• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS “ALBTVUSA” FESTOI 25 VJETORIN E THEMELIMIT

November 2, 2025 by s p

Sokol Paja/

Michigan, 1 nëntor 2025 – Në “Imperial House” Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës festoi çerek shekull veprimtari mediatike, edukative, kulturore dhe atdhetare në shërbim të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “ALBTVUSA” përfaqëson modelin e arrirë mediatik, shembullin e shkëlqyer, frymën përbashkuese, nivelin e lartë profesional dhe trashëgiminë e shkëlqyer mediatiko-kulturore e atdhetare në Shtetet e Bashkuara. Administrimi vizionar i drejtorit Gani Vila, ndërthurur me profesionalizmin e spikatur e formimin e nivelin lartë gazetaresk të kryeredaktorit Rafael Floqi, energjinë e pasionin e të gjithë stafit e bashkëpunëtorëve, e ka shëndërruar Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës në një institucion serioz e dinjitoz, mediatik, edukativ, komunitar e atdhetar. Nën prezantimin e shkëlqyer të moderatoreve Brikena Hoxhalli, Armela Gjoka e organizatorit Fran Gjoka, mbrëmja festive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara kombëtare në Amerikë, shoqatave e organizatave patriotike, autoriteteve fetare në Michigan e personaliteteve politike, u kurorëzua një sukses i arrirë mediatik e komunitar me emrin dinjitoz “ALBTVUSA”.

E veçantë në mbrëmjen festive ishte pjesëmarrja e Vatrës: kryetari Dr. Elmi Berisha, nënkryetari z.Alfons Grishaj, sekretari Dr. Pashko Camaj, kryetari i Këshillit z.Kolec Ndoja, drejtori i degëve z.Mondi Rakaj, Editori i Diellit, kryetari i degës së Vatrës në Michigan z.Julian Çefa, kryetarja e degës së Vatrës në Worcester znj.Efi Qeleshi e vatranët Bardh Tomaj, Pal Rakaj, Ben Pllumaj e shumë vatranë të tjerë që nderuan një vlerë komunitare e mediatike me emrin e dashur “ALBTVUSA”. E veçantë ishte edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve fetare shqiptare në Michigan: Kisha e Shën Palit-Dom Fred Kalaj, Xhamia Shqiptare – Imam Shuaip Gërguri, Teqeja Bektashiane – Baba Eliton Pashaj, Kisha Orthodokse – At Eugene Shkurti të cilët kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer në zhvillimin e komunitetit, bashkëjetesën fetare e komunitare shqiptare në Michigan e më gjerë. Pjesëmarrës në këtë festë të rëndësishme ishin drejtuesit nga shoqata si: Bijtë e Shqipes, Qendra Ballkanike në Michigan, shoqata Malësia e Madhe, shoqata humanitare Rapsha, Koja, Jehona e Malësisë, Kosova, etj.

Dokumentari prej 13 minutash emocionoi të gjithë të pranishmit me historinë e suksesshme të lindjes e zhvillimit, sfidave e arritjeve të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës teksa drejtori i “ALBTVUSA” z.Gani Vila me përulësi dhe mirënjohje falenderoi mbështetësit dhe pjesëmarrësit në festën e rrugëtimit 25 vjeçar.

Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha theksoi se në këto 25 vite, ky medium ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme të komunitetit tonë në SHBA nga aktivitetet e “Vatrës”, shoqërive dhe institucioneve fetare shqiptare, vizitave dhe personaliteteve të larta nga Tirana, Prishtina e Shkupi. Bashkëpunimi midis “Vatrës” dhe ALBTVUSA është një bashkëpunim i natyrshëm, ky istitucion përbën mision historik në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe mbrojtjen e vlerave shqiptare në Amerikë. Ashtu si “Vatra” më shumë se një shekull më parë ngriti “Diellin” si simbol të dritës kombëtare, sot ALBTVUSA ka një ndikim shqiptar mbi fuqinë e imazhit dhe fjalës së lirë, theksoi ndër të tjera Dr. Elmi Berisha.

Dom Fred Kalaj në fjalën e tij vlerësoi vlerat shqiptare të kultivuara prej Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, ndërsa Imam Shuaip Gërguri uroi misionin e televizionit si një dritare shqiptare, teksa Baba Eliton Pashaj vlerësoi punën e televizionit për bashkimin e shqiptarëve kurse At Eugene Shkurti vlerësoi punën e bekuar në dobi të komunitetit shqiptar në Michigan.

Filantropi dhe biznesmeni i suksesshëm z.Agim Lumani në fjalën e tij vlerësoi historinë dhe punën e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës dhe bëri thirrje shqiptarëve në Michigan për të votuar Robert Lulgjurajn si përfaqësues i shqiptarëve në Kongresin Amerikan. Kryetari i Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu vlerësoi historinë e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë dhe bëri thirrje që shqiptarët e mërguar të mos e harrojnë kurrë Shqipërinë.

Besa Tafilaj vlerësoi veprimtarinë e televizionit, rolin e medias në shoqëri dhe ekspozoi punën e saj në Shtëpinë e Bardhë. Botuesi i gazetës “Illyria” z.Vehbi Bajrami vlerësoi punën kombëtare të “ALBTVUSA”. Z. Fran Gjoka e cilësoi “Televizionin” si dritare që lidh kombin e mërguar me trojet etnike.

Editori i gazetës “Dielli” Sokol Paja theksoi se Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës me programet kulturore, komunitare dhe kombëtare, ka pasur një ndikim të fuqishëm në mërgatën shqiptare të Amerikës për të ruajtur dhe promovuar interesin kombëtar, interesin komunitar, gjuhën shqipe, kulturën kombëtare, historinë, traditat dhe identitetin kombëtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me mijëra emisione televizive, intervista, kronika, profile, reportazhe, portrete, speciale, dokumentare, lidhje direkte, editoriale, komente, opinione, analiza dhe mbulime mediatike për Federatën “Vatra” e Gazetën “Dielli”. Këto vlera dëshmojnë për shërbimin e çmuar dhe mirënjohjen që ky television meriton nga secili prej nesh.

“ALBTVUSA” nderoi me certifikatë mirënjohje “Thank You” për mbështetjen, besimin dhe kontributin e dhënë në përparimin e misionit të “ALBTVUSA” në 25 vjet, si një zë i fuqishëm mediatik e unik i shqiptarëve të Amerikës të cilët janë: Edward Turfe, Agim Lumani, Fran Gjoka, Anila Niklos Coniku, Alfons Grishaj, Pjetër Stanaj, Peti Camaj, Mynyr Nazifi dhe filantropin e humanistin e shquar z.Ekrem Bardha.

Nënkryetari i Federatës “Vatra” z.Alfons Grishaj “Pishtar i Demokracisë” çmoi rrugëtimin 25 vjeçar të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, vlerësoi punën e shkëlqyer të komuniteteve fetare në Michigan dhe apeloi për më shumë reflektim, bashkëpunim e shqiptari prej shqiptarëve në mërgatë e sidomos klasës politike në Shqipëri e Kosovë në dobi të interesit kombëtar.

Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës vlerësoi me “Certifikatë Mirënjohje” për bashkëpunimin dhe kontributin profesional, frytdhënës dhe ndihmën e dhënë ndaj “ALBTVUSA” në 25 vite, për promovimin e kulturës dhe të vlerave kombëtare në diasporë: Elidon Haxhia, Gjok Gojçaj, Ben Pllumaj, Pashko Gojçaj, Besa Tafilaj, Nikollë Hysa, Pal Shkreli, Gjon Gjolaj, Marash Nucullaj, Adriatik Sheko dhe Lulash Palushaj.

Në këtë mbrëmje gala, Dhoma e Përqafësuesve të Shtetit të Michigan përmes përfaqësuesit Philip Peters e nderoi Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës me “Proklamatë” për kontributin e shkëlqyer mediatik në 25 vite histori. Ceremonia festive kulmoi me shfaqjen e trajlerit të filmit kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit që do të realizohet së shpejti në Hollywood.

Kandidati për Kogresin Amerikan Z.Robert Lulgjuraj vlerësoi punën e televizionit “ALBTVUSA” dhe theksoi nevojën e zërit shqiptar që të dëgjohet në Kongresin Amerikan. Ai kërkoi mbështetjen dhe ftoi shqiptarët që përmes votës të bëjnë histori në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Renis Nushaj kandidat për Senatin e Shtetit në Michigan vlerësoi vlerat shqiptare të promovuara prej Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës. Botuesi Ramiz Tafilaj në emër të “Gazetës së Alpeve” vlerësoi punën e tyre dhe nderoi me mirënjohje Gani Vilën e Fran Gjokën për veprimtarinë atdhetare, kulturore e mediatike. Ceremonia festive vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes nën argëtimin e këngëtarëve: Aleksander Gjelaj, Dorina Tiko, Nazife Bonjaku, Perparim Mefaja, Anjeza Ndoj, Albina Ndreaj, Bukurie Domi, Kim Vojkollari, Gerona Hyska, Sali Malaj, Misi Gojcaj dhe Alberije Hadergjonaj.

Filed Under: Politike

Pablo Picasso dhe Le Corbusier, dy gjigandët e shekullit XX, në një foto që përmbledh një epokë

November 2, 2025 by s p

Fotografia që paraqet Pablo Picasso-n dhe Le Corbusier-in në kantierin e Unité d’Habitation në Marsejë nuk është thjesht një imazh dokumentar; ajo është një takim epokal mes dy mendjeve që ndryshuan mënyrën si njerëzimi e sheh formën, hapësirën dhe lirinë krijuese.

Le Corbusier, profeti i modernizmit arkitektonik, e projektoi Unité d’Habitation si një laborator të së ardhme, një qytet vertikal ku jeta individuale dhe ajo komunitare ndërthuren natyrshëm nëpërmjet banesave modulare, hapësirave sociale, dyqaneve dhe ambienteve rekreative. E përfunduar më 1952, kjo vepër u bë manifesti më i fuqishëm i idesë së tij mbi arkitekturën si “makinë për të banuar”, një filozofi e cila synonte të zhbllokonte potencialin e jetesës urbane në shekullin modern.

Prania e Pablo Picasso-s, mjeshtër i pandalshëm i formës, ngjyrës dhe shpirtit të njeriut, i jep kësaj fotografie një dimension të veçantë. Ai duket i tërhequr nga radikaliteti i vizionit të Le Corbusier-it, nga mënyra se si arkitektura mund të jetë jo vetëm strukturë, por një akt i ngjashëm me pikturën, një ndërhyrje që transformon perceptimin tonë për realitetin. Dy figura të mëdha, të cilat rrallë takohen në të njëjtën kornizë, shikojnë së bashku drejt diçkaje që mbetet jashtë fushës së objektivit, por brenda horizontit të ëndrrave të tyre krijuese.

Kjo foto mbetet një dëshmi e rrallë e afërsisë shpirtërore mes dy gjigandëve që i dhanë trajtë shekullit XX, njëri përmes murit dhe betonit, tjetri përmes linjës dhe pigmentit. Ajo mishëron një frymë dialogu të heshtur mes artit dhe arkitekturës, ku vizioni i së ardhmes bëhet një ftesë për ta imagjinuar botën ndryshe.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: ESSE

Hipoteza të rrezikshme nga Gjykata Speciale

November 2, 2025 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Nga faktet që janë zbuluar tashmë, mund të ngrihen disa hipoteza mbi komplotin mbi të cilin punon dhe është ngritur Gjykata Speciale. E para, Gjykata Speciale duket se ka gjetur terren të përshtatshëm tek pasioni i disa njerëzve e familjeve shqiptare për hakmarrje. Serbia e ka njohur mirë këtë dobësi shqiptare të gjakmarrjes dhe e ka shfrytëzuar në maksimum, duke rekrutuar individë e familje me pasion hakmarrës ndaj figurave qendrore të UÇK-së. E dyta, si duket janë përfshirë në dëshmi të rrejshme shumë persona që kanë qenë ose profiterë ose të shantazhuar.

Faktori i tretë rezulton të jetë korruptimi i hetuesve e prokurorëve të huaj. Faktor pasues me gjasë ka qenë edhe naiviteti i jo pak ish luftëtarëve të UÇK-së, që kanë shkruar libra e ditar me gënjeshtra, që kanë folë mbarë e mbrapsht, duke i zmadhuar e deformuar ngjarjet. Dhe brenda kësaj është edhe naiviteti në rastin e publikimit të dosjeve të Gjykatës Speciale, të servuara nga qarqe poashtu antishqiptare. Gjithsesi edhe përçarja e faktorëve politikë është faktorë me ndikim në tërë këtë skenar ogurzi të armiqve të Kosovës. Natyrisht në themel Gjykatës mbetet shantazhi që është bërë ndaj politikanëve e deputetëve për formimin e Gjykatës Speciale nga qeveria e Partisë Demokratike të SHBA-së dhe nga shtete europiane e struktura të BE-së, të cilat as që e njohin Kosovën si shtet. (Gjykata u ka shërbyer si arsye që ta heqin nga rendi i ditës çështjen e njohjes së Kosovës si shtet.)

Dhe në fund është me peshë në këtë tregim të hidhur edhe manipulimi me sukses abnormal i opinionit publik nga propaganda intensive kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e krerëve të saj, gjë që e ka lehtësuar punën e të gjithë armiqve të Kosovës, të cilët me Gjykatën Speciale synojnë të kompromentojnë e mbase edhe ta zhbëjnë shtetin e Kosovës. Të bërë bashkë të gjithë këta faktorë malinj, e rrezikojnë seriozisht jo vetëm legjitimitetin po edhe ekzistencën e Republikës së Kosovës. E sigurt është se nëse dënohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi për krime lufte, hapen dilema dramatike për shtetin e Kosovës: mund të ketë tërheqje të njohjeve, bllokim të njohjeve, përjashtim nga organizatat ndërkombëtare ku Kosova aderon, rebelim të serbëve lokalë, inkursion ushtarak nga Serbia, reagime iracionale të ndonjë pjesë të shqiptarëve dhe rrjedhimisht delegjitimim-izolim, secesion-copëtim e demolim faktik të shtetit. Mbani mend!

Filed Under: Rajon

Ngrehina tredekadëshe e pushtetit korruptiv

November 2, 2025 by s p

Fitim Zekthi/

Shqipëria ka një klasë politike tmerrësisht të korruptuar. Sistemi politik i ndërtuar prej saj, prej më shumë se tre dekadash, ka krijuar gradualisht një sistem të mbyllur, i cili qeveris në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe me biznesin klientelist që përfiton rentat, kontratat dhe privilegjet e të mirave publike. Sasia e pushtetit, e parave dhe e fuqisë për dhunë, kërcënime apo shantazh që zotëron kjo klasë politike është e frikshme. Gjatë këtyre tre dekadave, ajo ka ndërtuar një nga ambientet ose habitatet me pandëshkueshmërinë më të madhe, jo vetëm në Ballkan, por në gjithë hapësirën nga Rusia deri në Paqësor. Drejtuesit e kësaj klase politike janë, pa dyshim, ndër më të pasuruarit në ndonjë vend. Fakti që kjo klasë politike, politikanët e saj të lartë, drejtuesit qeveritarë apo ish-qeveritarë, sulmojnë egërsisht SPAK-un dhe GJKKO-n tregon jo vetëm që ata për herë të parë po preken, po ndihen të prekshëm dhe të hetueshëm, por edhe që SPAK-u është në anën e së drejtës.

Sado dobësi që të ketë SPAK-u dhe GJKKO-ja, dy institucione të vogla përballë ngrehinës tredekadëshe të pushtetit gjigant e korruptiv, të paprekshëm deri tani, janë në anën e drejtë. E drejta nuk mund të jetë kurrë në anën e një klase korruptive tredekadëshe, që ka masakruar ligjin, rendin, pronën dhe paranë publike pa mëshirë, kur kjo klasë nis më në fund të hetohet nga një prokurori apo gjykatë që për herë të parë në këto tre dekada nuk janë emëruar prej saj. Ky kor i tmerrshëm i klasës politike kundër SPAK-ut tregon vetëm fuqinë, pushtetin dhe korrupsionin e kësaj klase. Ky kor do behet edhe me i eger, bashkepunimi i tij mes vedi me i hapur dhe klasa politike do sillet plotesisht si nje parti e vetme. Ajo luan gjithçka, në lojë ka lekuren, parate, historine e saj. Mjere njerezit e gjore qe jo vetem jane rregjuar prej vjedhjes por duhet te durojne edhe luften e politikes kunder SPAK qe qenka, sipas tyre, organizatë terroriste kundër kombit.

Filed Under: Ekonomi

𝟓𝟎𝟖 𝐯𝐣𝐞𝐭 𝐑𝐞𝐟𝐨𝐫𝐦𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧 – 𝐅𝐣𝐚𝐥𝐚 𝐧𝐝𝐫𝐲𝐬𝐡𝐨𝐧 𝐛𝐨𝐭𝐞̈𝐧

November 2, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Më 31 tetor, 1517, Martin Luther-i gozhdoi në portën e Kishës së Wittenberg-ut, Gjermani, 95 tezat e tij, të cilat do shënonin fillimin e Reformacionit, do ndryshonin historinë e Evropës e të botës, duke reformuar rrënjësisht Krishterimin dhe themelet e shteteve si Gjermania, Zvicra, Anglia, Skocia, Vendet e Ulëta dhe Skandinavinë, duke shërbyer më pas edhe në themelimin e shtetit amerikan, kushtetutën dhe sistemin qeverisës së SHBA.

Reformacioni ndikoi në standardizimin e gjuhëve amtare të kombeve evropiane: anglishten, gjermanishten, etj, përfshirë edhe gjuhën shqipe me Mesharin e Gjon Buzukut (1555) i cili i shtyrë nga përkthimi i Martin Luther-it i Biblës në gjermanisht, përdori gjuhën shqipe e jo atë latine në formulën e pagëzimit, liturgjinë dhe shërbesën meshare.

Reformacioni tronditi monarkitë dhe supremacitë; themeloi konceptin e “rëndësisë dhe lirisë së ndërgjegjes”, e cila prevalon mbi çdo autoritet e duhet të udhëheqë çdo individ; ndikoi në hartimin e ligjeve dhe forcimin e sundimit të ligjit, në kushtetutat e shteteve; në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve; ndryshoi artin dhe muzikën; transformoi rrjedhën e historisë së popujve; promovoi arsimimin e individit, si edhe ishte shtysë për ngritjen e universiteteve më të njohura sot në Evropë dhe SHBA.

Pesë pikat e Reformacionit:

• Sola Scriptura

• Sola Gratia

• Sola Fide

• Solus Christus

• Soli Deo Gloria

janë udhërrëfyes në njohjen tërësisht personale e jo “të tërthortë” të Trinisë.

Një njeri i vetëm, si Martin Luther, i hapi rrugën një plejade mendimtarësh të mëdhenj të cilët do ndryshonin botën.

Fjala, e varur mbi një portë solli Reformacion.

Fjala ndryshon historinë.

Dhe në aspektin jetësor e në të përditshmen tonë ne mbahemi pas këtij parimi, të manifestuar si: Mbaje Fjalën, Mos e shkel Fjalën, Peshoje Fjalën, Respektoje Fjalën, Mos e tjetërso Fjalën, Mbaj përgjegjësi për Fjalën, Dëgjoje Fjalën, etj.

Ndaj edhe: NË FILLIM ISHTE FJALA, mbetet një e vërtetë e patjetërsueshme.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 253
  • 254
  • 255
  • 256
  • 257
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT