar narrativat serbe në forumet ndërkombëtare.
  5. Intensifikimi i bashkëpunimit me SHBA-të, si garanci e vetme për të çuar përpara një marrëveshje historike që përfshin njohjen e ndërsjellë si përfundim i dialogut.

VII. Njohja nuk është çmim për Kosovën, por detyrim për Serbinë

Kosova nuk kërkon më njohje si akt lëmoshe apo kompromisi. Kosova kërkon njohje si akt të drejtësisë ndërkombëtare, si pranim i një realiteti të pamohueshëm politik dhe juridik.

Serbia duhet të përballet me të kaluarën, të distancohet nga projektet gjenocidale, dhe të pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i pakthyeshëm.

Vetëm atëherë mund të flitet për paqe të qëndrueshme, fqinjësi të mirë dhe një të ardhme evropiane të Ballkanit.

Filed Under: Rajon

Gjuha shqipe, shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar

August 2, 2025 by s p

Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Rektori

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”/

Është një kënaqësi dhe nder i veçantë për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” që të jetë pjesë e këtij seminari të rëndësishëm, që, jo vetëm vlerëson punën e palodhur të mësuesve tanë në diasporë, por gjithashtu forcon urat që lidhin brezat shqiptarë në mbarë botën me gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë të përbashkët.

Gjuha shqipe është shumë më tepër se një mjet komunikimi. Ajo është një shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar, një komponent i pazëvendësueshëm në ndërtimin e lidhjeve familjare, komunitare dhe profesionale – brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Mësimi dhe ruajtja e saj përfaqësojnë një mision të përbashkët kulturor dhe kombëtar, që synon ruajtjen e vazhdimësisë ndërbrezore dhe fuqizimin e vetëdijes identitare.

Në këtë kuadër, certifikimi dhe mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk duhet të shihet vetëm si një përpjekje arsimore, por dhe si një komponent i domosdoshëm i zhvillimit kombëtar. Kjo përputhet plotësisht me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2021–2025 (që besoj do të rishikohet për 2025 – 2030), e cila konsideron diasporën shqiptare një partner strategjik për zhvillimin e vendit në fusha kyçe, si: arsimi, kultura, ekonomia dhe diplomacia.

Strategjia synon të forcojë pjesëmarrjen qytetare, të përmirësojë shërbimet për qytetarët tanë jashtë vendit dhe, mbi të gjitha, të ruajë identitetin kombëtar përmes gjuhës. Si lider rajonal, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është i angazhuar të kontribuojë aktivisht në bashkëpunim me autoritetet vendore, në keto procese zhvillimi, sa mbarëkombëtar, aq dhe lokal dhe rajonal.

Sot, më shumë se kurrë, është thelbësore të mendojmë diasporën si pjesë të pandarë të politikëbërjes dhe zhvillimit të Shqipërisë. Ajo nuk është më vetëm një burim ekonomik, por një urë lidhëse me botën, një vlerë e shtuar në të gjitha proceset e transformimit – nga arsimi dhe kultura, te teknologjia dhe reformat institucionale.

Në këtë rrugëtim të përbashkët për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka ndërtuar dhe konsoliduar bashkëpunime të rëndësishme me aktorë kyç të diasporës akademike.

Së fundi, kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me organizatën GERMIN, në kuadër të projektit Diaspora4Innovation, me mbështetjen e GIZ Albania dhe Bashkimit Evropian. Ky bashkëpunim synon të kanalizojë njohuritë dhe përvojën e diasporës në projekte konkrete kërkimore dhe akademike, duke përfshirë studiues shqiptarë nga jashtë në jetën akademike të Universitetit.

Gjithashtu, nëpërmjet bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), po fuqizojmë lidhjet me diasporën akademike dhe po promovojmë cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Në të njëjtën frymë, Qendra e Studimeve Albanologjike në Universitetin tonë ka ndërtuar ura të qëndrueshme me departamente të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Europë dhe më gjerë, duke kontribuar në përgatitjen e materialeve didaktike, trajnimin e mësuesve dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare në mjediset ndërkombëtare.

Shkodra, me traditën e saj, me studiuesit dhe eruditët e mrekullueshëm që kanë jetuar dhe punuar këtu, që kanë përshkuar rrugët e saj, është vendi më i volitshëm për t’u themeluar studimet albanologjike, edhe në nivelin Bachelor, me vlerë në Shqipëri e botë. Kjo është idea më e vlertë e këtij universiteti, sipas meje, është një nga sukseset me vlerë në kohë, me kushtin për t’u themeluar dhe vijuar me vizion. Ky është momenti të mendoni si grup intelektualësh nga diaspora, që mund të jeni pjesë e kontribuesve, qoftë si këshillues a mbështetës, për ndërtimin e një rrjeti me universitete, qendrat kërkimore albanologjike në botë e më gjerë (jo vetëm qendra albanologjike, por edhe të tjera që albanologjia mund të lidhet e të bëhet pjesë).

Ne kemi shpallur tashmë iniciativën “Diasora për Universitetin”, por që lipset të shoqërohet me ndryshime ligjore nga MAS.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka një ambicie të qartë: të shndërrohet në një qendër kombëtare të ekselencës për formimin e mësuesve të diasporës dhe për edukimin e vazhduar në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ky është një mision që ndërtohet mbi një trashëgimi të shkëlqyer pedagogjike, që ka përgatitur breza të tërë mësuesish – shumë prej të cilëve sot kontribuojnë me përkushtim në komunitetet shqiptare anembanë botës.

Të dashur pjesëmarrës,

Është një pasuri e jashtëzakonshme që Shqipëria ka një diasporë të arsimuar, të angazhuar dhe të përkushtuar, e cila përfaqëson një potencial të madh për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mbetet i vendosur për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin me ju – mësuesit, profesionistët dhe institucionet e diasporës – për të ndërtuar ura të qëndrueshme dhe për të forcuar rolin e gjuhës shqipe, si një themel i përbashkët identiteti, dinjiteti dhe zhvillimi.

Ju faleminderit për misionin tuaj fisnik, për përkushtimin e përditshëm dhe për dashurinë që mbillni për gjuhën shqipe në zemrat e brezave të rinj në mbarë botën.

Filed Under: Mergata

Feim Ibrahimi – Kompozitori i modernitetit dhe himnit shpirtëror të shqiptarëve – “Rrjedh në këngë e ligjërime”

August 2, 2025 by s p

Në përvjetorin e 28-të të ndarjes nga jeta të kompozitorit Feim Ibrahimi (1935–1997), kujtojmë jo vetëm figurën e një prej krijuesve më të mëdhenj të muzikës shqiptare, por edhe trashëgiminë e një vizionari që i dha tonin e kohës së tij muzikës serioze dhe vokale shqiptare. Ai ishte produkt i një shkolle të mirëfilltë kombëtare të muzikës, e cila në gjysmën e dytë të shekullit XX filloi të konsolidohej në përpjekje për të krijuar një identitet të veçantë të muzikës shqiptare, të përshkuar nga ndërthurja e traditës dhe modernitetit.

Feim Ibrahimi i përket brezit të parë të kompozitorëve shqiptarë të formuar në Shqipëri, të cilët sollën në krijimtarinë e tyre një ndjeshmëri të re, një guxim eksperimental dhe një ndërlidhje të fortë midis përjetimit personal dhe fatit historik të popullit. Krijimtaria e tij është pasuri e çmuar e muzikës shqiptare dhe përfaqëson një vepër të gjerë dhe të shumëllojshme: nga muzika simfonike e deri te muzika për fëmijë, nga kënga artistike te baletet dhe muzika korale.

Një prej kulmeve të veprës së tij, që ka kaluar përtej kohës dhe është shndërruar në një himn shpirtëror të shqiptarëve kudo në botë, është kënga “Kënga rrjedh në këngë e ligjërime ” me vargjet e ppetit Gjok Beci dhe melodinë e ndërtuar mbi një strukturë të thjeshtë por prekëse, e intepretuar mjeshtërisht nga Vaçe Zela, , kjo këngë mishëron ndjenjën e përkatësisë, të dhembjes dhe krenarisë kombëtare. Ajo u bë simbol i një fryme të re kulturore në fund të viteve ’70 dhe vazhdon të mbetet një prej pikëreferimeve më të forta muzikore në kujtesën kolektive shqiptare. Nuk është e rastësishme që kjo këngë këndohet në raste të mëdha kombëtare, në diaspora, në shkolla dhe institucione, duke përforcuar rolin e saj si një thirrje për unitet, dashuri dhe identitet.

Por Feim Ibrahimi nuk u kufizua vetëm në formën klasike të muzikës vokale. Ai guxoi të futë në muzikën shqiptare elementë të avangardës europiane, teknikën seriale dhe ekspresivitetin e përmbajtur të muzikës moderne. Ishte ndër të parët që eksperimentoi me përmasa të reja harmonike dhe ritmike, duke zgjeruar ndjeshëm horizontet e muzikës shqiptare.

Një shembull i veçantë i përballjes së tij me tematikat historike dhe mitologjike është baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”(1983), një vepër që përpunon në mënyrë metaforike motivin e qëndresës dhe flijimit të Gjergj Elez Alisë, një prej figurave më të fuqishme të epikës legjendare shqiptare. Në këtë balet, Ibrahimi përçon jo vetëm dhimbjen, përpjekjen dhe heroizmin, por edhe dramën shpirtërore të njeriut që mbart mbi supe plagët e historisë. Muzika është e fuqishme, herëherë therëse, me kontraste të forta që e lidhin veprën me një ndjeshmëri moderne europiane, duke e universalizuar kështu një mit shqiptar.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është pasqyrimi i ngjarjeve historike dhe sociale përmes gjuhës muzikore. Veprat e tij nuk janë të shkëputura nga konteksti, përkundrazi, ato shërbejnë si pasqyra të realiteteve të kohës: lufta, ndërtimi, idealizmi, dilemave të brendshme të individit dhe shoqërisë. Muzika e tij është angazhuese dhe meditative, por asnjëherë propagandistike. Ai i qëndroi gjithnjë besnik artit të vërtetë dhe përkushtimit ndaj cilësisë dhe origjinalitetit artistik.

Feim Ibrahimi pati gjithashtu një rol të madh institucional dhe formues në jetën muzikore të Shqipërisë. Ai ishte organizator dhe drejtues i festivaleve dhe ngjarjeve muzikore, duke ushqyer zhvillimin e brezave të rinj të kompozitorëve shqiptarë. Puna e tij në fushën e edukimit muzikor ishte po aq e rëndësishme sa edhe krijimtaria artistike.

Trashëgimia që ai la pas përfshin qindra vepra, shumë prej të cilave janë të arkivuara në fonotekat dhe bibliotekat muzikore shqiptare. Fatkeqësisht, siç ndodh shpesh në vendin tonë, një pjesë e veprës së tij pret ende të rigjendet, të restaurohet dhe të rivlerësohet siç e meriton. Rikthimi i veprave të tij në skenë, sidomos simfonitë, baletet dhe veprat për kor dhe orkestër, është një detyrë kulturore e domosdoshme për institucionet tona.

Sot, në 28-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, përkujtojmë Feim Ibrahimin jo vetëm si një kompozitor të shquar, por edhe si një figurë formuese të identitetit muzikor shqiptar të shekullit XX. Ai ishte një zë i rrallë që solli thellësi, elegancë dhe kurajë në muzikën tonë, dhe që me veprën e tij vijon të frymëzojë, të sfidojë dhe të prekë zemrat e dëgjuesve, përtej kohës dhe kufijve.

© Dorian Koçi

Filed Under: Kulture

Në kujtim të Drita Ivanajt

August 2, 2025 by s p

Zef Ujkaj/

Më 31 korrik 2025, në moshën 92-vjeçare, u nda nga jeta Drita Ivanaj (Ujkaj), një ndër bijat më të ndritura të një prej familjeve më të shquara të historisë shqiptare. Homazhet për të ndjerën u zhvilluan në ambientet e Fondacionit “Martin dhe Mirash Ivanaj” në Tiranë, institucioni që ajo krijoi e drejtoi me përkushtim, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit u bë në varrezat e Sharrës, pranë të atit, Martin, xhaxhait Mirash dhe kushëririt Nikollë. Me largimin e saj nga jeta, Shqipëria humbi një personalitet të rëndësishëm, që i kushtoi jetën trashëgimisë familjare, promovimit të vlerave kombëtare, ruajtjes së kujtesës historike dhe përhapjes së dijes ndër brezat e rinj.

Drita Ivanaj lindi në vitin 1933, në Tiranë. Ajo ishte e bija e juristit dhe gjyqtarit të lartë Martin Ivanaj dhe bashkëshortes së tij Giuseppina Pogliotti, italiane nga Napoli. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në vitin 1939, në moshën 6-vjeçare, Drita u largua nga Shqipëria bashkë me nënën e saj, fillimisht në Itali dhe më pas në SHBA, ku ajo ndërtoi një jetë të pavarur përmes edukimit, punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm. Në Itali, Drita kreu Liceun Shkencor dhe më vonë studimet e larta në Hunter College në Nju Jork për Ekonomi dhe Menaxhim Biznesi. Drita pati një karrierë të suksesshme në menaxhimin e biznesit ndërkombëtar, ku për 15 vite drejtoi zyrën përfaqësuese të kompanisë italiane FIAT në SHBA. Më pas, ajo u orientua drejt fushës së sistemeve kompjuterike dhe për më shumë se dy dekada shërbeu në Universitetin Columbia si eksperte e lartë dhe menaxhere projektesh për dixhitalizimin e sistemeve administrative.

Në vitet ’90, me rënien e komunizmit, Drita u rikthye për herë të parë në Shqipëri dhe rifilloi lidhjen e saj me vendin e origjinës, me qëllimin kryesor mbrojtjen e trashëgimisë së familjes Ivanaj dhe restaurimin e shtëpisë së Ivanajve – dikur e bastisur nga pushtuesit dhe e sekuestruar nga regjimi komunist – në një vend dijeje dhe kulture. Gjithashtu me përpjekje të mëdha arriti të riatdhesojë eshtrat e të atit nga Stambolli, për t’i prehur në Tiranë pranë vëllait të tij, Mirashit.

Në vitin 1995, ajo themeloi Fondacionin Ivanaj në Nju Jork dhe pas një viti Fondacionin “Martin dhe Mirash Ivanaj”, në shtëpinë e rindërtuar, në Tiranë, të cilën e mori në pronësi pas shumë peripecive. Fondacioni “Martin dhe Mirash Ivanaj” është një organizatë jofitimprurëse që promovon arsimin, kulturën dhe vlerat kombëtare. Në ambientet e këtij fondacioni përveç dokumenteve të shumta, artefakteve, librave, është i ekspozuar edhe një flamur, i cili u mor nga shtëpia e tyre në Tiranë, nga bashkëshortja e Martinit, Giuseppina, përpara se fashistët të futeshin në kryeqytet duke e marrë me vehte në Itali dhe pastaj në Amerikë.

Sot, ky fondacion përfaqëson një nga institucionet më serioze dhe të përkushtuara ndaj ruajtjes së trashëgimisë dhe edukimit qytetar në Shqipëri.

Historia e familjes Ivanaj është e lidhur ngushtë me ndërtimin e shtetit shqiptar modern. Prejardhja e tyre është nga Bëkajt e Trieshit, në Malësi, një fis i njohur për trimëri dhe atdhedashuri. Djemtë e Dodë Ivanit – Martini, Mirashi dhe Zefi – do të linin gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë. Shkollimin fillor e kryen në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beograd. Studimet universitare i përfunduan në Romë, ku Mirashi u diplomua në filozofi dhe jurisprudencë, ndërsa Martini në të drejtë zakonore, me fokus mbi traditat juridike të Trieshit, Hotit dhe Grudës. Tezat e tyre u vlerësuan maksimalisht dhe botimi i tyre u bë i mundur falë bijës së Martinit, Drita Ivanaj, dekada më pas.

Pas kthimit në Shqipëri, Martini kontribuoi si avokat, gjykatës, anëtar dhe kryetar i Gjykatës së Lartë (1932–1938), ku dha ndihmesë të jashtëzakonshme në hartimin e legjislacionit modern shqiptar. Vdiq në ekzil në Stamboll më 1940, duke lënë bashkëshorten Giuseppina dhe vajzën e tyre të vogël, Dritën.

Mirashi Ivanaj, një ndër personalitetet më të mëdha të arsimit shqiptar, la gjurmë si reformator i shkollës kombëtare. Ai hartoi dhe zbatoi reformën e madhe të arsimit shtetëror dhe laik, duke e bërë arsimin fillor të detyrueshëm dhe falas. Në postin e Ministrit të Arsimit (1933–1935), luftoi për të krijuar një shkollë shqiptare të pavarur nga ndikimet e huaja dhe fetare, të bazuar në parimet e dijes, qytetarisë dhe barazisë. Krahas tyre, kushëriri Nikollë Ivanaj dha kontribut të vyer si botues dhe publicist, pjesëmarrës në Kongresin e Triestes dhe përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Vepra e tij letrare dhe publicistike është dëshmi e përkushtimit të Ivanajve ndaj një Shqipërie të lirë, të arsimuar dhe të denjë.

Pas pushtimit fashist, vëllezërit Ivanaj refuzuan bashkëpunimin me pushtuesit dhe u larguan nga Shqipëria. Mirashi u rikthye pas luftës për të shërbyer si pedagog, por pas përndjekjes së ministrit Gjergj Kokoshi, ai vetë u arrestua në vitin 1947 dhe u dënua me burg për bindjet e tij demokratike. Vdiq më 1953 në spitalin e Tiranës, në vetmi, pa nderimet që i takonin.

Biblioteka dhe arkivi i familjes u shkatërruan nga fashistët dhe komunistët. Por vëllezërit Ivanaj lanë një trashëgimi të pavdekshme – ndërtuan institucione, mbollën dije, kultivuan vlera dhe jetuan me dinjitet.

Mirashi mban titujt “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut”, “Martir i Demokracisë”, “Mësues i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”. Ai dhe Martini janë dëshmi se Shqipëria është ndërtuar edhe mbi sakrificat e mendjes dhe shpirtit.

Me ndarjen nga jeta të Dritës, u shua pinjollja e fundit e një familjeje që i dha Shqipërisë gjykatësin dhe ligjvënësin, reformatorin e arsimit, botuesin dhe publicistin, luftëtarin për pavarësi dhe mbrojtësin e trashëgimisë. Ajo mbylli me dinjitet një histori të lavdishme, duke lënë pas gjurmë të thella në shoqërinë shqiptare. Në emrin tim dhe të vëllazërisë Ujkaj, Ju falënderojmë nga zemra të gjithëve për ngushëllimet dhe fjalët e ngrohta që na keni dhënë në këtë kohë të dhimbshme, pas ndarjes nga jeta të motrës dhe bijës sonë të dashur, Drita Ivanaj.

Drita pushoftë në paqe. Kujtimi i saj do mbetet përjetë i gjallë në zemrat tona, jo vetëm si pjesë e pandashme e familjes sonë, por si një grua që me përkushtim, vendosmëri dhe dashuri për atdheun, punoi pa u lodhur që vepra e vëllezërve Ivanaj – Mirashit dhe Martinit – të mos harrohej kurrë. Ajo u bë ura lidhëse mes së kaluarës dhe brezave të sotëm, duke themeluar një fondacion të posaçëm për të ruajtur, promovuar dhe bërë të njohur trashëgiminë intelektuale dhe atdhetare të familjes Ivanaj, në shërbim të arsimit, drejtësisë dhe shtetit shqiptar.

Sot, më shumë se kurrë, ne ndjejmë krenarinë dhe përgjegjësinë për të vazhduar këtë amanet. Drita nuk ishte thjesht një bijë e Ivanajve, por një dritë që vazhdoi rrugën e tyre me dinjitet, fisnikëri dhe vizion. Bëkajt e Trieshit, Malësia dhe mbarë Shqipëria do të të kujtojnë me krenari. Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj!

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 239
  • 240
  • 241
  • 242
  • 243
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT