Nga Fuat Memelli
Shoqata “Mass. Besa” me qendër në Boston, promotorja e organizimit të veprimtarive në këtë qytet dhe qytetet e tjerë rreth tij, për arsye të kovitit, nuk e la të kalojë në heshtje ditën e Flamurit. Si mund të heshtnin në këtë ditë kaq të shënuar shqiptarët e Bostonit, qytetit ku kishte folenë e saj “Vatra” e gazeta “Dielli”, ku kanë punuar e jetuar Fan Noli, Faik Konica e patriotë të tjerë?! Zëri i saj u dëgjua dhe plot shqiptarë u mblodhën në restorantin “Alba” në Quincy me pronar shqiptarin, Leonard Keka. Për vite me rradhë ata e kanë përkujtuar këtë ditë të shënuar kombit shqiptar në sheshin pranë bashkisë së Bostonit. Për arësye te kovitit, këtë vit bashkia nuk i lejoi, prandaj ata e ndrruan “stacionin” e festimit. Lokali ishte zbukuruar si për festë me dy flamurë, atë shqiptar dhe amerikan. Takimin e hapi kryetari i ri shoqatës “Mass. Besa”, Sokol Lulushllari. Pasi falenderoi pjesëmarrësit për ardhjen e tyre dhe uroi për ditën e Pavarësisë, ai ftoi të gjithë të mbajnë një minutë heshtje për 46 viktimat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që ndrruan jetë në territorin bullgar. Ishte ky një gjest ngushëllimi dhe solidariteti me familjet e viktimave. Fatkeqësisht Shqipëria jonë nuk shpalli ditë zie, ashtu siç shpalli Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Në sallë jehuan pastaj tingujt e himnit amerikan dhe shqiptar. Një grup amerikanësh që u ndoshën aty pranë, sapo dëgjuan himnet u ngritën në këmbë dhe me dorën para gjoksit sipas traditës së tyre, iu bashkuan nderimit të flamujve tok me shqiptarët. Mark Kosmo, kryetari veteran i Shoqatës “Mass. Besa”, një veprimtar i palodhur i saj, ndër të tjera theksoi:”Jam shumë i gëzuar që pas dy vjetësh mblidhemi së bashku për të festua. Më vjen mirë që shoh këtu shokë të vjetër dhe të rinj”. Një përshëndetje të veçantë bëri At Theofan Kajo, i cili ka zëvendësuar në kishën e Shën Gjergjit, At Artur Liolinin, vazhduesin e Nolit te kjo kishë. “Ndjej kënaqësi të veçantë tek ju shoh të mbledhur rreth dy flamujve, atij shqiptar dhe amerikan. Kështu duhet të jemi gjithjëmonë të bashkuar”. At Arturi kohët e fundit nuk ka qënë mirë me shëndet, por megjithatë erdhi të festojë , ashtu siç ka shkuar vite me rradhë. Tek e takojnë pjesëmarrësit dhe e falenderojnë për pjesëmarrjen, i prekur nga respekti që i bëjnë shqiptarët, u thotë:” Si të mos vinja sot këtu në këtë ditë të kaq të shënuar?!” Për festën e Pavarësisë foli edhe krijuesi Namik Selmani, i cili ndër të tjera theksoi se Dita e Pavarësisë, është kryefesta e shqiptarëve, kudo që ndodhen. Edhe shqiptarë të Kosovës si gjithmonë ishin të pranishëm në ditën ne Flamurit. Veprimtari i palodhur i kësaj shoqate, Hafiz Kabashi, pasi përshëndeti të pranishmit uroi që një ditë Shqipëria e Kosova të bashkohen, ashtu siç kanë qënë ndër shekuj. Nuk mund të mungonin në këtë ditë të shënuar nxënësit e shkollës shqipe në Boston. Ata kënduan së bashku këngë patriotike, duke marë si ”shpërblim” duartrokitjet e pjesëmarrësve. Petrit Alibej, një nga veprimtarët e komunitetit shqiptar në Boston, në fjalën e tij vlerësoi kontributin e shquar të Ismail Qemalit, Isa Buletinit dhe patriotëve të tjerë, që bënë të mundur shpalljen e ditës së Pavarësisë. Pastaj recitoi plot emocion poezinë e famëshme të Fan Nolit, Himni i Flamurit.” O flamur gjak, o flamur shkabë/o vend e vatër, o nënë e babë/ lagur me lotë, djegur me flakë/ flamur i kuq, flamur i zi/ flamur që lind Shën Kostandinin/pajton islamnë dhe krishtërimin/ shpall midis feve vllazërimin/ flamur bujar për njerëzi”, etj. Nën tingujt e muzikës vazhduan pastaj këngët dhe vallet e bukura shqiptare, të cilat sillnin pranë flladin e atdheut që u mungon emigrantëve shqiptarë. Një valle e veçantë u luajt atë ditë nga Petrit Alibej dhe Namik Selmani. Ishte vallja e njohur çame e Osman Takes. Me një foto të përbashkët u mbyll kjo veprimtari kushtuar 109 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Të pranishmit u shpërndanë duke marë me vete mbresa dhe emocione të veçanta që ngallin takimet “rreth flamurit të përbashkuar”, të cilat mbajnë ndezur zjarrin e shqiptarizmës.Fotot Bujar Veseli