Elidon Lekë Nika
New York
GJARPNIN, S’E NGUCE – NUK TË NGUC!
Gjarprin, po nuk e ngacmove – nuk të ngacmon.
Gjarpni, pavarsisht se është një krijesë e frikshme dhe se sjell ndjenjë frike tek njerëzit në përgjithësi, tek ne shqiptarët, kurrë përgjatë gjithë historisë, nuk është cilësuar si një gjallesë negative, dredharake apo e pabesë.
Çdo shtëpi në malësi ka gjarpnin e vet. Gjarpni është roja e shtëpisë, e trollit. Gjarpni i shtëpisë nuk ngucet (ngacmohet).
Ai lihet i qetë dhe mund te gjendet edhe nën jastekë, çarçafë, e edhe në djepin e fëmijëve.
Prindërit dhe gjyshërit tanë tregojnë se madje gjarpnit të shtëpisë, tek hyrja e tij tek ndonje vrimë muri, i lihet edhe qumësht, që gjarpni të pijë e ushqehet me të.
Nuk është dëgjuar ndonjëherë që gjarpni i shtëpisë të ketë sulmuar dikë të shtëpisë pa arsye, nëse dikush nuk është munduar ta vrasë më parë atë.
Ilirët besonin në forcën e magjive dhe syrit të keq, në fuqinë magjike të amuleteve mbrojtëse dhe të dobishme që mund të shmangnin syrin e keq ose qëllimet e këqija të armiqve.
Asnjë kafshë në simbolikën e besimit dhe kultit tek ilirët (shqiptaret e sotëm) nuk ka luajtur një rol më të rëndësishëm sesa gjarpri. Kjo kafshë misterioze, me formë të jashtëzakonshme e cila pa zhurme zvarritet dhe del nga thellësia e tokës aty ku jetojnë demonët por dhe zotat e nëntokës, si edhe shpirtrat e të ndjerëve, i cili me kafshimin e vet mundet aty për aty ta mbysë jo vetëm kafshën, por edhe vetë njeriun, ka nxitur respekt nga frika. – Insider: “Çfarë simbolizonte gjarpri tek ilirët.”
Ndër librat e historisë, revistat historiko-kulturore, etj., kur përmendet fisi i lashtë e i madh i Thaqit, vëmë re të përmendet edhe kjo frazë e shkurtër, interesante dhe intriguese njikohësisht.
Psh. Kemi: Gjarpnia e Thaqit; Inati i Berishës; Syni i Krasniqes, etj.
Përderisa deri më sot, nuk i ka dhënë dikush shpjegim kësaj fraze, do mundohem të sjell disa shpjegime, nga njohuritë e mia që kam rreth historisë, mitologjisë, etj.
Nëse dikush mendon se “Gjarpnia” mund të njehsohet me “Dredhine” apo aq me teper “Pabesine”, është tej mase gabim, pasi në rrjedhën e këtyre epiteteve që fiset kanë marrë që nga lashtësia, dredhia dhe pabesia u janë “veshur” disa fiseve a vllaznive të tjera dhe jo fisit të Thaqit, por kjo nuk është tema, thjesht si sqarim paraprak!
Po pse kjo frazë?! Sa vjetërsi ka lidhja e kësaj fraze me Thaqin?
Si lidhet fisi i Thaqit me Gjarpnin? Cili është Kulti i Gjarpnit tek ne, Thrako-Ilirët (shqiptarët e sotshëm)?
Më shumë sesa një thënje e thjeshtë e marrë nëpër gojë e komentuar pa shpjegim apo me shaka, pa i kushtuar kurrë vëmendje apo analizuar askush, më duket si një status. Status që vjen nga vjetërsitë e kohërave.
Pse pikërisht fisi i Thaqit lidhet me Gjarpnin, e pse fisi i vetëm që lidhet me një kafshë, krahas gjithë fiseve të tjera. (?!)
Më ngjan me një status, pasi vetë gjarpni ka një status… apo më shumë se një status.
Statusi kryesor është: Ruajtës i Trollit.
Gjarpnia, ruajtësia, autoktonia, vjetërsia e Thaqit.
THRAKO-ILIRËT = SHQIPTARËT.
Që shqiptarët e sotshëm, janë mbetëza të thrakëve dhe ilirëve, kjo nuk konsumon shumë debat për ato që dinë histori dhe merren me histori.
Ata që e pohojnë këtë lidhje e trashëgimi, janë autorë të shumtë, shqiptarë e të huaj.
“Të drejtat mâ të hershme u përkasin, pa dyshim, shqiptarëvet, tue qenë se ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtshëm të Trakëve e t’Ilirëvet. – Kur ilirët erdhen prej veriu, ata, në Shqipninë e sotme gjeten fise e popullsi trake.”1
“…Bashkëzânimi pra i auktorëve të çdo kombi përkah xânâfillja ilire a trako-ilire e shqiptarëve âsht i plotë, e s’mund të ndryshej. Pse? Në njen’ anë shqiptarët na dalin para si nji popull në vehte, me shenja fisnike të veçanta, me gjuhë të veten, me dokë, me tradita të ndryshme nga fëqinjt e në luftë gjithmonë me ta. N’anë tjetër, historija qi na kallxon ardhjen e kalimin e sa e sa popujve ndër këto skajé të Ballkanit, nuk na thotë gjâ për ardhjen e popullit shqiptar. Pranija e tij pra s’ka spjegim tjetër veçse tue thânë se ky komb ishte ndër këto vende qysh herët, qysh para se historija të fillojë me regjistrue dyndjet barbare, dmth. qysh në kohën e romano-ilire. E mbasi historjakët e popullsitë e atëhershme të këtyne vendeve i qujshin ilirë kah perendimi e trakë kah lindja, nuk mbetet veçse të thomi se shqiptarët janë pasardhësit e Iliro-Trakëve. Gjuha shqipe paraqet me aq përkime me ilirishten e trakishten, sidomos ndër vokalizma e ndër mbrapashtesa, sa me i a mbushë menden edhe dijetarëve si Mayer, Pederson, Holger, Kretschmer, Jokl, Ribezzo, Tagliavini, etj., se shqipja âsht vjanimi i trako-ilirishtes.2
Lidhja mes thrakëve dhe ilirëve e për më tepër që shqiptarët janë pasardhës të tyre, provohet sidomos nga ana gjuhësore, por, edhe me analizat gjenetike të bëra vitet e fundit ndër shqiptarë.
Ajo çka kontribuon edhe më shumë në këto lidhje e trashëgimi kulturore, janë edhe dokët, zakonet, kultet, etj.
Kulti i Gjarpnit gjendet tek të dy popujt e lashtë: Thrakë dhe Ilirë.
Kështu e gjejmë edhe tek shqiptarët e sotshëm nga Kosova e deri në Çamëri, nga brigjet e Adriatikut e deri ne thellësitë e popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Ky kult, haset përpos librave të shumtë historik, gjithashtu edhe në veshje, në artin e ndërtimit të kullave (në pragjet e kullave, rreth dyerve, portikeve), në zbukurimet e nuseve si psh. varëse me krye gjarpni që zakonisht mbahet mes gjinjve, në gatime (kulinari), etj.
Historiani, bibliografi, arkeologu, albanologu, ilirologu i madh, Aleksandër Stipçeviq, i cili vinte nga nji familje arbëreshe, i lindur në Arbnesh (Arbanas) afër Zarës (Zadar) në Kroaci, i cili ishte specializuar në studimet ndaj Ilirëve, na sjell disa pohime tepër interesante dhe me vlerë rreth kulturës së ilirëve dhe Kultit të Gjarpnit tek ata.
Krahas Stipceviq, janë edhe shumë autorë të tjerë, te cilet do i citoj, që sjellin pohime mjaft interesante rreth këtij kulti.
“Kulti i gjarprit ishte i përhapur gjërë te ilirët”3
“Imazhi i gjarpnit ishte simbol i potencës, fertilitetit, riprodhimit, zgjuarsisë, vdekjes dhe ringjalljes”4 si dhe “mbrojtës i vatrës shtëpiake”.5
“Kjo kafshë mistike ishte e lidhur me kultin e të parëve dhe me kompleksin magjiko-fetar të pjellorisë së tokës dhe të gruas”.6
“Kulti ilir i gjarpnit është i dokumentuar në burimet antike. Një shembull është legjenda mitologjike e Kadmit dhe gruas së tij Harmonisë, të cilët, pasi erdhën te ilirët dhe vdiqën në atdheun e tyre, vazhduan të jetonin pas vdekjes së tyre në formën e gjarpërinjve. Djali i tyre Iliri, heroi me të njëjtin emër i prejardhjes ilire, kishte gjithashtu formën e gjarprit (u mbeshtoll nga gjarpnijte kur lindi) dhe si i tillë gjarpri mund të konsiderohet si totemi suprem i ilirëve.”7, 8
Janë disa autorë që gjarpnin e sjellin si kafshën supreme dhe parësore të ilirëve.
Nuk sjellin lopën, kalin apo qenin… madje as shqiponjën, pavarsisht se sot është simboli ynë kombëtar.
Këtu po dëftoj edhe një legjendë nga folklori kroat, popull me shumicë origjinë ilire e cila thotë se, në kohën e kolonizimit grek, grekët ishin të kërcënuar nga ilirët. Grekët thirrën për ndihmë flotën romake. Mbretëresha Teutë u arratis dhe u fsheh në Lastovë – një nga bastionet më të rëndësishme ilire. Hyjnia kryesore e Teutës ishte pikërisht Gjarpni-Kulti i Gjarprit dhe thuhet se udhëtonte me to. Ndërsa Mbretëresha Teutë ndodhej në ishull ajo kishte të gjithë fuqinë e tyre (gjarpnijve), dhe dihet mirë se gjarpërinjtë përfaqësojnë pjellorinë dhe mbrojtjen, ata ia kaluan mbrojtjen pikërisht ishullit Lastovë. Gjarpërinjtë ishin aq mirënjohës ndaj ishullit që u bë streha e tyre, saqë thuhet se nuk janë më helmues.
Gjithashtu nga folklori, thuhet se Mbretëresha Teutë ishte më e zgjuar sesa gjarpni, më trimëreshë sesa një luaneshë dhe më e bukur se zana.
Pra, kudo flitet për paraardhësit e shqiptarëve, thrako-ilirët, Kultin e Gjarpnit e gjejmë mes tyre.
Fisi shqiptar i Thaqit si pasardhës i mirëfilltë rracës thrako-ilire e njëkohësisht edhe pasues i traditave, zakoneve dhe besimeve të lashta thrako-ilire.
Lidhjet dhe paralelizmat të cilat do shihen më poshtë:
“Fisi i Thaqit në Iballe, ruen nji gojëdhânë qi tregon se janë të bijtë e GJÍBALES.
Janë pasardhës të Murr Detit, sipas brezave e gjithashtu gojëdhânave, por tëtân janë të bijtë e Gjíbales. Populli që adhuronte këtë Hyjneshë? …E tue e lidhë me hyjnin pagane: Kybéle nderue në Frygi (nga Frigjët) … me kaq fisi i Thaqit më lidhet me makedon.”
“Kabashët lidhen me thrakë njashtû sikursé edhe Berishë.”
“Êmëni THAQ âsht në veri i vetëmi êmën fisi e i kurrnji katundit
a lagjes, a nierit.”9
**Këtu, Cybele/Kybele/Sibalea/Iballeja… Kulti i Nanëmadhes bashkë me atë të Gjarpnit, lidhen se bashku, por është teme shumë e thellë dhe e komplikuar për t’i hyrë, prandaj nuk do i futem.
CYBELE = MAGNA MATER = MOTHER GODDESS = NANEMADHJA. (Për diçka më shumë rreth kësaj teme, mund të lexoni shkrimin tim: “Iballja dhe Fisi i Thaqit.”)
..”Kallxojnë se kur hînë Turqit së pari në Shkodër, pos armësh e mishit, lypshin edhe çikat mâ të mirat. I erdh rradha Thaqit. Këta ishin shumë vllazen e kishin edhe nji motër. Njâni vëllazënish, i hijshëm fëtyret (Thaqi janë në zâ për pashí t’burrnimît) … u vesh si çikë, mshefi në gjî nji thikë të mprehtë, hîn te komandari turk, e ther, e vret e kthehet megjith fisin në Dukagjin (Pukë). Në kët gojëdhânë përsëritet shka na kallxon Herodoti në libër të vet Terzikore: Aleksandri, i biri i Amyntës, Mbretit të Makedonisë, ther të dërguemit e generalit persjan Megabizit, pse këta deshten me u dhunue gratë.”10
Pak më poshtë do sjell edhe atë çka na rrëfen Herodoti në librin e tij të pestë (Book Five The Conquests of Megabazus-Pushtimet e Megabazusit), histori të cilën na e përmend më lart edhe gjuhëtari, leksikografi dhe eksperti më i madh i toponimisë, dom Nikoll Gazulli.
Por pak detaje si fillim:
Amynta III, ishte Mbret i Maqedonisë së Lashtë që udhëhoq prej 393 para Krishtit – 370 para Krishtit.
Kishte 3 djem dhe 1 vajzë.
Djemtë e Amyntas quheshin:
1. Aleksandri II, ky i cili trashëgoi fronin dhe luftoi kundër persëve.
2. Perdiki III I cili erdhi në fron mbas vdekjes së Aleksandrit II, pra vëllait të tij.
3. Filipi II, i cili është edhe i ati i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Filipi erdhi në pushtet pasi rrëzoi nipin e tij, Amyntën e IV.
Pra, Aleksandri i Madh i Maqedonisë kishte gjysh Amyntën III dhe axhë Aleksandrin II, i cili luftoi kundër persëve, ngjarje për të cilën po bëjmë fjalë.
Le t’i kthehemi rrëfimit të Herodotit: Pasi Perandoria Perse në këtë kohë nën udhëheqjen e Darit I të Madh të Persisë, mësyn perëndimin, ajo merr Thrakinë dhe i pushton të gjithë, duke arritur Maqedoninë.
Rreth vitit 507 para Krishtit Megabazus dërgoi disa të dërguar në Maqedoni për të kërkuar Tokë dhe Ujë, shenjat e traditës së nënshtrimit. Amyntas pranoi menjëherë të nënshtrohej, duke e ditur mirë se mbretëria e tij, më e vogël, do të ishte shtypur nëse persët do të kishin sulmuar. Më pas ai organizoi një banket për të festuar marrëveshjen e re, por kjo shkoi në mënyrë katastrofike. Të dërguarit persianë u treguan të vrazhdë me zonjat e oborrit, dhe si përgjigje i biri i Amyntas, Aleksandri, vret të gjithë ushtrinë perse.
Kjo është historia për të cilën dom Nikoll Gazulli na tregon se përsëritet me ardhjen e osmanëve, teksa përmend fisin e Thaqit, pasi ai ka bërë lidhjet e ketij fisi me maqedonët e vjetër si fillim.
Sipas shumë historianëve e të dhënave historike, fisi i Thaqit kishte dhe ka një shtrirje të gjërë, nga Drini e deri në Kosovë e gjithashtu deri në Malet e Sharrit në Maqeodoni.
Duhet pasur parasysh se kur flitet për Maqedoninë, nuk bëhet fjalë për këtë Maqedoni që pjesërisht kemi sot dhe popullsine sllave që ka aty sot, por, për Maqedonine e lashte, të madhe dhe të famshme që ekzistonte dikur, me popullsi e gjak thrako-ilir, me një gjuhë paraardhëse të shqipes së sotme, e që princat, princeshat, mbretërit dhe perandorët e kohës nuk identifikoheshin si grekë apo sllavë, por si maqedonë, ilirë, molosë, albanë, etj. Fise të ndryshme, të së njëjtit gen.
Duke qënë se jemi tek Molosët, pamfletisti i antikitetit, Luciani i Samosatës, na sjell një rrëfim interesant të marrë nga Plutarku për Princeshën molose, Olimpian, pikërisht nënen e Lekës së Madh të Maqedonisë.
“Nëna e Aleksandrit të Madh dhe një princeshë e tokës së Epirit, kishte reputacionin e një mbajtësje gjarpërinjsh dhe ishte pikërisht në formën e gjarprit që Zeusi i ishte afruar Olimpias duke e lënë shtatzënë dhe me pas lindi Aleksandrin nga ajo”.11
Kjo është edhe arsyeja se pse Leka i Madh konsiderohej si gjysëm Zot.
Plutarku shton se Olimpia ishte anëtare e një kulti mistik të Dionisit, që adhuronte gjarpërinjtë.
Besohet gjithashtu se ajo flinte me gjarpërinjtë.
Pra, sërish kemi Kultin e Gjarpnit të lidhur me rracën shqiptare dhe paraardhësit tanë.
Olimpia ishte nje princeshë epirjote dhe Aleksandri i Madh, një mbret maqedon që nuk flisnin as greqisht dhe as sllavisht, por trako-ilirisht (shqip).
Ka një përputhje rracore, gjeografike, përputhje besimi, traditash e ngjarjesh mes fisit të Thaqit dhe Kultit te Gjarpnit, aty ku është praktikuar, tek të paret tanë, në trojet tona.
…Thaqjanët kurrë përgjatë historisë nuk cënuan kënd padrejtësisht, por kur atyre iu bë një padrejtësi, ata si viganë malesh u ngritën, shkatërruan çfarëdo lloj force dhe ushtrie që u doli përballë dhe ruajten nderin, gjakun, gjuhën; dokë, zakone, tradita e trollin e tyre. Qendruan besnike te trollit, ashtu si gjarpni – roje i shtëpisë, pa marre parasysh pasojat që mund të kishin, qoftë edhe shuarjen përfudimtare të tyre. Duhet kujtuar se Iballja e Thaqjanëve u shkrumua 3 herë nga ushtritë e Perandorisë Osmane vetëm prej mos nënshtrimit ndaj tyre. Kjo ka sjellur edhe atë çka me shaka fiset dhe krahinat tjera rreth nesh, thonë se Iballja e ka mendjen e madhe apo se është djegë 3 herë prej mendjes së madhe. Apo se “Për 1 plesht, djegin jarganin”.
Kronikat flasin vetë…
“Fisi i panënshtruem i Thaqit dëshmoi se sa vështirë ishte të nânshtrohej ky fis në periudhën osmane. Herë mbas here, pushteti turk i mbyllun në kalanë e Pukës, dërgonte ekspedita ndëshkuese kundër tyne, me 8000-10.000 ushtarë. Më 1744 u rrafshuan me tokë 105 shpi të familjeve të Iballes, e fisi u sistemua në rajonin e Gjakovës. Mirëpo, s’shpejti, Thaqët u kthyen në vendlindjen e të parëve (Iballe).
Rivendosjet e këtilla të ekspeditave ndëshkuese (ushtrive) turke rrallë paten sukses.” – Robert Elsie (albanolog).
Pra, shkretimi, nuk ndodhi për arsye se toka ishte e shkrete, apo nuk u punua, siç kanë dëshirë të lazdrohen disa me komente qesharake fëminore, sepse kush e njeh Iballen, e din se sa pjellore toka e Saj është, e kush gjithashtu njeh dhe njerëzit e Saj, e din mjaft mirë se sa punëtorë e të ndershëm Iballsit kanë qënë e janë ndër shekuj.
Iballja, po mos te ishte aq ORËMADHE sa është, nuk do kishte dhjetra kala nëpër gjithë krahinën e Saj, pasi për të ngritur këto kala ndër shekuj, duhen njerëz punëtorë.
Nuk do ishte krahina qëndrore dhe më e madhe ku përpunoheshin metale të ndryshme dhe madje ari qysh në antikitet, pasi ishte zemra e fisit të lashtë të Pirustëve, dhe Iballja me rrethinat e saj përbën hartën më të pasur gjeologjike mbase në mbarë Shqiptari.
…Nuk do kishte marrëdhënje me Shkodrën, Lezhën, Prizrenin, Gjakovën e mbarë Dardaninë qysh në kohërat e hershme.
Iballja dhe Iballsit, po të ishte përtacia dhe dembelizmi dobësi e tyre, nuk do të kishin qindra kisha nëpër lagjet e tyre qysh në fillesat e Krishtërimit, e nuk do ishte fshati i parë në veri ku zyrtarisht u hap shkolla e parë shqipe.
E për të mos u zgjatur, nuk do kishte sot disa nga biznesmenet më të fuqishëm në Shqipëri..
Iballja qysh në shek. XVII-XVIII numëronte rreth 700 shpi, me mbi 3000 banorë, dhe po të ish një vend i shkretë e një popullsi jo vitale, nuk do mund të jetonin apo mbijetonin të gjithë ata banorë në atë vend.
Nuk do të flisnin as relacionet e shumta të udhëtarëve që shkelën këtë tokë, e këtu gjetën besë, bukë kryp e zemër.
Frang Bardhi, më 1637, gjatë vizitës së tij në malet tona, thotë se: “Keta gjind (njerëz) epirotë të Pukës janë sa s’thuhet mundqarë, të dhanun mas armësh e luftarakë…”.
Pra, cdo goditje qe i erdhi Iballes, i erdhi nga armiqtë ndër-shekullorë e më vonë nga sistemi komunist, por që kurrë nuk e gjunjëzoi vendin, fisin e rracën tonë, e kush erdhi për arsye djallëzore, gjeti grykën e pushkës, në mbrojtje të trollit, Lirisë e parimeve të të parëve tonë, si zotë të vetëm e autoktonë të tokës sonë, në tokën e lashtë të Pirustëve, në tokën e Dukagjinit të vjetër!
E kjo, nuk na e rrit mendjen, POR NA BËN KRENARË E TË VETËDIJSHËM!!!
“Në tetor 1610, Ahmet Beg Cucca [Ahmet bej Kuka] mblodhi 1500 njerëz për të kryer nji sulm të befasishëm në Iballe, por meqenëse këta mësuen paraprakisht për sulmin, ata mblodhën thjesht 500 nga njerëzit e tyne dhe e detyruen anmikun të futet në nji grykë të ngushtë të vështirë, ku ata as nuk mund të iknin e as të luftonin. Ata ishin mbërthye atje të rrethuem nga burra që ose donin t’i vrisnin ose t’i zinin rob për të tregue fitoren e tyne. Këta burra të guximshëm të Iballes vranë kaq shumë ushtarë të hutuem dhe të mundur, duke i plagosur fillimisht nga larg me shigjetat e tyne dhe më pas duke i sulmue në luftime trup me trup, sa që edhe sanxhak beu u vra. Pak prej ushtarëve osmanë mbijetuen. Do të mbahet mend përgjithmonë se me atë rast, një kalë turk u ishte shitë fitimtarëve për dy bajoki [monedha papale] dhe një shpatë tejet me vlerë u shit për një bajok. Burrat e Dukagjinit (Pukës) kanë fitore të tjera të shumta të tilla, të mjaftueshme për të mbushë nji libër me aventurat e tyne të lavdishme.”– Pjetër Mazreku, viti 1633.
“Iballja âsht e përmendun në Shqipni jo vetëm për shkak të pozitës ndaj Shkodrës, Prizrenit dhe Gjakovës, por edhe për shkak të banorëve, të fuqishëm dhe guximtar. Iballja âsht “oaz” rrafshnaltë në bjeshkët shqiptare. Banorët, janë njerëz të vlefshëm dhe guximtarë, dashamirë të paqës, mirëkuptimit vëllazëror dhe arësimit.”– P. Lovro Mihacevic, “Po Albaniji – dojmovi s puta”, Zagreb, Kroaci, 1911.
Gjithcka çka u përfol këtu, jep një farë përmbledhje të karakteristikave, traditave e ngjarjeve që mund të afrojnë dhe barazojnë pra fisin e Thaqit, me totemin e tij suprem, Gjarpnin, lidhje me të cilin, e trashëgon nga kohërat e thella të të parëve tanë e për këto arsye mund të ketë ardhur krahasimi me të deri në ditët tona.
- Ferdinand Adolph Theophil Hueppe (albanolog).
- At Shtjefën Gjeçovi: “Xânâfilla e Shqiptarëvet”. Fq. 33.
- Aleksander Stipceviq: “Simbolika ilire dhe simbolika shqiptare: shënime hyrëse. Iliria”. Fq. 235
- John Wilkes: “Ilirët”. Fq. 245.
- Aleksander Stipceviq: “Simbolika ilire dhe simbolika shqiptare: shënime hyrëse. Iliria”. Fq. 235
- Po aty. ^
- Po aty. ^
- Marjeta Sasel Kos: “Kadmus dhe Harmonia ne Iliri”. Fq. 113.
- Nikollë Gazulli: “Hylli i Dritës/Mars-Prill 1941”. Fq. 178.
- Nikolle Gazulli: “Hylli i Dritës/Marc -Máj 1941”. Fq. 186.
- Luciani: “Aleksandri, profeti i rremë”.