• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MENDIMET, MREKULLITË DHE SHENJTËRIMI – VEPRA TË DASHURISË DHE LUMTURISË NJERËZORE DHE HYJNORE QË NDIKUAN NË SHENJTËRIMIN E SHËN NËNË TEREZËS

September 5, 2021 by s p

ARGJIRA UKIMERI 

SHTATOR 2021 – PRIZREN 

 “Zoti jem, po më vjen keq me gjithë zemër për gjithë mëkatet që kam ba, se kam bjerrë parrizin, kam meritue ferrin, por ma fort se t’kam fye Ty, o e mira e pambarueme që kaq fort m’ke dashtë. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të nap fjalën, me ndihmën tënde, mos me t’fye ma kurrë”. – Ishte kjo lutja që çdo herë Shën Nënë Tereza i drejtohej Zotit Hyj. 

Person i dashtun për të gjithë, Ndihma e saj për të sëmurët, nevojtarët, të pastrehët, hapja e shkollave dhe zhdukja e analfabetizmit, ndikuan që e gjithë bota të njehë shpirtin human të Shën Nënë Terezës. E ndikuar nga forca e Shkrimeve të Shenjta, Dashuria e Hyjit dhe ndikimi i tij në Terezën me shtatë-shkurtër por me një zemër të madhe, arriti të thyej autoritetin e heshtjes globale ndaj varfërisë, dhe skamjes që mbizotëronte atë kohë në mbarë globin. Në mënyrë lunatike, Shën Nënë Tereza përmes veprave pozitive, edhe njherë u tregoi të gjithëve që përmes përkrahjes, vullnetit jemi më afër Zotit. Mbi të gjitha “ZOTI ËSHTË DASHURI”

MREKULLIA DHE LUMNIMI I NËNË TEREZËS

Më 5 shtator 1997, vdiq Gonxhe Bojaxhiu. Pas vdekjes së saj, Selia e Shenjtë në Vatikan filloi procesin e lumnimit të Nënë Terezës. Ky process, është hapi i dytë që të drejton kah Kanonizimi. Mu për këtë çështje (Lumnimin), u emërua Kolodiejchuk – Postulator nga Dioqeza e Kalkutës. Pas emërimit të tij, Kolodiejchuk u shprehë kështu: “Ne nuk kemi pse të vërtetojmë se ajo ishte e përsosur. Ose nuk bëri ndonjë gabim.  Ai duhej të dëshmonte se veprat dhe vyrtytet e Nënë Terezes ishin heroike. Poashtu, Kolodiejchuk përgatiti dhe dorëzoi 76 dokumente, të shkruara në 35.000 faqe. Të gjitha këto dokumente, bazoheshin në intervista të ndryshme, dhe kishte gjithësej 113 dëshmitarë. Këtyre të fundit u kërkohej që të përgjigjeshin në 263 pyetje të ndryshme. Vatikani, me shumë kujdes i studioi të gjitha kritikat e botuara dhe të pabotuara, që u shkruan për jetën, veprën dhe  mrekullitë e Shën Terezës,  Hitchen dhe Chatterie, botuan një libër krtik për Nënë Terezën, ku edhe në gjykatë kundërshtuan çdo gjë që kishte të bënte me këto çështje. Mirëpo, akuza dhe pretendimet e ngritura u hetuan nga KONGREKACIONI PËR KAUZAT E SHENJËTORËVE. 

Ndërsa grupi i caktuar për këto çështje, nuk gjeti asnjë pengesë të vetme për Kanonizimin e Nënë Terezës. Kështu që, ky Kongrekacion lëshoi edhe obstetrin e saj NIHIL, më 21.04.1999. Edhe disa shkrimtarë të tjerë katolik, kundërshtuan ashpër Kanonizimin e Gonxhes, duke e quajtur një SHENJË KUNDËRSHTIE. Duke anashkaluar kritikat, dhe duke u bazuar në fakte dhe argumente, një komunitet i veçantë mjekësor vendosi që të njohë të gjitha mrekullitë e Shën Nënë Terezës. TË GJITHA MREKULLITË E SAJ, JANË DËSHMI E NDËRHYRJES HYJNORE – ishte shprehur KOLODIEJCHUK. 19.10.2003 – ishte koha kur ANJEZË GONXHE BOJAXHIU – u lumturua. Sot mbarë rruzulli tokësor, ndihet i bekuar nga personaliteti i saj HYJNOR.  

KANONIZIMI

Kanonizimi si process në vete, kërkon një document, një dëshmi të një apo më shumë mrekullive, që vijnë nga ndërhyrja e atyre që do të bëhen Shenjëtor të ardhshëm.  Shën Nënë Tereza, ishte shembulli më i mirë i dashurisë, dhembshurisë, përvujtërisë dhe ndihmës për mbarë njerëzimin. Shpirti i saj human, dhe ndihma që iu dha njerëzve në nevojë, pasqyron rolin dhe rëndësinë e femrës në shoqëritë njerëzore. E tillë ishte Nënë Tereza, që përveç përkrahjes morale dhe shpirtërore, arriti që të shëroi shumë njerëz të tillë në mbarë rruzullin tokësor. Shumë të sëmurë u shëruan nga veprat dhe dora e saj. Më poshtë, do të përmendin vetëm disa prej tyre, që dërguan Nënë Terezen drejtë Kanonizimit, Lumnimit dhe Shenjtërimit të saj.

E njohur ndërkombëtarisht, për veprat e saj Nënë Tereza bëri mrekulli. Rasti i parë ishte një grua nga Bengali – Indi. Gruaja me emrin Monica Besra, kishte që vuante nga një tumor në bark rreth 17 cm. Pas shumë shërbimeve mjekësore dhe gjëra të tjera që kishte provuar familja e saj, asgjë nuk funksiononte. Mirëpo, Monica po vdiste pak nga pak nga sëmnudja. Më 5 shtator, në përvjetorin e parë të vdekjes së Nënë Terezes, një motër mori medaljen e Marias. 

Kjo ndodhi për shkak që gjatë funeralit të Nënë Terezës  (ia kishte prekur trupin e saj) dhe e vendosi në stomakun e Monicas dhe bëri një lutje të thjeshtë: “Nënë, sot është dita jote. Ti i ke dashur të varfërit. Bëj diçka për Monican”. E gjithë kjo ngjarje ndodhi në orën 17, pasdite. Ndërsa në orën 1 në mesnatë, Monica u ngritë që të shkoi në banjë. Aty zbuloi që barku i saj ishte i rrafshtë. Lidhur me këtë mrekulli, janë konsultuar gjithësej 11 mjekë. Vetëm njëri prej tyre ishte Katolik.

  • Ishte viti 2008, kur Shën Nënë Terezës iu njohë dhe mrekullia e dytë. Shën Nënë Tereza kishte shëruar një Brazilian që vuante nga disa turmore në tru. Marcilio Haddad Andrino, kishte deklaruar që mjekët nuk ia kishin dhënë asnjë shpresë të vetme për shërimin e tij nga sëmundja. E vetmja shpresë për të jetuar ishte Fernanda – gruaja e tij. Kjo lutej vazhdimisht. Pas lutjeve të shumta, gruaja beson që ishte ndërhyrja e Nënë Terezës në shërimin e burrit të saj, në kohën sa ishte nën kujdesin intensive.  Me lutjet e shumta që drejtoi Fernanda për bashkëshortin e saj dhe ndërmjetësimin e Nënë Terezës, tregohet edhe një mrekulli e saktë për motrën dhe bijën tonë – që sot është Shenjëtore për mbarë njerëzimin.  

Vlen të përmendet që, më 17.12.2015, Zyra e Shtypit në selinë e Shenjtë konfimrohet që Papa Françesku njohu mrekullitë e Nënë Terezës 1. Shërimin e Gruas nga India dhe 2. Shërimin e burrit nga Brazili – që të dy vuanin nga Tumoret. Mrekullitë së pari erdhën në vëmendjen e posulacionit. Kjo ndodhi kur ATI I SHENJTË, ndodhej në Brazil në korrik të vitit 2013, kur festohej DITA BOTËRORE E RINISË. Pas kësaj ngjarje, u dhe një hetim tjetër po në Brazil në 19-26.06.2015, që më pas u transferua në Kongrekacionin për Kauza të Shenjëtorëve, ku u lëshua një dekret. Përmes këtij dekreti u pajtua dhe u pranua që hetimet të përfundojnë.  Kanonizimi i Shën Nënë Terezës u bë në një ceremony në Sheshin Shën Pjetri në Romë me datë 04.09.2016. Kjo ngjarje u dëshmua nga dhjetrëa mijëra njerëz. Përfshirë këtu 15 delegacione qeveritare, mbi 1500 njerëz nga Italia, dhe mijëra njerëz ga e gjithë bota. E tërë kjo ngjarje interesante u transmetua edhe nga mediumet më të mëdha botërore.

Poashtu, në qytetin e lindjes së Nënë Terezës, festohej pambarimisht. Ndërsa në Indi, në një Meshë të veçantë u festua kanonizimi i saj nga Minsionarët e Bamirësisë në Kalkulta. Më poshtë do të shohim disa nga këto mendime:

  • Presidenti Pratibha Patil, për Nënë Terezën tha kështu: “E veshur me një sari të bardhë me një kufi blu, ajo dhe motrat e Misionarëve të Bamirësisë u bënë një simbol i shpresës për shumë njerëz – të moshuarit, të varfërit, të papunët, të sëmurët, të sëmurët përfundimisht dhe ata të braktisur nga familjet e tyre!
  • Kardinali i njohur Paskal, dha mendimin e tij: S’ mund të jetë një popull i vogël, derisa ka dhënë një person aq të madh sikur Nënë Tereza. Gonxhe Bojaxhiu, u bë urë ndërlidhëse e njohjes së Shqipëtarëve dhe Botës. 
  • Papa Gjon Pali II (Carol Voytilla), për Shën Nënë Terezën u shprehë kështu: “MADHËSHTINË E SAJ E SHIKOJMË NË AFTËSINË E SAJ PËR TË DHËË PA MARRË ASGJË, PËR TË DHURUAR – DERI NË DHIMBJE” GJITHË JETA E SAJ ISHTE UNGJILLI I GJALLË. 
  • Ish presidenti i SHBA-ve BILL CLINTON, duke u mbështetur në punën, dëshirën dhe çdo gjë tjetër që bëri Nënë Tereza, shprehu dëshirën dhe dashurinë mbi popullin shqiptar. Në qershor të vitit 2002, për Nënë Terezën tha kështu:  “NËNË TEREZA, ISHTE E PARA QË MË BËRI TA DUA KOMBIN SHQIPTAR. TANI NDIHEM SHUMË KRENAR PËR KËTË. KËTU E PLOTËSOVA NJË DETYRIM MORAL NDAJ SAJ DHE NDAJ VLERAVE TË LIRISË” NDIHEM SHUMË KRENAR PËR NJË NËNË KAQ TË MADHE” 
  • Ish sekretari i përgjithshëm i UN Javier Perez de Cuellar, shprehet: Përkushtimi i saj gjatë gjithë jetës për kujdesin e të varfërve, të sëmurëve dhe të pafavorshëmve ishte një nga shembujt më të lartë të shërbimit për njerëzimin. “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë,  mua që ta lë Atë të ketë një dorë të lirë. “
  • Papa Benedikti XVI, Nënë Terezën dhe jetën e saj, e kishte përmendur 3 herë në veprën e tij DEUS CARITAS EST (ENCIKLIKA E PARË E TIJ). Në pikat kryesore të kësaj vepre shkruhet kështu: NË SHEMBULLIN E TEREZËS SË BEKUAR TË KALKUTËS, KEMI NJË ILUSTRIM TË QART TE FAKTIT SE KOHA E KUSHTUAR ZOTIT NË LUTJE, JO VETËM QË NUK E PRIVON NGA SHËRBIMI EFEKTIV DHE I DASHUR NDAJ FQNJËVE TANË, POR NË FAKT  ËSHTË JË BURIM I PASHTERSHËM I KËTIJ SHËRBIMI. Poashtu, ATI I SHENJTË shkruan kështu: “VETËM LUTJA MENDORE DHE LEXIMI SHPIRTËROR, MUND TA KULTIVOJNË DHURATËN E LUTJES SONË”
  • Ndërkaq, historiani dhe profesori i njohur amerikan, Douglas Brinkley tregon kështu: QYSH NGA KOHA E KONSTANTINIT TË MADH, E DERI NË DITËT E SOTME, PËRVEÇ NËNË TEREZËS, GADISHULLI BALLKANIK NUK KA ASNJË PERSONALITET ME RËNDËSI KAQ TË MADHE, DHE NJË PERSON MË TË SHQUAR

SHËN ANJEZË BOJAXHIU – LUTU PËR NE TË GJITHË

Filed Under: Featured Tagged With: Argjira Ukimeri, Nene Tereza, shenjtorja shqiptare

Viktor Popaj, një ekspert i qeverisjes vendore i bashkohet Vatrës familjarisht

September 5, 2021 by s p

Nga Sokol Paja/

Patrioti Viktor Popaj një ekspert dhe i zgjedhur i pushtetit vendor në Shqipëri i bashkohet familjarisht Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Z.Popaj ka drejtuar Komunën Kastrat në Malësi të Madhe, ka qenë Këshilltar Bashkiak në Malësi të Madhe, Këshilltar Qarku në Shkodër, dhe Anëtar i Kryesisë së Qarkut Shkodër për disa mandate me radhë. Z.Popaj iu bashkua familjarisht familjes më të madhe patriotike në diasporë Vatrës dhe u bëri thirrje dhe patriotëve të tjerë shqiptarë që të mbështesin kauzat e Vatrës pasi janë kauza të kombit shqiptar. Z.Popaj dhe familja u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja që i shpjegoi me detaje rrugëtimin historik të Vatrës, Diellit dhe ndihmën e jashtëzakonshme në dobi të çështjes kombëtare. Z.Popaj vjen nga një familje antikomuniste me gjysh të pushkatuar dhe familjarë të përndjekur dhe torturuar prej diktaturës komuniste shqiptare. Familja e z.Popaj është një ndër familjet më të larta e më të nderuara në Malësi. Babai i Viktorit, z.Pashko Toma(Popaj) pas rënies së komunizmit është angazhuar me pleqësinë e Malësisë për pajtimin e gjaqeve e konflikteve të trashëguara nga e kaluara. Viktor Popaj ka shërbyer me përkushtim dhe përshpirtshmëri ndaj zgjedhësve të tij dhe sidomos shtresës në nevojë. Në çdo kohë Viktorit nuk iu dhimbs djersa, mundi dhe kursimet e familjes për të ndihmuar ata që kishin nevojë. Vatra gëzohet dhe shpreh mirënjohje që patriotë dhe humaniste të tillë i bashkohen asaj.Mirë se erdhe në Vatër familjarisht Viktor.

Filed Under: Komunitet Tagged With: antikomunizmi, Vatra, Viktor Popaj

Po me Ministrinë e Diasporës, ç’patën ?

September 5, 2021 by s p

Koment nga Rafael Floqi

Në kulturën e zakonshme urbane të shqiptarëve, apolieaucommunsiç  i thonë francezët, kanë mbetur disa shenja e batuta nga ndonjë filmi të real-soc me teme nga lufta Nacional Çlirimtare, siç është batuta, “Po me urën,ç’patën? Që po ta aktualizonim do të thonim po me Ministrinë e Emigracionit ç’patën? Në fund të fundit ajo nuk prishte punë askujt, që është dhe nënteksti i batutës.

Siç duket, edhe për katër vite me radhë shqiptarë do të konsumojnë të njëjtën gjellë, të futur në mikrovalë disa herë. Ndryshimet e emrave të qeverisë, që Rama shpalli dhe lëvizjet në hierarkinë e opozitës, që Basha prezantoi pak ditë më parë, nuk premtojnë asnjë ndryshim thelbësor në sezonin e ri politik. Disa figura mund të jenë të ndryshme, por filozofia mbetet po ajo: ne do të shohim të njëjtën shumicë. që bën sikur qeveris në emër të njerëzve dhe të njëjtën opozitë që bën sikur lufton me sistemin e kapur kleptokrato- oligarkik, shkruante shtypi i Tiranës, që lë të nënkuptohet për marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Bashës.

Pak emra të rinj e ndryshime të mëdha. Megjithatë një ndryshim rrënjësor. Shkrirjen e Ministrisë së Diasporës. I vetmi institucion, në këto 30 vite qeverisje demokratike, që u ngrit me një qellim të qartë: Fokus për Diasporën. Katër vite janë pak për të rregulluar dhe ekuilibruar problemet dhe çështje të mbartura, jo vetëm në këto tre dekadat e fundit, por në qindra vite histori të emigracionit shqiptar, duke filluar me arbëreshët për të ardhur në migrimin e bluzave të bardha (dhe jo vetëm) ditëve të sotme.  Por edhe kësaj here, qeveria e re Rama tregon se nuk është fryt i një mendimi dhe vullneti kolegjial, por vetëm kapriçio dhe tekë e një njeriu të vetëm, që herë zgjedh ministra nga Kosova dhe i heq më pas, herë hap ministri të Diasporës dhe herë e fshin, sipas humorit të tij për t’u dukur sa mbarëkombëtar dhe tani sa më “Ballkanshqyer”.

E parë aposteriori, duket, sikur Ministria e Diasporës u krijua për të hapur vend pune për ish- Ministrin Majko. Dikush mund te thotë se krijimi i Ministrisë së Diasporës, që kryente një punë e cila mund të mbarohej fare mirë nga drejtori përkatëse në ministritë e Jashtme, të Arsimit e të Kulturës, që mund të mos kritikohej si një fryrje e panevojshme e administratës shtetërore në Shqipëri.  Por nuk mendoj se ka qenë ky këndvështrimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama i shquar për faktin që krijimi dhe ristrukturimi i kësaj ministrie nuk duhet parë si burokraci. Por le të shohim historikun e marrëdhënieve të shtetit tonë me 1.64 milionë shqiptarë e Diasporës së Re të tij, një nga më të mëdhatë në botë, në raport me popullsinë.  Në krahasim me periudhën çerekshekulli 1992-2017, kur doktrina shtetërore për Diasporën mungonte, të katër vitet 2018-2021 kanë njohur një farë zhvillimi,por pa objektiva afatgjata dhe pa perspektivë të qartë. Ministria e diasporës ashtu siç u krijua, bëri diçka që ishte pa mjaftueshme, por megjithatë ishte diçka. Po tani?

A kishte kjo ministri një vizion të përcaktuar mirë e një strategji të ndërtuar me largpamësi e sinqeritet, përtej përfitimeve e propagandës partiake, me shpirt mbarëkombëtar e ideale humaniste do të ishte diçka mjaft e dëshirueshme, megjithëse diaspora nuk kishte iluzione në këtë drejtim. Pse? Se raportet e shtetit amë me diasporën nuk janë raporte interesash ideologjike apo partiake. Kryeministri aktual Rama mendohet e deshte diasporën për mbështetje politike për të marrë mandatin e tretë, e tani, që e mori atë mandat, nuk i duhet. Fakti është që pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje nuk u realizua për faj të të dyja palëve politike, pasi asnjëra prej tyre, nuk e di se si do të votojë diaspora, pasi nuk do qëtë votojë diaspora.

Nga ana tjetër, mbyllja nuk është për t’u gëzuar. Ministria e Diasporës në Shqipëri shton listën e gjatë e projekteve të nisura me bujë e të lëna në mes të rrugës. Me investime që mund të ishin menduar e përdorur ndryshe. Jo më kot bashkatdhetarë janë shpesh mosbesues, ndër ta edhe unë. Kohë më parë në një shkrim tim “ Summit-i i diasporës mbështjellje apo pështjellje” botuar më  22 Nëntor 2016, tek Dielli, shkruaja ‘” Çfarë doli nga a gjithë ai organizim i samitit të diasporës? A duhet vlerësuar ai se e arriti  qëllimin për të cilin u organizua? Në fund të fundit, ai arriti të tubojë 1000 vetë nga 40 vende, dhe konkluzionet do të duhet të bëhen nga koha, Vërtet, pa qenë nihilist, vetë fakti që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar u mbajt një samit i posaçëm për diasporën, ishte për t’u vlerësuar. Por a ishte kjo përpjekje e qëlluar apo e dështuar kjo është gjë tjetër. A ishte Kryeministri Rama ai që kërkoi që ta ngrinte realisht emrin e emigrantëve në diasporë, apo ai kërkoi t’i përdorë ata politikisht, siç janë shprehur kritikë ndaj tij, kjo mbetet për t’u parë. ( dhe ashtu ndodhi) Apo vallë qëndrojnë që të dyja? Por sidoqoftë, pavarësisht qëllimit, idesë dhe se kush e organizoi dhe qysh e organizoi, është e rëndësishme të themi se nisma për mbajtjen e këtij samiti duhej të përshëndetej. Samiti me gjithë mangësitë, ishte një përpjekje serioze e një dëshirë pozitive, por njëkohësisht, ashtu siç edhe dyshoi edhe një pjesë e opinionit, dhe një krehje e sedrës së Ramës, për të qenë një farë lideri mbarëkombëtar.”

Në fakt kryeministri që ka qenë dhe një farë kohe emigrant, gjë që ai s’ka qejf ta kujtojë, kur ka qenë në opozitë apo në krye të bashkisë, dhe kur ka ardhur për të takuar të vëllain Olsin në Michigan asnjëherë nuk është takuar me komunitetin, por vetëm me miqtë e Olsit. Mjafton të kujtojmë Thoma Gëllçin  me gjithë ngërçin e komisionit të medias, vendin ia mbajti hapur për disa vite, gjersa e bëri drejtor të TVSH-së, dhe me vone e pushoi, apo znj. OltaXhaçka që e zgjodhi deputete të PS-së dhe madje ministre te Mbrojtjes e te Jashtme, siç  thonë ca zëra, vetëm jo për kontribut kush e di se çfarë, por se ishte komshie me Olsin në Michigan.

Edhe herën e fundit që erdhi për vaksinat në Amerikë, kryeministri i shqiptarëve gjeti kohë të takojë një prift grek dhe asnjë anëtar të komunitetit shqiptar.Pavarësisht mosarritjeve dhe premtimeve politike personeli diplomatik në SHBA i qeverive të PD-së, për të qenë korrekt ka qenë më afër i lidhur me diasporën, duke marrë pjesë në aktivitetet e komunitetit, kujtoj këtu ambasadorë Sallabanda e Galanxhi, apo dhe ish-konsullin Mishto, apo edhe faktin që kryeministri apo presidenti Berisha, Topi e Nishani kanë qenë më pranë diasporës së Amerikës. Ku është ambasadorja aktuale znj. FloretaFaber mjaftohet me statuse ne Facebook, apo punonjësit e diasporës, sa herë kanë ardhur në Michigan, për shembull. Si dhe sa e kanë vlerësuar p.sh. një institucion mediatik të vetëm për gjithëdiasporën kaq të rëndësishme të Amerikës,  siç është ALBTVUSA, e tregon mungesën e interesit të rilindësve për diasporën.  

Dikush që nuk e njeh thellë diasporën, e sheh diasporën me konceptin si një organizim që duhet të vetë-ofrohet, se po nuk ofrua nuk është më diasporë, se po nuk u vetësakrifikua nuk është diasporë, por emigracion, apo mërgatë apo “turist për vënie dhëmbësh”, duke paragjykuar kështu sidomos mërgatën e sotme, apo emigracionin shqiptar. Jo, diaspora nuk është vetëm “lopë që ka dëshirë të milet”, por një grupim njerëzish herë me formë e herë pa formë, herë i organizuar e herë jo, herë i interesuar dhe herë jo, por me dashuri të madhe për atdheun për arsye që dihen, vital por që ka nevojë për stimuj edhe për lehtësira për të dhënë më shumë, që ka nevojë për ndihmë në organizim të qendrave kulturore apo shkollave, për të mos u shuar. Duhet vetëm një nismë e shprehur nga vendlindja të tjerat diaspora i bën vetë. mobilizimi i lobit shqiptar për çështjen e Kosovën e ka treguar këtë.

Diaspora nuk kërkon ndihmë financiare nga qeveritë shqiptare, por kërkon vlerësim dhe mirënjohje.  Kur kjo mirënjohje mungon, kur bashkëpunimi me diasporën shihet politikisht, atëherë ndodh që dhe Federata Pan-shqiptare Vatra të ndihet e fyer, dhe jo pa fajet e veta dhe vetpërjashtohet nga bashkëpunimi me qeverinë. Vatra nuk duhej të vetë-përjashtohej edhe, sepse ishin të vrarë në sedër nga mospërfillja, pasi Vatra është një institucion apolitik mbarëkombëtar.

Një mik para disa ditësh me origjinë nga Malësia e Madhe në Mal të zi, gjatë pranisë së Ambasadorit të Kosovës Valdet Sadiku në një eventnë Michigan, m’u shpreh, se ai dhe një numër aktivistësh nga komuniteti,”ndjeheshin të mosvlerësuar për atë që ka bërë diaspora me origjinë nga Malësia për Kosovën, duke lobuar, duke demonstruar dhe duke luftuar në Kosovë. “Ne nuk duam asgjë, vetëm një faleminderit. Dhe jo një ambasador që sa vjen lexon një deklaratë dhe mendon për të ikur” m’u shpreh ai.

Fakti se qeveria Rama nuk e njeh diasporën, nuk i di madje dhe numrat e saj, nuk e justifikon atë. Nuk mund t’i lihet gjithnjë faji së kaluarës 30- vjeçare dhe qeverive të mëparshme që në fakt nuk kanë bërë asnjë hap të organizuar, por gjithnjë e kanë nderuar diasporën. Nuk mund të shihet diaspora gjithnjë me syza partiake. Kjo vlen sa për qeveritë aq dhe për vetë shoqatat e diasporës. Por duhet që aq më tepër sot edhe diaspora sidomos ajo më e konsoliduara e Amerikës, nuk duhet të bjerë pre e luftës politike në vendlindje, por edhe as të kërkojë fonde nga Shqipëria për aktivitetet e saj.

Qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë duhet të kuptojnë një gjë, që pavarësisht nga vend-origjina, pavarësisht nga koha e emigrimit diaspora me gjithë grupimet hatër mbetjet është një. Është në gjë e mirë pozitive hapat që janë hedhur, meqë e lejon edhe legjislacioni ndërkombëar, që Shqipëria dhe Kosova mund të kenë ambasada dhe konsullata të përbashkëta, por kjo duhet çuar dhe më tej.  Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës nuk i pengon asgjë, që në kuadër të kësaj pune atdhetare, të krijojnë një ministri të përbashkët të Diasporës. për të organizuar më mirë punë, për të integruar më mirë një të tretën e popullsisë të larguar pas viteve 90-të, dhe për këtë qeveria e Tiranës le të mësojnë nga pala kosovare që e ka mërgatën më të konsoliduar në vite, pasi diaspora pavarësisht, se nga cili vend vjen, nga: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina, Çamëria është një, dhe s’ka nevojë për integrim në BE, se është e integruar.

Pse në Kosovë për shembull ka vende të caktuar për minoritetin serb, pse të mos t’i lënë vende të lira diasporës, në parlament. Kjo vlen për të dy shtete shqiptare.  Ndryshe dukurisë së rrjedhjes së trurit,do t’i dihet gjithnjë shkaku dhe kahu, rikthimi i tij nuk mund të bëhet me apele, siçi fton në “standup-komeditë” e tij, kryeministri ynë sa gojëtar aq dhe gojëzgjidhur Rama.

Një shekull me parë, diaspora kishte deri deputetë e saj në Parlamentin shqiptar, sot autoriteti i diasporës në raport me shtetin shqiptar ka ardhur në rënie. “A ka sot krahasim ajo që ka bërë për Shqipërinë shoqata “Vatra” për dekada me radhë me korifenjtë e saj, Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, MihalGrameno, ParashqeviQiriazi, KristoKirka, KostaqKotta e të tjerë dhe që i dhanë Shqipërisë pjesën më të mirë të bijve të vet dhe që e deshën Shqipërinë atëherë kur nuk kishte fare Shqipëri, duke sjellë pavarësinë, formimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar? A mund të krahasohet diaspora aktuale me atë që kanë bërë shqiptarë e Amerikës e të tjerë për pavarësinë e Kosovës?  Po është e njëjta, por do motivim, se sot nuk jemi në atë realitet imperativ si ai luftës e Kosovës, por është po ajo diasporë, e njëjta diasporë që e ka mbështetur, me para, me armë, madje, dhe me vullnetarë luftën.

 Por sot nuk ka një situatë ecasus të njëjtë. Nuk është faj i kësaj “diaspore të përgjumur që duhet të zgjohet dhe të rinisë punën për një kauzë të re: “Atë të ndihmës ekonomike, duke investuar në atdheun që prej 30 vjetësh vazhdon të jetë shteti më i varfër në Evropë”, pasi është po kjo diasporë që është zhgënjyer, jo për mungesë fryme idealizmi nga ana e saj, por për një përplasje të pashembullt dhe dekurajuese me murin e korrupsionit si në Shqipëri dhe në Kosovë. Atdhedashuria është atdhedashuri, por biznesi është biznes. Mund të mos fitosh shumë në vendin tënd, por askush nuk do të humbasë, pasi patriotizmi nuk hahet.

Po diaspora e ka një ideal bashkimin kombëtar, por kjo aspiratë shekullore vështirë se ngrohet me zgjidhjet gjysmake, me parullat e bashkimit brenda në BE, apo te Shengenit Ballkanik, kur vendet të fuqishme si Britania dalin. Të qenit evropian nuk mund të barazohet me të qenit shqiptar. Qeveritë shqiptare dhe çdo shqiptar së pari kërkon integrimin brenda gjakut. Kombi është sa bashkim gjuhësor kulturor aq dhe bashkim ekonomik. Por ata të kthejnë krahë, kur pushtetarë apo paria e Tiranës a Prishtinës, nuk ka mirënjohjen, as vetëm për të vlerësuar kontributin, kur nuk ka as incentivën më të vogël, çka ka bërë që edhe kapitali shqiptar të investohet jashtë vendit, dhe këtu nuk ka vend më për idealizëm të diasporës, por për më shumë se faj të qeverive shqiptare dhe të korrupsionit galopant.

Por si mundet Maqedonia apo Mali i zi, apo Maqedonia e Veriut të zhvillojnë zgjedhje edhe në SHBA dhe Shqipëria jo. Ka edhe një përvojë të Parlamentit Italian, që siç ma pohonte kohë më parë prof. Palombo, një ish deputet prej vitesh në Montecitorio në Itali, ka një Komitet të Diasporës dhe Kulturës italiane në botë, me vende të përcaktuara, që nuk janë pjesë të partive politike italiane. Por votojnë për problemet e lidhjeve me diasporën dhe të ruajtjes të kulturës italiane në botë. Mundësitë janë të hapura kur është dëshira e mirë dhe ku nuk i lihet vetën në dorë voluntarizmit, 

Sa për lobimin, shqiptarë e diasporës së Amerikës e kanë përdorur këtë mjet të demokracisë  amerikane qysh me Nolin dhe Vatrën në kohen e presidentit Wilson, e kanë përdorur edhe me Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane në kohën e Luftës së Kosovës, aq sa dhe vetë Millosheviçi e pohoi këtë në Hagë. Shqiptarë kanë ditur ta përdorin këtë instrument të politikës amerikane, më mirë se diasporat e tjera edhe më të konsoliduara. Qeveri shqiptare nëse do, vërtet, të ketë lidhje me diasporën, duhet të ngrihet edhe në lartësinë e mbretit Zog, që diti të vendoste, edhe pse një kundërshtar të tij një përfaqësues të diasporës, Faik Konicën si ambasador në SHBA.

Ministria aktuale sidoqoftë pati disa arritje, por pa ndikim të drejt për drejte mund të jentë  disa hapa të pasigurt të Doktrinës shtetërore shqiptare për Diasporën. Si formimin e Agjencinë Kombëtare të Diasporës, dhe Këshillin Koordinues të Diasporës, ngritjen e  Qendrës së Botimeve të Diasporës, me një staf prej 15 punonjësish, që në këta tre vite, ka botuar me dhjetëra tituj librash dhe ka nxjerre me mijëra libra me tekste dygjuhëshe dhe shumëgjuhëshe për mësimdhënien e shqipes për tu theksuar mbetet ngritja e Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe i Kosovës për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën i cili miratoi kërrikullin e përbashkët të teksteve të mësimin e gjuhës shqipe. Apo ngritjen e Qendra për Studime dhe Publikime Arbëreshe,  me një staf prej 12 punonjësish, përfshirë 7 studiues të njohur në vend. Në tetor 2018 u themelua Fondi i Zhvillimit të Diasporës, edhe ky një organ shtetëror brenda qeverisë shqiptare, me një staf prej 22 punonjësish, përfshirë stafin e gazetës “Diaspora Shqiptare” dhe Dhomës së Biznesit të Diasporës. Stafi i Ministrit të Shtetit për Diasporën, edhe pse ministër pa portofol, përbëhej nga një komunitet prej 71 punonjësish me kohë të plotë. Shumë punonjës por fare pak për nevojat e diasporës.Megjithatë kjo duhej të përmirësohej dhe asgjësohej. Qeveria e mandatit të tretë të socialistëve, e cila do të nisë punën këtë shtator,  mbetet për tu parë nëse do të punojë për të inkurajuar dhe vazhduar në udhën e përbashkët të lidhjes Diasporës me vendin amë. Deri tani nuk ka asnjë projekt.

Në një plan praktik, të komunikosh dhe bashkëpunosh me diasporën është një mision i papërmbushshëm, mund të justifikohet dikush, sepse diaspora është shumë e shpërndarë gjeografikisht, shumë e decentralizuar, dhe shumë e ndërlikuar. Asnjë qeveri apo parti politike nuk mund ta mbulojë me një batanije te vetme partiake, ideologjike, programore etj. As nuk do të ketë ndonjëherë një udhëheqës apo organizatë që mund të thuash kjo është dhe nuk ka tjetër që flet për diasporën. Ndaj puna duhet bazuar tek ideali kombëtar.

Kjo larmi është edhe mburoja më e mirë kundër çfarëdo manipulimi e përpjekje për kontroll nga politika në Atdhe. Kjo sjell edhe dyshimin e politikës dhe ngurrimin për të na bërë pjesë të proceseve politike e zgjedhore aty. Me diasporën vjen një frymë lirie që nëse ia hap derën vërtet i gjithë kombi shqiptar mund të përfitojë jashtëzakonisht. Nuk do të ndodhë me elitën e tanishme politike sidomos në Tiranë. Ideale do të ishte që nga “rrënojat” e ish-ministrisë së Diasporës të nxirren mësime e të përdoret përvoja për projektet e ardhshme. Se si mund të bëhet nuk e di. Zëri i Atdheut gjithmonë thërret. Por apelet e kryeministrit Rama për kthim të të mërguarve në vitin 2030, janë sa patetike dhe qesharake, kur shqiptarët aktualisht zënë vendin e dytë për azil në BE pas sirianëve.

“Kush e pi këtëujë me akull, në Amerikë,  me thoshte një dite një mik, nuk kthehet në Shqipëri. Dhe ndoshta, nuk kthehemi me gjithë apelet e politikanëve si Rama , pasi “The Door of NoReturn – Dera e Moskthimit – është një e vërtetë sa reale aq dhe metaforike, mitike për ne shqiptarët që jemi të shpërndarë në Amerikën e sotme. Pormegjithatë ne duam që dera e mos- kthimit të mos bëhet dera e harrimit. Ndaj i kthehem edhe një herë pyetjes, retorike “Po  me Ministrinë e Diasporës,ç’patën?

Filed Under: Komente Tagged With: Ministria e Diaspores, Rafael Floqi, Televizioni i shqiptareve te Amerikes

NESËR NË VATËR “DY FESTA NË NJË DITË”: PESË VJETORI I SHENJTËRIMIT DHE FESTA E NËNË TEREZËS SI SHENJTE

September 4, 2021 by s p

Dielli/


Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do të organizojë nesër ditën e Dielë më 5 Shtator ora 11:00 AM në Selinë Qëndrore të Vatrës me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458, një ceremoni festive me rastin e pesë vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, dhe festën e saj (5 Shtator) si Shenjtore e Kishës Katolike dhe e Kombit Shqiptar nga Papa Françesku në Vatikan. E ftuar speciale në këtë ceremoni nderimi e festimi do të jetë Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Prof. Murzaku do shpalosë për të pranishmit fakte të reja dhe një interpretim të fakteve rreth impaktit të Nënë Terezës në historinë e kishës katolike dhe historinë e kombit shqiptar. Vatra fton të gjithë komunitetin shqiptar në USA dhe më gjërë që të bëhet pjesë e një ceremonie madhështore festimi e nderimi në respekt dhe vlerësim të shqiptares së madhe, Shenjtores së Kombit tonë Nënë Terezës, për të festuar “Dy Festa në Një Ditë”.Pjesëmarrja juaj na nderon.

Filed Under: Featured Tagged With: PhD.Ines Murzaku, Vatra

NDAHET NGA JETA NË MOSHEN 86-VJEÇARE PAULIN PREKA “MJESHTËR I MADH” I HUMORIT SHQIPTAR

September 4, 2021 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Një gur i çmuar në gjerdanin e humorit shkodran. Nëqoftëse do të ekzistonte një galeri, jo me piktura e skulptura, por në mënyrë butaforike, ku figurat përfaqësojnë tipa dhe personazhe që shprehin karaktere të cilët duhet të pasqyrojnë jetën njerëzore me të mirat dhe të metat e saj, do të duhej një specialist. Ta dini mirë se ky specialist ishte Paulin Preka. Ky ishte brigadieri, karpentieri, biçilklisti, doktori, muratori, profesori, dashnori, Cuku e Luku, pasaniku e i munduari, fukaraja e deputeti, malësori e fusharaku, intelektuali e i padisiplinuari e ç’farë mund t’i kishte shkuar mendja çdo skenaristi e regjisori për t’ia besuar një rol atij. E përsëris edhe një herë ky ishte aktori Paulin Preka. E gjen në skeçe, kuplete dhe parodi, me një diksion të pastër që i referohet të folmes tipike shkodrane, me një vesh muzikor të admirushëm, me një plastikë që në fillimet e tia ia favorizonte mosha, si dhe eksperiencën e fituar, duke u radhitur në plejaden e shquar të aktorëve humoristë shkodranë që e pranuan në gjirin e tyre si të barabartë. Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër. Ai kishte edhe një vëlla më të madh dhe dy motra. Puna e lodhshme e të atit, një punëtor shumë i nderuar dhe përkujdesja e jashtëzakonshme e së ëmës, i rritën dhe i edukuan me dashurinë ndaj Zotit, ndaj mëhallës, ndaj vendlindjes, por edhe ndaj intergrimit të tyre në vlerat qytetare të Shkodrës dhe që ishin rruga ku Paulini hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme. Dy fjalë për fillimet e Paulinit: Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës. Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë. Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”. Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore. Rreth viteve 1947-1948 hapet në Shkodër Shtëpia e Pionierit ku u formua krahas rretheve të tjera edhe rrethi i teatrit, i cili zhvilloi shumë aktivitete që krijuan një traditë edhe për shumë vite me radhë. Kështu në vitet ’50 në këtë qendër kulturore u shfaqën tri drama për fëmijë të autorit rus Arkadi Gaidar, ku Paulini në një moshë fare të re shpalosi talentin e tij të lindur. Janë vitet e para pas Çlirimit të cilët ndikuan edhe në gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare, ku shpesh edhe në moshë të re, rinia do të ishte pjesëmarrëse në çdo ndërmarje ekonomike. Kështu, që në vitin ’52 për këto arsye edhe Paulini në moshën 17 vjeçare filloi punë në një ndërmarje të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1954, kur sapo ishte kriju “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laurat i këtij takimi, duke u vlersuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik. Në fund të vitit 1954 u mobilizua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ku aktivizohet në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë Esradës së Ushtarit në role të ndryshme si, konferencier, recitues e pso jo edhe si aktor deri në fund të shërbimit në vitit 1956. Viti 1957 e në vazhdim ishin mjaft të ngarkuar me aktivitete dhe ai edhe pse punonte marangoz në kooperativën e punim drurit, pasditeve aktivizohei në Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti. Atë vit kjo trupë shfaqi dramën “Rinia e Baballarëve”, një dramë që zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë iu besua një rol me peshë mjaft të madhe, të cilin e interpretoi në mënyrë të shkëlqyer. Trupa teatrore është krijuar që në vitin 1949, por shfaqiet e saja do e gjejnë vehten në kushte komode në kohën kur kjo trupë do të interpretojë në skenën e Teatrit “Migjeni” që deri në ditët tona do të ishte një tempull legjendar i artit dhe i kulturës. Duhet theksuar se trupa amatore e Shtëpisë së Kulturës, në vitin ’57 vë në skenë një komedi brilante që mirëpritet me duartrokitje në një turne në qytetet kryesore të vendit, duke u bërë kështu bërthama e trupës së ardhshme profesioniste të teatrit “Migjeni” dhe premisa e teatrit të estradës që nuk do të vononte të jepte shfaqet e para në këtë teatër. Në vitin 1957 qyteti i Shkodrës ka teatrin e vet, një tempull që do të bënte histori në jetën artistike të qytetit, por edhe në rang republike e më gjërë. Ky tempull do të mblidhte në gjirin e tij djemt dhe vajzat më të talentuar shkodranë, të cilët në atë skenë, në atë sallë dhe para atij publiku artdashës do të bënin shkollën dhe akademinë e tyre. Në këto ambiente, mes gjirit të kësaj trupe u rrit profesionalisht edhe aktori i mirënjohur Paulin Preka, i cili jetën jashtë teatrit e bënte vetëm kur shkonte në shtëpi. Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje. Regjizori i trupës profesioniste, Lec Shllaku e ftoi të interpretonte tek drama “Shtatë Shaljanët” të të madhit Ndrekë Luca në rolin e Abdullahut (birit të vezirit të Shkodrës), dramë që duke u interpretuar nga mjeshtrat aktorë të dramaturgjisë shqipëtare, pati një jetëgjatësi të habitshme. Sipas studiuesit Isa Alibali, në atë kohë u vu në diskutim: ku do të shquhej në të ardhmen Paulini, në teatër apo estradë dhe Paulinin e gjejmë aktor të estradës së sapo krijuar, që me aftësitë e tij rifreskoi këtë gjini, duke u bërë kështu për vite me radhë një ndër interpretuesit më brilant të skenës. Një vit më vonë për arsye të mungesës së materialeve letrare, Paulini provoi për herë të parë t’i vijë në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin e tij të parë “Bacë Byreku” i cili u luajt nga mjeshtrat Tano Banushi, Zyli Miloti dhe Jolanda Shala dhe që do ta radhiste më vonë atë edhe në radhën e autorëve humoristë. Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Wikend 96-76” etj. Që nga viti 1967 e deri më sot janë shkruar nga aktori dhe autori Paulin Preka me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Materialet e tia janë pëlqyer dhe janë kërkuar e luajtur nga trupat profesioniste të rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit të Shkodrës, nga Mirdita, Lezha, Puka etj. Aftësitë e tia si aktor, por dhe si autor libretesh, deri te gjinitë e vogla të humorit: skeçe, parodi, kuplete, pantonima, monologje e dialogje, grimca humoristike etj., kanë një vazhdimsi deri në këto ditë që po flasim, sepse plotësojnë figurën e këtij artisti të kompletuar si interpretues dhe shkrimtar. Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtundeve gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj. Në vitin 1998-1999 një mori poezish që janë të arkivuara nga familja, të cilat u transmetuan fillimisht në Radio Klan e mandej edhe në Radio Shkodra të tilla si “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodër loces”, “Zotni”, “Andërr grash”, “Pensioni” etj. Paulini i përket dy zhanreve skenike: teatrit të dramës dhe atij të humorit, rreth 9 vite në dramë dhe 37 vite në estradë, karrierë plotësisht e mjaftueshme për të krijuar personalitetin e tij. Nuk mund të mos mbahen mend nga publiku shkodran interpretimet brilante të Paulinit përkrah gjigandëve të skenës: Tinka Kurti, Roza Xhuxha, Prengë Lëkunda etj. në rolin e Murrashit tek drama “Toka jonë” shkruar nga Kol Jakova, si dhe rolet kryesore tek “Një tragjedi amerikane” shkruar nga Teodor Drajzer, “Familja e peshkatarit” shkruar nga Sulejman Pitarka, “Bileta e lotarisë” shkruar nga Gjergj Vlashi, Niqiforin në komedinë “Shoku Niqifor” shkruar nga Pëllumb Kulla, si dhe freskinë që solli gjatë pjesmarrjes në tri operata. Paulin Preka me aftësitë e tij doli jashtë kufizimeve konvencionale, si një talent i lindur ai shkëlqeu edhe si aktor i artit të shtatë. Është nënpunës brilant në zgjidhjen e një situate komike tek filmi “Çifti i lumtur” një ndër perlat e kinemasë shqiptare të komedisë për të kapërcyer vite më vonë përsëri në këtë zhanër me komeditë filmike “Pak fresk sonte”. Paulini nëpërmjet punës së tij intensive, arriti të meritojë nga publiku duartrokitjet dhe simpatinë, ndërsa nga institucionet shtetërore vlerësime të larta. Në vitin 1974 laurohet me urdhërin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”. Në vitin 1996 pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i mirë i Karrierës”, “Krenaria e qytetit” në vitin 2009 dhe “Nderi i Komunës” Bushat në vitin 2012. Në qershor të vitit 2018 dekorhet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Për të ditur diçka më tepër rreth figurës së aktorit të mirënjohur Paulin Preka iu referuam monografisë së “Artistit të Popullit” Tano Banushi ku studiuesi Isa Alibali i kushton një vëmendje të veçantë edhe aktorëve të tjerë pjestarë të trupës profesioniste të qytetit të Shkodrës: “Aktori i mirënjohur Paulin Prenka, e ka filluar punën që në vitin 1958 si aktor i estradës. Në premierën e parë, së bashku me Tanon Banushin, ishin konferencierë të shfaqjes, që luajtën rolin kryesor në suksesin e saj. Paulin Preka shpejt u bë një partner i denjë për Tano Banushin, mësoi prej tij dhe prej aktorëve të tjerë, shpesh herë duke pasur përparësinë dhe u harmonizua bukur me gjithë kolektivin e aktorëve, ndikoi fuqishëm në rritjen cilësore të estradës jo vetëm me interpetimet brilante, por edhe me shkrimet humoristike shumë të bukura që kanë firmën e tij. Aftësitë e tij erdhën gjithnjë duke u rritur dhe ai shkëlqeu me të gjithë elementët si një aktor brilant, shumë i dashur për spektatorët dhe gjithnjë i pëlqyeshëm dhe i freskët”. Do të ishte shumë i mangët shkrimi im sikur të mungonin opinionet dhe vlerësimet e një hirësie të nderuar të dramaturgjisë shqiptare, shkrimtarit dhe dramaturgut prof. Fadil Krajës, i cili tha për Paulinin: “Paulin Preka mbetet një ndër ata aktorët nga më të shquarit që shkruan historinë brilante të Teatrit Profesionist “Migjeni” të Shkodrës. Është një ndër figurat më të spikatura dhe më gjurmëlënëse në historinë e estradës Shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Shkodrës në veçanti. Aktor i kompletuar me dhunti të jashtëzakonshme për t’u shquar në të dy planet, në tragjiken dhe komiken, për të luajtur “të mirin” dhe “të keqin” si në dramë, si në komedi, si në filma artistikë të njohur. Aktor me një plastikë për t’u patur zili, me një zë melodioz baritoni që i bëri popullore e të pashlyer në kujtesë shumë kuplete e parodi. Ashtu si Bik Pepa, ai ishte poet kupletist i shquar, por edhe autor parodishë, skeçesh dhe komedishë me një akt që kujtohen edhe sot. Janë aktuale edhe sot dhe kujtohen skeçi në vargje “Harapi”, apo komedia brilante parodizmi i dramës së njohur “Toka e jonë” të Kol Jakovës, duke i sjellë personazhet në ditët tona të demokracisë. Largimi i tij jashtë vendit ka lënë një boshllëk të dukshëm në Teatrin “Migjeni” dhe do dekada vitesh të zevendësohet. Jam krenar që Paulini interpretoi në shumë pjesë të miat, si “Çështja familjare”, “Dopio gjashta” etj. Mbi të gjitha jam krenar që Paulini është ndër miqët e mij më të mirë”. Zyliha Miloti “Mjeshtre e madhe” në një bisedë për Paulinin u shpreh: “Pualin Preka është një partner shumë i denjë dhe i talentuar, qoftë si aktor, si artist, qoftë si njeri i jashtëzakonshëm dhe një shkrimtar i mrekullueshëm i humorit. Pranë këtij partneri jam ndjerë shumë e sigurtë me një vërtetësi të madhe interpretative dhe me një sukses të garantuar nga shfaqja në shfaqje. Tek Paulini kam parë njeriun e sinqertë pa egoizëm si artist dhe shumë i dashur, i komunikueshëm në shoqëri. Me një aftësi të jashtëzakonshme, i paarritshëm në improvizimin e momenteve të humorit, në shoqëri e tavolinë, që rrallë artistë e kanë. Më vjen keq për këtë partner i cili më mungon jo vetëm mua por edhe kolegëve të mi, jo vetëm si aktor por edhe si shkrimtar, njeri i cili i mungon shumë skenës shkodrane dhe spektatorit shkodran e shqiptar”. Paulin Preka me familjen e tij prej vitesh jetoi në Itali, ishte shumë i lumtur së bashku me bashkëshorten e tij Kristinen dhe fëmijët, të cilët kanë krijuar familjet dhe të ardhmen e tyre dhe si trashëgimtarë të familjes Preka bëjnë përpjekje të mbajnë gjallë atë që mund të quhet “Dosja artistike Paulin Preka”, ama, mendoj se kjo dosje faqen e parë dhe faqen e fundit i ka në Shkodër. Ngushllime familjes, artistëve të Shkoders e gjithë Shqipërisë për humbjen e njeriut më të çmuar të artit. Pushofsh në Paqe i Madhi Paulin Preka! Shtator 2021

Filed Under: Kronike Tagged With: Humori shqiptar, PAULIN PREKA, Ramazan Ceka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2858
  • 2859
  • 2860
  • 2861
  • 2862
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT