• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MOZAIKU MIGJENIAN NË PERSPEKTIVËN E LEXIMIT

October 17, 2025 by s p

Prof.Dr. Fatbardha Fishta Hoxha/

Leximi kritik i veprës së Migjenit që fillon në të gjallë të tij, e ka përcaktuar atë si fenomenin më interesant dhe përfaqësuesin më të rëndësishëm në letërsinë tonë moderne. Por raportet e veprës së tij me lexuesin në kohëra për shkak të natyrës së veçantë të artit të tij kanë kërkuar dhe nënkuptuar një lexues të mirëfilltë studiues, siç lutej ta kishte për veprën e vet, më shumë se 300 vjet më parë, eruditi Frang Bardhi. Studimet për Migjenin, sidomos të viteve të fundit kanë vërtetuar se veprës së poetit të madh nuk mund t’i qasesh me instrumente empirike, por lypsen platforma nga më modernet e më të avancuarat teorike e kritike letrare. Ne sajë të këtyre platformave dhe teknikave mund të thuhet pa mëdyshje se lexuesit të sotëm dhe të nesërm pak do t’i interesojë edhe jeta e tij me fatkobin e saj tragjik, fakti se ai u shfaq si meteor, urugan apo vullkan siç shprehet vetë, por vepra që të shtang, të befason, të mrekullon e që të shtyn të reflektosh aq gjatë për qenien, ekzistencën e saj, për jetën sociale dhe njeriun si protagonist të saj, për rrjedhat universale dhe epidemitë që e kërcënojnë.

Përherë e më pak vend do të ketë për falsifikime të paskrupullta, për përkatësinë veçse shqiptare të poetit, përherë e më pak vend do të ketë për angazhimin në një ekstrem ideologjik dhe filozofik, për një interpretim sociologjik vulgar e naiv, përherë e më pak vend do të ketë për shmangie të qëllimshme deri në një përjashtim të heshtur, gjëra jo të munguara në një tranzicion si ky i yni. Duke ju referuar të dhënave bibliografike, është fakt se Migjeni dhe vepra e tij ka tërhequr aq shumë në të shkuarën studiuesit, por ka njohur leximin e vërtetë në këto vitet e fundit. Optika e re, i ka bërë studiuesit të flasin për një teori të veçantë në leximin e veprës së shkrimtarit të madh ku është folur mvehtësisht për konspektivitetin e tekstit, për një densitet të lartë të kuptimit të tij. Është folur për shndërrimin që solli në letërsinë shqiptare me kapërcimin nga kulti i etnisë, kombit në kultin e njeriut, nga kulti i heroit në kultin e ideve. Është folur nga studiuesit për vargjet e lira si refuzim estetik i tradicionales në letërsi që sipas studiuesve ka joshur e ngacmuar abuzimin me vlerat e tij.

Është folur e shkruar për rizbulimin e Migjenit përmes shkrimeve ende të panjohura si dhe të epistolarit të tij. Të dhëna që vijnë nga vepra e tij, por edhe nga dëshmitë e të afërmëve, të njohurve, miqve të poetit dëshmojnë për formatin e tij të veçantë kulturor. Ai njihte mirë autorë të mëdhenj të Perëndimit dhe të Lindjes, të Evropës dhe të Ballkanit. Por në plazmimin e identitetit të tij krijues pa një të dytë që shfaq Migjeni me veprën e tij që ende e lexojnë si të shkëputur, të pakryer, të ndërprerë apo të papërfunduar që për mendimin tonë i ngjan një mozaiku madhështor enciklopedik, ai hyri në panteonin letrar shqiptar për të mbetur përgjithnjë aty me emrin letrar Migjeni siç shprehet një studiues.

Shkodra, qytet historik e kulturor nga më të vjetrit e më të njohurit në Ballkan kur erdhi në jetë Migjeni një shekull më parë, përjetonte kulme të zhvillimit të saj kulturor. Ajo kishte shkëlqyer që në krye të herës me Barletin dhe Beçikemin kur konturohej vetëdija e atdheut kombëtar që po lindte kudo nëpër Evropë në shekujt e humanizmit. Ky qytet do t’i falte shumë dritë poetit që edhe pse e përmend fare rrallë ka derdhur gjithë magjinë dhe veskun drithërues në përcaktimin “Shkodra – dashnorja e shekujve” dhe kaq do të mjaftonte për të shprehur pafundësisht atë marrëdhënie të brendshme të thellë të poetit me qytetin ku u lind. Dhe s’është rastësi që njeriu i letrave Koliqi do ta mbështetë në botimet e para dhe që vlerësimet e para vinin nga dy kritikë Arshi Pipa dhe Qemal Draçini që do të afirmonin i pari frymën e re dhe i dyti rrymën e re që përfaqësonte poeti në letërsinë shqiptare, por në kohë kur poeti nuk jetonte. Por formati migjenian, pavarësisht nga interpretimeet e panatyrshme në leximin e mëtejm do të I kapërcënte kufijt lokalë e rajonalë. Ai do të vinte në letërsi si produkt i kohës historike e letrare shqiptare, por edhe i Ballkanit dhe Evropës si një poet vizionar i lirisë në të gjitha kuptimet e fjalës, që do ta shqetësonte dilema ekzistenciale e njeriut të të gjitha kohëve me një vetëdije të shquar kritike e vetëkritike, ironike e vetironike për t’u konsideruar siç është përcaktuar në studimet e fundit si formula më e madhe e artit të fjalës shqipe, pika e gravitetit të letërsisë dhe kulturës shqiptare pa një të dytë.  Ai është dhe do të mbetet siç është thënë qartë, prerë dhe saktë: “I lakmuar por i patejkaluar”. Magjia e mozaikut migjenian në poezi dhe prozë e lexuar si tekst, nëntekst dhe kontekst e lexuar dendësisht në kontekstin shqiptar, pret të lexohet edhe në kontekstin evropian. Pike takimet me zhgënjimet,dhe pikëllimin e Nices, Schopenhauerit, Dostojevskit, e Brezit të Humbur janë provë e reflektimit të ankthit dhe krizave të njëriut që kishin shkaktuar luftërat botërore. I lindur dhe format i kohës së tensionuar në Evropë si shkak i këtyre gjakderdhjeve të pakuptimta, që i sollën njerëzimit, e para dhjetë milionë viktima,e dyta pesedhjete milionë, si dhe humbjen e vlerave të pallogaritshme materiale dhe shpirtërore, nuk mund të mos sillnin atë që sollën, duke i shndërruar njerëzit sidomos elitat në të pandjeshëm deri në kufoma dhe në të mbindjeshëm për atë që kishte ndodhur dhe pritej për të ndodhur në botë dhe në truallin tonë që për mirë a për keq ndodhej në theqafje të Perëndimit edhe të Lindjes.

Migjeni është ndoshta i vetmi krijues në letërsinë shqiptare që përtej dhimbjeve individuale arriti të shfaqte dhimbjet e shqiptarit dhe brengat e llahtarshme “të një njerëzimi që kalon ndër shekuj” nga një katastrofë në një tjetër më cnjerëzore, pa e humbur asnjëherë rrezellimin e ëndrrës për një jetë te bukur dhe të paqtë. Vepra e tij mozaikale enciklopedike që sfidon përcaktimet e ndërprerë, e pakryer shfaqet dhe e ben te paperseriteshme  fakti se cfare eshte jete,histori,estetike e gjalle eshte bere ndjenje,mendim,hir,gjuhe dhe veper e kristalte qe pret rizbulime te reja. Ajo pret zhulime edhe nga lexuesi evropian që kërkohet të njihet jo përmes inisiativave personale siç ka ndodhur kohët e fundit, por institucionale për integrimin tone kulturor në botën globale.

Në studimet e sotme vetëm sa ka nisur udha e zbulimit të shqipes së Migjenit që jo vetëm me normativitetin dhe gramatikalitetin por edhe me anormativitetin dhe agramatikalitetin e saj, gjë kjo e pritur nga krijues potencialë, fsheh thesare që një krijues i shumëfishtë në vlera arrin t’i shpërfaqë në mënyrë magjepse. Niveli i leximit të Migjenit në këto vite lirie paralajmëron arritje të reja për lexuesit studiozë jo vetëm letrarë por edhe të fushave të tjera që do t’i qasen veprës së një personaliteti të pazakontë si Migjeni që me të drejtë konsiderohet klasiku i modernitetit tone letrar.

Filed Under: Histori

Teodor Ipen, diplomati austriak i përkushtuar ndaj çështjes shqiptare

October 17, 2025 by s p

Në shek.XIX konsuj të ndryshëm si përfaqësues të vendeve europiane përveç misionit të tyre profesional kanë shfrytëzuar qëndrimin e tyre në hapësirën etnogjeografike shqiptare edhe për të publikuar shënimet dhe përshkrimet e udhëtimeve të tyre, që janë më vlerë shumëdimensionale për botën shqiptare. Cekim më këtë rast Johann Georg von Hanh, konsulli i Austro-Hungarisë në Janinë, A.Degrand, konsulli francez në Shkodër, H.Hecquard, konsulli francez në Shkodër, F.C.H.L. Pouqueville, konsulli francz në Janinë, L.S.Leake, konsulli anglez në Janinë, L.S.Jastrebov, konsulli rus në Prizren etj. Në plejaden e personalitetëve të tilla bën pjesë edhe Theodor Ippen(1861-1935), ish konsull i Austro-Hungarisë në Shkodër(1897-1904), ku përveç shërbimit diplomatik ka qenë i përkushtuar edhe për çështjen shqiptare.

Nail Draga

Në lidhje mbi jetën dhe veprimtarinë e personalitetëve të ndryshme në mjediset përkatëse janë botuar studime e botime të veçanta, duke vlerësuar angazhimin e tyre shoqëror dhe profesional. Por, jo të gjithë kanë pasur një fat të tillë, sepse ka edhe përjashtime ku i tillë ishte Theodor Ippen, i cili pavarësisht së ishte diplomat me autoritet i perandorisë, pas vdekjës së tij ka munguar interesimi i institucionëve dhe studiuesve të ndryshëm për të trajtuar jetën dhe veprimtarinë e tij.

Por, në këtë aspekt përjashtim bën Annelise Wernicke, e cila 32 vite pas vdekjës së tij, në vitin 1967, botoi monografinë Theodor Anton Ippen, Wiesbaden, 1967, duke qenë e vetmë deri në ditët tona, ndërsa në shqip na vjen me titull Teodor Ipen dhe Shqipëria në Fokusin e Perandorisë Austrohungareze, Plejad, Tiranë, 2012, përkthyer nga gjermanishtja nga Eridan Imami.
Në fillim autorja prezanton biografinë e Ipenit, duke vazhduar me aktivitetin e tij si konsull i përgjithshëm në Shkodër(1897-1904) dhe si këshilltar i Austro-Hungarisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke e përmbyllur me veprimtarinë e tij shkencore.

Diplomacia si mision jetësor

Ipeni ka lindur më 29 nëntor 1861 në Sezmice të Bohemisë e cila atëherë ishte në kuadër të Perandorisë së Austro-Hungarisë. Ndonëse rridhte prej një familje me origjinë hebreje, ai
është pagëzuar si katolik. Pasi ka përfunduar gjimnazin në Pragë, ka ndjekur studimet universitare për orientalistikë në Akademinë e Vjenës, ku u diplomua në vitin 1884.Qysh gjatë kohës së studimeve ai ka filluar përgatitjen e tij ushtarake, duke marrë graden Leitnant në rezervë. Ishte njohës i gjuhëve të huaja si çekisht, rusisht, frengjisht dhe gjermanisht.

Pas përfundimit të studimeve, ai dhame sukses provimin konsullor, duke fituar gradën e ndihmëskonsullit, më 4 shtator 1884, ku më pas u vendos në Shkodër, ku nga viti 1885, ishte i punësuar në konsullatën austro-hungareze. Por këtu nuk qëndroj gjatë sepse në vitin 1887 është transferuar në Plevle, duke zëvëndësuar konsullin austro-hungarez Ritter von Mayer. Gjatë qendrimit në Plevle udhëtoj në brendësi të vendit, ku përshtypjet e udhëtimeve të tilla të cilat kishin të bënin kryesisht me gjeografinë e etnografinë i ka botuar në librin “Novi Pazar und Kosova”(Novipazari dhe Kosova) në vitin 1892.

Në vitin 1891 Ipen transferohet si nenkonsull në Konsullatën e Konstatinopjës, ku si njohës i mirë i marrëdhënieve që kishin të bënin me shqiptarët kreu atje edhe funksionin e këshilltarit për çështjet shqiptare. Me pas në vitin 1894 u emërua nga Ministria e Jashtme, konsull në Jerusalem. Ndërsa nga viti 1897-1904 ka qenë konsull i Perandorisë në Shkodër. Me pas në vitin 1911 punësohet në Ministrinë e Jashtme, ku nga dhjetori 1912-gusht 1913 ka qenë këshilltar politik në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Ipeni është marrë më tepër në frontin jugperëndimor në Itali të Veriut, ndërsa me krijimin e Republikës së parë austriake ishte nder funksionarët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, duke luajtur për një periudhë të shkurtër rolin e ministrit gjatë bisedimeve për paqe në vitin 1920. Në vitin 1921 del në pension, por ka vazhduar të jetë aktiv në “Komisionin ndërkombëtar për Danubin”. Vdiq me 31 janar 1935 në Vjenë.

Konsullata në Shkodër me mision të veçantë

Së çështja shqiptare ishte në fokusin e Perandorisë Austro-Hungareze, dëshmohet në vitin 1896, kur Ministria e Jashtme ndermori një aksion energjik lidhur me Shqipërinë, duke nxitur një plejadë studiuesish si historianë, gjeografë, etnografë, gjuhëtarë, arkeologë etj. që të merren me Shqipërinë. Ajo ndikoj që të botohen gramatika e fjalor të gjuhës shqipe, të shkollohen studentë shqiptarë në Vjenë, Grac e Insbruk, të përkrahin deri edhe përcaktimin e alfabetit të shqipës, ose si gjuhë zyrtare të shtetit të ri shqiptar.

Dhe për të realizuar këto objektiva, asaj i nevojitej një konsullatë më përbërje sa më të mirë, me individë qe njihnin mirë rrethanat shqiptare, vendin, popullin e gjuhën shqipe. Pikërisht i tillë ishte Teodor Ipeni i cili nga viti 1897-1904, ishte konsull i Përgjithshëm i Perandorisë Austro-Hungareze në Shkodër. Në këtë rast, ai nuk po niste një detyrë të panjohur, sepse nga viti 1884-1887, kishte qenë i aktivizuar si punonjës i kësaj konsullate. Në këtë veprimtari Ipeni është ballafaquar më vështirësi dhe intriga të pushtetit të kohës, duke dëshmuar përkushtim profesional dhe guximin personal, në favor të politikës së perandorisë qe e përfaqësonte por edhe të identitetit kombëtar shqiptar.

Këshilltar në Konferencën e Ambasadorëve

Në sajë të angazhimit, përvojës e profesionalizmit të dëshmuar nga nëntori i vitit 1911 punon në Ministrinë e Jashtme në Vjenë. Në këtë kohë, përkatësisht nga tetori i vitit 1912 shpërthyen luftërat ballkanike të cilat si mision kishin pushtimin e aneksimin e viseve të hapësirës etnogjeografike shqiptare, ndërsa nga 17 dhjetori i këtij viti filloj punimet Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku u vendos fati i Shqipërisë, Ipeni ishte në rolin e këshilltarit ambasadorit austriak kontit Mensdorff, ndërsa ministër i jashtëm ishte z.Berthold. Dhe këtë rol(dhjetor 1912-gusht 1913) ai e ka luajtur më së miri se në sajë të përgatitjes e guximit të dëshmuar duke dhënë informacioone të nevojshme në lidhje mbi shtrirjen e vendbanimeve dhe popullsisë shqiptare ku kishte përgatitur enkas edhe hartat gjeo-demografike.

Ai në veçanti është angazhuar për përfshirjën e Shkodrës brenda shtetit të ri-Shqipërisë, e gjithashtu edhe të Gjakovës e Dibrës, por fatkeqësisht në sajë të intrigave të Fuqive të Mëdha ata mbetën jashtë Shqipërisë. Njihet tashme roli dhe angazhimi i Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë, ku duke iu falenderuar atyre ndonëse e cunguar është kjo hartë politike e shtetit shqiptar. Në këtë konferencë Ipeni ishte i vetmi specialist dhe njohës i çështjes shqiptare, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit tjerë kanë qenë politikanë ose diplomat, që vepronin sipas diktatëve politike.

Veprimtaria shkencore

Gjatë qendrimit si konsull i përgjithshëm i Austro-Hungarisë në Shkodër përveç aktivitetit për të zbatuar politikën austriake, konsulli Ipen nuk ishte statik, por ka udhëtuar veçanërisht në viset veriore të Shqipërisë, udhëtime që ndikuan tek ai për të thelluar njohurit dhe simpatinë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Ne udhëtimet e tilla ai ka mbledhur shënime ku me pas i ka botuar në revista apo botime të veçanta. Në sajë të kontributit të tillë ai me të drejtë cilësohet edhe si albanolog, që dëshmohet përmes botimeve shkencore siç janë: “Rrënoja të kishave të vjetra në Shqipëri” (1899); “Monumente të vjetra në Shqipëri” (1900); “Shcypnia : t’gnoftmé dhéshkrimtaré : t’shtumuna e t’nnrécuna” (1902); “Përmendore të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri” (1907); “Shkodra dhe sipërfaqja bregdetare e Shqipërisë veriore” (1907); “Malet e Shqipërisë veri-perëndimore” (1908); “Krahina e Shpatit në Shqipërinë e Mesme” (1916); “Dy episode të historisë së Shqipërisë” (1927); “Kontribut për historinë e brendshme të Shqipërisë në shek. XlX” (1939); “Shqipëria e vjetër : studime gjeografike, etnografike, historike” (2002) etj.

Ndonëse vepra e tij nuk paraqet ndonjë studim gjithëpërfshirës, kërkimet e tij janë të veçanta, përmbajnë materiale të çmuara për hapësirën etnogjeografike shqiptare si në fushën e historisë, gjeografisë, etnografisë, arkeologjisë, ekonomisë dhe besimit fetar.

Ipenit, vendin që e meriton

Vetëm pasi të lexohet ky libër kushtuar diplomatit dhe studiuesit austriak nuk ka dilemë se ati duhet dhënë vendin që e meriton tek ne shqiptarët, duke bërë pjesë në radhën e albanologëve të njohur austro-hungarezë që fillon me Johann Georg von Hahn e vijon me Gustav Meyer, Karl Hopf, Franz Nopsca, Milan Šufflay, Gustav Weigand, Norbert Jokl etj.

Përveç botimeve të ndryshme në lidhje me shqiptarët dhe hapësirën e tyre etnogjeografike, ai njëherit ishte i vetmi ekspert i çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1912/13) duke dhënë kontributin e veçantë në mbetjen e Shkodrës në kuadër të Shqipërisë.

Në sajë të konsideratës për angazhimin dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare shqiptare në vitin 1932 Mbreti i Shqiptarëve ZOGU I e dekreton me “Urdhërin e Skënderbeut”.
Por duke marrë parasysh përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare është e pakuptueshme që udhëheqësit shqiptarë mbas vitit 1945 e kanë mbajtur në heshtje një personalitet të tillë por edhe pas shëmbjës së sistemit komunist(1991) nuk kanë treguar interesimin e duhur për ti dhënë vendin qe e meriton, duke marrë parasysh faktin se politika e Perandorisë së Austro-Hungarisë ishte vendimtare në mbeshtetjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në nderim të emrit dhe veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare e në mënyrë të veçantë për Shkodrën mendoj se është në nderin e Bashkisë së Shkodrës që emri i tij të përjetësohet në bust, apo emërtimi i një rruge apo sheshi si dëshmi e vlerësimit të meritokracisë si kudo në vendet demokratike.

Annelise Wernicke, Teodor Ipen dhe Shqipëria në Fokusin e Perandorisë Austrohungareze, Plejad, Tiranë, 2012

(Tetor 2025)

Filed Under: Kronike

FAN STYLIAN NOLI – KRYEMONUMENTI SHPIRTËROR DHE UNIVERSAL I KOMBIT SHQIPTAR

October 17, 2025 by s p

{“key”:”g7″}

(Noli figurë qendrore dhe unike, “kryemonument” si simbol suprem kombëtar)

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

1.Noli si urë ndërmjet dy botëve

Në historinë e qytetërimit njerëzor, rrallë lindin personalitete që në një trup të vetëm mishërojnë shpirtin e fesë, fuqinë e dijes, misionin e politikës dhe madhështinë e artit. Fan Stylian Noli është një nga ata përfaqësues të paktë të njerëzimit që e shndërroi jetën e vet në urë ndërmjet tokës dhe shpirtit, ndërmjet Shqipërisë së vogël dhe botës së madhe.

I lindur në Ibrik-Tepe të Trakisë, por i formuar në Bostoni e Harvard, Noli e ndërtoi personalitetin e vet mbi themelet e dy kulturave – lindore në ndjeshmëri dhe perëndimore në arsyetim.

Në personalitetin e tij u bashkuan shpirti i Krishtit, mendja e Sokratit, idealizmi i Shekspirit dhe guximi i Skënderbeut.

2. Boston – djepi i dytë i shqiptarisë

Nuk është rastësi që Noli u bë prifti, mësuesi dhe udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve pikërisht në Boston. Këtu, në këtë qendër të dritës amerikane, ai themeloi më 1908 Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale, duke e bërë shqipen gjuhë të Zotit dhe fenë një instrument bashkimi kombëtar.

Në një kohë kur shqiptarët në Ballkan vuanin nga ndarjet fetare e krahinore, Noli në Boston ngriti altarin e bashkimit kombëtar mbi besimin në identitetin gjuhësor e kulturor.

Liturgjia e tij në shqip, e mbajtur për herë të parë në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, është ndër aktet më të mëdha të emancipimit shpirtëror të shqiptarëve.

Aty ku më parë dëgjohej greqishtja kishtare, u dëgjua për herë të parë fjala “Atë ynë” në gjuhën e Skënderbeut.

Ky ishte çasti kur shpirti shqiptar mori zë në sytë e Perëndisë dhe të botës.

3. “Vatra” dhe “Dielli” – dy institucione të pavdekshme

Noli ishte arkitekti shpirtëror i Federatës “Vatra”, e themeluar në Boston më 1912, si dhe i gazetës historike “Dielli”, që vazhdon të ndriçojë edhe sot.

Nëpërmjet “Diellit”, Noli nuk vetëm informoi mërgatën shqiptare, por ndërtoi opinionin kombëtar dhe mbajti gjallë identitetin e diasporës shqiptare në Amerikë.

Ai përdori fjalën si armë, penën si pushkë dhe dijen si mburojë.

Në faqet e “Diellit”, ai i dha formë politikës shqiptare moderne, duke e lidhur çështjen kombëtare me idealizmin amerikan të lirisë dhe barazisë.

Falë Nolit, Boston u bë seli e dytë e shpirtit shqiptar – një “Athinë e vogël e shqiptarisë”.

4. Noli si shtetar me ideal dhe moral

Në vitin 1924, historia e solli Fan Nolin në majën e pushtetit – si Kryeministër i Shqipërisë.

Por ai erdhi në qeverisje jo për pushtet, por për mision: për ta shpëtuar politikën shqiptare nga korrupsioni, injoranca dhe feudalizmi moral.

Programi i tij qeverisës me 20 pika ishte një manifest republikan, arsimor dhe moral, që parapriu mendimin modern shtetformues shqiptar.

Ai kërkonte:

-Reformë agrare dhe drejtësi sociale;

-Arsim kombëtar laik;

-Administratë të pastër dhe qeverisje me dinjitet moral;

-Shqiptarizimin e institucioneve dhe barazinë e qytetarëve para ligjit.

Megjithëse qeverisja e tij zgjati vetëm pak muaj, ajo mbeti epoka më etike e politikës shqiptare, sepse Noli nuk e pa pushtetin si privilegj, por si shërbesë ndaj kombit.

Kur ra nga pushteti, nuk u ankua, nuk kërkoi hakmarrje – thjesht u kthye te misioni i tij: dija, kultura, arti dhe atdheu.

5. Noli në mërgim – misionar i përjetshëm i dritës

Pas vitit 1924, Noli u vendos përfundimisht në SHBA, ku për gati katër dekada u bë institucion më vete i identitetit shqiptar në diasporë.

Ai vazhdoi të udhëheqë Kishën Shqiptare Autoqefale të Amerikës, të botojë në “Dielli”, të përkthejë, të kompozojë dhe të shkruajë poezi.

Në Boston, Noli u shndërrua në shenjtor të dijes, një figurë që bashkonte përulësinë e priftit me madhështinë e filozofit.

Në predikimet e tij theksonte shpesh:

Ky parim mbetet sot mësim për politikën shqiptare, e cila shpesh harron dimensionin moral të lirisë.

6. Noli si poet, përkthyes dhe muzikolog

Si poet, Noli e ktheu fjalën shqipe në muzikë. Në poezitë “Anës lumenjve” dhe “Sytë e mjegulluar” ai shpreh dhimbjen e mërgimtarit, mallin për atdheun dhe etjen për drejtësi.

Në “Këngën e Skënderbeut” ai ngriti figurën e heroit kombëtar në epope të shpirtit shqiptar, duke e lidhur simbolikisht Skënderbeun me Krishtin – si shpëtimtarë të kombit e të shpirtit.

Si përkthyes i Shekspirit, Servantesit dhe Ibsenit, Noli solli në gjuhën shqipe përmasën e universalitetit, duke e bërë shqiptarin pjesë të kulturës botërore.

Në muzikë, ai përktheu “Missa Solemnis” të Beethovenit dhe krijoi vepra origjinale kishtare që u interpretuan në katedrale amerikane.

Kështu, Noli nuk ishte thjesht një shqiptar i madh, por një personalitet botëror me shpirt shqiptar.

7. Noli dhe dimensioni ndërkombëtar i idealit shqiptar

Në sferën diplomatike, Noli ishte një ambasador moral i Shqipërisë. Ai përfaqësoi vendin në Lidhjen e Kombeve dhe mbrojti me argumente të fuqishme integritetin territorial të Shqipërisë, në një kohë kur fuqitë evropiane përpiqeshin ta copëtonin.

Në fjalimet e tij në Gjenevë, Noli i bëri botës të qartë se Shqipëria nuk kërkon mëshirë, por drejtësi.

Ky ishte kulmi i mendimit të tij politik – një mendim që përkonte me filozofinë amerikane të lirisë dhe me vizionin e Presidentit Wilson për vetëvendosje të kombeve.

Prandaj, Noli nuk ishte vetëm pjesë e historisë shqiptare, por edhe zë i ndërgjegjes ndërkombëtare për të drejtat e kombeve të vegjël.

8. Noli, monument shpirtëror i përjetësisë shqiptare

Fan Stylian Noli nuk është një figurë e së kaluarës; ai është një monument shpirtëror që frymon edhe sot në çdo akt të dijes, kulturës dhe bashkimit kombëtar.

Ai mbetet themeluesi i humanizmit shqiptar, prijës i gjuhës dhe moralit kombëtar, arkitekt i identitetit tonë modern.

Në Boston, ku shkroi, predikoi dhe jetoi, Noli është si një dritë që s’ka perëndim.

Në Tiranë e në Kosovë, ai është zëri i ndërgjegjes, që na kujton se shteti pa kulturë është trup pa shpirt, dhe politika pa moral është pushtet pa drejtim.

Nëse Skënderbeu është monumenti i lirisë fizike të kombit, atëherë Fan Noli është monumenti i lirisë shpirtërore dhe morale të shqiptarisë.

Kombi shqiptar do të jetë i përjetshëm për sa kohë do të kujtojë e do të ndjekë rrugën e dritës që Noli e ndriçoi me fjalën, penën dhe shpirtin e tij të pavdekshëm.

Filed Under: Politike

Liria si kujtesë e Zotit: UÇK-ja dhe morali i drejtësisë që Europa harroi!

October 17, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Ka çaste kur kombet ndalen për të dëgjuar shpirtin e tyre. Sot, më 17 tetor 2025, Shqipëria do të ndalë frymën për një kujtesë të shenjtë, për të thënë se Liria nuk është as kujtim, as nostalgji, por frymë që duhet të mbrohet nga harresa. Në sheshin “Skënderbej”, ku janë ndezur dritat e pavarësisë dhe janë mbajtur plagët e bashkimit, mijëra shqiptarë do të mblidhen për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët e Kosovës, jo për të kërkuar hakmarrje, por për të mbrojtur dinjitetin.

Sepse ka momente kur drejtësia s’është çështje gjykate, por çështje kujtese. Ka momente kur një popull nuk del në shesh për të protestuar, por për të dëshmuar se ende mban frymën e Zotit në gjak.

Kjo protestë nuk është reagim, por rikthim i ndërgjegjes kombëtare në qendër të historisë.

Liria, për ne shqiptarët, nuk është datë në kalendar, por rit i trashëguar nga prushi i shekujve. Ajo s’mund të jepet me dekret, as të gjykohet me aktakuzë. Nga Rugova që e kërkoi me fjalë, te Jashari që e mbrojti me gjak, çdo brez shqiptar ka dhënë një formë të lirisë. Dhe nesër, kur thirrja “Drejtësi për Çlirimtarët” të mbushë ajrin e Tiranës, nuk do të flasë politika, por kujtesa.

UÇK-ja nuk ishte vetëm një ushtri; ishte zëri i një kombi që refuzoi të vdiste. Ishte thelbi i moralit shqiptar, të mos jesh i madh në forcë, por i drejtë në qëndresë.

Dhe nesër, kur flamujt të valëviten si kujtesa që s’pranon harresë, historia do të ketë një mundësi për t’u rishkruar me dritë. Sepse ka kombe që protestojnë për pushtet, por shqiptarët dalin për kujtesë, për ta kujtuar botën se Liria nuk gjykohet.

Ajo ndodh, dhe vazhdon të ndodhë në çdo zemër që mban dritën e Zotit brenda vetes.

UÇK-ja është momenti kur historia shqiptare kaloi nga urtësia në sakrificë, nga fjala në veprim, pa e humbur kurrë shpirtin e arsyes. Ajo nuk lindi për të marrë pushtet, por për të shpëtuar qenien.

Ishte zëri i fundit të durimit, kur heshtja kishte marrë formën e turpit, kur çdo rrugë politike e kishte mbyllur dera, dhe vetëm ndërgjegjja kombëtare mbeti roje në pragun e jetës.

Në atë çast, UÇK-ja u bë trupi i asaj ndërgjegjeje, jo si ushtri e urrejtjes, por si besëlidhje e jetës.

Në thelb, UÇK-ja ishte Rugova që frymonte përmes Jasharit. Ajo nuk e mohoi pacifizmin, e mbajti brenda si kujtesë, por kuptoi se pa armë s’mund të mbrohej paqja.

Ibrahim Rugova ishte fjala që ruante shpresën, Adem Jashari ishte gjaku që ruajti nderin.

Njëri mishëroi arsyen, tjetri ndërgjegjen.

Dhe bashkë e formuan triadën e lirisë shqiptare, arsye, flijim dhe kujtesë.

Kjo është doktrina e re e neoshqiptarizmit, bashkimi i moralit me guximin, i humanizmit me sakrificën.

Në filozofinë e lirisë, ekziston një ligj i pashkruar, kush lufton për të mos vrarë, por për të mos u vrarë, nuk është ushtar, por dëshmitar.

UÇK-ja i dha këtij ligji trup e frymë.

Ajo i tregoi botës se vetëmbrojtja e një populli është akt hyjnor kur bota hesht para së keqes.

Nuk pati ambicje pushteti, as frikë humbjeje; ajo luftoi për diçka që nuk matet me fitore, për nderin e jetës.

Në çdo fshat ku flamuri i saj u ngrit, ndodhi një rilindje e ndërgjegjes kombëtare.

UÇK-ja e ktheu shqiptarin nga viktimë në subjekt historie, nga faj i imponuar në dëshmi të Zotit për lirinë.

Prandaj, ajo nuk është thjesht kujtesë e një lufte, por gjeneza e një morali të ri, morali i një populli që nuk e ul kurrë kokën, sepse di se mbi të, rri dora e Zotit dhe amaneti i lirisë.

Në Hagë, drejtësia është kthyer në një skenë të ftohtë burokratike, ku kujtesa përmbyset në procedurë.

Atje ku dikur dënoheshin gjenocidet, sot pyetet me ton zyrtar pse një popull nuk pranoi të vritej.

Zëri i lirisë dëgjohet me dyshim, ndërsa dosjet e hartuara nga aparate që kanë prodhuar dhunë pranohen si “prova”.

Ky është absurdi më i thellë i një bote që harron moralin e vet për hir të formës.

Nuk ka drejtësi kur dosjet flasin më fort se viktimat, kur varret masive që dëshmojnë krimin trajtohen si shënime dytësore.

Nuk ka drejtësi kur shenjat e kampit të dhunës vlerësohen më pak se një formulim procedural.

Drejtësia që mat dëshminë me minuta, por nuk mat plagën me ndërgjegje, e humbet peshën njerëzore.

Dhe në këtë humbje, ligji s’është më kujtesë e arsyes, por ritual i një shurdhërie morale.

Jashtë sallës së gjyqit, një grua e moshuar mban fotografinë e djalit të zhdukur dhe pyet: “Ku është varri?”

Brenda, forma vazhdon, asnjë përgjigje nuk jepet.

Në atë kontrast të heshtur, drejtësia e humbet kuptimin.

Sepse ligji që nuk di të dëgjojë dhimbjen, pushon së qenuri ligj dhe bëhet administratë e harresës.

Nëse vetëmbrojtja e një kombi vihet në të njëjtën peshore me agresionin shtetëror, prodhohet një barazi e rreme.

Drejtësia që barazon mbijetesën me dhunën, e zhvesh moralin nga kuptimi.

Hetimi i abuzimeve individuale është i domosdoshëm, por kur mbrojtja e jetës trajtohet si krim, drejtësia humbet busullën e vet.

Në filozofinë e lirisë, dallimi midis kujtesës dhe gjykimit është themelor, kujtesa ruan nderin, ndërsa gjykimi pa kujtesë kthehet në mekanizëm.

Dhe një mekanizëm pa shpirt, sado i përsosur të jetë, nuk mund të dallojë fajin nga heroizmi.

Kjo është arsyeja pse Gjykata Speciale në Hagë rrezikon të mos gjykojë më askënd, por të gjykojë vetë arsyen që një popull kishte për të mos vdekur.

Sepse kur drejtësia humbet busullën e saj morale, nuk mbetet më gjykim, mbetet vetëm harresë e strukturuar.

Dhe harresa është forma më e lartë e padrejtësisë.

Historia e Gjykatës Speciale për Kosovën është rrëfimi më i qartë i mënyrës se si një qytetërim që pretendon të mbrojë drejtësinë, bie në kurthin e vet moral.

Në përpjekjen për tu dukur neutrale, Europa zgjodhi të jetë indiferente, në përpjekjen për të dukur e drejtë, ajo zgjodhi të jetë e verbër.

Miratimi i raportit të Dick Marty në Këshillin e Evropës, më 2011, nuk ishte akt drejtësie, por simptomë e një dobësie, një Perëndim që kërkonte të balancojë viktimën dhe agresorin, duke e zhdukur dallimin midis tyre.

Kështu u krijua iluzioni se drejtësia mund të ruhet duke humbur shpirtin.

Në emër të “balancës”, Europa e vendosi në të njëjtën peshore projektin shtetëror të dhunës dhe aktin e vetëmbrojtjes së një populli.

Ky është relativizëm etik i institucionalizuar, një formë e sofistikuar e harresës morale, ku ligji shndërrohet në formë pa përmbajtje, dhe e vërteta bëhet dekor që nuk peshon më asgjë.

Kant do ta kishte quajtur “rënien e arsyes praktike”, sepse ligji pa moral është një boshllëk i hijshëm, i veshur me procedura.

Gjykata që sot gjykon çlirimtarët e Kosovës është paradoks i vetë Perëndimit, ajo gjykon ata që realizuan arsyen morale të ndërhyrjes perëndimore të vitit 1999.

NATO hyri në luftë jo për territore, por për jetë njerëzish; për të ndalur spastrimin etnik, për të mbrojtur lirinë e një populli të pafajshëm.

Por sot, me gjykimin e UÇK-së, Perëndimi duket se po gjykon vetveten, po i heq arsyes së vet kauzën morale.

Në thelb, ky është gjykim kundër kujtesës. UÇK-ja nuk po gjykohet pse ka vrarë, por pse ka jetuar.

Sepse guximi për të ekzistuar u bë krim në një botë që e mat jetën me raport dhe nuk e kupton më sakrificën si akt moral.

Gjykata Speciale nuk është dritë drejtësie, por pasqyrë e një frike, frika e Europës për t’u përballur me faktin se një popull i vogël, në periferi të saj, e përmbushi me gjak premtimin që ajo vetë kishte harruar, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Ky është dështim doktrinor, jo thjesht juridik. Sepse një civilizim që barazon mbrojtjen me dhunën, shkon drejt vetë-shkatërrimit moral.

Perëndimi, që dikur e kishte guximin të ndërhynte në emër të së mirës, tani kërkon të justifikohet duke gjykuar të mirën.

Në këtë gjykim të përmbysur, Europa nuk gjykon UÇK-në; ajo gjykon kujtesën e vet, ndërsa bota e shikon se si një sistem që shpiku drejtësinë po harron kuptimin e saj.

Në fund, historia do ta mbajë mend këtë gjykatë jo për vendimet që dha, por për turpin që prodhoi.

Sepse çdo herë që drejtësia ndahet nga morali, ajo pushon së qeni Perëndim, dhe kthehet në një harresë që e dënon vetveten.

Shqipëria dhe Kosova nuk janë dy realitete të ndara me kufij, por dy forma të së njëjtës ndërgjegje.

Njëra është kujtesa, tjetra është dëshmia. Njëra ruan fjalën, tjetra flijimin.

Si dy sy të një shpirti që sheh në drejtime të ndryshme, por sheh të njëjtën dritë.

Rrënjët janë të përbashkëta, dhe fryma që i mban gjallë është e njëjtë, ajo e njeriut që nuk pranon të jetojë pa dinjitet.

Rugova dhe Jashari nuk ishin kundërshti, por dy metoda të së njëjtës domosdoshmëri.

Rugova përfaqësonte urtësinë që pret, Jashari sakrificën që vepron.

Në mes të tyre qëndron shpirti shqiptar, i cili di të durojë dhe di të flijohet, por asnjëherë të nënshtrohet.

Ky binom është aksi moral i neoshqiptarizmit, liria si përbashkim i mendjes me guximin, i durimit me veprimin.

Në atë harmoni qëndron sekreti i kombit tonë, ne dimë të presim pa u përkulur dhe të luftojmë pa urrejtur.

Shqipëria, si amë e kujtesës, dhe Kosova, si amë e sakrificës, janë dy gjysma të një harte shpirtërore që shtrihet përtej politikës.

Nuk janë dy shtete që kërkojnë drejtësi, por një ndërgjegje që kërkon kuptim.

Kjo është arsyeja pse çdo përçarje midis tyre është artificiale, çdo polemikë është kalimtare.

Sepse shpirti që i bashkon nuk është interes, por amanet.

Dhe amaneti i lirisë nuk ndahet, as në gjak, as në frymë.

Në një botë që ndan kufijtë për t’i harruar popujt, ne ruajmë kujtesën si urë.

Uniteti ynë nuk është gjeografik, por moral. Ai matet me mënyrën si e mbrojmë njëri-tjetrin kur drejtësia bie në gjumë.

Sa herë që kujtesa jonë bashkohet, harresa e të tjerëve rrëzohet.

Sepse Shqipëria dhe Kosova janë dy sy që shohin një të ardhme të përbashkët, dhe drita e tyre buron nga i njëjti Zot i Lirisë.

Perëndimi, dikur busull morale e njerëzimit, sot ndodhet përballë një pasqyre të zymtë ku shfaqet fytyra e vet e lodhur nga moralizmi pa moral.

Megjithatë, një dritë e re ka nisur të ndizet në horizontin perëndimor, një dritë që vjen nga Amerika, siç ka ardhur gjithmonë kur bota ka qenë në prag të harresës morale.

Amerika, me gjithë dallgët e saj politike, mbetet mikja e shpëtimit, forca që ndalon katastrofën dhe e kthen historinë në ndërgjegje.

Ajo që ndodhi në vitin 1999 nuk ishte thjesht një ndërhyrje ushtarake, por një ndërhyrje shpirtërore, një popull i vogël u shpëtua nga shfarosja, dhe Liria, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, mori kuptim në Ballkan.

Pas paqes së madhe të shpallur në Sharm El Sheikh, Amerika e re, ajo që po rilind nën udhëheqjen e Presidentit Trump, mund të rikthejë atë ndjenjë drejtësie të gjallë, të pakorruptuar nga burokracia.

Trump e kupton se paqja nuk është pakt diplomatësh, por vendim për ta kthyer fuqinë në drejtësi.

Ai e kupton se Perëndimi nuk ruhet me konformizëm, por me guxim moral.

Në një botë që po lodhet nga fjalët e sheshta të institucioneve, Amerika sërish është gati të flasë me gjuhën e veprës, me realizëm, por edhe me shpirt.

Dhe në këtë moment të ri global, shqiptarët, si populli më proamerikan në Europë, shohin me shpresë drejt asaj që po rilind, një Perëndim që kthehet tek parimet e tij të themelimit, jo tek formularet e harresës.

Ndërsa Europa, e mbërthyer në burokracitë e veta, e ka kthyer kujtesën në formular dhe ndërgjegjen në procedurë, Amerika ruan ende frymën e Zotit në politikë, atë frymë që e dallon civilizimin nga komoditeti, moralin nga indiferenca.

Në korridoret e Brukselit flitet për “neutralitet”, por neutraliteti para së keqes është forma më e heshtur e fajit.

Kur një popull që u gjykua për mbijetesë akuzohet për ekzistencë, kontinentet bien në krizë, dhe vetëm Amerika, me instinktin e saj të lirisë, kujton arsyen pse ekziston, për të mbrojtur jetën, për të mos lejuar që e vërteta të zëvendësohet nga burokracia.

Në një raport të OSBE-së shënohet një datë, një fshat, një varr i hapur.

Një nënë kërkon eshtrat e të birit, ndërsa në anën tjetër të kontinentit një sallë e ndriçuar debaton termin “proporcionalitet”.

Kjo është Europa që rrezikon ta humbasë shpirtin, sepse aty ku gurët e kujtesës flasin, fraza e ligjit duhet të heshtë.

Ligji që nuk njeh nënën që kërkon varrin e të birit, nuk është ligj, është teknologji e harresës.

Por Amerika e di që drejtësia fillon aty ku njeriu mban kujtimin gjallë.

UÇK-ja mbetet rasti më i pastër i një force që ringriti të drejtën për të jetuar në zemrën e Europës.

Ajo nuk kërkoi hakmarrje, por jetë.

Dhe sot, kur bota po hyn në një epokë të re paqeje dhe riformimi moral, është Amerika që mund ta rikthejë dinjitetin e kësaj historie.

Nëse Trump, siç ka paralajmëruar, dëshiron të ndërtojë një Perëndim të fortë, të drejtë dhe të pastër nga relativizmi, atëherë çështja e Kosovës mund të bëhet provë e madhe e rikthimit të moralit perëndimor.

Sepse UÇK-ja nuk është plagë e së kaluarës, por dëshmi e gjallë e së ardhmes që Amerika ndihmoi të lindë.

Ne, shqiptarët, nuk kërkojmë mëshirë, as amnisti morale.

Kërkojmë respekt për të vërtetën e mbijetesës, për nderin që nuk iu përkul dhunës.

Sepse drejtësia që e sheh popullin që mbijeton si të dyshimtë, është drejtësi që ka harruar pse u shpik.

Dhe kur Perëndimi harron këtë, vetëm Amerika mund ta kujtojë:

Liria është kujtesa e Zotit në tokë, dhe ajo ndriçon sërish, jo nga sallat e Brukselit, por nga drita që vjen përtej Atlantikut.

Liria nuk është shpërblim, as dhuratë që vjen nga duart e të fuqishmëve.

Ajo është frymë që lind në plagë, dritë që del nga dheu i përgjakur dhe bëhet kujtesë e Zotit në tokë.

Në çdo fshat të djegur të Kosovës, në çdo gur të rrënuar, në çdo varr pa emër, frymon një e vërtetë që asnjë gjykatë nuk mund ta ndalë: ky popull nuk u dorëzua.

Ai nuk luftoi për pushtet, por për të drejtën që të jetojë me dinjitet.

UÇK-ja nuk është thjesht emër i një ushtrie. Ajo është manifesti i vetëmbrojtjes njerëzore, zëri që Perëndimi e dëgjoi në momentin kur bota po e humbte kujtesën e vet morale.

Luftëtarët e saj nuk dolën nga urrejtja, por nga dashuria për jetën.

Ata nuk ishin bij të luftës, por bij të dhimbjes që nuk pranoi të bëhej heshtje.

Dhe pikërisht në këtë qëndron e vërteta e tyre e përjetshme:

UÇK-ja nuk kërkon falje, sepse nuk bëri asgjë që ta kërkojë.

As Serbia, as Europa nuk fitojnë nga dënimi i çlirimtarëve.

Një drejtësi që i ngatërron mbrojtësit me agresorët është drejtësi që ka harruar kuptimin e vet.

Kur ndëshkon ata që mbrojtën jetën, ligji bëhet pa shpirt, dhe peshorja e ndërgjegjes del nga horizonti i dritës.

Historia e njeh këtë gabim, ajo që ndëshkon lirinë, përfundon e dënuar nga kujtesa.

Kujtesa, ndryshe nga ligji, nuk mbyllet në dosje.

Ajo është gjyqi i përjetshëm i popujve.

Në të, dritat nuk i ndezin prokurorët, por zemrat e atyre që nuk harruan.

Dhe kur kombet harrojnë, kujtesa e Zotit fillon të flasë përmes atyre që vuajnë në heshtje, përmes atyre që flijuan pa e kërkuar lavdinë.

Ne, shqiptarët, nuk kërkojmë dashuri nga bota, por të vërtetën.

Nuk kërkojmë mëshirë, por respekt për ata që shpëtuan moralin e njerëzimit nga rrëzimi.

Kërkojmë që bota të mos harrojë pse nuk u dorëzuam, sepse dorëzimi do të kishte qenë fundi i shpirtit, jo vetëm i trupit.

Liria është kujtesa e Zotit në tokë.

Ajo nuk gjykohet, sepse është vetë drita që gjykon.

Dhe kur kjo dritë ndizet mbi Kosovë, ajo nuk ndriçon vetëm plagët tona, por ndërgjegjen e botës mbarë.

Sepse liria që lind nga gjaku i pafajësisë nuk shuhet kurrë, ajo vazhdon të rrezatojë, derisa drejtësia të kujtohet pse ekziston.

Epigram

Ligji pa kujtesë është formë.

Kujtesa pa të vërtetë është mjegull.

Liria i bën bashkë, ose bota fiket.

Dhe liria ka emër…

Filed Under: Analiza

AMFE – USA: We are delighted to present Board Member Dr. Lydra Tapija

October 17, 2025 by s p

Dr. Lydra Tapija was a dentist in Albania before she came to the United States in 2000. She had her own practice in Tirana and was a full time faculty at Dental School.She pursued her dream of practicing dentistry in America by getting her degree at the University of Pennsylvania, School of Dental Medicine as an honors graduate.

She is a very gentle, caring, skilled, and highly trained dentist who offers her honest opinion to all her patients. She keeps up to date with the latest innovations in Dentistry through continuing education, and travels all over the country to learn from experts in the field. She has earned a reputation of excellence through her individualized care, attention to detail, and patience in listening to the concerns of every patient.

Dr. Tapija practices the concept of complete dentistry, which aims for an equilibrium between the jaw joints, teeth, and muscles of mastication. She is trained to identify the signs of problems before any symptoms or damages occur. She loves the art and science of designing beautiful and healthy smiles.

The doctor also teaches young dental students at Columbia University, College of Dental Medicine, and loves it. She is a class ambassador at the prestigious Dawson Academy in Saint Petersburg, Florida.She is a member of the American Dental Association (ADA), New York State Dental Association, Bronx County Dental Society, and Academy of General Dentistry. She enjoys reading, cooking, photography, and spending quality time with her family.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 279
  • 280
  • 281
  • 282
  • 283
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT