• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA PËR VLORËN…

September 1, 2025 by s p

Vildan Sharra /

3 Shtator 1920, populli shqiptar jetoi një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e tij , çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë.  Lufta për Vlorën,  ishte nje fitore e madhe ushtarake kundër një nga shtetet më të fuqishme të kohës. Në të njëjtën kohë kishte vlera të mëdha morale, politike dhe ideollogjike në situatën e nderë në të cilën ndodhej Shqipëria dhe shqiptarët kudo nëpër  botë. Pas afro pesë shekuj, shqiptarët i treguan botës edhe një herë, të bashkuar, nuk do të lejojnë askënd të cënoj intergritetin tokësor shqiptar. Ju mund të mbani konferenca dhe të bëni pazarllëqe për trojen tona, por shqiptarët i kanë pushkët dhe gunat gati dhe do t’i mbrojnë trojet e lashta arbërore deri në pikën e fundit të gjakut.  

Vlora muaj para shpalljes së pavarësisë, 1912

Shqipëria u shpall Shtet i Pavarur në Nëntor 1912. Qeveria e Përkohshme nën presionet e shumta dhe paaftësinë e saj per drejtimin e Shtetit të Ri dha dorëheqjen pas afro 14-të muajsh.  Ismail Qemali u kërkoi Fuqive të Mëdha të dërgonin një Komision Ndërkombëtar të kontrollonin dhe drejtonin shtetin shqiptar ( kujtimet e I.Qemalit ). Shqiptarët e pranuan këtë propozim, por me një kusht, asnjë shtet fqinj nuk duhet të jetë në përbërje të Komisionit. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) erdhi në Vlorë në 1914 dhe Italia kishte rolin drejtues. Vlonjatët të indinjuar shprehën pakënaqësinë e tyre te autoritetet e kohës.

Ibrahim Avdullahu, një nga udhëheqësit kryesorë për përgatitjen e Kuvendit të Pavarësisë në 1912, i kërkoi Hasan Sharrës  ndërtesën e madhe, Selia e Qeverisë së Përkohshme në 1912 , për vendosjen e KNK. Italia vendosi komandën e saj ushtarake, dhe prej aty bëri të gjitha përgatitjet për gllabërimin e trojeve shqiptare. 

Ngritja e Flamurit në Pallatin e Sharrajve, 3 Shtator 1920

Në 1916 italianët e shpallën të paligjshëm flamurin tonë kombëtar. Komiteti Kombëtar i Shpëtimit, i krijuar në Vlorë, 1914, nga Ismail Qemali dhe përfaqësues të 14 krahinave shqiptare, shprehu indinjatën te Ismail Qemali, te autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Italia ishte një Superfuqi e kohës, asgjë nuk mund të bëhej , ishte mendimi i përgjithshëm.

Hasan Sharra i kërkoi komandës italiane largimin nga ndërtesa e familjes dhe vendosi atje shumë familje muhaxhirësh të ardhur nga Dardania prej 1912 e më pas.( Fjala Kosovë nuk duhet te egzistojë në fjalorin shqip). Bijtë e këtyre familjeve dardane luajtën një rol të rëndësishëm në revoltat kundër pushtuesve italianë.

Lufta e Parë Botërore përfundoi. Miqtë, pushtuesit italiane nuk po largoheshin nga trojet shqiptare. Ismail Qemali iu drejtua autoriteteve të ndryshme të Fuqive të Mëdha të kohës për largimin e ushtrise italiane nga trojet e pushtuara shqiptare. Shumë intelektuale shqiptarë, kudo që ndodheshin, u organizuan dhe nëpërmjet delegacioneve  të krijuara protestuan në Konferencën e Paqes  ne Paris. Në Vlorë përditë shtohej urrejtja për pushtuesit italianë. Qeveritë e krijuara në atë kohë në Shqipëri, i kërkuan Qeverisë Italiane largimin e trupave ushtarake nga trojet e jugut. Dipllomacia nuk po punonte, por ishte e pamundur t’i largoje italianët me lufte, ishte mendimi i pergjithshem.

Vdekja e papritur e Ismail Qemalit në Itali, dhe shoqërimi i trupit të tij për në Kaninë nga forcat pushtuese italiane arriti kulmin. Filloi organizimi dhe përgatijet për t’i shporrur pushtuesit me luftë. Nuk ishte aq e lehtë. Shtresa e mesme dhe fshatarësia (quheshin në atë kohë) e kishin vendosur , vetëm me luftë duhet t’i shporrim pushtuesit. Derri do plumb. Plumbat i kishin të pakët,më kryesorja, dëshira ishte e madhe . Qeveritarët dhe shtresa e lartë, pashallarët e dikurshëm, qëndruan indiferentë dhe në shumë raste i ndihmuan pushtuesit. Po ashtu, intelektualë të ndryshëm nuk e këshillonin një luftë me një nga ushtritë më moderne të kohës. Do të ishte vdekjeprurëse për popullin shqiptar. 

20 Nëntor 1919. Një ditë e zakonshme për lutjet fetare nëpër xhamitë e qytetit të Vlorës. Kishte kohë që nëpër kishat ,xhamitë dhe institucione të tjera fetare bëheshin “predikime” nacionaliste dhe planet per bashkimin e popullit në një luftë të përbashkët për ¢lirimin e krahinave të pushtuara nga ushtria italiane. Nga xhamia e pazarit , turma prej 300-400 besimtarësh, u lëshua drejt bashkisë së qytetit në protestë kundër pushtuesve italianë. Në krye të turmës ishin shumë të rinj dardanë. Edhe pse ishte e ndaluar , protesta ishte spontane, e paorganizuar dhe paqësore. Karabinerët i rrethuan, u përleshën me demostruesit dhe u rrëmbyen flamurin kombëtar. Një oficer italian e lidhi flamurin në bishtin e një qeni dhe e shëtiste nëpër rrugët e qytetit. Kjo e acaroi së tepërmi popullin. Demostruesit u riorganizuan dhe filloi një përleshje e madhe. Mbi të gjithë  dallohej një djalosh trupmadh nga Kumanova e Dardanise, grushtat e tij i përplasnin italianët përtoke. Ky ishte fillimi i kryengritjes së madhe.

Ditët e mëvonshme situata mori një rrugë tjetër. Shqiptarët filluan përgatitjet seriose për luftë. Vullnetarë nga krahinat e veriut, lindjes dhe jugut filluan të grumbullohen në krahinën e Vlorës. Edhe italianët e morën seriozisht gjëndjen e krijuar në qytet. Kishin dislokuar rreth 15 mijë ushtarë, që e kalonte numrin e banorëve të Vlorës. Por Vlora nuk ishte e vlonjatëve, Vlora ishte e shqiptarëve, dhe shqiptarët nuk e lanë Vlorën t’i përballonte pushtuesit e vetme. Nga të gjitha anët shkuan në ndihmë të Vlorës, edhe larg , shumë larg, vatranët nga  Amerika.

Italianët filluan seleksionimin dhe arrestimin e pjesëmarrësve kryesorë në protestë. Familjet Dardane që ishin strehuar te ndërtesat e Sharrajve, i fshehën në fshatrat ¢eprat dhe Hoshtime. Prej atje, ata, në bashkëpunim me fshatarët përreth Vlorës filluan të sulmonin patrullat italiane.  Kjo situatë vazhdoi deri në Maj, 1920.

Qeveria shqiptare në atë kohë dhe shumë intelektualë të njohur e quajtën vetëvrasje një luftë me ushtrinë italiane. Dipllomacia nuk kishte punuar. Ishin bërë planet nga Fuqitë e Mëdha për ndarjen e mëtejshme të tokave shqiptare. E kishin harruar trimërinë dhe pavdeksinë e kombit të lashtë shqiptar, që për mijëra vjet u kishte bërë ballë pushtuesve të të gjitha kohërave. E kishin harruar heroin shqiptar,Gjergj Kastrioti,Skënderbej,që u bë mburoja e krishterimit  prej pushtimit otoman. Por nuk e kishin harruar shqiptarët.

8 Maj 1920. Italianët filluan arrestimet e drejtuesve kryesorë të lëvizjes anti-italiane. Në bazë të listës prej 23 persona, që e kishte bërë Siri bej Vlora,  ata arrestuan dy vëllezerit Hasan dhe Mu¢o Sharra, Jani Mingën dhe Dom Vasën. Osmën Haxhiun nuk munden ta arrestojnë. Pasi i shpëtoi rrethimit, ai u strehua në fshatrat e Vlorës. Flamurin e Madh të qëndisur nga vajzat shqiptare 2-3  ditë pas shpalljes së pavarësisë në 1912 italianët e kërkuan dhe nuk e gjetën. Vëllezerit Sharra e kishin fshehur në fshatin ¢eprat, kur dërguan gratë dhe fëmijët për t’i ruajtur nga hakmarrja italiane me fillimin e luftës. 

Duket e çuditshme arrestimi i një kleriku!  Të gjithë klerikët , myslimanë, katolikë dhe ortodokse, gjithmonë e kanë udhëhequr, janë përpjekur dhe kanë mbrojtur popullin shqiptar,gjuhën shqipe dhe Shqiperinë,  ruatjen dhe përhapjen e idealit të pavdekshëm kombëtar. Vite më vonë , diktatura komuniste do t’i shpallte dhe masakronte si bashkëpunëtorë me armiqtë?! 

Ishte një hoxhë nënkryetar i Qeverisë së Përkohshme kur u shpall pavarësia  më 1912. Ishte At Luigj Bum¢i kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.  A nuk ishte At Gjergj Fishta ai që shkoi dhe u takua me senatorët katolikë, për ndërhyrjen e Shtetit Amerikan per mos copëtiimin e trojeve shqiptare? Ishte një prift ortodoks shqiptar i quajtur Fan Noli, ai që e takoi presidentin amerikan për mbrojtjen e Shqiperise nga pazarllëqet e shteteve Europiane.

Në 20 Maj 1920 , italianët arrestuan edhe udhëheqësit e tjerë të kryengritjes.Pasi i grumbulluan të gjithë të arrestuarit në hambarin e një anije luftarake, i dërguan në ishullin e Sazanit dhe i mbyllën në kafaze hekuri. Arrestimi i drejtuesve kryesorë të përgatitjes për luftë nuk i frikësoi shqiptarët. Udhëheqës të tjerë, nën thirrjen e Osmëm Haxhiut u mblodhën në kodrat e Beunit,Smokthinë, njëzëri vendosën fillimin e luftës dhe bënë planet e sulmit në drejtime të ndryshme.Komiteti i Shpëtimit

Kombëtar që ishte krijuar në 15-16 Korrik, 1914, u riorganizua dhe vendosi fillimin e Luftës për ¢lirimin e tokave të zaptuara nga ushtria italiane. Italianët e morën për qesharak ultimatumin e kryengritësve shqiptarë.

Në 17 Maj filloi sulmi frontal për marrjen e Kalasë së Tepelenës. Rreth 1500 ushtarë italianë, të pajisur me mitraloza të rëndë, topa dhe armë të tjera moderne ruanin kalanë. Gati 1000 luftëtarë shqiptarë të krahinave përreth , të armatosur me pushkë të thjeshta dhe vegla bujqësore luftuan për me se një muaj dhe e morën Kalanë. Disa ditë më vonë, pas fillimit të luftës në Tepelenë, luftetarët kryengritës sulmuan kampin italian  shumë të fortifikuar, në Kotë, Vlorë.

Pasi i azgjësuan këto dy fortifikime kryesore të pararojës së ushtrisë italiane, kryengritësit ekstremistë, të quajtur nga italianët dhe pasuesit e tyre, u drejtuan drejt Vlorës.  Në Vlorë , italianët kishin mbi 15 mije ushtarë, 200 topa dhe artilerinë e flotës në gjirin e Vlorës. 

   Kalaja e Kaninës

Një nga betejat me të pabesueshme ishte marrja e Kalasë së Kaninës. Pozicioni i Kalasë e kishte bërë të pamundur marrjen e saj nga pushtues të shumtë në histori. Në 22 Korrik, kryengritësit liridashës rrethuan dhe sulmuan Vlorën nga pika të ndryshme. Për dhjetë ditë rrjesht u bënë luftime të përgjakshme në kodrat e Vlorës.Të frikësuar dhe të terrorizuar nga sulmet e forcave shqiptare, ushtarët italiane nuk pranonin të shkonin dhe të luftonin në Vlorë. Protesta të shumta u bënë në Itali. Shtypi botëror nuk ndalej së shkruari për heroizmin e popullit shqiptar. Vlora u bë emri më i njohur nëpër gazetat e përditshme. 

Në fillim të gushtit , Qeveria italiane dhe qeveria shqiptare firmosën në Tiranë një marrëveshje për ndalimin e luftës pa miratimin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare që e drejtonte luftën. Qeveria shqiptare ua la ishullin e Sazanit, italianëve,si edhe mbajtjen e një garnizoni ushtarak në Shkodër. Në 17 Gusht trupat pushtuese filluan tërheqjen nga Vlora. 

Ne 3 Shtator 1920 luftëtaret fitimtarë hynë në Vlorë. Flamuri i Madh i Pavarësisë u ngrit përsëri madhështor, dukshëm nga të gjitha anët te Pallati i Sharrajve.  Më vonë , në 1928 do të ndërtohej monumenti (shtiza) i ngritjes së flamurit, që është në ditët e sotme .

Ja si e përshkruan Eqrem bej Vlora, nga ballkoni i sarajeve të tija, Luftën për Vlorën… Në krye të këtyre burrave luftonin heroikisht përfaqësuesit e shtresës së mesme, kaq të përçmuar prej meje. Si shpjegohej ky ndryshim i papritur i karaktereve dhe vlerave? Fare thjeshtë! Lufta që ata bënin ishte “lufta e tyre”, ishte beteja për pozitën e tyre shoqërore,për pronat, për gratë e fëmijët e tyre, për nderin dhe mbijetesën e tyre, një përpjekje për jetë a vdekje! 

Përgjigjen këtij pseudo-shqiptari ia dhanë pjesëtarë të familjes Sharra. Memdu Sharra,i edukuar në shkollat prestigjoze amerikane,angleze,italiane etj, pjesëmarës në Luftën për Vlorën, ju pergjigj shumë qartë….. Lufta për Vlorën, nuk ishte luftë për pozita shoqërore, nuk ishte luftë për pronat . Lufta që shqiptarët bënë në 1920, ishte luftë për parandalimin e copëtimit të mëtejshëm të tokave shqiptare, u treguan shteteve europiane se fati i Shqipërisë nuk vendoset në konferencat e paqeve në Paris e gjetkë. Shqiptarët të bashkuar nuk ka forcë, sado e madhe qoftë, t’i nështrojë. Njëkohësisht, u tregoi gjithë intelektualeve shqiptare, populli shqiptar ka qënë, është dhe do të jetë gati sa herë që e kërkon nevoja, për mbrojtjen e atdheut. Ju, duhet të bëheni pararoja dhe të udhëhiqni popullin për mbrojtjen e atdheut, në rrugën e vërtetë për ndërtimit e shoqërisë demokratike, si edhe shtetet e tjera europiane.

Lufta për Vlorën, ishte një fitore e madhe me përmasa ndërkombëtare. Në shtypin e kohës , deri në Amerikë, u shkruajt për trimërinë e popullit shqiptar. Ajo u dha fund pazarllëqeve të Fuqive të Mëdha për azgjësimin e Shtetit të sapo formuar Shqiptar. Luftëtarët e 1920-s  nuk luftuan për dekorata, per t’u nderuar nëpër libra apo muzeume nga qeveritë hipokrite që e kanë zaptuar Shqiperine. 

Nuk e shikoni që trojet shqiptare sot, drejtohen nga bijtë e diktatorëve të kuq, po pushtohen në mënyrë të heshtur dhe të programuar nga fqinjët e përhershëm grabitqare? Grekët gradualisht po e helenizojnë jugun e Shqipërisë. Serbët bëjnë të pamundurën dhe nuk e kuptojnë që Dardania është shqiptare. Turqit kanë një influence shumë të madhe në Shqipëri. Propoganda islamike po bëhet më e rrezikshme se në kohën e perandorisë otomane. Qeverite shqiptare heshtin. Shqiptarët braktisin atdheun si kurre ndonjëherë në histori, në këto 35 vitet e fundit.  Ndoshta ka ardhur koha të organizohet përsëri , Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare. 

Lavdi te Përjetëshme Luftëtarëve të Luftës për Vlorën. Ata nuk ndërtuan lungomaren, por një Vlorë të Lirë dhe të Pavarur Shqiptare.

– Kujtimet e familjes Sharra, pa e ndryshuar rrjedhën tregimtare. 

Filed Under: Histori

A mund t’i japim Ditës së Punës një kuptim bashkëkohor?

September 1, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

Dita e Punës është një festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, e cila mbahet të hënën e parë të shtatorit. Ndryshe nga shumica e festave të tjera amerikane, ajo është një festë e çuditshme, pa rituale të qarta, përveç blerjeve dhe barbekyve. Për shumicën e njerëzve ajo thjesht shënon fundin e verës dhe fillimin e vitit shkollor.

Kjo është larg vizionit të themeluesve të saj në fund të viteve 1800, të cilët synonin dy gjëra kryesore: bashkimin e punëtorëve të sindikatave dhe shkurtimin e orarit të punës.

Historia e Ditës së Punës

Dita e parë e Punës u shënua në vitin 1882 në Nju Jork, nën drejtimin e Unionit Qendror të Punës. Në atë kohë, sindikatat mbulonin vetëm një pjesë të vogël të punëtorëve dhe ishin të fragmentuara e relativisht të dobëta. Synimi ishte të bashkoheshin sindikata të ndryshme për të fituar forcë kolektive. Organizatorët e parë panë Ditën e Punës si një rast për punëtorët e profesioneve të ndryshme që të takoheshin dhe të njihnin interesat e tyre të përbashkëta.

Por kishte një problem të madh: as qeveria dhe as kompanitë nuk e njihnin të hënën e parë të shtatorit si ditë pushimi. Zgjidhja e përkohshme ishte shpallja e një greve njëditore në qytet. Punëtorët marshuan në paradë dhe më pas morën pjesë në një piknik të madh. Një reporter i New York Tribune e përshkroi ditën si një “barbeky të gjatë politike, me fjalime pak të mërzitshme.”

Pse u shpik Dita e Punës? Sepse punëtorët punonin orë të gjata dhe pa pushime. Në vitet 1830, një punëtor në prodhim punonte mesatarisht 70 orë në javë. Edhe në vitin 1890, orët e punës kishin zbritur, por përsëri arrinin 60 orë në javë. Sindikatat luftuan për të fituar ditën 8-orëshe, fundjavën 2-ditore dhe festa kombëtare si Dita e Punës.

Këto beteja dhanë rezultat. Sot shumica e punëtorëve në SHBA punojnë pak mbi 40 orë në javë dhe vetëm pesë ditë. Madje edhe shumë biznesmenë dhe politikanë e mbështetën shkurtimin e javës së punës, sepse punëtorët me kohë të lirë kishin mundësi të shpenzonin pagat e tyre për udhëtime, argëtim dhe konsum – duke i kthyer kështu klasat punëtore në konsumatorë.

Në vitin 1894, presidenti Grover Cleveland nënshkroi ligjin që e shpalli Ditën e Punës festë kombëtare. Por ka një keqkuptim të zakonshëm: shpallja e një feste zyrtare nuk detyron kompanitë private apo edhe disa agjenci publike t’u japin punëtorëve pushim. Edhe sot, shumë dyqane dhe shërbime funksionojnë normalisht gjatë Ditës së Punës.

Kontroversitë e hershme

Sot Dita e Punës është një festë pa polemika. Nuk ka dramë familjare si në Ditën e Falënderimeve, as debate fetare si në Krishtlindje. Por një shekull më parë kishte shumë debat.

Disa sindikalistë radikalë – socialistë, marksistë e komunistë – mbronin 1 Majin si ditë ndërkombëtare protestash e madje dhune. Ndërsa sindikalistët më moderuar zgjodhën shtatorin, duke e shënuar me parada dhe piknikë. Në SHBA, pikniku fitoi ndaj protestës.

Ka edhe debat mbi autorin e idesë: njëra teori thotë Peter J. McGuire, themelues i Vëllazërisë së Marangozëve në Nju Jork (1881), ndërsa të tjera i atribuojnë idenë Matthew Maguire-it, përfaqësues i Unionit të Mekanikëve. Shumë historianë mendojnë se kurrë nuk do të dihet saktësisht kush e shpiku.

Nga historia tek sot

Me kalimin e kohës, Dita e Punës humbi kuptimin e saj fillestar. Krijimi i OSHA-s në vitin 1971 siguroi kushte më të mira pune dhe anëtarësimi në sindikata ra nga 35% në vitet 1950 në vetëm 9.9% në vitin 2024. Në sektorin privat, kjo shifër është vetëm 5.9%. Brezi i mijëvjeçarit dhe “gig economy” e kanë ulur edhe më shumë entuziazmin për sindikatat.

Një tjetër dimension është politika. Presidenti Donald Trump, si në mandatin e parë (2017–2021) ashtu edhe pas rikthimit në janar 2025, është përpjekur të tërheqë punëtorët e industrive të rënda dhe minatorët, duke u shfaqur si mbrojtës i “punëtorit amerikan” kundër globalizimit. Megjithatë, ai ka qenë shpesh kritik ndaj sindikatave tradicionale, që i konsideron të lidhura me Partinë Demokratike.

Ky kontrast mes retorikës pro-punëtorëve dhe qëndrimit kritik ndaj sindikatave klasike tregon se Dita e Punës mbetet një arenë ku përplasen vizione të ndryshme për rolin e punës dhe punëtorëve në një ekonomi gjithnjë e më të globalizuar e të automatizuar.

E tashmja: a kemi humbur shpirtin e Ditës së Punës?

Sot Dita e Punës nuk ka më rituale të qarta. Nuk ka më marshime sindikalistësh me pankarta. Është thjesht një fundjavë e gjatë me barbeky dhe zbritje në dyqane. Por problemi që e frymëzoi mbetet: puna e tepërt dhe mungesa e pushimit.

Në shekullin XIX, lufta ishte për të ulur orët nga 70 në 40. Sot sfida është ndryshe: punëtorët e kualifikuar të zyrave dhe profesionistët “white-collar” janë të lidhur 24/7 me email dhe pajisje dixhitale. Kjo i bën të ndihen të djegur dhe pa jetë personale.

Prandaj, ndoshta është koha t’i japim Ditës së Punës një kuptim të ri: të mbyllim telefonat, të mos hapim kompjuterët, të marrim një ditë të plotë pushimi për veten dhe familjen – dhe, ashtu si paraardhësit tanë më shumë se një shekull më parë, të festojmë me një barbeky të qetë, duke e ditur se të paktën një ditë në vit është e jona.

Filed Under: Ekonomi

DEMOKRACIA DHE LIRIA NUK BËJNË KOMPROMIS ME DIKTATURËN!

September 1, 2025 by s p

Mbas 35 vjet “tranzicioni komunist” që akoma vazhdon, duket sikur kemi arritë pikën ma të ulët në demokratizimin e vendit dhe kemi ra në nji pellg imoraliteti që kërcënon me u revelue: “i pashërim”. Shoqëria shqiptare ndahet mbas tre dekadash në antikomunstët të mbijetuarit e diktaturës, që përballuam plumbat dhe hekurat e xhelatëve, për një periudhë kohore 50 vjeçare më e gjata në Europë, dhe me komunistët që i shërbyen diktaturës, që kryen krime, dhe që monopolizuan sitemin demokratik, dhe u bënë palë me organizata të huaja antishqiptare që nuk deshën një Shqipëri demokratike europiane. Bilanci i krimeve të komunizmit është rënqethës në krahasim me vendet e europës juglindore që ishin nën një sistem komunistë. Antikomunstët që vinin nga kampet e përqendrimit, nga gulakët e Burrelit, Spaçit, Qaf-Bari, e mirëpritën ndrrimin e sistemit me një motiv kombëtar “Jo hakmarrje po drejtësi.”  Boll Shqipëria ishte vaditur me gjakun e pafajshëm të elitës së kombit, të atyre burrave dhe grave, të atyre familje fisnike që u shkatruan në tre breza.  Në vitin 1990, Partia komuniste e cila i kishte kryer këto krime ndërroi emrin  në “socialiste” dhe fshiu krimet monsturoze që kreu ndaj shqiptarve, krime të pa imagjinushëm për europën e pasluftës së dytë botërore. Kjo parti diktatoriale, Jo vetëm që nuk mbajti përgjegjësinë ligjore për krimet por e quajti të mjaftueshëm të fshihej mbas emrit”Socialiste” dhe të konkurronte për pushtet duke vazhduar ideologjinë kriminale të PKSH në një sistem demokratik. Fatkeqësi kombëtare që kjo parti antidemokratike, anti shqiptare, u lejua në 90 të ishte pjesë e demokratizimit të vendit. 

Kjo falë dhe Partisë Demokratike që gjatë këtij tranzicjoni nuk kërkoi të dënohej partia komuniste por ishte e kënaqur që e kishte përkrah në ndërtimin e demokracisë. Partia Demokratike nuk pati kurajon, dhe as nuk e ka, që ti denojë krimet e komunizmit, por i përdori këto krime për politikë dhe aspak në kuadrin ligjor siç banë vendet e europës që i dënuan me ligj këto krime. 

Partia Socialiste me të marr pushtetin me forcën e tije, rikthejë datat simbol të komunizmit, si 29 nëndorin, 5 maj, luftoi me të gjitha forcat që opozita të shkatrohej dhe ti sërvisej  shoqërisë se komunistat janë shumicë në Shqipëri. Monopolizoi gjygjësorin si në vitin 1946, kapi mediat dhe nderoi pasardhësit e xhelatëve me poste shtetrore, përdori sloganin e rilindjes së komunizmit, e kthej shtetin në një agjitrop të pushtetit, dhe sot në media sloganet e propagandës janë në barazi të plotë me diktaturën. Rrëmbeu ekonominë, u hoqi pronarve të ligjshëm pronat dhe i kaloi në duart të pushtetit të tyre, duke mos lejuar kapitalizmin por duke forcuar pushtetarët dhe krijuar klasën e oligarkëve të pushtetarve socialistë, sot nuk ka bashkëpunëtor të sigurimit, por ka patronozhiste, të cilët  paguhen me taksë paguesit shqiptare një lloj si në kohën e Enver Hoxhës. Shkatroi institucjonin e zgjedhjeve, slejonë ndrimin e pushteteve, falë dhe një opozite që ngeli në politikë pa vizion antikomunistë, që ju largua mbrotjes të të drejtave të mohuara të antikomunistëve duke e kthyer moton e sajë të ndryshimit vetëm për pushtet, dhe aspak në vizionin demokratik perëndimor, të një Shqipërie demokratike europiane. Partia Demokratike ju largua elektoratit antikomuniste dhe sot mbas të ashtuquajtur zgjedhje të 11 majit ajo nuk ka kontaktet me elektoratin që e shpëtoi në politikë duke sakrifikuar një periudhë shum vjeçare të jetës së tyre, vetëm të shpëtonin demokracinë, lirinë e shqiptarve. Partia Demokratike nuk kërkoi dhe as kërkon që të dënohen krimet e komunizmit siç i ka dënuar Europa. Krimet dënohem me ligj dhe jo me slogane politike, Ajo nuk i nderon jetët e antikomunisteve por ndjek Rilindjen komuniste duke nderuar xhelatët e diktaturës. Sot Shqipëria nuk ka një muze kombëtar për krimet e komunizmit, Sot Spaçi që të kthehet muze don zërin e fuqishëm të opozitës në Parlament, sot ndërtohen Shpia muze të shkrimtarve të realizmit socialist, jepen filmat e realizmit socijalist në TVSH që paguajm taksë ne antikomunistat dhe shohin rinia shqiptare përbuzjen klasore të komunistave kundra antikomunistave. 

Partia Demokratike flet vetëm për pushtet dhe jo për elektoratin që e votojnë.  PD nuk kërkon Burreli, Spaçi, Tepelena, e vendet ku janë kryer krime të shpallen muze. Ajo i bashkohet heshtjes së rilindjes komuniste në vitin 2025. Mbas 35 vitesh  jeta e mbi 6000 shqiptarve që i vrau komunizmi, dhe u zhduku kufomat sot nuk kan një varr në tokën e tyre, PD hesht për këta të zhdukur nga krimineli Enver Hoxha si kundërshtarë politikë. Për më shumë se tre dekada familjet e tyre kan mbajtur peshën e padurushme të mungesës ashtu dhe kërkesën për drejtsi. Por Partia që e votojnë këto familje hesht dhe nuk kërkon të vihen para drejtsisë hetuesit, gjygjtarët, prokurorët, xhelatët e diktaturës që kan mbushur sallën e parlamentit dhe institucjonet e drejtsisë. Ambasadorët e vendeve perndimore për stabilokraci bashkohen me pushtetin që dhunon votën e lire, të drejtat e antikomunistëve dhe harrojnë këta diplomatë se ishim ne, antikomunistat që në burg e në plumba kërkonim Shqipërinë si Europa.

 Shqiptarët që përballuam mbi 914.000 vite burg e internim të pafund përballemi mbas 35 vitesh me përçmimin e pasardhësve të komunizmit. Sigurisht dhe fatkeqësisht trashëgimtarja e komunizmit që sundon sot Shqipërinë këtë” palo demokraci “e kan  kthyer në propogandë komuniste duke i kthyer objektet e diktatorit më gjakpirës të luftës së ftohtë ndaj kombit të vet në një propogandë që këto objekte të shërbejnë si mjete propogandistike në një kohë kur Shqipëria është i vetmi vend në europë që nuk i ka dënuar krimet makabare të diktatorit Enver Hoxha. Apologji e krimeve të komunizmit.  Dhe ka 35 vite që kjo mazhorancë nuk ka ndërgjegjësimin të i dënoi këto krime, apo të kërkoi falje, po vazhdon propagandën në nderim të diktatorit Hoxha. Ne nuk lejuam hakmarrje individuale, ndaj xhelatëve të komunizmit, por ja kaluam drejtsise ta dënoi krimin enveristë. Fatkeqësisht partia që votojmë prej tre dekadash drejtsinë që kërkojmë ne e ka arshivuar në heshtje. Ne përçuam paqen, mazhoranca komuniste që sundon këtë vend na urren. Ka 35 vite që nuk lejohen të drejtojnë antikomunistët institucjonet kushtetuese si në diktaturë. Lufta e klasave ndaj antikomunistave njeh vetëm rritje. Por opozita nuk e bllokon parlamentin për këto të drejta që u mohon votuesve të tyre antikomunistë, por mbron të drejtat e komunistve të rinj që u pasuruan dhe sot burgosen nga udhëheqësi i mazhornancës për arsye pushteti. Sot, shqiptarët dhe shqiptaret janë të djegun për liri e demokraci. Ata janë të sigurt që, nëse e tashmja ashtë grabitë nga oligarkët e pseudo-politikës në Shqipëri, e ardhmja i takon lirisë dhe demokracisë për të gjithë! 

Këlmendasit kërkojnë që heroi Prek Cali që nuk lejojë që krahina e Vermoshit të ishte Serbi por e la Shqipëri, opozita nuk flet për ndërtimin e shtëpisë këtij heroi, por kënaqet me shtëpinë e Agollit patriarkut të komunizmit muze. Shqiptarët që përballuat diktaturën, familjarisht të shpëtojmë demokracinë dhe të ruajmë lirinë e tyre në këtë diktaturë të re. Cdo shqiptar është i vetditshëm se pa mbrojt demokracinë ne, nuk kemi liri! Ne duhet ti tregojmë balilve të komunizmit, që na sundojnë sot  se kriminelin Enver  Hoxhen e tërhoqëm zvarrë bustin për krimet që kishte bërë, juve ju paralajmërojmë se nuk do tu lejojmë juve pasardhësve bastard të xhelatëve të komunizmit, të na merrni lirinë që e kemi fituar me gjak të pafajshëm.

Sot do të ju tregojmë shqiptarve se nuk do të lejojmë që të heshtet ndaj krimeve të komunizmit, do të marrin miratimin e popullit shqiptar për të i dënuar me ligj këta krime çnjerzore që u banë ndaj shqiptarve. Sot politika shqiptare eshtë antikombëtare që hesht për mbi 6000 të zhdukurit e komunizmit. Turpi i mbuloftë këta politikan shqiptarë që nuk nderojnë këta bashkëkombës dhe nuk flasin për këta martirë që sakrifikuan jetën për Shqipëri, që kjo nanë hallemadhe  të ishte si Europa. Sot  i madh e i vogël çdo familje antikomuniste të jetë në këmbë për të nderuar gjakun e derdhur të shqiptarve nga diktatura enveriste dhe për të dënuar përçmimin e balileve enveristë që sundojnë Shqipërinë.

Demokracia është themeli i sigurisë dhe e një qeverie të përgjegjshme e bazuar në shtetin e së drejtës, Zgjedhje të lira, të drejta të konkurrencës , media të hapura, respekt për opozitën dhe shoqërinë civile, të drejta të plota  për antikomunistët shqiptar! Me lirinë dhe demokracinë nuk ka nevojë për kompromise, me diktaturën e re shqiptare! Ne duhet ti bëjmë të qartë imituesve të diktaturës dhe të ju dërgojmë sinjalin sqarues: ne antikomunistët nuk do të lejojmë asnjë pushtet që të na cenoj lirinë dhe demokracinë në vendin tonë! Demokracia nuk pret! Poeti i madh i kombit shqiptar At Gjergj Fishte  na frymëzon me vargjet e tije për Shqiptarët që u sakrifikuan për të mbrojt lirinë:

OH ATA T/LUMTË QË DHANË JETËN

OH ATA T/LUMTË QË SHKRIN VETEN

LEHTË U NGREJT MBI VORR LEDINA

BUTË U QOFSHIN MOTI E STINA, AKULLI, BORA, SERADINA.

Besim NDREGJONI

Filed Under: Histori

WILSONIZMI DHE TRAMPIZMI: DY SHKOLLA TË DIPLOMACISË AMERIKANE DHE ROLI I SHQIPTARËVE NË URAT TRANSATLANTIKE

September 1, 2025 by s p

Wilson dhe Trump, pavarësisht stileve të ndryshme, ofrojnë dy paradigma që shqiptarët mund t’i përdorin si busullë: parimet morale dhe universaliste të wilsonizmit dhe pragmatizmin dinamik të trampizmit. Nëse këto dy logjika ndërthuren, shqiptarët do të arrijnë të forcojnë pozitën e tyre si urë transatlantike, duke e konsoliduar integrimin euro-atlantik dhe duke ruajtur aleancën strategjike të pakushtëzuar me SHBA.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Procesi wilsonian, i shpallur pas Luftës së Parë Botërore, u bë një pikë kthese për kombet e vegjël, sepse përmes doktrinës së 14 Pikave u njoh e drejta e tyre për vetëvendosje dhe u krijua Shoqata e Kombeve si përpjekja e parë për një rend të ri ndërkombëtar të bazuar mbi të drejtën dhe paqen. Një shekull më vonë, trampizmi hyri në politikën globale si një qasje kontrastive, që mbështetej jo mbi idealizëm universal, por mbi interesin e drejtpërdrejtë amerikan dhe logjikën transaksionale. Megjithatë, mes Wilsonit dhe Trumpit ekzistojnë ngjashmëri të habitshme: të dy e vendosën Amerikën në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare dhe synuan ta ridimensionojnë raportin e saj me botën, duke i dhënë hapësirë edhe popujve të vegjël. Pyetja që shtrohet sot është nëse SHBA do të vazhdojë kontinuitetin e kësaj filozofie politike, duke kombinuar parimet morale të wilsonizmit me pragmatizmin dinamik të trampizmit, apo do të shfaqet një paradigmë e re.

Në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Versajë, kur po ridizejnohej harta politike e botës, mërgata shqiptare dëshmoi një mobilizim të jashtëzakonshëm duke u shndërruar në një nga zërat më aktivë në arenën ndërkombëtare. Elita intelektuale e saj, me figura si Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, ndërmori një ofensivë diplomatike të pashembullt për të fituar përkrahjen e fuqisë së re botërore Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequra nga presidenti Woodrow Wilson. Përmes protestave, botimeve, memorandumeve dhe delegacioneve të ardhura nga e gjithë bota, shqiptarët ia dolën të impononin çështjen e tyre në kabinetin amerikan dhe të fitonin një aleat strategjik që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. Ky moment historik dëshmoi fuqinë e diasporës së organizuar dhe shënoi fillimin e një rrugetimi që, brenda një shekulli, do të sillte arritje të mëdha nga shpëtimi i shtetit shqiptar deri te pavarësia e Kosovës dhe avancimi politik i shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi.

Katër presidentë amerikanë janë nderuar me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë figura të lidhura me momente historike që ndalën kriza e luftëra dhe ridimensionuan konfiguracione gjeostrategjike botërore. Theodore Roosevelt (1906) u vlerësua për ndërmjetësimin e paqes mes Rusisë dhe Japonisë, Woodrow Wilson (1919) për krijimin e Lidhjes së Kombeve, Jimmy Carter (2002) për përpjekjet e tij të vazhdueshme në zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa Barack Obama (2009) për forcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit mes popujve. Në këtë radhë, edhe Donald Trump, me angazhimin për parandalimin e vatrave të krizës dhe shuarjen e mosmarrëveshjeve, përfshirë ato në Ballkan, synon të shfaqet si vazhdues i kësaj tradite presidenciale amerikane. Një rol i tillë do të forconte pozitën globale të Amerikës, por edhe do të përbënte një vijimësi të procesit wilsonian, që shpëtoi popujt e vegjël nga shuarja dhe copëtimi.

Historia shpesh na ofron paralelizma të habitshëm mes personaliteteve politike që ndonëse të ndarë nga një shekull, kanë reflektuar qasje të ngjashme mbi fatin e popujve të vegjël dhe arkitekturën e paqes globale. Në këtë plan, Presidenti Woodrow Wilson dhe Presidenti Donald Trump shfaqen si dy figura kontrastive në stil, por me pikë përbashkuese në thelbin e tyre diplomatik: përpjekja për të vendosur Amerikën në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare dhe për të ripërcaktuar raportin e saj me botën.

Wilson, përmes “14 Pikave”, krijoi një doktrinë të re ku popujve të vegjël u njihej e drejta për vetëvendosje, duke hapur rrugën për krijimin e shteteve kombëtare pas Luftës së Parë Botërore. Kjo filozofi nuk ishte vetëm një program paqeje, por një vizion për një rend të ri botëror, i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet morale. Për shqiptarët, kjo ishte një dritë shprese në një periudhë të rrezikuar nga copëtimi, duke e vendosur çështjen shqiptare në agjendën e fuqive të mëdha.

Trump, nga ana tjetër, solli në politikën ndërkombëtare një frymë të re, të quajtur shpesh “trampizëm”. Në vend të vizionit universalist wilsonian, Trump veproi mbi logjikën transaksionale: çdo angazhim duhej të sillte përfitim të qartë për SHBA. Megjithatë, edhe ky model, me gjithë skepticizmin që ngjalli, kishte një element të ngjashëm me qasjen wilsoniane respektin për sovranitetin e popujve dhe parandalimin e shpërthimeve të reja të krizave. Diplomacia e tij shpesh spektakolare, që kombinonte presionin me elemente të pazakonta të komunikimit politik, synonte të vendoste baraspeshë në një botë gjithnjë e më të fragmentuar. Përballja me Putinin, apo menaxhimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, treguan se Trump përpiqej të krijonte një model të ri ndërveprimi ku perceptimi i forcës kishte prioritet mbi marrëveshjet formale.

Në këtë kuadër, shqiptarët gjenden në një pozitë të veçantë. Sikurse në kohën e Wilsonit, edhe sot ata shihen si faktor i paqes dhe stabilitetit në një Ballkan të tensionuar. Megjithatë, konteksti ka ndryshuar. Integrimi europian është i ngadalshëm, ndërsa rivalitetet gjeopolitike e mbajnë rajonin të ekspozuar ndaj pasigurive. Prandaj, roli i SHBA-së mbetet jetik, por kërkon një qasje më të sofistikuar. Fryma wilsoniane e të drejtës ndërkombëtare dhe fryma trampiste e interesave të drejtpërdrejta mund të kombinohen për t’i dhënë shqiptarëve hapësirën e nevojshme në skenën ndërkombëtare: nga sigurimi i sovranitetit dhe mbështetja për Kosovën, deri te projektet energjetike e infrastrukturore që lidhin rajonin me Perëndimin.

Një element i përbashkët për të dy presidentët është rëndësia që i atribuohet miqësisë shqiptaro-amerikane. Në kohën e Wilsonit, shqiptarët u mbështetën në parimet e tij për të mbijetuar politikisht. Në kohën e Trumpit, ata shfrytëzuan instrumentin e fuqishëm të lobit në SHBA, duke treguar se diaspora mund të ndikojë në balancat elektorale dhe të mbajë gjallë interesin amerikan për çështjen shqiptare. Kjo dëshmon se lidhja shqiptaro-amerikane nuk është vetëm një sentiment historik, por një kapital politik që duhet shndërruar në partneritet strategjik.

Wilson dhe Trump, pavarësisht stileve të ndryshme, ofrojnë dy paradigma që shqiptarët mund t’i përdorin si busullë: parimet morale dhe universaliste të wilsonizmit dhe pragmatizmin dinamik të trampizmit. Nëse këto dy logjika ndërthuren, shqiptarët do të arrijnë të forcojnë pozitën e tyre si urë transatlantike, duke e konsoliduar integrimin euro-atlantik dhe duke ruajtur aleancën strategjike të pakushtëzuar me SHBA. Kjo është jo vetëm një strategji politike, por një aksiomë historike që përcakton fatin e kombit shqiptar në shekullin XXI.

Shkup,01 shtator 2025

Filed Under: Analiza

Hopeful Blooms of AFC’s End of Summer Fundraiser

September 1, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

The vibrant floral arrangements in the AFC logo mugs displayed as center pieces livened up the private room of the Boathouse Bistro Beachfront in Hull that hosted the Albanians Fighting Cancer (AFC – USA) fundraiser appropriately titled Hope Blooms Here. On the heels of her recent visit to Albania, Roberta Panariti, Founder and President of AFC – USA shared in her remarks the experience of witnessing the needs of hospitals in Korce and Gjirokaster. In the fight against cancer, time and time again, togetherness has shown to be a powerful force. The delivery of essential medical equipment such as three Drager Anesthesia Machines and a list of other hospital devices marked a major accomplishment that involved overcoming immense challenges thanks to partnerships with Medwish and the generous collaboration of Fotini Kokeri, trustee and General Director of Kosloski Family Foundation. As important as the machinery and technical advancements are, when it comes to cancer, the vital hope comes from the presence of the community.

Its meaning inspired the event that organizers Anila Raxhimi, sisters Zana and Elisa Balashi and Albana Qinami began to put together during the summer months. On Thursday evening, the attendees came to the sold-out gathering at the Albanian-American family owned restaurant on the Southern Edge of the Boston harbor, co-owner Tinka Martini McCauley welcoming them at the door.

Lots of familiar faces of supporters and volunteers who are present and committed at every AFC event as well as many newcomers quickly related to each other through spoken or unspoken personal experiences or battles of relatives or family members with cancer.

Amassing a large following, AFC has expanded its reach to more hospitals in towns like Permet and Gjirokaster and to Kosova based organizations dedicated to helping women affected by breast cancer such as It’s Worth Living. In the Operation Rooms of Korca’s hospital, the patients may never meet any of the people who have shown compassion and kindness towards others in need but they would know that someone cared. That is the message that AFC President brought with her from the July visit to Albania. Aside from gratitude from doctors and patients, on a personal level, the return to her hometown of Korca, 30 years after leaving the country with her family, was characterized by a deep public display of emotions.

With the end of the remarks on Thursday night, just like supporters have come to expect, they joined Roberta as the principal soloist in singing some of the old favorites. It is understood that although the theme is rather heavy, the spirits are not. Popular ballads and traditional Albanian repertoire performed on electric violin by Rozita Fishta shaped the joyful program of the evening. Her expressive technique and unique sound enveloped the room and audience overflowing with tenderness and warmth.

Half way into the evening, the celebration heated up with traditional Southern folk dancing interspersed with singing in a sort of Lady’s night out style gathering – a standout feature of the three-hour long event. The interpretation of songs like Eja Eja Lulebore presented the qualities of Justina Fishta Martini’s voice that delighted the gathering. Stepping back from the hand movements of various dances, the clattering of plates, the harbor sunset, the sing-alongs, the evening was a balanced composition of everything like the bouquet of alstroemeria, roses, ranunculus, hydrangea, and sunflowers in the mug with the AFC logo on it – the blooms being stronger and more beautiful together.

Speaking with Roberta afterwards, Leopold Martini, member of a well respected family from Shkodra, who resides in the Boston area, said that he was glad he came. Then added that he would support AFC’s mission even if he can’t be present in the next event.

AFC is gearing up for its annual gathering in the fall and hopes to carry the dynamic energy and excitement of the end of summer fundraiser to October, designated as the Breast Cancer Awareness Month https://albaniansfightingcancer.org/

Photo Courtesy Zoe Stoner

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 353
  • 354
  • 355
  • 356
  • 357
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT