• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GAZETA “SHKUPI”, ZËDHËNËSE E NJË KOMBI QË ENDE NUK KISHTE SHTET

August 28, 2025 by s p

(Përvjetori i 114-të i gazetës “Shkupi”)/

Rëndësia e kësaj gazete është e shumëfishtë. Së pari, sepse doli në Shkup, qytet simbolik dhe strategjik, që përfaqësonte një nga qendrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Së dyti, “Shkupi” dëshmonte se gazetaria shqiptare, edhe në kushte të rënda, ecte në hap me zhvillimet e kohës. Së treti, ajo përfaqësonte mendimin politik autentik shqiptar, duke artikuluar idetë e lirisë, arsimit dhe kulturës në gjuhën amtare, duke i dhënë krahë një populli që kërkonte të shndërrohej nga masë e shtypur në komb të vetëdijshëm.

Nga Prof.dr Skender ASANI

Emri “Shkupi” mbante një simbolikë të madhe kombëtare, sepse rilindja kombëtare shqiptare në fillim të shekullit XX kishte hyrë në fazën e fundit të saj dhe duhej të kurorëzohej me shpalljen e Pavarësisë. Pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku nuk u bë vetëm unifikimi i alfabetit, por iu dha edhe një shtytje e fuqishme përmbylljes së procesit të Rilindjes Kombëtare me shpalljen e pavarësisë etnike, rilindësit e asaj kohe e kuptuan se fjala e shkruar ishte arma më e fuqishme për të përhapur idetë e lirisë. Në Kongresin e dytë të Manastirit, të mbajtur në prill të vitit 1910, u mor vendimi që të hapej gazeta “Shkupi” si promotore e shpalljes së Pavarësisë. Përmes saj jepej sinjali se udhëtimi i Rilindjes Kombëtare do të kulmonte në Shkup, në kryeqendrën shpirtërore të shqiptarëve, aty ku ideja e lirisë dhe e shtetit do të merrte formën e saj të plotë.

Më 29 gusht 1911, në këtë kryeqendër të Vilajetit të Kosovës, doli numri i parë i gazetës “Shkupi”. Sot pas, 114 vjet më vonë, ne përulemi me nderim dhe krenari para këtij akti historik që nuk ishte vetëm një hap në fushën e shtypit shqiptar, por një gur themeltar në ndërgjegjësimin kombëtar, politik dhe kulturor të shqiptarëve.

Editor i gazetës “Shkupi” ishte intelektuali i jashtëzakonshëm Jashar Erebara, i cili me guxim dhe vizion mori përsipër ta udhëhiqte këtë organ të rëndësishëm të shtypit shqiptar. Ai nuk ishte vetëm një redaktor, por një strateg i fjalës së shkruar, që me mjeshtëri bashkëpunoi ngushtë me bartësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare, si Hasan Prishtina, Ismail Qemali dhe të tjerë. Me horizontin e gjerë intelektual që e karakterizonte, Erebara nuk e kufizoi gazetën vetëm në temat e hapësirës shqiptare, por e shtriu atë në diapazon evropian dhe botëror, duke pasqyruar drejt trendet e lëvizjeve ndërkombëtare. Në faqet e “Shkupit” ai shpesh publikonte editoriale të fuqishme, ku reagonte ndaj politikave të padrejta që popujt ballkanikë dhe fuqitë e mëdha evropiane ushtronin mbi shqiptarët, duke e shndërruar kështu gazetën në një tribunë të së vërtetës dhe një mburojë të të drejtave kombëtare.

Gazeta “Shkupi” nuk qe një botim i zakonshëm. Ajo mbërriti në një kohë kur Perandoria Osmane po i numëronte vitet e fundit në Ballkan, kur sferat e ndikimit të fuqive të mëdha dhe lakmitë territoriale të fqinjëve rrezikonin copëtimin dhe zhdukjen e qenies shqiptare. Ishin kohë udhëkryqi, ku fatet e popujve përcaktoheshin nga intrigat diplomatike dhe marrëveshjet e fshehta mes shteteve të mëdha, ndërsa populli shqiptar, ende pa shtet, kërkonte të mbijetonte e të afirmohej. Pikërisht në këto rrethana, gazeta “Shkupi” mori guximin të bëhej zëdhënëse e një kombi që ende nuk kishte shtetin e tij, por që kishte shpirtin dhe vullnetin për të qenë i lirë.

Rëndësia e kësaj gazete është e shumëfishtë. Së pari, sepse doli në Shkup, qytet simbolik dhe strategjik, që përfaqësonte një nga qendrat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Emri i saj mbart një mesazh të qartë: shqiptarët nuk ishin të huaj në këtë qytet, përkundrazi, ishin pjesë e pandarë e tij, bartës të kulturës dhe identitetit të tij. Së dyti, “Shkupi” dëshmonte se gazetaria shqiptare, edhe në kushte të rënda, ecte në hap me zhvillimet e kohës, duke mos mbetur prapa shtypit të vendeve të tjera të rajonit. Së treti, ajo përfaqësonte mendimin politik autentik shqiptar, duke artikuluar idetë e lirisë, arsimit dhe kulturës në gjuhën amtare, duke i dhënë krahë një populli që kërkonte të shndërrohej nga masë e shtypur në komb të vetëdijshëm.

Megjithëse jetëshkurtër (29 gusht 1911 – 3 tetor 1912), gazeta “Shkupi” la gjurmë të pashlyeshme. Nëpërmjet artikujve të saj, ajo paralajmëronte për rreziqet që i kanoseshin shqiptarëve nga fqinjët dhe nga intrigat e kohës, por njëkohësisht nxitonte të përhapte idenë se vetëm arsimi, kultura dhe veprimi i organizuar politik e ushtarak mund ta shpëtonin kombin nga asimilimi dhe zhdukja.

Pas ndërprerjes së botimit të saj, në tetor të vitit 1912 për shkak të okupimit serb të Shkupit, vijimësia e gazetës “Shkupi” u ringjall në vitin 1945 me daljen e gazetës “Flaka e Vëllazërimit”, e cila luajti një rol të rëndësishëm në proceset kulturore e shkencore të ngritjes së shqiptarëve në hapësirat e atëhershme jugosllave. Me ndryshimet shoqërore të viteve ’90, trashëgimia e saj u pasua nga gazeta “Fakti”, e cila mori mbi vete një mision të veçantë në pasqyrimin e zhvillimeve politike e kombëtare, duke qenë zë i fuqishëm në periudhën e luftës së Kosovës dhe në rrethanat e reja shoqërore e politike në Maqedoni në fund të shekullit XX.

Sot, kur shfletojmë faqet e saj të verdha nga koha, na pushton një ndjenjë e dyfishtë: nga njëra anë keqardhja se idealizmi i veprimtarëve të asaj kohe nuk u realizua i plotë në vitet pas shpalljes së Pavarësisë; nga ana tjetër, krenaria se idealet e tyre nuk u shuan kurrë. Ato jetuan, u përcollën brez pas brezi dhe sot janë pjesë e shpirtit liridashës të shqiptarëve kudo që janë.

Gazetarët e sotëm, ashtu si rilindësit e djeshëm, kanë një mision të shenjtë: të jenë në shërbim të kauzës kombëtare dhe të paraprijnë unitetit intelektual dhe politik të shoqërisë shqiptare. Në kohën kur çështja shqiptare po sfidohet nga konfiguracione të reja të ndarjes së interesave botërore, përgjegjësia e elitave intelektuale dhe politike është të lexojnë drejt kohën, të identifikojnë rreziqet dhe të udhëheqin me vizion. Përvjetori i gazetës “Shkupi” është kujtesë dhe paralajmërim se fjala, mendimi dhe uniteti mbeten armët më të fuqishme të kombit tonë.

Filed Under: Histori

SHKOLLA SHQIPE NË DALLAS, TEXAS, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT E AMERIKËS

August 27, 2025 by s p

Arbër Kapllani, drejtues i Shkollës Shqipe në Dallas-Fort Worth, Texas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e krijimit të shkollës shqipe në në Dallas-Fort Worth, Texas, angazhimin dhe kontributin në shkollën shqipe si qendër komunitare, kurrikulat mësimore, tekstet, bashkëpunimet dhe aktivitetet atdhetare e patriotiko-kulturore në dobi të ruajtjes së historisë e gjuhës shqipe si formë e identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës. Me Arbër Kapllanin bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË DALLAS, TEXAS

Shkolla Shqipe në Dallas u themelua me një mision të qartë: ruajtjen dhe përçimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar tek brezat e rinj të shqiptarëve në diasporë. Filloi si një përpjekje komunitare nga disa përfaqësues idealistë që donin të krijonin një hapësirë arsimore në gjuhën amtare. Nga klasat e improvizuara, me kalimin e viteve, shkolla është zhvilluar në një institucion funksional me strukturë të mirëorganizuar, drejtues, mësuese të kualifikuara dhe mbështetje të gjerë nga komuniteti. Sot, shkolla zhvillon mësime çdo fundjavë dhe ka pasur një rritje të qëndrueshme në numrin e nxënësve dhe përfshirjen e prindërve – dëshmi e dëshirës së madhe për të ruajtur lidhjen me rrënjët shqiptare. Aktualisht, mësimi zhvillohet në ambientet moderne të Qendrës Kulturore Shqiptaro Amerikane në Texas (AACC Texas), në një ndërtesë bashkëkohore dhe klasa të konceptuara posaçërisht për të garantuar cilësinë maksimale të mësimdhënies. Kjo ka ndihmuar që fëmijët të mësojnë në kushte të përshtatshme, me mjete didaktike bashkëkohore dhe një ambient të ngrohtë, shqiptar. Frekuentimi i Shkollës Shqipe dhe Klubit Social ofrohet falas për të gjitha familjet e komunitetit shqiptar në zonën e DFW. Të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës sonë.

KURRIKULA MËSIMORE, MËSUESIT DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT

Përdorim një kurrikulë të përshtatur për realitetin e fëmijëve dygjuhësorë që rriten në SHBA. Ajo përfshin: Abetaren dhe tekstet e miratuara nga MASR dhe MASHT, Ushtrime për lexim, shkrim dhe komunikim në shqip, Mësime për kulturën, historinë dhe traditat shqiptare, Aktivitete krijuese si recitime, këngë, valle e festime kombëtare. Mësueset tona janë profesioniste me përvojë nga Shqipëria, Kosova dhe SHBA. Ato punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me dashuri për fëmijët. Përfshirja e prindërve është thelbësore. I inkurajojmë të flasin shqip në shtëpi, të lexojnë me fëmijët dhe të marrin pjesë aktive në jetën e shkollës. Këtë vit kemi ngritur Këshillin e Prindërve, si një strukturë e posaçme që forcon bashkëpunimin dhe komunikimin mes të gjithë përbërësve të shkollës.

SHKOLLA SHQIPE SI QENDËR KOMUNITARE QË BASHKON SHQIPTARËT

Shkolla Shqipe në Dallas ka tejkaluar rolin e saj edukativ – ajo është kthyer në një qendër komunitare ku shqiptarët ndihen të bashkuar. Ne organizojmë aktivitete kulturore, festa, panaire dhe koncerte, të cilat krijojnë hapësira për bashkëbisedim, ndarje përvojash dhe ruajtje të identitetit. Në një realitet si ai amerikan, ku integrimi ndodh natyrshëm, kjo shkollë është një mburojë identitare që e mban të gjallë përkatësinë tonë kombëtare.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË TEXAS

Gjuha është thelbi i identitetit. Kur një fëmijë shqiptar mëson gjuhën shqipe, ai nuk mëson vetëm fjalë – mëson për kulturën, historinë, heronjtë dhe rrënjët e tij. Në një shtet si Texas, ku shqiptarët janë të shpërndarë, gjuha është ajo që na bashkon e na mban të lidhur me origjinën.

SHOQËRIA AMERIKANE MIRËPRET RUAJTJEN E KULTURAVE TË NDRYSHME

Shoqëria amerikane në përgjithësi e mirëpret dhe e mbështet ruajtjen e kulturave të ndryshme. Këtë vit do të organizojmë vizita në ndërmarrje të rëndësishme industriale për nxënësit tanë – një mënyrë për të lidhur kulturën dhe edukimin me botën reale dhe për t’i frymëzuar për të ardhmen.Një partner i pazëvendësueshëm ka qenë Qendra Kulturore Shqiptaro Amerikane në Texas (AACC Texas), e cila është shoqata mëmë e shkollës. AACC Texas ka ndihmuar në çdo drejtim: me mjete financiare, literaturë, vullnetarë dhe mbështetje logjistike.

VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Sfida më e madhe është fakti që shumica e fëmijëve tanë janë lindur në SHBA dhe anglishtja është gjuha e tyre e parë. Shpesh e shohin shqipen si të vështirë ose të huaj. Prandaj, ne po punojmë me metoda kreative, lojëra dhe teknologji për t’i bërë orët sa më tërheqëse. Vizioni ynë për të ardhmen përfshin: Zgjerimin me klasa vallesh tradicionale dhe grupe artistike, Ofertën e mësimit të shqipes për të gjitha moshat, jo vetëm për fëmijët, Kurse të përshpejtuara të gjuhës angleze për të rriturit, për të ndihmuar familjet e reja që vijnë nga trevat shqiptare.

MËSIMI SHQIP DHE EFEKTI NË RRITJEN E PATRIOTIZMIT

Kur fëmijët mësojnë shqip, ata ndjejnë krenari për origjinën e tyre. Ata fillojnë të kuptojnë këngët, tregimet, historinë dhe sakrificat e popullit të tyre. Kjo nuk është thjesht mësim gjuhësor – është mësim për kombin, për flamurin, për Skënderbeun, për Nënë Terezën. Rritet ndjenja e përgjegjësisë për të ruajtur trashëgiminë.

KUSH ËSHTË ARBËR KAPLLANI?

Kam lindur në Berat, Shqipëri, dhe aktualisht jetoj prej tetë vitesh në SHBA. Kjo është përvoja ime e dytë me emigracionin – kam jetuar edhe më herët jashtë vendit, si shumë familje shqiptare gjatë viteve të tranzicionit. Kam ndjekur studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe në Fakultetin e Drejtësisë. Aktualisht punoj në një kompani të ndërtimit të Data Centers, ku jam i përfshirë në planifikim strategjik dhe menaxhim të përmirësimit të vazhdueshëm të proceseve. Prej dy vitesh kam marrë përgjegjësinë si drejtues i Shkollës Shqipe në Dallas-Fort Worth. Historia dhe gjeografia janë ndër pasionet e mia më të mëdha, dhe kur kombinohen me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, angazhimi në komunitet bëhet një kënaqësi e veçantë.

Filed Under: Featured

Gong i arsyes, kod i rrezikut, algokracia shqiptare si thirrje globale!

August 27, 2025 by s p

Arian Galdini/

Heshtja e programuar. Kur algoritmet fshijnë zërin. Një ditë të bukur pranvere, një mesazh im i qartë, i shkruar me mendim të lirë dhe me ndjenjë njerëzore, u zhduk në heshtje. Aty kuptova se diçka po ndodhte me faqen time në Facebook…Më pas zulova se dikush kishte spostuar vendndodhjen e Faqes sime në mes të Oqeanit Atlantik Jugor. Postimet e mia raportoheshin dhe mbyteshin, errësoheshin dhe humbisnin në terrin e algoritmeve vrastare që dikush i kishte kurdisur për ta shuar krejtësisht çdo komunikim timin në Facebook.

Dhe të gjithë ata që janë miq apo ndjekës në Faqen time e dinë historinë e publikuar, të ndërkalljes sime me Facebook, Metaverse. Aty e kuptova se betejat nuk bëhen më me votë, me fjalë apo me ide, por me linjat e padukshme të kodit që ndajnë çfarë shihet dhe çfarë zhbëhet. Tani të tresin nga Facebook e çdo rrjet social, pa shpjegim.  Pa paralajmërim. Pa debat. Pa akuzë.

Vetëm heshtje e programuar. Prej muajsh, profili im dhe faqja ime zyrtare Arian Galdini, janë vendosur në “limbo” algoritmike. Por unë nuk jam përjashtim. Jam simptomë. Algoritmi nuk kërkon gjykim. Vetëm zëvendësim. Këto ditë lexova edhe një lajm: “Albania wants to replace its corrupt government with AI.” Dhe një deklaratë nga vetë Kryeministri Edi Rama: “Një ditë të gjithë ministritë mund të drejtohen nga algoritme. Pa korrupsion. Pa favoritizma. Pa gabime njerëzore.” Një narrativë që të bën të ndalesh. Kjo nuk është thjesht një shaka postmoderne. Kjo është një përpjekje për të zëvendësuar politikën me performancën, reformën me kodin, përfaqësimin me paraprogramimin.

Një algokraci e re në zanafillë.

Një qeverisje ku “njeriu” është shmangur, sepse besimi është shteruar. Siç shpjegon John Danaher (2016), algokracia është ajo formë sundimi ku pushteti nuk merret më nga njerëz me fytyrë, por nga struktura të automatizuara pa përgjegjësi.  Një sistem që e kthen qeverisjen në kalkulim, dhe drejtësinë në probabilitet. Shoshana Zuboff paralajmëron për “kapitalizmin e mbikëqyrjes” ku transparenca teknologjike nuk është më mjet për liri, por një instrument i maskuar i kontrollit. Ndërsa Evgeny Morozov shprehet qartë: teknologjia nuk zëvendëson dot një sistem të kalbur, pa reformë të vërtetë, vetëm ia fsheh kalbëzimin. Dhe këtu lind pyetja, kur një regjim i konsumuar nga klientelizmi e korrupsioni,  kërkon shpëtim në makinë, a kemi përballë një revolucion apo një kamuflim të perfeksionuar të autoritarizmit digjital?

Shqipëria bëhet simbol.

Një vend i vogël me një ide të madhe, jo për të reformuar sistemin, por për ta outsourcuar vetë shtetin te inteligjenca artificiale. Kjo është ajo që Byung-Chul Han do ta quante zhdukja e subjektit politik, ku qytetari nuk pyetet më, sepse makineria vendos për të në heshtje. Ai flet mbi Simulakrin e Qeverisjes, ku shteti nuk reformohet, por fshihet pas aparateve që duken neutrale, por që prodhojnë një tjetër formë të kontrollit, të heshtur, të mençur dhe të padukshëm. Qytetari zëvendësohet nga një përdorues. Përdoruesi zëvendësohet nga një profil. Dhe profili menaxhohet nga një sistem që nuk e njeh as nderin, as drejtësinë, as lirinë. Kjo është beteja jonë.

Dhe beteja ime personale me Facebook dhe Meta nuk është më një çështje individuale, por simptomë e një fenomeni më të madh, një marrëveshje e padukshme mes platformave globale dhe qeverive që duan të mbeten pa përgjegjësi.  Një pakt i heshtur për të ndërtuar një botë ku heshtja ka zë më të fortë se fjala.

Ky është simulakrimi i ri i qeverisjes. Dhe ne nuk duhet të biem në iluzionin e tij. Në këtë luftë midis kodit dhe ndërgjegjes, fjala është akt rezistence. Dhe çdo reflektim e denoncim publik si ky është një grimcë zëri  e rikuperuar nga mbytja. A është Shqipëria duke u shndërruar sërisht në eksperimentin e radhës? A ka pakt mes Edi Ramës dhe Kompanive të AI e Teknologjisë për ta shndërruar Shqipërinë në eksperimentin e radhës?Ky është thelbi i algokracisë, siç e përkufizon John Danaher (2016), një formë sundimi ku vendimet nuk merren nga qytetarët, por nga sisteme që operojnë përtej vetëdijes njerëzore.Në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, nuk ndodh më censura me ligj. Ndodh heshtja e shuarja me algoritëm. Sipas raportit “Privacy Governance Report 2024” të IAPP, edhe pse nuk përmend Shqipërinë, tregohet se algoritmet globale fshehin në mënyrë sistematike përmbajtje me ndërveprim të ulët ose të raportuar.

Në vendin tonë, pa balanca institucionale për këto mekanizma, padukshmëria është më e thellë.Më 19 korrik 2025, Edi Rama deklaroi:“Një ditë të gjitha ministritë mund të drejtohen nga algoritme.”(Anadolu Agency, 2025)Nuk ishte metaforë. Ishte manifest filozofik për zhbërjen e qytetarit.

Foucault (1978) e quante këtë sundimentalitet (governmentality): pushtet që nuk urdhëron, por strukturon.Byung-Chul Han (2017) e quajti psikopolitikë (psychopolitics): qytetari nuk hesht nga frika, por vetëpërshtatet për të mos u zhdukur, tretur, tëhuajësuar.Në këtë sistem, fjala nuk ndalohet. Ajo thjesht nuk shfaqet, shpërfillet.Tirania e shpërfilljes shndërrohet në mjet politik e social tërësor në i shtrirë në çdo qelizë e funksion nga Qeveria e Partitë.

Shqipëria, laboratori i totalitarizmit të softuerit?Në 2023, Shqipëria u bë vendi i parë që përdori ChatGPT për përkthimin e legjislacionit të BE-së. (Euractiv, 2023)Në maj 2025, qeveria investoi 8.8 milionë euro në Machine Thinking Lab të Mira Muratit, me financim nga Andreessen Horowitz. (The Recursive, 2025)Në shkurt 2025, firmosi marrëveshje me Presight AI për “qytete të zgjuara” dhe qeverisje të automatizuar. (Tahawultech, 2025)Kjo është zhvendosje nga politika te protokollet. Nga qytetari te serveri.

Sundimentaliteti algoritmik, siç e përshkruajnë Rouvroy dhe Berns, nuk shfaqet me urdhra, por me parashikim. Nuk fton në debat. Nuk dëgjon. Nuk përfaqëson. Ai funksionon në hije, përmes strukturave që sillen si shërbim, por veprojnë si pushtet që nuk sheh dhe nuk dëgjohet. Në këtë model, qytetari nuk është më bashkëhartues i politikës, por një përdorues që përputhet ose përjashtohet.Habermas, në analizën e tij mbi kolonizimin e botës së jetës nga sistemi, na paralajmëron se kur argumenti politik zëvendësohet nga “dashboard”-i, atëherë nuk kemi më demokraci, por një menaxhim teknokratik të mendimit. Marrëdhënia e arsyes me të vërtetën shkëputet dhe vendoset në duart e instrumenteve të matjes dhe mbikëqyrjes.Agamben, me konceptin e tij të Homo Sacer, e çel këtë mister edhe më thellë: qytetari i epokës algoritmike nuk përjashtohet më me urdhër, por zhduket si prani nga vetë fjalori publik.

Ai nuk është më një figurë politike.

Ai bëhet një siluetë pa zë, një shenjë që nuk lexohet më, një emër që nuk përmendet më.Gongu i arsyes,  rindërtimi i bashkësisë politike. A është kjo demokraci? Apo një formë e re totalitarizmi të softuerit?Sipas raportit të NACD (2025), edhe pse i përqendruar te korporatat amerikane, paralajmërohet qartë se një pjesë gjithnjë në rritje e vendimeve me pasoja të mëdha tashmë po merren nga sisteme të automatizuara, pa ndërmjetësim njerëzor. Kjo logjikë korporative e kontrollit pa përgjegjësi po përshkon ngadalë dhe në mënyrë të padukshme vetë strukturat shtetërore, veçanërisht në vende si Shqipëria, ku mungojnë mekanizmat e kontrollit të balancuar dhe transparencës publike.Në këtë kontekst, ideja e një strukture të re mbrojtëse merr formë. Mund edhe të quhet psh, Aleanca për Sovranitetin Algoritmik të Qytetarëve,ASAQ, dhe ky është më shumë se një propozim teknik. 

Është një nevojë etike për rindërtimin e bashkësisë politike përballë depolitizimit të orkestruar nga algoritmi.Në thelb të saj qëndron parimi i transparencës absolute. Çdo algoritëm që ndikon në jetën publike duhet të jetë i dokumentuar, i verifikueshëm dhe i kontrolluar nga një institucion i pavarur kushtetues, një ombudsman digjital, që garanton se vendimmarrja nuk shndërrohet në akt të errët, të padukshëm dhe të papërgjegjshëm. Ky parim lidhet drejtpërdrejt me Nenin 22 të GDPR-së (Neni 22 i Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) është një nga dispozitat më të rëndësishme të kësaj rregulloreje, sepse vendos kufizime ndaj vendimeve të automatizuara që kanë efekte ligjore ose ndikim të rëndësishëm tek individi.), i cili ndalon marrjen e vendimeve të rëndësishme vetëm nga sisteme automatike pa ndihmën dhe ndërmjetësimin e njeriut.

Por mbrojtja nuk mjafton me transparencë. Duhet të rikthehet pjesëmarrja e njeriut në çdo procedurë shtetërore që automatizohet. Teknologjia nuk duhet të jetë mur që përjashton, por urë që lejon bashkëvendimmarrje. Vendimet që prekin të drejtat themelore, si përkthimi i ligjeve, vlerësimi i aplikimeve, apo analizat e të dhënave, nuk mund të delegohen tek një makinë që nuk mban përgjegjësi morale.Po aq thelbësor është sovraniteti mbi të dhënat. Shqipëria ka nevojë për një Data Commons të sajën, një hapësirë ligjore, institucionale dhe etike ku të dhënat e qytetarëve nuk janë mall që qarkullon pa mbrojtje, por pasuri publike e ruajtur me ligj. UNESCO, në “Recommendation on the Ethics of Artificial Intelligence” (2021), thekson këtë si një nga shtyllat e së ardhmes etike të teknologjisë.

Dhe së fundi, gjithçka fillon nga fëmijët. Etika e teknologjisë duhet të jetë pjesë e arsimit bazë që nga mosha 12 vjeç. Të mos mësojmë fëmijët vetëm të klikojnë, të programojnë e të përdorin algoritmet, por t’i mësojmë të kuptojnë drejtësinë, përgjegjësinë dhe pasojën morale të çdo algoritmi.Në një shoqëri ku gjithçka po matet, përllogaritet dhe zbatohet me efikasitet, vetëm qytetari i ndriçuar mbetet garant i lirisë. Dhe kjo liri nuk duhet të delegohet më.

Shqipëria vendos: Nga patronazhizmi te trollitantizmiDeri në të shkuarën e afërt, e madje deri në zgjedhjet e 11 majit, Qeveria Rama përdori patronazhistët për kontroll shoqëror. Sigurisht pa lënë pas, militantët për mobilizim. Sot, kemi hyrë në një formë të re të organizuar, të pashpallur: Trollët Politikë.Trollitantizmi është forma më e avancuar dhe e padukshme e dhunës politike që nuk kërkon më as polici, as gjykata, as censurë zyrtare. Ai shfaqet si ndërhyrje “organike”, por në të vërtetë është kontroll i simuluar i opinionit publik përmes algoritmit, psikologjisë dhe frakturimit emocional të bashkëjetesës demokratike.Trollitantizmi nuk është thjesht prani e disa profileve abuzive, fallco, të përpunuar e zbatuar nga grupe të posaçme call centerash partiakë, por një mekanizëm sistemik i kontrollit diskursiv, i ndërtuar mbi pesë shtylla veprimi:

1. Raportime të koordinuara për zhdukje algoritmike

Një zë i lirë që flet ndryshe, në vend që të kundërshtohet me argument, raportohet në mënyrë të sinkronizuar, duke e futur në kategorinë e “rrezikshmërisë” sipas logjikës së algoritmit.

Ky raportim në dukje spontan është në fakt një akt i programuar i kontrollit të shfaqjes.

2. Bullizëm i centralizuar politikisht

Nën maskën e qytetarisë digjitale, krijohen dhjetëra profile që sulmojnë me gjuhë të urrejtjes, tallje, ironi shkatërruese, për të shpërbërë figurën publike të kundërshtarit. Ky nuk është më fjalim publik, është teatër dhune digjitale.

3. Diskreditim përmes komentimit të fabrikuar

Në vend të debatit, prodhohen komente artificiale, duke imituar reagim qytetar që nuk ekziston. Është deepfake i opinionit publik, ku realiteti manipulohet në mënyrë të padukshme, por efektive, duke formuar narrativën dominuese si “vetë populli”.

4. Ngarkesa emocionale të simuluara

Trollët, nuk janë thjesht komentues, ata injektojnë ngarkesë emocionale të fabrikuar për të çorientuar rrjedhën e të menduarit racional. Ironia, poshtërimi, euforia e falsifikuar shërbejnë për të paralizuar ndërgjegjen kritike të publikut dhe për ta drejtuar atë drejt autopilotit emocional.

5. Engagement si dhunë

Sistemet algoritmike rreshtojnë përmbajtjen sipas ndërveprimit. Trollitantizmi manipulon këtë mekanizëm duke përdorur engagement-in si formë dhune, promovon të paditurin, e zëvendëson të vërtetën me zhurmën, dhe i bën të padukshëm ata që ofrojnë mendim.Trollitantizmi nuk është thjesht një kapërcim teknologjik, por një transformim epistemologjik, zhvendosja e luftës politike nga terreni fizik në infrastrukturën emocionale dhe algoritmike të shoqërisë.Trollitantizmi si biopolitikë e re. Nga trupi në ndërgjegje. Siç thoshte Michel Foucault, pushteti i ri nuk ushtrohet mbi trupin, por mbi shkallën e pranueshmërisë sociale.

Trollitantizmi nuk vret fizikisht, por vret reputacionin, ndikon vetë perceptimin e të qenurit i pranueshëm në hapësirën publike.Kjo është dhunë semiotike. Nuk shembet më një tribunë, zhduket vetë publiku i padukshëm që do ta dëgjonte. Fjala nuk ndalohet me censurë.

Fjalia zëvendësohet nga emoji.Ky është evolucioni i kontrollit:Nga militantizmi → patronazhizmi→ trollitantizmi…

Në epokën e algoritmit, dhuna politike nuk manifestohet më me shkopinj, censurë klasike apo burgime. Ajo vjen me një fytyrë të qeshur, në formën e një “komenti civil”, të një “feedback-u social”, apo të një “raportimi komunitar”.

Në të vërtetë, kjo është forma më e sofistikuar dhe e padukshme e kontrollit digjital që pushteti ushtron mbi individin. Unë e kam pagëzuar si trollitantizëm.Në një kohë kur patronazhistët kishin për detyrë të regjistronin bindjet politike të qytetarëve dhe militantët mobilizonin masat për qëllime elektorale, tani kontrolli ka evoluar në një formë më të hollë, më të padukshme dhe më të pakapshme: trollët.Trollët politikë nuk janë thjesht profile të rastësishme. Ata janë strukturë, strategji dhe sistem. Ata nuk flasin nga vetja, por nga një bashkësi algoritmash dhe direktivash të pashpallura, që operojnë brenda një makinerie propagandistike digjitale.Në vend të fjalës, përdorin ironinë. Në vend të debatit, përdorin raportimin. Në vend të përballjes së argumentuar, përdorin komentet e fabrikuara. Ata nuk reagojnë si individë të lirë, por veprojnë si module të një infrastrukture të padukshme pushteti.

Trollët raportojnë me koordinim matematik. Nuk e lexojnë përmbajtjen për të kuptuar, por për ta zhdukur. Objektivi i tyre nuk është e vërteta, por zhbërja e çdo zëri që e thyen korin algoritmik të përputhshmërisë. Kjo është forma më e përkryer e censurës moderne, nuk ndalon një shkrim me ligj, por e zhduk me kod.Por trollët nuk mjaftohen me heshtjen. Ata zbatojnë një formë të re dhune semiotike, të sulmojnë përmes ngarkesave emocionale të simuluara. Një fjali përqeshëse, një meme përulëse, një emoji tallës, të gjitha këto nuk janë të padëmshme.

Janë instrumenta që zhvendosin debatet publike nga racionalja tek instinktualja, nga ideja tek ndjenja, nga qytetari tek turma.Trollitantizmi nuk ka nevojë të bindë. Ai bën të pamundur mendimin ndryshe. Ashtu siç autokracitë dikur i nxirrnin kundërshtarët jashtë loje përmes dhunës fizike, tani kjo ndodh përmes dhunës së engagement-it të manipuluar. Një postim që analizon, zhduket. Një koment që tall, ngrihet lart në algoritëm. E gjithë kjo ndodh pa asnjë urdhër zyrtar, por me një efekt absolut.Kjo është ajo që filozofia politike moderne do ta quante kolonizimi algoritmik i diskursit publik. Në vend që të përfshihen qytetarët në formësimin e së vërtetës, i zëvendëson një rrjet automatesh të trajnur për të shkatërruar reputacionin, moralin dhe vullnetin për të qëndruar.

Trollët nuk janë më aktorë të jashtëm.

Ata janë pjesë përbërëse e një regjimi të ri ku fjala e lirë matet, vlerësohet dhe filtrohet në bazë të besnikërisë ndaj strukturës, e jo ndaj lirisë. Dhe Shqipëria, fatkeqësisht, po bëhet laboratori i kësaj forme të re totalitarizmi të padukshëm.Në këtë epokë, trollitantizmi, është algoritmizimi i dhunës politike, i fshehur pas etiketimeve “komunitare”, por në thelb një mekanizëm shtypës, që zhduk çdo mendim të lirë nën petkun e “angazhimit demokratik”.Dhe përballë këtij realiteti të ri, nuk mjafton më vetëm kurajoja e zërit. Duhet edhe vetëdija e strukturës që e hesht atë zë. Duhet që vetë qytetari ta kuptojë se nuk është më vetëm viktimë e një regjimi klasik, por subjekt i një makinerie që vepron përmes algoritmeve, trollëve, emocioneve të falsifikuara dhe profileve që nuk ekzistojnë.Në këtë luftë të padukshme, mendimi i lirë është rezistenca e fundit.

Dhe fjala që nuk hesht, është gjurma e vetme që mbetet njerëzore në një epokë që kërkon të jetë thjesht e përllogaritur.Shqipëria është vendi ku ky model po testohet në heshtje si eksperimenti më i avancuar i kontrollit shoqëror të algoritmizuar politikisht.Shqipëria si thirrje dhe ndërgjegje globale. Nëse algoritmet do të na heshtin pa zë, pa urdhër, pa debat, atëherë nuk do të jemi më qytetarë. Do të jemi vetëm profile të përshtatura për sistemin, të optimizuar për përputhshmëri, të klasifikuar për pasivitet. Dhe ajo që dikur quhej liri, do të jetë thjesht një opsion që nuk të jepet më.

Por le të pyesim me zë të plotë:

Çfarë po ndodh me Shqipërinë?

A është Shqipëria duke u shndërruar në një eksperiment global të teknologjisë algoritmike, ku kompanitë më të mëdha të AI dhe High Tech, me lejen, bekimin dhe bashkëpunimin e qeverisë aktuale të Edi Ramës, po testojnë kufijtë e një regjimi të ri pa qytetarë?A është Edi Rama duke e vendosur vendin në dispozicion të një pakti heshtjeje, ku pushteti qeveris përmes botsave, kontrollon përmes algoritmeve dhe mposht çdo mendim të lirë përmes trollëve të koordinuar?A kemi të bëjmë me një marrëveshje të heshtur, ku në këmbim të aksesit dhe ndikimit në strukturat politike dhe narrative perëndimore, këto kompani i ofrojnë qeverisë shqiptare fuqi politike të ripërtërirë, përmes algoritmash që formësojnë opinionin publik dhe përmes lobimit në kancelaritë ku ndikimi i teknologjisë është tashmë më i fortë se vetë diplomacia?A jemi dëshmitarë të lindjes së një paktit që vret demokracinë nga brenda, jo me grusht shteti, por me manipulim elektoral algoritmik? Sepse në këtë realitet, qytetari nuk zgjedh më. Ai profilizohet. Nuk voton më. Ai parashikohet. Nuk vendos më. Ai përshtatet me narrativën që algoritmi ka përgatitur për të. Zgjedhjet? Janë ngjarje statistikore. Fushatat? Janë kode që përhapin përmbajtje të personalizuar. Mendimet? Janë të zhdukshme nëse nuk përputhen me modelin e sjelljes së sistemit.

Ku është qytetari? Ku janë të drejtat demokratike?Ku është përgjegjshmëria? Kush i jep llogari qytetarit nëse zgjedhjet ndodhin brenda një rrjeti të mbyllur algoritmik?A ka ndërgjegje një bot?

A ka përgjegjësi një algoritëm?A mund të thërrasim një server në komision parlamentar?A mund të dënojmë një API? Dhe më tej: A janë botsat në gjendje të dallojnë të vërtetën nga manipulimi?A janë algoritmet të ndershme kur janë të dizajnuara për të shërbyer një pushtet?A janë trollat thjesht njerëz? Apo janë sisteme të sinkronizuara për të shkatërruar mendimin ndryshe në çdo cep të rrjetit?

Nëse ka një marrëveshje, të heshtur, të pandriçuar, por të fuqishme, midis një qeverie të korruptuar dhe një teknologjie të gjithëpushtetshme, atëherë ne jemi përpara formës më të re të autokracisë globale, autokracia e partneritetit mes algoritmit dhe pushtetit.

Ky nuk është më një supozim. Ky është rreziku real që po merr formë. Dhe Shqipëria, për shkak të përmasave, pozitës gjeopolitike, mungesës së institucioneve të forta, është bërë fusha e testimit të këtij eksperimenti të heshtur.Nëse nuk ngremë zërin tani, nesër nuk do të kemi më zë për të ngritur. Nëse nuk e kuptojmë se fuqia ka ndryshuar formë, nga fytyra në kod, nga njeriu në rrjet, nga përfaqësimi në performancë, do të jetojmë si qenie statistikore në një realitet të simuluar të kontrollit total.Shqipëria nuk është vetëm një vend. Shqipëria është një thirrje universale. Shqipëria është një ndërgjegje që sfidon heshtjen. Shqipëria është gongu që tingëllon për të gjithë botën. Dhe ajo zgjedhje, ajo kthesë, ai rebelim etik, bëhet tani. Për veten. Për demokracinë. Për njeriun. Për lirinë që nuk do të ketë më kuptim nëse fjalët nuk shfaqen, nëse mendimet fshihen, dhe nëse një komb kthehet në prototip të sundimit algoritmik. Tani është çasti për të mos heshtur më.Nëse algoritmet do të na heshtin pa zë, pa urdhër, pa debat, atëherë ne nuk do të jemi më qytetarë. Do të jemi vetëm profile të përshtatura për sistemin.Shqipëria nuk është vetëm vend. Është alarm. Është thirrje. Është sfidë.Dhe ajo zgjedhje bëhet tani, për demokracinë, për lirinë, për njeriun.

Filed Under: Ekonomi

Poezia dhe Piktura: Estetika e Figurës tek Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu

August 27, 2025 by s p

Studim letrar nga Rafael Floqi

Pjesa II

Mihai Eminescu - Wikipedia

Panteizmi si mjet ilustrimi

Panteizmi është perceptimi që sheh shpirtin hyjnor në të gjithë natyrën. Në poezinë e peizazhit, ai: Ndërthur natyrën me shpirtin, ku liqeni, mali ose qielli nuk janë thjesht objekte, por simbol i shpirtit dhe i pafundësisë. Krijon unitet estetik: natyra dhe njeriu nuk janë të ndara, dhe lexuesi e ndjen peizazhin. Intensifikon metaforën: një liqen mund të “qeshë”, një pyll mund të “flasë”.

Lasgushi: Liqeni i Ohrit dhe kodrat përreth përshkruhen me ndjeshmëri panteiste.

“Liqeni qeshi nëpër hënë,

Yjet u hodhën valle mbi valë.”

Eminescu: Tek Lacul, liqeni dhe pylli shndërrohen në hapësira kozmike që flasin me ndjenjat dhe reflektimet e poetit.

Dialogu Lasgush–Eminescu

Ngjashmëritë mes tyre: Natyrë e personifikuar: Liqeni që “qesh” te Lasgushi; ylli që “zbret” te Eminescu. Reflektim metafizik: Natyra është pasqyrë e shpirtit.

Struktura piktorike: përdorimi i dritës, ujit, yjeve për të ngritur tablo lirike.

Dallimi: Lasgushi vizaton hapësira të kufizuara (liqeni, mali, fusha), ndërsa Eminescu vizaton kozmosin dhe pafundësinë. Por të dy shndërrojnë peizazhin në ikonë poetike. Po ashtu Wordsworth: Natyrën e sheh si pasqyrë të shpirtit dhe vend reflektimi moral. Peizazhi dhe ndjenja ndërthuren si te Lasgushi. Kështu, Lasgushi dhe Eminescu lidhen me traditën europiane të poetëve vizualë, duke e zgjeruar konceptin e poezisë si pikturë dhe pikturës si poezi.

Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi,

Ay ndaj fundesh u perflak

Posi me zjarr e me flori.

posi me flake u ndes e kroj,

E vetetiti plot magji,

E ylli i ditës perëndoj

Në qetësi dhe dashuri

Tashi po shuhet nene mal

Qytet’i ngrysur ne zi.

Po ndizen yjte dal-nga-dal

Plot bukuri! plot fshehtesi!

Në këtë çast perëndimor,

Ndaj po me dehen syte e mi,

Kuptoj si shpirtin vjershetor

M’a frymezon nja mall i ri.

1. Struktura dhe ritmi

Poezia është e ndarë në katër strofa, secila me katër rreshta.

Ka një ritëm të lirë, pa skemë fikse metrike, që i jep një ndjesi spontane dhe meditimi natyror.

Përdorimi i përsëritjeve të figurave natyrore (zjarr, flakë, yje, liqer) krijon një ritëm vizual dhe emocional.

2. Imazhet dhe simbolika

“Mi zall të pyllit vjeshtarak” – fillimi ngre një imazh të natyrës në vjeshtë; vjeshta shpesh simbolizon kalimin e kohës, reflektimin dhe ndjesinë e largimit ose humbjes.

“Dremit liqeri pa kufi” – liqeri i qetë dhe i pafund sjell ndjesinë e pafundësisë dhe të brendshmeve të shpirtit poetik.

“Posi me zjarr e me flori” – flaka dhe flori janë metafora të pasionit, ndriçimit dhe bukurisë së natyrës në perëndim.

“E ylli i ditës perëndoj” – simbolizon fundin e një cikli, përfundimin e diçkaje dhe qetësinë që pason.

3. Ndjenja dhe gjendja shpirtërore

Poezia kalon nga vëmendja për natyrën në një reflektim të brendshëm. Poetja/poeti përjeton një ndjesi “malli i ri”, që lidhet me frymëzimin e shpirtit.4. Lidhja mes natyrës dhe shpirtit

Poezia e përdor natyrën si pasqyrë të shpirtit. Çdo fenomen natyror (zjarr, flakë, yje) reflekton emocionet e brendshme.

Mbarim Vjeshte

Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë 

Dyke shkuar që-me-natë sipër malesh me deborë 

Iku rënd’ e i përmallshëmë, dhe me sqep të ri të fortë 

Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë… 

Pra, më s’duket shpes’i fatit prapa bujqësh dhe plorësh, 

Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe maloresh; 

Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë, 

Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë. 

Dher-i i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë, 

Fryn veriu në pyll të thatë me zemrim e me fërtymë, 

E si shtohet cingërima… Ja! Se ku dinak dh’i voçrr… 

Nëpër gardh-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçërr !… 

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë, 

Kur bariste dal-nga-dale, – posi dhëndër me kurorë!… 

E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar, 

Me sy lart, me hap të matur – posi vash’ e nusëruar!..

Natyra ka qenë gjithmonë një burim i pashtershëm frymëzimi për poetët. Ajo jo vetëm pasqyron bukurinë fizike të botës, por shpesh shërben si pasqyrë e ndjenjave dhe përjetimeve të brendshme të individit. Poezia e tregon qartë lidhjen midis natyrës dhe shpirtit të poetit: natyra është pasqyrë e emocioneve, burim reflektimi dhe frymëzimi, ndërsa ndriçimi i yjeve, flaka e perëndimit, dhe qetësia e liqerit lidhen ngushtë me ndjesitë e brendshme.

Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu jetuan në periudha të ndryshme, por të dy u ndikuan nga romantizmi dhe një përkushtim i thellë ndaj natyrës. Eminescu shpesh përqendrohet në simbole metafizike dhe nostalgji të kohës së shkuar, ndërsa Poradeci shfaq një përqendrim më të fortë në peizazhin dhe emocionin e drejtpërdrejtë. Krahasimi i tyre lejon të kuptohet se si perceptimi i natyrës dhe emocioneve ndikonte në mënyrën se si figura artistike bëhet simbol i përjetësisë.

Poezia si art sinkretik , Poezia “Poradeci”

PORADECI 

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir  

Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.  

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,  

Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:  

Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…  

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…  

Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…  

Zotëroj më katër anë errësira…  

Po tashi:  

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,  

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

Kjo poezi e Lasgush Poradecit është një peizazh poetik, ku fjala bëhet njëkohësisht pikturë dhe muzikë. Po ta analizojmë në këtë prizëm:

1. Poezia si Peizazh Lirik

Lasgushi ndërton një peizazh të gjallë, i cili nuk është thjesht fotografi e natyrës, por një gjendje emocionale. Liqeri i Pogradecit shfaqet në muzg si një hapësirë e pafundme, ku drita shuhet ngadalë. Poezia është një përthithje e qetësisë, melankolisë dhe intimitetit me natyrën.

“Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije…” – ky varg është tipik pejzazhi romantik: natyra është e përthyer nga një ndjenjë e brendshme, një projektim i shpirtit të poetit mbi hapësirën.

2. Poezia si Pikturë

Lasgushi e koncepton peizazhin si një tablo impresioniste. Ai nuk përshkruan me detaje të mprehta, por me ngjyra të vagëlluara dhe kontraste të buta:

 “pluhúrë si një hije” – drita shpërndahet si mjegull në një kanavacë të gjerë.

 “shkrumb’ i natës që po bije” – pikturë me tone të zeza, si brushë e Turner-it kur pikturonte muzgjet dhe stuhitë.

 “shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë” – një detaj i vetëm, i gjallë, që sjell dramën në një hapësirë ndryshe të qetë.

Në këtë aspekt, Lasgushi është më pranë Claude Monet sesa një peizazhist realist: ai e sheh natyrën në vagëllim, në shpërhapje ngjyrash, jo në vijëzime të sakta. Tabloja nuk është statike, por një lëvizje e dritës.

3. Poezia si Muzikë

Vargu i Lasgushit rrjedh me një melodi të brendshme. Ka një ritëm të ngadalshëm, njësoj si një nokturn i Chopin-it apo si një prelud i Debussy-t:

Zgjedhja e zanoreve të mbyllura (i, u) jep një tonalitet të heshtur, të butë.

Ritmi i vargjeve të gjata ngjason me valët e liqerit që prehen në muzg.

Poezia përfundon me Drinin plak – një “akord bas” që mbyll simfoninë e natës.

Këtu Lasgushi bën atë që quhet muzikalizim i peizazhit: natyra nuk shihet, por edhe dëgjohet, përjetohet si një harmoni tingujsh.

Krahasimi me Mihai Emineskun

Eminesku, i cili për Lasgushin ishte “Poeti i Madh i Përjetësisë”, krijon shpesh peizazhe të natyrës ku qielli, uji dhe muzgjet shndërrohen në simbole metafizike. Krahasimi më i qartë është me poezinë “Luceafărul” (Ylli i Mbrëmjes) dhe “Mai am un singur dor” (Kam edhe një dëshirë të vetme).

Të dy poetët shohin në natyrë një pafundësi kozmike: te Lasgushi është liqeri pa kufi, te Eminesku është deti dhe qielli i yllëzuar. Ngjyrat e muzgut te të dy janë melankolike, vagëlluese, metafizike.

Muzikaliteti i vargut është thelbësor: Eminesku përdor një ritëm himnor, ndërsa Lasgushi një ritëm elegjiak, më të brendshëm. Dallimet, Eminesku priret drejt metafizikës kozmike: yjet, përjetësia, pafundësia e kohës. Lasgushi është më tokësor e intim: për të, liqeri, mali dhe katundi janë vend i shpirtit të vet, një përjetësi e brendshme shqiptare.

Eminesku vizaton madhështinë e universit, Lasgushi përthith qetësinë e jetës së përditshme, por e transfiguron në përjetësi.  

Pra, mund të themi: Lasgushi është Eminesku i Liqerit, ndërsa Eminesku është Lasgushi i Yjeve.

Konkluzion 

Poezi – Pikturë – Muzikë në Sintezë

Poezia është një tablo impresioniste që vizaton muzgje të vagëlluara. Është njëkohësisht një kompozim muzikor, ku ritmi i vargjeve ngjan me një prelud të heshtur.  Është një gjendje shpirtërore universale, ku lexuesi sheh, dëgjon dhe ndien njëkohësisht.

Lasgushi arrin atë që arti i madh synon gjithmonë: bashkimin e shqisave, ku fjala bëhet ngjyrë dhe tingull. Ai është poet-piktor-muzikant, dhe pikërisht për këtë, peizazhi i tij poetik e tejkalon natyrën për të hyrë në përjetësinë estetike.

Studimi krahasues tregon se, megjithëse Poradeci dhe Eminescu ndajnë interesin për figurën dhe natyrën, qasjet e tyre artistike janë të ndryshme. Poradeci e afron lexuesin direkt me pamje të gjalla dhe ndjenja të prekshme, ndërsa Eminescu ofron një reflektim metafizik mbi të njëjtën natyrë. Poezia e fundit e Poradecit, “Liqeri vjeshtarak”, e demonstron më qartë se si figura, ngjyrat dhe muzikaliteti mund të krijojnë një tablo poetike të gjallë. Ky krahasim nënvizon se lidhja midis poezisë dhe pikturës nuk është vetëm metaforike, por funksionon si një urë estetike për të kuptuar emocionet dhe simbolikën në artin letrar

Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu jetuan në periudha të ndryshme, por të dy u ndikuan nga romantizmi dhe një përkushtim i thellë ndaj natyrës. Eminescu shpesh përqendrohet në simbole metafizike dhe nostalgji të kohës së shkuar, ndërsa Poradeci shfaq një përqendrim më të fortë në peizazhin dhe emocionin e drejtpërdrejtë. Krahasimi i tyre lejon të kuptohet se si perceptimi i natyrës dhe emocioneve ndikonte në mënyrën se si figura artistike bëhet simbol i përjetësisë. Të dy poetët krijojnë figura që mund të interpretohen edhe vizualisht. Për Poradecin, liqeri dhe pylli janë tablo që transmetojnë ngrohtësi dhe magji, ndërsa te Eminescu, elementet e natyrës shpesh shfaqen si skena teatrale ku ndodhen mendime dhe ndjenja njerëzore. Në këtë kuptim, poezia shërben si një “pikturë e gjallë”, ku secila figurë ka ngjyrat dhe ritmin e saj.

Poezia e Lasgushit është një art i trefishtë: fjalë, figurë dhe muzikë. Çdo varg mund të shihet si një brushë që prek telajon e shpirtit, duke lënë gjurmë tingujsh dhe ngjyrash. Muzikaliteti i vargjeve të tij lidhet ngushtë me traditën popullore shqiptare dhe me ritmin e natyrës, duke krijuar një poet unik që ndërthur universalen me kombëtaren, filozofiken me estetikën.

Studimi krahasues tregon se, megjithëse Poradeci dhe Eminescu ndajnë interesin për figurën dhe natyrën, qasjet e tyre artistike janë të ndryshme. Poradeci e afron lexuesin direkt me pamje të gjalla dhe ndjenja të prekshme, ndërsa Eminescu ofron një reflektim metafizik mbi të njëjtën natyrë. Ky krahasim nënvizon se lidhja midis poezisë dhe pikturës nuk është vetëm metaforike, por funksionon si një urë estetike për të kuptuar emocionet dhe simbolikën në artin letrar.

 Gjithësesi, përveç këtyre treguesve të tërthortë, prova më e sigurtë dhe më e rëndësishme në pohimin e këtij pozicionimi ndaj filozofisë është disertacioni për doktoraturën i poetit me titull “Eminesku i injoruar dhe ideologjia e tij popullore atdhetare”, ku ai merret me studimin e veprës së kryepoetit rumun Mihail Eminesku.

Sa si shkruan një studiues i njohur rumun për të: “Monografia për Emineskun me të cilin poeti Lasgush Poradeci mbrojti doktoratën e vet në Universitetin e Grazit, na çudit të gjithëve me përmasat e shtrirjes, me thellësine e gjykimit e të analizave, me njohjen e thellë të letërsisë rumune e evropiane, me aftësinë për të vënë në dukje lidhjet e Emineskut me kulturën e folklorin rumun e me poezinë e filozofinë gjermane dhe botërore. 

Ndërsa Moikom Zeqo, një tjetër autor që e ka njohur shumë më nga afër poetin, sqaron se “Lasgushi e ka shënjuar vetë të shkruajë për Emineskun, sepse Eminesku është poeti ku ai shihte vetveten si poet” (Moikom Zeqo), ndërsa në fund të studimit mbi doktoraturën e tij, ai përcakton: “Eminesku është i rëndësishëm për Lasgushin, jo thjesht se ai e ka studiuar atë. Eminesku është një mentor shpirtëror i Lasgushit që në rininë e hershme. 

Studimi krahasues i Lasgushit dhe Emineskut tregon se poezia është një formë arti që shkon përtej kufijve të gjuhës dhe kombit. Të dy poetët krijojnë një art ku fjala bëhet figurë, figura bëhet muzikë, dhe muzika shndërrohet në emocion universal. Poezia shfaqet si pikturë e shpirtit dhe melodi e pavdekshme.

Filed Under: LETERSI

Gjykata e Kosovës në Hagë – pa Kosovën, pa simbolet e Kosovës

August 27, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë (të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale për Kosovën) përbën një nga fenomenet më paradoksale dhe më kontroverse të drejtësisë ndërkombëtare dhe tranzicionale. Juridikisht, kjo gjykatë është e Republikës së Kosovës, e ngritur mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2015 dhe e funksionalizuar me Ligjin nr. 05/L-053, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Por praktikisht, është një gjykatë e zhveshur nga shteti që e ka krijuar: pa Kosovën dhe pa simbolet e saj shtetërore.

Në sallat gjyqësore të saj në Hagë nuk shfaqet flamuri i Kosovës, stema e saj kushtetuese, apo shqiponja dykrenore në sfond të kuq, që mishëron identitetin kombëtar dhe sakrificat historike të popullit shqiptar. Në vend të tyre, qëndron vetëm një logo neutrale, e dizajnuar për të shmangur çdo lidhje simbolike me shtetin e Kosovës.

Kjo situatë prodhon një paradoks të pashembullt: një gjykatë që në emër është e Kosovës, që në teori funksionon si pjesë e sistemit të saj gjyqësor, por që në realitet operon si një mekanizëm ndërkombëtar, i shkëputur nga çdo element i sovranitetit kushtetues dhe simbolik të Republikës së Kosovës.

Aspekti juridik – një gjykatë e Kosovës me karakter ndërkombëtar të imponuar

Gjykata Speciale është juridikisht një gjykatë hibride, por me elemente të njëanshme ndërkombëtare.

-Baza kushtetuese dhe ligjore: Ajo është themeluar mbi bazën e nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit nr. 05/L-053. Këto dispozita e bëjnë Gjykatën formalisht pjesë të sistemit gjyqësor të Kosovës.

-Vendndodhja: Për arsye të supozuara të sigurisë dhe mbrojtjes së dëshmitarëve, vendndodhja u zhvendos në Hagë. Ky transferim, megjithatë, solli edhe një shkëputje institucionale dhe simbolike nga Kosova.

-Simbolet shtetërore: Meqenëse disa shtete, përfshirë Serbinë, kundërshtonin përdorimin e simboleve të Kosovës, gjykata u dizajnua si një strukturë neutrale, pa elemente që do ta lidhin vizualisht me Republikën e Kosovës.

Kështu kemi një dualitet juridik: de jure gjykatë e Kosovës, de facto një organ ndërkombëtar i importuar në Hagë.

Aspekti politik – imponimi i “neutralitetit” ndaj Kosovës

Heqja dorë nga simbolet shtetërore nuk ishte vendim juridik, por kompromis politik i imponuar:

-Serbia e kundërshtoi hapur që një gjykatë me simbolet e Kosovës të trajtonte krime të luftës, duke e interpretuar këtë si legjitimim të shtetit të Kosovës.

-Bashkimi Evropian, duke ndjekur politikën e “neutralitetit ndaj statusit të Kosovës”, insistoi që gjykata të jetë e zhveshur nga simbolet e saj shtetërore.

-Kosova, nën presion ndërkombëtar, pranoi këtë model, duke sakrifikuar elemente të sovranitetit në mënyrë që gjykata të funksionalizohej.

Ky kompromis i dhimbshëm prodhoi perceptimin e një shteti që pranon të mos shihet si i plotë dhe sovran në një nga institucionet që vetë e ka themeluar.

Aspekti krahasimor – gjykata hibride me dhe pa simbole

Në krahasim me raste të tjera:

-Sierra Leone (2002): Gjykata Speciale mbante flamurin e Sierra Leone-s krah atij të OKB-së.

-Kamboxhia (2006): Dhomat e Jashtëzakonshme zhvilloheshin me simbolet e shtetit kamboxhian.

-Timor-Leste (1999-2005): Gjykatat hibride kishin simbolet kombëtare të Timorit të pranishme.

-ICTY për ish-Jugosllavinë dhe ICTR për Ruandën: Nuk kishin simbole shtetërore, por vetëm ato të OKB-së – pasi ishin tribunale tërësisht ndërkombëtare, jo pjesë e ndonjë sistemi kombëtar.

Ndryshe nga të gjitha këto, rasti i Kosovës është unik: një gjykatë që është formalisht pjesë e një shteti, por që nuk mban asnjë element që e identifikon atë shtet.

Aspekti simbolik dhe diplomatik – drejtësi pa identitet

Mungesa e simboleve prodhon pasoja të rënda:

-Në Kosovë: krijon perceptimin se gjykata nuk është e saj, por një strukturë e huaj e imponuar.

-Në arenën ndërkombëtare: shfaq Kosovën si një shtet me subjektivitet të kufizuar, i paaftë të afirmojë simbolet e veta në një institucion juridik të vetin.

-Për viktimat dhe publikun: prodhon ndjesinë e një drejtësie “pa Kosovën”, që zhvillohet në emër të saj por jashtë identitetit të saj kombëtar.

Në këtë kuptim, gjykata është perceptuar si një “njollë mbi Kosovën”, sepse ndëshkon në emër të saj, por pa praninë e shtetit dhe pa dinjitetin e tij institucional.

Gjykata Speciale për Kosovën është një fenomen juridik i pa shembullt në historinë e drejtësisë hibride dhe ndërkombëtare:

-Është juridikisht pjesë e sistemit të Kosovës, por fizikisht e vendosur jashtë saj.

-Është themeluar nga Kosova, por pa simbolet e Kosovës.

-Është gjykatë e një shteti, por pa shpirtin institucional dhe identitetin simbolik të atij shteti.

Në përmbledhje:Është një gjykatë e Kosovës në Hagë – por pa Kosovën, pa simbolet e saj, pa dinjitetin e saj shtetëror.

Ky është një paradoks i pashembullt në botë, që tregon se sovraniteti i Kosovës ende perceptohet si i kufizuar dhe se është e domosdoshme një strategji e re diplomatike dhe juridike për ta afirmuar identitetin shtetëror dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në çdo forum të drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 359
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT