• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VITI I RI SHKOLLOR, SHOQATA “DUAR TË HAPURA” NË NDIHMË TË FËMIJËVE SHQIPTARË

September 2, 2021 by s p

Dielli


Në pragun e fillimit të vitit të ri shkollor 2021-2022 “Shoqata Shqiptaro- Amerikane Duar të Hapura” me seli në Bronx New York organizoi një ceremoni mbresëlënëse për fëmjët dhe prindërit. Kjo shoqatë bamirësie tashmë e ka bërë si tradite të vazhdueshme që pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, të shpërndajë për qindra fëmijë çanta dhe materiale shkollore të domosdoshme për përmbushjen me sukses të një viti shkollor të plotë për çdo fëmijë. “Shoqata Shqiptaro- Amerikane Duar të Hapura” me seli në Bronx New York pati fatin e madh që falë kontributorëve të vazhdueshëm dhe mbështetësve bamirës të panumërt, të shpërndajë më shumë se 600 çanta dhe paisje shkollore për fëmijët e Bronxit. Kjo ceremoni fisnike u mundësua falë përkrahjes së vazhdueshme e ndihmës së pandërprerë të dhuruesve të shoqatës qofshin ata nga fusha politike apo biznese e shoqata amerikane duke shkuar deri tek përfaqësues të FB që ishin me prezencën e tyre e deri tek Kongresisti i sapo zgjellur Ritchie Torres, të cilët vlerësuan shumë këtë xhest që u vjen sado pak në ndihmë këtyre fëmijëve e familjeve të tyre.

Materialet shkollore u shpërndanë ditën e Diel më 29 gusht 2021 nga ora 1 masdite deri në orët e vona të ditës ku fëmijët e moshave të ndryshme patën mundësi përveç materialeve shkollore, të argëtohen dhe të marrin edhe biskota karamele akullore e gjëra të tjera duke e kthyer pasditen në një festë të vërtetë për fëmijët dhe familjet e tyre. “Shoqata Shqiptaro- Amerikane Duar të Hapura” me seli ne Bronx New York po përgatitet për dërgimin e mbi 300 çantave shkollore drejt Shqipërisë e Kosovës me qëllim ndihmën e disa fëmijëve të familjeve në nevojë. Përveç shoqatës së bamirësisë “Duar të Hapura” me seli ne Bronx New York kontribuan në këtë ceremoni edhe Miriam Quin, Pelham Parkway Neighborhood Association etj. Kanë mbështetur fuqishëm organizimin e dhurimit të çantave e materialeve shkollore: Congressmen Ritchie Torres, State Senator Alessandra Biaggi, NYC Councilman Mark Gjonaj, Assemblywoman Nathalia Fernandez, NYS D.C-80AD Joe McManus, Community Organizer Professor Remy Salas. Nga organizatat kanë ndihmuar edhe Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, gazeta Dielli, Destination Tomorrow, Empire BlueCross BlueShield, Catholic Charities, Bake Back Amerika, Dardania European Market, Familja Musaj, ICNA Relief, New York Botanical Garden Elizabeth Figueroa, International Alliance of Chaplain and Law Enforcement NYPD, Bell Marya, Clancy Charities INC, Helping Hands Community Service Westchester. “Shoqata Shqiptaro- Amerikane Duar të Hapura” do dërgojë 250 çanta shkolle e materiale shkollore në Kosovën lindore për të ndihmuar fëmijët dhe familjet në nevojë, gjithashtu do të dërgojë edhe 50 çanta e materiale shkollore në Vukel -Kelmend, Malësi e Madhe. Për punën e shkelqyer dhe xhestin human të shoqatës “Duart e Hapura” shprehën falenderime Këshilltari Mark Gjonaj, Assemblywomen Nathalia Fernandez, State Senator Alessandra Biaggi si dhe përfaqësuas të shoqatave Amerikane të cilët vlerësuan ndihmën dhe traditën e krijuar në çdo fillim viti shkollor. Në fund të ceremonisë përshëndeti fëmijët, prindërit dhe organizatat partnere edhe Aleksandër Nilaj drejtuesi i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Albanian American Open Hand Association Inc (AAOHA) i cili shprehu mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimin më të lartë për autoritetet e pranishme, vullnëtarët dhe ata që e suportojnë çdo ditë në projektin e tij të bamirësisë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Aleksander Nilaj, Mark Gjonaj, Ritchie Torres

Kryeministri Kurti takoi Komisionerin për Fqinjësi e Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe Presidentin e KE Charles Michel

September 2, 2021 by s p

Dielli

​Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Komisionerin për Fqinjësi e Zgjerim, z.Oliver Varhelyi, në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, ku zyrtarë të Bashkimit Evropian, kryeministra e presidentë të shteteve të ndryshme, po diskutojnë për të ardhmen dhe mundësitë e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Në takim u diskutua gjendja me pandeminë COVID 19 dhe rëndësia që ka për popullin e Kosovës përkrahja nëpërmjet fondeve për përballimin e vështirësive dhe ringjalljen ekonomike. Kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet skepitike. Kryeministri Kurti e njoftoi z. Varhelyi për angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.
Komisioneri Varhelyi theksoi mbështetjen që Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i japë Kosovës në procesin e reformave. Duke folur për zgjerimin e BE-së, kryeministri tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Bled të Sllovenisë, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. Hezitimet politike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, po mbajnë peng qytetarët e Kosovës, duke i privuar nga lëvizja e lirë brenda BE-së, tha kryeministri Kurti.Ai shprehu keqardhje edhe për faktin se marrëveshja e MSA -së, e nënshkruar ndërmjet BE -së dhe Kosovës, nuk po i jep efektet e dëshiruara, meqenëse për shkak të kufizimit të vizave, është e pamundur që bizneset kosovare të lëvizin lirshëm brenda BE -së. Kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe asnjë nismë tjetër e cila do të rrezikojë integrimin e saj në BE, apo nisma që janë vlerësuar si  konkurrencë  e pashëndetshme për integrimin evropian.U bisedua për dialogun me Serbinë, takimet e kaluara të mbajtura në Bruksel dhe përgatitjet për takimin e radhës. Po ashtu, u bisedua për sfidën e përbashkët me pandeminë COVID-19 dhe nevojën për përkrahje në përballimin e vështirësive të shkaktuara nga kjo krizë globale.​

Filed Under: Politike Tagged With: Charles Michel, Kryeministri Kurti, Oliver Varhelyi

Duhen të dorëhiqen 28 deputetë të tjerë

September 2, 2021 by s p

Nga Gezim Zilja

Pesëmbëdhjetë ditë para se të hapet parlamenti Najada Çoma dorëzoi kartonin e deputetit pa bërë ndonjë deklaratë publike serioze. E kam njohur kur u shtrova në spitalin infektiv një vit më parë. Përkushtimi, dituria, thjeshtësia, komunikimi me vartësit dhe të sëmurët më bënë përshtypje dhe shkrova një artikull me titull: “Doktoreshë Najada dhe engjëjt e saj.” Sipas gjykimit të Edi Ramës kjo mjeke e shkëlqyer me rolin e saj si shefe e spitalit infektiv në kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë, duhej  të kthehej në një hambar  votash për PS-në. Por nuk ndodhi aspak kështu. Si kandidate e PS-së në rrethin e Tiranës, doktoresha shumë e njohur mori një rezultat tepër zhgënjyes. Mendoj se Gjeneral Çomo ( kështu e kam quajtur në atë shkrim)  duke parë lojën e pisët politike midis socialistëve, atë midis forcave politike gjatë fushatës zgjedhore dhe sidomos numrin e votave të fituara,  kuptoi që ky karton deputeti nuk vlente. Partia (domethënë kryetari) vendosi rradhën në listën e kandidatëve sipas qarqeve, listë që pati fuqi absolute. Numrat sipas renditjes fitonin kartonin e deputetit edhe pse me votat e fituara mund të ishe i fundit. Për çudi asnjë kandidat nuk u ngrit para 25 qershorit të denonconte këtë ligj, që cënonte thellësisht parimin e barazisë së votës. Kjo tregon mjerimin e madh, të mungesës së mendimit ndryshe në partitë shqiptare. Gjatë fushatës së partive nën zë kërkohej, që kandidatët të mos bënin fushatë për veten por vetëm për partinë, duke nënkuptuar se fituesit janë vendosur. Numri prej më shumë se 10.000 votash që duhet të merrte kandidati i pafavorizuar nga lista ishte sikur të kapërxeje ylberin. Le të sjellim nga dy shëmbuj për PS-në dhe për PD-në, që të kuptohet qartë se çfarë ligji hartuan pozita dhe opozita, që e pranoi e miratoi KQZ-ja dhe pse ky ligj  u anullua më vonë nga Gjykata Kushtetuese.

Në qarkun e Tiranës tetë kandidatë kanë më shumë vota se doktoresha (1583) nga Fidel Ylli me 1727 vota deri te Pandeli Majko me 8785 vota. Po kartoni u fitua nga doktoresha. Në Korçë kandidati i PS-së Arjan Jaupllari me nr. rendor (11) merr 5764 vota po kartonin e deputetit e merr Enslemevera Zake (1) me 3080 vota. 

Në qarkun e Fierit kandidati i PD-së Agron Kapllanaj me numrin rendor shtatë (7) mori 9274 vota, dhe doli në krye të listës. Po ky nuk fitoi dot kartonin e deputetit sipas ligjit idjot me shumëzime e pjestime absurde, (Ky absurd ndodhi dhe në Durrës me kandidatët Igli Cara(7) me 6952 vota dhe Manjola Luku(9)  me 6108 vota)  që kërkonte mbi 10.000 vota. I dyti me numër votash pas tij vjen Luan Baçi (4) me 5325 vota. Eralda Bano (2) mori 1295 vota dhe doli deputete. Mbi Eraldën janë tetë kandidatë  nga Ferdinand Çela (10) me 1318 vota te deri Jakup Beqiri (18) me 2453 vota. Në Korçë Andrea Mano (7) me 5496 vota, nuk fiton. Sorina Kote (2) me  1622 vota merr kartonin e deputetit edhe  janë tre kandidatë mbi Sorinën veç Andrea Manes. Ky vendim absurd dhe antidemokratikk ishte marrë nga pozita dhe opozita shqiptare në akord të plotë, që në listat e hartuara nga kryetarët e partive të fitonin miqtë, krushqit, “kushurinjtë” dhe “kushërirat’’ sipas listave dhe numrave rendorë. 

Kjo do të thotë që deputetët e ardhshëm në shumicën e tyre, të jenë të bindur, ndaj kryetarëve për dhuratën, e pamerituar që u kanë bërë. Duke shqyrtuar rast pas rasti të gjitha qarqet dhe duke iu referuar Vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 13.07. 2021, mbi shfuqizimin e pikës 3, neni 163, nr 10.019 të Kodit Zgjedhor, si të papërshtatshëm me kushtetutën, 13 deputetë të PS-së dhe 14 deputetë të PD-së nuk meritojnë të futen në parlament.  Ndër të tjera Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thekson se janë shkelur:

  1. Parimi i barazisë së votës
  2. E drejta për tu zgjedhur
  3. Barazia para ligjit

Nëse do të kishim një Gjykatë Kushtetuese të pa ndikuar politikisht dhe të guximshme, Vendimi duhet të hynte në fuqi edhe për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit e jo për zgjedhjet e ardhëshme të vitit 2025. Po nëse do të kishim dhe kandidatë (tashmë deputetë) që respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese  të datës 13.07.2021, plot 28 të tillë, duhet të dorëzonin kartonat dhe të ishin të larë me ndërgjegjen e tyre dhe sigurisht me parimin e barazisë së votës. Ndryshe ai karton do tu rëndojë në ndërgjegje gjithë kohën dhe ka gjasa tu kthehet në një gur të Sizifit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Gjykata Kushtetuese, Parlamenti shqiptar

KËNGËTARI I MALËSISË NIKOLLË NIKPRELAJ, BURIM I PASHTERSHËM DHE PËRÇUES I VLERAVE TË MËDHA ARTISTIKE

September 2, 2021 by s p

   Nga RAMAZAN ÇEKA 

 Një rajon me vlera të mëdha etnokulturore dhe historike është edhe krahina e Malësisë së Madhe, e shtrirë në Veri të qytetit të Shkodrës, deri thellë në luginat dhe majat e thepisura të Alpeve, por që fatkeqësisht e cunguar nga padrejtësitë e historisë. Kjo krahinë andej dhe këndej kufirit edhe pse e ndarë gjeografikisht ka trashëguar vlerat e saj në të gjitha fushat e në mënyrë të veçantë në trashëgimin kulturore. Ajo ka nxjerrë poetë, këngëtarë e rapsodë që në çdo kohë kanë përçuar vlera të mëdha artistike, duke u bërë kështu një burim i pashtershëm për trashëgiminë kulturore të zonës në hapsirat e kulturës kombëtare, por dhe një promotor për ta përcjellur atë tek brezat e ri. 

   Për të pasqyruar me vërtetësi kontributin e artistëve malësorë në kulturën shqiptare, mund të përmendim: të paharrueshmin, Artistin e Merituar Sali Mani, si rapsod i papërsëritshëm, poetin Dodë Kaçaj, rapsodin Jonuz Delaj, virtuozin Lukë Kaçaj, por dhe artistët e përmasave kombëtare Angjelin Përlocaj, Shaban Bercaj, Rrok Gjelaj, Arben Delaj, Violeta Deda, Hanë Nikprelaj, Gjyste Vulaj etj, etj. Ata janë shumë dhe secili prej tyre meriton vlerësimin më të madh, por në këtë shkrim unë do të ndalem më gjatë për këngëtarin e mirënjohur tuzian Nikollë Nikprelaj. 

   Në afirmimin, pasurimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, vlerave universale të popullit shqiptar, të kulturës tonë kombëtare, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe këngëtari i mirënjohur Nikollë Nikprelaj. 

   Nikollë Nikprelaj është një nga këngëtarët më të pëlqyer në të gjitha trojet shqiptare. Ai njihet për zërin e tij të mrekullueshëm dhe repertorin me këngët e tij të shumta, si një ndër ikonat e muzikës dhe këngës popullore shqiptare. I ka kënduar maleve, Kreshnikëve të Malësisë, historisë së lavdishme të popullit të kësaj treve, heronjve kombëtarë dhe të zonës së Malsisë, jetës së Malsisë në përgjithsi, Kosovës, bukurisë natyrore, bukurisë njerëzore, intelektualëve dhe vlerave të tyre të veçanta në mrrëdhënie me Malësinë. U ka kënduar mërgimtarëve, rinisë, shpresës, bëmave të Çun Mulës, etj. Ka marrë pjesë edhe në ngjarjet familjare, gëzimet, fejesat, dasmat, por edhe në koncerte të ndryshme që janë organizuar jo vetëm në vendlindje, por edhe në Shqipëri e Kosovë. 

   Unë udhëtova drejt Tuzit me shumë dëshirë e përgjegjësi për të realizuar një shkrim për qytetarin dhe këngëtarin kaq të dashur e të mirënjohur të këtij qyteti, për Nikollë Nikprelën, të cilit, përveç të tjerave, i mora edhe një intervistë për ta botuar në gazetë. 

   Z. Nikollë ju jeni pjesmarrës në disa festivale kombëtare, ku suksesin e keni arritur që në festivalin e parë “Akordet e Kosovës” në vitin ’85 në Prishtinë, ku edhe jeni nderuar me dy çmime të para, me çmimin e “Jurisë” të asaj kohe dhe me çmimin e “Publikut”. Mund të na tregoni diçka rreth vazhdimësisë së pjesmarrjes suaj në festivale?    

   Po, mund të përmend Festivalin Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare të organizuar në Tiranë nga RTSH, me një këngë të kompozitorit të njohur Edmond Zhulali dhe një këngë me tekst të cilin e kam shkruar vetë. Për herë të parë mora pjesë në një festival të tillë ku pata  emocione të papërshkruara, duke u ndjerë shumë i nderuar në këtë festival, pasi përfaqësoja Malin e Zi. 

   Në vazhdim të bisedës që bëmë me Nikollën, ndër të tjera ai më tregon se kënga shqiptare e ka motivuar shumë, pasi edhe aktivitetet bëhen të përbashkëta, duke u trajtuar si i barabartë me një shkodran, apo nga ndonjë qytet tjetër i Shqipërisë. “Fatmirësisht, thotë Nikolla, po unifikohen arti dhe kultura në përgjthësi, çka është në të mirën e artit dhe të Kombit”. 

   Ju jeni bërë pjesë e televizioneve në Shqipëri e Kosovë. Keni organizuar disa koncerte të ndryshme, jeni i pranishëm, i dashur, i thjeshtë, virtuoz, jeni vetvetja. Më shumë se kushdo tjetër i keni dhënë jetë, shpresë dhe gjallëri vendlindjes tuaj, duke u bërë kështu një vlerë e Kombit tonë. Çmund të na thoni rreth karrierës suaj artistike? 

   Tani më u bënë shumë vite karrierë! Ne shqiptarët jashtë trojeve etnike nuk e kemi patur fatin e njëjtë me ata brenda trojeve përsa i përket artit. Arti në Shqipëri zhvillohej brenda institucioneve dhe talentët zbuloheshin dhe përkraheshin. Ne jashtë ishim në mëshiren e fatit. Me amatorët talentë nuk merrej askush. Këndonim këngë të kolegëve tanë nga Shqipëria. Pra nuk kishim krijimtari tonën origjinale. Shumë prej nesh nisëm të krijojmë këngë për veten të shtyrë nga halli dhe shumë prej nesh edhe ja arritëm të bejmë krijimtari origjinale, bile me sukses. Ja për shembull unë i kam bërë pothuajse të gjitha këngët e mia vetë! Bëhet fjalë për vitet e kaluara se tanimë u hapen kufijt dhe u bëmë një përsa i përket artit dhe kulturës. Për karrierën time artistike ka shumë komente, pasi ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e suksesshme. Në çdo event në skenë dhe televizion përpiqem që të këndoj live. 

   Sukseset janë evidente si në drejtim të cilësisë muzikore po ashtu edhe të nivelit të teksteve, duke i pasqyruar kështu këto vlera në interpretimin brilant në çdo skenë ku ju keni debutuar. A mund të na tregoni ku keni përformuar për herë të parë?    

   Për herë të parë kam përformuar në aktivitetet e shkollës fillore, por fillim të karrierës e quaj shkuarjen time në Kosovë në vitin 1983. Hapat e parë në Kosovë i mora në shoqaten e studentëve “Ramiz Sadiku” ku u njoha edhe me legjenden e muzikes Qamilin e Vogël, i cili me angazhoi dhe përkrahu gjatë viteve të para të karrierës. 

   Kështu filloi për ju rruga artistike ku me interpretimet brilante morët famë jo vetëm në Mal të Zi e Kosovë, por edhe në të gjitha trevat shqiptare, duke u bërë kështu i dëshirueshëm edhe nëpër Europë e më gjërë, ku jetojnë shqiptarë. Përveç trevave shqiptare ku keni përformuar më tej?    

   Po, kam përformuar në të gjitha vendet e Europës, si në Gjermani, Francë, Zvicër, Belgjikë etj, si dhe në vendet skandinave Norvegji, Danimarkë e Suedi, deri në Amerikë dhe Australi.    

   Çfarë ka qenë diçka interesante në karrieren tuaj?    

   Interesante dhe e paharruar në karrieren time ka qenë kur mora ftesën të shkoj në Australi me Radio-Televizionin e Kosovës dhe kërkova leje nga Akademia ku studjoja, por mora përgjigje negative. Mirëpo Australia nuk refuzohej dhe vendosa të shkoj. Kur u ktheva me shpëtoi profesori im Rexhep Ferri nga përjashtimi nga Akademia. 

   Aktiviteti juaj është shumë i larmishëm. Repertori i këngëve tuaja ka bërë që ata të jenë gjthmonë pjesë e gëzimeve familjare, aktiviteteve rinore, diskove prestigjoze dhe televizioneve më në zë që kanë në progamacionin e tyre muzikën e bukur shqiptare. Kryesisht në sezonin e verës ku jeni më i angazhuar? 

   Gjatë sezonit veror jam i angazhuar pothuajse nëpër të gjitha trojet shqiptare, përjashtuar Jugun e Shqipërisë. Pandemia na privoi nga të gjitha aktivitetet muzikore. Për fat të mirë unë kam një studio në shtëpi dhe kam punuar pa pushim. Kam dhënë shumë intervista nga shtëpia përmes skype. Në sezonin e verës në dasma ftohem rregullisht në të gjtha qytetet e Kosovës si dhe në Shqipëri. Gjithashtu edhe në Ulqin, Tuz, Preshev, Bujanovc, Tetov, Gostivar, Kumanov, etj. 

   Po në festat e fundvitit a ju ka qëlluar që të jeni i pranishëm në familjen tuaj? 

   Që në fillimet e mia, pavarësisht nga dëshira e mirë, nuk kam pasur rastin të festoj dhe të përformoj së paku një natë të ndërrimit të viteve në Tuz, pra Vitin e Ri, sepse bashkëatdhetarët e mi që jetojnë jashtë, e kishin më të domosdoshme që unë të isha pranë tyre si këngëtar, por me statusin e vëllait që feston mes vëllezërish. 

    Përveç talentit, i cili është dhe starti i këtij rrugëtimi artistik, një ndër elementët e suksesit është edhe bashkëpunimi me kompozitorë të shquar shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria. A mund të na thoni diçka rreth bashkëpunimeve tuaja? 

   Bashkëpunimet e shumta kanë filluar shumë vonë pasi që krijoja vetë për vehten. Po përmendi vetëm disa, pasi numri është i shumtë. Prej këngëtarëve: Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Shaqir Cervadiku, Mahmut Ferati etj. Kompozitorët: Edmond Zhulali, Valton Beqiri, Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Florent Boshnjaku, Ilir Berani etj. Tekstshkruesit: Gjokë Beci, Agim Doçi, Faruk Tasholli Ramazan Çeka, Gjovalin Lumaj, etj. 

   Në evenimentet kulturore e artistike që televizionet organizojnë herë pas here a jeni vlerësuar me çmime?    

   Po, jam vlerësuar shumë herë, por unë zakonisht veçoj Festivalin “Akordet e Kosovës”  në vitin 1985 ku u vlerësova me dy shpërblimet e para, atë të jurisë profesionale, kryetare e së cilës ishte Nexhmije Pagarusha si dhe shpërblimi i parë i publikut! Vlen të theksohet se në këtë festival merrnin pjesë këngetarët më në zë të Kosovës! Atë vit isha i vetmi këngetar i pa afirmuar dhe po ashtu i vetmi ku për mua ishte eksperienca e parë që të performoj me formacion të madh të orkestrës. Kjo fitore imja bëri bujë në Kosovë edhe për faktin që festivalin e fitoi një këngetar i panjohur, pasi që deri në këtë festival paraqitjet e mia nëpër skena ishin vetëm me instrumenta folklorike.    

   E veçanta juaj është se, përveçse përformoni live, njëkohësisht jeni i njohur edhe si instrumentist i talentuar, pasi jeni një artist që pothuajse i zotëroni të gjithë instrumentët muzikorë, si lahutën, fyellin, çiftelinë etj, duke mos anashkaluar edhe tekstet që ju shpesh herë i bëni vetë, çka përbën një veçori shumë pozitive, në raport me këngëtarë të tjerë, Ç’mund të na thoni më konkretisht? 

   Siç e thash edhe më parë pothuajse të gjitha tekstet dhe muzikën e këngëve të mia ndër vite i kam bërë vetë. Tani kohen e fundit kam kërkuar ndihmë përsa u perket teksteve, nga ju Ramazan e jo vetëm. Të këndosh live është meritë, pasi nxjerr në pah talentin e vërtetë. Nga ana tjetër, tingëllimi e orkestrës kur është perfekt. Për tekstet mund të them një mendim të saktë se ka edhe vështirësi nëse nuk i ke lexuar si poezi më vete, por kjo gjë tek unë ka qenë një kërkesë për arritjen e suksesit, pasi në disa raste tekstet e këngëve të mia, ashtu siç e thatë edhe ju, i kam bërë vetë. Përsa i përket krijimtarisë muzikore, pra kompozimeve, vazhdimisht kanë qenë në nivelin e duhur. Pra kam arritur më së miri që të përshtas vokalin tim me krijimtarinë muzikore dhe letrare. 

   Nikolla gjithmonë ka pasur pasion për këngën. Ai filloi të këndojë që në shkollën fillore në klasën e gjashtë, por si profesionist në vitet e vonshme të rinisë. Nikolla po ashtu ka qenë pjesmarrës i grupit folkloristik “Besa Trieshit” dhe më vonë ka drejtuar grupin artistik “Malësia”, duke fituar disa herë vendin e parë në koncerte dhe festivale, si në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri. 

   Ai ka fituar një popullaritet të gjërë, i cili shquhet për individualitetin artistik, që e bën të dallueshëm prej të tjerëve. Fama dhe vlerat e këtij këngëtari, mori trajtën e një bilbili, që me zërin e tij të bukur nuk njeh kufinj, sepse kënga e Nikollë Nikprelës ka vite që është e pranishme në të gjitha trevat shqiptare. Ai me galerinë e këngëve të tij ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm të pasurisë së madhe artistike dhe shpirtërore të Trevës së Malësisë, si dhe për ta përjetësuar madhështinë e kësaj vlere shpirtërore. 

   Cili është kontributi juaj në ruajtjen dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm për vlerat artistike dhe kulturore?    

   Mund të them se kam qëndruar pranë shqiptarëve me zemër e mendje dhe me këngën time kam nxjerrë në dritë figurat e shquara të Malsisë së Madhe, Tuzit, Rrethinave dhe qytetit të Shkodrës me një histori të lashtë dhe legjendare, për të cilat kurrë nuk jam kursyer. 

   Në krijimtarinë e repertorit tuaj si këngëtar shumë planesh, cilat janë këngët më të njohura?    

   Në repertorin e këngëve të mia, ndër këngët më të njohura mund të përmend: “Oj lulja e Malsisë”, hiti i parë, si dhe “Jem Ilira jem Teuta”, “Pse jem toskë e pse jem gegë”, “Kaçurrelja”, “Jam nji djalë fukara”, etj. 

   Cila është kënga më e re që keni realizuar?    

   Në rrjedhën e krijimtarisë sime të re kam realizuar edhe një këngë titulluar “O tupan” me tekstin tuaj dhe muzikën e ka bërë kompzitori Edmond Zhulali “Mjeshtër i Madh”, por në projektet e mia për të ardhmen kam disa ide. Kam edhe tre këngë të cilave do ua bëj vedeoklipet. Nuk do doja që të zbuloj diçka më shumë rreth këtyre këngëve, sepse mendoj se është më mirë të ruhet kureshtja e adhuruesëve të mi. 

   Në të vërtetë puna e Nikollë Nikprelës si këngëtar i shquar ka shkëlqyer për afro 40 vjet në festa e dasma në Tuz, Ulqin, Kosovë e Shqipëri, por edhe në kurbet në Amerikën dhe Australinë e largët, duke qenë motivi, krenaria dhe frymëzimi i Nikollës, Atdheu dhe Kombi. E them me bindje se Nikolla ka kontribuar për Kombin tonë e në veçanti për Trevat Veriore të Atdheut, duke treguar fuqishëm mirënjohje e respekt për këngën dhe artin shqiptar.

   Këtë ai e manifestoi edhe këtë fundvere me dy koncerte madhështore që u ndoqën nga mijëra spektatorë në venlindjen e tij në Tuz, ku kishin ardhur nga gjithë trevat shqiptare, nga Europa, Amerika e Australia, dashamirë e fansa të tij që i mbyllën në mënyrë kaq të bukur pushimet e tyre në Atdhe.

   Krahas performancës së këtij këngëtari virtuoz, në skenë u ngjit edhe këngëtari nga Prishtina Gold AG, i cili u prit me ovacione nga spektatorët e pranishëm. Performanca e orkestrës që shoqëronte këngëtarin Nikollë Nikprelaj ishte në nivelin më të lartë artistik dhe ekzekutiv, pasi instrumentistët Samir Beqaj, Indrit Kodraliu, Arsid Çeka dhe Albin Nikprelaj janë vetë muzikantë të talentuar dhe virtuoz.

   Unë pata fatin t’i ndiqja nga afër këto dy koncerte, të njihesha edhe më gjërë veprimtarinë artistike të Nikollë Nikprelës.

   Si qershia mbi tortë u paraqit para spektatorëve Albini, djali i Nikollës, i cili performoi si këngëtar dhe instrumentist, duke premtuar se do të ndjek rrugën e të atit.

   Gusht 2021

Filed Under: Kulture Tagged With: Nikolle Nikprelaj, Ramazan Ceka

“NJË SHTËPI E NDARË DHE E PËRÇARË KUNDËR VETES, NUK MUND TË QËNDROJË”

September 2, 2021 by s p

                                                           

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

Kjo thënje është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara, 1861-1865 dhe të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25). Kuptimi i së cilës është se një komb i ndarë e i përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndroj, ashtu si nuk mund të qëndrojë e të mbijetojë as edhe një familje kur antarët e saj nuk merren vesh me njëri tjetrin. Shikoni këto dy fotografi më poshtë dhe do të kuptoni menjëherë se për ke due për çka e kam fjalën. Në Bled të Sllovenisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me Kryeministrin Zoran Zaev të Maqedonisë së Veriut (propozues të Lidhjes “Ballkani i Hapur” dhe në foton tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Kryeminstrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilët, sipas medias, biseduan për antarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, antarësim për të cilin Kroacia u angazhua plotësisht për të ndihmuar Kosovën në këtë rrugë. 

A group of men in suits clapping

Description automatically generated with medium confidence
Foto nga gazeta shqptaro-amerikane, “Illyyria”
Two men in suits standing in front of a body of water

Description automatically generated with medium confidence

Foto nga gazeta shqiptaro-amerikane, “Dielli”

                                  Nga takimet aktuale në Bled të Sllovenisë

I shikoj këto foto dhe nuk u besoj syve mi, jo se këto fotografi tregojnë ndonjë gjë të re në politikën ballkanase të dy dekadave të fundit, pasi këto foto pasqyrojnë realitetin fatkeq, sidomos, të marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare për disa vite tani, por për zhgënjimin tim personal dhe besoj edhe të shumë shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, për marrëdhëniet në familjen e përbashkët shqiptare.  Shikoj këto fotografi dhe pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta. Shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – nëqoftse ekzistojnë – dhe nëse ekziston besimi i ndërsjelltë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm i bashkuar me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.

I shikoj këto foto dhe i them vetes, mos u zhgënje se kjo është një periudhë e përkohëshme, populli shqiptar do të dijë të tejkalojë edhe këtë situatë absurde të krijuar midis dy familjeve shqiptare – Shqipëri-Kosovë – se shqiptarët e thjeshtë, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre, do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndanë e përçanë. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetdijshëm i detyrave dhe objektivave të pa realizuara gjatë shekujsh, për t’i arritur këto objektiva, sipas fjalëve të Linkolnit, me 

Text

Description automatically generated

“Armiqësi kunder askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se 

lufta për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë dhe në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia—megjithë të metat e saj — është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anë e mbane botës, përfshir popujt e Ballkanit. Sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë — të cilët për interesa jo kombëtare në këtë proces e sipër flirtimesh të rrezikshme politike në kurriz të interesave kombëtare — po luajnë me fatin e tyre duke rrezikuar dhe përçarë, kështu, shtëpinë e tyre të përbashkët shqiptare.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Frank shkreli, kosova, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2862
  • 2863
  • 2864
  • 2865
  • 2866
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT