• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Besa Tafilaj Pinchotti në listën prestigjioze “The Mighty 25”, Zëri i fuqishëm i familjeve ushtarake amerikane

September 28, 2025 by s p

Nga Adem Lushaj/

Në mesin e emrave të shquar që formësojnë të ardhmen e komunitetit ushtarak dhe atij të veteranëve në Shtetet e Bashkuara, këtë vit është renditur edhe një shqiptare me rrënjë të thella në Kosovë – Besa Tafilaj Pinchotti. Në Konferencën e Influencuesve Ushtarakë (MIC), të mbajtur në Atlanta, Georgia, ajo u nderua si pjesë e klasës 2025 të listës vjetore “The Mighty 25” – një përzgjedhje që nderon liderët të cilët, me vizionin, guximin dhe ndikimin e tyre, i japin formë një komuniteti që ka dhënë aq shumë për lirinë dhe paqen botërore.

Ky nderim e vendos emrin e saj përkrah personaliteteve të shquara si senatorja Elizabeth Dole, ish-presidenti George W. Bush dhe Princi Harry – një dëshmi e peshës që zëri dhe puna e saj kanë sot në mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së familjeve ushtarake.

Historia e Besës është e mbushur me sakrifica dhe frymëzim. Ajo lindi e u rrit në një familje shqiptare dhe patriotike nga Kosova, ku lufta mori jetë njerëzish të dashur dhe detyroi shumë të tjerë të linin shtëpitë. Frymëzimin dhe ndjenjat e para të patriotizmit për popullin amerikan dhe atë shqiptar – veçanërisht për Kosovën – ajo i mori nga babai i saj, z. Ramiz Tafilaj. Në ato vite të errëta për Kosovën, ndërhyrja e forcave amerikane jo vetëm që solli shpresë për popullin shqiptar, por ndezi në zemrën e saj një respekt të thellë për ushtarakët që shërbenin larg shtëpisë.

Më vonë, si gazetare televizive, ajo raportoi nga kampi amerikan Bondsteel në Kosovë. Aty, për herë të parë, u përball me historitë njerëzore të ushtarakëve. “Ata nuk donin të flisnin për misionin,” kujton ajo me emocion. “Ata flisnin për ditëlindjet e humbura, për garat sportive të fëmijëve që nuk mund t’i ndiqnin. Atëherë kuptova – historia e vërtetë ishin familjet.”

Ky moment u bë busull për jetën e saj. Pas martesës me një marins amerikan dhe përjetimit të drejtpërdrejtë të sfidave të jetës ushtarake, ajo la pas karrierën në sektorin korporativ për t’iu përkushtuar misionit të madh: mbrojtjes dhe fuqizimit të familjeve ushtarake përmes Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake (NMFA).

Që prej vitit 2013, kur Besa iu bashkua NMFA-së, dhe veçanërisht që nga viti 2021 kur mori drejtimin ekzekutiv, ajo ka transformuar këtë organizatë me traditë 55-vjeçare. Ajo ka zgjeruar programet për fëmijët dhe adoleshentët, ka investuar miliona dollarë në bursa për bashkëshortët e ushtarakëve dhe ka ngritur në nivel kombëtar debatin për cilësinë e jetës së këtyre familjeve.

Vetëm disa nga arritjet e saj përfshijnë:

• Zgjerimin e kampeve “Operation Purple” dhe përfshirjen e programit Bloom: Empowering the Military Teen, duke krijuar hapësira të sigurta dhe edukative për fëmijët e ushtarakëve.

• Dhënien e mbi 10 milionë dollarëve në bursa për bashkëshortët e ushtarakëve që ndjekin rrugën e arsimit dhe karrierës.

• Angazhimin e saj si dëshmitare dhe këshilltare pranë politikëbërësve, duke trajtuar tema jetike si kujdesi për fëmijët, shëndetësia dhe mbështetja psiko-sociale.

Besën tashmë e njeh i gjithë kombi amerikan, por edhe shqiptarët anembanë. Ajo ka qenë e pranishme në platformat më të mëdha mediatike si CNN, CBS, NBC, NPR dhe Military Times. Në vitin 2022, ajo iu drejtua audiencës së zgjedhur të First Lady’s Luncheon, krijoi një partneritet me Congressional Club dhe u nderua në nivel ndërkombëtar për avokimin e saj.

Me pasionin për të ngritur lart zërat e familjeve, bashkëshortëve dhe fëmijëve të ushtarakëve, Besa kthen përvojën e jetuar nga lufta në Kosovë në zgjidhje konkrete. Ajo është po aq e fuqishme duke dëshmuar në Kongres, sa edhe kur ulet pranë një nëne ushtarake në kampet verore të NMFA-së. Për të, çdo histori individuale është një gur i çmuar në ndërtimin e një vizioni të madh.

Përfshirja e Besës në listën prestigjioze “The Mighty 25” nuk është vetëm një nder personal. Ajo është një kujtesë e fuqishme për sakrificat e shumta e shpesh të padukshme të familjeve ushtarake. Është një homazh për nënat që rrisin fëmijët vetëm, për bashkëshortët që sakrifikojnë karrierat, për fëmijët që rriten me mungesën e një prindi.

Për komunitetin shqiptar në SHBA dhe Kosovë, ky vlerësim është gjithashtu një krenari e madhe kombëtare. Ai tregon se bijat dhe bijtë e kësaj toke, edhe pse larg atdheut, po lënë gjurmë të thella në shoqërinë amerikane dhe botërore.

Besa Tafilaj Pinchotti është më shumë se një emër në një listë. Ajo është një shembull se si dhimbja mund të kthehet në forcë, si kujtesa mund të bëhet vizion dhe si një zë i vetëm mund të ngrejë në këmbë mijëra të tjerë.

Filed Under: Opinion

SHQIPTARËT E AMERIKËS NDERUAN VEPRËN E JOE DIOGUARDIT E SHIRLEY CLOYES DIOGUARDIT NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES SHQIPTARE NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

September 28, 2025 by s p

Sokol Paja/

Yonkers, New York, 27 Shtator 2025 – Shqiptarët e Amerikës të kryesuar nga Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane në bashkëpunim dhe mbështetje nga organizat e shoqatat shqiptare në Amerikë nderuan në një ceremoni festive ekskluzive kontributin e Joe Dioguardit e Shirley Dioguardit në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane Joseph J. DioGuardi ka punuar intensivisht për çështjen kombëtare shqiptare në Uashington që nga viti 1989, shoqëruar ngushtë nga Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit. Në përkujdesin e veçantë të Agim Aliçkajt, Behlul Gashit, Ismer Mjekut dhe ekipit mbështetës, nderimi për ikonat e kauzës shqiptare erdhi në festën e ditëlindjes së tyre të 75-të e 85-të, mes shqiptarëve, popullit që mbrojtën me çdo kusht interesat dhe lirinë e tyre. Pas këndimit nga Merita Halili të hymneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë e Kosovës, u shfaq për të pranishmit dokumentari “Një jetë kushtuar lirisë” në nderim të historisë dhe veprimtarisë së Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane. Dokumentari kishte në qendër veprimtarinë e Joe e Shirley Dioguardit në institucionet amerikane në shërbim të çështjes shqiptare, ku në qendër ishin përpjekjet për lirinë e Kosovës përballë regjimit gjenocidal të Millosheviçit.

z.Agim Aliçkaj në fjalën e tij veçoi kontributin e ikonave kombëtare Dioguardi në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e trojet etnike.

Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti në fjalën e tij vlerësoi punën, përkushtimin, vizionin, lidershipin dhe përpjekjet e Dioguardëve për të sjellë zërin shqiptar në institucionet amerikane. Ai veçoi kontributin e Joe e Shirley Dioguardit në lobimin e tyre pranë Presidentit Klinton e Bush për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Kurti përkujtoi me nderim të veçantë vëllezërit: Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi e Batalionin “Atlantiku”. “Ju do jeni përherë pjesë e historisë dhe të ardhmes sonë” tha kryeministri Kurti teksa i dhuroi Joe Dioguardit një helmetë ilire punuar në filigram dhe librin për Skënderbeun, ndërsa Shirley Dioguardit një punim në filigram të gastronomisë punuar prej mjeshtrëve të Kosovës.

Shirley Dioguardi në fjalën e saj vlerësoi dhe falënderoi punën e bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane në mbështetje të kauzës shqiptare. Joe Dioguardi në fjalën e tij prezantoi librin kushtuar veprimtarisë së shkëlqyer të Ligës Qytetare Shqiptaro- Amerikane në shërbim të çështjes shqiptare. Z.Christopher Hyland në fjalën e tij vlerësoi punën e Dioguardëve në Senatin e Kongresin Amerikan për të çuar përpara çështjen e Kosovës. Z.Edward Cox në fjalën e tij theksoi dedikimin, integritetin e pasionin me të cilin e ka shoqëruar gjithmonë kampionin Dioguardi në arritjet e tij për kauzën e lirisë së Kosovës. Fjalime emocionuese mbajtën në takim z.Vedat Gashi, z.David Tubiolo e Diamant Hysenaj në vlerësim të figurës së çmuar të Joe Dioguardit e Shirley Dioguardit.

Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha i emocionuar në fjalën e tij propozoi që emrat e

Joe and Shirley Dioguardi të ndryshohen në “Kosova” dhe “Shqipëria” në nderim e vlerësim të punës së shkëlqyer për çështjen kombëtare shqiptare, Shqipërinë e Kosovën në veçanti. Dr. Berisha i quajti Dioguardët patriotë të shkëlqyer dhe qënie njerëzore të mrekullueshme që punuan mbi 36 vjet për çështjen kombëtare. Dr. Berisha falënderoi përzemërsisht kryeministrin Albin Kurti që u bë pjesë e nderimit për të festuar ditëlindjen e kontributorëve e miqve të shkëlqyer të kombit shqiptar. Në fund të takimit folën dhe përfaqësues nga Shoqata “Mërgata Shqiptare”, Marko Kepi nga “Rrënjët Shqiptare” dhe “Komuniteti Shqiptar i Teksasit” të cilët vlerësuan dhe çmuan punën atdhetare të Dioguardëve.

Një festë e shkëlqyer nderimi e mirënjohjeje nga shqiptarët e Amerikës për Joe Dioguardin e Shirley Dioguardin, dy emra të ndritur të historisë kombëtare në shërbim të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike

Presidentit i Republikës Së Shqipërisë Z. Bajram Begaj Vizitoi Shkollën Shqipe “Alba Life” Në Bronx

September 28, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Dita e shtunë e Nju Jorkut që ishte si një ditë pranverore dhe në harmoni magjike me Misionin e shenjtë shqip, jo vetëm që ishte një ditë mësimi, por u konceptua dhe si një ditë e bukur feste në respekt të vizitës së Presidentit të Shqipërisë z. Begaj. Gjithë stafi i Shkollës së mesme publike amerikane Christopher Columbus e cila ndodhet në Pelham Parkway, me një dashamirësi të tejskajshme duke filluar nga policia, sigurimi, punëtorët e shërbimit, teknikët ishin në dispozicion të Alba Life për të pasur një aktivitet sa më komod, sa më mbresëlënës. Mirënjohje pafund drejtoreshës së kësaj shkolle, zonjës së madhe të arsimit amerikan, znj. Julia Neriman që e falënderoj publikisht.

Zoti Bajram Begaj u mirëprit në librarinë e shkollës në mjediset e mrekullueshme pranë librit, pranë vatrës së dijes me duartrokitje të ngrohta nga nxënësit, prindërit, mësuesit dhe gjithë të pranishmit në Bronx në shkollën publike amerikane Christopher Colombus. Presidenti Bajram Begaj ishte i shoqëruar nga zonja e parë Armanda Begaj, shtoj këtu një kontribuese në arsimin shqiptar, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington DC z.Ervin Bushati dhe Ambasadore Dr. Suela Janina Përfaqësuesja e Përhershme e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Shkëlqesia e tij Bajram Begaj u mirëprit nga z. Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” si dhe gjithë mësueset zonja të nderuara të Alba Life. Dy buqeta me trëndafila të kuq u dhuruan nga nxënësit e shkëlqyer Lorena Përgjegjaj dhe Glauk Ujkaj, Zonjës së parë të Shqipërisë Armanda Begaj dhe Ambasadores Janina.

Ishte kënaqësi që sot midis nesh të kishim kreun më të lartë të shtetit shqiptar i cili erdhi dhe nderoi Shkollën Shqipe “Alba Life” në Bronx, një nga degët e rrjetit më të madh në Diasporë të Alba Life. 7 Shkollat e saj të ngritura në gjithë Nju Jorkun deri në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, peshojnë sa 7 kala. 19 vjet mësim shqip pa u ndalur qoftë dhe një sekondë nga programi ynë, 19 vjet shqip, mund, djersë, beteja dhe të gjitha këto janë kthyer në pika floriri si shkronjat e arta të Gjuhës sonë.

Falënderimet e prinderve tejet të kënaqur nga se shkollat do t’i bëjnë të jenë të zënë me punë kualitative se sa të qorrojnë sytë pranë I-padit, lojnave shpesh të cmendura bëhen frymëzim për të gjithë ne. Është gjuha e nënës sime më tha një nxënës gjatë bisedave të shkurtra para mësimit, i cili më preku thellë dhe më kujtoi prozatorin e shquar Mitrush Kuteli qe thotë:

Të falem ty, o Gjuhë, hoj,

ty, zëth i nënës, qetësi,

ty, këngë e foshnjës, kaltërsi,

ty, afshi i zemrës, dashuri,

gjithmonë e ëmbël,

…mjaltë zgjoi.

Ky program serioz, skrupuloz dhe professional nuk do të kishte sukses pa mësueset e talentuara si Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Bajcinca Gashi, Rozeta Hyseni, Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Albana Lazëri, Vjollca Skënderi, Era Shkëmbi, Edvina Belishta, Gresila Basha e shumë të tjera para tyre si Davida Hasanaj më parë, por që sot ndodhej midis nesh, por po përmend vetëm vitin akademik 2024-2025 që kaloi. Alba life është shumë e suksesshme dhe në programin e gjuhës shqipe të caktuar nga shteti i Nju Jorkut që në se nxënësit kalojnë testin ju njihen 12 kredite kolegji, pra kalojnë një semestër dhe ndërkohë kursejnë dhe dollarin. Konkretisht kemi ish nxënësin Oresti Salillari që ka ardhur qysh fëmijë, i pari nxënës i Alba Life 20 vjet më parë dhe sot është student në Baruk College në Manhattan, kemi nxënësen Sarah Bandilli midis nesh që kaloi testin ish asistente njëkohësisht në Brooklyn dhe sot ka filluar

Yale University një nga universitetet më të mira në botë.

Programi filloi me dy himnet kombëtare amerikane dhe shqiptare udhëhequr nga artistja e shquar me përmasa botërore ish udhëheqëse e programit artistik të Alba Life Dëshira Ahmeti Kërliu.

Në emër të stafit përshëndeti z. Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollave Shqipe në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.

Ndërmjet të tjerash ai tha se sot është një ditë e veçantë se midis nesh është Presidenti i Shqipërisë z. Bajram Begaj, të cilit në emër të Bordit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit i uroj mirëseardhjen dhe e konsiderojmë një vlerësim që i bëhet punës 19 vjeçare të stafit të Shkollave Shqipe “Alba Life”.

Është shumë e vështirë të përmbledh gjithë punën e përkushtimin e mësueseve gjatë këtyre 19 viteve në pak minuta, për të cilën gjej rastin t’i falënderoj gjithë mësuesit që kanë punuar gjatë këtyre viteve, por dua të theksoj se Shkollat Alba Life kane qenë një burim frymëzimi edhe për shkollat e tjera në mbarë Diasporën.

E theksoj këtë se edhe në kohën e vështirë të pandemisë së Covid 19 nuk e ndalëm mësimin e gjuhës shqipe, por ishim të parët që filluam menjëherë mësimin në Online, falë përvojës të mësimit në Online që kishte Doktore Valbona Zylo Watkins nga dhënia mësim në Online në Universitet edhe para periudhes së pandemisë. U trainuan jo vetëm mësuesit e shkolllës sonë, por edhe Keshillin e Arsimtarëve të Diaspores ku edhe unë bëja pjesë në Kryesinë e keshillit për disa vite. Në vitet e pandemisë Shkollës Alba Life” iu bashkuan edhe Shkollat ne Chicago, Halifaks, Kanada, Suedi e mjaft nxënës e studentë nga Amerika dhe Europa po ashtu.

TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit i prezantojnë Presidentit të Shqipërisë z. Bajram Begaj çmimin e lartë të mirënjohjes si President i parë i Shqipërisë që viziton Shkollën Shqipe “Alba Life” në Bronx, New Jork dhe bëhet frymëzim për të vazhduar më tej këtë Mision Kombëtar.

Presidenti Begaj në fjalën e tij përshëndetëse, elekuente dhe me një qetësi në të shprehur, simbol i unitetit të Kombit, tha: Është kënaqësi të ndodhem midis jush në këtë vatër të kulturuar të rrjetit të madh të shkollave “Alba Life” që është një histori suksesi. Alba Life është dëshmi e kulturës amtare për Shqipërinë dhe ka qenë dritare e hapur për fëmijët e Diasporës për të rritur krenarinë dhe kulturën edhe në ditë më të vështira të pandemisë, ku tregon qartazi se nuk u ndalën kurrë nga vështiresitë. Kam falënderim të veçantë për të gjithë mësuesit që punojnë me durim dhe profesionalizëm. Përkushtimi i familjes Zylo është një shembull frymëzues për të gjithë ne dhe ju përgëzoj për atdhetarizmin tuaj të dashur duke sjellë fëmijët që të mesojnë shqip, ADN-ja e kombit shqiptar. Alba Life e ka marr titullin Ambasador i Kombit, por ju meritoni më shumë me punën e madhe që keni bërë dhe po e vazhdoni pa u ndalur. Gjuha Shqipe është lidhja jonë me të kaluarën, jane rrënjët e identitetit shqiptar. Ju e keni në zemër shqiptarinë ruajeni atë se do t’ju bëj më të fortë dhe më të pasur shpirtërisht. Ju falënderoj për mikpritjen tuaj dhe ju siguroj se Shqipëria është krenare me ju.

Une dua ta mbyll me një shprehje të huazuar:

Shqip do flas dhe shqip do shkruaj/ Edhe pse jam në dhe të huaj/ Gjuhë të nënës shqipen kam/ jam krenar që shqiptar jam.

Proklamatë mirënjohjeje iu dha Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj nga Ansambleisti i Parlamentit të Nju Jorkut z. John Zaccaro, nje mik i madh i Alba Life dhe i gjithë shqiptarëve. Vlerësimi i lartë u mirëprit me duartrokitje të stuhishme nga të pranishmit.

Me nderime dhe respekt përshëndeti zonja Alina Dowe, MBA nga zyra e Kryetaritt të Bashkisë z. Erik Adams i cili në pamundësi për të ardhur kishte autorizuar zonjën Dowe drejtore e sektorit të çështjeve të komunitetit të qytetit të Bronx-it.

Artistja e shquar me zë brilalnt Valbona Peraj udhëheqëse e programit artistik interpretoi bashkë me nxënësit këngët aq të dashura si “Xhamadani vija vija”, Kënga e Alfabetit Shqip me tekst të Parashqevi Qiriazit dhe Gjuha Shqipe Gjuha Jonë, Hymni i Shkollave Shqipe Alba Life të përgatitura me kujdes nga mësueset Helena dhe Erinda.

Vallja e Tropojës u intepretua mjeshtërisht nga nxënësit dhe tërhoqën vëmendjen e publikut të gjerë me duartrokitje. Vallja Çame aq e dashur për të gjithë u interpretua nga nxënësit e Staten Island me mësuesen e tyre profesionale Elonën.

Poezia “Mësueseve të dashura” u interpretua nga Laura Lekaj nxënëse e shkëlqyer në Staten Island dhe sapo ka filluar shkollën e mesme në programin me nxënës me rezultate të larta.

Kënga “Lulja e Dukagjinit” u këndua si një profesioniste nga Eliona Shala, nxënëse e shkëlqyer në Bronx.

Nxënësit, të pranishmit u argëtuan nga Odise Salillari inxhinier audio me DJ.

Filmuan dhe fotografuan aktivitetin Amir dhe Aaron Suka, Shug Dula, Valon Gërbeshi, Dritan Haxhia, Xhevit Picari, Albert Zefi, Nazmi Saliu, Noli Show dhe Mike O director.

Së shpejti kjo ditë historike do të transmetohet në kanalin televiziv 27 në paketën digitale TVALB.

Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

Filed Under: Emigracion

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc organizoi promovimin e librit “Porosia e Kullës” të Dr. Pashko Camaj

September 28, 2025 by s p

Luljeta Xhediku/

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, me datë 27 shtator 2025, organizoi promovimin e librit të Dr. Pashko Camajt, “Porosia e Kullës”, një aktivitet kulturor i dedikuar letërsisë, identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare. “Porosia e Kullës” bëri bashkë anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, e të pasionuar pas letërsisë e leximit që të mblidheshin bashkë në ambientet e librarisë “Cadman Plaza” në Brooklyn. Aktivitetin e deklaroi të hapur znj. Alketa Veshi, sekretare e shoqatës, e cila u shpreh se “dikush e quan kullë si autori ynë, dikush shtëpi, çerdhe apo apartament. E vërteta e përbashkët është se ëndrrat më të bukura ne i shikojmë në këto ambiente që ne lindëm dhe u rritëm. Aty janë fillesat e rrugëtimit tonë të jetës, formësimit të asaj çka ne jemi sot. Autori i librit “Porosia e Kullës”, Dr. Pashko Camaj, sikur na ka lexuar emocionet shpirtërore të gjithsecilit lidhur me këtë temë dhe i ka rreshtuar artistikisht fjalët e zemrës në këtë libër”. Më pas, znj. Alketa Veshi ftoi kryetarin e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z.Imer Laçaj për të mbajtur fjalën e rastit dhe për të prezantuar Dr. Pashko Camaj. Z. Laçaj u shpreh: “Falënderoj të pranishmit për pjesëmarrjen dhe veçanërisht Dr. Pashko Camajn për shkrimin e librit “Porosia e Kullës” që ne kemi nderin edhe ta promovojmë, i cili ka depërtuar fuqishëm jo vetëm në zemrën e mërgimtarëve shqiptarë në SHBA, por edhe në trojet tona etnike. Libri është promovuar në Tuz, Tiranë, Prishtinë, Korçë e në shumë vende të etnisë shqiptare.

Ky libër është shndërruar në një pasqyrë ku secili do gjejë vetveten qoftë si emigrant, qoftë si bir e bijë e atdheut që ka ndier dhimbjen e ndarjes së atdheut nga vendlindja. Në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, secili prej nesh ka kaluar përvojën e mërgimit dhe të shkëputjes së dhimbshme nga Mëmëdheu, pikërisht kjo e bën librin jo thjesht një mendim personal, por një testament kolektiv, një rrëfim ku historia individuale ngjizet me historinë e përbashkët të kombit tonë. Sot, përmes këtij aktiviteti, shoqata shqiptaro amerikane “Skënderbej” jo vetëm që nderon figurën e Dr. Pashko Camajt, por edhe promovon vlerat e librit “Porosia e Kullës” në një formë të re ndryshe nga promovimet e zakonshme”. Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. zgjodhi që promovimin e këtij libri ta bëjë duke e ndarë në kapituj dhe secili anëtar të komentojë nga një kapitull të librit.

Sigurisht që gjithsecili e komentoi rrjedhën e ngjarjeve të para nga këndvështrime të ndryshme, duke u bazuar në pikat më kyçe të rrjedhjes së ngjarjeve dhe duke e krahasuar gjithashtu me përvojën personale në emigrim dhe me librin “Porosia e Kullës”. Diskutimet e komentet përçuan emocione te të gjithë të pranishmit, por veçanërisht te Dr. Camaj, i cili dëgjonte nga përjetime të ndryshme historinë e jetës së tij të përshkruar në romanin e tij autobiografik. Radha e kapitujve nisi me znj. Alketa Veshi, sekretare shoqatës, e cila foli për kapitullin “Ditët e Fëmijërisë”. Arta Xhaferri, anëtare e kryesisë kishte kapitullin “Ditët e lumturisë”, Luljeta Xhediku komentoi mbi kapitullin “Vera e fundit”. Geltjana Bulku analizoi kapitullin “Lot në sytë e babit tim” , Sagita Guçe “Zemra e lënduar e babit tim”. Imer Laçaj, kryetar i shoqatës foli mbi kapitullin “Ditët e ushtrisë” duke qenë se vjen nga fusha e ushtrisë. Violeta Likollari foli për kapitullin largimi nga “Shtëpia ime”. Gjovalin Marku foli për kapitullin “Në zemrën e Amerikës”.

Zonja Hafije Qyqalla foli për kapitullin “Babai im, heroi im”. Hajri Pira komentoi mbi kapitullin “Rrethi i plotësuar”, Tina Kurti, “Fati im”, Robert Dajlani, “Ëndrrat bëhen realitet” dhe Adelina Laçaj u ndal gjerësisht te kapitulli “Kthimi në Kosovë”. Pasi mbaruan komentet dhe analizat nga anëtarët e shoqatës që e shoqëruan sallën me emocione të veçanta, fjalën e mori autori i librit Dr. Pashko Camaj. Dr. Camaj u shpreh “Janë bërë një sërë promovimesh gjithandej, por kjo ka qenë hera e parë që ka qenë krejt ndryshe , ju falënderoj të gjithëve për këto fjalë të bukura që kur i dëgjoj më duket se i dëgjoj për të parën herë edhe emocionohem e më falni se burrat malësorë nuk duhen me qenë të emocionuem. Unë si autor, kurdo që dëgjoj njerëz që flasin me kaq shumë emocione më vjen mirë që ia paskam qëlluar”.

Autori tha se kur e nisi librin nuk e kishte idenë dhe vlerën e librit, por më pas kur e mori shtëpia botuese “Onufri” që përgjithësisht boton autorët e mëdhenj si Kadare u gëzua pa masë dhe gjithashtu i dha dëshirën për të vazhduar me projekte të tjera në të ardhmen. Doktor Camaj tha gjithashtu se: “Ne kullën e marrim me vete kudo që shkojmë dhe ajo kullë është një mesazh për brezat e rinj që ta dinë gjithmonë se kush janë dhe ngado që t’i sjellë jeta e kudo që të shkojnë, gjithsesi, do kenë një dashuri të veçantë për vendin tonë, për tokat atje dhe me këtë mënyrë e realizojmë porosinë e kullës”. Në fund fare, nxënësi i shkollës shqipe “Skënderbej”, Kelvin Rustani, paraqiti në slide show lojërat e fëmijërisë, të cilat përshkruhen në libër, Kelvin tha se i pëlqen shumë Shqipëria dhe e shikon si një vend që zhvillohet çdo ditë e më shumë dhe shpreson se Shqipëria do të bëhet më mirë në të ardhmen.

Aktiviteti u mbyll me mbresa të veçanta, autografe të dhëna plot dashuri e mirënjohje nga autori i librit, si dhe me frymëzim për mbajtjen gjallë të letërsisë e promovimin e autorëve me vlera siç është edhe Dr. Pashko Camaj. Dr. Camaj ka dhënë një kontribut të shquar në komunitetin shqiptaro-amerikan si sekretar i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe falë punës së tij të palodhshme ka marrë edhe titullin Doktor i Shëndetit Publik në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork . Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” i uron shumë suksese Dr. Pashko Camajt në punën dhe jetën e tij!

Filed Under: Vatra

Fjalë, britma dhe monolog…

September 27, 2025 by s p

Artan Nati/

Bibla thotë: “Në fillim ishte Fjala.” Po në versionin shqiptar, kapitulli do të duhej të niste me: “Në fillim ishte Britma.” Sepse përpara fjalës, ne shqiptarët patëm nevojë të bërtasim, për të mbijetuar, për të treguar forcë, për të bindur tjetrin që nuk na dëgjoi kurrë me të mirë. Dhe ja ku jemi sot: britma është bërë melodia jonë kombëtare, ndërsa fjala e qetë, një luks që s’e kemi përvetësuar ende. Në kafene, kush nuk bërtet shihet si i dobët. Në familje, kush nuk tund dorën si flamur në ajër, mbetet i padëgjuar. Në parlament, kush nuk godet foltoren me grusht, konsiderohet “i paimpenjuar”. Britma është valuta jonë e përditshme, gjesti është kartëmonedha, dhe dialogu? 

Një monedhë e rrallë, që nuk qarkullon dot. Kultura jonë e bisedës është një art i çuditshëm: ne flasim jo për të folur, por për të mos lënë tjetrin të flasë. Askush nuk dëgjon, sepse dëgjimi është luks i huaj. Secili pret si gladiator që t’i vijë radha në arenë, dhe sapo i bie trompeta e brendshme, lëshohet me fjalë, gjeste, duar e këmbë, sikur të ishte në Olimpiadën e oratorisë ballkanike. Në Perëndim, një britanik e përfundon fjalinë, pastaj një tjetër nis të flasë, dhe të gjithë e dëgjojnë. Tek ne, në Ballkan dhe fqinjësinë e gjerë të Lindjes së Mesme, ky protokoll është i tepërt: pse të presësh kur mund të flasësh njëkohësisht? Pse të dëgjosh kur mund të provosh që ke gjithmonë të drejtë, edhe kur s’të kupton njeri?

Në fund, nuk fiton argumenti më i fortë, por ai që ka mushkëritë më të fuqishme. Sepse te ne logjika nuk matet me arsye, por me lartësinë e zërit. Dhe sa më shumë të tundet tavolina nga gjestet, aq më i besueshëm del fjalimi.

Nëse do të na përshkruante një antropolog i huaj, ndoshta do të na quante “Homo Monologus”: krijesa që nuk bëjnë dialog, por monolog kolektiv, ku secili flet për vete dhe të gjithë bërtasin në kor. Kultura jonë e bisedës është një sport kombëtar pa rregulla: kush kundërshtohet, nuk përgjigjet me argument, por ngre zërin, shton gjestet, dhe shtrëmbëron fytyrën si aktor i filmave të kinemasë italiane të viteve ’60. Dhe pse ndodh kjo? A jemi ne specie e veçantë, një version ballkanik i njeriut modern? Apo fshihet ndonjë sekret i thellë në historinë tonë? Ndoshta shekuj pushtimesh, gjakmarrjesh e betejash kanë gdhendur në genet tona këtë refleks mbrojtës: kur dikush thotë “nuk ke të drejtë”, ne e dëgjojmë si “po të pushtoj fshatin dhe po të marr tokën”. Prandaj edhe në një bisedë të thjeshtë për futboll, ne mobilizohemi sikur jemi në kuvendin e Lezhës.

Në kulturën tonë, kundërshtimi është sinonim i sulmit. Dhe çdo sulm kërkon mbrojtje me çdo kusht: me zë, me duar, me vetulla të ngritura, me buzë të shtrënguara, dhe nëse duhet, edhe me një grusht mbi tavolinë. Ndërsa perëndimori e sheh debatin si shkëmbim idesh, ne e përjetojmë si betejë për mbijetesë. Faktorët që gdhendën veçantinë tonë, mendoj, se janë:

Së pari, faktori psikologjik: kemi një ndjesi të lindur se nëse nuk flasim fort, nuk ekzistojmë. Në trurin tonë duket sikur ka një buton alarmi që ndizet sapo dikush guxon të na kundërshtojë. Dhe aty ku dikush tjetër do të ulte tonin, ne shtojmë volumin, sepse bindja jonë është se e vërteta del nga goja vetëm nëse shoqërohet me oktavë të lartë. Së dyti, faktori kulturor: në tryezat shqiptare nuk ka vend për heshtje. Heshtja për ne është dyshimtare, pothuajse tradhti kombëtare. Prandaj, që të tregosh se je i gjallë, duhet të flasësh pandërprerë, me duar e këmbë, sikur të jesh duke udhëhequr një orkestër të padisiplinuar. Në vend të simfonisë, prodhohet kakofonia, por sidoqoftë, është e jona. Së treti, faktori shoqëror: shoqëria jonë është ndërtuar mbi parimin “kush nuk dëgjohet, zhduket”. Në bisedë, secili kërkon të jetë kryeplaku i kuvendit, të ketë fjalën e fundit, edhe nëse po flitet për recetën e qoftes. Rezultati? Të gjithë bërtasin njëkohësisht dhe askush nuk dëgjon. Një lloj demokracie e çuditshme, ku çdo zë është i lirë, por asnjë nuk merret seriozisht.

Së fundi, faktori historik: pas shekujsh pushtimesh, mbrojtjesh dhe gjakmarrjesh, kemi krijuar një refleks mbijetese. Çdo fjali që vjen nga tjetri na duket si një rrezik për integritetin tonë, dhe ne përgjigjemi sikur të ishim në një betejë për kështjellën. Kështu, edhe një debat për motin mund të përfundojë si një rrethim mesjetar, me britma, gjeste dhe kërcënime të maskuara.

Në Shqipëri, çdo bisedë e zakonshme është një mini-parlament: kush flet i pari, e mbyt tjetrin me zë të lartë; kush s’e ka zërin mjaft të fuqishëm, kompenson me duar e këmbë, sa duket sikur do të nisë karate në mes të darkës familjare. Dialog? Jo, faleminderit! Monologu është forma jonë më e preferuar, një oratori kombëtare që zhvillohet edhe pa publik. E çuditshme është që ne habitemi kur e shohim të njëjtën skenë në parlament. Deputetët thjesht riprodhojnë versionin “XL-ekstra large” të komunikimit tonë të përditshëm. Njëri rreh foltoren me grusht sikur të ishte tavolina e kafenesë, tjetri tund gishtin tregues aq fort, sa duket se do ta përdorë si shkop dirigjenti për orkestrën e zhurmës kombëtare. Ndërkohë, një palë bërtet aq shumë për “interesat e popullit”, sa harron që mikrofoni nuk është altoparlant për stadiumin kombëtar.

Ne nuk i kemi politikanët që meritojmë, thotë populli i revoltuar. Por a është vërtet kështu? Sepse në zgjedhje, nuk votojmë për më të mençurin, por për më të zhurmshmin. Jo për më të diturin, por për atë që duket më i sigurt, zakonisht duke goditur tavolinën dhe premtuar “unë jam shpëtimtari juaj”. Dhe më pas, kur ky shpëtimtar kthehet në “drejtues i korit të interesave personale”, ne ankohemi: “Na ka rënë fati i keq, s’kemi politikanë të mirë!” Por fati s’ka asnjë faj. Fati nuk erdhi nga qielli. Fatin dhe parlamentarin e zgjodhëm ne, të bindur se volumi i zërit është matës i dijes, dhe gjestet me duar e këmbë janë diplomë për mençuri. Dhe ja ku jemi: në parlament, në parti, në qeveri, shfaqja është gjithmonë e njëjtë: shumë fjalë, shumë britma, shumë duar që rrahin tavolina… dhe shumë pak punë. Dhe ndërsa perëndimorët zhvilluan institucionet, ne zhvilluam mushkëritë.

Perëndimi ndërtoi institucione që garantojnë që fjala të dëgjohet edhe nëse është e qetë. Ne ndërtuam shoqëri ku duhej të bërtisje për të mbijetuar. Britaniku ka sigurinë e ligjit, gjermani të sistemit, skandinavi të konsensusit. Shqiptari? Sigurinë e mushkërive. Deri sa të mësojmë të ulim volumin dhe të ngremë logjikën, bisedat tona, nga tryezat e dasmave te kafenetë e lagjes, do të vazhdojnë të jenë një garë kush ngre më shumë zërin, e jo kush sjell argumentin më të fortë. Parlamenti? Festival i operës, ku secili këndon arien e vet, dhe askush nuk dëgjon korin. Dhe kështu, sa herë që shfaqja mbyllet me duartrokitje të lodhura, e vetmja gjë që na mbetet për të nesërmen është një zhurmë më e madhe dhe një logjikë më e vogël. 

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • 316
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT