• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Poshtërimi i sulltan Mehmetit II Fatih përballë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë dhe Masakra e Çidhnës në Dibrën e Poshtme (Gusht 1466)”

August 27, 2025 by s p

*Më 1 gusht të vitit 1466 [1], pasi kishte pësuar humbje katastrofike përballë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke lënë nën muret e Kështjellës së Krujës dhe rrethinat e saj plot 30.000 [2] – 35.000 ushtarë të vrarë [3], sulltan Mehmeti II Fatih vendosi të tërhiqet për në Stamboll i poshtëruar botërisht, duke lënë 80.000 ushtarë të zgjedhur nën komandën e renegatit arbër, Ballaban Pasha, për të vijuar rrethimin e Krujës me shpresën se garnizoni mbrojtës mund të dorëzohej nga uria [4]. Pas largimit nga Kruja, Mehmeti II me masën kryesore të armatës perandorake, marshoi në drejtim të jugut dhe u ndal pranë rrënojave të qytetit të lashtë ilir, “Scampa” ose “Valmi”, i shkatërruar gjatë dyndjeve të popujve barbarë. Sipas lajmeve, të cilat qarkulluan fillimisht në qytetin e Venecias dhe që nga aty, në të gjitha kancelaritë europiane të kohës, duke nisur nga njoftimet e para të ambasadorit milanez, Gherardo de Collis (korrik 1466), flitej se: “Sulltan Mehmeti II Fatih ishte larguar për mungesë të theksuar ushqimesh, sepse kishte mobilizuar një ushtri aq të madhe sa në Arbëri nuk gjendej as fije bari, edhe kanë ngrënë jo vetëm drithërat, hardhi dhe barëra të tjera të tokës, por deri edhe gjethet e pemëve, në mënyrë që i gjithë vendi, deri pak pranë qytetit të Shkodrës, atë vit nuk do të korrë drithë, as do të prodhojë verë dhe as ushqime të tjera [5].”

Ndërsa, A.Gegaj, i cili bazohet kryesisht tek G.Biemmi, e përmbledh shumë shkurt, duke nënvizuar faktin se Kruja i qëndroi të gjitha sulmeve të trupave osmane, të cilët ushtria e paepur e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i shfaroste sa herë sulmonin dhe shton se Mehmeti II, pasi e kuptoi që s’kishte asnjë shpresë, as nga tradhtia, as nga forca e hapur dhe duke iu trembur famës që kishte fituar, vendosi të largohet nga Kruja [6]. A.Cutolo, duke vlerësuar qëndresën titanike të popullit arbër dhe duke analizuar situatën kritike në të cilën ndodhej Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1466, konkludon me shumë të drejtë, se: “Pak më shumë se 14.000 burrave u pati rënë të përballonin goditjen e njërës prej ushtrive më të mëdha që kishte pushtuar ndonjëherë atë tokë, ndërsa Europa ende nuk arrinte ta kuptonte se ai garnizon heroik mbronte edhe Krishtërimin nga Islami [7].” Mbi shkaqet e largimit të sulltan Mehmetit II Fatih nga Kruja, flet edhe kronisti bizantin Kritobuli, i cili duke qenë i pranishëm gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve, mundohet ta justifikojë këtë disfatë të turpshme, duke shkruar se: “Atje tek Ilirët ekzistonte një kështjellë e mbrojtur mirë dhe shumë e fuqishme, e quajtur Krujë. Kjo bile ishte si akropol dhe mburojë e gjithë vendit. Këtë, babai i sulltanit (Murati II), kishte tentuar dhe më parë (që ta merrte) me shumë mënyra: me topa, me makina gurëhedhëse dhe me rrethim të gjatë, por nuk mundi ta pushtonte, aq ishte e fortifikuar. Pra, kur arriti këtu sulltani (Mehmeti II), duke parë se ishte e fortifikuar dhe e mbrojtur dhe nuk kishte mundësi të pushtohej me lehtësi, nuk mendoi se duhej të operonte tërësisht kundër kësaj (kështjelle) dhe të mundohej, të vuante dhe të harxhonte kohë duke qëndruar aty afër me ushtrinë dhe, duke bërë një rrethim të gjatë, të humbiste kot trupa dhe të holla. Kishte mundësi me një mënyrë tjetër ta shtinte në dorë qytetin dhe vendin, pa mundim dhe pa rrezik [8].”

Edhe në malësitë e Veriut të Arbërisë, njësoj si në Krujë, osmanët dështuan në përpjekjet e tyre përballë Lekës III Dukagjinit, i cili duke bashkëpunuar ngushtë me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe nipin e tij, Ivan Cernojeviç, princ i Zetës së Sipërme (Mali i Zi), shpëtuan qytetet e rëndësishme të Arbërisë Veriperëndimore të kontrolluar nga Republika Veneciane, si: Shkodra, Lezha, Danja, Drishti dhe Ulqini. Ndaj, si shpagim për dështimin e kësaj fushate ushtarake, sulltan Mehmeti II Fatih, u hakmor, duke urdhëruar masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile, spastrim etnik, shfarosje masive, djegie dhe shkatërrime që nuk ishin parë dhe dëgjuar asnjëherë më parë në Kontinentin Europian, madje as në kohën e dyndjeve barbare! Ata që i shpëtuan vdekjes nga sulmet e ushtarëve turq, përjetuan një fat akoma më të kobshëm, sepse u kapën robër dhe u shitën si skllevër nëpër tregjet e improvizuara apo pranë qendrave të banuara ku kalonin rrugë të rëndësishme tregtare. Masakrat dhe barbarizmat që udhëhoqi sulltan Mehmeti II Fatih në Arbëri ishin një gjenocid i pastër me përmasa të tmerrshme mbi një popull të pafajshëm, i cili sipas kronistëve osmanë të kohës, duhej shkulur nga rrënjët për t’u zhdukur nga faqja e dheut për të vetmen arsye se ata dëshironin të jetonin të lirë në trojet e veta shekullore.

Për ta vërtetuar se ajo çfarë ndodhi në Arbëri gjatë vitit 1466 ishte me të vërtetë një gjenocid i pastër, ky fakt i pakontestueshëm konfirmohet nga vetë kronistët osmanë, të cilët shuajnë çdo përpjekje për ta parë këtë çështje në një optikë tjetër. Këvami shkruan se: “Bejlerëve të aftë ai (sulltani) iu dha një sasi ushtarësh e i shpërndau në çdo anë. Ata depërtuan, luftuan dhe gjuajtën disa mijëra të pafe (Arbër), i kapën dhe i prunë përpara sulltanit të botës. Padishahu i botës, disave prej tyre ua preu kokat, ndërsa disa të tjerë i çau në dysh. Të gjithë të tjerët, urdhëroi dhe i shkuan në shpatë para tij [9].” Kronisti osman, Idris Bitlisi, paraqet një tablo edhe më të përgjakshme, sepse thotë se: “Shumica e krerëve krenarë, kryelartë e mizorë të këtij populli keqbërës u lidhën me prangat dhe zinxhirët e humbjes së rëndë dhe në duart e fitimtarëve ranë kaq varganë hyrish e djemsh fytyrëhënë me gërsheta të thurura si zinxhirë dhe me flokë kaçurrela. Preja e kafshëve që përdoren për të hipur dhe e bagëtive, që përbëjnë pasurinë e zakonshme të këtyre të pafeve të mallkuar e që ranë në dorë të fitimtarëve, nga që ishte e shumtë, nuk qe e mundur të llogaritej. Meqë ishte një ushtri e madhe robërish, të tërë vetijëndritur që kishin bukurinë e Jusufit (figurë biblike; Jozefi i bukur i Egjiptit, djali i preferuar i Jakobit dhe një ndër paraardhësit e 12 fiseve të Izraelit – P.Z.) dhe që u shtinin zilinë zanave, zakonisht këta u nxorën herë mbas here në ankand për 4.000 derhem ari (secili). Por meqë numërohej një fat i madh të blije të këtilla krijesa të këndëshme, çmimi i çdonjërit prej sish në tregun e ankandit arriti në 20-30.000 derhemë ari.

Bile nuk mbeti njeri pa e kthyer kokën që t’i blinte, përveç ashikëve veteranë e të falimentuar, që ishin adhurues të bukurisë së faqehënave. Sa për të pafetë kokëfortë dhe vramuzë që ishin të kaluar nga mosha dhe që kishin pamjen e djallit, shumë nga këta iu ekspozuan shpatës së hakmarrjes së luftëtarëve duke u vrarë herë mbas here nga 3.000, 4.000 e deri në 7.000 prej sish. Duke marrë pjesë në gostinë (me temën): “Vrajini krejt të pafetë!”, mijëra militantë e luftëtarë u ngopën, duke derdhur gjakun e mijëra e mijëra robërish që u bënë pre e shpatave të tyre gjakpikuese. Mbas kësaj beteje që u fitua nga myslimanët ashtu siç kishin dëshiruar ata dhe mbasi u nënshtrua populli i atij vendi, për të vendosur rendin në një vend të këtillë plot paudhësish e trazirash dhe për qeverisjen e këtij vendi plot me rreziqe, sulltani urdhëroi ngritjen e një fortese të fortë, më të fortë nga të gjitha fortesat që ishin në botë [10].” Ndërsa, vetë kronisti personal i Mehmetit II, Tursun Beu, i cili ishte i pranishëm gjatë zhvillimit të këtyre masakrave mbi popullsinë civile, duke mbajtur shënimet përkatëse, shkruan me shumë entuziazëm se: “Atëherë u dha urdhëri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin përpara Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, fap-fap, i ekzekutonin. I bënë kështu ata njerëz që aq të etur e të dëshiruar qenë pas vdekjes, të shijonin verën e rrënimit që derdhej prej shpatës së shndritshme.

Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në 3.000, 4.000, 7.000 nga të pafetë. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. Prej gjakut të derdhur, rrafshina të gjera tani ngjasonin si Amudarja që rridhte [11].” Mbi brutalitetin e ushtrive osmane në vitin 1466 flitet edhe në historiografinë moderne turke, ku thuhet se popullatat lokale që fshiheshin nëpër male, ndiqeshin dhe masakroheshin pa mëshirë; gra e fëmijë merreshin peng, ndërkohë që Arbëria përjetoi një plaçkitje të pabesueshme [12]. Plaçka ishte aq e madhe sa shumë prej kafshëve shtëpiake të kapura, vriteshin në mënyrë që të mos u liheshin armiqve [13]. Edhe kafshët e egra në male vuajtën prej kësaj dhune kaq të madhe [14]. Përveç këtij gjenocidi dhe shkatërrimi masiv të vendit, i cili preku të gjithë popullsinë autoktone në shumë vendbanime të Arbërise së Mesme dhe Veriore, pasojat më të rënda në kohë afatgjatë do t’i shkaktonte rindërtimi kështjellës së lashtë të Valmit, projekt i cili u realizua për të mbështetur veprimtarinë luftarake të trupave të Ballaban Pashës, furnizimin e tyre me mjete lufte, produkte ushqimore dhe materiale të ndryshme. Kjo kështjellë e fuqishme, që u ndërtua në qendër të Arbërisë, do të funksiononte si kundërpeshë e Krujës dhe si pikëmbështetje e rëndësishme për forcat ushtarake osmane që vepronin në këto treva [15].

Në fund të muajit gusht të vitit 1466, sulltan Mehmeti II Fatih vendosi të kthehet në Stamboll dhe armata perandorake osmane marshoi drejt Lindjes. Gjatë rrugës së kthimit ai kaloi nëpër trevën e Dibrës [16] dhe vendosi të kryejë një fushatë agresive, duke plaçkitur e masakruar popullin dibran [17]. I zemëruar nga rrethimi i dështuar i Krujës, Mehmedi II urdhëroi ushtrinë e tij në tërheqje të shkatërronte gjithçka në rrugën e saj dhe Lugina e lumit Drin i Zi, një nga zonat më të populluara nëpër të cilat po kthehej ushtria osmane, pësoi një katastrofë të tmerrshme [18]. Gjithçka u shkatërrua mizorisht me hekur dhe zjarr [19]… Kësaj batërdie nuk i shpëtuan edhe shumë banorë, të cilët ishin strehuar nëpër rajonet e thella malore, që në fillim të fushatës perandorake osmane dhe po qëndronin aty nën mbrojtjen e çetave malore arbëre. Një numër shumë i madh familjesh ishin strehuar sidomos në luginën e Çidhnës, ku mund të hyje vetëm nëpërmjet disa grykave aq të ngushta sa mjaftonte vetëm një trupë e vogël ushtarësh për të mbajtur larg me lehtësi çdo mori armiqsh [20]. Pikërisht në kështjellën e Çidhnës dhe rreth saj ishin vendosur banorët e fshatrave të Dibrës së Poshtme [21]. Për fatin e tyre të keq, gjatë zhvillimit të këtij inkursioni të madh osman në trevën e Dibrës, dy renegatë arbër [22], që kishin dezertuar nga ushtria e tyre, shkuan pranë Mehmetit II Fatih dhe e njoftuan për këtë vend strehimi, hyrjet e të cilit për nga natyra ishin të vështira për t’u aksesuar [23].

Dezertorët, që i njihnin shumë mirë shtigjet e këtij vendi, u vetëofruan pranë sulltanit me një propozim makabër dhe monarku gjakatar turk e pranoi me shumë kënaqësi ofertën e tradhtarëve, duke iu premtuar atyre shpërblime të majme [24]. Pa humbur kohë, Mehmeti II Fatih vendosi të niset menjëherë për të sulmuar kështjellën e Çidhnës, e cila mundonte vazhdimisht prapavijën e ushtrisë së tij [25]. Ai mori me vete luftëtarët më të fuqishëm dhe të nesërmen në mëngjes u nis drejt Çidhnës, duke përshkuar një distancë prej 12 miljesh (19.3 km – P.Z.) nëpër shtigje malore shumë të vështira dhe pasi udhëtuan për 5 orë, arritën në destinacion [26]. Të dhënat burimore mbi itinerarin e ndjekur nga forcat e armatës perandorake osmane, që rrethuan kështjellën dhe luginën e Çidhnës mungojnë, por duke u mbështetur në karakterin e terrenit, mund të thuhet se lëvizja e tyre është bërë, duke shfrytëzuar luginat dhe grykat malore pranë Çidhnës, ku mund të depërtohet nëpërmjet pesë shtigjeve: 1) Nga Veriu: Lanë Lurë – Xhaxhisht – Kështjella e Çidhnës, 2) nga Veriperëndimi: Borie-Lurë — Arth — Gurë-Lurë — Kështjella e Çidhnës, 3) nga Jugperëndimi: rrjedha e sipërme e lumit të Setës — Gurë-Lurë — Kështjella e Çidhnës, 4) nga Jugu: Sinë e Epërme — Kështjella e Çidhnës dhe 5) nga Lindja: Çidhna e Poshtme – Gryka e Setës – Kështjella e Çidhnës. Mund të supozohet se ushtria osmane duhet të jetë ndarë në disa pjesë dhe kolonat e saj kanë marshuar nëpër disa nga shtigjet kryesore, duke e rrethuar kështjellën e Çidhnës dhe vendstrehimet pranë saj nga të gjitha anët.

Vetë Mehmeti II Fatih, me masën kryesore të ushtrisë, ku mbizotëronin luftëtarët e korpusit të jeniçerëve, ka përshkuar rrugën e njohur dhe të përdorur historikisht, e cila lidhte qytetin e fortifikuar të Stellushit në Mat, me kështjellën e Çidhnës. Në këtë mënyrë, ai iu doli mbrojtësve të Çidhnës në prapashpinë [27]. Fillimisht turqit sulmuan çetat malore, që ruani Çidhnën, duke vrarë disa prej luftëtarëve arbër dhe të tjerët që i mbijetuan goditjeve të armikut, u detyruan të tërhiqen [28]. Pas kësaj, rruga ishte krejtësisht e hapur dhe e sigurt për forcat armike, të cilët e rrethuan Çidhnën nga të katër anët. Për pushtimin e Çidhnës Mehmeti II Fatih kishte marrë me vete edhe mjete të artilerisë. Në anën juglindore të kështjellës ngrihet shpati shkëmbor i Pllajut, i cili ndodhet në një lartësi dominuese mbi këtë kështjellë dhe aty është një rrafshinë e vogël, që sot njihet si “Rrafshja e Topit [29].” Vendi në fjalë është në jug të kështjellës së Çidhnës dhe ndodhet në një largësi rreth 400-500 m në vijë ajrore prej saj [30]. Pikërisht në këtë vend thuhet se turqit vendosën topin [31] me të cilin goditën dhe dëmtuan muret e kështjellës [32]. Shkaku kryesor për rënien e Çidhnës u bë një tradhtar vendas, prej fisit të Marçenëve, që besohet t’u ketë thënë turqve se sekretin e kështjellës e dinte ai: “Po e vutë topin aty, n’atë vend, kalanë e keni marrë [33].” Po ashtu, Mehmeti II Fatih dërgoi pranë të rrethuarve dy renegatët arbër, që ndodheshin me trupat e tij, për t’i bindur banorët që të dorëzoheshin [34]. Këta dy burra mjeranë [35], tradhtarë të atdheut të vet dhe të shitur te armiku (traitres à leur patrie et vendus à l’ennemi), u paraqitën te portat e Çidhnës, duke u shtirur se janë larguar nga Kruja për të ardhur dhe për të njoftuar bashkatdhetarët e tyre për gjendjen e mjerueshme të këtij qyteti dhe të gjithë Arbërisë [36]. Ata kërkuan të flasin me banorët kryesorë të Çidhnës [37] dhe gjatë takimit që zhvilluan me ta, i bënë të kuptojnë se Kruja, e rraskapitur dhe e asfiksuar nga gjatësia e rrethimit që po përjetonte, duke e parë veten pa shpresë lehtësimi, ishte gati t’i dorëzohej Ballaban Pashës, i cili vazhdoi ta sulmonte me një ushtri të madhe; se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke mos guxuar më të dilte para turqve për shkak të epërsisë së madhe të forcave të tyre, ishte tërhequr fshehurazi dhe e kishte braktisur Arbërinë; se sulltan Mehmeti II, duke qenë i sigurt për rënien e Krujës, udhëtoi nëpër Arbëri me një pjesë të mirë të trupave të tij dhe se nuk kishte as kështjella dhe as vende të rëndësishme, që refuzuan t’i hapin dyert për të; se dorëzimi ishte e vetmja rrugë që mund të ndiqej në rrethana kaq të trishtueshme dhe se ishte më mirë t’i nënshtroheshin zgjedhës së fitimtarit në kushte të tolerueshme, sesa të ekspozoheshin ndaj masakrës, zjarrit dhe gjithë tmerreve të një fitoreje të përgjakshme [38].

Propozimi i Mehmeti II Fatih ishte se nëse pranonin të dorëzoheshin, ai nuk do t’i trazonte [39]. Ai premtoi se do t’u linte atyre pronën e pasurinë, duke iu garantuar paprekshmërinë dhe lirinë e plotë të besimit dhe gjithçka që dy tradhtarët arbër i shtuan fjalimit të tyre, dukej aq e mundshme dhe aq e besueshme për banorët e Çidhnës [40]. Në fund ata ritheksuan se meqenëse të gjitha qytetet dhe kështjellat e tjera janë dorëzuar: “A nuk është më mirë të negociosh, pasi ka ende kohë dhe të marrësh kushte të tolerueshme [41]”? Të gjendur në një situatë pa rrugëdalje dhe me shpresën se mund t’u shpëtonin jetën mijëra civilëve, që ishin strehuar poshtë në luginën e lumit Seta, luftëtarët e garnizonit mbrojtës u detyruan të pranojnë kushtet e kapitullimit. Ata iu dorëzuan sulltan Mehmetit II Fatih me mirëbesim [42] dhe hapën njërën nga portat e qytetit [43]. Mirëpo, kur arriti që t’i shtinte në dorë këta njerëz të pafajshëm, të cilët ishin strehuar në këtë vend të sigurtë, që nuk rezultoi si i tillë, ai dha urdhër që ata të masakroheshin barbarisht, duke mos treguar mëshirë për asnjërin prej tyre [44]. Ata u shkuan në shpatë [45], në kundërshtim me fjalën e dhënë me betim [46] dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e kapitullimit [47]. Dh.Frangu thotë se gjatë rrugës së kthimit (për në Stamboll – P.Z.), ndodhi që, në sajë të një tradhtari maskara e kusar, besëthyes e të poshtër, Sulltani të pushtonte një kështjellë të madhe të Skënderbeut, të quajtur Çidhna (una gran fortezza del Prencipe Scanderbeg, chiamata Chidna), ku ndodheshin 8.000 ushtarë trima, pa numëruar fëmijët e gratë dhe njerëzit e tjerë të paaftë për të mbajtur armët, të cilëve u dha një vdekje të llahtarshme [48].”

Po ashtu, edhe M.Barleti pohon se: “8.000 burra, veç grave dhe fëmijëve, tirani i shkoi në thikë dhe derdhi me këtë mënyrë çnjerëzore gjak të pafajshëm, meqë nuk mundi të çfrynte dot egërsinë e vet kundër Skënderbeut [49].” Të njëjtin njoftim e ndeshim edhe te R.Knolles [50], P.Giovio [51], B.Bindoni [52], F.Sansovino [53], C.Campana [54], G.C.Saraceni [55], L. de Meneses [56], J.N.Duponcet [57], J. v. Hammer-Purgstall [58], C.Paganel [59], C.C.Moore [60] dhe F.Babinger [61]. Ndërsa G.Biemmi thotë se në Çidhën (Chidna) u masakruan 30.000 burra, gra e fëmijë, midis të cilëve 8.000 luftëtarë [62], njoftim që e ndeshim edhe te J.Pisko [63], E.Barbarich [64], A.Gegaj [65] dhe G.L.Kurbatov [66]. Të njëjtin njoftim, ku thuhet se: “sulltani, pa marrë parasysh gjininë dhe moshën e banorëve në qytetin e Çidhnës (Chidnæ oppido), rreth 30.000 u therën (incola omnes fere triginta mille fuerint obtruncati)”, e ndeshim edhe në kryeveprën monumentale “Illyricum Sacrum [67].” G.Pallotta [68], C.Simoni [69], F.S.Noli [70] dhe G.Francione [71] shkruajnë se bëhet fjalë për 28.000 njerëz: 8.000 burra dhe 20.000 pleq, gra e fëmijë. Kurse, A.Ermenji, flet për 20.000 burra, gra, pleq e fëmijë [72]. Në anën tjetër, në historiografinë e sotme shqiptare ndeshim se janë vrarë më se 10.000 pleq, gra e fëmijë [73]. Ndërsa studiuesit vendas nga Çidhna, flasin për 32.000 të vrarë: 8.000 burra dhe 24.000 gra, pleq e fëmijë, që ishin mbledhur nga fushat rreth e rotull për t’u strehuar dhe për t’i shpëtuar batërdisë turke [74]. Banorët e sotëm të Çidhnës e ruajnë ende kujtimin e hidhur të kësaj tragjedie, kur sulltan Mehmeti II Fatih, meqenëse nuk mundi ta pushtojë kështjellën e Kryeheroit me forcën e armëve, e shtiu në dorë me anën e një tradhtari, i cili tregoi rrugën e fshehtë, që vinte në prapashpinë nga ana e Stellushit [75]. Edhe historianët perëndimorë nënvizojnë faktin se sulltani nuk do të kishte mundur ta pushtojë dot Çidhnën përveç se me tradhti [76]. Në këtë vend, ai bëri një kasaphanë të tmerrshme, si hakmarrje për dështimin e fushatës së tij në Arbëri. Kjo tragjedi shkaktoi pikëllimin e thellë, por edhe dobësimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili asnjë herë më parë nuk kishte pësuar një humbje kaq të madhe [77].

Përveç të moshuarve, grave dhe fëmijëve, vdekja e 8.000 burrave të aftë për luftë, që ishin të gjithë njerëz të zgjedhur, mbi të cilët ai mund të mbështetej fuqimisht në çdo rast lufte, ishte një humbje shumë e rëndë për të [78]. Kurse civilët që u masakruan ishin kryesisht familjarët e oficerëve dhe ushtarëve të tij, por disa prej tyre ishin edhe njerëz të tij të afërm [79]. Pra, i vetmi faj i pleqve, i grave dhe i fëmijëve, që u masakruan pa mëshirë në Çidhën, ishte lidhja e gjakut me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe se djemtë e burrat e tyre luftonin përkrah Prijësit të tyre [80]. Krahas hakmarrjes, ky veprim luftarak kishte si qëllim të dobësonte bazat kryesore mbështetëse të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të terrorizonte popullsinë arbëre. Pasi arriti këtë sukses, i cili pjesërisht i shpëtoi fytyrën, por edhe hodhi disa themele për fushatën e vitit të ardhshëm, Mehmeti II Fatih vendosi të kthehet në Stamboll [81]. Mirëpo, ai nuk deshi të hidhej përtej kufirit pa trofe lufte [82]. Prandaj, një trofe i tmerrshëm kokash i të krishterëve të vrarë në këtë vend, i parapriu kthimit të Mehmetit II Fatih në Stamboll, sepse në këtë mënyrë, xhelati u mundua t’i japë vetes pamjen e një fituesi [83]. Pas largimit të tij nga Çidhna, një pjesë e rëndësishme e Principatës së Kastriotëve tani kishte mbetur pothuajse krejt pa njerëz [84]. Shtëpi të tëra u shuan dhe Çidhnën së bashku me të gjithë Dibrën, i mbuloi zia [85]. Ky ishte një gjenocid i pastër, që dëshmon urrejtjen patologjike të Fatihut ndaj Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe popullit të tij! Për Dibrën e Poshtme përmasat e kësaj katastrofe demografike ishin si një goditje kataklizmike dhe kjo pasqyrohet shumë qartë në regjistrat e hollësishëm osmanë të vitit 1467, ku nga 59 fshatra gjithsej, pas masakrës së Çidhnës, 45 prej tyre rezultonjë të kenë vetëm nga 2-10 shtëpi [86]. Ndërsa vetë fshatrat: Çidhna e Epërme dhe Çidhna e Poshtme, janë të regjistruar respektivisht me nga 16 dhe 8 shtëpi, pra 24 shtëpi gjithsej [87]. Për intensitetin e lartë të banimit në periudhën paraturke, dëshmon edhe vetë ekzistenca në hapësirën e fshatit Çidhën e rrënojave të 3 kishave katolike [88]. Po ashtu, si dëshmi e përmasave të kësaj tragjedie shërbejnë edhe gojëdhënat, legjendat dhe këngët e ruajtura brez pas brezi nga banorët vendas [89], por sidomos tre toponime që gjenden në Çidhën.

Ata janë: “Varret e të Vrarëve”, ku thuhet se janë varrosur viktimat në moshë të rritur, një varr tjetër masiv i quajtur “Varret e Cullve”, në të cilin janë varrosur fëmijët dhe aty pranë gjendet “Lugu i Vajit”, ku thuhet se çdo të dielë, në këtë vend, mblidheshin të mbijetuarit e masakrës së Çidhnës, të cilët vajtonin në mënyrë kolektive të afërmit e tyre, që ishin masakruar nga turqit [90]. Pasi çfryu tërbimin e tij në Çidhën, Mehmeti II Fatih, me një melankoli të madhe, vijoi rrugën e kthimit për në Stamboll [91] dhe njësoj siç veproi në Çidhën, ai shkatërroi të gjithë fshatrat, që ndodheshin përgjatë rrugës së tij të kthimit [92]. Ushtria e tij u largua nga vendi, duke lënë pas gërmadha, tym nga zjarret dhe grumbuj kufomash [93]. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u hakmor mbi forcat armike gjatë tërheqjes së tyre, duke vrarë një numër të konsiderueshëm, por megjithatë ai nuk mund ta lante humbjen e kaq shumë njerëzve besnikë [94]. Ajo që ndodhi në Çidhën ishte një tragjedi që preku zemrat e pjesës më të madhe të luftëtarëve arbër. Po ashtu, masakra e Çidhnës cilësohet si goditja më e rëndë shpirtërore për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe një ndër shkaqet, që më vonë do të ndikojë ndjeshëm në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore [95]. Në vitin pasardhës, 1467, sulltan Mehmeti II Fatih u rikthye përsëri në Arbëri, por u përball edhe një herë me poshtërim dhe humbje të mëdha përballë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. I detyruar të tërhiqej me turp drejt Stambollit, ai hoqi dorë nga çdo përpjekje e mëtejshme për ta sulmuar Krujën dhe Arbërinë, për aq kohë sa të jetonte kundërshtari i tij i pamposhtur.

BIBLIOGRAFIA:

1- J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 102; G.Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 141; A.Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 71.

2- A.Galanti, L’Albania: Notizie geografiche, etnografiche e storiche, f. 153.

3- S.Gopčević, Geschichte von Montenegro und Albanien, (Mit fünf Stammtafeln und drei Karten), f. 100.

4- G.B.De Burgo, Viaggio di cinque anni in Asia, Africa, & Europa, Parte seconda, Milano: Nelle stampe dell’Agnelli, 1686, f. 41; G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo V, Venezia: 1829, f. 159; J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 288; W.Deans, History of the Ottoman Empire: From the Earliest Period to the Present Time, London & Edingurgh: A.Fullarton & Co., 1854, f. 40; Ch.Dezobry & Th.Bachelet, Dictionnaire général de biographie et d’histoire, de mythologie, de géographie ancienne et moderne, Quatrième édition revue (Deuxième partie), Paris: Anciene Maison Dezobry, Madeleine, 1866, f. 2416; Zh.K.Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f. 284; L.Pastor, The history of the Popes, from the close of the Middle Ages (Drawn from the Secret Archives of the Vatican and other original sources), Volume IV, Second Edition, London: Kegan Paul, Trench, Trübner. & Co., L.D., Paternoster House, Charing Cross Road, 1900, f. 87; W.J.Armstrong, Scanderbeg: Prince of Albania, f. 63-64; G.Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 141; С.Димитров, Георги Кастриоти-Скендербег и неговата освободителна борба, në: Георги Кастриоти Скендербег 1468 – 1968, Поредица „Балкан” • Nº 2, София: Издателство на Българската академия на науките (Институт за балканистика), 1970 / Georges Kastriote Scanderbeg 1468-1968, Série „Balkans” • No. 2, Sofia: Éditions de L’Académie Bulgare des Sciences (Institut d’Études Balkaniques), 1970, f. 28.

5- L.Tacchella, Giorgio Castriota Skanderbeg e i Romani Pontefici nel Sec. XV – Paolo Angeli Arcivescovo di Durazzo e Ambasciatore di Skanderbeg a Venezia nel 1467 – Il Regno di Bosnia nel Sec. XV, f. 103; Shih edhe A.Plasari, Skënderbeu – Një histori politike, f. 684.

6- A.Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f. 143.

7- A.Cutolo, Scanderbeg, f. 203.

8- K.Bozhori & F.Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 348.

9- S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, Burime osmane, f. 117.

10- Ibidem, f. 153-154.

11- Tursun Beu, Kronikat, f. 150.

12- B.Bilmez, Skënderbeu në historiografinë turke: Sprovë për një vlerësim kritik, në: “Përpjekja (Revistë kulturore)”, Viti XIX, nr. 28-29, Skënderbeu i kërkimit shkencor, Tiranë: 2012, f. 265.

13- Ibidem, f. 265.

14- Ibidem, f. 265.

15- K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra (1405-1468), f. 431.

16- K.Frashëri, Historia e Dibrës: Që nga lashtësia deri në mars 1939, f. 122-123; H.A.Koçeku & Z.Gjoni, Çidhna, f. 19.

17- R.Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 85-86.

18- Г.Л.Курбатов, Скандербег, народный герой Албаний: популярный очерк, f. 96.

19- D.Farlatus & J.Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f. 426.

20- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.

21- R.Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 86.

22- A.Cutolo, Scanderbeg, f. 205; J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 341-342; C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 353; G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 182; F.S.Noli, Vepra IV, f. 583; H.Koltraka, Kastriotët e Kidnit Skënderbegas, f. 126.

23- J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 102.

24- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.

25- V.Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77.

26- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.

27- I.Cani, Rrënjët historike të Kastriotëve në Çidhën: Origjina fisnore e Kastriotëve (Studim historik e sociologjik), Fisi ndër më të lashtët në Dibër, Vëllimi II: “Dje, Sot, Nesër”, f. 150.

28- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.

29- H.Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f. 29.

30- H.Përnezha & R.Bitri, Toponimia e Çidhnës (Me 110 ilustrime fitografike dhe me një fjalës të leksikut të rrallë), f. 88.

31- H.Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f. 29-30.

32- H.Përnezha & R.Bitri, Toponimia e Çidhnës (Me 110 ilustrime fitografike dhe me një fjalës të leksikut të rrallë), f. 88.

33- H.Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f. 30.

34- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 341-342; C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 353.

35- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 353.

36- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.

37- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.

38- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.

39- P.Giovio, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 121.

40- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.

41- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.

42- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. I, f. 367.

43- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342; C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.

44- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.

45- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.

46- J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 289.

47- E.Upham, History of the Ottoman Empire: From Its Establishment, Till the Year 1828, In two volumes: Vol. I, Edinburgh: Constable and Company, 1829, f. 211.

48- D.Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 188.

49- M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 474.

50- R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 400.

51- P.Giovio, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 121.

52- B.Bindoni, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 133.

53- F.Sansovino, Historia Universale dell’origine, et imperio de’Turchi, f. 273.

54- C.Campana, Compendio historico, delle guerre ultimamente successe tra Christiani, & Turchi, & tra Turchi, & Persiani, Nel quale particolarmente si descrivono quelle fatte in Ungheria, & in Transilvania, fino al presente Anno MDXCVIl, In Vinegia: Presso Altobello Salicato, & Giacomo Vincenti, compagni. MDXCVIl (1597), f. 295.

55- G.C.Saraceni, I fatti d’arme famosi successi tra tutte le nationi del mondo, da che prima han cominciato a guerreggiare sino ad hora, Parte seconda/Volume II, In Venetia, Appresso Damian Zenaro, M.D.C. (1600), f. 465.

56- L. de Meneses, Exemplar de virtudes morales en la vida de Jorge Castrioto, llamado Scanderbeg, Principe de los Epirotas, y Albaneses, Offrecido a la ilustre juventud portuguesa, Lisboa: En la officina de Miguel Deslandes, Año 1688, f. 250.

57- J.N.Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.

58- G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo V, Venezia: 1829, f. 159.

59- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.

60- C.C.Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 353.

61- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. I, f. 367.

62- G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.

63- J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 102.

64- E.Barbarich, Albania (Monografia antropogeografica), f. 189.

65- A.Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f. 143, Shënimi nr. 1.

66- Г.Л.Курбатов, Скандербег, народный герой Албаний: популярный очерк, f. 96.

67- D.Farlatus & J.Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f. 426.

68- G.Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 141.

69- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 124.

70- F.S.Noli, Vepra IV, f. 190-583.

71- G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 182.

72- A.Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, Botimi i dytë, Tiranë: 1996, f. 83.

73- A.Buda, Skënderbeu Gjergj Kastrioti, në: Fjalori Enciklopedik Shqiptar 3. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë: 2009, f. 2352; J.Drançolli, Skënderbeu Gjergj Kastrioti (1405-1468), në: Fjalori Enciklopedik i Kosovës, II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Prishtinë: 2018, f. 1508; F.Daci, Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër – Turqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës, f. 78.

74- H.Koltraka, Kastriotët e Kidnit Skënderbegas, f. 126.

75- I.Cani, Rrënjët historike të Kastriotëve në Çidhën: Origjina fisnore e Kastriotëve (Studim historik e sociologjik), Fisi ndër më të lashtët në Dibër, Vëllimi II: “Dje, Sot, Nesër”, f. 150.

76- V.Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77; O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 376; G.Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 182.

77- R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 400.

78- G.C.Saraceni, I fatti d’arme famosi successi tra tutte le nationi del mondo, da che prima han cominciato a guerreggiare sino ad hora, Parte seconda/Volume II, In Venetia, Appresso Damian Zenaro, M.D.C. (1600), f. 465.

79- O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 376.

80- B.S.Këbej, Origjina dibrane e Skënderbeut, f. 55.

81- V.Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77.

82- J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 289.

83- C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.

84- J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 289.

85- H.A.Koçeku & Z.Gjoni, Çidhna, f. 20.

86- Më gjerësisht, shih: Vilajeti i Dibrës së Poshtme, në: Defteri i hollësishëm për zonat e Dibrës i vitit 1467 (përg. e red. Eduart Caka; përkth. Vexhi Buharaja; rec. Edmond Malaj, Ardian Muhaj), Akademia e Studimeve Albanologjike/Instituti i Historisë, Tiranë, 2019, f. 63-116.

87- Ibidem, f. 72-73.

88- A.Bunguri, Të dhëna arkeologjike nga Çidhna e Poshtme (Dibër), në: “Candavia”, 3, 2011, 197-219.

89- Xh.Martini, Optika e Schmitt-it për Skënderbeun (Kritikë), f. 18.

90- H.Përnezha, Krahina e Çidhnës (Histori dhe etnokulturë), f. 29.

91- R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 400.

92- V.Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77.

93- Г.Л.Курбатов, Скандербег, народный герой Албаний: популярный очерк, f. 96.

94- O.J.Schmitt, Skënderbeu, f. 376.

95- B.S.Këbej, Origjina dibrane e Skënderbeut, f. 56.

Nga: Paulin Zefi.

Luzern, Zvicër, 26.08.2025.

Filed Under: Histori

115-VJETORI I DITËLINDJES SË SHËN NENË TEREZËS DHE 20-VJETORI I BEKIMIT TË GURTHEMELIT TË KATEDRALËS SË SAJ NË PRISHTINË

August 27, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe në 20-vjetorin e bekimit të gurthemelit të Katedralës së saj në Prishtinë, SH. B. “DRITA” në Prishtinë dhe Qendra për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK) në Shkup, kanë njoftuar se nga 25 gusht deri më 5 shtator, organizohen “Ditët e Shën Nënë Terezës”, 2025. Ashtu si edhe në të kaluarën, ky program prej 10-ditësh kushtuar Shën Nën Terezës ka për qëllim të promovohen – anë e mbanë trojeve arbërore — aktivitete kulturore dhe shpirtërore që pasqyrojnë jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës në vende te të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Aktivitetet e shumta filluan me 26 gusht, 2025 – ditëlindjen e Nënë Terezës – me një koncert solemn nderimi në Katedralën “Shën Nënë Tereza” – në Prishtinë. Koncert Solemn në Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetorin e bekimit të gurthemelit të KatedralesAshtuqë me një pritje në Qendrën “Bogdanipolis” të Katedralës që mban emrin e Shënjtores së Kombit shqiptar, shënojnë hapjen zyrtare 10-ditëshe të veprimtarive vjetore të “DITËVE TË NËNË TEREZËS 2025”.  Një rast ky për të kujtuar këtë murgeshë të thjeshtë por në zë, të Kishës Katolike, një bije të madhe të Kombit shqiptar dhe kësaj Nëne të të gjithë njerzimit — që me të drejtK konsiderohet si nderi i Kishes dhe krenaria e kombit shqiptar. Për të kremtuar, pra jetën dhe veprën e shenjtëreshës tonë – një figurë që frymëzon mbarë njerëzimin, siç thuhet në njoftimin e përbashkët të organizatorëve të këytre veprimtarive pëkujtimore — Sh. B. “Drita” në Prishtinë dhe “QTSHK në Shkup. DITËT E SHËN NËNË TEREZËS – 2025: prgrami i plotë i aktiviteteve kulturore dhe shpirtërore

Nderimin që Nenë Tereza, i bën Kishës Katolike dhe Kombit shqiptar të të origjinës së saj, e ka shprehur më së miri dikur, miku i madh i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i dytë — duke thenë se Nënë Tereza ishte një prej misionarëve me te mëdhej të shekullit të kaluar. Me rastin e beatifikimit të Nenë Terezes, Papa Gjon Pali II tha se, “Perëndia e bëri këtë grua të thjesht, që vinte nga një prej rajoneve me të varfëra të Evropës, një instrument të zgjedhur për t’i shpallur Ungjillin të gjithë botës, jo duke predikuar, por me veprat e saja të përditëshme të dashurise, ndaj më të varfërëve të botës. Ajo ishte një misionare me një gjuhë universale të dashurisë që nuk njihte kufij as përjashtime dhe nuk kishte preferenca, perveç për më të harruarit e shoqërisë”, është shsprehur dikur miku i saj i ngusht, Papa Gjon Pali i II.

Por sot – në 115-vjetorin e lindjes së saj, më shumë se kurr, mesazhi i Nenë Terezës ështe gjithnjë mesazhi i bamirësisë, mesazhi i paqës dhe i dashurisë.  Nje murgeshë katolike, me origjinë shqiptare, në një vend kryesisht hinduist si India, Nenë Tereza kombinoi jetën e saj tejet të thjesht me një përqendrim te palëkundur ndaj më të varfërëve të botës duke krijuar kështu një rrjet botëror bamirësie. Ndërkohë që veprat e saja tejkalonin kufijt fetarë dhe etnikë, me punën e saja, ajo tërhoqi vëmendjen e udhëheqësve botërorë gjë që, në vitin 1979, Nenë Terezës i akordohet Çmimi Nobel për Paqe, hera e parë në historinë e Kombit shqiptar që një personalitet i tillë me origjinë shqiptare i akordohej një nderim i tillë ndërkombëtar – një nderim ky për vet Nenën Tereze por edhe krenari për të gjithë shqiptarët vullnet mirë kudo.

Sot, Kombi shqiptar, me të drejtë, eshtë krenar me Nenë Terezen. Por fatkeqsisht, nuk ishte gjithmonë kështu. Megjithse Nënë Tereza njihej anë e mbanë botës si bamirëse me origjine shqiptare, Shqipëria komuniste e viteve 70 e 80-të nuk e përmendëte fare atë, pasi regjimi i Enver Hoxhes, pothuaj, kishte zhdukur klerin katolik shqiptar dhe e kishte futur vendin në një absurditet ateist të paparë në historinë e njerëzimit. Regjimi komunist sllavo-aziatik enverist, refuzonte t’i jepte Nënë Terezës vizë-hyrje që te vizitonte nënen e motrën e saj dhe më vonë as nuk e lejoi që të merrte pjesë as në varrimin e nënës së saj. Çfarë regjimi i egër, i pashpirt, mizor e torturues!  Komunitetit të vjetër shqiptaro-amerikan, na kujtohet edhe sot kur përfaqsuesit e regjimit komunist shqiptar braktisën sallën e Kombeve të Bashkuara ndërsa Nenë Tereza i fliste botës në Tetor, 1985. “Jemi mbledhur këtu për të falënderuar Zotin për 40 vjet të punës së bukur të Kombeve të Bashkuara për të mirën e njerëzve”, ka thenë Nënë Tereza në OKB, duke shikuar një audiencë të plotë prej rreth 1,000 diplomatëve dhe figurave të shquara, kryesisht të veshur me kostume të zeza dhe fustane mbrëmjeje, raportonte me atë rast Gazeta e madhe Nju Jork Tajms duke cituar fjalët e Nenë Terezës para 1000 diplomatëve botërorë:  ”Asnjë ngjyrë, asnjë fe, asnjë kombësi nuk duhet të na ndajë – ne jemi të gjithë fëmijë të Zotit.”  Ndërkohë Gazeta Nju Jork Tajms citonte me atë rast fjalët e Presidentit Ronald Reagan për Nenë Terezën se ”Çdo pjesë e botës ka njohur stilin e ndritshëm të veëprimtarisë së kësaj gruaje të mrekullueshme të krishterë…Mijëra janë shpëtuar nga shtegu i varfërisë duke ditur se dikush kujdesej për ta.”  Sipas kronikës së Nju Jork Tajms, duke iu referuar dhjetëra liderëve botërorë që folën me atë rast nga i njëjti podium, Javier Perez de Cuellar, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë e prezantoi Nënën Terezën, duke thënë: ”Këtë javë kemi pasur privilegjin të kemi këtu burrat më të fuqishëm në botë. Tani kemi privilegjin të kemi gruan më të fuqishme në botë.”

Megjithse nepërmjet valeve të Zërit të Amerikës, përpiqeshim që Kombi shqiptar të mësonte sa më shumë për veprimtarinë e Nenë Terezes, regjimi komunist shqiptar bënte c’mos që të fshihte, por pa sukses, para shqiptarëve dhe botës, personin dhe imazhin që gëzonte Nenë Tereza anë e mbanë botës dhe shqiptarëve kudo, të cilët ishin në dijeni të veprimtarisë botërore të Nënë Terezës. Por sot, për fat të mirë, me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Nenë Terezës, gjërat kanë ndryshuar. Nënë Tereza – vetëm me ndonjë përjashtim aty këtu – gëzon pothuaj, universalisht, anë mbanë botës shqiptare respekt dhe admirim për veprat dhe imazhin që gëzon sot Nenë Tereza kudo si simbol dhe përfaqsuese e vlerave dhe traditave më të mira të kombit shqiptar, duke bërë të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët, anë e mbanë botës.

Ashtu si edhe më parë, në 115-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, sipas programit të njoftuar nga organizatorët, do të ndermirren aktivitete të shumta në kujtim të kësaj figure të madhe të Kombit shqiptar. Por ky përvjetor i lindjes së saj, përkon sivjet edhe me 20-vjetorin i inaugurimit të Katedrales “Nenë Tereza” në Dardaninë e lashtë në Prishtine, ku 2-3 dekada me parë tankset dhe forcat kriminele të ushtrisë dhe policisë serbe kishin për objektiv zhdukjen e racës shqiptare nga Dardania. Aty, pra, në ato troje të lashta dardane, sot ngrihet Katedralja kushtuar Nenë Terezës.  Neqoftse kerkoni mrekulli prej Nenë Terezës, shkoni në Prishtinë, në Shkup, Shkodër e Tiranë, kur para shembjes së Murit të Berlinit në trojet shqitare as nuk lejohej te permendej, zyrtarisht, emri i saj. Ateherë, kur Kombi shqiptar kërkonte Nenën “për me ba gjamën”, Nenë Tereza u pergjigj. Ishte miqesia e saj me Papa Gjon Palin e Dyte dhe më vonë edhe takimet e saj me ish-Presidentin amerikan Bill Clinton që luajtën një rol bindës për ndërhyrjen e NATO-s për të shpëtuar shqiptarët e Kosoves nga katastrofa shfaruese si banues të atyre torjeve. Vetë Presidenti Clinton, në shenimet e tia ka tnëne se, pas takimit me Nenë Terezën, ndiente një obligim që të bënte dicka për të shpëtuar popullin shqiptar.

Sa i përket 20-vjetorit të vendosjes së gurit themeltar të Katedralës në Prishtinë të shumtë kanë qeneë kontribuesit,  perfaqsues të ndryshëm fetarë, politikë dhe të rrymave të ndryshme të jetës e sidomos komuniteti shqiptaro-amerikan në Amerikë në veçanti, kanë kontribuar konsiderueshëm për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë, kredia kryesore për atë vepër të madhe u takon dy arkitektëve kryesorë që – ndër shumë të tjerë — benë të mundur ndërtimin e katedralës: Presidenti historik I Republikës së Kosoves, Dr. Ibrahim Rugoves dhe të ndjerit Imzot Mark Sopit, ish-ipeshkvit te Kosovës.  Kur u vendos gur themeli i Katedrales në Prishtinë me 26 gusht te vitit 2005, Presidenti Rugova tha nder të tjera se “Sot eshte një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po bekojmë gurin e themelit te një tempulli të shenjte, që i kushtohet Nenës së dashur Shqiptare-Kosovare dhe Nenës se Njerëzimit — te lumës Nenë Tereze — asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në të gjithë planetin, duke afirmuar vlerat tona e duke ndihmuar mbarë Njerëzimin.”

Me mall e respekt kujtoj vizitat zyrtare ne presidencën, ku pas bisedave zyrtare (si Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, NAAC) drejtohej për në dhomën ku mbante modelin miniaturë të Katedrales së ardhëshme. Me krenari dhe me nje entuziazëm të pashoq, Ibrahim Rugova fliste për arkitekturën dhe për vet objektin, jo vetëm si një monument fetar por edhe historik mbarë kombëtar.

Prandaj në këtë 115-vjetor të lindjes së Nenë Terezës dhe në 20-vjetorin e bekimit të gurit të parë të Katedralës kushtuar Nenë Terezës në Prishtinë, shqiptarët kudo, si individë dhe si komb të jemi krenarë me Nenë Terezën. Ashtuqë, me krenarinë tonë për jetën e veprat e saja ta tregojmë çdo ditë, sipas porosisë së saj – “me akte të vogëla dashurie”, sidomos në marrëdhëniet tona me njërin tjetrin kudo që jemi, pa dallim feje e krahine, si shqiptarë dhe me të tjerët si komb i denjë përfaqsues i Nenë Terezës, sepse Ajo është e të gjithë neve. 

Frank Shkreli

Featured Image

                                                 A group of people shaking hands

AI-generated content may be incorrect. “Mua më ka frymëzuar aq shumë edhe gjatë kohës sa merrem edhe me punë të shtetit të Kosovës dhe që kemi ndërtuar shtetin modern të Kosovës, pra po behën disa vite që Nënë Terezën e kam pasur si shembull të dashurisë, paqes, mirëkuptimit mes njerëzve dhe shërbimit ndaj popullit të vet”, është shprehur Ibrahim Rugova për Nënë Terezën          

A group of men posing for a photo

AI-generated content may be incorrect.

“Prej sot, shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova me një grup shqitaro-amerikanësh para monumentit të Nënë Terezës në Prishtinë

Sot në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë mbahet mesha për ...

                              Katedralja “Shën Nenë Tereza” në Prishtinë

A group of people posing for a photo

AI-generated content may be incorrect.

Me Nënë Terezen në Washington circa 1987 – me mikun e ngusht dhe kolegun e nderuar prej më shumë se gjysëm shekulli Dr Elez Biberaj dhe fmiljet tona në atë kohë

A person pointing at another person

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Opinion

E ardhmja e luftërave në shekullin XXI – studim rasti i Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe Kosovës

August 27, 2025 by s p

Prof. Dr.Muhamet Racaj/

Ky studim analizon evolucionin e luftës në shekullin XXI, me theks në konfliktet ruso-ukrainase dhe izraelito-palestineze, duke shtuar një rast krahasues nga Ballkani – luftën e Kosovës (1998–1999). Problemi kërkimor lidhet me pyetjen: a ka ndryshuar natyra e luftës apo vetëm teknologjitë dhe konteksti i saj? Metodologjia mbështetet në një analizë krahasuese historike dhe empirike, duke u bazuar në literaturë akademike, raporte ndërkombëtare dhe përvoja profesionale në fushën e sigurisë. Gjetjet tregojnë se pavarësisht përparimeve teknologjike (dronë, armë precize, AI, luftë kibernetike), thelbi i luftës si përballje politike dhe njerëzore mbetet i pandryshuar. Ukraina e shekullit XXI rikthen logjikën e luftës industriale, Gaza thekson luftën e informacionit dhe Kosovës i atribuohet statusi i pararendëses së luftës hibride. Artikulli konkludon se e ardhmja e luftës do të jetë njëkohësisht industriale dhe digjitale, ku perceptimi publik global ka rëndësi po aq sa fushëbeteja tokësore.

Kur Vladimir Putin nisi një operacion ushtarak special në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, e gjithë bota ishte në shok, duke parë me ankth zhvillimin e konfliktit. Edhe pse lufta është aq e vjetër sa njerëzimi, dhe nuk ka pasur kurrë një periudhë në histori gjatë së cilës nuk ka pasur luftë, pushtimi rus i Ukrainës ishte i tmerrshëm kryesisht për shkak të faktit se askush nuk priste një luftë në tokën evropiane në një shkallë të tillë. Rendi liberal demokratik krenohej me aftësinë e tij për të zgjidhur mosmarrëveshjet pa luftë, megjithëse dikur ishte plotësisht i pasuksesshëm, duke besuar fuqishëm në mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis Rusisë dhe Ukrainës përmes mjeteve diplomatike. Megjithatë, kjo luftë, së bashku me konfliktin shumëvjeçar izraelito-palestinez dhe përovojën tonë rajonale në Kosovë, na detyron të reflektojmë thellë mbi të ardhmen e luftërave në këtë shekull të ri.

Faktet dëshmojnë se përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk përfaqëson fundin e historisë, por shfaqjen e një rendi shumë më fluid. Pushtimi i Ukrainës tregon se parimi i sovranitetit shtetëror nuk është më një pengesë e pakalueshme. Në këtë kuptim, luftërat e ardhshme nuk duhet menduar si anomali, por si element i përhershëm i politikës ndërkombëtare.

Dy luftërat botërore janë laboratorët kryesorë të evolucionit ushtarak.

▪︎Në Luftën parë botërore, praktika tregoi pamundësinë e dominimit pa doktrinë;

▪︎Në Luftën II, Blitzkrieg tregoi që vetëm kombinimi i teknologjisë me koncept operacional sjell fitore.

▪︎Si paralel në shekullin XXI: dronët bëjnë diferencën vetëm kur futen në taktika të integruara. Kështu, historia dëshmon se teknologjitë vetë nuk fitojnë luftëra; ato fitohen nga organizimi dhe shpejtësia e përdorimit të tyre.

GWOT “Global War on Terror” (Lufta Globale kundër Terrorit). Kjo është një fushatë ushtarake dhe sigurie ndërkombëtare, kryesisht e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që filloi pas sulmeve terroristike të 11 shtatorit 2001 në SHBA. GWOT përfshin operacione ushtarake, zbulime dhe masa të ndryshme kundër grupeve terroriste dhe mbështetësve të tyre në mbarë botën.

Kjo gjykohet si një nga konfliktet kryesore globale me ndikim në sigurinë, politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në shekullin e 21-të. Nuk është një luftë botërore në kuptimin tradicional të luftërave të mëdha midis shteteve, por një konflikt i përhapur në shumë vende dhe rajone kundër terrorizmit.

Pra, GWOT nuk është një luftë botërore si Lufta e Parë Botërore ose Lufta e Dytë Botërore, por shkurtesa lidhet me “Global War on Terror” si një koncept bashkëkohor strategjik dhe ushtarak global qe shënoi lindjen e “luftës së shpërndarë” – pa fronte klasike. Për të ardhmen, kjo përbën treguesin se monopoli shtetëror mbi dhunën është i brishtë. Grupi taleban që operonte në male me municion të improvizuar parashikoi modelin e sotëm: civilë ukrainas që prodhojnë dronë kamikazë në garazhet e tyre. Në të ardhmen, kufiri midis “ushtrisë” dhe “civilit të armatosur” do të bëhet akoma më i turbullt.

Shekulli XXI ka provuar se nuk ekziston më një luftë e pastër konvencionale. Ukraina është një luftë hibride:

artileri industriale + dronë + propagandë + diplomaci.

Në Gaza, armët tradicionale ndërthuren me fushata dezinformuese globale. Përvoja e Kosovës më 1999 ishte pararendëse:

▪︎një forcë asimetrike (UÇK) kundër Jugosllavisë,

▪︎ndërhyrja e NATO-s përmes fuqisë ajrore, dhe

▪︎ fitimi i fushëbetejës narrative në opinionin global.

Informacioni është arma më e lirë dhe me ndikimin më të madh. Në Kosovë, pamjet e refugjatëve të shpallur në mediat ndërkombëtare legjitimuan ndërhyrjen. Në Ukrainë, një video e një tanku të shkatërruar arrin miliona shikime dhe shëndërrohet në armë propagandistike. Në Gaza, një foto e një fëmije të vrarë mund të ketë ndikim më të madh se një betejë e fituar në terren. Lufta e së ardhmes do të jetë luftë narrativesh ku algoritmet dhe rrjetet sociale vendosin klimën politike.

Kosova (1998–1999) ilustron një luftë ku ndërthuren elemente asimetrike, diplomatike, informative dhe konvencionale:

• NATO përdori sulme ajrore 78-ditore, pa ndërhyrë masivisht me trupa tokësore.

• Opinion publik ndërkombëtar u përdor si armë – pamjet e refugjatëve patën ndikim të jashtëzakonshëm.

• Diplomacia (Rambouillet) ishte pjesë përbërëse e fushës së betejës.

Ky rast parashenjoi shekullin XXI. Si në Ukrainë, edhe Kosova dëshmoi se teknologjia e aviacionit ka efekt vetëm kur kombinohet me diplomaci dhe narrativë. Si në Gaza, fushëbeteja e imazheve është thelbësore.

E ardhmja do të karakterizohet nga dronë inteligjentë, armë autonome dhe AI në fushëbetejë. Por fituesi do të jetë ai që arrin simbiozë midis njeriut dhe AI.

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe financiare do të jenë po aq të rrezikshme sa sulmet me raketa. Luftërat do të zhvillohen edhe në servera dhe në hapësirë. Kërcënimi i armëve anti-satelitore është realitet. Pa satelitë për GPS, armët precize bëhen të pavlefshme. Dominimi i orbitës do të jetë thelbësor.

Wagner, forcat mercenare, kompanitë e sigurisë private, grupet guerile, janë pjesë e arkitekturës së re të luftës. Konfliktet e ardhshme mund të jenë po aq “outsourced” sa shtetërore.

Në çdo luftë të ardhshme, suksesi matet me opinion publik. Një fitore taktike në terren që humbet perceptimin global është baraz me humbje strategjike.

Natyra e luftës nuk ndryshon – mbetet njerëzore dhe politike. Por format do të bëhen hibride, digjitale, kibernetike e kozmike. Shekulli XXI sjell rikthimin e luftës industriale (Ukraina) dhe ngritjen e luftës së perceptimeve (Gaza). Nga analiza e Luftërave Botërore, GWOT, Kosovës, Ukrainës dhe Gazës, u nxorën disa gjetje kryesore i përfundim:

• Thelbi i luftës nuk ndryshon, mbetet përplasje politike dhe njerëzore.

• Teknologjia evoluon, por përdorimi i saj varet nga njeriu dhe doktrina.

• Lufta hibride është forma dominante e shekullit XXI, që kombinon dimensionin konvencional, asimetrik, informativ dhe diplomatik.

• Ukraina paraqet modelin e luftës industriale moderne, ndërsa Gaza thelbëson luftën e perceptimeve.

• Kosova ishte pararendëse e këtij modeli, duke e demonstruar fuqinë e propagandës dhe ndërhyrjes shumëdimensionale në fund të shekullit XX.

Analiza dëshmoi se hipoteza e ngritur në hyrje konfirmohet: natyra e luftës nuk ndryshon me kalimin e kohës; ndryshojnë vetëm teknologjitë dhe format. Nga shpata e kohëve të lashta deri te dronët autonomë të sotëm, lufta mbetet përballje njeri‑me‑njeri, ku qëllimi është neutralizimi i kundërshtarit për qëllime politike.

Lufta e ardhshme në shekullin XXI do të jetë një kombinim i përmasave industriale (armë të mëdha, prodhim në masë) dhe digjitale (AI, kibernetikë, narrativë globale). Për këtë arsye, koncepti i luftës hibride është paradigma përfundimtare që e përkufizon këtë epokë.

Rekomandime:

Për politikëbërësit: Të zhvillojnë strategji gjithëpërfshirëse që kombinojnë mbrojtjen ushtarake tradicionale me reziliencën kibernetike dhe mbrojtjen e informacionit.

Për ushtritë moderne: Të investojnë në fuqinë industriale (armatime të rënda), por njëkohësisht në teknologji inovative (dronë, AI, luftë kibernetike).

Për fushën e sigurisë së brendshme: Të forcohet aftësia e shoqërisë për t’u përballur me propagandën dhe dezinformimin, përmes edukimit mediatik dhe transparencës.

Për kërkimet akademike: Duhet të fokusohet më tej në dimensionin e inteligjencës artificiale, hapësirës kozmike dhe ndikimit të kompanive private të sigurisë në strukturën e luftës moderne.

Për rajonin e Ballkanit: Rasti i Kosovës tregon se edhe konfliktet e vogla kanë ndikim global në arkitekturën e sigurisë; ndaj vendet e rajonit duhet të ndërtojnë kapacitete reziliente hibride.

Në fund dua të theksoj natyra e luftës nuk ndryshon – mbetet njerëzore dhe politike. Por format do të bëhen hibride, digjitale, kibernetike e kozmike.

Shekulli XXI sjell rikthimin e luftës industriale (Ukraina) dhe ngritjen e luftës së perceptimeve (Gaza).

Nga Luftërat Botërore, te GWOT, Kosova, Ukraina dhe Gaza rezulton kjo vijë logjike: njeriu mbetet në qendër. Teknologjia është vetëm një zgjatim i vullnetit dhe taktikës.

Shekulli XXI do të shohë një luftë njëkohësisht industriale dhe digjitale, tokësore dhe perceptive.

Hipoteza konfirmohet: natyra e luftës është e përhershme; mjetet vetëm ndryshojnë.

Filed Under: Analiza

NËNË TEREZA – NGA SHKUPI NË PËRJETËSI

August 26, 2025 by s p

Prof. dr. Skender ASANI/

Jemi mbledhur për të kujtuar dhe për të nderuar një nga figurat më të ndritura të njerëzimit dhe një nga krenaritë më të mëdha të kombit shqiptar Nënën Terezë, Gonxhe Bojaxhiun e Shkupit. E lindur në rrugicat e thjeshta të këtij qyteti, ajo u ngrit në lartësitë e shenjtërisë duke dëshmuar se dashuria, përulësia dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë forcat që e ndryshojnë botën.

Nënë Tereza nuk e zgjodhi rrugën e famës, por misionin e shenjtë. Ajo u bë Nënë për jetimët e Kalkutës, për të sëmurët, për të braktisurit, për të gjithë ata që bota i kishte harruar. Humanizmi i saj nuk ishte thjesht një filozofi, por një mënyrë jetese. Themelimi i Misionareve të Bamirësisë u shndërrua në një rrjet botëror shprese, ku çdo njeri pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit gjente dashuri dhe kujdes.

Por madhështia e saj nuk matet vetëm me veprat, por me dashurinë që ajo i vendosi në to. Ajo na mësoi se lumturia e vërtetë nuk qëndron tek ajo që marrim, por tek ajo që japim. Në çdo hap të saj, në çdo fjalë të butë e në çdo buzëqeshje të qetë, fshihej një mesazh i përjetshëm: “Duajeni njëri tjetrin ashtu siç unë ju desha ju.”

Tërmeti i vitit 1963 kishte rrënuar shtëpinë ku kishte lindur dhe ishte rritur Gonxhja. Por gjatë vizitës së saj në Shkup, në vitin 1980, kur u shpall qytetare nderi e kryeqytetit, me një akt simbolik dhe domethënës ajo mbolli një bredh për të shënjuar vendin e lindjes. Ky gjest nuk ishte vetëm rikthim i kujtesës historike për shtëpinë e saj, por edhe një përkujtesë për lagjen e katolikëve shqiptarë në sheshin e Shkupit. Më pas, autoritetet vendosën pranë bredhit një pllakë përkujtimore, duke e shënuar atë vend si pikën e nisjes së jetës së Gonxhe Bojaxhiut.

Në vitet ’90, me rënien e sistemit njëpartiak dhe hapjen e një epoke të re politike, ky vend mori një kuptim të dyfishtë: nga njëra anë u shndërrua në simbol të kujtesës së qëndrueshme për jetën e Nënë Terezës, ndërsa nga ana tjetër u bë edhe fushë beteje e narrativave që tentonin të deformonin identitetin e saj kombëtar. Pikërisht në këtë periudhë u intensifikuan përpjekjet për të fshirë gjurmët shqiptare të figurës së saj, por njëkohësisht u forcuan edhe iniciativat qytetare dhe institucionale për ta mbrojtur atë kujtesë.

Megjithatë, me lindjen e projekteve djallëzore që synonin të fshinin këtë kujtesë, ky vend hyri në shënjestër të mohimit. Falë rezistencës së shoqërisë së vetëdijshme për rëndësinë e tij, tashmë prej tri dekadash aty përkujtohet ditëlindja e saj me homazhe dhe manifestime të ndryshme kulturore ndër të cilat edhe ky promovim i tri librave që sot i kushtohen figurës së saj.

Tri botime të fundit kushtuar figurës së saj e sjellin këtë dritë nga kënde të ndryshme, por të ndërthurura në një të vetme. Libri im “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” përpiqet të shpalosë figurën e Nënës si një simbol frymëzimi për identitetin tonë kombëtar, duke treguar se Shkupi, me rrënjë të lashta ilire dhe dardane, ka dhënë bijë që ndriçuan botën. Ndërkaq, libri “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri” është një mozaik i rrëfimeve të gjalla, i dëshmive të Dom Lush Gjergjit, motrës Ivana dhe Nasta Mihillit, që na e sjellin Nënën jo si një figurë të mitizuar, por si një shenjtëreshë që qëndroi gjithmonë pranë më të varfërve.

Në këtë vijimësi përkujtimore vjen edhe libri i ri i Dom Lush Gjergjit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, i cili përmbledh urtësinë e saj shpirtërore dhe mesazhet e përjetshme që ajo la pas. Ky libër nuk është vetëm një fjalorth i thjeshtë porosish, por një udhërrëfyes i jetës së përditshme, ku dashuria, falja dhe përulësia shfaqen si themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri më njerëzore. Në këto faqe gjejmë fjalët e saj të thjeshta, por të ngarkuara me peshë morale, që na kujtojnë se shenjtëria nuk është e largët, por mund të bëhet realitet në çdo zemër që guxon të dojë pa kufij. Ky botim është një thirrje e qartë që trashëgimia e Nënës të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të kthehet në përvojë të gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Këto tri botime nuk janë vetëm libra; ato janë gurë themeli të kujtesës sonë kombëtare dhe shpirtërore. Njëri na tregon se si Gonxhja e Shkupit u bë kurorë e njerëzimit, tjetri na kujton se ajo nuk ishte vetëm, por e rrethuar nga bashkudhëtarë që ndanë me të sakrificën, dhimbjen dhe shpresën, ndërsa i treti na e sjell zërin e saj të gjallë përmes porosive të përjetshme që mbeten udhërrëfyes në jetën tonë të përditshme.

Në këtë ditë të shenjtë, ditëlindjen e saj, ne nuk përkujtojmë thjesht lindjen e një njeriu, por lindjen e një misioni. Një mision që e bëri dritë në errësirë, balsam për plagët e të harruarve, shpresë për një botë më të drejtë. Dhe ky mision vazhdon në çdo dorë që shërben, në çdo zemër që fal, në çdo shpirt që zgjedh dashurinë mbi urrejtjen.

E për ne shqiptarët, Nënë Tereza është një bekim dhe një përgjegjësi. Ajo e mbajti gjithmonë gjallë identitetin e saj shqiptar, duke e quajtur veten “bijë e popullit shqiptar”. Në këtë dhuratë hyjnore që Zoti i bëri kombit tonë fshihet një detyrë e madhe: të jemi bartës të dritës së saj, dëshmitarë të dashurisë që ajo shpërndau pa kufij.

Prandaj sot, duke nderuar Nënën Terezë, ne shpallim se drita e saj nuk ka perënduar. Ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga kombi ynë te mbarë njerëzimi. Ajo mbetet një fanar udhëzues për të sotmen dhe për të ardhmen, një thesar shpirtëror që nuk shuhet kurrë.

Filed Under: Komente

FEDERATA VATRA TELEGRAM URIMI Z.DIMAL BASHA ME RASTIN E ZGJEDHJES SI KRYETAR I PARLAMENTIT TË KOSOVËS

August 26, 2025 by s p

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha,

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen tuaj në detyrën e lartë dhe të nderuar të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ky është një moment historik që shënon jo vetëm besimin që ju është dhënë nga përfaqësuesit e popullit, por edhe përgjegjësinë e madhe për të drejtuar me mençuri dhe vizion një nga institucionet më të larta kushtetuese të vendit.

VATRA, si institucioni më i vjetër i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, beson fuqishëm se Kryesia e Kuvendit nën drejtimin tuaj do të avancojë më tej vlerat e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve të Kosovës.

Ne shprehim vullnetin tonë për vazhdimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Federatës “VATRA”, në funksion të çështjeve kombëtare, forcimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përparimit të gjithanshëm të shtetit të Kosovës.

Njëkohësisht, Federata “VATRA” nxit formimin sa më të shpejtë të një Qeverie stabile, që gëzon shumicën e nevojshme parlamentare, në mënyrë që proceset zhvillimore dhe integruese të shtetit të Kosovës të mos vonohen, por të thellohen dhe të përshpejtohen në interes të qytetarëve dhe në përputhje me aspiratat euroatlantike të vendit.

Duke ju uruar suksese të mëtejshme në misionin tuaj të ri, ju sigurojmë për mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.

Me respekt të veçantë,

Dr. Elmi Berisha,

Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 360
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT