• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shuhet Nikollë (Marash) Perkaj, luftëtar i Batalionit “Atlantiku”

September 23, 2025 by s p

Prend Ndoja/

Sot iu dha lamtumira e fundit veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, kontributorit të lirisë së Kosovës Nikollë (Marash) Perkaj. Në moshën 65-vjeçare pushoi përgjithmonë së rrahuri zemra e madhe e një atdhetari, patrioti e veprimtari me gjurmë në lirinë e Kosovës.

Jeta e tij ishte ndoshta ndër më të veçantat e çdo emigranti dhe atdhetari. Zemra e tij jetonte midis dy dashurive të mëdha, dashurisë për Atdheun dhe dashurisë për familjen. Kur e thirri nevoja ai vuri atdheun në plan të parë duke lënë familjen dhe 9 fëmijë për të shkuar në luftë për Kosovën. Familja e tij kishte ardhur herët nga Luhari i Tuzit dhe ishte vendosur në Lug Bunar, pranë Gjakovës. Nikolla lindi në trojet pranë Gjakovës heroike. Prindërit e rritën dhe e edukuan me dashurinë e pafund për dheun e të parëve, për Kosovën e Shqipërinë, për historinë e traditat patriotike. Edhe pse larg atdheut dhe me vështirësi të shumta për t’u sistemuar në vend të huaj, Nikolla nuk e ndërpriste veprimtarinë e tij atdhetare në Amerikë. Mendjen dhe zemrën i kishte në vendlindje, në Kosovën, ku gjendja bëhej gjithnjë e më e rëndë për shkak të represionit serb. Shqiptarët e Amerikës shpesh herë organizonin tubime solidarizimi dhe përkrahjeje për Kosovën nënë. Në këto tubime Nikollë Perkaj ishte përherë i pranishëm, me fjalën e tij të mençur e të guximshme.

Megjithatë vendosi që të kthehej në Kosovë e të bashkohej me forcat çlirimtare në luftën për çlirimin e saj nga pushtuesit. Vendosi të linte atje bashkëshorten me 9 fëmijët, më i vogli prej të cilëve ishte 9 vjeç. Kur mori vesh vendimin e tij, një gazetar e pyeti:

-A ke menduar se ku po i lë gruan dhe fëmijët?

-E kam menduar. Këtu janë më të sigurtë e nuk do të vriten. Kurse në Kosovë gratë dhe fëmijët vriten çdo ditë. Kosova, sot më shumë se kurrë ka nevojë të ketë pranë bijtë e saj. Dhe unë do të shkoj të luftoj në mbrojtje të tokës sime, të popullit tim,- qe përgjigja e Nikollës.

U vendos në radhët e batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë Koshares. Me shtatin e tij prej malësori kreshnik, me kurajon dhe trimërinë që e karakterizonin, ai u shqua në betejat e zhvilluara kryesisht rreth zonës së Koshares, por edhe në pjesë të tjera të territorit. Zemra e tij mbushej me gëzim e krenari kur shihte që betejë pas beteje forcat serbe thyheshin dhe liria fillonte të shpërndante rrezet e saj në tokën shqiptare të Kosovës. Ai i përjetonte me dhimbje momentet kur ndokush nga shokët e tij binte në fushën e betejës, apo kur shihte çfarë masakrash kishin bërë serbët mbi popullsinë e pafajshme, mbi gra, pleq e fëmijë.

Mbante kontakte edhe me shoqatat e mërgimtarëve në Amerikë, ku punonin bashkërisht për Kosovën, për historinë e kulturën shqipe, për gjuhën e bukur shqipe. Në Kosovë vazhdoi aktivitetin e tij atdhetar e politik. Shpejt u vu në krye të “Ballit Kombëtar Shqiptar” dhe luftonte për ideale të pastra, përherë burrë i fjalës dhe i besës, i pamposhtur në luftën për t’i shërbyer Kosovës dhe kombit shqiptar. Nikolla u nda këto ditë nga jeta, larg gruas, larg fëmijëve, larg nipërve e mbesave që i donte më shumë se jetën e tij. Vdiq në Kosovën e tij, për të cilën luftoi me të gjitha forcat. Kombi dhe komuniteti do ti jenë përherë mirënjohës. Trupi i tij do të prehet në tokën mëmë, por zemra e tij mbetet përtej oqeanit, tek njerëzit e dashur. Pushofsh në paqe, miku im Nikollë, veprimtaria jote atdhetare do të ruhet e freskët në altarin e historisë dhe lirisë së  kombit tonë.

Filed Under: Komunitet

Prijësit e UÇK-së në Hagë – Ndritësit e kombit dhe trashëgimtarët e sakrificës për liri

September 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sot gjenden në Hagë, nuk janë të njohur vetëm si individë që udhëhoqën një rezistencë të armatosur. Ata janë simbol i gjallë i përpjekjeve të një kombi të tërë për liri, barazi dhe dinjitet. Për shqiptarët kudo, ata njesohen me figurat më të ndritura të kombit, të cilët në momentet më të vështira historike morën mbi vete barrën e sakrificës.

1. Legjitimiteti i luftës së UÇK-së

Lufta e UÇK-së nuk ishte një luftë e imponuar apo e motivuar nga interesa individuale. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës dhe gjenocidal, i cili me vite të tëra kishte përdorur dhunë sistematike ndaj shqiptarëve të Kosovës. Raportet e organizatave ndërkombëtare si Human Rights Watch, Amnesty International dhe OSBE dokumentuan qartë spastrimet etnike, dëbimet masive dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga forcat serbe në periudhën 1998–1999.

Në këtë kontekst, UÇK-ja u njoh si forcë çlirimtare edhe nga diplomacia amerikane dhe britanike. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në vitin 1999 theksoi se “populli i Kosovës ka të drejtë të mbrojë veten nga një regjim që po kryen mizori”. Ky qëndrim u konkretizua me ndërhyrjen e NATO-s, e cila pa luftën e drejtë të UÇK-së si element kyç për ta ndalur katastrofën humanitare.

2. Prijësit e UÇK-së – bartës të një misioni kombëtar

Figura si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët sot mbahen në Hagë, nuk përfaqësojnë thjesht individë. Ata mishërojnë gjeneratën që i dha Kosovës orientimin euroatlantik dhe e bëri atë pjesë të rendit të ri ndërkombëtar të sigurisë. Kontributi i tyre në luftë, por edhe më pas në paqe, është i pakrahasueshëm.

-Hashim Thaçi, si përfaqësues politik i UÇK-së në Rambuje, e bëri të mundur që çështja e Kosovës të vendosej në tavolinën ndërkombëtare, duke i dhënë asaj trajtim juridik ndërkombëtar.

-Kadri Veseli, me strukturimin e inteligjencës dhe organizimin e brendshëm të UÇK-së, siguroi funksionimin e një force të disiplinuar, që nuk ishte thjesht guerile, por ushtri me vizion strategjik.

-Jakup Krasniqi, me rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së, i dha luftës dimensionin e transparencës dhe komunikimit politik, duke e vendosur atë në kornizat e luftërave të drejta sipas së drejtës ndërkombëtare.

-Rexhep Selimi, me përfshirjen direkte në organizimin e njësive ushtarake, mbetet një prej figurave që lidhin sakrificën e betejës me qëndrueshmërinë e idealit politik.

3. Ndritës të kombit në sytë e aleatëve ndërkombëtarë

Nuk është rastësi që liderët shtetërorë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe i kanë nderuar vazhdimisht prijësit e UÇK-së. Presidenti Bill Clinton, në vizitën e tij në Prishtinë më 1999, deklaroi: “Ju jeni heronjtë e kohës sonë, sepse nuk lejuat që dhuna dhe gjenocidi të triumfojnë.” Edhe kryeministri britanik Tony Blair, gjatë ndërhyrjes së NATO-s, mbrojti me forcë parimin se “ndërhyrja në Kosovë ishte një ndërhyrje morale, sepse ne nuk mund të qëndronim pasivë para spastrimit etnik”.

Këto qëndrime dëshmojnë se prijësit e UÇK-së janë perceptuar nga vetë faktorët kryesorë ndërkombëtarë jo si krerë të një lufte të dyshimtë, por si bartës të një procesi që solli paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

4. Proceset gjyqësore në Hagë – padrejtësi historike

Pavarësisht kësaj, sot prijësit e UÇK-së përballen me procese gjyqësore të politizuara në Hagë. Këto procese janë kritikuar nga shumë juristë ndërkombëtarë dhe organizata të të drejtave të njeriut si të ndërtuara mbi raporte të kontestuara dhe shpesh të bazuara mbi narrativën e njëanshme serbe. Ndryshe nga gjykatat për krimet e ish-Jugosllavisë, të cilat gjykuan qindra serbë për krime lufte, Gjykata Speciale e Kosovës është fokusuar pothuaj ekskluzivisht te ish-luftëtarët e UÇK-së, duke krijuar një standard të dyfishtë.

Kjo jo vetëm që nuk kontribuon në drejtësi tranzicionale, por e dëmton procesin e pajtimit dhe e vendos Kosovën në pozitë të padrejtë historike.

5. Figura e tyre si ndritës të kombit

Nëse shohim analogji me historinë, shumë figura që sot njihen si ndritës të kombeve kanë kaluar nëpër procese të padrejta:

-Nelson Mandela, i cilësuar dikur si “terrorist”, u bë simbol i lirisë dhe drejtësisë në mbarë botën.

-Mahatma Gandhi, i ndaluar disa herë nga administrata koloniale britanike, u bë figurë universale e rezistencës paqësore.

-Liderët e Luftës së Dytë Botërore në Evropën Lindore shpesh u persekutuan, por më pas historia i nderoi si çlirimtarë.

Prijësit e UÇK-së sot ndodhen në Hagë, por historia do t’i vendosë përkrah këtyre figurave botërore. Për shqiptarët, ata janë tashmë ndritësit më të mëdhenj të kombit, sepse sakrifica e tyre ka vulosur njëherë e përgjithmonë rrugën e Kosovës drejt pavarësisë dhe integrimit euroatlantik.

Historia nuk gjykohet vetëm në sallat e gjykatave, por mbi të gjitha në ndërgjegjen e popujve dhe në ndërgjegjen universale për drejtësi. UÇK-ja dhe prijësit e saj nuk ishin vetëm luftëtarë; ata ishin bartës të një ideali që solli lirinë e Kosovës. Për këtë arsye, ata sot dhe përherë do të mbeten ndritësit e kombit shqiptar, njësoj siç janë njohur nga populli i tyre dhe nga aleatët më të mëdhenj të Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Filed Under: Politike

Provokimet ruse dhe perspektiva e zgjerimit të konfliktit: implikimet për sigurinë e Europës dhe Ballkanit Perëndimor

September 23, 2025 by s p

Prof.dr. Muhamet Racaj/

Ky studim analizon fenomenin në rritje të provokimeve ushtarake dhe politike dhe dimensionet e tyre komplekse në vitin 2025, duke përfshirë shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë, Polonisë dhe vendeve aleate. Analiza multidisiplinare përpiqet të zbulojë strategjinë e Kremlinit pas këtyre aktëve, duke evidentuar synimin për të krijuar presion rajonal dhe për të kufizuar zgjerimin e NATO-s. Diskutohen pasojat për sigurinë euro-atlantike dhe Ballkanin, me theks në nevojën për përgatitje ushtarake dhe bashkëpunim strategjik për parandalimin e një konflikti më të gjerë.

Hyrje

Në dekadën e fundit marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit kanë qenë në një vijë të hollë krize, pas krizës së Krimesë në 2014 dhe pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në 2022. Këto ngjarje kanë theksuar dallimin strategjik midis interesave ushtarake dhe politike ruse, që synojnë rivendosjen e ndikimit në hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik dhe pengimin e integrimit euro-atlantik të vendeve të Europës Lindore dhe Ballkanit.
Provokimet në formën e shkeljeve të hapësirës ajrore, përdorimit të dronëve dhe veprimeve të tjera hibride, fuqizojnë narrativën e polarizimit strategjik dhe përforcojnë implementimin e politikave të justifikuara nga Moska si mbrojtje e “interesave të saj” historike³. Kjo periudhë karakterizohet nga një përshkallëzim gradual i tensioneve në kufijtë lindorë të NATO-s, në një mënyrë që përfshin qasje të kontrolluara ruse duke shmangur një konfrontim të hapur me Aleancën¹¹.
Në këtë kontekst komplekse, për studim është e rëndësishme të kuptohet si këto provokime ndikojnë në stabilitetin rajonal, sidomos në atë zonë të ndjeshme si Ballkani Perëndimor, ku ndikimi rus, i ushqyer nga faktorë historikë dhe politikë lokalë, vazhdon të mbetet faktor i rëndësishëm⁸.

Konteksti dhe shkeljet e hapësirës ajrore si provokime ushtarake dhe politike

Në vitin 2025, intensiteti i shkeljeve të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, si Estonia, Polonia dhe Rumania, ka arritur nivele alarmante. Eskalimi i frekuencës dhe agresivitetit të këtyre incidenteve, ku avionë ushtarakë rusë hyjnë pa leje dhe pa paralajmërim në hapësirën ajrore sovrane, tregon për një strategji të mirëplanifikuar nga Moska¹.
Incidenti në Estoni në shtator 2025, ku tre avionë MiG-31 qëndruan të pandaluar për rreth 12 minuta, është një demonstrim i qartë i sfidës së hapur të Rusisë ndaj sovranitetit territorial. Reagimet diplomatike dhe ushtarake ishin të menjëhershme me dërgimin e notës protestë nga autoritetet estoneze dhe aktivizimin e njësive të mbrojtjes ajrore të NATO-s¹¹. Shkelje të ngjashme janë evidentuar në Poloni dhe Rumani, duke përfshirë edhe përdorimin intensiv të dronëve rusë në hapësirat ajrore baltike dhe polake², që shton rrezikun për keqkuptime dhe incidente të paqëllimshme ushtarake.
Përveç aspektit taktik, këto veprime kanë një komponent të fortë psikologjik dhe propagandistik, duke synuar dërgimin e mesazheve kërcënuese ndaj Perëndimit dhe përforcimin e perceptimit të fuqisë ruse në arenën ndërkombëtare³.

Strategjitë ushtarake dhe politike të Rusisë

Rusia ka zbatuar një strategji të shumëanshme që përfshin forcimin ushtarak në Ukrainën Lindore, ndërthurjen e forcës ushtarake me diplomacinë agresive, dhe përdorimin e kërcënimeve bërthamore si instrument presioni⁶. Mobilizimi i mbi 150,000 trupave dhe krijimi i zonave të kontrolluara të influencës në Donbas dhe rajonet përreth sigurojnë një fakt të kryer në terren për të penguar avancimin e NATO-s dhe forcimin e kapaciteteve të aleatëve në këtë hapësirë⁴.
Paralelisht, Rusia ruan një luftë hibride, duke përdorur gjithashtu fushata propagandistike dhe sulme kibernetike për të minuar unitetin dhe stabilitetin e Perëndimit³. Partneriteti strategjik me Kinën është i pranishëm, por ndryshe nga përfytyrimet e fundit, bashkëpunimi nuk ka arritur të përkthehet në një aleancë ushtarake të plotë, duke detyruar Moskën të praktikojë një balancim të kujdesshëm mes agresionit dhe nevojës për minimizimin e rrezikut të përshkallëzimit⁷.

Impaktet dhe përgatitjet në Ballkan dhe Kosovë

Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë një skenë e ndjeshme fatkeqësisht e prekur nga ndikimi rus, kryesisht përmes mbështetjes së Beogradit zyrtar⁸. Rusia përdor strategji të përzier të ndikimit politik, ekonomik dhe ushtarak në rajon për të zgjeruar sferën e saj të influencës dhe për të kundërshtuar integrimin euro-atlantik të Kosovës dhe vendeve të tjera.
Kosova, në këtë kuadër, është një zonë kyçe për stabilitetin rajonal dhe kërkon përgatitje serioze dhe shumëplanëshe për të përballuar rreziqet e destabilizimit apo provokimeve me përkrahje ruse⁹. Masa prioritare janë përforcimi i kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, digjitalizimi dhe modernizimi i sistemit të inteligjencës, dhe bashkëpunimi i ngushtë me NATO-n dhe SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes¹⁰. Deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti për solidaritet me vendet baltike pas provokimeve të vitit 2025 janë shembull i një qasjeje politike që kërkon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar⁹.

Reagimet ndërkombëtare dhe strategjitë e përballjes

Aleancat ndërkombëtare NATO dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sjelljet provokuese të Rusisë dhe kanë forcuar praninë ushtarake në kufijtë lindorë të Aleancës. Interceptimi i avionëve rusë dhe masat parandaluese duke përfshirë rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në vendet baltike, Poloni dhe Rumania janë shenja të gatishmërisë për rezistencë aktive¹¹. Përcaktimi i buxheteve më të mëdha për mbrojtjen dhe rritja e aftësive ushtarake nga këto vende janë shembuj që shtrihen edhe në periferitë europiane¹².
Në nivel global, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një faktor kyç në koordinimin e politikave mbrojtëse dhe në mbështetjen strategjike të vendeve anëtare dhe partnere, duke përforcuar bashkëpunimin në fushat e inteligjencës, trajnimit dhe furnizimit me teknologji ushtarake¹¹.

Përfundime dhe rekomandime

Provokimet ruse në vitin 2025 janë pjesë e një strategjie agresive komplekse që synon të zhvendosë ekuilibrat e fuqisë në Evropë dhe Ballkan, duke krijuar përgatitje për një konflikt më të gjerë. Ndërhyrjet e kontrolluara të Rusisë synojnë të testojnë durimin dhe reagimet e NATO-s, duke përdorur edhe kërcënimet bërthamore si instrumenti presion⁶.
Përballja me këtë sfidë kërkon një shkallë të lartë përgatitjeje ushtarake dhe bashkëpunimi strategjik ndërkombëtar. Rritja e kapaciteteve mbrojtëse në vendet anëtare të NATO-s dhe rajonin e Ballkanit, bashkëpunimi i ngushtë i vendeve të Ballkanit me Aleancën dhe SHBA-në, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i fushatave propagandistike janë hapa esencialë për stabilitetin e mëtejshëm¹⁰.
Rekomandohet gjithashtu një përqendrim i shtuar në inteligjencën dhe sigurinë kibernetike si elemente kyçe të parandalimit, si dhe zhvillimi i mekanizmave të kundërmasave ndaj ndikimeve negative politike dhe ekonomike që vijnë nga Rusia³.
Studime të mëtejshme duhet të theksojnë zbulimin e modeleve të reja të provokimit dhe metodave të avancuara për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit³.

Literatura e shfrytëzuar:

1. “Avionë luftarakë rusë shkelin hapësirën ajrore të Estonisë”, DW, 2025.
2. “NATO dhe reagimet ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore ruse”, NATO Defense College, 2025.
3. Patterson, R., “NATO’s Future Russia Strategy”, NATO Parliamentary Assembly, 2025.
4. Revista Ushtarake, Mars 2025, Akademia e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
5. “Strategjia ruse dhe konflikti në Ukrainë”, Institutet e Sigurisë Europiane, 2025.
6. Analiza mbi kërcënimet bërthamore dhe luftën hibride, Revista Ushtarake, 2023.
7. “Roli i Kinës në marrëdhëniet strategjike me Rusinë”, NATO Reports, 2024.
8. “Ekspansioni rus në Ballkan dhe sfidat për Kosovën”, Qendra për Studime Rajonale, 2025.
9. Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe analizat e sigurisë, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, 2025.
10. “Strukturat dhe kapacitetet e forcave të sigurisë rajonale”, Raporti i NATO-s për Ballkanin, 2025.
11. “NATO intercepton fluturimet ruse mbi Estoni”, Top-Channel, 2025.
12. “Rritja e buxheteve ushtarake nga vendet baltike dhe Polonia”, Balkan Security Review, 2025.
Photo by: www.twz.com

Filed Under: Ekonomi

Pozicioni rus dhe serb lidhur me transformimin e UÇK-së

September 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Dokumentet e vitit 1999 tregojnë qartë se si Rusia dhe Serbia bashkë vepronin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të kundërshtuar çdo përpjekje për transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pozicioni i Rusisë

• Rusia përmes Sergej Lavrovit paralajmëronte se çdo formë e “emergency corps” apo “Kosovo Protection Corps” ishte në fakt një maskim i ruajtjes së strukturave të UÇK-së.

• Argumenti kryesor ishte se kjo bie ndesh me Rezolutën 1244, sepse në vend të çarmatimit të plotë, do të lejohej ruajtja e organizimit, uniformave dhe armëve të vogla.

• Rusia frikësohej se këto njësi mund të shndërroheshin lehtësisht në ushtri të rregullt dhe të rrezikonin “stabilitetin politik në Kosovë”.

Pozicioni i Serbisë (FRY)

• Beogradi zyrtar theksonte se detyrë parësore e KFOR-it ishte çarmatimi i “terroristëve të UÇK-së” dhe se çdo vonesë po sillte vrasje, rrëmbime dhe dëbime të serbëve nga Kosova.

• Serbia përdorte narrativën e terrorit mbi popullsinë serbe, duke folur për dhjetëra mijëra të dëbuar, qindra të vrarë, qindra të rrëmbyer dhe mijëra makina e banesa të plaçkitura.

• Në çdo dokument, Beogradi kërkonte që KFOR-i të vepronte me urgjencë dhe të “çarmatoste terroristët e UÇK-së në mënyrë efektive dhe energjike”.

⚖️ Narrativa e përbashkët

• UÇK shihej si kërcënim i përhershëm dhe jo si forcë që duhej integruar në rendin e ri të Kosovës.

• Transformimi i UÇK-së interpretohej si shkelje e Rezolutës 1244 dhe si bazë për “remobilizim të strukturave ushtarake”.

• Rusia dhe Serbia synonin çarmatim total dhe shpërbërje pa asnjë pasardhje institucionale.

Kjo tregon se debati për të ardhmen e UÇK-së nuk ishte thjesht çështje lokale, por një betejë e madhe diplomatike mes fuqive të mëdha dhe Serbisë në OKB.

Filed Under: Analiza

SHQIPTARËT NË METAFIZIKËN E SHTREMBËRUAR TË MICKOVSKIT!

September 23, 2025 by s p

Roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është rastësi historike, por rezultat i një përvoje të gjatë rezistence dhe kontributi në të gjitha fazat shtetërore. Që nga ruajtja e gjuhës dhe arsimit, deri te pjesëmarrja vendimtare në proceset demokratike e integruese, shqiptarët kanë dëshmuar se janë një faktor i pazëvendësueshëm. Duke u përpjekur të rrënohet struktura e tyre politike, nuk goditet vetëm një organizim partiak, por minohet ura e besimit mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Shoqëritë shumëetnike, si ajo e Maqedonisë së Veriut, kanë dëshmuar ndër shekuj se stabiliteti nuk është një dhuratë, por një përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar ura besimi mes komuniteteve. Pa dashur të involvohem në fushatën parazgjedhore, ky tekst ka një qëllim jo politik: të evidentojë një fenomen që prek bashkëjetesën dhe stabilitetin e shtetit. Pozita e shqiptarëve, të cilët përbëjnë një faktor politik dhe shoqëror vendimtar, shpesh është kushtëzuar nga valë të ndryshme të retorikës politike herë integruese, herë përjashtuese. Deklarata e fundit e kryeministrit Mickovski për të shkatërruar subjektin politik shqiptar nuk është thjesht shprehje e një momenti politik, por simptomë e një krize më të thellë në kulturën e bashkëjetesës. Në thelb, ky qëndrim nuk sfidon vetëm një strukturë politike, por synon të delegjitimojë një subjekt historik të përfaqësimit të komunitetit shqiptar, duke rrezikuar kështu ekuilibrin mbi të cilin ngrihet vetë shteti.

Shoqëritë që nuk kultivojnë respektin e ndërsjellë, në fakt shembin themelet mbi të cilat ngrihet liria. Respekti nuk është një luks moral, por një rend i brendshëm që e bën bashkëjetesën të mundur. Kur ky dimension shpërfillet, krijohet një kontradiktë tragjike: mikut që ofron dorën i kthehet shpinë, ndërsa armiku që mban kamxhikun ngrihet në piedestal. Ky është një iluzion pushteti që ushqehet me frikë, një metafizikë e shtrembëruar e politikës, ku njeriu mësohet të admirojë dhunën dhe të përçmojë mirësinë. Në këtë rrjedhë, mungesa e respektit shndërrohet në një logjikë vetëshkatërruese, ku qytetari humb dimensionin e lirisë dhe kthehet vetëm në një figurë të frikës: të pranuar nga tirania, por të mohuar nga vetvetja.

Deklarata e Mickovskit për të shkatërruar subjektin politik shqiptar duhet parë jo vetëm si një provokim i radhës, por si një përpjekje për të ringjallur fantazmat e së kaluarës, kur përjashtimi ishte mjet sundimi.

Kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit e menduar si arkitekturë e re e bashkëjetesës por edhe rrezikon stabilitetin e brendshëm të shtetit. Historia ka treguar se kur pushteti përpiqet të delegjitimojë zërin e një komuniteti etnik, ai nuk forcon unitetin, por e brishtëson atë, duke hapur rrugë ndarjeve, krizave dhe mosbesimit.

Në këtë kontekst, gjuha nacionaliste e përdorur nga Mickovski, e cila synon shkatërrimin e një subjekti politik të dalë nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit, nuk mund të kalojë pa gjykim. Ajo duhet të vlerësohet jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga e gjithë shoqëria, sepse çdo heshtje ndaj kësaj retorike do të kishte pasoja të rënda për orientimin strategjik të shtetit.

Nëse lejohet që kjo gjuhë të normalizohet, atëherë Maqedonia e Veriut jo vetëm që rrezikon të humbasë ekuilibrat e brendshëm të bashkëjetesës, por edhe besueshmërinë përballë partnerëve euroatlantikë, duke vënë në pikëpyetje vetë rrugën e integrimit.

Në këtë dritë, respekti ndaj subjektit politik shqiptar nuk është vetëm një detyrim demokratik, por një garanci për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Të shkatërrosh përfaqësimin e një komuniteti etnik do të thotë të rrënosh mekanizmat e ekuilibrit, dhe aty ku mungon ekuilibri nuk ka as stabilitet, as paqe, por vetëm ringjallje të hijeve të përjashtimit.

Nëse kthehemi në retrospektivë, kjo retorikë e Mickovskit kujton gjuhën e liderëve nacionalistë të viteve ’90, të cilët me slogane për “mbrojtjen e shtetit” i çuan vendet e tyre drejt luftërave civile dhe shpërbërjes.

Në Bosnje, mohimi i të drejtave të boshnjakëve dhe kroatëve solli konfliktin më të përgjakshëm në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në Kroaci dhe Serbi, nacionalizmi agresiv i shndërroi komunitetet në armiq dhe i ndau për dekada të tëra. Historia ka dëshmuar se ata që kanë synuar të qeverisin përmes frikës dhe gjuhës së shkatërrimit, përfundimisht kanë rënë viktima të politikës së tyre. Në këtë prizëm, deklarata e kryeministrit Mickovski nuk është vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme: ajo ringjall një logjikë të konsumuar, të cilën bota dhe vetë rajoni e kanë dënuar e lënë pas.

Roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është rastësi historike, por rezultat i një përvoje të gjatë rezistence dhe kontributi në të gjitha fazat shtetërore. Që nga ruajtja e gjuhës dhe arsimit, deri te pjesëmarrja vendimtare në proceset demokratike e integruese, shqiptarët kanë dëshmuar se janë një faktor i pazëvendësueshëm. Duke u përpjekur të rrënohet struktura e tyre politike, nuk goditet vetëm një organizim partiak, por minohet ura e besimit mbi të cilën mund të ndërtohet e ardhmja e përbashkët. Çdo tentim për ta margjinalizuar këtë dimension është rrezik që shtetin e kthen prapa, duke e ekspozuar ndaj krizave të reja politike e sociale.

Prandaj, respekti ndaj subjektit politik shqiptar nuk është thjesht një detyrim formal i demokracisë, por një kusht themelor për paqe dhe stabilitet. Një Maqedoni e Veriut që guxon të injorojë ose të shtypë zërin e shqiptarëve, nuk i bën dëm vetëm këtij komuniteti, por shkatërron themelet e veta. Historia na mëson se aty ku mungon barazia dhe respekti, lindin kriza që askush nuk mund t’i kontrollojë. Sot, më shumë se kurrë, është koha për të kuptuar: pa shqiptarët nuk ka stabilitet, pa partneritet nuk ka të ardhme dhe pa respekt nuk ka integrim. Ky është mesazhi që duhet ta dëgjojnë të gjithë brenda dhe jashtë vendit nëse duan që Maqedonia e Veriut të ecë përpara si shtet i barazisë dhe i paqes së qëndrueshme.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 320
  • 321
  • 322
  • 323
  • 324
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT