• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“RËNIA” – RRЁFIM QЁ TЁ DRITHЁRON SHPIRTIN

May 2, 2025 by s p

Fuat Memelli/

Disa mbresa nga romani i fundit i Shefqet Mekos.

Ndër librat që lexova këto ditë ishte edhe romani “Rënia” e gazetarit dhe shkrimtarit Shefqet Meko. Ёshtё njё nga librat mё tё veçantё shkruar pёr kёtёpёriudhё dramatike tё shoqёrisё shqiptare. Ngjarjet e romanit zhvillohen në vitet 1987 deri 1990, në agoninë e sistemit komunist. Për ato kohë, janë bërë shkrime e botime, është folur në shtyp, në radio e televizion. Por, një roman i mirëfilltë si ky, ku autori depёrton thellё nё psikologjinё e kohёs, nё karaktere, ngarJe e momente tё jetuara, nё statukuonё vetvrasёse dhe propogandёn vdektare si ajo qё dёshmoi njё brez tёrё,nuk është shkruar dhe Meko vjen me njё rrёfim tёdobishёm.

“Rënia” është libri i nëntë i Shefqetit. Në këto botime përfshihen shkrime publicistikë,pёrkthime,tregime, novela si dhe tre romane. Prej afro një çerek shekulli, ai jeton në Amerikë, krijimtaria e Mekos ёshtё njё “dallgё” qё shkon e vjen Shqipëri-Amerika.Ai ёshtё kёtu dhe mbetet atje.Ёshtё atje dhe vjen kёtu. Kjo bie në sy sidomos në dy romanet e parë, “Saga përtej Atlantikut “ dhe Viza Amerikane” ndërsa te romani “Rënia” ka njё vetrrotullim plot fantazi artistike nga Shqipëria e “viteve tё zymta”kur “shtrёngonim rripin”…. Kjo ndodh sepse megjithëse autori tani ka dy atdhe, ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me atdheun e parë, pasi siç ka thënë Noli : ”Ne mërgimtarët vetëm degët kemi në mërgim, ndërsa rrënjët i kemi në Shqipëri.”

Romani të mbërthen qysh në faqet e para e deri në fund. Në epiqendër të romanit është gazetari Maks Prifti, kryeredaktor i gazetës së studentëve të ish Institutit të Lartë Bujqësor siç fantazon autori Shkolla e Lartё B. Maksi në fakt tё ngjason me autorin, por ngjason edhe me secilin nga ne qё jetuam ato vite.Ai ka punuar me përkushtim duke sjellë në faqet e gazetës një “sinfoni” zërash studentorë” siç shprehet vetë.Megjithëse shkrimet kishin frymën e kohës ,disa prej tyre e kishin kaluar “cakun’’ dhe gazetari jep llogari për këto “dalje nga shinat”. Rënia kishte filluar prej kohësh. Në mënyrë artistike autori tregon . mbylljen e Shqipërisë në guaskën e saj duke pretenduar për të qënë “fanar ndriçues” për të tjerët; varfëria ekonomike që kishte çuar te ushqimet me racion, tufëzimi ekstrem i fshatit, lufta e klasave duke internuar dhe burgosur mijra vetë. Janë ndarë sa e sa çifte ku një nga ata që nuk e pranuan në parti , për një njollë të gjetur në arkiv, ndahet vajza që e donte me shpirt dhe i kishin shkëmbyer unazat. Kjo dashuri është një linjë tjetër plot mbresa e romanit. Të gjitha këto më lart etj, ia kishin çuar thikën në palcë popullit. Rënia e murit të Berlinit dha shpresë për shumë vende të lindjes, midis tyre edhe për Shqipërinë. Edhe Tirana kishte ndier “tërmetin”. Vatra të këtij “tërmeti” ishin studentët e Institutit Bujqësor si dhe ata të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Në vorbullën e ngjarjeve në agimin e demokracisë, një vend të veçantë në roman ze ajo e ambasaave. Njё“tabllo murale” dhe artistiklisht e arrirё.Duke lëvizur me dyrotakun e tij (biçkletën) Maks Prifti përshkruan me drithërimë ato ngjarje. Grupe njerëzish vrapojnë drejt ambasadave. Disa nëna kërkojnë djemtë, ndonjë vajzë kërkon vëllanë. Edhe në këto ngjarje bie në sy dyzimi i personazhit kryesor që është vetë autori.-Të hyj apo të mos hyj? -pyet vetën ai.-Do rri këtu ku linda dhe u rita, është zëri tjetër që i del nga zemra. (Duke ndjerë këtë dyzim, na vjen ndërmend “”dvojniku”(dyzimi) i Mjakovskit, i cili në fillim i këndoi plot zjarr Revolucionit të Tetorit, por më pas kur pa se ç’ndodhi, pësoi zhgënjim.)

Ne që e kemi jetuar atë periudhë tranzicioni në Shqipëri, duke lexuar këtë pjesë na shfaqen para syve protestat dhe na duket sikur ndjejmë zërin e studentëve. Autori shprehet se “partia “polli” një parti të re.” “Flakeshin tesera partie dhe idealet e mëdha i merte era si gjethet e vjeshtës.”Shqipëria nuk ishte më “fanari ndriçues” por kandili që po shuhej. Megjithëse autori përshëndet agimin e demokracisë, ai pëson edhe zhgënjim kur sheh që disa që i kishin shërbyer pushtetit duke marrë edhe njerëz në qafë, siç ishte një operativ, i cili kishte ndrruar lëkurën dhe ishte bërë bodigard i liderëve të rinj. Ai ndjen dyzim pasi demokracia krahas të mirave, solli edhe fenomene negative si shatërrimet, korrupsioni, vrasjet, prostitucioni, largimet masive jashtë atdheut, etj, fenomene të cilat janë plagë të hapura edhe sot pas 30 e ca vjetësh. Tre romanet e Shefqët Mekos janë promovuar në Shqipëri dhe kritikë të letërsisë i anë vlerësuar ato. Dy romanet e para “Saga përtej Atlantikut” dhe “Viza amerikane”janë përkthyer në anglisht dhe janë paraqitur me sukses në panairin ndërkombëtar të librit në Pekin dhe Malinë tё Filipineve.

Duke mbyllur këto mbresa, desha të theksoj se romani “Rënia”, për problematikën që trajton, për bukurinë e të shkruarit, për mbresat e pashlyera që le tëk lexuesi, është një vlerë e shtuar në letërsinë shqipe. Ai ёshtё njё rrëfim drithёrues, njё “grafi psikologjike” e kohёs, qёbesoj kritikёt dhe lёvruesit e letrave do shohin vlera dhe realizёm.

Filed Under: Interviste

Kulti i punës dhe skena të tjera të jetës shqiptare te vepra e Naimit

May 2, 2025 by s p

Kosta Nake/

Poema “BAGËTI E BUJQËSIA” (1886)

Edhe pse në titullin e poemës kemi binomin bagëti – bujqësi, një vend të rëndësishëm zënë njerëzit që nuk janë vetëm barinj e stopanë, por edhe druvarë, gjahtarë e udhëtarë, pasurim që çel shtigje drejt hapësirave që i shpërthejnë rrethinat e fshatit. Në funksion të ekzaltimit me atë peizazhin e mrekullueshëm pastoral (f.147), drita shtohet kur kalon përmes tij vasha bukuroshe e bariut (f.146) e cila do të rishfaqet me shoqe shumë  (f.157), pastaj bariu plak (f.149) dhe krisma e sëpatës së druvarit (f.150), pastaj gjithë pjesëtarët e familjes të angazhuar me punë të ndryshme (f.151).

Poema “Bagëti e bujqësia” është sintezë e kultit të punës duke e përmbushur targetin e vet në disa rrafshe: te leksiku specifik i punës me procese dhe mjetet përkatëse, por edhe me këshillat e drejtpërdrejta: 

“Të mos rrish kurrë pa punë e të vesh duart në gji…” (f.158)

Pasuar edhe nga këshilla për krijimin e njeriut të virtytshëm që gjendet edhe në dogmat fetare:

“Ji i but’, i urt’, i vyer, e mos u bëj kurrë makut,…

Mos iu afro dhelpërisë, po së drejtës iu nis pas…” (po aty)

Naimi – mësonjës i popullit të vet, e ka të zhvilluar edhe ndjenjën e masës dhe nga hiperbolizimi i punës dhe bukurisë që përftohet prej saj me ndihmën e Perëndisë, zbret në realitetin tjetër shqiptar duke sjellë edhe skena prekëse:

“Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,

Të këputur, të mejtuar, të grisur e të rreckosur,

Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,

S’i ka mbetur gaz në zemër, se s’i la vënt hidhërimi.” (f.148)

Poeti e kalon lehtë këtë skenë duke e justifikuar me përtacinë, pa patur aspak për qëllim t’u futet problemeve social-ekonomike që ka Shqipëria, kurse skena e dytë është më e rëndë, vdekja larg shtëpisë sigurisht ka shkaqe madhore:

“Ah! edh’ atje mbi udhë, i duket i shkretë varri!

Rrethuar me lul’  e me bar, një të gjori udhëtari,

Që ka vdekur i ri shumë, e ka rarë lark shtëpisë,

Mërguar nga mëm’ e motër dhe prej gjithë njerëzisë.” (po aty)

Mjafton edhe një togfjalësh i vetëm “plakëzë e gjorë” për të krijuar një tablo. Në çdo rast deklarimi është i tërthortë si ato goditjet me spondë: “Po s’e di si dua unë, do t’i shoh njëherë, vallë?” (f.149)

Koncepti i Perëndisë

Perëndia është e pranishme nga fillimi deri në mbarim të poemës. Në Shqipërinë  e periudhës 1945 – 1990, kjo qasje e poetit ndaj Zotit u censurua duke qethuar dhjetëra vargje të saj, ndërkohë që iu dha lexuesit shqiptar jashtë kufijve shtetërorë. Sikurse te vëllimet poetike që përfshihen në vëllimin e parë të Veprave të botuara në Prishtinë, Naimi sendërzon panteizmin e vet, duke i vendosur Perënditë fillimisht në pyjet e gjelbëruar (f.146) dhe pastaj duke i ngjitur te froni i lartë i malit të Tomorrit. (f.148, 153)

Kurse raporti me vdekjen krijon atë qasje të veçantë që e përmendëm edhe te vëllimet poetike:

“Gjësendi s’humbet kurrë, e gjë s’vdes në të vërtetë…

As shtohet, as pakësohet, as prishet gjithësija…

Të gjallë edhe të vdekur, gjithë brenda në të janë.” (f.158)

Poeti – mësonjës dhe këshillëtar për popullin e vet

Apostrofa hapëse e poemës ka peshën e vargut si te himni kombëtar: “O malet e Shqipërisë…” Malet në këtë rast nuk janë vetëm tipar gjeografik, por edhe simbol i madhështisë. Hapi i dytë në kompozimin e poemës është ngritja e një ure komunikimi mes poetit dhe bashkatdhetarëve: “o vendëthit e bekuar”. pas kësaj vjen shpalosja e mesazhit në retorikën me Shqipërinë – mëmë, “më ep nderë”, dashurinë për ty nuk e harroj kurrë. Similituda e qengjit, paralelizmi me poetin dhe shpjegimi i kësaj lidhje të ngushtë me atë panoramë përrallore të atdheut. Jo pa qëllim poeti bën gjeografinë e trojeve shqiptare me disa pika vezulluese, si flamujt mbi hartën e luftës: Çamëri, Devoll, Dibër, Dobre, Durrës, Follorinë, Elbasan, Ipek, Jakovë, Korçë, Kostur, Krujë, Labëri, Lezhë, Malësi, Mat, Mirditë, Myzeqe, Përlep, Prishtinë, Skrapar, Shkodër, Tetovë, Tiranë, Ulqin, Vjosë, Vlorë, Ysqyp.

Mbyllja e poemës është patetike dhe i drejtohet Perëndisë:

“Tregomu shqipëtarëve udhën e punës së mbarë,

Bashkomi, bëmi vëllezër, edhe thjeshtë shqipëtarë.

Falmi Shqipërisë ditën e bardh’ tëlirisë,

Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.” (f.160)

Inventari leksikor i bujqësisë dhe i blegtorisë dhe nevoja e kujdesit për kafshët

Është shumë i përimtuar, i qëllimshëm dhe domethënës leksiku që lidhet me bujqësinë dhe blegtorinë, është një leksion poetik, është një ligjëratë poetike e mbështetur kryesisht mbi enumeracionin që duke informuar, krijon një mjedis shqiptar të idealizuar. 140 vjet pas botimit të poemës, kur gjysma e shqiptarëve jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, ky ekzaltim është jo vetëm vetëm i justifikuar, por edhe kufiri midis reales dhe imagjinares bëhet i parëndësishëm. Atdhe të dytë nuk mund të ketë. 

  1. Natyra vjen me tre komponentë: relievi me 23 fjalë, bimësia me 17 fjalë, gjallesat me 10 fjalë.
  2. Bujqësia vjen me tre grupe: mjedisi bujqësor me 6 fjalë, drurët frutorë me 14 fjalë dhe procese të punës me 14 fjalë.
  3. Blegtoria vjen me dy grupe: bagëtitë dhe shpendët 27 fjalë, prodhimet bujqësore dhe agregatë e prodhimit me 16 fjalë.

Ka dhe një grup që është i përbashkët për bujqësinë dhe blegtorinë që përbën veglat e punës me 20 fjalë.

Filed Under: ESSE

GOJËTARIA E ANTON ÇETTËS

May 2, 2025 by s p

(Sot, në 35 vjetorin e tubimit madhështor te Verrat e Llukës)

Shkruan: Myrvete Dreshaj-Baliu

Gojëtaria ose komunikimi gojor moshën e ka të njëkohshme me thirrjet kushtrimtare dhe bartjen e lajmit me kasnec dhe sigurisht shumë me të madhe se sa letrat postare me shkrim, e mos të themi për komunikimin me telefon, me e-mail, pastaj komunikimin në facebook, dhe me metoda të tjera ku komunikohet jo vetëm me fjalë, por edhe me pamje. E megjithatë ajo vazhdon ta ruajë fuqinë, si forma e komunikimit më njerëzor, shekuj e mijëvjeçarë më radhë. Dhe kur këtë peshë të komunikimit gojor, ia vendosim një personaliteti të madh të kulturës dhe të shkencës shqiptare, një veprimtari të shquar të çështjes kombëtare, si Profesor Anton Çettës, ajo vazhdon të reflektojë ende si një ndër format më të përsosura komunikuese.

Është e lehtë gjetja e mënyrës së komunikimit me intelektualë, artistë e shkrimtarë të njohur, ku format e komunikimit janë nga me të ndryshmet dhe ku format poetike të të shprehurit artistik e krijues e gjejnë vendin kryesor. Por është vështirë të gjesh komunikimin e duhur, pa fjalime të gjata e ligjërata të shkruara, me të gjitha shtresat shoqërore e sociale dhe t’i bësh për vete me forcën e fjalës tënde që të gjithë, siç arrinte Profesor Anton Çetta.

Në fjalën time dua të sjellë vetëm një aktivitet historik, ku gojëtaria e Profesor Anton Çettës kishte rol vendimtar, e kjo është Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve. 

Prej veprave të lexuara kishim kuptuar dhe mësuar se “të gjitha lëvizjet ideologjike, fetare, nacionale, kulturore, letrare apo filozofike, të gjitha idetë e mëdha shkencore kanë pasur gojëtarët e tyre, që i kanë mbrojtur, përhapur dhe popullarizuar ato (R. Qosja), ndërsa prej përvojës së vogël në Lëvizjen ilegale për çlirim të Kosovës dhe prej fjalëve tona mbrojtëse para gjyqeve serbe, e kishim kuptuar se sa e rëndësishme dhe se sa me ndikim në sjelljen dhe në jetën shoqërore ishte gojëtaria, dhe madje sa ndikim kishin gojëtarët e afirmuar në jetën tonë.

Në qoftë se të gjitha lëvizjet filozofike, fetare, politike dhe kulturore kishin përfaqësuesit e saj me ndikim, e këta përgjithësisht ishin gojëtarët më të mirë të këtyre Lëvizjeve, ishte e kuptueshme që edhe Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve duhej të kishte prijësin e saj, i cili më parë se sa trim, shkencëtar apo politikan, duhej të ishte gojëtar. 

Në punën tonë prej nismëtarësh të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, ndonëse të një moshe të re, nuk na mungonte guximi i shfaqjes së mendimit, por na mungonte gojëtaria e artikulimit të atyre mendimeve. Kur ne i trokitëm për herë të parë në derë Profesor Antonit (janar 1990) dhe i treguam për misionin tonë, befasia i shihej në sytë e tij, por edhe krenaria për ne dhe punën tonë. Për kohën duhej guxim dhe vendosmëri e pamohueshme për të na përkrahur.

E kush dinte më mirë se Profesor Anton Çetta që faljen e gjakut ta kërkonte në emër të dëshmorëve, të gjakut të tyre, në emër të popullit, të flamurit, të rinisë, në emër të unitetit kombëtar. E kush tjetër dinte më mirë se Profesor Anton Çetta që të gjykonte dhe të prekte në shpirtin e falësve me moton që e krijuam ato ditë të fillimit të Aksionit të Pajtimit, se: Kur na vrasin të tjerët, ne të mos i hapim varre vetvetes, që 32 të vrarët nga terrori shtetëror serb t’i ringjallim duke i falur 32 gjaqe, duke i lenë të pahapura 32 varre të reja dhe se Plagët që na i shkaktojnë të tjerët të mos na duken më të lehta se plagët që i shkaktojmë vetvetes. Ishte gjetja e mënyrës së interpretimit të kësaj motoje dhe prekja e kujdesshme në plagën e dhimbshme të tyre, ajo që u jepte forcë të magjishme të hasmuarve të deridjeshëm, që pa urrejtjen e mëparshme, t’ia shtrinin dorën e pajtimit njeri-tjetrit.

Kjo është arsyeja pse kërkesën tonë për përkrahje dhe ndihmë nuk mund ta kërkonim tek bartësit e partive politike të sapo themeluara, tek gojëtarët e tribunave të hapura ndër protesta, as te gojëtarët e mendimit politik të kohës në hapësirën akademike, por tek Profesor Anton Çetta, bardi shumëvjeçar i kërkimeve etno-folklorike në Kosovë, tek ai që përvojën e tij në ato mjedise, ku shekuj me radhë kishin bartur forma të ndryshme të organizimeve, pra, edhe të pajtimit të gjaqeve, dinte ta artikulonte me urtësi e mençuri dhe ta bartte qëllimin tek shpirti i këtyre njerëzve.

Gojëtari ynë ishte njohës i devotshëm i Kanunit dhe i ndryshimeve të tij nga njëra krahinë etnografike në tjetrën, si dhe i modifikimit të tij në zonat urbane, ishte njohës i thellë i etnopsikologjisë së popullit të tij, i guximshëm përballë pengesave policore, me të cilat ndesheshim çdo ditë dhe i kujdesshëm e i durueshëm përballë sfidave që paraqisnin rastet e veçanta, me të cilat ndesheshim nga njëra familje tek tjetra.

Në gojëtari përgjithësisht “funksionet e të folurit janë jo konceptime idesh, por konceptualizime realitetesh sociologjike, psikologjike, filozofike e gjuhësore” (E. Krasniqi), prandaj në mjediset ku organizoheshim ne Profesor Anton Çeta ishte përfaqësuesi i gjendjeve shpirtërore të familjeve të hasmëruara dhe bartësi i synimeve tona. Mendimi i tij ishte shprehshmëri e shkallës së intensitetit kulturor dhe i rrafsheve të interferimeve shoqërore, në funksion të kërkuesit në njërën anë dhe të falësit, në anën tjetër.

Çështja e transponimit të mendimit dhe kërkesës në odë, ose të folurit në odë, ngërthente në vete tërë sistemin logjik e filozofik të komunikimit në etno-psikologjinë tonë. Në mjetet shprehëse të udhëheqësit të Lëvizjes së Pajtimit, që nga përshëndetjet gjer te lamtumirat, vetvetiu implikohej e gjithë njohja e sistemit shenjëzues gjuhësor në rrafshin krahinor dhe urban. Zbërthimi i kuptimeve të shtresëzuara dhe përdorimi i rregullave të caktuara në komunikimin e Profesorit tonë bënin që qasjet në të folur të jenë të pranueshme, të qarta e të vetnënkuptueshme edhe për dëgjuesit e bashkëfolësit që kishim përpara.

Gojëtaria e tij nuk kishte të bënte aspak me mënyrën se si ne e manifestonim qëndrimin tonë, madje as me tonin (kur e kur të ngritur) të artikulimit të kërkesave tona, as me theksin shpesh të pakontrolluar të synimeve tona, as me fjalësin shpesh të pakuptueshëm të shprehjeve tona; përkundrazi ai shquhej me mendimin e përvojës së vjelë për më shumë se katër dekada në teren, me koherencën e diskutimit dhe komunikimit në odë, me gërshetimin e filozofisë së odave dhe dijes intelektuale e shkencore, me lehtësinë e durimit, si dhe me besnikërinë e qartësinë e mendimit. Përtej këtyre, ai në biseda me të tjerët dhe në media, pa kompleksin që më vonë do ta manifestojnë të tjerët, theksonte: “Këtë punë të mirë dhe të mbarë e filloi rinia e Pejës”.

Nga këndvështrimi kontrastiv i rrafsheve të komunikimit, funksionet e të folurit në odë në gojëtarinë e Anton Çetës kishin edhe vlerën e bartësit të edukimit, rolin përafrues, bashkues e drejtues dhe përmasat shprehëse e përmbuluese të një institucioni autonom e afirmativ, të cilin tashmë e kishte krijuar Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve.

Në këtë rrafsh, unë identifikova këtu vetëm gojëtarinë e Profesor Anton Çettës gjatë Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, ku roli i tij ishte i pazëvendësueshëm. Format e tjera të kontributit të tij në fushë të gojëtarisë sigurisht do të donin një qasje dhe një trajtesë tjetër.

Filed Under: Politike

Çfarë mund t’ju mësojnë mjeshtrit e shahut dhe drogdealers për manipulimin

May 2, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Mjeshtrit e mëdhenj dhe tregtarët e drogës kanë një gjë të përbashkët: ata janë shumë hapa përpara rivalëve të tyre.

Teoria e mendjes është aftësia që ne të gjithë kemi për t’i parë gjërat nga këndvështrimi i tjetrit. Është thelbësore në të gjitha ndërveprimet tona. Një studim i ri nga Shkolla e Mjekësisë Mount Sinai tregon se sa larg e përdorim këtë kur bindim të tjerët. Manipulimi i të tjerëve përdor një pjesë të trurit tonë të përdorur shpesh në lojëra si shahu. Ndoshta të qenit më i mirë në njërën të bën më të mirë në tjetrin?

Takticienët më të mëdhenj janë ata që mendojnë përpara. Mjeshtrat e shahut, gjeneralët e famshëm, liderët e mëdhenj botërorë dhe bosët e mafias ndajnë të gjithë një aftësi: Ata janë të gjithë shumë më shumë hapa përpara se rivalët e tyre.

Secili prej nesh ka aftësinë për të menduar përpara. Në fakt, është e vështirë të imagjinohet një njeri funksional që nuk ka menduar përpara të paktën disa herë. Ju ndoshta keni planifikuar se çfarë të bëni sonte dhe me siguri e dini rrugën që do të bëni për të shkuar në shtëpi. Të menduarit përpara është një shenjë dalluese e inteligjencës. Pa të, ne jemi thjesht skllevër të instinkteve dhe reflekseve tona – paksa si një bimë apo një fëmijë.

Po roli i të menduarit përpara kur kemi të bëjmë me të tjerët? Është diçka e trajtuar në një studim të fundit nga Shkolla e Mjekësisë Mount Sinai. Tregon se sa larg mendojmë kur ndërveprojmë – dhe manipulojmë – me njerëz të tjerë.

Problemi me botën është se ajo është plot me njerëz të tjerë. Ndryshe nga ju (sigurisht!), ata njerëz janë shpesh të paparashikueshëm, të pavarur dhe jashtëzakonisht të palexueshëm. Nuk ka asnjë mënyrë që ne të futemi në kokën e tyre për të ditur se çfarë po mendojnë ose çfarë do të bëjnë. Por duke pasur parasysh se njerëzit janë një specie shoqërore, nuk është çudi që ne kemi zhvilluar mënyra për të llogaritur se çfarë mund të mendojnë njerëzit e tjerë.

Kjo njihet si “teoria e mendjes”, aftësia që shumica prej nesh kanë për ta vënë veten në vendin e dikujt tjetër. (Në shkallë të ndryshme, njerëzit me autizëm mund të mos e kenë këtë aftësi.) Teoria e mendjes është diçka që ne e mësojmë ndërsa rritemi. Fëmijët do të mësojnë se njerëzit e tjerë kanë jetën e tyre mendore – dëshirat e tyre, emocionet, e kështu me radhë – rreth 15 muajsh, por ata janë ende keq në kompensimin dhe përshtatjen me këtë për një kohë.

Për shembull, nëse një dyvjeçar sheh një person tjetër në ankth, ai do të kërkojë ta ndihmojë duke i dhënë lodrën ose gjënë e preferuar. Ata e kuptojnë se dikush ka ndjenjat e veta, por nuk mund të kalojnë përtej kësaj për të menduar se çfarë mund të dëshirojë personi tjetër.

Shumica e njerëzve kanë një teori jashtëzakonisht të sofistikuar të mendjes. Ja një shembull: Le të themi se unë dhe ti po flasim për diçka, dhe ti më sheh mua duke parë orën. Cilat supozime apo mendime kalojnë tani nëpër kokën tuaj? A po më mërzit mua? A duhet të jem diku? A ka një merimangë në orë? Në fakt, njerëzit që “mendojnë tepër” gjërat shpesh humbasin dhe bllokohen në këtë lojë të përpunuar të teorisë spekulative të mendjes. Ashtu si me shumë gjëra, një zakon i dobishëm i trurit bëhet toksik kur çohet shumë larg.

Gjithmonë dy hapa përpara

Çfarë studimi i fundit nga Na et al. i shton diskutimit shqetësimet se sa shumë ne e përdorim këtë teori të mendjes kur përpiqemi të bindim ose manipulojmë të tjerët. Ekipi nga mali Sinai kishte 48 pjesëmarrës të ulur në një skaner truri dhe të luanin një lloj “lojë ultimatum”. Në thelb, ata u ndanë në ekipe dhe u tha të ndajnë 20 dollarë me njëri-tjetrin. Në një version të lojës, nuk kishte asnjë rregull. Ata mund të bënin pazare, të negocionin, të manipulonin dhe të bënin pazare sa të donin.

Studimi zbuloi dy gjëra:

Së pari, pas një analize llogaritëse të të gjitha lojërave të përfunduara, ata zbuluan se rezultatet ishin ato që priten nga njerëzit që mendonin “dy, tre ose katër hapa përpara” nga të tjerët. Me fjalë të tjera, nëse njerëzit do të mendonin vetëm një hap përpara, ose vetëm nga reagimi, rezultatet do të dukeshin krejtësisht të ndryshme.

Së dyti, skanimet e trurit zbuluan se zgjedhjet e bëra gjatë negociatave u shoqëruan me aktivitet në korteksin paraballor ventromedial. Kjo është e njëjta pjesë e trurit që përdoret në shumicën e vendimeve që mendojnë përpara. Pra, të paktën në aspektin neurofiziologjik, manipulimi i të tjerëve është pothuajse i njëjtë me çdo komplot tjetër.

Çdo ndërveprim është një lojë shahu

Ka një skenë të paharrueshme nga The Wire, ku D’Angelo përdor botën reale të tregtisë së drogës për të shpjeguar rregullat e shahut. Ajo funksionon mirë, dhe tani mund ta dimë pse. Çfarë Na et al. tregojnë se kur ne përpiqemi të lëkundim ose manipulojmë të tjerët, truri ynë aktivizohet në të njëjtën mënyrë si kur luajmë shah.

Çdo ndërveprim shoqëror është një lojë shahu, duke u përpjekur për të hyrë brenda kokës së dikujt për të lundruar në atë që ata po mendojnë apo çfarë do të bëjnë. Është fatkeqësia e marrëdhënieve dhe burimi i shumë konflikteve. Pra, çka nëse mund të jemi më të mirë në të?

Ne e dimë se shahu na jep një mori përfitimesh, por ndoshta mund të shtojmë “ju bën më të mirë në rrugën tuaj në jetë” në listë?

Është koha për të hequr pluhurin nga tabela e shahut, me të vërtetë.

Filed Under: Komente

ANTOLOGJIA “PENA E GRUAS” – TESTAMENT DHE FRYMËZIM

May 2, 2025 by s p

Adnan Mehmeti

President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/

New York, Prill 2025

“Gra, nëse do të shpëtohet shpirti i kombit, besoj se ju duhet të bëheni shpirti i tij.” Kjo thënie e Coretta Scott King, shkrimtares dhe bashkëshortes së Martin Luther King Jr., duket sikur ka frymëzuar edhe gratë krijuese shqiptare në Amerikë për të sjellë në jetë antologjinë “Pena e gruas”—një testament i fuqishëm i artit dhe shpirtit të tyre në letërsinë shqipe në diasporë.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka një histori të pasur dhe një mision fisnik: të ruajë, zhvillojë dhe promovojë kulturën dhe letërsinë shqipe në mërgatë. Brenda kësaj shoqate, gratë krijuese kanë luajtur një rol të veçantë, duke sjellë një zë të fuqishëm, të ndjeshëm dhe autentik në fushën e letrave. Këtë herë, ky zë vjen i përmbledhur në antologjinë “Pena e gruas”, një vepër që na fton të udhëtojmë në botën shpirtërore dhe artistike të grave shqiptaro-amerikane që krijojnë anembanë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.

Pena e Gruas Shqiptaro-Amerikane është shpirti i Atdheut, por edhe më shumë se kaq—është një zë frymëzues që prek kombet dhe brezat e rinj, duke i afruar më pranë dashurisë dhe paqes universale. Aty ku forca e fjalës së gruas shndrit, aty lind shpresa, lulëzon lumturia dhe e ardhmja bëhet më e kthjellët. Sepse për gruan, atdheu i saj i vërtetë është dashuria. Virginia Woolf shprehej: “Si një grua, unë nuk kam atdhe. Si një grua, unë nuk dua atdhe. Si një grua, atdheu im është gjithë bota.” Në këtë frymë poetike, kjo antologji përfaqëson vizionin e Shoqatës sonë, e cila krenohet me rritjen e vazhdueshme të numrit të grave anëtare.

Këto gra, të shpërndara në shumë shtete të Amerikës, janë të bashkuara nga dashuria për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Përveç anëtareve të reja në Shtetet e Bashkuara, Shoqata ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe te krijueset shqiptaro-kanadeze, duke ndërtuar ura bashkëpunimi përmes pasionit të përbashkët për letërsinë shqipe.

Në tokën e poeteve të mëdha si Maya Angelou, Sylvia Plath, Anne Sexton, Emily Dickinson e shumë të tjera, edhe gratë krijuese shqiptare në diasporë synojnë të ecin në shtigjet e hapura nga këto figura të ndritura të letërsisë. Secila prej tyre sjell në letërsinë shqipe një dimension të ri, shpesh të paprekur më parë. Me guxim dhe përkushtim, ato shkruajnë për ndjenjat, sfidat, gëzimet dhe dhimbjet e tyre—si gra, si krijuese dhe si emigrante, duke qenë njëherësh bartëse të një trashëgimie të çmuar kulturore.

Çdo krijim në këtë antologji është një ftesë për të kuptuar më mirë botën e grave shqiptaro-amerikane—një botë e ndërtuar mbi dashurinë për familjen, gjuhën dhe vendlindjen, por edhe një botë që përballet me sfidat e jetës në emigracion. Gratë janë pjesa më e ndritshme e shoqërisë njerëzore, dhe kush tjetër veç tyre do ta ilustronte më bukur mendimin e Platonit kur thoshte: “Kushdo që takon dashurinë, bëhet poet.”

Pjesëmarrja e grave në letërsinë shqipe, veçanërisht në diasporë, ka qenë një udhëtim i gjatë dhe shpesh i vështirë. Në fillimet e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, numri i grave krijuese ishte i vogël. Por sot, ato janë një shtyllë e rëndësishme e Shoqatës, duke dëshmuar fuqinë dhe përkushtimin e tyre për të lënë gjurmë të qëndrueshme në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Stili është çelësi i mënyrës së një autori për të parë botën. Prandaj, në faqet e kësaj antologjie, lexuesi do të gjejë poezi të ndjera, prozë të ngrohtë dhe ese që sfidojnë mendimin dhe zgjerojnë horizontet. Kjo vepër na kujton se, edhe në largësi, ne mbetemi pjesë e një trashëgimie të përbashkët, që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim për t’u ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

Le të jetë kjo antologji një burim frymëzimi për të gjitha gratë krijuese shqiptare, kudo që ndodhen, dhe një thirrje për t’u bashkuar rreth fjalës shqipe, nën moton e atdhedashurisë: “Askush nuk mund të arratiset nga e shkuara.” Kjo është lidhja e pazgjidhshme që kemi me Atdheun. Harold Bloom, kritiku i madh amerikan, i shihte shkrimtarët dhe poetët jo si zejtarë, madje as si mendimtarë, por si vizionarë dhe profetë që shohin thelbin e gjërave. Ashtu janë edhe krijueset e shoqatës sonë—gra të talentuara, të cilave u shprehim mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar. Përpjekjet e tyre për të mbajtur të gjallë zjarrin e letërsisë shqipe në diasporë janë një dëshmi e pashoqe e fuqisë së artit dhe shpirtit krijues. Antologjia “Pena e gruas” shënon një epokë të re në historinë e Shoqatës—një Belle Époque për krijimtarinë e grave shqiptare në Amerikë dhe më gjerë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 361
  • 362
  • 363
  • 364
  • 365
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT