• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të vdesësh nga vetmia, kjo vuajtje johumane

August 27, 2021 by s p

Nga Majlinda Bregasi

Don Lush GJERGJI, Conversazioni con Madre Teresa, VELAR – Dottrinari, 2021, f. 95. Kur të pish një pikë ujë kujtohu për mua, lutu për mua dhe unë gjithmonë do të të kujtoj në lutjet e mia përpara Zotit tonë, sepse ti je prifti im.

Janë këto fjalët e fundit që Shën Nëna Terezë i thotë autorit të këtij libri, Dom Lush Gjergjit, që për mua janë shumë domethënëse nga shumë pikëpamje. Dhe si gjithmonë fjalët e fundit janë ato të pashlyeshmet, testamenti që u duhet transmetuar të tjerëve, është besa për ne shqiptarët. Kush e njeh Dom Lushin, veprimatarinë e tij të pashterrshme, librat e tij dhe atë si person, gjithmonë i gatshëm për të të dëgjuar e për të të kuptuar, pa të gjykuar kurrë, nuk e ka të vështirë ta kuptojë përkushtimin dhe adminirimin e tij për Nënë Terezën e Kalkutës. Nuk e di nëse kjo rrjedh nga lidhja e gjakut, ajo etnike, apo nga lidhja shpirtërore, ajo që i lidh njerëzit në botë nga të njëjtat ndjenja humane, por është e qartë që Shën Nënë Tereza është muza e tij. Analiza e bisedës është fusha ime e ngushtë e studimeve, ajo që më frymëzon për të kuptuar natyrën humane nëpërmjet akteve spontane të komunikimit, natyrale, të papritshme, të paprojektuara, por gjithmonë të qëllimshme. Ne e organizojmë jetën, ndërtojmë marëdhëniet tona me të tjerët nëpërmjet bisedave të përditshme, ku gjuha njerëzore shfaqet në natyrshmërinë e saj të plotë, pa përpunime stilistike e semantike mbi letër. Janë gjithë ato fjalët që me të dalë nga goja hyjnë direkt në mendjen e të tjerëve, duke prekur edhe ndjenjat më të fshehta. Forca e fjalës, mbi të cilën janë ngritur monumente mendimesh duke u nisur pikerisht nga Bibla, ‘E para ishte fjala’, që në bisedat e përditshme merr krahë. Dhe ja ku qendron bukuria e këtij libri dhe mençuria e autorit që na sjellë pjesë të bisedave të tyre për të na hapur me natyrshmëri dyert e një bote që na përket më shumë sesa e mendojmë.

Fluturojmë tash drejt botës së pafundme së një gruaje të vogël, nga një vend i vogël, i parëndësishëm për botën, që mrekulloi njerëzimin me forcën e saj shpirtërore, me përkushtimin e saj ndaj të tjerëve dhe me dashurinë e saj për jetën. 

Jeta, jeta njerëzore. Ajo që nuk mund të hiqet mënjanë, të zvetënohet, të hidhet poshtë, të harrohet. Sepse Zoti tha që vlejmë më shumë se lulet, thotë Nënë Tereza që këtë vlerë diti ta ridimensionojë, jo përpara Zotit, sepse dashuria e tij është e pafundme, por përpara nesh, pasi shpesh na qëllon të humbasim në përditshmërinë tonë.

‘E dimë se ka sëmundje të rënda në botë, por gjithmonë e më shumë po e shohim se sëmundja më e madhe në botë është që njerëzit nuk kanë dashuri njëri për tjetrin, nuk ka dashuri mes tyre’, ankohet shenjtja jonë. Mungesa e dashurisë, mbyllja në vetvete, përqendrimi në universin tonë të vogël duke injoruar gjithë atë që është përreth nuk bën gjë tjetër, përveçse të rrisë distancën me të tjerët, duke na bërë gjithmonë e më të huaj me botën, gjithmonë e më të varfer në ndjenja. Sepse nuk mjafton pasuria për të qenë të pasur.

Pse dhurojmë? Shpesh ia kam bërë vetes këtë pyetje duke menduar për atë ndjesi që prodhohet pasi kemi bërë një veprim që e dimë mirë që për dikë do të thotë shumë. Sepse i duam të tjerët? Sepse kemi mësuar që nuk mund të jemi të lumtur kur të afërmit tanë vuajnë? Sepse kjo pandemi globale, si asnjëherë më parë, na mësoi se fqinjët tanë janë edhe ata që jetojnë në kontinente të tjera? Se kjo botë, konfuze dhe indiferente në pamje të parë, në realitet është shumë më e lidhur? Se pasuria e të pasurve varet direkt nga forza e të varfërve? Apo sepse të dhurosh të bën thjesht të lumtur? Dhe ne dhurojmë për këtë motiv, sepse duam të jemi të lumtur. Dhe nuk ka rëndësi ku shkojnë dhuratat tona, ne buzëqeshim çdo herë që e bëjmë, ndihemi të dobishëm. Është pikërisht të ndjerit i padobishëm që krijon një vuajtje të madhe dhe na shpie në dëshpërim të thellë e depresion.  

Na kanë mësuar se qenia njerëzore është një makinë shumë e komplikuar dhe si e tillë është perfekte. Por praktikisht ne kuptohemi pa sforcime edhe me njerëzit që u përkasin kulturave dhe gjuhëve të largëta. Të gjithë kemi të njëjtën buzëqeshje. Të njëjtat lot. Të gjithë kemi uri, etje dhe mbi të gjitha kemi një nevojë të madhe për të ndier dashurinë e të tjerëve.

‘Njerëzit në gjithë botën vuajnë kryesisht nga vetmia, nga braktisja… Nuk vdesin vetëm nga uria, mund të vdesin nga vetmia, nga të mos pasurit asnjë njeri me të cilin të flasin. Kanë nevojë për të pasur afër dikë që i do.’ Të vdesësh nga vetmia, çfarë vuajtje jonjerëzore!

Gjatë gjithë jetës kam jetuar si kafshë, por po vdes si engjëll, i tha një njeri i varfër, i braktisur nga familja, nënë Terezës ndërsa ajo e mbante në krahët e saj. Faleminderit! Ishin fjalët e tij të fundit ndërsa jepte shpirt. Një Faleminderit që flet shumë, një Faleminderit që Nënë Tereza nuk do ta harronte kurrë.

Shenjtja jonë ka takuar miliona njerëz në botë dhe ka ditur të shprehë me fjalë kaq të thjeshta shqetësime kaq të mëdha të njerëzimit. Vetmia. Ky burim i pashterrshëm për frymëzimin artistik që i ka shtyrë njerëzit të krijojnë kryevepra arti, ky burim vuajtjesh është po kaq i domosdoshmëm edhe për të ndier praninë e Atit.

‘Vuajtja është shenja që Zoti na do sepse na afron me të, na bashkon me kryqin e tij. Kur shoh njerëzit që vuajnë kaq shumë mendoj që kalvari është gjithkund, që vuajtja e Krishtit jeton te njerëzit tanë. Duke parë Krishtin e kryqëzuar, shohim kokën e tij të përkulur për të na puthur, krahët e hapura për të na përqafuar, zemrën e hapur që të mund të gjejmë një strehim te ai.’ Ja pse shërben vuajtja për Nënë Terezën: të mos harrojmë Atin, sakrificën e tij për ne, dashurinë e tij, praninë e tij.

Por a arrihet që me dashuri të tejkalohet çdo gjë?

Deri tani kam arritur të arrij çdo gjë me dashuri dhe me lutje, i thotë shenjtja Dom Lushit, ‘por këtë jo’ duke iu referuar kërkesave të pandërprera ndaj shtetit shqiptar për t’i dhënë leje të vizitonte nënën dhe motrën që jetonin në Tiranë gjatë diktaturës së Enver Hoxhës. Nuk i kishte parë që në vitin 1928, por më kot. Autoritetet shqiptare nuk ia dhanë kurrë atë leje. Nënë Tereza mundi vetëm të vizitonte varret e tyre pas rënies së regjimit.

‘Ende ekzistojnë kufij dhe pengesa që as dashuria nuk arrin t’i tejkalojë. Vetëm Zoti e di motivin pse nëna dhe motra ime duhet të vuajnë kaq shumë në këtë botë. Pa dyshim, lutjet dhe sakrifica e tyre më ndihmojnë shumë në misionin tim. Çdo gjë për lavdinë e Zotit’ thotë shenjtja me fytyrën e trishtuar. Ajo grua trupvogël që dukej si e bërë prej hekuri e nuk mposhtej përpara asgjëje, ajo që kishte i dhuruar botës mijëra buzëqeshje, ajo që ua kishte zbutur dhimbjen njerëzve të braktisur nëpër rrugë, të cilët kishin dhënë frymën e fundit në prehërin e saj, për herë ta parë i rrëfen priftit të saj dhimbjen personale.

‘Ndonjëherë marr ndonjë letër nga nëna dhe motra nga Tirana. Shkruajnë pak dhe kanë dëshirë të më takojnë mua dhe vëllain Lazrin… ajo që mund të them është që lutem shumë për Shqipërinë, lutem që Zoti ta ndriçojë kët popull dhe që t’i bëjnë të kuptojnë se nëse duan të jetojnë në paqe duhet të duan njëri-tjetrin… Mendoj se për Kishën tonë katolike shqiptare ende nuk ka kaluar e Premtja e Madhe, por besimi ynë na mëson se jeta e Krishtit nuk përfundon këtu, por vazhdon mbi kryq dhe plotësohet me Ringjallje. Njerëzit tanë nuk duhet e nuk munden ta harrojnë kurrë këtë.  

‘Duajeni tjetrin ashtu si ju do Zoti ju! Kumbojnë fjalët e saj, fjalët e shenjtes sonë që ia kushtoi gjithë jetën vetëm një qëllimi, përhapjes së dashurisë universale, mbi të gjitha për ata që vuajnë.

Prishtinë, 26 gusht 2021                                                         Majlinda Bregasi

(Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze)

Filed Under: Opinion Tagged With: don Lush Gjergji, Majlinda Bregasi, Nene Tereza

Libër për krimet e Serbisë në Kosovë

August 27, 2021 by s p

Nga Nail  Draga 

Çdo botim për krimet e serbëve në Kosovë është në favor të demaskimit të politikës gjenocidale të tyre ndaj shqiptarëve, që duhet të jetë angazhim i studiuesëve të profileve të ndryshme, ku edhe botimi i Jusuf Osmanit “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”, është në favor të trajtimit shkencor të kësaj teme duke ia  prezantuar  opinionit të gjerë.

Në këtë libër në pika të shkurtëra është paraqitur pjesa hyrëse , krimet e Serbisë në Kosovë më 1988-1999, krimet ndaj fëmijëve, regjistri i fëmijëve që pësuan në luftë, të vrarë e të zhdukur dhe të dhëna të tjera.Me një fjalë kemi të bëjmë me të gjitha llojet e krimeve ndaj shqiptarëve  të paraqitur në mënyrë tabelare për të gjitha komunat në Kosovë.

Gjenocidi serb dhe dhuna e ushtruar nga formacionet ushtarako-policore  dhe paramilitare  mbi popullin e Kosovës ka përmasa shumë më të mëdha se sa e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme. Sepse ata vranë, masakruan, zhdukën, dhunuan, dëbuan dhe deportuan popullsinë civile shqiptare, i plaçikten, i dogjën dhe rrënuan shtëpitë, objketët fetare, shkollore, kulturore, ekonomike, si dhe vendbanime të tëra shqiptare, me mision spastrimin etnik. 

Veprime gjenocidale të serbëve 

Duke lexuar këtë libër nuk se si të mos tronditësh, kur para vetës ke shumë fakte autentike  të cilët dëshmitarët i kanë përjetuar, nga veprimet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Është meritë  e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij të cilët kanë kanë ofruar të dhëna për të gjithë territorin e Kosovës, duke dëshmuar me emër e mbiemër, për aq sa kanë pasur mundësi të informohen për krimet serbe ushtarake, policore e paramilitare.

Dhe nga të dhënat e tilla del se janë vrarë 11.840 shqiptarë, që përfshin periudhën mars 1998 dhe qershor 1999,(pa u përfshirë në këtë numër të pagjeturit apo të zhdukurit) ku në mesin e tyre llogaritën të vrarë 1,392 fëmijë apo 11% nga viktimat totale ishin fëmijë. Duhet cekur edhe faktin se nga 1.392 fëmijë të vrarë 296 prej tyre kanë qenë nën moshën 5 vjeçare. Nga numri i përgjithshëm i viktimave prej tyre ishin 1.741 femra, ndërsa dëshmorë kanë rënë 2.261, e në mesin e tyre edhe 68 dëshmorë nga Shqipëria. Po ashtu duhet cekur se janë dhunuar 20.400  femra shqiptare.

Shkatërrimi i objektëve 

Shtëpi të shkatërruara-dëmtuara të popullatës shqiptare janë 100.589, shkolla të shkatërruara-të dëmtuara me dokumentacion 358, Zyra të vendit 71, shtëpi kulture 30, Biblioteka publike e shkollore 93, objekte shëndetësore 123, objekte fetare(xhami, teqe, tyrbe)215, kisha katolike 5, objkete ndihmëse-përcjellëse 88.101.

Dëbimi biblik i shqiptarëve 

Përveç kësaj në Kosovë kanë rezultuar të dëbuar nga shtëpitë e tyre rreth 1.5 milion shqiptarë, e nga to mbi 1 milion jashtë Kosovës. Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët prej Kosove ishin dëbuar: 443.000 ishin vendosur në Shqipëri, 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi, 21.700 në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet tjera  të botës u vendosën gjithsej 76.475 e nga to  13.639  në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj edhe në vende të tjera si në Itali, Norvegji, Francë, Suedi, Zvicër, Izrael  etj. 

Ishte ky një dëbim biblik i shqiptarëve, realizuar në kohën moderne, që përmes mediave i është prezantuar opinionit botëror, që ishte dëshmi e politikës serbomadhe  për realizimin e projektit të tyre ekspansionist kundër shqiptarëve. Por, ndaj një dëbimi të tillë reagoi faktori ndërkombëtar të prirë nga NATO-ja që e detyroi të kapitulloi agresionin serb duke çliruar Kosovën(12 qershor 1999) dhe vendosur në protektoiratin ndërkombëtar, deri me shpalljen e pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008.

Muzeu i gjenocidit  obligim historik

Ngjarjët e ndodhura dhe të përjetuara  janë obligim për studiuesit dhe të gjithë indvidët e ndryshëm qe e kanë pasion për të shkruar historinë tonë, duke u bazuar në fakte për të dëshmuar të vërtetën. Sepse ka ndodhur ajo çka është shkruar si kudo në botën e qytetëruar e jo të merremi me improvizime të rastit.

Në libër ofrohen të dhëna për krimet serbe ndaj fëmijëve që pësuan në luftën e fundit nga agresioni serb, si një nder krimet me të rënda kundër njërëzimit, ku ndonëse  ata janë të mbrojtur nga dhuna me  të gjitha normat ndërkombëtare, e posaçërisht në luftë, por, për  kriminelet serb dhe urdhërdhënësit e tyre çdo gjë ishte e kotë, sepse ata si mision kishin spastrimin etnik të Kosovës.

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me masakra me përmasat e gjenocidit nga ana e serbëve kundër shqiptarëve  për një periudhë të gjatë kohore(nga viti 1877/78  e më pas 1912/13, 1918/1941, 1945/1966, 1981/1989 dhe së fundit nga 1990/1999), është obligim moral dhe historik  i pushtetit në Kosovë, që në Prishtinë të ndërtohet muzeu i gjenocidit serb kundër shqiptarëve, duke qenë dëshmi  për kohën tonë  dhe ata që do të vijnë pas nesh.

Krimet nuk vjetrohen

Pasi krimet kundër njerëzimir nuk vjetrohen është obligim i pushtetit dhe të institucionëve të Kosovës, të përgatisin dosjet dhe të ngrisin padi ndaj kriminelëve dhe urdhërdhënësve të tyre para gjyqit vendor dhe ate ndërkombëtar, për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës 1998-1999. Një veprim i tillë është obligim moral ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, si kudo në botën e qytetëruar.

Përfundimisht   ky botim duhet të jetë mesazh për të gjithë, për të ditur të kaluarën dhe  të tashmën si mision për të mos e harruar, sepse popujt e qytetëruar mësojnë nga e kaluara për të mos iu përseritur   në të ardhmën.      

C:\Users\Labi\Desktop\Ballina librash e foto\Ballina e librit Krimet....jpg

Jusuf Osmani, KRIMET E SERBISË NDAJ FËMIJËVE NË KOSOVË 1998-1999, Botoi: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2013

Në sajë të dhënave të prezantuara ky libër dëshmon për politikën serbe e cila ishte patologjike ndaj shqiptarëve  me  përmasat e gjenocidit, me qellimin final spastrimin etnik të Kosovës. Një ide e tillë ndaj shqiptarëve nuk është e kohës së re, por nga shek.XIX, ku daton strategjia politike  e ekspansionizmit serb, e cila solli tragjedi të mëdha regjionale, ku shqiptarët e përjetuan dekada me radhë, duke përfunduar me luftën e vitit 1999. 

Filed Under: Politike Tagged With: Jusuf Osmani, krimet e Serbisë në Kosovë, Nail Draga

ECJA DREJT SE DJATHTËS – DËSHMI MORALE DHE MENÇURIE

August 27, 2021 by s p

DUKE SHPËRNDARË E PROMOVUAR LIBRIN E RI

(Shënime udhëtimi)

Thanas L. Gjika

Gjatë muajit maj të këtij viti Shtëpia Botuese JOZEF në Durrës botoi librin tim të ri “Ecja drejt së djathtës – dëshmi morale dhe mençurie” (374 faqe). Krahas postimit të disa kopjeve, që bëri Z. Aurel Kaçulini, pronari i shtëpisë botuese, shkova dhe vetë për ta shpërndarë edhe në disa miq e qytete të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi dhe për ta promovuar në Durrës dhe Prishtinë.

Kur u nisa mendova se kjo do të ishte vajtja ime e fundit në atdhe, mirëpo mbas tri javë udhëtimi, kur u ktheva, vendosa që të mos humb asnjë rast për të shkuar në trojet shqiptare sa herë të kem mundësi, sidomos pas botimit të ndonjë libri të ri. 

Më kanë mbetur në mendje mikpritjet e zotërinjve Ali Bega në vilën “BEGA” në plazhin e Durrësit, Spiro e Margarita Bimbli në Korçë, Shpëtim Pollozhani në Strugë, Prof. Salajdin Mehmeti dhe vëllai i tij Muhameti në Tearce të Tetovës, Prof. Isak Shema në Prishtinë, Arbër Berisha në Pejë, etj. Konforti i hoteleve dhe sjellja e qytetëruar e personelit dhe kamarierëve /kamariereve i Hoteleve “Prishtina” në Prishtinë, “Coloseo” dhe “Geg e Tosk” (i Z. Gjon Dukgilaj) në Shkodër dhe “Palata Venezia” në Ulqin (i Z. Gani Resulbegu), i Hotel-Restorantit “Tirona” te Plazh i Durrësit, ishin të nivelit europian. Për nga sistemi rrugor, Kafe-Klube, Hotele, ndërtsa shumkatshe, Restorante dhe paraqitja e sjellja e personave të shërbimit, Shqipërisa është një vend Euro-Atlantik. Njerëzit, sodomos fshatarët, i janë futur punës dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndomor bie në sy lulëzim i bujqësisë dhe i blegtorisë. Kurse nëpër qytete ka nevojë për investime në industri, dhe hapje vende pune, sepse rinia që jeton në qytete nuk pëlqen të punojë në bujqësi e blegtori. 

“Ajo që i mërzit shqiptarët, më thotë Z. Bega gjatë bisedave, është sjellja e korruptuar e zyrtarëve të qeverisë, e gjykatësve dhe e mjekëve. Mos paç të bësh me të tillë njerëz se ta nxijnë jetën. Në plan moral e ligjor Shqipëria është për të qarë hallin”. 

Promovimi në Durrës.

Nën përkujdesjen e Drejtoreshës së Bibliotekës Popullore Durrës, Z-njës Mirela Ylli, u organizua më 10 qershor 2021 në një nga sallat e Pallatit të Kulturës promovimi i librit “Ecja drejt së djathtës – dëshmi morale dhe mençurie”. Morën pjesë krijues, gazetarë dhe qytetarë të ndryshëm, midis të cilëve më kujtohen: Shpendi Topollaj Vaso Papaj, Nikolla Spathari, Doranin Agalliu, Mira Kauri, Mela Moisiu, Abdulla Deliallisi, Arjola Kondakçi, ing. Pasho Beqiri me bashkëshorten Z-njën Merushe, A. Bega, etj. Nga Tirana kishin ardhur studjuesja Emrie Krosi, gazetarja Kozeta Zavalani me bashkëshortin Dr. Gjergjin, studjuesi i fotografisë Qerim Vrioni, shkrimtari Kristaq Nanushi e poeti Qazim D. Shehu. Vlerësimet kryesore i dhanë gazetari e studjuesi Hasan Ulqini, punonjësja e bibliotekes moderatorja Teuta Dhima dhe shkrimtari Shpendi Topollaj.

“Libri i ri i studjuesit Thanas Gjika, tha misdis tjerash Z. Hasan Ulqini, është libri i tij i nëntë. Tërësia e studimeve, analizave, portreteve dhe kujtimeve të tij janë punë me vlera për kohën tonë dhe të ardhmen. Përpjekja kryesore e këtij libri është që të ndihmojë në korrigjimin e shtrembërimeve historike të së kaluarës, si njohja e 15 dëshmorëve të 7 prillit 1939, dënimi i hedhjes poshtë të Marrëveshjes së Mukjes, vlerësimi i arritjeve artistike të krijuesve që vijnë nga jeta e burgjeve dhe internimeve, si Visar Zhiti e Jozef Radi, etj. Ai vlerëson shkrimtarë të suksesshëm si Eglantina Mandia e Kristaq Nanushi, që meritojnë vlerësime më të spikatura për veprat e tyre. Nge lart karakterin e panënshtrueshëm të ish-komunistit Dino Martiko, të poetit Lazgush Poradeci, etj. Përkrah dhe vlerëson evoluimin e shkrimtarit Luan Rama dhe arritjet e tij artistike. Ai ka theksuar nevojën e një politike dhe kulture kombëtare të unifikuar në mbarë trojet shqiptare. Gjuha e shkrimeve të tij është shkencore, e pastër dhe e pasur, gjithnjë e thjeshtë dhe e kuptueshme.

Megjithëse jeton në Amerikën e largët, Thanasi, shoku e miku im që nga koha universitare, zemrën e ka në Shqipëri, jeton atje, por përjeton ngjarjet kryesore të popullit tonë dhe i trajton në shkrime, boton me shpenzimet e veta libra dhe vjen, si pak kush në atdhe për t’i shpërndarë e promovuar, gjë që i jep jetës sonë intelektuale impulse për ecje përpara”.

Punonjësja e Bibliotekës, Z-nja Teuta Dhima, pasi përmendi disa nga shkrimet e librit, theksoi se studjuesi Th. Gjika të tërheq për gamën e gjerë të problemeve që trajton, për realizmin dhe qartësinë e mendimeve, për guximin qytetar dhe dashurinë ndaj popullit tonë.

Shkrimtari Shpendi Topollaj, autor i mbi 50 librave me poezi, tregime, novela, drama, romane dhe artikuj të ndryshëm, pasi vuri në dukje disa nga vlerat e librit, theksoi: “E përgëzoj studjuesin Gjika sepse në shkrimet e këtij libri gjeta pikpamje të njëjta me pikpamjet e mia për vlerësimin e të përndjekurve dhe të së djathtës në shoqërinë dhe politikën shqiptare”.

Në fund m’u dha fjala edhe mua. Pasi falenderova Drejtoreshën e Bibliotekës, Z-njën Mirela Ylli, Z. Aurel Kaçulini dhe moderatoren Z-njën Teuta Dhima, për organizmin e këtij takimi, si dhe pjesëmarrësit e folësit, u tregova dy nga shtytjet kryesore që më nxitën të vijoja studimet në mërgim: “Kur shkova në ShBA me lotarinë Green Card më 1996 nuk dija anglisht, përgatitja ime si studjues i letërsisë dhe i historisë së popullit shqiptar nuk më hynte në punë. U punësova ku munda për të rritur e shkolluar dy fëmijët (13 dhe 18-vjeçarë). Shkova dy vjet në shkollë mbrëmjeje për të mësuar anglishten. Më bënë shumë përshtypje dy thënie autorësh amerikanë: 1- “Puno atje ku ndjehesh më i përgatitur e mund të japësh më shumë” dhe 2- “Më shumë se dashurinë, se pasurinë dhe lavdinë duaje të vërtetë”. I ngula në kokë këto thënie dhe pas punëve për të fituar jetesën, iu futa studimit të jetës së Shën Palit/Pavlit, për të cilin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse Shqiptare pranonin se ky apostull kishte punuar edhe në troje ilire, por nuk kishte studime konkrete për të përcaktuar se ku dhe kur kishte punuar ky apostull dhe a kishte shkruar ndonjë letër në këto troje. Përgatitja ime si historian dhe analist i tekstit letrar më ndihmuan që të arrija të zbuloja një të vërtetë të lënë në hije: Shën Pali/Pavli kishte punuar në disa fshatra e qytete ilire, dhe se në Durrës (Dyrrachium) kishte krijuar bashkësinë e parë të krishtere dhe se këtu kishte shkruar letrën e tij më të rëndësishme drejtuar të krishterëve të panjohur të Romës (letrën “Romakëve 1-15”). Këto arritje u pranuan prej Katedrës së Teologjisë së Atlantic Union College, prej Peshkop PhD Joan Palushit – Mitropolit i Korcës, prej Prof. Akademik Jorgo Bulosh, etj. Por në Shqipëri nuk ka studjues të mirëfilltë të historisë së Krishtërimit dhe kështu studim im ka mbetur pa u përkthyer në anglisht që të mund të bëhet problem i shkencës botërore…”

Moment nga promovimi i librit ne Durres

Një nga  dëgjuesit kërkoi të dinte se çfarë kuptoja unë me të djathtën shqiptare. E sqarova nocionin tim për të djathtën shqiptare: “Me të djathtë shqiptare unë kuptoj njerëz që punojnë për t’u pasuruar në përputhje me ligjet, duke qëndruar larg korrupsionit, njerëz që kanë ndërtuar familje me moral të shëndoshë, njerëz që synojnë krijimin e shtetit kombëtar demokratik. Për mua ajo që përfaqëson Partia Demokratike, nuk është e djathtë e vërtetë, sepse udhëheqja e kësaj partie është palë me udhëheqjen e Partisë Socialiste dhe të Partisë LSI, të cilat së bashku sundojnë Shqipërinë përmes korrupsionit, mungesës së moralit, pa çarë kokën për krijimin e shtetit kombëtar demokratik. Të djathtën e vërtetë e duan shumica e shqiptarëve të ndershëm që nuk kanë lidhje gjaku e interesi me klasën politike. Këta mund të jenë jo vetëm demokratë, por edhe eurosocialistë, ballistë e nacionalistë”… 

Promovimi në Prishtinë

Me nismën e Prof. Dr. Isak Shema dhe mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës më 15 qershor në sallën Amfiteatër të kësaj biblioteke u organizua promovimi i librit tim të ri. Për shkak të Pandemisë në këtë takim erdhën pak studjues, gazetarë, mësues, studentë, etj. Midis tyre më kujtohen poeti Prof. Xhemil Bytyçi, gazetari e analisti Shaqir Foniqi, Ing. Bashkim Bordoniqi, Z-nja Vlona Bordoniqi, Oliver Sedaj, poeti Agim Gjakova, etj. Drejtori dhe Zv.Drejtori i BKK nuk mundën të vinin për shkak të një takimi tjetër.

Fjalën e hapjes e mbajti poeti Agim Gjakova, intelektual që ka qenë shembull i rrallë i qytetatisë shqiptare në kohën e diktaturave komuniste në Jugosllavi e Shqipëri. Midis tjerash Z. Gjakova tha se e kishte njohur autorin e librit në Tiranë që në vititet studentore dhe më vonë. Ai dallohej për prirjet e tij liberale. Pasi më falenderoi për vajtjen në Prishtinë për të promovuar librin e ri, ia dha fjalën Profesorit Isak Shema.

Prof. Shema përmendi me hollësi shkrimet e përmblodhur në këtë libër si portrete, ku vlerësohet jeta dhe vepra e krijuesve të talentuar Jozef Radi e Luan Rama; jeta heroike të ish-komunistit Dino Martiko dhe e bashkëshortes së tij Sofia, minoritare greke nga Pogoni; analiza për vepra letrare të Visar Zhitit, të Eglantina Mandisë e Kristaq Nanushit; vlerësime për librin “Në strofullën e djallit” të veprimtarit të shquar politik Shpëtim Pollozhani i Maqedonisë së Veriut dhe për antologjinë “Pena të arta franceeze për shqiptarët – 1332-2007” të studjuesit Fotaq Andrea, libër madhor ku spikat ideja se Shqipëria gjatë shekujve ka qenë për vizitorët dhe miqtë francezë vend i heronjve dhe i njerëzve të bukur e të talentuar. 

Pastaj u ndal në artikujt analitikë kushtuar nevojës së katarsës kombëtare, që lidhet me dënimin e krimeve të diktaturës komuniste; artikullin ku vlerësohen dy ideologjitë – nacionalizmi borgjez dhe komunizmi. Vijoi me kujtime për personalitete të ndryshme të letërsisë si Lasgush Poradeci, të shkencës si Prof. Kristo Frashëri, të arsimit për disa pedagogë të gjimnazit, etj. Theksoi se ka vlera ideore dhe njohëse dhe letërkëmbimi i këtij studjuesi me disa personalitete të letërsisë e gazetarisë shqiptare si Visar Zhiti, Prof. Sami Repishti, Lek Pervizi, Jozef Radi, Frank Gj. Shkrelit, Ismail Kadare dhe Ilir Demalia. 

Pjesa vijuese e librit përmbledh vlerësime të gazetarëve dhe analistëve Frank Gj. Shkrelit e Astrit Lulushit, dhe të studjuesve Ilia Karanxha e Fotaq Andrea për librin tim të mëparshëm “Një letërsi kombëtare një atdhe i vetëm” Botimet KUMI Tiranë 2018 (459 faqe). Këtë paraqitje, Prof. Isak Shema e mbylli duke përmendur dhe kronikën e shkruar prej mësuesit Muhamet Memeti për promovimin e librit “Një letërsi kombëtare…” që u organizua në Universitetin Shtetëror të Tetovës “Fadil Sulejmani” më 3 nëntor 2018 me pedagogët dhe studentët e këtij universiteti. 

Si konkluzione Prof. Shema theksoi: “Puna studimore e Prof. Thanas Gjikës, ka karakter shumdimensional. Ajo përfshin tema studimi që nga antikiteti, Rilindja dhe deri në ditët tona. Ky libër i tij, ashtu si dhe librat e tjerë të tij, me lëndën e gjerë e të shumllojshme që trajton, me guximin qytetar që e përshkon, përbën një pasuri me vlera të shumanshme, si nga tematika, problematika, llojet letrare, studimore e publicistike”.

Më tej m’u dha fjala, për të përshëndetur pjesëmarrësit. Pas falenderimeve të rastit, vura në dukje se gjatë vizitave të mia në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, kam parë nga afër një përparim ekonomik dhe qytetar kudo ku kam ndalur gjatë viteve 2006-2021. Shqiptarët ndjehen më të sigurtë edhe pse politikat e Serbisë dhe MV përpiqen të ndalojë përparimin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në MV. Pastaj ma këkoi zemra të vija në dukje vlerat e veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të letërsisë, poetit Agim Gjakova, që nuk u mburr kurrë për vuajtjet e tij nën regjimet diktatoriale të J.B. Titos dhe E. Hoxhës, por që me jetën dhe veprën e tij letrare na ka dhënë shembullin e një qytetari me ndërgjegje të lartë. E mbylla bisdën me fjlaët: “Ai ka luajtur rolin e Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, kurse bashkëshortja e tij Z-nja Naime, bashkë me simotrën e saj Zyma Barisha, kanë luajtur rolin e Konsullit të Kosovës,  kur Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur. Prandaj mendoj se Qeveia e mençur e Z. Kurti do të gjejë rast ta vlerësojë si e meriton me titullin e lartë “Nder i Kombit” poetin e talentuar dhe luftëtarin Agim Gjakova.  

Prof. I.Shema, mesuse V. Bordoniqi, autori i librit dhe poeti A. Gjakova.

Në mbyllje fala disa kopje të librit, kurse me Prof. I. Shema, poetin A. Gjakova, O. Sedaj, poetin Xhemil Bytyçi dhe dy gazetarë dhashë një drekë në përkujtim të mikut tim Prof. Sadri Fetiu, i cili ishte ndarë nga jeta prej Covidit-19 pak javë më parë. 

Mbas këtij takimi shkova në Pejë, ku vura një tufë me lule te varri i Masueses Zyma Berisha, bujta te familja e Z. Arbër A. Berisha dhe të nesërmen kalova në Shqipëri, ku pata rast të bashkohem me grupin e rotarianëve të qytetit të Korçës, për të bërë një vizitë në qytetin e Shkodrës dhe në Ulqin të Malit të Zi, ku përjetova emocione po aq të fuqishme…   

Filed Under: Featured Tagged With: ECJA DREJT SE DJATHTËS, Mesuese V. Bordoniqi, Prof. I. Shema, Thanas L.Gjika

LIRIA E FJALËS DHE “TRUBADURI” SLLAV NË KORÇË

August 26, 2021 by s p

                                               

  Nga Frank Shkreli/


A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Ja edhe këngëtari sllav Goran Bregoviq — e cilësoj si “sllav” pasi nuk jam i sigurt se cilit prej grupeve etnike sllave të ish-Jugosllavisë i përket ai — shkoi në Korçë, pa çka pau, këndoi dhe iku por nuk mund të thuhet se fitoi gjë ai as ata që e ftuan dhe sponsorizuan praninë e tij në Korçë. Si në parantezë dua të them se, megjithë zhurmën e madhe, pro dhe kundër rreth pranisë së tij në Korçë, personalisht, isha krejt indiferent ndaj pjesëmarrjes së tij në “Festën e Birrës”, duke menduar se nëqoftse pjesëmarrja e tij atje ndihmon që të shitet ndonjë birrë më tepër, aq më mirë – ndihmon sadopak ekonominë shqiptare, thashë me vete.

Por siç duket, retë e pluhurit “radioaktiv” që la pas prania e këngëtarit sllav Bregoviq në Korçë vazhdojnë të qëndrojnë mbi hapësirën politike dhe shoqërore shqiptare.  Megjithëse i kuptoj shumë mirë shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës për ftesën dhe pjesëmarrjen e Bregoviqit në Festën e Birrës në Korcë – por edhe ata brenda Shqipërisë që mbështetën pjesëmarrjen e tij në Korçë – megjithë kundërshtimet mes dy palëve, unë e kam ndjekur debatin në lidhje me këtë çeshtje si diçka pozitive që është me rëndësi për tu zhvilluar. E kam konsideruar këtë debat si pjesë e lirisë së fjalës për të dy palët, për ata që kundërshtuan pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit në Festën e Birrës dhe atyre që e mbështën atë të shkonte e të këndonte në Korçë.  E shikova si një debat midis dy a më shumë vëllëzërve e motrave që nuk janë dakort për një çështje me rëndësi për ta dhe për derisa diskursi zhvillohej në një nivel e standard të qytetëruar – s’ka gjë të keqe në këtë mes.  Falë nderës Zotit këtë ditë kemi pritur që shqiptarët, më në fund, mund të diskutojnë me njëri tjetrin, por edhe me të tjerë — nga afër dhe nga larg, si të barabartë dhe të lirë — derisa lexova reagimin e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama në mbrojtje të pjesëmarrjes së Bregoviqit dhe mbështetësve të tij në Korçë dhe duke sulmuar ashpër ata shqiotarë, sidomos, nga Kosova që kritikuan pjesëmarrjen e tij në festën e Korcës .  Jo se Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë të shprehet, kështu ose ashtu për Bregoviqin ose këdo tjetër, pasi liria e fjalës duhet të përfshij edhe atë por reagimi i tij, më të thenë të drejtën, më la me gojë hapur. 

 Z. Rama i doli në mbrojtje Bregoviqit, duke i cilësuar reagimet e kundërshtarëve dhe kritikëve të pjesëmarrjes së tij në Festën e Birrës në Korçë si, “Një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve”.  Z. Bregoviq është një figurë publike dhe si e tillë ai, patjetër, do të tërheq kritika dhe kundërshtime për deklaratat e tija ose heshtjen e tij kur duhej të fliste dhe nuk foli ose për këngët e tija nga pozita e tij si njeri publik dhe e “një muzikanti nga më të jashtzakonshmit e Ballkanit”, siç e cilësoi Z. Rama.  Më habiti gjithashtu shumë përdorimi i fjalëve “histeri fashiste” nga Z. Rama, drejtuar kritikëve shqiptarë të Bregoviqit. Kisha shpresuar se fjalët, “fashist e fashiste” nuk do i dëgjonim më në fjalorin shqip, sidomos, kur është fjala për diskurset politike ndër-shqiptare të vëllait me vëlla e motëra shqiptare. Shpresonim se këto fjalë do i takonin një periudhe tjetër të zezë të historisë shqiptare lenë pas – periudhës së komunizmit.  Fashistët e vërtetë, Z. Rama i gjeni në Beograd, shumë prej të cilëve i njihni mirë dhe me të cilët bashkpunoni ngusht — dhe jo në Prishtinë, e besoj as në Tiranë!

Por mbi të gjitha, deklarata e Z. Rama kundër kritikëve të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Korçë, ishte një goditje mu në zemër të lirisë së fjalës. Është vështirë të thuhet se pse ishte prekur aq personalisht, Z. Rama me kritikat ndaj Bregoviqit? Pa marrë parasyshë se ç’mendon Z. Kryeministër për lirinë e fjalës dhe të shtypit, në vendin e tij dhe gjetkë, për të gjithë dhe pa dallim, “Zjarrnxitësit mendjefikur”, siç i cilësoi Kryeministri shqiptar kritikët e Goran Bregoviqit“, me “histerinë mesjetare” dhe me “histerinë fashiste” të tyre, qofshin ata në Tiranë ose në Prishtinë, në bazë të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, nënshkruese e të cilës është edhe Shqipëria, gëzojnë si të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, të drejtën e lirisë së fjalës, mohuar atyre nga fashistët e vërtetë sllavo-komunistë për një gjysëm shekulli në Tiranë dhe në Prishtinë, fillimisht, në bashkpunim me njëri tjetrin.  

Prandaj, komentet e Z. Rama nuk janë vetëm një sulm ndaj kritikëve të një trubaduri sllav, por mbi të gjitha një goditje e rëndë ndaj lirisë së fjalës, në përgjithësi. Siç duket, edhe pas 30-vjetë “post-komunizëm”, udhëheqsit shqiptarë ende e kanë të vështirë të kuptojnë se ç’është liria, veçmas liria e fjalës për të tjerët, si e drejtë bazë e njeriut e sanksionuar me marrveshje ndërkombëtare dhe e mbrojtur me ligje kombëtare, si një vlerë evropiane, por edhe shqiptare, në radhë të parë. Përgjigjen se ç’është liria e fjalës për shqiptarë, na e ka dhënë ndoshta para evropianëve të tjerë, i madhi Faik Konica, më shumë se një shekull më parë.  “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; të shkruanj ç’i do zemra; të bëjë ç’i do zemra,”, ka shkruar Faik Konica në Gazeta Albania, viti 1897, nr. 2, f. 32 /

Kjo është liria e vërtetë sipas Faik Konicës që po të respektohej dhe po të zbatohej nga shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre sot – do të nderonte “qytetarinë evropiane të shqiptarëve”, por edhe “historinë dhe traditën tonë poashtu”.  Z. Kryeministër nuk e di nëse je adhurues ose jo i Faik Konicës, por ai do të këshillonte sot se megjithëse je në krye të qeverisë shqiptare, “Nuk ke të drejtë tu presësh lirinë e fjalës”, kritikëve të këngëtarit trubador të Ballkanit, për pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës në Korçë.  Liria e fjalës është dhe mbetet e shenjtë, si për ju Z. Kryeministër ashtu dhe për kritikët e këngëtarit ballkanas në Korçë! 

Në fund të fundit, me këtë episod askush nuk doli fitues. Të gjithë humbës mbetën. Veçanërisht humbi keq liria e fjalës dhe e vërteta, ashtu siç jemi mësuar të shohim se ndodhë shpesh në trojet shqiptare këto 30-vite tranzicion “post-komunist”.  Z. Kryeministër, “Unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, por do të mbrojë deri në vdekje të drejtën tënde (dhe të tjerëve) për të thenë atë që dëshiron të thuash”, (Voltaire) dhe “çfarë të do zemra” (Faik Konica).

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Goran Bregovic, Liria e fjales

VATRA SHPREH NGUSHËLLIMET MË TË THELLA PËR AKSIDENTIN NË QAFË –MUZINË

August 26, 2021 by s p

Foto: Gazeta Panorama

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllimet më të thella për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Qafë-Muzinë. Vatra lutet për shpirtrat e humbur dhe uron shëndet të plotë të lënduarve nga ky aksident fatal. Pesë jetë humbura është një tragjedi e tmerrshme. Vatra u qëndron pranë familjarëve në këto momente dhimbjeje të madhe e trishtimi të rëndë. Vatra u bën apel autoriteteve të dhe instancave përgjegjëse që të marrin masa për parandalimin e tragjedive të tilla. Vatra bën thirrje për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë e demostrojnë përgjegjshmëri të lartë në drejtimin e automjeteve të tyre në mënyrë që të mos kemi jetë të humbura tragjikisht në rrugët e atdheut.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: aksident, Qafe-Muzine, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2701
  • 2702
  • 2703
  • 2704
  • 2705
  • …
  • 2753
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT