Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 29 Nëndor 2021. E përktheu: Eugjen Merlika
Është shkruajtur se traktati italo-francez i sapofirmosur në Romë, përveç arkivimit të kundërshtive të fundit ndërmjet Italisë e Francës, mund t’i paraprijë një pakti ndërmjet Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Do të ishte hapi i parë drejt atyre “bashkëpunimeve të përforcuara”, për të cilët ka nevojë Evropa për t’arritur një integrim më të madh në fushën ekonomiko-financiare, të mbrojtjes evropiane, e të tjera. Shpresohet që hendeku (i pashmangëshëm) ndërmjet synimeve dhe së vërtetës mos të jetë shumë i gjërë. Veçanërisht sepse korniza brënda së cilës është zhvilluar integrimi evropian mbas luftës së Dytë botërore, apo sistemi i aleancave perëndimore, gjithënjë e më shumë është në vështirësi.
Të vërehet se çfarë po ndodh në qëndrën e atij sistemi të aleancave: Shtetet e Bashkuara. Pak muaj mbas hipjes në pushtet, Administrata Biden është dobësuar fuqimisht. Gjëndet në rënie vertikale besueshmërie sa në rrafshin e brëndshëm po aq në atë ndërkombëtar. Në rrafshin e brëndshëm dasitë ndërmjet radikalëve dhe të moderuarve në Partinë demokratike, që Joe Biden nuk arrin t’i kontrollojë dhe shumica e ngushtë që demokratët kanë kundrejt republikanëve në Senat rrezikojnë aftësinë e veprimit. Parashikohet që votimet e midterm-it, që zhvillohen në nëntorin e vitit t’ardhshëm do të shënojnë një thyerje të partisë së presidentit në fuqi. Por tani treguesi i polarizimit politik-ideologjik është aq i lartë sa që mund të sjellë me gjasë paralizën e Administratës.
Në rrafshin ndërkombëtar, tërheqja prej Kabuli e kësaj vere ka goditur prestigjin e Shteteve të Bashkuara dhe i ka minuar besueshmërinë. Kur të mësyejmë ishullin – pyesin vehten kinezët – a do të jenë të gatshëm amerikanët të vdesin për Taivanin?
Mendohet për atë që do të duhej t’ishte, simbas deklaratave të Biden-it e mbrapa, sipërmarrja më cilësore e Shteteve të Bashkuara në rrafshin ndërkombëtar: krijimi në stil wilsonian (ndërhyrshmëria demokrate në traditën amerikane) i një “aleance të demokracive” për të kundërshtuar regjimet autoritare. Takimi i 9 e 10 dhjetorit, i thirrur nga Biden-i për të trupëzuar atë ide është në rrezik dështimi. Jo vetëm pse kriteret me të cilët janë zgjedhur Vëndet për t’u përfshirë kanë ushqyer shpejt qortime (nga të përjashtuarit) dhe mëdyshje tek vëzhguesit (përse Hungaria jo e Polonia po?). Mbi të gjitha sepse projekti nis keq: mbasi është lënë Afganistani dë dorë të talebanëve, duke deklaruar se nuk është më çështje e Amerikës të shqetësohet për çfarë ndodh n’atë Vënd, “lufta kundër autoritarizmave” ka humbur besueshmëri. E vetmja gjë që mbetet është se Shtetet e Bashkuara kërkojnë mbështetje në shemërinë e fuqisë me Rusinë e veçanërisht me Kinën. Por kjo është vetëm realpolitikë. Nuk ka nevojë të bezdiset retorika wilsoniane.
Dobësimi i Amerikës krekos të gjithë ata që janë t’interesuar të mbushin zbrazësirën e pushtetit që ai dobësim lind. Në Perëndim regjistrojmë vështirësitë e rënda ekonomike, dhe rënien e miratimit të brëndshëm, që po përjetojnë Rusia e Putinit dhe Turqia e Erdoganit. Arrijmë në përfundimin se këto i bëjnë autokratët më pak të frikshëm për ne. Nuk ka asgjë më të gabuar. Autokracitë janë më të rrezkëshme nëse rriten vështirësitë e tyre të brëndëshme. Bëhen më aventuriste, kompensojnë problemet e brëndëshme me një shtim të sulmshmërisë së jashtëme. Bëhet fjalë, në rastin e Putinit, për Afrikën apo Lindjen e Afërme, për trojet rusofone të Ukrainës (Donbas), për mbështetjen e përdorimit të të mërguarve në funksion kundërevropian nga ana e diktatorit Aleksander Lukashenko, për mbështetjen sërbo boshnjakëve dhe qëllimeve të tyre agresive, apo sulmeve kibernetike demokracive evropiane. E njëjta gjë vlen edhe për presidentin turk Erdogan, mungesa e dëshirës së të cilit për të qetësuar shpirtërat përvëluese të tij, ka rrezik të shfaqet shpejt në Libi, për inat të ne italianëve e të francezëve. Ndërmjet kërcënimeve sigurisë evropiane është edhe rifillimi në veprim i skajshmërisë islamike, të elektrizuar nga “fitorja” e Kabulit.
Sa më shumë të dobësohet aleanca perëndimore për shkak të humbjes (relative) të fuqisë së Shteteve të Bashkuara, aq më shumë Evropa është në vështirësi. Le t’a rishohim në këtë prizëm traktatin italo-francez nga i cili jemi nisur. Mbasi edhe traktatet ndërkombëtare nuk i shpëtojnë rregullit të hekurtë të politikës, simbas së cilës çdo veprim politik, cilëtdo qofshin synimet e tjera, është gjithmonë kundër dikujt, nuk duhet të na rrëshqasë se në shënjestrat është edhe “sovranizmi evropian”, me dëshirën të dobësojë Bashkimin evropian ashtu siç është sendërtuar, e që është shumë i fuqishëm në Itali e në Francë. Sovranistët, sidomos italianët e francezët, duken të ndarë në dy grupime: janë të gënjyerit, të cilët besojnë se mjafton pak retorikë atdhetare për të ringjallur Shtetet kombëtare pak a shumë sovranë të shekullit XIX. E janë edhe realistët, të cilët mendojnë se dobësimi i Amerikës krijon rastin për të zëvendësuar një Lord mbrojtës t’Evropës (Shtetet e Bashkuara) me një tjetër (Rusia), në një pritmëri, në rrafshin e vlerave shqeto kundër-perëndimore.
Sa i takon Italisë, janë dy arsye shumë të mira në mbështetje të traktatit me Francën. E para është se, me daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi, kemi humbur një Vënd me të cilin mund të bënim lojë bregu në rastin e marrëveshjeve (që tërheqin mbrapa Vënde të tjera) ndërmjet Gjermanisë e Francës, në rastin kur ato marrëveshje të jenë të dëmshme për interesat tona. Arsyeja e dytë është se asnjë proçes integrimi mbikombëtar nuk mund të përparojë nëse nuk është i drejtuar nga një Vënd zotërues ose nga një grup Vëndesh zotëruese. Me traktatin italo-francez vihemi në një pozitë të drejtë për të mundur të bëhemi pjesë e atij grupi.
Gjithshka është e varur në një fill. Duke lënë mënjanë të panjohurën e përfaqësuar nga politika që do të zgjedhë të bëjë koalicioni heterogjen i qeverisë gjermane, ashtu si dhe përfundimi i zgjedhjeve franceze, mbeten dobësitë e Italisë. Sot është Dragi me prestigjin e tij ndërkombëtar. A do të kemi në t’ardhmen e afërt një qeveri po aq evropeiste (dhe atllantiste) e me po aq prestigj? E madje edhe të qëndrueshme? Do të varet edhe nga kjo nëse fjalët e shumta të thëna për traktatin italo-francez nuk do të zbulohen të kota.
“Corriere della Sera”, 29 Nëndor 2021 E përktheu: Eugjen Merlika