• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR PUSHTETI VRET DIJEN…

October 6, 2025 by s p

Prof. As.Dr. Gelanda SHKURTAJ/

Sokrati u vra nga athinasit sepse mësonte të rinjtë të arsyetonin pa u ndikuar politikisht. Giordano Bruno u dogj i gjallë nga inkuizicioni romak, i stigmatizur si heretik ndaj doktrinave të kishës. Ndërkohë, Thomas More u sakrifikua për mosnjohjen e Henrikut të VIII-të si kryetar të Kishës angleze. Shtetet në përpjekjen e tyre sekulariste, nuk i vranë më intelektualët për herezi, por për mosnënshtrim politik, domethënë ndryshuan kahjen e pushtetit. Kështu, klerikun erudit Shtjefën Gjeçovi e vranë serbët, politikanin Hasan Prishtina e vranë në Selanik poaq për bindje, për të ardhur në kohët moderne tek Toto, Kokalari, Kasimati, Blloshmi e për të gjetur të njëjtën vulë vrastare. Rrugëtimi historik mëson se dija vritet nga pushteti, qoftë politik apo ai fetar, me qëllimin e vetëm për ta kontrolluar atë. Koha mbi tokë, njeh një tjetër betejë humbëse të njeriut, atë të instiktit shtazor për dominimin fizik, ku ai nxjerrë muskujt, dhëmbët, bombat dhe raketat për të vrarë veten. E të mendosh që sapiensi (i dituri) është forma më e lartë e zinxhirit evolutiv të species sonë, të paktën derimë tani.

Në kohët moderne pushteti politik, në të njëjtën luftë ka sofistikuar vetëm mjetet, aspak qëllimin për ta kontrolluar dijen. Prifti erudit, Erasmus, kurrë nuk do të imagjinonte se emri i tij sot, do të përkufizonte një ndër programet më të mëdha të shkëmbimit në Europë, i cili i kthyer në një “turizëm akademik” ka bërë gjithçka, përveçse përmbushjen e misionit për të çuar dijen përpara. Politikat globaliste në arsim, kanë krijuar një panoramë të njëjtë gati në të gjithë kontinentin e ku, edhe trashëgimia shekullore e dijes, duket se po ruhet me fanatizëm vetëm në Europën jo-kontinentale. Detyrimi për të publikuar në të njëjtat revista akademike dhe të kontrolluara nga i njëjti burim, unifikimi i dëmshëm i curriculave (programeve shkollore), qarkullimi i kapitalit intelektual duke humbur markën e autenticitetit, janë disa prej tyre. Kthimi i muzikës dhe i fiskulturës në Universitet, ku një matematicien do të quhet poaq profesor sa profesori i gajdes, sparkatës apo shtangës, sfazojnë edhe fantazinë më inkurajuese.

Arsimi dhe edukimi në Shqipëri

E ndarë tanimë historia moderne e Shqipërisë, para dhe pas komunizmit, vlen një reflektim i përkorë mbi atë çfarë kishim, ku jemi dhe çfarë do të bëjmë. Duke u zhveshur nga çdolloj qëllimi dhe qëndrimi politik, arsimi i para ‘90-ës, investoi një seriozitet në programet shkollore, të cilit nuk i është rikthyer asnjë model tjetër. Me ndryshimet politike, të gjitha reformat të trumpetuara majtas apo djathtas në sistemin arsimor kanë përfunduar në dy rezultate: pedagogji të dështuar dhe nxënës të pa-nxënë. Mund të analizohen një gamë faktorësh, duke nisur që nga spastrimet dhe emërimet politike e duke shkuar deri tek nivelet e mësimdhënies, curriculat, hapjen e shkollave private e shumë të tjera. Përmenden gjithaq: cilësia, infrastruktura, meritokracia, korrupsioni, plagjarizmi, por të gjitha argumentet, tingëllojnë si simpoziumi i një OJF-je me paratë e BE-së, ku në përfundim të gjithë pasi kanë ngrënë dhe pirë, kanë marrë një çertifikatë dhe mirupafshim.

Sado i analizuar secili argument, çështjet duken të futura në një rreth vicioz, ku përse-ja nuk gjen terren e ku kapja e fillit bëhet shumë e vështirë. Kësisoj, analiza shkon tek e vetmja e dhënë objektive: ndërprerja me thikë e një tradite, ku asnjëherë nuk ka marrë përgjigje racionale pyetja përse e abandonuam trashëgiminë shkollore?. Mos nuk shkonin mirë tekstet apo mësuesit? Për mos t’u bërë më katolikë se Papa, se qëllimi ishte spastrimi doktrinës, që as këtë nuk e bëmë në tekstet historike, rrugët e arsyetimit të çojnë të gjitha tek ndryshimi i formës për të mbërritur tek thelbi: paraja (!). Përse u zëvendësuan tekstet shkollore që nxorrën plejada intelektualësh, me programe që barazojnë studentin e fakultetit me nxënësin e klasës së pestë? Afërmendsh përgjigja shkon te mënyra operative ku në emër të inovacionit, ose u bënë libra të rinj aspak profesional, ose u kopjuan tekste të huaja dhe u botuan në shtëpi të preferuara botuese.

Nëse ishte cilësia e mësimdhënies, edhe këtu tradita shqiptare njohu një përshkallëzim të ecurisë, sa koherente aq edhe funksionale. Nuk kishte absurde ku nxënësi i tetës në gjimnaz të dilte me dhjeta në fakultet e aq më keq nga pesa e gjimnazit të shkohej te dhjeta e fakultetit, siç rëndom po ndodh sot. Degët e fakultetit të shkencave të natyrës, po rrezikojnë mbylljen përfundimtare, pasi nuk kanë më rregjistrime. Shqipëria do të kthehet në arsimin e ‘45-ës, ku kërkesa për mësues do bëj që gjithkush jashtë profesionit, të jap mësim. Kjo ngjan me emërimet e komisarëve politikë në ushtri, ku strategët muratorë mësonin ushtarakët e karrierës. “Shpullën” apo ballafaqim e dijes së marrë në arsimin e mesëm, në një vend normal, do ta jepte cikli më i lartë studimor, ose universiteti.

Universitetet si prodhuesit dhe mburojat e mosdijes

Mbërritja në universitet përfaqësonte momentin kulmor të ëndrrës dhe hapin e parë drejt jetës profesionale. Perzgjedhja kishte një kriter dhe ai quhej vlerësimi akademik. Ndarjen e kufirit e kushtëzonin dy faktorë: së pari cilësia e pregatitjes, së dyti mbajtja hapur e tregut të punës. Kjo ndarje llogjike, që përkon edhe me tregun ndërkombëtar, do të thotë se universiteti nuk është e vetmja alternativë, por një dëshirë e atyre që duan ose jetën akademike, ose ato profesione që kërkojnë domosdoshmërisht kalimin nëpërmjet tij. Bashkëekzistenca e disa faktorëve njëkohësisht: mungesa e tregut të punës, hapja e universiteteve private (pa i përgjithësuar), lehtësimi i marrjes së titujve dhe gradave shkencore, si edhe shpërblimi i diferencuar i titujve në administratë publike, bënë që prej të paktën dy dekadave arsimi dhe edukimi të ketë marrë pikjatën pa kthim drejt fundit. Mospasja e punës, në njëfarë mënyre favorizoi mbushjen e universiteteve publike dhe private, ku shumë të rinj, të padëshiruar për të vijuar studimet, por poaq të pamundur për të punuar, të vihen përballë alternativës “boll të kem një diplomë në xhep”.

Kujtoj vite më parë, një student në dërrasë të zezë nuk dinte të shkruante zero-t pas shifrës tre milionë. Pyetjes se përse kishte ardhur në universitet iu përgjigj tekstualisht: “m’ka thon plaku sa t’rrish n’shpi mo mir shko n’universitet”.

Hapja e universiteteve private në format tregtare “fitimprurëse” ishte një gozhdë tjetër në arkivolin e arsimit. Jo më kot universitetet më prestigjoze në botë, formulën private e kanë nën logon “jo-fitim prurëse”, që do të thotë se fitimet investohen po prap brenda universitetit në kapacitete dhe burime, dhe jo duke i çuar ato në xhepat e ortakëve themelues të tij. Diferencimi i pagave në administratë sipas titullit, gjë e cila në risi’ nuk kishte asnjë të keqe, në mentalitetin shqiptar u përkthye në një maratonë kush të merrte dyzetëmijë lekë më shumë. Te përkrahur nga ato universitetet private ku legjendat flasin edhe për gjashtëqind doktoratura të lëshuara në një ditë, arsimi nuk mund të mos marrë vulën e turpit, si ura për ngritjen e injorancës në kult.

Shqipëria dhe universitet ndërkombëtare

Në qerthullin e debatit, qëndrojnë titujt dhe profesorati, që si askurrë në historinë e Shqipërisë, fjala pedagog nuk ka mbartur mosbesim dhe krenari boshe njëkohësisht. Lehtësimi apo blerja e titujve akademikë është kangrena që do të kërkojë dekada të largohet nga trupi i arsimit. Ngelur tek tradita se ky profesion meritohej nga më të lexuarit, të gjendur në kohën kur tekste universitare nuk kishte, të favorizuar nga konteksti i mbingarkimit të universiteteve për arsyet më lart, çoi në një kërkesë edhe për rritjen e profesoratit. Problemi që pasoi ishte se kush e përfaqësoi këtë profesorat. Koha tregoi një eksponenicale të këtij numri, por arsyet se përse një ditë krejt papritur në Shqipëri, cilido u kap tek moda e profesoratit, do vinin në vështirësi çdo antropolog. Me shumë gjasë dhe hamendësim qëllimi fle te ambicia shqiptare për dukje dhe ofiqe. Tek e fundit çfarë do kushtonte që pas vilës në rroling-hills, makinës më të fundit, orës gjithashtu, pak dinjitet në lagje, facebook dhe shoqëri, do e rriste vetëm emri i munguar si pedagogë. Letra e lakmuesit që ndan profesorin idealist të dijes nga pragmatisti megalloman, shënon po ato, paranë dhe boshllëkun.

Krijimi i alternativave të punësimit tashmë me projekte të subvencionuara apo biznese të vetëfinancuara; ngritja e kritereve sidomos të moshës dhe karrierës profesionale për marrjen e titujve akademikë; përcaktimi me ligj i universiteteve privatë nën formulën ”jo fitim prurëse”; heqja e diferencimit në pagë për administratën publike sipas titujve shkencorë; si dhe rishikimi i programeve studimore nga klasa e parë tek universiteti, qoftë edhe duke kthyer kokë pas, janë disa nga faktorët që mund të japin pak dritë brenda tunelit të errët të arsimit. Ndërkohë përsa i përket alternativës së universiteteve ndërkombëtare në Shqipëri, në kohën kur asnjë gjë nuk bën përshtypje, dhe ku, suaza e globalizmit ka ulur shumë barriera parimore dhe shkencore, nuk do të ishte e pamundur që një syresh i tillë, ta shihnim një ditë edhe në Shipëri. Problemi është nëse Shqipëria efektivisht pëmbush kushtet akademike dhe kriteret shkencore për të huajt, e këtu spekullimi vjen natyrshëm tek emërtimi. Ndofta mballoma “Universiteti i punëve të kota” nuk do njihte, pa as më të voglin dyshim, krizën e regjistrimeve.

Filed Under: Opinion

BALLKANI NDËRMJET STABILITETIT DHE SHPËRTHIMIT

October 6, 2025 by s p

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Ballkani po hyn përsëri në një stinë të rrezikshme, ku hija e së kaluarës po tenton të mbulojë të tashmen dhe të ardhmen e rajonit. Nëpërmjet strategjive të mirëkoordinuara, projektet hegjemoniste, që dikur e çuan në shpërbërje të përgjakshme në ish-Jugosllavinë, po ringjallen nën petkun e të ashtuquajturës “botë serbe”. Nga sulmi paramilitar në Banjskë të Kosovës, tek retorikat e përditshme secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, e deri te përpjekjet e sofistikuara për ta relativizuar Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, po shfaqet një linjë e qartë veprimi: hapja e krizave paralele për të minuar themelet e shteteve multietnike dhe për të shkatërruar arkitekturën e stabilitetit ballkanik.

Historia e viteve ’90 është një paralajmërim i gjallë. Atëherë, vonesat në reagim, indiferenca dhe mungesa e vendosmërisë ndërkombëtare u paguan me gjak, gjenocid dhe shpërngulje biblike popullsish. Luftërat nuk u ndalën nga apeli moral, por vetëm pasi pasojat kishin arritur dimensione të pariparueshme. Vetëm pas Dejtonit (1995), ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë (1999) dhe Marrëveshjes së Ohrit (2001), Ballkani u ngrit mbi tri shtylla të reja, të brishta, por të domosdoshme, mbi të cilat u vendos rendi i ri i paqes. Sot, këto tri shtylla janë nën goditje të sinkronizuara. Bosnja kërcënohet nga retorika që përgatit terrenin për ndarje, Kosova ballafaqohet me tentativa për destabilizim dhe delegjitimim të sovranitetit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Ohrit po sfidohet në vetë thelbin e saj.

Retorika e fundit e Beogradit, e paraqitur si paralajmërim për “rrezikun e luftës”, fsheh një strategji të sofistikuar për të devijuar vëmendjen nga krizat e brendshme dhe për të manipuluar klimën politike rajonale. Pas dështimeve të dukshme në Bosnje dhe Banjskë, fokusi është zhvendosur drejt Maqedonisë së Veriut, ku instrumentalizimi i ndasive të brendshme dhe politikat antishqiptare janë bërë mjet për të eliminuar subjektin politik shqiptar që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Ngadhnjimi ose dështimi i këtij projekti, sipas intensitetit të investimit të padronit të botës serbe dhe retorikës manipulatore të kryeministrit maqedonas, do të varet drejtpërdrejt nga rezultati i zgjedhjeve lokale të tetorit, të cilat për llogaritë e Beogradit janë shndërruar në një provë për konfigurimin e ardhshëm të balancave politike në rajon. Kjo strategji, e mbështetur mbi narrativën e frikës dhe tensioneve ndëretnike, synon të bartë krizën drejt Kosovës, Bosnjës dhe më gjerë, duke krijuar terren për destabilizim të kontrolluar që prodhon kaos dhe varësi politike.

Në këtë rrethana, Ballkani nuk duhet parë si një krizë periferike, e kufizuar në margjinat e kontinentit. Ai është pjesë integrale e një tabloje gjeopolitike globale. Agresioni rus në Ukrainë sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e sovranitetit; konfliktet e ndezura në Lindjen e Mesme po konsumojnë vëmendjen e fuqive të mëdha. Pikërisht në këtë moment shpërqendrimi strategjik, projekti i “botës serbe” kërkon të avancojë. Nuk është rastësi që skenarët destabilizues në Kosovë, Bosnje dhe Maqedoni zhvillohen paralelisht, duke ndjekur të njëjtat modele: përdorimin e paramilitarëve, sulmin ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nxitjen e narrativave nacionaliste të dhunshme.

Marrëveshja e Ohrit nuk është një dokument i zakonshëm politik, por një kontratë themelore mbi të cilën u rindërtua paqja, u garantua barazia ndëretnike dhe u rivendos rendi kushtetues i Maqedonisë së Veriut. Çdo tentim për ta relativizuar ose për ta zhbërë nuk është një çështje e brendshme, por një sulm ndaj arkitekturës së stabilitetit ballkanik. Nëse bie kjo marrëveshje, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në Shkup: ato do të përhapen si efekt domino në gjithë rajonin, duke rrezikuar që kufijtë, identitetet dhe sovranitetet të kontestohen sërish me gjuhën e dhunës.

Ky paralajmërim është preventiv dhe strategjik: vetëm një unitet unifikues i subjekteve shqiptare, i qëndrueshëm, koherent dhe vizionar, mund të neutralizojë këto prirje dhe të parandalojë realizimin e projekteve të paralajmëruara. Vetëm përmes këtij uniteti mund të mbrohet stabiliteti, paqja dhe ekuilibri politik i rajonit, të garantohet sovraniteti dhe e drejta kolektive e komunitetit shqiptar, duke i kthyer në dështim të plotë çdo tentativë të jashtme për fragmentim e destabilizim. Ky është një sinjal preventiv ndaj atyre që besojnë se ndarjet dhe përçarjet mund të prodhojnë kontroll sepse historia ka dëshmuar se vetëm bashkimi strategjik shqiptar është ai që përcakton ekuilibrin e paqes dhe kufizon çdo projekt që rrezikon arkitekturën politike të rajonit.

E përbashkëta e këtyre tri pikave të tensionit është e qartë: në shënjestër është rendi kushtetues dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ndërtuan paqen. Nëse shembet njëra prej këtyre shtyllave Dejtoni në Bosnje, sovraniteti i Kosovës apo Marrëveshja e Ohrit do të shembet e gjithë ura mbi të cilën qëndron paqja në Ballkan. Dhe një herë që ura bie, ajo nuk shembet vetëm për një vend, por për të gjithë rajonin.

Prandaj, ky nuk është thjesht një apel akademik, por një thirrje urgjente për veprim preventiv dhe të koordinuar.

Nuk duhet lejuar që Ballkani të shndërrohet sërish në një vatër krize që thith energjitë e diplomacisë ndërkombëtare dhe konsumon gjakun e popujve të tij. Mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit, ruajtja e rendit kushtetues të Kosovës dhe garantimi i integritetit të Bosnjes nuk janë çështje lokale, por interesa strategjike të rendit evropian dhe ndërkombëtar. Nëse këto themele shemben, Evropa nuk do të përballet vetëm me një krizë rajonale, por me një plagë të re të gjeopolitikës globale, ku forcat e destabilizimit do të kenë fituar terren mbi paqen.

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona. Dhe këtë herë, përgjigja nuk mund të jetë as e vonuar, as gjysmake. Faktori ndërkombëtar duhet të kuptojë se çdo tolerim ndaj retorikës destabilizuese është investim në krizë, ndërsa faktori shqiptar duhet ta lexojë këtë moment si detyrën historike të unitetit strategjik. Pa këtë unitet, çdo arkitekturë e paqes do të mbetet e brishtë; me këtë unitet, çdo projekt i jashtëm për destabilizim është i destinuar të dështojë.

Filed Under: Analiza

BE-ja si ndërmjetësues i rëndësishëm në dialogun Kosovë–Serbi, por i pamjaftueshëm pa garancitë e fuqishme të ShBA-së

October 6, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga sfidat më komplekse të stabilitetit rajonal në Ballkan. Për dekada, Bashkimi Evropian ka luajtur rol kyç si ndërmjetësues, duke ofruar platformë për bisedime, ekspertizë teknike dhe mekanizma monitorimi. Megjithatë, historiku i proceseve ndërkombëtare dhe përvoja konkrete në Ballkan tregojnë se roli i BE-së, pa garanci të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk është i mjaftueshëm për të siguruar një marrëveshje të qëndrueshme dhe të plotë. Pa këtë kombinim, çdo marrëveshje rrezikon të mbetet formale, e paqëndrueshme dhe e cenueshme nga faktorë të brendshëm dhe rajonalë.

1. Roli i BE-së: ndërmjetësimi dhe sfidat

Bashkimi Evropian ka kontribuar në mënyra të rëndësishme:

-Platforma e dialogut në Bruksel ka mundësuar diskutime direkte dhe teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, duke strukturuar marrëveshjet në mënyrë ligjërisht të qartë.

-Mekanizmat e monitorimit dhe raportimit, si Komiteti i Përbashkët për Implementimin e Marrëveshjeve, ndihmojnë në ndjekjen e progresit të marrëveshjeve të arritura.

-Mbështetja teknike dhe financiare për reformat në Kosovë dhe Serbi ka inkurajuar normalizimin e marrëdhënieve dhe integrimin evropian.

Megjithatë, sfidat kryesore mbeten:

-Mungesa e presionit efektiv mbi palët për zbatim të menjëhershëm. Marrëveshjet shpesh vonohen ose dështojnë në zbatim pa kërcënim real.

-Standardet e dyfishta, të perceptuara si favorizim ndaj Serbisë, dëmtojnë besimin e Kosovës dhe konsolidimin e marrëveshjeve.

-Pafuqia për të garantuar njohje reciproke, një komponent kyç për normalizimin e qëndrueshëm, pa praninë e një superfuqie globale që mund të imponojë respektimin e marrëveshjes.

2. Nevoja për garanci të fuqishme amerikane

Historiku ndërkombëtar tregon se marrëveshjet e qëndrueshme të paqes dhe të njohjes reciproke kërkojnë mbështetje nga një superfuqi me autoritet global. ShBA-ja mund të ofrojë:

-Presion politik dhe diplomatik të drejtpërdrejtë, duke detyruar lidershipin e Beogradit dhe Prishtinës të zbatojë marrëveshjet në mënyrë të plotë.

-Garanci sigurie, duke krijuar sistem besimi midis palëve dhe duke shmangur cenimin e marrëveshjes nga faktorë të brendshëm ose aktorë rajonalë destabilizues.

Shembuj ndërkombëtarë ilustrues:

-Marrëveshja e Daytonit (1995) për Bosnjën konsolidoi paqen falë pranisë dhe garancive amerikane, ku ShBA-ja ishte garantues kryesor i respektimit të marrëveshjes dhe ka pasur rol vendimtar në parandalimin e rinisjes së konfliktit.

-Marrëveshja e Ohrit (2001) për Maqedoninë e Veriut u zbatua vetëm me presion të koordinuar ndërkombëtar dhe mbikëqyrje amerikane, duke siguruar respektimin e reformave kushtetuese dhe përfaqësimin proporcional të komuniteteve.

-Procesi i Lindjes së Mesme, përfshirë marrëveshjet midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, tregon se superfuqitë garantuese janë thelbësore për respektimin afatgjatë të marrëveshjeve diplomatike.

-Roli amerikan në Kosovë (1999–2008), nga ndërhyrja humanitare dhe roli në krijimin e administratës ndërkombëtare, deri te garantimi i marrëveshjeve pasluftës, demonstron qartë se pa angazhimin amerikan nuk do të ishte e mundur konsolidimi i institucioneve dhe avancimi i dialogut për njohje reciproke.

3. Kooperimi BE–ShBA: modeli i domosdoshëm për Ballkanin

Një marrëveshje e qëndrueshme Kosovë–Serbi kërkon sintezë midis rolit ndërmjetësues të BE-së dhe garancive të fuqishme amerikane:

-BE-ja ofron platformën, ekspertizën teknike dhe mekanizmat monitorues për strukturimin e marrëveshjeve.

-ShBA-ja siguron autoritet, garanci sigurie dhe presion efektiv për respektimin e marrëveshjeve.

Ky kombinim është vendimtar për:

-Njohjen reciproke si bazë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike.

-Integrimin evropian të të dyja vendeve, duke krijuar stabilitet rajonal.

-Parandalimin e destabilizimeve rajonale, duke ofruar mekanizma të detyrueshëm për respektimin e marrëveshjeve.

4. Roli i BE-së në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm si ndërmjetësues dhe platformë koordinimi. Megjithatë, përfundimi i suksesshëm dhe i qëndrueshëm i dialogut nuk mund të realizohet pa garanci të fuqishme nga ShBA-ja. Pa këtë kombinim, çdo marrëveshje rrezikon të mbetet formale dhe e cenueshme nga faktorë rajonalë. Presioni, legjitimiteti dhe siguria amerikane janë thelbësore për një normalizim të vërtetë dhe për ndërtimin e një arkitekture të qëndrueshme paqësore në Ballkan.

Filed Under: Politike

Shqiptarët në rrethimin e Maltës të vitit 1565

October 5, 2025 by s p

Eduart Caka/

Rrethimi osman i Maltës i vitit 1565 ishte njëra ndër betejat më të mëdha të shek. XVI e cila, më shumë se aspekti ushtarak ka hyrë në histori për rëndësinë e madhe që ajo kishte në ekuilibrat gjeopolitike të Mesdheut. Megjithëse kjo betejë nuk kishte asnjë lidhje me hapësirat shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi, pozitat e saj strategjike duke qenë në skajin perëndimor të Perandorisë O.smane dhe gjendja nën sundimin osman, na tregon se elementi shqiptar qe i pranishëm edhe në këtë betejë të madhe.

Parë nga ky këndvështrim, dokumentacioni arkivor na jep të dhëna të rëndësishme në lidhje me përgatitjet që osmanët kryen në viset shqiptare teksa planifikonin mësymjen drejt Maltës, momente të rëndësishme të mbrojtjes së ishullit ku përveç shqiptarëve të cilët kanë shkuar në këtë luftë si ushtarë të flotës osmane hasim edhe në shqiptarë të tjerë, të cilët janë pjesë të Urdhrit të Shën Gjonit e që janë të angazhuar në mbrojtjen e Maltës duke nxjerrë në pah një panoramë të çuditshme ku shqiptarë luftojnë kundër shqiptarësh në një betejë e cila nuk ka lidhje as me shqiptarët e aq me gjeografinë ku ata jetonin. Në këtë kontekst, duke u përqendruar tek rrethimi i Maltës i vitit 1565, ky artikull përpiqet të nxjerrë në pah disa aspekte të historisë detare të shqiptarëve por edhe të gjurmojë pjesëmarrjen e tyre në ngjarje të përmasave botërore e historike siç ishte edhe beteja në fjalë.

Shkrimi në link👇👇👇

https://www.academia.edu/resource/work/44613249

Filed Under: Histori

26 vjet shqip ligjërisht në programin dy gjuhësor në shkollën publike amerikane në Waterbury CT. Një Histori suksesi e pazbuluar!

October 5, 2025 by s p

Bisedoi Keze Kozeta Zylo*/

Bisedë me zëvendës drejtoreshën dhe mësuese e programit dy gjuhësh në Waterbury, Sonja Alku Selenica

Zëvendësdrejtoresha dhe mësuese Sonja Alku Selenica është histori suksesi në Mërgatën shqiptaro amerikane. Sonja Alku Selenica punon në Waterbury, CT.H.S. Chase Elementary School. Ndonëse ndjej keqardhje që nuk është evidentuar më parë puna e saj 21 vjecare në medien shqiptare si një mesuese e dy gjuhësisë anglisht dhe shqip në Waterberry Connecticat, prapë shkruaj sic thotë populli më mirë vonë se kurrë. Para 26 vjetësh për herë të parë Bordi i Edukimit dhe ligji amerikan i arsimit iu siguroi institucionalisht programin dy gjuhësh. Rastësisht lexova qëndrimin tuaj në faqen e Mark Gjonaj, apo ndër të tjerë se për herë të parë në NY apo në botë, u hap programi dy gjuhësh në një shkollë në Bronx dhe komenti juaj më bëri të zbuloj këtë histori tëmrekullueshme suksesi.

Në PS: 108 në Bronx ka filluar vetëm një klasë shqip dhe anglisht e grupmoshës së më të vegjëlve në Bronx, ku gjejme rastin dhe i përgëzojmë. Ka pasur përpjekje që nga viti 2017 që u duk dhe u reklamua kudo në faqet e gazetave shqiptare në vitin 2018, qysh 8 vjet se u hap, por në fakt nuk dha asnjë rezultat. Kemi qenë shumë entuziast, media jonë Alba Life e ka dhënë disa herë në ekran me intervista, publikime me shkrim, mbështetje ku natyrisht pjesëmarrja e shumtë e nxënësve në shkollat tona ka pasur ndikimin e mjaftueshëm për t’ju treguar bordit se sa shumë shqiptarë duan të mësojnë shqip. Sidoqoftë ligji amerikan egziston për këto programe dygjuhësore dhe e bën më të lehtë në se sigurohen nxënës shqiptarë të një moshe për të hapur klasën.

Zonja Selenica ju keni reaguar në atë faqe se hapja e shkollës në Bronx nuk është e para e këtij lloji në Amerikë. Ju keni shkruajtur se duhet të kemi mirënjohjen dhe për punën e të tjerëve, pasi ju keni 21 vjet që jeni në programin dy gjuhësh në Waterburry. Cili është qëndrimi juaj dhe na flisni më konkretisht për programin dy gjuhësh në klasën tuaj?

Faleminderit Kozeta,

Programi Dygjuhȅsor Shqip në qytetin Waterbury në Connecticut është hapur në vitin 2000 dhe vazhdon akoma. Në 21 vitet e para unë kam qenë mësuese e programit, më pas znj. Manuela Strumi ka vazhduar me këtë detyrë. Sivjet është viti i 26-të i programit Dyghuhësor Shqip në shkollën H.S. Chase Elementary.

Jam optimiste për hapjen e programit në Bronx dhe ju uroj te gjithëve mbarësi dhe sukses! Kjo është njȅ nismë me vlera për komunitetin shqiptar të Bronx-it!

Cfarë ju frymëzoi për të realizuar këtë program special dhe që i shërben Amerikës dhe Kombit shqiptar?

Unë kam patur nderin që të punoj si mësuese e këtij programi dhe të siguroj vazhdimësinë e tij të suksesshme për dy dekada. Frymëzimi im kanë qenë nxënësit dhe familjet shqiptare. Përgjegjësia ime ka qenë që fëmijët të kenë mundësi të jenë të suksesshëm pavarësisht pengesave tȅ gjuhës. E kam ndjerë si detyrë jo vetëm profesionale por edhe morale që të lehtësoj tranzicionin dhe të ndihmoj në kapërcimin e vështirësive të pashmangshme që sjell emigrimi si për fëmijët ashtu dhe për prindërit shqiptarë. Përsa i përket realizimit të këtij programi ai ishte rezultat i nevojës, për arsye të rritjes të numrit të nxënësve shqiparë të ardhur në Waterbury gjatë luftës nȅ Kosovë.

Meritat për krijimin e kësaj mundësie i takojnë të gjithë atyre të përmendur më poshtë duke filluar me Drejtoreshën e atëhershme të Departamentit të Dygjuhësisë, zonjën Raquel Hernandez Bonessi. Ajo në bashkepunim me z. Bill Howe, Këshilltar i Edukimit Shumëkulturor në Departamentin e shtetit të Connecticut, krijoi programin për Impaktin e Refugjateve nëpër Shkolla dhe Emergjenca e Imigrantëve (Refugee School Impact and Emergent Immigrant Program) të drejtuar nga znj. Ganimete Myftiu. Për të testuar fëmijët në gjuhën angleze, u emërua zt. Shpëtim Mete. Po kështu për të lidhur prindërit me shkollat u emëruan znj. Veprore Manelli dhe Gladys Wright. Drejtori i atëhershȅm i Shkollës Fillore Chase, Dr. Frank Zillo ka qenë gjithashtu një nga mbështetësit e parë të programit tonë. Znj Donika Tasimi, Zt. Medali Beshi, znj. Nikoleta Kollcaku dhe znj. Nexhmie Lami ishin ndër mësuesit e parë shqiptarë të punësuar në ato vite në shkollat publike të qytetit Waterbury.

Nëse nxënësit e viteve të para ishin refugjatë të luftës së Kosovës. më pas programi vijoi të plotësojë nevojat e njȅ komuniteti që po rritej për shkak të familjeve të reja që u vendosën në Waterbury. Këta erdhën për t’u bashkuar me familjarët e tyre që kishin imigruar shumë kohë më përpara në Waterbury për t’i shpëtuar regjimit komunist (ata erdhën me viza të bashkimit familjar). Në vitet në vazhdim shumë familje shqiptare erdhën si fitues të Llotarisë Amerikane (Green Card Lottery). Këto familje nuk ishin vetëm nga Shqipëria, Maqedonia, po edhe nga Greqia dhe Italia. Për këta të fundit, emigrimi në Amerikë ishte emigrimi i dytë dhe sakrificat bëheshin për herë tȅ dytë si nga fëmijet ashtu dhe nga prindërit.

Cilat kanë qenë disa nga vështirësitë tuaja për realizimin e këtij programi dygjuhësh?

Puna ime nuk qëndronte vetëm në mësimdhënie. Ishte e rëndësishme që unë të ndihmoja prindërit për nevojat e tyre të ndryshme. Një nga detyrat e mia ishte mundësimi i komunikimit ndërmjet stafit te shkollës dhe prindërve. Në disa raste kërkohej pjesëmarrja në takimet për fëmijet me nevoja të vecanta pasi ata ishin testuar dhe ky ishte një moment i veshtirë për prindërit dhe për mua. Një tjetër vështirësi ka qenȅ njohja dhe përgatitja ditore për programin mësimor të gjashtȅ niveleve të klasave, nga kindergarten në klasën e pestë. Zakonisht një mësues përgatitet vetëm për programin mësimor të klasës së tij/saj. Po më kryesorja ka qenë që programi të tregonte rritje në rezultatet e nxënësve nga viti në vit. Kjo ka ndikuar në jetëgjatesinë e programit. Prindërit kanë qenë të kënaqur me fëmijën e parë dhe kanë regjistruar edhe fëmijët e tyre më të vegjël. Më pas kushërinjte e tyre kanë ardhur dhe janë regjistruar në programin tonë e keshtu me rradhë.

Ka shumë programe dy gjuhësore nga gjuhë të ndryshme të botës dhe me ligj nga shteti amerikan janë të miratuara të paktën kështu egziston në New York, si u integruat ju me Bordin e Edukimit si dhe me nxënësit shqiptarë?

Është e rëndësishme të përmendet që qyteti i Waterbury-t e ka mirëpritur komunitetin shqiptar dhe Bordi i Edukimit ka aprovuar iniciativën e Programit Shqiptar Dyghuhësor me mendje dhe zemër të hapur dhe për këtë shpreh mirënjohjen time. Bordi i edukimit ka aprovuar programet në bazë të ligjeve Federale dhe atyre të shtetit Connecticut. Nevojat varen nga numri i nxënësve në komunitetin e qytetit Waterbury që flasin një gjuhë tjetër (Spanjisht, Shqip apo Portugalisht). Procesi i pranimit është i konsoliduar prej shumë vitesh dhe drejtohet nga Departamenti Dygjuhësor. Në shkollat publike të qytetit të Waterbury-t kur një prind regjistron fëmijën në shkollë, ai/ajo plotëson një formular që quhet Pyetësor i Gjuhës (Language Questionnaire). Në bazë të përgjigjeve të këtyre pyetjeve vendoset nëse një Test i Aftësisë së Gjuhës Angleze (English Language Proficiency Test) është i nevojshëm. Mbas këtij testi nëse rezultati është “proficient’ (i afte në Anglisht) atëherë fëmija regjistrohet në një klasë të rregullt. Nëse rezultati i testit është ‘limited’ (njohuri të limituara në anglisht) ose ‘non English speaker’ (nuk ka njohuri në gjuhën angleze), atëherë prindit i shpjegohen programet që ofrohen në qytetin tonë dhe prindi zgjedh atë që dëshiron.

Për nxënësit shqiptarë ofrohen disa programe si forma ndihme: 1. Anglishtja si Gjuhë e Dytë – ESL (English as a Second Language), 2. Programi Dygjuhësor Shqiptar modeli në grupe (Albanian Bilingual – Pull Out program) ose 3. klasë e rregullt pa shërbime shtesë (regular ed.). Programi ESL ofrohet në të gjitha shkollat e qytetit, kurse ai dygjuhësor ofrohet vetëm në shkollën fillore Chase dhe fëmijëve nga lagje të ndryshme të qytetit u krijohet mundësia që të vijnë në shkollën tonë për këtë arsye. Domethënë ky program nuk është i detyruar po një zgjedhje e prindërve. Për të mbajtur këtë program për një periudhë kaq të gjatë ka qenë e rëndesishme që të gjthë njerëzit e lidhur me të (në Amerikë ne i quajmë stakeholders) të shikojnë rezultate pozitive.

Fëmijët shqiptarë që kanë ndjekur Programin Shqiptar Dygjuhësor dhe programin ESL në shkollat publike të Waterbury-t e kanë shpërblyer këtë besim që funksionarët e qytetit na kanë dhënë. Ata na kanë bërë të gjithëve krenar si me sjelljet e tyre ashtu edhe me rezultatet e larta akademike! Në qytet kemi fituar besimin që familjet shqiptare e vleresojnë lartë arsimimin e fëmijeve të tyre dhe femijët shqiparë bëhen qytetarë të denjë që kontribuojnë pozitivisht në shoqërinë dhe komunitetin e Waterbury-t.

Nga përvoja juaj kaq e gjatë 21-vjecare cilat janë disa nga përfitimet e mësimit të gjuhës shqipe që kanë pasur nxënësit, prindërit, shkolla ku drejtoni?

Përfitimet janë akademike dhe emocionale/sociale. Ato janë të lidhura dhe ndikojnë në mënyre pozitive te njera tjetra. Së pari është e rëndësishme që nxënësit dhe familjet e tyre të ndihen që i perkasin një komuniteti (‘a sense of belonging’ në anglisht), që ata të ndihen të mirëpritur në shkollë. Mësuesit dhe mësueset e shkollës Chase si ata aktuale dhe ata që tashmë kanë dalë në pension kanë mirëpritur me dashamirësi nxënësit shqiptarë. Ata kanë bashkëpunuar me mua dhe prindërit për mbarëvajtjen e nxënësve në mësime dhe janë kujdesur për shëndetin emocional të tyre. Mësuesit në Chase nuk janë vetem mësues të mirë, mbi të gjitha ata janë njerëz të mirë. Ata i trajtojnë fëmijët me dinjitet dhe respektojnë kulturën e sakrificën e familjeve imigrante. Programi shqiptar dygjuhësor vazhdon akoma, dhe mësuesja aktuale është Emanuela Strumi. Ajo ka punuar në këtë pozicion për pesë vite me radhë dhe po bën një punë shumë të mirë. Roli im në ndihmën e komunitetit shqiptar tani ka ndryshuar nga ai i mësueses te ai i nëndrejtoreshës. Familjet shiptare e dinë që e kanë derën e hapur dhe drejtoresha Znj. Lori Eldridge, nëndrejtori Zt. Ivan Hernandez dhe unë do të bëjmë gjicka që ne kemi mundësi për t’i ndihmuar.

Sa klasa keni pasur në këtë program dy gjuhësor me bazë gjuhën shqipe?

Ky program ofrohet për të gjitha nivelet e shkollës fillore; nxënës nga Kindergarten deri në klasën e pestë. Programi dygjuhësor funskionon si ‘pull out program’, që do të thotë se nxënësit janë në një klasë të rregullt (regular education classroom ) dhe çdo ditë shkojnë në klasën dygjuhësore në grupe të vogla – nxënësit e një niveli/klase janë bashkë, Aty instruksionet janë në të dyja gjuhët, në shqip dhe në anglisht. Instruksionet dhe diferencimi i materialeve dhe detyrave për nxënësit është në varësi të nivelit gjuhësor. Çdo vit fëmijët testohen me një provim shteti që quhet LAS Links. Ky provim teston 4 komponentet e gjuhës (dëgjimi, e folura, shkrimi dhe leximi në anglisht) dhe rezultatet konsiderohen në rezultatet e pergjithshme të shkollës. Prindërit njoftohen çdo vit për progresin e fëmijëve në gjuhën angleze në të katër komponentet e gjuhës.

Si i keni siguruar librat, materialet bazë të gjuhës shqipe?

Librat janë siguruar rregullisht nga Departamenti Dygjuhësor i qytetit. Nga fonde te akredituara për programet dygjuhësore kemi mundur të blejmë libra vetëm në gjuhën shqipe si dhe libra në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht. Në vitin 2017, unë dhe Miriam Giskin, një mësuese e leximit nga shkolla jonë, siguruam një fond nëpërmjet Fund For Teachers, Fondacioni Dalio. Një pjesë e këtij fondi u perdor për materiale leximi në gjuhën shqipe që u bënë pjesë e biblikotekës së shkollës H.S. Chase në menyrë që nxënësit të kenë mundësi të zgjedhin libra në shqip.

Kur keni ardhur në Amerikë?

Kam ardhur në Amerikë në dhjetor të vitit 1999. Megjithëse kam kaluar më shumë se gjysmën e jetës sime në Amerikë, vitet e jetuara në Shqipëri kanë qenë shumë të rëndësishme për formimin tim. Dua të theksoj që kam përfituar nga një shkollim shumë i mirë në Shqipëri. Kam patur mësues që i kujtoj me respekt të vecantë për njohuritë që kishin për lëndën e tyre. Nuk mund të rri pa përmendur mësuesen e parë znj. Kumrie Shehun. Gjithashtu mësuesit e mi të gjimnazit në Peshkopi që nuk ishin thjesht mësues matematike apo fizike po ishin Matematicien dhe Fizikante të mirëfilltë. Kujtoj këtu me shumë respekt zt. Flamur Gjymyshka, zt. Rustem Paci dhe zt. Flamur Shehu. Kujtoj Iljaz dhe Hide Bulkun që hapën derën e shtëpisë së tyre për të dhënë mësime në anglisht për mua, motrat e mia dhe shumë moshatarë të asaj kohe.

Në Amerikë është një shprehje “It takes a village to raise a child.” që do të thotë “Duhet nje fshat i tërë për të rritur një femijë”. Dhe unë jam mirënjohëse për të gjithë njerëzit në ‘fshatin im’ që kanë kontribuar në edukimin dhe të ardhmen time. Në familjen e nënës sime kemi patur tre mësues, tezja ime Shpresa Shehu ishte mësuese e gjuhë letërsisë, tezja Shadije Shehu ishte mësuese e histori-gjeografisë dhe daja im, Behar Shehu, ishte mësues matematike. Nëse unë kisha nevojë për ndihmë pas mësimit, shkoja te shtëpia e Lalës (kështu e thërrisja gjyshin) ku gjeja gjithmonë dashuri, ngrohtësi dhe përkudesje. Një nga vëllezërit apo motrat e nënës sime do më ndihmonte me mësimet, detyrat e shtëpise dhe do të më jepte libra nga biblikoteka e tyre që unë do t’i lexoja me shumë deshirë.

Një nga humbjet më të mëdha të një emgranti kur lë vendin e vet është humbja e kapitalit njerëzor, dhe këta janë njerëzit që më mungojnë dhe i kujtoj me mall, respekt dhe dashuri. Janë gjithashtu njerëzit që më bënë të dua shkollën dhe të jem një mësuese e dedikuar. Shpresoj që në punën time si mësuese të kem patur të njëjtin ndikim tek nxënësit e mi që secili nga këta mësues ka patur tek unë. Mësuesit janë ata që rrisin dhe edukojne brezin e ri dhe një shoqëri që është e ndërgjegjshme dhe e vlerëson këtë kontribut është një shoqëri e suksesshme.

Cili është edukimi juaj në Shqipëri dhe në Amerikë?

Unë besoj që nuk do të pushoj ndonjëherë së mësuari, do të jem gjithmonë një “lifelong learner” (nxënëse e përjetshme). Në Shqipëri kam përfunduar Bachelor studies në 1997 në fakultetin Ekonomik në degën Financë Kontabilitet. Në Amerikë kam vazhduar studimet pasuniversitare në Southern Connecticut State University ku u diplomova me Masters Degree në TESOL (Teaching English to Speakers of Other Languages). Më pas kam përfunduar masterin e dytë në Remedial Reading and Language Arts nga Central Connecticut State University. Në 2014 kam mbaruar studimet në Educational Leadership and Administration me një Sixth Year Degree nga Southern Connecticut State University.

Jam licensuar nga shteti i Connecticut që të jap mësim nga klasa parashkollore deri në klasën e 8-të në Regular Ed. (si mësuese e një klase të rregullt), gjithashtu kam certifikatat përkatëse në ESL (për të mësuar nxënësit të cilët nuk kanë anglishten si gjuhë të parë) dhe Remedial Reading (për të ndihmuar nxënësit që kanë vështirësi me leximin). Në administrimin e shkollave kam kaluar provimin e shtetit për Certifikaten 092, një certifikatë që duhet për të punuar si drejtues shkolle.

Cilat janë disa nga projektet tuaja për të ardhmen?

Unë do të vazhdoj të dua mësimin dhe mësimdhënien. Të mësuarit në jetë nuk përfundon asnjëherë. Në muajt në vijim dua që të jem pjesë e një programi të ri për të mësuar se si të udhëheqim me guxim. Roli im në shkollë ka ndryshuar nga mësuese në drejtuese dhe si rrjedhojë dhe natyra e studimit tim ka ndryshuar. Ky trajnim është jo vetëm akademik, por edhe shpirtëror. Qëllimi është zhvillimi i bazës shpirtërore dhe aftësive udhëheqëse për të cilat shoqëria jonë e sotme ka nevojë.

*Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 302
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • …
  • 2948
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT