• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZBULIMI I VARRIT MASIV NË PËRMET…

July 17, 2021 by s p

ZBULIMI I VARRIT MASIV NË PËRMET – PËRGJEGJËSIA E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE DHE NDËRKOMBËTARE/

NGA FRANK SHKRELI/

Mediat shqiptare njoftuan pardje, zbulimin e një varri masiv të viktimave të komunizmit në Përmet. Zbulimi u bë aksidentalisht nga një firmë ndërtimi. Për një shumicë të mediave shqiptare, zbulimi i këtij varri masiv, u trajtua si diçka e re, si një “lajm”, sikur nuk e dinin deri tani se anë e mbanë Shqipërisë, ka varre masive të tilla nga periudha e komunizmit, të zbuluara dhe të pazbuluara. Varre të tilla masive viktimash të pafajshme të komunizmit ka gjithandej, të nderuar:  Buzë Dajtit, nën pallatet e larta në Tiranë dhe në qytete të tjera. Në brigjet e liqenjve due të lumenjve. Shkoni kërkoni brigjeve të Lumit Buna dhe Drinit në Veri të vendit, si dhe përgjatë kufirit, mund të shkelni mbi to kudo. Do “zbuloni” mjaft eshtra, megjithëse eshtrat e shumë viktimave të komunizmit, lumi Buna dhe Drini i kanë përcjellë në Adriatik due nuk gjënden më, përfshirë edhe eshtrat e At Gjergj Fishtës dhe të shumë anëtarëve të elitës antikomuniste, jo vetëm në Veri, por anembanë Shqipërisë.

Heshtja e medias, heshtja dhe mosveprimi i organeve qeveritare dhe shtetërore shqiptare, heshtja e përfaqësive diplomatike Perëndimore në Tiranë — në lidhje me varrezat masive të komunizmit në Shqipëri është e turpshme, moralisht dhe ligjërisht e pamundur për t’u mbrojtur, as në nivel kombëtar, as ndërkombëtar. Fatkeqësisht, duket sikur ekziston një marrëveshje e shëmtuar, e heshtur midis të gjitha këtyre palëve, për të mos i trazuar ujërat për krimet e komunizmit dhe për të mos u përballur seriozisht me të kaluarën komuniste në Shqipëri. E kam thënë shpeshherë, kjo heshtje është e turpshme due e pa moralshme, sidomos, për Perëndimorët në Tiranë, të cilët, ndryshe nga kjo klasë politike shqiptare e tre dekadave të kaluara, për çështje të tilla, diplomatët perëndimorë duhej të udhëhiqeshin nga vlera të tjera morale dhe drejtësie për çeshtje të tilla siç janë krimet e komunizmit në atë vend. 

Nuk mund të vendoset një drejtësi e re në Shqipëri pa u marrë me krimet e vjetra të komunizmit në Shqipëri dhe nuk mund të heshtë drejtësia e re,përfshirë SPAK-un ndaj përgjegjësisë dhe pandëshkueshmërisë për ato krime nga organet e sotme të drejtësisë shqiptare. Të gjithë Perëndimorët deklarohen shpesh se mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Vërtetë!? Si mund të konsiderohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE kur, si asnjë vend tjetër në Evropë, Shqipëria ka refuzuar për tre dekada tani për t’u përballur, seriozisht, me krimet e komunizmit? Flitet për vlera të përbashkëta me perëndimin, apo jo. Për të cilat vlera?

“Fatkeqësisht, duket sikur ekziston një marrëveshje e shëmtuar midis të gjitha këtyre palëve, për të heshtur për krimet e komunizmit dhe për të mos u përballur seriozisht me të kaluarën komuniste në Shqipëri”

“Heshtja e medias, heshtja dhe mosveprimi i organeve qeveritare dhe shtetërore shqiptare, heshtja e përfaqësive diplomatike Perëndimore në Tiranë, është e turpshme, moralisht dhe ligjërisht e pamundur për t’u mbrojtur”.

Thua nuk e di Ministria e Brendshme se ku gjenden varreza të tilla masive anembanë Shqipërisë? Prokuroria vendase duke marrë parasysh deklaratën e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë ku njoftoi, dy javë pasi ishin zbuluar varrezat, se ato mund të ishin të kohës së mesjetës.  A nuk mund të bashkrendojnë informacionin për këto varreza, Ministria e Mbrendshme, Ministria e Kulturës dhe Prokuroria për periudhën që i përkasin këto varreza. Duket se institucionet vendit kanë diçka për fshehur.  Pyetja që çdo shqiptar/e duhej të bëjë, pse nuk bëhet më shumë për të identifikuar varreza të tilla masive dhe për t’i mbrojtur si vende të shenjta, jo vetëm në Përmet por anë e mbanë Shqipërisë, me qëllim, mbi të gjitha, për të lehtësuar dhimbjet e familjeve të atyre viktimave të pafajshme të komunizmit, por edhe epër hir të së vërtetës historike? Unë e kam ndjekur deri diku veprimtarinë në Shqipëri të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Pse nuk pyet media se pse nuk zbatohet një marrëveshje për gjetjen e personave të zhdukur në komunizëm, midis këtij enti ndërkombëtar dhe qeverisë, shqiptare? 

Ja rekomandimet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur:

ICMP [ALBANIAN LANGUAGE] Raporti i ri i ICMP paraqet rekomandime për të përmirësuar përpjekjet e Shqipërisë për të dhënë llogari për personat e zhdukur nga periudha komuniste

Autori i shkrimit, Frank Shkreli ka botuar në gazetën “Telegraf” më, 2 qershor 2021, edhe shkrimin me titull “Të zhdukurit e periudhës komuniste në Shqipëri kërkojnë drejtësi!”, ku lexuesit tanë mund ta gjejnë në këtë

link  https://telegraf.al/politike/frank-shkreli-te-zhdukurit-e-periudhes-komuniste-ne-shqiperi-kerkojne-drejtesi/

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, I VARRIT MASIV, NË PËRMET, ZBULIMI

KUBA NË SHESH MBAS 27 VITESH: PROTESTA TREMB REGJIMIN

July 17, 2021 by s p

Mijra njerëz nga Santiago në Havana: “Bukë e vaksina. Poshtë diktatura”/

Nga SARA GANDOLFI,- Përktheu Eugjen Merlika, /

Që nga “maleconazzo” i 1994, kur mijra njerëz manifestuan gjatë Malecón të Havanës, njëri ndër anëdetet më të shquar të botës, që në Kubë nuk shihej një protestë e tillë. Por këtë herë ishin shumë më tepër. Protesta e nisur nga san Antonio de los Bonos, një vend 5 kilometra në jugë – perëndim të Havanës dhe zemra “kulturore” e ishullit, seli e Escuela Internacional de Cine y Tv, e dashur nga Gabriel Garcia Marquez, e që u shtri në Cadenas, në Havanë, në Metanzas e në njëzet lokalitete të tjera deri në “kryeqytetin kryengritës” të Jugut, Santiago i Kubës. Gra, burra e fëmijë që kërkonin “bukë, ilaçe e vaksina”, por që thërrisnin edhe “Poshtë diktatura”, “Liri”, “Atdhe dhe jetë”, titulli i një kënge të kundërshtarëve që tallet me “Atdhe dhe vdekje” të kujtesës fideliane. Mijra njerëz të thirrur në sheshe edhe nga twitter me hashtagun # Sos Cuba. Dhjetra, ndoshta qindra, të përfunduar në arrestime, simbas disa burimeve.

Si tridhjetë vite më parë, në të vërtetë shumë më keq se atëherë. Janë ndërprerjet e vazhdueshme të korrentit dhe një krizë ekonomike urie të vërtetë, si në kohët e “Periudhës së veçantë”, mbas shëmbjes së BRSS, por është dhe pandemia (7000 infeksione e 50 të vdekur çdo ditë) dhe social network ku të rinjtë derdhin zëmërimin e zhgënjimin. Nuk janë më Kastrot, baballarët e Revolución, që i kanë lënë fronin një presidenti  – inxhinjer bukurosh por shumë më pak karizmatik, i cili as nuk kishte lindur kur vëllezërit “mjekëroshë” rrëmbyen armët kundër diktaturës filo-amerikane të Fulgencio Batistës. Trashëgimtari Manuel-Diaz Canel ka dalë dy herë në televizion ndërmjet së djelës e ditës së djeshme. E para ishte një “thirrje nën armë” “revolucionarëve” të vërtetë, pothuajse  një thirrje për luftë civile, që ndoshta “mbulonte” zbatimin e përndjekjes së protestave, jashtëzakonisht mizore. E dyta ishte më e përmbajtur: ka pranuar”keqkuptime” e “pakënaqësi” në popull, pastaj me tonet e Luftës së ftohtë ka drejtuar gishtin kundër bllokadës së SHBA që, prej 60 vitesh e mban të shtrënguar në rrethim ishullin – të fuqizuar nga  masat e dëshiruara nga Trump-i e të pahequra nga Biden-i – “provokimet e mercensrëve të paguar nga jashtë”, “propaganda nëpërmjet internetit që manipulon kubanët”.

Me të thënë e me të bërë. Dje Kuba ishte e veçuar nga bota. Interneti nuk punonte në një pjesë të mirë të ishullit, i prerë nga presidenti që ka falënderuar botërisht “vëllain president” Nikolas Maduro, të serisë: kujtojuni se nuk jam i vetëm. Në fakt tek përndjekja e llahtarëshme e kundërshtimit në Venezuelë shkon mëndja, duke parë pamjet e filtruara nga Kuba të djelën në darkë. “Berretat e zeza” të korpusit të zgjedhur të Forcave të Armatosura Revolucionare që zbresin nga kamionçinat, policia që hap zjarr në rrugë, por edhe maqina të përmbysura nga disa manifestues dhe dyqane të bastisura.

Dje presisenti amerikan Joe Biden ka thënë se “SHBA qëndrojnë të lidhur fort me popullin kuban që shpalos hapur të drejtat e tij universale” dhe i ka kërkuar qeverisë kubane “të heqë dorë nga dhuna”. Asnjë shenjë për sanksionet që para-ardhësi i tij demokrat projektonte t’i hiqte dalngadalë. Kohë të tjera, të tjera tone edhe në Kubë. Nga një anë lëvizja San Isidro, një nga organizatat kundërshtare më vepruese, që deri në fund ka twittuar # “No tenemos Miedo” (nuk kemi frikë). Nga tjetra një president që imiton Fidelin: “Duhet të kalojnë mbi kufomat tona nëse duan të poshtërojnë revolucionin”. Në mes një popull i raskapitur.

“Corriere della Sera”, 13 korrik 2021     Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Featured Tagged With: - Përktheu Eugjen Merlika, SARA GANDOLFI

ÇFARË NDODH NË KABUL KA TË BËJË EDHE ME NEVE

July 17, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO-Perktheu per Diellin-Eugjen MERLIKA/

Kabuli si Saigoni? Më 1975, mbasi kishin dalë të mundur nga një luftë tepër e gjatë, amerikanët  ishin tërhequr. Regjimi komunist i Vietnamit të Veriut, mbasi theu qëndresën e dobët të vietnamitëve jugorë, zotëroi Saigonin, kryeqytetin e Jugut.

Pasojat e atij dështimi do të ishin shfaqur gjithandej. Pesë vitet pasuese do të shihnin Bashkimin Sovjetik në sulm shumë ballor nga Afrika n’Amerikën Latine, n’Evropë: kjo e fundit do të vihej nën trysni të sovjetikëve në rrafshin ushtarak (me vendosjen e raketave SS20 të drejtuara). Thyerja në Vietnam, duke lajmëruar botën se Amerika ishte atëherë më e dobët, do të kishte për Evropën edhe të tjera pasoja. Do t’i jepte më tepër fuqi ndjenjave kundëramerikane që, në kontinentin e vjetër ishin një trashëgimi e lëvizjeve studentore të fundit të viteve gjashtëdhjetë. Ishte epoka  në të cilën në Francë e veçanërisht n’Itali, partitë komuniste bëheshin më të forta nga ana zgjedhore. Në sajë të humbjes në Vietnam, së cilës i shtoheshin kriza ekonomike dhe skandali i Watergate-tit, Amerika dukej se ishte në një fazë rënieje të shpejtuar e të pakthyeshme. Për të lidhur atë të shkuar me të tashmen tonë kujtojmë dhe një tjetër thyerje përvëluese amerikane të atherëshme: revolucioni komeinist në Iran më 1979, i pasuar nga bëma poshtëruese e pengjeve të Ambasadës amerikane në Teheran.

Vetëm kur do të bëhej president Ronald Reagan më 1981, era do të ndërronte drejtim, Amerika do të rimerrte nismat, do të fillonte të kundërshtonte fuqishëm dredhitë e Bashkimit Sovjetik në fushat e ndryshme e më së fundi  do t’a thyente.

Sot rrethanat janë mjaft të ndryshme por duhet shumë sipërfaqësi për të besuar se nëse talebanët do të merrnin gjithë Afganistanin si vazhdim i tërheqjes amerikane, kjo do të kishte pasoja (sigurisht të tmerrshme, siç e dimë të gjithë) vetëm për afganët. T’a zemë se Afganistani nuk do të bëhet si shumë Shtete të dështuara, teatër i një përplasjeje, të paracaktuar të zgjasë me vite të tëra ndërmjet një shumësie tarafesh të financuara nga rusët, nga turqit, nga iranianët etj. t’a zemë se me të vërtetë talebanët arrijnë të bëhen përsëri zotër të gjithë Vendit. Do të zbulojmë se Kabuli është shumë më pranë nesh nga sa mendojmë. Sepse një fitore talebane n’Afganistan do të kishte jehona miratuese në të gjithë galaktikën e skajshmërisë islamike, do të elektrizonte të gjitha kokat e nxehta në qarkullim nga Indonezia në Tunizi, nga Afrika Subsahariane n’Evropë. Do të bëhej një instrumet i fuqishëm propagande dhe rekrutimesh për Al Qaedën, Shtetin islamik, dhe të gjithë grupet terroriste të birësuar, “prova” që  të pafetë mund të thyhen e të nënështrohen gjithkund. Biden-i dhe bashkëpuntorët e tij e kanë menduar këtë? Sigurisht që po, por për çastin sillen sikur ajo gjë nuk ka të bëjë me ta.

Sigurisht, ka të bëjë me ne evropianët, shumë më tepër të vënë në pah ndaj sfidës islamiste se amerikanët. Kërcënimet Italisë së këtyre ditëve (“do të marrim Romën”) për fat të keq nuk janë folklor apo një shaka vdekësore: ekstremizmi islamik ushqehet nga një ndërpretim i fesë së tij për të cilën “Roma kryqtare” dhe Italia domosdoshmërisht do të bëhen shpejt a vonë një territor i islamit. Por e gjithë Evropa është tokë pushtimi.

Kemi qënë shumë që morëm frymë thellë kur Trump-i u mund nga Biden-i. Presidenti i mëparshëm, me sulmet e tij kundrejt Evropës po e coptonte gjithshka që mbetej nga aleanca perëndimore. Kemi qënë shumë duke thënë: më së fundi, me Biden-in Amerika u kthye. Tani është koha të fillojmë të pyesim veten: ku po shkon saktësisht Amerika? 

Mbi të gjitha sa mund të mbështetemi ne evropianët mbi ndihmesën amerikane përballë kërcënimeve më të rënda për sigurinë tonë?

Përparësia amerikane, është mjaft e qartë, është shemëria me Kinën për parësinë ndërkombëtare. Kjo përsiat zhvendosjen e bariqendrës së pushtetit botëror nga Atllantiku në Paqësor. Biden-i, është e vërtetë se po përballet me Putinin, po i thotë qartë se amerikanët nuk do t’u lejojnë rusëve të tjera Krimera. Dhe është gati t’i përgjigjet çdo goditjeje nëse agresionet e vazhdueshme e tashmë shumë të rënda të hackerve rusë kundrejt institucioneve perëndimore (ndërmarrje, zyrat shtetërore, etj) nuk do të ndërpriten. Kjo është një gjë shumë e mirë për Evropën. Është e qartë edhe se Biden-i, i zotuar në një garë fuqije me Kinën, është i gatshëm të bisedojë për një marrëveshje me Putinin, nëse ky i fundit do të tregohej i arsyeshëm. Edhe kjo shkon mirë. Por ka një por. Në marrëveshjen e mundëshme a do të bëjë pjesë edhe pranimi nga ana amerikane i pozitave, tashmë të fituara, nga rusët në Libi e në përgjithësi në Mesdhe? Ky, natyrisht do t’ishte një lajm shumë i keq për ne evropianët.

Çfarë ka ndërmënd të bëjë Administrata amerikane për të kundërshtuar politikën neo – imperialiste të sulltanit Erdogan në Libi e në Vënde të tjera? Do të lejojë që Mesdheu të kthehet në një det ruso-turk? 

Së fundi, nëse, siç është e mundur, mbasi të ketë rënë Kabuli, skajshmëria islamike, që sot mjaft e fuqishme në Sahel e në vënde të tjera, do të fuqizohej akoma më shumë, administrata do t’a quante të mjaftueshme veprimin e kundërshtimit që ushtron sot në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme (me dronë, operacione të mbyllura etj)?

Kur të kemi pranuar se Evropa e vetme nuk ka forcat për të përballuar sfidat e ndryshme që hasen, pyetja bëhet: çfarë pushteti kontraktual do të kenë evropianët në vitet e ardhëshme, për të nxitur amerikanët t’i qëndrojnë besnikë deklaratave pak a shumë solemne, simbas të cilave kërcënimet kundrejt Evropës nuk janë vetëm një problem i yni, por edhe një problem i tyre?

Nga një anë është retorika, madje shumë e mirë, mbi nevojën e një të madhes “aleance të demokracive”, për të kundështuar autoritarizmat. Nga ana tjetër, veprimtaria politike e përditëshme e kryer nga zgjedhje e jo zgjedhje të vazhdueshme. Është një hall nëse këto dy përmasa të politikës largohen shumë prej njëra tjetrës.

“Corriere della Sera”, 13 korrik 2021    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Kabuli

Naimiada

July 16, 2021 by s p

Nga Namik Selmani – Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë, Boston.

E di që mbase mund të shihni kalimthi këtë si këshillë, lutje, përgjërim, kërkesë. Një zgjm nostalgjie, një lëçitje për patriotizëm që, për shumë njerëz, edhe nuk përmendet më në fjalorin e përditshmërisë. Ose më saktë, vështirë se testohet në njerëz të ndryshëm, të veçantë. Të gjitha mund t’i ketë ky shkrim. Mbase asnjë. Po mund të mbetej vetëm te radhitja e disa argumentavë, thënë me gjuhën e metaforës, të digresionit letrar, apo edhe të mbushur me një frymë optimizmi, mbase më shumë se duhet për kohën që jetojmë e që mjaft njerëz shqiptarë, me apo pa statusin e emigrantit modern, nuk do ta pranonin krejtësisht si frymë sociale, kombëtare, pak romantike, pak didaktike, pak realiste. Do të ishte më se i mbrothësishëm një lloj bashkëpunimi me ju, apo me ata që do ta vijnë në këtë tokë apo do ta hapin një ditë në dyert e rëndë të kurbetit me disa motive jetësore për të ekzistuar sot e kah mot kjo NAIMIADË, nëse do ta formoja një fjalë z të re me atë që na dha që na frymoi në breza i madhi dhe i thjeshti Naim Frashëri. Jemi pak të qetë se emrin e tij tashmë e kemi vënë në mure shkollash, në dëftesa nxënësish, në çmimet letrare të përvitshme në zona të caktuara duke u nisur që nga Përmeti, nga Frashëri me emrin e tij, në këngë popullore e të muzikës popullore, të lehtë e modern, në piktura e skulptura, në teqet e xhamitë, në medaljonë ..Në kartmonedhat ku vihet ajka e një kombi. Mos harroni se kartmonedha njëdollarëshe në Amerikë ka fytyrën e Xhorxh Uashingtonit që amerikanët e quajnë “Babai i kombit amerikan” pa harruar që edhe kryeqyteti i këtij shteti-kontinent, është pikërisht ai me emrin e tij Në Muzeume lokalë e kombëtare ia kemi caktuar vetrina të veçanta bashkë me Abdylin e Samiun. Ia kemi vënë jo rrallë emrin e tij djemve, po jo më pak dhe vajzave në Shqipëri e në Kosovë. Ka shumë Naimë e Naime në trevat tona. E me të ka dhe një ringjallje të veçantë emri i tij. Kemi medituar para shpatës së Skënderbeur ardhur nga Vjena e valseve duke mërmëritur vargjet e poemës “Histori e Skënderbeut” E kemi njësuar në heshtje pak veten me Kamanin e kohëve moderne që nuk i duhet më një shpatë, po një penë, një libër, një punë më të mirë mbrothësie. Mbase historinanëve të letërsisë botërore do iu kujtohet një detaj që dua ta ndaj me një lexues mbarëshqiptar. Biografët e Balzakut romancier e novelist, një filozof në kufirin e fundit të gjenialitetit kujtojnë se në tavolinën e punës së tij, ai kishte vënë një portret të Napoelon Bonopartit me një mbishkrim të tijin. Vetëm të tijin. Askush nuk mund që ta bënte këtë veç Balzakut. Ose më saktë, askush nuk mund ta realizonte atë në jetë. “Atë që arriti Napoeloni ne pushkë e beteja, unë do ta arrij me penë”-pat shkruar Balzaku fjalëoqean. Edhe pse i këndojmë sa e sa këngë malli, ai është më shumë se një bri modern për kohët që jetojmë e që vijnë. Jo nga ato që ftojnë të luftosh qoftë dhe me topat grykëgjatë. Në një botë kaq të madhe e kaq të vogël, këshillat janë pak të tepërta për njerëz që, duke patur lirinë e shprehjes, mendojnë se liria dhe e vërteta është me ta, dhe vetëm me ta. Po nuk bëj mëkat që t’u them se kur është një përvjetor i ndarjes nga jeta i poetit tonë kombëtar Naim Frashëri apo i lindjes së tij pranverore, të jetë porta e një kujtese të re. 120 vite pa të. 120 vite me të e kurdoherë me të do të jemi. Me frymën e palcën e shqiptarizmit që ai e kishte ditënetëve. Mund të mburremi se kemi parë dhe kemi bërë sa e sa fotografi e video duke patur pas krahëve Luvrin, Milanon, Spanjën e toreaodorëve, Akropolin e Athinës, Koloseun e Romës, Bostonin e muzeumeve, Manhatanin e Njy jorkut, Niagarën e Kanadasë, zonjat japoneze, Murin e Madh Kinez, e pasataj nxitojmë t’i hedhim në instragam, në facebook. Ose të bëjmë albumin tënd vetjak. Po ama, si shqiptar duhet që njëherë në jetë ta shohim, ta prekim të frymojmë në Frashër mes atyre maleve me pisha, ahe, në Frashër. Ku arrat dhe ftonjtë erëmirë janë më të rrallët në Shqipëri. Bash si detyrimet që kanë besimtarët e feve respektive.

Aty do të shohin atë djep të shqiptarizmit të rilindjes e, nëse bëjmë një pyetje retorike. “Si do të ishte bota shqiptare, mësuesit, shkollarët pa të? Si do ishte pa atë shprehje monumentale të kryepoetit “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë!” E pata atë rast të lumtur në majin e vitit 1996. 150 vjet kur kisha fituar Çmimin e parë kombëtar në poezi me rastin e këtij përvjetori. Dhe ishte në rastësi e mrekullueshme që vajza poeteshë gjimnaziste ishte mbesë në Leusë dhe kjo më dha mundësinë që të isha brenda kristalimit të ujit të ftohtë të Leusësqë sikur ishte ndërtuar mbi një burim uji si përrallë. Atëherë, por dhe sot nuk dua të kujtoj asnëherë vdekjen e poetit, se ai firmosi vetë pavdekësinë. Metaforikisht ai ka një lindje pranverore më 25 maj dhe një ndarje nga jeta në një stinë vjeshtore 20 tetor. E pra, duhet të jesh cazë më shumë naimjanë nëse e nis nga Frashëri. Atje ku ai mori nga pas emrin Naim Bej. Nuk kishte lidhje me jetën e Stambollit të zhurmshëm që do ta mësonte, po edhe do ta ligështonte nga shëndeti, nga malli. E që një ditë atje në një lagje të Stambollit do t’i merrte dhe eshtrat e tij të drobitura, por jo shpirtin që fluturonte e sërish fluturon në qiellin e shqiptarisë, Naim Frashëri ose Naim Beu do rrinte këtu 15 vite. Derri në moshën 15 vjeç djalë ai Në Teqenë e Frashërit do të mësonte gjuhë të tilla si arabisht, turqisht osmanisht dhe persisht. Vetëm dispilna e rreptë mund të ishte një nga çelsat e fitores së kësaj kulture që po merrte atje mes maleve të Dangëllisë, Më tej te Zosimeja buzë Gjolit të Janinës, ai do mësonte greqishten e Lashtë dhe e Re, frëngjishten dhe italishten.

2.

Më thoni ju që keni qëndruar në vendlindjes tuaj qoftë në një atmosferë urbane, qoftë dhe në majën më të lartë të Shqipërisë, apo në një fshat që nuk njihet shumë në një zone sa mbresa merr njeriu më vete në 15-16 vite jetë! Ditët e fëmijërisë dhe rinisë janë “Akademia” e parë e moshës njerëzore. Të hap portën në pjekurinë e moshës. Ah, biografët e poetit! Të tregojnë për shkollën, po nuk tregon se si bridhte livadheve, si ftohej në kroje, si jetonte me mistikën e Teqes së Frashërllinjve e të atyre që futeshin në të. dhe me çfarë pasioni mësonte shkronjat e para të gjuhës. Edhe kur dëgjonte rrëfimin e shehelerëve, mësuesve të tij të parë atje, në Frashërin mes maleve, ku kryqëzohen rrugë e mbarë Jugut e lartë se maja e Tomorit, të cilit do i kushtonte vargjet e tij si himn i vërtetë, ai e kuptonte se një majë e re po i shfaqej para tij. Mbase aty do të ketë provuar dhe fytyrskuqjen djaloshare. Uji i freskët i gurave do e rriste para kohe. Xha Haliti babai dhe “Mësuesi” i të mëdhenjve” ishte më i lumturi dhe më bekimtari. Djemtë e tij nuk kishin në shtëpi poltronet, pianot, pikturat kopshet me lule ekzotike. muret e zbukuruara të shtëpive të Evropës që shpesh bënin garë salltanetesh. Po kishin kostumet kombëtare, kishin odat ku vinin e shkonin sa e sa burra mëmëdhetarë. Kishin isopolifoninë që do të bë hej shumë kohë më vonë pasuri e UNESCOS.

… Kur vihemi në tribuma në auditorë në klasat e shkollave të mesme e spjegojmë madhështinë e Rilindjes evropiane e sidomos atë italiane, themi shprehjen që i vuri vulën kohës “Rilindja kishte nevojë për titanë dhe lindi titanë: Po me plot gojë e themi këtë dhe për rilindasit tanë Frashërllinj. Ata nuk vinin nga sallat e mëdha me shandanë, me kolltukë të rëndë e me perde të gjata, nuk vinin nga kalatë me labirinte shpesh misteriozë, me telajo e afreske. Nuk vinin nga salla me shandanë apo nga dysheme me mermer të zgjedhur. Dhe Naimi ishte aty. Aty ku dhe ne duhet ta ndjejmë frymën e tij dhe të bëheni cazë më shumë naimjanë. Kur ka zbritur tatëpjetën e maleve duke kaluar han më han për të shkuar në Janinë, nuk e dinte se si do shkonte jeta. Edhe kur kalonte në korridorët e “Zosimeas” një lloj Universiteti për kohën, por edhe për sot. Atë status që do ta merrte disa dekada më vonë Normalja e Elbasanit për djemtë e vajzat e kombit. Mori një diplomë nga “Zosimeja”. Kaq, Nuk shkoi më shumë . Po me dhjetra, me qindra shqiptarë që kanë marrë diploma në Shqipëri e në Botë në këto 120 vite nuk maten dot me madheshtinë që ai na la pas. Ashtu si do ishte dhe Migjeni. Në sytë e djaloshit Naim Beu lodronin valët e liqenit, zgjoheshin kujtimet e Ali Pashë Tepelenës dhe përvijohej pak nga pak Skënderbeu. Ishte një testament poetik që vetëm dy vite para vdekjes do ta hidhte në vargje poeme. Ai do të ecte dhe garonte në jetë vetëm me atë Diplomë shkollore me atë formim kulturor, me të cilën do bënte poezitë, poemat, do të bënte përkthehet në gjuhën greke. Do të bëhej i dobishëm në atë karvan patriotësh, për të cilat kishim kaq shumë nevojë atëherë. Jo më pak dhe sot. A nuk duhet të bëhemi cazë më shumë naimjanë kur mendojmë që pjesën më të madhe të nxënësve duan ta kalojmë me kopje? Dhe karvani që do e dërgonte në Stambollin me zhurmë do e kthente shumë herë pas. Një pjesë të madhe ai mori statusin e mërgimtarit. Ai që e ka provuar bukën e mërgimit e di mirë, fort mirë se sa test është ai për veten për jetën e mbijetesën. Ai gjoskkollituri sfiduesi, ëndërrimtari, mëmëdhetari , gjuhëtari, përkthyesi. Për të shëruar sadopak mushkëritë që po i dëmtoheshin, Naimi mund të zgjidhte ca vende të bukura në Zvicër me veti shëruese. Mund të shkonte edhe në Evropë, se duhet thënë se edhe atje ka vende të bukura e të përshtatshme, po ai zgjodhi sërish malet e Frashërit, zgjodhi Beratin dhe Sarandën. Në atë pak kohë ai u takua këtu me Konstandin Kristoforidhin, “Babain e Gjuhës Shqipe” dhe Hasan Tahsinin që më vonë do të bëhej mësuesi i Sami Frashërit dhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit . U njoh edhe me Babë Dudë Karbunarën Mësues i Popullit” dhe punuan për ngritjen e shkolave shqipe. Dhe nuk kishte mbushur as 40 vite jetë, edhe se kolla e tuberkulozi po e shqetësonte. Atje po filozofonin atë që e thonë mësuesit më të nderuar të kombit tonë të dashuruar me gjuhën. Mjafton thirrja e tij që të na skuqë fytyrën e të na shtojë obligimin.

Vëllëzër shqipëtarë,

Të prekim urtësinë!

Të zëmë udhë e mbarë!

Të ndritim Shqipërinë!

A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë??? Në vitin 1901, shumë kohë para se të bëhej Kongresi i Manastirit, për të vendosur një Alfabet për gjuhën shqipe, kur ende ne si komb as në Shqipëri e as në Kosovë, nuk kishim hapur shkollën tonë të mesme, i mirënjohuri patriot, publicist, filiz i shëndetshëm i shqiptarizmës dhe i Frashërllinjve, Mithat Frashëri, i njohur me pseudonimin Lumo Skendo, shkruante një shkrim homazh për xhaxhain e tij, Naim Frashëri. Edhe pse Shqipëria kishte shumë probleme që lidheshin me lirinë e munguar, me çetat kundër pushtuesit, me mëvehtësinë, Mithat Frashëri merr në analizë një tipar shumë të qënësishëm të Naim Frashërit që edhe sot pas më se 10o vjetësh, nuk po përsëritet masivisht në radhën e intelektualëve shqiptarë, pse jo edhe në radhën e mësuesve që e kanë në “statusin “ e tyre këtë tipar., këtë detyrim. Ky shkrim po të ishte botuar në kohën tonë, do të kishte bërë një të papritur të këndëshme, nga ato që “peshkojnë“ çdo ditë kryeredaktorët e gazetave të shumta metropolitane në Tiranë e Prishtinë dhe ato të televizioneve shqipfolëse. Bëhet fjalë për një “PUSHTIM” të padrejtë që kishte që në atë kohë leksiku i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja . “Në të shkruarë, Naimi bën qilizmë gjuhënë tënë dhe shkruan thjesht shqip, pa përzjerë fjalët e huaja”- shkruan ndër të tjera Mithat Frashëri. Shihni se ku e dërgoi fjalën e gjuhëshqipes i palodhuri Naim Frashëri! Edhe pse kollitej fort, në rrugicat e Beratit e në shkallaret e Sarandës, nuk harronte që të shkruante tregime për këndonjësit e Mësonjtoreve të para shqipe. Më thoni atë që është fare e thjeshtë! Kush ia jepte këtë urdhër poetit? Kush e paguante? Askush. Puna e tij mjaft e zakonshme që bënte nuk i mjaftonte besoj as për ditët që jetonte. Por, ah, nuk mund të themi askush. Ishte një zë i fortë që vinte që nga deti i shqiptarizmës. E tani më kujtohen ato fletore që iu zverdheshin fletët që në ditët e para të hapjes që në ballë të tyre kishin atë fjalë-këshillë “ Punë, punë, natë e ditë që të shohim pakz dritë! Puna e shqiptarit përherë ishte si një lloj dhimbje e pashkruar. Analfabetimi në mes të Evropës, më tej komunizimi që nuk e paguante si duhet atë, 30 vitet e fundit që e kanë “vrarë ” në mënyrën e vet, na duket se ringjallim sërish atë këshillë naimjane të Mësuesit të Brezave. Shihni se si e himinzon ose më saktë çamërishten! Kush mund t’i jepte më parë e më vonë atë vlerësim meritor se sa ai shenjtërim i fjalës çamërishte tek i drejtohet dallandyshes së mallit “Eni vjen pej Çamërie, me atë gluhë perëndie?”. Naimi krijoi një Naimiadë dhe nuk duam që ta krahasojmë me meteorin, një epitet shumë i konsumuar. Madje as me shqiponjën. Se ai ishte biri ynë, biri i tokës sonë që e deshi si mund ta donte aid he vetëm ai. Këtë fjalë ua japim atyre që vijnë shpejt e ikin shpejt. Doemos do e donim më jetëgjatë Naimin. Se një “Naim” tjetër si De Rada në Shën Dhimitër Korone vdiq 93 vjeÇ duke u mësuar shqip djemve arbëreshë. Edhe pse jetonte varfërinë më të madhe pa folur për djemtë e vdekur njëri pas tjetrit. Mbase te Naimi ishte një lloj rizgjimi i vetvetes sonë, në një kohë kur e donim kaq shumë. Titanët e Rilindjes e të mbarë Evropës, i dhanë vrull artit të Shkronjës, të Tingullit, të Penelit, të Daltës, e që më vonë do të kalonte edhe oqeanin për të shkuar në SHBA për të përtërirë forcat e idetë e atij shteti shumëkombësh që do të bëhej fuqi e vërtetë. Naim Frashëri i kishte shumë më tepër se kaq, këtë frymë rilindjeje për kombin e tij. Shumë. Kishte shenjtërimin e shpërndarjen e shkronjëshqipes. Kishte punëdashjen dhe tokëdashjen. Kishte sakrificën e një qiriri që ende digjet para syve tanë që, për fat të keq jo gjithmonë ia shohim dritën e shpirtit të tij. A nuk e përdorim masivisht në botë qiririn si dritë shenjtërie? Ndaj dhe Naimi kërkon ta shenjtërojë dobinë e secilit për atë që duhet të bëjë për tokën e të parëve, pavarësisht se ku banon, ku jeton e ku vdes. Përtej Naimiadës, të gdhendur në dhjetra rrugë të Shqipërisë, Iliridës, Kosovës, përtej emrave të shkollave, të rrugëve, të institucioneve me emrin e tij, përtej këngëve, pikturave, monumenteve, poezive, poemave, spektakleve, recitimeve le të kujtojmë pak vargjet Çajupianë

Vdiq Naimi! Vdekje e shkretë,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë!

Mos i vdektë nami kurrë!

Mendjelarti, zemërtrimi, si do të thoshte Çajupi nuk na la jo thjesht një nam, po një model më vete, nje fenomen të madhërishëm, na la një naimiadë. Përherë do të kemi brenda vetes atë rreznajë të syrit të tij xixëllues dhe aq sqimatar apo edhe atë mjekrrën e bukur me hire duke kujtuar se ai i përkste racës më të bukur të shqiptarizmës. A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë? Sërish, qoftë edhe duke qenë më shumë pajtimtarë me veten pa droje, pa u lodhur të bëhemi më në fund Plaku i vërtetë i Mollëve për brezat e ardhshëm?

Filed Under: LETERSI Tagged With: Letersi, Naimiada, namik Selmani

DRITA E PASHUAR E DY MËSUESVE – POETË TË LIRISË

July 16, 2021 by s p

Nga Agim Xh. Dëshnica

Ju udhëtarë, teksa shkoni rrugës për Librazhd, ndaluni pak pranë përmendores. së trishtuar të poetëve, Gencit e Vilsonit! Hidhni lule e kujtoni me nderim pasardhësit e denjë të mësuesve atdhetarë, demokratët e lirisë! Si çdo ditë në mëngjes herët, edhe më 17 korrik 1977, gra e vajza me drapër në dorë, ndërsa zbrisnin për në arat e kooperativës së Bërzeshtës mbi Librazhd, s’kishin dëgjuar në  mesnatë britma e krisma armësh,  as dinin se buzë përroit në hijen e malit të Zgarës, ishin pushkatuar dy mësuesit e rinj, Genc Leka e Vilson Blloshmi!

Kur ringjallen në poezi e kujtime të dy poetët e pafat, shpaloset maleve  hijeshia e blertë dhe e zymtë e pyjeve të Librazhdit, dëgjohet jehona e dhimbëshme e vargjeve të trishtuar, e këngëve të lashta si vaje të Bërzeshtës, isot e kabatë në vallen e vdekjes me dridhma shtatesh të Rrajcës, në livadhet e përzhitura nga vapa e korrikut. Në rrjedhat e kohës nga brezi në brez, kujtesa mbart ngjarje me pamje reshë me ngjyresa, krejt ndryshe nga e vërteta e hidhur. Historia e viteve, para e pas luftës, flet sesi komisarët e vetëquajtur çlirimtarë, me yll të kuq në ballë, tjetërsuan dhunshëm jetën në qytet e fshat, rrëmbyen tokat e bukës, pronat, shtëpitë, hotelet e dyqanet, teatrot e kinematë; rrënuan e mbyllën xhami, kisha e teqe. Vrasjet e burgosjet, e njerëzve të kulturës vijuan, edhe në kohë paqeje. Nga shtati i masakruar i poetit Dom Lazër Shantoja, pas sharrimit mizor të gjymtyrëve, u pushkatua çfarë kishte mbetur gjallë. Më pas vijoi pushkatimi i poetëve Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, i muzikantit të ri Gramoz Omari. Nëpër burgje, humbën jetën nga torturat poetët e shkrimtarët Vinçenc Prennushi, Bernardin Palaj, romancieri i parë shqiptar Ndoc Nikaj, dramaturgu klasik Et’hem Haxhiademi e shumë të tjerë. Aso kohe Lidhja e shkrimtarëve, botonte poemat “Enverit” “Me ty Stalin!”, “Strategu i fitoreve –Stalini”, etj. Pas pushkatimit pa gjyq të 21 burrave fisnikë dhe dijetares Sabiha Kasimati pranë Urës së Beshirit, një turmë e zhurmëshme, u mblodh para Legatës Sovjetike duke brohoritur për Stalinin, Enverin e Bashkimin Sovjetik. Kur sistemi komunist po shembej u var ë litar poeti  i lirisë Havzi Nelaj,

Një përfytyrim i rrejshëm rreket të tregojë, edhe sot, sikur në atë sistem të çoroditur, gjithçka shkonte vaj. Veçse në orë të caktuara ditën, madje, edhe natën qytetarët mbanin radhë për bukë, kos e me raste për një pulë të therur, të heshtur e të përulur para shitësit në dyqanet e shtetit. Një filozof gjerman shkruan se edhe populli gabon, madje është fajtor, meriton qeverinë që mban mbi shpinë. Shtetëzim, burgim e pushkatim – fjalë tmerri. Vendim për shembje ndërtesash monumentale – çmenduri  sekretarësh  në komitetet e partisë në qendër e në rrethe. Për të ndalur sadopak dorën e tyre rrënimtare, studiuesit më në zë botonin hera – herë shkrime për formimin e kombit  shqiptar, për kulturën, vlerat etnografike e nd֝ërtimore. E megjithatë zjarri i luftës kundër feve, kanuneve e zakoneve të trashëguar brez pas brezi, mbahej i ndezur nga poetët e shkrimtarët real – socalistë, të cilët ngrinin lavde për një të krisur me emrin Enver. Ndërkohë, hetuesit e sigurimit me porosi të partisë për mbulimin e dështimeve në ekonomi, sajonin grupe armiqsh e sabotatorësh.

Në vitet 70, kur ekonomia e përqëndruar po  tronditej në themel, partia vendosi përsëri të vriste njerëz. Ndaj si ujku në përgjim priste rastin të kapte gjahun e parë. Nisi me poetët, shkrimtarët dhe artistët e lirisë në burgje, kampe pune, e miniera.  Në vitin e zi 1977, u dënuan në kundërshtim me ligjet, dy poetët e panjohur, me fat tragjik, Genc Leka 32 vjeç e Vilson Blloshmi 29 vjeç, për vargjet, ëndërrimet e  shpresat e tyre djaloshare. Këta poetë të mohuar, e të pambrojtur nga askush, u rrezikuan jo vetëm nga dëshmitarët e rremë, por edhe nga ekspertët e letërsisë, për realizimin e skenarit vrastar me “grupin e sabotatorëve” në Kooperativën e Bërzheshtës. Skenari fillonte me një mushkë të mbytur, diku në punë e sipër. Në vijim u sajuan akuzat:  “zjarrvënës e vjedhës”. Sipas partisë e sigurimit ato “akte  sabotimi synonin rrëzimin e pushetit popullor!!”

Për dënimin e tyre, u hartua një plan i gjerë masash nga Komiteti i Partisë së Librazhdit me urdhër të sekretarit të parë, muratorit Sotir Koçollari, bashkë me gjykatën, prokurorinë, drejtorinë e policisë etj. Me detyra të veçanta  u ngarkua kryehetuesi Selim Caka me një lukuni hetuesish,  pa shkollën përkatëse, të cilët me anën e torturave shtazarake, u përpoqën t’i detyronin të pandehurit, të pranonin “fajet, krimet dhe veprimtarinë armiqësore.” Pengesë e pakalueshme, për ata, që morën përsipër detyrën e caktuar nga sekretari i parë i Komiteti të Partisë, ishte vetëm një, Vilsoni i paharruar që mbante emrin e nderuar të presidentit shpëtimtar amerikan. Hetuesit – xhelatë, me britma e sharje, ua përplasnin kokën në mur, i qëllonin  egërsisht  me çdo mjet ku të mundnin. Vilsonit ia thyhen krahun, por ai qëndroi i patundur, shkëmb – vigan. Të tjerët, gjatë torturave të padurueshme, u lëkundën, pranuan disa nga fajet e paqena. Në akuzën e sajuar u renditën  shpifje nga më të ndryshmet: “krim e sabotim  në bujqësi, axhitasion e propagandë.” Të gjitha bashkë morën pamjen e një litari të përgjakur nga historia tragjike e fisit të blloshmëve me zanafillë nga lufta vëllavrasëse e vitit 1944, zgjatimi hakmarrës në kohë paqeje, shpallja “kulak”, një nofkë e ngjashme me emrin skllav e së fundi, caktimi i “grupit të tetë sabotatorëve.” Në përfundim u dënuan me pushkatim dy më të rinjtë, Genci e Vilsoni, “kryetarë e udhëheqës grupi.” “Fajet  e krimet” e tyre më të rënda, ishin krijimi i poezive dhe përkthimet  nga Volteri, Viktor Hygo, Edgar Po, Alfred De Myse, Bodler, Rembo, Shatobrian, etj. A ka ligj në botë për vrasje  poetësh, të cilët krijojnë poezi e kënaqen vetë me to? Dokumente për dënimin e tyre ishin ditaret, fletoret e shënimeve dhe letërkëmbimi me të afërmit e dashur, ku poetët shkruanin poezitë, shprehnin mendimet  për letërsinë, artin e kulturën.

Ndryshe janë zhvilluar ngjarjet në kohën e Monarkisë së përfolur, me Migjenin mësues në shkollat e shtetit, kur poeti i trishimit, botonte lirshëm poezi e shkrime kritike, si “Hidhet e përdridhet” (me nënkuptime kundër Mbretit.), “Poema e Mjerimit”, “Molla e Ndalueme,” “Legjenda e Misrit,“ “Bukën tonë falna, Zot!”, ndërsa poetët mësues,  Gencin e Vilsonin, i vranë për krijime të pabotuara!

Në fillimet e demokracisë, njerëz të politikës e të kulturës, u munduan më kot të shfajsoheshin me frikën e diktaturës, heshtën  për librat e botuar dikur, por për çudi, as sot nuk po e marrin veten, përpiqen të harrohet gjithçka nga e kaluara me shprehje të tilla “se ashtu ishin ligjet në monizëm.” Ndërkohë të tjerët për pak desh u fshinë nga kujtesa e kombit. Gjithsesi, ndihen të qetë në ndërgjegje, ndaj shkruajnë  për të vërtetat e asaj kohe të mallkuar, kur ndalohej mendimi ndryshe, kur vriteshin poetët e lirisë për vargje kushtuar natyrës e dashurisë njerëzore.

Siç ndodh zakonisht me poetët në moshë të re, me anën e poezive, të pashoqe ata, shprehnin gjendjen shpirtërore ndaj fatit të mbrapsht, për humbjen e të drejtave njerëzore, për  mendimin e heshtur kundër padrejtësive, për refuzimin e së drejtës per studime të larta, për largimin nga mësusia e për dërgimin në miniera e bujqësi, punëtorë në pyje e në ushtri. Ajo lojë hetuesish ishte në kundërshtim të hapët me të dhënat e ekspertizës  ekonomike e nenet juridike. Megjithatë, tërë ato fakte pafajësije, u fshinë me këmbëngulje nga sekretari i parë, i cili kryente verbërisht detyrat e caktuara nga lart, sipas parimit komunist: “Të vrasim njerëz për të mbajtur pushtetin!” Kjo detyrë u plotësua edhe me ndihmën e njerëzve të kulturës nga Tirana, madje, edhe me gradën profesor. Faktet janë kokëfortë, nuk merren me nderime ndaj askujt, qofshin edhe profesorë, të cilët nuk bënë asgjë për të shpëtuar poetët me arsyetimin e fuqishëm, se poezitë, as ishin botuar as qenë shpërndarë dorazi. Njëri nga të mençurit e kohës, shkrimtar i njohur,me romanin Mërgata e Qyqeve,  gjykon: “Vilsoni ka thënë se që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të studiosh dhe në gjuhë të huaj, ndaj ka bërë përkthime nga autorë dekadentë, si: Lamartin, Shatobrian, Rembo, Bodler etj. Ka nxjerrë shënime me përmbajtje reaksionare si “s’ka gjë më të bukur se ajo që nuk shërben për asgjë”, ka nxjerrë citime nga Gorki “nuk ka njeri më egoist se i sëmuri”, ose nga Naim Frashëri “mos u bëj mjaltë se të hanë mizat”– citime që i shërbejnë ideologjisë së tij”. Gazetarja Çuli me krijimet e Gencit, tejkaloi detyrat e ekspertit, duke qëmtuar me hamendje edhe vargje kushtuar paqes e dashurisë, si armiqësore.  Bara më e rëndë ra mbi mësuesin e poetin K. Petriti, me poezinë e Vilsonit  “Saharaja”. Sado, u orvat me disa trajtime, me po ose me jo, të errëta apo të paqarta, nuk mundi t’ia dilte mbanë  edhe për shkak të hetuesve të egër, të cilët me klithma, kërcënonin këdo, se për idealin komunist mund të hidhnin në erë malet dhe vetë Shqipërinë.

 Vetëm ndonjë nga profesorët, duke kryer detyrën e letrarit bashkëkohor, shqyrtoi poezitë intime e përkthimet e bukura të poetëve dhe poshtëroi  veten me fyerjet ndaj poetëve të mëdhej europianë.  Pra, disa  prej letrarëve lehtësuan punën e hetuesve dhe rënduan më tej gjendjen për shpëtimin e Gencit e Vilsonit.

Dokumenti i vendimit të jashtëligjshëm, me vdekje, u miratua nga kryetari i Gjykatës së lartë, Aranit Çela dhe Kolegji i Apelit, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e pranoi lutjen për faljen e jetës. I fundit, ministri i brendshëm, urdhëroi me shkrim policinë e Librazhdit për ekzekutimin larg qytetit. Qarkullon edhe një dëshmi nga një i pranishëm në atë pushkatim barbar. Në moshë të thyer,  rrëfen me dhimbje për çastet e fundit të jetës së dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Para pushkatimit, kryehetuesi kriminel, iu qas buzëgas Vilsonit. Mesa kuptohej, edhe në ato çaste, pas torturave ç’njerzore, ai kërkoi poshtërimin e Vilsonit, bashkëpunimin me organet e sigurimit. Kundërshtimi këmbëngulës i poetit të lirisë, qe i menjëhershëm. Pas pak u dha komanda, ”zjarr!” Gjithçka mbaroi. Krismat nga hija e malit të Zgarës u përzihen me zhurmën e rrjedhës së Shkumbinit e jehonën e maleve, ku poetët të pandarë ndrijnë si yje lart në qiell, ndërsa vepra e tyre e bukur jeton në mendjen e zemrat e rinisë demokratike. 

Kur diktatori i pashpirt u zhduk nga kjo botë, dëgjohej gaz-hidhët në festivale kënga e vdekur “Lule për xhaxhin Enver” “bilbila me lule mbi qeleshe…” e  kënduar  plot gëzim nga pasardhesit, ndër ta, edhe besniku i Partisë social –komuniste, Taulant Balla, bashkëpunëtori i Ed Ramës.

Nxënësit në shkolla, kudo në Shqipëri, presin të kthehen mësuesit e vërtetë, t’u mësojnë, si krijohen poezitë e lirisë. Tashmë poetët, Genci e Vilsoni,  ligjërisht janë jo vetëm të pafajshëm e Martirë të Demokracisë, dhe Nderi i Librazhdit, por edhe  Nderi  i Kombit. Në vitin  2007  u botua libri “Genci dhe Vilsoni”  ndërsa më 2009 poeti e shkrimtari Sadik Bejko përgatiti dhe botoi  vëllimin, Vepra  në dy vëllime të  Vilsonit, të pasuruar me poezi e prozë  origjinle e përkthime, dokumente, letra e foto.

Pra, diktatura gjakatare na  i vrau-dy poetët e rinj, megjithatë   ata  jetojnë ndër krijimet e tyre  në liri.

Dy nga  poezitë e dënuara të Gencit:

Kujtimi yt

“Kujtimi yt më hodhi këtë natë

Në thellësinë e brengave pa fund…

( Ah! ëndërr e kaltër,  këputur për mes)

Dhe nis mendimi  rrugën më të gjatë.

Shtegun e blertë, kur nuk e gjen gjëkund,

Vezulluar  prapa mbrëmjes e çdo mëngjes!”

Poezia e fundit

“O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar

Mos vallë për mua po mban zi?”

…

Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?

Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar

Dhe pse sot po shkruaj  të fundmen poezi.

Nga dosja e Vilsonit:   

Në dosjen e Vilsonit u gjetën  shënime  me shqipe të pasur, arsyetime të thella, ligjërime prej shkrimtari me vlerë për ata që studiojnë gjuhën e letërsinë shqipe:

“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Mesa duket, kjo lidhej me të kaluarën biografike jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët, kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk po më jepej. Në ato rrethana kam shkruar poezinë:

“Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur;

Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë, pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.”

Jam thyer para dëshirës sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve, me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.

Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditëshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore. Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret.

Ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit, jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Çfarë kam bërë!? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditëshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Gjithmonë vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur? Rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoja mbrëmjen me mëngjesin…”

Pra, në dëshpërim e sipër poeti përfytyronte veten në një botë të ngjashme me Saharanë:

Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe  me natën  s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Shkretëtirës shket e shkrep…
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë…”

Nga Viktor Hygo:

Ekstazë

Një natë plot me yje, pranë dallgëve isha vetë.

As dhe një re në qiell, as dhe një vel mbi det.

Më larg nga bota jonë vështrimi zhytej thellë.

Dhe pyjet mbarë, dhe malet, natyra pa mbarim

Sikur po pyesnin ngjanin, me të turbullt murmurimë

Dallgët e detit, zjarret edhe qiell.

Edhe të lartë yje, legjiona me mijë

Me zë kumbues e të qartë në mijëra harmoni   

Thoshin, duke përkulur  atë kurorë të zjarrtë.

Dhe dallgët blu  q’asnjë s’mund t’i drejtojë, t’i ndalë,

Thoshin duke mbështjellë shkumën mbi shkulm e valë:

Ky është Zoti, Zoti i lartë!

* * *

Në kujtim e peng nderimi, shkruesi i këtyre radhëve të trishtuara, u ka kushtuar poezinë “Dy yje mbi hijen e malit.”

Dy yje mbi hijen e malit

Në hijen e malit, në përvëlim korriku,

shkretëtira bijtë e nënave mbuloi,

bylbylat  e pyjeve, poetët e freskisë rinore,

poetët e bukur të qiellit, guximtarët e lirisë.

Me klithma  e flakë vrastare

në terr mizor,

shkretëtira e tërbuar mori hak,

kundër ajrit, kundër lirisë,

kundër dritës,

kundër ëndrrave, kundër këngëve.

Heshtja e thellë sundoi

veç një çast!

Jehona  e dhimbjes së malit

fluturoi gjithkund!

S’është aq lehtë të vrasësh poetët

në hijen e malit,

s’është aq  lehtë  të vrasësh poetët,

të ndalësh rrjedhat e mendimit,

të shuash shpirtin, të fikësh ditën.

S’është aq lehtë të vrasësh  poetët,

krimin ta fshehësh nën dhé!…

Nga zemra e tyre,

këngët e gjakosura, thirrjet për liri,

me flatrat e shqipes,

kryengritëse u ngritën lart,

murlanin e fjetur zgjuan,

zemërimin ndaj tiranisë.

U rrafshuan dunat e sfilitjes,

në shkretëtirë  zhegu  u fashit,

pluhuri gri  u tret.

U tund piramida në themel,

muret e ngujimit ranë.

Fryma e kohës i shkundi retë ujëplota,

u zbut dheu, ngriti kryet bari i njomë,

plasën gonxhet, shpërthyen lulet,

mbi blerim e hijeshi.

Frymë e kohës me psherëtimë,

tymin shpërndan nga hija e malit,

gjurmë krimi, njolla gjaku zbulon.

Në oborre shkollash,

vështrojnë ndër lot malin e trishtuar,

rrëzimin e gjetheve në vjeshtë.

Pse vonojnë mësuesit,

pse s’po vijnë poetët,

Genci e Vilsoni!?

Shkumbini shkumëzon,

dredhon ndër  gurë  e kthesa,

zëra valësh zhurmërojnë,

kërkohen poetët.

Oshëtima nga hija e malit

çohet  në qiell.

Dilni e shihni,

mbi  rrethin e hënës

vezullues dy yje  të qetë,

dy yje të bukur,

dy yjet e ndritur të zgjimit!

Filed Under: Featured, LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, Genc Leka& Vilson Blloshmi, Persekutimi komunist

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2759
  • 2760
  • 2761
  • 2762
  • 2763
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Historia e Postës Shqiptare, ura e komunikimit mes shqiptarëve
  • Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit Mbretëror të Skënderbeut
  • E vërteta do të vazhdojë të flasë…
  • Luigji Pirandelo njihte gjuhën shqipe, a ishte arbëresh?
  • KRONIKA E KOHËS SË REVOLTËS…
  • A BIG DAY FOR KOSOVA IN THE U.S. CONGRESS
  • “Helmimet në Kosovë 1990-1992”
  • Rikornizimi i Luftës së Trojës: Një luftë e harruar civile pellazge
  • Shqipëria e çudisë letrare…
  • Kursit i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, si kontribut atdhetar në mërgatën shqiptare të Greqisë
  • Sounds of Albania…
  • Fuqia e vërtetë…
  • Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës
  • Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN, PRINCIN E MIRDITËS, MBI DORËZIMIN E SHKODRËS DHE FATIN E ARDHSHËM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT