• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ FISHTA, PËR NJË GJUHË TË PËRBASHKËT SHQIPE

October 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Shefkije Islamaj*/

Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Gjergj Fishta (23.10.1871-30.12.1940).

Fillimi i shekullit XX shqiptarët i gjeti pa shtet, pa gjuhë të përbashkët e pa alfabet të përbashkët. Është koha e përthyerjeve të mëdha në tokat shqiptare. Krijimi i shtetit shqiptar më 1912 shtroi një varg çështjesh që lidheshin me funksionimin e shtetit të ri. Njëra ndër to qe nevoja për një gjuhë të përbashkët në shkallë kombëtare.

Çështja e gjuhës kombëtare nuk ishte vetëm një çështje simbolike, po ishte, sidomos, edhe çështje praktike, duke pasur parasysh nevojat e shtuara komunikuese që shtronte funksionimi i shtetit të ri shqiptar. Katër vjet para shpalljes së pavarësisë Kongresi i Manastirit zgjidhi problemin e alfabetit, në të vërtetë i bashkoi shqiptarët në një rrafsh shumë të rëndësishëm – të shkrimit të njësuar të shqipes, me çka çeli rrugë edhe për njësime të tjera, në radhë të parë për çështje të rëndësishme të gjuhës e të njësimit të saj.

Ngjarjet e dhjetëvjetëshit të dytë të shekullit XX do të forcojnë proceset e natyrshme konvergjuese gjuhësore. Shtysa që dha Kongresi i Alfabetit do të kurorëzohet me themelimin e me veprimtarinë e Komisisë Letrare të Shkodrës 1916-18 dhe me mbajtjen e Kongresit Arsimor të Lushnjës 1920, dy ngjarje këto të rëndësishme në hullinë e shumë përpjekjeve të ndërgjegjshme të shkrimtarëve e të intelektualëve të kohës për gjuhën shqipe.

Në të gjitha veprimtaritë para e gjatë tre-katër dhjetëvjetëshave të parë të shekulli XX, kur shoqëria shqiptare po jetonte një zhvillim të ndjeshëm, Gjergj Fishta ishte gjithnjë i pranishëm, në të vërtetë ai bëhet shumë ndikues në këto procese. Si delegat në Kongresin e Manastirit 1908 dhe si kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të shqipes, themelues e drejtues i revistës “Hylli i dritës” 1913, botues i gazetës “Posta e Shqypniës,” bashkëthemelues i Komisisë Letrare të Shkodrës 1916-1918, Gjergj Fishta zhvilloi veprimtari të gjerë praktike në shërbim të mbrojtjes e të lëvrimit të gjuhës shqipe.

Duke ndjekur traditën e shkrimtarëve të Rilindjes, ai do të punojë me përkushtimin prej atdhetari të madh për ta çuar më tej punën e nisur prej tyre në fushë të gjuhës. Veprimtaria e tij në këtë fushë do të fillojë që më 1899 me themelimin e Shoqërisë letrare “Bashkimi”, qëllimi i së cilës ishte pikërisht ndërgjegjësimi i popullit për çështje të rëndësishme kombëtare, duke përfshirë këtu në rend të parë çështjen e gjuhës, të shkollës shqipe dhe botimin e librave shqip.

Si romantik i vonshëm ose si romantik realist, siç quhet nga disa studiues të letërsisë, Gjergj Fishta ndien me shumë për¬gjegjësi misionin e shkrimtarit kombëtar, “misionin e pionierit të lirisë, misionin e edukuesit politik, të apostullit, shpeshherë edhe rolin e politikanit” – do të thoshte më mirë e më saktë Eqrem Çabej për rolin e shkrimtarëve në periudhën e Rilindjes.(1) Dhe këtë mision Fishta përpiqet ta kryejë sa më mirë edhe në fushën e gjuhës, sepse, thotë ai, “ma i kjarti shej i kombsis asht njisija e gjuhës.”(2) E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe, në përgjithësi, veprimtaria e tij kombëtare do ta dëshmojë këtë.

Përcaktimi një gjuhë letrare për një komb gjithmonë ka paraqitur dhe paraqet çështje të vështirë e të ndërlikuar për t’u zgjidhur. Kjo ka qenë e vështirë edhe për shqiptarët. Faktorët jashtëgjuhësorë gjithmonë kanë luajtur e vijojnë të luajnë rol pothuajse vendimtar. Ndikimi i faktorëve politikë për zgjidhje të qëndrueshme gjuhësore, për rrethanat e fillimshekullit XX, ishte i pamundur, me gjithë ndërgjegjësimin e lartë, sidomos ndër intelektualët, se shqiptarëve u duhet një gjuhë e përbashkët shkrimi, se çështja e gjuhës së përbashkët dhe çështjet praktike gjuhësore ishin ndër detyrat më të ngutshme të kulturës shqiptare.

Ndërkaq dihet që, në kohën kur në hapësirën shqiptare shquhen qartë idetë për bashkimin kombëtar dhe për gjuhën e përbashkët letrare, në të vërtetë kur shquhen përpjekjet e ndërgjegjshme për krijimin e një gjuhe letrare, shumë gjuhë evropiane – frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja, italishtja e të tjera, tashmë kishin një moshë të madhe standardizimi.

Në gjendjen e ndërlikuar të çështjes së gjuhës letrare, që ka mbizotëruar në hapësirën e gjerë gjuhësore të shqipes, Shkodrës i përket një vend i veçantë. Shikuar historikisht, gegërishtja ishte bërë gjuhë e shkrimit në trojet veriore shqiptare, sikundër toskërishtja në pjesën jugore. Në të vërtetë “diglosia” ishte karakteristika kryesore e gjendjes gjuhësore në hapësirën shqiptare deri afërsisht në gjysmën e shekullit XX. Procesi historik ka ecur në të mirë të konvergjencës gjuhësore, që kishte pikëmbështetje të fortë gjuhën popullore.

Siç u pa pak më vonë, puna për krijimin e alfabetit doli më e thjeshtë dhe më e lehtë sesa puna për krijimin e një gjuhe të përbashkët, rrjedhimisht edhe çështja e pranimit të një zgjidhjeje të mundshme. Kjo është e kuptueshme: çështja e alfabetit është çështje teknike dhe zgjidhjet janë më lehtë të pranueshme, ndërkaq çështjet e gjuhës janë më të ndërlikuara, kjo vërtetohet pothuajse gjatë krijimit të çdo gjuhe letrare.

Tërësia gjuhësore, siç dihet, është krijim i përbërë, që përfshin shprehjen letrare e dialektet, por edhe sociolektet. Meqë gjuha nuk është krijim homogjen, ajo nuk mund të shfaqet si tërësi e njësuar. Teoria gjuhësore, prandaj, dallon larminë horizontale, të kushtëzuar nga faktet gjeografike, etnografike e politike, nga llojllojshmëria vertikale, ku përfshihet diferencimi midis grupeve të folësve në hapësirën e njëjtë, si edhe përcaktuesit relevantë sociologjikë që kushtëzojnë këtë larmi e këtë llojllojshmëri. Më tej, është pranuar nga teoria gjuhësore se sociolektet, rrjedhojë e shtresëzimit horizontal e vertikal, janë të gërshetuara ndërmjet tyre, prandaj gjuhën e individit e të mjedisit e bëjnë të shtresëzuar, të dalluar dhe të përbërë. Përbërshmëria e kësaj çështjeje del posaçërisht në rastin e shqipes, jo për çështjet thjesht gjuhësore, por më parë për arsye të kontekstit historiko-shoqëror nëpër të cilin ka kaluar populli shqiptar.

Me gjithë vështirësitë, me gjithë kontekstin e përbërë historiko-shoqëror e socio-gjuhësor, shumica e lëvruesve të gjuhës shqipe të kohës, përfshirë këtu edhe Gjergj Fishtën, janë pajtuar për çështjen themeltare: shqiptarët duhet të kenë një gjuhë kombëtare dhe gjuha popullore duhet të jetë baza e gjuhës së përbashkët kombëtare. Në regjistrin e protokollit (3) të Komisisë Letrare të Shkodrës, më 11.12.1916, shkruan: “Zoti Atë Fishta thotë se të mbajturit e dy dialekteve mbas mendimit të zotit Kryetar (dr. Gjergj Pekmezi – Sh. Islamaj) vjen në kundërshtim me dishirin e Korpuskomandës e detyrës që kemi prej Statusit se ku janë dy d.m.th. qi nuk asht nji, prandaj kërkon se jo m’u marrë nji dialekt për bazë jose me përba nji gjuhë tuej e trajtue prej të gjith dialekteve.”(4)

Komisia Letrare e Shkodrës, me përpjekjen e një numri të madh intelektualësh të kohës, i dha rrugë të drejtë kësaj çështjeje. Pas shumë mbledhjesh, diskutimesh, debatesh, në të cilat mori pjesë aktivisht edhe Gjergj Fishta, elbasanishtja, si varianti më përafrues ndërmjet dy kryedialekteve të shqipes, u pranua si gjuhë letrare për shqiptarët. Me gjithë dallimet në pikëpamjet, kjo zgjidhje u duk më objektivja. Gjergj Fishta pati shprehur rezerva të mëdha. Pikëpamjet e tij për krijimin e gjuhës së përbashkët ishin të tjera. Për rrugën që duhej ndjekur në këtë proces, ai do të shkruante: “Afrimi ka për të qenë ma i plotë n’at gjuhë njite që andrrojnë disa, por ma kadalë, ma natyrshëm, ma me dobi tue u shkri në nji pasuni të përgjithshme pasunitë e veçanta, pa hupë asgja.”(5) Me gjithë mospajtimin, ai u pajtua me zgjidhjen e Komisisë. Mospajtimi i tij në fillim kishte arsyetim mungesën e një letërsie të zhvilluar në këtë dialekt. Pas arsyetimit të bërë në njërën prej mbledhjeve të para të Komisisë, se Konstandin Kristoforidhi është një përfaqësues i denjë i kësaj të folmeje, Gjergj Fishta ndërroi mendim: “Zoti Atë Fishta thotë se për në pastë dialekti i Elbasanit nji literaturë asht gadi të bashkohet me këtë mendim edhe tuej i paraqitun Zoti Gurakuqi shkrimet e Kristoforidhit atëherë Zoti Fishta pëlqeu plotësisht qi të merret për bazë dialekti i Elbasanit për gjuhë shkrimi.” (6)

Megjithatë, koha dëshmoi se Gjergj Fishta vijoi të kishte rezerva ndaj zgjidhjes që solli Komisia Letrare e Shkodrës. Në të vërtetë ai e braktisi atë vendim. Nga studiues të formimit të gjuhës letrare shqipe, për këtë arsye, Fishta është gjykuar shpesh si kundërshtar i njësimit gjuhësor të shqiptarëve. Por, a mund të quhet i tillë ai, kjo është një çështje që vijon të sillet në shkrimet tona gjuhësore. Duke e parë gjithanshëm veprimtarinë e tij gjuhësore, letrare e politike, megjithatë mbetet pyetja: si mund të shpjegohet mospërfillja që shprehu ai ndaj zgjidhjes gjuhësore të pranuar në Komisi, anëtar shumë aktiv i së cilës ishte? A mund të gjendet një shpjegim që do të sqaronte qëndrimin e tij mospërfillës ndaj elbasanishtes?

Me gjithë pranimin e vendimit të Komisisë që elbasanishtja të merrej si bazë e gjuhës së përbashkët letrare, u duk qartë se Gjergj Fishta do të shkelte vendimin e Komisisë dhe pranimin e tij. Ai vijoi të shkruante në të folmen veriperëndimore, por me një përpjekje për zgjerim të ndjeshëm të kufijve gjuhësorë të gegërishtes veriperëndimore, për të cilën ai, bashkë me shoqërinë “Bashkimi” e shoqërinë “Agimi”, u angazhua shumë që të fitonte si gjuhë e shkrimit në rrafsh kombëtar, duke arsyetuar sidomos me “filozofinë e estetikën” e saj dhe me trashëgiminë e pasur shkrimore të saj në shekujt pararendës, që nga botimi i librit të parë shqip e deri asokohe.

Sipas tij, “hijeshija, njomsija, fjeshtsija, eleganca dhe përshtatsija” janë kriteret që duhet të merren për themel gjatë krijimit të një gjuhe letrare, duke qenë i bindur se të gjitha këto i ka gegërishtja veriperëndimore dhe si e tillë e meriton statusin e një gjuhe të përbashkët kombëtare. Edhe në diskutimet në Komisi për elbasanishten ai këmbëngulte në këtë parim: “Zoti Atë Fishta lypë qi përpara të caktohet puna d.m.th. pelqimi i dialektit t’Elbasanit si për bazë, se në fund baza e vërtetë e gjith’ e cilës gjuhë asht filozofija e estetika.” (7) Ndër shkrimet publicistike shquhen pikëpamjet e tij për “estetikën e gjuhës”, në të vërtetë e gjithë vepra artistike dëshmon se estetika gjuhësore zë vend qendror si në krijimtarinë e tij letrare ashtu edhe në pikëpamjet për gjuhën letrare.

Lidhur me normimin e kodifikimin e një standardi gjuhësor, Gjergj Fishta kërkonte patjetër mbështetjen e fortë në dialektet e ligjërimin popullor, por natyrisht kërkonte rregullsi e rreptësi për normën drejtshkrimore.

Përcaktimi për gegërishten veriperëndimore sipas tij kishte shumë epërsi. Si gjedhe këshillonte letërsinë e shkruar, po sidomos letërsinë folklorike, sepse ajo e vetmja kishte ruajtur vijimësinë e krijimit në ligjërimin popullor dhe kishte pasur përherë prestigjin e duhur: “Edhe populli shqiptar, si t’gjith popujt tjerë, e ka ndi në vedi fuqin e pushtetin e fjalës, e prandej asht orvatë me e zhvillue e me hijeshue sa ma fort t’amblen gjuhën e vet kombtare. Kta e dishmon jo vetëm “folklora” e tij, qi asht ndër ma të bukurat e t’interesantshmet e Europës, por edhe monumentat letrarë qi të bijt e ktij populli kanë prodhue, e për të cillt ktu duem të bisedojm.” (😎

Përcaktimi që të folmet popullore duhet të përbëjnë bazën e gjuhës letrare për kushtet ekzistuese ka parakuptuar dy mundësi: që nga dialektet, si baza materiale gjuhësore, të krijohet standardi kombëtar ose standardi regjional. Gjergj Fishta parimisht është përpjekur për një gjuhë të përbashkët kombëtare për të gjithë shqiptarët, por në praktikë ka punuar që kjo gjuhë patjetër të jetë gjuha më e afërt dhe më e njohur për të – të jetë në të vërtetë gegërishtja veriperëndimore. Duke pranuar vetëm verbalisht zgjidhjen që dha Komisia Letrare e Shkodrës, ai dëshmoi se nuk ishte i gatshëm për “kompromise”, nuk ishte i gatshëm të braktiste dialektin e vet, në të vërtetë të folmen e vet. Në veprën letrare e publicistike gjuha e tij nuk është dialekti i përgjithshëm verior, po më shpesh një e folme shumë më e ngushtë. A mund të thuhet për këtë arsye se Gjergj Fishta ishte regjionalist, madje lokalist? Veprimtaria e tij në të mirë të gjuhës shqipe në përgjithësi, puna për krijimin e një alfabeti të përbashkët, ndihmesa brenda Komisisë, qëndrimet e shprehura në shkrimet publicistike për një gjuhë të përbashkët, debatet në organet e shtypit që drejtonte ai, provojnë të kundërtën.

Atëherë si të shpjegohet “refuzimi” në praktikë i vendimeve të Komisisë Letrare të Shkodrës? A mund të kërkohen arsyet tjetërkund? A mund të thuhet se ishte kontradiktor në qëndrimet dhe veprimet?

Si krijues me ndjenjë tejet të zhvilluar artistike e gjuhësore, si krijues i ngritur mbi themelet e krijimeve popullore, ai ishte i bindur se letërsia që krijonte nuk mund të kishte atdhe tjetër gjuhësor pos të folmeve veriperëndimore. Por, a mund të ishin motivet e këtij “refuzimi” motive thjesht krijuese, motive subjektive? Në këtë paragjykim mund të mbështeten edhe pikëpamje që i kemi lexuar e i kemi dëgjuar shpesh se “Lahuta e Malcis” nuk do të ishte kjo që është, po të mos shkruhej në gjuhën që është shkruar, në të vërtetë në dialektin. Për të vërtetuar pohimin tonë po sjellim një mendim të Gjergj Fishtës të shprehur në shkrimin me titull “Mbi gjuhë letrare të shtetit”: (9) “Edhe Dante Alighieri kur vuni dorë të shkruej veprën e padekshme të veten “La Divina Commedia”, mendoi me e shkrue në nji gjuhë të trajtuese prej katermdhetë dialektesh që njihte Italija aso kohe; me gjith kta vepra ngalliti e shkrueme në dialektin e Toskanës – në gjuhë t’auktorit. Merret vesht prej vedit se nji poet hyner, si Dante Alighier, nuk do të kishte mujtë me krijue vepren ma të madhnueshme qi m’je m’sod ke perftue mendja e nierit në nji gjuhë qi kurrkush s’e flitte, as kush folë s’e kishte kurr mbi kët botë. Kah pra mund të pritej se shi na – ashtu: m’kamë e në dorë, e … si jemi na – do të krijojshim nji gjuhë të re; e se e mira e vendit e lypte qi shi kjo gjuhë të përdorej për gjuhë letrare në Shqypni! Mirë, po vendimi u muer, e çmimet e caktueme prej shtetit për auktorë ase edhe për vepra të tyne u dhanë vetëm njatyne qi shkruejshin në gjuhë letrare të re, e jo atyne që shkruejshin shqyp. E kështu ngeli hovi e aktivitetit letrar të vërtetë në Shqypni.” (10)

Në vijim po e plotësojmë mendimin tonë të shprehur më lart edhe me një të dhënë tjetër. Siç është theksuar, krijimtaria artistike e Gjergj Fishtës ka mbështetje të fortë folklorin gojor, ndërsa “Lahuta e Malcis” është mbështetur kryekëput te krijimet epike dhe, në përgjithësi, te gjedhet gjuhësore të folklorit, duke shfrytëzuar këtu jo vetëm leksikun, dialektizmat e krahinorizmat, por edhe format e ligjërimit me elementet përbërëse të rrafshit të përmbajtjes, të subjektit, të figurave, të fjalës, të kuptimit dhe, përgjithësisht, format e mjetet e ligjërimit popullor. Si e tillë kjo krijimtari mund të mendohet se do ta kishte më të vështirë ta ndërronte “atdheun gjuhësor”, në të vërtetë “të kornizohej” me ligje e rregulla drejtshkrimore.

Në të mirë të këtij pohimi po sjellim mendimin e dialektologes së njohur Agnia Desnickaja: “Çështja e koinesë veriore përputhet me çështjen e koinesë epike. Mund të thuhet që këto janë dy faqe të një problemi.” (11) Ndërkaq, dihet se koineja epike kishte normën e saj dhe vështirë pranonte norma të tjera pa pësuar lëkundje, që do të prishnin më së paku rendin e strukturën e saj. Norma e koinesë epike, edhe në kohën e Fishtës, për shumë arsye që lidhen me kontekstin historik e shoqëror, vijonte të kishte qëndrueshmëri të madhe; kjo siguronte ruajtjen e saj edhe për një kohë. “Trajtat e koinesë epike, vijon Agnia Desnickaja, kanë ruajtur autoritetin e tyre normativ në tërësinë e viseve përtej Drinit gjatë disa shekujve, duke përfshirë edhe qytetin e Shkodrës me rrethe.”(12) Nëse pranojmë atë që thamë më lart, del vetvetiu se Gjergj Fishta nuk mund t’i lejonte vetes të bëhej rrënues i këtij prestigji shoqëror të përcjellë përgjatë shekujve, sidomos jo duke pasur parasysh veten klerik, shkrimtar, misionar, por sidomos malësor.

Por, a mund të argumentohet kështu qëndrimi i Gjergj Fishtës ndaj zgjidhjes gjuhësore të Komisisë? Sigurisht jo. Po ta pranonim një qëndrim të tillë, si do të shpjegohej që aq artistikisht flasin shqip Homeri, Virgjili, Horaci, Epi i Gilgameshit, Shekspiri e deri veprat letrare më të reja të gjuhëve botërore, ndërsa dihet se mospranimi i elbasanishtes nga ana e tij nuk rrok vetëm “Lahutën”, por edhe shkrimet e tjera letrare, si edhe ato publicistike?

Prirja që edhe vetë prestigji i koinesë veriore të zgjeronte kufijtë jashtë viseve malore, duke fituar rëndësi shoqërore në territor sa më të gjerë, është më se e dukshme. Kjo shihet qartë edhe në përpjekjet e ndërgjegjshme të Gjergj Fishtës, si në veprën letrare, ashtu edhe në veprimtarinë shoqërore, që t’i sigurojë asaj vijimësinë e këtij prestigji a të kësaj rëndësie shoqërore. Ai do të glorifikojë shpesh gjuhën e pararendësve të tij, të Pjetër Budit, të Pjetër Bogdanit e të shkrimtarëve të tjerë të traditës letrare veriore. Për veprën e Pjetër Bogdanit “Çeta e Profetvet” ai thotë: “Në kët veper të ma të madhit shkrimtarit t’onë të bindë jo vetëm naltsija e argumentit e hapsija e dijes e e njoftimevet të tija, po edhe pastrija e gjuhës, hijeshija e thanjevet, përshtasija e fjalvet, ritmi e ndërtimi estetik i periudhave, në mëndyrë qi vepra, posë se dijenike, ashtë edhe letrare në kuptim të vërtetë të fjalës.” (13) Kjo ndoshta mund të shpjegojë dhe të arsyetojë “jodisiplinën gjuhësore” në krijimtarinë e tij letrare ndaj standardit të pranuar në Komisinë Letrare. Po si ta shpjegojmë këtë “jodisiplinë” në shkrimet e tij publicistike?

Mospajtimi i Gjergj Fishtës me zgjedhjen e Komisisë Letrare, me gjithë pajtimin në parim dhe pjesëmarrjen e tij në hartimin dhe miratimin e rregullave drejtshkrimore, siç e provojnë procesverbalet e mbledhjeve të Komisisë, mund të shpjegohet me pakënaqësinë e tij për zgjedhjen e bazës gjuhësore, në të vërtetë atë të së folmes së Elbasanit. “Pajtimi” i tij, si duket, solli vetëm pranimin verbal. Pakënaqësinë e tij për këtë zgjedhje ai e shprehu disa herë dhe në raste të ndryshme. Në shkrimin me titull “Gjuha kombtare” ai shkruan: “Tue lanë m’anesh arsyet psikologjike, kulturale, morale, etnike etj., mbas mendimit t’onë njana nder arsye ma të para të ktij fenomeni të pakëndshëm asht: ndryshimi i pikpamjevet të shqyptarvet mbi caktimin e njanit a tjetrit dialekt për gjuhë letrare në Shqypni. Ndokush intelektualsh kompetenta shqyptarë e shum do funkcjonarë, kompetencet mjaft relative, të dyshimtë, e jo të gjith e gjithmonë per interesa gjuhsije a estetike … paraqiten, edhe mendimi i tyne u pëlqye, qi per “gjuhë letrare” t’u zgjidhte jo ndonji nder dialekte të Shqypnis qi mund të kisht ndo’i leteratyrë të veten, por një gjuhë qi të ngallitte prej shkrimit njani m’tjetrin të djalektevet gegë e toskë, nen emnin bizantin “Gjuhë e Elbasanit”; punë kjo, të thuesh, krejt e pamundshme per kerrçik t’onë.”(14)

Gjergj Fishta e ka ditur mirëfilli se asnjë krijim i gjuhëve letrare kombëtare, kurrkund dhe kurrë, nuk mund të bëhet pa marrëveshje dhe pranim të epërsive, pa “flijime”. Për shqiptarët, asokohe, zgjedhja e elbasanishtes si gjuhë e përbashkët e shkrimit ishte zgjedhje fatlume, duke pasur parasysh se paraqiste brezin gjuhësor që lidhte të dy kryedialektet dhe, rrjedhimisht, ishte lehtësisht më i pranueshëm e praktikisht më i zbatueshëm. Edhe para mbajtjes së Komisisë Letrare të Shkodrës, gjithnjë duke pasur parasysh konvergjencën gjuhësore dhe pozitën qendrore gjeografike, elbasanishtja është parë si zgjidhja më e mirë për të ardhmen e përbashkët gjuhësore të shqiptarëve. Edhe Hani, albanologu i shquar gjerman, vite më parë kishte sjellë përfundimin se “gjuha shqipe e përbashkët duhet kërkuar në qendër të Shqipërisë së Mesme, atje ku s’mund të bëhet një ndarje e prerë mes gegërishtes e toskërishtes e ku elementet e dy dialekteve afrohen e përzihen.”(15) Përcaktimi i të folmeve skajore të cilitdo dialekt si bazë të gjuhës letrare për gjithë shqiptarët do të kishte gjasa fare të pakta për t’u pranuar në cilëndo kohë, sidomos jo pa pjesëmarrjen aktive të shtetit, i cili do të përcaktonte, pos të tjerash, edhe politikën gjuhësore që do të rrokte sidomos zbatimin e saj. Gjergj Fishta këto i ka ditur mirë, por, si duket, i shtyrë nga motive jashtëgjuhësore nuk e ka pranuar zgjidhjen e Komisisë Letrare të Shkodrës.

Bashkimin gjuhësor të shqiptarëve ai e mendonte më shumë si prirje vetërregulluese brendagjuhësore: “T’a ngulin mirë në mend inteligjenca jonë se njinija e gjuhës asht fryt i nji mundi të padam, ndoshta i shum breznive… Të punojmë t’i apim ma të madhin zhvillim dialekteve, kur të merrijme me pasë nji numër të mjaftueshëm veprash klasike, ka me folë puna vet.”(16) – thekson Fishta, duke përcaktuar më qartë qëndrimin e vet lidhur me krijimin e gjuhës së përbashkët letrare.

Pavarësisht prej qëndrimit ndaj vendimit të Komisisë për elbasanishten si bazë të gjuhës së përbashkët për shqiptarët, pavarësisht pse e gjithë letërsia e publicistika e krijuar prej tij ka përcaktues gjuhësor gegërishten veriperëndimore, herë më të ngushtë e herë më të gjerë, pavarësisht mosgatishmërisë për “sakrificë” e për “lëshime pe”, Fishta ka provuar se është ndër veprimtarët dhe krijuesit e mëdhenj artistikë. Edhe duke mos u ndarë nga e folmja e vet krahinore, ka zgjeruar ndërgjegjshëm bazën dialektore të gegërishtes veriperëndimore, duke i dhënë asaj pamje më asnjanëse e kjo do të thotë më pak shkodranishte e më shumë gegërishte veriore.

Përpjekja që gjuhët popullore të ngrihen në shkallën e gjuhëve letrare ka qenë e pranishme në shumë gjuhë dhe kjo ka krijuar për shumë dekada probleme të natyrave të ndryshme. Baza e papërcaktuar mirë ka qenë arsyeja e lëkundjeve, e jonjëjtësisë dhe e joparimësisë, sidomos në rrafshin e drejtshkrimit. Vështirësi të ndryshme janë shfaqur edhe në procesin e ndarjes së gjuhës letrare nga shtresat dialektore, përkatësisht gjatë konsolidimit, pavarësimit dhe zhvillimit të saj sipas rregullsive të reja të përcaktuara. Edhe në gjuhën e Fishtës, edhe pse thjesht dialektore, madje shpesh krahinore, dalin mjaft probleme në fushën e drejtshkrimit. Ndryshe si mund të shpjegohen joparimësitë e shumta drejtshkrimore në veprën e tij letrare dhe publicistike.

Rruga e formimit të gjuhës letrare shqipe ka kaluar nëpër vështirësi të shumta. Jeronim de Rada, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë shembulli më i spikatur i përpjekjeve që gjuha letrare të ketë për themel ligjërimin popullor. Përpjekjet e tyre dhe të shumë lëvruesve të shqipes do të paraprijnë dhe do të përgatisin truallin për mbajtjen e Komisisë Letrare të Shkodrës, ndërkaq kjo Komisi bëri përpjekjen, deri atëherë më serioze, për krijimin e një gjuhe të përbashkët kombëtare, duke e çuar më tej procesin e konvergjencës gjuhësore të shqipes dhe duke i hapur rrugë një vargu ngjarjesh me rëndësi ndër to edhe Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, që solli përfundimisht më 1972 njësimin gjuhësor të shqiptarëve, në të vërtetë ngjarjen më të rëndësishme për shqiptarët në shekullin XX.

F U S N O T A T:

1. Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, MÇM, Tiranë 1996, f.79.

2. Gjergj Fishta,”Estetikë dhe kritikë”, Tiranë 1999, f.95. Përgatitur nga Persida Asllani.

3. Protokoli i KLSH-së është botuar i plotë në monografinë e Tomor Osmanit “Komisia Letrare shqipe në Shkodër (1916-1918)”, Shkodër 2004.

4. Tomor Osmani, po aty, Protokoli, f. 176.

5. Cituar sipas Nuri Gokaj, “Pikëpamje të Gjergj Fishtës për gjuhën letrare shqipe”, “Studime Shqiptare” 6, Universiteti i Shkodrës, Shkodër 1997, f.85.

6. Tomor Osmani, po aty, Protokoli, f.177.

7. Tomor Osmani, po aty, Protokoli, f.177.

8. Gjergj Fishta, “Estetikë dhe kritikë”, f. 95.

9. Gjergj Fishta, Mbi “gjuhë letrare të shtetit”, “Hylli i dritës”, 1930, f. 12.

10. Gjergj Fishta, “Estetikë dhe kritikë”, Tiranë 1999, f. 99.

11. Agnia Desnickaja, “Çështja e koinesë së Veriut në kuadrin e përgjithshëm të historisë së gjuhës shqipe”, “Gjurmime albanologjike”, VIII, IA, Prishtinë 1978, f. 101-102.

12 Agnia Desnickaja, po aty, f. 106.

13. Gjergj Fishta, “Nji atentat shurdhë”, “Hylli i dritës”, 12, 1930.

14. Gjergj Fishta, “Estetikë dhe kritikë”, f. 99.

15. Cituar sipas Artan Haxhi – Tefë Topalli, “Histori e gjuhës së shkruar shqipe”, Shkodër 1999, f. 182.

16. Cituar sipas Nuri Gokaj, “Pikëpamje të Gjergj Fishtës për gjuhën letrare shqipe, në “At Gjergj Fishta”, Studime 6, Shkodër, 1996, f. 85.

*(Shkëputur nga monografia dyvëllimshe “Gjergj Fishta- Gjuha dhe stili I, IA, Prishtinë, 2012, f. 77-87)

Filed Under: Opinion

Kur drejtësia ndërkombëtare humbet kontekstin

October 22, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Gjykimi special në Hagës i Hashim Thaçit dhe drejtuesve të tjerë politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është jo vetëm një sfidë juridike, por edhe një betejë për narrativën morale të Luftës së Kosovës. Ai ngre pikëpyetje thelbësore mbi mënyrën se si drejtësia ndërkombëtare po e zbaton parimin e “përgjegjësisë së komandës”. Ky parim lindi në Nurenberg kundër nazistëve, në një kontekst krejt të ndryshëm historik dhe etik.

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjyqet e Nurenbergut vendosën një standard të ri gjykimi. Komandantët nuk mund të justifikohen me faktin që thjesht “zbatuan ligjin” apo me padijen për krimet e vartësve të tyre. Ata mbajnë përgjegjësi, nëse e dinin ose duhej që ta dinin se krimet po kryheshin, dhe nuk morën masa për t’i parandaluar. Ky parim u vendos në themelet e së drejtës penale ndërkombëtare. Ai u përfshi në statutet e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, për Ruandën dhe në Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Por aplikimi i këtij standardi kërkon një element thelbësor. Ai kërkon një strukturë komandimi të qartë dhe efektive. Disiplinë dhe përgjegjësi shtetërore. Pikërisht këtu qëndron dilema në rastin Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi.

Ekziston një dallim thelbësor mes këtij kazusi dhe atyre të Nurenbergut apo Millosheviçit. Komandantët nazist e serb, kishin një aparat shtetëror represiv të mirë organizuar. UÇK ishte një ushtri pa shtet. UÇK nuk ishte një forcë e armatosur klasike. UÇK ishte pa një strukturë të qartë hierarkike, pa një zinxhir formal komande të dokumentuar.

UÇK-ja u farkëtua në kudhrën e flakëve të luftës për liri. Ajo u ngjiz në kulmin e gjenocidit serb, me qëllimin fisnik për të mbrojtur popullatën civile shqiptare, nga masakrimi i pamëshirshëm i aparatit shtetëror serb. Ajo ishte një lëvizje guerile që veproi në kushtet e një pushtimi ushtarak. Struktura e saj ishte e fragmentuar dhe komunikimi ishte i vështirë. Prandaj, përgjegjësia e Thaçit si “komandant politik” është më shumë e natyrës simbolike sesa juridikisht e dokumentuar.

Ndërkohë, prokuroria speciale në Hagë po e trajton sikur ai të kishte pasur kontroll të plotë shtetëror. Ndërsa në realitet, UÇK ishte një organizëm luftarak i decentralizuar. Autoriteti ishte i shpërndarë dhe kishte shumë zona autonome.

Në këto rrethana, është e vështirë që të provohet se Thaçi ka pasur kontroll efektiv mbi çdo akt apo veprim individual luftarak. Dhe pikërisht ky është standardi që e dallon drejtësinë penale nga përgjegjësia morale. Drejtësi nuk do të thotë barazi artificiale përpara ligjit.

Drejtësia përpiqet që të mos bëjë dallime mes fitimtarëve dhe humbësve. Por në rastin e Kosovës, ky neutralitet është bërë asimetrik. Serbia është një agresore, tashmë e mirë provuar. Por, krimet e saj mizore kundër civilëve, janë ndëshkuar me dënime selektive. Serbia akoma nuk ka kërkuar zyrtarisht falje për masakrat e saj në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Pavarësisht, se ishin ata që rikthyen në mes të Europës, krimet dhe masakrat naziste.

Ndërsa, pala që u ngrit për lirinë gjendet sot në bankën e të akuzuarve. Ky është një barazim moral i rrezikshëm. Kjo është një përpjekje për të rishkruar historinë, duke vendosur shenjën e barazisë midis agresorit dhe viktimës.

Procesi ndaj udhëheqësve të UÇK-së, duket më tepër si një përpjekje për të ruajtur simetrinë formale të drejtësisë, sesa për të zbatuar parimet e saj të vërteta. Ligji është mjeti dhe drejtësia ideali. Ky ideal duhet që ti bashkojë njerëzit, jo ti përçajë. Kosova dhe i gjithë rajoni ka sot nevojë për unitet, jo ndasi. Drejtësia pa kontekst humbet kuptimin. Drejtësia është një ideal në mbrojtje të njerëzimit, jo një instrument qetësimi tensionesh të diplomacisë rajonale.

Në realitet, ky gjykim është një gurë prove për vetë parimet mbi të cilat është ngritur dhe funksionon drejtësia penale ndërkombëtare. Gjykata po zbaton një standard të përgjegjësisë penale ndërkombëtare të aplikuar mbi aktorët shtetëror, mbi një lëvizje çlirimtare jo-shtetërore.

Ky fakt krijon një dilemë etiko-morale. A mund që të trajtohet një luftë çlirimtare me të njëjtat kritere si një regjim shtypës? A rrezikon ky proces moralin e luftës çlirimtare, duke vendosur në të njëjtin plan agresorin dhe viktimën? Ekziston një dallim thelbësor midis atyre që luftojnë për të nënshtruar dhe atyre që luftojnë për të çliruar. Atyre që luftojnë për liri dhe atyre që luftojnë për pushtim. Nuk mund të barazohet rebelizmi për lirinë me tiraninë e pushtuesit. Drejtësia ndërkombëtare nuk mundet dhe nuk duhet që të jetë moralisht e verbër.

Pyetja që shtrohet këtu natyrshëm është: A ka pasur drejtësi për krimet serbe Kosovë? A është vendosur drejtësi për ato qindra masakra mbi popullatën civile shqiptare, mbi fëmijët, gratë dhe pleqtë, për qindra varre masive, për mijëra civil të pafajshëm të vrarë, për qindra mijëra të shpërngulur, për mijëra civil të zhdukur dhe akoma pa një gur varri?

Ku është forca e drejtësisë ndërkombëtare këtu!? Për aq kohë sa kambanat e drejtësisë ndërkombëtare vazhdojnë që të kumbojnë, shpirti i atyre mijëra viktimave të pafajshme të gjenocidit serb nuk ka për të gjetur paqen e merituar. Ky është një gur i rëndë mbi ndërgjegjen e botës mbarë.

NATO ndërhyri në Kosovë për arsye humanitare. Ajo përkrahu UÇK-në, në luftën e saj të drejtë, duke shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja. NATO me ndërhyrjen e saj mbrojti parimin e humanizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pavarësisht arsyeve se pse, ky gjykim po vijon pas njëzetë e gjashtë viteve nga përfundimi i luftës, ne nuk duhet që të harrojmë se në Hagë nuk po gjykohen individualisht vetëm ish-krerët e UÇK-së. Aty po gjykohet një epokë, një ideal, një përpjekje kombëtare për liri. Aty po gjykohet një luftë çlirimtare që korrigjoi një padrejtësi historike. Nëse gjykata nuk arrin që ta dallojë këtë dimension të drejtësisë, ajo rrezikon që të përsërisë një gabim historik, duke barazuar rebelizmin me tiraninë.

Filed Under: Komente

20 vjetori i themelimit të Fondacionit “Dom Simon Filipaj” bashkoi 40 mijë usd për vendlindjen

October 22, 2025 by s p

Tom Shkreli*/

Në emrin e udhëheqësisë, në emrin e nevojtarëve tanë në vendlindje, në emrin e studentëve, në emrin tim po edhe jam i sigurtë që flas edhe në emrin tuaj, Ju dëshiroi secilit prej jush mireseardhëje, mire se u bashkuam edhe një herë me qëllim që të kujtojmë më nevojtarët tanë në vendlindje, poashtu të avancojmë kauzen e shejtë të Fondacionit. Vellazër e motra, sonte festojme 20 vjetorin e formimit të Fondacionit Dom Simon Filipaj e para organizatë në Diasporë me karakter humanitar, me të vërtetë një sukses i dukshem i juaji që asnjëherë nuk hezituat të merrni pjesë që të ndihmoni vëllezrit e motrat tona me nevojë në vendlindjen tonë. Shumë prej jush keni marrë pjesë në cdo darkë dhe aktivitet të Fondacionit pa mungesë dhe kam deshirë që të falenderoi disa pjesemarrës që nuk kursyen as kohen as mjetet e tyre për keto 20 vitet e fundit vetëm e vetëm që kjo organizatë të arrijë suksesin e duhur, duke ju falenderuar ju vellazër e motra suksesi i Fondacionit Dom Simon Filipaj eshte i dukeshem.

Njëherit dua të falenderoi udhëheqësit e Fondacionit: Shefki Sefen, Palë Çotaj, Isa Adaj, Zef Gjokaj dhe Nikollë Gazivoda, puna e ketyre burrave duhet të apluaudohet, une e kam pa për së afermi “koprracinë”-horrjatëdhekun e tyre, për cdo cent tuajin kurë ishte pyetja për shpërndarjen e fondeve, vetëm e vetëm që cdo lek të shkoi atje ku paraqitej nevoja më së shumti dhe mos të keqpërdoret asnjë cent i Juaji, por e kam pa prej së afërmi edhe zemërbardhësine e tyre për çfardo që paraqitej nevoja, une përulem përpara këtyre burrave dhe jam krenar që më sollën për të tretën herë e të punojmë së bashku për të miren e vendlindjes tonë e sidomos Ulqinit. Poashtu dua të falenderoi edhe dy kryetarët e më parëshem të Fondacionit për punën e tyre, zotri Nail llolla dhe Simon Nrekaj. Falenderime të vecanta meritojnë dy anetarë të udhëheqësisë të Fondacionit Dom Simon Filipaj që nuk jetojnë më, të ndjerët Gjon Zadrima dhe Fran Curaj, mungesën e tyre e niejmë edhe sot sepse ata të dy ishin një forcë jo vetëm financiare por edhe morale për të gjith neve e sidomos neve që u mundonim që cdo gjë ta bejem sa më mirë e sa më drejtë, ata pushofshin në paqë e Fondacioni ynë do i kujtoië me nderimet dhe rrespektet më të larta derisa të ekzistoi.

Gjatë ketyre 20 vitesh të gjith ju meritoni nderimet, falenderimet e mirënjohet tona që me kontributet dhe pjesemarrjen tuaj në aktivitetet e Fondacionit, secili prej jush është kontribuas i suksesit kaq të madh të Fondacionit Dom Simon Filipaj.

S’pari dua te falenderoi famullitarin e kishës tonë Zoja e Shkodrës, Don Pjeter Popaj për ndihmen dhe kontributin e tij, pa ndihmen e Don Pjetrit nuk e besoi që do kishim arritur suksesin qe kemi arritur gjatë këtyre viteve, falemnderit Don Pjeter, Krishti të rritët pushtetin.

Falenderimet tona meritojnë:

Ana Zagreda, asnjëhere nuk mungoi as ajo e as kontributi i saj por shumicën e kohës solli me vedin edhe kontribus të tjerë, falemdnerit Ana,

Cafo Boga, ka munguar nganjëherë por kontributi ti ka ardhë pa mungesë, bile nganjëherë dyfishonte kntributet vetëm e vetëm që të shofi Fondacionin të arrisë qëllimet e caktuara,

Luigj Shkreli, poashtu meriton mirnjohjen tonë edhe ky me contribute të majme e kemi pase pran vehtes çdohrë,

Valdet Çobaj, falenderohet dhe rrespektohet çdoherë për kontributet e tia ndaj Fondacionit,

Mark Gjonaj u gjetë pranë nesh gjatë kësajë periudhe të sukseshme poashtu meriton falenderimet e krejt komunitetit tone shqipëtar për punën që bënë për kombin tonë

Një ndër kontribuesit më të dadhuar dhe konstant që meriton falenderimet e veçanta është zotri Nikollë Junçaj,burrë e mësues i Malësisë, anëtarë i UÇK’s, njeri me vlera të lakmishme kombëtare, asnjëherë nuk ka munguar e sonte merr pjesë me të zgjedhuren e tij, mirë se na erdhe zonja Juncaj, prania e juaj na nderon, mburremi që kemi një njeri si bashkeshortin tuaj në praninë tonë, falemnderit,

Zef Gjokaj, përpara se me u formua Fondacioni Dom Simon Filipaj, punuam s’bashku të formojmë një organizatë me karakter humanitar dhe asnjëherë nuk u lodh por mbeti shembull se si punohet dhe si respektohet kombi, vendlindja dhe nevojtarët tanë, falemnderit Zef

Veçanarisht dua tefalenderoi grupin muzikorë Ceka që falas vite me rradhë na argetuan dhe ndihmuan që fondacioni të arrijë suksesin më të lartë, ata jo vetëm qe kontribuan falas me muzikë por Hajro Ceka dhe Vebi Spahiu çdo herë kanë dhanë edhe kontribut financiar, shum falemnderit dhe u këndoftë zemra

Mos të harroi zonjat e nderuara që na pregatiten ushqime të ndryshme dhe na e shtruan këtë sofër të madhe jubilare, falemnderit zonja.

Caktuam Fran Cotaj që t’na flasin për arritjet e Fondacionit Dom Simon Filipaj pra e kemi zgjedhë shpijak të Fondacionit, të na udhëheqi këtë darkë jubilare, Frani nuk u zgjodh vetëm ashtu rastsisht sa të plotësoi një vend dhe të bëjë një punë por u caktua si një ndër intelektualët e aktivistët tonë më të dadhuar jo vetëm i Fondacionit Dom Simon Filipaj por edhe për punën e mirë qe bëri ketu në organizimin e shum aktiviteteve pranë kishës tonë Zoja e Shkodrës me karakter jo vetëm kishtar por edhe kombëtar, Frani u caktua se ai ishte iniciator që në Shën Gjergj të ndërtohet shtëpia mortore (funerali) e në fund shpenzimet e mëdhaja i nxorri nga xhepi i vet dhe i vëllezërve të vrt, Frani u zgjodh se mori iniciativen që të zbukuroi edhe qendrën e Shën Gjergjit fshatit ku lindi dhe u rrit, u zgjodh edhe si perfaqesus i të gjith vëllezërve vet – djemëve të Shtjefen Gjergjit Çotaj nga fshati Shën Gjergj (Palës, Vjekos e Martinit) kontributet e këtyre vellazërve për Fondacionin tonë shkojnë në dhjetra mija dollarsh, pra Frani dhe vëllezrit e tij meritojnë nderimet e rrespektin më të lartë për punën e tyre. Shumica prej nesh jemi dëshmitareë të punës së mirë kombëtare dhe fetare të të nderuarit Fran Shtjefen Cotaj jo vetem per Fondacionin tonë por në shum e shum raste të tjera ashtu si e kerkonte nevoja. Falemnderit Fran. Paçi e dhashi çdoherë e hisja e juaj u shtoftë ashtu si është deshira e juaj.

Prej formimit të Fondacionit Dom Simon Filipaj e kemi praktikuar që të zgjedhim një folës nga komuniteti shqipëtar në Diasporë me merita kombetare, këti vit jubilar jemi munduar që të zgjedhim një person me të vërtetë që i plotëson të gjitha rubrikat e vlerave të një njeriu për kah intelekti dhe puna në cfardo lamije që kërkonte kombi dhe atedheu ynë. Zgjedhëm të nderuarin zotri Gjekë Gjonlekaj, që më shum se një gjysëm shekulli ia dedikoi çështjes tonë kombëtare. Gjeka është dadhuar për punën kombëtare qysh në rininë e tij, Gjeka ishte gazetar bile shum i aftë i Zërit të Amerikes, businessmen shum ë njohur ne Diasporën tonë, zëdhënës i UÇK’s gjatë luftës clirimtare të Kosovës kundër Serbisë armikut tonë shekullor, Gjeka u gjind ne cdo vend kur u vendos per fatin e kombit tonë, prej në Dejton Ohio deri në Rambuje të Francës, prej Washingtonit e deri në Hagë, prej në Prishtinë, Tiranë, Ulqin, Malësi e Çameri Shkup e Preshevë…, Gjeke Gjolekaj është një figurë e shquar kombëtare i nderuar nga presidenti ynë legjendarë Ibrahim Rugova, i rrespektuar dhe i vleresuar për shkrimet e tija nga shkrimtari ynë më i njohur Ismail Kadare, Gjekën e nderonin dhe e ndrojnë edhe sot luftarët e UÇK’s,fjalës së Gjekës ia vejnë veshin edhe krye ministrat tonë – për fat të keq kemi dy, do ishe më mirë të ishte vetëm një, nuk mund të gjindet asnjë të ashtuquajtur “liderë” shqipëtar që nuk ia ka ndëgjuar zërin dhe namin Gjekë Gjolekaj. Gjeka më së shumti flet më pendën e vet kuptohet e dirigjuar nga mendja e tij e mpreftë, prandaj dua të falenderoi Gjekën që gjeti kohe të marri pjesë në celebrimin e këti Fondacioni që mbanë emrin Dom Simon Filipaj shqipëruesit të parë të Biblës, edhe ai njeri i pendës.

*Fjala e mbajtur në ceremoninë e 20 vjetorit.

Filed Under: Komunitet

Mbretëresha Geraldinë, “Trëndafili i Bardhë” që rrezatoi dritë dhe dashuri

October 22, 2025 by s p

Albert Vataj/

Sot, më 22 tetor, përkujtojmë ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Geraldinë, një gruaje fisnike që u bë pjesë e historisë shqiptare jo vetëm si bashkëshorte e Mbretit Zog I, por si simbol i mirësisë, elegancës dhe përkushtimit ndaj njeriut. Një “Trëndafil i Bardhë”, siç e quajti populli, që rrezatoi butësi, dinjitet dhe dashuri në një kohë trazirash të mëdha.

Geraldina Apponyi de Nagyappony lindi më 6 gusht 1915 në Budapest, në një familje aristokratike hungareze, të njohur për traditat e saj kulturore dhe humane. E edukuar në frymën e humanizmit dhe të dashurisë për artin e jetën, ajo do të gjente në Shqipëri, vendin e vogël e krenar të Ballkanit, një mision jetësor dhe një dashuri të madhe – Mbretin Zog I.

Martesa e tyre më 27 prill 1938, në Tiranë, u përjetua si një ngjarje e jashtëzakonshme kombëtare. Veshur me elegancën që i buronte natyrshëm, ajo solli në oborrin mbretëror shqiptar frymën evropiane, kulturën dhe hijeshinë e një zonje të vërtetë. Vetëm një vit më pas, më 5 prill 1939, ajo lindi djalin e tyre të vetëm, Princin Leka I, simbol i vazhdimësisë së fronit mbretëror, në një kohë kur hije të zeza pushtimi po binin mbi Shqipërinë.

Pas pushtimit italian, Mbretëresha Geraldinë dhe familja mbretërore u detyruan të largoheshin nga atdheu. Mërgimi i gjatë i çoi në Egjipt, Francë e deri në Afrikën e Jugut, por në asnjë moment ajo nuk e humbi lidhjen shpirtërore me Shqipërinë, që e quante “vendin tim të dytë dhe të zemrës”. Ajo do të kthehej në atdhe vetëm në fund të jetës, në vitin 2002, për të prekur sërish tokën shqiptare, ku edhe mbylli sytë përgjithmonë, më 22 tetor të atij viti.

Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Shqipëri si Mbretëreshë, Geraldina e bëri detyrë të zemrës kujdesin për të varfrit, të sëmurët, gratë dhe fëmijët. Ajo ishte një prani e përulur dhe aktive në spitalet, azilet dhe jetimoret e kryeqytetit, ku ndihma e saj nuk ishte vetëm simbolike, por thellësisht praktike e njerëzore. Vizitat e saj ishin “vizita pune”, ku Mbretëresha donte të kuptonte realitetin e vërtetë të popullit që kishte zgjedhur ta quante të vetin.

Falë iniciativës dhe përkushtimit të saj, u ngrit dhe u vu në funksion Spitali Ushtarak i Tiranës, për të cilin ajo solli mjekë dhe pajisje nga Austria. Po ashtu, nën kujdesin e saj u hap materniteti i parë shqiptar dhe u gjallërua veprimtaria e Kryqit të Kuq Shqiptar, duke e bërë atë një institucion funksional dhe me ndikim në ndihmën humanitare. Me mbështetjen e saj nisi edhe transmetimi i parë radiofonik në Radio Tirana, një hap i rëndësishëm në emancipimin e jetës publike shqiptare.

Mbretëresha Geraldinë besonte se emancipimi i shoqërisë shqiptare duhej të niste nga gruaja dhe nga fshati. Ajo u përpoq të frymëzonte gratë shqiptare për arsimim, pjesëmarrje shoqërore dhe dinjitet, duke parë në to themelin e një kombi të qytetëruar. Brenda pallatit, ajo mbeti një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e përmbajtur, e vetëdijshme se roli i saj kishte më shumë të bënte me shërbimin sesa me pushtetin.

Figura e Mbretëreshës Geraldinë mbetet një nga më të ndritshmet në historinë e monarkisë shqiptare – një grua që e jetoi mbretërinë e saj si mision shpirtëror dhe që la pas një kujtim të bardhë, si petalet e trëndafilit që mbante emrin e saj.

Në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, kujtojmë me mirënjohje dhe respekt Mbretëreshën e Shqiptarëve – fisniken që e deshi këtë vend me shpirtin e një nëne dhe me madhështinë e një mbretëreshe.

Filed Under: Emigracion

Breast Cancer Awareness Webinar – AMFE-USA Branch

October 22, 2025 by s p

Our AMFE-USA branch proudly hosted an inspiring and informative Breast Cancer Awareness Webinar.

Together, we explored crucial topics — including risk factors, screening tests, hormonal therapy, genetic testing, and the often-overlooked psychological and emotional barriers to getting screened.

A heartfelt thank you to Dr. Evia Nano and Renina Varfaj for their comprehensive presentations and their visionary ideas on how to raise awareness and bring real, community-based programs to the Albanian population in Kosovo and Albania.

We also extend our special thanks to Dr. Aurora Dollenberg, President of AMFE, and to the AMFE-USA Board — Dr. Zana Nikolla, chair and moderator of the event, vice chairs- Dr. Shpresa Xhakli, and Dr. Ermal Zatriqi — for their leadership and dedication in advancing health education and awareness within our community.

💗 Together, we educate, empower, and inspire change. 💗

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 270
  • 271
  • 272
  • 273
  • 274
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT