• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ceremoni përkujtimore dhe bekimi i varrit monumental të Dëshmorit të Atdheut Dedë Gjon Ujka

August 23, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Më 20 gusht, në Varrezat e Vuksanlekajve të Hotit, Tuz, u mbajt një ceremoni e paharrueshme përkujtimore në nder të Kryetrimit Dedë Gjon Ujka, “Dëshmor i Atdheut”, prijës i shquar, humanist i madh e udhëheqës i pathyeshëm i Kryengritjes së Malësisë së Madhe. Ky aktivitet i shenjtë, organizuar nga famullia e Tuzit në bashkëpunim me familjen e Gjeto Kolë Ucit Camaj, mblodhi klerikë të Kishës Françeskane, hulumtues, aktivistë, përfaqësues të institucioneve vendore e të diasporës, si dhe shumë malësorë që ruanin të gjallë në kujtesë gojdhënat e pleqve mbi jetën dhe lavdinë e këtij burri të madh.

   Në solemnitetin e kësaj dite u mbajtën fjalime nga klerikë, familjarë e akademikë, duke përkujtuar me nderim figurën e Dedë Gjon Ujkës. Në përmbyllje u zbulua dhe u bekua varri memorial, i ngritur me përkushtim e bujari nga familja e Gjeto Kolë Ucit Camaj. Dedë Gjon Ujka ishte organizator dhe komandant i betejës së përgjakshme në Qafën e Uglës, ku, më 25 qershor 1911, dha jetën për liri e atdhe. Me vendimin nr. 792/19, datë 15.8.2020, qeveria shqiptare e shpalli zyrtarisht “Dëshmor të Atdheut”.

   Lindi rreth viteve ’60 të shekullit XIX në Traboin të Hotit, në një kohë të trazuar kur malësorët, me pushkë e besë, i bënin ballë perandorisë osmane. U rrit nën hijen e Kullës Vuksanlekaj, simbol i burrërisë dhe dinjitetit malësor, vlera që e farkëtuan karakterin e tij si patriot i flaktë dhe rilindas i pathyeshëm i çështjes kombëtare.

   Dedë Gjon Ujka përmendet jo vetëm për trimërinë, por edhe për zemrën e madhe. Shiti shumë nga pronat e veta për të larë borxhet e Hotjanëve në ditët e vështira të spastrimeve osmane. Ishte nismëtar i kuvendeve të Malësisë, ku u falën gjaqet, u mobilizuan luftëtarët, u sigurua armatimi dhe u ngjall fryma e qëndresës së përbashkët. Këto vendime burrërore, pararendëse të Besëlidhjes së Malësisë, morën jehonë deri në qarqet diplomatike të kohës.

   Në Qafë të Uglës, Dedë Gjon Ujka u shqua si prijës dhe organizator i betejës më të përgjakshme të Kryengritjes së Malësisë. Atje, në vijën e parë të frontit, ai ra dëshmor, duke vulosur me gjakun e vet idealin e lirisë.

   Organizimi i kësaj ceremonie të lartë u përshëndet gjerësisht nga opinioni publik, si një hap i domosdoshëm për rishikimin e historisë së Malësisë dhe rivlerësimin e figurave më të ndritura të saj.

   Nder e lavdi Dëshmorit të Atdheut, Dedë Gjon Ujka!

   Mirënjohje e respekt bijve të Gjeto Kolë Ucit Camaj, për këtë përjetësim të jetës e veprës së Kryetrimit Malësor! 

Filed Under: Reportazh

Lufta që nuk mbaroi kurrë…

August 23, 2025 by s p

Artan Nati/

Para disa ditësh, në një qoshe të rrjetit social më të dashur për shqiptarët, jo për debat, por për lavde e sharje, një zotëri postoi një bisedë: “A e njeh dhe e vlerëson Luftën Nacional-Çlirimtare?” Përgjigjja erdhi krenare si raport partie: “Familja ime kishte katër partizanë dhe një bazë. Si të mos e njoh e ta vlerësoj?” Me pak fjalë, në Shqipëri s’të duhet mendim kritik, mjafton të tregosh “kartelën e luftës” dhe je i mbrojtur nga çdo pyetje e sikletshme. Kështu, historia na bëhet si CV për Facebook: kush ka gjysh partizan, e ka të kaluarën të ndritur. Ndërsa ata tregtarë të ndershëm, ata patriotë të Ballit Kombëtar e Legalitetit, ata që patën fatin të jenë “në anën e gabuar”. janë fshirë me një klik si “miq të panevojshëm” nga kujtesa kolektive. Në vend të një diskutimi serioz mbi pasojat, mbi dhimbjet dhe dështimet që pasuan luftën, ne bëjmë atë që dimë më mirë: i kthejmë ngjarjet historike në flamuj virtualë, si statuset ku shkruajmë “Jam krenar se gjyshi im ishte…”. Ndërkohë, askush nuk pyet për ata të tjerët, tregtarët që u shpronësuan, familjet që u internuan, patriotët që u pushkatuan.

Nëse do ta vendosnim Luftën Nacional-Çlirimtare në një vitrinë muzeale, dilema do të ishte: ta vendosim në sallën e lavdisë apo në bodrumin e turpit? Sepse për disa është “epope e ndritur”, për të tjerë është thjesht manuali shqiptar i “si të humbasësh Europën Perëndimore dhe të përqafosh Stalinin”. Dilema vazhdon: të nderojmë partizanët që u rreshtuan nën komandën e një partie të sapoimportuar nga Beogradi, apo të kujtojmë se ata, mes pushkës dhe flamurit, mbollën edhe farën e komunizmit që na mbajti 45 vjet në bunker? Dhe në anën tjetër, ç’të themi për “alternativën”? Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Njëri ëndërronte Shqipërinë e Madhe, tjetri fronin mbretëror, por përfunduan duke u grindur më shumë mes tyre sesa me pushtuesin.

Pra, a kemi me çfarë të krenohemi? Por nëse krenaria nënkupton vizion për të ardhmen, atëherë lufta e madhe na dha një dhuratë ironike: një shtet partizanësh që ndërtoi diktaturën dhe shkatërroi çdo shans për të qenë pjesë e Europës që sot e shohim me vizë. Pyetja themelore për sot është: si ta trajtojmë këtë trashëgimi? Ta ngremë në piedestal si shenjtëri kombëtare apo ta çmontojmë si një gjenerator të së keqes që na ktheu në një muze të izoluar? Ndoshta përgjigjja është më e thjeshtë: ta shohim siç është, një epokë ku idealizmi i vërtetë u përzje me cinizmin politik, ku trimëria u përdor si kapital për pushtet, dhe ku lavdia u pagua me dekada prapambetje.

Sepse historia jonë, ndryshe nga partizanët e kinemasë, nuk ecën në mal me këngë, por endet ende me pyetjen: ishim heronj të lirisë apo viktima të një mashtrimi? Kjo pyetje vazhdon e na ndjek edhe sot pas 35 vitesh demokraci. Shembulli i parë: 29 Nëntori. Çdo vit, zyrtarët tanë, bij të ish-bllokmenëve ose nipër të atyre që dikur i shpallën “armiq të popullit”, mblidhen me kurora lulesh. Disa përulen tek varret e partizanëve, të tjerë tek ato të Ballit Kombëtar, dhe të gjithë bëjnë sikur kujtojnë të njëjtën histori. Rezultati? Një Shqipëri ku kemi dy festa për një luftë, dy versione për një fitore, dhe asnjë konsensus për të ardhmen. Një komb që nuk bie dakord as për datën e çlirimit!

Shembulli i dytë: përkujtimoret.

Shko në një qytet të Shqipërisë dhe pyet: kush është heroi këtu? Në Fier do të gjesh bustin e një partizani, në një fshat tjetër një lapidar të Ballit. Pra, në vend që të kemi një memorie kombëtare, kemi një mozaik bustesh që shajnë njëri-tjetrin. Një vend që ka më shumë përmendore për partizanë dhe ballistë se sa për shkencëtarë, mësues e sipërmarrës. Dhe s’është çudi pse historia jonë duket si një reality show pa fund. Shembulli i tretë: politika e sotme. Në parlament, socialistët shfaqen si trashëgimtarë të “lavdisë partizane”, ndërsa demokratët si nipat e “ballistëve antikomunistë”. Pra, edhe sot, 80 vjet më vonë, ne bëjmë sikur votojmë për të ardhmen, por në fakt zgjedhim mes dy të kaluarave: bunkerizimin apo nostalgjinë monarkiste.

Pra, satira është se Lufta Nacional-Çlirimtare ende nuk ka mbaruar. Ajo vazhdon çdo 29 Nëntor në ceremoni, çdo seancë parlamentare në fjalime, dhe çdo debat televiziv ku historianët bërtasin me njëri-tjetrin. Dhe ne qytetarët, si gjithmonë, mbetemi spektatorë të një historie që më shumë na ka ndarë sesa na ka bashkuar. Si mund të na ndihmojë eksperienca botërore?

Në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, gjermanët nuk dolën të bëjnë paradë me flamuj nazistë dhe as të thoshin “Hitleri ishte djalë i mirë, por e teproi pak me tanket”. Jo! Ata u përballën me të shkuarën, e pranuan fajin dhe ndërtuan demokracinë mbi të. Në Spanjë, pas luftës civile, u deshën dekada për të hapur arkivat e për të ballafaquar plagët, por sot së paku ka një debat publik serioz mbi të kaluarën. Në Shqipëri? Ne festojmë 29 Nëntorin duke e quajtur “dita e lavdisë”, ndërsa gjysma e popullsisë e quan “dita e mallkimit”. Një gjerman i sotëm do të shokohej po të shihte sesi ne vazhdojmë të debatojmë: “A ishin më të mirë partizanët që sollën diktaturën apo ballistët që s’u morën vesh mes tyre?”. Ndërkohë, Europa e cila doli nga lufta me Plan Marshall, fabrika e universitete, na shikon ende si një vend ku bustet flasin më shumë se librat e historisë.

Dhe ja ku hyn satira shqiptare: ne nuk kemi bërë asgjë për të trajtuar plagët. Ashtu siç bëjmë me çdo problem, e kemi mbuluar me flamur e këngë. Në vend që të pyesim “pse përfunduam 45 vjet në diktaturë?”, ne preferojmë të bëjmë paradë me gjyshërit partizanë pa menduar aspak per vuajtjet e të tjerëve, ndërsa politikanët e sotëm qeshin me gotën e shampanjës në dorë.

Spanjollët flasin për “Paktin e Harresës”, gjermanët për “denazifikimin”. Ne? Kemi “paktin e përfitimit”: kushdo që është në pushtet, zgjedh versionin e historisë që i shërben. Një ditë është lavdia partizane, ditën tjetër është heroizmi i ballistëve. Dhe qytetari i thjeshtë mbetet konfuz: të valëvisë flamurin e kuq me yll apo të thërrasë “Rroftë Mbreti”? Pra, ndërsa kombet e tjera i kanë trajtuar të kaluarat si plagë për t’u mbyllur me drejtësi dhe reflektim, ne i kemi trajtuar si skenë për komedi politike. Në vend të një katarze kombëtare, kemi një farsë kombëtare.

Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të mos harxhojë më miliona për buste të reja, ceremoni lulesh dhe përkujtimore ku politikanët mbajnë fjalime bosh. Në fakt, e vërteta është se të dyja palët dështuan. Partizanët fituan luftën, por na futën në bunker për 45 vjet. Ballistët dhe legalistët ëndërruan Shqipërinë e madhe dhe fronin e Zogut, por nuk arritën të ndërtojnë dot as një plan serioz për vendin. Sot, 80 vjet më vonë, ne vazhdojmë të rrotullohemi mes dy flamujsh, ndërkohë që Europa për të cilën luftuam na sheh ende si një vend që nuk di t’i bëjë paqe as me të shkuarën e vet. Sepse në fund, ndoshta e vetmja mënyrë për ta fituar më në fund këtë luftë është të pranojmë se askush nuk e fitoi. Dhe të fillojmë të mendojmë jo se kush ishte më i drejtë dje, por si të bëhemi normalë sot.

Filed Under: Analiza

“DJELLA” DHE NJË PËRKITJE DUKURISH NDËR BREZA

August 23, 2025 by s p

KOSTA NAKE/



Në fillim të viteve ’70 dëgjova për herë të parë për shkrimtarin Martin Camaj, në fillim të viteve ’90, kur dyert u hapën për të mohuarit, ai mbylli sytë pa arritur të ngjitej fizikisht në skenën shqiptare. U deshën të kalonin edhe 30 vite që të merrja për herë të parë në dorë një nga veprat e tij, romanin “Djella”. Parandjenja e parë ishte një përballje jo e lehtë me gegërishten, por isha gabuar, prisja të hyja në disa mjedise epike të gurta e të heshtura, por gjeta një mjedis lirik me karaktere që më befasuan me mprehtësinë e tyre, kisha planifikuar një lexim që mund të shkonte një javë, por e lexova brenda një gjysmë dite.

Romani më krijoi imazhin e një dashurie të parë që edhe pas 65 vitesh flet me gjuhën e së sotmes, një pleksje e rrëfimit me meditimin, e prozës me poezinë. Mësuesi Bardh Qerreti dhe fshati Ndërsanë, sjellin një prerje disamujore të jetës shqiptare e cila mëton të mbajë gjallë burrninë kur ka aq shumë sëmundje dhe varfëri, sa që mësuesi vetëm mund të bëjë udhëtarin dhe jo misionarin, kur e vetmja gjë pozitive është këmbëngulja e fshatarit për të ruajtur tokën nga tjetërsimi. Gjithsesi Camaj bën një vlerësim mbresëlënës: “Një kandil bishtuk ndezë në fushën e errët, natën, bân mâ dritë se një hyll i largët. Kandili me dritë të vogël qenka mësuesi.” (f.31). Poetikisht kjo është sjellë kështu: “Mësues n’katund â punë e dlirë e naltë me gdhendun njerëz për dit të mdha.” (f.47) Kurse në mendësinë popullore ka një deformim që ka filluar të ngrejë krye edhe sot në një prizëm të ri. Ja ç’i thotë Curri mësuesit: “Ju të shkolluemit kujtoni se na të pashkollët aq sa dimë flasim.” Dhe më tej reflektimi i Bardhit: “Simbas tij ai, jo unë, në trutë të veta ruente edhe dijen e të parëve. Kurse na tue lexue sende tjera, i kishim harr.” (f.77)

Bardhi vendos tre lidhje të ndryshme: me Shpresën, Djellën dhe Sosen, një trinom me natyra të ndryshme. Me Shpresën – një fejesë pa dashuri që përfundon me divorc. Me Djellën një dashuri pa propozim, maturia intelektuale e lë në baltë dhe Djellën që ndriçon Ndërsanën, e merr malësori Curri që është më i shpejtë e këmbëngulës. Me Sosen është një marrëdhënie seksuale pa ndjenjë, prandaj dhe jetëshkurtër.

Mjedisi legjendar mund të bëjë të mendosh se këtu kanë ndaluar akrepat e kohës, por bisedat e shkurtra të mësuesit me Djellën dhe Currin dhe takimi i tij me plakun e urtë te Kodra e Hardhisë zbulojnë karaktere të fortë e të mençur që hedhin dritë mbi identitetin e malësorit dhe qëndresën përballë joshjes për braktisjen e trojeve. “Një pjesë të tokave e kam mbas kësaj maje. Shkoj e vij dy herë në ditë këndej pari…Kështu e ndiej veten, i lidhun për pronat e mia. Nëse dikush vjen e ma merr këtë tokë një ditë. Do t’i grryej të dy sytë me këta thoj.” (f.93-94) I skalitur bukur në galerinë e portreteve është ai i bariut. (f.122)

Lëvizja nga fshati në qytet dhe nga mali në fushë është një lëvizje demografike që u përsërit në këto vite të tranzicionit politik dhe ekonomik. Kalimthi ceket edhe lëvizja përtej kufijve kombëtarë: “Në anën tjetër të malit njeriu e ndjen veten të huej dhe e shijon vetminë si askush në këtë botë; vetmia bâhet shoqe e jetës dhe kështu atje mbas malit jetohet mâ mirë. I hueji mundet me folë gjithditën me vetvete e askush s’e pyet se çka e pse ai flet në një gjuhë të huej, dmth në gjuhën e vet amtare.” (f.71)

Hendeku i brezave zbulohet qartë e trishtueshëm te biseda atë e bir. Babai kërkon t’i qëndrojë strikt traditës: “Unë kam vjetët, ti ke shkollën, ti për mue je im birë, unë për ty malok.” (f.51) Biri që jetën e ndan mes fshatit dhe qytetit: “Çdo send që lëviz këtu mbrendë duhet të marrë frymë si ju, në të njëjtin ritëm, por i vetmi pinjuell që ju lindi e u rrnoi, dalë ngadalë tue u rritë, prej djalit u shndërrue në dashamirë, prej dashamirit në një të njoftun të largët dhe, për mos me u bâ anmik, tash del e tret dikah.” (f.52)

Ndryshe nga sa mund të pritej, Djella është një hap më parë nga vajzat malësore përderisa shkon lirshëm për të mbushur ujë dhe mund t’u përgjigjet meshkujve të panjohur. Madje ajo bën një deklaratë të fortë: “Edhe unë kam një korp, s’jam vorbë me zie groshën në të.” (f.107)
Interesant është vlerësimi i padyshimtë i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe analiza e gjakmarrjes në vështrimin e Currit: zanka fill për ngatrresa grash, fjala që u lëshueke goje pa mendue, mirëqenia ekonomike i tërbueke njerëzit. (f.75)

Brenda kësaj kornize përfshihet edhe mendësia shqiptare për armët që sillet nëpërmjet plakut Shin: “Mo’ Zo’ se çka na ka gjetë! Kur i bishim malit me to në krah e ngjeshë për bel, edhe toka u dridhte nën kambët tona, veshë në xhamadana ari e tirq të lehtë, bardhë si endja e kumbullës. Sall nuk fluturoshim se gjâ pa bâ nuk lëshim, more burrë!” (f.114) Vitet e tranzicionit kanë “rivendosur” këtë dinjitet të humbur për gjysmë shekulli.

Romani merr një nuancë policore kur sjell interpretime të ndryshme për vdekjen e Currit duke u përdorur si mjet për të përmbyllur subjektin, kurse rolin e epilogut e merr një bisedë mes Bardh Qerretit dhe kolegut në hije, Blerim Bushli.
*
Në fund të çdo kapitulli Bardhi mësues ekspozon edhe fytyrën e vet prej poeti. Poezitë janë monokolone me varg të lirë, por me një ngarkesë të madhe figurative. Me një vështrim tërësor të materialit poetik që shoqëron kapitujt, mund të veçojmë disa karakteristika të tij:
Së pari, vargjet janë kryesisht refleksione për ngjarjet dhe jo një metamorfozë e tyre.
Së dyti, poezitë ndërtohen mbi paralelizmin figurativ të një dukurie të natyrës apo të një peizazhi me gjendjen shpirtërore të poetit apo me marrëdhëniet e tij me të tjerët. Leksiku i natyrës fokusohet te mali, pishnaja, plepi, dushku, blini, kallami, ahet, shkëmbinjtë e thepisun, gjembi, bari, trëndafili, kullumbria, bregu, këneta, etj.
Së treti, Camaj është poeti i metaforave të bukura që janë fryt i përthyerjes së përvojës në tinguj e ngjyra dhe shpesh herë krahasimet janë bashkëshoqërueset e tyre.

Ja një përmbledhje e kësaj pasurie artistike: Më gëzoni si gjethi i njomë në puhi, më shikoni si hana nëpër rrema, nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë si bima prej fare në pranverë. (f.33)
Gacat e votrës m’i dinë fshehtësistë në tru si bleta në terr të zgjonit, – në fund të shpirtit ndiej një za që harpën e kangës s’fortë mos ta var kurr në gemb. (f.37)
Shkrumb ma bani etja gjuhën, krah gjingalle në vapë, – vetmia e lugjeve në terr më ndjek si send i gjallë me trup e mish. (f.41)
Ndieva mushtin tue vlue ndër druj dhe gjijtë e dheut tue u fry nën kambë. (f.44)
Plepi ka mbetë i thatë si shtizë, – me fletzën e dushkut na ço n’ajër, moj erë. (f.52)
Fëtyrën e shkambijve të thepisun e pruna në sy, krizmën e erës ndër aha e pruna në veshë, filli i kallambit në breg dikë po pret në muzgun e lodhun e shkret. (f.58-59)
Nji mall m’këputi, ore vëlla, si këputet krandja në flakë, si këputet fjala në dhimbë, nji mall më randon në shpirt si molla e madhe në gemb. (f.72)
Në pusin e ujit në oborr lahet ylberi që u zhye mâ parë n’lloç dhe unë mbes para tij nji shkop i puthun në dy syt. (f.78)
Djellë, ti hyne si blerimi në sy, gjak i ngrohtë ndër dej. Mos ik, syni me blerim nuk ngihet, as zemra me gjak e ngrohje. (f.81)
Zemra rri ngujue e plasun, si zog pa fletë, – me muzg vjen gzimi e me erën e barit malli i netve që ikën. (f.97-98)
Nji re ka mbetë në qiellin e hapët barkë e vetmueme në det, nji shkamb në shpirt. (f.133)

Filed Under: LETERSI

ARNAUTËT NË LINDJEN E MESME

August 23, 2025 by s p

Historia dhe e tashmja e arnautëve të Sirisë. */

Prof.Mohamed Mufaku

Historin/orientalist shiptaro- amerikan

Në shek.XV ishin në luftë për dominim dy sultanata në Lindjen e mesme, sultaniti i ri osman dhe sultanati i mamlukëve (1250-1517) me seli në Kajro, i cili përfshiu Egjiptin, Arabinë, Sirinë dhe një pjesë të Anadolit. Ndonëse në Kajro sundonin dy sulltanë arnautënë gjatë shek.XV, me pushitimin osman të këtij sultanati më 1516-1517 morën pjesë komandantë e shumë ushtarë shqiptarë, kurse gjatë sundimit osmane në këto pjesë të Lindjes së mesme (1517-1918) u paraqen shumë valinj shqiptarë prej Mehmet pashë Dukagjini e deri te Ismail Qemali.

Mirëpo, për praninë e aranutëve si koloni duhet pritur ardhjen e Mehmet Ali pashës në Kajro, përkatësisht emërimi i tij si vali i Egjiptit më 1805, që ishte një vit kthese të madhe në historinë e rajonit. Me këtë kthesë Egjipti u paraqit si vend i fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht duke shkatërruar disa herë ushtrinë e sultanit osman gjatë 1831-1840. Ndërkohë, Egjipti u zgjerua duke përfshirë Sudanin, Arabinë, Sirinë dhe një pjesë të Anadolit. Mirpo, ndërhyrja e Fuqive të mdha e detyroi M.Ali pashën të tëhiqet e të kufizohet në Egjipt me të drejtë të një dinastie trashiguese.

Si pasojë, Egjipti u bë vend tërheqës për ardhjen e shqiptarëve (kryesisht nga jugu i Shqipërisë) dhe paraqitjen e një nga qëndrat e Rilindjes kombëtare shqiptare. Mirëpo,me grushtshtetin e 1952 dhe shpalljen e Rupblikës më 1953, si dhe me fushatën kundër “kolonive evropiane” (kolonia shqiptare ishte e pasta nga numri) gjatë 1952-1962, prania e aranautëve u zvogëlua dukshëm deri në fillim të shek.XXI, kurse tani kemi ndonjë familje atje këtu.

Në krahsim me Egjiptin në Siri kanë ardhur disa valë shqiptarësh dhe u krijua një koloni që tani po lufton për mbijetesë.

Vala e parë, kryesisht ushtarë të Mehmet Aiut, erdhi gjatë 1831-1833, pra gjatë asaj kohe kur Siria ishte nën sundimin e Mehmet Aliut. Me tërheqjen e shpejtë të ushtirisë së Mehmet Aliut nën presion të Fuqive të mëdha më 1840, një pjesë e ushtarëve mbeti në Siri dhe u njohen si Arnautë(edhe me mbiemër), që janë më shumë të përqëndruar në veri dhe në përendim të Sirisë (Halep, Menbexh, Latakia etj.).

Vala e dytë erdhi pas Luftës Ballkanike 1912-1913 dhe pas Luftës së parë botërore, përkatisht gjatë mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1941). Kjo pjesë erdhi kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia Perëndomore, e me disa familje nga Shkodra, dhe u bë bërthamë e kolonisë shqiptare që u kurorëzua me formimin e shoqërisë së parë shqiptare në Damask më 1947. Me ndonjë përjashtim nga Prishtina, Peja e Shkodra, shumica e tyre ishin nga fshatra që vuanin nga presion i pushtetit serb. Po ashtu, shumica e shqiptarëve që erdhën atëherë u njohen se Arnautë (edhe me mbiemër) pasi që morën nënshtetësinë siriane, kurse disa familje mbajtën mbiemrat e vjetra të tyre (Ajdini, Junuzi, Zeqerija etj).

Vala e tretë ishin emigrantët politikë e ushtarakë që erdhën në Damask gjatë 1947-1948, me të cilët Damasku u gjallërua si qëndër e opozitës kombëtare antikomuniste me disa parti (Legaliteti, Balli Kombëtar, Blloku Kombëtar Indipendent e Grupi Kosovar), e me nxjerrjen e revistës “Flamuri Kombit” në gjuhën shqipe. Mirëpo, si pasojë e luftës arabe-israelite më 1948 dhe ardhja e refugjatëve palestinezë në Damask, jeta u vështirsua dhe shumica e kësaj elite civili-ushtarake (Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrivica,Tahir Zaimi, Kadri Cakrani etj.) u detyrua të kalojë në Perendim.

Me mbylljen e Shoqërisë shqiptare më 1949, kur edhe filloi seria e grushteteve ushtarake në Siri, kolonia e mbetur në Siri me nja 5 mijë vetë atëherë, mbeti e izoluar (me ndonjë përjashtim) nga trungu shqiptar qoftë në Kosovë ose në Shqipëri, që ndikoi në fillimin e asimilimit. Mirëpo, me fillimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturën Shqiptare për të Huaj në Prishtinë më 1974 (tani SNGJLKSH), filloi një ngjallje në mesin e gjeneratës së re që rrezikohej me asimilim. Me këtë ngjalje u bë autmatizimi i gjendjes civile në Siri , me çka doli më 2010 se nja 7 mijë shqiptarë mbajnin mbiemrin Arnaut, kurse me mbiemra tjera mund të shkojë numri deri në 10 mijë.

Mirëpo, me shpërthimin e revolutës popullore kundër regjimit diktatorial të Asadit më 2011 miliona sirianë u bënë refugjatë në Turqi e Evropë, në mesin e tyre edhe shumë arnautë. Ndërkohë, me shpalljen e Pavarësisë më 2008, u ashpërsua proçesi i vizave për sirianët, kështu që u pengua ardhja e arnautëve për në Seminar deri më 2024. Ndërkohë, me rrëzimin e diktaturës 55 vjeçare në Siri më 8.12.2024 u paraqit në Damask Vala e katërt me ardhjen e luftëtarëve shqiptarërë nga Kosova e Maqedonia në krye me komandantin Abdyl Jasharin (i lindur në Shkup më 1975 me prejardhje nga Kosova) që formuan një grup në vete (xhemati alban/batalioni shqiptar) që ishte pjesë e Frontit të Nusrës ,e themelluar më 2012. Kjo organizatë u shndërua më vonë (2017) në Frontin për Çlirimin e Sirisë. Komandanti Jashari ishte i afërtë me udhëheqisin e Nusrës Abu Muhammad al-Golantani (tani Presidenti sirian Ahmad al- Shar’), të dytë të shapallur “terroristë” prej administrata amerikane me 2016. Mirëpo,me përkrahjen amerikane regjimit të ri në Siri që u kurorëzua me takimin e presidentit Trump me presidentin sirian al-Shar’ në Rijad më 24 maj 2025, u hoqën shumë sankcione amerikane dhe trajtimet e komandantëve si “terroristë”, komandanti Jashari u gradua në kolonel në bërthamën e ushtrisë e re siriane dhe tani ky grup i ri shqiptar (nja 50 luftëtarë, me familje e fëmijë deri në 250 vet) do të gëzojë nënshtetësinë siriane e do vendoset në Siri duke zënë poste të ndryshme. Nga ky post i ri, koloneli Jashari tregoi interesim për arnautët e Damaskut duke u takuar disa herë më ta, gjë që e ngjali një frymë të re në mesin e tyre,pasi arnautët tani ndiejnë për herë të parë që kanë dikend në pushtet.

Tani, më rrëzimin e diktaturës dhe kontakti i parë diplomatik midis Kosovës e Sirisë (takimi i dy kryetarëve Osmani dhe al-Shar’ në Antali më 11.4.2025), u ngjallë përsëri shpresa për mbijetesë te gjenerata e re e arnautëve me demokratizimin e vendit (që do të lejonte rihapjen e shoqërisë shqiptare) si dhe me normalizimin e pritur të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Sirisë, që do ta hapte rrugën për një pjesëmarrje më të madhe të arnautëve në Seminar dhe rilidhjen me trungun kombëtar. Nga ana tjetër, kjo ngjalje e kolonisë në Siri do të ishte urë e Kosovës për atë rajon, ku priten shumë investime për rindërtimin e Sirisë që do vazhdojë disa dekada me shuma të mëdha (300-500 milardë dollarë).

*Fragmente nga një kumtesë e mbajtur në tryezën shkencore “Arnautët në Lindjen e mesme” më 22 gusht 2025 në kuadër të Seminarit 43 ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Universitetin e Prishtinës.

Filed Under: Rajon

23 gushti – Dita Evropiane e përkujtimit të viktimave regjimeve totalitare

August 23, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Mё 23 gusht, është dita e paktit të mossulmimit, nënshkruar nga Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste. Pakti i mossulmit apo i mosluftimit ndërmjet Bashkimit Sovjetik e Gjermanisë naziste qe një tronditje për mbarë botën. Armiqtë e përhershëm të përbetuar, Hitleri e Stalini nënshkruanin këtë marrëveshje për të ndarë së bashku pjesën e mirë të Evropës. Një besëlidhje ndërmjet dy totalitarizmave kryesore, nazist e komunist.

Për këtë arsye Parlamenti Evropian propozoi që 23 gushti të shpallet Dita Evropiane e viktimave të stalinizmit dhe të nazizmit. Zyrtarisht quhet “Dita evropiane e memories të viktimave të stalinizmit e të nazizmit”.

Pikërisht në Ditën Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare, duhet të kuptojmë se kjo ditë nuk është nuk është vetëm një ditë kujtese, por edhe një ditë e cila na fton të reflektojmë dhe të nderojmë qëndrestarët antikomunistë që u përballën me diktaturën kriminale të E.Hoxhës në vitet 1941-1990.

Shqipëria ende ka mangësi në dënimin e krimeve të komunizmit.

Kujtesa dhe nderimi për heronjtë dhe viktimat e regjimit totalitar komunist në Shqipëri, regjim që mohoi liritë dhe të drejtat, fjalën, mendimin dhe dinjitetin njerëzor është detyrë dhe detyrim moral, ligjor,politik dhe kombëtar për të gjithë Ne ,sot dhe përgjithmonë

34.135 shqiptarët e burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59.009 qytetarët e internuar në kampe përqendrimi, 7.022 prej të cilëve vdiqën, 984 të vdekurit në burgjet e regjimit dhe 6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë diktaturës e konfirmojnë faktin që regjimi totalitarist i etërve të sektit Rama në pushtet nuk ka qenë kurrë i duhuri dhe ata asnjëherënë anën e duhur të historisë!

Këta burra dhe gra, që luftuan pa u dorëzuar dhe që u mbyllën në burgjet famëkeqe të regjimit komunist, prodhuan një pasuri të madhe shkrimesh, veprash dhe botimesh. Disa nga këta intelektualë dhe luftëtarë të qëndresës, e gjetën mundësinë të vazhdojnë veprimtarinë e tyre të shkrimit, duke lënë pas një testament që vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm për historianët, studiuesit dhe qytetarët.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme që figurat e qëndresës antikomuniste të përfshihen në kurrikulat mësimore dhe studimore të shkollave të arsimit të mesëm dhe të lartë. Jo vetëm që ky veprim do të ndihmonte në ruajtjen e kujtesës historike, por gjithashtu do të formonte breza më të ndërgjegjshëm dhe më të lidhur me vlerat e lirisë dhe drejtësisë. Ata që luftuan për këtë liri, duke paguar çmimin e shtrenjtë të sakrificës, meritojnë të nderohen dhe të kenë një vend të dinjitetshëm në tekstet shkollore.

Është e rëndësishme të theksohet se kujtesa historike nuk duhet të fshihet apo të manipulohet, ndërsa e kundërta ka ndodhur këto 13 vite qeverisje nga “bijtë e baballarëve”, të cilët janë përpjekur e përpiqen të fshijnë gjurmët e periudhës më të dhimbshme të historisë sonë kombëtare.

Përjetësimi i heronjve të burgjeve komuniste është përgjegjësi e të gjithëve, ata duhet të kenë vendin e duhur në çdo fushë të jetës, art, kulturë, letërsi etj, që brezat e rinj të njohin dhe të respektojnë trashëgiminë e tyre.

Ndaj duhet të kujtojmë, nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave dhe të reflektojmë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi, liria dhe demokracia.

Qoftë i paharruar kujtimi i viktimave , qëndrestarëve dhe heronjve antikomunist të sistemit totalitarist në Shqipëri!

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 365
  • 366
  • 367
  • 368
  • 369
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT