
Fondacioni “Dom Simon Filipaj” feston në New York 20 vjetorin e themelimit.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” feston në New York 20 vjetorin e themelimit.
by s p

Nga Evarist Beqiri/
Vetëm duke gjurmuar të shkuarën mund të orientohemi drejt në të ardhmen. Historia është një mësuese mizore për ata që ëndërrojnë me sy hapur dhe hyjnore për ata që ëndërrojnë me sy mbyllur. Sot, ndërsa Putini po përpiqet që ta shembë Ukrainën, Perëndimi ndodhet sërish në buzë të humnerës që e gremisi dikur botën mbarë, në honin e natës së luftës botërore. Le të kthehemi pak pas në kohë.
Në vitin e largët 1913, Konferenca e Londrës sakrifikoi trojet shqiptare për të kënaqur oreksin e Rusisë dhe aleatëve të saj sllavë e grekë, në emër të paqes botërore. Trojet shqiptare u copëtuan, duke u përdorur si monedhë shkëmbimi në tregun e cinizmit të “stabilitetit evropian”. Vetëm një vit më pas, shpërthyen flakët e Luftës së Parë Botërore. Diplomacia dritëshkurtër nuk e parandaloi dot tragjedinë, përkundrazi e përshpejtoi.
Në vitin 1938, Konferenca e Mynihut përsëriti të njëjtin gabim. Çambërlejni dhe Daladieri i dhanë Hitlerin Çekosllovakinë, duke menduar se kishin shpëtuar botën nga lufta. Një vit më vonë, Europa u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Sërish, iluzioni i kompromisit tinëzar i hapi rrugën shkatërrimit. “Paqe në kohën tonë,” tha kryeministri britanik, përpara se të vdiste i kapluar nga marazi. Kënaqja e agresorit nuk solli paqen, por i hapi atij oreksin për më shumë.
Nga Londra 1913, e deri te marrëveshjet e padrejta të shekullit XX, shqiptarët kanë paguar gjithmonë çmimin më të lartë. Sepse, kompromiset e padrejta janë gjithmonë burim tragjedish. Paqja nuk ndërtohet mbi padrejtësinë dhe i forti duhet të jetë i drejtë.
Sot, Perëndimi rrezikon që të bjerë sërish në të njëjtin kurth. Të kënaqësh Putinin do të thotë të pranosh që logjika e forcës të sundojë mbi ligjin, që tanket të kenë më shumë peshë se traktatet, dhe që gjenocidi të shitet si diplomaci.
Vladimir Putini nuk lufton për territore. Ai po lufton për të përmbysur rendin ndërkombëtar që ngrihet mbi lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin e kombeve. Ai po teston vendosmërinë e Perëndimit ashtu si dikur Hitleri apo carët rusë. Çdo kompromis që i jep Moskës “një copë” është një ftesë për agresionin e radhës.
Lufta në Ukrainë nuk është një konflikt i izoluar. Javët e fundit, Putin po rrezikon duke ashpërsuar jo vetëm sulmet ndaj Ukrainës, por edhe luftën hibride ndaj Europës. Samiti miqësor me presidentin kinez, Xi Jinping duket se e ka trimëruar atë.
Ballkani është hallka më e brishtë, ku Moska po teston qëndrueshmërinë e NATO-s dhe BE-së. Dihet se një organizëm është po aq i qëndrueshëm sa fortësia e hallkës së tij më të dobët. Në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje, Rusia përpiqet sot e gjithë ditën që ti fryjë flakës së ndasisë etnike. Ne nuk duhet që të presim, që nacionalizmi i verbër të zhuris sërish trojet tona përpara se të zgjohemi.
Rusia nuk ka arritur që të dominojë Ukrainën në tokë, det apo ajër. Prandaj, të vetmen shpresë e shikon tek përçarja e NATO-s. Lufta duket se do të përfundoj, vetëm atëherë kur njëra nga palët nuk do të ketë më burimet e nevojshme për ta vazhduar.
Nuk ka paqe duke sakrifikuar Ukrainën. Nuk ka stabilitet duke pranuar qorrazi planet e “botës serbe” të mbështetura nga Moska. Çdo tolerim i agresorit është një thikë pas shpine për kombin shqiptar dhe gjithë rajonin. Ne shqiptarë e dimë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të të mohohet e drejta e ekzistencës. Historia jonë është dëshmi e gjallë e faktit që kompromisi mbi kurrizin e të vegjëlve është recetë për tragjedi.
Politika ruse karakterizohet nga ambicie që tejkalojnë mundësitë reale. Rusia është përpjekur historikisht që nëpërmjet iluzionit të forcës, të kamuflojë dobësitë e saj. Ajo kërkon që të trajtohet si një fuqi e madhe, por nga ana tjetër i mungojnë kredencialet politike, materiale dhe morale për të qenë e tillë.
Nga frustrimi që nuk arrin të fitojë në ekonomi dhe shkencë, Rusia gënjen. Gënjen duke e shndërruar gënjeshtrën në art. Kur nuk mund të fitojë besnikërinë, imponon bindjen me forcë. Kur nuk arrin të dominojë me armë konvencionale, shfaqet me “masat aktive”, me luftë hibride, me dizinformim, me manipulim politik dhe psikologjik.
Strategjikisht udhëheqësit rus janë përpjekur që të kompensojnë ndjenjën e tyre të inferioritetit nëpërmjet mashtrimit dhe dhunës. Frika, terrori, dhuna dhe vrasjet nuk janë mjete dytësore të sistemit rus. Ato janë vetë themeli mbi të cilin ai ngrihet dhe mbahet në këmbë.
Këtë mentalitet të mbrapshtë, shkrimtari dhe politikani i njohur serb Dobrica Çosiç, e përshkruan me këto fjalë: “Gënjejmë për të mashtruar veten, për të ngushëlluar të tjerët; gënjejmë nga keqardhja, gënjejmë nga turpi, për të inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është një gjendje e natyrshme e gjuhës, popullit dhe shtetit serb. Është patriotizëm dhe konfirmim i inteligjencës sonë të lindur. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, imagjinuese, shpikëse.”
Historia nuk fal. Ajo dënon të dobëtit dhe shpërblen ata që guxojnë. Shqipëria, Kosova, shqiptarët, dhe Ballkani mbarë, nuk mund të vendosen përballë një tjetër tragjedie, të shkruar nga cinizmi i atyre që harrojnë mësimet e historisë. Shqiptarët kanë ditur që të dallojnë gjithmonë anën e duhur të historisë. Historia na mëson se liria nuk dhurohet, ajo fitohet e mbrohet.
Nëse injoron të shkuarën, nuk mund të kesh të ardhmen. Në Ukrainë po luftohet për ideale. Aty është kufiri ku sot po përballen dy botë të kundërta. Vetë e ardhmja e demokracisë liberale varet nga kjo betejë vendimtare me tiraninë.
Lufta në Ukrainë dhe Gaza e kanë ndryshuar botën njëherë e përgjithmonë. Duhen kombinuar mësimet e së shkuarës me të tashmen, për të krijuar një të ardhme më të mirë. Në botën që do të rilind pas këtyre luftërave mizore, ne duhet që të kërkojmë paqen e drejtë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të njerëzimit mbarë.
by s p





27 Shtator 2025, një ditë e veçantë për Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, për komunitetin shqiptar në Filadelfia dhe më gjerë. Këtë të shtunë, patëm nderin e madh të mirëpresim Presidenten e Republikës së Kosovës, Shkëlqesinë e Saj, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu. Atmosferë festive, ngjyra kombëtare, muzikë dhe zëra fëmijësh mbushën Shtëpinë e Shqiptarit, duke i dhënë ngjarjes një frymë të ngrohtë dhe atdhetare. Presidentja Osmani, e shoqëruar nga këshilltarja e saj e parë, znj. Donika Kadaj Bujupi, u prit me respekt dhe entuziazëm nga kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Dritan Matraku, këshilli drejtues i shoqatës, si dhe nga nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”.
Siç e do tradita, kryetari Matraku i uroi mirëseardhjen Presidentes, duke theksuar nderin dhe privilegjin që ndjen e gjithë shoqata dhe komuniteti shqiptar për praninë e saj. Takimi vijoi me fjalën e Presidentes Dr. Osmani, e cila shprehu mirënjohje të thellë për punën e palodhur të shkollës “Gjuha Jonë” në mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës. Ajo theksoi rëndësinë që gjuha shqipe të ruhet dhe të trashëgohet brez pas brezi. Po ashtu, Presidentja vuri në dukje marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ku diaspora shqiptare luan një rol kyç si urë bashkëpunimi. Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe mesazhet e saj, Kryesia e Shoqatës i akordoi Presidentes titullin “Anëtare Nderi”.
Programi vijoi me këngë dhe recitime nga nxënësit e shkollës shqipe, të cilat u përcollën si dhuratë simbolike për Presidenten. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësues të shtetit të Pensilvanisë dhe të Këshillit Bashkiak të qytetit të Filadelfias: Senator Joe Picozzi, State Representative Pat Gallagher, Councilman Michael Driscoll, dhe Drejtori Ekzekutiv i Zyrës për Çështjet e Emigrantëve, z. Charles Elison. Në fjalën e tij, z. Elison theksoi rëndësinë e komunitetit shqiptar për zhvillimin e qytetit dhe shtoi se kishte pasur rastin të shërbente më parë në Kosovë, duke ruajtur kujtime dhe lidhje të veçanta me vendin tonë. Nga komuniteti shqiptar, përshëndetën edhe Dr. Sadik Elshani dhe z. Leo Osmanollaj, të cilët shprehën mirënjohje për praninë e Presidentes dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj diasporës.
Në fund të vizitës, Presidentja Osmani u njoh nga afër me ambientet e Shtëpisë së Shqiptarit dhe punën këmbëngulëse për rikonstruksionin e saj, një ndërtesë që sot përfaqëson zemrën e komunitetit shqiptar në Filadelfia. Si shenjë simbolike, ajo u dhuroi nxënësve të shkollës sonë Abetare, ndërsa mësueseve të shkollës “Gjuha Jonë” u dhuroi varëse që simbolizojnë historinë dhe forcën e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Presidentja u përcoll me respekt dhe mirënjohje nga të gjithë të pranishmit. Kjo vizitë do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe historinë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, jo vetëm si vizita e përfaqësueses më të lartë të Republikës së Kosovës, por si momenti kur një grua me zemër të madhe, plot thjeshtësi dhe bujari, i dha frymëzim komunitetit tonë.
Faleminderit, zonja Presidente, për nderin dhe frymëzimin që na dhatë!
Aferdita Muzhaqi
Mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”
by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/
Shkeljet brutale të sovranitetit ajror të Polonise dhe Estonisë nga dronët dhe avionët luftarak Rus “ndezën alarmin e kuq” në USA/NATO, UN, BE, në media dhe opinion publik: “pragu i një lufte botërore”, deri te nxjerrja tërësisht nga konteksti i shqetësimit strategjik të *Gjeneralit të mirënjohur britanik, Sir. Richard Shirreff, ish-Zv.Komandant i NATO-s: “Rusia mund ta gjunjëzojë për 100 orë, ose 5 ditë Europën”, etj.
Si në çdo zhvillim me impakte kombëtare, edhe këto 2 raste i kam ndjekur me vëmëndje të shtuar si dhe jam konsultuar me kolegë në Washington, Bruksel, Londër, Berlin, etj. Në pamundësi t’i përgjigjem interesimit të mediave brenda dhe jashtë vendit, në vijim po gjeni një përmbledhje me vlerësime dhe mesazhe strategjike, pse jo edhe optimiste: “pse Rusia- Putiniste, ose Ariu rraskapitur (në prag të ngordhjes) ka zero mundësi të përballet me fuqinë e pakonkurueshme luftarake të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO)”:
Çfarë ka ndodhur më konkretisht ?
Në datën 10 shtator: “një dyzinë dronësh luftarak Rus”, shkelën brutalisht sovranitetin ajror të Polonisë. Pjesa më e madhe u shkatërruan nga forca ajrore e Polonisë dhe Aleancës (F-35 Finlanez), duke shënuar rastin e parë që Polonia/NATO hapin zjarr ndaj makinerisë ushtarake të Rusisë.
19 Shtator 2025, tre avionë luftarakë të gjeneratës së fundit (Mig-31) depêrtuan për 12 minuta në hapësirën ajrore të Estonisë. Edhe në këtë rast, fuqia ajrore e NATO-s (F-35, Italianë, Finlandezë dhe Suedezë) reaguan mënyrë shëmbullore duke e rivendosur në kohë rekord sovranitetin ajror të Estonisë. Me duhet të qartësoj se “në ngjashmëri edhe vendin tonë”, Estonia nuk zotëron kapacitete ajrore. Si e tillë misioni i Policimit (mbrojtjes së sovranitetit) Ajror ushtrohet nga fuqia ajrore e NATO-s e drejtuar nga Italia.
Si dëshmitar në prezantimet e pêrjavshme të Komandës Supreme (2008-2013), përmend se ka pasur me qindra raste, që avionë Rus kanë shkelur hapësirat ajrore të vendeve të NATO-s por që, në asnjë rast nuk janë qëlluar. Në memorjen time, ka një rast, por që nuk ka asnjë lidhje me NATO-n (Nëndor 2015) kur Mbrojtja Ajrore e Turqisë në ushtrimin e përgjegjësisë sovrane, rrezoi një avjon luftarak Rus në hapësirën e Saj Ajrore/kufi me Sirinë. Ndërsa të dy rastet në fjalë janë në rrethana tërësisht të tjera, pasi “prej 43 muajsh Rusia-Putiniste është në luftë jo vetëm me Ukrainën, por edhe me rendin global, vlerat perëndimore, interesat dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)”.
Prandaj bazuar në Nenin 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Polonia dhe Estonia, kërkuan konsultime emergjente me 32 anëtarët. Ndryshe nga neni 5, neni 4 nuk parashikon kundërpërgjigje të menjëhershme. Gjithësesi neni 4, është masa/paralajmërimi i fundit diplomatik, përpara se NATO të aplikojë nenin 5, ose kundërpërgjigje ushtarake shpaguese.
Qëndrimet dhe reagimet në të dy rastet:
Kremlini i mohoi shkeljet, duke u justifikuar se “avionët fluturuan mbi hapësirat neutrale”, ndërsa nën oshilacionet neo-Staliniste j’u kundërpërgjigj Presidentit Trump: “Rusia është Ari, jo tigër prej letre”!
Këshilli i Sigurimit i OKB, zhvilloi takim urgjent në përgjigje të shkeljes së sovranitetit ajror të NATO-s, ku Ambasadori, Mike Waltz, konfirmoi se: “USA dhe aleatët janë të vendosur të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”. Këtë, përsëriti edhe Sekretari i NATO-s Mark Rutte.
Presidenti Trump edhe nga OKB, reagoi më ashpër: “mos të tolerohen raste të tilla, pasi artikulli 5 i jep legjitimitet NATO-s të asgjësojë shkelësit e sovranitetit”. Ndërsa Komandanti Suprem i NATO-s, Gjenerali Grynkewich, të 2 operacionet i cilësoi “shumë të suksesshëm”. Ministri i Mbrojtjes së UK, Healey, referuar 2 rasteve shtoi se: “Rusia po ekspozon një nivel të ri të armiqësisë”. Më tej, ashtu si Presidenti Trump, siguroi se “UK do të kontribuojnë për të forcuar mbrojtjen ajrore në Poloni si dhe 3 vendet baltike”.
Po ashtu, për shkak të agresionit neo-nazist ndaj Ukrainës (shkurt 2022) Rusia-Putiniste gjendet sot më e izoluar se asnjëherë në historinë e saj. Pra për shkak të kësaj lufte rrezikon përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit (fjalimi mënçur i Presidentit Finlandez Stubb në OKB); nga Gjykata Ndërkombëtare është lëshuar “urdhër arresti si kriminel lufte” ndaj Putinit dhe për listën e Gjeneralëve dhe oborrtarëve zullumqarë rreth tij.
Vlerësime dhe mesazhe përmbledhëse:
Përtej ulërimave si të Ariut të rraskapitur: “Rusia – Putiniste e ka tërësisht të pamundur të ndërmarrë një përleshje ushtarake me Aleancën Euroatlantike (qoftë edhe me Poloninë stoike më vete)!
Për ta argumentuar këtë, sjellim ftohtësisht në vemendje faktin që: “mbas 43 muaj lufte të përgjakshme, Rusia ka pushtuar më pak se 20% të Ukrainës, ka humbur në fushëbetejë mbi 1 milion ushtarë, si dhe ka shpenzuar 12 trilion €”. Pra, pas 43 muaj luftimesh, makineria kriminale e Putinit nuk e ka pushtuar as me tanke, as me raketa, as dronë Ukrainën, por si terroristët e Hamasit po zvarritet në tunelet e Zaporizhias, Oblasteve, etj, duke humbur jo vetëm iniciativën strategjike të Luftës me Ukrainën por edhe betejën me rendin e sigurisë globale dhe fuqinë ushtarake të aleancës trans-atlantike (US/UK/NATO/BE)”.
Mëndjet e sëmura nga lavdia e ushtrisë së kuqe jo vetëm në Mosk, Beograd, etj mund të na kujtojnë që edhe “në grahamat e fundit të perandorisë post-staliniste/BRSS”, Kremlini dërgoi një detashment të motorrizuar në Aeroportin e Prishtinës, për t‘i dhënë një mesazh fitimtarëve të luftës, pra USA/NATO: “Ariu polar ende nuk ka ngordhur”. Po me të drejtë edhe mund të kujtojnë që në Qershor 1999, pra vetëm 2 muaj para se Putini të pushtonte si Car i Ri Kremlinin (Gusht 1999). Vendimarrësit politikë në Bruksel/NATO, përkundër Gjeneralëve të kohës, e cilësuan si një “gabim të arsyetuar që lejuan këtë demonstrim të Rusisë në Prishtinë” por në fakt rezultoi një “tolerim i padobishëm” për stabilitetin si dhe të ardhmen Euro-Atalantike të rajonit. Historia i’u dha të drejtë *Gjeneralëve, por ky është diskutim: “pas pilafit ….”!
E thënë shkurt, përfshirja në luftë me Aleancën më të fuqishme të historisë së njerëzimit (për më tepër me Presidentin Trump), do të ishte vetëm një aventurë vetëvrasëse për Rusinë – Putiniste. Ndërsa edhe reagimet në të 2 rastet e sipërpërmendura, demonstruan se çdo sulm ushtarak ndaj çdo nga 32 vendet e NATO-s do të ndëshkohet në mënyrë shembullore nga fuqia e pakonkurueshme ushtarake e USA/Aleancës.
Në përmbyllje, mbetem edhe më besimplotë se: “vetëm falë fuqisë ushtarake të pathyeshme, të pakonkurueshme dhe vdekjeprurëse të ShBA/NATO si dhe Leadershipit të fortë të Trump, as Bota as NATO, as Ballkani Perëndimor, etj nuk do të rrokulliset në fatalitetin e Luftës së 3-të Botërore”. Në të kundërt, jo Lufta por: “paqja, rendi global i sigurisë, vlerat e qytetërimit dhe demokracia do të triumfojnë mbi neo-stalinistët, neo-Millosheviçët, shtetet dhe organizatat terroriste”!
Ndërsa konsideuar sa sipërpërmendur, në kapacitetin e një *Eksperti (gjithësesi, besoj jo të pa-njohur), do ti këshilloja vllazërisht dhe përgjegjshmërisht faktorët e Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që në rrethanat e një Rendi të Ri Global që po lind/vjen: “mbrojtjen e kufijve të dy shteteve sovrane (por një komb i vetëm) si dhe zhvillimi i interesave gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe, Shqipëria dhe Kosova, do mundet t’i realizojmë vetëm duke skalitur mirënjohjen kombëtare si dhe forcuar më tej dialogun dhe bashkëpunimin strategjik me USA/NATO/BE”.
Ndërsa kolapsin ekonomik dhe izolimin ndërkombëtar, që e pret Rusinë – Putiniste mbas humbjes turpëruese të luftës në Ukrainë, e çmoj jo vetëm si një rrethanë e favorshme gjeopolitike por edhe një mision dhe sfidë kombëtare për faktorizimin e RSh/Kosovës në tavolinat e vendimarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/BE/UN).
Autori: *Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Ekspert për çështjet e Sigurisë Kombëtare,
Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.
Shënin shtesë: *Gjenerali britanik Sir Richard Shirreff, ish-Zëvëndës Komandant Suprem i NATO-s; Komandant i Kontingjentit I-rë të UK në Prishtinë (06/1999); admirues i Presidentit Rugova dhe historisë së Shqiptarëve, si dhe miku im, me/për të cilin kam (bashkë) punuar për Themelimin e Përfaqësisë së RSh në SHAPE/NATO (2009-2012)”!
by s p


-Nga protesta studentore e 1 Tetorit 1997 nga Prishtina në Tiranë raportoja për ndërhyrjen e egër të forcave serbe kundër mëse 30,000 studentëve shqiptarë, se “për në Velani janë drejtuar dhe tanket”. Theksoja përkrahjen e gjithë popullit për protestën: “Në tërë qytetin e Prishtinës, ku kanë dalë mbi 100,000 qytetarë, përkundër shtetrrethimit policor, mbretëron një atmosferë tepër e rëndë dhe e jashtëzakonshme”/
-“Në Prishtinë dhe në 6 qytete të Kosovës Protestat paqësore u përballën me brutalitetin policor”, shkruante në mbititull e kryetitull në ballinë gazeta e rezistncës “Bujku”, e cila në një nga nëntitujt theksonte se, “Nuk ka njoftime për të vrarë, por ka të plagosur e të arrestuar”/
-Nga raportimet e mia të 30 Shtatorit e 1 Tetorit 1997: Protestat paqesore te studenteve per lirimin e objekteve te pushtuara shkollore e universitare do te fillojne me 1 tetor, beri te ditur njeri nga udheheqesit e Unionit te Pavarur te Studenteve, Albin Kurti\
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 1 Tetor 2025/ Në Kosovë përkujtohet e vlerësohet protesta e fuqishme e studentëve dhe profesorëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, e para 28 viteve, 1 Tetorit 1997, në mbrojtje të arsimit shqip, për lirimin e Universitetit e shkollave të okupuara e të mbyllura nga regjimi i dhunës serbe që nga viti 1991.
Të mbështetur edhe me pjesëmarrje në protesta nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, drejtues të Lëvizjes Studentore në Kosovë në atë kohë ishin Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti, Driton Lajçi, Ernest Luma e të tjerë.
Para 28 viteve gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë i bënte jehonë e përkrahje të madhe protestës. “Në Prishtinë dhe në 6 qytete të Kosovës Protestat paqësore u përballën me brutalitetin policor”, shkruante në mbititull e kryetitull në ballinë gazeta e rezistncës “Bujku”, e cila në një nga nëntitujt theksonte se, “Nuk ka njoftime për të vrarë, por ka të plagosur e të arrestuar”.
Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Në Prishtinë dje protestuan paqësisht mbi 30.000 studentë, profesorë e intelektualë të tjerë, e mbi 100.000 qytetarë shqiptarë dolën në rrugë e sheshe për përkrahje e solidarizim, përkundër shtetrrethimit policor serb”.
Gazeta raportonte se Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dënoi ashpër brutalitetin policor mbi protestuesit, se Qeveria shqiptare dënon dhunën që ushtron Beogradi mbi shqiptarët, se Ambasada e SHBA-ve është e brengosur për situatën e krijuar…
“Pas ndërhyrjes së policisë serbe kundër studentëve shqiptarë në Kosovë Kongresisti Amerikan Eliot Engëll kërkon që SHBA-të të dënojnë energjikisht Serbinë – Komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë duarkryq për të lejuar që protestat paqësore të shtypen me dhunë”, theksonte gazeta në mbititullin, titullin e nëntitullin e një prej shkrimeve në shumë faqe.
Nga protesta e nisur në Lagjen Velania e shtëpive të shqiptarëve të shndërruara në universitet, pikërisht para 28 viteve, drejtpërdrejtë nga protesta, raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) se “në Prishtinë ka shumë studentë të plagosur pas ndërhyrjes së policisë serbe”, se “janë rrahur edhe shumë vajza – studente të Fakultetit të Mjekësisë sepse donin të ndihmonin studentët e lënduar” dhe theksoja përkrahjen e gjithë popullit për protestën. “Në tërë qytetin e Prishtinës, ku kanë dalë mbi 100,000 qytetarë, përkundër shtetrrethimit policor, mbretëron një atmosferë tepër e rëndë dhe e jashtëzakonshme”, dëshmoja si korrespondent i ATSH-së nga Prishtina përmes telefoninit në 1 Tetor 1997.
Raportimin e bëja edhe nga ambientet e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës në lagjen Velania, ku ishte vendosur në një shtëpi private pas dëbimit të dhunshëm e të përgjakshëm të shqiptarëve të Kosovës nga objektet shkollore e universitare.
“Forcat policore kanë bllokuar edhe ndërtesën e rektoratit. Në rektorat janë strehuar shumë studentë të lënduar, ndërsa brenda hyn edhe tymi i gazit lotsjellës”, raportoja nga vendngjarja, ndërsa që në njoftimet e para për ndërhyrjen e egër të forcave serbe kundër mëse 30,000 studentëve shqiptarë protestues bëja të ditur se “për në Velani janë drejtuar dhe tanket”.
Në raportim theksohej edhe se “‘Policët e
egërsuar po shqyejnë nëpër sheshe e rrugë pankartat e studentëve
protestues. Në tërë qytetin e Prishtinës, ku kanë dalë mbi 100
000 qytetarë, perkunder shtetrrethimit policor, mbretëron një
atmosferë tepër e rënde dhe e jashtëzakonshme’,-deshmon
korrespondenti i ATSH-se nga Prishtina”.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968-tën. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
Gazeta e rezistencës “Bujku”, që ishte e vetmja në gjuhën shqipe në Kosovë në atë kohë, kryeredaktor-themelues i së cilës isha, që sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradicionale Rilindja, para 34 viteve – në 3 Shtator 1991 shkruante në titujt e ballinës: “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë – Fillimi i vitit shkollor shtyhet deri më 1 Tetor – Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”. Në numrin pasues shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 Shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”…
Gazeta nuk u ndal edhe kur u ndalua, vijoi të dalë duke qenë pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm perëndimor euroatlantik…
As nga fillimi i Tetorit e as muajëve e viteve në vijim pushteti okupues i Serbisë nuk hapi dyert e shkollave e të Universitetit të Kosovës për shqiptarët…
Gazeta “Bujku” e 3 Tetorit 1991 në ballinë kishte kryetitullin “Shkollat janë tonat, ato nuk i japim”, ndërsa mbititullin “Në tërë Kosovën protestë e qetë e nxënëseve, studentëve, arsimtarëve dhe prindëve shqiptarë”. Një nga titujt tjerë ishte: “U arrestuan dhe u maltretuan shumë pjesëmarrës të protestës së qetë”.
Nga protestat kudo në Kosovë kundër mbylljes së shkollave shqipe botoheshin edhe fofografi me raportimet në ballinë e në faqet vijuese të gazetës “Bujku”…
Titujt e gazetës si dëshmi i lexoj edhe në një film dokumentar nga greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë, të nisur nga simboli i rezistencës Adem Demaçi, në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, të zhvilluar nga 24 Maji deri në 3 Qershor të vitit 1993.
Trokëllima e telexit, të lidhjes së vetme të mundëshme nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, të raportimeve që bëja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, duke nisur nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, hapë filmin dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe. Flas në dokumentar: “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”
Në atë mbrëmje të 31 Majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po vijonte të bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim…
***
“NA E MORËN SHKOLLËN…”
Para 34 viteve, në 2 Tetor 1991, kam shkruar këtë skicë me titull “Na e morën shkollën…”, botuar të nesërmen – në 3 Tetor 1991 në gazetën e rezistencës “Bujku”:
Dy tetor ’91, ora tetë e tridhjetë e pesë, gjashtë, shtatë…minuta. Përjashta shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në rrugë, shumë fëmijë – nxënës, edhe arsimtarë e prindër të fëmijëve shqiptarë. Te dyert e shkollës – policia.
Brenda në shkollë, nga dritaret e mëdha, shihen klasët e zbrazëta, edhe klasë ku mësim ka vetëm – serbisht.
Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nuk u lejohet të hyjnë në shkollë. Në sytë e fëmijëve lotët: “Na e morën edhe shkollën…”
Fëmijët serbë e malazez nga dritaret e shkollës i gërgasin fëmijët shqiptarë, ua ngrenë tre gishtërinj, i shajnë…(O zot, a edhe fëmijët i mbushën mizori, si mundet i madhi t’ia jepë të voglit atë mësim të keq?!)
Fëmijët shqiptarë as që shikojnë andej. I shikojnë punët e veta dhe protestojnë qetë, me urti. Nuk ua tremb qetësinë as aeroplani ushtarak plot zhurmë që fluturon mbi qytet, mbi kokat e tyre. Duket se asgjë më nuk u bën përshtypje, nuk i tremb, as ai “zog frikësimi” në hava.
Qëndrojnë, protestojnë, nuk pajtohen kurrësesi t’ua marrin shkollën.
Shkollën me emrin e bukur të tribunit Hasan Prishtina. Ai ua mëson nga përjetësia e librat edhe këtë trimëri të urtisë…