• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Blair për transformimin e UÇK-së

October 3, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Më 22 qershor 1999, Ambasadori britanik Jeremy Greenstock ia dorëzoi OKB-së një letër të Kryeministrit britanik Tony Blair drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Annan. Në këtë letër, Blair njoftonte për marrëveshjen e arritur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila kishte pranuar të transformohej nën mbikëqyrjen e KFOR-it.

Në qershor të vitit 1999, pas çlirimit të Kosovës, UÇK-ja pranoi të hyjë në një proces transformimi historik. Në koordinim të ngushtë me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe aleatët e tjerë perëndimorë, u vendos që forca guerile e dalë nga malet të kalonte në një fazë të re, atë të shtet-ndërtimit.

Roli i Britanisë së Madhe dhe i SHBA-së ishte vendimtar – ata jo vetëm garantuan sigurinë, por edhe udhëhoqën procesin e integrimit të ish-luftëtarëve në struktura shtetërore, duke e kthyer energjinë e luftës në themele të shtetit modern të Kosovës.

Nga frontet e luftës në shtetndërtim: Ky është rrëfimi i një transformimi unik – ku një ushtri guerile u bë simbol i lirisë, u shndërrua në forcë civile, e më pas në ushtri kombëtare të njohur dhe të trajnuar nga NATO. 🇽🇰🤝🇬🇧

Filed Under: Histori

GAZETARIA SPORTIVE, ART QË MBETET TRASHËGIMI

October 3, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Në kujtim e nderim të penave që frymëzuan sportin.

Shkodra, qyteti që i ka dhënë Shqipërisë legjenda sporti, talente të pashtershme dhe dashuri të pamatë për futbollin e për sportin në përgjithësi, në një ditë të veçantë u bë skenë e një ceremonie të mbushur me ndjenja, mirënjohje e solemnitet. Stadiumi “Loro Boriçi”, ky tempull ku jehona e golave, brohoritjet e tifozëve dhe dhimbja e humbjeve kanë gdhendur historinë e qytetit, u përfshi nga një atmosferë krejt ndryshe: nga një homazh i madhërishëm për ata që me penë e mikrofon e bënë sportin jo vetëm ngjarje, por edhe rrëfim, kujtim, art.

Muret e stadiumit sikur flisnin. Në heshtjen e tyre ndiheshe sikur ato ruanin kujtimet e çdo ndeshjeje të dikurshme, çdo heroi të fushës, çdo pasioni tifozësh. Por atë ditë, ato mure ruanin një tjetër histori, historinë e gazetarëve sportivë që i dhanë zë, ngjyrë e jetë çdo fitoreje e humbjeje, duke e kthyer sportin në një përjetim të përbashkët.

Në këtë takim të mbushur me dritë e emocion, u mblodhën bashkë familjarë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të figurave më të njohura të sportit dhe gazetarisë sportive. Çdo fytyrë bartte një shikim të qetë, të mbushur me respekt, buzëqeshje të ngrohta, por edhe një melankoli të ëmbël që e sjell vetëm kujtimi i atyre që nuk janë më. Në çastin kur Kryetari i Qarkut, z. Edmond Ndou, mori fjalën, një heshtje solemne pushtoi sallën. Në fjalinë e parë të tij u kuptua se kjo nuk ishte një ditë e zakonshme: “Gazetaria sportive”, tha ai, nuk është thjesht raportim. Është art, është pasion, është mision. Ajo është ura që lidh brezat, është fryma që bën të pavdekshme emocionet e sportit.

Fjalët e tij ranë si jehonë e largët, duke zgjuar kujtime e emocione. Në atë moment, u ndje sikur prania e atyre gazetarëve të shquar që nuk jetojnë më, ishte aty, e padukshme por e fortë, e pranishme në çdo duartrokitje, në çdo mendim që endet në hapësirë.

Këshilli i Qarkut Shkodër nderoi me çertifikata mirënjohjeje tre gazetarë të shquar, që prej dekadash kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë sportive shqiptare: Ymer Stërniqi, Ramadan Bigza dhe Meidan Zhivani. Ata mbeten të gjallë në zemrat e sportdashësve, sepse veprat, kronikat dhe zëri i tyre janë shndërruar në trashëgimi të përjetshme. Secili prej tyre ishte një kolonë që mbajti peshën e një kohe, një dëshmitar i gjallë i një epoke ku sporti jetonte përmes fjalës së shkruar e përmes mikrofonit të ndezur.

Por homazhi nuk ishte vetëm për ata që nuk janë më. Në të njëjtën ditë, u vlerësuan edhe dy gazetarë që vazhdojnë të jenë sot frymëzim për brezat e rinj: Namik Mehmeti dhe Gaspër Marku. Për dekada me radhë, ata kanë qëndruar në ballë të raportimit, kanë shkruar me dashuri, kanë folur me profesionalizëm dhe integritet, duke dëshmuar se gazetaria sportive është një rrugëtim i pandërprerë, një zjarr që nuk shuhet, por përcillet brez pas brezi.

Atmosfera ishte e mbushur me solemnitet të thellë. Nuk ishte një ceremoni e zakonshme: ishte një shfaqje ndjenjash, një ndërthurje e kujtimeve me respektin. Çdo duartrokitje ishte më shumë se një gjest, ishte një rrëfim i heshtur. Çdo buzëqeshje mbante brenda një histori, çdo pauzë e fjalës ishte si një lutje. Diskutimet mes të pranishmëve sillnin jehona nga vitet e shkuara: nga kronikat e lexuara në gazetat e mëngjesit, nga zërat në radio që mbushnin shtëpitë e qytetarëve, nga shkrimet që bëheshin temë bisede në kafetë e Shkodrës. Ishte një udhëtim pas në kohë, një rikthim tek rrënjët.

Emocionet nuk i fshihte askush. Familjarët e gazetarëve që nuk jetojnë më e përjetuan këtë mbrëmje si një kujtim të gjallë për të dashurit e tyre. Kolegët, miqtë e bashkëpunëtorët i panë ata si shembuj të përjetshëm që nuk humbin asnjëherë vlerën. Në fjalën e tij, z. Gaspër Marku e shprehu me thjeshtësi, por me thellësi: “Është padyshim emocion i shumtë. Ne kemi përjetuar shumë emocione në terren, duke përcjellë kronikat tona dhe duke pasqyruar figura që sot janë prezent këtu. Por kur puna dhe djersa e viteve shpërblehet, ky emocion bëhet edhe më i këndshëm. Dua të falënderoj ata që e bënë të mundur këtë nderim, Klubin e Futbollit “Vllaznia”, me president z. Alban Xhaferi, si dhe Këshillin e Qarkut Shkodër me drejtuesin e tij pasionant, tifozin e madh z. Edmond Ndou. Media sportive shkodrane mbetet një ndër më të spikaturat në Shqipëri, dhe kjo është meritë e punës e përkushtimit të shumë brezave.”

Në shenjë nderimi e respekti, Presidenti i Klubit të Futbollit “Vllaznia” dorëzoi fanella të ekipit si dhuratë simbolike. Ishte një gjest i thjeshtë, por i madh, sepse fanella e “Vllaznisë” është më shumë se një veshje: është flamur, është identitet, është dashuri.

Në fjalën e tij, Presidenti Alban Xhaferi theksoi: “Këto personalitete, me penën dhe mikrofonin e tyre, kanë kontribuar që sporti, e sidomos futbolli, të pasqyrohet me profesionalizëm dhe dashuri për të vërtetën. Si President i Vllaznisë ndjej krenari dhe mirënjohje për punën e tyre. Falë tyre, breza të tërë tifozësh e sportdashësish kanë ndjekur skuadrën tonë dhe sportin shqiptar me më shumë pasion.”

Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Teuta Qyteza Shala, shtoi një tjetër këndvështrim: “Nëse sportistët e kanë të kufizuar aktivitetin e tyre nga mosha, gazetarët e vazhdojnë shumë më gjatë. Ata shkruajnë, japin mendime, hapin biseda që ndihmojnë zhvillimin, që ndihmojnë të ardhmen. Roli i tyre nuk shuhet kurrë.”

Në fund të ceremonisë, gazetari i njohur dhe moderatori i aktivitetit, z. Bepin Kolvataj, përmbylli me fjalë të mbushura me domethënie: “Kjo iniciativë është një shenjë vlerësimi për kontributin e pazëvendësueshëm të gazetarëve sportivë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sportive të Shkodrës, duke i dhënë zë një qyteti që ka qenë dhe mbetet zemra e sportit shqiptar.”

Emrat e nderuar të kësaj mbrëmjeje, qoftë ata që nuk jetojnë më, qoftë ata që ende frymëzojnë sot, janë tashmë pjesë e pandashme e historisë së sportit shkodran dhe shqiptar. Por mbi të gjitha, ata janë dëshmi e gjallë se dashuria për sportin, kur shoqërohet me përkushtim e integritet, kthehet në trashëgimi dhe frymëzim për breza të tërë.

Kjo ceremoni dëshmoi se gazetaria sportive nuk është vetëm profesion. Ajo është identitet, është frymë, është monument i gjallë. Është një urë që lidh të kaluarën me të tashmen dhe e çon drejt së ardhmes. Ajo vazhdon të pulsojë edhe kur stadiumet boshatisen, kur jehona e ndeshjeve shuhet, sepse pas çdo historie të madhe sportive fshihet gjithmonë një zë, një zë që nuk shuhet kurrë.

Filed Under: Sport

Shqipëria në “Aromë Hungarie”, ekspozitë nga fotografi Roland Tasho

October 3, 2025 by s p

Julika Prifti/

Teatri Professional Petro Marko në Vlorë hapi mjediset e tij për një eveniment jo teatral por një ekspozitë të titulluar “Aromë Hungarie” të fotografit të njohur Roland Tasho. Ekspozita po udhëton në qytete të tjera të Shqipërisë në kuadrin e javës së kulturës hungareze.

Fjalën e hapjes e mbajti Drejtori i Teatrit Artur Dhamo i cili pasi përgëzoi fotografin Roland Tasho ia dha fjalën Ambasadores hungareze në Tiranë znj. Martina Kasnyik. Ajo falenderoi pjesëmarrësit e shumtë në sallën e hyrjes së teatrit dhe foli për lidhjen kulturore shumëvjeçare të dy vendeve. Ajo tha se në hapjen e ekspozitës ishin ftuar edhe artistë hungarezë që luajtën disa pjesë muzikore për të pranishmit.

Fotografi Roland Tasho shpjegoi se fotografitë e përzgjedhura në ekzpozitë ishin subjekte të ndryshme si ndërtesa historike të Budapestit, një nga kryeqytetet më të bukura të Evropës, figura të shquara shqiptare si Skënderbeu, Nënë Tereza të përjetësuar në statuja në parqe të Hungarisë, momente nga ndeshje sportive midis dy vendeve tona dhe portrete të diplomatëve hungarezë me kostume kombëtare shqiptare.

Banda Flaska interpretoi pjesë folklorike popullore hungareze të cilat u pëlqyen nga pjesëmarrësit që mbanin ritmin gjatë programit artistik. Atmosfera u bë edhe më e gëzueshme nga kërcimtari i bandës i veshur me kostum tradicional hungarez. Për të ftuarit u shërbyen pije e fruta ndërsa pjesëmarrësit bisedonin me entuziazëm e admirim për fotot profesionela dhe peizazhet e paraqitura në ekspozitë. Shumë përuronin fotografin Roland Tasho dhe fotografoheshin me të.

Ekspozita do të jetë e hapur këtë javë për tu vizituar nga shumë artdashës dhe admirues të artit fotografik që kur është e arritur flet në gjuhën e vet unike siç është fotografia e Roland Tashos.

Filed Under: Kronike

EMBLEMA E QYTETIT SI DHURATË…

October 3, 2025 by s p

Visar Zhiti/

– Limone sul Garda –

Mirënjohje Komunës “Limone sul Garda”, vendit aq të bukur në Veri të Italisë, në brigjet e një liqenit mes malesh, për dhuratën që më dha, Emblemën e Qytetit.

Ishim mbledhur në Galerinë e Artit pranë Pallatit të Kongreseve, mes pikturave plot ngjyra të gjalla jete të Maestro Gjergj Kola, i cili kishte organizuar dhe drejtonte këtë takim. Më kishin ftuar për një bisedë për poezinë, fatin e shkrimtarit në diktaturë dhe në liri dhe lidhjet shpirtërore mes njerëzve si kulturë e dashurisë.

Kishin ardhur vendas, italianë, por dhe gjermanë, edhe nga Uruguaji, është vend turistik ky, kishin ardhur shqiptarë nga Kosova, që jetojnë këtu, por nga të Shqipërisë s’kishte, – na thanë, ata vetëm punojnë dhe…

Pyetjet ishin të shumta dhe të bukura. Ndërkaq znj. Vjollca Kola bashkë me urimet e mirëseardhjes nga Bashkia e qytetit, më sjell dhuratën nga Kryetari i Bashkisë. E hapim pakon bashkë me time shoqe, Edën. Ja, Emblema e Qytetit. Stema me mbishkrimin “Limone sul Garda”, rrethuar me një degë me gjethe dhe një kurorë sipër, që përfaqëson simbolin e qytetit. Dekorimet anësore: limona të verdhë, prodhimi më i njohur i zonës (qyteti është i famshëm për limona dhe limonaia – serra për kultivimin e tyre). Figura qendrore në emblemë: shenjti i qytetit, Shën Daniele Convoni. Sfondi: peizazhi arkitektonik dhe elemente që paraqesin jetën tradicionale të qytetit, ndërtesa tipike dhe struktura kultivuesr të agrumeve, pra të punës me art.

Por unë pashë se emblemë e këtij qyteti është bërë dhe piktori ynë, i njohur gjerẽsisht, Gjergj Kola. Ai ka atelienë dhe galerinë, e do i gjithë qyteti, veprat e tij i sheh kudo, në mure rrugës dhe në holle e kate hotelesh, në etiketa limonçelosh e verërash e në gazeta, në guida, muzeumeve, shtëpive e në plot vende të Europës, Gjermani, Francë, Greqi, Poloni, Hungari, Belgjikë, Kroaci, Austri etj, e deri në metropolet e Amerikës. Maestro Gjergj Kola – emblemë e arritjeve me talentin dhe pasionin e tij, por dhe me sakrifica e vështirësi si çdo artist i madh, ndërkaq shqiptari nga Limone sul Garda, që ka mbetur i thjeshtë dhe mik, dinjitoz dhe i gjendur, por tashmë piktor me njohje ndërkombëtare…

Filed Under: Kulture

NËNË TEREZA “BIJË E AMERIKËS”

October 2, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

                                                           “Me gjak, unë jam shqiptare…”

Kosova dardane, Shqipëria dhe mbarë bota shqiptare kudo, gushtin dhe shtatorin që kaloi (nga 25 gusht deri më 5 shtator) me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Nenë Terezës u organizuan “Ditët e Shën Nënë Terezës” 2025, për të promovuar me veprimtari kulturore, kombëtare dhe shpirtërore, jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës. Frank Shkreli: Në ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore, por nuk ishte gjithmonë kështu! | Gazeta Telegraf – Por, pak u përmendën disa fakte të tjera të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës që këto ditë na i solli në kujtesë, biografi zyrtar i Nenë Terezës, Dr. Dom Lush Gjergji, se ky vit në të vërtet shënon tre 50-vjetorë me shumë rëndësi në jetën dhe punën e Nenës Tereze: Dekreti i Papës Pali VI ” Decretum laudis”, 1965 me të cilin “Misionarët e Dashurisë” njihen në nivelin papnor, që hapi mundësitë që ato të përhapeshin në mbarë botën;  Peres De Cuelar, Sekretari i Kombeve të Bashkuara e cilësoi 50-vjet më parë Nënën Terezen para Asamablesë së Përgjithshme, si “Gruan më të fortë në botë”, ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Regan në vitin 1985 i dha Nenë Terezës mirënjohjen më të lartë amerikane “Medalja e Lirisë”.  Në lidhje me këtë të fundit – në këtë 50-vjetor – po përditësoj me të dhëna shtesë një artikull të botuar disa vite më parë kur bëja pyetjen nëse të gjitha këto veprime 50-vjetë heret, ishin dora e Zotit në veprim, apo koincidencë.

50-vjet më parë bota shqiptare në përgjithsi, me përjashtim të Shqipërisë komuniste, ishte mirë e informuar për veprimtarinë e Nenë Terezës, anë e mbanë botës, në shërbim të varëfërve, ndërsa duke mbajtur lidhje të ngushta me të, shprehnin krenari, dashuri dhe respekt ppr bijën e kombit shqiptar e cila tanimë kishte siguruar njohjen dhe respektin më të madh për punën e saj plot dashuri dhe

pa kushte për më të harruarit e shoqërive, ose për “më të varfërit e të varfërve në botë.”  

Nëna Tereze pritet nga Presidenti Reagan në Shtëpinë e Bardhë me 16 dhjetor, 1985. Ajo i kishte sjellur Presidentit Reagan një dhuratë me rastin e Festës së Krishtlindjes.

 Në Amerikë, njohuria me veprimtarinë e Nenë Terezës kishte filluar që nga viti 1960, që shënon vizitën e parë të saj në Shtetet e Bashkuara. Vizita e parë e Nënë Terëzës në Amerikë është e datës 7 nëntor, 1960, kur Nënë Tereza kishte ardhur në Nju Jork të takohej me udhëheqësen e “Motrave të Misionit Mjekësor” (Medical Missions Sisters”), Anna Dengel. Këtë të dhënë e kam mësuar nga një faturë e hotelit ku kishte qëndruar Nënë Tereza, në Nju Jork. 7 nëntori 1960 ka qenë rastësisht ose jo edhe dita e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, kur votuesit amerikanë, për herë të parë në historinë e SHBA-ave, kanë zgjedhur presidentin e parë katolik, Xhon F. Kenedi.

Vizita e parë e Nënë Terezës në Amerikë – 7 nëntor, 1960—Fatura e Hotelit

Për më tepër, këtë të dhënë interesante e mësova nga libri i shoqërueses së Nënë Terezës dhe autores së librit të saj kushtuar murgeshës shqiptare, me titull: “Such A Vision of the Street”, Zonjës Eileen Egan — se vizita e Nënë Terezës në Amerikë, shënonte herën e parë që ajo po largohej nga India për një vizitë jashtë atij shteti, që nga janari i vitit 1929.  Nënë Tereza pra, kishte zgjedhur që vizitën e parë jashtë Indisë ta bënte në Amerikë. Sipas autores, Eileen Egan, Nënë Tereza e ka filluar vizitën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara në qytetin Las Vegas, në përgjigje të një ftese për të marrë pjesë në Kuvendin vjetor të Këshillit Kombëtar të Grave Katolike, në atë qytet të Amerikës perendimore. Gjatë asaj vizite në Amerikë, Nënë Tereza pëërdori rastin të vizitonze gjithashtu edhe qytetin Peoria të shtetit Illinois,Ëashingtonin dhe Nju Jork-un.

Ka qenë 11 gushti i vitit 197, kur Nënë Tereza është takuar me një tjetër figurë dominuese të politikës amerikane gjatë dekadave të shekullit të kaluar, Senatorin Edëard Kennedy në Kalkuta të Indisë, për të biseduar mbi problemet e refugjatëve. 

Kështu, pra filloi një marrëdhënie dashurie e Shteteve të Bashkuara me murgeshën shqiptare, Nënë Terezën – një dashuri e respekt, jo vetëm me popullin amerikan të të gjitha shtresave dhe etnive, por dhe me përfaqësuesit më të lartë të politikës amerikane, që zgjati për më shumë se një gjysëm shekulli, deri në kalimin e saj në amshim.  Shën Nënë Tereza, ka vizituar Shtetet e Bashkuara disa here gjatë jetës së saj, zakonisht për të hapur shtëpi të reja për Misionaret e saj të Bamirësisë. Por, ajo ka vizituar edhe për raste të tjera.  Ajo ka vizituar Shtetet e Bashkuara e ftuar nga entet më të larta politike dhe fetare të këtij vendi për takime me ta dhe për të marrë prej tyre çmime dhe dekorata për punën e saj dhe të urdhërit që ajo ka themeluar, në shërbim të varfërve, anë e mbanë botës. Ndikimi i veprës së Nënë Terezës njihej tanimë, jo vetëm në Kalkuta të Indisë, por edhe anë e mbanë botës, por sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, ndërsa mori hov gjatë dekadave pas vizitës së saj të parë në Amerikë, në nëntor të vitit 1960. Historikisht, Amerikanët e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjithnjë veprën dhe personin – Gonxhen e shqiptarëve, tani Shën Nënë Terezën e Amerikës dhe të botës: Presidenti republikan Ronald Reagan e ka dekoruar atë me Medaljen Presidenciale të Lirisë”, 50-vjet më parë.  Presidenti Reagan e adhuronte shumë Nënë Terezën për punën e saj në shërbim të të varfërve amerikanë dhe të botës. Gjatë viteve, pas vizitës së parë në Amerikë në vitin 1960, ajo ka vizituar shpesh Shtetet e bashkuara dhe është takuar më personalitetet më të larta të fushës politike, kishtare dhe përfaqësues, pothuaj të gjitha shtresave të shoqërisë amerikane, pa dallim feje. Përveç Presidentit Reagan, më vonë, Nënë Tereza është takuar edhe me Presidentin Xhorxh H. Bush i vjetër dhe me Presidentin Bill Clinton, por edhe me udhëheqësit më të lartë të Kongresit amerikan të dy partive politike kryesore të Amerikës dhe me përfaqësues vendorë dhe shtetërorë anë e mbanë Amerikës.

Por duket se Nënë Tereza kishte një marrëdhënie të ngushtë me Presidentin republikan, Ronald Reagan, në krahasim me të tjera personalitete të politikës amerikane të shekullit të kaluar. Me Presidentin Bush të vjetër kishte marrëdhënie korrekte, ashtu edhe me Presidentin Bill Clinton, megjithëse Nënë Tereza nuk ngurronte të kritikonte politikat pro-abortit të administratës së Z. Clinton.

Më 9 dhjetor 1991, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Ëashington, DC, Presidenti amerikan George H.Ë. Bush u takua me murgeshën shqiptare Gonxhe Bojaxhiun,  Nënën Terezë (Shën Tereza e Kalkutës)

Megjithë ndonjë kundërshtim ndaj qëndrimit të Nënë Terezës kundër abortit, respekti dhe mirënjohja amerikane për këtë bijë të Kombit shqiptar ishte e gjithanshme dhe e padyshimtë në Amerikë.  Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar Nënë Terezën me medaljet dhe titujt më të lartë që Amerika rezervon për personalitetet më të njohura dhe më të merituara të kësaj bote, për kontributet e tyre ndaj këtij vendi dhe në botën mbarë.  Ndërsa me 1985 presidenti Ronald Reagan ka nderuar Nënë Terezën me Medaljen Presidenciale të Lirisë, Nëna Terezë është ndër personalitetet e rralla amerikane dhe botërore, të cilës në vitin 1996, presidenti Bill Clinton e ka dekoruar me titullin “Qytetar Nderi i Amerikës”. Në vitin 1997, Kongresi Amerikan ka nderuar Nënë Terezën me Medaljen e Artë. Pasi Kongesi i Amerikës nderoi atë me medaljen e Artë, Posta Amerikane më 2010 nxori pullë postale me portretin e Nënës Terezë. Një tjetër nder e vlersim prej shumë vlerësimeve dhe dekoratave, që i janë bërë asaj nga ente të ndryshme amerikane, qeveritare dhe private, anë e mbanë këtij shteti planet.

Është e vështirë të thuhet se cila ishte përmbajtja e vërtetë e bisedimeve kokë-më kokë gjatë viteve e dekadave të shekullit të kaluar të Nënë Terezës me udhëheqësit më të lartë politikë amerikanë, përfshirë presidentët e këtij vendi, përfshir ata botërorë! Por sipas Dr. Lush Gjergjit, i cili e ka shoqërurar shpesh Nënë Terezën në vizitat dhe udhëtimet e saja anë e mbanë botës, ka shkruar se ajo e kujtonte gjithmonë popullin e vet, në takimet me udhëheqsit botëtorë. “Nëna Terezë na ka përcjellë vazhdimisht me uratën e saj – dhe ajo-, duke filluar nga Papa, prej Sekretarit të Përgjithëshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kryetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo kudo në botë, porosia e saj drejtuar udhëheqësve më të lartë amerikanë dhe botërorë, ishte: “Ju duhet të bëni diçka për ta shpëtuar popullin tem shqiptar, e në veçanti Kosovën”, ka shkruar Dom Lush Gjergji, biografi, autor i 25 librave mbi jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës.

  Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë – qershor, 1985 duke i dorëzuar Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Presidenti Reagan: “Nënë Tereza është një heroinë e kohëve tona. Kështuqë, përveç shumë nderimeve dhe dekoratave që i janë dhënë asaj, përfshirë Çmimin Nobel për Paqë, me dashuri të madhe dhe me respekt të pafund, i dorëzojmë Nënë Terezës, “Medaljen Presidenciale të Lirisë.”  Ndërsa Nënë Tereza është shprehur me atë rast: “Unë nuk jam e denjë e kësaj dhurate fisnike nga Presidenti ynë, nga bashkëshortja e tij dhe nga populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por unë e pranoj për glorifikimin më të madh të Zotit dhe në emër të miliona njerëzve të varfër…”. 

“Ndonëse kjo medalje, tradicionalisht, u jepet shtetasve amerikanë në shenjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e tyre, kjo dekoratë po i akordohet Nënë Terezës, pasi Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve, i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtarë dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogla nacionaliste”, është shprehur ish-presidenti amerikan Regan, duke iu drejtuar Nënë Terezës Medaljene Lirisë, 5-dekada më parë.

Janë absolutisht të pazakonta marrëdhëniet që Presidenti Reagan dhe bashkëshortja e tij Nancy – që konsideroheshin si ndër çiftet më aristokratë në Amerikë dhe ndoshta në botë – kanë pasur me Nënë Terezën, përfaqësuesen dhe mbrojtësen e më të varfërve në botë. 

          Admirimi dhe respekti për Nënë Terezën tejkalonte oborrin e Shëpisë së Bardhë dhe mjediset e presidentëve të dy partive politike. Ky admirim shtrihej edhe tek Kongresi amerikan dhe në mbarë shoqërinë amerikane. Në foto, 5 qershori, 1997, Nënë Tereza falënderon udhëheqësit e Kongresit për nderimin, që i kishin bërë duke i akorduar asaj Medaljen e Artë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara – medalja më e lartë që jep Kongresi.

 Ishte 16 nëntori, 1996. Nënë Tereza me deklaratën në dorë të nënshtetësisë së saj amerikane, nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton me 1 tetor 1996. Unë besoj se: ishin vlerat amerikane ato që admironte Nënë Tereza dhe vlerat e Nënë Terezës që admironin amerikanët – arsyeja e kësaj lidhjeje të ngusht të Nënë Terezës dhe Amerikës. Ishte 16 nëntori, 1996. Nënë Tereza me deklaratën në dorë të nënshtetësisë së saj amerikane, nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton me 1 tetor, 1996. “Të jesh një shtetas amerikan, do të thotë se ndajmë disa vlera themelore: Se ne kemi për detyrë t’i ndihmojmë të tjerët të jetojnë në lartësinë e premtimit të dhënë nga Perëndia. Se ne kemi përgjegjësinë për të ndërtuar dhe përforcuar lidhjet në komunitetin ku jetojmë, Se ne kemi detyrim të ofrojmë ndihmën ndaj atyre, që nuk mund të ndihmojnë gjithmonë vet-veten”, ka shkruar Presidenti Clinton në shpalljen e Nënë Terezës, shtetase amerikane e nderit. Me këtë masë, Nënë Tereza ishte bërë qytetare amerikane. Dokumenti i nënshtetësisë i është dorëzuar Nënë Terezës nga Ambasadori i atëhershëm amerikan në Indi, Z. Frank G. Ëisner – edhe ky një mik i vjetër i shqiptarëve, ç’prej fillimit të viteve 1950.  Dorëzimin e dokumentit të shtetësisë amerikane të nderit nga Ambasadori Ëisner, Nënë Tereza e ka cilësuar si një, “Dhuratë nga Perëndia. Kam drojë se nuk e meritoj atë”- është shprehur ajo për mediat në atë kohë. Ndërsa Ambasadori amerikan, Ëisner e ka siguruar Nënë Terezën duke i thënë se: “Prej sot, ti je bijë e Amerikës.

                        Koincidencë apo vullneti i Zotit në veprim?

Ndërsa shënojmë këto tre 50-vjetore me rëndësi në jetën dhe veprimtarinë e Nenë terezës, unë nuk besoj se, sot për sot, i dijmë të gjitha dimensionet e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës, por as influencën që ajo mund të ketë ushtruar në takimet e saja me më të fuqishmit e kësaj bote, sidomos gjatë 1980-ave. Uroj që një ditë – me deklasifikimin e dokumenteve të fshehta të asaj kohe –të mësojmë më shumë, sidomos për trekëndëshin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit — në kulmin e Luftës së Ftohtë – midis Presidentit amerikan Ronald Reagan, Papa Gjon Palit të II dhe Nënë Terezës. A ishte kjo një lidhje e rastësishme, apo ishte dora e Zotit në veprim? “Unë jam vetëm një laps i vogël në duart e Zotit…”, është shprehur Nenë Tereza.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 305
  • 306
  • 307
  • 308
  • 309
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT