• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova synon anëtarësim sa më të shpejtë në NATO

September 22, 2021 by s p

-Në Nju Jork Presidentja Osmani dhe Ministrja Gërvalla takuan Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg/

NJU JORK, 21 Shtator 2021 – Gazeta DIELLI/

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, sot në Nju Jork takuan Sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg.

Presidentja Osmani theksoi se synim themelor i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO. Anëtarësimi është i rëndësishëm për ta siguruar paqen në rajon, por edhe për promovimin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta.

Gjatë takimit me të, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me NATO-n, i cili nënkupton përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, duke kontribuar për paqen”, tha ajo.

Forca e Sigurisë e Kosovës, tha Presidentja Osmani, është forcë profesionale, e përgatitur në përputhje me standardet e NATO-s, e cila do t’i mundësojë Kosovës të bëhet forcë aktive në kuadrin e sigurisë rajonale dhe globale.

“Ne jemi krenarë që ushtarët tanë po marrin pjesë së bashku me ushtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së në një mision të përbashkët ushtarak në Kuvajt. Ky mision, i pari i këtij lloji për Kosovën, është dëshmi e gatishmërisë sonë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, tha Presidentja Osmani.

Presidentja e informoi Sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoj se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë.

Sekretari i NATO–s, Jens Stoltenberg, e falënderoi Kosovën për strehimin e përkohshëm të refugjatëve afganë bashkëpunëtorë të NATO-s dhe e vlerësoi veprimin e saj si shembull të bashkëpunimit dhe të koordinimit me aleatët.

Presidentja Osmani theksoi se vendimi i Kosovës ishte në përputhje me orientimin gjeostrategjik dhe reflektim i vlerave të përbashkëta të të drejtave të njeriut. 

“Kosova është e gatshme që edhe në të ardhmen të kontribuojë në misione të ngjashme humanitare, por edhe në ato të sigurisë”, tha Presidentja Osmani.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Vjosa Osmani

Reciprocitet edhe për të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut

September 22, 2021 by s p

Shkruan: Refik HASANI

Pas reciprocitetit në sferën e plasimit të të gjitha llojeve të produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës duhet që Prishtina të kërkojë nga Beogradi nëpërmjet faktorit politik dhe ushtarak ndërkombëtar zbatimin e respektimit të ndërsjellë edhe në kuptimin dhe lëmin e të gjitha të drejtave të njeriut dhe atij kolektiv që gëzon pakica serbe në Kosovë, minimum duhet t’i gëzojmë edhe ne në Krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë.

Vendim i drejt i Qeverisë së Kosovës

Vendimi i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i kontrolluar kufijtë, sovranitetin dhe integritetin territorial është shumë i drejtë. Në të gjitha sferat e jetës kanë prodhuar efekte pozitive. Ne i shohim tri elemente të kuptimit më të gjerë që janë arritur me këtë rast:

– Kosova nuk do të humbë nga buxheti për shkak kontrabandës dhe dalëngadalë do ta shtrijë ndikimin edhe në këtë pjesë duke shtrirë ligjshmërinë dhe sovranitetin;

– Serbia do ta humbë përfundimisht atë fuqinë dhe sasinë e produkteve që ka plasuar në tregun e Kosovës. Produktet e Serbisë nuk do ta kenë më atë mundësinë e shitjes, sepse edhe nga konsumatorët e rëndomtë nuk do të blihen;

– Gjendja nuk do të kthehet ashtu siç ishte më parë.

Kurse me rastin e arritjes së dakordimit për tri konkluzionet e para, veçmas pasi Qeveria e Kosovës arriti të mos pajtohet që të vazhdojë që serbët ta kontrollojnë vendkalimin kufitar në Jarinjë dhe Bërnjak kërkohet që në vazhdimin e tyre të shtrohet edhe reciprociteti për të drejtat e njeriut. Prandaj, të gjitha çështjet në ekonomi, njohjet e ndërsjella, kemi edhe reciprocitet për respektimin e të drejtave individual dhe kolektive të njeriut në mes të dy shteteve. Me të drejtë ne popullata shqiptare nga komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës jemi duke pritur nga Prishtina që të kërkojnë reciprocitet, ta ngrenë zërin, të përfaqësojnë, të mbrojnë edhe interesat e shqiptarëve nga kjo hapësirë etnike shqiptare. Kjo të bëhet në të gjitha nivelet dhe instancat evropiane dhe botërore, por edhe në këto bisedime që janë dhe do të vazhdojnë për një kohë bukur të gjatë me Beogradin. Krahina shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë të mbrohet në të gjitha instancat ndërkombëtare nga Prishtina, duke kërkuar reciprocitetin në kuadrin e të drejtave individuale dhe kolektive.

Përballja me të papritura

Situata është e tejet e keqësuar, kundruall tensioneve që pas qershorit 1999 e këndej. Ne banorët atje ende jemi duke u përballuar me shumë të papritura, përveç udhëheqësve të ndarë e përçarë në tetë subjekte politike, që është shqetësuese, e mbi të gjitha është me institucionet e Kosovës me qëndrimin ndaj çështjes së pazgjidhur. Beogradi dhe Prishtina, përveç tjerash, duhet ta ndjekin edhe parimin e kësaj formule të reciprocitetit, që do të kishte ndikim shumë pozitiv te shqiptarët. Serbët lokalë si minoritet i Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat me standardet më të larta të Evropës. Shqiptarët që janë të përqendruar në një krahinë me një popullatë dhe territor kompakt nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash, por më së shumti janë të diskriminuar. Prishtina duhet të kërkojë nëpërmjet faktorit politik që Beogradi nuk ka të drejtë dhe nuk do t’i lejohet t’i shkelë të gjitha të drejtat. Në këto tri pika është edhe njohja e diplomave që do të ketë efekte pozitive për shqiptarët gjithandej Serbisë, që i kanë të përfunduara studimet në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2005,, e shkrova artikullin “Reciprociteti, në shumë fusha që duhet ndjekur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”. Shkrimi autorial ishte botuar , në atë kohë zhvilloheshin bisedimet në Vjenë dhe qytete të tjera për gjetjen e statutit të Kosovës nën monitorimin e faktorit ndërkombëtar. Po ashtu, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar institucioneve të Tiranës dhe Prishtinës që duhet ta respektojnë reciprocitetin me Beogradin. Këto opinione të botuara u bën temë për diskutime të shumta. Prandaj, këtë herë po shkruaj në një formë paksa më ndryshe.

Hapat që duhet ndjekur Prishtina

Gabimet ishin edhe të dyanshme, pra të udhëheqjeve të komunës së Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës dhe të bartësve politikë dhe institucionalë të Kosovës. Kësaj here po paraqesim vetëm hapat që duhet ndjekur institucionet e Kosovës, sepse të kësaj krahine do t’i paraqesim në ndonjë shkrim tjetër, kurse kur t’i përshkruajmë edhe gabimet e institucioneve të Republikës së Serbisë dhe të faktorit ndërkombëtar, atëherë themi se e kemi paraqitur nga katër këndvështrime problematikën e çështje që ende pret për zgjidhje.

• Mos të vonohet hapja e një zyrë ndërlidhëse në kuadër të Kryeministrisë, Presidentit apo kryetarit të Parlamentit, ku do ta koordinojnë punën, që do të merrej me kategorinë e të zhvendosurve shqiptarë dhe, përgjithësisht, atë në ish-hapësirat e Jugosllavisë.

• Duhet të merren parasysh se në çfarë pozite ka mbetur popullata me rastin e tërheqjes së forcave vrastare prej Kosovës, duke u stacionuar dhe përqendruar në këtë krahinë shqiptare,

• Të ngrihet problematika e kategorisë së të zhvendosurve që nga fillimi i luftimeve ndërmjet forcave të ushtrisë serbe dhe UÇPMB-së.

• Të bëhet regjistrimi i të zhvendosurve, pranimi dhe vendosja nëpër objekte banimi kolektiv, sepse më lehtë do të dihej dhe pranohej edhe nga ndërkombëtarët se në Kosovë ka pasur dhe ka ende të zhvendosur prej kësaj krahine shqiptare.

• Të ngrihet çështja se ku janë shqiptarët që kishin prona dhe pasuri të patundshme nëpër qytete të Republikës së Serbisë, si Beograd, Nish , Leskoc, Vranjë, Novi-Sad etj.

• Të përmendet dhe duhet të zërë vend edhe në fjalorin zyrtar nënshkrimi i Marrëveshjes së Konçulit.

• Po ashtu, të pranohet nga të gjitha instancat më të larta lidhur me Referendumin e mbajtur më 1 e 2 mars 1992.

• Të bëhet krahasimi ndërmjet të drejtave që po kërkon vazhdimisht Serbia për bashkëvendësit e vet, pra për serbët lokalë të Kosovës. Po ato të drejta duhet dhe na takojnë edhe ne shqiptarëve që jetojmë anekënd Serbisë, e veçmas në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.

• Të mbështetët lidhur me arsyeshmërinë dhe domosdoshmërinë e themelimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të kësaj krahine shqiptare.

• Të ngrihet çështja e mungesës së përkujdesjes shëndetësore, ku shqiptarët në Serbi përbëjnë mbi 100 mijë banorë, por ende nuk kanë spital regjional, por bredhin për shërim herë në Prishtinë, Nish, Shkup e Beograd.

• Përdorimi i flamurit ende është çështje e pazgjidhur në tri komunat e cekura.

• Asnjëherë nuk u tërhoq një paralele krahasimore për investimet se sa janë bërë për kthim të serbëve lokalë të Kosovës dhe të zhvendosurve të ardhur nga këto tri komuna që janë në Kosovë.

• Ka pasiguri, frikë e presion dhe është instaluar një psikozë se ka bazë ushtarake të ushtrisë serbe, si Cepotin, Sitilia, fusha e Shehut, ku janë dhe vazhdojnë të vendosen me qindra ushtarë e pjesëtarë të xhandarmërisë dhe forcave elite speciale. Këto objekte ushtarake janë shndërruar në poligone ushtarake, ku për çdo vjet ndahen nga Qeveria e Serbisë me milion e miliona euro.

• Këto baza dhe poligone janë rrezik për tërë rajonin e Ballkanit e aq më shumë kërcënim dhe presion psikik për mbijetesën e banorëve shqiptarë në këto anë.

• Në tri komunat e cekur më lartë mungon liria e lëvizjes, veçmas në komunën e Medvegjës, Karadak të Preshevës dhe Malësinë e Bujanocit.

• Opinioni i Kosovës dhe mas-mediet tona shqiptare sikur nuk kanë fort interesim për zhvillimet që po rrjedhin brenda Serbisë dhe qëndrimit të saj ndaj shqiptarëve.

• Duhet të shfrytëzohet koha dhe momenti historik që gjatë bisedimeve të delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, në praninë e faktorit ndërkombëtar , përfundimisht të hapet Kutia e Pandorës lidhur me ndërtimin e reciprocitetit, duke e shtruar në tavolinë edhe çështjen e kësaj krahine të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Beogradit dhe pasuritë e shqiptarëve nëpër qytete të Serbisë.

• Duhet kërkuar që të ndërtohet një qëndrim, platformë a strategji afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë, se çfarë dhe si t’i artikulojmë kërkesat e tona ne shqiptarët kësaj krahine.

• Ende nuk kemi kurrfarë investimi në arsim e kulturë, por mund të flasim për tetëqind Abetare nga Ministria e Arsimit që u dërguan në tri komuna vitin 2010.

• Qeveri e Kosovës dhe ekipi që bisedon drejtpërdrejt apo nëpërmjet faktorit politik ndërkombëtar të këmbëngulë në hapjen e një universiteti publik në gjuhën shqipe.

• Dy akademitë tona sikur kanë rënë në heshtje edhe lidhur me propozimin e dytë të autorit të këtyre rreshtave për vendosjen e një shtatoreje të heroit tonë kombëtarë Skënderbeu në qendër të Bujanocit.

• Prishtina dhe partitë politike gabuan shumë rëndë kur gjatë konsultave nëse duhet të marrin pjesë në zgjedhjet nacionale apo jo dhe nuk i udhëzuan drejt.

Instruksionet e Kosovës

Institucionet e Kosovës duhet të na japin instruksione të qarta partive politike po qe se duhet të marrim pjesë në zgjedhje nacionale serbe, nëse po, pse të mos kërkohen kushtëzime:

I – Nëse garantohen pesë vende në Parlamentin e Serbisë dhe tri vende mund të fitohen me vota të drejtpërdrejta, përndryshe assesi JO .

II – Ku së bashku me deputetët e minoriteteve të tjera në Serbi, si: boshnjakët e Sanxhakut, hungarezët e Vojvodinës, bullgarët dhe romët do ta krijonin një klub të deputetëve, por edhe do ta udhëhiqnin së paku Ministrinë për Minoritete edhe atë me rotacion. Vetëm kështu ndoshta do t’ia vlente që shqiptarët të merrnin pjesë në jetën parlamentare dhe të bëhen një faktor politik dhe parlamentar .Kosova ka obligim moral, institucional dhe kombëtar të përkujdesët për të gjitha shqiptarët në ish-hapësirat e ngrehinës së quajtur Jugosllavi.Duke i përcjellë të gjitha këto me vëmendjen më të madhe në Kosovë, i vetmi lider nga e gjithë hapësira jonë shqiptare që mund të ndikojë dhe të afrojë është Hashim Thaçi, jo për pozitën tashmë si kryeministër dhe lideri më i votuar në Kosovë, por këtë kredibilitet, sa i përket çështjes dhe rreth kësaj Krahine e kishte gëzuar edhe më herët dhe e posedon edhe tash. Pasi ka pasur disa angazhime pozitive në të kaluarën në këtë drejtim, institucionet e Kosovës, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, njerëz me ndikim në jetën publike e politike të Kosovës, t’i bashkërendojnë qëndrimet, t’i harmonizojnë, të shkruhet një program, strategji veprimi, gjithmonë në konsultim të ngushtë me dy akademitë tona të shkencave, por edhe me miqtë amerikanë dhe faktorin politik ndërkombëtar.Çështja e shqiptarëve nga komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës të jetë edhe në agjendën, fjalorin dhe temën e bisedave në të gjitha nivelet për të gjithë, veçmas nga Presidenti, Kryeministri, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme. Është gabim politik dhe diplomatik nëse mendohet që Kosova i ka “duart e lidhura” që ta mbrojë çështjen e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të kësaj ane. Edhe në këto bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të përqendrohen edhe rreth reciprocitetit e të drejtave të njeriut. Kosova ka obligim moral, institucional dhe kombëtar të përkujdeset për të gjithë shqiptarët në ish-hapësirat e ngrehinës artificiale që qëndroi në këmbë të qelqta dhe u quajt Jugosllavi. Çështja e shqiptarëve nga komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë nuk është zgjidhur, po pret për t’u zgjidhur drejt.

Autori, ka disa punime e kumtesa në konferenca shkencore për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, por edhe ka propozur,si:Reciprocitetin,  për Referendumin e datës 1 e 2 mars 1992, shqyrtimi i realizimit të Marrëveshjes së Konçulit, inicimin që të miratohet një rezolut nga Parlamenti i Kosovës, formim i një Komisioni mikst nga Parlamenti Shqipëri-Kosovë, propozimi për formimin  e një zyre në kuadër të zyrës së Kryeministrisë etj 

Filed Under: Opinion Tagged With: Reciprociteti, Refik Hasani

BE t`i përmbushë premtimet ndaj Kosovës

September 22, 2021 by s p

-Presidentja Osmani takoi shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell: Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, porse ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin aktuale juridik/


NJU JORK, 22 Shtator 2021 – Gazeta DIELLI/


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York bashkë me kryetarë të disa shteteve të rajonit në një darkë joformale ka takuar shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në këtë takim u diskutua për situatën në rajon dhe marrëdhëniet e shteteve të Ballkanit me BE-në. Presidentja Osmani ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, ndaj në këtë kontekst ka përmendur faktin se Kosova i ka plotësuar të gjithë kriteret për liberalizim vizash. Për këtë shkak, ajo ka potencuar se i takon BE-së që t`i përmbushë premtimet e veta ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka folur edhe për situatën aktuale në Kosovës, duke përmendur përmbushjen e marrëveshjes për targat. “Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat. Përpjekjet për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia duhet t`i gjykojë vetë BE-ja”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë, porse ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe me rendin aktuale juridik.

Filed Under: Politike Tagged With: Be, kosova

SHKOLLA SHQIPE E NEW JERSEYT FILLOI VITIN I RI SHKOLLOR 2021-2022

September 22, 2021 by s p


Shkruan: Bexhet Asani/


Në Qendrën Kulturore Shqiptaro – Amerikane në Riverdell të Nju Xherzit në prani të prindërve me një ceremoni festive filloi viti i ri shkollor 2021-2022. Fillimin e vitit të ri shkollor e përshëndeti kryetari i Qendrës Astrit Zhaku, përgjegjësja për arsim mësuesja Zera Musli, imami Arun Pollozhani, profesor Bexhet Asani dhe gazetari Faton Arifi i cili e udhëhoqi këtë ceremoni të fillim vitit ri shkollor. Përgjegjësja për arsim Zera Musli vuri në dukje shqetësimin e saj për kultivimin e traditave në Amerikën e largët: “Të nderuar bashkatdhetar, nxënës, mësues, prindër dhe anëtarë të këshillit!Në emrin tim dhe stafit mësimor ju uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor!Urimi i parë u takon nxënësve, shkollës shqipe të cilët me prezencën e tyre zbukurojnë objektin dhe mbajnë gjallë gjuhën dhe traditat tona kombëtare.Të nderuar mësues ju falënderoj për përkushtimin dhe punën e palodhur që bëni në përmbushjen e misionit tuaj fisnik! Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë u takon të gjithë brezave të mësuseve dhe mësuesve që kanë dhënë ndihmën e tyre të pakursyer, e që kanë lënë gjurmë në ruajtjen e gjuhës, adeteve, zakoneve dhe traditave shqiptare.Të respektuar prindër, ju jeni shtylla më e rëndësishme e shkollës dhe komunitetit tonë.Qëllimi ynë është të ruajmë traditat, zakonet dhe gjuhën, duke bashkëpunuar me prindërit, ne do t’ ia arrijmë qëllimit të mbajmë gjallë gjuhën dhe traditat tona të bukura arbërore.Unë shpesh përdor një thënie të rilindësit tonë të shquar Filip Shirokës, i cili ngrysi tërë jetën e tij në mërgim: “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja por me mësimin e gjuhës së vet.” Para se të pëfundoj dua të prezentoj stafin mësimdhënësve: Gonxhe Meta dhe Emine Beqiri ndihmëse të këshillit arsimor, prof. dr. Bexhet Asani – bibliotekë, Vali Dida dhe Viola Myrtaj, mësuese të gjuhes shqipe.Faton Krasniqi, Afrim Doberdolli dhe Fadil Sahatçiu, mesues të muzikës. Më duhet të theksoj se sivjet në program kemi vendosur muzikën si lëndë muzikore. Arun Pollozhani imami i Qendrës dhe mesuese e fesë Kadrie Kupa, ndërsa Mirela Serjani është përgjegjëse për aktivitete të lira.Urime dita e parë e shkollës!”

Profesor Bexhet Asani në ditën e parë të vitit të ri shkollor 2021-2022 midis tjerash tha: I nderuar kryetar i Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane Astrit Zhaku, të nderuar anëtarë të kryesisë, e nderuar përgjegjëse e arsimit profesoreshë Zera Musli, të nderuara mësuese, të dashur nxënës, i nderuar imam Arun Pollozhani, të nderuar prindër, sot është dita e parë e shkollës, shtatori padyshim sjell gëzim për çdo nxënës qoftë ai i madh apo i vogël, gëzimi është edhe më i madh për nxënësit e klasës së parë të cilët të gëzuar e me buqeta lulesh në duar për mësueset e tyre të dashura, ulen në karriget dhe bankat e shkollore. Jemi larg atdheut me mijëra kilometër, jemi larg vendit tonë ku çdo gjë frymon shqip, nga të shkojmë e të kthehemi. Këtu ndryshon puna. Këtu jemi të rrethuar nga të katër anët me të huaj, jemi të rrethuar nga teknika dhe teknologjia e avancuar elektronike. E për këtë sa duhet të gëzohemi po aq duhet të shqetësohemi. Pse? Nuk do të ndalem të radhit të mirat e teknologjisë elektronike, sepse ato i dinë të gjithë. Ne duhet të shqetësohemi për atë se asimilimi tanimë na ka trokitur në derë. Fëmijët, mbesat, nipërit na lindin këtu në atdheun tonë të dytë në SHBA. Prindërit janë në punë bile punojnë me orar të zgjatur, nuk kanë kohë të merren sa duhet me fëmijët e tyre. Fëmijët në gjirin familjar nuk e dëgjojnë aq sa duhet fjalën e ëmbël shqipe. Në telefon, në ajpad, në televizor, në shkollë, me shokë e shoqe dëgjojnë vetëm anglishten dhe për to gjuhë e mëmës tanimë është anglishtja, e atdhe SHBA. Detyra jonë si prindër, gjyshe e gjyshër është që të kujdesemi për to, t’ u flasim sa të jetë e mundur në gjuhën shqipe. Që veshi i tyre të mësohet për t’ i nxënë fjalët e gjuhës sonë hyjnore e cila këtu, për një të ardhme të afërt fatkeqësisht do të jetë e rrezikuar e që larg qoftë të zhduket si gjuhë e minoriteteve këtu në SHBA. Le të kujtojmë shqiptarët e kohës së Fan Nolit e të Faik Konicës, të cilët kanë ardhur ka më se njëqind vjet, e nuk kanë qenë pak por me qindra e mijëra, por dhëmbi i kohës i asimiloi, pasardhësit e tyre, rrallë ndonjë e di origjinën e tij, sa për gjuhën shqipe as që bëhet fjalë, gjuha shqipe është zhdukur që prej kohësh. M’ u kujtua një shprehje e shkrimtarit të njohur amerikan Ernest Heminguej, i cili e ka thënë aq bukur në romanin e tij të famshëm “Për kë bie kambana”. Midis tjerash ai shkruan; – Asnjëherë mos pyet, për kë bie kambana, ajo bie për ty..!” Kambanat e alarmit tanimë kanë rënë nëpër familjet tona, po na asimilohen fëmijët para syve tanë. Ja pse dita e parë e shkollës është festë gëzimi për nxënës e për prindër. Ju anëtarë të Qendrës Kulturore Shqiptaro – Amerikane duhet të krenoheni me arritjet tuaja, për ta bërë këtë objekt gjigant, me të gjitha kushtet e nevojshme arsimore, kulturore e fetare, me qëllim të ruajtjes së gjuhës, fesë, adeteve dhe zakoneve shqiptare të mrekullueshme. Do ta përfundoj me një fjalë të urtë timen: “Të ruash gjuhën, të ruash këngën, të ruash vallen, të ruash adetet, të ruash veshjen nëpër vendet e botës, sot është heroizëm!, që së shpejti do ta shuaj dhëmbi i asimilimit…!” Punë të mbarë dhe me lehtësi të nderuara mësuese, në këtë vit të ri shkollor!
Me nderimeBexhet Asani
Riverdell, Nju Xherzi,më 18 shtator 2021
SHBA

Filed Under: Featured Tagged With: Bexhet Asani, Shkolla Shqipe e New Jerseyt

Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael, aktivitete kulturologjike dhe vepra artistike të jashtëzakonshme te Muzeu Historik

September 21, 2021 by s p


Dielli


I konceptuar në dy segmente kryesore, eventi te Muzeu i Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael mblodhi së bashku një sërë personalitetesh të mëdha nga fusha e akademisë, historisë, letërsisë dhe artit. Pjesa e parë ishte një konferencë akademike, ku morën pjesë, me kumtesa origjinale dhe me fakte të reja të panjohura më parë për publikun, Akademiku Prof. Dr. Shaban Sinani, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, dhe Drejtori i Arkivit Qëndror të Shqipërisë, Prof. As. Ardit Bido. Akademik Shaban Sinani, Sekretar shkencor te Akademia e Shkencave, paraqiti një këndvështrim të ri nëpërmjet referatës së tij për vendosjen dhe ekzistencën e popullit hebre në territoret shqiptare. Dr. Koçi u fokusua te muzealizimi i pranisë dhe shpëtimit në Shqipëri të komunitetit hebre gjatë Holokaustit, duke përfshirë dhe refugjatët hebrenj që vinin nga Europa qëndrore e lindore. Nga ana tjetër, Prof. As. Bido paraqiti dhe analizoi materiale të ndryshme arkivore që lidhen me shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë hapësirën shqiptare. Pjesa e dytë e programit, iu dedikua letërsisë dhe më saktësisht pikëtakimeve dhe veçorive tipologjike të gjeniut të letrave shqip Ismail Kadare dhe shkrimtarit brilant izraelit Amos Oz, si dy nga shkrimtarët më përfaqësues të dy vendeve. Prof. Dr. Viola Isufaj erdhi me një shtjellim të imtësishëm të veprave të dy autorëve, duke u përqëndruar te rrëfimet e tyre për fëmijërinë, luftën dhe botën. Në përqasjen e saj, Prof. Isufaj analizoi përafritë lëndore të dy autorëve dhe analogjitë tipologjike. Ndërkohë, aktori i mirënjohur Arben Derhemi interpretoi dhe solli me mjeshtëri fragmente në prozë dhe në poezi nga të dy autorët. Eventi u përshëndet nga Rabini Yoel Kaplan, Krye-Rabini i Vendeve të Ballkanit. Në fillim të aktivitetit pati dhe një paraqitje të baletit kontemporan të përgatitur nga artisti i mirënjohur Eltion Merja dhe të vënë në skenë nga balerina Aneda Lusha, e cila trajtonte në mënyrë artistike tragjedinë e Holokaustit. Në përfundim të eventit, të pranishmit mundën të shijonin ekspozitën fotografike “Jeruzalemi Gjallnon” të fotografit hungarez Ivan Benda dhe ekspozitën me piktura “Streha” të artistit Arben Golemi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2833
  • 2834
  • 2835
  • 2836
  • 2837
  • …
  • 2929
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT