• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UÇK-ja në Tiranë: Simbol i Bashkimit Kombëtar dhe Solidaritetit Ndërkombëtar

October 18, 2025 by s p

Nga Tirana: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Tirana u bë epiqendra e një tubimi historik që shprehu mbështetjen e pakushtëzuar për ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procese gjyqësore ndërkombëtare në Hagë. Ngjarja nuk ishte thjesht një akt politik apo qytetar, por një manifestim i fuqishëm i solidaritetit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përfaqësuar një mesazh të qartë për drejtësi, moral dhe respekt për sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë.

1. Bashkimi politik dhe shoqëror mbi çdo dallim

Tubimi grumbulloi personalitete të shquara nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora: ministra, deputetë, ish-diplomatë, drejtues partie, akademikë, opinionistë dhe qytetarë aktivë. Ata vendosën mënjanë dallimet politike dhe ideologjike për të dëshmuar se mbështetja për UÇK-në është një kauzë kombëtare e pakontestueshme.

Pjesëmarrës aktiv ishin shqiptarët nga diaspora, veçanërisht ata nga Evropa, Amerika dhe vendet e tjera të botës, si dhe përfaqësues nga viset tjera shqiptare që ruajnë lidhje të forta historike, kulturore dhe politike me kombin. Ky bashkim i gjerë demonstron qartë se mbështetja për UÇK-në nuk është e kufizuar vetëm brenda hapësirës shqiptare, por përfaqëson një ndjenjë dhe përgjegjësi të përbashkët kombëtare, që bashkon të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.

Flamujt, pankartat dhe simbolika e UÇK-së ishin të pranishme në çdo cep të tubimit, duke krijuar një vizion të përbashkët krenarie dhe përgjegjësie kombëtare, ku politika, qytetarët lokalë dhe diaspora u bashkuan në një unitet të jashtëzakonshëm.

2. Dimensioni historik dhe moral i UÇK-së

Folësit rikujtuan me emocion betejat dhe sakrificat e jashtëzakonshme të luftëtarëve të UÇK-së, duke theksuar se drejtësia nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit historik dhe njerëzor. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte vetëm një forcë ushtarake që luftoi për lirinë, por u bë simbol i idealit të lirisë, dinjitetit dhe unitetit kombëtar.

Ky dimension moral përforcon mesazhin kryesor: liria dhe dinjiteti kombëtar kanë peshë më të madhe se çdo akt juridik i izoluar, dhe çdo gjykim ndërkombëtar duhet të kuptojë rëndësinë e sakrificës së popullit shqiptar.

3. Mesazhi ndërkombëtar dhe diplomatik

Manifestimi shërbeu si një apel diplomatik i fuqishëm: ish-eprorët e UÇK-së nuk janë thjesht individë në një proces gjyqësor; ata përfaqësojnë një kapitull të shenjtë të historisë së një kombi që luftoi për lirinë dhe dinjitetin e vet.

Tirana u bë një platformë simbolike ndërkombëtare, ku liderët politikë, qytetarët lokalë dhe përfaqësuesit e diasporës bashkuan forcat për të dërguar një mesazh të qartë: çdo proces drejtësie duhet të marrë parasysh dimensionin historik dhe moral të sakrificës kombëtare. Ky apel është i drejtuar te institucionet ndërkombëtare, diplomatë dhe partnerë strategjikë, për të njohur dhe respektuar trashëgiminë historike të popullit shqiptar dhe për të garantuar një drejtësi të plotë, të balancuar dhe legjitime.

4. Rëndësia politike dhe shoqërore

Tubimi i 16 tetorit nuk ishte vetëm një akt mbështetjeje për ish-luftëtarët, por një paralajmërim i qartë politik dhe diplomatik: mbështetja për veteranët e lirisë është një kauzë kombëtare që nuk mund të politizohet apo injorohet. Në një rajon ku tensionet politike shpesh janë të larta, ngjarje të tilla tregojnë fuqinë e unitetit kombëtar dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike si bazë për konsolidimin e shtetit dhe stabilitetin rajonal.

Bashkimi i qytetarëve nga trojet shqiptare, viset tjera dhe diaspora nënvizon se mbështetja për UÇK-në është një kauzë globale e shqiptarëve dhe një vlerë morale dhe politike që duhet të respektohet nga të gjithë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

5. Atmosfera emocionale dhe simbolika

Tubimi ishte i mbushur me emocione të thella dhe simbolikë të fuqishme. Mijëra qytetarë, veteranë dhe përfaqësues nga diaspora shprehën krenarinë dhe respektin për kontributin e ish-eprorëve të UÇK-së. Folësit ndanë kujtime dramatike nga lufta, duke rikujtuar momentet vendimtare që shënuan rrugëtimin drejt lirisë së Kosovës.

Ky nuk ishte vetëm një tubim politik – ishte një akt afirmimi i kujtesës historike dhe krenisë kombëtare, ku pjesëmarrësit nga të gjitha trojet dhe diaspora treguan se identiteti kombëtar shqiptar nuk njeh kufij.

6. Mesazhi kombëtar dhe ndërkombëtar

Më 16 Tetor 2025, UÇK-ja u ngrit si simbol i bashkimit kombëtar dhe përkushtimit ndaj drejtësisë historike. Manifestimi dërgon një mesazh të qartë: shqiptarët, brenda dhe jashtë atdheut, nga viset tjera shqiptare dhe diaspora, mbeten të bashkuar dhe krenarë për kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në lirinë dhe dinjitetin e kombit.

Në nivel ndërkombëtar, ngjarja konfirmon se drejtësia nuk mund të perceptohet jashtë kontekstit të sakrificës historike dhe identitetit kombëtar. Çdo aktor ndërkombëtar duhet të njohë dhe respektojë këtë trashëgimi, për të garantuar një drejtësi të plotë, të balancuar dhe legjitime. Tirana u shndërrua sot në një qendër simbolike të mesazhit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke treguar se uniteti dhe solidariteti shqiptar, brenda vendit, në viset tjera dhe në diasporë, janë jo vetëm vlera morale, por edhe faktor politik dhe diplomatik i pashkëputur nga e tashmja dhe e ardhmja e rajonit.

Filed Under: Opinion

Kujtojmë një nga figurat e ndritura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

October 18, 2025 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Gjerasim Qiriazi ishte një nga figurat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai u përkushtua gjatë jetës së tij përhapjes së gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar. Lindi më 18 tetor 1858 në një familje patriote, kolonjare të vendosur në fshatin Tërnovë të Manastirit.

Pas studimeve teologjike në Samokov (Bullgari), ai u angazhua si pastor dhe misionar, duke përhapur literaturë fetare në shqip. Nga viti 1883 deri më 1887, zhvilloi veprimtari arsimore e fetare në Korçë, Selanik dhe Manastir. Për nevojat e shkollave shqipe shkroi dhe përktheu poezi në gjuhën shqipe.

Në vitin 1891 bashkë me motrën e tij Sevasti Qiriazi hapi shkollën e parë të vajzave (1891) dhe shoqërinë “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” (1892).

Ndërroi jetë më 2 janar të vitit 1894 në moshën 35 vjeçare.

Në vitin 1902 veprat e tij u botuan në librin “Hristomathi a udhëheqës për çdo shtëpi Shqiptari”. Pas vdekjes u nderua me titujt “Mësues i Popullit” (1987) dhe “Urdhri i Lirisë” i Klasit të Parë (1992).

📚 Burimi: Bedri Dedja, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 2183-2184.

Filed Under: Politike

LIRI PËR ÇLIRIMTARËT

October 17, 2025 by s p

Në këtë kohë të sfidave të reja për kombin tonë, ne duhet ta theksojmë me zë të lartë dhe të qartë: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë, e ligjshme dhe e domosdoshme për mbijetesën e popullit shqiptar në Kosovë.

UÇK-ja u ngrit nga dheu i Kosovës, nga plagët e dhunës, nga gjaku i derdhur dhe nga dëshira e pashuar për liri. Ajo ishte përgjigjja ndaj një regjimi shtypës, që për dekada të tëra përpiqej të shuante identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve të Kosovës martire.

Luftëtarët e lirisë mbrojtën vatrat shekullore të kombit, mbrojtën nënat, fëmijët dhe pleqtë që përballeshin me spastrimin etnik. Ata u ngritën për liri dhe dinjitet njerëzor, duke e bërë luftën e tyre pjesë të përpjekjeve të drejta të popujve që kërkojnë liri dhe vetëvendosje.

Kjo luftë e drejtë mori përkrahjen e botës demokratike dhe të aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë moderne — NATO-s, e cila me ndërhyrjen e saj ndaloi gjenocidin dhe i hapi rrugë lindjes së shtetit të pavarur të Kosovës.

Sot, kur çlirimtarët përballen me procese të padrejta dhe me përpjekje për të njollosur luftën e shenjtë të popullit tonë, është detyrë kombëtare dhe morale të qëndrojmë krah tyre.

Liria e Kosovës është rezultat i sakrificës sublime të popullit të Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kososovës është vlera dhe krenaria e kësaj sakrifice për liri, shtet dhe dinjitet kombëtar.

Dr. Elmi Berisha,

Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”

Filed Under: Featured

“Çamëria dhe problemi çam sot” – aktivitet në Shkup përmes artit, historisë dhe kujtesës

October 17, 2025 by s p

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/

Në Shkup u zhvillua sot aktiviteti me temë “Çamëria dhe problemi çam sot”, i organizuar nga Shoqata Kulturore “Vizioni M” në bashkëpunim me Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini”. Ky takim mblodhi studiues, njerëz të artit dhe të letrave, për të prezantuar historinë e Çamërisë nëpërmjet dokumenteve dhe krijimtarisë artistike.

Aktiviteti u çel me shfaqjen e filmit “Ode për tempujt që nuk u harruan”, shkruar nga diplomati dhe shkrimtari Luan Rama, një vepër që ndërthur poezinë e kujtesës me dëshminë historike.

Në vijim, historiani Qerim Lita solli përpara audiencës një analizë të detajuar mbi krimet zerviste dhe pasojat e politikës së spastrimit etnik të ndjekur nga shteti grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë.

Në fjalën e tij, Luan Rama theksoi rëndësinë e një faljeje publike të shtetit grek për krimet e kryera në Çamëri, duke sjellë shembuj nga udhëheqës evropianë – si ata të Francës apo Holandës – të cilët kanë kërkuar falje në emër të ndërgjegjes humane për krimet koloniale.

Ndërsa drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, z. Alket Veliu, në analizën e tij vuri në dukje se çështja çame është rezultat i një politike të dhunës sistematike greke që prej megaloidhesë, dhe se sot ajo mbetet një sfidë kombëtare që kërkon angazhim të gjithanshëm shqiptar. “Roli i shtetit shqiptar është i domosdoshëm,” – u shpreh z. Veliu – “sepse çështja çame është edhe çështje shtetërore dhe duhet të përfshihet në agjendën diplomatike të Shqipërisë.”

Pas diskutimeve, të pranishmit patën mundësi të drejtonin pyetje për çështjen çame, ndaj të cilave iu përgjigjën z. Rama dhe z. Veliu. Në përmbyllje, pjesëmarrësit morën pjesë në një kokteil miqësor të shtruar nga Shoqata Kulturore “Vizioni M” dhe vizituan ekspozitën fotografike të familjes së madhe Dino nga Çamëria, e cila u shfaq për herë të parë në Shkup.

Filed Under: Emigracion

Shekulli i luftërave të pafundme – A ka shpresë për paqe?”

October 17, 2025 by s p

Shkruan: Prof. Dr. Muhamet Racaj/

Shekulli XXI po dëshmon se paqja është një luks, ndërsa konfliktet e gjata janë pjesë e përditshme e botës tonë. Nga Lindja e Mesme e deri në Ballkan, këto konflikte nuk janë thjesht përplasje të armatosura, por shfaqje të problemeve komplekse sociale, politike dhe ekonomike. Ata ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve, ekonomitë e vendeve dhe stabilitetin e rajoneve. Shumë herë, ndërhyrjet ndërkombëtare dhe strategjitë e dështuara i kanë zgjatur këto konflikte, duke e bërë zgjidhjen e tyre një sfidë të madhe dhe të ndërlikuar.

Konfliktet e gjata nuk janë vetëm çështje politike, por edhe humanitare, duke përfshirë shpërnguljen e miliona njerëzve, shkatërrimin e infrastrukturës dhe krijimin e krizave të thella sociale dhe ekonomike. Secili rajon ka karakteristikat dhe sfidat e veta, por efekti i këtyre konflikteve rezonon ndërkombëtarisht, duke ndikuar në stabilitetin global dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Konfliktet e gjata në botë

Lindja e Mesme

Lindja e Mesme është një nga rajonet më të ndikuara nga konfliktet e gjata në shekullin XXI. Siria, që nisi në vitin 2011 si një valë protestash për demokraci dhe të drejta qytetare, shndërrohet shpejt në një luftë civile komplekse, ku janë përfshirë aktorë lokalë dhe ndërkombëtarë. Konflikti ka shkaktuar më shumë se gjashtë milionë të zhvendosur brenda vendit dhe mbi pesë milionë refugjatë që kanë marrë rrugën e Europës dhe Lindjes së Mesme. Përplasjet kanë çuar në shkatërrimin e qyteteve dhe infrastrukturës, duke krijuar krizë humanitare të paprecedentë.

Jemeni është një tjetër shembull tragjik. Lufta që ka përfshirë vendin që nga viti 2014 ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka çuar në një krizë të thellë ushqimore dhe shëndetësore. Pushtimi i qyteteve, bllokadat humanitare dhe përplasjet ndërmjet forcave qeveritare dhe rebelëve Huthi kanë shkatërruar jetën normale të qytetarëve dhe kanë krijuar një situatë ku ndihma ndërkombëtare është jetike për mbijetesën e popullatës.

Konflikti Izrael-Palestinë vazhdon të jetë një ngërç politik dhe humanitar që për dekada ka mbetur pa zgjidhje. Shpërthimet periodike të dhunës dhe tensionet politike kanë thelluar ndarjet dhe kanë penguar çdo përpjekje reale për paqe. Qytetet palestineze përballen me shkatërrim infrastrukture dhe kufizime të lëvizjes, ndërsa Izraeli përballet me kërcënime të vazhdueshme ndaj sigurisë së qytetarëve.Shpresat për paqe janë në marrëveshjen e fundit në mes Izraelit dhe Hamasit e kryesuar nga SHBA.

Afrika

Afrika është kontinent i pasur me burime natyrore, por gjithashtu i mbushur me konflikte të gjata dhe të ndërlikuara. Somalia ka qenë e përfshirë në luftë civile që nga fillimi i viteve 1990, me përplasje etnike, klanore dhe për pushtet që vazhdojnë deri sot. Mijëra njerëz janë zhvendosur brenda vendit dhe shumë të tjerë kanë kërkuar strehim në vende të tjera.

Sudani i Jugut, pas pavarësisë në vitin 2011, nuk ka gjetur paqen e qëndrueshme. Konflikti i brendshëm, i nxitur nga përçarjet etnike dhe luftrat për kontroll të burimeve natyrore, ka shkaktuar mbi gjysmë milioni viktima dhe ka çuar miliona të tjera në mjerim.
Republika Demokratike e Kongos vazhdon të përballet me dhunë të përhershme të grupimeve të armatosura, shpërngulje të popullsisë dhe shfrytëzim të burimeve minerare. Këto konflikte kanë efekt domino, duke destabilizuar jo vetëm vendin por edhe rajonin e Afrikës Qendrore.

Evropa dhe Ballkani

Edhe Evropa nuk ka qenë imun ndaj konflikteve të gjata. Lufta në Ukrainë që filloi në vitin 2014 dhe u përshkallëzua në vitin 2022 dhe vazhdon ka treguar se tensionet etnike dhe territoriale mund të shpërthejnë në një konflikt të madh me implikime ndërkombëtare. Mijëra qytete janë shkatërruar, miliona njerëz janë zhvendosur dhe ekonomia rajonale ka pësuar dëme të mëdha.

Ballkani, me historinë e trazuar të viteve 1990, mbetet një rajon me tensione etnike dhe politike. Konfliktet në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut tregojnë se paqja është e brishtë dhe çdo provokim politik mund të ndezë përplasje. Këto konflikte, megjithëse shpesh të kufizuara në territor, kanë një efekt të gjerë për stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Përfundim

Konfliktet e gjata nuk janë thjesht statistika apo lajme të përditshme. Ato janë histori njerëzish, familjesh dhe komunitetesh të prekura nga dhuna dhe pasiguria. Çdo konflikt i papërfunduar është një sfidë për drejtësinë, stabilitetin dhe zhvillimin.
Për të ndaluar përshkallëzimin dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt, nevojiten dialog, ndërhyrje të koordinuara ndërkombëtare dhe përkushtim i qeverive dhe shoqërisë civile. Pa këtë përkushtim, konfliktet e gjata do të mbeten pjesë e realitetit të hidhur të shekullit XXI. Secili konflikt ka mësimet e veta. Nga Lindja e Mesme, Afrika, Evropa dhe Ballkani, ne kuptojmë se paqja nuk arrihet vetëm me armë, por me drejtësi, mirëqenie dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Lexuesi duhet të kuptojë se zgjidhja e konflikteve të gjata është sfidë globale dhe përgjegjësi kolektive.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • 282
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT