• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KKAD PËRSHËNDET MARRËVESHJEN  SHQIPËRI –  KOSOVË PËR ABETAREN E BËRBASHKËT

December 23, 2021 by s p

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë-KKAD, miratimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së dy Ministreve; të Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Evis Kushi dhe Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të Republikës së Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, për Abetaren e përbashkët nga dy shtetet tona shqiptare i sheh si një akt të lartë kombëtar. Por edhe shpresëdhënëse për pjesën tjetër, jashtë trojeve shqiptare, të cilët po përballën me vështirësi në mësimin e  gjuhës amtare.

   Këtë miratim KKAD-ë e përshëndet dhe ndihet e sigurt se e ardhmja e përbashkët e librit shkollor, në të gjitha trojet shqiptare, ku flitet shqipja, si dhe unifikimi i diasporës-mërgatës shqiptare, jo vetëm që është një rrugëtim i  realizimit të vullnetit të rilindësve, po mbi të gjitha është një porosi e të gjithë shqiptarëve: “Një gjuhë, një komb!

  Përpos Abetares, muaj më parë u prezantua Teksti Mësimor për Diasporën nga Komisioni i përbashkët Shqipëri- Kosovë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, Niveli I. Për këtë KKAD-ë jo vetëm që e përshëndet këtë nismë, por mbi të gjitha e përkrah dhe kërkon unifikimin  e shkollave shqipe në diasporën- mërgatën shqiptare. Gjë që dy shtetet tona shqiptare këtë ide bashkimi ta kultivojnë edhe në diasporë, nga fakti se brezi i dytë i fëmijëve mërgimtarë kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën amtare, e nëse e anashkalojmë këtë ndjeshmëri, në të ardhmen ka drojë se atdheut do t’i humbasin këta fëmijë!

  Për të mos ardhur deri te kjo humbje e fëmijëve tanë mërgimtarë, KKAD-ë i dërgon qeverive të atdheut një përshëndetje për detyrën e saj fisnike, për një komb, një gjuhë dhe për një abetare unike, e cila dhe ka qenë e domosdoshme kaherë për t’u miratuar. Krahas kësaj së bashku të mendojmë edhe për fëmijët jashtë atdheut, për ruajtjen e gjuhës amtare!

  Shpresoj se znj. Kushi dhe znj. Nagavci së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës ta dëgjojnë zërin e mërgatës dhe kërkesat e tyre për të realizuar qëllimin, vizionin dhe misionin e KKAD-ës, për unifikimin e diasporës shqiptare, për shkollën shqipe.

Urime dhe suksese në rrugëtimin tuaj që fëmijët shqiptarë ta kenë sa më shpejt në duar abetaren e përbashkët! 

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)

Dr. Vaxhid Sejdiu – kryetar

Mustafë Krasniqi-nënkryetar

Filed Under: Emigracion

“TARALLOQJA E BALLKANIT”

December 23, 2021 by s p


Adil Fetahu

Duke lexuar satirat e At Gjergj Fishtës

Para dy muajve, djali im (Arbeni) ma bëri një dhuratë të vlefshme: më pruni nga Shkodra kompletin veprave të At Gjergj Fishtës, një kolanë prej 7 tome librash: Epika, Lirika, Dramatika, Publicistika, Satira, Letërshkëmbimi dhe Shkrime të ndryshme në shtypin e kohës. Është ky kompleti të cilin  e ka botuar Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”, Shkodër (2020).

Me qenë se epin “Lahuta e Malcisë”dhe satirat “Gomari i Babatasit” dhe “Anzat e Parnasit” i kam lexuar ma heret (kur isha nxënës i Normales së Prishtinës dhe kur ishte ma rrezik me ta gjetë policia “Lahutën e Malcisë” se një armë zjarri), tash për ngadalë e pa frikë lexova: Publicistikën, Letëshkëmbimin, Shkrime të ndryshme në shtypin e kohës, dhe për fund – ambësirën: dy satirat të cilat nuk i kisha lexuar më përpara: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit”. 

Kam dëgjuar shumëkend që thotë se veprat e Fishtës janë të vështira për t’i lexua dhe më të vështira për t’i kuptua, sepse janë të shkruara me një gegënishte të vjetër e të rëndë.  Por unë, si gegë me rrënjë e me degë,   nuk kam pasur vështirësi as për t’i lexuar, as për t’i kuptuar veprat e Fishtes, të Koliqit e të Camajt. Shumë fjalë nga e folmja e vjetër e Fishtes, të cilat i përdorë në këtë satirë,  deri vonë fliteshin edhe në Malësinë e Gallapit dhe besoj më gjërë në Kosovë (havale; hasha; teste; tarçuk; zari; setra; hallba, etj.).  Natyrisht, ka pasur aty-këtu fjalë që s’i kam kuptuar, por nga konteksti i fjalisë kam nxjerrë kuptimin e drejtë të tyre.

Satira “Taralloqja e Ballkanit”

Duke besuar se pak lexues kanë pasur rastin ta lexojnë satirën “Taralloqja e Ballkanit”,  hulumtova në internet por nuk gjeta se dikush ka bërë e botuar ndonjë  vështrim për këtë, prandaj për lexuesit e shumtë vendosa t’ua prezantoj në vija kryesore satirën e përmendur.

Së pari duhet sqaruar emërtimin, sepse “taralloqja” është një fjalë e rrallë, që nuk gjendet në fjalorët e rendomtë. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (Prishtinë,1982), fjala “Tartalisë” jepet me kuptimin – “përpëlitem”. Në Fjalorin e fjalëve dhe shprehjeve popullore (Instituti Albanlogjik, Prishtinë 1982), fjala “tarilaq” jepet me kuptimin “I lazdruar”.  Se sa prej këtyre mund t’i përgigjen emërtimit të satirës”Taralloqja …”, nuk mund të jem i sigurt. Autori i
“Hyrjes” (të gjatë 55 faqe) që iu bënë katër satirave të Fishtës, prof. dr.Lisandri Kola, nga Miçigeni, fjalën “taralloqje” e shpjegon si këngë qesharake e fituesve mbi humbësit në lojën e kapuçave.  As ky shpjegim nuk ma mbushë mendjen se në rastin konkret “Taralloqja e Ballkanit” ka këtë kuptim, duke pasur parasysh qëllimin shpotitës, me konotacion politik, që Fishta iu bënë mbretërve të Ballkanit të asaj kohe. Por, t’i kthemi përmbajtjes së satirës.

Edhe në satirën “Nikolejda”, edhe në këtë ‘Taralloqja e Ballkanit”, Fishta përqeshë deri në burleskë knjaz Nikollën e Malit të Zi, i cili ka rënë në borxhe për shkak të shpenzimeve të mëdha që ka bërë për pajën e vajzës së tij, Jellena, e cila ishte  martua me djalin e mbretit të Italisë. 

“Jellena, bija e shkinës,

 le e rritë n’koliba t’Cetinës”. 

Prandaj, këto dy satira: “Nikolejda” (që i referohet kryesisht   knjaz Nikollës), dhe “Taralloqja e Ballkanit”, në të cilën përveç knjaz Nikollës, marrin pjesë   edhe mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq (Tuka), ai i Bullgarisë Ferdinandi I, dhe i Athinës, Georgios I (Gjeka). Loja (satira) zhvillohet në këtë mënyrë: me qenë se knjaz Nikolla nuk i kishte kthyer dhe i mohonte borxhet  e marruna, ishte organizuar një kuvend i mbretërve të Ballkanit për të vendosur për rastin. Në atë kuvend, përballë katër mbretërve të monarkive të Ballkanit merrnin pjesë edhe katër shqiptarë: Prenkë Bibdoda, Esat Toptani, Haxhi Zeka dhe Frashër Beu (Naimi).  Këta

Kjenë mbledhë me da ‘i pleqni

Për do borxhe t’Malit t’Zi

Qi i ki’n mbetë Nikollës havale,

Qyshë se dha çikën n’Itale.

…

Kur erdh fundi e na shkoi vasha,

Xen Nikolla me qitë lasha,

Edhe borxhit na i bjen hasha.

Pasi kryhet Kuvendi dhe merren vesh për larjen e borxheve me çdogjë, sipas Kanunit, duke lënë edhe peng,  fillojnë “lojën e kapuçave”. 

Struktura e lojës së kapuçave

Në lojën e kapuçave, pjesëmarrësit e lojës, madje edhe të pranishmit e tjerë ndahën në dy grupe, sipas dëshirës së tyre.   Loja luhet ashtu që secili grup, sipas radhës, fshehë nën kapuç një send metalik (unazë ose monedhë). Pala (grupi) tjetër e kërkon sendin e fshehur. Para se të ngritë kapuçin, për ta zbuluar sendin e fshehur, duhet të deklarohet ose  për “teste”, ose për “bosh”. Teste do të thotë se pretendon që nën atë kapuç është sendi i fshehur. Nëse kërkuesi (i unazës) ka thënë: “teste”, por  nën atë kapuç nuk ka qenë unaza, kështu e ka humbur turin e parë të lojës. Pas ngritjës “teste” të kapuçit, nën të cilin nuk ishte unaza, vazhdon fshehja tjetër nga pala e njëjtë.  Nën formulën “bosh” mund të ngritën me radhë kapuçat,  për të ngushtur rrethin për kapuçin ‘teste”. Por, nëse nën kapuçin “bosh’ del se ishte unaza, edhe në këtë rast humbet turi i lojës. Loja vazhdon deri sa unaza  të gjendet sipas rregullave të lojës. Pastaj e merr pala tjetër rolin për të fshehur unazën. Këndej nga Gallapi, kjo lojë luhet me filxhana të kafesë. Filxhanat radhitën rreth e rreth brenda një tepsie, dhe një filxhan vehet në mes të tepsisë. Personi që fshehë, largohet  në një skaj të odës, ua kthen shpinën lojtarëve. Ai që kërkon unazën, nëse ka thënë teste, e ngritë filxhanin me një lëvizje të shpejtë, ashtu që nëse unaza është  nën te, kërcen e sillet nëpër tepsi (ndodhë që del  edhe jashtë tepsie).  Filxhanat bosh ngriten më ngadalë. Paraprakisht caktohet se pas sa lojëve të humbura/fituara do të këndojnë  këngët humoristike, satirike, plot  me shaka dhe epitete, deri në  në burleskë. Gjatë këndimit bëjnë edhe gjeste të ndryshme me karakter humori. Loja merr tipare të një shfaqje teatrale.  Fituesit e lojës ngritën në këmbë, vejnë duartë mbi supet e shoqi-shoit dhe me lëvizje si në valle iu këndojnë palës humbëse kolektivisht dhe individualisht. Humbësit zakonisht rrijnë me shikim poshtë (përtoke), por shpeshherë edhe i shikojnë “valltarët” dhe qeshin me humorin e tyre.  

Me këso strukture të lojës,  e me vargje siç dinte t’i thurte, Fishta i përqeshë mbretërit e Ballkanit të asaj kohe:

…

Mbasi kryen njatë pleqni…

E si ngrenne do zogj pulash,

Ranë për rrash me luejtun ksulash.

…

Katër vetë, katër Shqyptarë,

Prenkë Bibdoden vunë të parë,

M’tjetrën anë ndej Gjeka e Tuku,

Knjaz Nikolla, mullë-terçuku,

Edhe krajli i Bullgarisë…

Knjaz Nikolla mshehi i pari,

Por s’i heci kësajë here zari; 

Pse Toptani ‘i sy-skyfter,

Ia muar teste t’parën herë.

Loja vazhdon, fshehin e kërkojnë me radhë, por fiton pala shqiptare edhe në të fshehur edhe në të gjetur të unazës, dhe kur arrijnë pikët e caktuara, fituesit ngritën në këmbë e ia fillojnë këngës, duke vallëzuar. Herë iu këndojnë tërë grupit humbës, herë veç e veç individëve nga ai grup.

M’kambë Shqyptarë, at’herë, u çuenë

Edhe kangës kështu i a filluenë:

…More Krajla, more Knjaza,

Me Shqyptarë s’luhet unaza.

Pastaj iu këndojnë individualisht secilit nga humbësit, sipas afiniteteve të tyre, duke filluar nga Knjaz Nikolla:

…Knjaz Nikolla me terçuk

Del nder Krajla me lypë buk. 

M’a ke deren derë me trinë,

Shtatqind dreqen t’dal’n e t’hinë.

…Ty t’a prehtë Zotynë nafaken,

Se të fortë po e kish’ rradaken.

Shqiptarët vazhdojnë t’i këndojnë Tukut të Serbisë :

Xhamadanin vija-vija,

T’zezat t’i din shtëpija,

Ke mbytë m’spatë gjinden e shpisë,

Për me u ba Krajl i Serbisë.

… Po të pava në Kosovë,

Do t’a baj ty kryet kotrovë.

Ma ke kryet sa ‘i palare,

T’marroftë Zoti gjithë si je!

Mbretit të Bullgarisë, që kishte paretendime mbi tokat shqiptare, ndër të tjera ia këndojnë këto vargje:

More djalë, kah t’ka hup dhija?

Hajt e lype kah Greqija,

E jo këndej kah Shqyptarija.

Në këngën drejtuar mbretit të Greqisë (Gjekës) ia përmendin humbjet në luftën kundër turqëve, por edhe ia tërheqin vërejtjen kundër pushtimit të Janinës:

M’a ke ksulen pipiruqe,

Edem Pasha t’a la duqe.

…Si s’i meni Gjeka fjalët,

Me një kpurdhë ia thej tëmallët, 

N’atë Janinë ai kurr në m’daltë.

Rruga e largët-o bri kalas,

I a marsh t’zezat fukaras!

Mandej grupi fitues nisë ta vajtojë Knjaz Nikollën për gjendjen në të cilën ka rënë, dhe ia përmendin vajzat e martuara për princa e mbretër:

Pse,mos t’kenkshin njato goca

Qi me i xanë për gra do voca,

Njato goca të ngrim n’ari,

Pat me t’mbetë nën bark samari.

Kështu herë e nisë këngën Bibdoda, herë Toptani, i thërasin me emra (nofka) krajlat e Ballkanit, tjetri pyet: “po kush është ai more”?, tjetri përgjigjet me shpoti:”nuk e di si e quajnë emrin, more”!. Pastaj pala fituese, të gjithë së bashku, si në kor fillojnë këngën “Na ka cofë gomari mbrëmë”, dhe neni pyet:  se çka t’iu bëjnë lëkurës, bishtit, këmbës,  syrit, veshëve të gomarit të cofur, ndërsa tjetri përgjigjet:

(Lëkurën):Knjaz Nikollës për dallamë,

(Bishtin):Krajl Petrit për breshanë,

(Këmbën): Gjekë Orumit për tagan,

(Syrin):  Ferdinandit për nishan.

Pasi konsiderojnë se i kënduan mjaft, Toptani pyet: “A thua t’i falim”?, ndërsa Bibdoda thotë se s’do t’i falin, por më në fund pajtohen të gjithë t’i falin, dhe duke  ua tërheqë vërejtjen,  ua këndojnë fjalët e fundit:

Edhe sande kjoshi falë,

Prej mjesnate marrshi mal’in,

Marr turbin e kundroj detin:

Tgjith si jeni, hangshi vetin!

Sikur edhe në satirat e tjera:  Gomari i Babatasit, Anëzat e Parnasit e kudo tjetër, Fishta godit e nuk kursen askend, prej zyrtarëve të rangut më të ulët e deri te mbreti në vendin e tij, kështu vepron edhe ndaj mbretërve të monarkive të Ballkanit. Ai gjen mënyrën dhe mjetet për t’i përqeshur e tallur në pikat më goditëse, duke e lidhur satirën me ngjarjet nga realieti, si bie fjala, “Tukut” të Serbisë për vrasjen e Aleksandër Obranoviqit me të shoqen. Po të njëjtit  i sinjalizon edhe në lidhje me Kosovën: “Po të pava në Kosovë/, do ta bëj kryet kotrovë”. Edhe mbretit të Geqisë i sinjalizon lidhur me Janinën, ku nënkupton edhe Çamërinë.

Te Fishta gjithmonë ka çka të lexohet e rilexohet dhe analizohet, e që mbetet aktual githmonë. Dy satirat e përmendura këtu: “Nikolejda” dhe “Taralloqja e Ballkanit” nuk janë analizuar nga kritika letrare-artistike të veprave të tij. Unë, pa pretendim për ndonjë kritikë letrare, kënaqëesinë e leximit të poemthit”Taralloqja e Ballkanit” desha ta ndajë edhe me lexues të tjerë. 

Për shkaqe teknike, nuk kam mundur t’i vejë thekset mbi zanoret të cilat i kanë në tekstin origjinal, e që u japin kuptimin fjalëve; psh. te  fjala “palare”, që ka kuptimin e një ene të cektë, mbi zanoren e fundit është theksi (aksenti) i gjatë.

Aspekti politik dhe satirik i Fishtës drejtuar liderëve të Ballkanit atëherë, është aktual edhe sot, me  ambicjet, takimet dhe marrëveshjet e “knjazëve” e “mbretërve”:  Vuçiq–Rama-Zaev, me “taralloqjen” e “Ballkanit të hapur”!

Adil FETAHU

Filed Under: Politike

GJARPNIA E THAQIT

December 23, 2021 by s p


Elidon Lekë Nika

New York

GJARPNIN, S’E NGUCE – NUK TË NGUC!
Gjarprin, po nuk e ngacmove – nuk të ngacmon.
Gjarpni, pavarsisht se është një krijesë e frikshme dhe se sjell ndjenjë frike tek njerëzit në përgjithësi, tek ne shqiptarët, kurrë përgjatë gjithë historisë, nuk është cilësuar si një gjallesë negative, dredharake apo e pabesë.

Çdo shtëpi në malësi ka gjarpnin e vet. Gjarpni është roja e shtëpisë, e trollit. Gjarpni i shtëpisë nuk ngucet (ngacmohet).
Ai lihet i qetë dhe mund te gjendet edhe nën jastekë, çarçafë, e edhe në djepin e fëmijëve.
Prindërit dhe gjyshërit tanë tregojnë se madje gjarpnit të shtëpisë, tek hyrja e tij tek ndonje vrimë muri, i lihet edhe qumësht, që gjarpni të pijë e ushqehet me të.
Nuk është dëgjuar ndonjëherë që gjarpni i shtëpisë të ketë sulmuar dikë të shtëpisë pa arsye, nëse dikush nuk është munduar ta vrasë më parë atë.

Ilirët besonin në forcën e magjive dhe syrit të keq, në fuqinë magjike të amuleteve mbrojtëse dhe të dobishme që mund të shmangnin syrin e keq ose qëllimet e këqija të armiqve.

Asnjë kafshë në simbolikën e besimit dhe kultit tek ilirët (shqiptaret e sotëm) nuk ka luajtur një rol më të rëndësishëm sesa gjarpri. Kjo kafshë misterioze, me formë të jashtëzakonshme e cila pa zhurme zvarritet dhe del nga thellësia e tokës aty ku jetojnë demonët por dhe zotat e nëntokës, si edhe shpirtrat e të ndjerëve, i cili me kafshimin e vet mundet aty për aty ta mbysë jo vetëm kafshën, por edhe vetë njeriun, ka nxitur respekt nga frika. – Insider: “Çfarë simbolizonte gjarpri tek ilirët.”

Ndër librat e historisë, revistat historiko-kulturore, etj., kur përmendet fisi i lashtë e i madh i Thaqit, vëmë re të përmendet edhe kjo frazë e shkurtër, interesante dhe intriguese njikohësisht.

Psh. Kemi: Gjarpnia e Thaqit; Inati i Berishës; Syni i Krasniqes, etj.

Përderisa deri më sot, nuk i ka dhënë dikush shpjegim kësaj fraze, do mundohem të sjell disa shpjegime, nga njohuritë e mia që kam rreth historisë, mitologjisë, etj.

Nëse dikush mendon se “Gjarpnia” mund të njehsohet me “Dredhine” apo aq me teper “Pabesine”, është tej mase gabim, pasi në rrjedhën e këtyre epiteteve që fiset kanë marrë që nga lashtësia, dredhia dhe pabesia u janë “veshur” disa fiseve a vllaznive të tjera dhe jo fisit të Thaqit, por kjo nuk është tema, thjesht si sqarim paraprak!


Po pse kjo frazë?! Sa vjetërsi ka lidhja e kësaj fraze me Thaqin?

Si lidhet fisi i Thaqit me Gjarpnin? Cili është Kulti i Gjarpnit tek ne, Thrako-Ilirët (shqiptarët e sotshëm)?

Më shumë sesa një thënje e thjeshtë e marrë nëpër gojë e komentuar pa shpjegim apo me shaka, pa i kushtuar kurrë vëmendje apo analizuar askush, më duket si një status. Status që vjen nga vjetërsitë e kohërave.

Pse pikërisht fisi i Thaqit lidhet me Gjarpnin, e pse fisi i vetëm që lidhet me një kafshë, krahas gjithë fiseve të tjera. (?!)

Më ngjan me një status, pasi vetë gjarpni ka një status… apo më shumë se një status.

Statusi kryesor është: Ruajtës i Trollit.
Gjarpnia, ruajtësia, autoktonia, vjetërsia e Thaqit.


THRAKO-ILIRËT = SHQIPTARËT.

Që shqiptarët e sotshëm, janë mbetëza të thrakëve dhe ilirëve, kjo nuk konsumon shumë debat për ato që dinë histori dhe merren me histori.

Ata që e pohojnë këtë lidhje e trashëgimi, janë autorë të shumtë, shqiptarë e të huaj.

“Të drejtat mâ të hershme u përkasin, pa dyshim, shqiptarëvet, tue qenë se ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtshëm të Trakëve e t’Ilirëvet. – Kur ilirët erdhen prej veriu, ata, në Shqipninë e sotme gjeten fise e popullsi trake.”1

“…Bashkëzânimi pra i auktorëve të çdo kombi përkah xânâfillja ilire a trako-ilire e shqiptarëve âsht i plotë, e s’mund të ndryshej. Pse? Në njen’ anë shqiptarët na dalin para si nji popull në vehte, me shenja fisnike të veçanta, me gjuhë të veten, me dokë, me tradita të ndryshme nga fëqinjt e në luftë gjithmonë me ta. N’anë tjetër, historija qi na kallxon ardhjen e kalimin e sa e sa popujve ndër këto skajé të Ballkanit, nuk na thotë gjâ për ardhjen e popullit shqiptar. Pranija e tij pra s’ka spjegim tjetër veçse tue thânë se ky komb ishte ndër këto vende qysh herët, qysh para se historija të fillojë me regjistrue dyndjet barbare, dmth. qysh në kohën e romano-ilire. E mbasi historjakët e popullsitë e atëhershme të këtyne vendeve i qujshin ilirë kah perendimi e trakë kah lindja, nuk mbetet veçse të thomi se shqiptarët janë pasardhësit e Iliro-Trakëve. Gjuha shqipe paraqet me aq përkime me ilirishten e trakishten, sidomos ndër vokalizma e ndër mbrapashtesa, sa me i a mbushë menden edhe dijetarëve si Mayer, Pederson, Holger, Kretschmer, Jokl, Ribezzo, Tagliavini, etj., se shqipja âsht vjanimi i trako-ilirishtes.2


Lidhja mes thrakëve dhe ilirëve e për më tepër që shqiptarët janë pasardhës të tyre, provohet sidomos nga ana gjuhësore, por, edhe me analizat gjenetike të bëra vitet e fundit ndër shqiptarë.
Ajo çka kontribuon edhe më shumë në këto lidhje e trashëgimi kulturore, janë edhe dokët, zakonet, kultet, etj.

Kulti i Gjarpnit gjendet tek të dy popujt e lashtë: Thrakë dhe Ilirë.
Kështu e gjejmë edhe tek shqiptarët e sotshëm nga Kosova e deri në Çamëri, nga brigjet e Adriatikut e deri ne thellësitë e popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Ky kult, haset përpos librave të shumtë historik, gjithashtu edhe në veshje, në artin e ndërtimit të kullave (në pragjet e kullave, rreth dyerve, portikeve), në zbukurimet e nuseve si psh. varëse me krye gjarpni që zakonisht mbahet mes gjinjve, në gatime (kulinari), etj.

Historiani, bibliografi, arkeologu, albanologu, ilirologu i madh, Aleksandër Stipçeviq, i cili vinte nga nji familje arbëreshe, i lindur në Arbnesh (Arbanas) afër Zarës (Zadar) në Kroaci, i cili ishte specializuar në studimet ndaj Ilirëve, na sjell disa pohime tepër interesante dhe me vlerë rreth kulturës së ilirëve dhe Kultit të Gjarpnit tek ata.
Krahas Stipceviq, janë edhe shumë autorë të tjerë, te cilet do i citoj, që sjellin pohime mjaft interesante rreth këtij kulti.

“Kulti i gjarprit ishte i përhapur gjërë te ilirët”3

“Imazhi i gjarpnit ishte simbol i potencës,  fertilitetit, riprodhimit, zgjuarsisë, vdekjes dhe ringjalljes”4 si dhe “mbrojtës i vatrës shtëpiake”.5

“Kjo kafshë mistike ishte e lidhur me kultin e të parëve dhe me kompleksin magjiko-fetar të pjellorisë së tokës dhe të gruas”.6

“Kulti ilir i gjarpnit është i dokumentuar në burimet antike. Një shembull është legjenda mitologjike e Kadmit dhe gruas së tij Harmonisë, të cilët, pasi erdhën te ilirët dhe vdiqën në atdheun e tyre, vazhduan të jetonin pas vdekjes së tyre në formën e gjarpërinjve. Djali i tyre Iliri, heroi me të njëjtin emër i prejardhjes ilire, kishte gjithashtu formën e gjarprit (u mbeshtoll nga gjarpnijte kur lindi) dhe si i tillë gjarpri mund të konsiderohet si totemi suprem i ilirëve.”7, 8

Janë disa autorë që gjarpnin e sjellin si kafshën supreme dhe parësore të ilirëve.
Nuk sjellin lopën, kalin apo qenin… madje as shqiponjën, pavarsisht se sot është simboli ynë kombëtar.

Këtu po dëftoj edhe një legjendë nga folklori kroat, popull me shumicë origjinë ilire e cila thotë se, në kohën e kolonizimit grek, grekët ishin të kërcënuar nga ilirët. Grekët thirrën për ndihmë flotën romake. Mbretëresha Teutë u arratis dhe u fsheh në Lastovë – një nga bastionet më të rëndësishme ilire. Hyjnia kryesore e Teutës ishte pikërisht Gjarpni-Kulti i Gjarprit dhe thuhet se udhëtonte me to. Ndërsa Mbretëresha Teutë ndodhej në ishull ajo kishte të gjithë fuqinë e tyre (gjarpnijve), dhe dihet mirë se gjarpërinjtë përfaqësojnë pjellorinë dhe mbrojtjen, ata ia kaluan mbrojtjen pikërisht ishullit Lastovë. Gjarpërinjtë ishin aq mirënjohës ndaj ishullit që u bë streha e tyre, saqë thuhet se nuk janë më helmues.

Gjithashtu nga folklori, thuhet se Mbretëresha Teutë ishte më e zgjuar sesa gjarpni, më trimëreshë sesa një luaneshë dhe më e bukur se zana.

Pra, kudo flitet për paraardhësit e shqiptarëve, thrako-ilirët, Kultin e Gjarpnit e gjejmë mes tyre.

Fisi shqiptar i Thaqit si pasardhës i mirëfilltë  rracës thrako-ilire e njëkohësisht edhe pasues i traditave, zakoneve dhe besimeve të lashta thrako-ilire.
Lidhjet dhe paralelizmat të cilat do shihen më poshtë:

“Fisi i Thaqit në Iballe, ruen nji gojëdhânë qi tregon se janë të bijtë e GJÍBALES.

Janë pasardhës të Murr Detit, sipas brezave e gjithashtu gojëdhânave, por tëtân janë të bijtë e Gjíbales. Populli që adhuronte këtë Hyjneshë? …E tue e lidhë me hyjnin pagane: Kybéle nderue në Frygi (nga Frigjët) … me kaq fisi i Thaqit më lidhet me makedon.”

“Kabashët lidhen me thrakë njashtû sikursé edhe Berishë.”

“Êmëni THAQ âsht në veri i vetëmi êmën fisi e i kurrnji katundit 

a lagjes, a nierit.”9

**Këtu, Cybele/Kybele/Sibalea/Iballeja… Kulti i Nanëmadhes bashkë me atë të Gjarpnit, lidhen se bashku, por është teme shumë e thellë dhe e komplikuar për t’i hyrë, prandaj nuk do i futem.
CYBELE = MAGNA MATER = MOTHER GODDESS = NANEMADHJA. (Për diçka më shumë rreth kësaj teme, mund të lexoni shkrimin tim: “Iballja dhe Fisi i Thaqit.”)

..”Kallxojnë se kur hînë Turqit së pari në Shkodër, pos armësh e mishit, lypshin edhe çikat mâ të mirat. I erdh rradha Thaqit. Këta ishin shumë vllazen e kishin edhe nji motër. Njâni vëllazënish, i hijshëm fëtyret (Thaqi janë në zâ për pashí t’burrnimît) … u vesh si çikë, mshefi në gjî nji thikë të mprehtë, hîn te komandari turk, e ther, e vret e kthehet megjith fisin në Dukagjin (Pukë). Në kët gojëdhânë përsëritet shka na kallxon Herodoti në libër të vet Terzikore: Aleksandri, i biri i Amyntës, Mbretit të Makedonisë, ther të dërguemit e generalit persjan Megabizit, pse këta deshten me u dhunue gratë.”10

Pak më poshtë do sjell edhe atë çka na rrëfen Herodoti në librin e tij të pestë (Book Five The Conquests of Megabazus-Pushtimet e Megabazusit), histori të cilën na e përmend më lart edhe gjuhëtari, leksikografi dhe eksperti më i madh i toponimisë, dom Nikoll Gazulli.


Por pak detaje si fillim:

Amynta III, ishte Mbret i Maqedonisë së Lashtë që udhëhoq prej 393 para Krishtit – 370 para Krishtit.

Kishte 3 djem dhe 1 vajzë.

Djemtë e Amyntas quheshin:

1. Aleksandri II, ky i cili trashëgoi fronin dhe luftoi kundër persëve.

2. Perdiki III I cili erdhi në fron mbas vdekjes së Aleksandrit II, pra vëllait të tij.

3. Filipi II, i cili është edhe i ati i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Filipi erdhi në pushtet pasi rrëzoi nipin e tij, Amyntën e IV.

Pra, Aleksandri i Madh i Maqedonisë kishte gjysh Amyntën III dhe axhë Aleksandrin II, i cili luftoi kundër persëve, ngjarje për të cilën po bëjmë fjalë.

Le t’i kthehemi rrëfimit të Herodotit: Pasi Perandoria Perse në këtë kohë nën udhëheqjen e Darit I të Madh të Persisë, mësyn perëndimin, ajo merr Thrakinë dhe i pushton të gjithë, duke arritur Maqedoninë.

Rreth vitit 507 para Krishtit Megabazus dërgoi disa të dërguar në Maqedoni për të kërkuar Tokë dhe Ujë, shenjat e traditës së nënshtrimit. Amyntas pranoi menjëherë të nënshtrohej, duke e ditur mirë se mbretëria e tij, më e vogël, do të ishte shtypur nëse persët do të kishin sulmuar. Më pas ai organizoi një banket për të festuar marrëveshjen e re, por kjo shkoi në mënyrë katastrofike. Të dërguarit persianë u treguan të vrazhdë me zonjat e oborrit, dhe si përgjigje i biri i Amyntas, Aleksandri, vret të gjithë ushtrinë perse.

Kjo është historia për të cilën dom Nikoll Gazulli na tregon se përsëritet me ardhjen e osmanëve, teksa përmend fisin e Thaqit, pasi ai ka bërë lidhjet e ketij fisi me maqedonët e vjetër si fillim.
Sipas shumë historianëve e të dhënave historike, fisi i Thaqit kishte dhe ka një shtrirje të gjërë, nga Drini e deri në Kosovë e gjithashtu deri në Malet e Sharrit në Maqeodoni.

Duhet pasur parasysh se kur flitet për Maqedoninë, nuk bëhet fjalë për këtë Maqedoni që pjesërisht kemi sot dhe popullsine sllave që ka aty sot, por, për Maqedonine e lashte, të madhe dhe të famshme që ekzistonte dikur, me popullsi e gjak thrako-ilir, me një gjuhë paraardhëse të shqipes së sotme, e që princat, princeshat, mbretërit dhe perandorët e kohës nuk identifikoheshin si grekë apo sllavë, por si maqedonë, ilirë, molosë, albanë, etj. Fise të ndryshme, të së njëjtit gen.

Duke qënë se jemi tek Molosët, pamfletisti i antikitetit, Luciani i Samosatës, na sjell një rrëfim interesant të marrë nga Plutarku për Princeshën molose, Olimpian, pikërisht nënen e Lekës së Madh të Maqedonisë.

“Nëna e Aleksandrit të Madh dhe një princeshë e tokës së Epirit, kishte reputacionin e një mbajtësje gjarpërinjsh dhe ishte pikërisht në formën e gjarprit që Zeusi i ishte afruar Olimpias duke e lënë shtatzënë dhe me pas lindi Aleksandrin nga ajo”.11
Kjo është edhe arsyeja se pse Leka i Madh konsiderohej si gjysëm Zot.

Plutarku shton se Olimpia ishte anëtare e një kulti mistik të Dionisit, që adhuronte gjarpërinjtë.
Besohet gjithashtu se ajo flinte me gjarpërinjtë.
Pra, sërish kemi Kultin e Gjarpnit të lidhur me rracën shqiptare dhe paraardhësit tanë.
Olimpia ishte nje princeshë epirjote dhe Aleksandri i Madh, një mbret maqedon që nuk flisnin as greqisht dhe as sllavisht, por trako-ilirisht (shqip).

Ka një përputhje rracore, gjeografike, përputhje besimi, traditash e ngjarjesh mes fisit të Thaqit dhe Kultit te Gjarpnit, aty ku është praktikuar, tek të paret tanë, në trojet tona.


…Thaqjanët kurrë përgjatë historisë nuk cënuan kënd padrejtësisht, por kur atyre iu bë një padrejtësi, ata si viganë malesh u ngritën, shkatërruan çfarëdo lloj force dhe ushtrie që u doli përballë dhe ruajten nderin, gjakun, gjuhën; dokë, zakone, tradita e trollin e tyre. Qendruan besnike te trollit, ashtu si gjarpni – roje i shtëpisë, pa marre parasysh pasojat që mund të kishin, qoftë edhe shuarjen përfudimtare të tyre. Duhet kujtuar se Iballja e Thaqjanëve u shkrumua 3 herë nga ushtritë e Perandorisë Osmane vetëm prej mos nënshtrimit ndaj tyre. Kjo ka sjellur edhe atë çka me shaka fiset dhe krahinat tjera rreth nesh, thonë se Iballja e ka mendjen e madhe apo se është djegë 3 herë prej mendjes së madhe. Apo se “Për 1 plesht, djegin jarganin”.

Kronikat flasin vetë…

“Fisi i panënshtruem i Thaqit dëshmoi se sa vështirë ishte të nânshtrohej ky fis në periudhën osmane. Herë mbas here, pushteti turk i mbyllun në kalanë e Pukës, dërgonte ekspedita ndëshkuese kundër tyne, me 8000-10.000 ushtarë. Më 1744 u rrafshuan me tokë 105 shpi të familjeve të Iballes, e fisi u sistemua në rajonin e Gjakovës. Mirëpo, s’shpejti, Thaqët u kthyen në vendlindjen e të parëve (Iballe).

Rivendosjet e këtilla të ekspeditave ndëshkuese (ushtrive) turke rrallë paten sukses.” – Robert Elsie (albanolog).

Pra, shkretimi, nuk ndodhi për arsye se toka ishte e shkrete, apo nuk u punua, siç kanë dëshirë të lazdrohen disa me komente qesharake fëminore, sepse kush e njeh Iballen, e din se sa pjellore toka e Saj është, e kush gjithashtu njeh dhe njerëzit e Saj, e din mjaft mirë se sa punëtorë e të ndershëm Iballsit kanë qënë e janë ndër shekuj.
Iballja, po mos te ishte aq ORËMADHE sa është, nuk do kishte dhjetra kala nëpër gjithë krahinën e Saj, pasi për të ngritur këto kala ndër shekuj, duhen njerëz punëtorë.
Nuk do ishte krahina qëndrore dhe më e madhe ku përpunoheshin metale të ndryshme dhe madje ari qysh në antikitet, pasi ishte zemra e fisit të lashtë të Pirustëve, dhe Iballja me rrethinat e saj përbën hartën më të pasur gjeologjike mbase në mbarë Shqiptari.

…Nuk do kishte marrëdhënje me Shkodrën, Lezhën, Prizrenin, Gjakovën e mbarë Dardaninë qysh në kohërat e hershme.
Iballja dhe Iballsit, po të ishte përtacia dhe dembelizmi dobësi e tyre, nuk do të kishin qindra kisha nëpër lagjet e tyre qysh në fillesat e Krishtërimit, e nuk do ishte fshati i parë në veri ku zyrtarisht u hap shkolla e parë shqipe.
E për të mos u zgjatur, nuk do kishte sot disa nga biznesmenet më të fuqishëm në Shqipëri..

Iballja qysh në shek. XVII-XVIII numëronte rreth 700 shpi, me mbi 3000 banorë, dhe po të ish një vend i shkretë e një popullsi jo vitale, nuk do mund të jetonin apo mbijetonin të gjithë ata banorë në atë vend.

Nuk do të flisnin as relacionet e shumta të udhëtarëve që shkelën këtë tokë, e këtu gjetën besë, bukë kryp e zemër.
Frang Bardhi, më 1637, gjatë vizitës së tij në malet tona, thotë se: “Keta gjind (njerëz) epirotë të Pukës janë sa s’thuhet mundqarë, të dhanun mas armësh e luftarakë…”.

Pra, cdo goditje qe i erdhi Iballes, i erdhi nga armiqtë ndër-shekullorë e më vonë nga sistemi komunist, por që kurrë nuk e gjunjëzoi vendin, fisin e rracën tonë, e kush erdhi për arsye djallëzore, gjeti grykën e pushkës, në mbrojtje të trollit, Lirisë e parimeve të të parëve tonë, si zotë të vetëm e autoktonë të tokës sonë, në tokën e lashtë të Pirustëve, në tokën e Dukagjinit të vjetër!
E kjo, nuk na e rrit mendjen, POR NA BËN KRENARË E TË VETËDIJSHËM!!!

“Në tetor 1610, Ahmet Beg Cucca [Ahmet bej Kuka] mblodhi 1500 njerëz për të kryer nji sulm të befasishëm në Iballe, por meqenëse këta mësuen paraprakisht për sulmin, ata mblodhën thjesht 500 nga njerëzit e tyne dhe e detyruen anmikun të futet në nji grykë të ngushtë të vështirë, ku ata as nuk mund të iknin e as të luftonin. Ata ishin mbërthye atje të rrethuem nga burra që ose donin t’i vrisnin ose t’i zinin rob për të tregue fitoren e tyne. Këta burra të guximshëm të Iballes vranë kaq shumë ushtarë të hutuem dhe të mundur, duke i plagosur fillimisht nga larg me shigjetat e tyne dhe më pas duke i sulmue në luftime trup me trup, sa që edhe sanxhak beu u vra. Pak prej ushtarëve osmanë mbijetuen. Do të mbahet mend përgjithmonë se me atë rast, një kalë turk u ishte shitë fitimtarëve për dy bajoki [monedha papale] dhe një shpatë tejet me vlerë u shit për një bajok. Burrat e Dukagjinit (Pukës) kanë fitore të tjera të shumta të tilla, të mjaftueshme për të mbushë nji libër me aventurat e tyne të lavdishme.”– Pjetër Mazreku, viti 1633.

“Iballja âsht e përmendun në Shqipni jo vetëm për shkak të pozitës ndaj Shkodrës, Prizrenit dhe Gjakovës, por edhe për shkak të banorëve, të fuqishëm dhe guximtar. Iballja âsht “oaz” rrafshnaltë në bjeshkët shqiptare. Banorët, janë njerëz të vlefshëm dhe guximtarë, dashamirë të paqës, mirëkuptimit vëllazëror dhe arësimit.”– P. Lovro Mihacevic, “Po Albaniji – dojmovi s puta”, Zagreb, Kroaci, 1911.

Gjithcka çka u përfol këtu, jep një farë përmbledhje të karakteristikave, traditave e ngjarjeve që mund të afrojnë dhe barazojnë pra fisin e Thaqit, me totemin e tij suprem, Gjarpnin,  lidhje me të cilin, e trashëgon nga kohërat e thella të të parëve tanë e për këto arsye mund të ketë ardhur krahasimi me të deri në ditët tona.

  1. Ferdinand Adolph Theophil Hueppe (albanolog).
  2. At Shtjefën Gjeçovi: “Xânâfilla e Shqiptarëvet”. Fq. 33.
  3. Aleksander Stipceviq: “Simbolika ilire dhe simbolika shqiptare: shënime hyrëse. Iliria”. Fq. 235
  4. John Wilkes: “Ilirët”. Fq. 245.
  5. Aleksander Stipceviq: “Simbolika ilire dhe simbolika shqiptare: shënime hyrëse. Iliria”. Fq. 235
  6. Po aty. ^
  7. Po aty. ^
  8. Marjeta Sasel Kos: “Kadmus dhe Harmonia ne Iliri”. Fq. 113.
  9. Nikollë Gazulli: “Hylli i Dritës/Mars-Prill 1941”. Fq. 178.
  10. Nikolle Gazulli: “Hylli i Dritës/Marc -Máj 1941”. Fq. 186.
  11. Luciani: “Aleksandri, profeti i rremë”.

Filed Under: Histori

MBRËMJE E MAGJISHME E FILMIT SHQIPTAR NË VATËR

December 22, 2021 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një natë të magjishme të promovimit të filmit shqiptar në New York. Gazetarë, shkrimtarë, poetë, veprimtarë të shquar në komunitet, mësues, kineastë, studentë u bënë pjesë e një natë të paharruar artistike. Në emër të Vatrës përshëndeti të pranishmit kryetari i Degës së Vatrës Manhattan z.Agustin Mirakaj i cili ndër të tjera tha: “Urimet më të përzëmërta për punën e shkëlqyer. Vatrës duhet ti bashkohet një përfaqësi e re artistësh elitë të fushës së aktrimit. Federata vatra do jetë mbështëse e pakushtëzuar dhe frymëzuese në art dhe kulturë. Vatra do i mbështesë gjithmonë talentet shqiptare. Dega e Vatra Manhattan Branch falenderon regjizorin, grupin e tij të shkëlqyer për punën dhe devotshmerinë në realizimin e filmave të tyre. Filmi është pjesë e jetës, filmi është pasqyra e të shkuarës dhe historia që mund të tregohet ashtu siç është e vërteta. Filmi ngelet promotori i ëndrave të pa treguara e shpesh edhe të pa jetuara. Ju uroj dhe përgëzoj për sukseset tuaja” u shpreh ndër të tjera z.Mirakaj. Tri sekuencat filmike që u shfaqën në Vatër filluan me dokumentarin mbi Persketutimin e femrës shqiptare në regjimin komunist. Ambasadori i artit shqiptar, mjeshtri i nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, z.Bujar Alimani shpalosi për të pranishmit punën e shkëlqyer të kineastëve të rinj shqiptarë, vlerësimet e punëve të tyre artistike dhe mbi të gjitha rolin e artit e filmit në shoqëri, dhe vështirësitë e realizimit, mjeshtritë e karaktereve dhe nevojën që shteti e shoqëria të investojë dhe te zhvillojë artin e kulturën. Dëshmitë rrënqethëse të persekucionit, jeta e mundimshme në internim, lufta e klasave, hakmarrja e sistemit monist mbi gratë dhe fëmijët ishin një pikë reflektimi mbi të gjithë të pranishmit mbi dhunën e torturën e regjimit totalitar mbi shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha nevojën për dekomunistizimin dhe shkëputjen përgjithmonë nga diktatura. Një natë speciale që iu kushtua kineastëve të rinj shqiptarë në New York, Erald Kraja dhe Savina Alimani të cilën shfaqën për publikun dhe komunitetin shqiptar në New York dy filma me metrazh të shkurtër të vlerësuar maksimalisht në Universitet ku ata kanë studiuar. Eraldi dhe Savina janë dy talente shumë premtuese dhe me të ardhme të sigurtë në botën e filmit. Dy studentët shqiptarë të sapodiplomuar në Departamentin e Filmit ne Brooklyn Film College dhe Hunter College në New York, prezantojnë filmat e tyre të diplomës ku në qendër të realizimit artistik janë histori urbane që ndodhin në Metropolin Amerikan, njerëz në kërkim të identitetit dhe konfliktet që burojnë nga botë të ndara dhe mirësia që i superon dhe i zbut këto konflikte në një shoqëri globale. Ky aktivitet u moderua nën pëkujdesjen e veçantë dhe pjesëmarrjen e kineastit të vlerësuar ndërkombëtarisht z.Bujar Alimani dhe producentin të suksessëhm Damian Pervizi. Aktiviteti ngjalli shumë interes tek të gjithë të pranishmit për fuqinë e mesazheve artistike që dha për publikun, kureshtjen te të pranishmit, mjeshtrinë e realizmit dhe mbi të gjitha krenarinë e “markës” shqiptare të prodhimit të filmit.  

Filed Under: Featured

Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar para 32 viteve më shumë se parti…

December 22, 2021 by s p

-E themeluar para 32 viteve, në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë,   Lidhja Demoratike e Kosovës më shumë se parti në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë…/

-“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës… Pavarësia është e padiskutueshme”, deklaronte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova para 16  vitesh, në 23 Dhjetorin 2005, në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës/

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/

-Nga arkivi-6 Gusht 2016: Me Vatranët e SHBA aty ku u themelua LDK…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 22 Dhjetor 2021/ Shënon 32 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës (LDK), e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 16 vitesh Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.


“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.


Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.


Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…

Kur u themelua Lidhja Demoratike e Kosovës ishte koha kur po para 32 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugova u zgjodh President i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 117 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.

Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

NGA ARKIVI-6 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA – ATY KU U THEMELUA LDK…

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2666
  • 2667
  • 2668
  • 2669
  • 2670
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT