• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një vështrim historik në disa Zarfa Postare të vitit 1943-44

September 3, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Historia jonë kombëtare është e shënuar nga sakrifica të mëdha dhe përpjekje të pareshtura për mbijetesë, dinjitet dhe liri. Mirëpo, ashtu siç ndodh shpesh në historinë botërore, të vërtetat e mëdha janë përpjekur herë pas here të zëvendësohen me versione që i shërbejnë interesave të caktuara politike të armiqve të kombit tonë. Raste të tilla evidentohen edhe nëpërmjet hulumtimeve filatelike, sidomos në tematikën e historisë postare, siç është edhe një rast i mëposhtëm që lidhet me zarfa të lëshuar në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më poshtë do të sjellim interpretimin e katër zarfave të SHBA-së, të viteve 1943 dhe 1944, ku Shqipëria paraqitet në kontekstin e vendeve të pushtuara nga fashizmi.                   

Zarfi i pare, interpretimi: Në vitin 1943, kur bota ishte ende në flakët e luftës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan një serí zarfash të quajtura “Occupied Nations Series” (Seria e Kombeve të Pushtuara), ku përmes pullave dhe ilustrimeve nderoheshin kombet që rezistonin ndaj pushtimit nazi-fashist. Mes tyre, vend nderi zinte edhe Shqipëria. Në një nga këto zarfa, i vulosur në Washington, më 9 nëntor 1943, shfaqet një pullë amerikane me flamurin shqiptar dhe një ilustrim që përshkruan shqiptarin malësor, simbol i krenarisë dhe luftës për liri. Nën figurën shkruhet:       

“Albania – Home of fighting mountaineers – A key point in the Adriatic.”                                                       (“Shqipëria – Atdhe i malësorëve luftëtarë – Një pikë kyçe në Adriatik”)                                                         

 Zarfi I dyte, interpretimi: Edhe ky zarf është dëshmi filatelike dhe historike e perceptimit amerikan mbi Shqipërinë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ka një përshkrim historik për shqiptarët: popull i lashtë i Evropës, gjatë shekujve i shtypur nga pushtuesit osmanë dhe më vonë nga fashizmi italian. Përmendet edhe fakti se më 1912 u shpall pavarësia, ndërsa në Luftën e Dytë Botërore shqiptarët luftonin me heroizem kundër pushtuesve. Ai shpreh ndjeshmërinë amerikane për kombet e pushtuara, duke e paraqitur Shqipërinë si një vend të vogël, të lashtë, të shtypur nga pushtuesit, por rezistent e luftarak. Seria “Overrun Countries” kishte edhe një funksion propagandistik: të rriste moralin e emigrantëve në SHBA dhe të forconte opinionin publik amerikan rreth nevojës për fitoren mbi fashizmin.    

Zarfi trete, interpretimi : Ky është një zarf i Ditës së Parë (First Day Cover) amerikan, i lëshuar më 9 nëntor 1943 në Washington D.C.  Pullat postare të vlerës 5 cent, me flamurin kombëtar shqiptar (flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare) janë pjesë e emisionit të veçantë “Overrun Countries”, ku çdo vend i pushtuar paraqitej me flamurin kombëtar, si simbol i identitetit dhe lirisë së mohuar përkohësisht. Persa I perket ilustrimit në zarf në të majtë shkruhet: “Occupied Nations – Honoring Albania”, që do të thotë: “Kombet e pushtuara – Në nderim të Shqipërisë”. Me poshtë, një mbishkrim propagandistik: “Unprovoked, Mussolini’s Fascists quickly make conquest of backward country.” (Pa provokim, fashistët e Musolinit pushtojnë shpejt një vend të prapambetur). Dhe në fund: “The little kingdom falls a victim to Mussolini’s war machine.” (Mbretëria e vogël bie viktimë e makinës luftarake të Musolinit). Grafika paraqet sulmin ajror, djegie, tym e shkatërrime, simbol i agresionit fashist ndaj Shqipërisë më 7 prill 1939. Ne konteksti historik te tre zarfat jane emetuar ne vitin 1943, kur Italia fashiste tashmë kishte kapitulluar (shtator 1943), por Shqipëria vazhdonte të ishte nën pushtimin gjerman. Qellimi I leshimit te pullave dhe shume  zarfave te tjere per Shqiperine apo vendet e tjera europiane ishte funksioni propagandistik: për ti treguar popullit amerikan dhe botës se ShBA mbështeste vendet e pushtuara, duke njohur viktimat e agresionit fashist e nazist, dhe se lufta do të vazhdonte deri në çlirimin e tyre.                                                                                                           

Ne rastin e Shqiperise eshte me interes fakti qe Shqipëria përmendet per here te pare në filatelinë amerikane. Edhe pse me një gjuhë të kohës që e etiketon Shqipërinë si “vend të prapambetur”, gjithsesi flamuri shqiptar vendoset në të njëjtin nivel me kombet e tjera europiane të pushtuara.Keto pulla dhe zarfa jane dokumente filatelike dhe historike, me vlerë të madhe si dëshmi e perceptimit amerikan për Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si viktimë e agresionit fashist, por gjithashtu pjesë e familjes së kombeve europiane që meritonin lirinë.

Zarfi i katert, interpretimi : Vetëm një vit më vonë, më 18 nëntor 1944, u shfaq një tjetër zarf, i vulosur po në Washington D.C., por këtë herë me përmbajtje jo thjesht te diskutueshme,por thellesisht manipulative. Ky zarf, në dukje i ngjashëm në format, përmban një pullë të njëjtë me flamurin shqiptar, por i shoqëruar nga një ilustrim politikisht i ngarkuar dhe historikisht i rremë. Në të paraqitet një portret i Marshall Titos, flamuri jugosllav në sfond, dhe një shqiponjë që mban një banderolë me mbishkrimin:     

“Tirana, the capital of Albania, was liberated by Yugoslav partisans.”                                                                   (“Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u çlirua nga partizanët jugosllavë”)     

                                                                    Ky zarf nuk është një dokument zyrtar amerikan, por një produkt propagandistik i krijuar nga qarqe dashakeqe. Fakti që ky zarf mban datën e nëntorit 1944, pra një vit pas kohës së rregullt të emetimit të serisë origjinale ‘Overrun Countries’, tregon qartë se kemi të bëjmë me një falsifikim të vulës dhe të përshkrimeve përkatëse, duke vërtetuar se nuk është një botim zyrtar. I paraqitur si një ‘souvenir cover’ (zarf përkujtimor), ai përfaqëson një shtrembërim të qëllimshëm dhe provokues të historisë sonë kombëtare. Në të njëjtën periudhë kur qarkullonte ky zarf, gjatë viteve 1943–1944, në Kosovë shqiptarët përjetuan dhunime dhe masakra të kryera nga forcat partizane jugosllave të Marshallit Tito. Ky kontrast midis propagandës vizuale të zarfit dhe realitetit tragjik në trojet shqiptare nxjerr në pah mospërputhjen mes imazhit të shpërndarë ndërkombëtarisht dhe vuajtjeve konkrete të popullit tonë. Më tej, ngjarjet kulmuan në vitin 1945 me Masakrën e Tivarit, që bëri edhe më të qartë tragjedinë e shqiptarëve në raport me politikën e kohës së Jugosllavise.                  

Filed Under: Kulture

Bashkimi Evropian dhe heshtja strategjike ndaj sulmit të Banjskës: Diplomaci selektive dhe standardet e dyfishta në Ballkan

September 3, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ndodhi një sulm i organizuar terrorist kundër Policisë së Kosovës, që rezultoi me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe krijoi një situatë të ngarkuar sigurie. Hetimet dhe faktet e publikuara konfirmuan se ky sulm u organizua dhe u mbështet drejtpërdrejt nga struktura të sigurisë së Serbisë, duke dëshmuar elemente të qarta të agresionit të sponsorizuar nga shteti.

Megjithatë, reagimi i Bashkimit Evropian (BE) ishte i zbehtë dhe shpesh i relativizuar. BE nuk e trajtoi ngjarjen si një akt agresioni shtetëror, por e përshkroi si një “incident të izoluar”, duke shmangur gjuhën e qartë që do të nënkuptonte përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë.

Arsye gjeopolitike: Serbia si “faktor kyç”

Serbia shihet nga Brukseli si aktori më i rëndësishëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Për BE-në, Beogradi është një “portë” për menaxhimin e ndikimeve të Rusisë, Kinës dhe Turqisë në rajon.

-Një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë do të kishte rrezikuar ta shtyjë atë edhe më afër Moskës dhe Pekinit.

-Në këtë kuptim, interesat strategjike të BE-së fituan epërsi ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Dialogu Kosovë–Serbi dhe kriza e ndërmjetësimit

BE është ndërmjetësi i vetëm i pranuar në dialogun Kosovë–Serbi. Nëse Brukseli do ta pranonte publikisht se Serbia kreu një akt agresioni, atëherë:

-Procesi i dialogut në Bruksel do të dështonte,

-BE do të ekspozohej si i paaftë për të garantuar paqe dhe siguri,

-Do të dilte në pah se Kosova është viktimë e agresionit të përsëritur shtetëror serb, gjë që do ta ndryshonte balancën e procesit të negociatave.

Për të shmangur këtë, BE aplikoi një diplomaci të heshtur: duke mos e mohuar sulmin, por as duke mos ia adresuar përgjegjësinë Serbisë.

Standardet e dyfishta në të drejtën ndërkombëtare

Nëse një sulm i ngjashëm do të ndodhte kundër një shteti anëtar të BE-së, reagimi do të ishte i menjëhershëm: sanksione, izolim diplomatik dhe thirrje për përgjegjësi ndërkombëtare.

-Shembull: Reagimi i BE-së ndaj agresionit rus në Ukrainë ishte i menjëhershëm dhe i ashpër.

-Krahasim: Ndaj Kosovës, një shteti jo-anëtar dhe të brishtë ndërkombëtarisht, BE aplikoi një standard më të butë, duke e trajtuar ngjarjen si çështje bilaterale Kosovë–Serbi.

Ky është një rast i qartë i standardit të dyfishtë në zbatimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimit të sovranitetit shtetëror.

Frika nga përshkallëzimi dhe mungesa e gatishmërisë për masa

Një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë do të nënkuptonte obligim për BE-në të ndërmerrte masa konkrete:

-ngrirje të negociatave për anëtarësim,

-pezullim të fondeve IPA,

-masa ndëshkuese diplomatike.

Meqenëse BE nuk kishte gatishmëri për t’i zbatuar këto, zgjedhi rrugën më të lehtë: heshtjen dhe relativizimin.

Roli i lobimit serb dhe ndikimi rus

Serbia ka investuar prej vitesh në një diplomaci aktive dhe lobim të fuqishëm në Bruksel.

-Ajo prezantohet si “garantuese e stabilitetit rajonal”, duke manipuluar perceptimin e disa shteteve anëtare të BE-së.

-Rusia, përmes Serbisë, e përdor Ballkanin si zonë ndikimi për ta sfiduar BE-në dhe NATO-n.

-Në këtë kontekst, Brukseli shmangu çdo hap që mund të përshkallëzonte tensionet me Serbinë dhe, indirekt, me Rusinë.

Pasojat për Kosovën dhe rajonin

Kosova mbeti e pavendosur në pozitën e viktimës së neglizhuar.

-BE humbi kredibilitetin si ndërmjetës neutral.

-Serbia mori mesazhin se mund të përdorë dhunën e sponsorizuar shtetërore pa pasoja serioze ndërkombëtare.

-Ky precedent e bën më të brishtë sigurinë në Ballkan dhe dobëson mekanizmat e së drejtës ndërkombëtare.

Heshtja e BE-së ndaj sulmit të Banjskës nuk ishte rastësi, por një strategji e vetëdijshme politike:

-për të ruajtur Serbinë si partner,

-për të shpëtuar nga dështimi dialogu i Brukselit,

-për të shmangur përballjen me detyrime ndërkombëtare.

Kjo qasje është dëshmi se parimet themelore të BE-së shpesh në Ballkan lihen mënjanë në emër të stabilitetit afatshkurtër politik, ndërsa viktima reale – Kosova – mbetet pa mbrojtje të barabartë.

Filed Under: Rajon

Një takim i paharrueshëm në Milano me Darling Vlora, stërnipin e Ismail Bey Qemalit

September 3, 2025 by s p

Nga Dashnim Hebibi, Milano/

Vlorë, Dardani, Iliridë e Kosovë Lindore u bashkuan shpirtërisht në një ditë të veçantë, më 2 shtator në Milano të Italisë, në një takim historik e plot emocione me stërnipin e Ismail Beut Qemalit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora.

Ky takim ishte planifikuar prej kohësh dhe pritej me padurim nga veprimtarët shqiptarë në diasporë. Nga Zvicra, me shumë entuziazëm dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, u nisën: z. Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore; z. Met Krasniqi, ish-kryetar i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër dhe njëherit kandidat për kryetar të Gjakovës; si dhe Dr. Dashnim Hebibi (PhD), president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih dhe kryeredaktor i SAM24.info, qendrës mediale shqiptare në Zvicër. Ata u shoqëruan gjithashtu nga veprimtari Arsim Mulliqaj, duke e bërë edhe më të plotë këtë delegacion të diasporës shqiptare.

Takimi ishte i përzemërt, i sinqertë dhe i ngarkuar me emocione të papërshkrueshme. Shkëlqesia e Tij, z. Darling Vlora, ishte i shoqëruar nga publicisti dhe veprimtari i njohur në Itali dhe më gjerë, z.Arsim Mulliqaj i cili dashurinë për Kosovën e pavarur e ka dëshmuar me vepra që nga ditët më të vështira të historisë sonë.

Në këtë takim u dëgjuan rrëfime të paçmuara, fakte dhe histori të panjohura më parë rreth jetës dhe veprës së Babait të Kombit, Ismail Beut Qemajlit. Çdo fjalë e z. Vlora mbante peshë të veçantë, sepse vinte jo vetëm nga trashëgimia e gjakut të një figure kolosale, por edhe nga përvoja e një personaliteti me vlera të larta shkencore e atdhetare.

Delegacioni e përshkroi këtë përjetim me fjalët:

“Morëm bekimin nga stërnipi i Ismail Beut Qemajlit, Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora, për të ecur me besim e siguri në rrugën e historisë sonë. Me amanetin e tij të shenjtë, që udhëton brez pas brezi, edhe ne në diasporë e ndjejmë peshën dhe nderin e kësaj besëlidhjeje. Flamuri kuqezi është drita që na bashkon, është zëri i atdheut që na thërret, është forca që na udhëheq e na bashkërrugëton drejt së ardhmes.”

Në takim u ndanë emocione të sinqerta, deri në lot gëzimi. Z. Vlora, i prekur thellë nga prania e vëllezërve shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat, u shpreh se kjo ditë do të mbetet e paharrueshme për të, duke shtuar: “Sot ndjeva se kam pranë gjithë kombin tim. Këtë ditë nuk do ta harroj kurrë.”

Familja emblematike Vlora, trashëgimtare e një prej kapitujve më të ndritur të historisë kombëtare, do të mbetet përjetësisht simbol i nderit dhe krenarisë shqiptare, për sa kohë të jetojë gjuha jonë shqipe dhe të pulsojë zemra shqiptare.

Në këtë takim, z. Met Krasniqi mori bekimin dhe besën se do të punojë edhe më fort për të mirën e kombit dhe qytetit të tij, Gjakovës, të cilën e sheh të zhvilluar e të ndritur në frymën e qyteteve moderne europiane. “Edhe ne mundemi të bëjmë më shumë për atdheun, që rinia të ketë shpresë dhe motiv për një të ardhme të sigurt,” – u shpreh ai.

Z. Florim Useini e njoftoi Shkëlqesinë e Tij z. Vlora me disa projekte të suksesshme të shqiptarëve në Zvicër dhe përcolli përshëndetjet e miqve afaristë e bamirës që jetojnë e veprojnë jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë.

Ndërkaq, z. Dashnim Hebibi u ndal te situata aktuale në Luginën e Preshevës dhe e ftoi z. Vlora që një ditë të shkruajë për këtë pjesë të kombit dhe të vizitojë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, duke ndjerë nga afër sfidat e shqiptarëve atje.

Në fund, z. Arsim Mulliqaj theksoi me forcë nevojën për më shumë unitet mes shqiptarëve, për të përcjellë të paprekur amanetin e të parëve tanë tek brezat që vijnë.

Ky takim i veçantë, i cili zgjati më shumë se një orë, nuk ishte vetëm një bashkëbisedim i ngrohtë, por një pikënisje për bashkëpunim më të madh në të ardhmen me Shkëlqesinë e Tij z. Darling Vlora. Ishte një ditë e historisë së gjallë, ku amaneti i të parëve u ndje si obligim, si frymëzim dhe si thirrje për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

Filed Under: Reportazh

Festivali i Kishës “Zoja Pajtore” në Michigan, këngë popullore dhe pjesëmarrje të brezave të rinj

September 3, 2025 by s p

Kisha “Zoja Pajtore” kremtoi nga 30, 31 gusht dhe 1 shtator Festivalin tradicional me këngë popullore, një ngjarje që prej 34 vitesh mban gjallë kulturën, besimin dhe traditën shqiptare. Festivali, i krijuar nga dom Ndrevashaj dhe dom Ndue Gjergji, u zhvillua në një atmosferë festive ku u bashkuan breza të ndryshëm në një skenë të përbashkët arti dhe shpirtëror.

Në qendër të programit ishin grupet e fëmijëve të dy kishave: “Ilirianët” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,  etj. të cilët sollën këngë popullore të interpretuara me entuziazëm e energji rinore, duke i dhënë festivalit një frymë të veçantë dhe një mesazh të qartë për vazhdimësinë e traditës shqiptare.

Festivali u pasurua edhe me interpretimin e veçantë të këngëtarit të njohur Nikollë Nikprelaj dhe të birit të tij Albin Nikprelaj, të cilët u pritën me duartrokitje nga publiku, duke krijuar një urë simbolike mes brezave në artin dhe muzikën shqiptare.

Këtë vit, kremtimi u zhvillua edhe në kuadrin e Ditës së Punës në Shtetet e Bashkuara, një festë që nderon punëtorët dhe kontributin e tyre në shoqëri. Për komunitetin shqiptar, kjo ditë mori një kuptim të dyfishtë: përveçse u festua puna dhe sakrifica e përditshme e emigrantëve, u theksua edhe vlera e ruajtjes së traditës, gjuhës e kulturës në vendin e ri.

Në tri ditët e organizimit, festivali mblodhi mijëra bashkatdhetarë, në një mjedis të përgatitur shkëlqyeshëm nga Këshilli i Kishës, drejtori e festivalit dhe dom Dino Çekrezi. Organizatorët kishin menduar çdo detaj: tenda të mëdha, kuzhina me ushqime dhe pije tradicionale shqiptare, që i dhanë festës një atmosferë edhe më të gjallë dhe bashkëkohore.

Dita e fundit u çel me një parakalim madhështor të fëmijëve të veshur me kostume kombëtare, duke sjellë ngjyra e emocione të veçanta në këtë kremtim të përbashkët.

Në njërën prej këtyre çadrave, kandidati Robert Lulgjuraj zhvilloi takime me bashkatdhetarët, regjistroi votues të rinj dhe bisedoi me zgjedhësit amerikano-shqiptarë të zonës elektorale numër 10, duke e kthyer festivalin edhe në një mundësi për angazhim qytetar e demokratik.

Ky edicion, si çdo vit, dëshmoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në ruajtjen e identitetit kulturor dhe fetar. Pjesëmarrja e tyre e gjallë dëshmon se Festivali i Kishës “Zoja Pajtore” mbetet një gur themeli i komunitetit shqiptar në diasporë, duke vazhduar vizionin e dom Ndrevashajt dhe dom Ndue Gjergjit për të lidhur fenë me kulturën kombëtare.

Filed Under: Komunitet

“Paqja në Ukrainë pa damkën e legjitimimit të pushtuesit”

September 3, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pikësëpari, në kapacitetin e Senior Expertit për Sigurinë Kombëtare dhe çështjet e ShBA/NATO-s, si dhe për shkak të angazhimeve me Institutin e Luftës, AC, CSCE, etj, në Washington; Qëndrën Marshall, Gjermani, NDC, etj, kam ndjekur me interes të shtuar 1275 ditë/netë luftime të përgjakshme në fushëbetejën me/për Ukrainën.   Ndërsa në vijim, gjeni përmbledhje strategjike/përditësuar rreth dinamikës së luftës 3.5 vjeçare dhe përpjekjet për: “ndalimin e gjakderdhjes si dhe sfidën e vendosjes e paqes së qëndrueshme në Ukrainë, PA damkën e legjitimimit të pushtuesit, pra Rusisë-Putiniste”:

Në 22 shkurt 2022, Rusia ndërmori agresion ushtarak (të pa-preçedentë nga Lufta e II-Botërore) ndaj integritetit territorial të një vendi sovran. Ambicjet dhe qëllimi i ndërmarrjes/marrëzisë vrastare të Putinit ishte: “Jo vetëm të pushtonte shpejt Ukrainën (max. 9 Maj 2022), por edhe të poshtëronte rendin global, vlerat perëndimore, kohezionin, si dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)”.  

Por falë qëndresës martire të ukrainasve dhe mbështetjes jetike nga SHBA/NATO/BE, edhe mbas 3 vjetësh e 6 muaj luftime të përgjakshme Rusia – Putiniste nuk ka përmbushur asnjë nga këto objektiva strategjike. Po ashtu, përballja heroike e Ukrainës me mbështetjen jetike të perëndimit shërbejnë edhe si demostrim force ndaj Putinit të shpërfytyruar nga përgjegjësite e krimeve në Ukrainë, që: “nëse do të guxonte të sulmonte cilindo nga 32 vendet e NATO-s, e garantuar që do të mposhtej dhe do poshtërohej nga fuqia e pakonkurueshme ushtarake e Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)”.

Nga ana tjetër, duhet ta nënvizojmë se, ka një dallim të qartë mes paleve ndërluftuese, pasi ndërsa Ukraina brënda të drejtës të vetëmbrojtjes sovrane ka sulmuar vetëm njësi dhe infrastruktura ushtarake të pushtuesit, nga ana tjetër ushtria-Putiniste, vijon sulmet barbare mbi çerdhet, shkollat, spitatet, pallatet, ambasadat përëndimore, ujësjellsat, centralet elektrike si dhe infrastrukturat me peshë jetike për qytetarët e Ukrainës!

Së DYTI, gjëndja e palëve ndërluftuese mbas 42 muaj luftimesh. Megjithë rezistencën heroike, disa krahina të Ukrainës lindore (në total rreth 20 %) janë pushtuar nga Rusia, si Donbasi, Luhansk dhe Zaporizhzhia. Pra: “ndërsa Ukraina ka mbi 600 mijë km2, Rusia zotëron 3 herë më shumë se i gjithë territori RSh”! 

Humbjet njerëzore: Në total rreth 1.6 million ushtarë dhe civilë janë vrarë ose plagosur (mbi 1.1 milion Rusë dhe më pak se ½ milion Ukrainas), si dhe me kosto të jashtëzakonshme, p.sh Rusia shpenzon deri 1 Miliard € në ditë, pasi ka pësuar humbje të mëdha në armatime, avionë, dronë, tanke, raketa dhe në burime natyrore. Edhe Ukraina ka dëme kolosale (ekspozita në Rinas ilustron pasojat e sulmeve neo-naziste), të cilat do mbeten një sfidë mjaft e vështirë për t’u rimëkëmbur. 

Gjëndja e trupave Ruse. Pavarësisht mbi 1.3 milion të vrarë, moralit të rrënuar të ushtrisë dhe të kombit rreth luftës, Kremlini mban në frontin e luftës rreth 350,000 ushtarë nga mobilizimi i detyruar ose mercenarë nga Koreja e Veriut, Mali, Kina, etj. Ka ende shumë tanke T-80/T-90; flotë avionësh Su-30, 35 dhe 25; raketa balistike S-400 dhe Iskander; sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore S-400 dhe Pantsir, por ka probleme serioze për furnizimin e trupave me municione, etj.

Gjëndja e ushtrisë ukrainase. Aktualisht, ka mbi 300,000 ushtarë aktivë; tanke Leopard, Challenger dhe T-64/T-72; Avionë Su-27 dhe MiG-29; mbrojtje ajrore të fuqishme, përfshirë S-300, Patriot dhe NASAMS; sisteme të artilerisë së lëvizshme HIMARS dhe Dronë të gjeneratës së fundit.  Ukraina ka patur dhe vijon të ketë mbështetje konstante nga SHBA/Perëndimi (më shumë se gjysëm trilion €) me armatime dhe teknologji moderne si dhe sisteme të inteligjencës.

Me kundërmësymjen dhe ri-marjen e Khirsonit në 2023; pushtimin e Kursk-un (sipërfaqj e qarkut të Tiranës) brënda Rusisë; me goditjen e guximshme (breshër dronësh/117, në thellësitë stratagjike deri 5500 km) dhe shkatërrimi i  40 bombarduesve bërthamore me kosto mbi 7 miliard);  konfirmimi në ditën e pavarësisë (24 Gusht) i prodhimite të raketave me rreze deri 1000 Km, demostrojnë  fuqinë e pamposhtur ushtarake si dhe vendosmerinë sublime të kombit Ukrainas deri në çlirimin e territoreve të pushtuara. 

Pesha e Aleancës Euroatlatike: Në 3 vjet e gjysëm, mbi 500 Bilion € (tanke, raketa, avion dhe dronë të gjenerates së fundit). Menjëhere mbas takimit te Trump-Putin (dhe sigurisht me bekimin e Tij/USA), NATO konfirmoi mbështetjen e një liste nevojash për Ukrainën me 50 Miliard €. Përtej shifrave dhe makinerisë së deziformimit, kjo demostron kohezion dhe mbështetje të pakushtëzuar deri në fitoren e Ukrainës ndaj të keqes së përbashkët (Rusisë – Putiniste).

Së TRETI, Plani i Paqes, mbas takimit Trump-Putin. Përtej mendjeve të ushqyera nga makineria staliniste e dezinformimit (p.sh pritjen me qilimin e kuq, etj), Presidenti Trump para/pas takimit ka ri-konfirmuar “privalimin e interesave Amerikane”, por kurrësesi nuk ka “legjitimimuar pushtimet dhe as statusin e fitimtarit të luftës”. Prandaj e përsëris më fortë se: “Trump e nxorri/diskretitoi Bishën e plagosur rëndë nga ngujimi/izolimi në shpellën e krimeve”, si dhe për t’i imponuar: “ndalimin e menjëhershëm të gjakderdhjes si dhe negociata me Kievin për statusin e rajoneve të pushtuara nga Rusia”!   

Ndaj, prioriteti i Trump, ose çka i bashkon palët (Ukraine – Rusi) është ndalimi i gjakëderdhjes njerëzore. Ndërsa është fakt se Zelensky, mbështetur në Hartën -Kushtetuese këmbëngul të rikthejë çdo pëllëmbë të pushtuar (përfshi Krimenë), nga ana tjetër Putini kërkon të mbajë/legjitimojë territoret e pushtuara në Ukrainë. Por kush mund të jenë “tre opsionet” dhe a mund të arrihet një zgjidhje/paqe e qëndrueshme (?):

Opsioni Nr 1, ose pajtimi në tavolinë: “Rusia dhe Ukraina do duhet të dakordohen për të ndaluar luftimet si dhe nisjen e negiciatave për t’i dhënë zgjidhje diplomatike territoreve të pushtuara”. Në këtë opsion, pjesa më e madhe e teritoreve të pushtuara marrin Autonomi-Plus pa çënuar kufijt zyrtar të Ukrainës. Ky opsion do të ndalte luftën, por do të shkaktonte tensione të brendshme në Ukrainë, pasi ukrainasit do ta merrnin: “si një dorëzim në tavolinë të sovranitetit të vendit”. 

Opsioni Nr.2: Ndalimi luftimeve dhe krijimi i zonave të garantuar nga artikulli 5, për një periudhë kalimtare, si dhe vijimi negociatave deri te një marrëveshje afatgjatë. Forcat e vendeve të NATO-s, do të vendosen mes territoreve të pushtuara (Buffer-Zone/neutrale) për të garantuar paqen (siguria ajrore e konfirmuar nga USA). Ky opsion nuk e ndryshon hartën kushtetuese të Ukrainës, por do duhej angazhimi i ShBA/NATO/BE, të cilat mbas dështimit në Afganistan, etj, mund të mos marrin rol kaq të drejtëpërdrejtë!

Opsioni Nr.3: Fitore e plotë e Ukrainës ose Rusisë, ose “kapitullim” i njërës palë”: (A) Ukraina me ndihmën e Perëndimit arrin të çlirojë teritoret e pushtuara (përfshi Krimenë), duke imponuar një tërheqje të plotë ë ushtrisë Ruse nga Ukraina (si Millosheviçi në Qershor 1999) si dhe të ri-vendos dhe ushtrojë autoritin shtetëror mbi të gjithe tërësinë teritoriale të Ukrainës. 

(B) Rusia arrin të gjunjëzojë Ukrainën si dhe të vendos autoritetin e Mëmës-Rusi mbi territoret e pushtuara. Ky opsion është tërësisht i pamundur, si dhe do të përshkallëzonte luftën deri në shkatërrimin fatal të Ukrainës. Në këtë opsion (që s’ka për të ndodhur kurrë), Presidenti Trump, ShBANATO/BE, do të diskretitoheshin si “roje  e pushtimeve të Putinit” (!). Ndërsa në rrafshin global, një Rusi triumfatore, do të shërbente si “andora” për pushtime të tjera … ?!

Në SHTESE, si në dhjetra vlerësime, edhe këtë opinion po e përmbyll me disa “konsiderata strategjike”:

Historia botërore e luftërave nuk e njeh këtë model paqe (të gjithë fitimtare, ose Win-Win). Kjo, pasi marrëveshjet e përkohshme mes palëve ndërluftuese (si autonomia-Plus e Krimesë në 2014, apo asociacioni për Mitrovicën), mund ti kënaqë interesat e liderëve të kohës, por nuk kanë prodhuar paqe për qytetarët, përkundrazi destabilitet dhe gjakëderdhje. Shkurt, një “Rusi fitimtare”, do të zgjaste sundimin e “Carit të Ri të Kremlinit-Putini”, por nuk do të prodhonte paqe afatgjatë për Ukrainën e gjakosur si dhe hidhte në erë besimin në rendin global, vlerat e demokracisë dhe fuqinë ushtarake të aleances euroatlantike. 

Ndërsa për oshilacionet staliniste të Lavrovit, Vuçiçit, etj e përsëris edhe më fortë se nuk ka asnjë referencë krahasuese me rastin e Kosovës, pasi: “Lufta e NATO-s në 1999 ishte për çlirimin e Kosovës së pushtuar dhe përgjakur nga Serbia”, prandaj në 9 Qeshor 1999 në Kumanovë u nënëshkrua marrëveshja ushtarake midis “palës humbëse”, Ushtria e Millosheviçit si dhe “palës fitimtare”, USA/NATO/UK” !

Kështu, Ukraina shërben edhe si mesazh për Ministrin e Millosheviçit (z. Vučič), që: “të mos armatoset kot me Avion Mig-29, Rafale si dhe Raketa apo Dronë me 1.64 miliard € nga Izraeli, etj”. Kjo pasi gjithësesi Serbia ka ZERO këllqe për t’u përballur me aftësitë mbrojtëse në rritje të Kosovës (mbas pajisjes së FSK nga USA me Raketa-Jv, Dronë, etj) dhe kurrësesi me fuqinë e sprovuar (99) ushtarake të ShBA/NATO.

I gjej tërësisht mjerane kur: “bollshevikët e sëmurë, fatëkeqësisht edhe në Tiranë dhe Prishtinë” i ri-sjellin opinionit kombëtar oshilacionet e regjimit kriminal të Enver Hoxhës: “USA po sillet si xhandar ndërkombëtar, ndërsa Presidenti Trump si bixhozxhi/matrapaz fshati që sot shet/blen Ukrainën, nesër Kosovën, etj broçkulla”. Prandaj, e ri-theksoj se për interesat gjeopolitike mbarë-Kombëtare, nuk kemi opsion tjetër përveçse të mbështesim pa kushte vendimarrjet dhe programet e USA/NATO-s për Ukrainën, duke “dënuar fortë luftën neo-Staliniste, si nga më ç’njerëzoret në historinë moderne të njerëzimit”.  

Së fundmi, mbetem besimplotë se, falë fuqisë së pakonkurueshme ushtarake të ShBA/NATO si dhe Leadershipit të fortë të Presidentit Trump: “paqja në Ukrainë, rendi global i sigurisë, vlerat e qytetërimit dhe demokracisë; fuqia ushtarake dhe interesat Euroatlantike (përfshi Kombëtare) do të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët, shtetet dhe organizatat terroriste”! 

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare,

Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO,

Ish: zv/SHSHP, Këshilltar i Presidentit si dhe,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 349
  • 350
  • 351
  • 352
  • 353
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT