• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Flet “Mjeshtri i Madh” Bashkim Alibali: “Zambaku i Prizrenit”, festival me ritëm, atmosferë si Festivali i 11-të në RTSH

October 2, 2025 by s p

–           Në demokraci kënga nuk kornizohet dhe ideologjizohet në shërbim të ploitikës.

–          Ka një lidhje shpirtërore mes Festivaleve në RTSH dhe Festivalit “Zambaku i Prizrenit”,

–          Albert Z. ZHOLI

Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”, i themeluar në vitin 1986 në qytetin e Prizrenit, kryeqendra kulturore dhe historike e Kosovës, prej dekadash mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës qytetare. Që nga fillimi, e deri te edicioni i sivjetmë, i 36-ti me radhë. Më 26 shtator, festivali ka pasur për mision të ruajë, kultivojë dhe promovojë këngën qytetare si një trashëgimi shpirtërore të brezave, duke u shndërruar në një skenë ku janë ngjitur emra të njohur të muzikës dhe janë prezantuar krijime, që sot konsiderohen pasuri të kulturës sonë kombëtare.“Organizimi i festivalit nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen institucionale. Një falënderim i veçantë i takon Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit, e cila mbetet zemra organizative e këtij festivali, si dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që çdo vit qëndron krah nismave për ruajtjen e trashëgimisë kulturore:, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të këtij evenimenti kulturor. Falë punës së poetëve, kompozitorëve, orkestruesve, këngëtarëve dhe orkestrës, “Zambaku i Prizrenit” vazhdon të mbetet një kurorë e artë e Prizrenit dhe një pasuri e të gjithë kombit dhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK) do të jetë sponsor medial i këtij evenimenti kulturor. Kujtojmë se më 26 shtator, “Prizreni u ndez me muzikë, art dhe surpriza të shumta që i dhanë qytetit një atmosferë unike, ndërsa emocionet janë në kulm.

Ju keni qenë pjesë e festivalit të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”. Një festival që tashmë ka  një histori, ka një traditë dhe portret të lakmueshëm nga kritikët dhe vetë populli. Si do ta cilësonit këtë festival? Cilat janë specifikat?

Për mua “Zambaku i Prizrenit” është një ndër festivalet më të kompletuara që zhvillohet ndër trevat shqiptare.  Festivali pranoi një numër të madh këngësh në edicionin e sivjetmë nga të gjitha trevat shqiptare, prej të cilave  u përzgjodhën 15 këngë finaliste nga një komision profesionistësh, i përbërë nga kompozitorët Kreshnik Aliçkaj e Kushtrim Jakupi dhe solo/këngëtarja Arta Jashari. Organizatorët nga ShKA “Agimi” paralajmëruan se këtë vit festivali pritet të sjellë risi të shumta, me qëllim që të fuqizohen më tej vlerat e këngës qytetare dhe të krijohet një përvojë e pasur kulturore për publikun. Dhe ashtu ishte. Drejtori i ShKA “Agimi”, Festim Bytyqi, ka folur për ecurinë e përgatitjeve të edicionieve si histori duke treguar detaje nga programi i edicionit të 36-të të këtij festivali, teksa bëri të ditur se në mesin e 15 këngëve të përzgjedhura, 3 performues ishin nga Prizreni, 6 nga vende të tjera të Kosovës, 5 nga Shqipëria dhe 1 nga Maqedonia e Veriut. Unë isha mes tyre. Edicioni i 36-të i festivalit tradicional të këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”  u mbajt më 26 shtator në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren. Në këtë edicion përformuan disa artistë me emër si Gjergj Kaçinari, Ylber Asllani, Vullnet Ibrahimi, Artan Bakija, Vlladimir Kotani, Dëfrim Behluli, Tonin Tarnaku, Hyrmet Celina, Sami Pirraj, Andi Unaza, Arsim Kryeziu, Gazmend Kraja, Edon Ramadani, Isa Jakupi dhe Veton Perolli etj…

Ju me çfarë kënge morët pjesë?

Unë mora pjesë me këgën “Nuk pendohem” me muzikë të kompozitorit Vladimir Kotani, tekst të Ramazan Çekës dhe orkestrim të Gjergj Kaçinarit.

–          Si do ta cilësonit këtë Festival me këtë emër kaq domethënës?

–          Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit”,  për mua është një Festival unik që krahasohet me festivalet e RTSH, por me një specifikë, sepse është i shtrirë në gjithë  gjeografinë ku ka këngëtarë shqiptarë, që interpretojnë këngën e bukur qytetare. Dihet që Prizreni dallohet për zambakët e bukur dhe të një lloji të veçantë ndaj dhe vajzave të bukura në Kosovë dhe jo vetëm ju thonë “ je bërë si zambak Prizreni”. Por edhe vetë Prizreni është një qytet i bukur me tradita dhe me shumë histori për gjithë kombin shqiptar dhe realizimi i një Festivali të tillë  në këtë qytet ka shumë domethënie. Ana tjetër është se ky Festival tashmë ka fituar emrin e vetëm, traditën e vetë si dhe ka ecur çdo vit në ngjitje me intepretime dhe organizime tejet serioze. Vetë pjesëmarrja e këngëtarëve më të mirë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse tregon për seriozitetin, përkushtimin dhe ndërgjegjësimin për të afruar një festival me kërkesat e kohës. Por nëse kapërxej në kohë mund të them se ky Festival është si Festivali i 11-të i Këngës në RTSH, plot ritëm, dinamikë, muzikë që sjell risi. Në demokraci kënga nuk kornizohet dhe ideologjizohet në shërbim të ploitikës.

–          Po në Shqipëri a ka Festivale të tillë?

–          Në Shqiëri kemi disa Festivale por mbi të gjitha kemi festivalet në RTSH, që kanë një histori të rrallë dhe pse kohët e fundit ka pasur shumë reagime nga  kritikët, por edhe nga populli.

–          Pra ju bëtë një lidhje mes festivalit “Zambaku i Prizrenit”,  dhe festivalit të 11-të në RTSH. Një Festival i shumëdiskutuar. Po le të ndalemi te i shumëdiskutuari Festivali 11-të, i cili shkaktoi furtunë dhe bujë. Si e kujton sot Festivalin e 11-të?

–          Ai festival nuk harrohet për shumë arsye. Pra ai ashtu mbetet plot bujë, plot enigma, plot diskutime, Mora pjesë me një kompozim interesant për studentët. “Mbrëmja e fundit” titullohej kënga. Pra, kur studentët mblidhen në natën e fundit, duke kujtuar me shumë dashuri ditët e shkollës, sepse nesër do shpërndahen. Teksti dhe muzika e Enver Shëngjergjit. Nën orkestrimin e Aleksandër Lalos. Ishte një këngë e suksesshme, natën e parë të pranishmit më kthyen dy –tre herë. Ishte koha që studentët kishin ndikim në jetën kryeqytetase. Por, çuditërisht kjo këngë nuk fitoi asnjë çmim!! Megjithatë dola i kënaqur nga Festivali. Kënga ishte e bukur dhe u pëlqye. Por të këqijat erdhën mbrapa. Ky festival u kritikua shumë. Këngëtarët më të mirë u kritikuan për tendenca borgjezo-revizioniste. Për shfaqje të huaja. U kritikuan ashpër Sherif Merdani, Françesk Radi. Dhe për mua në Shkodër në ndërmarrje u zhvillua një mbledhje që zgjati 4 orë. Pas mbledhjes mua më hoqën të drejtën e këngës për 7 vjet, konkretisht, të mos merrja pjesë në Festivalet e RTSH-së. Pra, sërishmi më kritikuan për ekstravagancë. Dhe kush? Njerëz që nuk e kishin parë fare Festivalin. Pra, deri në vitin 1978, këndoja vetëm në Estradën e Ndërmarrjes këngë popullore. Muzikën e lehtë nuk e lëvrova. Më dukej vetja bosh.

–          Dhe…kur u kthyet sërishmi skenës së Festivalit?

–          Në Festivalin e 17-të. Përsëri mora pjesë me një këngë të Enver Shëngjergjit. Pas këtij Festivali kam marrë pjesë me ndonjë shkëputje në të gjitha festivalet në RTSH.

Filed Under: Komente

TRASHËGIMIA KULTURORE SHQIPTARE E MALËSISË NË BOTIMET E KOLË BERISHËS

October 2, 2025 by s p

Dr.Nail  Draga*/

Krahina etnografike  e Malësisë së Madhe në sajë të trashëgimisë kulturore vazhdimisht ka qenë inspiruese si për studiues vendas dhe të huaj. Dhe nuk ka si të jetë  ndryshe sepse ajo në sajë të morfologjisë së relievit dhe natyrës së saj impozante,  si rrallë kush ka ruajtur në mënyrë autentike tiparet e rracës shqiptare. Ishte pikërisht ky mjedis i cili ka frymëzuar të gjithë ata të cilët kanë vlerësuar vlerat etnokulturore të etnosit shqiptar.

Në gamën e tyre individëve bëjnë pjesë edhe një numër i konsideruar i klerikëve shqiptarë(Sh.Gjeçovi, D.Kurti, M.Sirdani, B.Palaj etj.), të cilët gjatë veprimtarisë së tyre teologjike nuk kanë qendruar statik, por kanë qenë aktiv sepse kanë mbledhur lëndë me vlerë nga thesari i trashëgimisë kulturore shqiptare. Në këtë kategori bën pjesë edhe At Kolë Berishaj(1916-1993) i cili nuk ka hezituar të mbledh material të tillë, që më pas është  botuar në disa vëllime. 

Ne me këtë rast do të analizojmë veprimtarinë  e tij, e  cila opinionit i është prezantuar në tre vëllime: Përreth sofrave(Vepra-1), Visare të Malësisë(Vepra-2) dhe Kangë e vajë(Vepra- 3), botuar nga EP “Fishta”- Lezhë  dhe Misioni Françeskan-Tuz, në vitin 2013. 

Malësia e Madhe krahinë  etnografike 

Hapësira etnogjeografike shqiptare ku bën pjesë edhe Malësia e Madhe në Veriun shqiptar, në pjesën  dytë  të shek.XIX, pësoj ndryshime territoriale, sepse në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit(1878) filloj të rrudhosej, sepse pjesë të saj iu dhuruan Malit të Zi. Fjala është për dy mikroregjione: Trieshi dhe Koja që u aneksuan duke bërë   shkëputjën  territoriale nga Malësia e Madhe. Por, ky dekompozim territorial nuk përfundoj me kaq, sepse në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës(1912/13), kufiri shkoj më në lindje, ku Malësisë iu shkëputën edhe Gruda e Hoti. Ishin këto  vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha në interes të konjukturave gjeopolitike të kohës,  duke mos marrë parasysh  kriterin etnik e ate historik, në kundërshtim me vullnetin e popullsisë shqiptare. Sepse shqiptarët në Malësi nuk kanë luftuar kundër një pushtuesi (Turqisë) e me u aneksuar nga një pushtues tjetër(Mali i Zi).

Nga Gruda në Velipojë

Ndër personalitete të nderuara të Malësië së Madhe të cilët  pasion e kanë pasur  mbledhjen e trashëgimisë kulturore, bën pjesë edhe At Kolë Berishaj, i cili ka dhënë kontribut më rëndësi për etnokulturën e vendlindjës. Ai ka lindur me 28 nëntor të vitit 1916, në fshatin Priftën në Grudë të Malësisë së Madhe. Në sajë të rrethanave shoqërore të kohës në Luftën e Parë Botërore e sidomos në sajë të kushteve të pavolitshme ekonomike, familja e tij është e detyruar të vendoset  në fshatin Velipojë(Shkodër). Por, ky migrim në këtë mjedis ishte i favorshëm për këtë familje, sepse këtu kishin kushte më optimale për të jetuar. Në mjedisin e ri kjo familje ka ruajtur traditat e vendlindjes, duke punuar dhe predikuar ritet fetare, duke shkuar në kishën e fshatit. Në atë kohë në kishën e Velipojës shërbente dom Alfons Tracki, prif gjerman, i cili ishte i njohur për vlerat e tija njerëzore e shoqërore.

Gjermani, hapi shkollën shqipe

Dom Alfons Tracki ka lindur në qytetin Bresian të Gjermanisë në vitin 1892. Pasi përfundoi studimet e larta në shkencat teologjike dhe shugurohet meshtar, transferohet me detyrë në Shkodër në vitin 1920.Vendoset në kishën e Velipojës dhe punon si një mesionar I palodhur, ku veçohet në fushën e arsimit e të edukimit. Ai e ka dashur shumë popullin Shqiptar sepse që një martir  i fesë katolike në Shqipëri. Me instalimin e sistemit komunist në Shqipëri nga nëntori i vitit 1944, ai ishte i papërshtatshëm për sistemin dhe është ndjekur nga ata. Ndonëse ai ka dalur në mal për ti shpetuar ndjekjës, është kapur nga forcat e Sigurimit të shtetit dhe e pushkatojnë me 18 qershor 1946.

Shkollimi fillor i mesëm dhe superior

Është meritë e tij, që në Velipojë ka hapur një shkollë në gjuhën shqipe me tre klasë. Pikërisht në këtë shkollë mësimin e nisi edhe Kola në vitin 1927, ku mësues dhe edukator i tij ishte dom Alfons Tracki. Në këtë shkollë Kola është dalluar si një nxënës i zellshëm, punëtor  dhe me edukatë. 

Pasi përfundoi shkollën fillore Kola iu përkushtua rrugës së meshtarisë, jo si besimtar por  tash si misionar. Pikërisht, për këtë arsye, me ndërhyrje të dom Trackit, ai I vijon studimet në Kolegjin Françeskan në Shkodër Në këtë shkollë Patër Kola  u dallua në mënyrë të veçantë me përgatitje meshtarake duke zbuluar veçori të karakterit të tij prej njeriu të përgatitur dhe me culture të lartë fetare e tradicionale. Në vitin 1939, ai do të përfundonte gjimnazin “Illiricum” që drejtohej nga etërit françeskanë.  

Më pas në Siena të Italisë ka vijuar studimet e larta  në fushën e filozofisë e të teologjisë, ku studimet i përfundon  në vitin 1942 dhe me pas është shuguruar meshtar nën urdhërin françeskan. 

Meshtar në vendlindje

Pas përfundimit të studimeve shkon në vendlindje në Prifën – Grudë, ku jep meshën e parë me 15 gusht  në vitin 1942, në ditën  e Zojës së Grudës. Në ceremonin e kësaj meshe i pranishëm ishte edhe  At Anton Harapi, qe ka  qenë bashkëshoqërues i meshtarit të ri. 

Krahas detyrës së meshtarit Patër Kola, po këtë vit, emërohet në detyrën  e profesorit në Kolegjin Françeskan, ku dallohet si një mësimdhënës i talentuar dhe njeri me aftësi të veçanta pedagogjike. Për këtë arsye, për pak kohë e shohim edhe  në detyrën  e nëndrejtorit të shkollës fillore françeskane në qytetin e Shkodrës.

Ndërsa në vitin 1943, Provinciali I Urdhërit Françeskan, Patër Anton Harapi, e cakton famullitar në fshatin Toplanë, një fshat malor I banuar nga malësorë, ku qëndroi rreth dy vjet,  ku panoi me përkushtim  në rindërtimin e famullisë dhe shtimin e besimtarëve në ceremonitë fetare.

Fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga nëntori i vitit 1944, në Shqipëri u instalu diktatura komuniste, e cila kishte pasoja të mëdha për eliten intelektuale e figurat politike të cilët llogariteshin si kundërshtarë të regjimit. Në këtë kategori llogariteshin edhe personalitetet fetare, ku me së shumti e kanë pësuar  ata katolikë. Kujtojmë me këtë rast famullitarin e Traboinit Atë Zef Tagaj, i cili u pushkatua me 19 shkurt 1945.*

Pasi kisha e Traboinit, tash mbeti pa meshtar, me urdhër të arqipeshkvit Nikollë Dobreciqit, nga Arqipeshkvia e Tivarit, me 10 prill  1945 Atë Kolë Berishaj emërohet famullitar i Trabonit. I vendosur në Hot, në një mjedis i cili u përsekutua nga pushtetarët komunistë, ai është si meshtar i devotshëm është përpjekur vazhdimisht të sfidojë rrethanat shoqërore të kohës, duke i ndihmuar popullit si misionar pajtimi, duke qenë vazhdimisht në krye të detyrës duke predikuar vërtytet me të larta si besën, trimërinë, bujarinë e paqen. Duke qenë i tillë ai të hotjanet kishte respekt të veçantë, që është dëshmuar në pajtimin e konflikteve, duke shpëtuar  jetë nga gjakmarrja, bashkëpunim shoqëror etj. 

Pasi shërbeu me përkushtim 28 vjet në famullin e Hotit, në vitin 1973 transferohet në famullinë e Gucisë, ku ka shërbyer për 6 vjet, deri sa ka dalur në pension në moshën 63 vjeçare. Edhe në këtë mjedis, me punën e angazhimin ka mbetur model për kohën duke pasur respekt të veçantë  të besimtarët e qytetarët në përgjithësi.

Pas një sëmundje të rëndë, vdiq me 28 maj 1993, në moshën 77 vjeçare, duke lënë pas  një emër të nderuar dhe një veprimtari e cila nderohet  ndër breza.

Etnokultura si pasion

Gjatë shërbimit si meshtar, në Grudë, Hot e Guci, për 37 vjet më radhë deri sa doli në pension(1979) ai ka qenë i shoqëruar vazhdimisht me fletoret e shënimeve, ku ka shënuar nektarin e traditës popullore. Pasi në Hot ka qendruar rreth 30 vjet, ai në biseda të zakonshme, ka depërtuar në vlerat etnokulturore të hotjanit ku ka synuar të nxjerrë vlerat më të çmuara të qënësisë së këtij kombi siç janë besa, trimëria, bujaria, mençuria  dhe ndjenja atdhetare.

At Kolë Berishaj duke qenë misionar i fesë, nuk ka qendruar statik e formal në ato vise ku ka punuar e jetuar, por me durim ka mbledhur visarin tonë kombëtar, vlerat dokumentare dhe gojore të etnosit tonë kombëtar. Në këtë mision ai ka trashëguar punën me pasion të Atë Vinçenc Prenushit, Atë Shtjefën Gjeçovit, Patër Donat Kurtit, Atë Marin Sirdanit, Atë Bernardin Palajt etj. Ishin këto autoritete e misionar të fesë që kanë mbledhur  visarin tonë kombëtarë, duke dëshmuar pasionin e tyre për trashëgiminë kulturore kombëtare, duke na lënë trashëgim veprat e tyre, me vlerë shumëdimensionale.

Vepra në tre vëllime

Botimi i veprës së At Kolë Bershës në tre vëllime: Përreth sofrave(Vepra-1), Visare të Malësisë(Vepra-2) dhe Kangë e vajë(Vepra- 3), botuar nga EP “Fishta”- Lezhë  dhe Misioni Françeskan-Tuz, në vitin 2013, përgatitur për botim nga Hamit Boriçi e Gjovalin Gjeloshi që është dëshmi e një vepre dinjitoze e cila nderon autorin dhe kulturën shqiptare.

Nëse analizohet së cili vëllim në mënyrë të veçantë del qartë se kemi të bëjmë me të dhëna me peshë etnokulturore jo vetëm për Malësinë e Madhe e Veriun shqiptar, por për tërë hapësirën etnogjeografike kombëtare.  

Fillimisht dua të ceki se në vëllimin e parë, At Kolë Berishaj, duke trajtuar Sofrat jep disa të dhëna interesante për shpërndarjën territoriale të institucionit të Bajrakut në Malësi të Madhe dhe më gjerë. Kemi të bëjmë me konceptin e sofrës në përgjithësi, ku roli i bajrakut është parësor që vazhdon edhe në ditët tona në Malësi të Madhe. Dhe në këtë aspekt autori paraqet edhe territorin  e tyre sipas mikroregjioneve apo zonave në mjediset përkatëse. Fjala është hapësirën territoriale etnogjeografike, e jo ate administrative, sepse në aspektin etnografik krahina të ndryshme nuk janë paraqitur unike sikurse kanë qenë në të kaluarën çështje e cila mbetet e hapur edhe në ditët tona. Në sajë të dhënave numrin e bajraqeve Kolë Berishaj paraqet këtë numër për këtë krahinat përkatëse.

Kështu Malësi të Madhe përbëhet nga 7 bajraqe(Hot, Grudë, Kelmend, Kastrat, Shkrel,Triesh dhe Kojë të Kuçit), 

Malësia e Vogël përbëhët nga 6 bajraqe(Shalë, Shosh, Toplanë, Gjan, Plan e Kir),

Rranxat e Shkodrës– 6 bajraqe( Koplik, Buza e Ujit,Grizha, Reçi, Lohja e Rrjolli),

Postriba– 5 bajraqe(Drishti, Shllaku, Dushmani, Boksi e Suma)

Puka– 7 bajraqe(Berisha, Iballja,Kabashi,Bugjani,Puka, Qerreti  e Mali i Zi),

Mirdita– 5 bajraqe(Oroshi, Spaçi, Kushneni, Fani e Xibri) dhe 

Malësia e Lezhës– 5 bajraqe( Bulgri,Kryezeza, Manatia, Vela e Pllana)(Vepra 1, f.17).

Në këtë vëllim përveç Sofrës, trajtohen edhe rite e zakone, mikëpritja, armët dhe veshja e malësorit, si e matë populli kohën, prralla etj. Në vëllimin e dytë prezantohen urime e mallkime, fjalë të urta, emna të rrallë njerëzish e gjallesash si dhe disa shprehje popullore e kallxime e bestytni dhe në vëllimin e tretë janë prezantuar kangë e vaje.

Lënda e prezantuar në këto vëllime paraqet në material më vlerë etnologjik e folklorik për krahinën e Malësisë së Madhe, e cila meriton të studiohet nga studiues të fushave përkatëse, sepse siç shkruan studiuesja e kulturës popullore dhe e antroplogjisë prof.dr.Afërdita Onuzi “e veçanta e At Kolës qëndron  në faktin se, ndryshe nga mbledhës të tjerë, që bazohen vetëm në tregimet dhe kjutimet e bartësve, ai, shumicën e këtyre të dhënave e ka mbledhur gjatë momenteve kur kryheshin e praktikoheshin  këto rite, zakone e ceremoni. Pikërisht kjo u jep vlera të veçanta shënimeve të tij, çka një etnograf i mirëfilltë do t ia kishte zili”.

Përfundim

At Kolë Berisha bën pjesë në radhën e françeskanëve të nderuar, të cilët me punën dhe veprat e tyre bëjnë pjesë në plejadën e autoriteve kombëtare jo vetëm në Veriun Shqiptar. Kujtojmë me këtë rast dijetarët e mëdhënj  si At Bernardin Palaj, Donat Kurti etj.,që i sollën albanologjisë shqiptare e folklorit në veçanti “Visaret e Kombit” në disa vëllime, duke mbetur monument i identitetit kombëtar Shqiptar.

Ndërsa me largimin e tij në vitin  1993, mbyllet një kapitull për Malësinë e Madhe  që nuk është më, sepse ato ishin misionarë të fesë  me formim dhe profesionistë në punën e tyre, por edhe fisnik në marrëdhënie njerëzore. 

Pikërisht i tillë ishte At Kolë Berishaj i cili  ka mbledhur  visarin tonë kombëtarë, duke dëshmuar pasionin  për trashëgiminë kulturore kombëtare, duke na lënë trashëgim  emrin dhe veprat, me vlerë shumëdimensionale të cilat janë si testament për kohën e tij, të tashmën dhe të brezave në të ardhmën.

Dhe nëse në të ardhmën do të botohet një liber  i veçantë kushtuar personalitetëve  në Malësi të Madhe e them pa hezitim se në këtë plejadë të figurave të tilla edhe At Kolë Berisha do të jetë pjesë e saj.

Literatura:

1. Frano Kulli, At’ Kola, “Frati i Hotit”, si At’ Benardini i “Visareve të Kombit”, Panorama, 22.4.2023

2.At Kolë Berishaj, Vepra-1, Vepra-2, Vepra-3, EB“Fishta“-Lezhë, Misioni Françeskan-Tuz, 2013

3.At Kolë Berishaj, Etnologu që ruajti traditën e kulturën tonë në Mal të Zi, Sh.com. shkurt 2015

4. At Kolë Berishaj, PREJ SHKODRET NË TOPLANË, EB”Fishta”, Lezhë, 2021

5. Nail Draga, Vrasja e At Zef-Leonard Tagaj vepër kriminale e pushtetit jugosllav, Koha Javore, 29 tetor 2020

*Kumtesa është paraqitur në  Konferencën  shkencore ”Treva e Veriut-një kujtesë në visaret e traditave që ndriçojnë historinë tonë”, mbajtur në Shkodër me 30 maj 2025, në organizim të Qendrës së Studimeve Albanologjike

Filed Under: Histori

Mbyllja e qeverisë dëmton qytetarët dhe konsumon besimin tek politika

October 2, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Mbyllja e qeverisë federale është rikthyer sërish si një plagë e vetë-shkaktuar në jetën politike amerikane. Këtë herë, shkaku kryesor është financimi i subvencioneve shëndetësore që lidhen me “Affordable Care Act”, ndihma e cila ka bërë të mundur që miliona amerikanë të kenë sigurim shëndetësor me çmime të përballueshme. Përplasja është e qartë: Demokratët kërkojnë zgjatjen e këtyre kredive tatimore, ndërsa Republikanët, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, refuzojnë kategorikisht. Rezultati është një tjetër krizë politike, që në vend të zgjidhjes së problemeve reale të qytetarëve, sjell pasiguri, tensione dhe paralizë institucionale.

Në planin politik, të dyja palët kanë argumentet e tyre. Demokratët pretendojnë se pa këto subvencione, qindra mijëra familje do të shohin primet e sigurimeve të tyre të shëndetit të dyfishohen. Në një kohë kur inflacioni dhe kostoja e jetesës tashmë janë rritur, një barrë e tillë do të ishte e papërballueshme për shumë shtresa të mesme dhe të ulëta. Këtu qëndron edhe thelbi i betejës së tyre: sigurimi shëndetësor nuk është luks, por një domosdoshmëri bazë, dhe shteti duhet të ndihmojë qytetarët të mos përballen vetëm me koston e tij.

Nga ana tjetër, Republikanët dhe administrata Trump e shohin këtë si një rast për të vënë kufi shpenzimeve federale dhe për të çmontuar atë që prej kohësh e kanë kritikuar si një ndërhyrje të tepërt të qeverisë në tregun e shëndetësisë. Sipas tyre, vazhdimi i subvencioneve është një barrë fiskale që përjetëson varësinë nga shteti dhe pengon zgjidhje të tjera më “tregu-lira”. Në këtë këndvështrim, qëndrimi i tyre lidhet me një filozofi më të gjerë politike mbi rolin e qeverisë.

Por, përtej argumenteve ideologjike, është realiteti praktik ai që godet më fort. Me mbylljen e qeverisë, mijëra punonjës federalë janë dërguar në shtëpi pa paga, shërbime publike janë ndërprerë, dhe qytetarët e thjeshtë kanë humbur akses në shumë prej kanaleve të komunikimit me administratën. Një telefonatë e zakonshme në Shtëpinë e Bardhë apo në një agjenci federale nuk merr më përgjigje, por një mesazh të regjistruar që justifikon ndërprerjen për shkak të “mungesës së financimit”. Kjo krijon jo vetëm frustrim, por edhe një ndjesi braktisjeje nga institucionet që supozohet të jenë në shërbim të publikut.

Historia na kujton se kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara përballen me një mbyllje të qeverisë. Më e gjata dhe më e dhimbshmja ndodhi në vitet 2018–2019, kur Presidenti Trump këmbënguli për financimin e murit në kufirin me Meksikën. Atëherë, shumica e amerikanëve ia atribuoi fajin Presidentit dhe republikanëve në Kongres, megjithëse demokratët nuk dolën plotësisht të pafajshëm. Edhe atëherë, qytetarët e perceptuan mbylljen si një “problem madhor për vendin”.

Këtë herë, situata është më e ndërlikuar. Sondazhet të kryera para mbylljes tregonin se një pjesë e konsiderueshme e amerikanëve — përfshirë edhe votues të regjistruar demokratë — ishin të pavendosur nëse ia vlente të shkohej deri në mbyllje për këtë çështje. Ndërkohë, të pavarurit dhe republikanët e kundërshtuan hapur këtë taktikë. Për pasojë, rreziku politik për demokratët është më i madh sesa në 2019. Ata mund të perceptohen jo si mbrojtës të qytetarëve, por si nxitës të një krize të panevojshme.

Megjithatë, kjo nuk e amniston administratën Trump nga përgjegjësia. Qeveria federale e ka përshkallëzuar krizën duke njoftuar pezullimin e fondeve të infrastrukturës në shtetet me prirje demokratike dhe anulimin e miliarda dollarëve për projekte energjie të pastër. Kjo duket më shumë si një përpjekje për të ndëshkuar kundërshtarët politikë se sa si një vendim i bazuar në shqetësime fiskale. Kur bllokohen fondet për rrugë, ura, projekte të transportit publik apo për energjinë e rinovueshme, viktimat e para nuk janë politikanët në Uashington, por punëtorët, komunitetet lokale dhe qytetarët e zakonshëm që humbasin vendet e punës apo shërbimet e nevojshme.

Një tjetër dimension shqetësues është ndikimi që mbyllja mund të ketë mbi sigurinë publike. Për fat, shërbime kritike si parashikimi i motit dhe monitorimi i stuhive nga NOAA dhe Shërbimi Kombëtar i Motit nuk janë ndërprerë. Në një sezon uraganesh të paparashikueshëm, ky është një lehtësim i madh. Por edhe këtu, përvoja e vitit të kaluar tregon se shkurtimet e bëra nga administrata ndaj agjencive të tilla dobësojnë aftësinë për të mbrojtur qytetarët nga fatkeqësitë natyrore. Nëse mbyllja zgjat, edhe këto agjenci do të ndjejnë presionin.

Në këtë lojë nervash, pyetja kryesore është: kush do të fajësohet? Sondazhet sugjerojnë se publiku është i ndarë, por një pjesë e mirë thotë se faji bie mbi të dyja palët njëkohësisht. Ky është ndoshta verdikti më i drejtë: demokratët që zgjedhin të shkojnë në ekstrem për të fituar një betejë politike, dhe republikanët që instrumentalizojnë qeverinë për të realizuar qëllime ideologjike, duke harruar rolin e saj thelbësor si garant i stabilitetit për qytetarët.

Pasojat e këtij lloj qeverisjeje me kriza të vazhdueshme janë të rënda. Së pari, shkatërrohet besimi i publikut tek institucionet. Kur qytetarët shohin se qeveria e tyre ndalon së funksionuari çdo disa vjet për shkak të grindjeve partiake, ata humbasin besimin se politika mund të ofrojë zgjidhje afatgjata. Së dyti, krijohet një kulturë e rrezikshme ku kompromisi shihet si dobësi, dhe konfrontimi si mjeti i vetëm për të fituar. Në një demokraci funksionale, duhet të ndodhë e kundërta.

Një tjetër pasojë është ndalimi i përkohshëm i shumë shërbimeve që ndihmojnë ekonominë kombëtare. Nga miratimi i granteve për kërkime shkencore, tek përpunimi i lejeve të emigracionit dhe deri tek pagesat për kontraktorët federalë, zinxhiri i ndikimit prek sektorë të shumtë. Çdo ditë mbylljeje përkthehet në humbje ekonomike, shpesh të pallogaritshme. Në këtë kuptim, të dyja palët duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmin që i shkaktojnë jo vetëm qytetarëve, por edhe ekonomisë kombëtare.

Në fund, mesazhi i kësaj mbylljeje është i qartë: Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një kulturë të re politike. Një kulturë ku shëndetësia nuk përdoret si peng për betejat ideologjike, ku fondet për infrastrukturë dhe energji nuk mbahen peng për hakmarrje politike, dhe ku hapja e qeverisë nuk shihet si një fitore partiake, por si detyrim minimal ndaj qytetarëve.

Mbylljet e qeverisë nuk duhet të bëhen normalitet. Ato janë simptomë e polarizimit ekstrem dhe e dështimit për të gjetur rrugë të përbashkëta. Qytetarët e thjeshtë nuk duan spektakël politik, por stabilitet, siguri dhe mundësi për një jetë më të mirë. Kur politikanët dështojnë ta ofrojnë këtë, demokracia humbet nga vetëbesimi i saj.

Derisa udhëheqësit e zgjedhur ta kuptojnë këtë, vendi do të vazhdojë të mbetet peng i përplasjeve ciklike. Dhe çdo herë që dritat e qeverisë fiken, ndizen gjithnjë e më fort pyetjet mbi sa e aftë është politika amerikane për të udhëhequr një vend të madh dhe për të qenë shembull në botë.

Filed Under: Ekonomi

Unlocking the Power of Older Persons Benefits all of Humanity- Message of 35th UN Day of Older Persons

October 2, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

For the second consecutive year, Arjanita (Ariana) Elezaj chaired the UN International Day of Older Persons at the UN Headquarters on the designated day for the community. The theme of 2025 Summit was Older Persons Driving Local and Global Action: Our Aspirations, Our Well-being, Our Rights.

Ariana Elezaj, Chair of the UNIDOP 2025 Programme Sub-Committee of the NGO Committee on Ageing in New York thanked each of the agencies including DESA and all the groups, speakers and representatives of member states, Argentina, Chile, Kingdom of Saudi Arabia, that collaborated for today’s summit.

In his opening remarks, William Smith, Chair of the NGO Committee on Ageing in New York, summed up the priorities of the program in three areas: Healthcare, Financial Security and Social Inclusion.

The keynote address by Jeannette Takamura, Professor and Dean Emerita of the Columbia University School of Social Work, presentations by an excellent panel of speakers and two video messages reinforced the point of the urgency of inclusion of older persons and “moving from words to actions”.

What is it about?

In one word: preparedness. From a list of statistics, what stands out is that the 60+ community will constitute 1.4 billion of the world’s population and in 2050 that number will double.

One more statistic:

Currently in the US the number of people that are in the 60s and older group is bigger than the group that is 18 and older.

Why it matters?

The age expectancy is now at 78. While medicine has advanced, our policies have not. The impact for the country’s population, economy and society overall can be vast.

What to do? Get involved. Promote a universal convention launched in Geneva to establish an International Body to strengthen the protection of Human Rights of Older Persons.

The challenges and issues of aging concern all of us. To that end supporters are truly valuable. Fotini (Foti) Kokeri of Kosloski Family Foundation joined New York NGO Committee on Ageing last year after being introduced to it by Ariana Elezaj. Ms. Kokeri said she was thrilled to be at this year’s Summit “to share a meaningful commitment to the New York NGO Committee on Ageing. I have witnessed firsthand how NGO programs empower and uplift older adults, whose life experiences and wisdom are invaluable to our communities”

The two superstars of today’s summit were Edilia Camargo Villarreal, Ph.D, Former UNESCO Population Education Programme Specialist and Master Athlete Women 85-89 category and Dr. Howard Tucker, the 103 year old Neurologist and Adjunct Professor at Case Western University. Both of them exemplify the message of the summit – older persons are valuable and essential for a prosperous society.

“I was profoundly inspired by Dr. Howard Tucker’s speech—103 years of experience, boundless curiosity, and a lifetime of learning. His example reminds us that age is not a limit but a reservoir of insight and leadership,” said Ms. Kokeri. She shared a personal story that is deeply meaningful that also resonates on this day: “For over 17 years, I have had the privilege of working with Helene Kosloski. Helene joined me in the journey when she was 72, and I learned so much from her wisdom in business, real estate, and life. I deeply miss her since she passed away at 90. Saying I graduated from the “Kosloski University” is a heartfelt tribute to the invaluable education she provided—practical, principled, and transformative. Her life experiences continue to inspire my work and commitment to our community.”

Already committed to the mission, Ms. Kokeri says that “she looks forward to supporting and to being present at the next AGO event. I’m excited not only to continue my involvement with the NGO Committee but to actively contribute and advocate for programs that celebrate and empower older adults.”

To learn more about the program and ways you can help, please go to Http://ngocoa-ny.org/

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

Qeveria gjithëpërfshirëse si domosdoshmëri për daljen nga bllokada politike dhe forcimin e stabilitetit në Kosovë

October 2, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Në momentet kur polarizimi partiak e bën të pamundur krijimin e një shumice qeverisëse stabile, opsioni i vetëm realist është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse (qeveri të unitetit kombëtar ose qeveri të tranzicionit).

Një qeveri e tillë do të kishte këto objektiva:

Stabilitet institucional – garantimi që institucionet të funksionojnë pa bllokada dhe që Kuvendi të mos mbetet i paralizuar.

Agjendë kombëtare – përqendrim në temat madhore: dialogu me Serbinë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare (Këshilli i Evropës, NATO, OKB), sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.

Ulje e përplasjes politike – duke e zhvendosur energjinë nga konfliktet partiake te bashkëpunimi institucional.

Përfshirje të gjerë politike e shoqërore – jo vetëm partitë kryesore parlamentare, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe komunitete pakicë.

Ky model nuk duhet parë si përjashtim nga demokracia, por si shprehje e demokracisë konsensuale në rrethana të jashtëzakonshme.

Shembuj konkretë ndërkombëtarë

-Gjermania (1966–1969): CDU/CSU dhe SPD krijuan “koalicionin e madh” për të tejkaluar krizën ekonomike dhe politike. Ky model e stabilizoi vendin dhe e përgatiti për sfidat e integrimit evropian.

-Afrika e Jugut (1994–1997): pas rënies së aparteidit, u formua një qeveri gjithëpërfshirëse mes ANC dhe forcave të tjera politike, për të siguruar tranzicionin paqësor dhe ndërtimin e institucioneve të reja.

-Izraeli (2020): pas tri palë zgjedhjesh pa rezultat të qartë, Netanyahu dhe Gantz formuan një qeveri uniteti për të shmangur zgjedhjet e katërta dhe për t’u përballur me krizën e pandemisë.

-Maqedonia e Veriut (2001): pas konfliktit të brendshëm, u krijua një qeveri gjithëpërfshirëse që implementoi Marrëveshjen e Ohrit, duke garantuar stabilitet afatgjatë dhe përfshirje të barabartë të komuniteteve.

Këto raste tregojnë se qeveria gjithëpërfshirëse është një mekanizëm i provuar në situata krize, dhe ka sjellë stabilitet e zhvillim.

Shembuj konkretë nga Kosova

-Qeveria e përkohshme pas luftës (1999–2001) nën administrimin e UNMIK-ut ishte në vetvete një formë e qeverisjes gjithëpërfshirëse, ku përfaqësoheshin të gjitha forcat politike shqiptare, por edhe komunitetet pakicë. Kjo shmangu konfliktet e brendshme dhe garantoi funksionim minimal institucional.

-Koalicioni i gjerë i vitit 2008 pas shpalljes së pavarësisë tregoi se në momentet historike, partitë politike dinë të bashkohen për interesa kombëtare.

-Dialogu me Serbinë: në disa faza është kërkuar përfaqësim gjithëpërfshirës, pasi dialogu nuk mund të jetë projekt i vetëm një partie, por i tërë shtetit. Fatkeqësisht, mungesa e konsensusit shpesh e ka dobësuar pozitën e Kosovës.

Përgjegjësia e elitave politike kosovare

Elitat politike në Kosovë duhet të nxjerrin mësim nga historia e afërt dhe nga rastet ndërkombëtare. Politika nuk është arenë e përhershme përplasjeje, por instrument i përbashkët i qeverisjes. Në rrethana të jashtëzakonshme, interesat kombëtare duhet të mbizotërojnë mbi interesat partiake.

Qeveria gjithëpërfshirëse duhet të shihet jo si zgjidhje e përhershme, por si mjet tranzicioni për të rikthyer stabilitetin dhe për të hapur rrugën drejt zgjedhjeve të reja të lira dhe të paanshme, kur kushtet të jenë më të favorshme.

Kosova nuk mund të lejojë luksin e krizave të pafundme institucionale, sepse ato dobësojnë shtetin dhe minojnë besimin e qytetarëve. Në momentet e bllokadës së rëndë politike, modeli i qeverisë gjithëpërfshirëse është një alternativë e domosdoshme për të garantuar:

-stabilitet institucional;

-përfaqësim gjithëpërfshirës;

-forcim të pozitës ndërkombëtare;

-konsensus kombëtar për çështjet madhore.

Nëse nuk ndërmerren hapa të tillë, Kosova rrezikon të mbetet peng i cikleve të pafundme të krizave politike. Nëse ndërmerret, ajo fiton kohë, stabilitet dhe besim ndërkombëtar.

Prandaj, zgjedhja nuk është mes qeverisë gjithëpërfshirëse apo polarizimit – zgjedhja është mes stabilitetit kombëtar dhe kaosit politik.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 306
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT