• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjenocidi i Serbisë në Kosovë

August 31, 2025 by s p

Imer Lladrovci/

Pjesa I

Zbulimi dhe ndriçimi i rrethanave në të cilat u krye gjenocidi serb në Kosovë është deryra e parë e shtetit dhe shoqërisë sonë.

Për gjenocidin e Serbisë në Kosovë ende flitet gjithkund. Shumë familje shqiptare janë traumatizuar gjatë luftës për shkak se kanë qenë viktima të dhunës serbe. Ky krim është trajtuar sidomos në mediat shqiptare nga shumë këndvështrimi. Nga këndvështrimi politik, sociologjik, antropologjik, historike e faktografike, edhepse disa lloje të krimeve nuk janë zbuluar në tërësi dhe me metoda adekuate. Shpesh thuhet se gjatë luftës janë dhunuar seksualisht rreth 20.000 femra shqiptare, mirëpo në vitin 2018 kur u hap një mundësi për regjistrimin e femrave të dhunuara me qëllim dhënien e një pensioni të zakonshëm të viktimës nuk u paraqiten më shumë se 500 raste. Dikush që i gjykon gjërat vetëm në sipërfaqe do të thoshte se shifra e përmendur më herët prej 20.000 femrave të dhunuara duhet të ketë qenë një shifër propagandistike. Por jo. Unė dyshoj se shofra e errët duhet të ketë qenë edhe më e madhe se 20.000. Dhunimi seksual i femrave ka qenë një mjet lufte i Serbisë që ėshtë përdorur edhe në pjesë të tjera të Jugosllavisë, sidomos në Bosnjë.

Gjërat janë shumë më të ndërlikuara seç duken në shikim të parë. Nëse kjo formë e krimit të luftës vërtet ka pasur përmasa të gjera, atëherë të dhënat empirike do të duhej mbledhur menjëherë pas luftës dhe në mënyrë të veçantë dhe jo shumė vite më vonë, siç ndodhi tek në vitin 2018 kur filloi fushata për krijimin e listës së femrave të dhunuara, të cilat gjoja do të merrnin një pension të caktuar. Pastaj nuk duhet harruar fakti se ka pasur një rezolutë të Kuvendit të Kosovës që e mohonte ekzistencën e këtij krimi në Kosovë. Disa deputetë madje patën thënë se nëse ka pasur raste sporadike, atëherë duhet akuzuar femrat shqiptare për jorezistencë dhe jo serbët e armatosur. Pas kësaj rezolute, vështirë se do të paraqitej një femër me pretendimin se ishte dhunuar seksualisht, sepse ajo duhej të llogariste se do të njollososej si prostitutë.

Megjithatë, për dukurinë është folur shumë nga ekspert të fushave të ndryshme. Ndonjėherë janë bërë edhe gabime të rënda, sepse është folur edhe në mënyrë paushalle, duke i parë vetëm disa anë të dukurisë dhe duke i injoruar disa të tjera. Shumëherë, flitet për gjenocidin, por nuk flitet edhe për aksionin serb të mbulimit të gjurmëve, fshehjen e krimit, Nuk duhet të harrojmë se ka ekzistuar edhe projekti „asanacija“. Në vitin 2025, pra një çerekshekulli pas përfundimit të luftës ende lista e të zhdukurve kap shifrën 1647 persona të pagjetur, prej tyre 420 serbë. Civilët shqiptarë dhe civilët serbë nuk janë e njëjta gjë. Nëse ushtria serbe dhe mekanizmat e ndryshëm të shtetit të Serbisë në realizimin e projektit „Patkoi“ bënin terror mbi masën e pambrojtur shqiptare, UÇK-ja e keqarmatosur në përgjithësi nuk merrej fare me popullsinë civile. Vetë misioni i saj çlirimtar e përjashtonte këtë formë të luftës. Por nuk mund të mohohet fakti se kishte civilë serbë që ishin të involvuar në luftë. Dyshoj se të tillët për arsye informative kanë depërtuar në vijat e luftës dhe aty janë vrarë dhe, ndonjëherë, edhe zhdukur. Pas luftës ka pasur shumë civilë serbë të vrarë, por nuk dihet saktësisht se kush ishin ata që i vranë. Në fshatin Grackë të Lypjanit qenë vrarë disa fshatarë serbë në fushë, derisa punonin.

Nazim Bllaca ka thënë me një rast se para se të ndodhte ky krim monstruoz, ka qenë i njoftuar një agjent i UDB-së. Pyesim pse nuk ndërmori ai asgjë për parandalimin e këtij krimi kur e dinte se ç’po përgatitej? Cili ishte roli i tij në këtë rast? Nė kaosin e paskuftës mund të ndodhte gjithçka dhe e vërteta për motive të ndryshme të fshihej. Sidoqoftë, civilët serbë që u zhdukën si edhe shqiptarët meritonin një varr, kështu që duhet të ndriçohen rastet e tilla. Në vitin 1998 në Pejë në kafenenë „Panda“ qenë vrarë disa fëmijë serbë. Vetë Aleksandar Vuçiqi (Aleksandar Vučić) si zëvendëskryeministër pati thënë se krimi s’ishte kryer as nga agjenturat e huaja dhe as nga shqiptarët. Gazeta serbe „Kurir“ e pati akuzuar si vrasës Millorad Ulemek- Legijanë (Milorad Ulemek-Legija), por ai kurrë nuk doli para gjyqit me këtë akuzë. Legija sot ndodhet në burg për shkak të vrasjes së ish kryeministrit serb Zoran Gjingjiq (Zoran Djinfjić). Ai kurrë s’ka folur publikisht për rastin „Panda“ edhepse nuk do të dënohej më shumë seç ishte është dënuar për vrasjen e Zoran Gjingjiqit. Në këtë konstelacion kur shumëçka është ndriçuar dhe shumëçka tjetër ka mbetur ende pa u zbuluar dhe ndriçuar deri në fund është vështirë të jepet një gjykim përfundimtar, aq më tepër kur për publikun e gjerë ka munguar një trajtim i veçantë i aspekteve juridike të krimit.

Me librin „Gjenocidi i Serbisë në Kosovë“ të juristit Arsim Bajrami më në fund erdhi një studim që me argumenta juridike flet për krimet e luftës në Kosovë dhe ato i klasifikon si gjenocid, pra si formėn më të rëndë të krimit. Krimet serbe në Kosovë asnjë njeri me mend në krye nuk do t’i kontestonte, të paktën jo hapur, por për statusin e tyre juridik shumë njerëz nuk ishin të sigurt për shkak të konfuzionit politik që është krijuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm. Zona ku jetojmë ne vazhdimisht është tronditur nga luftërat, kështu që krimet e luftës kanë qenë pjesė e jetës sonë. Kur tmerret e luftës kanë qenë më tė vogla se në të kaluarën, ky fakt i hidhur është interpretuar si fat. Marrëdhëniet serbo-shqiptare i kanë rënduar doktrinat e ndryshme gjenocidale. Elaboratet e ndryshme që janë paraqitur në dy shekujt e fundit në Beograd nuk janë fryt i psikozës së frikës shqiptare, por realitet objektiv. Traumat e sundimit turk në Serbi, asnjëherë të trajtuara në mënyrë adekuate, janė instrumentalizuar politikisht kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve. Elitat politike serbe dhe ato kishtare kanë mundur t’i mobilizojnë shtresa të caktuara të shoqërisë serbe kundër shqiptarëve. Në fakt në Mesjetë shqiptarët ndiqeshin kinse fetarisht, atëherë jo si turq të islamizuar, por si katolikë. Situata në Kosovë na paraqitet shumë komplekse, sepse në lojë janë shumë faktorë. Një zbërthim naiv i situatës konfliktuoze më shumë i ngatërron çështjet sesa i ndriçon, kështu që kërkohet një çasje e tillë që krimin di ta klasifikojë në bazë të tipareve të tij objektivë dhe jo duke u mbështetur në pretendime ideologjike.

Edhe ky libër i Arsim Bajramit synon që të kap gjithë spektrin e luftës, por si qëllim themelor i tij është klasifikimi objektiv i krimeve. Ne nuk duhet ta zmadhojmë, por as ta zvogëlojmë e harrojmë atë që përjetuam. „Të harrosh një Holocaust, është të vrasësh dy herë“ thotë nobelisti hebreit Eli Vizel (Elie Wiesel). Holocausti ndaj hebrenjëve përbën një formë singulare të gjenocidit, mirëpo edhe vrasja dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga viset e tyre paraqet një formë të gjenocidit që nuk mund dhe nuk duhet injoruar. Libri i Arsim Bajramit e dokumenton në hollësi rrugën e ferrit nëpër të cilin kaloi populli ynë në një kohë jo të largët. Një bashkësi që nuk prodhon libra të tillë, jeton në mjegullën e liuzioneve dhe objektivisht është e rrezikuar nga përsëritja e këtyre krimeve. Ky libër e konservon realitetin dhe kështu i shërben kujtesës tonë kolektive që na jep mjetet e analizës së gjendjeve shoqërore e politike që çojnë në gjenocid.

Për arsye politike shpesh na sugjerohet që disa gjëra t’i harrojmë. Natyrisht, shumëçka duhet harruar, për t’i bërë vend të resë në jetën tonë, por jo gjithçka. Krimet në formën e tyre si gjenocid nuk i përkasin atyre gjërave që duhet harruar, sepse të harrosh gjithçka do të thotë mungesë identiteti. Një definicion juridik kurrë s’e shpërfillë gjendjen faktike dhe tiparet e saj thelbësore, ndryshe nga nje definicion politik që në lojë fut edhe elementë të tjerëtë dorës së dytë, të cilët ndonjëherë fitojnë peshë specifike më të madhe se faktet objektive kryesore kur definojmė një entitet. Me një fjalë, diçka që objektivisht ka një status të caktuar juridik mund të ketë një status krejt tjetër politik. Secili popull ka një shtresë që i shkoqit dukuritë në vështrimin logjik, dmth. që fiksohet pas statusit juridik të fakteve, ndaj dhe insiston që këto fakte të hidhura të arkivohet në kujtesën kolektive si një mundësi vetëmbrojtjeje. Por kjo shtresë është e rrezikuar në luftë dhe në kohë paqeje. Në luftë rreziku është eleminimi fizik, kurse në paqe manipulimi psikologjik, dmth. politik. Në këtë mënyrë masa e një populli privohet nga një produkt i rëndësishëm për identitetin e tij.

Sipas Konventës së OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimeve dhe Gjenocidit të vitit 1948 gjatë viteve 1998-1999 krimet serbe të luftës, sipas Arsim Bajramit, e posedojnë tiparin e gjenocidit. Kjo Konventë dhe Statuti i Romës më vonë përcaktojnë 5 krietere për kualifikimin e krimeve të luftës si gjenocid. Në rastin e Kosovës, shkruan Arsim Bajrami, janë plotësuar të gjitha këto kritere. Ky kualifikim ka rëndësi të madhe edhe për publikun botëror, sepse Serbia bashkë me Rusinë dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, për fat të keq ndonjëherë edhe e proviniencës perëndimore, bën gjithçka për ta mohuar e relativizuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Për Rusinë dihet se përfaqëson një shtet që nuk e përjashton dhunën ushtarake për arritjen e qëllimeve politike. Këtë sjellje agresive të saj e shohim sot në Ukrainë. Ukrainasit janë shumë të afërt etnikisht me rusët, por nuk janë rusë, ukrainishtja nuk është dialekt i rusishtes, por gjuhë më vete. Në Moskë këtë gjë, me sa duket, nuk duan ta kuptojnë. Afërsia dhe ngjashmëria nuk mund të merren si fakte për t’ia imponuar dikujt vullnetin tënd politik. Por në Ukrainë po ndodh pikërisht kjo gjë. Dhe, siç thotë një diplomat ukrainas jo për herë të parë. Ai numron jo më pak se 60 luftëra të tjera të ngjashme në të kaluarën. Sipas mendësisë ruse sovraniteti i shteteve ende kuptohet si një madhësi e kushtëzuar nga forca si sovranitet i kufizuar à la Brezhnjev. Një komb a një vend vetë vendos për të ardhmen e tij, mendohet sot në sferën perëndimore të globit.

Projektet si „Gërshëret“, „Kafshimi i miut“, „Patkoi“ dhe „Leopardi“ tregojnë se ekzistonte një strategji e përpunuar shtetërore për eleminimin e shqiptarëve. Serbia sipas projektit „Patkoi“ synonte të dëbojë jashtë kufijve të Kosovës 1.000.000 shqiptarë, 500.000 të tjerë t’i vriste dhe 500.000 shqiptarë t’i linte branda Kosovës. Kështu, krijoheshin kushtet për një strukturë tjetër etnike të Kosovës . Bashkë me kolonistët që mendohej të silleshin pas luftës elementi etnik serb do të përbënte shumicën e popullsisë në Kosovë. Sikur të mos e kishim Marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit të 1999, gjithçka do të kishte qenë ndryshe sot. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk u parandalua në kuptimin e mungesës së krimeve masive. Madje mund të thuhet se vrasjet më të mëdha ndodhën në kohën e bombardimeve të NATO-së. Një gazetë gjermane pati shkruar se në qiell defilonte shekulli XX, kurse në tokë shpërfaqej Mesjeta me krimet e saj makabre. Asgjë nuk ndodhi papritur. Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Vojisllav Sheshel (Vojislav Šešelj) pati thënë pak ditë para intervenimit të NATO-së se serbët do të vuanin shumë nga goditjet ajërore, por shqiptarë më s’do të ketë në Kosovë. Shfarosja masive si koncept gjëllon ende në këto mendje të sëmura të politikës serbe.

Filed Under: Analiza

NJË ISHULL NË KUJTESË, DHE IKJET…KARTELA NGA REALIZMI I DËNUAR

August 30, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti

Itali. Bregu i bukur në qytetin e Napolit. Kam shëtitur andej dhe kam ndalur të shikoj ishujt e famshëm. Ischia, Capri. Procita, ku ka qenë burgu i fëmijëve dhe unë kam shkruar një poezi të trishte. Po unë kërkoja më përtej, edhe në kohë. Ja, sikur tretej midis qiellit dhe detit, vegim i zbehtë i kaltëryer, por dhe tronditës: Ventotene. Ishull që është dhe në kujtesën e shqiptarëve, madje dhe në këngë.  “Ventotene” …ku fryn shumë erë… veee-ntoo… eeee si iso… Sa shumë shqiptarë u mbyllën në atë ishull. Rastësi? Jo. Ishte thirrja. Pushtuesi fashist aty degdiste kundërshtarët më të rrezikshëm. Kamp internimesh që s’kishte nevojë për tela me gjëmba, ishte i rrethuar me ujanën. Patriotë, luftëtarë, personalitete të spikatura kanë në fatin e tyre, më saktë në fatalitetin, bashkarisht dhe këtë “ishull”, ku, si të thuash u takohen rrugët dhe bëmat prej heronjsh, përpjekjet që atdheu të mos mbetej në pushtim, por as që të kalonte në perandorinë komuniste si në një tjetër katastrofë, kur të mbaronte lufta, se ajo do të mbaronte një ditë, ndërkohë të tjerë e donin këtë kalim, e kishin ideal, duke e parë si shpëtimin. Në këtë ishull janë kryqëzuar fate, që sikur iknin me erërat, humbnin nëpër ca shkulme e vorbulla të mëdha, jo në ato të detit. Ç’ka ndodhur me të mbyllurit tanë atje, cilët ishin, nga i merrnin dhe pse e ç’bëhej më pas, kur shkuleshin prej andej? Pse sa më shumë të luftoje për idealin, për lirinë, për atdheun, aq më pak fitoje ideal, liri, atdhe, ndonjëherë dhe duke i humbur ato përgjithmonë. Madje edhe jetën.  Orakulli i erës së atij ishulli sikur bëri disa paralajmërime alarmante, që e paraprinë historinë e së ardhmes.

NJË VETËVRASJE SI PROFECI: PEDAGOGU SAFET BUTKA (1901 – 1943)

Ishte në Ventotene. …Bir i luftëtarit patriot, mitikut Sali Butka. Pasi shkollohet në Austri, do të jetë arsimtari i disa gjimnazeve të vendit, reformator në edukim, studiues në pedagogji, autor shkrimesh problemore si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perendimit” etj., dhe mbiquhet “Pestaloci i Shqipërisë”. Nismëtar në sjelljen e eshtrave në atdhe të poetit kombëtar, Naimit, u prin intelektualëve dhe studentëve në demonstratat e para kundër fashizmit dhe pushtimit më 1939. E arrestojnë dhe e burgosin në Tiranë dhe më pas internohet në ishullin Ventotene, e mbajnë për tre vjet së bashku me intelektualë të tjerë bashkatdhetarë antifashistë. Kthehet në atdhe për të vazhduar detyrën, të luftojë kundër pushtuesit. Bashkohet me Mit’hat Frashërin e nacionalistët e tjerë. Është në krye të Ballit Kombëtar. Por kur kjo luftë ndërron kah e bëhet vëllavrasëse, luftë civile, ai tronditet së tepërmi ashtu si toka nga tërmetet. Kjo çmenduri kolektive, që ia çoroditte konceptet, donte një çmenduri tjetër, të mençur, që të frenohej sa do pak, një protestë dhe apel ndërgjegjes kombëtare. Një theror. Dhe zgjodhi veten. E vret… Dhe ishte 42 vjeç, me grua dhe fëmijë. Kështu kishte bërë dhe shkrimtari Stefan Cvajg. E kishte njohur në Austri? Lufta për liri do të kthehej në fitore tjetër. Gjithsesi ajo krismë e vetmuar arme do të jehonte në kujtesën kolektive, që secili do ta ndiente brenda vetes si një akuzë mes gjëmimeve të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore.

VRASJA SI RIVALITET: EUROPIANISTI ZAI FUNDO (1899 -1944)

…e vrasin partizanët me të ardhur nga Ventotene, ku e kishin internuar fashistët si luftëtar kundër pushtimit. E morën zvarrë dhe e vunë pas një muri andej nga Kukësi. E pushkatuan dhe urdhri, siç u zbulua më pas, kishte ardhur nga lart, nga diktatori i ardhshem, Enver Hoxha. Apo më shumë nga lart, nga Beogradi a Moska. Nga Stalini drejt për së drejti…

Korçari Zai Fundo, pasi mbaron liceun francez në Selanik, studion në Paris, në Sorbonë për drejtësi dhe kthehet në atdhe të bëjë juristin. Pas vrasjes së Avni Rustemit, zgjidhet ai kryetar i Shoqërisë “Bashkimi” dhe drejton gazetën po me këtë emer. Me të rënë Qeveria e Fan Nolit në 1924 ikën në mërgim, në Itali, pastaj në Austri, në Gjermani, prapë në Francë dhe kalon në Bashkim Sovjetik. Diplomohet për filozofi në Moskë, jep leksione në Leningrad dhe anëtarësohet në Komintern. Do të jetë dhe punonjës i ambasadadës ruse në Berlin…

E braktis ideologjinë komuniste që “ia kalon dhe Satanait për nga ligësitë”, i shkruan Imzot Fan Nolit dhe del hapur kundër regjimit pervers të Stalinit (fjalët e tij) dhe Kominterni e dënon me vdekje. Kur Shqipëria pushtohet nga Italia, në 1939, kthehet në atdhe, që ta luftojë fashizmin, ndërkaq punon si mësues gjimnazi. E pushojnë nga puna dhe e internojnë si veprimtar i Ballit Kombëtar në Ventotene. Atje, krahas me bashkatdhetarët e internuar, do të bashkëpunojë me personalitetet italiane si Sandro Pertini, gazetar dhe Presidenti i ardhshëm  i Italisë apo me politikanin Altriero Spineli, federalist Europian, një nga etërit e themelimit të Bashkimit Europiani, i cili në autobiografinë e tij “Si jam përpjekur të bëhem i ditur”, do të shkruante dhe për Zai Fundon, ja disa pjesë: “…ishte autoritar… me një përvojë politike të gjatë dhe komplekse… besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja jo pak e gjuhëve, përkushtimi politik i Zai Fundos ishte përtej Shqipërisë dhe, kur Dimitrovi u arrestua pas djegies së Reichstag-ut, Fundoja ishte në Berlin si bashkëpunëtor i tij. Iku, se mos e arrestonin… dhe shkoi… në Moskë… Më vonë i shkëputi marrëdhëniet edhe me Internacionalen, teksa përndiqej prej saj…  ai, i edukuar në një atmosferë kulturore liberale… në Ventotene… shëtiste i qetë, i drejtë, i bukur me flokët bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht… …kur u lirua… kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë se kush ishte duke u thënë që po vinte të luftonte me ta, u vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzetë vjeç. Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton.” “Dua të shpresoj se përveç meje ka ndonjë shqiptar në botë që e kujton”. Të them që jam dhe unë dhe nuk jam vetëm, shpresoj? Faleminderit për këtë thirrje për kujtesë, kaq prekëse, njerëzore po aq, që vjen nga internimet e largëta bashkë me erën. Rrugës së kujtesës po eci, në kujtesën e së ardhmes. Dhe e di, përfytyrimi i një Ballkani bashkë, i një Evrope të Bashkuar, është tjetër gjë nga projektet uzurpuese të një perandorie komuniste. Një njeri që ëndërroi ashtu, duket sikur e vrasin çdo ditë…

IKJET

Teksa mbaronte Lufta e Dytë Botërore, bisha nazi-fashiste e Boshtit Gjermani, Japoni dhe Itali po sprapsej gjithnjë e më shumë duke iu afruar strofullës nga doli dhe fitorja e aleatëve, e shteteve të Europës dhe e Bashkimit Sovjetik dhe mbështeja jetike e SHBA, dukej e sigurtë. Po kështu u krijua dhe Aleanca e Madhe e Bashkimit Sovjetik, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA. Shqipëria për fat kishte marrë anën e duhur të historisë, me aleatët..Fitimtarët shqiptarë i besonin mizorisht kauzës së tyre (a mizorisë si kauzë) dhe ende pa ardhur në pushtet, kur po afronte dita e tyre, shtuan sulmet ndaj pushtuesit të huaj dhe raprezaljet ndaj vendasve, gjithçka ta mposhtnin me hekur dhe gjak që ishte kundër tyre e që mund të ishte më pas, front, parti, ide, vepra, njerëz të veçantë, grupe. Shpërthyen ikjet. Dhe do të vazhdonin. Panik dhe pasiguri për të sotmen dhe ende më shumë për të nesërmen. Po iknin patriotë, burra të shquar, mendimtarë, shkrimtarë, ikte një pjesë e tronditëse e historisë. Që të shpëtonin kokën dhe që të vazhdonin qëndresën dhe përpjekjet ndryshe, nga jashtë, në të mirë të atdheut.

PËR TA VAZHDUAR LUFTËN NGA JASHTË: MIT’HAT FRASHËRI (1880 – 1949)

Do të ikte…I biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Poetit Kombëtar Naimit dhe i ideologut të Rilindjes, Samiut. Lider dhe vetë, politikan, historian dhe shkrimtar. E urrente luftën e armatosur, donte qëndresën e mënçur. Luftëtar i pavarësisë në krah të Ismail Qemalit, ministër i punëve botore i qeverisë së parë. Gjatë Luftës së Parë Botëroe e internojnë, ikën në Zvicër,  kthehet, bashkohet me kryengritjet shqiptare, boton revista shqiptare, pikërisht kjo ishte lufta që donte. Kur Shqipëria pushtohet nga fashistët, nis veprimtarinë politike, bashkon nacionalistët, në Dekalogun e Ballit Kombëtar, kundërshtar i komunistëve, merr pjesë në Marrëveshjen e Mukjes për ta luftuar pushtuesin së bashku, ikën në Itali, kur tradhtohet çështja e po e marrnin pushtetin ata që do të vendosnin diktaturën në atdhe. Organizon shqiptarët jashtë, “Shqipëria e lirë” ishte programi i tyre, shkon në Nju Jork për këtë punë dhe vdes papritur atje. Apo e helmuan? Djajtë e kuq arrijnë ç’duan e ç’urrejnë…Fundi i rrugëtimit të Mit’hat Frashërit ishte SHBA. Si për t’u thënë shqiptarëve: shikoni këtej, larg, por ja, aleati ynë i sigurtë. Nga këtej shpëtuam pa u copëtuar…

MUSTAFA MERLIKA-KRUJA (1887 – 1958)

Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që pëveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip. Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi. Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”. 

Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.” Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi. Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…Themeltar në letrat…

ERNEST KOLIQI (1903 – 1975)

Do të ikte……mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të  shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës.  Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje. Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe. Vdes papritur në dhjetor të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale….vijon në numrin e ardhshëm.

Filed Under: LETERSI

Mikpritja shqiptare në Amerikë…

August 30, 2025 by s p

Artan Nati/

Ka një gjë që ne shqiptarët e kemi si një simbol kulturor: mikpritjen. Është flamuri ynë kombëtar i padukshëm. Në Shqipëri,apo tek shqiptarët e Amerikës dhe kudo në emigracion, kur vjen një mysafir, shtrohet tryeza sikur ka zbritur Krishti për darkë

Po ta shohësh nga larg, duket si një skenë tragjikomike ballkanike: shqiptari hap derën me gjithë zemër, shton edhe një pjatë më shumë në tavolinë, vendos mikun në krevatin më të mirë, ndërsa vetë fle në divan. Dhe pas disa muajsh, i njëjti mik fillon të ankohet që “u shfrytëzua”, se “nuk iu dha liria e duhur”, apo edhe më bukur se “nuk u trajtua siç duhej”. Pastaj fillojnë letrat, thashethemet dhe mllefi: “Unë të mbajta, ti më nënçmove”. Në fund, miqësia kthehet në dosje gjyqi moral dhe “vëllai” apo “motra” bëhen armiq të përjetshëm.

Pra, pyetja mbetet: jemi viktima të kulturës sonë të pakontrolluar të mikpritjes, apo thjesht të paaftë të ndajmë një kufi të shëndetshëm mes bujarisë dhe absurditetit?

Në fakt, mikpritja shqiptare nuk është thjesht një virtyt i ngulitur në ADN, por një mekanizëm mbijetese i kthyer në ritual shoqëror. Në thelb, është një formë inteligjente e “menaxhimit të perceptimit”: tjetri duhet të të shohë fisnik, që nesër të mos të të shohë si armik. Pra, buka, kripa dhe zemra nuk janë gjithmonë dhuratë shpirtërore, por shpesh janë investim afatshkurtër në sigurinë dhe reputacionin personal.

Psikologjia e mikpritjes funksionon si një skenë teatrore. Mysafiri është spektatori dhe ne jemi aktorët që luajmë rolin e bujarit të përjetshëm. Nën sipërfaqe, mekanizmat mbrojtës të egos punojnë pa pushim: ne tregojmë dashuri që të mos tregojmë frikë, ofrojmë bollëk që të mos ekspozojmë mungesën, dhe buzëqeshim për të fshehur tensionin e brendshem. Ne ushqejmë të huajin jo vetëm për të treguar shpirtmadhësinë tonë, por për të siguruar dëshminë e tij nesër, që të thotë se ne jemi të mirë, të drejtë dhe të besës. Sepse, në fund të fundit, mikpritja jonë është edhe mburojë, edhe pasqyrë. Mikpritja jonë nuk është thjesht flamuri i fisnikërisë kombëtare, por edhe banderola e paranojës kolektive. Në fund, nuk e dimë kurrë nëse kemi ushqyer mysafirin apo narcizmin tonë kombëtar. Por një gjë është e sigurt: kur buxheti mbaron ditën e parë, ne ndjehemi më të lehtësuar, sepse kemi provuar se, edhe pse të varfër, nuk jemi “të vegjël”. Dhe ky është një luks që ne shqiptarët nuk e lëmë kurrë pa paguar, qoftë edhe me kartë krediti.

 Një shoqëri e ndërtuar mbi gjakmarrjen dhe mbi krenarinë nuk mund të lejonte që mikpritja të ishte thjesht një akt i natyrshëm i dashurisë. Ajo ishte kontratë e pashkruar: “Unë të ushqej sot, që nesër të mos më vrasësh.” Dhe kështu, psikologjikisht, mikpritja u kthye në ankth kolektiv. 

Historikisht, mikpritja jonë është prodhim i një Ballkani që për shekuj ishte më shumë zonë tranziti karvanesh, ushtarësh e sunduesish sesa një shtëpi e qetë. Prandaj, “mikpritja” ishte edhe strategji sigurie: më mirë t’i japësh bukë armikut sesa t’i japësh shpatën. Mysafiri trajtohej si “Zoti në derë”, sepse nesër mund të vinte me ushtri ose me daulle. Ky refleks historik na la me një aftësi të çuditshme: të hapim derën me madhështi, por të mos dimë ta mbyllim pa konflikt.

Shekuj osmanë, pushtime nga perandori e ushtri të huaja, na mësuan të dukemi bujarë në hyrje, edhe kur në të vërtetë shtërngojmë rripin çdo ditë.

Në jetën e sotme, ky ankth mbijeton, veçse me forma më të buta, por më groteske: shqiptari që pret mysafirët në Amerikë, i çon nëpër restorante, i strehon në shtëpi, i jep krevatin më të mirë – derisa, pas një jave, fillon ta shohë mikun si faturë të pafundme të dritave e ujit. Nga “hajde se ke derën hapur”, kalojmë në “po kur ikën, se edhe unë dua të jetoj?”.

Thuhet se mikpritja është virtyti ynë më i madh. Por në realitet, mikpritja shqiptare është si ato kostumet popullore që i veshim për ditë feste: e bukur për t’u parë, por e parehatshme për ta mbajtur gjatë. Ne e kemi ngritur këtë ritual në një altar të shenjtë kombëtar, një kombinim i Kanunit me Instagram-in, ku buka, kafeja dhe dollia kthehen në simbole të pavdekshme të “shpirtit tonë të bardhë”.

Kush është më e rëndësishme për miqtë tanë që zbresin nga avionët e Rinasit e përplasen me realitetin e Amerikës? A është ajo mikpritja e parë, bujaria teatrale me tavolinë plot, përqafime e shëtitje në “mall” që mbaron me faturë të kripur e shpesh me tragjedi të vogla familjare? Apo ndoshta është më e shëndetshme të shoqërojmë bukën e kripën me një porcion të bollshëm të së vërtetës: “Mik i dashur, këtu nuk është si në lagjen tonë. Një javë je i mirëpritur, një muaj me zor, por më pas Amerika të thërret: merr një qira, një punë dhe organizo jetën tënde.”

Ironia është se ne, shqiptarët, e kemi kthyer mikpritjen në sport kombëtar dhe e masim veten me sa gjatë mund të mbajmë dikë në shtëpi pa plasur nervat. Por në Amerikë, mikpritja pa kufi kthehet në versionin modern të një tragjedie greke: fillon me “O sa mirë që erdhe” dhe mbaron me “O Zot, kur do ikë?”. Në mes, kemi përplasjen mes fasadës së bujarisë absolute dhe realitetit të faturave, punës së dyfishtë dhe privatësisë së shenjtë amerikane.

Prandaj pyetja nuk është thjesht: kush është më e rëndësishme? Sepse mikpritja pa kufi është një flluskë që plas shpejt. Ndërsa një marrëdhënie e vërtetë, e sinqertë dhe me kufi të qartë, është ajo që mbijeton, edhe në Amerikë, edhe në Shqipëri. Se ndryshe, rrezik përfundon jo vetëm miqësia, por edhe gjumi i qetë i të zotit të shtëpisë.

Pra, si ta kthejmë këtë mekanizëm mbijetese në virtyt të vërtetë? Ndoshta duke e ulur shenjtërimin e mikpritjes nga altar në tokë. Duke kuptuar se mikpritja nuk është maratonë bukësh, rakish dhe shtrati për të gjithë emigrantët e botës, por një marrëdhënie që kërkon ekuilibër. Miku është i dashur, por edhe miku duhet të dijë të largohet me kohë.

Sepse, në fund të fundit, mikpritja e vërtetë nuk është kur i japim dikujt çfarë kemi, por kur e trajtojmë siç duhet pa pasur nevojë për teatër, për flamuj e për dolli të pafund. Nëse e kuptojmë këtë, atëherë mikpritja jonë mund të kalojë nga një dramë folklorike në një virtyt modern. Deri atëherë, shtëpia jonë do të mbetet gjithmonë “e mikut”, por vetëm deri në momentin kur nervat tona thonë: mbylle derën.

Filed Under: Komunitet

Imazhi i gruas në narrativën filatelike kosovare

August 30, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Filatelia nuk është vetëm mbledhje pullash, por një formë e dokumentimit kulturor, historik dhe shoqëror. Përmes emisioneve të saj postare, Posta e Kosovës ka pasqyruar ngjarje, personalitete dhe dukuri që formësojnë identitetin kombëtar. Një nga temat më domethënëse që paraqitet në mënyrë të vazhdueshme është imazhi i gruas si figurë historike, si simbol kulture, si aktore sociale, por edhe si subjekt i vlerave të përbashkëta njerëzore. Lehtësisht vërehet se, që nga emetimi i parë më 15 mars 2000 me temën “Paqja”, filatelia kosovare ka njohur një zhvillim të qëndrueshëm si në përmbajtje ashtu edhe në mesazh. Është në vitin 2004 kur, për herë të parë, tematika që përfshin gruan bëhet pjesë e pullave postare. Ky përfaqësim realizohet në forma të ndryshme, nga kostumet tradicionale e deri te figurat historike dhe ikonat e sportit, artit dhe kulturës bashkëkohore. Studimi i pullave të Kosovës në këtë tematikë na paraqet figurën e gruas në disa këndvështrime. Në mënyrë të përgjithshme, tematika trajtohet përmes paraqitjes së imazhit femëror të gruas së Kosovës si simbol kulturor, social dhe identitar i kombit shqiptar. Në këtë kuadër, mund të përmendim emetime filatelike te orientuara si ne rastet me poshte:                                         

1. Gruaja si bartëse e traditës dhe identitetit etnografik:

Rituali i nusërisë (2012). Një pasqyrë e trashëgimisë etnografike që përfshin rolin e gruas në ceremonitë tradicionale shqiptare.

Xhubleta (2022), Veshje tradicionale që identifikohet me gratë e trevave veriore, pjesë e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO.

Artizanatet, punimet në vegë, veshjet popullore (2004–2017), Gruaja paraqitet si mjeshtre e artit popullor dhe ruajtëse e identitetit kombëtar.                            

2. Gruaja si zë shoqëror dhe simbol i drejtësisë sociale:

Stop dhunës ndaj grave (2010, 2024). Pullat që ngritin zërin kundër dhunës në baza gjinore dhe promovojnë një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

Mbështesim gjidhënien (2017). Pulla që promovon kujdesin për fëmijën dhe fuqizimin e nënës, me vlera shëndetësore dhe sociale. 

 3. Gruaja si ikonë kulturore, muzikore,sportive dhe shkencore bashkëkohore:

Violeta Rexhepagiq (2023). Këngëtare dhe gazetare avangarde e viteve ’80, pjesëmarrëse në Eurovizion.

Leze Qena (2021). Aktore e njohur e skenës dhe ekranit, e nderuar për kontributin e saj në artin dramatik.

Nexhmije Pagarusha (2019). “Bilbili i Kosovës”, me një karrierë që i dha identitet muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Rita Ora & Dua Lipa (2022). Artiste me origjinë kosovare, që kanë arritur famë globale dhe janë bërë ambasadore të kulturës shqiptare në botë.

Edi Shukriu (2023). Arkeologe dhe akademike, e njohur për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe figurës së gruas në shkencë.

 Distria Krasniqi(2025). Kampione e botës dhe njëherësh olimpiken në xhudo, e vlerësuar si më e mira në botë për vitin 2025.      

 4. Gruaja si figurë historike dhe frymëzuese kombëtare:

Shote Galica (2010). Heroina e luftës për çlirim kombëtar, e lindur më 1895 në Drenicë, e cila luftoi krah Azem Galicës kundër pushtuesve serbë.

Nënë Tereza (2010, 2016). Humanistja shqiptare me famë botërore, e nderuar disa herë në pullat e Kosovës, përfshirë rastin e shenjtërimit më 2016.

Elena Gjika – Dora d’Istria (2011). Publiciste dhe shkrimtare e shek. XIX, një nga figurat e para feministe me ndikim europian.

Tringë Smajli (2014). Heroina e Hotit, simbol i rezistencës së grave shqiptare kundër pushtimit osman.

Xheve Lladrovci (2014). Luftëtare e UÇK-së, që përfaqëson kontributin e grave në luftën për liri në fund të shekullit XX.

Nekibe Kelmendi (2025). Juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, që mishëron drejtësinë dhe përkushtimin institucional në periudhën pas luftës.

Filatelia kosovare, përmes pullës postare, ka krijuar një arkiv simbolik të gruas shqiptare, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes kulturore, historike dhe sociale. Ky pasqyrim jo vetëm që nderon figurën e gruas, por i jep asaj një dimension të qëndrueshëm në kujtesën kombëtare, një kujtesë që udhëton përmes pullës. Ne pullen postare ka pasur një qasje të ndërgjegjshme ndaj përfaqësimit të gruas, duke i dhënë vend të rëndësishëm në shumë prej emisioneve të saj. Nga heroinat e historisë, tek yjet e muzikës dhe shkencës, deri te roli tradicional apo social i gruas, çdo pullë është një dëshmi e një kontributi të pazëvendësueshëm. Ky pasqyrim është një reflektim i përpjekjeve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku figura e gruas zë vendin që i takon në histori, kulturë dhe të ardhme.

Filed Under: Kronike

Ribotohet vepra studimore e intelektualëve të Malësisë së Gjakovës, Dodë Progni dhe Zef Doda, “Nikaj-Mërturi, Vështrim Historik (Ribotim), Geer 2024

August 30, 2025 by s p

Ky libër prej kohësh e kishte mbaruar tirazhin, për shkak të rëndësisë që prezanton, ai u ribotua nga pasardhësit e autorëve, z. Adrian Progni dhe Av. Sokol Dedndreaj .

Më poshtë një pjesë e shkëputur nga libri me autor :

Zef Dodë Dedndreaj

VITET E REGJIMIT KOMUNIST

Gjendja e rëndë ekonomike e krahinës

​Çlirimi i Shqipërisë e gjeti Nikaj-Mërturin në gjendje të vajtueshme ekonomike. Tmerret e luftës ishin ndjerë deri këtu. Gjithë djemtë e rinj qenë përfshirë në milici e ushtri. Të tjerët pas partive politike e angarish. Gjithë ato toka mbetën djerrë e tufat e bagëtive u shitën për bukën e gojës. Gjithë ato vite qenë ngjarje rrënqethëse që rëndonin mbi popullin e munduar. Vetëm gratë mbollën e korrën pa meshkuj. Lufta ishte vërtetë mjerim dhe shkatërrim për të gjithë. Kështu, siç qe kjo krahinë e izoluar, s’arrinte asnjëherë të qartësohej për ato që ndodhnin rreth e rrotull. Këtë zonë, çlirimi e gjeti të këputur, me strese pa gjë brenda. Fillimi i atij dimri 1944-1945 po vinte vërtet i trishtuar. Askush nuk kishte ta ndihmonte shokun, andaj kur janë keq të gjithë, eshtë mjerimi i vërtetë.

​Në ditët e para të dhjetorit 1945, një grupim i përbërë nga rreth 2000 forca nacionaliste, nga Mirdita, Dibra e Shkodra të udhëhequra nga Mark Gjon Markaj, Alush Leshanaku, Hasan Isufi, Halil Alia, etj., kaluan Dukagjinin dhe erdhën në Nikaj-Mertur. Në këto malësi të veriut, ata mendonin se mund te organizonin ndonjë qëndresë disa ditore, për t’u dhënë shkak anglo-amerikanëve të zbrisnin në vendin tonë dhe të evitonin vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri. Pasi qëndruan dy ditë në krahinë, ata iu drejtuan vaut të Fierzës për të kaluar në Iballe. Kolona e gjatë e këtyre forcave nuk arriti të kalojë Drinin dhe u drejtuan nëpër Geghysen, Gri, Lumi i Valbonës, Arvej. Në zonën e Krasniqes, këto forca hasën në rezistencë të armatosur prej popullit të kësaj krahine, të organizuar nga komandat e vendit dhe këshillat nacional-çlirimtare që ishin në atë kohë. Pas luftimeve që u zhvilluan, nga shkëmbi i Rajës deri në T’pla, shumica e këtyre forcave ishin shpartalluar. Halil Alia u vra, ndërsa pjesa që mbeti me Mark Gjon Markaj, A. Leshanakun dhe H. Isufin u drejtuan për në krahinën e Kukësit.

Masat represive dhe emigrimi politik

​Siç vërtetoi koha dhe ngjarjet e zhvilluara, Nikaj-Mërturi me Dukagjinin u gjenden në shënjestër të hakmarrjes politike të diktaturës që po nxirrte krye.

​Kjo zonë vërtetë nuk u afrua asnjëherë shpirtërisht me idealet e komunizmit për arsyet që dihen e që janë thënë. Kjo nuk do të thotë që ishin tradhtarë të kombit. Komunizmi i trembte, me ato që kishin mësuar prej vitesh. Ata nuk mund të pranonin të zhvisheshin nga idealet e tyre të traditës së besimit, të familjes, për të marrë një emër të pa fisëm, që njeh vetëm gjuhën e kërbaçit e të përuljes së dinjitetit njerëzor. Vetëm për këto arsye u ngritën në prag të çlirimit të parët në Shqipëri me armë në dorë (17-25 nëntor) kundër komunizmit. Pra, në një mënyrë gjithë këta malësorë qenë kundërshtarë politikë dhe për këtë mbahej mëria për t’i ndëshkuar në masë. Ishte një mëri e gjatë që ruhej brenda urrejtjes politike që nga koha e luftës, kur në këtë trevë nuk arriti asnjëherë Partia Komuniste të gjente atë mbështetje që i duhej. Në gjithë Dukagjinin vetëm një celulë partie, në Pepsumaj të Shoshit pat krijuar bërthamën politike, por që për tre vjet mbeti e izoluar, pa mbështetje të popullit. Këto ishin shkaqet e njohura që kjo zonë kishte filluar të ndjente hakmarrjen komuniste.

​Shumë malësorë, qysh ditën e parë morën arratinë nëpër male. U bënë banorë të shpellave. Ishte gjë e trishtë, por edhe e turpshme ta festoje fitoren e çlirimit si kaçak shpellash në borë e cikmë. Partia me atë shpirt jotolerant, kur duhej t’i falte kundërshtarët politikë i kërcënonte me hakmarrje, burgje, tortura, persekutime dhe format më të rënda të luftës klasore mbi gjithë familjen e farefisin, deri në pesë breza. Kështu qe filluar hakmarrja e egër. Ishte ajo psikozë tiranësh që edhe ata nga më të egrit i janë trembur përherë popullit, i cili nuk vdes kurrë në tokën që i ka dhënë gji si foshnjë.

​Pas thirrjes për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, mbetën me dhjetëra kaçakë ta shtynin dimrin e egër nëpër male. Këta ishin nacionalistët antikomunistë, me bajraktare e pari që kishin rrokur armët që në luftën e Qafë Kolçit. Nuk kishte tmerr më të madh se sa të jetosh gjallë gjithë një dimër shpellave, duke pritur gjithë ato rrethime vandale, duke iu rezistuar gjithë atyre përpjekjeve që përfundonin me gjak mbi ata të ndëshkuar që po vdisnin edhe nga uria. Gjithë këto masakra makabre u bënë legjendë për një popull malësor që po vuante hakmarrjen e çmendur, me mizori që ushtrohej me kryeneçësi nga qeveria e komunistëve.

​Dukagjini me fillimin e pranverës qe mbushur me forca të tjera terrorizuese dhe me disa brigada komplete që lanë zë të kobshëm. Me shpejtësi të rrufeshme qenë ngritur gjithë ato komanda me partizanë vendas me reparte shëtitëse, si dhe një forcë tjetër vullnetare që komandohej nga qendra e rrethit Kodër Shëngjergj. Por tani kishin filluar të vinin edhe forca të divizionit të Mbrojtjes së Popullit e aktivistë të sigurimit të shtetit. Gjithë këto forca për të gjunjëzuar një popull të varfër, por patriot, vuante nga uria e nga hallet që e kishin mbuluar kryekëput.  Këtu do të vinin edhe ata që bënin politikën, flisnin si engjej, premtonin parajsën që do të vinte jo nga zoti, por nga komunizmi.

​Për qeverisjen e krahinës, në krye të këshillave nacionalçlirimtare dolën ata që nuk kishin jetuar kurrë si njerëz, ata që s’kishin mbathur kurrë një palë opinga. Si rrjedhojë, ashtu siç erdhën në krye të masave, ashtu do të vinin edhe “sukseset e një përparimi” fatal. Kryetarë të tillë këshillash i jepnin shtetasit më shumë se çfarë kërkonin, angari, ushtarë, detyrime, ndërsa hallet zgjidheshin me gram.

​Edhe ashtu siç qe katandisur, ky popull o tregua heroik. Ai ndihmoi kaçakët e malit për ta kaluar dimrin e mundimeve, duke pasur kokën në torbë e kërbaçin te koka. Ai do të fshihte me kujdes edhe shumë partizanë, të dezertuar nga repartet e ndryshme të vendit. Ai do të ndihmonte gjithe ato familje që kalonin fatkeqësi apo që kishin mbetur pa meshkuj e krahë pune brenda.

​Kur shpresohej se ishin larë hesapet dhe pritej t’i viheshin punës, po qe se donin të rronin, papritur natën e 5 marsit 1945, erdhi brigada e XI-të Sulmuese prej 4 batalionesh, që vinte me urdhër special nga Divizioni II i Shkodrës, për një operacion ndëshkimor në disa zona të Shqipërisë Veri-lindore. Pasi kishin përshkuar zonën e Shllakut, Dushmanit e Toplanës, u derdhën nëpër Nikaj-Mertur si llavë. Populli u zu ngushtë si mos më keq. Të dalë nga dimri i rëndë u duhej të ushqenin 4 batalione për 15 ditë me radhë, të ngriheshin e të shkriheshin orë e çast nga raprezaljet që s’dinin sa kohë do të zgjasnin, sa herë do të prisnin nëpër shtëpitë e tyre kontrolle për armë të fshehura apo sa herë do të thirreshin për t’u pyetur për gjëra të rrezikshme, duke i kërcënuar e torturuar me kërbaç, vezë të ziera në sqetull e këmbë të rrahura me rrip pushke.

​Kjo qe situata në Nikaj-Mertur për 15 ditët e marsit. Me Brigadën kishte ardhur vetë komandanti i Divizionit Ndreko Risi i cili e vuri selinë e tij në shtëpinë e Mark Nikut në Lekbibaj.

​Falenderim e respekt për këtë burrë fisi që ndërhyri aq herë me guxim të shpëtonte me shpirt viktimat. Shtabi i brigadës XI-të Sulmuese qe vendosur në Shëngjergj në Shtëpinë e Ndue Sokol Zenelit. Kohë me aq telashe, vështirë se mund të gjeje. Që të nesërmen e ardhjes së Batalionit të 1, në fshatin Salcë do t’i dilte flaka shtëpisë së kryetarit të Ballit Gjelosh Nosh Progni, i cili po atë mbrëmje, u arrestua, u dërgua për pushkatim por, arriti t’u ikte nga duart.

​Në pak ditë u grumbulluan me dhjetëra armë të nxjerra “me hu” dhe u dërguan në depon e Kodër Shëngjergjit. Në Nikaj-Mertur gjatë kësaj kohe, vepronin disa çeta nacionaliste antikomuniste. Ndër këto, më e njohura ishte çeta e Nik Sokolit e cila ndiqej nga forcat e ndjekjes dhe që ra disa herë në përpjekje me to. Kjo në vitin 1946 përbëhej nga 18 vetë, midis të cilëve ishin, Mark Tunxhi, Gjelosh Noshi, Pjetër Mehmeti, Shpend Sadiku, Fran Ukshini, Mark Sadiku, Zef Binaku, etj. Për hakmarrje politike u pushkatuan që ditën e dytë të ardhjes së operacionit, Smal Qerimi i Kapitit, në oborr të shtëpisë së vet kur doli t’i priste si miq. Po atë natë do të merrej në shtëpinë e vet Halil Çuni i Lekbibajve dhe do të pushkatohej në përrua të Ndërzhushit. Tre ditë më vonë, pas torturash satanike do të pushkatohej pasi të binte në gropë Isuf Sejdia i Shëngjergjit. Po sa të tjerë mbetën të gjymtuar e të lënduar nëpër dy qendrat e hetuesisë së Brigadës së operacionit, ku pati edhe gra të rrahura e të shkulura flokësh. Ky qe fati i asaj zone gjatë operacionit në shtetrrethim. Kjo qe trauma më e madhe e deri atëhershme. Dukej se për ta ende s’kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. E megjithatë, ajo zonë atyre ditëve do të dëgjonte gjithë ato konferenca politike ku flitej me afsh edukues para këtyre të martirizuarve. Po ky operacion do t’i jepte fshesën gjithë zonës, në ditën e fundit të tij duke mbledhur popullin për çdo fshat dhe duke nxjerrë me gisht gjithë djemtë që kishin mbetur në shtëpitë e tyre për t’i përfshirë ushtarë të detyruar. Kjo qe përshëndeja e fundit me atë popull fatkeq që mbeti thuajse vetëm me gra.

​Edhe pas operacionit ndëshkimor to Brigadës XI-të Sulmuese, masat respresive nuk do të pushonin. Në pranverë të vitit 1946, qe dukur se ngritja e komisionit të pajtimit te gjaqeve, me burrat e vendit, sipas traditës, do të ishte një kthesë që ndillte paqe e mirëkuptim. U pajtuan gjithë ato gjaqe që në mbarë Dukagjinin dhe Nikaj-Mërturin. Në votimet e 2 dhjetorit 1945, për deputetët e parë të Asamblesë Kushtetuese, qe shpallë rezultati 100%, në një kohë kur kishte shumë kundërshtarë politik brenda popullit votues. Edhe zona e Nikaj-Mërturi votoi profesor Kolë Prelën, një intelektual nga Dukagjini, me reputacion e kulturë, i vetmi që ngriti celulën e Partisë në Pepsumaj të Shoshit. Qënia e këtij përfaqësues i popullit ishte nje avantazh për zonën e për gjithë Dukagjinin. Ai mund të bënte shumë punë për ta ndihmuar, pasi nuk i mungonte vullneti dhe dashuria për këto male, Për Kolë Prelën, filluan të dyshonin si nacionalist dhe nuk qenë matur shumë t’i hiqnin mandatin, ta burgosnin dhe ta pushkatonin me grupin e deputetëve. Dukagjini mori një plagë të rëndë, por nuk guxoi të shprehte as indinjatën më të vogël për birin e vet. Partia kishte qëlluar në shenjë në dëm të nacionalistëve. Dukagjini përsëri mbetej i padëshirueshëm për Partinë. Lufta do të vazhdonte për sa kohë që nuk do të gjunjëzoheshin. Në vitin 1946, në rrugë djallëzore, Partia kishte përgatitur listat e zeza për arrestimet urgjente të nacionalistëve.

Së pari, u arrestua kreu i organizatës së frontit për rrethin e Dukagjinit, ish-strehuesi i celulës së Partisë gjatë luftës dhe gjak (fis) i Kolë Prelës, Gjelosh Lushi, i cili, i akuzuar për tradhëti, pa asnjë bazë u pushkatua pas një gjyqi të shkurtër me dyer të mbyllura. Fill pas kësaj do të arrestohej kapiten Gjon Vata nga Breg Lumi i Shalës, duke pësuar të njëjtin fat, vdekjen pas torturash mizore. Tani radha ruhej për dy bajraktarët e Shalës e Shoshit, Kolë Ndou me gjithë nip, e Lulash Gjeloshi, djali i të cilit qe pushkatuar dy muaj më parë me grupin e fretërve në Shkodër.

​Atë ditë pranvere patrullat e shërbimit rendën me vrap që në mëngjes të arrestonin gjithë grupin brenda një ore të caktuar: Kolë Ndoun, Prelë Markun, Zef Nikën, Lulash Gjeloshin, Lek Vojvodën e Gjon Sokolin e Salcës. Arrestimet nuk patën sukses. Prel Marku, nipi i bajraktarit, ish-anëtari i Gjykatës së Rrethit, u shpëtoi duke u arratisur midis breshërisë së plumbave. Bajraktari i Shoshit u arratis rrugës në pyll të Shoshit, pasi nipi i tij, Bek Delia, vrau tre partizanët e patrullës. Lek Vojvoda, ish-oficer me akademi u arratis edhe ky në pyll të Shoshit duke i ikur nga duart nën/shefit të sigurimit Xhemal Selimi. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në gjithë Shqipërinë. Në Dukagjin nuk ndihej e sigurt Partia. Tani gjashtë burra të tjerë të bajraktarit të Shoshit, të dalë në mal duke lënë pas gratë e fëmijët dhe shtëpinë e djegur kishin vendosur të bënin rezistencë deri në vdekje.

​`Të arrestuarit e tjerë, pas torturash, u dënuan shpejt e shpejt: Kol Ndou me burgim të përjetshëm, Zef Nika me pushkatim, por përsëri burgu i Kodër Shëngjergjit priste kurbanë të rinj. Atje do të torturoheshin për vdekje Sokol Pali i Rajës dhe Zog Mala i Mollës së Shoshit. Të dy vdiqën brenda qelisë dhe të dy i hodhën në përroin e kishës, ku pas ca kohe i kishte nxjerrë stuhia nga rëra që i kishte mbuluar. Në atë burg do të shkonte edhe Sylë Martini i Markajve të Mërturit, një nacionalist e derë patriotësh, që u torturua si Krishti e vdiq para turmës së popullit të Dukagjinit nga plumbat e xhelatit Xhemal Selimi. Këto represione të tmerrshme çuan në rritjen e numrit të të arratisurve politikë nacionalistë dhe grupimeve që luftonin dhëmb për dhëmb me komunistët. Këto masa ekstreme çuan në prishje të qetësisë publike dhe rënie ekonomike, e cila u izolua me kufizime të kohës në punë, ku secili detyrohej të kthehej me orar në shtëpi. Ishte kohë kur secili përballej me halle, me dhimbje, me strese. Ushtarakë të të gjithë armëve do të takoje në rrugë, në mal, pas derës së shtëpisë duke përgjuar. Çdo krismë pushke alarmonte gjithë popullin që detyrohej të rendte në ndihmë të forcave të ndjekjes.

​Kështu ndodhi në Curraj Epërm, në vitin 1947, kur çeta e Nik Sokolit qe strehuar në mes të fshatit në një stan dushku. Spiunët kishin informuar. Kur arritën forcat e ndjekjes pas tri orë rrugë, e gjetën stanin në rrethim nga pushkatarë civilë. Lufta nisi ndaj të errur dhe çeta nuk dorëzohej. Forcat e ndjekjes i vunë zjarrin çatisë, kasollja mori flakë dhe çeta u detyrua të dilte nën rrebeshin e plumbave. Në oborr mbeti i vrarë Pjetër Mehmeti.

​Pjetër Mehmeti, i biri i Mehmet Shpendit të Shalës, ashtu si paraardhësit e tij, ishte burrë trim, atdhetar i flakët dhe besnik i idealeve të nacionalizmit shqiptar. Në Nikaj-Mërtur, ku punonte si tregtar, kishte shumë miq e shokë, burra të njohur të kësaj krahine si: Mark Tunxhi, Gjelosh N. Progni, Mark Shytani, Shpend Sadik Bushati, etj.

​Në vitin 1942, bëhet anëtar i Partisë “Balli Kombëtar” dhe që nga ajo kohë, sekretar i kësaj Partie për Nikaj-Mërturin. Punoi me të gjitha forcat për propagandimin e programit (dekalogut) të Ballit dhe për shtimin e radhëve të Partisë me elementë nacionalistë. Ishte njëri nga organizatorët dhe luftëtarët më të dalluar të qëndresës antikomuniste të Nikaj-Mërturit, në nëntor 1944. Si antikomunist i vendosur që ishte, u bë njëri nga kundërshtarët më të rreptë të regjimit komunist që u vendos në Shqipëri. Për të mos rënë në duart e komunistëve, në vitin 1944 doli malit dhe në vitin 1946, me 18 antikomunistët më të njohur të krahinës, formuan çetën antikomuniste të komanduar nga Nik Sokoli. Gjatë gjithë 18 muajve, që qëndroi në çetë, ra disa herë në përpjekje me forcat komuniste të ndjekjes. Në përpjekjen e Qafës së Kolçit, shtator 1946, me guximin e trimërinë që e karakterizonte, u turr drejt kundërshtarëve me bomba në duar, çau rrethimin prej 200-300 forcash komuniste, duke shpëtuar çetën nga asgjësimi. Ai kishte dhënë besën e burrave se “i gjallë nuk do të binte në duart e komunistëve”. Dhe këtë besë e mbajti.

​Në vitin 1947, çeta e tradhëtuar nga të pabesët, u gjend e rrethuar në Curraj të Epërm. Në përpjekje për të dalë nga rrethimi, mori disa plumba në gjoks. Në çastin e vdekjes, gjeti forca për t’i thënë mitralierit dhe shokut të tij të çetës, Mark Sadiku: “ Merri dokumentat që kam në xhep! Ec përpara! Dhe mos e ndal mitralozin se unë po vdes pa ra në dorë të komunistëve.”

​Gjatë gjithë vitit 1946, zona e Nikaj-Mërturit mbeti në shtetrrethim. Askush nuk mund të largohej nga fshati i tij pa lejen e këshillit popullor. Askush nuk guxonte të lëvizte natën pa pishë, as të ujiste arën e bukës, as të kërkonte bagëtinë e humbur, as për halle të tjera. Jeta qe paralizuar si në kohë lufte. Vetëm forcat e ndjekjes mund të lëviznin ngado e kurdo. Gjithë ditën flinin malit dhe gjithë natën ruanin pritave. Propaganda qesharake, se sakrifikonin kështu për të ruajtur qetësinë e popullit, ishte vetëm një bllof. Nuk i thuhet babait se ta vramë djalin që të kesh siguri jete. Absurditet i neveritshëm. Nuk i thuhet popullit se i qëruam klerikët për t’u shpëtuar nga Zoti. Katër kisha meshe kishte Nikaj-Mërturi me katër fretër, nga të cilët dy u pushkatuan dhe dy u dënuan me nga 20 vjet burg. Askush nuk guxoi të festonte një natë feste shenjtori. Përgjimtarët e natës ta çonin rrezikun në shtëpi. Ishte koha e larjes se hesapeve. Po me cilin laheshin këto hesape? Me atë ajkë të kombit, që me djersë dhe sakrifica të mëdha, mësuan e studiuan nëpër universitetet e Europës, për t’u kthyer një ditë në Atdhe, t’i jepnin vendit kulturë e përparim. Jo pa qëllim qenë ngritur në poste drejtuese analfabetët, jo pa qëllim i qe dhënë komanda klasës punëtore të mbyste inteligjencën, ta fundoste në llucë gjer në gju, kurse ata gajaseshin së talluri me ta. Nga depot i morën armët dhe i fshehën tinës pas altarit të shenjtë, pastaj shkuan e i gjetën vetë ku i kishin vënë. Për këtë “faj”, 6 fretër të pafajshëm do të burgoseshin dhe do të diskreditoheshin institucionet fetare. Me këtë rrugë mashtruese shkuan edhe shumë të tjerë që u pushkatuan pas pretendimit se nuk i dorëzuan armët. Procesi i armëve mbeti procesi më i gjatë e më i ndërlikuar. Ajo plagë nuk diti të mbyllet kurrë. Në kujtimet e hidhura do të mbetej operacioni masiv i Dukagjinit dhe i Nikaj- Mërturit në fund të vitit 1946.

Me 18 shtator të vitit 1946 komunistët mblodhën gjithë burrat e krahinës së Nikaj-Merturtit, te Kodra e Bek Selimit, në Lekbibaj. Të rrethuar me forca të shumta ushtarake, që mbanin në duar pushkë, automatikë dhe mitraloza, mbi burrat u bë një presion psikologjik i rëndë. Kishin apo nuk kishin armë, atyre u kërkohej dorëzimi i tyre. Në këtë tubim, në mënyrë çnjerëzore u soll Majori Musa Daci dhe xhelati Xhemal Selimi. Ata morën disa nga malësorët dhe i pushkatuan. Fetë Sadik Gjolin nga Palçi dhe Uke Çunin nga Tetajt i pushkatuan përpara syve të gjithë pjesëmarrësve. Disa të tjerë i dërguan prapa një kodre dhe pasi i terrorizuan me breshëri automatiku, i dërguan në burg. Fetë Sadiku dhe Mark Çuni ranë si trimat përpara burrave të Nikaj-Mërturit, që u ziente gjaku i urrejtjes kundër komunizmit. Kështu e njohu Nikaj-Mërturi komunizmin. Ato ngjarje makabre mbetën përgjithmonë në kujtesën e popullit të Nikaj-Mërturit.

​Ngjarjet politike të vitit 1948, ndërprerja e marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, pati pasoja edhe në Nikaj-Mërtur. Nga njëra anë u rrit presioni mbi popullsinë, shumë fshatarë u akuzuan, u përndoqën dhe u burgosën për lidhje me kaçakët dhe, nga ana tjetër, u krijuan shanset që çetat antikomuniste, të cilat qëndronin maleve, të kalonin kufirin për t’u strehuar në Jugosllavi. Megjithëse propaganda komuniste kërcënonte se, shkelja e kufirit do të quhej tradhti kundër atdheut, arratisjet filluan kudo. Në Nikaj- Mërtur, të parët që u arratisën përtej kufirit ishin çetat nacionaliste të Nik Sokolit dhe Mark Tunxhit, të cilat kishin qëndruar në mal që nga viti 1946. Më pas numri i të arratisurve do të rritej nga viti në vit. Gjatë viteve 1949-1960 u arratisën një numër i madh malësorësh të pakënaqur nga regjimi. Midis tyre ishin: Gjon Balë Progni, Marash Tush Progni, Bub Matosh Dedndreaj, Pal Cekë Dedndreaj, Mirash Ukë Dedndreaj, Zef Deli Lekndreaj, Ndue Noshi, nga Salca; Zef Binak Geci dhe Zojë Geci nga Palçi; Zef Sadria, Zef Kadria, Ndue Qerimi, Kadri Ceca, Pjetër Zmali, nga Gjonpepaj; Nik Sokoli, Zef Zogu, Ramë Sokoli, Dike Bnakja, Gjelosh Nika, nga Bëtosha; Mark Tunxhi, Dedë Qerimi, nga Shëngjergji; Kolë Ademi, Ndue Ademi, Mark Ademi, Zojë Ademja, Mark Çuni, Gjelosh Çuni, Prelë Ademi, Ndue Adem Geci, nga Curraj Epërm, Gjelosh Çuni, Mirash Ndou, nga Tetaj: Mark Alia, Shpend Sadiku, Nike Delia, nga Lekbibaj: Marash Kola, nga Poraj: Pashk Ademi, Pjetër Kukaj, File Zmalja, nga Raja.

​Kundër familjeve të të arratisurve, u morën masa të ashpra dhe represive, sekuestrimi i pasurisë dhe internimet e të gjitha familjeve të të arratisurve, pa kursyer as nënat me fëmijët e vegjël e deri tek plaka, Sut Makja e Salcës, që kur e nisën për rrugë kishte mbushur plot 80 vjet. Në këtë vazhdë internimesh do të përfshihej edhe bajraktari i Mërturit, Tunxh Miftari, në moshën 85 vjeçare, i cili qe dërguar në Tepelenë bashkë me gruan e djalit të arratisur dhe dy nipat e vegjël.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 355
  • 356
  • 357
  • 358
  • 359
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT