• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË VEND TË NJË URIMI, HISTORI “RRUGËTIMI” E VITIT TË RI

January 1, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ 

Festa e vitit të ri, që festojmë sot, së bashku me dokumentin që shënon kohën, (kalendarin) që prej mijëra vitesh kanë kaluar nëpër rrugët e një evolucioni të gjatë ndryshimesh, sipas popujve, vendeve e sundimtarëve të ndryshëm. Para mijëra vitesh në shumë vende të botës, viti i ri konsiderohej i lidhur me fenomenet e natyrës, si me vërshimin e lumenjve në Egjiptin e lashtë, etj., me pjekjen e arrave te aztekët e Amerikës, në bazë të lëvizjes hënore tek hebrenjtë e disa popuj aziatikë si kinezët e më gjërë. Por dita (më interesante) e fillimit të vitit të ri paraqitej tek romakët të cilët e festonin ditën e ekuinoksit, më 25 mars. E ndërsa në disa popuj të kohës (në Europë) fillimi i vitit të ri konsiderohej edhe 1 marsi, pra fillimi i pranverës etj. Të gjitha këto ndryshime për fillimin e vitit të ri u shoqëruan me “kalendarët” e kohëve, ku më interesanti mbetet ai i zbuluari në një tempull të vjetër në Meksikë në vitin 1790, që njihet si kalendari aztek, dhe është i gdhendur si një cilindër graniti me diametër 4 metër dhe peshë 250 kv. Në këtë kalendar një shekull shënohej me 52 vjet, ndërsa dy “shekuj” shënoheshin një epokë. Në vitet 715-672 para lindjes së Krishtit, mbreti romak Numa Pompili përpiloi kalendarin e parë romak që shënonte kohën, madje edhe vetë fjala kalendar e ka prejardhjen nga latinishtja kalendarum, që do të thotë të mbledhësh, të thërrasësh… Gjithsesi, viti 153 para Krishtit shënon festimin e parë të fillimit të vitit. Duke qenë se vitet e brishta atëhere konsideroheshin në çdo tre vjetë e jo si sot në çdo katër vjet, u bënë gabime të cilat u mundua t’i korrigjonte perandori romak Jul Qezari, i cili i vuri muajit korrik emrin e tij Juli, dhe ndërtoi kalendarin e njohur me emrin e tij, kalendarin Julian, i cili kishte një jetë mjaft të gjatë ndër popuj e vende… Për shumë shekuj pas lindjes së Krishtit festimet e vitit të ri dhe festave të tjera u bënë sipas kalendarit Julian, i cili mbështetej në lëvizjet hënore, duke pasur spostime ditësh e datash. E ndërsa kalendarët ndryshonin, u desh të vinte viti 1582, kur Papa Gregori XIII nga Selia e Shenjtë në Romë vuri në funksion kalendarin e saktë që përdorim sot, dhe ky kalendar që atëherë njihet me emrin kalendari Gregorian. Besimtarët katolikë dhe shtetet me dominancë të tillë menjëherë filluan të zbatojnë këtë kalendar që kemi sot, ndërsa disa shtete me popullsi kristiane, por me besim ortodoks apo protestan e pranuan shumë më vonë kalendarin e ri Gregorian… Për shembull Gjermania e pranoi në vitin 1700, Britania e Madhe në vitin 1752, vendet nordike (Suedia) në vitin 1753, Japonia në vitin 1873, Kina në vitin 1912, ndërsa Rusia ortodokse mori vendim ta njohë këtë kalendar në vitin 1918, por që nën presonin e kishës u tërhoq, duke bërë që ta rikthejë zyrtarisht në vitin 1924, por që kisha e saj edhe sot vazhdon të “punojë” me kalendarin e vjetër Julian… Gjithsesi viti 1924 shënon zyrtarisht njohjen dhe zbatimin e kalendarit Gregorian që kemi sot nga thuajse e gjithë bota e civilizuar, duke përfshirë edhe atë Islame, e cila fillimisht kishte njëfarë stepjeje pasi paragjykohej një janari si dita e regjistrimit zyrtarisht të Jezus Krishtit, dhe kalendari ishte mbi motive kristiane, por që sot është sqaruar gjithçka dhe kemi siç thamë një kalendar të përbashkët. Është interesant të thuhet se në Shqipëri kalendari i sotëm u përhap së pari në zonat katolike të Veriut të Shqipërisë nga Kisha Katolike, që në vitin 1590, por mbetet “enigma” kundërshtimi i popullsisë së Mirditës për kalendarin Gregorian në vitin 1610. Shqipëria si shtet e njohu zyrtarisht kalendarin që kemi sot, pas çlirimit nga pushtuesit shumëshekullorë turko-osman, konkretisht në vitin 1914… GJITHSESI GËZUAR VITIN E RI 2022…

Filed Under: Ekonomi

DOKTORI QË SHËRON ME FJALË ZEMRE

January 1, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka

Të jesh profesionist në punën që bën është njëlloj si të jesh një idhull në sytë e atyre që besojnë në aftësitë e tua, por kur profesioni lidhet drejtpërdrejt me shëndetin, je akoma më shumë i predispozuar që ta fitosh këtë besim si një shërimtar hyjnor, tek i cili komuniteti dhe pacientët, binden se do gjejnë patjetër shërimin mjekësor dhe shpirtëror.  

   I tillë ishte edhe rasti i Dr. Bari Cekës nga fshati Millë i Ulqinit, të cilin e njoha falë reputacionit që kishte tek bashkëatdhetarët shqiptarë në Amerikë, falë besimit që kishin ata tek ky mjek e njeri i mrekullueshëm, që të shërbente jo vetëm më dijet e tia profesionale, por edhe me fjalën e ngrohtë që i buronte nga zemra.

   Një nevojë emergjente shëndetësore, që pata ato ditë të qëndrimit tim në New York- Amerikë, si pasojë e një problemi gati kritik për jetën time, bëri që unë të njihja nga afër këtë doktor të aftë e kaq vëllazëror. 

   I përkushtuar i tëri pas punëve të programuara për të cilat kisha shkuar atje, edhe pse isha në atë gjëndje shëndetsore, sërish doja të shfrytëzoja çdo minutë për të realizuar me përpikmëri agjendën që kishim planifikuar si staf, në mënyrë që të mos të isha unë shkaku për dështimin e saj, derisa në një moment mu duk sikur koha ime u ndal. 

   Në të vërtetë, më herët, miku im z.Naser Nika, menaxher i “Albi’s Party”, i cili ndihmon jo vetëm artistët këngëtarë në koncertet që organizon herë pas here në Amerikë, por edhe ata që kanë nevojë për kontroll mjeksor, që normalisht planifikohen për një kohë të gjatë, por falë shoqërisë dhe miqësisë që Naser Nika ka me doktor Ceken vizita bëhet e mundur brenda ditës.   

   Kështu edhe mua më kishte rezervuar një vizitë me dr. Bari Cekën, të cilën për shkak të angazhimeve e humba. Dhe, më keq akoma, mbas asaj dite nuk guxoja të kërkoja një vizitë të dytë, ngaqë më vinte zor pasi e humba për shkak të tejzgjatjes së xhirimeve të disa intervistave për dokumentarin televiziv që po realizonim, por edhe për faktin se trafiku në Manhattan ishte super i ngarkuar, gjë që për ne ishte diçka e panjohur, por kurrsesi nga mungesa e korrektësisë sime. 

   Megjithatë rëndimi i gjendjes sime vuri në lëvizje përsëri z.Naser Nika për të kërkuar një tjetër pronotim, urgjent kësaj rradhe, në bashkëpunim me miqt e mi krajanë e veçanërisht Kryetarin e Shoqatës “Kraja” z.Mirsad Kovaçi, i cili më dërgoi në klinikën e doktorit, para të cilit edhe pse krejt i pafuqishëm fizikisht, më rëndonte ajo ndjesia e të qënit si në faj. 

   Çuditërisht në takimin me të, edhe pse për herë të parë, më ngjau sikur njiheshim prej kohësh, pasi edhe biseda me të pranishmit kaloi në një afrimitet gati familjar, aq marrëdhënje të mira reciproke kishte krijuar me bashkatdhetarët ky doktor profesionist, vlerat e të cilit peshonin më rëndë se fiziku i tij. 

   Më ka mbetur në mëndje intuita, aftësia dhe saktësia e tij në të kuptuarit e gjëndjes sime shëndetsore, aq sa, sapo më pa më pyeti: “A nuk e don më veten tënde”? ose, si  të thuash: “A e ke veten tepër”?… çka më la të kuptoj se gjëndja ime ishte vërtetë kritike. 

   Ishte një vizitë mjeksore që nxori në pah aftësitë profesionale të një doktori unik në fushën e tij, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, do të thoja, pasi e gjithë vizita ishte e fokusuar në pyetje – përgjigje, pak vëzhgim me prekje e dëgjim me stetoskop…Dhe më pas, një ekzaminim i menjëhershëm me përpikmëri i gjëndjes sime shëndetsore, me shkak e me pasojë, për të cilën dr. Bahri Ceka lëshoi me firmën e tij edhe recetën e barnave që do i kthenin shëndetit tim normalitetin. 

   Një gjilpërë paraprake për forcim imuniteti më dha fuqi t’i bashkohem bisedës së të pranishmëve sa me të qeshur iu ktheva: Doktor, praktika jote e punës lë pa punë gjysmën e Shkodrës, se për një recetë doktorët të detyrojnë të bësh një mori analizash: si gjak, urinë, ekografi, skaner, rezonacë, e sa, e sa ekzaminime të tjera, vetëm e vetëm me përfitu, ose me përvetsu “dije” nga halli që të ka zënë. 

   Biseda u kthye në të qeshur, por po aty mësova se Dr. Bari Ceka kishte mbi 20 vite punë në Mjeksinë Interne, Intensive dhe atë Kardiovaskulare ku përgjatë këtyre viteve kishte fituar shumë çmime prestigjioze si mjek i dalluar në SHBA, me motivacione të virtyteve më të larta humane, i cilësuar si personi që i kishte qëndruar pranë si askush tjetër çdo shqipfolësi me probleme shëndetsore në Amerikë. 

   Ai me kontributin e tij personal ishte donator i shumave të mëdha monetare të dhëna për blerjen e një sërë pajisjesh tepër të nevojshme për shtëpinë e shëndetit publik në Katërkollë të Ulqinit. 

   Me porositë e Doktorit dhe dashamirsinë e tij ndjeva se shëndeti im nisi të përmirësohej dukshëm, sikur po më shëronte me fjalë. Ndoshta ky është sekreti i një shëronjësi me zemër të madhe; që të shëron me fjalë zemre, ndjesi të cilën e përjetova edhe unë falë kësaj eksperience të paharruar me patriotin shqiptaro – amerikan dr. Bari Ceka, me humanin që të shëronte me dorën dhe fjalën e tij, si një profet që i rri mbi kokë me përkujdesje e dashuri njerëzve që kanë nevojë për të, prandaj edhe unë  po me fjalë zemre i uroj suksese e mbarësi në punën dhe jetën e tij.

   Dhjetor 2021 

Filed Under: Politike

Një urim ndryshe këtë fundvit

January 1, 2022 by s p

PhD (c). Ll M. Igli TOLA  

Festimi i Vitit të Ri e ka zanafillën qysh nga epoka e Çezarit. Ishte Julius Caesar (Jul Çezari), në vitin 46 p.e.s., ai që krijoi Kalendarin Julian. Në këtë kalendar diellor, ardhja e Vitit të Ri u bë që të përkonte me festën e Janusit (Giano, Iano: Zoti i fillimeve materiale e jo materiale. Hyjni i Romës antike), nga emri i të cilit e ka prejardhjen Janari. Më vonë ndër shekuj ky kalendar u zëvendësua nga ai Gregorian dhe u vendos që Viti i Ri të jetë më 1 Janar. (për kuriozitet ortodoksët vazhdojnë të ndjekin ende kalendarin Julian dhe Vitin e Ri e festojnë më 14 janar.)

Një festë me zanafillë shumë të lashtë, mileniale; ku në thelb të gjithë celebrojmë një moment magjik në të cilin i themi lamtumirë vitit të vjetër, për të filluar një vit të ri me shpresën që të jetë më i mirë.

E ajo që shpreson gjithësecili prej nesh në rrafshin personal apo profesional varion; ama si Shqiptarë ‘ëndrrat’ kësaj here i kemi disi të kufizuara, sepse paradoksalisht kemi 30 vite që zhgënjehemi, na premtohet dhe serviret ‘sapuni për djath’. Andaj gjatë këtyre 365 ditëve të 2022 e në vijim na mjafton që:

  1. ‘Zarfi’ dhe vjedhja nëpër tendera/koncensione/PPP të shkoj të paktën 20%, aq sa ishte disa vite më parë. ‘Është bërë deti kos’ duke shpikur lloj-e-soj ‘yçklash’ e marifetesh që e kanë kthyer përmbys raportin 20:80; ‘zarfi’ është fryrë në mbi 80% të vlerës së projektit dhe ngelet që nga ai 20% të hidhet ndonjë lopat zhavor. 

Pavarësisht se nuk reagojmë, ose reagojmë me hope; nuk jemi budallenj dhe e kuptojmë se po e paguajmë kilometrin e rrugës sa ‘frëngu pulën’, pastrimin dhe incenermin e mbetjeve sa ‘arabi ujin’ etj. 

Duke zhvatur pronën dhe paratë publike për mëse 3 dekada: mjaft syresh janë bërë milionera, për pak veta thonë se i kanë kaluar edhe 1 miliardë euro nëpër ‘Off-shore’. Uleni pak ritmin se kështu do t’Ia kaloni edhe Elon Musk duke rendur drejt trilionit të dollarëve.  

  1. Dakort nuk del hesapi ti rrisni rrogat e administratës se aq është buxheti, kurse privati i cakton vetë në marrëveshje me punedhënësin dhe sipas kërkesë-ofertës; por të paktën mos u tallni kështu barbarisht me mundin dhe dinjitetin e qytetarëve. Një ushti me këshilltarë lokal, që zorr se e merr vesh për çfarë japin mend dhe a kanë shkuar ndonjë ditë të vetme në punë, paguhen sa 2-fishi i një mësuesi. Atij mësuesi që mund të japi mësim edhe në ndonjë fshat të harruar, të bëj nja 2 orë rrugë në borë e shi për të vajtur në shkollë.

Boll me trajtimin ‘ca të nënës e ca të njerkës’. Të duket sureale dhe ndjen neveri kur sheh se ka ca Institucione ku shoferat (këto mbase ish-pilota të Formula 1), apo sanitaret (ndërsa këto mbase me master në Harvard), marrin nga  1 milion e kusur në muaj. Mos të flasim për shefat dhe drejtorat e tyre. Kurse, inxhinierët, ekonomistët, mjekët që së paku kanë nga një karton diplome firmosin në bordo për 600-800 mijë lekë.

Nqs ka një vend të dytë në këtë planet ku ndodh kjo, qoftë Zimbabve apo Honolulu na thoni, mos të ngelim injorant.

  1. Fjala ‘Eurobond’ mbase tingëllon ‘trandy’, por e kemi kuptuar tanimë që është si puna e ‘dardhës që e ka bishtin prapa’; borxh që duhet ta paguajmë cent-për-cent e plus madje me ca interesa të majme. Prandaj, shtrëngohuni pak dhe mos na emetoni nga 2 obligacione brenda 16 muajve, me vlerë mbi 1 miliard euro. Historia ka dëshmuar me dhjetra herë që shtete shumë më të mëdha i ka kolapsuar borxhi dhe korrupsioni. 

Sikundër termi ‘Eurobond’, rrishtazi në fjalorin tonë u futën edhe termat ‘Arbitrazh’ dhe ‘vendime të Gjykatës së Strasburgut’, veçse edhe këto vetëm sa na e rëndojnë barrën që bartin përditë në kurriz. Falë këtyre ‘3 strumbullarëve’ borxhi publik de-facto i tejkaloi 90% të PBB-së. E aq më keq kur paratë kanë vajtur dhe janë harxhuar për projekte që ose kanë ngelur në letër-3D, ose kanë ngelur ‘rrugëve’ është për të dhënë alarmin SOS.

Për të bërë një krahasim të thjeshtë: vërtetë çdo bebe që lind merr 400 mijë lekë shpërblim, 800 mijë i dyti dhe i treti 1.2 milion; por marrin edhe një çek prej 4800 deri në 5200 euro borxh. Ne do të paguajmë, nuk kemi zgjidhje tjetër; fundja për të mirën tonë merren ato borxhe. 

“Eh sa shume gjëra bëhen në emrin tënd o popull” – Sandër Prosi.

  1. Sistemi gjyqësor të mos harxhoj shumë energji duke menduar dhe folur për kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’. Mbase, për to duhen të tjera rrjeta, apo karema-grepa; por të paktën këto ‘peshqit e mesëm’, sardele e cironka ti shohin një herë. U duket vetja Zeus që lëshonte vetëtima: ligjin e shkelin me të dyja këmbët pa iu trembur syri, duke mbajtur veshur mantelin e ‘arrogancës’. Që me të ardhurat e deklaruara nuk justifikojnë dot karburantin për makinën luksoze që bredhin lartë-e-poshtë, jo më makinën vet, rrobat firmato etj.

Kjo është forma më e thjeshë e Vetting-ut, pa kosto të shumta administrative e gjumë mbi dosje voluminoze; thjesht duke bërë një xhiro nëpër rrugët e qytetit.

  1. Të ndalojmë për ca kohë ‘prodhimin’ e VIP-ave, se edhe pak do të kemi më shumë VIP-a se njerëz (jo për gjë, por me dhjetra mijëra shqiptarë po vazhdojnë të largohen nga vendi çdo vit: azilantë, studentë, klandestinë etj). Kurse, VIP-at nuk ikin, se nuk gjejnë dot punë andej, se Europa dhe bota kanë mjaftueshëm VIP-a për vete.  

VIP, nuk është akronimi i “unemployed, and very lazy person”/njeri përtac dhe i papunë ; por i “very important person”/njeri shumë i rëndësishëm. Edhe ndodh të bëhesh VIP se ha fara në Tik-Tok, por jo të gjithë që hanë fara aty janë VIP-a.

Antivlerat kurrsesi në afatgjatë nuk mund të jenë Vlera, sado të përmbyset piramida shoqërore.

. . .

Edhe diçka të fundit, kjo më shumë në formën e lutjes. Mirë që po jetojmë në një “Big Brother” të madh (George Orwell këtë realitetin tonë kishte në mendje kur shkroi romanin “1984”): me lista pagash, borxhesh, tualetesh që kemi në shtëpi shëprndarë vërdallë si mall pazari ; të paktën na vendosni edhe një Premio – 100 milionë lekë të motivohemi tamam dhe shijojmë lojën. 

Filed Under: Opinion

VATRA DO NDEROJË MË 1 JANAR 2022 RAPSODIN BAJRUSH DODA

December 30, 2021 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të nderojë më 1 janar 2022 në orën 12.30 pm rapsodin e madh Bajrush Doda. Në një ceremoni solemne në Selinë Qëndrore të Vatrës, nderimi i rapsodit do të vijë në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta. Vatra e nderon rapsodin Bajrush Doda për veprimtarinë e tij jetësore dhe kontributin e madh që i ka dhënë folklorit shqiptar, i cili me një mjeshtri të rrallë diti ta ruaj dhe ta kultivoj me besnikëri melosin autokton të Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës dhe të Rugovës. Duke qenë një prej rapsodëve më mëdhenj të kohës, ai me këngët e tij që nuk do të vdesin kurrë, u bë i dashur dhe i adhuruar në të gjitha trojet shqiptare dhe ne me plot krenari mund ta quajmë legjendë të folklorit shqiptar.

Ftohet komuniteti shqiptar të bëhet pjesë e kësaj ceremonie madhështore nderimi në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të rapsodit të mirënjohur popullor Bajrush Doda.

Filed Under: Kronike

SHPOPULLIMI I SHQIPËRISË, NJË EMERGJENCË KOMBËTARE DHE KËMBANË ALARMI PËR TË GJITHË NE

December 30, 2021 by s p

Editorial nga SOKOL PAJA/

Shpopullimi i Shqipërisë është kthyer ne një problem shqetësues për çdo shqiptar, brenda apo jashtë atdheut. Ikja masive e shqiptarëve nga Shqipëria përfshin shtresa të ndryshme të shoqërisë, pozicione dhe profesione. Ikja është kryefjalë. Nga Shqipëria kryesisht po ikin të rinjtë që janë fuqia vitale e punëtore si dhe të profesionistëve të ndryshëm krijon një destabilizim e shbalancim të brendshëm të tregut të punës, shoqëruar kjo me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit tonë. Largimi nga Shqipëria e moshës më vitale dhe rritja e kërkesës se shqiptareve për azil në vendet e BE po sjell shqetësime edhe për vete Komunitetin Evropian. Pozicionimi i Shqipërisë në vendet e para, sipas statistikave zyrtare të Institucioneve prestigjioze dhe serioze të Sigurisë Globale dhe Humanitare, të INSTAT dhe te institucioneve te tjera qe merren me çështjen e emigracionit shprehin shqetësim te madh rreth fenomenit te largimit te shqiptareve nga Shqipëria. I madhi Faik Konica do të shprehej: “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme, do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj”. Fatkeqësisht aktualiteti na pohon se gjendemi vetëm në vuajtjet e Shqipërisë.  Pseudo-Rilindja e drejtuar nga kryetari Edi Rama gjatë 8 viteve qeverisëse, jo vetëm qe nuk i përmbushi premtimet elektorale por me keqqeverisjen e tij, kryeministri Rama zhgënjeu, varfëroi, dëboi shqiptarët. Shqiptarët nuk ndjehen më të sigurtë, të dashur dhe të ngrohtë në atdheun e tyre, në shtëpinë e tyre. Ky zhgënjim dhe dështim i qeverisë Rama që qëndron si xhelat mbi kokat e shqiptarëve, u shoqërua me rritjen e taksave, agresivitetin e shtetit ndaj qytetarëve, shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike, të ujit e shume shërbimeve bazike ndaj qytetareve. Pasiguria në vend, krimi i organizuar, kthimi i Shqipërisë në portë trafiku ndërkombëtar dhe shkarkimi nga puna për arsye politike si kundërshtarë, hapi konflikte të shumta dhe rriti papunësinë duke varfëruar ekonominë e familjeve shqiptare. Fatkeqësisht çdo ditë e më shumë shqiptaret po arratisen dhe kërkojnë mirëqenien e tyre në “dhe të huaj”. Shqiptarët ikin edhe pse ndihen të tradhtuar nga klasa politike që e mban peng vendin prej 30 vitesh duke shkatërruar të ardhmen e gjeneratave të kombit tonë. Shqiptarët ikin se ndjehen të vjedhur, të braktisur, të vetmuar dhe të pambrojtur nga qeveria. Gjithashtu, ndjehen të shantazhuar, të papërfaqësuar e të harruar prej klasës politike qe kujtohet për popullin vetëm kur ka zgjedhje politike.

Shqipëria ka nevojë me shumë se kurrë për njerëz me integritet te larte që gëzojnë besueshmëri në popull, të pa inkriminuar e të pa korruptuar që të ngjallin shprese dhe vizon për vendin. Një investim i domosdoshëm për ndalimin e kësaj hemorogjie largimi nga është të punohet shumë me rininë duke ju krijuar mundësi konkurrimi dhe jo me rekomandim partiak për një vend pune si dhe hapja e sa me shume shkollave e kurseve profesionale. Konkurrimi i ndershëm ne postet publike, pra jo në kushte fiktive duke dërguar dosjen ne DAP (Departamenti i Administratës Publike) me rekomandime politike sipas kontributit në fushata elektorale apo rasti i fundit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 qe patronazhistat kishin te dhënat e te gjithë elektoratit dhe bënin presion apo kërcënonin me forma nga me te ndryshmet elektoratin gri apo opozitar. Edukimi i mirë i rinisë është shpresa më e madhe e vendit tonë dhe investimi afatgjatë për të ardhmen e shtetit dhe kombit tonë.

Duhet ndalur në mënyrë të menjëhershme largimi i trurit të kombit tonë nga Shqipëria, i profesionistëve dhe i forcave të reja krijuese e inovative. Shqiptarët kanë nevojë për besim, për shanse të barabarta, për siguri, për projekte afatgjata dhe me kryesorja, vendit i duhen shtetarë që e duan atdheun me zemër dhe kane vizion për te ardhmen e vendit, e jo prioritet interesin personal apo një grupi te caktuar qe për te realizuar qëllimet nuk iu dhimbset asgjë. Përqindja e emigracionit në Shqipëri është rritur në masë shumë të madhe dhe vijon te përshkallëzohet ne ritme te larta. Ajo qe është me dramatike për popullin shqiptar është fakti se në mbarë popullsinë është ngulitur ideja për të ikur dhe se ky vend nuk bëhet?! Makineria e propagandës qeveritare përpiqet qe nëpërmjet medies pranë qeverise dhe te atyre qe i ka kapur ne një mënyrë apo tjetër, te shes largimin nga Shqipëria si një çështje e cila është ngjarje normale e globalizimit qe ndodh ne te gjithë boten. Këtë përpiqet ta paraqesë në mediat e kontrolluara nga qeveria për konsumim masiv në publik duke i shoqëruar me sekuenca suksesesh qeveritare, të cilat kur i krahason me realitetin e Shqipërisë që braktiset, ata nuk kane asnjë lidhje me realitetin e dëshpërimit te një populli qe e sheh te ardhmen e tyre, vetëm ne emigracion. Konica pohonte me te drejte “Ata që do të donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve”. Qasje që të ngjallin vetëm trishtim të tejskajshëm me realitetin shqiptar. Çdo qeveri e votuar për ti shërbyer qytetarëve dhe nuk vë interesin qytetar të parin, ajo do jetë kurdoherë një qeveri që tradhton interesin  kombëtare me dëme te mëdha, si  ndaj qytetarëve te majte e te djathte, ashtu dhe të shtetit e te shoqërisë shqiptare. Kjo qasje politike me produkte të gatshme për konsumim masiv dhe ndërtimi i një infrastrukture mediatike-propagandistike, e cila vihet në funksion të zbatimit të propagandës qeveritare është tipar themelor i funksionimit të diktaturave me një regji qendrore që prodhon e shpërndan dhjetëra apo qindra aktorë e faktorë që përsërisin të njëjtin mesazh të fabrikuar, orkestruar dhe shpërndarë nga “agjit-propi” qeveritar. Ndalimi i shpopullimit të vendit duhet të jetë kryefjalë e qeverisë, e medias dhe e shoqërisë civile në Shqipëri. Qeveria duhet të ketë një plan konkret kombëtar për qeverisje të mirë, për rritje të mirëqenies, të sigurisë publike e kombëtare, zhvillimit të ekonomisë e tregut të lirë, te bujqësisë e blegtorisë, te kthimit te Shqipërisë në një atraksion për vendasit dhe të huajt. Po ashtu, qeveria duhet jetë dinjitoze e transparente në prokurimin e fondeve publike dhe jo te presim qe skandalet mega korruptive, si te rastit te funtit, te incernatoreve te qeverisë me ministrin Koka, te vidhen me një të rënë lapsit, skandali i vjedhjes së të dhënave personale, i nxjerrjes së databazës për pagat e shqiptareve e shume skandale, e kanë kthyer shtetin qesharak në syte e publikut. Shteti shemb shtetin. Shteti trafikon të dhëna që mbrohen me ligj. Shteti tradhëton qytetaret e tij. Shteti, nga garantues kthehet në abuzues, shteti kthehet në antishtet.

Për të penguar këtë plagë të tmerrshme të braktisjes së Shqipërisë nevojitet një pakt kombëtar mes partive politike, botës akademike e universitare, komuniteteve fetare e shoqërisë civile, artistëve e njerëzve me ndikim në shoqërinë shqiptare, ku secili prej tyre të luajë rolin e tij dhe të marrë përsipër një përgjegjësi në këtë dramë për Shqipërinë tonë. Shqipëria është në rrezik te madh dhe sot ajo ka më shumë se kurrë nevojë për të gjithë Ne. Sot…nesër do jetë shumë vonë!

Filed Under: Editorial

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2653
  • 2654
  • 2655
  • 2656
  • 2657
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT