• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Asociacioni ka lind ne Bruksel, por mund te sfidohet vetem ne Washington

December 8, 2021 by s p

Shkruan: Faton Bislimi/

Pranëvera e vitit që po vije do të jetë më e ngrohtë se secila verë që kemi përjetuar deri më tani. Jo në kuptimin meteorologjik, por në atë politik. Kosova do të gjendet edhe njëherë para vendimeve të mëdha. Çdo ditë e humbur sot, e rritë koston që do na duhet eventualisht ta paguajmë nesër.

Çdo huqje diplomatike sot (e të tillat janë të panumërta në MPJ) është kosto nesër. Angazhimi totalisht ad hoc e kryesisht edhe i munguar krejtësisht në avansimin e përkrahjes për Kosovën në qendrat e vendimmarrjes politike botërore, e vecanërisht në Capitol Hill, është shenjë alaramente për dëshmtim nesër, ngase “dështimi për t’u përgatitur, është përgatitje për dështim!”

Nuk mjaftojnë vizitat jashtë vendit sa për photo-op e pa asnjë rezultat konkret. Nuk është zgjidhje assesi ‘kontraktimi i firmave lobuese në Washington, DC’ siç po përgatitet të bëjë MPJ e jonë ngase siç kemi parë në të kaluarën, janë shpenzuar me miliona euro për “lobim” e janë arritë zero, ama bash zero, rezultate për vendin.

Edhe nëse duam, e kemi të pamundur që me ‘pagesa për lobim’ të arrijmë të fitojmë betejën diplomatike aty ku ka nevojë më së shumti. Nëse MPJ mendon se në ditët apo javët në vijim nënshkruan kontratë lobimi me një ose dy firma në SHBA (të dyja që i njohim thellësisht), le ta dijë se nuk do të arrijë as rezultatin më të vogël. Kosova në përgjithësi e MPJ në veçanti e kanë kaqikun e vogël financiar për të fituar betejën diplomatike me para për firma lobiste që sot punojnë për neve, realisht për paret tona, e neser edhe për ato të tejtërkujt. Fundja, dollari amerikan nuk njehë kombësi e as shtet.

MPJ e ka për obligim kryesor, bashkë me krejt qeverinë, që fokusin ta kenë tek ripërtrirja e përkrahjes së parezervë amerikane për Kosovën. Nëse krejt klasa jonë politike – pozitë e opozitë – janë të bindura se nuk do të lejohet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me të drejta ekzekutive, atëherë ekziston veç një mënyrë se si mund ta shpëtojmë Kosovën nga kjo kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht BE-së: ne duhet që dje, sepse edhe sot veç jemi vonë, të ishim duke punuar intensivisht me miqët tanë të vërtetë në Capitol Hill në Kongresin e SHBA-ve për t’i bindur ata se ky Asociacion e dëmton Kosovën dhe një Kosovë e dëmtuar, e lëndon interesin gjeo-strategjik amerikan në Ballkan e më gjerë.

Ne ende i kemi njerzit që na ndihmojnë në këtë kauzë, ashtu siç na kanë ndihmuar të çlirohemi e të pavarësohemi. Dhe, për këtë, flasin kajrtë faktet historike. Mjafton të bëni një kërkim në Google apo në YouTube për Joe DioGuardin dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe e shihni me sytë tuaj. Që nga viti 1985 e këndej, lidhja jonë me Amerikën zyrtare dhe përkrahje e Washingtonit për kauzën tone kombëtare bëhet përmes DioGuardit dhe shumë e shumë figurave tjera kyçe të politikbërjes amerikane me të cilat na ka lidhë fillimisht pikërisht DioGuardi.

Edhe DioGuardi edhe Liga mbesin edhe sot e kësaj ditë gardianë të vërtetë të lidhjeve tona unike me Amerikën. Sepse, ata këto lidhje i ndërtuan me punë të sinqertë, me fakte historike, me argumente kritike, me perkrahje te mergates sone ne Amerike, dhe me bazë në interesin gjeo-strategjik amerikan, në përputhje të së cilit është edhe vet kauza jonë kombëtare.

Kosova sot ndihmohet duke ruajtur këto miqësi të krijuara tash e mbi tri dekada e jo duke hargjuar kot paranë publike me firma lobiste pa asnjë rezultat konkret. MPJ këtë duhet ta ketë mëse të kjartë.  Një miqësi e ndërtuar për dekada, as nuk blihet as nuk shitet. Edhepse po humbim miq të mëdhenjë si McCain e pardje edhe Dole psh, lidhjet me njerzit e tyre nuk kanë vdekë. Përkundrazi, respekti i tyre tek kolegë tjerë është enorm i madh dhe aset veç i atyre që punuan me këta burrështetas për vite të tëra, siç janë Joe e Shirley DioGuardi dhe Liga!

Nuk ka shembull më të mirë se sa deklarata e Kryetarit të Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve, z. Bob Menendez, i cili në takim me Ligën shprehet kategorikisht kundër Asociacionit me të drejta ekzekutive. Kjo është beteja që duhet fituar me secilin lider tjetër kyç të Kongresit të SHBA-ve. Dhe, pos Ligës e DioGuardit bashke me znj. Cloyes, nuk ka kush që mundet me pas më shumë sukses në këtë drejtim.

MPJ mund të bëjë çfarëdo kontrate lobiste për të ndrequr imazhin e vet pak ndoshta, por assesi për t’i ndihmuar Kosovës realisht. Jemi në kohën kur edhe minutat e humbur do t’i kushtojnë gjeneratave të ardhëshme. Jemi në kohën e veprimit konkret, të përbashkët, për interesin kombëtar të shtetit tone, jo për rregullimin kozmetik diplomatik.

Kushdo që mendon se “kompromiset e dhimbëshme” që janë përmendur nga amerikanët janë hajgare, është vet veçse një hajgaregji në politikë. Nëse duam t’i sfidojmë suksesshëm këto “kompromise,” rrugën e dijmë (e kemi parë tash e mbi tri dekada), veç a e kemi vullnetin! E përveç vullnetit, na duhet edhe dija, përvoja, njohja e kuluareve të Capitol Hill-it. Përndryshe, kur të jemi para aktit të kryer me marrëveshjen finale mbi tavolinë, ikja nga përgjegjësia do të jetë e pamnudur.

Dr. Faton Bislimi është Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK.

Filed Under: Politike

SHQIPTARËT DHE SENATORI BOB DOLL

December 8, 2021 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Robert Joseph “Bob” Dole lindi më 22 korrik 1923 në Russell, Russell County, Kansas. Vdiq më 5 dhjetor 2021. Është politikan amerikan me ndikim. Plot 11 vjet i udhëhoqi republikanët në Senatin amerikan. Gjatë karrierës 36-vjeçare në Kapitol Hil (Kongresi i ShBA-së) u bë një prej ligjvënësve dhe liderëve partiakë më me ndikim në Senatin amerikan. Me  fjalë të tjera, 8 vjet ishte në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa 27 vjet ishte senator. Plot 79 vjet i shërbeu me besnikëri ShBA-së.

Bob Doll e mbrojti çështjen e Kosovës në nivelet më të larta të Amerikës. Kishte raporte miqësie me presidentin Ibrahim Rugova. Në vitin 1990 e vizitoi Kosovën. Gjatë kësaj vizite historike, ai u takua me liderët politikë si dhe me intelektualët shqiptarë.

Ishte ndër të parët dhe ndër zërat e rrallë që paralajmëroi se në Kosovë po afrohej lufta. Në vitin 1998, përsëri e vizitoi Kosovën. Me t’u kthyer në Uashington e alarmoi opinionin amerikan dhe nivelet politike më të larta të ShBA-së se Serbia është duke u përgatitur për të kryer masakra dhe gjenocid në Kosovë. I bëri thirrje administratës së Klintonit që kundër hienës Serbi të veprojë në mënyrë energjike.  

Senatori Doll mbështeti luftën e myslimanëve (boshnjakëve) në Bosnjë dhe Hercegovinë. Mbështeti edhe luftën e kroatëve kundër agresionit serb. Ia doli ta bindte Senatin amerikan që ta mbështeste presidentin Bill Klinton (William Jefferson Clinton) për të ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë, përkatësisht kundër Serbisë. Ushtroi ndikim mbi presidentin Xhorxh Bush (George Walker Bush) për ta shpallur pavarësinë e Kosovës. 

Në shenjë respekti të përjetshëm nga kombi shqiptar, në vitin 2020 iu ngrit në Prishtinë busti. Pas përmendoreve të presidentit Bill Klinton dhe të ish-sekretares së Shtetit Medlin Olbrajt (Madline Albright), kjo është përmendorja e tretë në Kosovë për miqtë e përjetshëm amerikanë. 

*   *   *

Bob Doll mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore në radhët e ushtrisë amerikane, në Divizionin e 10-të Malor. Më 14 prill 1945, në luftimet në Castel d’Aiano në malet e Apenineve në jugperëndim të Bolonjës (Itali) u plagos rëndë nga ushtria gjermane. Humbi njërën veshkë, ndërsa krahu i djathtë iu paralizua përgjithmonë. Qëndroi 39 muaj në mjekim spitalor. 

Pas kësaj ndoqi studimet e drejtësisë në Universitetin e Arizonës dhe në Universitetin e Kansasit. Në vitin 1948 u martua me Phyllis Holden. Nga kjo martesë lindi vajza Robin Dole. Më 1972 u ndanë. Në vitin 1975 u martua me senatoren amerikane Elizabeth Dole nga Karolina e Veriut. 

Në vitet 1961-1969 përfaqësoi Kansasin në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Në vitet 1985-1987 dhe 1995-1996 ishte udhëheqës i shumicës në Senat. 

Në vitin 1976,  ishte kandidat i republikanëve për nënpresident të ShBA-së, por humbi bashkë me kandidatin për president, republikanin Xherald Ford (Gerald Ford). Zgjedhjet i fitoi demokrati Xhimi Karter (Jimmy Carter) dhe nënpresidenti Uolltër Mondej (Walter Mondale). 

Në vitin 1996, Bob Doll ishte kandidat i republikanëve për president të ShBA-së. Nuk arriti të fitojë. Fitues doli demokrati Bill Klinton. 

*   *   *

Senatori Doll është një nga senatorët e parë amerikanë që i mori me seriozitet thirrjet e protestave të shqiptarëve në Kosovë të viteve 1980-1990 e më pas, të cilët sistematikisht  shtypeshin nga regjimi i Beogradit. Duke u njohur me situatën e rëndë në Kosovë, Doll u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim të Senatit për mbrojtjen e shqiptarëve. Me dhjetëra herë mori pjesë në demonstratat e shqiptarëve në Uashington dhe në Nju-Jork. Për luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, Dolli ka shkruar edhe në kujtimet e tij. 

Senatori Doll luajti rol të jashtëzakonshëm për ta mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës. Ishte një ndër figurat më të rëndësishme të politikës amerikane që u vu në përkrahjen të çështjes së Kosovës. Ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai i sensibilizoi ligjvënësit e tjerë që të kërkojnë nga Senati dhe nga Kongresi amerikan që kasapit të Ballkanit – Sllobodan Millosheviqit t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnjën e Hercegovinën.

I dërguari i presidentit Klinton, Doll si dhe presidenti Rugova luajtën rol të rëndësishëm lidhur me bisedimet për “Planin e paqes” për Kosovën. Plani ishte  propozuar në mars të vitit 1999 nga pesë Fuqitë e Mëdha perëndimore dhe Rusia.

Më 5 mars 1999, 19 ditë para fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë, i ngarkuar si ndërmjetësues nga presidenti Klinton, Bob Doll u takua në Shkup me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës për të nënshkruar një marrëveshje paqeje për Kosovën.

Për raportet ndërmjet Dollit dhe shqiptarëve ka shkruar edhe shtypi amerikan. Sipas disa mediumeve amerikane, Doll ka qenë ithtar i shqiptarëve, të cilët ndërkaq kanë kontribuar në fushatat e tij.

Senatorin Doll e kanë quajtur hero të shqiptarëve dhe mik të përjetshëm të shqiptarëve. I afërt me të ka qenë biznesmeni dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, me prejardhje nga Presheva, Xhim Xhema, i nderuar me medaljen “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. Xhema qysh para tridhjetë vjetëve ka qenë i lidhur ngushtë edhe me ish-kongresistin republikan të Nju-Jorkut, kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane – Xhozef Diogardin (Joe DioGuardi). Me Dollin ka bashkëpunuar edhe veprimtari shqiptaro-amerikan Elmi Berisha, si përfaqësues i posaçëm i presidentit Rugova në ShBA. 

*   *   *

Senatori Doll i shërbeu kombit amerikan si ushtar, si luftëtar, si ligjvënës dhe si burrë shteti. Për këtë arsye është nderuar me medalje dhe me dekorata të shumta. Është veteran i dekoruar i Luftës së Dytë Botërore.

Më 17 janar 1997, presidenti Klinton paraqiti “Medaljen e Lirisë Dole” (Medalja Presidenciale e Lirisë), nderi më i lartë civil në ShBA;

Nga presidentë të ShBA-së i janë dhënë medaljet ”Zemra Purple” dhe “Ylli i Bronzit”;

Kah fundi i vitit 2002 Rugova e emëroi senatorin Doll përfaqësues të lartë të Kosovës në ShBA, me titullin “Ambasador Nderi i Kosovës në Uashington”. (Takimi i fundit i Rugovës me Dollin ka ndodhur në Uashington më 4 shkurt 2003); 

Në shtator 2005, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e nderoi me çmimin “Duart e Shpresës”;

Në vitin 2008, senatori Doll mori një çmim prestigjioz bashku me senatorin demokrat, kundërkandidat i republikanit Riçard Nikson (Richard Nixon) në zgjedhjet presidenciale të vitit 1972, Xhorxh Mekgavern (George McGovern, 1922-2012);

  Në maj 2017 presidenti Bujar Nishani e dekoroi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “…ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri…”;

Në janar 2018 iu dha “Medalja e Artë e Kongresit” (Congressional Gold Medal), në Capitol Hill, Kongresi i ShBA-së;

Në mars 2019 – “Medalja e Artë e Kongresit – Kolonel Nderi i Ushtrisë Amerikane”. Në ceremoninë e ndarjes së medaljes kanë qenë të pranishëm gruaja e Dollit, Elizabet Doll (Elizabeth Doll), sekretari i Shtetit Majk Pompeo (Mike Pompeo ), përfaqësuesi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Joseph Dunford, kongresistja Debbie Dingell, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku etj.  

Është amerikani i tretë të cilit i ndahet kjo dekoratë nderi. Para tij, dekoratë nderi nga Ushtria Amerikane i ishte dhënë presidentit të parë të Amerikës Xhorxh Uashingtonit (George Washington) si dhe eksploruesit të famshëm amerikan Uilliam Klark (William Clark); 

Prof. Xhelal Zejneli   

Filed Under: Opinion

Kolë Idromeno, çami i Pargës që u bë artist i madh në Shkodër

December 7, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/


82 vjet me pare, me 12 dhjetor 1939 u shua ne Shkoder Kolë Idromeno, nje nga artistet me polivalente qe Shqiperia ka patur ndonjehere… piktor, arkitekt (projektoi dhe zbatoi mbi 60 ndertesa private dhe publike gjurmet e te cilave jane te dukshme e te vecanta edhe sot), urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, instrumentist, kompozitor këngësh shkodrane si dhe organizatori i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri ne vitin 1919.Por mbi te gjitha ai ishte nje perfaqesues i shquar i piktures moderne shqiptare.Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rrotën.Emri i Kolë Idromenos është bërë i njohur me pikturat e famshme “Motra Tone” dhe “Dasma Shkodrane” që e identifikojnë lehtë emrin e autorit, si “Mikelanxhelo” i Shqipërisë. Të gjitha pikturat e tjera të Idromenos kanë vlera, sepse secila ka veçantinë e vet artistike.Kol Idromeno pikturoi portretin e te motres Tone me 1883 ne moshen 23 vjeçare qe eshte vepra me perfaqesuese e tij ,me realiste por dhe me e mira ne artet pamore shqiptare .I lindur ne Shkoder me 15 gusht 1860, por me origjinë nga Çamëria.Familja e tij (nga babai) me origjinë nga Arvanitasit e ishullit Hidro të Greqisë, i përkiste besimit ortodoks. Ata erdhën në Shkodër nga Parga e Çamërisë.Lidhjen me paraardhësit, Kolë Idromeno e ka paraqitur në pikturën “12 luftëtarët e Pargës në Lundër” ku perjeteson ne art trimat luftëtarë të Pargës dhe të mbarë Çamërisë.Lundra në vetvete mbart një histori sa heroike, aq edhe të dhimshme. Ata që ishin në lundër mund të ishin ortodoks shqiptarë, që u detyruan të largoheshin, sepse nuk pranonin të quheshin grek për hir të religjionit. Ata mund të ishin myslimanë shqiptar që ua mohonin nacionalitetin, tokën pasurinë dhe trashëgiminë, për këte i zbonin me forcë nga vendlindja.

Filed Under: Kulture

ITALIA – FRANCA: SHTYSA E NEVOJSHME PËR BASHKIMIN EVROPIAN

December 7, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 29 Nëndor 2021.  E përktheu: Eugjen Merlika

Është shkruajtur se traktati italo-francez i sapofirmosur në Romë, përveç arkivimit të kundërshtive të fundit ndërmjet Italisë e Francës, mund t’i paraprijë një pakti ndërmjet Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Do të ishte hapi i parë drejt  atyre “bashkëpunimeve të përforcuara”,  për të cilët ka nevojë Evropa për t’arritur një integrim më të madh në fushën ekonomiko-financiare, të mbrojtjes evropiane, e të tjera. Shpresohet që hendeku (i pashmangëshëm) ndërmjet synimeve dhe së vërtetës mos të jetë shumë i gjërë. Veçanërisht sepse korniza brënda së cilës është zhvilluar integrimi evropian mbas luftës së Dytë botërore, apo sistemi i aleancave perëndimore, gjithënjë e më shumë është në vështirësi.  

Të vërehet se çfarë po ndodh në qëndrën e atij sistemi të aleancave: Shtetet e Bashkuara. Pak muaj mbas hipjes në pushtet, Administrata Biden është dobësuar fuqimisht. Gjëndet në rënie vertikale besueshmërie sa në rrafshin e brëndshëm po aq në atë ndërkombëtar. Në rrafshin e brëndshëm dasitë ndërmjet radikalëve dhe të moderuarve në Partinë demokratike, që Joe Biden nuk arrin t’i kontrollojë dhe shumica e ngushtë që demokratët kanë kundrejt republikanëve në Senat rrezikojnë aftësinë e veprimit. Parashikohet që votimet e midterm-it, që zhvillohen në nëntorin e vitit t’ardhshëm do të shënojnë një thyerje të partisë së presidentit në fuqi. Por tani treguesi i polarizimit politik-ideologjik është aq i lartë sa që mund të sjellë me gjasë paralizën e Administratës.

Në rrafshin ndërkombëtar, tërheqja prej Kabuli e kësaj vere ka goditur prestigjin e Shteteve të Bashkuara dhe i ka minuar besueshmërinë. Kur të mësyejmë ishullin – pyesin vehten kinezët – a do të jenë të gatshëm amerikanët të vdesin për Taivanin?

Mendohet për atë që do të duhej t’ishte, simbas deklaratave të Biden-it e mbrapa, sipërmarrja më cilësore e Shteteve të Bashkuara në rrafshin ndërkombëtar: krijimi në stil wilsonian (ndërhyrshmëria demokrate në traditën amerikane) i një “aleance të demokracive” për të kundërshtuar regjimet autoritare. Takimi i 9 e 10 dhjetorit, i thirrur nga Biden-i për të trupëzuar atë ide është në rrezik dështimi. Jo vetëm pse kriteret me të cilët janë zgjedhur Vëndet për t’u përfshirë kanë ushqyer shpejt qortime (nga të përjashtuarit) dhe mëdyshje tek vëzhguesit (përse Hungaria jo e Polonia po?). Mbi të gjitha sepse projekti nis keq: mbasi është lënë Afganistani dë dorë të talebanëve, duke deklaruar se nuk është më çështje e Amerikës të shqetësohet për çfarë ndodh n’atë Vënd, “lufta kundër autoritarizmave” ka humbur besueshmëri. E vetmja gjë që mbetet është se Shtetet e Bashkuara kërkojnë mbështetje në shemërinë e fuqisë me Rusinë e veçanërisht me Kinën. Por kjo është vetëm realpolitikë. Nuk ka nevojë të bezdiset retorika wilsoniane.

Dobësimi i Amerikës krekos të gjithë ata që janë t’interesuar të mbushin zbrazësirën e pushtetit që ai dobësim lind. Në Perëndim regjistrojmë vështirësitë e rënda ekonomike, dhe rënien e miratimit të brëndshëm, që po përjetojnë Rusia e Putinit dhe Turqia e Erdoganit. Arrijmë në përfundimin se këto i bëjnë autokratët më pak të frikshëm për ne. Nuk ka asgjë më të gabuar. Autokracitë janë më të rrezkëshme nëse rriten vështirësitë e tyre të brëndëshme. Bëhen më aventuriste, kompensojnë problemet e brëndëshme me një shtim të sulmshmërisë së jashtëme. Bëhet fjalë, në rastin e Putinit, për Afrikën apo Lindjen e Afërme, për trojet rusofone të Ukrainës (Donbas), për mbështetjen e përdorimit të të mërguarve në funksion  kundërevropian nga ana e diktatorit Aleksander Lukashenko, për mbështetjen sërbo boshnjakëve dhe qëllimeve të tyre agresive, apo sulmeve kibernetike demokracive evropiane. E njëjta gjë vlen edhe për presidentin turk Erdogan, mungesa e dëshirës së të cilit për të qetësuar shpirtërat përvëluese të tij, ka rrezik të shfaqet shpejt në Libi, për inat të ne italianëve e të francezëve. Ndërmjet kërcënimeve sigurisë evropiane është edhe rifillimi në veprim i skajshmërisë islamike, të elektrizuar nga “fitorja” e Kabulit.

Sa më shumë të dobësohet aleanca perëndimore për shkak të humbjes (relative) të fuqisë së Shteteve të Bashkuara, aq më shumë Evropa është në vështirësi. Le t’a rishohim në këtë prizëm traktatin italo-francez nga i cili jemi nisur. Mbasi edhe traktatet ndërkombëtare nuk i shpëtojnë rregullit të hekurtë të politikës, simbas së cilës çdo veprim politik, cilëtdo qofshin synimet e tjera, është gjithmonë kundër dikujt, nuk duhet të na rrëshqasë se në shënjestrat është edhe “sovranizmi evropian”, me dëshirën të dobësojë Bashkimin evropian ashtu siç është sendërtuar, e që është shumë i fuqishëm në Itali e në Francë. Sovranistët, sidomos italianët e francezët, duken të ndarë në dy grupime: janë të gënjyerit, të cilët besojnë se mjafton pak retorikë atdhetare për të ringjallur Shtetet kombëtare pak a shumë sovranë të shekullit XIX. E janë edhe realistët, të cilët mendojnë se dobësimi i Amerikës krijon rastin për të zëvendësuar një Lord mbrojtës t’Evropës (Shtetet e Bashkuara) me një tjetër (Rusia), në një pritmëri, në rrafshin e vlerave shqeto kundër-perëndimore.

Sa i takon Italisë, janë dy arsye shumë të mira në mbështetje të traktatit me Francën. E para është se, me daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi, kemi humbur një Vënd me të cilin mund të bënim lojë bregu në rastin e marrëveshjeve (që tërheqin mbrapa Vënde të tjera) ndërmjet Gjermanisë e Francës, në rastin kur ato marrëveshje të jenë të dëmshme për interesat tona. Arsyeja e dytë është se asnjë proçes integrimi mbikombëtar nuk mund të përparojë nëse nuk është i drejtuar nga një Vënd zotërues  ose nga një grup Vëndesh zotëruese. Me traktatin italo-francez vihemi në një pozitë të drejtë për të mundur të bëhemi pjesë e atij grupi.

Gjithshka është e varur në një fill. Duke lënë mënjanë të panjohurën e përfaqësuar nga politika që do të zgjedhë të bëjë koalicioni heterogjen i qeverisë gjermane, ashtu si dhe përfundimi i zgjedhjeve franceze, mbeten dobësitë e Italisë. Sot është Dragi me prestigjin e tij ndërkombëtar.  A do të kemi në t’ardhmen e afërt një qeveri po aq evropeiste (dhe atllantiste) e me po aq prestigj? E madje edhe të qëndrueshme? Do të varet edhe nga kjo nëse fjalët e shumta të thëna për traktatin italo-francez nuk do të zbulohen të kota.

“Corriere della Sera”, 29 Nëndor 2021  E përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Uncategorized

Pasojat e humbjes së qëllimeve të mira

December 7, 2021 by s p

Agim Baçi/

“Aty ku mungon qëllimi, mungon edhe vetë njerëzimi”, shkruante Niçe, duke paralajmëruar pasojat e një shoqërie pa ideale. Por çfarë mund ta shkaktojë humbjen e qëllimit te një njeri? Padyshim, një nga treguesit më të prekshëm të humbjes së qëllimeve është marrëdhënia jonë e krisur me të djeshmen dhe të nesërmen, e cila zhduk perspektivën morale të veprimeve tona. Kjo krisje me të djeshmen dhe të nesërmen tonë ka sjellë sot një realitet ku kemi gjithnjë e më pak falënderues ndaj përvojës dhe urtësisë që na vijnë nga kohërat, e njëkohësisht kemi edhe më pak që besojnë se kanë detyrime për të nesërmen. Por, çfarë ndodh sot realisht në shoqëri kur humb kjo urë mes të djeshmes dhe të nesërmes? Në një anë, janë me mijëra raste ku gra e burra, anekënd botës, por edhe në Shqipëri, refuzojnë të martohen e të bëhen prindër, duke pranuar gati hapur se e bëjnë këtë zgjedhje për të ruajtur profesionin apo linjat e trupit, duke hequr dorë kështu nga përgjegjësia për vijimin e jetës, për të nesërmen. Ndërkohë që, në anën tjetër, marrëdhënia me të moshuarit, pra me të djeshmen, është gjithnjë e më pak humane, gjithnjë e më pak mirënjohëse për atë që na kanë përçuar përmes jetës dhe përpjekjeve të tyre për të na ushqyer dhe edukurar neve. Kështu, njeriu i sotëm, i gjendur me duar të shkëputura nga e djeshmja dhe e nesërmja, rrezikon t’i kthehet vetëm rëndësisë së trupit, pra ta kthejë trupin në epiqendrën e vetme me rëndësi dhe kuptim për jetën e tij. Për pasojë ai rrezikon të kthehet në produkt të dëshirave dhe instinkteve, e si i tillë edhe një njeri që mund të marrë çdo lloj rrjedhe që i jepet nga rrethanat. Një qenie e tillë e konsideron detyrë që të shkallmojë rregullat, të mos ngushtohet me arsyetime e qëndrimeve morale, por të ndjekë dëshirat e tij, të kujdeset për trupin e tij dhe, mbi të gjitha, të mos ketë turp për asgjë që bën dhe kërkon.Nga ana tjetër, njeriu që ka kujdes veç për trupin, pra që beson se instinkti është vlera më e madhe njerëzore, është gati të notojë qetësisht në detin e manipulimit, duke iu dhënë asaj që i kërkohet të jetë, e jo asaj që mund të jetë realisht. Qëllimi në këtë rast e humb kuptimin, e për pasojë, njerëzimi ka gjithnjë e më pak ura ku mund të kalojë për tek ëndrrat e tij apo tek besimi për tjetrin.Këtë njeri të dashuruar pas së menjëhershmes dhe paraqitjes së tij fizike e përdor në mënyrë të vazhdueshme propaganda, e cila përmes një njeriu të tillë ka ndryshuar semantikën e autoritetit dhe autoritares në shoqëri. Kështu, propaganda shfrytëzon përgjithësisht autoritetet që i sjell në jetë shoqëria e spektaklit dhe “të fortët”, pra ata që mbështeten te fuqia, te paraja dhe paraqitja fizike e jo te dija e urtësia. Mjafton të shohësh në Shqipëri se sa peshë kanë fjalët e akademikëve, pedagogëve dhe shkrimtarëve, dhe sa kanë peshë ata të botës së spektaklit. Për të provuar humbjen e autoritetit racional, do të ishin të mjaftueshme vetëm disa kërkime në internet, për të parë klikimet, ku “njeriu i dijes” është krejt i pafuqishëm përballë “divave të ekranit” që broçkullisin gjëra të cilat rinia dhe një pjesë e madhe e shoqërisë i përsërit papushim në komunikimin e tyre. Edhe po t’i hedhësh një sy fushatave elektorale në Shqipëri, mund të verifikosh lehtësisht se kandidatët kanë me vete në fushatë, në komunikimin me publikun, vetëm artistë të spektakleve e jo profesorë apo profesionistë të fushave që njohin qytetin, siç do të ishin urbanistët apo inxhinierët. Këta aktorë të spektaklit e shokojnë njeriun e zakonshëm i cili nuk ka ndonjë fuqi të kundërshtojë këtë “autoritet”, apo të bëjë dallimin se çfarë do të ishte më mirë të dëgjonte. Sepse spektakli zvogëlon fuqinë shpirtërore dhe shmang komunikimin sy më sy të njerëzve, duke e kthyer audiencën vetëm në një masë që mendon me pikturën që i paraqitet dhe jo atë që është apo atë që dëshiron të shohë. Te një njeri i tillë e vërteta hyjnore dhe vlerat tradicionale janë zëvendësuar me të vërtetën individuale, ndaj dhe një njeri i i tillë mjaftohet me atë që i sugjerohet, pa kërkuar asnjë ndryshim, pa medituar rreth asaj që i sugjerohet.Shumica e studiuesve dhe filozofëve që janë marrë me komunikimin dhe pasojat e propagandës në shoqëritë e sotme, qofshin fetarë apo jo, qofshin mbështetës apo kundërshtues të saj, bien dakord se përkeqësimi apo përmirësimi i shoqërisë gjendet i pasqyruar në gjuhën me të cilën komunikohet. Pra, nëse një gjuhë shfaqet “e sëmurë”, atëherë edhe shoqëria do ta pasqyrojë këtë lëngim, pasi është pikërisht gjuha që mbart më shumë se gjithçka tjetër frikërat, ngërçet, dëshpërimin apo edhe urrejtjen. Propaganda, fakeqësisht, e fokusuar te reagimet instiktive, nuk mund t’i frenojë këto lëngime që i vijnë shoqërisë, pasi për propagandën nuk vlen as e djeshmja e aq më pak që të dimë të ëndërrojmë për të nesërmen. Përballë mungesës së leximit të së djeshmes dhe paaftësisë për të projektuar të nesërmen, ne kemi nevojë që të gjejmë rrugën se si të ndërtojmë një urë mes fjalës dhe qëllimeve. Kjo nuk është aspak e lehtë në një shoqëri ku e vërteta lidhet vetëm me atë që funksionon para syve, me atë që na gëzon apo hidhëron sot, nën pushtetin e frikës se mund të humbim atë që kemi. Ndaj, ringritja nuk mund të nisë nëse nuk fillojmë të besojmë se frika nuk duhet të na udhëheqë në jetët tona, pasi frika ushqen vetëm emocionet tona duke u kthyer në parathënien e humbjes sonë, të paktën shpirtërisht.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2696
  • 2697
  • 2698
  • 2699
  • 2700
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT