• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA, HISTORI E DOKUMENTUAR E NJË JETE NË SHËRBIM TË KOMBIT SHQIPTAR

September 18, 2025 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Pjesa II

I shpërngulur në Elbasan jeta e Mustafait pati ndryshimet e saj profesionale e vetiake. U martua dhe u zhyt në punën e re, siç e ve ne dukje edhe biografi i tij. Ndërkaq nga shokët e tij në Durrës e në Krujë merr vesh se në Tiranë është formuar një grup intelektualësh të shquar që organizojnë manifestime kundërshtish kundrejt qeverisë së Vlorës. Madje edhe ndonjë ministër i kësaj Qeverie e braktis këtë për t’ i u bashkuar Faik Konicës, Fazil pashë Toptanit, Dervish Himës, Basri beg Dibrës, Mendu Zavalanit, Mehdi Frashërit, Mithat Frashërit etj. 

Pa plotësuar ende vitin e parë të qeverimit “Ati i kombit” u detyrua të përplaset me këtë bllok të brëndshëm, të organizuar nga Esat Pasha, që nuk u mjaftua vetëm me postin e rëndësishëm të ministrit të punëve të brëndëshme. Kërkesës së dorëheqjes së rolit të kryeministrit nga “opozita” shqiptare i u shtua edhe ajo, më e rëndësishme e KNK, që e detyroi padrejtësisht “Plakun e Vlorës”, pa asnjë mëkat, të braktiste veprën më të lavdishme të jetës së tij, e të shpërngulej nga vëndlindja për të jetuar në Perugia të Italisë.

Ato ngjarje patën ndikimin e tyre edhe tek sekretari  i këshillit të ministrave të zgjedhur prej tij, që në një vizitë tek Esat Pasha, pyetjes së këtij të fundit se si i dukej dokumenti i hartuar prej Faik Konicës e i ofruar prej tij për t’a lexuar, i u përgjigj me gjakftohtësi e vendosmëri: “Një akt tradhëtije, Pashë”     

Muajt e fundit të vitit 1913 dhe viti 1914 nuk e kanë ulur aspak vrullin e punës së Mustafa Krujës. E dëshmojnë këtë bisedat telefonike e letrat e shkëmbyera  me mjaft personalitete të jetës politike, administrative e kulturore si Avdi Toptani, Myfid Libohova, Hamid Toptani, Mahmut Beshiri, Xhemal Belegu, Lef Nosi, Iljaz vrioni, Burhan Kumbaro, Thanas Floqi, Aleksandër Xhuvani, Aqif Pashë Biçaku, Mithat Frashëri, Shefqet Dajiu etj.

Vitin 1914 shkrimtari i ynë i njohur Ismail Kadare e ka përkufizuar “Viti i mbrapshtë”. Besoj se ka plotësisht të drejtë se për Shqipërinë pati dy pamje, krejt të ndryshme e të kundërta me njëra tjetrën. Largimi i Ismail Qemalit, ashtu sikurse më parë dorëheqja e  Dom Nikollë Kaçorrit nga Qeveria duket se solli një farë ere paqtimi në jetën politike. Myfid be Libohova kishte miqësi të vjetër me Esat Pashë Toptanin, i cili, me zotërimin e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme dhe pa Kryeministrin, u duk se plotësoi deri diku kërkesat e tij e mbështetësve të “Pretorisë së Durrësit”. Si pasojë e kësaj atmosfere të re e rrethanave të jashtëme e të brëndëshme, në pjesën më të madhe të botës politike shqiptare u arrit një mirëkuptim kundrejt një princi evropian, që duhej kërkuar nga Evropa. Ky mori shëmbullimin e gjermanit Princ Wiedi, të cilit Shqipëria i dërgoi një delegacion përfaqësues të politikës së saj për t’i kërkuar miratimin e vendimin për të marrë fronin e Shqipërisë.

Ky vendim i Evropës u përshëndet si një nismë tejet pohenike dhe e favorshme edhe për t’ardhmen e Shqipërisë, si një Vend që do t’a shihte rrugën e saj të përkrahur nga kontinenti i vjetër. Sa do t’ishte e vërtetë një hamëndje e këtillë nuk u arrit të kuptohet e të sendërtohet, sepse vetë shqiptarët, ose pjesa më reaksionare e tyre, në gjithë historinë shqiptare u ngrit, u organizua, rrëmbeu armët e bëri të dështojë çdo ëndërr e idealistëve të “dheut të Arbërit”, duke detyruar mbretin e adoptuar të Shqipërisë t’a braktisë pa kthim këtë të fundit.    

Gjithë trishtimin e zinë kombëtare të shqiptarizmës dhe idealeve të saj e kishte shprehur vetë Mustafa Kruja në një letër që i drejtonte Ahmet beg Zogollit më 16 qershor 1914, nga Kruja e pushtuar:

““Shumë shênje janë për me na bâmë të besojmë se kjo kryengritje âsht vepra e Esad Pashës s’onë. Për qêndër ka Shijakun. Qarku i saj sod për sod kufizohet në prefekturën e Durrsit. Në fillim âsht shfaqun si nji lëvizje kundra mbledhjes dhe dërgimit  të vullnetarve në Korçë kundra andartve epirotë!. Mbrapa na duelën do kërkesa të çudiçme. Mâ në fund reakcion kundra pavarsís kombtare, lakuriq e me të tânë kuptimin e fjalës, i pështetun në fanatizmin fetar. Sod kryengritësit s’janë mâ tjetër për kurrkênd veçse nji turmë rebelash reakcjonarë qi luftojnë me bajrakun e Turqís për kthimin e sundimit të ksaj mbi vêndin t’onë. Of! Ahmet Beg. Qe! Mu përpara meje, përpara dy sŷve të mij atje mbi taben e fortesës së Krús, depozitares së kujtimevet t’ona kombtare mâ të shênjta, mâ të mallëngjyshme e mâ të krenueshme, atje në këtë ças âsht tue value bajraku i kuq me hân’ e yll të bardhë, shêmbëlltyra e robnís së katërqind e sa vjetve!….”

Me gjithë përpjekjet e shumanshme të qeverieë së Turhan Pashës, që kërkoi pa dobi edhe ndihmën e Evropës, e luftërat e vullnetarëve të qyteteve të ndryshme, po ashtu sikurse edhe të fuqive të Mirditës, të komanduar nga Preng Bib Doda e të Matit të drejtuar nga Ahmet beg Zogolli, nuk u bë e mundur shtypja e asaj kryengritjeje e qëndrimi i princ Wiedit në Vëndin tonë.  Shqiptarizma humbi betejën e saj të madhe, vetëm dy vite mbas fitores historike të 28 nëndorit, e, për ironi të fatit, u desh të mbështetej pa vullnet tek armiqtë më të egër të saj, ushtritë sërbe, që thyen bashibozukët e Haxhi Qamilit e të Musa Qazimit, e rivendosën përsëri në pushtet mikun e tyre, Esat Pashë Toptanin. Por “Viti i mbrapshtë 1914”, me të gjithë të këqijat e tij, u rikthye në kujtesën historike të shqiptarëve, i ringjallur, i lavdëruar, i ngritur në qiell nga fituesit e luftës së dytë botërore në truallin e Arbërit e zëdhënësit kulturorë të tyre deri në ditët tona. Kjo, ndoshta, ishte “fitorja më e shkëlqyer”, sepse, zyrtarisht u bë pjesë e “lavdisë” së popullit të Gjergj Kastriotit, si “pararendëse e revolucionit komunist shqiptar” të shekullit të XIX.  

1. Lidhja “Për Atdheun e Për Thronin” u themelua në Durrës me 28 të Qershorit 1914 me qëlllim që t’i shërbejë  e t’i ndihmojë me këshilla e mjete të tjera M. T. Mbretit e Qeverís në përpjekjet e tyne për shpëtimin e Atdheut nga trazimet e rrezikshme në të cilat ndodhet sod.

2. Lidhja do të qeveriset  prej nji këshilli 22 vetësh. Themelues të Lidhjes janë ZZ. Imzot Kaçorri, Dr. Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashëri, Izet Zavalani, L. Logori, G. Jatro, Themistokli Gërmënji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Dajiu, Kost Paftali, Nuri Vila, G. Cilka, Kasneci, Syrja Pojani, Hasan Frashëri.

3. Kryetar i Këshillit u zgjodh Z. Refik Toptani, nënkryetar Kasneci e shkronjës Z. L. Gurakuqi.

4. Këshilli ka zgjedhur një Komisië prej 5 vetash që do të jetë organ i tij për të mbaruar qëllimet e vêndimet e dhânuna. Si pjestarë të Komisiës u zgjodhën ZZ. Eshref Frashëri, L. Gurakuqi, Mustafa Kruja, Abdyl Ypi, Idhomeno Kosturi. Këta do të jenë edhe përgjegjës përpara Qeverisë. 

N’ato ditë të stuhishme për fatet e Shqipërisë atdhetarët e kombit themeluan një organ të ri kushtetues me një qëllim të caktuar për të ndihmuar qeverinë dhe oborrin mbretëror në detyrën e tyre, pothuajse të pamundur, nga rebelimi i Shqipërisë së mesme. Një veçanti e Lidhjes ishte fakti që në themelimin e saj morën pjesë shumica dërmuese e politikës shqiptare, gjë që krijonte premisat për një bashkëpunim të ri e plot dëshirë për të ecur përpara. Por ngjarjet shpejt përcaktuan fundin e paparashikuar të mbretërisë së re e shpresave  të shqiptarëve në 3 shtator 1914 me largimin e Princ Wiedit.

Vitet 1915 – 1918, për një sërë rrethanash e ndodhish të jetës vetiake, shënojnë një periudhë “pushimi” të veprimtarisë aktive në jetën politike të kombit. Shkurtimisht do të përshkruhen me pak fjalë  të pabotuara, por të sjellura nga një “rrëfim” i vetë atij para familjes, në një natë dimri të vitit 1943, kur i dorëhequr prej gati një viti nga përgjegjësia njëvjeçare e qeverisë dhe nga ajo, pothuajse tridhjetëvjeçare e politikës, ndoshta ndiente nevojën të shpaloste para familjes çastet më të vështira të jetës së tij. Ai “rrëfim” u shkruajt në një fletore të thjeshtë nga babai im, si trashëgim historik që i linte nipit të tij, Besandrit. E kam sjellë në këtë libër ashtu siç e kam gjetur. Ndoshta mund të ketë ndonjë mospërputhje mes kujtesës së babait tim dhe jetëshkrimit të studjuesit Kurti, por që nuk cënon thelbin e së vërtetës, por mund të jetë çështje hollësirash jo shumë të rëndësishme.   

“Më kishin veshun këmishën e bardhë, me të cilën vareshin të dënuemit me vdekje. Të nesërmen herët erdhi roja me më marrë. Kisha duert të lidhun përpara. Kur dola jashtë gjeta dy xhandarë me pushkë në krah. Për habinë time, në vênd qi me më drejtue në vêndin e ekzekutimit xhandarët u kthyen ke ish pallati i Princ Wiedit ku qëndronte Esat Pasha. Mbasi hypa disa shkallë më ndalën përpara nji dere të madhe qi e njofta menjiherë. Ishte dera e dhomës ku punonte Princ Wiedi, në të cilën kisha hŷmë nja dy herë, i pritun nga Princi. Tashti aty punonte Esat Pasha.

Para asaj dere qëndrojshin dy xhandarë të tjerë. Mbasi xhandarët folën pak fjalë ndërmjet tyne, dera u hap dhe u gjinda në dhomën e madhe. Para meje, në kâmbë, qindronte Esat Pasha! Ishte veshun me uniformën e gjeneralit turk dhe gjoksi i tij ishte mbushun me dekorata. Mbi kokë mbante tonuzin e kuq turk. Me duer mbrapa më shikoi drejt në sy. Para shikimit të tij shumë kush u dridhte, por un nuk u ligshtova. Edhe un e shikova drejt në sy. Nuk ishte hera e parë qi gjindesha pranë tij, dhe isha mësue me ndejtun pranë atij burri autoritar e politikan dinak, i njohun në gjithë Evropën.

Mbasi pa se un nuk i ula sytë përpara tij, ai vuni pak buzën në gaz.

-E dij se je edhe trim, më tha, por jo deri kaq.

Un nuk i u përgjigja.

-Të dhashë vêndin e nënprefektit, kur mbarove shkollën dhe shkallë shkallë të mbërrîjshe në vêndin e valiut, por ti zgjodhe vêndin e mësuesit të matematikës. Megjithatê nuk ndejte urtë. Fillove të luejsh bishtin sa andej këndej. Mâ vonë të thirra me të dhânë vênde me rândsí n’administratën teme, por nuk pranove. A nuk âsht kështu? Por pse mor qen – vazhdoi  me inat, ndërsa fytyra e tij u vrâjt – pse mbërrîne deri këtu. Un të kam rritun e të kam dhânë shkollë. Kam dashtë të bâhesh njeri me pozitë, të bâhesh i madh. 

-Kështu âsht – i  u përgjigja.

-Po atëherë pse u vûne kundër meje – shfryu Esat Pasha, siç e kishte zakon kur inatosej.

U mêndova pak, mandej i thashë:

-Pashë, un e due Shqipnín, prandej lashë mësimet e mora pushkën. Bashkë me Avdi Beun shkuem deri në Vlonë për këtê Shqipní, me ngrejtë flamurin tonë e jo të Turqís.

-Po pse un nuk e due Shqipnín?, –  më ndërpreu me zâ të fortë.

– Po, Pashë, por ju e doni për vehte, ndërsa un e due për shqiptarët – i u përgjigja aty për aty shumë i qetë, dhe vazhdova:

-Ju u morët vesh me Serbinë e Greqinë, për me i u dhânë atyne pjesë të tokave shqiptare, për me sundue ju vetë n’at pjesë qi caktuen Fuqitë e Mëdhá – Këtê,  na nacionalistët e quejmë tradhtí!

E dijsha mirë qi kjo fjalë e fundit do të më kushtonte jetën por nuk munda mos me i a thânë.

Esat Pasha u bâ zi në fytyrë. Bâni disa hapa mbrapa në dhomë, mandej përplasi duert. Menjiherë u hap dera dhe hŷnë mbrênda dy xhandarët.

-Merreni këtê qen – u tha atyne me inat – dhe futeni n’anije. 

Më shikoi si i tërbuem deri sa dola jashtë. Kuptova aty për aty se Esat Pasha m’a kishte falë jetën e do të m’internonte diku. Isha i kënaqun jo vetëm pse kisha shpëtue nga litari, por sidomos pse pata guximin me i a thânë në fytyrë Esat Pashës tradhtinë e tij kundër Atdheut.

Më mbajti disa muej n’anije, mandej më dërgoi në burgun e Barit (Italí). Prej andej autoritetet italiane më trasferuen  në nji ishull të vogël të quejtun Favignana. Ishte vjeti 1916. Aty gjeta edhe shqiptarë të tjerë nacionalistë qi mbaheshin t’internuem.

Në fillim të vjetit 1917, nji mik i emi, Sotir Gjika, ndërmjetësoi pranë qeverisë italiane për me më lirue dhe un u lirova. Sotiri më shoqnoi deri në Romë. Në kryeqytetin e Italís ai ishte funksionar në Ministrinë e Jashtme. Atë vit ai u martue dhe un qeshë dëshmitar martese. Në fillim të 1918-s Sotir Gjika filloi me botue gazetën “Kuvêndi” në gjuhën shqipe dhe un u bâna kryeredaktori i saj. 

Shumë vjet mâ vonë Petriti u martue me Elenën, vajzën e mikut tonë të vjetër, të cilën e gëzojmë sot në shtëpinë tonë.

Asim Xhenani heshti. Ulun siç ishte në nji kolltuk, bashkoi të dy duert përpara dhe mbështeti kryet mbi to. Ndoshta kujtimet e kishin mundue. Asnji prej nesh nuk foli.”

“ Deri në mbarim të luftës botore mbet në Itali. Ky mërgim i dha rasë me nxânë italishten, me njohun Italín, bukurít e saja natyrore e artistike, karakterin fisnik të popullit të saj, kulturën e saj. Zhvilloi nji veprimtarí gazetarije në bashkpunim me Sotir Gjikën në faqen shqip të gazetës së Barit Corriere delle Puglie e mandej në  të përjavëshmen Kuvêndi të Romës. N’artikujt qi ka shkrue në këto dý fletore ndrisin me nji qartí nga mâ të kulluetat ndjenjat e tij patriotike, stili i tij i rrjedhshëm, logjika e fortë, urtija e mêndimevet.”, vazhdon tregimin e tij At Donat Kurti. 

Mustafai kthehet në atdhe mbas një mungese të gjatë prej gati katër vitesh, në të cilët kishte provuar ndarjen nga familja, duke lënë djalin e parë foshnjë e duke e gjetur gati katër vjeç e duke mos gjetur më në jetë nënën që kishte ndërruar jetë në moshën e re dyzetepesë vjeçe, e plasur nga dëshpërimi i arrestimit e dënimit të birit të madh. Ishte vërtetuar plotësisht profecia e mamisë gjatë lindjes, por nuk kishte kohë as për t’a qarë sepse një telegram nga Durrësi e ftonte atje ku do të mblidhej kongresi. “Thirrej me organizue, bashkë me Luigj Gurakuqin, Fejzi bej Alizotin, Myfid bej libohovën e Mehmet be Konicën, Kuvêndin e Durrsit qi do të shqyrtonte gjêndjen e re të krijueme në Shqipní mbas luftës botore.” Shkruan At Donati.

Në kongres ai u zgjodh ministër i post – telegrafave e antar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, së bashku me Luigj Gurakuqin, Imzot Luigj Bumçin, At Gjergj Fishtën, Mithat Frashërin, Mehmet Konicën e Mihal Turtullin, e natyrisht Kryetar kryeministrin Turhan Pasha. Në fillim të shkurtit 1919 filloi nga puna si sekretar i Dërgatës. Pesë muajt e qëndrimit në kryeqytetin francez qenë kohë pune tepër të rrasun për sekretarin e Dërgatës. Të gjithë dokumentat që i paraqiteshin konferencës: mendore, përkujtesa, letra personaliteteve të ndryshme, statistika popullsish të krahinave të ndryshme shqiptare, protesta, padira, hartoheshin prej tij dhe Luigj Gurakuqit, me të cilin e lidhte jo vetëm përkatësia e bindjeve politike, por edhe një miqësi e ngushtë. Të gjithë ata dokumenta u botuan mbas largimit të tij nga Parisi e kthimit të tij në Durrës. Gjatë rrugëtimit ai u ndalua në Romë ku në një “tipografi të një koperative shoqërore” mundi të botojë librin:”Shqipnia përpara Konferencës së Paqës”

“Popullit Shqiptar”, “Kërkesat e Shqipnís”, “Parashtruemja e Kërkesave Shqiptare në Këshillin e të Dhetvet”, “Mendore mbi Shqipnín e Sipërme”, të pasuara nga pesë faqe statistikash popullsie që banonte në trevat shqiptare, të lëna jashtë kufijve shqiptarë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, janë pjesa më e rëndësishme e veprimtarisë të asaj Dërgate në muajt e parë. Ato statistika ishin marrë nga dokumentacionet e llojit të tyre, jo nga shqiptarë, por nga ekspertë të  autoriteteve statistikore turke í1908 – 1909), nga autoritetet ushtarake austriake, gjatë luftës së Parë botërore, nga Instituti hartografik i Sofies në Bullgari dhe nga një përmbledhje krahasuese e të tre hartave.

Argumentat e trajtuara flasin për kompetencë profesionale e rigorozitet shkencor  në shpalosjen e tyre para komisioneve të Konferencës. Janë të vërteta që paraqiten në të gjitha përmasat e tyre faktike deri në detaje, një platformë mbrojtëse e një cilësie të lartë në mënyrë të pakundërshtueshme. Ajo platformë është e bazuar më shumë në opinione të shprehur publikisht  nga të tjerë përfaqësues të diplomacisë evropiane, dëshmitarë të zhvillimeve historike të Ballkanit, kryesisht të Shqipërisë. Shifrat e statistikave të popullsisë së qyteteve të ndryshme të Shqipërisë së grabitur, janë të pamëshirshme në padinë e një sulmi ushtarak banditesk kundrejt trevave shqiptare, sa që një gjykatë e vërtetë nuk do të kishte patur as mëdyshjen më të vogël për t’i kthyer ato njësi territoriale në zanafillën e tyre etnike, por fatkeqësisht Konferenca e Versajës nuk qe një gjykatore e tillë. Ajo u tregua një burim paragjykimesh historike e politike, që kishin patur fillesën në shprehjen famëkeqe të kancelarit prusian Bismark, “Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike”, në Kongresin e Berlinit, e arrin deri tek opinionet kundërshqiptare të Klemansoit e Llojd Xhorxhit  e parapëlqimet e tyre në dobi të Sërbís e të Greqís. Përballë atyre bindjeve 14 pikat e presidentit amerikan Wilson  mbetën vetëm si një rreze shprese morale në shpalosjen e tyre  demagogjike, por nuk arritën të ndikonin në vendimet kryesore.

  Më duket e udhës që të përzgjedh nga ai grumbull dokumentesh, dy prej tyre, të cilët përgënjeshtrojnë hapur opinionin e historiografisë komuniste mbi Mustafa Krujën që prej tre të katërtash shekulli. “Çâshtja e Vlonës”, është një notë proteste nga Dërgata Kryetarit të SHBA Wilson. Ka stilin karakteristik të Mustafa Krujës, i hapur, pa doreza e që godet në thelb të problemit. Dërgata e Qeverisë së Durrësit që, në gjuhën e historiografisë komuniste, quhet “tradhëtare” e “proitaliane”, proteston pranë Presidentit amerikan për mendoren që ai i paska dërguar Dërgatës italiane më 14 prill 1919, në të cilën “këshillon që Italia të mbajë limanin e Vlonës për vete”:

Çâshtja e Vlonës

Shkëlqesës së Tij, Z. Wodrow Wilson,

Kryetar i Shtetënvet të Bashkueme t’Amerikës.

Zoti Kryetar,

Dërgata e Qeverís së Përkohëshme Shqiptare e këndoi në gazetat, me mâ të madhen dhimë të zêmrës, mêndoren qi Shkëlqesa e Juej i paska drejtuem Dërgatës Italiane më 14 Prill 1919, në të cilën këshillon qi Italia t’a mbajë limanin e Vlonës për vete.

Çudia e jonë qe aqë mâ e madhe e e therëshme tue qênë se populli i vogël shqiptar e kishte mbështetun të tânë shpresën e vet mbi parimet e nalta të Shkëlqesës s’Uej qi me mos damun vêndet pa u marrë para sŷsh të drejtat kombtare të popujvet qi rrijnë më to. Shqipnija âsht vêndi mâ i vogli e ma i sakrifikuemi i Ballkanavet. Të gjithë fqîjt e saj i kanë këputun, me traktatin e Berlinit e me konferencën e Londrës më 1913, copat ma të bukurat qi s’kanë mbrênda veçse Shqiptarë e po kanë shpresë me i marrë prap edhe tjera. Me të vërtetë në rrethet greke qi marrin lajme të sakta thuhet se Z. Venizelos ka mërrimun me siguruem ndihmën e Amerikës për me i dhânë Greqiës nji pjesë të madhe të Shqipnis së Poshtme.

Na duket e padrejtë, z. Kryetar, qi, në vênd me u marrë para sŷsh kërkesat t’ona kombtare, po mêndohet me u falun   tjera copa të tokës shqiptare a për me u rregulluem nji ngatërresë qi s’i përket n’asnji mënyrë Shqipnis. 

Besojmë me gjithë shpirt se Dërgata e Shtetënvet të Bashkuem ka rânë në nji gabim të padashun për sa u përket punvet të Shqipnís e mêndja na thotë se Apostulli i nderuem i së drejtës së popujvet nuk do të dojë me u larguem prej parimevet fisnike qi ka proklamuem aqë bujarisht.

I lutem Shkëlqesës s’Uej me pritun sigurimet e nderimit t’êm fort të naltë.

Paris, 8 maj 1919                                                   Kryetar i Dërgatës Shqiptare

  (Nênsh.) TURHAN

Kjo ishte letra që Dërgata i dërgoi Presidentit të SHBA. Mbas tri javësh, një tjetër letër i u dërgua Kryetarit të Konferencës së Paqës, Kryeministrit të Francës Clemenceau, ku trajtohet i njëjti argument i letrës së parë, ai i mandatit italian mbi Shqipërinë:

Protestë kundra mandatës italiane

Shkëlqesës së Tij, Z. G. Clemenceau,

Kryetar i konferencës së Paqës.

Shkëlqesë,

Pas lajmeve qi po sillen pa reshtun mbi zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave, Dërgata shqiptare e sheh veten të detyrueme, edhe nji herë, me ardh’ e me protestuem me ponië kundra mënyrës me të cilën Konferenca po e vështron çâshtjen shqiptare.

Duke u mbështetun mbi të drejtat q’i janë njohun Shqipnís në Konferencën e Londrës më 1913 e mbi parimet qi Fuqit e Mëdhaja të Lidhuna e të shoqnueme kanë proklamuem vetë bujenisht, Dërgata Shqiptare i ka paraqitun Konferencës së Naltë kërkesat e drejta të vêndit të vet e ka pritun pa dobi deri tashti qi t’i merren parasŷsh. Mirë po ajo po sheh, me mâ të madhin idhnim, se çâshtja shqiptare s’âsht shikuem as njiherë në mënyrë të posatshme, por, për kundras, qi Shqipnia âsht shikuem si nji fushë shpërblimesh për me lehtuem rregullimin e ngatërresave, me të cilat populli i ynë s’ka asnji punë; ose edhe për me mênduem për njimend të bashkuemen e nji pjese të madhe të Shqipnís së Poshtër me Greqín; përkundras, po ky komision i ngarkuem edhe me punët e Shqipnís, s’âsht mbledhun asnjiherë për me biseduem.

Dërgata Shqiptare beson se nuk mund të jenë dy pesha e dy masa për të vêndosun organizimin e ri të botës, themeluem mbi drejtësín. Edhe në këtê ças, kur Konferenca e Paqës po rreket me caktuem pozitën e Italisë mbi bregun lindor t’Adriatikut, paska bâmun fjalë për Shqipnín, gjithnji me t’ardhun e vetëm për me lehtuem zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave.

Për me zgjidhun këtê çâshtje pra Konferenca paska mênduem me i dhânë Italís mandatën mbi Shqipnín edhe limanin e Vlonës.

E pranojmë qi kujdesimi i njânës prej Fuqivet të Lidhuna a të Shoqnueme, natyrisht përveç Shtetënvet ballkanikë, mund të jetë i dobishëm për Shqipnín për me i prîmun në hapat e para të mëvetësís së saj. Por megjithë këtê nuk mundemi kurrsesi me pranuem qi të kenë si me i u aplikuem Shqipnís urdhënat e artikullit 22 të paktit të Lidhjes së Kombevet qi janë vûmun kështjellas   veç për koloni e vênde afrikane e aziatike “qi, nga shkaku i luftës, u kanë dalë duersh atyne q’i i kishin”. S’mundemi me pranuem as qi të mund i vêhet Shqipnís nji ç’do farë kujdesimi pa e pyetun parandej për të zgjedhunit e Pushtetit qi do t’i epet për kujdestar e për mënyrën se si do të zbatohet ky kujdesim në Shqipní.

Populli shqiptar s’do të mundet me pranuem vêndime q’i vênë kundra tânsís toksore e mëvetësis së tij, dhe aqë mâ pak me u shtruem.

Dërgata Shqiptare u sillet edhe njiherë ndîesivet të nalta të përfaqsuesvet të Fuqivet të Mëdhaja në Konferencë, qi çâshtja kombtare e saj të rregullohet me të drejtë për me i u kursyem popullit shqiptar të tjera të liga, duke i shpërblyem edhe padrejtësit q’i kanë pasë bâmun traktatet e përparshme.

Pritni, Shkëlqesë, sigurimin e nderimit t’êm të naltë.

Paris, 1 Qershor 1919                                   Kryetari i Dërgatës Shqiptare

      (nensh.)   TURHAN

Filed Under: Histori

Festë shqiptare në Boston

September 17, 2025 by s p

Katedralja Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit në jug të Bostonit fton komunitetin shqiptar në eventin e përvitshëm “South Boston Street Fest”, që do të zhvillohet ditën e Shtunë, më 20 Shtator 2025 me muzikë live, valle, ushqim dhe argëtim komunitar gjatë gjithë ditës!

Mos e humbisni performancën e veçantë të Valleve Rinore të Kishës Shën Gjergji, si dhe grupin e shoqatës “Laberia” në Boston me iso tradicionale, të cilët do të ngjiten në Skenën 1 nga ora 1:30–2:00 pasdite!

Gjithashtu, të dielën, më 21 shtator 2025 pranë Katedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit, e njohur edhe si Kisha e Nolit, do të mbahet Festivali i Verës nga ora 11:00am deri 4:00pm!

Ftohet komuniteti për të festuar traditën me shtrydhje rrushi, muzikë dhe atmosferë festive!

Shijoni një drekë të plotë shqiptare me sallatë, qofte, oriz, byrek dhe ëmbëlsirë, plus një gotë falas të verës së vitit të kaluar.

Dreka vetëm me një donacion prej $20 për të rriturit, ndërsa fëmijët hanë falas.

Regjistrohuni këtu: https://forms.gle/KwG77R2uskXX7muD6

VATRA në Boston mbështet këtë event dhe fton komunitetin të bashkohet për këtë fundjavë festive me kulturë, traditë dhe gëzim komunitar.

Filed Under: Reportazh

Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, “Bardha e Temalit”

September 17, 2025 by s p

Albert Vataj/

Romani “Bardha e Temalit” i Pashko Vasës, është një vepër e rrallë dhe e rëndësishme në letërsinë shqiptare, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për rolin e saj në afirmimin e identitetit kulturor shqiptar në Europë.

Pashko Vasa (Albanus Albano) e shkroi romanin në gjuhën frënge, me titullin “Bardha de Témal”, Scènes de la vie albanaise, botuar në Paris më 1890 nga shtëpia botuese Albert Savine. Vepra u shkrua në një kohë kur Europa kishte interes për “eksotikën” e Ballkanit, dhe Vasa Pash Shkodrani e përdori këtë dritare për të prezantuar zakonet, ndjenjat dhe sfidat e shqiptarëve. Romani përshkruan një histori dashurie tragjike mes Bardhës, një vajze qytetare nga Shkodra, dhe Lulit, një bajraktar nga Temali.

Konflikti lind nga përplasja e zakoneve malësore me ndjenjat e individit, ku Bardha shihet si “e huaj” dhe “e padenjë” nga gratë e malit, për shkak të prejardhjes dhe sjelljes së saj. Në romanin “Bardha e Temalit”, Pashko Vasa, nën pseudonimin Albanus Albano, ndërton një tablo të pasur dhe dramatike të jetës shqiptare, ku përplasja mes qytetërimit dhe malësisë, ndjenjës dhe zakonit, individit dhe kolektivit, merr trajtën e një tragjedie. Fragmenti që përshkruan kthimin e Bardhës në shtëpinë e prindërve të saj është një skenë e ngarkuar me tension kulturor dhe simbolikë të thellë, por trajtimi që i bëhet meriton një vështrim kritik që shkon përtej sipërfaqes së spektaklit.

Figura e Bardhës, Viktimë apo heroinë?

Vetëm mund të magjinohet dhe të përfytyrohet dinamika e një skene të tillë, të dalë nga mjeshtëria dhe thellësia e penës së Pashko Vasës. Bardha përshkruhet si një “fëmijë e gjorë”, e heshtur, e mbuluar me vellon e bardhë, që kalëron mes një kortezhi të zhurmshëm burrash malësorë. Ajo nuk flet, nuk kundërshton, nuk shpreh ndjenjë, ajo është një trup “i pajetë”, një simbol i sakrificës, një viktimë e një martese që nuk e zgjodhi, por e pranoi. Në këtë trajtim, Bardha nuk është subjekt i historisë, por objekt i saj.

Ajo bart peshën e paragjykimeve dhe dhunës simbolike që shoqëria i rezervon gruas së ndryshme, një peshë e rëndë që sfidon gjet e ndjenjave dhe përjetimeve, vullnetin e atyre që duan të shikojnë veten jashtë këtij qerthulli, por ata munden thjeshtë të binden, duke përmbushur me pamëshirë këtë vullnet tragjik që ushtron sipas ligjeve dhe kodeve të saja, të udhëtuar në kohë dhe në pamundësi për të ndryshuar.

Ky përshkrim, ndonëse i fuqishëm vizualisht, e redukton Bardhën në një figurë pasive, duke e zhveshur nga potenciali i saj për të qenë një zë kritik ndaj zakoneve patriarkale. Në vend që të jetë një heroinë që sfidon normat, ajo kthehet në një emblemë të dhimbjes, të përçmimit dhe të heshtjes. Asaj i mbetet thjeshtë të bindet, sepse ligjësia mbi të cilën ata kanë ndërtuar dhe diferencuar jetët dhe përkatësisë e tyre, është shumë më e fortë se çdo kurajë për t’iu kundërvënë, se çdo pasion që thirret në këtë skenë për të shpallur për të hyrë në një betejë humbëse.

Malësorët, mes stereotipit dhe krenarisë

Malësorët përshkruhen si “gjysmë të egër”, të paaftë për delikatesë, të motivuar vetëm nga krenaria e klanit dhe dëshira për të shfaqur forcën. Ky trajtim, ndonëse i zakonshëm në letërsinë e shekullit XIX, bie në një stereotipizim që e redukton kompleksitetin e kulturës malësore në një karikaturë të burrërisë së verbër që sfidon ligjet e humanitetit, për të përfaqësuar ashpërsinë e kodeve zakonore dhe normës që u gatua në egërsinë e atyre maleve, pa mundur do të zbusi njeriu edhe në përballje me një nga ndjenjat më të fuqishme dhe më transformuese, dashurisë.

Në vend që të paraqiten si bartës të një tradite të pasur dhe të ndërlikuar, ata shfaqen si spektatorë të një rituali që nuk kuptojnë, por e kryejnë për të ruajtur statusin. Nuk ka altërnativë. Ka vetëm evidentim kokëfortë i një pandryshueshmërie që përdor njerëzit, duke i shndërruar ata në aktorë në një tragjikomedie.

Kortezhi i tyre nuk është akt nderimi, por demonstrim force. Ata nuk e përcjellin Bardhën për respekt, por për të kënaqur krenarinë e bajraktarit. Në këtë mënyrë, spektakli i burrërisë mbulon vuajtjen e individit, duke e kthyer ceremoninë në një paradë të dhunës simbolike, në një spëktakël të pamëshirshëm, ku figurat lëvizin në këtë skenë të ftohtë si hije të zeza që dali nga thellësia e kohës.

Narrativa, mes etnografisë dhe introspeksionit

Trajtimi i skenës është i pasur me detaje etnografike: veshjet, ritualet, reagimet e turmës, përshkrimi i rrugëve të Shkodrës. Por ajo që mungon është introspeksioni. Nuk ka përshkrim të ndjenjave të Bardhës, të mendimeve të saj, të dilemave të saj. Ajo nuk është një personazh, por një pamje. Kjo e bën skenën të fuqishme vizualisht, por të varfër emocionalisht. Ajo është një vdekur, së cilës i duhet të luaj rolin e një të gjalle që është zgjuar nga vdekja për të përmbushur brutalitetin e një kodike zakonore që sundon, njeriun si qënie dhe shoqërinë si produkt i ngurtë i një realiteti që zhvendos gjithçka, pa qasjen për t’iu nënshtruar një transformimi.

Në vend që të eksplorojë dramën e brendshme të gruas që përplaset mes dy botëve, trajtimi mbetet në sipërfaqen e spektaklit, në një skenë teatri absurd. Kjo është një mungesë që e dobëson potencialin kritik të romanit, duke e kthyer në një tablo më shumë për syrin sesa për zemrën, e pse jo, krejt një pasqyrim thelbësor i një fanatizmi që përdor njerëzit dhe kohën e bën të pafuqishme për të sjellë ndryshim.

Bardha si thirrje për ndryshim

Megjithatë, nëse lexojmë përtej fjalëve, Bardha mund të shihet si një figurë që denoncon heshturazi dhunën e zakoneve. Kuptimi i themeltë i pasqyrimit të Pashko Vasës është jo vetëm vizatimi me besnikëri që ai i bë një realiteti, por edhe nevojës që vetë ky realitet thërret për ndryshim. Velloja e bardhë, heshtja, sytë e ulur, janë shenja të një proteste të heshtur, të një refuzimi që nuk ka zë, por ka peshë, elemente të cilat kanë ardhur deri në ditët tona si tregues të një solemniteti, me të cilin tradita zakonore e vesh këtë ritual.

Ajo nuk kundërshton me fjalë, por me praninë e saj të ndryshme, me elegancën e saj, me ndjeshmërinë që nuk përputhet me kodin e malësisë, dhe ky është një reagim që u drejtohet atyre që duan të shohin dhe të kuptojnë përtej fasadës, të futen thellë në botën shpirtërore të personazhit dhe të zhveshin lëkurën, me të cilën realiteti mbështillet për të qenë jo vetëm e përfaqësuar, por edhe e mbrojtur. Në një farë mënyre një korace të papërshkrueshme, që duhen vullnete të fuqishme përjetimi që të munda ta çajnë atë, për ta shpërbërë dhe për t’ia shpërfaqur botës me lakuriqsinë e vet, vërtetësisht dhe ngutësisht të prirur për ballafaqim dhe ndryshim.

Në këtë kuptim, trajtimi i Albanus Albanos (Pashko Vasës) është i ndershëm në pasqyrimin e realitetit, por i njëanshëm në interpretimin e tij. Ai e ekspozon dhunën e zakoneve, por nuk e artikulon mjaftueshëm dramën e individit si zë kritik. Bardha mbetet një figurë e heshtur, kur mund të ishte një zë që sfidon.

Dinamika e zhvillimit kulmor

“Luli, bajraktar i fisit Temal, ishte i ri, trim, i flaktë; e donte të bukurën, të madhen dhe mbi të gjitha të renë. Në pamundësi, për mungesë edukimi dhe mjetesh, për të kryer veprime brilante, apo për t’u përfshirë si të parët e tij, në luftime të përgjakshme me fiset fqinje, ai donte të tërhiqte vëmendjen e publikut me një shtysë të paparë në traditat e tij familjare. Ai, burri i malit, kërkoi dhe mori dorën e një vajze të re nga Shkodra, duke u larguar përmes këtij ekscentriciteti nga zakonet e burrave të fisit të tij, të cilët i vlerësojnë gratë vetëm për forcën e tyre fizike, guximin e tyre dhe numrin e fëmijëve meshkuj që ajo i jep të shoqit dhe që, për rrjedhojë, nuk urrejnë asgjë sa aleancat me vajzat e fushës, të cilat i konsiderojnë si krijesa të dobëta dhe të padenja për t’u quajtur nëna nga djemtë e malit.

Duke celebruar këtë martesë, Luli kishte marrë damkën e klanit të tij; e kishin kundërshtuar, madje ishin indinjuar nga fakti që trashëgimtari i krerëve të Temalit, nëpërmjet aleancës së tij me banorët e qytetit, kishte hequr dorë nga avantazhet e një bashkimi më të përshtatshëm me vajzën e një kryemalësori (bajraktari tjetër). Pra, Bardha e gjorë konsiderohej vetëm një “spiune”; fustanet e saj të qëndisura me ar, perlat dhe veshja e saj elegante i bënin gratë e maleve të llafazanonin, të tronditura nga luksi që ajo shfaqte…

Pavarësisht largësisë që Bardha frymëzoi në to, Temalistët, pasi mësuan se ajo duhej të shkonte te prindërit e saj, nxituan të zgjidhnin një grup prej njëqind burrash, midis malësorëve më të guximshëm, të armatosur mirë, të mësuar mirë, për të shërbyer si përcjellës i saj.

Nuk ishte me qëllim që ta kënaqnin atë që ata kishin qenë kaq të vëmendshëm, sepse kjo procedurë delikate nuk ishte në harmoni me natyrën e këtyre burrave gjysmë të egër; aparati ushtarak që ata donin të vendosnin me këtë rast ishte vetëm për shkak të dëshirës për të shfaqur fuqinë e udhëheqësit të tyre, duke kënaqur krenarinë e tyre. Bardha hipi mbi një kalë të bardhë të zbukuar plot me luks oriental; dy gra e ndiqnin me mushka. Përpara saj ecnin rreth njëzet të rinj; pjesa tjetër e kortezhit e ndiqte. Gjatë udhëtimit, gjithçka që bënë ishte të këndonin, të bërtisnin dhe të qëllonin; herë pas here ndalonin për të pushuar pak e për të pirë për shëndetin e bajraktarit. Sa për gruan, nuk bëhej fjalë për këtë. Me të mbërritur pranë rrugicës që të çonte në fshat, malësorët ndezën një zjarr në radhë, të cilit iu përgjigjën disa të shtëna pistolete, të qëlluara nga kureshtarët, të cilët, të përzier me gratë, prisnin që Bardha të kalonte.

Kortezhi ndoqi itinerarin e tij nëpër rrugët e qytetit, mes këngëve dhe krismave të pushkëve të malësorëve, mes urimeve të zhurmshme që gratë i drejtonin nuses së re dhe komenteve të larmishme të shkodranëve, vështrimet intriguese të të cilëve drejtoheshin nga dritaret e mbushura me gra të mbuluara që kishin lënë punët e shtëpisë për të parë këtë spektakël të pazakontë.

Teksa kortezhi i afrohej shtëpisë së babait të Bardhës, numri i kureshtarëve shtohej. Për banorët e Shkodrës ishte një ardhje thuajse e paprecedentë; sepse një vajzë e re e qytetit nuk ishte martuar kurrë me një malësor; kurrë nuk kishte ecur një grua në rrugë e ndjekur nga një procesion kaq i zhurmshëm dhe madhështor. Kudo turma u rreshtua për të lënë Bardhën dhe shoqëruesit e saj të kalonin; kudo e përshëndetnin dhe e brohorisnin. Por fëmija e gjorë kalëronte në mes të gjithë këtyre njerëzve, me sytë e saj të zhytur dhe të mbuluar me një vello të bardhë si një viktimë e çuar në sakrificë, duke mos parë askënd dhe duke mos iu përgjigjur urimeve dhe komplimenteve që gratë i drejtonin vazhdimisht me lëvizje të lehta të kokës në formë nderimi.

Kur mbërriti para shtëpisë së babait të saj, dera e madhe u hap dhe mundësoi pamjen e një turme të afërmish të të dyja gjinive që ishin mbledhur për ta pritur e për ti uruar mirëseardhjen. U vërsulën drejt saj. Vëllai e kapi nga beli dhe e zbriti nga kali, duke bërtitur nga gëzimi dhe duke e mirëpritur. Mezi vuri këmbën në tokë, kur e gjeti veten në krahët e nënës së saj, dhe, në këtë përqafim, nënë e bijë i thanë njëra-tjetrës më shumë gjëra nga sa mund të shkruanim brenda një dite.”

Në përvjetorin e 200-të të lindjes së Pashko Vasës, ky roman na fton të reflektojmë jo vetëm mbi historinë, por mbi mënyrën si e tregojmë atë, e pse jo, se si u lexua dhe u kuptua, se si kërkoi vendin e vet të trajtimit dhe se si kaloi pa mundur të shërbejë si një akt revulucionar, ku ndjenja do të udhëprinte individin dhe vetë individi do të bënte normë të shoqërisë.

“Bardha e Temalit” nuk është thjesht një histori dashurie e pamundur, por një thirrje për të parë gruan shqiptare jo si viktimë të zakoneve, por si zë të ndryshimit. Dhe ky zë, edhe kur është i heshtur, ka fuqinë të tronditë themelet e traditës.

Filed Under: LETERSI

Shkolla shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia nis procesin mësimor per vitin 2025-2026

September 17, 2025 by s p

E diela e parë, datë 7 shtator dhe e diela e dyte ne shkollën shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia sic është në traditë janë si ditë festive. Në këto dy te diela shkolla u tejmbush me gëzim, emocion dhe dashuri që përcillej nga prindërit, nxënësit, të veshur aq hijshëm; gjyshërit, motrat e vëllezër që shoqëruan nxënësit në këtë fillim të ri. Të gjithë së bashku do të këndonim himnin e flamurit tonë, flamurit shqiptar. Sa shumë që jemi kur jemi bashkë!

Më pas rreth 90 nxënës nëpër klasat e tyre përkatëse së bashku me mësueset e tyre ndanë me njëri-tjetrin kujtime të bukura nga pushimet e verës, (Eh, me sa shumë pasion tregonin ata që kishin qenë në Shqipëri dhe Kosovë!). Kryesia e Shoqatës që në muajt e verës kishte siguruar tekstet mësimore që si në 21 vite do të shpërndaheshin falas nxënësve. Si cdo vit z.Eldion Pajollari State Farm Insurance do të dhuronte për cdo nxënes te ri cantat e shkollës dhe paketën me mjetet mësimore. Anila’s Kitchen, znj. Anila Tahiraj dhuroi embelsira per te gjithe nxenesit! Znj. Elda Janji do të dhuronte për 5 mësueset një paketë me mjete mësimore të domosdoshme në klasë. Gjallëria nuk ndalej në shkollë. Një falënderim i vecante nga nxënësit për Sprout Market, për ndihmën e dhënë shkolles sonë . Edhe pse të ndrojtur dhe të heshtur, nxënesit e rinj do të bashkoheshin me nxënesit e tjere, duke kënduar këngë, zhvilluar lojë, zgjidhur gjeegjëzë dhe duke kërcyer vallet popullore. Sa bukur ngjanin nxënëset tona të veshura me fustanet e kuq me shqiponjë te qepura aq profesionalisht nga duart e talentuara dhe zemra bujare e znj. Sofika Dushi që i bëri dhuratë shkollës sonë këto fustane. Bijtë e shqipes do të vazhdojnë në pafundësi, ashtu si dhe shkolla shqipe. Ardhja e aq shumë ish- nxënësve për të ndihmuar vullnetarisht në cdo klasë tregon vazhdimësi!

Falenderim dhe urim i vecantë për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit e shkollës sonë në emër të Kryesisë së Shoqatës. Urimi special për nxënësit e klasës së parë! Suksese në shkollën shqipe që bashkon degët me rrënjët, të tashmen me të shkuarën dhe ardhmërinë e komunitetit tonë

Filadelfia 14 Shtator, 2025

Rudina Bani Mesuese e shkolles shqipe “GJUHA JONE”

Filed Under: Komunitet

AKTORI I DASHUR RESHAT ARBANA KRENARIA E ARTIT SKENIK SHQIPTAR

September 17, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

(NË 85 VJETORIN E LINDJES)

Reshat Arbana, njëri nga njerëzit dhe artistët më të dashur për shqiptarët, sot në 15 shtator, feston 85 vjetorin e tij të lindjes. Me talentin e tij të jashtëzakonshëm, me një portret imponues dhe mrekullinë e një zëri deklamativ të papërsëritshëm, ai nëpërmjet ekraneve, hyri vrullshëm në çdo shtëpi, dhe në zemrën e gjithkujt, duke ngjallur optimizëm dhe duke predikuar dashurinë për jetën dhe të bukurën, pikërisht atëherë kur ne kishim aq shumë nevojë për to. Natyrisht që si aktor i kinematografisë dhe teatrit, ai suksesin e ndau me kolosë të tjerë, të cilëve, të gjithë ne do t`u mbetemi përherë mirënjohës dhe falenderues. Shumica prej tyre, janë ndarë nga jeta, por me atë që lanë pas, do të mbeten të gjallë në mendjet tona në jetë të jetëve. Ata na shfaqen ashtu plot jetë e virtuozë në të gjitha rolet që interpretuan, ndaj përherë i ndiejmë pranë me tërë madhështinë e artit të tyre. Kanë mbetur të tillë edhe për ata që nuk kanë pasur rastin apo fatin të njihen drejtpërdrejtë me ata artistë e ato artiste që dhanë gjithçka patën, edhe shpirtin e tyre, për të na kënaqur dhe edukuar me shije të shëndosha estetike e për të na kulturuar, por edhe për t`i thënë botës, se Shqipëria është vendi që nga gjiri i saj, ka nxjerrë jo vetëm një Aleksandër Moisi. Dhe ajo që ua shton akoma më shumë madhështinë atyre është harmonia që ata kanë midis anës profesionale dhe vlerave të larta njerëzore.

Ky harmonizim midis virtuozitetit aktoresk dhe thjeshtësisë, janë dhe tiparet dalluese të Artistit të Popullit, Reshat Arbana. Nga rolet që kanë realizuar në skenën e teatrit apo në ekranin e kinemasë, në përgjithësi, artistëve u mbetet emri i personazheve që u kanë dhënë jetë. Tuç Maku, Prefekti, Zonja nga qyteti, Jovan Breu, Lokja, Pashakua, Kujdestari, Bepini, etj. populli i quan ata. Kurse Reshat Arbanës nuk është aq e lehtë që t`i vësh një emër të tillë, pasi ai ka shkëlqyer në çdo rol që i është besuar, kështu që pa frikë mund ta quash Baca Isa, Semi, Pilo Shpiragu, Dajlan Beu, Peshkopi, Beqir Aga, Pjetër Mustakuqi etj. etj. Luajti me të njëjtin seriozitet dhe përgjegjësi, si në rolet pozitive, ashtu dhe në ato negative, dhe kurrë nuk përsëriti veten. Ai krijoi figura dhe karaktere bindëse dhe nga më mbresëlënëset. Aktor me fuqi të madhe dramatike, ai u shfaq gjithmonë i ndryshëm, jetësor dhe me sukses të sigurtë. Duke pasur një botë të brendshme plot ndjenja e kulturë, dhe emocione të kontrolluara, por dhe shpërthime stentoriane, ai gjithmonë e ka zotëruar skenën dhe e ka bërë spektatorin që të mbajë frymën.

Gjithmonë ka shkëlqyer në role kryesore, por edhe kur ato kanë qenë si të parëndësishme në dukje, si fjala vjen te “Nëntori i Dytë”, ka mjaftuar vetëm një fjalë, një gjest i tij, për të ndërtuar një portret të paharruar. Ja pse edhe i mirënjohuri Josif Papagjoni shprehet për të se “ai ka plastikë të brendshme dhe të jashtme…” që “e ka të ekuilibruar racionalen me emocionalen”. I njëtrajtshëm Reshati ka mbetur vetëm në përditshmërinë e tij: i thjeshtë dhe i dashur me këdo. Ulesh në kafe me të dhe do të shohësh sesi mblidhen rreth tij profesorë, akademikë, shkrimtarë e artistë të njohur, por dhe njerëz krejt të zakonshëm dhe sidomos tiranasit e vjetër. Të vetmit që mbajnë me të një farë distance, janë politikanët, dhe ata jo se u largohet ai, por se të gjithë kujtojnë poezitë e Ali Asllanit që ai reciton me aq pasion, dhe atyre u duket se mos e ka me ata: “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, / të pabrek` ju gjeti dreka, milioner` ju gjeti darka! / Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, / gjersa populli bujar t`ju përgjigjet: peqe, lepe!”. Reshati vlerëson njeriun jo nga përkatësia shoqërore apo ajo politike.

E tillë ka qenë edukata që ai ka marrë në familje dhe i tillë është edhe formimi i tij qytetar. Dikur, vetë ai pohonte se: “Duke jetuar me popullin, duke pirë duhan e raki me njerëz të profesioneve të ndryshme, duke dëgjuar se si reagojnë, se si nxehen, se si bërtasin, kjo më ka ndihmuar shumë”. Miku im i ndjerë Vangjel Heba dhe sidomos shokët e tij të shkollës së lartë të akorëve, Naim Nova dhe Enver Plaku në Durrës, më flisnin me shumë konsideratë për tornitorin e dikurshëm, simpatik dhe elegant, djelin e Hamitit, që e thërrisnin Paci, për cilësitë e tij të rralla, të ndershëm, që edhe pse kishte fituar respektin e publikut të gjerë me rolet e Selimit, te “Familja e Peshkatarit” apo Islamit, te “Dueli i heshtur”, kishte mbetura po ai. “Dhe nuk dinte të mburrej kurrë, – më thoshte një herë Veri. – Atij më shumë se kujtdo i shkojnë ato fjalët e sinqerta të Marlon Brandos se “…unë s`mund të nxjerr konkluzione për jetën time, sepse është një proçes përsosjeje i hapur…As e kujtoj që përpiqesha të isha i suksesshëm. Unë veçse rrekesha të mbijetoja dhe hedh sytë me habi pas në gjërat që kam bërë në jetë. Historia e jetë sime, është një kërkim për dashuri, më shumë se kaq, një përpjekje për të riparuar veten”.

Gjithmonë kur shkoja në Tiranë, do të ndalesha për ta pirë një kafe me Reshatin tek ajo kafeneja e vogël e Skënderit që kthehej në sallë diskutimesh për artin e letërsinë dhe skenë, ku nuk përtonte të recitonte Reshati. Të rrëqethej mishi nga forca dhe bukuria e recitimeve të tij. Por ai është edhe një lexues i madh i librit. Një herë teksa flisnim për heronjtë e Lukianit, mes tyre Hadi, Persefoni, Tantali, Minosi, Sizifi, Eaku e Radamanti me shokë, më tha të ngriheshim dhe të shkonim në Bibliotekën Kombëtare, ku e morëm atë libër. Nuk vonoi dhe më mori në telefon: “Ore, po si ka mundësi që të shkonte në Ferr edhe Tantali që u jepte perëndive nektar e ambroz? Pastaj, ne e dinim burrë të mirë atë Sizifin, madje dhe na vinte keq për të kur ngjiste ato shkallët me atë shkëmbin në kurriz, dhe nuk arrinte kurrë në majë, por paska qenë i poshtër, se i detyronte njerëzit që kalonin aty pranë që të punonin për të”. Unë me të qeshur i thashë që “Mos u bëj merak, pasi vetë ti do të shkosh të pushosh në Fushat e Elizeut, ku do të gjesh Menelaun e Akilin, se nuk ke fare mëkate. Atje – shtova – nuk ka as pleqëri”. “Mirë jam edhe këtu – ma ktheu po me shaka – se pleqërinë nuk e kam ndjerë asnjëherë”. Por pati një ndërhyrje në zemër që ja preu disi hovin, sido që shkonte në çdo veprimtari që e ftonin.

Kur u takuam te përkujtimi i mikut të tonë çam Bedri Myftarit, i thashë se mjekët të kanë rekomanduar të pushosh pak, ndaj duhet bërë pak kujdes dhe nuk është e thënë të vish kudo që të ftojnë, m`u përgjigj: “Po si të mos vija te Bedriu. E kam pasur shok dhe ka vuajtur padrejtësisht burgjeve. Po të mos vija, të tjerët do të më keqkuptonin, se jo të tërë ma dinë hallin. Dhe kjo nuk do të më ndronte mua”. Por më vonë, mori një tjetër goditje, po në zemër, kur gruaja e tij besnike ndërroi jetë para kohe. E ndjeu shumë atë humbje dhe e shihja se nuk ishte ai i pari. I kujtoja fjalët e artistes së madhe Tinka Kurti që i kishte thënë se je një aktor që plotëson skenën, në mënyrë të jashtëzakonshme. Teatri dhe kinematografia ka nevojë për ty”. Më tha mendueshëm: “Çdo gjë do kohën e vet. Ç`kisha për të bërë, e bëra”. Dhe nuk kishte bërë pak… Megjithatë, do të kujtoja thënien e Bob Hope, një aktori komedian amerikan që jetoi plot 100 vjet: “E kupton se u plake që nga çasti kur qirinjtë kushtojnë më shumë se torta”. Por artisti ynë i dashur Reshat Arbana, duhet të jetë i qetë, se për fat, qirinjtë në Shqipëri kushtojnë aq lirë, se duhet pritur edhe shumë e shumë vjet që të kushtojnë më shumë se torta, pra, për të ardhur pleqëria.

Photo: alfapress.al

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 331
  • 332
  • 333
  • 334
  • 335
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT