• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dekomunistizimi: çfarë fshihet pas këtij termi?

December 26, 2021 by s p

PhD Artan Hoxha

Fundjava e sprasme e nëntorit 2021 që ishte e gjatë sepse përkonte me festën e Shpalljes së Pavarësisë dhe atë të Çlirimit të Shqipërisë nga ushtritë naziste u festua, të paktën në Tiranë, ashtu si zakonisht kalohen të gjitha festat. Baret, pub-et, birraritë, restorantet u mbushën plot me njerëz të të gjitha grupmoshave dhe paraja u derdh lum. Flirtet nuk munguan: vajzat joshnin me hiret femërore përmes dekolteve dhe minifundeve kurse djemtë, me mjekrat e stiluara dhe flokët me brilantinë ekspozonin muskujt dhe trupat e tyre të palestruar pas bluzave enkas të ngushta. Platformat instagram, facebook e tiktok shpërthyen nga imazhe të shumëllojshme. Duhet të kërkoje shumë mes këtyre pamjeve të mbushura me eros për të shquar ndonjë mesazh patriotik. Politika nuk dukej në horizontin e këtyre festave në një shoqëri që, ashtu si edhe në Europë e Amerikën e Veriut, është e përfshirë katërçipërisht në konsumerizmin dhe hendonizmin e epokës postindustriale. Këto ditë të shënuara të pedagogjisë patriotike dhe ritualit nacionalist, treguan se shoqëria shqiptare po depolitizohet gjithnjë e më shumë. Në pjesën më të madhe të tyre, shqiptarët janë të shqetësuar për të ardhura më të larta dhe për të zgjeruar mundësitë për të zbuluar dhe shpalosur potencialet e tyre; më shumë se sa tek e shkuara ata janë të përqendruar tek e tashmja dhe e ardhmja. Duket sikur thënia e Monteskjesë se “të lumtur janë ata që nuk kanë histori” gjen vend në Shqipërinë e sotme – e në shumë e shumë vende të tjera, gjithashtu – ku, edhe pse historia ka një peshë shumë të madhe mbi të tashmen, ajo gjithsesi zë një vend fare të papërfillshëm në mendjet e shumicës së njerëzve. Por historia, sidomos ajo komuniste, rëndon e shqetëson eksponentë të caktuar brenda forcave kryesore politike në vend dhe festat e 28-29 Nëntorit u dhanë atyre një mundësi të qarkullojnë sërish idetë e tyre. Një fantazmë po u fanitet shpirtrave të këtyre personazheve që lundrojnë mes politikës, medias dhe akademisë. Është fantazma e komunizmit dhe e Enver Hoxhës. 

U bënë disa javë tashmë, që një nga fjalët çelës të debatit mediatik është bërë çështja e dekomunistizimit. Bujar Çela, një deputet i Partisë Socialiste, figurë krejtësisht anonime e politikës shqiptare, gjeti mundësinë të bëhej i njohur duke uruar Ditën e Pavarësisë me një fotografi, ku krahas flamurit kombëtar qëndronte edhe portreti i Enver Hoxhës. Kaq mjaftoi për të vënë në lëvizje Partinë Demokratike, që nëpërmjet nënkryetarit të saj kërkoi fillimin me urgjencë të dekomunistizimit. Në një deklaratë për shtyp, Enkelejd Alibeaj, theksoi se bashkë me nazizmin edhe komunizmi është i dënuar nga Bashkimi Europian. Që prej atij momenti, aktivistë të lidhur me forumet drejtuese të Partisë Demokratike në media dhe akademi, kanë nisur një fushatë të vërtetë kundër të kaluarës komuniste dhe kërkojnë edhe kalimin e një ligji mbi dekomunistizimin duke iu referuar në vijimësi një rezolute të Bashkimit Europian. Besoj se e kanë fjalën për rezolutën e 2 prillit të vitit 2009, që dënon të gjitha krimet e regjimeve naziste apo komuniste si dhe njeh se nazizmi, stalinizmi, regjimet komuniste dhe ato fashiste janë një trashëgimi e përbashkët europiane me të cilat, banorët e kontinentit duhet të ballafaqohen përmes një debati të ndershëm dhe konstruktiv. Pra, Europa nuk bashkohet vetëm nga rrënja e përbashkët qytetërimore greko-romake, kristiano-judaike dhe tradita intelektuale laike e iluminizmit – për të cilën ajo mburret – por edhe nga fatkeqësitë e mëdha që tronditën nga themelet arritjet e humanizmit europian.

Qysh prej 28 Nëntorit, debati në Shqipëri ka marrë një tjetër drejtim. Së pari, asnjë nga ata që bëjnë thirrje për dekomunistizim nuk arrijnë dot të përgjigjen se çfarë kuptojnë me këtë term. E po njëlloj, nuk dinë dhe nuk njohin rezolutën e 2 prillit të vitit 2009. Sipërmarrësit mediatikë e politikë që kërkojnë me forcë dekomunistizimin, nuk shprehen mbi dënimin e krimeve të regjimeve që ndiqnin ideologji ekstreme të majta e të djathta, si një reflektim mbi një të shkuar të përbashkët europiane, që nuk i dallon shqiptarët nga europianët e tjerë por i bashkon ata në një trashëgimi të përbashkët historike. Përpos kësaj, ligjërimi që ata përdorin është në shumicën e rasteve revanshist. Ndërsa kërkojnë vendosjen e drejtësisë, ata trumbetojnë për dënimin e krimeve të komunizmit me një gjuhë urrejtjeje. Por, nëse i referohemi sërish Bashkimit Europian, ky e dënon gjuhën e urrejtjes dhe anatemimin e kujtdo për shkak të besimit fetar apo ideologjik, orientimit seksual, gjinisë, racës, klasës, etj. Në fakt, regjimet komuniste dhe fashiste i kanë mbështetur programet e tyre politike mbi ideologji dhe mbi një fjalor, që ushqente urrejtjen për armikun, qoftë ai klasor apo racor. Ndërkaq, në këto dy javë, topat zbrazen kundër komunizmit duke keqinformuar publikun me dashje ose padashje, se kjo ideologji është e dënuar nga BE-ja. Sesi mund të jetë komunizmi i dënuar nga Bashkimi Europian në një kohë kur thuajse në të gjitha vendet e unionit ka parti komuniste dhe kampuset universitare janë të mbushura me marksistë, për këtë askush nga nismëtarët e dekomunistizimit nuk flet. Ndoshta edhe nuk janë të informuar, nuk i dihet. Padija, ashtu si edhe harresa, i bëjnë njerëzit të lumtur dhe i mbushin plot vetëbesim në atë që mendojnë se është kauza e tyre. Në sjellje, këta janë po njëlloj si edhe ata që dënojnë.

Madje, sipërmarrësit e djathtë të dekomunistizimitas nuk pranojnë, e madje e kundështojnë të skandalizuar faktin seKarl Marksi ka qenë një filozof humanist. Që nga ky pohim del qartë se as nuk e njohin dhe as nuk e kanë lexuar Marksin. Si antikomunistë, ata nuk e marrin mundimin ta lexojnë atin e komunizmit “shkencor”, sepse për ta ai është “largqofti” – tjetër çështje, pastaj, sesa janë në gjendje ta kuptojnë atë. Këtu nuk po bëj apologjetin e Marksit, të cilin kam më shumë se 20 vjet që e lexoj dhe sa më shumë i rikthehem, aq më shumë kuptoj se nuk mbështes idetë e tij, sidomos determinizmin e tij historik dhe mëtimin e historia udhëhiqej në rrugëtimin e saj nga një logjikë dhe ishte drejtuar drejt një destinacioni të pashmangshëm: shoqëria komuniste. Si vinte në dukje me mjaft mprehtësi Albert Kamy “sa më shumë njerëzit besojnë te historia, aq më shumë ata humbasin përgjegjësinë për jetët e qenieve njerëzore”. Por kjo nuk do të thotë se duhet të deklaroj se Marksi nuk ishte humanist apo, edhe më keq, ta shpall armik apo heretik. Filozofi i madh gjerman vijon të jetë një figurë qendrore e historisë së mendimit evropian dhe botëror dhe çdo intelektual i mirëfilltë angazhohet seriozisht me veprën e tij. Në këtë rast, do të ishte e nevojshme të kujtonim Volterin, që në një rast i shkruante një oponenti të tij: “me ty nuk jam dakord dhe mendimet e tua nuk më pëlqejnë, por jam i gatshëm të luftoj deri në vdekje që ti të kesh të drejtën t’i shprehësh ato”.

Në fakt, mënyra se si flasin partizanët e dekomunistizimit të këtij fundiviti dhe sesi e ndërtojnë gjithë ligjërimin e tyre, të bën të kuptosh se ata janë po aq përjashtues, e po aq mohues ndaj “Tjetrit” sa edhe revolucionarët e tipit leninist. Më shumë sesa me ithtarët e lirisë, këta shëmbëllejnë me inkuizitorët. Kërkesave dhe akuzave të tyre u kundërpërgjigjen “specialistë”, “ekspertë”, “studiues” dhe politikanë të së majtës shqiptare apo të lidhur e në shërbim të saj. Në shtyp e televizion ata nisin e rendisin krimet e forcave antikomuniste gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, por pa përmendur krimet që kanë kryer forcat komuniste dhe regjimi i PPSh-së gjatë dyzetë e pesë vjetëve të pushtetit të tij. Mos vallë duan të deligjitimojnë kërkesat e PD-së duke heshtur mbi krimet e PKSh-së dhe të PPSh-së? Kjo heshtje e tyre tregon se ata e legjitimojnë represionin dhe dhunën që ushtroi regjimi komunist mbi kategori të tëra shoqërore. Kështu, debati hyn në rrugë qorre dhe reflektimi i nevojshëm dhe klima e diskutimit prishet përfundimisht nga “profesionistët” e palicencuar të të dy krahëve të spektrit politik.

Edhe më shqetësuese janë kategoritë kolektive që përdorin në zhargonin e tyre “dekomunistizuesit” e këtij fundiviti. Repertori konceptual që ka si njësi analize grupin, në rastin konkret “komunistët” në numrin shumës, tregon se sa të pashkëputur janë ata nga tradita intelektuale e shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Nga sa i njoh, ata janë të pavetëdijshëm për këtë fill që lidh mendimin e tyre më atë të një shekulli e ca më parë, kohë kjo kur u ngjiz komunizmi, nacionalizmi, eugjenizmi, racizmi shkencor dhe të gjitha ideologjitë që kërkesat e tyre, i artikulonin mbi bazën e të drejtave që i takonin grupit ose grupeve dhe jo individit. Ky i fundit humbiste në kategoritë e gjera sociale ku e vendosnin ideologjitë. Deri ne mesin e shekullit XX është folur për të drejta kombëtare, etnike e klasore. Po njëlloj ndodhte edhe me armikun, i cili identifikohej mbi bazën e disa cilësive që i mvisheshin grupit shoqëror ku ai bënte pjesë. Në Europë, situata do të ndryshonte vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, që përkon me rritjen e skajshme të ndikimit amerikan në kontinentin e vjetër dhe kur në këtë të fundit do të depërtonte konceptimi individualist i të drejtave. Tanimë, do të flitej për të drejtat e njeriut dhe jo më të qytetarit, ky i fundit i kuptuar si një subjekt ekskluzivisht politik i angazhuar në jetën politike kombëtare. Individualizimi i të drejtave, i dha fund edhe asaj që është quajtur “tirani e qytetarit” dhe bashkë me të u depolitizua çështja e të drejtave, që i takonte ose i përkiste të gjithë njerëzve, pavarësisht statusit të tyre politik.

Në Shqipërinë e vitit 2021, ata që predikojnë “dekomunistizim” shkojnë në drejtim të kundërt me këtë prirje që ka më shumë se pesëdhjetë vjet që ka hedhur rrënjë në Europë dhe në segmente të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kodet gjuhësore dhe konceptuale që përdoren janë thellësisht kolektive. Në vend që ta trajtojnë problemin e regjimit komunist si një dukuri historike shqiptare dhe botërore, ata vënë në shënjestër kategori të caktuara sociale të cilat i godasin dhe kërkojnë t’i bëjnë përgjegjës me çdo kusht. Nuk flasin për reflektim por për ndëshkim, ose më mirë për ostracizim shoqëror. Historinë e shkruajnë si kanë qejf, shpesh duke e shitur veten si studiues, ndërkohë që nuk janë dhe nuk kanë asnjë formim për të bërë punë akademike serioze, të paktën jo për periudhën komuniste. Ndaj edhe kur e bëjnë këtë, e vënë në shërbim të agjendës së tyre apo edhe të promovimit të vetes. Kërkojnë të përdorin dekomunistizimin si mjet për të politizuar mjedisin gjithnjë e më të depolitizuar shqiptar dhe problemin e drejtësisë ndaj viktimave të komunizmit synojnë ta shndërrojnë nga një problem mbarëshoqëror, që kapërcen të majtën e të djathtën, në një instrument partiak.Në të vërtetë, depolitizimi i shoqërisë shqiptare që ne shohim sot, është tregues i zbehjes gjithmonë e më të madhe të trashëgimisë komuniste. Regjimi komunist donte të përshkonte çdo pore të shoqërisë dhe të kontrollonte çdo sferë të jetës përmes politizimit.Distancimi gjithnjë e më i madh i shoqërisë shqiptare nga ky politizim dhe debatet që prodhojnë vazhdimisht partitë politike, përfaqësojnë një dekomunistizim spontan e të pakomanduar nga lart.

Në fakt, ata mëtojnë se Partia Demokratike ka të drejtën morale dhe historike të drejtojë dekomunistizimin, kjo me pretendimin se ish të përndjekurit janë elektorati historik i PD-së. E para, pohime të tilla tregojnë qartë se sipërmarrësit politikë dhe mediatikë që kërkojnë dekomunizstimizin, e shohin këtë proces ekskluzivisht si një nismë politike të një partie të vetme duke përjashtuar çdo formë dialogu pluralist që përfshin brenda saj edhe shoqërinë civile. E dyta, ata e rrudhin këtë proces vetëm tek drejtësia për ish të përndjekurit. Sipas këtij arsyetimi, PD ka akaparuar ish të përndjekurit dhe pa të djathtën ata janë jetimë, kurse e majta nuk i sheh si shtetas shqiptar që kanë të drejtën e tyre kushtetuese të dëmshpërblehen moralisht dhe materialisht për të gjitha vuajtjet e tmerrshme që kanë kaluar gjatë regjimit komunist. Nga ky moment, ky problem nuk i takon më shoqërisë dhe të gjithave forcave politike, por vetëm Partisë Demokratike.

Dekomunistizimi dhe monopolizimi i këtij procesi shndërrohet kështu në një mundësi për të fituar kapital politik dhe për të goditur kundërshtarin politik, në këtë rast PS-në, duke e etiketuar atë thjesht dhe vetëm si trashëgimtare të PPSh-së dhe jo si partinë kryesore të së majtës që përfaqëson një pjesë shumë të rëndësishme të elektoratit shqiptar. PS, sipas kësaj logjike, ka ndryshuar emër por jo përmbajtje. Në këtë mënyrë, duke e lidhur dekomunistizimin me rezolutën e vitit 2009 të BE-së dhe europianizimin, PD kërkon të delegjitimojë sa më shumë brenda dhe jashtë vendit PS-në. Përtej padijes dhe zellit të tyre për të ndjekur dhe asgjësuar fantazmën e Enver Hoxhës dhe të komunizmit, arsyeja pse ithtarët e dekomunistizimit flasin dhe përdorin kategori kolektive që vënë në thepin e shënjestrës së tyre grupime të tëra, kanë qëllime të qarta politike të ditës. Duke akuzuar PS-në e vitit 2021 si trashëgimtare të PPSh-së që kishte për ideologji udhëheqëse marksizëm-leninizmin dhe duke deklaruar komunizmin si ideologji të dënuar nga BE-ja, praktikisht kupola e PD-së dhe të gjithë ata që janë në shërbimin e saj, kërkojnë të delegjitimojnë forcën politike që ka pushtetin. Kjo është një nga nismat e shumta që tanimë janë bërë të modës në jetën politike shqiptare, ku opozita kërkon me çdo kusht të polarizojë gjendjen në vend dhe të delegjitimojë partinë që ka fituar zgjedhjet.

Prandaj edhe instrumentalizimi i “dekomunistizimit” ka për të qenë një flluskë sapuni për sa kohë udhëhiqet nga qëllime segmentare që nuk rrokin në gjithë gjerësinë e tyre mbarë shoqërinë shqiptare. Kështu, ndërsa Enkelejd Alibeaj kërkon distancim nga Enver Hoxha, ai nuk sqaron se çfarë do të thotë distancim dhe nëse distancimi është alternativa e duhur për të reflektuar mbi të shkuarën. Përpos kësaj, zëvendëskryetari i PD-së nuk kërkon reflektim dhe hetim të gjithë atyre që kanë kryer krime në këtë vend. Dhe krime nuk kanë kryer vetëm komunistët, por jo rrallë herë edhe ata që e quanin veten si antikomunistë, sidomos në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Atëherë kur nismat e kësaj natyre, që kërkojnë përfshirje të gjerë, sidomos të shoqërisë civile, lindin nga nevoja politike të ditës dhe i përgjigjen interesit të ngushtë dhe të momentit të një partie të vetme, ato përgjithësisht veniten po aq shpejt sa edhe shfaqen.

Reflektimi mbi komunizmin dhe krimet e tij, kërkon pikësëpari të njohim se çfarë e mbajti aq gjatë atë regjim në këmbë. Në çfarë mënyrash dyzet e pesë vjetët e periudhës komuniste kanë farkëtuar modele që riprodhohen sidomos në kulturën politike dhe në korrupsionin e madh politik që ka përfshirë vendin? Cilat janë pasojat e shumta ekonomike, kulturore, shoqërore të atij regjimi? Si e kaluara komuniste rëndon mbi të sotmen? Kjo nuk mund të arrihet duke e nxirë atë periudhë dhe duke i adresuar asaj të gjitha problemet me të cilat ndeshet sot shoqëria shqiptare. Ndryshe, do të përfundojmë si Hrushovi me destalinizmin. Duke i mveshur Stalinit të gjitha problemet e Bashkimit Sovjetik, Hrushovi e shfajësoi sistemin që kishte lejuar Stalinin të kryente krimet që bëri – dhe në realizimin e të cilave ishte përfshirë edhe vetë Hrushovi. Duke u marrë më fantazmën e komunizmit dhe të Enver Hoxhës, e duke i cilësuar mbështetësit e diktatorit stalinist shqiptar si të këqij, nuk do arrijmë asgjë veçse do riprodhojmë, nën një petk tjetër, të njëjtin qëndrim të pakompromistë ndaj kundërshtarit, të cilin intrazigjenca e tipit leninist e shndërron në armik.

Shumë instruktive për këdo partizan të dekomunistizimit është domethënia e obeliksut të Nikita Hrushovit, bërë nga skulptori rus me prejardhje hebatike, Ernst Neizvjestni. Në vitin 1962, Neizvjestni pati një debat shumë të ashpër me Hrushovin. Udhëheqësi komunist e quajti artin bashkëkohor të skulptorit si të degjeneruar, akuzë kjo, të cilës ai iu përgjigj se Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të BRSS-së ishte thellësisht injorant në fushën e artit. Nuk ka nevojë të përshkruaj sesi u shpreh Hrushovi kundër Neizvjestnit. Gjithsesi, në vitin 1972, familjarët e Hrushovit, që kishte vdekur një vit më parë, i kërkuan të bënte qivurin e ish-liderit sovjetik. Neizvjestni pranoi. Obelisku përbëhet nga blloqe graniti të bardhë e të zi, të cilët janë të ngërthyer në pika të ndryshme me njëri-tjetrin. Duke përdorur një konceptim dikotomik dhe kundërvënien midis dy ngjyrave të kundërta, Neizvjestni përmes kësaj vepre vinte në dukje pikërisht kontradiktat e shumta brenda të cilave ishte kapur Hrushovi. Me qëllime reformatore dhe besimtar i utopisë komuniste, i vendosur të shkëpuste vendin nga trashëgimia staliniste, liberalizues i jetës ekonomike dhe sociale, ai në fund shtypi me tanke lëvizjen hungareze të vitit 1956, ndaloi lirinë artistike ku ishte vetë nismëtar, vijoi përndjekjen fetare me të njëjtin zell si Stalini dhe ekonominë e lejoi të qëndronte e mbërthyer në duart e planifikuesve qendror në Moskë. Përballja mes idealeve dhe realitetit, ndeshja me trashëgiminë staliniste që e kishte formësuar edhe atë vetë, bilanci pozitiv dhe negativ, e bënin Hrushovin një figurë tejet komplekse, gjë që Neizvjestni e shprehu edhe në veprën e tij. Përmes artit të tij dhe gjuhës së ngjyrave të granitit, skulptori i talentuar rus, mblodhi në një monument të vetëm historinë e Hrushovit si njeri dhe të vendit ku ai jetoi dhe drejtoi.

Ndoshta, qivuri i ish-liderit komunist mund të na tregojë shumë më tepër sesi t’i qasemi të shkuarës, pa mllef, por të etur për të kuptuar dhe mësuar sa më shumë prej saj, duke respektuar viktimat por duke bërë kujdes se si të identifikohen xhelatët. Mbi të gjitha, të mos e pikturojmë komunizmin si një distopi tmerri. Duhet kuptuar pse pati mbështetje, sepse gjurmimi i legjitimitetit dhe humbjes së tij nga regjimi komunist, na ndihmojnë më shumë për të kuptuar sesi struktura e pushtetit ndërlidhet me shoqërinë dhe sesi këto përshtaten në mënyrë të ndërsjellë me njëra-tjetrën. Kjo do kohë dhe punë. Në pikturën e tij të njohur “E vërteta, koha dhe historia”, piktori spanjoll Fransisko Goja e portretizonte “kohën” si një burrë me krahë engjëlli që mbante nga dora dhe ndihmonte të “vërtetën”, të portretizuar si një grua, të qëndronte në këmbë. Poshtë tyre, e personifikuar si një vashë thuajse e zhveshur dhe e ulur mbi një shkëmb, qëndronte “historia”, e cila regjistronte ngjarjet, gjë që nënkuptonte se me kohën del e vërteta. Goja ishte bir i kohës së tij dhe besonte plotësisht tek e vërteta. Sot jetojmë në epokën e post-modernitetit dhe siguritë e mëdha të iluminizmit janë tronditur shumë rëndë nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga diktaturat e egra të shekullit XX. Unë nuk e kam më besimin e Gojas për arritjen e të vërtetës, sikundër jam shumë skeptik në objektivitetin e historisë apo në emërtimin e saj si shkencë. Gjithsesi, “E vërteta, koha dhe historia” zbut pesimizmin intelektual të kohës që jetojmë dhe tregon se me kohë, nëse e kaluara studiohet për sa më shumë të jetë e mundur, e zhveshur nga qëllimet sektare – si edhe vasha që personifikon historinë – atëherë do të jetë e mundur të zbërthejmë më mirë të shkuarën tonë dhe përmes saj të kuptojmë se ku jemi e ku duam të shkojmë. 

Filed Under: Opinion

FESTOHET ME MADHËSHTI 109 VJETORI I KRIJIMIT TË USHTRISË SHQIPTARE

December 26, 2021 by s p

Forumi i Ushtarakëve  Shqiptar të “Bijve të Shqipes” në FILADELFIA

Ushtarakët Shqiptarë të liruar ose në pension, me banim në Filadelfia të SHBA,(nën drejtimin e kryetarit të forumit ushtarak z.Eqerem Murati,n/kryetarit z.Ali Sopi dhe sekretari i këtij forumi z.Lutfi Brami ky dhe moderatori i këtij aktiviteti), përkujtuan dhe festuan me madhështi 109 vjetorin e krijimit të ushtrisë shqiptare 4 dhjetor 1912, në lokalin “AMIÇI resorant në Cerrihill të Neë-Jersit” me pronar birin e Radomirës Kalasë së Dodës të nderuarin z.ASTRIT SHEFIT SELIM DAKU. Në ketë takim entuziast vëllazëror merrnin pjesë antarë të Forumit të ushtarakëve shqiptar të “Bijve të Shqipes”në Filadelfia, bashkë me zonjat e tyre të nderuara,miqë të ftuar nga shoqata e ushtarakëve “Skënderbeg”të Neë-Yorkut të kryesuar nga zv/presidentia e kësaj shoqate kolonele në rezervë zj.Nadire  Xhakolli,me ekipin e saj të përbërë nga antarët e kryesisë të kësaj shoqate, ish Pedagogu i Akademisë Forcave Tokësore dhe mik i shoqates dhe i Forumit të ushtarakëve shqiptar të “Bijve të Shqipes”z.Mihal Jano, veteranët ushtarak Agim Piro, Përparim Sahitaj dhe Veri Taushllari), Kryetari i Shoqatës “Bijtë e shqipes” z.Bujar Gjoka, zv/Kryetari i shoqatës z.Dritan Matraku dhe “Kryetari i Nderit” të kësaj shoqate z.Tajar Domi,ideatori,themeluesi i forumit të ushtarakëve ky dhe “Kryetar Nderi”i shoqatës dhe i Forumit të ushtarakëve z.Petrit Zanaj. Në hyrje të resorantit ishte vendosur një panoramë bukur ku valviteshin flamujt shqiptar dhe Amerikan si dhe një parullë e shkruar “Gëzuar 109 vjetorin e ushtrisë kombëtare shqiptare”, ”Forumi i ushtarakve shqiptar te Filadelfias, kënd i ndërtuar me një kompozim të  bukur nga “Kryetari i Nderit” të Forumit z.Haki “Haxhi” Daut Çollaku. Të gjthë pjesëmarrësitë zunë vend në tavolina dhe ata dukeshin shumë entuziast e të gëzuar që po takonim e festonim së bashku pas një periudhe gati 2 vjeçare që nuk kemi festuar për vetë kushtet që na krijoi e mallkuara Pandemi Covid-19. Vërtetë dukej se do të ishte një ceremoni e bukur, një festë e mirë organizuar në një mjedis të ngrohtë familjar e shoqëror, mes ushtarakësh që vite me radhë kanë punuar e sakrifikuar së bashku në Atdheun mëmë dhe prapë janë bashkë edhe në Atdheun e 2-të”Amerikën e lirisë e demokracisë”. Ketë mbrëmje festive e hapi sekretari i Forumit të ushtarakëve shqiptar të “Bijve të shqipes”k/komisari i rendit publik shqiptar i respektuari z.Lutfi Brami. Ai pasi na uroj mirseardhjen në ketë takim vëllazëror dhe na ftoj që të ndigjonim e të këndonim bashkarisht Tingujt e Hymnit Kombëtar Shqiptar dhe Hymnit e Kombëtar Amerikan,ku të gjithë pjesëmarrësit  u ngritën në këmbë  e me dorë në zëmër ,i përcollëm me shumë emocion. Pas hymneve kombëtare të Shqipërisë dhe Amerikës z.Lutfi ja dha fjalën Kryetarit të Forumit të ushtarakëve shqiptar të Filadelfias z.Eqerem Murati për të përshëndetur pjesmarësit,i cili i  bëri  një përshkrim të rrugës lavdishme të Ushtrisë Shqiptare në këto 109 vite, duke u ndalur në momentet më të ndritshme të kësaj rruge, si në luftratë që ka bërë populli ynë në luftë për liri pavarësi e demokraci, në organizimin strukturor të ushtrisë në vitet e Mbretërisë, organizimin ushtrisë gjatë luftës antifashiste N-Çl dhe fitoren mbi nazifashizmin si pjesë krenare e Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane, modernizimin në vitet e Luftës së Ftohtë dhe ristrukturimin e saj si pjesë e Aleancës së NATO s. Ai përshëndeti djemtë e vajzatë shqiptare sot nën uniformë, pjestarë të denjë në misionet luftarake e paqeruajtëse në botë, dhe po aq të paepur në detyra në raste emergjencash e fatkeqsishë natyrore brenda vendit dhe mbi sukseset e sotme të ushtrisë shqiptare në përbërje të aleancës atlantike si krenari e ushtrisë shqiptare në NATO. Fjala e tij u dëgjua me kënaqësi dhe u duartrokitë nga pjesmarrësit. Dhe pastaj muzikë, valle e vallzim, përplasje gotash e biseda shokësh e kolegësh, kujtime që shtrihen edhe përtej 50 vjetësh, kur ishin djemë e vajza të reja, skënderbegas e studente e studentë ushtarakë, oficere e oficerë të rinj kudo në Shqipëri. Në emër të shoqatës atdhetare kulturore të “Bijve të shqipes”përshëndeti pjesëmarrësit n/kryetari z.Dritan Matraku,i cili midis tjerash vlerësoi punën dhe kontributin që japin antarët e forumit ushtarak ,duke qenë shëmbull në gjitha aktivitet që organizohen e sidomos në ndërtimin e riparimin e ndërtesës së re të shoqatës. Në emër të shoqatës ushtarake “Skëndërbeg” përshëndeti ketë takim festiv kolonele në pension zv/presidentia zj.Nadire  Xhakolli,e cila falenderoi kryesinë e Forumit për ftesën dhe prezencën e saj e të  ekipit që ajo kryeson ,në ketë takim festiv vëllazëror organizuar për “109 vjetorin  e krijimit ushtrisë shqiptare” si dhe na solli përshëndetjen e Presidentit të kësaj shoqate kolonelit në (R) z.Bujar Hasani me urimin :’Gëzuar festën e ushtrisë shqiptare”dhe kështu festofshim bashkarisht në festat tjera në të ardhmen si dhe përjetofshim vetëm shëndet cilësor,jetgjatësi, mirësi,gëzime e lumturi familjare”. Mes këtij gëzimi familjar e vëllazëror vazhduan të kërcejnë e hedhin valle ish ushtarakët me zonjat e tyre, të cilët me shumë emocion i përjetuan këto 4-5 orë gazmore me këngë e valle,vallzim nga gjitha trevatë shqiptare. Drejtuesit e forumit dhe të Shoqatës kalonin nga një tavolinë në tjetrën, duke u takuar e çmallur me këta  vëllezër e kolegë,ku pati disa përshëndetje e takime e përgëzime me të ftuarit e nderit zotrijtë e shoqatës “Skënderbeg”,ku me rradhë çdo pjesëmarrës erdhi dhe i takoi dhe trokiti gotën e verës ,rakisë apo birrës me këta motra e vëllazër, që na e hijeshuan e shtuan gëzimin e festës sonë.  Nga artopolanti buçet kënga labe “Çobanët mbi Gjeneralë” dhe ajo për trimat e Drenicës,Tropojës, Dibrës dhe krahinava të tjera, ngrihen shëndete për shokë e miq.Mendoj se këtu një meritë të veçantë pati moderatori i këtij aktiviteti  k/komisari veteran Lutfi Brami, i cili me zgjuarësi e kopetencë  drejtoi ketë aktivitet. Sejcili pjesëmarrës kishte dëshirë të bënte foto me shokë e shoqe, sidomos tek këndi mes flamujve kombëtar shqiptar dhe amerikan. Shumë foto u bënë me të ftuarit për t’i patur si kujtim vëllazëror. Në ketë aktivitet u dhanë edhe disa “Çetërfikata Mirnjohje “ dhe “Nderi i Ushtarakut” për antar të forumit të dalluar dhe për kontribut pozitiv në shoqatë dhe në aktivitet e Forumit ushtarak. Moderatori i aktivitetit z.Lutfi Brami fton kryetarin e shoqatës”Bijtë e shqipes”z.Bujar Gjoka që të jap “ ”ushtarakut veteran z.Ahmet Shaban Shahut  “ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES”,me motivacion:”Për kontributin,sakrificën dhe përkushtimin për të kultivuar virtutet dhe traditat më të spikatura shqiptare në komunitet,duke qenë një model e simbol,i cili duhet të ndiqet në jetën e Forumit e më gjërë”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton “Kryetarin e Nderit” të Forumit z.Haki Çollaku për t’i dhënë “Çetërfikatën e Mirnjohjes “NDERI I USHTARAKUT SHQIPTAR” ,veteranit ushtarak z.Haziz Kuliçi me motivacion:”Për respektin dhe mbajtjen lartë të vlerave e virtuteve më të shejta të ushtarakut shqiptar në gjirin e komunitetit shqiptar të Filadelfia USA”,të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton Kryetarin e Forumit z.Eqerem Murati për t’i dhënë “ ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES” ushtarakut në rezervë z.Rifat Sula me motivacion:” :”Për kontributin, sakrificën dhe përkushtimin për të kultivuar virtutet dhe traditat më të spikatura shqiptare në komunitet, duke qenë një model e simbol,i cili duhet të ndiqet në jetën e Forumit e më gjërë”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton zj.kolonele Nadire  Xhakolli që t’i jap Çetërfikatën e mirnjohjes,”NDERI I USHTARAKUT SHQIPTAR”, veteranit z.Kastriot Hysko me motivacion:” :”Për respektin dhe mbajtjen lart të vlerave e vituteve më të shejta të ushtarakut shqiptar në gjirin e komunitetit shqiptar të Filadelfia USA”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton “Kryetarin e Nderit” të forumit të ushtarakut z.Petrit Zanaj të jap “ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES” zonjushës Hatixhe Haki “Haxhi “ Çollakut me motivacion:”Për përcjelljen e vlerave dhe virtuteve që na jep ne si veteranë të ushtrisë shqiptare dhe mbarë komunitetit shqiptar të Filadelfias,duke qenë një model e simbol,i cili duhet ndiqet nga të rijtë shqiptar dhe antarët e forumit tonë ,për të qenë qytetar të devotshëm mikut më të  madh të kombit tonë “Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit.  Prindërit  zj.Dhurata dhe z.Haki Çollakut në nderim të vajzës së tyre, Hatixhes, e sapo diplomuar për të shërbyer në radhët e USA Army! Jo vetëm sytë e Dhuratës, por edhe të të pranishmëve mbushen me lotë, lotë krenarie e nderimi. Të dy prindërit krenarë i përqafon edhe kolonelia në (R)Nadire Xhakolli, ushtarake në pension edhe ajo, por edhe djali i saj, Tani dhe bashkëshortja e tij, gjithashtu shërbejnë në FA të SHBA. Ja pra, edhe brezi i ri i emigrantëve shqiptarë, po ecën në shtigjet që hapën brezat e mëparshëm duke u bërë pjesë e FA të SHBA. -Moderatori fton “Sekretarin e Nderit”TË Forumit z.Hys Hasa për t’i dhënë “ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES”, z.Jakup Domi me motivacion:” :”Për kontributin, sakrificën dhe përkushtimin për të kultivuar virtutet dhe traditat më të spikatura shqiptare në komunitet, duke qenë një model e simbol,i cili duhet të ndiqet në jetën e Forumit e më gjërë”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. Zotrive te shoqates “Skenderbeg”ju dha nje “Çeterfikate mirnjohje” dhe nje flamur kombetar shqiptar. Në ketë aktivitet poeti e shkrimtari ushtarak Veri Taushllari i dhuroi shoqatës “Bijtë e shqipes”dhe Forumit të ushtarakëve shqiptar të Filadelfias,nga një libër me autografin e tij përfshi dhe bibliotekën “Anastas Dodi”të shoqatës. Një falenderim të veçant meritoi edhe drejtuesi i muzikës e këngës me digjej që na e kënaqi shpirtin me këngë e valle shqiptarie. Ne kete takim vellazeror antari i Forumit te ushtarakeve z.Bujar Çela(ky dhe antar i keshillit drejtues te shoqates”Bijte e shqipes”bashke me zonjen e tij ,sot pikerisht ne kete date kishin dhe 20 vjetorin e marteses,te cilet jane bashkshort,prinder e atdhetar shembullor, te cileve ju uroj edhe edhe 100 vite qofshin e gezofshin familjarisht duke qene te lumtur e te gezuar me femijte e tyre sot nxenes shembullor si ne shkollen shqipe”Gjuha jone “dhe ne shkollat e Filadelfias. Ja kështu u vazhdua dhe u mbyll kjo ditë e bukur gëzimi, nderimi e feste, ku shokë, miq e mikesha,si Ahmeti,Bujari, Tajari,Dritani, Asllani,Xhemaliu,Kastrioti,Lutfiu,Aliu, Përparimi, Jakupi, Luiza, Hysa, Mihali e të gjithë të tjerët ndanë disa orë të këndshme dhe jetuan me kujtime dhe rininë e tyre.

Në ketë festë pjesëmarrësit mbetën shumë të kënaqur nga gatimet ushqimore dhe shërbimi i kulturuar i këtij lokali shembullor me pronar shqiptar në ketë vend të largët.Të gjithë u larguam me respektin e mirnjohjen maksimale për organizimin, drejtimin e moderimin e këtij aktiviteti vëllazëror festiv të 109 vjetorit të krijimit të ushtrisë shqiptare dhe me urimin:”Faleminderit zotrijë drejtues të Forumit të ushtarakëve shqiptar të shoqatës”Bijtë e shqipes”në Filadelfia që na dhatë kënaqësinë të shijojmë e përjetojmë ketë aktivitet emocional vëllazëror.Të gjithë u larguam me përshtypjet më të mira me dëshirën që të gëzohemi e përjetojmë edhe në takimet tona në të ardhmen e përbashkët vëllazërore. Takime e festime të tilla na ulin stersin që përjetojnë gjithë emigrantë kudo në botë largë njerzëve të tyre të dashur të gjakut në vendlindje. Shumë faleminderit për mirkuptimin të dashur z.Eqerem Murati, Ali Sopi dhe Lutfi Brami.Zoti i bekoftë gjithë ushtarakët shqiptar kudo në botë, familjet e njerzit e tyre të dashur.

Akademik Hys Hasa

Filadelfia

Filed Under: Komunitet

EVROPA DHE PUTINI: LOJA E MADHE E GAZIT

December 26, 2021 by s p

Nga PAOLO VALENTINO – “Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021- Përktheu: Eugjen Merlika

Sikur të jenë funksionarët e Brukselit dhe të Berlinit, me shkujdesjen miratuese të qeverisë gjermane, t’i japin shah mat Vladimir Putinit, duke fundosur projektin strategjik që ka më për zemër, pra gazsjellësin Nord Stream 2? Dukej e mbaruar vetëm një muaj më parë, për gazsjellësin ruso-gjerman që vrapon nën detin Balltik, duke i ardhur rrotull Ukrainës, e që kur të hyjë në veprim do t’a bënte udhëheqësin e Kremlinit zotëruesin e vërtetë të furnizimeve energjetike evropiane. Dukej se Putini e kishte fituar ndeshjen, mbasi në maj Joe Biden, n’emër të aleancës me Berlinin, kishte vendosur të mos përsëriste sanksionet jashtëterritoriale kundra ndërmarrjeve që merrnin pjesë në projektin, duke i hapur kështu rrugën plotësimit të strukturës gjatë verës. Dukej se vërtetimi i Autoritetit gjerman për rrjetet dhe provimi i mëtejshëm i Komisionit evropian, do t’ishin vetëm dy kalime vetëm formale.

Sigurisht, ndonjë pengesë e vogël ishte, në kuadrin e ligjëshmërisë së bashkësisë, së cilës i nënështrohet çdo gazsjellës që hyn në territorin e BE. Ajo detyron, ndërmjet gjërave të tjera, t’ashtuquajturin “unbundling”, pra ndarjen e rreptë ndërmjet kompanisë që prodhon, t’asaj që transporton e t’asaj që shpërndan gazin. Është e kundërta e asaj që bën Gazpromi, monopolisti i Shtetit rus. Kështu, më 16 nëndorin e shkuar Bundesnetzagentur-a kishte pezulluar dëshmimin e Nord Stream AG, shoqëria që ndërton impiantin, sepse nuk i është nënështruar së drejtës bashkësore, duke mbajtur selinë ligjore në Zvicër. Megjithatë dukej si një pengesë e parëndësishme dhe e zgjidhëshme: zërat qarkullonin se rregullkërkuesit do të ishin kënaqur me një shoqëri ndihmëse të krijuar enkas nga Gazpromi në Gjermani dhe e caktuar të mbarështonte pjesën gjermane të Nord Stream 2.

Por, pastaj ndodhën dy gjëra. E para që në Berlin u vendos një qeveri e re federale, nën kancelarin Olaf Scholz, me socialdemokratët, liberalët e mbi të gjitha  të gjelbërtit, që prej kohësh kanë kundërshtuar gazsjellësin. E dyta është që kriza ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë përsëri u rëndua, përballë kërcënimit të vërtetë apo të pandehur të mësymjes ushtarake nga ana e Putinit.

Ky skenar lufte ka shtyrë Scholzin dhe rishministren e Jashtëme Annalena Baerbock për të vendosur një “lidhje” ndërmjet krizës ukrainase dhe Nord Stream 2, siç kishin kërkuar aleatët amerikanë: nëse Rusia do të dhunojë integritetin territorial të Kievit, gazsjellësi do të bllokohej përfundimisht. Koncepti është ritheksuar dje nga zëvendës kancelari Robert Habeck, simbas të cilit përballë një agresioni “asgjë nuk do t’ishte e pamenduar” përsa i takon pasojave.

Por fakti i ri  nuk është aq kundërveprimi i mundshëm ndaj një akti lufte (të pamundshëm) të Putinit. Tani kuptohet sepse në 177 faqe të marrëveshjes së qeverisë ndërmjet PSD, PL e të Gjelbërvet Nord Sream 2 as që përmëndet. Në të vërtetë është argumenti juridik formal që e ka vënë në ujdi qeverinë e Berlinit, duke i dhënë të gjithë ortakëve një motivim, në dukje të thatë. Më parë Baerbock, pastaj Scholz e dje së fundi Habeck, kanë përsëritur se gazsjellësi nuk mund të hyjë në veprim, sepse nuk respekton rregullat e konkurrencës në fuqi në BE. Një kryevepër dhelpërie, ajo e Scholz-it, që për këtë dhe tema të tjera si Reforma e Paktit të qëndrueshmërisë do të flasë sot në Romë me Mario Draghin: “Bëhet fjalë për një projekt ekonomik privat dhe duhet të respektojë të drejtën komunitare. Mbi këtë vendos në mënyrë krejtësisht jo politike një autoritet gjerman”. Vetëm me një fjali, kançelari i ri ka hedhur n’erë një copë të Ostpolitikës të dëshiruar nga shoku i partisë Gerhard Schröder  dhe gjashtëmbëdhjetë vjet mos pranimi nga ana e Anxhela Merkel-it për t’a vënë në diskutim projektin.

Konkretisht, Bundesnetzagentur-a ka vënë duart përpara duke thënë se mbi transportin e gazit nuk mund të vendosë më parë se gjysma e vitit tjetër. Pastaj u takon burrecëve të Brukselit të rishikojnë proçedurën gjë që do të kërkojë kohën e saj. Siç thuhej në fillim, janë kode dhe tekste ligjesh të Bashkimit evropian, që po i japin shah matin e parë Vladimir Putinit. Do të shohim cila do të jetë lëvizja e tij e fundit.

“Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza

JETA DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE E AVDI KELMENDIT

December 26, 2021 by s p

(21 dhjetor 1951-18 janar 1996) – Në 70 vjetorin e lindjes e 26 vjetorin e vdekjes.

Shkruan : Ismail Gashi-Sllovia/


Vetëm ai popull që veprimtarët atdhetarë, dëshmorët e martirët dhe idealet e tyre i nderon dhe i mbanë në kujtesë të përhershme. Vetëm ai popull ka vlera pozitive për të kaluarën e vetë të lavdishme kombëtare e historike, dhe ka të sigurtë rrugëtim të ndritshëm në të ardhmen. Nga këto pozicione fizike, matriale, krijuese e shpirtërore, Sot në 70 vjetorin e lindjes, e 26-të vjetorin e ndarjes fizike nga bota e të gjallëve, përkujtojmë Avdi Kelmendin. Edhe në këtë përvjetor jubilar përkujtojmë jetën dhe nderojmë veprimtarinë e tij atdhetare.
Avdiu ishte një hallkë e vargonit të atdhetarëve rezistent shqiptarë, të cilët luftuan kundër okupuesit serb në kohëra të serta e rrethana të vështira. Secili nga atdhetarët nga e kaluara jone e lavdishme, përkundër shtresimeve rënduese politike brendashqiptare të kohës, të cilat ishin pengesë e parë dhe mjafte e rrezikshme per ta tejkaluar. Atdhetarët shqiptar në Kosovë, kanë bërë përpjekje e sakrificë të mundimshme, çdo njëri prej tyre ka dhënë mund e ndjersë, ose ka derdhur gjak, apo edhe ka shtruar jetën e tij në rrugën e lirisë. Kjo sakrificë është dëshmi historike e të drejtës sonë kombetare, politike e njerëzore për jetë e liri. Sot ne këtë përvjetor jubilar, përkujtojmë vetëm njërin nga ata, Avdi Kelmendin dhe brezin e Tij të rezistencës kundër sunduesit komunist jugosllav.
Avdiu u lind më 21 dhjetor 1951 në Rinas, ish-Ribar i Vogël. Aty kreu katër klasat e para të mësimeve fillestare, për të vazhduar shkollimin e ciklit e lartë të fillores në Lypjan. Këtu Avdiu kishte fat të ketë kujdestar, arsimtarin e atdhetarin e njohur Hilmi Rakovica. Mësimet e mesme i vazhdoi në Normalen e Ferizajt. Mjedis që mundësoi ngritjen arsimore dhe kontaktin me literaturë kombëtare. Avdiu, shkruan miku i tij i djalërisë, Shefqet Rexhepi, “ishte një i ri i urtë, i dhënë me pasion pas mësimeve, i afërt, korrekt dhe i sinqertë ndaj shokëve. Gjithnjë me vullnet për komunikim të prajshëm me shokë, adhuronte muzikën dhe sportin”. Avdi Kelmendi në moshën 17 vjeçare, u dallua ndër më të zëshmit në organizim dhe pjesëmarrje aktive në Demonstratat e 27 nëntorit 1968. Me iniciativën e mësimdhënësve, ai nga Normalja kaloi në Gjimnaz, ku kreu maturën me sukses shembullor, dhe regjistroi studimet në degën e kimisë në Universitetin e Kosovës. Avdiu pati jetë relativisht të shkurtër të cilën e zhvilloi me shpejtësi rrufeje, paralelisht mbaroi studimet, u martua, krijoi familje të mrekullueshme dhe punoi në gjimnazin e Lypjanit. Kudo që qëndroi e kudo që punoi, shpejtë zgjeroi rrethin e veprimtarëve për çështjen kombëtare. Në arsim u dallua mësimdhënës shembullor, i afërt me kolegët dhe i dashur për nxënës. Në fabrikën “Minex” të Ferizajt veçohet udhëheqës i sinqertë dhe ekspert cilësor. Ndërsa, gjatë Pajtimit të gjaqeve dhe punës në Partinë Fshatare, zgjeroi dhe dëshmoi në zbatim praktik veprimtarinë atdhetare e politike në të gjitha mjediset e Kosovës.
Avdiu, “ky Sokol djalë”, siç shprehej për te Isa Demaj. Ishte më i ri nga ne, Por, ishte praktik e operuesi shembullor në veprime. Ai, që nxënës ishte lidhur me veprimtari atdhetare. Më vonë, ne jeten praktike, zgjeroi hapësira të reja në Mitrovicë, Vushtrri, Therandë, Gjakovë e më gjerë. Avdiu pjekurinë politike e mori nga literatura atdhetare e historike dhe nga shembulli praktik i patriotëve shqiptarë, si nga atdhetarët e NDSH-së, si: Adem Gllavica, Gjon Sereqi, Ajet Gërguri, Ilaz Agushi, Hysen Terpeza, Idriz Gjilani, Sali Rexha, Kadri Beba, e të tjerë. Ai vazhdimisht lidhte kohët me ngjarjet, e rolin e individit e vendoste në raport me rrethanat historike. Andaj, Avdiu, si edhe veprimtarët atdhetarë të tjerë nga ky mjedis e më gjerë, nuk dolën nga stralli, por dolën nga zjarri i traditës historike. Tek Avdiu, vihet re gatishmëria për lëvizje dhe aftësia për të vënë shpejt kontakte. Kjo kategori atdhetarësh, ka diçka të veçantë, diçka si formë vepruese për njohje e afrim të shpejtë. Ai inspirohej, formësohej e mbushej forcë nga veprat atdhetare të Bacë Adem Demaçit, Simbolit të Rezistencës, shembullit të veprimtarit atdhetar Metush Krasniqit, Prelatit të atdhetarisë; e sakrificës, Fazli Grajçevcit, mësuesit, poetit, e martirizuesit për çështjen kombëtare; Mësuesit të tij Hilmi Rakovicës, e të Isa Demaj, strategut ideal të Avdiut, që me ndjenjë atdhetarie ndezi forcat rinore në Lypjan e rrethinë. Atij i shkonte leximi i literaturës atdhetare dhe ngritja e debateve për çështjen kombëtare. Sepse, thoshte ai. Këto procese ngrisin niveli intelektual dhe pjekurinë për veprime konkrete politike e kombëtare. Madje, Avdiu e “provokonte” dialogun deri në nxjerrjen e një mendimi të pjekur.
Sipas preferencave të Isa Demajt, organizonim takime e ndeja, jo vetëm me kolegët mësimdhënës në Lypjan, nga të cilët ishte krijuar një bërthamë e fuqishme veprimi, e oganizuar nga LNCKVTSHJ ne drejtimin e Metush Krasniqit, Kryetar i Komitetit Qendror te kesaj Levizjeje, Ne Lypjan diku kah prilli i 1979, me proferencen e Isa Demajt e Shefeqet Jasharit-Streci, dhe nismes se Avdi kelemendit, Sabri Maxhunit-Novoselles e Ramadan Pllanes, imiciit praktik te Avdi Kelmendit. Ne Lypjan formohet Komiteti Qarkor ku moren angazhim: Ismail Gashi, Beqir Lecin, Banush Bytyçin, Qemail Aliun, Refik Ymeri, Muhamet Ademaj, Ilaz Zeqirin e të tjerë. Por, në takime e angazhime te Levizjes ishin edhe shoket e Avdiut nga studimet, Sherif e Abdurrahman Konjufca. Kjo formë veprimi ishte thelluar edhe ne mejdise fashtare te kesaj hapesire shqiptare me celula veprimtaresh nga nivelet studentore e rinise revulucionare, Organizimi i celulave te Levizjes u shtri edhe ne organizimin e takimeve të ngjashme me grupe nxënësish e ish-nxënësish të dalluar. Ndër ta dalloheshin Rabit Konjufca, Muhamet Ademi, Islam Miftari, Ali Zejnullahu, Aziz Hyseni, Ekrem Llugiqi, Ali Hajdini, Isuf Kelmendi e të tjerë.
Avdiu asnjëherë nuk u shkëput nga veprimet kombëtare. Ishte ndër organizatorët e LNCKVTSHJ për shprehjen e revoltës shqiptare, kundër vizites së Titos më 1979, që njëkohësisht ishte vizita e tij e fundit në Kosovë. Revolta mori shtirje thuaja në mbarë Kosovën dhe kishte qëllim te shpreh pakënaqësinë e popullit shqiptarë kundër sistemit komunist. Për këtë revoltë, pushtetarët komunist sllav dhe kuadrot shqiptare, te cilat ende verbërisht i shërbenin këtij sistemi, ndëshkuan me arrestime të shumta rininë dhe inteligjencën e shqiptare. Me arrestime, tortura policore u tajtuan mbi katerqind te rinj intelektual, student e rini atdhetare shqiptare, Me dënime me burgim të rëndë, në maj 1980 u dënuan keta pjesëtarët te Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi Avdiu, Isa Demaj, Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Abdyl Lahu, Skënder Jashari, Sylejman Quqalla e Hysen Gërvalla. Por, fatmirësisht nga konspiracionit i qindra veprimtareve te arrestuar nga arestimit e turtures policore i shpëtoi Lideri i Levizjes Metush Krasniqi, Ndersa Jusuf Gërvalla e Sabri Novosella, ju larguan kapjes nga UDB-ja. Keto ngjarje ndikuan në përshpejtimin e Pranverës së Madhe të 1981, ngjarje të cilat u rritën në masë e cilësi, dhe furishëm goditën me grushtin rrënues themelet e sistemit të dobësuar totalitar komunist Jugosllav. Pranvera e madhe 1981, edhe brenda vetë shqiptarëve rrafshoi shtresimet politike nga e kaluara komuniste.
Atë mot Avdiu gjendej në vuajtjen e dënimit, nga ndien këtë vrull të madh kombëtar, ai përtëritet fizikisht e forcohet shpirtërisht. Prapa grilave të burgosurit politik shqiptarë, përmes leximit, bisedave tematike, shkrepnin ide për lëvizjen e popullit për liri e pavarësi, Sepse, vazhdimi i përshkallëzuar i proceseve kërkonte përvojë e bashkërenditje. Por, paraprakisht duhej herrur nga trualli i kombit dukuritë negative, që të huajt i kishin mbjellë si mish dhie në qenien tonë kombëtare.
Avdiu pas kthimit nga burgjet serbe, erdhi edhe më i fortë. Shpejt dhe në hollësi, u njoh me ngjarjet e 1981, me veprimtarët dhe kërkesat që ende nuk ishin përmbushur. Që nga ditët e para të 1990, parandjeu frymëmarrjen shpirtërore të popullit, ndiente situatat e krijuara dhe vëzhgonte me vëmendje të përkushtuar zhvillimin e proceseve. Veproi në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve. Më 2 shkurt 1990, në varrimin të dëshmorit Xhevdet Breznica, Avdiu me bashkëveprimtarë të tjerë. Ne nderim te deshmorit Xhevdet Braznica dhe ne pranin e mija pjesemarresve ne varrim, kreu pajtimin e dy familjeve te hasmuara ne Dobraje te Madhe. Këtu ai shprehu ashpër revoltën e pakënaqësisë shqiptare ndaj pushtuesit vrastar serb.
Ndërsa, me fillimin e proceset demokratike, krijimin e partive politike, Avdiu Kelmendi zgjidhet Kryetar i Partisë Fshatare-Dega në Lypjan. Gjithnjë në angazhim të ruajtjes së unitetit mes shqiptarëve dhe subjekteve partiake, për Nje mandat sipas rendit, udhëhoqi Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare për trevën e Lypjanit. Avdiu natyrshëm për çdo front, që kërkonte populli, ishte luftëtar i orëve të para.
Nga lindja e Avdiut kanë kaluar 70 vjet, ndërsa nga ndarja e tij fizike,vdekja e Tij ne Beograd me, 18 janar 1996, jemi larguar tash 26 vjet. As njëra e as tjetra periudhë kohore, nuk është e madhe për historinë e një populli. Megjithatë, për kaq kohë, veprimet politike e ushtarake në Kosovë, sollën një realitet krejtësisht tjetër. Këtë mot të uruar e kurorëzoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila të pamundshmen e aspiruar 20 shekuj, e bëri realitet. Kemi bindje, se shpirti i gjithë atdhetarëve do ta ketë ndier këtë ndryshim të mrekullueshëm, do ta ketë dëgjuar zërin e tytave të luftëtarëve të lirisë.
Avdiu dhe atdhetarët të tjerë, nga varri dëgjuan krismat e pushkëve legjendare të Adem e Hamëz Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Zahir Pajazitit e Edmond Hoxhës, Agim Ramadanit e Luan Haradinajt, Ismet Jasharit e Mujë Krasniqit e qindra e mija luftëtarëve të lirisë. Dëshmorët dhe martirët e kombit, do kenë ndier kthimin dhe pamjen madhështor të shqiptarëve nga golgota. Kthimit monumental, pas fitores madhore të Lirisë së kërkuar, më shumë se një shekull. Shpirti i gjithë veprimtarëve atdhetarë edhe i Avdiut, është qetësuar vetëm pas, 17 shkurtit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë për të cilën është bërë shumë mund, është derdhur shumë djersë e gjak, dhe në rrugen e lirisë janë shtruar shumë jetëra shqiptare. Vetëm tash në Republikën e Kosovës së lirë, demokratike e sovrane Avdiu dhe veprimtarët tjerë atdhetarë pushojnë të qet, vetëm tash kur atdheu i tyre është i lirë dhe populli i tyre jeton në liri.
Liria e Kosovës dhe shtetësia integruese, tash e njohur ndërkombëtarisht, përfundimisht qetësuan varrin dhe shpirtin e Avdiut, ashtu siç qetësuan gjithë shpirtrat e dëshmorëve e martirëve të rënë për liri. Njëkohësisht, qetësuan shpirtrat e patriotëve të gjithë brezave e kohëve, atdhetarëve të vdekur për liri të Kosovës. Sepse, Shpirti i dëshmorëve, martirëve dhe gjithë veprimtarëve atdhetarë, qetësohet vetëm atëherë. Kur toka dhe populli i tyre jetojnë të lirë, dhe vetëm atëherë, kur ndërgjegjja e të gjallëve, i qon në vend amanetet e tyre.

Filed Under: LETERSI

KANINA FLET ME GJUHËN E HESHTJES

December 26, 2021 by s p

Vivra e bëri të dëgjohet

Kadri Tarelli

Pak kohë më parë, nëntor 2021, shkrimtarja dhe studiuesja Vilhelme Vrana-Haxhiraj, ose “Vivra”, solli në dritë librin e sajt fundit “KANINA E LASHTËSISË DHE PRINCI GJERGJ ARIANITI”. Studim. 

Për autoren e mirënjohur ky është një lajm i bukur dhe shumë i mirëpritur nga lexuesi, sepse i shton edhe një gur të çmuar gjerdanit të artë të krijimtarisë së saj, me afro 60 vepra letrare, një pjesë e mirë si studime të mirëfillta historike dhe filozofike.

Ky libër ka shpenzuar gati një jetë, si mendim dhe dëshirë e tjerur gjatë, për të bërë diçka për vendlindjen, Kaninën. Puna nisi rreth viti 1991, por filloi të marrë udhë, rreth 15 vjet më parë, kur “Përmes gazetës “Kanina”, iu drejtua të gjithë kaninjotëve që t’i sjellin dokumente dhe foto për të pasqyruar “Të shkuarën e Kaninës, ashtu siç ka ndodhur””. Libri faqe. 4. Pas kësaj, mendim, përpjekje, mundim dhe studim për të plotësuar e shtuar materialin e grumbulluar gjatë viteve. E gjitha edhe si amanet ndaj dy miqve të saj që e nxitën: Ardian Klosi: “Studio Arianitët dhe fillo hulumtimet për Kaninën, se mbron gjenezën tonë”, dhe Moikom Zeqo, “Vilhelme! Vetëm ty të takon një studim i thellë për Kaninën”. Libri, faqe. 2.

Çdo kush mund të pyesë: Pse pikërisht Vivra Vranarit iu la porosi kjo detyrë e vështirë? Përgjigja nuk do shumë mundim. Ata kishin besim dhe bindje, se vetëm ajo mund t’ia dalë në krye dhe të sjellë një vepër cilësore, me vlera shkencore-historike me përmasa lokale, kombëtare dhe më përtej. E them këtë, se çdokush nga ne lexuesit dhe miqtë e saj, duke u nisur nga veprimtaria letrare, studimet dhe veprat e botuara, po këtë porosi do t’i jepnim. Mjafton të përmend disa punime me karakter të theksuar shkencor, “Elitat e Mohuara. Krenari Kombëtare”, “Autoktonia e Shqipërisë jugore. Enigma e shekujve”, “Rrugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj”, etj, etj, ku gjallon jo vetëm kultura, njohja dhe përkushtimi, por edhe nervi atdhetar, si për vendlindjen ashtu edhe për trojet shqiptare, brenda kufijve shtetëror dhe përtej gardhit ku jetojnë shqiptarët. Besoj, se këtu ka vend të rendis edhe disa vlerësimet që i janë dhënë autores, që çdo kush nga ne do t’i kishte lakmi: 

1. “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe “Medalje ari”, dhënë nga Presidenti i Republikës. 

2. “Ikonë e letërsisë botërore”, nga  Akademia e Shkencave, Letërsisë dhe Arteve Indiane.

3. “Pena e kristaltë” në Suedi, etj, etj.

4. Anëtare e “Akademisë Shqiptaro-Amerikane e shkencave dhe arteve”, me seli në New York. 

5. Do të duhen dy faqe libri për të dhënë të plotë të gjithë listën e vlerësimeve në botën letrare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

6. Disa libra dhe shkrime janë përkthyer në disa gjuhë të botës. 

Libri nis me poezinë ”Të dua Kaninë”, vendosur në faqen e brendshme të ballinës. Më pas një përkushtim: “Perlës margaritare, të përkëdhelurën e Zotit, parajsës ku kanë folenë dhe prehen Perënditë,….”, duke vazhduar: “Librin studimor të titulluar “Kanina e lashtësisë dhe princi Gjergj Arianiti”, ia kushtoj Kaninës sime të lashtë, vendlindjes së të parëve tanë, si themelues të këtij qyteti me vlera të mëdha historike, atdhetare dhe kulturore. Ia kushtoj gjithë kaniniotëve…….”. 

Duke cituar këto pak radhë, është e panevojshme të përshkruhet përmbajtja, pasi harxhojmë kohën me përsëritje që të lodhin. Ndaj po mundohem të hyj në vlerat e këtij studimi të mirëfilltë, të cilat mund të shërbejnë edhe si subjekt për diskutim mes lexuesve dhe dëgjuesve. 

Së pari: “Kanina ka ruajtur ekzistencën fillestare, qysh kur u mbollën rrënjët e jetës në tokën e saj e saj”. Kështu shprehet autorja në faqet e para, e cila nuk përqendrohet vetëm në kornizën e këtij qyteti të lashtë, por e analizon në kuadrin e kohëzgjatjes dhe vazhdimësisë së jetës, duke e ballafaquar edhe me disa qendra të tjera për rreth saj, të ngritura në brendësi të truallit Pellazgo-Ilir, ku jeta është ndërprerë, nga shkaku i pushtimeve dhe rrebesheve të historisë. Autorja jo pak herë na e kujton, se vetëm Kanina mbijetoi, ndërsa vend-banimet e tjerë u shkatërruan krejtësisht, jeta u ndërpre dhe sot janë thjesht vend gërmim arkeologjik, si dëshmi e historisë sonë, njëkohësisht si vend pelegrinazhi për turistët vendas dhe të huaj. 

Autorja e thekson, por edhe lexuesi e kupton lehte, se kjo pikë strategjike “Ballkoni i Vlorës”, që kontrollon Gjirin e Vlorës, një pjesë të mirë të dy deteve Adriatik-Jon, dhe me shikim shumë larg në brendësi të territorit, vetëm pak kohë ka mundur të jetojë e qetë. Që nga pushtimi romak e më pas, ka pritur e përcjellë lloj-lloj pushtuesish, është rrëzuar e ngritur, djegur, shkatërruar dhe rindërtuar, duke ardhur deri në ditët tona, ashtu madhështore dhe me bukuri natyrore të pakrahasueshme si asnjë vend tjetër. Vetë autorja ndjen dhimbje kur e thotë këtë. Ishte një realitet i hidhur: I gjithë territori Ilirian për shekuj me radhë ka qenë i pushtuar, nga pushtues që i zinin vendin njëri-tjetrit. Kështu ndodhte natyrshëm edhe për Kaninën tonë.

Së dyti: Autore Vivra, ka gërmuar aq shumë në dokumentacion historik dhe arkeologjik, ku mjafton të shikojmë me kujdes referencat, aqsa, kam përshtypjen se në të gjithë kapitujt e parashtruar, është shteruese deri në fund. Nuk po them gjë të re, kur dihet se të gjithë shkencat nuk e prekin fundin, ashtu është edhe Historia. Në këtë rast edhe nëse del ndonjë dokument, nuk bën gjë tjetër veç e plotëson të gjithë veprën, madje i bën nder asaj.

Së treti:  Autorja diku përmend historianin e antikitetit Polibi. (206-118. Pr. krishtit), që thotë: Romakët pasi pushtuan territore të Epirit, shkatërruan 70 qytete, morrin rreth 150.000 robër (Skllevër), dhe miliona kokë bagëti. A i mendojmë pak pasojat e një toke të lënë djerr? Sa kohë duhen për të rigjallëruar veten si popull, pasi nocioni “komb” është shumë i vonshëm? Një citim i tillë është në të gjitha tekstet e historisë sonë. Kam bindje, se ky shënim nxit dhe hap një dritare të re studimi në letrat shqipe: “Zhdukja e racës Ilire, sot shqiptare”, Pse????. Historia është e mbushur me fakte tronditëse.

Prej mëse dy mijë e kusur vitesh, shpopullimi i trojeve ilire, nuk është ndërprerë, madje po përsëritet edhe në ditët tona, siç ndodhi shpopullimi i Çamërisë dhe Dardanisë, gjatë shekullit të kaluar, të cilin bota e quan me një emër tepër vrastar “Gjenocid”, (Mbytës i racës). Mos themi për largimin biblik te viteve 1991 dhe 1997, të shkaktuar jo nga pushtuesi i huaj, por pushtuesi i vetvetes. Ka shkrime dhe libra që flasin hollësisht mbi këto ngjarje historie. Qofsha i gabuar, por një studim i plotë i të gjitha shpërnguljeve, masakrave, dhe shpopullimi masiv, nuk e kam hasur. Është një temë me mjaft interes shkencor, njohës dhe i dobishëm historikisht, si mësim për brezat dhe veçanërisht për politologët tanë.

Së katërti: Autorja është e ndjeshme, ndaj ka guxuar të ngrejë dy probleme të historiografisë shqiptare, që gjallojnë ditën për diell nga fqinjët tanë dhe fanatikët e tyre, duke kundërshtuar si “gabime”, (jo pa dashje) dhe më keq akoma, të fshehjes apo grabitjes së historisë së Ilirëve të hershëm dhe shqiptarëve të sotëm. Nuk paskam gabuar, sepse diku unë kam shkruar, duke i quajtur “Hajdutë të historisë”.

Së pesti: Autorja edhe një herë e ngre zërin e protestës, se pak kujdes i kushtohet ruajtjes së arkeologjisë, trashëgimisë dhe monumenteve që shënojnë sinoret e historisë sonë kombëtare. Në këtë hulli mendimi, shtrihet edhe heshtja apo mohimi i elitave të kombit, që na nderojnë dhe lartojnë virtytet dhe vlerat tona si komb i lashtë. 

Për çdo lexues apo studiues, janë të mjaftueshme këto pak fjalë të thëna nga autorja dhe të vendosura në krye të këtij shkrimi: “Lum kush mundohet të tregojë të vërtetën si drita e diellit. Faktet janë ato që bëjnë historinë, ndërsa historia i  mban gjallë kombet”. Këto të gjitha janë fjalë të mrekullueshme, që na mrekullojnë për nga bukuria letrare e mendimit, të qëmtuara hollë nga historianë të antikitetit, të mesjetës dhe të kohëve të sotme, dukë përfshirë edhe mendimtarë e studiues shqiptarë. Gjykoni pak vetëm këto fjalë të shkruara nga historiani Pauzania: “Burri i parë që ka lindur në botë ka qenë pellazgu, një burrë i dalluar për përmasat dhe bukurinë e figurës së tij, që i kalonte të gjithë të vdekshmit e tjerë për kualitetin e shpirtit”.

Kush ka studiuar dhe ka sado pak njohje historike, e ndjen në damarë, që deri para do kohësh kur ne fituam mëvetësi, historinë tonë na e kanë shkruar të huajt. Është nder dhe detyre, që historinë po e shkruajmë ne vetë dhe për vete, për t’ua thënë edhe të tjerëve të vërtetën, të lavdishme apo të hidhur, siç po bën edhe Vilhelme Vrana-Haxhiraj. 

Znj. Vivra, si përherë ka vendosur që edhe me këtë libër të jetë në paqe me vetveten, njëkohësisht edhe me lexuesin. Në fund të librit ndodhet bibliografia mjaft e pasur, ku autorja ka qëmtuar material, por nuk mjaftohet me kaq, sepse në fund të faqes ka citime disi të gjata, ku shprehet më gjerësisht autori. Ajo e di mirë se gjykimi i historisë bëhet i ftohtë, pasi edhe dokumentet janë të ngurtë e të ftohtë në mesazhe, shpesh edhe kundërshtuese, por që nuk duan të dinë për ndjesitë e historianit, aq më shumë të lexuesit. Veç në fund, kur këndonjësi bindet për të vërtetën dhe mbetet i kënaqur, autori i librit mrekullohet, sepse ka bërë diçka të dobishme. Besoj se edhe Vivra ndjehet e adhuruar për të vërtetën që ka shtruar në sofrën e dijes, për Kaninën e lashtë dhe të re.   

Edhe të tjerë autorë kanë shkruar e po shkruajnë për vendlindjen, secili sipas vendit, njohjes, kulturës dhe këndvështrimit vetjak. Duhen nderuar e përshëndetur nxehtësisht. Kështu edhe Vivra ka bërë një përpjekje të guximshme të shkruajë historinë e Kaninës, që pavarësisht madhështisë dhe trashëgimisë, është një pikë e vogël e territorit Ilirian, që madhohet në sytë tanë, sepse këtu, dashje pa dashje, ngërthehen të gjitha etapat e historisë sonë kombëtare. I gjithë studimi, nuk është pak për nga vlerat edhe për historinë tonë kombëtare, ndaj duhet nderuar e lartësuar madhërisht. E gjitha është një krenari e ligjshme, pasuri shpirtërore, do të thosha një përmendore për vendlindjen, për Kaninën e bukur.

Si studiuese dhe historiane me përvojë, autorja ka vendosur t’i shtojë librit edhe disa elementë të tjerë, që e bëjnë më të plotë e më të këndshëm: 

Si fillim, bëhet fjalë për familjet e vjetra themeluese të Kaninës, si, Vrana, Bega, Bashaj, Fejzaj, Kulaj, Mustafaraj, Kocaqi ose Lamani, etj. Kështu vlera e librit shtohet në dobishmëri për pinjollët e shumtë të këtyre familjeve, të cilët mund të jenë këtu apo shpërndarë nëpër botë, sepse këtu mund të gjejnë e të njohin rrënjët e tyre, në nder të trashëgimisë aq të dëshiruar e të lakmuar. 

 Në vazhdim, janë interesante Intervistat me personalitete të njohura të vendit, të cilët sjellin copëza kujtimesh, të vjetra apo të reja, të dëgjuara apo edhe të jetuara. Kjo është një zgjedhje e mençur që e bën librin të ngrohtë, ku vazhdon të rrjedhë lëng jete.

Një vlerë e shtuar e librit, janë figurat e shquara që ka nxjerr ky truall i vogël me histori të madhe: “Kanina veç lashtësisë, historisë së ndritur dhe kulturës që mbart nga mijëvjeçarët, ka nxjerrë mjaft figura të shquara gjatë shekujve. Janë bij të Kaninës 33 ushtarakë të lartë deri me gradën gjeneral, në Perandorinë e Bizantit……”, – Thotë Vivra, që më pas vazhdon me më të madhin e ditëve të sotme, filozofin Porf. Dr. Isuf Luzaj, birin e Kaninës, i ndëshkuar nga Fashizmi, i dënuar nga Enver Hoxha dhe Stalini, i anatemuar edhe nga Komunizmi, por i dekoruar nga burra shteti, si Presidenti francez De Gol dhe nga dy presidentë të SHBA-ve, Regan dhe Klinton. 

Besoj se në listën e gjatë të figurave më të shquara e më të zëshme, lexuesi pa mëdyshje vendos edhe znj. Vivra, bijën e Kaninës, që në odën e burrave e ka vendin në krye, pranë oxhakut, ballë për ballë me më të diturit.

Për t’u bindur më shumë, po citoj disa vlerësime nga disa pena të  njohura të letrave shqipe:

Dr. Mujo Buçpapaj: “Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Haxhiraj”.

Akademik, Prof. Dr. Eshref Ymeri: “Kur hyn në universin e fjalës artistike të znj. Vrana-Haxhiraj, e cila operon në tërë regjistrat e gjuhës shqipe, arrin të kuptosh poezinë e madhërishme të ndjenjave që të kaplojnë”, …“Ç’ krim që bëri diktatura komuniste, që kësaj zonje të talentuar ia mohoi të drejtën e shprehjes së fjalës artistike që në rininë e saj”.

Prof. Dr. Fatmir Terziu: “Vilhelme Haxhiraj është një shkrimtare erudite, studiuese e publiciste, me një kulturë që shtrihet në kohë dhe hapësirë të pa matë, që renditet mes emrave më të shquar të letërsisë kombëtare dhe  më gjerë”.

Shpendi Hulësi Topollaj, në librin “Flisni Miq”, shkruan: “Ndofta ka ardhur koha që qytetarët dhe pushtetarët e këtij qyteti heroik, (Vlora), që gjithmonë kanë ditur të vlerësojnë kontributet kombëtare, t’i ngrenë asaj një të tillë statujë, në nderim të përpjekjeve të pareshtura, si për të përjetësuar mjaft figura të lëna në harresë. Gjerdani saj janë librat që ka botuar”.

Ndërsa unë, po shtoj pak vargje: 

-Vivra je vullkan, pse shpërthyet vonë?

-Duar lidhur, gjuhë prerë, 50 vjet sëra jonë”….

………………………………

Princeshë nga sëra, mbretëreshë në letra,

Dru i fortë mbirë, nga rrënjët e vjetra.

Nuk të theu vuajtja, as dhuna e tiranit,

Shpirti yt i lirë, i dha zjarr vullkanit.   K. Tarelli. “Koha në vargje”. “Vivra je vullkan! Faqe 41.

Meditimi më shtyn të shkoj më tej: Kanina vetë është një monument që përballoi rrebeshet e shekujve, dhe kur je ulur ballë për ballë, rrëfen shtruar vitet e mbajtur mbi shpinë. Ndërsa ju Vivra, bijë e atij trualli të shenjtë të vendlindjes, i ngritët një përmendore në letra, që udhëton e kuvendon me çdo shqiptar në të gjitha trevat arbërore, madje edhe nëpër botë. Libri mbahet në dorë, në tavolinë, në bibliotekë dhe mbi oxhak të çdo shtëpie, ku ka frymë dhe nerv shqiptarie. 

Njerëzit e ditur, meritojnë kurorë dafine mbi krye!

Urime znj. Vivra! E bëtë Kaninën t’i flasë historisë dhe t’i dëgjohet zëri.

Kadri Tarelli

Dhjetor 2021.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2662
  • 2663
  • 2664
  • 2665
  • 2666
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT