• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ballkani midis Lindjes dhe Perendimit

September 27, 2025 by s p

Prof. Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Ballkani historikisht ka qenë arenë e përballjeve të mëdha midis Lindjes dhe Perëndimit dhe fushë e konkurrencës së fuqive të mëdha, ose as lindje as perëndim, por një Ballkan kurdoherë i trazuar. Vendet e Ballkanit janë heterogjene në pikëpamje etnike, kombëtare dhe fetare. Ndonëse jo shumë i madh në aspektin gjeografik, ai ka qenë gjithmonë dhe mbetet një rajon shumë i brishtë, kjo për shkak të pozicionit që ka, i ndodhur në rrugët që hapen në çdo drejtim, por edhe si pasojë e konkurencës dhe mosmarveshjeve midis vetë popujve të Ballkant. Që nga Romakët në vitin 200 para erës sonë. Me pushtimin e Stambollit nga osmanët në vitin1453, bizanti mori fund dhe historia ballkanike përjetoi administrimin osman, i cili vazhdoi deri në vitin 1912. Përveç Perandorisë Osmane, Ballkani u njoh edhe me administratën e Habsburgëve. Monarkia Habsburge që nga viti 1867 e mbrapa u bë një monarki e dyfishtë dhe filloi të njihej si Perandoria Austro-Hungareze deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Në shekullin e 16-të një perandori tjetër filloi përpjekjet për shtimin e influencave në Ballkani, ajo ishte Perandoria Ruse.

Në shekullin e 18-të në lojen e tyre për influencë në Ballkan futen edhe Anglia me Francën dhe më fuqizimin e tyre edhe Gjermanina me Italinë. Kështu nga njëra anë kemi Perandorinë Austro-Hungareze, Gjermaninë dhe Italinë, ndërsa nga ana tjetër kemi Britaninë e Madhe, Francën dhe Rusinë. Me Traktatin e Shën-Stefanit, nënshkruar më 3 mars 1878, Rusia e copëtoi Ballkanin siç deshi dhe erdhi deri para portave të Stambollit. Traktati i Shën-Stefanit donte krijimin e Bullgarisë së Madhe. Ndërhyrja e Britanis së Madhe me Austro- Hungarinë në Kongresin e Berlinit në vitin 1878 pengoi këto përpjekje ruse. Në periudhën e Luftës së Ftohtë në ekuilibrat e konkurrencës në Ballkan filloi të hyjë edhe Amerika.

Rivalitet i fuqive të mëdha në Ballkan vazhdoi dhe po vazhdon edhe sot. Shpërbërja e Jugosllavisë pas viteve 1990, Lufta në Bosnje dhe në Kosovë dhan shpresa se Perëndimi fitoi, dhe më në fund Ballkani do të ketë stabilitet. Nga ana tjetër, shpresat e vëndeve të Ballkanit Perëndimor për një integrim në Bashkimin Evropian inkurajuar ato të ecin drejt reformave demokratike, me shpresë se ato do të çojnë një ditë në përmirësimin e marrëdhënieve midis popujve të rajonit. Po kështu edhe qënja anëtare të NATO-ja e shumicës së këtyre vëndeve dhe ndjenja e sigurisë që garanton aleanca, u pa si shpresë për vendet e Ballkanit Perëndimor. E megjithatë rajoni vazhdon të jetë përsëri i trazuar.

Ideja e një Ballkani unik është hedhur që në shekullin 19-të, kur këto vende ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Kjo ide është përfaqësuar më vonë edhe nga socialistet e popujve të Ballkanit. Ndoshta e tillë ishte edhe nisma ekonomike, “Open Balkan”, një alternativë momentale, por jo zëvendësuese e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo nisem e fundit u kundërshtuan nga vendet ku banojnë jo pak shqiptarë si në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi. Kjo nisem ekonomike “Ballkani i hapur” ishte e pavënd, pasi në Ballkan akoma nuk janë zgjidhur problemet themelore të disa popujve, të cilat presin zgjidhje dhe që janë shumë më parësore sesa idetë për integrime ekonomike të shteteve të rajonit.

Europa nuk është aq naive sa të mos e dijë se një “Ballkan i Hapur” për integrime ekonomike, edhe nëse pranohet nga të gjitha shtetet e Ballkanit (që në fakt ajo e dinë që është e pamundur), nuk do të ketë asnjë element federate, por është thjesht një ide, një përpjekje për të demonstruar pakënaqësinë kundër padrejtësive të BE-së, e cila ende nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë për integrimin e vendeve të Ballkanit. Çdo nismë e tillë, sado qëllimmirë të ketë qenë, nuk ka arritur asnjëherë të bëhet realitet, kjo jo aq shumë për shkak të popujve të Ballkanit, se sa për shkak të politikave jo të qarta nga Fuqitë e Mëdha të kohës dhe interesave të tyre gjeostrategjike, ekonomike e kolonialiste.

Që nga viti 1918, kur në Ballkan, Fuqitë e Mëdha krijuan shtetin e sllavëve të jugut, (Mbretërin Serbo-Kroato-Sllovene) ky shtet mercenar i Rusisë dhe i Francës u bë minuese e demokracis në Ballkan, duke u përkrah fuqishëm edhe nga shtetet më të mëdha të Evropës. Prandaj ideja për një Federatë ballkanike kishte dështuar gjithmonë, pasi Serbia me mbështetjen e Fuqive të Mëdha europiane dalngadalë projektonte dhe realizonte Serbinë e Madhe brenda Jugosllavisë.

Më shumë se çdo hapësirë tjetër e Evropës, Ballkani, ndodhet i lëkundur midis Lindjes dhe Perëndimit, midis të shkuarës dhe të ardhmes së tij. E shkuara e lidh me periudhat e sundimit të Perandorisë Bizantine, të Perandorisë Otomane, të sferave të ndikimit të periudhës së Luftës së Ftohtë. Këto periudha sundimesh sot lidhen me tre shtete të fuqishme, që po përpiqen të bëhen faktor në këtë botë të trazuar, Rusia, Kina dhe Turqia.

Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurmit, është trashëguese e Bashkimit Sovjetik, njërës nga dy supërfuqitë e Luftës së Ftohtë, ka ringjallur ambicjet sovjetike dhe të Rusisë Cariste. Po kështu ajo e mbante veten trashëguese e vërtetë e Perandorisë Bizantine të Lindjes, duke i njohur vetes të drejtën e zgjerimit në territoret e dikurshme të kësaj perandorie. Qëllimet e Moskës janë të qarta, ta shtri fuqin e ndikimin e saj me përparësi të veçantë edhe në hapësirën e dikurshme të influencës sovjetike, pra në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, por edhe në vendet ku ka pasur parti të fuqishme komuniste të varura nga Moska.

Për arsye strategjike gjeopolitike, ajo e përqëndron infrastukturën e saj ushtarake, ekonomike sidomos në Ballkan, ku ka pasur një rol dhe prani të veçantë e vendimtare që nga koha e luftërave Ruso-Turke. Një prani të gjithanshme ka në Serbi. Ajo ka ruajtur terrenin e saj edhe në periudhat e marrëdhënieve më të acaruara me Jugosllavinë e kohës së Luftës së Ftohtë. Rusia, sidomos ajo e Putinit, është sfiduesja më e madhe e integrimeve evro-atlantike të rajonit të Ballkanit, duke arritur të vonojë, të pengojë dhe të vërë në pikëpyetje këto integrime nëpërmjet disa lëvizjeve populiste në kontinent.

Kina, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, ndërkohë ekonomia e dytë më e madhe në botë krahas SHBA, faktor me peshë të madhe botërore. Në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar Kina e shtriu ndikimin e saj në vendet komuniste që e kundërshtuan ose i rezistuan Bashkimit Sovjetik. Në vitet ’80-’90 e zgjeroi praninë në vendet e ashtuquajtura të Botës së Tretë. Nga periudha e Luftës së Ftohtë, Kina ka trashëguar një prani të drejtpërdrejtë të fuqishme në Shqipërinë e viteve 1960-70 dhe në vitet 1970-80 në ish Jugosllavi. Në fillim të këtij shekulli Kina po e zgjeron praninë e saj shumë më përtej këtyre hapësirave.

Turqia është fuqi e madhe rajonale dhe evropiane. Ndër 20 ekonomitë më të mëdha të botës, me synime të qarta për të hyjë në 10 ekonomitë më të mëdha të botës. Është nga anëtaret më të vjetra të NATO-s. Synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është trashëguese e drejtpërdrejtë e Perandorisë Otomane. Perandoria Otomane, nga ana e saj, ishte trashëguese e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Bizantit. Turqia ka shfaqur interesim fill pas Luftës së Ftohtë në rajonin që ishte pjesë e Perandorisë Otomane. Dhe kjo bën pjesë edhe në interesimin e saj për të ripërtërirë praninë në hapësirën e dikurshme të kësaj perandorie. Në Ballkan, sidomos në ish Jugosllavi dhe në Shqipëri, ajo e ka shtuar praninë e saj me investime në rritje.

Nga ana tjetër Perendimi, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë me gjithë premtimet dhe pritshmëritë e një pranie të madhe në Ballkan mbeten larg ëndrrës së popujve të rajonit të sapo dalë nga sundimi i gjatë komunistë.

Luftërat në ish Jugosllavi gjatë viteve 90 dhe përqëndrimi i Bashkimit Evropian në parandalimin e falimentimit të Greqisë nga kriza ekonomike evropiane dhe botërore që e përfshiu këtë vend më rëndë se çdo vend tjetër, ishin dy shkaqet kryesore që perendimi nuk i kushtoi rëndësi Ballkanit. Ato që mund të kishin qenë investime për integrimet perëndimore të Ballkanit u shndërruan në kredi për mbijetesën e Greqisë. Duke i shtuar këtu edhe vetë krizen që përfshiu BE-në si pasojë e zhvendosjeve të mëdha të popullsive drejt kontinentit e lanë dhe po e lënë pas dore Ballkanin. Vetëm tani Perëndimi po e kupton se prania e tij në rajon, është duke u sfiduar nga Rusia, Kina dhe Turqia, fuqi të cilat nuk nguruan të investojnë gjatë kësaj periudhe. Të tria përdorin përparësinë e traditës së marrëdhënieve me rajonin. Perëndimi mund ta fitojë sfidën, bashkë me Ballkanin, vetem duke e rritur praninë e tij të gjithanshme në rajon dhe duke e integruar, pa humbur më kohë, për asnjë arsye, në hapësirën evro-atlantike.

Po rajoni vetë? Përpos gjithë këtij kalvari të gjatë, Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO-s), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan para disa kohëve një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Shtetet u zotuar se do të forcojnë hapat e përbashkët për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, përfshirë kërcënimeve kibernetike, fushatave të dezinformimit të cilat mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale. Ato zotohen që Shqipëria, Kosova dhe Kroacia do të eksplorojnë mundësitë e reagimit për një sërë kërcënimesh të mundshme ndaj infrastrukturës së tyre kritike. Pika e fundit e marrëveshjes është për mbështetjen që shtetet do të ofrojnë për integrimin euroatlantik. Këtu përfshihet përafrimi i politikave me institucionet dhe strukturat euroatlantike të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për integrimin e plotë të Kosovës në nismat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes në Programin për Partneritet për Paqe të NATO-s. Shpresojmë që kjo të mos ngelet vetëm në letra si shumë nisma të tjera.

Serbia ka shfaqur haptas synimin e saj për të ripërtërirë praninë e saj në vendet e ish Jugosllavisë. Kjo është tejet e dukshme në Kosovë e në Bosnjë (sidomos Republikën Serbe), ishte e dukshme edhe në Maqedoninë e periudhës së Gruevskit. Parada ushtarake e organizuar në shkallë të gjerë në kryeqytetin Beograd, duke shfaqur tanke, sisteme raketash dhe avionë luftarakë në atë që zyrtarët e përshkruan si shfaqja më e madhe e forcës ushtarake të vendit në historinë e saj, shfaqi hapur këto synime. Presidenti Aleksandar Vuçiç mori pjesë në paradën, e cila përfshinte rreth 10,000 trupa, duke thënë se shfaqja e forcës nënvizoi aftësinë e Serbisë për të mbrojtur pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe për të vepruar si një pengesë kundër çdo agresori të huaj. Në aktivitet u demostruan si armë të prodhuara në vend, ashtu edhe raketahedhës nga Izraeli, dronë të blerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, tanke të furnizuara nga Rusia dhe sisteme kundërajrore nga Kina.

Po shqiptarët? Rreziqet që u kanosen shqiptarëve janë realisht të mëdha.

Mjedisi ndërkombëtar karakterizohet nga një konkurrencë e pandalshme midis shteteve, shumica dërrmuese e të cilave janë shtete kombëtare. Në këtë mjedis, ku “i forti e ha të dobëtin”, forcimi dhe legjitimiteti i shtetit janë aspekte themelore për mbijetesën e tij. Kombëtarizmi parashikon një politikë të brendshme idealiste dhe një politikë të jashtme realiste në mënyrë që shteti të konsolidohet dhe kombi të forcojë pozitat. Duhet kuptuar qartë se kjo nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri, e cila rrjedh edhe nga natyra e sistemit ndërkombëtar. Askush nuk duhet të ketë frikë të thot të vërteten se e ardhmja e shqipëtarëve varet vetëm nga ata dhe askush tjetër.

Filed Under: Politike

Sa i sigurt është qielli i Kosovës kur KFOR-i kufizohet vetëm në ‘monitorim’?

September 26, 2025 by s p

Shkruan: Prof. Dr. Muhamet Racaj

Qielli i pasigurt – një alarm për Kosovën

Ngjarjet e fundit me fluturimet e dronëve të dyshuar nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës, kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë shtetërore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se është shënuar disa herë prezenca e dronëve mbi zona të ndjeshme strategjike dhe se Policia është në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për monitorimin e situatës.
Ai tha se rreziku është i pranishëm sidomos për vijën kufitare, ndërsa qytetarët janë nën mbrojtjen e institucioneve, duke theksuar se hapësira ajrore mbetet përgjegjësi ekskluzive e KFOR-it.

Objektivat që nuk janë rastësorë

Raportimet se dronët kanë fluturuar mbi Burgun e Sigurisë së Lartë, ku mbahen kriminelë të rrezikshëm dhe të dyshuar për terrorizmin e Banjskës 2023, si dhe mbi bazën ushtarake të Dumoshit – një pikë kyçe e Forcës së Sigurisë së Kosovës – tregojnë se në shënjestër nuk janë pika të rastësishme.
Gjithashtu fluturimi i dronëve në vijën kufitare është vëzhgim për kalimin ilegal të tërroristëve dhe organizatorëve të krimit të organizuar.
Nëse dronët kanë regjistruar ose skanuar terrene të ndjeshme, atëherë fjala është për një akt të qartë zbulimi dhe provokimi.
Këto nuk janë mjete bujqësore, por sisteme survejimi që dërgojnë mesazhe politike dhe ushtarake.

Kur KFOR-i kufizohet në fraza diplomatike

KFOR-i deri më tani ka siguruar qytetarët duke deklaruar se nuk ekziston “kërcënim për sigurinë”. Por a mjafton monitorimi si masë parandaluese? Çfarë rëndësie ka verifikimi pasiv kur dronët fluturojnë pa pengesë mbi vijën kufitare dhe objektet strategjike? Siguria nuk mund të matet vetëm pasi të ndodhë diçka e pakthyeshme. Në këtë kuptim, frazat diplomatike nuk përkthehen në garanci reale për qytetarët dhe as nuk mbyllin shteg për shkelje të sovranitetit.

Sovraniteti fillon nga hapësira ajrore

Siguria ajrore është themeli i çdo shteti. Pa kontroll të plotë të qiellit, çdo sovranitet mbetet i brishtë dhe i lëndueshëm. Për Kosovën, ku kufijtë shpesh sfidohen dhe ku provokimet e Serbisë nuk mungojnë, liria e fluturimeve të paautorizuara është faktor destabilizues. Nëse vija kufitare,Burgu i Sigurisë së Lartë dhe baza e Dumoshit mund të vëzhgohen nga objekte ajrore të huaja, atëherë duhet të shqetësohemi seriozisht – jo vetëm për sigurinë, por edhe për legjitimitetin e shtetit në mbrojtjen e territorit të tij.

Përgjegjësia ndërkombëtare dhe detyrimi vendor

KFOR-i ka përgjegjësi të qartë për hapësirën ajrore të Kosovës. Aleanca nuk mund të fshihet pas frazave diplomatike, sepse mandati i saj përfshin garancinë që asnjë mjet ajror i huaj nuk duhet të shkelë qiellin e Kosovës pa leje. Përndryshe, në lojë vihet kredibiliteti i vetë misionit ndërkombëtar që konsiderohet garant i paqes në rajon.Por njëkohësisht, ngjarjet e fundit janë një thirrje edhe për institucionet vendore. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe autoritetet shtetërore duhet të ndërtojnë kapacitete teknike për vëzhgim, interceptim dhe neutralizim të mjeteve ajrore të paautorizuara. Sovraniteti nuk mund të mbështetet vetëm mbi prania ndërkombëtare – ai duhet të sigurohet me kapacitete të brendshme. Aleatët mbeten një mbështetje, por themelet e sigurisë vendosen nga vetë shteti.

Përfundim

Qielli i Kosovës është po aq strategjik sa toka e saj. Prandaj, mbrojtja e hapësirës ajrore është çështje jetike për sovranitetin dhe sigurinë. Raste si këto duhet të trajtohen si paralajmërim: asnjë garanci ndërkombëtare nuk është e mjaftueshme nëse Kosova vetë nuk investon në mbrojtjen e saj. KFOR-i duhet të dalë nga roli i “monitoruesit” dhe të garantojë konkretisht paprekshmërinë e qiellit të Kosovës, ndërsa shteti ynë duhet të ndërtojë kapacitetet e mbrojtjes që e bëjnë këtë garanci reale.

Filed Under: Rajon

“Stop the Time” – 2 Tetor 2025, Glanzstoff Hallen, St. Pölten, Austri

September 26, 2025 by s p

Në këtë ekspozitë kolektive do të marrë pjesë edhe artisti shqiptar nga Kosova, Resul Jusufi, me veprën e tij, instalacionin  të titulluar “Stop the Time”.

  Një vështrim mbi veprën “Stop the Time” dhe rrugëtimin artistik të Resul Jusufit

“Ndalo Kohën” (  STOP THE TIME )

Instalacion nga Resul Jusufi

Si artist, gjithmonë kam ndjerë një tension të brendshëm në raport me kohën – ndjesinë se gjithçka kalon shumë shpejt, ndërkohë që unë vetë dua vetëm të ndalem, të marr frymë dhe të mos e humbas veten. Nga kjo nevojë e brendshme lindi instalacioni „Stop the Time“ – një përpjekje për t’i vënë kufi iluzionit të kontrollit dhe për të krijuar një hapësirë ku koha – qoftë edhe vetëm për një çast – të mos ekzistojë.

Koha është një iluzion i pandalshëm – një rrymë që na tërheq të gjithëve me vete, pa marrë parasysh sa shumë përpiqemi ta masim, ta kontrollojmë apo ta ndalojmë. Në këtë instalacion, artisti Resul Jusufi krijon një hapësirë ku koha nuk funksionon më sipas rregullave të zakonshme. Ajo shpërbëhet – në fragmente, numra, shenja dhe objekte të heshtura.

Në qendër ndodhet një mural monumental (300 x 250 cm), i përshkuar nga numra të shpërndarë, gjurmë spontane dhe simbole që kujtojnë shenjat e përditshmërisë urbane – grafite, shifra, rrethe. Kjo gjuhë vizuale është zgjedhur qëllimisht e thjeshtë: jo një iluzion formal, por një forcë e drejtpërdrejtë shprehëse. Numrat dhe rrethet e çrregullta bëhen metaforë për rrjedhën dhe fragmentimin e kohës.

Përpara muralit, mbi dysheme, ndodhet një koleksion orësh mekanike – objekte të përditshme që dikur matnin jetën tonë. Tani ato janë ndalur. Dialogu midis pikturës dhe orëve reale krijon një tension poetik: koha si ide abstrakte përplaset me kohën si fakt i prekshëm.

Instalacioni ngre pyetje thelbësore:

  • Si e kemi jetuar jetën tonë deri më tani?
  • Kujt ia kushtojmë orët, minutat, ditët tona?
  • A është ritmi me të cilin jetojmë një përparim – apo po humbasim lidhjen me vetveten?

Vepra nuk jep përgjigje. Përkundrazi – sfidon publikun të ndalet, të dëgjojë heshtjen e orëve të ndaluara dhe të përballet me një pyetje ekzistenciale:

A është e mundur të ndalojmë kohën – apo jemi vetëm të burgosur brenda saj?

„Stop the Time“ është një reflektim mbi kalueshmërinë, kujtimet dhe ndjesinë e kontrollit.
Është një ftesë për të përjetuar një çast jashtë kohës – një hapësirë ku vizitori nuk është thjesht spektator, por pjesë e procesit të të menduarit dhe ndjesisë.


“Arti është ushqim për shpirtin.”

Resul Jusufi është një artist multidisiplinar, i cili punon në fushat e pikturës, instalacionit, teatrit dhe filmit të shkurtër. Veprat e tij dallohen për një gjuhë unike vizuale, ku abstraksioni dhe simbolizmi bashkohen në mënyrë të guximshme dhe harmonike.

Me energji, liri krijuese dhe thellësi emocionale, arti i tij tejkalon me vetëdije kufijtë tradicionalë të artit bashkëkohor. Eksperimentimi me teknika dhe materiale të ndryshme zë një vend qendror në procesin e tij krijues.

Çdo vepër mbart një fuqi unike shprehëse – e mundësuar nga një “kaos” vizual i qëllimshëm, që shërben si mjet për të transmetuar energjinë e brendshme dhe spontanitetin.

Përmes ngjyrave të forta, formave të lira dhe simboleve të mbushura me kuptim, Jusufi krijon vepra që nxisin reflektim dhe hapin dialogë emocionalë.

Temat që trajton janë universale dhe i japin artit të tij një dimension të thellë filozofik dhe shoqëror. Falë kësaj, veprat e tij arrijnë të komunikojnë me një audiencë të gjerë dhe të larmishme në mbarë botën.

Veprat e tij janë ekspozuar në shumë ekspozita ndërkombëtare – përfshirë Austrinë, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Poloninë, Kosovën, SHBA-në, Tajvanin dhe më gjere .

Arritje të rëndësishme:

  • 2022 – Fitues i Luxembourg Art Prize për arritje të jashtëzakonshme artistike
  • 2023 – Përfshirje në listën e 100 artistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë nga Bindaas Artist Group, Indi
  • 2024 – Fitues i Gold Award në Busan International Art Festival, Koreja e Jugut
  • 2025 – Prezantimi i veprës „Art Saves the World“ në Times Square, New York

Jusufi thotë:

“Arti është mënyra më e mirë për të thyer paragjykimet mes njerëzve dhe ura më e fortë për t’i lidhur ata.”

Resul Jusufi ka lindur në Kosovë dhe prej disa vitesh jeton e punon në qytetin Gracit /Austri.

Filed Under: Kulture

Gabriela Tabárez: pasardhëse shqiptare në Argjentinë që ruan traditat e gjyshit të saj

September 26, 2025 by s p

Intervistoj Mihal Ciko

Gazetar/

Nga Buenos Airesi për gazetën tonë

Një rrugëtim nga Korça në Buenos Aires

Gabriela Tabárez, nënkryetare e Shoqatës Patriotike Shqiptare “Skënderbeu” në Buenos Aires, tregon historinë e saj dhe të gjyshit të saj, Xhelal, i cili emigroi nga Korça në Argjentinë në vitin 1930, në moshën 25 vjeçare. “Gjyshi im erdhi këtu për shkak të gjendjes ekonomike, por gjithmonë mbajti dashurinë për Shqipërinë në zemër,” tregon Gabriela.

Ruajtja e traditave dhe identitetit shqiptar

Gabriela ndan me lexuesit sesi kultura dhe traditat shqiptare u transmetuan brez pas brezi: “Që kur isha e vogël, ndjeja dashuri për Shqipërinë dhe për gjithçka që gjyshi im më mësoi – këngët, vallet, dhe festat kombëtare.” Ajo tregon se aktiviteti i saj në Shoqatën “Skënderbeu” është një mënyrë për të mbajtur gjallë lidhjen me origjinën e saj.

Përvoja në Shqipëri

Në vitin 2019, Gabriela mori pjesë në diasporën shqiptare të organizuar në Tiranë: “Kur zbrita për herë të parë në Tiranë, nuk mund të përmbaja lotët. Ishte një ndjenjë çlirimi dhe gëzimi, por edhe një hije trishtimi. Ndiqja hap pas hapi historinë e gjyshit tim dhe ndjeva se po e nderoja atë në çdo moment.”

Për të ardhmen e diasporës shqiptare

Gabriela është mësuese dhe formuese e mësuesve të rinj: “Përpiqem të përcjell kulturën shqiptare tek fëmijët e mi dhe ata që unë formoj si mësues. Marrim pjesë të gjithë në festat kombëtare, duke ruajtur kështu lidhjen e gjallë me traditat tona.”

Mesazhi për brezat e rinj

“Është e rëndësishme që të mos harrojnë prejardhjen e tyre, të njohin historinë e familjeve të tyre dhe të ruajnë kulturën, gjuhën dhe traditat. Kjo është mënyra më e mirë për të nderuar sakrificat e gjyshit tim dhe të gjithë emigrantëve shqiptarë,” përfundon Gabriela. 

Filed Under: Emigracion

Pse netët pa gjumë bëjnë kujtimet e këqija më të vështira për t’i harruar?

September 26, 2025 by s p

Fatjona R. Lubonja Ed.D/

Le ta imagjinojmë: je në festën e një miku, duke pirë një gotë verë të kuqe dhe papritur situata përkeqësohen. Para të gjithëve, pengohesh, gota juaj përmbyset, duke e spërkatur përmbajtjen e saj në divan apo tek miku juaj. Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, të shohësh atë mik do të të kujtojë gjithmonë atë moment të sikletshëm. Ky shëmbull është i thjeshtë, por mund të jetë një situatë kur dikush të kritikon, apo një koment, një veprim i sikletshëm, një thashethem, etj… Kaq do të mjaftone t’ju linte pa gjumë? Pra, pse disa njerëz duket se janë në gjendje t’i largojnë këto kujtime të pakëndshme, ndërsa të tjerët nuk mund t’i shpëtojnë? Përgjigja kryesisht sillet rreth cilësisë së gjumit.
Kjo lidhje midis gjumit dhe kujtesës nuk ka të bëjë vetëm me histori të sikletshme festash., apo me një opinion. Problemet me gjumin dhe kujtimet ndërhyrëse janë tipare kryesore të shumë gjëndjeve të shëndetit mendor, duke përfshirë depresionin, ankthin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik, (Xue. Y.,et . al., 2025).

Studiuesit kanë zbuluar se mungesa e gjumit pengon aftësinë e trurit për të “hequr” kujtimet e pakëndshme. Duke përdorur skanime të trurit, ata kanë treguar se pa gjumë të mjaftueshëm, truri ka vështirësi të aktivizojë rajonet që normalisht na ndihmojnë të bllokojmë mendimet e padëshiruara. Në veçanti, mungesa e gjumit me lëvizje të shpejtë të syve (REM), faza e ciklit të gjumit me shumë ëndrra duket se e dobëson këtë sistem mbrojtës mendor (Harrington, M. O. , et. al., 2024). Rezultati? Kujtimet e këqija kalojnë më lehtë dhe qëndrojnë më gjatë. Me kalimin e kohës, kjo mund të ushqejë shqetësimin, të forcojë mënyrat negative të të menduarit dhe ta bëjë më të vështirë rregullimin e emocioneve. Një nga mënyrat se si trut jonë zakonisht përballet me kujtimet e dhimbshme është përmes shtypjes direkte, duke e shtyrë mendimin jashtë vetëdijes. Kur kjo funksionon, gjurmët e kujtimit dobësohen, duke e bërë më të pamundur që të shfaqen përsëri në të ardhmen. Por ky proces varet shumë nga gjumi. Njerëzit që flenë mirë janë shumë më të aftë në procesin e “mbylljen e derës” ndaj mendimeve invazuese, ndërsa ata që kanë patur mungesë gjumi kanë vështirësi, duke lënë kujtimin të jetë i lirë për të ndërhyrë përsëri më vonë. Me fjalë të tjera, një natë e mirë gjumi nuk ndihmon vetëm për tu ndjerë të freskët por edhe ndihmon trurin tuaj të mbajë në kontroll kujtimet invazuese. “Natën e Mirë! E nesërmja është një ditë e re!”

Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese & autore e shumë shkrimeve dhe ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, në NY, dhe specializuar në Harvard University, MA #fatjonalubonja

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 314
  • 315
  • 316
  • 317
  • 318
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT