• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VLERAT E PËRBASHKËTA” AMERIKANO-SHQIPTARE DHE VIZITA E DIPLOMATIT TË LARTË AMERIKAN, Z. GABRIEL ESCOBAR NË TIRANË

December 9, 2021 by s p

Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceAmbasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, “me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.” 

Kam venë re se Ambasada Amerikane në Tiranë, sidomos, kohët e fundit, thekson shpesh, “vlerat e përbashkëta demokratike” midis dy vendeve tona. Unë nuk e dijë se çfarë barometri të vlerave të përbashkëta përdorë ambasada jonë në Tiranë kur i cilëson si të “përbashkëta” vlerat demokratike, por që kurrë nuk i identifikon se cilat janë këto vlera të përbashkëta” midis Shteteve të Bashkuara – vendit më të përparuar dhe demokratik në botë, me Shqipërinë e sotëme pseudo-komuniste. 

Me një vend ish-komunist, i cili edhe pas tri dekadave të shembjes së Murit të Berlinit – dhe ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste evropiane – vazhdon të mos distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe as nga krimet e komunizmit dhe për më tepër ende nuk gjenë forcë morale as politike për të dënuar krimet e komunizmit enverist në Shqipëri. Me një vend, regjimi aktual i të cilit jo vetëm që refuzon, në mënyrë arrogante, të përballet me të kaluarën kriminale komuniste, por që me ndihmën e mbështetsve të tij perëndimorë në Tiranë, e paraqet veten si një vend “humanitar” i kohëve tona, që pranon strehimin e refugjatëve afganë.  Por harrojnë se, ndërsa kryeministri i këtij vendi të quajtur Shqipëri, po merrte dekoratën në Nju Jork për këtë “akt humanitar”, në të njëjtën kohë mijëra shqiptarë po largohen nga Shqipëria dhe trojet shqiptare duke u bërë vetë ata, refugjatë në dhe` të huaj, në mëshirë të dikujt tjetër, diku në botë – pikërisht si rrjedhim i keq-qeverisjes 30-vjeçare së kësaj klase politike fatzezë, të korrupsionit, padrejtësive, papunësisë, drogës dhe dyzina problemesh të tjera, përfshir mungesën e zgjedhjeve të lira – si barometri kryesor i demokracisë.  Janë probleme këto që numërohen vazhdimisht në raportet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe mbi gjëndjen e përgjithëshme në Shqipëri. Por që, siç duket, nuk i lexo kush, as qeveria shqiptare as diplomatët ndërkombëtarë në Tiranë, të cilët i mbyllin sytë para problemeve të mëdha politike dhe ekonomike me të cilat përballet sot Shqipëria – duke na e paraqitur atë vend si një “kopsht me lule”, si një demokraci perëndimore, vlerash të përbashkëta me Amerikën, pretendojnë ata. 

Z. Escobar, ju uroj qëndrim të këndëshëm në Shqipëri. Me fat që je në Tiranë me rastin e 31-vjetorit të protestave të studentëve shqiptarë në Tiranë. Ju do të takoheni me Kryeministrin dhe me zyrtarë të tjerë si dhe me stafin e ambasadës tonë në Tiranë. Të gjithë këta do të japin përspektivën e tyre se si po shkojnë (ose nuk shkojnë) sot punët në Shqipëri. Mendimet e mia mund të jenë të influencuara nga vlerat amerikane të lirisë dhe demokracisë, pasi për më shumë se një gjysëm shekulli jetoj në Amerikë. Si shtetas amerikan me origjinë shqiptare, si një person që pa kurrfarë interesi, jam munduar të veproj gjithmonë dhe modestësisht, për të mirën e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë, sidomos në interesin më të mirë të marrëdhënieve amerikano-shqiptare – ashtuqë që Shqipëria vërtetë të arrinte nivelin e ndarjes “së vlerave demokratike”, me Shtetet e Bashkuara.  Por, megjithë sukseset e arritura deri tani, besoj se kushdo që sot pretendon se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona bazohen në “vlerat e përbashkëta”, amerikano-shqiptare, ofendon vlerat e vërveta amerikane dhe gënjen brutalisht shqiptarët. 

Kështuqë, i nderuar Z. Escobar, nëqoftse nuk e ke në agjendë, gjejë kohë të takosh — në këtë 31-vjetor — ndonjë pjesëmarrrës ose grup pjesmarrësish në protestat studentore të vitit 1990, nëqoftse ka mbetur ndonjë në Shqipëri sepse pothuaj të gjithë të zhgënjyer janë arratisur/refugjatë, anë e mbanë botës – “si afganët sot”.  Të zhgënjyer dhe të dëshpëruar nga kjo klasë politike e korruptuar dhe e papërgjegjshme, të cilën diplomacia amerikane e ka përkrahur dhe e përkrah edhe sot si një regjim me të cilin Shtetet e bashkuara ndajnë “vlerat e përbashkëta demokratike”. Me modestinë më të madhe do të sugjeroja që në këtë përvjetor të protestave studentore anti-komuniste në Shqipëri, të gjejsh kohë dhe të takohesh gjithashtu edhe me ndonjë të përsekutuar ose grup të pëndjekurish nga komunizmi, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, për të dëgjuar — nëqoftse je i interesuar – pikëpamjet e tyre se si po shkojnë punët në Shqipëri, 30-vjet pas “shembjes” së komunizmit zyrtar.  Në këtë 31-vjetor, ju siguroj, Z. Escobar se, këto dy grupe shqiptarësh, por jo vetëm, e ndjejnë veten të abandonuar nga Shtetet e Bashkuara – aleati i tyre natural do thonin ata — por edhe të përjashtuar nga atdheu i tyre –Shqipëria – të cilin 31- vite më parë, ata e dëshironin si e “gjithë Evropa”, me vlera perëndimore, por ja ku është Shqipëria, aq larg Evropës sa ishte edhe në vitin 1999.

Z. Escobar, janë këto dy grupe shqiptarësh, ndër të tjera — që të pakën dhe mos tjetër, duhet të dëgjohen dhe jo të përjashtohen nga diplomacia amerikane.  Në vend të mbështetjes amerikane, pa kushte, të një klase politike të indoktrinuar në ish-regjimin komunist dhe që gjithnjë beson se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” dhe se regjimi i Enver Hoxhës kishte, “të mira e të këqia”, ka grupe të tjera interesi që meritojnë vëmendjen, nqëoftse vërtetë jemi të ingeresuar të zhvillojmë “vlerat e përbashkëta” midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë – pikëspari, vlerat e lirisë dhe të demokracisë dhe vlerën e jetës së shenjtë dhe të paprekshme –mbrojtja e jetës së njeriut, mbi të gjitha.

Mbështetësit — qofshin ata edhe në nivelet më të larta të qeverisë shqiptare — të vlerave të regjimit komunist të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve komuniste më barbare në botë, nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat amerikane, Zoti Escobar. Këtë duhet ta heqin nga mendja, njëherë e mirë diplomatët amerikanë, qoftë në Washington, qoftë në Tiranë.  Them, nuk kanë gjë të përbashkët sepse për më shumë se dy shekuj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithë sfidat dhe zhgënjimet, nga koha në kohë, janë të kushtuara ndaj parimit se të “gjithë njerëzit janë të krijuar të barabartë” nga Perëndia.  Se për dekada populli amerikan ka luftuar në mbështetje të lirisë për veten dhe për të tjerë përtej oqeanit — që duan t’i pranojnë vlerat amerikane — në mbështetje të parimeve dhe vlerave të lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, për të gjithë pa dallim, dhe tolerancës. Të gjitha këto si një trashëgimi e traditës së vlerave dhe virtyteve amerikane drejt përparimit të idealit të lirisë dhe demokracisë në këtë vend dhe në botë.  Megjithë të metat dhe sfidat gjatë historisë, kjo është një trashëgimi ose vlerë amerikane që bashkon dhe që, njëkohësisht, edhe respekton opinionet e ndryshme që shpeshëherë janë edhe në konlikt me njëra tjetrën. Këto janë virtytet amerikane, si të thuash, që vërtetë, përcaktojnë madhështinë dhe shkëlqimin e vlerave amerikane. Të thuhet se këto vlera amerikane kanë diçka të përbashkët me vlerat e një regjimi në shekullin XXI, që refuzon të dënojë krimet e komunizmit, është imorale, e pa përgjegjëshme dhe diçka shumë e gabuar.  Për më tepër, ti thurësh lavde një regjimi dhe klase politike nostalgjike për komunizmin, e cila për 30-vjet “post-komunizëm”, ka përjashtuar nga jeta politike, jo vetëm të përndjekurit dhe viktimat e komunizmit por edhe rininë trimëreshë të 1999-tës, për angazhimin e saj që solli “ndryshimin”. 

Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë, me rastin e 31-vjetorit të protestës anti-komuniste së studentëve shqiptarë, thuhet se, “Ne jemi krenarë që kemi qëndruar në krah të popullit shqiptar atëherë dhe do të qëndrojmë krah tij ndërsa ata përqafojnë të ardhmen.”  E vërveta është një vlerë tepër e rëndësishme amerikane që të pasqyrohet me fjalë dhe me vepra se Shtetet Bashkuara janë krahë mbarë popullit shqiptar, pa dallim, dhe jo vetëm në krah të një segmenti të shoqërisë shqiptare. Fatkeqësisht, për mirë ose për keq, ju Z. Escobar duhet të jeni në dijeni se shumë shqiptarë, mbrenda dhe jashtë Shqipërisë, mendojnë se Ambasada amerikane është bërë palë me Partinë socialiste në fuqi. Një dukuri e tillë – edhe nëqoftse është një perceptim i gabuar — nuk  shërben për më të mirën për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Prandaj është e rëndësishme që ju të gjeni kohë dhe të takoheni me përfaqësues të ish-studentëve të protestave 30-vite më parë — megjithse shumë prej tyre sot janë të përjashtuar nga pjesëmarrja në politikë — dhe me përfaqsues të shtresës së të përndjekurve politikë dhe viktimave të komunizmit, edhe këta të përjashtuar dhe të harruar nga qeveritë e këtyre 30-viteve, por që do të thonë se e ndjejnë veten të abandonuar e të përjashtuar edhe nga ndërkombëtarët, përfshir Shtetet e Bashkuara. Një takim i tillë me ta, Z. Escobar, do të ishte vërtetë një gjest që do pasqyronte një prej vlerave amerikane – mbrojtjen e të drejtave dhe lirive bazë për të gjithë shqiptarët, pa dallim — si dhe mbështetjen e tolerancës ndaj mendimeve ndryshe. Përjashtimi, historikisht, mund të jetë një vlerë shqiptare, por nuk është as nuk duhet të jetë një vlerë amerikane, madje as në një mjedis politik siç është Tirana zyrtare!

 Frank Shkreli

                                                Gabriel Escobar Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.

Filed Under: Opinion

Ekspozita ”Gentiana Lutea” “Verna”e artistes Florie Bajraktari në Ambasaden e Republikës së Kosovës në Suedi

December 8, 2021 by s p

E nderuar zonja ambasadore e Republikës së Kosovës në Suedi, znj.Shkëndije Geci, faleminderit për mundësinë që më dhatë për të ekspozuar punimet e mia në këtë vend të respektuar dhe në mesin e të ftuarëve tuaj, zonjave të nderuara dhe të mrekullueshme!Njëherit dëshiroj të ju uroj edhe Festat e Muajit Nëntor të historisë së lavdishme të kombit shqiptar si dhe të gjithë të pranishmëve Ditën e lules së Mbretit ilir Gent, e njohur me emrin Gentiana. Gent një mbret ilir që i përkiste dinastisë labeatëve [1] që sundoi mes viteve 181 – 168 para Krishtit, [1] [2] [3] Genti ishte djali i Pleuratit III, një mbret që kishte pasur marrëdhënie pozitive me Republikën e Romës. Kryeqyteti i Mbretërisë Ilire gjatë kohës së Gentit ishte Skodrinoni (Scodra). [4] Lashtësia e popullit shqiptarë me vazhdimësi nga Pellazgia me pas Iliria dhe vet pasardhësit e drejtpërdrejtë të tyre, shqiptarët si me të vjetrit dhe autokton në Gadishullin Ilirik, i dhamë botës mbarë dijet e para të qytetërimit europian si dhe shumë personalitete, liderë, lidere, sportiste, artiste dhe kengëtare të shquara dhe të talentuara me famë globale.Mua me frymezojnë të gjitha këto dhe i shfaqë edhe në punimet e mia artistike,dashuria dhe talenti për artin me burojnë nga shpirti e mbase e kam edhe trashegimi ashtu si edhe e bukura dhe kreativja pasqyrohej edhe tek puna e palodhshme e nënës time Dizajnere në veshjet moderne e kombëtare.Rruga artistike për femrën është sfidë e madhe si edhe vetë jeta në mërgim po ashtu. Të qenurit prind i vetëm është një sfidë të cilën e sfidova me angazhim të madh në rritjen, shkollimin dhe përkujdesjen ndaj tre fëmijëve te mi të mrekullueshëm, por kurrë nuk lashë anash as të pikturuarit dhe ekspozimin e punimeve prane artdashësve duke ju ofruar atyre motive nga lashtësia pellazge- ilire- shqiptare, qe me japin mua emocion, mallëngjim dhe respekt për vendin e origjinës dhe vendin mik të shqiptarëve, Suedinë.Fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri dhe përkrahja e njëra- tjetres si dhe ngritja e zërit tonë për të gjitha ato gra e vajza që nuk e kan këtë mundësi por që ato kan nevojë per ndihmesën tonë na obligon që të punojmë me shumë vendosmëri dhe më shumë përkushtim për një shoqëri me të drejtë, me të barabartë, me kreative dhe me të sigurtë për të gjithë.Shqiptarët si populli më i vjetër në Gadishullin Ilirik, historikisht, themelues të qytetërimit europian kan treguar interesim të veçatë edhe për pjesën më të madhe të bimëve të cilat i pasqyroj në shumë vepra të mia artistike.Bimët janë emruar në gjuhën shqipe prej se është folë gjuha shqipe, prej kohës së Pellazgëve, Ilirëve dhe deri të shqiptarët dhe mendoj se edhe nepërmjet artit duhet t’ i ruajmë dhe t’i përcjellim këto lashtësi, fakte, pasuri dhe bukuri edhe për artdashësit.Gentiana, lulja kuruese, me fuqi antibiotike, mori emrin në nderim të mbretit ilir, Gent,të cilit lutjet i sollën shfaqjen hyjnore te vendndodhjes se lules shëruese, Gentiana, me përbërës të saj të shumtë medicinalë që shpëtoi ilirët nga murtaja.Lulja Gentiana është frymëzim në shumë punime të mia por këtë emër te bukur dhe fisnik ia vura dhe e mban me shumë krenari edhe vajza ime, Gentiana.Në pikturat e mia zë vend edhe figura e fuqishme dhe stratege e femrës ilire siç ishte ajo e mbretëreshes Teutë. në vitet 230-227 p.e.s.Mbretëresha ilire, Teuta, shëmbëlltyra e parë e një femre të vendosur, diplomate, udheheqëse e shtetit dhe ushtrisë ilire duke mbretëruar dhe komanduar vendin e shqiponjave dhe duke sfiduar guximshëm edhe perandorinë e fuqishme të asaj kohe, atë romake. Mbretëreresha ilire,Teuta, mbetet figurë e lavdishme historike, e njohur nderkombëtarisht, për ne mbetet krenari dhe për mua rrezaton frymëzim në fushën e artit.Disa nga punimet e mia personifikojne rolin, fuqine dhe simboliken e fuqisë dhe bukurisë se femrës prej shpirtit luftarak prej luaneshe për t’i bërë ballë dhunës dhe për ruajtjen e dinjitet moral dhe njerëzor.E solla këtu edhe këtë veshje të mrekullueshme kombëtare që me emocionon shumë dhe me kujton respektimin e vlerave dhe humanizmin e popullit tim edhe gjatë periudhave me të errëta të historisë moderne, ku me veshjet kombëtare shqiptarët i ruajten dhe i shpëtuan mijëra hebrenj. Ruajtja e mikut është pjesë e nderit shqiptar, dhe kur shqiptari të jep Besën, të gjithë të afërmit dhe miqtë e tij janë gjithashtu të përkushtuar për të përmbushur premtimin e dhënë.Projektet e ardhshme për padrejtesitë ndaj femrës, në vecanti krimet e luftës, dhuna seksuale si mjet lufte nga pushtuesit serbë, thirrja e tyre për drejtësi ndërkombëtare me shtyn t’ i realizoj në të ardhmen e afertë disa projekte me peshë dhe rendësi tejet të madhe, qe mirëpret ndihmën e secilit dhe secilës kudo.Une kam në plan të realizoj ndërtimin e disa shtatoreve monumentale të figures se gruas për t’ i vënë ato në disa vende më rendësi dhe domëthënje të tejet të madhe si ne: Kosovë, Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Izrael dhe pran Kombeve të Bashkuara.Une kam besim se projekteve të mia do t’ i bashkangjitën personalitete të shquara vendore dhe nderkombëtare dhe me ndikim nga fusha të ndryshme për të me perkrahur si dhe për të dhënë se bashku jehonë rendësisë për konkretizimin e shtatoreve, mesazhit dhe porosisë që ato do të mbartin, qendresës së femrës, vajzave, grave, të mbijetuarave të krimeve të luftës, dhuna seksuale, që këto që ndodhën ne zemer të Gadishullit Ilirik, të mos ndodhin dhe as të mos përseriten kurrë më askund.
Sophie EkmanKosovos ambassad i Stockholm:Ambasadorja dhe piktorja kosovare Florie Lule Bajraktari dhanë një kontribut pë luftimin e kancerit të gjirit duke i dhënë një pikturë me motive të gjinjve me ngjyra akuarel Institutit për hulumtime shkencore të kancerit të gjirit Karolinska.Çdo lule në trupin dhe gjoksin e gruas simbolizon muajin përkatës kur gruaja u diagnostikua me kancer. Nga momenti i diagnostifikimit ka shpresë se kanceri mund të mposhtet me një kombinim të rrezatimit, kimioterapisë dhe kirurgjisë. Pranuese e pikturës ishte Svetlana Bajalica Lagercrantz, e cila është hulumtuese në lëmin e kancerit të gjirit dhe është mjeke kryesore në spitalin onkologjik Karolinska dhe vetë i ka mbijetuar kancerit të gjirit. Në foton në bluzë të kaltër, francezja Pascal tregoi se sa i vështirë është trajtimi i qelizave të kancerit. Dëshmia e saj ishte prekëse dhe askush nuk do të duhej ta duronte atë udhëtim, ndaj mesazhi i saj i qartë është zbulimi i hershëm. Nuk e dija që kanceri i gjirit është më i shpeshtë tek femrat mbi 65 vjeç! Këtu jemi me ambasadoren, e veshur me xhaketë rozë, artisten, e veshur me shall rozë dhe presidenten e Klubit Ndërkombëtar të Grave, IWC. Në foto janë edhe presidenti i shoqatës së ambasadave dhe kryemjeku në spitalin Karolinska, të cilët kanë marrë pikturën.

Filed Under: Kulture

DIELLI ME SHQIPTARËT NË FINLANDË

December 8, 2021 by s p

Fikrije Salihu autorja e librit “Diell në zemrën time”, rrëfen për Diellin e Vatrës në New York në një bashkëbisedim me Editorin Sokol Paja, emocione rreth librit “Diell në zemrën time” promovim që u zhvillua në Malmö të Suedisë në Qendrën Kulturore të Kosovës, në organizimin kulturor “Ditët e kulturës shqiptare në Skåne”. Fikrije Salihu flet me detaje për shqiptarët në Finlandë, sukseset e tyre, emigrimin nga Kosova dhe dëshirën për të kontribuar në Kosovë të të ardhmen e afërt.

PROMOVIMI “DIELL NË ZEMRËN TIME” NË DITËT E KULTURËS SHQIPTARE NË SKÅNE

Promovimi i librit “Diell në zemrën time” u mbajt në Malmö të Suedisë, konkretisht në ambientet e Qendrës Kulturore të Kosovës, në organizimin e “Ditët e kulturës shqiptare në Skåne”. Duke qenë fakti se shtetet Nordike janë fqinje, edhe ne bashkatdhetarët shqiptarë përmes miqëve jemi informuar se shoqatat shqiptare në Suedi përkrahin autorët e rinj letrarë, dhe ky fakt ishte si pikënisje e kësaj ideje promovimi. Këtë ide e bën edhe më të veçantë dhe emocionuese pasi pak ditë më parë u festua edhe dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe festa e Flamurit tonë kombëtar dhe njëkohësisht u mbajt edhe konferenca e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë. Gjithashtu dua ti përgëzoj organizatorët, apo bashkatdhetarët tanë në Malmö, ku edhe u vërejt se në atë shtëpi shqiptare të përbashkët dora e mikëpritësit ishte kudo e dukshme. Për mua është nder dhe kënaqësi të isha pjesë e atij organizimi aq pozitiv, dhe me mesazhe të arta per ne, dhe gjeneratat e reja. Përmbajtja e librit tim të parë është me poezi të ndryshme, duke përfshirë poezinë bashkëkohore dhe atë moderne. Një pjesë e librit flet për pavdeksi, jetë, dashuri, vetbesim, atdhedashuri dhe flijim etj. Pjesa tjetër Himn për Gruan,  Nënë Terezën, poezi për gruan, për nënën dhe për dashurinë e saj pa limit, (të cilës nuk mund ia kthejmë sakrificat asnjëherë sa duhet) libri flet për fuqinë, sakrificat, apo edhe padrejtësitë ndaj gruas. Pjesa e tretë flet për dyert e zëmrës i lë hapur. Vendlindja, largimi nga vendlindja, porosia, vaji i babit, etj. Pjesa e fundit shpirtin e lirë se mbajnë fuqitë, flet për durimin, pendimin, forca për tu mos u dorëzuar, pushtetarët e Kosovës, poezi për Astrit Deharin, etj.  

POEZIA SI MOTIVIM DHE FRYMËZIM

Poezitë janë një formë e artit letrar, përmes të cilit unë e shprehi në letër, dhe quaj art gjithçka që më motivon, e më frymëzon të shkruaj. Edhe vuajtja është art në vete, pasi asnjë njëjtë nuk e përjetojmë. Është e mrekullueshme që përmes poezisë mund të gjej anë të reja të vetes time duke shkruar. Unë ndjek rrugët shpirtërore dhe gjurmët e formuara nga rimat që krijohen nga situata të ndryshme, kështu që teksti shkon në një drejtim që ndoshta nuk mund ta imagjinoj fundin, apo ka frymëzime tjera kur e di se çfarë dua të përcjell deri në fund përmes një poezie. Dua ta theksoj se shumica nga poezitë e mia nuk kanë të bëjnë asgjë me jetën personale. Për mua shkrimtari duhet të ketë diçka të veçantë që të ketë aftësinë e krijimit edhe nga një këndvështrim tjetër, psh. dalja nga gjinia personale, në një gjini tjetër. Me sa kujtoj letersinë e kam pas për qejfi qysh si fëmijë, dhe fare mirë më kujtohen ekspozitat letrare të shkollës fillore. Ende e kujtoj veten si humbja pas tyre duke i përcjellur më shumë dashuri e pasion. Si duket qysh atëherë ka filluar të krijohet ai frymëzimi për të shkruar. Dua ta theksoj se poezia për mua është frymëzim dhe pasion i shpirtit, kështu që nuk kam asnjë pregaditje profesionale. Poezia ime e parë është publikuar në moshën kur isha 18 vjeçare, pasi emigruam me familjen time, këtu në Finlandë në vitet 1993-94 u publikua ”Porosia” me një fletushkë në gjuhën shqipe, falë punës së palodhshme të profesor z.Nexhmedin Salihu, frikë pas periudhës së emigrimit. Thënë drejtën jeta ime letrare e kulturore në Finlandë nuk është aq aktive, ndoshta për arsye se jam e angazhar maksimalisht në punën profesionale, prandaj nuk më mbetet shumë kohë, por saherë me jepet mundësia të vizitoj ngjarje të cilat organizohen. Të arrish të gjesh veten në atë ti çfarë e zotëron, është zotësi dhe je më afër vetes dhe edhe Zotit. Mendoj se të gjithë kemi ndonjë aftësi për ta pasuruar misionin tonë në këtë botë. E unë mendoj se misioni im është të ndihmoj njerëzit, qoftë nga ana profesionale, qoftë humanitare. Edhe ky libër ka një mesazh humaniteti, për të cilin kam vendosur që përmes tij të ndihmoj fëmijët me aftësi të kufizuara, kuptohet në vendlindje.

LARGIMI NGA KOSOVA TRI DEKADA MË PARË

Në fakt asnjëherë nuk jam larguar nga Kosova, edhe pse fizikisht nuk jetoj atje. Unë, edhe sot i kam të freskëta në kujtesë angazhimet e mia të asaj bote, që ua ktheva shpinën si shumë shqiptarë. Nuk ishte aspak e lehtë. Edhe pse u integrova këtu ne Finlandë me shumë, dhe me shpejt se sa ishte e mundur atëkohë, prapë ndjeja se diçka e shpirtit dita ditës po më mungonte, e kjo ndjesi akoma me tepër më bënte ti mbaja valixhet gati dhe të kthehesha në Kosovë. Për çudi edhe sot e kësaj dite, pothuajse 30 vite me radhe, një pjesë e imja jeton në Kosovë e pjesa fizike në Finlandë. Unë kam lindur në Mitrovicë, në vitin 1974, në veri të Kosovës, ndërsa jetoj që nga viti 1992 në Finlande, ku dhe punoj si higjieniste dentare në qytetin e Helsinkit. Jam nënë e dy fëmijëve të lindur, dhe rritur në Finlandë, Dardana dhe Kujtimi.  

RRUGËTIMI DERI NË FINLANDË

Fillimisht u nisëm për në Suedi, më pas udhëtimi ynë mori tjetër drejtim si pasojë e ndryshimit të rregullave të shtetit suedez për emigrantët. Jetuam një javë të plotë në Poloni. Ishte rrugë e gjatë dhe shumë e mërzitshme për ne. Me të mbërritur në Finlandë na transferuan në Turku, ku jetuam 5-6 muaj. Dëshira ime si vajzë e re ishte të mësoja gjuhën dhe të integrohesha në këtë vend, ani pse nuk kisha aq njohuri për Finlandën. 6 muajt e parë, në Turku jetuam në kamp, në një ish spital ku nuk mësova asgjë prej gjëje për Finlandën, dhe as gjuhën finlandeze. Kurse të gjuhës nuk kujtoj të na ketë ofruar dikush, sepse isha në moshë pa i mbush të 18-tat. Më pas kaluam në Punkalaidum, (fshat i vogël) ku jetonim në një kamp. Ky vend ishte si qendër për rehabilitimin e alkoholisteve. Ishim në liri, por ndiheshim sikur të burgosur. As atje për 6 muaj nuk u integrova thuaj në asgjë, por jo nga fakti se ne nuk donim të inkuadroheshim. Pas plot një viti në Finlandë na transferuan me një qytet të vogël afër Tamperes, ku nuk kishte asnjë shqiptar në atë vend. Atje u integrova në jetë dhe mësova gjuhën për një periudhë bukur të shkurt kohore. Kujtoj se isha përsoni i parë në klasë që shpreha dëshirë të punësohesha, kur në ditën e fundit të kursit të gjuhës finlandeze profesori na pyet; “kush është i interesuar të filloj me punë në një fabrikë të teknologjisë”, e cila atë botë ishte e sukseshme dhe me famë në Finlandë. Isha e para që ngrita zërin dhe shpreha interesimin të filloja në një profesion të cilit as emrin mirë nuk ja kuptoja, aq më pak ta zotëroja atë punë. Ishte fabrikë e cila prodhonte telefona mobil, dhe televizione të cilët kishin arritur fame nderkombetare. Per çudi une dhe dy vellezerit e mi, jo qe e mësuam punen, por per dy jave kaluam ne grupin e punetoreve me pervoj pune shume vjeçare, dhe me vend pune me vendim të përgjithshëm. Ishte e rralle atëkohë të punësohej dikush, perjashtim perkthyeseve te gjuhes, aq me pak tre persona te nje familje ne elektronik. Pas dy vite pune u transferuam ne qytetin e Turkut, pasi ndinim mungesen e shoqerisë me komunitetin tonë  që ishin ne qytetet tjera. Ne kishim arritur të fitojmë simpatinë e shoqërisë finlandeze, dhe dy familjeve të ngritura që kontaktonin me ne. Ata takoheshim me ne për qëllime të mësonin kush ishim ne, cilet, e si janë shqiptaret, te dinin per kulturen tone, dhe donin te mesonin pse kishim zgjedh te jetonim pikerisht ne Finlande?  Unë zotëroj titullin e dy profesioneve në degën e stomatologjisë, pra fillimisht si ndihmesë e dentistit, 2 vite, pastaj fakultet 3.5 vite si Dental Hygienist (higjieniste dentare). Këtu në Finlandë ky profesion është profesion ndër 10 më të kërkuarit, nga të gjitha fushat. Gëzon autoritet dhe besueshmeri te lartë, njashtu siç gezojnë diplomat e shumta te shkollimit ne kete vend, ndersa ne Kosove e viset tjera shqiptare njihet dhe ende i perket stomatologëve. Mendoj se ky koncept duhet te ndryshoj dhe tu mundesohet edhe tjereve ta gjejnë veten ne kete fushe pak te njohur per vendet tona. Endrra ime profesionale eshte te kthehem nje dite ne vendlindje, dhe te jap maksimumin tim profesional. Mesazhi im ne fushen profesionale per te rinjenjet, pse jo edhe per gjeneratat e ndryshme eshte se; sikur të kujdeseshim më shumë për shendetin oral, pa u marrë me kohën e filtrave dhe dukjes, do i kishim punët shume më mirë në shëndetesi. Shendeti oral nuk i përket vetem gojës, por është pasqyrë e gjithe shendetit te njeriut, andaj kujdesuni për dhëmbet.

DIASPORA SHQIPTARE NË FINLANDË

Mund të them se zemra mal më bëhet për shqiptarët e Finlandës. Kemi arritur bukur mirë, por gjithmonë duhet të ketë vullnet e motiv për të arritur edhe më shumë, dhe për të qenë sa më të bashkuar. Me krenari u rrufej kolegeve ne degen e stomatologjisë, dhe shoqerisë finlandeze për meritat, respektin dhe arritjet e bashkatdhetarëve ne Finlandën e largët. Kemi arritje te sukseseve nga me te ndryshme, sport, kulturë, biznes, politikë, arsim, etj. Kemi director, enterprise solutions at Nokia, doktor të shkencave bujqësore, veterinare – research manager, for food business, dentist, e dentist të specializuar, mjek të përgjithshëm, psikolog, menaxhment të transportit ndërkombëtar dhe shpedicionit, ekspertë të politikës sociale, doktor shkencë dhe teknologjie, doktor shkence dhe inzhinjerie, doktor shkence në marketing, profesionistë në shkenca matematikore, ekspertë të teknologjisë, juristë, ekspertë të tatimit shtetëror, sociologë, biznesmen të fushave te ndryshme, shkrimtare dhe shkrimtar me famë boterore, aktor, dizajnere, etj, etj. Shqiptarët në Finlandë jetojnë nje jete te thjesht, por të sigurtë dhe të shëndetshme. Lidhja me vendlindjen është gjithëherë aktive dhe e afërt, duke theksuar se gjeneratat e reja me kënaqësi e vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë, e akoma me krenari e flasin gjuhën shqipe, pa e harruar atë. Edhe në Finlandën e largët festohet dita e pavarsisë, përjashtim tani në kohen e pandemisë. Veprimtaria shpirtërore, atdhetare, diplomatike, ka dhe duhet të ketë rol të rëndësishëm në kontribuimin dhe bashkimin e shqiptarëve për interesa kombëtare. Të mësohemi ti afrojmë zemrat e popullit, ti përkrahim ata të cilët punojnë dhe e duan popullin shqiptar. Eksperienca nderkombetare është çelës për avancimin e shkences. Brezat e rinj janë pjesë e rëndesishme e jetës. E rëndësishme është ndarja e njohurive me brezat e rinj përmes dashurisë ndaj atdheut. Mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë format dhe mënyrat e duhura për t’i afruar drejt atdheut profesionistët dhe talentet e rinj. Si komunitet mendoj se gezojmë respekt në Finlandë, e dhashtë Zoti sukseset mos të ndalen asnjëherë. Finlanda ka nxjerrë talente shqiptare, e besa mendoj se të arrish deri tek suksesi i madh, në Finlandë nuk është aspak e lehtë. Mesazhi im për të rinjtë është të studiojnë, të punojnë pa u kursyer, në atë fushë ku ata e gjejnë veten më së miri. Një profesionist i sukseshëm duhet me patjeter ta adhurojë punën që bën. Ëndrra tjetër është ti shërbejë popullit dhe komunitetit shqiptar, të jemi ambasadorë përmes artit dhe meritave profesionale. Në fund dua ti falenderoj të gjithë ata që më përkrahën, drejtë kësaj rruge deri këtu ku kam arritur sot, duke filluar nga prindërit, fëmijët e mi, familja e ngushtë dhe shoqëria e gjerë, në veçanti z.Fazli Hajrizi, z.Hysni Syla, dhe z.Murat Koci, dhe gjithë lexuesit e mi e bashkëpunëtorët e mi.

Filed Under: Ekonomi

Melushe Bebeziqi (1933-1967) balerina e famshme shqiptare e Balshoj teater…

December 8, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/


Eshte nje e vertete e padiskutueshme qe balerinat e famshme ruse si Mathilde Kschessinska (1872-1971), Olga Spessivtseva (1895 – 1991), Anna Pavlova (1881-1931), Galina Ulanova (1910-1998), Natalia Makarova (1940-), Alicia Markova (1910-2004), Maya Plisetskaya (1925-2015), Ulyana Lopatkina, etj., i kane dhene Rusise primatin ne kete displine spektakulare te artit, por ne shqiptaret harrojme ose jemi te “infektuar me covidin” e te mohuarit te cdo arritjeje te bashkeatdhetareve tane ne majat e artit….Ne hollin e Balshoj Teater jane dy fotografi te dy yjeve te baletit rus me origjine shqiptare e madhja Melushe Bebeziqi dhe e bija e saj Margarita Perkun-Bebeziqi.Melushi ka interpretuar ne tempullin e baletit boteror role te tilla si: “ARRËTHYESI”- Lindori (14 nëntor 1953)”KALI GËRMUQ”- Cigania (7 prill 1960)”DON KISHOTI”- Spanjolle (13 maj 1961)”ARRËTHYESI” – Indiane (25 shkurt 1962)”DON KISHOTI” – Bolero (23 mars 1962)”SHATRIVANI I BAHÇISARAIT” (14 prill 1962)”TRAVIATA” – Cigane (20 shtator 1962)”DON KISHOTI”- Mercedes (5 tetor 1962)”LAURENCIA”- Liriku (11 janar 1963)”ROMEO & ZHULIETA” – Shërbyesja (25 prill 1963)”ARRËTHYESI”- Spanjolle (31 maj 1963)”LAURENCIA”- Flamengo (12 tetor 1963)”SHTEGU I SHTRËNGATËS” (7 nëntor 1963)”GAJANA”- Lezginka (6 shkurt 1964)”HIRUSHJA” Valltarja me gjarpër (20 shkurt 1964)”LEJLI DHE MAXHUNI” Mauritania (7 janar 1965)Ajo ishte nje shqiptare 24 karat … Babai i saj, Xheladin Bebeziqi ishte me origjinë shkodrane. Njeri me shpirt artisti, që këndonte shumë bukur këngët e qytetit të tij. Tregtia e bashkoi me korçaren, Sabiha Serezi, një grua e diplomuar për pedagogji në Stamboll. Në vitin 1924, ajo emërohet drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë. Në të njëjtën kohë, zgjidhet edhe Kryetare e Shoqërisë së Gruas shqiptare. Falë tregtisë dhe kulturës, kjo familje më pas, vendoset në Bullgari. Në Sofje, më 31 tetor 1934, lindi edhe Melushja.Me shpirtin e saj, të një artisteje të lindur shpalosi bukurinë dhe madhështinë e valleve shqiptare. Ende pa mbushur 13 vjeç, filloi të nderoi dhe njëkohësisht gëzoi kombin. Si të ishte Festival Kombëtar dhe jo Ballkanik, ai i zhvilluar në vitin 1947, në Manastir. Mbi 90 përqind e stadiumit ishte i mbushur me shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Kur hidhnin qeleshet e bardha nga gëzimi, ngjante si të kishin shpërthyer fishekzjarret. Të gjithë të elektrizuar nga magjia e interpretimit të valleve shqiptare nga Melushe Bebeziqi. Tronditi Budapestin në vitin 1949 me “Dasmën shqiptare”, në Festivalin e Dytë Botëror të Rinisë dhe Studentëve. U kthye në Tiranë, me çmimin e festivalit, si interpretuese. Edhe më shumë shkëlqeu gjatë turneut të vitit 1950, në Rumani, Bullgari, Hungari, Poloni, Çekosllovaki… Nuk kishte ç’të priste më Shqipëria, për të shkolluar këtë talent… Pas këtij turneu të jashtëzakonshëm, u përgatit lista e artistëve që do të nisnin studimet në Bashkimin Sovjetik. Në të ishte emri i Agron Aliajt, Ganimet Vëndreshës, Zoica Haxhos, Petrit Vorpsit, Xhemil Simixhiut dhe në krye i Melushe Bebeziqit. Pas gjashtë vjetë studimesh, në të famshmin “Balshoi Teatër”, kthehen në Atdhe vetëm pesë. Më e pakta që u tha në atë kohë për Melushe Bebeziqin, ishte që braktisi Shqipërinë. Melush Bebeziqi nje primabalerine e Bolshoit vdiq nga nje semundje e rralle ne zemer ne vitin 1967 ne moshen 33 vjecare.Sipas baletmaestrit tone te madh Agron Aliaj, Melushja ishte nje “ krijesë magjike, me nje jehonë dhe ndjesi që të lënë statujat e përkryera. Më ka lënë përjetësisht buzëqeshjen e erotizmit fëminor… Shpirtmadhe, por e madhe edhe si interpretuese. E madhërishme në sensibilitet, por magjike edhe si femër! Nuk mund ta trashëgonte dot këtë gjeni, ajo Shqipëri e varfër, shpërdoruese e pamëshirshme e këtyre ndjesive…Ashtu si bënë me të në vitin 1952, kur ajo erdhi me pushime. E fotografuan lakuriq fotoreporterët shqiptarë. Thënë ndryshe, e masakruan, sepse nuk e mirëkuptuan atë potencial të madh artisti. Nuk e mirëkuptuan as kur në mes të natës, për t’iu shmangur ashpërsisë së bashkëkombasve po lahej lakuriq në detin Adriatik… Ajo erdhi në këtë jetë për t’u bërë artiste me famë botërore. Nuk mund të shprehej shpirti i saj, në atë skenë të vogël, në atë regjim që më shumë se artistë nxori spiunë. Spiunët që shkonin në Komitetin Qendror dhe lëshonin shigjetat e kuqe:– Pse duhet të shkojë për studime jashtë shtetit një vajzë e tillë?– Hajde! Kërceni si Melushja dhe u qoftë ju udha e mbarë!- përgjigjej drejtori, Kol Jakova.Ikëm gjashtë për të studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe u kthyem pesë. Shpeshherë i kam bërë pyetje vetes:-Bëri mirë apo jo që nuk u kthye Melushja?Në këtë terren të vështirë, me male dhe njerëz krenarë në ashpërsi, Melushja nuk mund të shpërthente kurrë! Më kujtohet ajo që dikur i kam thënë Perlocajt:– Unë erdha në Shqipëri për të vdekur pak e nga pak, ndërsa ti ike në Francë për të lulëzuar pak e nga pak…Vetëm “Balshoi Teatër” ishte për Melushen. Aty dhe vetëm aty, mund të shkëlqente madhështia dhe perfeksioni i saj. Atje… ku më duket shpeshherë, sikur jam pranë Melushes që përshëndet publikun e mahnitur në magjinë e saj. Sepse Melushja ishte gjeni. Kërcimi i saj kishte ekspresivitetin e një krijese shumë të talentuar. Në të fshihej një botë e madhe mistike, orientale, e përzierë me një dramë të madhe njerëzore siç ishte edhe jeta e saj. Ajo ishte valltare magjike në ndjeshmëri, sensibilitet, ledhatime, lëvizshmëri… Ajo fytyrë e ëmbël dhe tërheqëse, ata sy të bukur, të zinj dhe të thellë, ajo zhdërvjelltësi sensuale e trupit, ai kërcim shumë erotik, me përsosmëri lëvizjesh të duarve dhe vitheve, të merrte frymën! Edhe tani, sa herë punoj me artistët e rinj dhe u kërkoj vallëzueshmërinë, më konturohet para syve Melushja.I thashë një herë kur ishim me studime në Moskë:-Melushe, nuk e di pse më shëmbëllen me plakën Izergil, personazhin e tregimit të Gorkit që nga Rusia, përfundoi në haremin e Shkodrës, ndërsa ti nga Shqipëria do të përfundosh në Rusi…Ajo me buzëqeshjen e saj të jashtëzakonshme, ma ktheu:-Agron! Ti vazhdimisht je pak filozof….Në fakt, më artiste se ne ishte ajo. Pas provave të lodhshme, shpeshherë mblidheshim të gjashtë studentët shqiptarë dhe loznim kush fantazonte më shumë. Na çudiste të gjithëve me fluturimet artistike për të ardhmen e jetës së saj. Aq sa edhe Xhemili nuk e arrinte dot në fantazi…Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik po hapej drejt Perëndimit. Kishin filluar të vinin artistë të mëdhenj, që më shumë se për talentin dëshiroheshin për përditshmërinë dhe lirshmërinë e jetës së tyre. Në këto kontakte dhe bashkëbisedime, ndjehej mirë edhe Melushja. Sepse ajo, nuk ia prishte kurrë qejfin vetes, duke iu përgjigjur përherë pozitivisht thirrjeve të brendshme. Sepse ajo, kishte lindur, për një botë të madhe, dashuri dhe art të madh…”Askush me mire dhe me sakte se nje gjigand si Agron Alia nuk mund ta pershkruante se kush ishte ballerina jone e madhe Melushe Bebeziqi…Edhe e bija e saj “eksploroi” ne rrugen e suksesit te se jemes…0Margarita Perkun-Bebeziqi eshte vajza e koreografit rus Georgi Perkun dhe e balerines se famshme shqiptare Melush Bebeziqi. Ajo ka lindur ne Moske ne vitin 1957.Por edhe ajo pati vdekje te hershme… vetem disa kohe pas triumfit ne Konkursin Nderkombetar te Baletit ne Moske ne vitin 1981 ( ku ajo fitoi medaljen e arte), vdes ne nje aksident automobilistik me 6 gusht 1981.Eshte nje fatkeqesi por edhe nje turp qe keto dy balerina njihen pak ose aspak ne Shqiperi. Por kjo lidhet me teper me qendrimin e shtetit komunist ndaj Melushit e cila pasi studjoi ne Moske , u martua me koreografin Perkun dhe nuk u kthye ne Shqiperi pas prishjes me sovjetiket. Edhe sot e kesaj dite nene e bije ( qe ndajne te njejtin varr ne Moske) jane te nderuara nga komuniteti artistik i teatrit Bolshoi.Por ne vendin e origjines ende asnje nderim per balerinen e madhe shqiptare…Gjithashtu binjaku i saj Ylli Bebeziqi, nje balerin premtues u burgos nga regjimi komunist ne Shqiperi dhe vdiq ne burg ne moshen 24 vjecare ne vitin 1958. Shkak i burgosjes se tij ishte nje hakmarrje per dashurine e tij me vajzen e nje personaliteti te njohur ushtarak te kohes.Tragjedia e tij ishte e tmerrshme… e hoqën nga puna, e mbyllën në çmendinë, e vranë në qeli dhe i zhdukën edhe varrin.

Filed Under: Kulture

Nëse nuk shkulim varfërinë, atëherë nuk kemi bërë asgjë kundër dhunës

December 8, 2021 by s p

Dhurata Çupi Tyli/

Nuk mund të ndahet dhuna nga liria, edukimi dhe kultura. Gjithkush që nuk i vlerëson këto të tria i nënshtrohet dhunës dhe akteve barbare. Është e padiskutueshme, dhe këtë na e tregojnë statistikat se roli i edukimit, zhvillimit dhe kulturës është një faktor tepër i rëndësishëm në uljen apo rritjen e dhunës si brenda familjes, ashtu dhe jashtë saj. dhuna me bazë gjinore, apo ajo, brenda familjes lind mbi premisa që në thelb kanë: varfërinë, mungesën e dashurisë, mungesën e shkollimit, stresin social dhe atë mediatik, dështimin personal dhe atë financiar etj.Për fat të keq dhuna ndaj grave është një fenomen që na trishton cdo ditë, teksa dëgjojmë kronikat televizive me ngjarje të tilla të rënda, ku gra e vajza dhunohen në të gjitha format nga bashkëshortët, partnerët, baballarët apo edhe të afërm të njohur e të panjohur. Ngritja e zërit për këtë shqetësim në rritje duhet të jetë prioritet thelbësor në politikat për mbrojtjen e gruas, si shtyllë e familjes dhe e shoqërisë. Politikat e hartimit të ligjeve për barazinë gjinore dhe për denoncimin e dhunës nuk duhet të jenë vetëm ligje të mira por duhet që këto ligje te jenë të zbatueshme dhe efektive, aty ku duhet , tek ato gra që kërkojnë mbështetjen e strukturave të shtetit. Rastet janë të shumta se si gratë kërkojnë mbrojtje nga shteti e se si po ashtu shteti për mes atij policit të lagjes i nënqesh në fatin e tyre. Ligji dhe forcimi i zbatimit të tij duhet të jetë prioritet i prioriteteve për ta bërë këtë shqetësim të ndjeshëm në mënyrë që të shmanget ky fenomen.Prandaj duhet së me parë që kjo cështje përvecse të jetë ligjore të jetë mendësi që krijohet nga vetë strukturat që depërtojnë në cdo qelizë , u garantojn siguri grave e vajzave të predispozuara për tu dhunuar.Nëse kjo mendësi lufton stereotipet gjinorë, duke i parë gratë të barabarta atëherë do të jemi drejt rrugës së duhur për tja dalë në këtë betejë që vazhdon. Kjo fazë në fakt duhet të fillojë që nga shkolla në hapat e parë të arsimimit të fëmijëve.Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-50 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës (dhunë nga partneri intim, dhunë në lidhje dashurie, dhunë nga jopartneri, ngacmimi seksual dhe/ose përndjekja), gjatë jetës së tyre.Pra, para moshës 18 vjeç…e çfarë tregon kjo…? Kjo na tregon se çelësi i suksesit është edukimi, familja e shëndoshë, dashuria prindërore dhe sigurimi i premisave që fëmija të rritet në një ambient që nuk e stimulon dhunën në cilëndo formë të saj.Në vitin 2007, kur hyri në fuqi ligji i parë për luftën ndaj fenomenit të dhunës në familje, e gjatë gjithë këtyre viteve është përmirësuar më tej legjislacioni në këtë fushë. Sic e thashë më lart, mbetet me rëndësi të vecantë që institucionet të veprojnë me përgjegjshmëri të plotë në këtë beteje, duke filluar nga polici i thjeshtë i lagjes deri tek gjykatësit e prokurorët që marrin në shqyrtim dosje të tilla që kanë në themel hetimin dhe gjykimin e çështjeve të dhunës në familje, dhe të dhunës seksuale ndaj grave.Sot flitet shumë për dhunën me bazë gjinore dhe flitet shumë pak për parandalimin e dhunës. Kjo për faktin se në vendin tonë bëhet shumë pak prej institucioneve ligjvënëse dhe atyre ligjzbatuese për parandalimin. Duket sikur ne jemi të fokusuar vetëm tek ajo çfarë ndodh…e në fakt kështu është!Nëse flasim sot për sot, atëherë s’na ngel veç të merremi me agresorin dhe viktimën. Por nëse flasim për të nesërmen, duhet të flasim për shumë më tepër se kaq. Duhet të flasim për rritjen e divorceve, për shkatërrimin e familjes, për keqedukimin, për emigrimin, për shpërndarjen e drogërave pranë shkollave e çdo gjëje tjetër që është shkaku primar për të ushqyer dhunën në rrugë, në familje, në televizione, në rrete sociale, në shkollë, politikë e kudo.E nisa me lirinë dhe do ta mbyll po me lirinë. Përse në sistemin e vuajtjes se denimeve një vlerë të jashtëzakonshme dhe të veçantë merr rehabilitimi?Sepse i dënuari kupton vlerën e lirisë…sepse i denuari kupton se kryerja e një akti të dënueshëm ndëshkohet dhe ai nuk duhet të kryej më akte të tilla. Por, përpara se të mbërrijmë këtu, ne duhet të rehabilitojmë shoqërinë tonë, fëmijet që vuajnë nga bullizmi, rininë që bëhet pre e drogës dhe grupeve të dhunshme, familjen e cila për shkak të ekonomisë së dobët kalon strese pafund…duhet tu sigurojmë ambient e mjedis të qetë fëmijëve që rritem me një prind…ashtu siç duhet të bëjmë më shumë për të alkoolizuarit, përdoruesit e drogërave dhe të varurit prej tyre.Nëse nuk shkulim varfërinë, e cila prej vitesh shënon vetëm rritje…atëherë nuk kemi bërë asgjë kundër dhunës. Dhe në këtë luftë me vrasjen e dhunën duhet të jemi të gjithë bashkë dhe jo vetëm në dukje dhe për dukje.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2523
  • 2524
  • 2525
  • 2526
  • 2527
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT