
VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK.
by s p
Nga Rafael Floqi/


Gjatë periudhës së qeverisjes së përkohshme të Fan Nolit, situata e Çamërisë ishte një nga temat më shqetësuese për diplomacinë shqiptare dhe diasporën shqiptare në Amerikë. Sipas gazetës “Dielli”, qeveria e Nolit, menjëherë pas marrjes së pushtetit, ndërmori hapa për të mbrojtur të drejtat e Çamëve, që përballeshin me persekutime të rënda nga autoritetet greke.
Në një memorandum drejtuar Lidhjes së Kombeve, Ministria e Punëve të Jashtme e qeverisë Noli kërkoi që shqiptarët e Çamërisë të përjashtoheshin nga shkëmbimi i popullsive greko-turke sipas Traktatit të Lozanës. Teksti i memorandumit, i botuar edhe nga shtypi i huaj, theksonte:
“Qeveria shqiptare ka bërë thirrje të fuqishme në ndërmjetësinë e Shoqërisë së Kombeve, duke kërkuar që autoritetet greke të respektojnë të drejtën e shqiptarëve myslimanë të Çamërisë për të mbetur në vendbanimet e tyre historike.”
Analiza e veprimeve të qeverisë Noli tregon një qasje të fortë, por edhe të kujdesshme diplomatike. Edhe pse Traktati i Lozanës nuk përfshinte Çamët në listën e popullsive që duhej të shkëmbeheshin, qeveria greke i trajtoi Çamët si turq, duke u përpjekur të zbatojë politika eksproprimi dhe persekutimi. Argondizza, korrespondent i gazetës italiane “Il Popolo”, dhe I Diellit raportonte se:
“Populli i Çamerisë, përveç disa fanatikëve që u larguan në Anadoll, dëshiron të mbetet plotësisht shqiptar dhe nuk hyn në kategoria të popujve të çkëmbyer. Qeveria greke, përkundrazi, përdor mjete të shumta për t’i detyruar myslimanët shqiptarë të lënë vendbanimet e tyre, duke konfiskuar pasuritë dhe shtëpitë e tyre.”
Sipas Argondizzas, përpjekjet e Çamëve për të kundërshtuar shkëmbimin dhe persekutimin ishin të dukshme përpara komisioneve ndërkombëtare, por efektiviteti i tyre ishte i kufizuar për shkak të rezistencës së qeverisë greke dhe mungesës së mbrojtjes ndërkombëtare. Shtypi britanik, përfshirë gazetën “Near East”, evidentonte se qeveria greke synonte të eliminonte minorancën shqiptare dhe të impononte kontroll mbi tokat e Çamerisë, pavarësisht vendimeve ndërkombëtare.
Gazeta Near East ka famën e një prej gazetave angleze që nuk hezitojnë të tregojnë se qeveria greke ka synim të zhdukë minorancat shqiptare. Qeveria shqiptare, përpara një sjelljeje të tillë, nuk mund të mbetet indiferente për fatin e mbi 50,000 shqiptarëve të Çamërisë. Ajo mbylli memorandumin që kërkonte të njiheshin të drejtat e Çamëve nga komisioni ndërkombëtar dhe insiston që shqiptarët e Çamërisë të përjashtohen nga çkembimi sipas protokolleve, duke kërkuar që një dragoman nga qeveria shqiptare të marrë pjesë gjatë investigimeve për popullsinë çame.
“Marrëveshja e Lausannës për çkembimin e popujve aplikohet vetëm për kombësitë turke dhe greke. Editorit të “Near East” mund t’i ketë shkuar mendja tek kanuni grek për eksproprimin ose konfiskimin e tokave të pronarëve të pasur. Kjo reformë agrare do të zbatohet në Çamëri dhe në disa vise të tjera të Greqisë.

Por për patriotët çamë nuk ka rëndësi çfarë ndodh me pronarët e mëdhenj; ajo që ata kërkojnë është që popullata e Çamërisë të mos trajtohet si turke gjatë çkembimit, por si shqiptare.
Dhe këtë gjë e kuptojnë më së miri në minutën e parë. Muajin që vjen, në Gjenevë të Zvicrës, hapet Kuvendi i Lidhjes së Kombeve. Ky guvernw shqiptar do të përfaqësohej, sipas lajmeve të gazetave italiane, nga Kryeministri i Shqipërisë, Peshkop Noli.
Diaspora shqiptare në Amerikë luajti një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe në mbështetjen morale e materiale të Çamëve. Shoqëria “Çamëria” organizoi fushata mbledhjeje fondesh, mitingje dhe proteste për të tërhequr vëmendjen e mediave dhe të institucioneve ndërkombëtare. Një thirrje për mbështetje, e botuar në gazetën “Dielli”, apelonte:
“Cdo Çam pa përjashtim, anëtar ose jo i Shoqërisë ‘Chameria’, detyrohet të marrë pjesë në këtë fushatë duke bërë detyrën e tij plotësisht; gjithashtu edhe shqiptarët me ndjenja filantropike nuk duhet të harrojnë detyrën e tyre ndaj vëllezërve të tyre fatkeqë, që sot kërkojnë ndihmë për të mos u dëbuar nga Çameria dhe vendosur me pahir në Anadoll.”
Përveç mbështetjes morale, diaspora amerikane kërkoi ndërhyrje diplomatike, duke i dërguar kabllograme dhe memorandum në Lidhjen e Kombeve dhe qeveritë evropiane, duke synuar ndalimin e eksodit të detyruar të shqiptarëve nga vendbanimet e tyre historike.
Përpjekjet e qeverisë Noli dhe të diasporës nuk mund të shpërfilleshin, por pengesat ishin të mëdha. Qeveria greke përdorte metoda të ashpra: konfiskime prone, dhunë dhe kërcënime për internim, duke shkelur çdo parim të mbrojtjes së minorancave. Për më tepër, Traktati i Lozanës nuk e përfshinte Çamërinë si objekt i çkembimit të popullsive, gjë që nënvizonte padrejtësinë e politikave greke.
Argondizza thekson se:
“Përpjekjet e Çamëve për të kundërshtuar çkembimin dhe persekutimin ishin të dukshme, por efektiviteti i tyre ishte i kufizuar për shkak të rezistencës së qeverisë greke dhe mungesës së mbrojtjes ndërkombëtare.”
Analiza e situatës tregon një ngërç të thellë midis normave ndërkombëtare dhe praktikave shtetërore. Ndërkohë që qeveria shqiptare përpiqej të mbrojë të drejtat e Çamëve, qeveria greke vazhdoi persekutimin, duke përdorur metoda që përfshinin konfiskimin e pronave, dhunën dhe kërcënimet për internim, duke shkelur praktikisht çdo parim të mbrojtjes së minorancave të parashikuar nga protokollet ndërkombëtare.
Në përfundim, periudha e qeverisë Noli dhe veprimet e diasporës shqiptare në Amerikë tregojnë përpjekjen për të mbrojtur të drejtat e një komuniteti të margjinalizuar, përballë sfidave të mëdha diplomatike dhe represionit shtetëror. Ky kapitull historik shërben si dëshmi e rëndësisë së mobilizimit ndërkombëtar dhe roli i komuniteteve diasporike në ruajtjen e të drejtave të popujve të shtypur.

by s p

Jemi mbledhur sonte në këtë qendër hyjnore për të nderuar 20-vjetorin e themelimit të Fondacionit Dom Simon Filipaj. Zotni kryetar Tomë Shkreli dhe Fran Çotaj, u jam mirënjohës për ftesën tuaj për të thënë dy-tri fjalë në këtë përvjetor jubilar prej dy dekadash. Për mua personalisht është nder i veçantë të marr pjesë në këtë mbledhje shumë fisnike. Për faktin që Fondacioni juaj mban emërin e një personaliteti të shquar të kombit shqiptar, Dom Simon Filipaj, e ndjej për detyrë morale që sonte të përqendrohem te ky emër i madh i kombit tonë shqiptar. Kam detyrë morale ta kujtoj edhe për faktin se Dom Simon Filipaj e filloi meshtarinë në vendlindjen time në Triesh në vitin 1950 dhe e vazhdoi deri në vitin 1960.
Mësimet fillestare i kishte filluar në vendlindje, pastaj në Tivar dhe në fillim të viteve 40 kishte vazhduar mësimet fetare në Seminarin Jezuit të Shkodrës dhe më pas kishte kaluar studimet e larta universitare pranë Fakultetit Teologjik në Zagreb, ku ishte shquar sidomos në lëndët e teologjisë dhe filozofisë.
Pasi ishte kthyer në vendlindjen e tij, ku edhe kishte thënë meshën e parë. Pas një pushimi të shkurtër, Arqipeshkvi i Tivarit e kishte emëruar meshtar në Triesh, një trevë jo larg Bjeshkëve të Namuna.
Në fillim të viteve 50, kushtet e punës dhe të jetës në Triesh ishin tepër të vështira, sepse vepronte akoma regjimi komunist, më mirë të thuhet stalinist, të cilët kishin pushtuar shtëpinë (qelën) e meshtarit. Përkohësisht ishte vendosur në familjen Gjonlekaj të Preç Marashit. Por pas 6 muajsh komunistët e liruan qelën, ku jetoi e veproi për një dekadë.
Merre me mend jetën që kishte bërë në Zagreb dhe jetën që bënte në atë ballkon të Malësisë së Madhe karshi Bjeshkëve të Namuna.
Pavarësisht këtyre bjeshkëve të mallkuara, për rreth tyre jetonin malet epiko-legjendare të atyre malësive shqiptare. Dom Simoni kishte mësuar shumë në Triesh për traditën e kësaj treve, për të cilën kanë shkruar shumë dijetarë, duke përfshirë këtu edhe Imzot Pjetër Budin.
Në mortin e tij në shtator të vitit 1999 në Kishën e Shën Gjergjit në Ulqin kishin marrë pjesë autoritetet më të njohura shoqërore dhe të fetare të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Kroacisë. Meshën në këtë ceremoni madhështore e kishte drejtuar bashkëvendasi dhe miku i tij i dashur, Arqipeshkvi i Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita. Një ditë pas kësaj ceremonie, fola në telefon me Imzot Mirditën dhe e pyeta si kishte kaluar ajo ditë e veçantë për Dom Simonin e ndjerë.
Ai më foli gjerësisht për atë pjesëmarrje të madhe dhe për elegjitë e klerikëve, të cilët tha se e kishin krahasuar Dom Simonin me Shën Jeronimin, Atë Gjon Buzukun dhe Imzot Pjetër Bogdanin.
Natyrisht se Imzot Mirdita kishte shumë emocione ato ditë. Ai, si kryepeshkop i Shqipërisë, kishte ndërhyrë pranë Selisë së Shenjtë të jepeshin meritat dhe mirënjohjet për kontributin e tij të madh kulturor në përkthimin shqip të Biblës dhe disa librave të tjerë për kulturën fetare për gjithë botën shqiptare.
Papa Gjon Pali menjëherë i dha titullin Monsinjor dhe Prelat, që janë tituj shumë të nderuar në këtë fe. Më vonë iu dha edhe çmimi më i lartë për kulturë i Shqipërisë, Naim Frashëri. Shën Gjergji i Ulqinit dhe Shën Gjergji i Bostonit do të kujtohen përgjithmonë për Monsinjor Simon Filipaj dhe Imzot Nolin. Ishin këta dy kolos të kulturës fetare dhe kombëtare. Në fillim të viteve 90, Dom Simonin e kisha intervistuar dy herë për Zërin e Amerikës.
Sot e kësaj dite e kujtoj për shpjegimet e tij fetare dhe kulturore, përveç të tjerash, ishte shumë ekumenik. Në vitin 2013, me rastin e 250-vjetorit të Kishës së Trieshit, kisha botuar disa shkrime në shtypin shqiptar për Dom Simon Filipaj. Para se të shkonte për vizitë në Ulqin për hapjen e panairit të Librit, gazetari i njohur Gjekë Gjonaj kishte shkruar në Durrës për të intervistuar shkrimtarin tonë të madh e gjenial, Ismail Kadare, duke i bërë edhe këtë pyetje: “Zoti Kadare, sa i njihni shqiptarët në Mal të Zi. Ç’mendim keni për ta dhe si i vlerësoni përpjekjet e tyre kulturore?”
Ismail Kadare i kishte thënë: “Njoh mjaft shqiptarë të Malit të Zi. Sidomos i kam njohur për çudi kur kam qenë për udhëtime në Amerikë. Kam kujtime shumë të mira prej tyre dhe shumë nga ata i kam miq. Ata janë shumë aktivë, janë shumë të zotët, janë shumë të pranishëm në jetën kulturore.
Edhe në Mal të Zi ka të tillë.
Unë i kam ndjekur përpjekjet e tyre kulturore që janë të admirueshme. Për të thënë vetëm një shembull, kam lexuar me një interes përkthimin e mrekullueshëm të Biblës nga Dom Simon Filipaj. Vërtet kam shprehur kudo admirimin tim për këtë përkthim që është një shembull i shkëlqyer se si mund të përkthehen veprat e mëdha monumentale të njerëzimit në gjuhën e sotme shqipe. Dom Simon Filipaj kishte shërbyer për një dekadë edhe në Grudë. Ai ishte orator i përkryer dhe kishte marrë pjesë në disa pajtime gjakësh në Malësinë tonë dhe kishte pas sukses edhe në këtë mision. I tillë kishte qenë edhe Patër Gjergj Marstjepaj.
Të dashur bashkatdhetarë, Malësia jonë dhe malësorët e Ulqinit kanë shumë dukuri të përbashkëta. Nga ana tjetër, qyteti i Ulqinit është qytet ilir, kështu e shpjegon abanologu Eqrem Çabej, i cili thotë se emërtimi Ulqin është nga emri ilirisht Ulk dhe gradualisht është bërë Ulqin. Ky qytet dhe zonat për rreth gëzojnë një klimë të butë mesdhetare.
Malësorët nga viset tona disa herë u shpërngulën në ato treva, bile disa të tjerë shkonin atje për të fituar bukën e gojës. Ulqinakët në përgjithësi janë njerëz të butë dhe të qetë. Edhe në shkollat e Kosovës, nxënësit nga Malësia shoqëronin shumë me nxënësit nga Ulqini.
Edhe këtu në Shtetet e Bashkuara kemi gjetur gjuhë të përbashkët në veprimtari të ndryshme. Unë personalisht kam punuar një kohë relativisht të gjatë me Fran Shkrelin, i cili u emërua Drejtor i Seksionit Shqip të Zërit të Amerikës dhe më vonë mori një pozitë të lartë ku ishte përgjegjës për të gjitha gjuhët e Euro-Azisë.
Këtu në Shtetet e Bashkuara kam bashkëpunuar me Cafo Bogën, Richard Lukën, vëllezërit Zeneli dhe me shumë të tjerë. Këta dhe shumë shqiptarë të tjerë të këtyre anëve janë shumë të suksesshëm në shoqërinë shqiptaro-amerikane.
Si mos të flasim për Samanta Shkrelin, e cila javën e kaluar shkëlqeu në konkursin e bukurisë Miss Globe USA, bile edhe këndoi këngën për Skënderbeun. Të këndosh për Skënderbeun në një ceremoni aq të madhe kulturore është vepër e madhe. Kështu duhet të këndojmë edhe për Nënën Terezë. Ajo zonjusha Shkreli këndoi me shumë emocione për prindërit e saj dhe për kombin shqiptar. Të nderuar pjesëmarrës, është koha që Fondacioni të bëhet institucion gjithëkombëtar, ashtu siç ka qenë edhe Dom Simon Filipaj. Rreth këtij emri të madh dhe shumë të nderuar duhet të bashkohemi të gjithë, sidomos për aktivitete humanitare dhe kulturore.
Ky Fond tash dy dekada ka dhënë ndihma të mëdha për të varfrit dhe për nxënës që duan të vazhdojnë mësimet e larta, gjithashtu ka financuar ngritjen e shtatoreve të tij në oborrin e Kishës së Shën Gjergjit. Në fund, iu përshëndes të gjithëve. Nuk kaloj dot pa e përmendur bashkëvendasin tim Nikollë Junçaj, pjesëmarrës në Luftën për Çlirimin e Kosovës. Ky luftëtar lirie është sot ndër trimat më të nderuar në komunitetin shqiptaro-amerikan. Edhe një herë, iu falënderoj për vëmendje.
by s p


Frano Kulli/
Mendoj se Shqipëria e ka kuptuar gjithherë mirë Fishtën. Ajo Shqipëria që e ka ndjerë në palcë nevojën shtetformuese, nevojën për shtetin e së drejtës, nevojën për shtetin e shtetasve. Por Fishtën se kanë dashtë asnjiherë ata njerzit e pushtetit, për të cilët ai shkruan:
Ju rrugaça sallahana / vagabonda shakllabana / rriqna t’ndyet, mikrobe të kqi / qi të mjerës k’saj Shqipni / kthelltë hi i keni në mushkni / pa dhimbë gjakun tuj ia pi, / por der kur, bre batakçi! / Bre coftina, kalbë mbi dhè / der kur ju, tu tallë n’për ne, / do t’na qelbi fis e atdhè?
Koncepti i tij për shtetin përmblidhet pak a shumë kështu: “M’shka pështetet ndryshimi ndërmjet një shteti civil e institucional e një tjetri barbar, autokrat e despotik ?- pyet, e në mënyrë retorike përgjigjet:
Mbas mendimit tonë të gjithë ndryshimi përmblidhet m’kta qi shtetent e gjytetnueme e konstitucional ligjt i kanë të preme mbas nevojet reale të popullit, me relacion ndaj kohet, ndaj mendorjeve të vendit, ndërsa ndër shtete barbare e autokrate kto ligj përgjithsisht vendohen vetëm…mbas egoizmit t’sunduesve e rrallë e kurr mbas nevojve të popullit, që lanë e kjanë…nuk asht ligja që formon popullin por populli formon ligjen” por, për me sundue [drejtue] një shtet, nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia: duhet nder, dije, urti, burrni, qe se ç’ka duhet. Po, por dija, urtia, nderi, burrnia, po u zéjshin [mësoheshin] në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana të Europës, e mejhane e paçexhihane të Tiranës, tue luejtë “tavëll” e “bixhoz”, e tue pi “mastikë”- shkruan Fishta .
Sipas Fishtës pra, u dashka edhe morali si kategori e sjelljes së udhëheqësive, prijësve të shtetit. Por sot fytyra e moralit të prijësve të shtetit… as nuk skuqet as nuk zverdhet.
Fishta është i pari personalitet shqiptar, miti i të cilit qe krijuar qysh në gjallje të vet. Qe thirrë “Poet kombëtar” kur ende shkruante e vepronte intelektualisht dhe kjo nuk kishte ndodhë deri atëherë e nuk ka ndodhë asnjëherë me asnjë shkrimtar tjetër. Ndër shqiptarët po e po, por edhe në Europë, gjithashtu. “Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar …”, do të shkruante Luigi Federzoni, kryetar i akademisë italiane dhe ministër i jashtëm, në telegramin dërguar Vëllezërve françeskanë shqiptarë me 31 dhjetor, në ditën e varrimit të Fishtës.
Fishta qe thirrë kështu për gjithçka ai qe e për gjithçka ai bëri në dobi të kombit të vet. Me gjenialitetin e vet. Mitin përreth tij e veprës së vet e krijuan elitat e bashkëkohësisë dhe qe i gjithpranuar, gjithaq prej popullit të vet. Por aspak prej udhëheqësive. Sidomos rregjimi që u vendos pas luftës së dytë, kur ai i kishte mbyllë sytë e ishte nisë në botën e qiellit, i cili siç e vertetoi koha e ushtrimit të tij nuk qe as popullor as kombëtar. Diku heret, në vitin ’45 ka pasë një porosi të udhëheqësit jugosllav për diktatorin shqiptar, që Fishta të mënjanohej. Shkaku qe atdhetarizmi i tij dhe kundërshtia e shovinizmit sllav , që përshkon gjithë veprën e veprimin e tij publik, përgjatë gati katër dekadave të jetës së tij aktive. Por keqkuptim po kaq i madh u ushqye prej prijësave edhe për shkak të cilësisë dhe thellësisë së satirës së tij shpartalluese, sidomos për prijësitë e korruptuara e jo demokratike. Dhe kjo ka ndodhë në të dy mënyrat; me censurën e gjatë, ku për t’u ruajt nga fjala e tij e nga librat, madje edhe nga përmendja e emrit të tij u hapën dyer burgjesh. Kurse në kohën postrregjim kjo ka ndodhë e ndodh me heshtim, me heshtje. Ndaj tij e sidomos ndaj veprës së tij.
Politika, pa dyshim ka frikë nga kujtesa…Vetë shoqëria jo. Në Muzeun kombëtar të fotografisë Marubi në Shkodër, është një foto e vitit 1921. Të fotografuarit janë tre deputetët parakë të Parlamentit të parë shqiptar; Gurakuqi, Mjeda dhe Fishta në mes. Përveç versionin origjinal të fotos ka edhe një tjetër version ku personi në qendër të fotos [Fishta pra], nuk është. Në vitet e rregjimit fotoja është ritushuar, pra Fishta është fshirë, nuk është. Sot nuk ndodh taman kështu. Sot Fishta përmendet, po radhë, Fishtës i është rindërtuar shtëpia e viteve të fëmijërisë, po prej 4 vjetësh është e mbyllur dhe oborri i saj është i mbuluar me ferra; është ndërtuar një memorial multifunksional për té, aty në vendlindje, po edhe ai është i mbyllur. Ato, kishte me qenë e mira me u kthye në qendra pelegrinazhi, se vetëm ky mund të ishte destinacioni i tyre; vetëm kështu ata do “trembnin” harresën e kujtesa për to e veprën e tyre do të shërbente përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë tek brezat e sotëm e ata që do të vijnë. T’u bëhen me dije atyre këto vlera të idenditetit tonë kombëtar dhe kjo do ta shërbente më mirë se shumëçka ndërtimin e së ardhmes. Tashmë, i gjithë korpusi i veprës së Fishtës është i botuar, po ndër shkolla nuk studiohet; emri i tij vetëm sa çeket, përmendet si autor i traditës. Ndërkohë që janë thurë e thuren mite për shkrimtarë socrealistë, ca syresh edhe periferikë si kualitete letrare.
E gjitha kjo nuk ndodh rastësisht. “Nuk don pasha kallaballëk”- thuhej në kohën e perandorisë osmane. Prijësat e shtetit shqiptar, piedestalet i ruajnë për vete…
Ditën që përurohej ky memoriali multifunksional, 4-5 muaj më parë, për të cilin shkrova më lart, , kishte ardhë edhe kryeministri shqiptar. Ishte prag i fushatës elektorale. Dhe kur dikush më prezantoi mua tek ai si botuesi i Fishtës, bisedën me mua ai e filloi me pyetjen: “Për ke do të votonte Fishta ?”…Thua ky është vlerësimi i meritueshëm i të parit të vendit sot, për Fishten ? Sa për një…votues ?
by s p

Strategjia është e qartë: zhvendosja e thelbit të barazisë, neutralizimi i rolit kushtetues dhe krijimi i një situate ku shqiptarët duken të barabartë, por në fakt janë të robëruar nga formaliteti dhe iluzioni. Me zgjedhjet lokale, Mickovski synon të krijojë “pashallëqe provinciale”, ku strukturat shqiptare shpërndahen në njësitë komunale, duke i dobësuar si subjekt integral politik.
Nga Prof. Dr. Skender ASANI
Në historinë e kombeve, ka momente që nuk lindin rastësisht, por si pasojë e përballjeve të mëdha ndërmjet idealit dhe interesit, ndërmjet vizionit të përbashkët dhe kalkulimit politik. Maqedonia e Veriut ndodhet sot në një prej atyre çasteve vendimtare që do të përcaktojnë fatin e saj për dekada me radhë. Proceset e integrimit europian, që duhej të ishin shprehja më e lartë e unitetit shtetëror, janë kthyer në arenë ku vlerësohet jo vetëm pjekuria politike, por edhe sinqeriteti i vizionit kombëtar. Në vend që të shërbejnë si udhë drejt bashkimit dhe reformës, ato po përdoren si instrumente për defokusim, ku barra e integrimit rëndon mbi shqiptarët, ndërsa përfitimet politike i korrin elitë që e shohin Europën vetëm si skenografi për legjitimitetin e tyre. Ky deformim i qëllimit strategjik rrezikon ta shndërrojë Marrëveshjen e Ohrit nga themel i bashkëjetesës në dekor të sistemit, nga dokument i barazisë në simbol të margjinalizimit të heshtur. Integrimi europian nuk mund të kuptohet si kalendar politik, as si garë për datat e negociatave, por si test moral dhe shtetformues për drejtësinë e brendshme të vendit. Vetëm një shtet që ka barazinë në ADN-në e vet, që i sheh shqiptarët jo si numër zgjedhor, por si faktor themelor të kohezionit, mund të ecë me dinjitet drejt Europës. Sepse Europa e vërtetë nuk fillon në Bruksel; ajo fillon këtu, në mënyrën se si një shtet respekton themelet e tij dhe trajton ata që e mbajnë gjallë shpirtin demokratik.
Çdo moment historik që sfidon kombin nxjerr në pah dallimin midis vizionit shtetëror dhe kalkulimit politik. Sot, në Maqedoninë e Veriut, procesi i integrimit europian perceptohet dhe instrumentalizohet në mënyrë të njëanshme si mision i subjekteve politike shqiptare dhe jo si interes kombëtar dhe shtetëror. Një shtet që redukton projektin europian në korniza etnike ka dështuar të ndërtojë një bosht të përbashkët të identitetit politik dhe qytetar. Integrimi në institucionet euroatlantike duhet të ishte aks strategjik i shtetit, dhe jo dekor elektoral i një partie apo komuniteti. Përkundrazi, një politikë e koordinuar kërkon të defokusojë subjektin politik shqiptar nga kërkesat e tyre thelbësore kombëtare dhe kushtetuese. Përmes projekteve të vogla, premtimeve të pjesshme dhe angazhimeve teknike, largohet vëmendja nga çështjet kryesore: avancimi i statusit kushtetues të shqiptarëve dhe përfshirja e tyre e barabartë në strukturat shtetërore.
Në këtë kontekst, nuk mund të mos vërehet tendenca e hapur e Kryeministrit Mickovski për të cenuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe për të grabitur kauzën shqiptare si mjet legjitimiteti politik. Nën retorikën e integrimit dhe stabilitetit fshihet një strategji për të ridimensionuar rolin kushtetues të shqiptarëve dhe për ta zhvendosur barazinë drejt një modeli simbolik. Me gjuhë të mbështjellë nga populizmi dhe politika e iluzioneve për barazi, Mickovski përpiqet të zhbëjë atë që brezat shqiptarë e kanë ndërtuar me mund dhe gjak.
Ky projekt përfshin fragmentimin e forcave politike shqiptare, relativizimin e faktorëve kyç dhe minimin e çdo iniciative për konsensus kombëtar. Strategjia është e qartë: zhvendosja e thelbit të barazisë, neutralizimi i rolit kushtetues dhe krijimi i një situate ku shqiptarët duken të barabartë, por në fakt janë të robëruar nga formaliteti dhe iluzioni. Me zgjedhjet lokale, Mickovski synon të krijojë “pashallëqe provinciale”, ku strukturat shqiptare shpërndahen në njësitë komunale, duke i dobësuar si subjekt integral politik. Kjo fragmenton shqiptarët, i bën të pambrojtur në nivel nacional dhe pengon çdo mundësi që ata të jenë faktor vendimtar në mbrojtjen e kauzës kushtetuese dhe interesave kombëtare. Zgjedhjet lokale përdoren jo për demokraci, por për kontroll, përçarje dhe neutralizim.
Historia, si dikur, po përsëritet. Brezat shqiptarësh ngritën flamurin e të drejtës për barazi dhe pjesëmarrje të plotë, dhe sot përballemi me tentativë për të shuar këtë flakë. Marrëveshja e Ohrit është gurthemeli i dinjitetit kombëtar, gardiani i së drejtës për barazi, dhe çdo përpjekje për ta shndërruar në dekor simbolik është sulm ndaj identitetit dhe trashëgimisë shqiptare. Në sfidat e sotme, çdo lëvizje merr peshën e vet historike. Nuk është koha për deklarata të thjeshta, por për analizë të kujdesshme, dallim të asaj që shihet dhe asaj që fshihet nën sipërfaqe. Shqiptari i sotëm duhet të veprojë me strategji të matur, vendosmëri dhe unitet, duke mos lejuar që tendencat për fragmentim, manipulim ose relativizim të deformojnë thelbin e barazisë dhe legjitimitetin e së drejtës kushtetuese. Vetëm kështu mund të ruhet fryma e Ohrit dhe të krijohet gurthemeli i sigurt për veprime të mëtejshme që sfidojnë çdo përpjekje për të shndërruar kauzën kombëtare në iluzion formal.
Nëse sot subjekti politik shqiptar nuk ngulmon fuqishëm për avancimin kushtetues të çështjes shqiptare, nesër do të jetë vonë. Historia nuk pret; ajo kërkon veprime vendimtare. Çdo njëqindvjeçar sjell lëkundje të reja etnike dhe gjeopolitike në Ballkan, dhe shqiptarët e kanë ndjerë këtë: nga ndarjet territoriale dhe diskriminimet kushtetuese, e deri tek përpjekjet për asimilim institucional.
Integrimi europian i Maqedonisë së Veriut nuk duhet të shërbejë si alibi për të fshehur mungesën e barazisë reale. Ai duhet të jetë projekt shtetëror i përbashkët, ku çdo komunitet shihet si bashkëthemeltar, jo si figurant. Çdo integrim i pjesshëm do të mbetet vetëm dekor diplomatik, duke mbuluar pabarazinë strukturore dhe vonesën e shtetit në kuptimin e barazisë kushtetuese.
Koha kërkon që elita shqiptare politike të dalë nga roli i pjesëmarrësit dhe të marrë rolin e formuesit të procesit. Pa shqiptarët si faktor kushtetues i barabartë, Maqedonia nuk mund të jetë europiane, funksionale apo e drejtë. Kush mendon se mund të shtyjë pafund zgjidhjen e çështjes shqiptare, duhet të kujtojë: proceset mund të shtyhen, por jo të ndalen. Historia rikthehet gjithmonë për të kërkuar atë që politika ka harruar. Shqiptarët duhet të jenë ata që e shkruajnë këtë histori.
Është koha që integrimi i Maqedonisë së Veriut të kthehet në projekt kombëtar të përgjegjësisë së përbashkët, dhe jo në dekor elektoral që fsheh padrejtësitë strukturore. Subjektet politike shqiptare duhet të artikulojnë vizionin e tyre kushtetues dhe shtetformues, jo si kërkesë etnike, por si kusht për stabilitet dhe europianizim të shtetit. Vetëm një Maqedoni ku shqiptarët janë të barabartë në Kushtetutë mund të jetë pjesë e Europës, jo në letra, por në frymë.
Në përfundim, proceset e integrimit nuk janë thjesht procedura burokratike; ato janë betejë për të ardhmen, test i drejtësisë dhe barazisë reale. Kur Marrëveshja e Ohrit shndërrohet në dekor, kur integrimi bëhet marketing dhe shqiptarët reduktohen në figurantë të teatrit politik, lind kërcënim i thellë, sidomos kur liderë si Mickovski tentojnë ta “kidnapojnë” kauzën shqiptare për legjitimitet personal. Kjo nuk është retorikë populiste; është tradhti ndaj sakrificave historike. Shqiptarët nuk mund të pranojnë të jenë pjesë e një skene që mohon vendimmarrjen dhe barazinë. Koha për veprim është tani: të rikthehet Marrëveshja e Ohrit në frymën e saj kushtetuese, të imponohen aksione shtetërore ku barazia është e panegociueshme. Moslejimi i heshtjes sot është shpëtimi i së ardhmes nesër. Vetëm me unitet të palëkundur, strategji të matur dhe vendosmëri të guximshme, shqiptarët mund të ruajnë fuqinë, të mbrojnë trashëgiminë dhe të sigurojnë se kauza e tyre nuk do të shndërrohet kurrë në iluzion.
Shkup, 23 tetor 2025