• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË UDHËKRYQIN E MATURISË POLITIKE

October 13, 2025 by s p

Evropa nuk pranon shtete që ndajnë qytetarët sipas përkatësisë, por ato që ndërtojnë vlera të përbashkëta mbi drejtësi dhe përfshirje. NATO nuk ofron vetëm siguri ushtarake, por kërkon stabilitet politik të brendshëm dhe partneritet shoqëror. Elita shtetërore maqedonase duhet të heqë dorë nga nostalgjitë e rrezikshme të projekteve etnocentrike dhe të përqafojë filozofinë e bashkëjetesës si model të së ardhmes.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Kur një shtet arrin në pikën e maturisë politike, ai duhet të dijë të zgjedhë mes kujtesës dhe përgjegjësisë, mes frikës dhe vizionit. “Udhëkryqi i maturisë politike” nuk është një metaforë abstrakte, por realiteti me të cilin përballet sot Maqedonia e Veriut. Ky është momenti që do të përcaktojë nëse vendi do të ecë përpara drejt së ardhmes euroatlantike, apo do të mbetet peng i projekteve etnocentrike që e kanë mbajtur për tri dekada në ciklin e krizave dhe përçarjeve të përsëritura.

Maturia politike, në këtë kontekst, nënkupton aftësinë për të braktisur retorikën e frikës, për të zgjedhur bashkëjetesën mbi dominimin dhe për ta bërë kohezionin ndëretnik themel të shtetformësisë moderne.

Historia politike e Maqedonisë së Veriut nuk matet me numrin e institucioneve që ka ndërtuar, por me aftësinë për të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës. Për gati tri dekada, vendi ka kaluar nëpër cikle të përsëritura krizash politike dhe ndëretnike, që nuk kanë qenë produkt i natyrës së shoqërisë, por i projekteve të vjetra nacionaliste të rikthyer në formë moderne. Çdo herë që vendi i afrohet një etape të re integruese, zgjohen impulset e vjetra të përjashtimit dhe dominimit etnik, të cilat përpiqen ta mbajnë shtetin peng të së kaluarës.

Fushata parazgjedhore e vitit të kaluar dëshmoi se si retorika populiste mund të kthehet në mekanizëm të rrezikshëm për deformimin e vet shtetësisë. Me tezën për “rikthimin e shtetit”, kryeministri Mickovski arriti të fitojë zgjedhjet parlamentare, duke ndërtuar një narrativë që synonte jo reformimin, por suprimimin e ligjeve që përbëjnë bazën e shtetformësisë së shqiptarëve. Pas marrjes së pushtetit, qeveria e tij hapi rrugën për marrëveshje të errëta financiare me hua miljardëshe të paqartë në origjinë dhe i krijoi terren të lirë shtrirjes së botës serbe dhe ndikimit ruso-kinez, duke e futur shtetin në një trajektore pa drejtim dhe pa siguri. Edhe në nisje të fushatës për zgjedhjet lokale, retorika e tij politike vazhdon të mbajë të njëjtin ton përjashtues, duke paralajmëruar eliminimin e subjektit politik shqiptar që lindi nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit forcë që për dy dekada ka qenë promotore e zbatimit të saj. Pas këtyre zgjedhjeve, përgjegjësia për orientimin e ardhshëm të Maqedonisë bie mbi vetë kryeministrin: nëse vendi do të zgjedhë rrugën e stabilitetit dhe integrimit euroatlantik, apo do të zvarritet drejt një spiraleje konfliktesh që mund ta zhysin në paqëndrueshmëri dhe pa perspektivë.

Në vend që të ndërtohet një model qeverisës mbi besimin qytetar dhe barazinë institucionale, elitat politike kanë lejuar që kalkulimet e ngushta partiake të errësojnë vizionin shtetëror. Kështu, edhe proceset më të rëndësishme si ndryshimet kushtetuese dhe debatet identitare janë instrumentalizuar për përfitime politike afatshkurtra, duke zbehur frymën e partneritetit ndëretnik që e bëri të mundur stabilitetin pas vitit 2001.

Kujtesa historike e vitit 2001 nuk duhet parë si traumë, por si busull për të ardhmen. Marrëveshja e Ohrit nuk ishte vetëm pakt për paqe, por themel për një rend të ri demokratik, që e ngriti barazinë qytetare në parim kushtetues dhe e bëri bashkëjetesën pjesë të identitetit shtetëror.

Çdo tentativë për ta relativizuar këtë marrëveshje, për ta zëvendësuar me modele të selektivitetit etnik apo për ta përdorur si mjet presioni politik, është devijim nga rruga e stabilitetit dhe e integrimit. Historia e këtij vendi ka dëshmuar se sa herë është sfiduar fryma e Ohrit, vendi është zhytur në krizë; dhe sa herë është respektuar ajo, Maqedonia e Veriut ka ecur përpara në rrugën euroatlantike.

Në këtë realitet politik, faktori shqiptar ka luajtur dhe vazhdon të luajë rolin më stabilizues në shtet. Shqiptarët kanë dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave europerëndimore dhe kanë qenë promotorë të barazisë qytetare, duke ruajtur stabilitetin edhe në momentet më të ndjeshme.

Por kjo përgjegjësi nuk mund të mbetet e njëanshme. Një shtet nuk mund të ndërtohet mbi sakrificën e njëanshme të një komuniteti, por mbi përkushtimin e përbashkët të të gjithë qytetarëve. Elita shtetërore maqedonase duhet të kuptojë se respektimi i faktorit shqiptar nuk është çështje favori, por garanci për ekzistencën e vet shtetit multietnik.

Kohezioni ndëretnik nuk është luks politik, as kompromis i përkohshëm është strategji shtetërore për mbijetesë dhe zhvillim. Në një rajon ku tensionet etnike dhe ndërhyrjet e jashtme janë ende faktor destabilizues, vetëm ndërtimi i një shoqërie me barazi reale dhe besim të ndërsjellë mund të garantojë stabilitet afatgjatë.

Evropa nuk pranon shtete që ndajnë qytetarët sipas përkatësisë, por ato që ndërtojnë vlera të përbashkëta mbi drejtësi dhe përfshirje. NATO nuk ofron vetëm siguri ushtarake, por kërkon stabilitet politik të brendshëm dhe partneritet shoqëror.

Maqedonia e Veriut duhet ta kuptojë këtë realitet: pa konsensus të brendshëm ndëretnik, çdo proces integrues mbetet formal dhe i brishtë.

Ky është momenti kur Maqedonia e Veriut duhet të tregojë maturi politike dhe historike. Koha e alibive ka përfunduar. Nëse ky vend dëshiron të ruajë stabilitetin dhe të hapë perspektivën e integrimit, duhet të lirojë veten nga pengjet e së kaluarës dhe të ndërtojë një kontratë të re shoqërore mbi partneritetin ndëretnik, respektin institucional dhe drejtësinë qytetare.

Elita shtetërore maqedonase duhet të heqë dorë nga nostalgjitë e rrezikshme të projekteve etnocentrike dhe të përqafojë filozofinë e bashkëjetesës si model të së ardhmes. Sepse vetëm një Maqedoni e Veriut që e ndërton të ardhmen mbi respekt, barazi dhe vizion përbashkues do të mund të ecë me siguri drejt integrimit euroatlantik dhe të fitojë respektin e partnerëve ndërkombëtarë.

Ky është udhëkryqi i maturisë politike: të zgjidhet rruga e bashkëjetesës si garanci për paqe, zhvillim dhe perspektivë përndryshe, historia nuk do të falë përsëritjen e gabimeve, por do të dëshmojë se mungesa e maturisë politike mund të kthehet në autogol historik, ku humb jo vetëm stabiliteti, por edhe vet ideja e shtetit multietnik që u ndërtua me shumë sakrifica. Dhe në atë moment, do të jetë tepër vonë për t’u rikthyer në udhën e arsyes politike që e kërkon koha dhe historia.

Filed Under: Ekonomi

SI PO E MUND PERCEPTIMI TË VËRTETËN NË KOSOVË

October 13, 2025 by s p

Jeton KELMENDI PhD*/

Në një demokraci të re dhe ende të brishtë si kjo e Kosovës, perceptimi shpesh ka marrë rolin e realitetit, ndërsa e vërteta – e cila kërkon kohë, durim dhe argument – është zëvendësuar nga narrativat emocionale dhe të ndërtuara me kujdes politik. Në këtë luftë të perceptimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të krijojë një epërsi të dukshme, duke ndërtuar me mjeshtëri një sistem komunikimi politik që jo vetëm e forcon bazën e saj elektorale, por edhe e dobëson çdo kundërshtar politik, institucional apo shoqëror, që nuk i përshtatet këtij realiteti të ri të perceptuar. Këtu mund të shihet nga Partitë politike deri te mediet.

Nga idealizmi në menaxhimin e perceptimit

Vetëvendosje u ngrit mbi një platformë idealiste dhe populiste: sovranitet, drejtësi, barazi, luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Në vitet e para, kjo lëvizje u perceptua si zëri moral i shoqërisë kosovare, si opozita e vetme e pastër ndaj një elite të korruptuar që kishte keqpërdorur lirinë e fituar me gjak. Ky perceptim e mbajti gjallë për më shumë se një dekadë, deri në momentin kur Vetëvendosje mori pushtetin. Dorën në zemër kë kemi para sysh një përjudhë të gjatë kohore, derisa populizmi mori instruksione nga shërbime të caktuara jashtë vendit. Kësi soji, sapo erdhi në pushtet, LVV kuptoi se për ta mbajtur këtë status të “engjëllit politik” duhej ta menaxhonte perceptimin po aq fuqishëm sa qeverisjen. Kështu filloi të ndërtohej një strategji e qëndrueshme komunikimi publik, që kishte për qëllim ruajtjen e bindjes se çdo kritikë ndaj LVV-së është automatikisht një sulm ndaj shtetit, ndaj reformës apo ndaj vetë “popullit”.

Lufta për narrativë

Në Kosovë, lufta politike ka kaluar nga përplasja e ideve në përplasjen e narrativave. Në këtë terren, LVV ka treguar një efikasitet të jashtëzakonshëm. Përmes kontrollit të hapësirës publike – veçanërisht rrjeteve sociale dhe komunikimit direkt me masat – ajo ka krijuar një ndarje të thellë midis “neve” dhe “atyre”.
“Ne” jemi populli, të pastërtit, të përkushtuarit ndaj shtetit;
“ata” janë të vjetrit, të korruptuarit, armiqtë e reformës, madje edhe bashkëpunëtorët e të huajve që duan ta sabotojnë Kosovën, thjeshtë duke i future në një grup të gjithë me listen Serbe dhe Vuçiqin.

Ky diskurs i thjeshtuar, por emocionalisht i fuqishëm, i ka dhënë LVV-së një avantazh të madh në ndërtimin e perceptimit publik. Për një pjesë të madhe të opinionit, mjafton që një politikë, një media apo një intelektual të mos pajtohet me qeverinë, që të etiketohet menjëherë si “armik i shtetit”. Kështu, në vend të debatit racional dhe kritikës së ndërtuar mbi fakte, kemi një ndarje morale – një dualitet që përjashton çdo mes dhe çdo reflektim të nuancuar. Në këtë kontekst duke potencuar faktin se LVV po I keqperdor shtresat më të paarsimuara të shoqërisë.

Rrjetet sociale si terren i betejës

Rrjetet sociale janë bërë fusha kryesore e kësaj lufte për perceptim. LVV ka krijuar një mekanizëm të sofistikuar komunikimi digjital: një përzierje e aktivistëve të organizuar, figurave publike që mbajnë të njëjtin narrativ dhe një ushtrie virtuale simpatizantësh që amplifikojnë çdo mesazh të qeverisë dhe sulmojnë çdo zë kundërshtues.

Në këtë ekosistem komunikimi, lajmi nuk është më çështje fakti, por interpretimi i faktit. Një vendim qeveritar i dobët, një dështim diplomatik apo një skandal administrativ mund të paraqitet si fitore, mjafton që narrativi të ndërtohet me kujdes dhe të përforcohet në mënyrë masive përmes mediave sociale.

Për shembull, në rastet kur qeveria ka dështuar në raportet ndërkombëtare – si në menaxhimin e krizave në veri apo në marrëdhëniet me partnerët perëndimorë – LVV nuk e ka lejuar që dështimi të shndërrohet në perceptim negativ. Përkundrazi, përmes një gjuhe nacionaliste dhe përmes etiketimit të kritikëve si “vegla të të huajve”, ajo e ka transformuar realitetin në një version heroik: qeveria po lufton e vetme kundër një bote të padrejtë, madje edhe kundë vet partive tradicionale të Kosovës.

Dobësimi i kritikës dhe institucionalizimi i perceptimit

Një nga pasojat më të thella të kësaj lufte perceptimesh është dobësimi i hapësirës për kritikë të pavarur. Mediat dhe intelektualët që guxojnë të artikulojnë kritika ndaj qeverisë shpesh ballafaqohen me linçime virtuale, akuza për tradhti apo etiketime për motive të errëta.

Kështu, në mënyrë të ngadalshme, perceptimi i ndërtuar nga qeveria fillon të zëvendësojë faktet. Në vend që qytetarët të pyesin: “A po funksionon mirë shteti?”, pyetja e nënkuptuar bëhet: “A po e dobëson dikush shtetin?”. Ky ndryshim i vogël në logjikën e debatit publik është thelbësor, sepse zhvendos fokusin nga përgjegjësia institucionale te lojaliteti politik.

Në këtë klimë, edhe institucionet që duhet të jenë të pavarura – si sistemi gjyqësor, mediat apo organizatat e shoqërisë civile – ndihen nën presionin e perceptimit. Çdo qëndrim neutral ose kritik mund të interpretohet si “pozicionim kundër popullit”. Dhe kur perceptimi bëhet matësi i moralit politik, e vërteta zhduket në heshtje.

Ndikimi mbi demokracinë dhe kulturën politike

Lufta për perceptim po e ndryshon vetë strukturën e demokracisë kosovare. Ajo po e kthen qytetarin nga një aktor racional që vlerëson programet dhe rezultatet, në një ndjekës emocional që identifikohet me simbolikën e pushtetit.
Në vend të qeverisjes përmes institucioneve, kemi qeverisje përmes ndjesive kolektive.
Në vend të transparencës, kemi retorikë morale.
Në vend të llogaridhënies, kemi justifikim patriotik.

Kjo zhvendosje është e rrezikshme, sepse e zëvendëson ndërtimin e shtetit me ndërtimin e perceptimit për shtetin. Ndërsa qytetarët jetojnë me ndjesinë se janë pjesë e një ndryshimi të madh, realiteti institucional shpesh ngelet i njëjtë: burokracia, mungesa e meritokracisë dhe korrupsioni nuk zhduken, por thjesht marrin forma të reja, më të veshura me gjuhë populiste.

Pushteti dhe iluzioni i moralitetit

Një element tjetër që e bën të fuqishme strategjinë e perceptimit është përdorimi i moralitetit politik si armë. Vetëvendosje e ka ndërtuar imazhin e saj mbi ndarjen e qartë midis “të pastërve” dhe “të korruptuarve”. Por me kalimin e kohës, kjo ndarje ka filluar të përdoret si instrument i kontrollit të narrativës: çdo kritikë ndaj partisë interpretohet si përpjekje për ta “ndotur” moralin e saj.

Kështu, në vend që morali të jetë një vlerë universale, është bërë monopol politik. Dhe kur morali bëhet pronë e një partie, e vërteta zhduket nën hijen e drejtësisë së vetëshpallur.

Rruga përpara: rikthimi i së vërtetës

Nëse Kosova dëshiron të dalë nga kjo spirale perceptimesh, duhet të ndërtojë një kulturë të re politike – një kulturë që e vlerëson të vërtetën mbi emocionin, debatin mbi etiketimin dhe faktin mbi perceptimin.
Kjo kërkon disa hapa të qartë:

1.     Forcimin e mediave të pavarura – që nuk varen nga buxheti publik apo nga ndikimi politik, por që mund të ndërtojnë besueshmëri përmes profesionalizmit dhe fakteve.

2.     Edukim politik qytetar – për të zhvilluar aftësinë kritike dhe për të ndarë propagandën nga analiza.

3.     Transparencë institucionale – që faktet e qeverisjes të jenë publike dhe të pakundërshtueshme, për të shmangur manipulimin narrativ.

4.     Krijimin e një opozite të re konstruktive – që nuk reagon vetëm emocionalisht, por ofron alternativa reale, duke luftuar perceptimin me argumente.

Përfundim: midis dritës dhe hijes së perceptimit

Në historinë moderne të Kosovës, kjo periudhë do të kujtohet si koha kur perceptimi e mundi të vërtetën. Jo sepse e vërteta nuk ekziston më, por sepse ajo nuk ka më hapësirë të dëgjohet.
Në një shoqëri ku politika e perceptimit ka zëvendësuar politikën e ideve, qytetari është bërë spektator i një shfaqjeje të përhershme – ku çdo aktor mundohet të duket i drejtë, më shumë sesa të jetë i tillë.

Por perceptimi, sado i fuqishëm të duket, është i përkohshëm. E vërteta, sado e vonuar, ka forcën e kthimit. Dhe në fund, çdo qeveri, çdo lëvizje, çdo udhëheqës përballet me momentin kur propaganda nuk mjafton më.

Në atë moment, perceptimi do të thyhet si xham nën peshën e realitetit. Dhe atëherë, shoqëria kosovare do të duhet të rikthehet tek ajo që është thelbësore: tek e vërteta, si themel i lirisë dhe si garanci e vetme për demokracinë që ende po mësojmë ta ndërtojmë.

Filed Under: Analiza

Paqja e Donald Trump, Izraeli, Gaza, kujtesa që shëron, rendi i ri i paqes njerëzore!

October 13, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Një mëngjes që të gjithë e pritën

Ka mëngjese që ndryshojnë trajtën e historisë, jo me fjalë, por me frymë. Mëngjesi i 13 tetorit 2025 ishte i tillë. Hamas liroi 20 pengjet e fundit që ishin gjallë, pas më shumë se dy vjetësh robërie. Ky ishte kulmi i një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, në kuadër të një plani me njëzet pika të propozuar nga Presidenti Donald Trump, i cili po zbatohet në fazën e parë. Në të njëjtën ditë, Presidenti Trump vizitoi Izraelin dhe mbajti fjalim në Kneset, ku u prit nga deputetë dhe familjarë të pengjeve. Në mbulimin mediatik, ky çast u përshkrua si “agimi i një Lindjeje të Mesme të re.”

Në atë mëngjes, nuk ishin vetëm pengjet që u kthyen në shtëpi, ishte besimi që rifitoi vendin në histori. Liria që pritej, çlirimi i pengjeve si kthjellim moral. Kur një peng kthehet, rikthehet një univers i tërë, kujtimet, fjalët, fryma. Lirimi i pengjeve është një nga ato pak momente kur politika përmbush misionin e shpirtit, të falë pa harruar, të ndihmojë pa u shitur, të shpëtojë pa u lavdëruar.

Sipas marrëveshjes së 9 tetorit 2025, Izraeli dhe Hamasi u pajtuan për fazën e parë të zbatimit, lirimin e pengjeve, shkëmbimin me të burgosur palestinezë (duke përfshirë 250 të burgosur), dhe tërheqje të kontrolluar të trupave izraelite nga disa pozicione urbane në Gaza, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit. Në atë çast, liria nuk ishte më triumf ushtarak, por pjekuri njerëzore që pranon kufirin si formë shpëtimi. Presidenti Trump në Jerusalem, magjistratura e një vizioni të ri…

Në Kneset, Presidenti Trump deklaroi publikisht: “Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të Planit tonë të Paqes.” Dhe shtoi: “Të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat në një vijë të dakordësuar si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përhershme.” Në komunikimet e tij publike ai theksoi gjithashtu: “Lufta ka marrë fund.”

Këto deklarata përmblidhnin thelbin e marrëveshjes, lirimin e pengjeve, vijën e dakordësuar të tërheqjes dhe ndalimin e luftimeve. Pas fjalimit, u raportua zyrtarisht se ai u takua me familjarë të pengjeve dhe me përfaqësues të institucioneve që po mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes. Parimet që e bëjnë aktin të qëndrueshëm. Ky çlirim nuk është thjesht një marrëveshje politike, as një ndalim zjarri mes forcash të lodhura nga përplasja. Ai është një akt themelor i vetëdijes morale, një kthesë ku politika i dorëzon vendin etikës. Nga ky moment, marrëdhëniet ndërmjet popujve dhe fuqive nuk maten më me dominim, por me aftësinë për të pranuar kufirin si formë të lirisë. Pikërisht këtu lind doktrina e re që e kthen paqen në disiplinë të shpirtit.

Parimi i parë, “Kur pengu kthehet, paqja fillon”, është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo rend njerëzor, kthimi i jetës është akt që përmbys logjikën e frikës. Ai çliron jo vetëm trupat, por ndërgjegjen e të gjithëve që kanë parë dhimbjen e pafajësisë. Parimi i dytë, “Kujtesa që fal, ruan rendin”, e shndërron faljen nga ndjenjë në sistem. Falja nuk është amnezi morale, por kujtesë që çliron, një proces ku e vërteta nuk fshihet, por ndriçohet përmes pranimit. Falja e së vërtetës është rikthim i nderit përmes kujtesës, një formë drejtësie që ndodh pa gjykatë, por me ndërgjegje. Parimi i tretë, “Përgjegjësia e lirisë është barra e çdo shteti”, i jep politikës pjekurinë e vetme të mundshme. Liria që nuk e njeh peshën e saj, bëhet anarki morale, ndërsa liria që ndjen përgjegjësi, bëhet civilizim. Parimi i katërt, “Ndihma pa plan është rrëmujë”, na kujton se humanizmi pa strukturë nuk shpëton, por lodh. Njerëzimi shpëton vetëm kur ndihma bëhet sistem dhe solidariteti, mekanizëm. Dhe më në fund, “Amerika si garant i kufirit të drejtë” përkthen fuqinë në moral, kur forca ndalon vetveten, ajo bëhet ligj.

Në këtë simfoni parimesh, falja është preludi dhe kufiri është refreni. Sepse, aty ku falja merr formë, dora e Perëndisë i jep fytyrë drejtësisë, aty ku ajo zbret në tokë, Perëndia nënshkruan paqen me duar njerëzore. Kështu, Izraeli fiton siguri, Amerika fiton legjitimitet moral, dhe njerëzimi fiton një rend që qëndron jo mbi forcë, por mbi ndërgjegje.

Rindërtimi i kujtesës, drita që kthehet në gurë

Paqja është rrugë, jo fotografi. Në Gaza, ku infrastruktura civile është dëmtuar rëndë, po nisin programet e rindërtimit me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara. Fokuset kryesore të fazës së parë janë, energjia, uji dhe higjiena, shkollat dhe korridoret bazë të tregtisë. Një punëtor lidh një tub uji, duart e tij të djegura nga dielli dhe nga metali i nxehtë. Uji rrjedh për herë të parë pas muajsh, dhe bashkë me të, fillon jeta. Një djalë nga Rafahu, me një voltmetër plastik në dorë, ndihmon teknikët në aktivizimin e një kablli tensioni. Kur llamba ndriçon, ai buzëqesh dhe thotë: “Tani shtëpia jonë ka zë.”

Çdo linjë energjie që rilidhet është damar drite që lidh shpresën me realitetin, çdo depozitë uji e riparuar kthehet në nder, çdo orë mësimore e rikthyer rrit kapitalin shoqëror, çdo kthim në treg e çon ekonominë nga mbijetesa drejt normalitetit. Në ato mure të reja që ngrihen mbi pluhur, fillon kujtesa e një populli që zgjedh të jetojë. Asnjë plan nuk është i përsosur. Ky i sotmi nuk mund të shërojë menjëherë plagët që kanë vite e dekada që thërrasin, as të shuajë urrejtjen e trashëguar, as të rikthejë menjëherë besimin.

Disa do të thonë se është spektakël politik. Siç shkroi Le Monde Diplomatique në editorialin e saj të 10 tetorit, “Çdo paqe e mbështetur mbi spektakël rrezikon të harrohet po aq shpejt sa transmetohet.” Por kritikë të tillë harrojnë se cinizmi është forma më e re e dhunës. Ai vret shpresën përpara se ajo të lindë. Çfarë nuk bën ky plan? Ky plan nuk mbyll plagët e historisë, nuk zëvendëson drejtësinë ndërkombëtare, nuk garanton shuarjen e radikalizmit. Por ai kthen kufijtë në përgjegjësi dhe forcën në moral, duke i dhënë botës një instrument të ri për të matur njerëzimin.

Analizat ndërkombëtare theksojnë se qeverisja e Gazës dhe çarmatosja e Hamasit mbeten çështje të hapura, të tjera nënvizojnë se imperfeksioni është çmimi i paqes së mundshme në botën reale. Po sikur paqja të mos jetë kurrë e përsosur? Po sikur imperfeksioni të jetë vetë thelbi i shpëtimit? Rendi i ri moral nuk mat mungesën e gabimeve, por aftësinë për t’i njohur dhe për t’i përmirësuar ato.
Ky plan kërkon praktikën e përgjegjësisë, jo përsosmërinë. Historia njerëzore që shëron më shumë se fjalimet

Në Tel Aviv, disa prej pengjeve të liruar u takuan me familjarët në një ceremoni të mbyllur pranë Aeroportit Ben Gurion, me mbulim të gjerë mediatik. Në ato lot gëzimi, politika u tret, falja nuk e mohon dhimbjen, e përkufizon. Ajo e kthen njeriun nga viktimë në dëshmitar të shpëtimit.

Metafizika e dritës¹

Në duart e Zotit dhe në buzët e njerëzve, liria rifiton kuptim.
Paqja nuk është nënshkrim, është dritë që del nga brenda shpirtit, e brishtë, por e pavdekshme. Aty ku pengu kthehet, falja bëhet urë. Aty ku shpresa ringjallet, Zoti ende flet me njerëzit. Në këtë ditë, Izraeli dhe Amerika nuk janë vetëm aleatë, por garantë të moralit që e kthen fuqinë në përgjegjësi, Trump nuk është vetëm negociator, por simbol i rendit që mëson të falë pa harruar. Kujtesa që çliron është falja e së vërtetës dhe rikthimi i nderit përmes kujtesës, ajo bën që drita të mos jetë vetëm elektricitet, por besim. Drita që ndizet sot në Gaza është kujtesë se paqja nuk është premtim, por përkujtesë e një premtimi të shenjtë që nuk vdes.

Dhe siç shkruante Reinhold Niebuhr: “Aftësia për drejtësi e bën të mundur lirinë, prirja për padrejtësi e bën të domosdoshme disiplinën.”

¹ Fusnotë stilistike:
Termi “metafizika e dritës” përmban dy shtresa kuptimore: teologjike dhe filozofike. Në traditën e krishterë lindore, Dionisi Areopagiti e përshkruan dritën si shfaqje të së vërtetës hyjnore, “rrezatim i mirësisë që rregullon gjithësinë.” Ndërsa C.S. Lewis në reflektimin e tij “Unë besoj në Krishtin siç besoj në diell, jo sepse e shoh, por sepse me të shoh gjithçka tjetër”, e kthen dritën në gjuhë të ndërgjegjes që ndriçon moralin njerëzor. Këtu, drita e Gazës bëhet simbol i ndërgjegjes që ndriçon njerëzimin.

Photo: abcnews.go.com

Filed Under: Emigracion

VËLLIM I RI POETIK NGA VISAR ZHITI, “DRITË QË ECËN ZBATHUR”

October 12, 2025 by s p

…Zhiti radhitet ndër klasikët e letërsisë bashkëkohore shqiptare… ai mund të krahasohet denjësisht me autorë si Kafka, Orwell, Salinger Heller dhe Sollzhenicin…

Dr. G. Alpion, Universiteti i Birminghamit, Angli

Trillet e tij të çlirëta, të ajërta dhe të guximshme kanë një ngjashmëri të lumtur me stinën kubofuturiste dhe me pjellorinë e saj të metafortë… mbartin liri dhe janë të pushtuara me argumentet e territ. Mbase ka, por s’e kujtoj dhe mbi të gjitha nuk e kujtoj kaq të freskët dhe kaq të menjëhershme një vepër në kontakt të drejtpërdrejtë me botën që zbulon dhe dëshmon…

Mario Luzi, Poet italian, Senator i Përjetshëm

Në thjeshtësinë e tij Visar Zhiti është kompleks, i thellë, shumë shtresor, plot shpirt. Ai të përvetëson me nivelet e mendimit të tij, me fisnikërinë e ndjenjave si dhe me aftësinë që të shprehet lehtë dhe fuqishëm.

Bozhidar Prosenjak, Shkrimtar kroat

Tani… lexuesit anglishtfolës mund të shohin poezitë jashtëzakonisht të ndjeshme dhe imagjinativisht të pasura, të krijuara nga vitet e vuajtjes së Zhitit.

“Green Integer”, SHBA 2025

Filed Under: LETERSI

Kryetari i Vatrës në Jacksonville z. Adriatik Spahiu, vizitoi Selinë Qëndrore të Federatës

October 12, 2025 by s p

Dr. Pashko Camaj/

Ishte një takim miqësor e frytdhënës në Federatën Vatra me kryetarin e degës së Vatrës në Jacksonville, z. Adriatik Spahiu. Si sekretar i Vatrës, bashkë me anëtarin e kryesisë z.Ilir Cubi, patëm nderin e veçantë ta mirëpresim personalisht patriotin Spahiu. Biseduam gjerësisht për çështje që kanë rëndësi për degën e tij dhe për aktivitetet që ai ka ndërmarrë në Florida ku veçuam hapjen e shkollës shqipe mbi një dekadë më përpara. E falënderova për punën, kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Vatrës dhe çështjes kombetare.

Diskutuam gjithashtu dhe për ngjarjet që Vatra do të përkujtojë, veçanërisht 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë – që do të shënohet këtu në New York, por edhe në qytete të tjera të SHBA-së si Jacksonville, Tampa, Miami, Boston, Michigan etj. Folëm imtësisht edhe për çështje të tjera me rëndësi specifike që lidhen me aktivitetet e Vatrës, me rolin e saj si pasuri dhe trashëgimi e identitetit shqiptar dhe si një organizatë patriotike që bashkon shqiptarët kudo që ndodhen. Ishte një takim frymëzues dhe me shumë vlerë për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet degëve me Federatën Vatra. Mirënjohje çdo patrioti që kontribuon dhe sakrifikon për Vatrën e kombin.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 289
  • 290
  • 291
  • 292
  • 293
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT